"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura".
.
.. Filli kohor jep mundësinë të dallohet përballja e përjetshme me fqinjët grabitqarë, me fuqitë kontinentale dhe me perandoritë planetare ; të ndjehet pesha e pushteteve konkurruese dhe ideologjive dominuese. Kronologjia konfliktuale zbulon ndeshjen e pamëshirshme ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, dyzimin ndërmjet Krishtit dhe Muhametit, përzgjedhjen e vështirë ndërmjet Republikës dhe Monarkisë, përgjakjen ndërmjet komunizmit dhe nacionalizmit, përpëlitjen ndërmjet demokracisë dhe anarkisë, fërgëllimin ndërmjet socializmit dhe biznesit. Rregjistri shpirtëror dëshmon për luhatjen e vazhdueshme ndërmjet anonimatit dhe lavdisë, njëjtësimit dhe tjetërsimit, dashurisë dhe urrejtjes, kokëkrisjes dhe çmëndurisë, dhimbjes dhe shpresës. Alkimia e vendit furnizon së fundi edhe formulën e krijimit të përbërësve njerëzorë të Kombit : ilirë dhe arbër, Gegë dhe Toskë, fise luftarake të veriut dhe bashkësi zanatqare të jugut, bajraktarë kryelartë dhe bejlerë sipërmarrës, irredentistë kosovarë dhe çamë nostalgjikë, elita qytetëse turkofile dhe intelektualë frankofonë ose italofonë.

Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?
Affichage des messages blog dont le libellé est Zëra dhe klithma. Afficher tous les messages blog
Affichage des messages blog dont le libellé est Zëra dhe klithma. Afficher tous les messages blog

vendredi 4 juillet 2008

Paralelizëm qendërikës.

. Çka përbashkon Gërdecin me Karkasonën ? Në pamje të parë asgjë. I pari është një fshat anonim pa histori, prej disa dhjetra shtëpish, zgjatim i rastësishëm i mikroqytetit Vorë, që u bë i njohur në mbarë botën « falë » katastrofës vrastare delijorgjiane. I dyti, njihet si vendbanim që në parahistori, qytet me 44.000 banorë, i « shenjtëruar » nga UNESKO në vitin 1997, pasi i rregjistruar në trashëgiminë kulturore të njerëzimit. Asnjë ngjashmëri deri disa ditë më parë, përpara se të zhvillohej një « çfaqje » ushtarake nga regjimenti parashutist që ka zgjedhur qendrën e Karkasonës si seli të tij. Përpara një publiku të shumtë dhe të mahnitur, të përbërë nga gra dhe kryesisht fëmijë, ushtarakët profesionistë francezë provojnë armët e tyre efikase, natyrisht me fishekë mësimorë. Për të krijuar një efekt absolut, ushtarakët qëllojnë me breshëri deri 300 predha /minutë – deri në momentin kur një kapter qëllon… me fishekë luftarakë.
. Rezultati : 17 të plagosur mes spektatorëve, disa prej të cilëve shumë rëndë. Ja edhe paralelizmi fillestar mes këtyre dy ngjarjeve të dhimbshme : pakujdesia vrastare e ushtarakëve ndaj civilëve, përdorimi i materialit luftarak në mjedise paqësore. Me një qendërikje-divergjencë jo të neglizhueshme: në se ushtarakët francezë kërkojnë të krijojnë veçse efekt mbi turmën e magjepsur, sivëllezërit e tyre shqiptarë kërkojnë të bëjnë biznes me municionet duke shfrytëzuar popullatën e mjerë. Rezultati është i njejtë : të vrarë dhe të plagosur civilë. .
. Paralelizmi i dytë : sikundër mund të mendohet, pak çaste pas katastrofave respektive, përfaqsuesit më të lartë të Shteteve përkatëse zbresin në terren dhe gjykojnë situatën. Kryeministri Berisha ngushëllon viktimat dhe premton t’i ndihmojë familjet e dëmtuara. Veçse sot, askush nuk kujton me saktësi çfarë ju premtoi pasi asgjë, absolutisht asgjë nuk dëshmon për premtimet e dhëna – përveç asaj grevës së urisë së Gërdecarëve përpara Kryeministrisë. Nga ana tjetër, edhe Presidenti Sarkozi bën të njejtën gjë : takohet me familjet dhe ngushëllon viktimat. Por ai s’premton asgjë – përveç gjetjes së fajtorëve :
.
. « reaksioni do të jetë i shpejtë dhe i ashpër. Bëhet fjalë për profesionistë dhe kjo gjë s’mund të kalojë pa pasoja… T’i quajmë sendet me emrin e tyre : ka patur një pakujdesi të pafalshme që çoi në këtë dramë që mund të ishte edhe më e rëndë. Dhe unë nuk do të pres një tjetër tragjedi që të veproj.. »
. . Pikërisht gjetja dhe ndëshkimi i fajësisë dhe i fajtorëve përbën edhe qëndërikjen më flagrante nga paralelizmi i situatave. Në se në rastin shqiptar askush nuk e ndjen vehten fajtor – as ministri, as oficerët e lartë, as edhe kapteri më i vogël i ushtrisë, në rasti francez, kapteri përkatës – dhe superiorët e tij ju kaluan drejtësisë brenda ditës. U deshën seanca të tëra të parlamentit shqiptar, mbledhje të qeverisë, të komisioneve përkatëse dhe të grupeve të hetimit, bile edhe ndërhyrja e vetë Presidentit - si dhe rekomandimi i Kryeministrit, që Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnanti Hoxha të shkarkohet nga detyra. Tre muaj pas ngjarjes!
. Vetë i interesuari reziston dhe mbrohet – edhe kur e di se katastrofa shkaktoi 26 të vrarë dhe 300 të plagosur, kur është i zhytur deri në brez në një trafik të vërtetë me municionet e depove të tij. Ndërkohë, homologu i tij francez, Gjeneral Armate Kuche, dha dorëheqjen vetë, që të nesërmen e dramës. Për shkak të një palo kapteri të papërgjegjshëm nga Karkasona. .
. Paralelizmi tjetër i përgjigjet instrumentalizimit të çështjes nga ana e opozitave socialiste përkatëse që synojnë destabilizimin e pushtetit si edhe hijes së rëndë që si Berisha ashtu edhe Sarkoziu arrijnë të projektojnë mbi mediat. Veçse, sado të duam Berishën dhe të urrejmë Sarkozinë, asnjë element sado i rastit nuk na lejon të kqyrim ndonjë motiv përfitimi personal apo implikimi familjar të Presidetit francez në çështjen e çmëndurisë së Karkasonës, sikundër dhe atë masë treguesish apo parametrash të natyrës birësore, baxhanakore – apo thjesht interesash lekiste, që sugjeron përlyerjen e Kryeministrit Berisha në një aferë të fëlliqur dhe kriminele si ajo e Gërdecit. .
. Sidoqoftë, çdo paralelizëm, qoftë ai qendërikës ose qendërsynues, është një rast i mirë për t’i kujtuar kujtdo – që nga kreu i Shtetit deri tek bishti i kavallit – se detyra e parë e çdo demokracie sikundër dhe e çdo partie apo grupimi demokrat është respekti i jetës njerëzore, i çdo jete njerëzore, qoftë ajo nga Karkasona apo nga Gërdeci. Në se Shteti dështon në këtë angazhim të tij të parë dhe themelor, përfaqsuesit e tij duhet të dorëzojnë mandatet e tyre popullit, atij populli që i ka zgjedhur dhe i ka besuar administrimin e fateve të tij - me po atë zell dhe këmbëngulje me të cilën ata ja kanë lypur.
.
.
. * * *
.
.
. Në një gjuhë tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e armëve, titulli i mësipërm s’është gjë tjetër veçse një oksimorë. Një figurë stilistike që bashkon brenda një shprehjeje dy fjalë ose elementë të ndryshëm, në pamje të parë të kundërt : fatin e keq që godet paralelisht të pafajshmit, gjithësesi të gjendur në dy situata shoqërore dhe politike divergjente, qendërikëse. Por, nëse francezët e lidhin oksimorën kryesisht me letërsinë, shqiptarët nuk hezitojnë t’ja veshin realitetit të përditshëm. Në të vërtetë, cila më mirë se oksimora mund të karakterizojë absurditete të shkëlqyera të tilla si puna e Gërdecit tonë, tashmë të përvëluar nga dielli i zi i shpërthimit ? Cila më mirë se kjo figurë mund të shprehë llahtarinë sublime të demokracisë berishjane, tërheqjen e fajshme të Kryeministrit që shumëkush adhuron t’a urrejë ? drejtësinë e këtij vendi që me ngadalësinë e saj dëshpëruese karakteristike, ngutet të mbyllë procesin e kërkimit të fajtorëve ? Heshtjen shurdhuese të opinionit publik që ka rënë mbi viktimat ? Një çmënduri banale, bile normale, kur mendon se prej kohësh, ky opinion ushqehet me ëndrra që rëndojnë nga zbrazëtira e tyre, ndriçohet me ide që shkëlqejnë nga falsiteti i tyre. .
. Zaten, nuk ka oksimorë që arrin të befasojë më këtë popull, këta njerëz, të lindur nën diktaturën e proletariatit ku edhe individi ishte kolektiv dhe të rritur në demokraci autokratike, për të cilën tjetri nuk egziston më.

La suite.. - Vazhdimi...

dimanche 23 décembre 2007

Agim Çeku flet mbi Kosovën : « pavarësi, demokraci, pajtim »

Le Courrier des Balkans (Korrieri i Ballkanit) – përkthyer nga frëngjishtja. E enjte, 20 dhjetor 2007 .

Në një bashkëbisedim ekskluziv me korrespondentin e Korrierit të Ballkanit, ish Kryeministri Agim Çeku, i rikthehet mandatit të tij si dhe arsyeve të tërheqjes së përkohshme nga jeta politike. Ky ushtarak i vjetër do të mbetet në rradhë të parë si « njeriu që udhëhoqi bashkëbisedimet » për pavarësinë e Kosovës. Ai i rikthehet kësaj përvoje, premtimeve amerikane si dhe përsektivave të vendit të tij, domosdoshmërisë së ndërtimit të një Kosove « bashkë me Serbët » sikundër dhe projekteve të tij personale. Bisedë e rregjistruar nga Gaëlle Pério .
.
Në moshën 47 vjeç, i madh nga shtati dhe me shpatulla të gjera, me kokën thuaj tullë, Agim Ceku, ish Kryeministri i Kosovës, ndahet me vështirësi nga buzëqeshja e tij. Çeku ngjan me një dac që ka jetuar plot jetë. I angazhuar në Ushtrinë jugosllave, ky ushtarak i karrierës bashkohet me forcat kroate në vitin 1991 dhe në vitin 1995 pjesëmerr në operacionin Stuhia, qê pëfundon me rimarrjen e Krajinës. Me nënëshkrimin e marrëveshjes nga ana e vendit të adoptimit, ai kish marrë 9 medalje dhe 4 plumba nëpër këmbë. Në vitin 1998, ai i bashkëngjitet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe bashkohet me trupën pasi kish përshkuar me këmbë malet me borë shqiptare dhe maqedonase. Tre vëllezër të tij kanë marrë gjithashtu pjesë në rradhët e UÇK. Detyra e Çekut ishte të disiplinonte trupat dhe të shëndrronte guerrilasit në ushtarë.Për Beogradin, Agim Çeku është para së gjithash një kriminel lufte nën mandat arresti për « krime të kryera në Kroaci » si dhe për « gjenocid kundër Serbëve të Kosovës ». Sidoqoftë, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë nuk ka lëshuar mandat arresti kundër tij. Pas konfliktit të vitit 1999, gjatë të cilit u vra edhe babai i tij, Çeku morri komandën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si një krah i çmilitarizuar i UÇK. Ndihmësi i tij në këtë kohë ishte Ramush Haradinaj. Në maj të vitit 2006, ai bëhet Kryeministër i Kosovës dhe do të mbetet në histori si burri që nuk mundi të shpallë pavarësinë e Kosovës por që udhëhoqi bashkëbisedimet për të. Gruaja e tij Dragica është një kroato-serbe. Familja Çeku që mban lidhje të forta në Zadar, Kroaci, jeton në periferi të Prishtinës, në një shtëpi relativisht modeste sipas standardeve të sotme kosovare. Tek ai flitet kroatisht pavarësisht se tre fëmijët e tij janë dy-gjuhësh të përsosur në shqip. Në vigjilje të kalimit të pushtetit në duart e Hashim Thaçit, Agim Çeku pranoi t’i rikthehej edhe një herë mandatit të tij, në ekskluzivitet për Korrierin e Ballkanit. .
. Kurrieri i Ballkanit (KiB) : Si ndjeheni ju në vigjilje të dorëzimit të funksioneve të Kryeministrit të Kosovës, funksion që ju e mbani që prej vitit 2006 ?
. Agim Çeku (AÇ) : Po e le postin tepër i kënaqur. Kam përshtypjen të kem përmbushur misionin tim pasi që detyra ime ishtë të përgatisja Kosovën drejt pavarësisë dhe tashmë Kosova është gati. Ne e kapërcyem fazën e bashkëbisedimeve, ne duhet t’a kishim shpallur pavarësinë dhe tani ne presim njohjen e kësaj pavarësie. Ne kemi aritur të ndërtojmë një Shtet dhe jemi të gatshëm të përqëndrohemi mbi çështje të tjera tepër konkrete, siç është jeta e përditshme e Kosovarëve dhe ekonomia e vendit.
. KiB : Çfarë do të sjellë konkretisht zgjidhja e statusit të Kosovës ?
. : Statusi do të sjellë kjartësinë. Njerëzit do të njohin përfundimisht të ardhmen e tyre dhe do të mund të ndërtojnë këtë të ardhme. Ne do të orientohemi drejt një të ardhmërie fillimisht demokratike dhe më pas evropiane.
. KiB : Kosova ka një PBB të njejtë me atë të Ruandës, a mendoni se vendi mund të mbijetojë ekonomikisht duke qenë i pavarur ?
. : Kosova është një vend që mund të mbahet më këmbë ekonomikisht. Ajo ka një pozitë gjeografike strategjike, në kryqëzim të disa shteteve. Ne kemi një pasuri njerëzore të madhe dhe të re në moshë. Si dhe një krah pune të lirë në krahasim me vendet e tjera evropiane. Sektori energjetik mbetet karta jonë më e rëndësishme. Bujqësia është karta tjetër. Po, jam plot me shpresë lishur me të ardhmen ekonomike të Kosovës.
. KiB : Çfarë do të bëni tashmë ?
. : Në një të ardhme të shpejtë, do të shkoj për pushime me familjen në Kroaci.
. KiB : Sipas pëshpëritjeve, ju do të shkoni për të punuar për INA, shoqëria e naftës kroate. Mund të na e pranoni ?
. : Jo për INA-n. (Buzëqeshje). Nuk e harroj Kroacinë por ama jam prej Kosove, i përkas këtij populli dhe këtij vendi. Do të qëndroj në shërbim të popullit tim. Nuk e di ende se në çfarë mënyre, por, do të qëndroj i angazhuar në Kosovë.
.
. Bashkëbisedimet, një shkollë e formimit politik. .
.
KiB : Çfarë ka qenë më e vështirë përgjatë mandatit tuaj ?
. : Bashkëbisedimet, ato kanë qenë më të vështirat. Ishte një proces mes shumë personash. Eshtë njëlloj sikur të gjendesh në karriken e pasagjerit në një veturë. Ndodhesh mes presionit të antarëve të tjerë të ekipit negociues por njëkohësisht edhe të presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe kjo gjë të bën të vuash. Unë jam ushtarak. Që nga rinia ime, jam mësuar të drejtoj operacionet, të marr përsipër rreziqe dhe t’i përballoj ato. Por kur fillova të ushtroj këtë funksion politik, kuptova se duhet të mbaja përgjegjësinë edhe për veprime me të cilat nuk mund të merresha drejtpërdrejt. Dhe kjo gjë ishte një ngarkesë tepër e lodhshme, tepër vuajtëse dhe fort me stres. Sidoqoftë, ishte detyra ime të pranoja postin e Kryeministrit. Nuk e kam kërkuar këtë post, erdhën dhe më kërkuan për të ma propozuar. Jam i kënaqur pasi, gjatë gjithë mandatit tim, munda të ruaj institucionet kosovare të qëndrueshme dhe të përgatituara për më tej.
. KiB : Cili është kujtimi juaj më i mirë ? (një heshtje e gjatë dhe më në fund Çeku ngre kokën.) .
: Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë. .
KiB : Përse ju nuk u prezantuat në zgjedhjet legjislative të nëntorit .
: Sepse nuk doja. Dua të shërbej vendin tim, por nuk dua t’i futem një karriere politike. Dhe për më tepër, nuk dua të hyj në garë me burrat politikë të Kosovës. Pas pavarësisë, do të rikthehem për t’i shërbyer popullit tim. .
KiB : Besnik Mustafaj, ish ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka deklaruar, po e citoj : « Shqiptarët e Kosovës kanë mundur të pranojnë përgjatë tetë vitesh që Serbët, shtypësit e tyre të dikurshëm, kishin edhe ata të drejta, dhe kjo gjë është e admirueshme ». Ç’mendoni ju për këtë gjë ? .
: Jam dakord. Në këtë pikë bisedimet lidhur me statusin e Kosovës ishin shumë të dobishme pasi ato ndihmuan Kosovaret të zhvillonin një ndërgjegje politike. Na u desh të mësonim se çfarë donte të thoshte një bashkëbisedim dhe kjo gjë nuk ishte e lehtë. Ne mësuam gjithashtu të reflektonim lidhur me trajtimin e Serbëve të Kosovës, si duhej të vepronim që ata të qëndronin në Kosovë. Ishte një fillim i mirë për një pajtim. Po qe se do të nënshkruanim një traktat bashkëpunimi me Serbinë, kjo gjë do të krijonte gjithashtu një mjedis të shëndoshë për Serbët kosovarë. Por e përsëris, Serbët kosovarë sikundër dhe Shqiptarët kosovarë kanë nevojë për kjartësi lidhur me statusin e vendit në të cilin ata jetojnë për të mundur të ndërtojnë një të ardhme. Së bashku. .
KiB : A e ndjetë vehten të tradhëtuar nga Amerikanët në muajin maj, kur ata ju garantuan pavarësinë që në korrik ? Ju personalisht edhe u angazhuat publikisht për këtë datë. (Sipas informacionit tonë, Condoleeza Rice i kish telefonuar personalisht Agim Cekut gjatë muajit maj për t’i garantuar pavarësinë që sipas saj do të fitohej përpara fillimit të verës.) .
: Sigurisht, ishte diçka fort e vështirë për mua të mos e mbaja fjalën. Në maj, Amerikanët kërkonin që t’a shpallnim pavarësinë. Ata nuk besonin se Rusët do të ishin kaq këmbëngulës dhe kundërshtarë të çdo kompromisi lidhur me Kosovën. Amerikanët ishin të parët që u befasuan. .
KiB : Disa thonë se do të ishte më mirë të shpallej Pavarësia në pranverën e vitit 2008 pasi është më e këndëshme të festohet një Festë e tillë kombëtare me mbritjen e ditëve me kohë të këndëshme. Çfarë mendoni lidhur me të ?
. Agim Çeku mjaftohet me një buzëqeshje...

La suite.. - Vazhdimi...

mardi 27 novembre 2007

1 Paralele, 2 Metoda dhe 1 Përfundim.

.
1. Një rastësi e kalendarit bëri që në të njejtën ditë, më 25 nëntor 2007, dy Presidentë të dy vendeve evropiane Topi i Shqipërisë dhe Sarkozi i Francës, të marin rrugën e qiellit për të vizituar miqtë. I pari zbriti në Athinë dhe i dyti në Pekin. Që të dy janë të rinj – Topi është veçse dy vjet më i ri se bashkëvllau i tij francez që ka lindur në janar të vitit 1955 – dhe ambiciozë, energjikë dhe simpatikë, i përkasin të njejtës familje politike të djathtë dhe shpresojnë të ngrenë prestigjin e vendeve të tyre. Të rrethuar nga shpura (3 ministra për shqiptarin dhe 7 për francezin) dhe nga një tufë biznesmenësh (47 për delegacionin shqiptar dhe 200 për atë francez), ata përfaqsojnê tipin e misionarit modern, njê pêrzierje e shkathët e diplomacisë dhe biznesit. Por analogjia e datave, e personazheve dhe e shifrave shterron menjëherë pasi kqyret objekti i vizitave përkatëse. .
.
Presidenti Topi dhe homologu i tij Papulias i përkasin atij lloji politikani figurant, rol që sistemet politike ballkanike i rezervojnë Kryetarëve të Shtetit. Sigurisht ata janë garantë të pavarësisë së vendit, mbrojtës të besimeve fetare, rojtarë të Kushtetutës dhe të Ligjit, tutorë të Forcave të Armatosura – thjesht simbole të demokracisë dhe të bashkimit të Kombit. Bisedimet mes tyre prekin « ndërtimin e urave të miqësisë midis popullit shqiptar e atij grek » ; ata diskutojnë « gjerësisht për nevojën e bashkëpunimit në nivel bilateral dhe rajonal, dhe forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar », ndajnë së bashku të njëjtin mendim « që qindra e mijëra shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Greqi, jo vetëm po konsolidojnë ekonominë dhe familjet e tyre, por po luajnë një rol të çmuar në ekonominë e Greqisë » dhe së fundi shprehin bindjen se « edhe Kosova, edhe Shqipëria, por edhe Serbia, të ardhmen e tyre e kanë në familjen euroatlantike ». Deshifrimi i kësaj gjuhe të koduar që mbulohet nga perdja e shprehjeve protokollore le të kuptohet se sejcili prej tyre premton të angazhojë sinqeritetin e tij si edhe gjithë vullnetin e mirë për të bindur Kryeministrin përkatës, me qëllim që ky i fundit të shkruajë në axhendën e qeverisë së vet masat që duhen ndërmarrë për të konkretizuar këto premtime, pasi të ketë marrë pëlqimin e një Parlamenti, në të cilin mendohet se do të krijojë konsensusin e nevojshëm të deputetëve. Me fjalë të tjera, do të duhen vite që të kqyret ndonjë ndryshim cilësor në marrëdhëniet mes dy shteteve, interesat e të cilëve përputhen veçse në disa segmente të politikës së përgjithshme dhe të strategjisë së tyre reciproke.Ndërkohë, disa mijra kilometra më tutje Presidenti Sarkozi bisedonte kokë më kokë me Kryeministrin kinez Hu Jintao , natyrisht për probleme të një tjetër kalibri. Shprehja më e goditur e atmosferës së krijuar është ajo e një diplomati francez : « kur Mbreti i Francës dhe Perandori i Kinës dialogojnë mes tyre, pjesëmarrësit e tjerë në një dorë mbajnë shkopinjtë e ngrënies dhe në tjetrën stilografin ». Me fjalë të tjera, « ping-pongu » franko-kinez mes shefave nuk pengon aspak nënshkrimin e marrëveshjeve dhe të çeqeve
.
.
2. Çdokush sipas mënyrës së vet, Presidenti francez dhe ai shqiptar përfundimisht kishin marë udhën e tregut.
.
. - I pari kish veshur petkun e VRP (shitësit shëtitës përfaqsues) për të shitur teknologjinë dhe pajisjet e vendit të vet : dy centrale bërthamorë të gjeneratës së tretë – bashkë me karburantin bërthamor të nevojshëm, prodhim i firmës Areva ; 160 aviona të tipit Airbus ; pajisje të energjisë elektrike të grupit EDF ; pajisje të industrisë të transportit, të telefonisë mobile ose të asaj farmaceutike. Shuma e përgjithshme e kontratave të nënshkruara nga pala kineze i tejkalon 20 miliardë euro.
.
.
- I dyti në rolin e tij të ri të VIP-it (very important personality) kish shkuar për të blerë : premtimin e Greqisë për të përshpejtuar ratifikimin e Marrëveshjes të Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë ; ndihmesën e mëtejshme të Greqisë për të nxitur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ; angazhimin e fqinjit helenik për t’i lehtësuar jetën emigrantëve shqiptar në vend dhe së fundi, dashamirësinë e saj për të mos nxjerrë pengesa në procesin e pavarësisë së Kosovës. Siç duket, me gjithë përpjekjet e mëdha për tu iniciuar në ekonominë e tregut, përfytyrimet e shqiptarëve ende janë larg të atyre të antarëve të Tregut të Përbashkët. Ndërkohë që francezët i konkretizojnë ato me euro të thata, ata ende kënaqen me fjalë në erë. Sidoqoftë, në këto kohë të vështira, tregu është bërë tepër kërkues dhe sidomos në këtë nivel bashkëbiseduesish. Pra nuk mund të shesësh pa bërë një gjest ndaj blerësit sikundër nuk mund të blesh pa i buzëqeshur shitësit. Nëqoftëse « shitësit » Sarkozi – sikundër dhe të tjerë evropianë të shquar përpara tij - ju desh të mbyllte sytë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë, lirive të shtypit ose problemit të Tibetit, biznesmenët që shoqëronin « blerësin » Topi shërbenin thjesht për t’ju kujtuar grekëve rolin e tyre të pazëvendësueshën në dinamizimin e enonomisë shqiptare si dhe për të përsëritur refrenin « më tepër investime, më tepër ndihma dhe kredi ». Bile për të qenë më i besueshëm, Presidenti i ri u ngarkua me barrën e zgjidhjes së problemit tê varrezave tê ushtarêve grekë si dhe të dhënies së pronave të minoritarêve – natyrisht në përputhje me legjislacionin, Ja pra çka përqas burrat e shtetit shqiptarë dhe francezë: etiketa, e cila nuk i lejon të fyejnë ndjenjat e bujtësit. Sidoqoftë, Topi edhe Sarkozi do të bëhen bujtës vitin e ardhshëm. Le të shpresojmë që kësaj rradhe dhe për të mirën e sejcilit, ata të kenë guximin për t'ju rikthyer "harresave".
.
.
* * *
.
. Si shpjegohet kjo « pranverë » e vërtetë në marrëdhëniet greko-shqiptare në prag të dimrit ? Lidhur me Greqinë, duhet konstatuar se atj i kish normalizuar këto marrëdhënie qysh në fundin e periudhës së parë Berisha, pra përpara se të vinte epoka Nano. Të mos harrojmë se fillimisht, Greqisë ju desh të përdorte fshesën e saj anti-emigrante dy herë rradhazi në 1993 dhe 1994 për t’i treguar vendin qeverisë demokratike të asaj kohe. Ndërkohë, Presidenti përdredhues shqiptar i epokës arriti të kuptojë deri ku shkonin kufijtë e fuqisë dhe të dobësive të veta. Sipas mënyrës së tij – dhe veçanërisht falë këshillave të mira amerikane – ai ju rikthye çështjes OMONIA që helmonte këto marrëdhënie. Në shenjë shkëmbimi të protokollit, Presidenti grek Stefanopullos vizitoi vendin fqinjë në mars 1996 dhe, siç mund të pritej, kërkesa e tij e parë ishte hapja e një shkolle të gjuhës greke në Tiranë. Por, si vijim i « rrebelimit socialist » të vitit 1997, të gjitha marrëveshjet e shkëmbimeve reciproke u ndërprenë dhe, duke pritur shpërdredhjen e ngjarjeve dhe veçanërisht largimin aq të dëshiruar të Berishës, emisarët e parë të qeverisë greke zbritën në terren - nga ajo anë ku gjendeshin rrebelët. Më tej i erdhi rradha atij repartit ushtarak grek, i dërguar në kuadrin e ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare dhe përfundimisht, zhvillimi i zgjedhjeve të qershor-korrikut 1997 që ju dha pushtetin socialistëve. Sigurisht Athina përgëzoi vetvehten nga ky përfundim i lumtur, përfitimet e të cilit ishin të shumëfishta : së pari, vendi fqinjë kish pësuar një goditje të pashembullt që e kish rrënuar nga ana ekonomike dhe, duke njohur kapacitetet e tij të brendshme, pasojat ishin afatgjata ; së dyti, ai do të kish më tepër se kurrë nevojë për Greqinë për të rikrijuar imazhin e tij të grisur në planin rajonal dhe evropian ; së treti, zotërinjë e rinj të Tiranës praktikonin një lloj dialogu krejt të ndryshëm në krahasim me të mëparshmit – mbi të gjitha, mes socialistësh ballkanikë, miq të njohur që prej kohësh. Me fjalë të tjera, përveç atij dimensioni të ri socialist që shtonte elasticitet dhe që i lehtësonte detyrën negociatorëve, thelbi i problemit mbetej i pandryshuar : nga njëra anë qëndronte Shqipëria me dilemat e saj të brendshme dhe me nevojat e saj financiare të pazgjidhura, e varur në fatin e atij gjysëm milioni qytetarësh të vet në territorin helen, dhe në anën tjetër qëndronte Greqia e cila shiste influencën e vet, kreditë dhe ndihmat në shkëmbim të të drejtës së vështrimit, për të mos thënë të ndërhyrjes, në favor të pakicës së saj në territorin shqiptar. A ja vlente barra qiranë që Greqia të kopjonte verbërisht politika tashmë të skaduara ose që të riprodhonte skema relacionale, që zinin fillin në epokën e luftrave ballkanike ? Në qoftë se ndonjëherë pyetje të tilla kanë përshkuar mendjen dhe shpirtin e politikanëve grekë, duke lënë të çfaqen gjurmë në sjelljen e tyre, kjo nuk vjen sepse ata kanë ndrruar opinion lidhur me shqiptarët. Për t’u bindur, mjafton të çfletohen mediat helene të cilat, duke mos qenë të prekura nga ajo përmbajtje tipike diplomatike, kanë farkëtuar një stereotip të pashlyeshëm të një « primitivi, të një krimineli gjakatar dhe të hajduti të shkathët… të ardhur në Greqi për të fituar paren lehtësisht » (1). Në të vërtetë, ishte Greqia që ndryshonte, ndoshta dalëngadalë por në mënyrë të sigurt, nën ndikimin e mutacioneve ballkanike dhe nëpërmjet saj, ndryshonte edhe politika e saj e jashtme. Fundi i luftës së ftohtë dhe vrapi i parezistueshëm i vendeve ballkanike, dikur komuniste, drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut krijoi një gjendje krejt të panjohur në gadishull. Me këtë rast, Greqia u gjend e projektuar në një perspektivë të papritur : përfaqsuesi i vetëm i Evropës në Ballkan shëndrrohej njëkohësisht në një model për t’u kopjuar, në një donator dhe investitor tek i cili vihej për të kërkuar ndihma dhe kredi por njëkohësisht edhe një pikë mbrritje për t’u instaluar vetë ose me familjen. Në të vërtetë ishte pak si tepër për të fundmin e listës së Evropës, i cili nuk dispononte ende mjetet për të zbutur « lukuninë » e vendeve ballkanike. Kështu pra, meqënëse nuk ish në gjendje që të gëlltiste Ballkanin, ishte ajo vetë që u gëlltit nga ballkanikët – ose e thënë ndryshe, në vend që të helenizonte Ballkanin, Greqia u « ballkanizua » nga fqinjët gadishullorë (2). Sidoqoftë, ky proces kishte anën e tij pozitive : rënie e habitshme e kostos së punës – falë krahut të punës tejet të lirë të emigrantëve shqiptarë, bullgarë dhe të tjerë rusë, ekplozion i prodhimit të sendeve të konsumit me çmime të ulta, rritje eksponenciale e investimeve nga ana e biznesmenëve të saj, pjesëmarrje e rrjetave greke të trafikut në zbardhjen masive të parave me origjinë kriminele. Paralelisht, vendi u detyrua të pranojë shpërthimin e kriminalitetit, të korrupsionit dhe të prezencës së mafiave në territorin e vet. Kjo e dhënë e re tronditi thellësisht shoqërinë greke e cila ndërkohë pësoi një polarizim të fuqishëm. Segmentët e saj të ndryshëm kundërvepruan, sejcili duke zhvilluar argumentat e vet dhe strategjitë e veta për të shfrytëzuar situatën e krijuar : nëpërmjet rrjetave të saj të natyrës klienteliste, klasa politike u hodh me trup dhe me shpirt në një lojë të ndërlikuar që bashkon pushtet politik dhe financë të madhe. Duke përdorur privilegjet, devijimin e fondeve ose duke mbyllur sytë përpara korrupsionit zvarritës, kjo oligarqi politiko-financiare thelloi edhe më tepër shqetësimin e një shoqërie të gërryer nga dyshimi, të cilës i mungonin pikat e orientimit dhe ndjehej e braktisur përballë ofensivës ballkanike. Gjithnjë e më tepër e përmendur dhe e kërkuar në rolin e një vlere të sigurt dhe qetësuese, kisha ortodokse u gjend e përforcuar në rrafshin politik pasi, përveç atyre orientimeve tradicionale antimyslimane dhe antilatine, ajo ka ditur të rinojë fjalimin e saj, duke e pasuruar me tema nacionaliste, të ngërthyera me sharje antievropiane. I mbrojtur prej kohësh nga ana e strukturave politiko-ushtarake evropiane dhe transatlantike, Shtetit helen ju desh përfundimisht të kuptonte që atij i duhej të administronte komplikimet ballkanike me forcat e veta, duke zhvilluar një politikë të jashtme më të përshtatshme dhe në rradhë të parë më efikase. Por implikimi i tij në krizën maqedonase (1992 – 1995) vuri në dukje një farë ngushtësie pikpamjesh : ndërkohë që vizionet etniciste në planin rajonal nuk përputheshin gjithmonë me konceptet dhe perspektivat evropiane, fakti vetë që ai sakrifikonte interesat e tij të natyrshme në favor të vendosjes të raporteve të forcës me fqinjët, të mbështetur në rradhë të parë mbi grindje të vjetra të karakterit territorial, shëndrrohej në diçka të dëmshme që prekte të gjitha fushat. Pasi kish harruar ndërkohë stadin e arrogancës të një Micotaqis – i tërhequr në rradhë të parë nga reformat e tij strukturore, pasi kish tejkaluar tashmë stadin euforik të një Papandreu – i magjepsur nga « boom -i» ekonomik jashtë çdo rregulli mbarështrimi, administratës Simitis i duhej të jepte prova të një pjekurie më të madhe, duke ekonomizuar energjitë dhe burimet në vend që t’i shpenzonte në mënyrë të panevojshme në konflikte sterile. Lidhur me fqinjin verior, njësoj sikur të thuhet se pas ngjarjeve të zhurmshme shqiptare, Kryeministri grek kërkon të parandalojë efektet shkatërruese të një konflikti të ri që ende profilohet në hapësirën jugosllave dhe që ve rishtas në lojë etninë shqiptare, në rradhë të parë atë të Kosovës. E parë nga Shqipëria, kjo gjë jepte dhe vazhdon të japë përshtypjen e një vullneti të panjohur më parë drejt dialogut, drejt kooperimit dhe drejt forcimit të shkëmbimeve.
Ardhja në pushtet e Kostas Karamanlisit dhe e « Demokracisë së Re » nuk u shoqërua me ndonjë revolucion në politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit helen. Ekonomisë i duhej të absorbonte papunësinë shqetësuese (rreth 11%), të dinamizonte sektorin bujqësor në rënie dhe në rradhë të parë, të absorbonte deficitin publik, nëpërmjet metodave ekonomike të trashëguara nga epoka Simitis. Kartat më të forta në dorën e Karamanlisit mbeten lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe thellimi i reformave tashmë të angazhuara. Në të kundërt, politika e tij e jashtme dhe në rradhë të parë ajo ballkanike gjendet përpara situatave të reja : nga njera anë, pranimi i Bullgarisë dhe i Rumanisë në BE, cënon pozitën e privilegjuar të biznesit grek në këto vende dhe nga ana tjetër, zhvillimet e fundit në sferën ish-jugosllave e detyrojnë të jetë edhe më e matur. Me fjalë të tjera, marrëdhëniet me Shqipërinë - fqinjin e saj verior – detyrimisht fitojnë përmasa të reja, aq më tepër në kushtet e një Kosove që rend drejt pavarësisë, dhe të trazirave në perspektivë në Maqedoni. Në këto kushte, diplomacisë greke i duhet nga njera anë të bëjë një përpjekje madhore për të « harruar » përfytyrimet e saj atavike lidhur me Shqiptarët dhe nga ana tjetër, të « administrojë » fenomenin Berisha, të cilin nuk ka mundur t’a gëlltisë kurrë. Si njera dhe tjetra paraqisin probleme : mjafton të kujtojmë largimin pa lavdi të Presidentit Papulias - i njejti që pret sot me dashuri z. Topi - nga takimi i parashikuar i nëntorit 2005 me Presidentin Moisiu ; mjafton t’i rikthehemi gjithashtu temave të diskutimit në Athinë mes Kryeministrit Berisha dhe homologut të tij Karamanlis në shtator të vitit të shkuar. Duke bërë bilancin e arritjeve konkrete në terren – pasi shmangim me diplomaci « gjembin » e çeshtjes çame, lemë mënjanë « kunjin » e problemit të Kosovës dhe harrojmë « çibanin » e dokumentave dhe të trajtimit të emigrantëve, na duhet të konstatojmë se të vetmet probleme që mbeten janë ato të varrezave të ushtarëve grekë, të disa klasave në gjuhën shqipe në Greqi dhe netyrisht, çështja e kthimit të pronave të minoritarëve.
.
.
------- 1) Shih mbi këtë subjekt : Mariana LENKOVA (ed.) – « Hate speech » in Balkans, The International Helsinki Federation for Human Rights, Vienna 1998 ; Maria VIDALI - Living in Policy Vacuum, the plight of the Albanian immigrants in Greece, Central Europe Review,Vol. 1, Nr. 21, 1999 ose më tej : Martin BALDWIN-EDWARDS – Albanian Emigration and the Greek Labour Market : economic symbiosis and social ambiguity , South East Europe Review, 2004.
. 2) Georges PREVELAKIS – Hellénisation des Balkans ou balkanisation de la Grèce, në : YERASIMOS Stéphane (nën drejtimin.) - Le retour des Balkans, 1991 – 2001, Ed. Autrement, 2002.

La suite.. - Vazhdimi...

mercredi 21 novembre 2007

Surprizat e paralajmëruara të zgjedhjeve të Kosovës.

Në qoftë se ndonjë ditë historia do t’i hedhë vështrimin zgjedhjeve të 17 nëntorit në Kosovë, do t’a ketë të vështirë të hasë në komentet entuziaste të analistëve të sotëm, të ngujuar në një pritje të bezdisur. Megjithatë tendenca u pa që në orët e para pas mbylljes së procesit zgjedhor dhe u vërtetua të nesërmen : në treshen e kryes renditen PDK e z. Thaçi me 34% të votave, e ndjekur nga LDK e zz. Sejdiu dhe Kryeziu me 22% dhe nga Aleanca Kosova e Re (AKR) e milionerit kosovar z. Pacolli me 12%. Në vijim dhe sipas rradhës renditen Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) e z. Daci me 10,5%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e z. Haradinaj me 10% dhe partia Reformiste « Ora » e z. Surroi me 4%. Ende nuk njihet projeksioni i këtyre rezultateve në nivelin e Kuvendit të Kosovës por tashmë kartat janë hapur dhe pritet që ditët e ardhshme, me gjetjen e kombinimeve të përshtatshme politike, z. Thaçi të formojë egzekutivin e ardhshëm. Sikundër pritej, këto zgjedhje legjislative, që si kurrëherë zhvilloheshin paralel me zgjedhjet lokale, tërhoqën vëmendjen e opinionit publik evropian dhe botëror. Vëzhguesit në vend dhe të tjerë përshëndetën « zhvillimin e tyre demokratik dhe në përputhje me standardet ». Me një gjuhë më popullore, kqyrëm nga larg zgjedhje « të qeta », të ndjekura nga 25.000 vëzhgues dhe të siguruara nga 7.000 policë dhe të tjera forca të armatosura ndërkombëtare. Ndoshta më të qeta se ç’duhej pasi qetësia e tyre i përngjan fort indiferencës, asaj të zgjedhësve. Në të vërtetë, vetëm rreth 40-45% e zgjedhësve të Kosovës morri udhën e kutive të votimit për të shprehur preferencat ndaj udhëheqjes politike të viteve të ardhshme, për aktorët e shumëpritur të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Përsa i përket surprizave që këto zgjedhje na ofruan, ato ishin paralajmëruar me kohë. Nuk bëhet fjalë këtu për « surpriza » të tilla si mospjesëmarrja thuaj e plotë e zgjedhësve serbë të krahinës ose për « suksesin » relativ të z. Pacolli që i kish bërë thirrje popullit « t’i bënte besim » sensit të vet politik po aq bindës sa edhe ai i biznesit. Çka na tërheq posaçërisht vëmendjen është ndeshja mes LDK dhe PDK si dhe shkalla e ulët e pjesëmarrjes së zgjedhësve.

  1. Përplasja madhore disavjeçare e skenës politike kosovare mes Lidhjes Demokratike të të ndjerit Rugova dhe Partisë Demokratike të z. Thaçi përfundoi me fitoren e këtij të fundit. Një retrospektivë sado e përmbledhur tregon qartë se që nga krijimi i saj, LDK – kjo shëmbëlltyrë e « Lidhjes të Komunistëve jugosllavë » sipas kritikëve të saj të shumtë dhe të pamëshirshëm – ka pësuar veçse hemorragji. Partia monolitike e Rugovës, e cila në ditët e para të krijimit të saj numëronte rreth 800.000 antarë sipas vlerësimeve, dominoi në mungesë të çdo konkurrenti jetën politike klandestine të vendit deri në vitin 1999 dhe mblidhte pothuaj të gjitha votat e qytetarëve (mbi 90%). Ballafaqimi i saj i parë publik në Kosovën e pasluftës me forcat e reja politike, trashëgimtare të UÇK, dëshmoi për polarizimin e ri jetës politike rreth dy këndvështrimeve të ndryshme të së kaluarës dhe të ardhmes. Filozofisë së kundërdhunshme të Rugovës ju desh pranonte realitetin dhe përfundimisht të rrudhej përballë legjitimitetit të grykës së pushkës dhe të përfaqsuesve të saj të zbritur nga malet. Zgjedhjet e para legjislative shumëpartiake të 17 nëntorit 2001 vunë edhe caqet e reja të ndikimit të partive mbi zgjedhësit : megjithëse LDK fitoi bindshëm, me mbi 46% të votave, partisë së Rugovës ju desh të zbriste në tokë – dhe të harronte rezultatet e saj të paapelueshme të mëparshme – ndërkohë që vetë Rugovës ju desh të kalonte nëpërmjet aleancave për t’u zgjedhur President. Përballë saj, partia e Thaçit tërhiqte gati 26% të zgjedhësve ndërkohë që vëllezërit e saj « armiq » të AAK së Haradinajt çfaqeshin në skenë me gati 8%. Tre vjet më vonë, skenari përsëritej : megjithë bemolin e zënkës sentimentale të të pakorrigjueshmit Bukoshi, LDK siguronte 45% të votave, PDK 29% dhe AAK 8,4%. E vetmja surprizë shkaktohej nga një lëvizje e re qytetare « Ora », e cila grumbullonte 6,2% të votave. Ndërkohë, një temë e re ishte çfaqur në horizontin politik : « standardet përpara statusit ». Me fjalë të tjera, pavarësimi i mundshëm i krahinës, gjithmonë nën administrimin e UNMIK-ut OKBjan. Kush mund të parashikonte në vitin 2004 këtë përmbysje politike gjatë zgjedhjeve të ardhshme ? Në të vërtetë, shenjat e kësaj përmbysjeve nuk mungonin dhe ndoshta e fundit ishte « hemorragjia » dardane e z. Daci. Grindja e demokratëve të Lidhjes së vjetër lidhur me trashëgiminë e të ndjerit Kryetar që çoi deri në shqyerje të brendshme (nuk e di përse por kjo ndarje hasmërore më rikujton një tjetër – atë të socialistëve safi të Nanos dhe socialistëve integrues-përçarës të Metës), është një nga shkaqet e disfatës por ndoshta jo i vetmi. Shkaqet e tjera ndoshta duhen kërkuar në sklerozimin e strukturave të bazës, në zhdukjen drejt horizontit të pasurisë dhe të prosperitetit të shefave dhe zhytjen në dëshpërimin e thellë të përditshëm të antarëve të saj, në mosvlerësimin e realitetit të ri politik të krahinës që vibron me ritmin e pavarësisë së shumëpritur… Pra, pas 10 vjetësh që prej fillimit të « betejës së Kosovës », LDK detyrohet të lëshojë pushtetin, pozitën dhe ç’është më e rëndësishmja, ndoshta humbet edhe shansin historik të shkruajë emrin në panteonin e Kombit si nënshkruesja e parë e Aktit të ardhshëm të Pavarësisë. Cilat janë meritat e konkurrentit të saj të drejtpërdrejtë PDK dhe të udhëheqësit të saj Thaçi, që i siguruan këtë fitore kaq të shumëpritur dhe të vyer ? Vështirë është të bësh bilancin e një force politike të opozitës,që i është afruar pushtetit veçse në momente krize. Ndoshta, ajo nuk i është nënshtruar ende konsumimit të pashmangshëm të pozitës ; ndoshta, shoqërimi i emrit të saj me atë të biznesit ende nuk është i tillë sa t’i errësojë namin… Sidoqoftë, shpirti i saj i dikurshëm i luftës, vetë mendimi që një luftë e tillë në mos është e parashikueshme, është gjithmonë e mundshme, mjafton që zgjedhësit t’i besojnë votën dhe njëherësh përgjegjësinë për të ardhmen.
  2. Hupësi tjetër i madh i këtyre zgjedhjeve është vetë demokracia. Nuk bëhet fjalë këtu për demokracinë e çastit të procesit zgjedhor por për atë të qëndrueshme dhe të përditshme - "demos" = popull, dhe"kratos", pushtet : pra, demokracia e ardhshme të Kuvendit të ri të Kosovës, i cili u zgjodh vetëm nga 40%, le të themi 45% të zgjedhësve. Çfarë pushteti do të ushtrojë masa prej 60% të atyre që nuk shkuan të votonin ? Mbi ç’bazë të gjerë mbarëpopullore, udhëheqësit e rij politikë të vendit do të mbështesin zgjidhjet e tyre për vitet e ardhshme ? Është e vërtetë se, me pak përpjekje, ky nivel nuk duket krejt katastrofik. Aq më tepër kur përfaqsuesi zviceran i rradhës që administron Kosovën na rikujton se në vendin e vet, kjo është një mesatare e zakonshme, që prej 40 vjetësh, dhe që nuk e ka penguar aspak demokracinë zvicerane të ushtrohet. Ashtu është, veçse Zvicra nuk është Evropa, sikundër dhe Kosova nuk është Zvicra dhe aq më pak kosovarët janë zviceranë. Megjithatë, le t’i rikthehemi shifrave të fundit : - e marë në kufirin e saj të sipërm, shifra 45% e projektuar mbi trupin elektoral prej 1.500.000 zgjedhësish kosovarë përfaqson 675.000 votues efektivë, nga të cilët 34% votojnë për PDK e Thaçit. Pra 230.000 vetë ose 15,3% e krejt zgjedhësve (8% e popullsisë së përgjithshme). Ja pra edhe « shumica fituese » e sotme e politikës së Kosovës. Përballë saj ndodhen 148.500 partizanët e Sejdiut, 81.000 ithtarët e Pacollit dhe 71.000 ndjekësit e Dacit. Ndoshta, këto shifra kanë vetinë të përfaqsojnë edhe ndjenjat e vërteta dhe preferencat politike të të gjithë kosovarëve por edhe në këtë rast, nuk mund të mos pyesim se cili është pragu i përfaqsueshmërisë së demokracisë së popullit ? 30% apo 20% i masës së zgjedhësve ? Ja si duhet interpretuar mes të tjerash edhe shqetësimi i z. Solana ose i znj. Pack kur shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e fundit. - Megjithatë, edhe kjo pjesëmarrje mediokre bën pjesë në ato surprizat e paralajmëruara. Shifra prej 85,5% e pjesëmarrjes në zgjedhje, në atë vit të largët 1998 i përket tashmë kujtimeve pasi Kosova e pasluftës voton gjithnjë e më me kursim : 65% të votuesve shqiptarë i qasen kutive të votimit në vitin 2001, vetëm 49,5% në 2004. Sa do të jetë niveli i pritshëm i zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2010 ? Ajo çka bën përshtypje të thellë është qëndrimi i forcave politike, i KQZ dhe i medias që përshëndesin frymën e qetë dhe që lenë në heshtje abstenimin masiv. Kanë harruar ndërkohë që, falë bashkërendimit ad hoc zgjedhje legjislative-zgjedhje lokale, ky fenomen dobëson njëkohësisht edhe themelet e pushtetit lokal, edhe ky i krijuar mbi përfaqsueshmërinë më se të lekundur të 40-45% ?
  3. Përse kosovarët nuk dolën të votonin ? Dikush përmendi kohën e keqe, të ftohtin ose shiun… Kur mendon se shtator të vitit 1991 ata votuar njëzëri në referendumin popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, kur kujton se në maj 1992 ata ata dolën masivisht zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale, kur sjell ndër mend se në mars të vitit 1998, kosovarët votuan thuaj të gjithë për deputetët e tyre – e gjithë kjo, në mes të terrorit shtetëror dhe policor serb – argumenti i shiut, borës dhe i erës së marrë shëndrrohet në qesharak, për të mos thëne fyes për shpirtin e gjerë të njerëzve të thjeshtë. Në qoftë sa ata përballën rrezikun Milloseviç dhe i besuan votën Rugovës, kjo ndodhi thjesht pasi në atë kohë ata kishin shpresë, shpresën e një të ardhmeje më të mirë, shpresën e të qenit zotër në shtëpinë e tyre Kosovë. Tashmë që janë zotër të vërtetë të saj, ata kanë humbur shpresën tjetër që ndjek të parën : atë të punësimit dhe të drejtësisë sociale, të mirëqenies së përbashkët dhe të perspektivës ekonomike, të pjatës së mbushur që i pret në vatrat e tyre të ngohura, pranë fëmijëve të nginjur, të veshur mirë të shkolluar… Në mungesë të Millosheviçit të urryer, ndërkohë që edhe z. Rugova ka ndrruar jetë, cili është përgjegjës për këtë zhgënjim të thellë ? Për të qenë zemërgjerë, le të themi se është faji i statutit dhe i mungesës së pavarësisë kaq të dëshiruar. Le të presim pra krijimin e qeverisë së re demokratike Thaqi – në bashkëpunim ose jo me demokratët e Sejdiut ; le të presim edhe shpalljen e Pavarësisë që sipas gjasave mund të kryhet që më 10 dhjetor. Së fundi, le të presim edhe ndërhyrjen qiellore gjithmonë të mundshme për të krijuar botën e re kosovare në ditët dhe javët që pasojnë… Përfundimisht, le të presim dhe sidomos të shpresojmë që këto zgjedhje të kthehen në zgjidhje – sipas shprehjes së z. Leka - shih: http://www.panorama.com.al/index.php?id=7652, pasi në rast të kundërt, është po ai popull që sot nuk vendos të votojë që do të zbresë në rrugë – në qoftë se ndërkohë, nuk ka marrë rrugët e gurbetit për të shkuar në Zvicër. Aty, ndoshta njerëzit nuk votojnë por ama, jetojnë mirë.

La suite.. - Vazhdimi...

samedi 17 novembre 2007

Energjia bërthamore : as Po, as Jo!

Pas leximit të - Energjia bërthamore: Pse jo!? nga z. Nurellari (Panorama 13/11/2007)
Tymnaja mediatiko-politike e ngritur pas deklaratave të bujshme atomike të z. Berisha dhe reagimit të menjëhershëm të opozitës së majtë, pati meritën e padiskutueshme të errësojë për disa çaste të gjitha dritëzat fërgëlluese që ndriçojnë jetën e përditshme të vendit. Sikundër produktet e tjera ajrore që përmbajnë hijen e rëndë të atomit, ajo ndikoi në lulëzimin e një vargu krijimesh të përçudnuara, kundër-natyre. Të ngjashme me zarzavatet e deformuara të kopshteve ukrainiane pas kalimit të resë çernobiliane, simotrat e tyre shqiptare të mendimit intelektual nuk mund t’i shpëtonin këtij efekti shkatërrues. Shpresojmë efemer, por sidoqoftë steril.Në të njejtën situatë u gjend edhe gazetari-analist, imagjinata e të cilit humbi të gjitha pikat e orientimit të mëparshme dhe u orientua forcërisht drejt analizës të dobive dhe të këqiave të përdorimit të energjisë bërthamore. Padyshim, i lodhur nga andrrallat e përditshme – mungesës së rrymës dhe të ujit të pijshëm, ai ju dha me shpirt vegimit magjik të parajsës së ardhshme shqiptare, asaj « superfuqisë së vogël energjetike të Ballkanit » sipas shprehjes së Kryeministrit vizionar. Me të vërtetë, cili prej udhëtarëve të humbur në mes të shkretëtirës përvëluese ka mundur t’i shpëtojë mirazheve të oazeve ujëmbajtës dhe dritëshumë?
  1. Edhe kritiku më i angazhuar i shkrimit të z. Nurellari është i detyruar të përballet me disa të vërteta paradoksale : - i indinjuar, ndoshta me të drejtë, nga qëndrimi i PS dhe i aleatëve të saj agrarë ndaj deklaratave të fundit të qeverisë, ai këmbëngul dhe heq një paralele mes blerizmit dhe ambientalizmit. Nuk e di se në ç’skaj të kulturës politike ka gërmuar ai për të guxuar një krahasim të tillë. Është e vërtetë se blerizmi në politikë identifikohet me një rrugë të tretë, për të mos thënë të mesme, por mesi « i artë » britanik tredjunionist përpara se të shprehet me termat e ambjentit, përdor një gjuhë komunikimi ku theksi i vihet « rritjes ekonomike » dhe adopton një qëndrim social ku mbizotëron fjala « drejtësi ». Edhe ata që nuk e « kanë aspak haberin » nga kjo fushë, por që ndjekin jetën politike të vendit qoftë edhe nëpërmjet shtypit ose televizorit janë të bindur se opozita e Ramës, përveç qëndrimeve të saj të fundit « ambientaliste » nuk shquhet as nga rritja ekonomike as edhe nga drejtësia sociale. Në këtë mënyrë, është një fyerje për social-demokracinë angleze të krahasohet me të majtën shqiptare sikundër është një nder i pamerituar për të këtë të fundit të etiketohet « bleriste ». Vërtet gjella me kripë, por ama kripa me karar !

- kategorik, në ato çka thotë, ai nuk ngurron të pohojë se « një pjesë e mirë e komunitetit shkencor ndërkombëtar është shumë e bindur se energjia bërthamore është jo vetëm efikase, por edhe shumë më e gjelbër dhe e qëndrueshme se format e tjera të prodhimit të energjisë ». Për fat të keq të tij, unë bëj pjesë jo vetëm në atë komunitet shkencor ndërkombëtar, por edhe në atë pjesë të ketij komuniteti që është diplomuar dhe stërdiplomuar pikërisht në energjetikë. Është e vërtetë që jam fort i bindur se energjia bërthamore është efikase - në këtë periudhë kaq delikate ku fuçia e naftës ka shkuar 100 dollarë – por aspak i bindur se ajo është shumë më e gjelbër dhe e qëndrueshme se format e tjera të prodhimit të energjisë. Jam i bindur gjithashtu se nuk jam i vetmi që mendoj në këtë mënyrë ! Është një gjë të njohësh avantazhet teknologjike të atomit në prodhimin e energjisë elektrike por është diçka krejt tjetër të pranosh problemet fort të ndërlikuara të instalimit të një industrie të tillë dhe veçanërisht, problemet edhe më të delikate pothuaj të pazgjidhshme të ndotjeve radioaktive. Këto të fundit nuk lindin vetëm si pasojë e gabimeve në llogaritje, të mangësive teknologjike ose të keqpërdorimit nga ana e njeriut. Asnjë shkencëtar në botë nuk mund të pranojë « rrezikun zero ». Asnjë central bërthamor i planetit nuk ka shpëtuar nga avaritë, nga keqmanovrimet ose nga shkelja e « vijës së kuqe ». Në qoftë se nuk i kemi parë ose dëgjuar kjo vjen ngaqë dikush ka bërë çmos për t’i fshehur dhe për t’i kaluar në heshtje ! Së fundi, cilësimi estravagant i vënë mbi « qëndrimin ambientalist të Evropës së Veriut » le t’i mbetet ndërgjegjes së autorit në fjalë. - i sigurt, ai nuk trembet as nga shifrat pasi na i citon me bollëk : « ..sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, 17% e rrymës sigurohet nga energjia bërthamore; Franca dhe Lituania sigurojnë tre të katërtat e energjisë nga centralet bërthamore, Belgjika, Bullgaria, Hungaria, Sllovakia, Kore e Jugut, Suedia, Sllovenia sigurojnë mbi 1/3-ën, ndërsa Japonia, Gjermania e Finlanda sigurojnë 1/4-ën e totalit të prodhuar ». Por duhet t’i ruhemi shifrave, pasi ato mund të mbrojnë një ide dhe njëkohësisht të kundërtën e saj : kështu, në qoftë se 17% e energjisë elektrike u siguroka nga energjia bërthamore, si sigurohen ato 83% që mbeten ? Përse të mos thuhet njëkohësisht që energjia bërthamore përbën vetëm 6% të energjisë primare ?Me që ndodhemi në kapitullin e shifrave, përse të mos përmendim edhe Kinën që ka vetëm 4 centrale të tilla në aktivitet dhe që mbulon vetëm 2% të nevojave të saj për energji elektrike me rrugë bërthamore ? Përtej betejës së shifrave, tabloja që çfaqet është fare e qartë : Prodhimi i energjisë elektrike me rrugë bërthamore është një teknologji që paraqet mjaft avantazhe sikundër dhe rreziqe dhe që zhvillohet në paralel me teknologjitë e tjera. Zgjedhja e saj është një rezultante e forcave politike, ekonomike, financiare dhe shoqërore dhe mbetet privilegj i vendeve të zhvilluara perëndimore, të cilave ju mungojnë zgjidhje të tjera energjetike afatgjata. Aktualisht, në këtë fushë militojnë dy kampe - ai i teknologjistëve të botës perëndimore (Westingauset, Arevat, Framatomët, Siemensat…) dhe lobi i tyre politiko-mediatik që mbështesin idenë e centraleve duke theksuar avantazhet e tyre dhe kampi e ekologjistëve gjithëngjyrësh që përmendin rreziqet e atomit civil dhe ushtarak. Mes këtyre kategorive gjendet turma e njerëzve të thjeshtë - ata të rrugës - që kur hyjnë në shtëpitë e tyre ndezin dritën dhe shkojnë të bëjnë një dush (pa e vrarë mendjen fort nëse energjia e nevojshme vjen nga bërthama apo nga lëngu i zi). Diku në një skaj, gjenden Shqiptarët e thjeshtë si puna e z. Nurellari të cilët, në mungesë të dritës dhe të ujit, diskutojnë mbi veprat e mira dhe mëkatet e atomit.

  1. Duke mos qenë as kritik as edhe i angazhuar, më duhet të përballem me paradokse të vërtetë : - Aspekti më i fundit i krizës së rëndë energjetike që ka kaplluar vendin është ai ëndërrimtar. Kjo krizë lindi së pari nga fakti se burimet e dikurshme hidrike filluan të vjetërohen dhe sot ato punojnë vetëm me gjysmën e kapacitetit të tyre të projektuar (pasi rezervuaret e tyre vazhdojnë të mbushen nga dita në ditë); se termocentralet e dikurshme ose janë fshirë nga faqja e dheut ose janë në tako pasi as naftë, as gaz dhe as qymyr nuk nxirret sot në parajsën demokratike shqiptare; së dyti pasi rrjeti elektrik i dikurshëm është katandisur në një rreckë me mijra arnosje; së treti pasi konsumatorët nuk kënaqen më me ato 100 kWh/muaj të kohës së Enverit por duan edhe dritë, edhe ngrohje, edhe pajisje deri dhe kondicionerë - bile edhe pa paguar faturën; së fundi, sepse që nga ajo kohë e shkuar dhe deri më sot asnjë përpjekje nuk është bërë as për të riparuar, as për të ndërtuar ndonjë burim të ri. Të vetmet përpjekje madhore kanë qenë ato të popullit të shumëvuajtur shqiptar gjatë viteve të paharruara të demokracisë (1991-1993) për të shkatërruar “pasurinë e përbashkët komuniste” si dhe ato të popullit të mashtruar po shqiptar në vitin e paharruar 1997, kësaj rradhe për të shkatërruar rregjimin demokratik të z. Berisha. Pasi që thika preku palcën, një varg projektesh u stivuan mbi tryezën e qeverisë, më i shquari i të cilave padyshim është ai i centralit (centraleve) bërthamor(e). Por përpara se t’i jepemi ëndërrimit, është e udhës të futim dorën në xhep dhe të numërojmë monedhat që na kanë mbetur. Me çfarë mjete financiare të vendit mund të pjesëmarrim në një projekt që kushton së paku 2- 3 miliardë euro, pa llogaritur ato 2 miliardat e tjera për të rimëkëmbur rrjetin elektrik të shpërndarjes ? Si mund të shpresojmë ende në bujarinë e evropianëve dhe të tjerëve amerikanë kur këta të fundit kanë ndihmuar, kredituar dhe investuar jo më tepër se 1.5 miliardë euro, përgjatë 15 vjetëve të tranzicionit ? Gjithmonë në fushën e ëndrrës, më vjen ndër mend një anekdotë e vjetër - ajo e fshatarit që kish humbur gjumin e natës duke bërë llogaritë pafund të shtëpisë së tij të ardhshme, deri sa fqinji i tij pikasi dëshpërimin që i kish mbuluar fytyrën dhe e pyeti : - ç’po ndodh me ty, or lalë, pse e ke fytyrën kaq të prishur ? - s’më del llogaria e shtëpisë së re, megjithëse i kushtoj 500 napolona. - sa napolona ke gjithsej ? - asnjë kokërr. - shtoji atëhere edhe 500 të tjera dhe shko fli i qetë .
  2. Tjetri aspekt që ka filluar t’i shqetësojë shqiptarët është ai i ndotjeve të ardhshme të centralit bërthamor aq të ëndëruar. Me qetësinë e atij që nuk i beson fort ëndrrave, vërej se Shqipëria nuk priti ndërtimin e një centrali bërthamor për të zbuluar ndotjen. Ata që kanë patur rastin t’a shkelin, bile përpara se z.Berisha ose z. Nano t’a trashëgojnë, sigurisht mbajnë mend Elbasanin që notonte në një llum të kuq sa herë që binte shi, Kuçovën (ish-Qytetin Stalin) që llokoçitej në gjolet me naftë, Ballshin që qelbte erë gaz deri në ujin e robinetit apo Fanin në Rubik ku edhe gjurma e peshkut ishte zhdukur nga shkaku i mbetjeve të uzinës së bakrit. S’po përmend Osumin në Poliçan të masakruar nga uzina e armëve, Devollin në Gramsh të sterilizuar nga uzina e baterive etj. etj… Mjafton një shëtitje në mbrëmje mbi kodrat e Saukut për të soditur smogun e Tiranës. Edhe pa central bërthamor, ne jemi në gjendje të prodhojmë një smog të denjë për çdo megalopol evropian. Përse duhet t’i kemi zili botës së sotme të qytetëruar (Gjermani, Francë ose Itali) ku njerëzit arrijnë dhe vdesin nga ndotja (e veturave, e centraleve termike dhe e industrisë kimike që i vret përpara se ndotjet radioaktive të mbërrijnë në pjatën e tyre) ? Sa qytetarë shqiptarë vdesin çdo vit nga ndotja atmosferike ose industriale e bujqësore, përpara se ky central i shumëdëshëruar të fillojë të projektohet ? Për ata që nuk e dinë ende, rekomandoj të lexojnë shkrimin e mëposhtëm.
  3. * * * E vetmja alternativë e prekshme që u ofrohet Shqiptarëve në këtë prag dimri është « ngrohja » me ëndrrat e pushtetit ose « ngrohja » me zënkat e opozitës. Ngrohje për ngrohje – si gjithmonë, me « forcat e veta » kalorike – do të preferoja atë të pozitës si më të brendshme dhe më intime, pra ekologjike. Tjetra, nëpërmjet agresionit verbal dhe të shkruar, në mos ndot mjedisin me zërat e çakorduar, ndikon në shfarosjen e pyjeve të planetit për të prodhuar letrën e nevojshme.

La suite.. - Vazhdimi...

mardi 13 novembre 2007

Atomiku Berisha.

Kësaj here dhe në kundërshtim me vështrimin mospërfillës dhe përçmues që mbulon lajmet që vijnë nga Shqipëria, ndërhyrja e z. Berisha lidhur me gadishmërinë e Shqipërisë për t’u angazhuar në fushën e prodhimit të energjisë elektrike me origjinë bërthamore tërhoqi vëmendjen e Evropës mbarë, për të mos thënë të mbarë botës.Paneli i reaksioneve shkon nga acarimi grek në entusiazmin thuaj fëminor italjan, nga përshkrimi i ftohtë anglez në komentin zbavitës francez. Dhe jo pa arsye : në qoftë se Greqia përqas ëndrrën e fundit bërthamore të z. Kryeministër me programin aq të përfolur bërthamor iranian, Italia ka hapur kapitullin fort të suksesshëm të bashkëpunimit me vendin fqinjë ndërkohë që vendet anglofone si dhe Franca – që administrojnë Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar – janë krejt të ndërgjegjshme për pamundësinë absolute të financimit të një projekti të tillë faraonik. Sidoqoftë, nuk ja vlen të bredhësh Evropën për të analizuar shanset e realizimit të projektit shqiptar megaloman të rradhës. Mjafton të kqyret shtypi lokal, të lexohen deklaratat zyrtare dhe së fundi, t’i bëhet thirrje logjikës – asaj të shkencës – për të kuptuar dora dorës se bëhet fjalë për një vetëmashtrim fatkeq, një njohje e përciptë e mundësive dhe kapaciteteve ekonomike dhe njerëzore të vendit dhe së fundi, një vizion politik cinik që nuk i tejkalon synimet elektorale. Duke cituar burimet e Kryeministrisë, mësohet se « Kryeministri Berisha priti në zyrën e tij përfaqësues të Westinghouse dhe Camozzi Holding spa që i prezantuan interesin e kompanisë së tyre ..për të prodhuar edhe në Shqipëri energji bërthamore ». Përgjigja e Kryeministrit përmblidhet në disa linja ndërkohë që, sejcila prej tyre përbën një temë të veçantë debati:a. « .. Qeverisa shqiptare e konsideron energjinë bërthamore si pjesë të diversifikimit të burimeve energjetike të saj. Ajo synon që në të ardhmen ta kthejë Shqipërinë në një qendër prodhuese dhe eksportuese të energjisë në rajon » b. « .. Westinghouse është teknologjia më e shkëlqyer e centraleve bërthamore në botë… dhe nëqoftë se kjo kompani gjen interes tregtar për të prodhuar në Shqipëri energji bërthamore me teknologjinë e saj, ajo është shumë e mirëpritur »c. « .. për këtë çështje nuk mund të operohet me buxhetin publik, pasi dihet nga të gjithë që këto janë investime që kërkojnë 3-4 miliardë dollarë dhe buxheti i vendit edhe për shumë vjet nuk do të jetë në gjendje të përqendrojë në një projekt të vetëm kaq shumë para. ».
  • Ështe pak të thuhet se qeveria blu e sotme shqiptare, sikundër edhe ato pararendëse rozë, përballet me një krizë energjetike të pashoqe. Aspekti më i mprehtë i kësaj krizë mbetet paaftësia kronike e burimeve egzistuese energjetike për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike. Me fjalë të tjera, errësira që ka pllakosur vatrat shqiptare që, në këtë fillimshekulli të XXI, i janë rikthyer kandiles dhe pishës si në vitet e para të Mbretërisë.Retrospektiva më përmbledhur tregon se e gjithë baza energjetike ka qenë konceptuar dhe ndërtuar gjatë periudhës komuniste. Prodhimi i energjisë elektrike realizohej në 90% të saj nëpërmjet burimeve hidrike, vepra e fundit në këtë fushë mbetet një hidrocentral i ndërtuar mbi lumin Drin me fuqi të instaluar prej 600.000 kW, i vënë në shfrytëzim në vitin 1985. Në atë kohë, Shqipëria mbante një nga vendet e para në kontinent përsa i përket natyrës ekologjike të energjisë së saj, duke qenë e varur njëkohësisht nga ligjet e rastësishme të motit dhe sidomos nga aftësia e specialistëve të saj për t’i shfrytëzuar këto burime me efikasitet. Në të vërtetë, nga momenti i shembjes së strukturës ekonomiko-politike komuniste, vendi s’ka bërë gjë tjetër veçse ka harxhuar dhe shpërdoruar energjinë që dhurohej nga qielli. Ndërkohë, vargu i dukurive politike, ekonomike dhe shoqërore të çfaqura gjatë tranzicionit demokratik shëndrroi edhe faqen e vendit : industria e vjetër socialiste u zhduk për t’i lënë vendin atyre mijra ndërmarrjeve private dhe dhjetra mijra dyqaneve e magazinave tregëtare ; disa dhjetra mijra ndërtesa private u çfaqën si këpurdha në lagjet e jashtme anarqike rreth qyteteve të vendit ; me mijra godina shumëkatëshe u ndërtuan mbi bregdet sikundër dhe në « megalopolin » Tiranë – Durrës ; gradualisht, familjet u pajisën me aparate elektroshtëpijake dhe nën presionin e shoqërisë së konsumit ato u hodhën drejt zbulimeve të reja siç është rasti i ngrohjes në dimër ose i klimatizimit në verë. Mes prodhimit statik që i bindej ligjeve të natyrës dhe konsumit dinamik që ndiqte trillet njerëzore, rrjeti i dikurshëm i shpërndarjes së rrymës u hodh në erë.Përballë katastrofës, pushteti gjeti një zgjidhje nga më të lirat – meremetimin në urgjencë. Disa transformatorë të djegur u zëvendësuan, një varg linjash të reja ju bashkangjitën të vjetrave. Kjo gjë lejonte të kalohej dimri për të rifilluar verën e ardhshme me të tjera linja, me të tjerë transformatorë, me të tjerë konsumatorë dhe ç’është më e keqja me difekte të reja edhe më të rënda, me ndërprerje të rrymës për lagje të tëra, për qytete të tjera… Kur nuk ishte shiu që bënte tekat e tij të zakonshme – ndodhte që thatësira të vazhdonte me muaj të tërë – ishin vetë njerëzit që zbaviteshin duke hedhur në erë shtyllat e tensionit të lartë.. Troç, situata ka dalë jashtë çdo kontrolli : është tashmë natyra që kontrollon kapacitetet prodhuese, janë konsumatorët që abuzojnë me fuqinë e instaluar ndërkohë që shteti nuk është në gjendje të administrojë rrjetat e shpërndarjes. Sejcili, sipas mënyrës së tij, konstaton gjendjen dhe arrin në përfundime :

Specialisti i energjetikës, ndërkohë që studion zgjidhje të tjera ekonomikisht të pranueshme dhe teknikisht të realizueshme, ëndërron kohën e artë kur çdo gjë zgjidhej me anë të hidrocentraleve. Por sa është e vërtetë që hidrocentralet mbeten një mrekulli e natyrës – aq më tepër kur janë ngritur me ndihmën dhe me kreditë e ish-vendeve socialiste – po aq e vërtetë është se ato nuk janë perpetuum mobile. Ato kanë nevojë për mirëmbajtje dhe në rradhë të parë karakterizohen nga një jetëgjatësi, pra degradim i shtrirë në kohë. Njëkohësisht, edhe rrjetat e shpërndarjes kanë tendencën të degradohen vetvetiu dhe të dalin jashtë përdorimit nëqoftë se nuk ndjekin për të mos thënë të paraprijnë zhvillimin e fuqisë së instaluar – aq më tepër nëqoftë se njerëzit veprojnë aktivisht për t’i dëmtuar me qëllim.

Administratori i energjisë vëren se vetëm 44% e energjisë së prodhuar mbrrin tek konsumatori. Pjesa tjetër humb gjatë transportit (!?) – më mirë të themi se zhduket nëpër ato miliona vrima të linjës, të shpuara nga ana e atyre që konsumojnë pa dashur të paguajnë. Por, meqënëse detyra e tij është të rentabilizojë prodhimin dhe mallin atëhere ai manipulon çmimet. Aktualisht, gjendja egzistuese e « tubacioneve » është përgjegjëse e dyfishimit të çmimit të energjisë.

Politikani bën të ditur që energjia mungon dhe dekreton lehtësimin e barrës, pasi duhet që njerëzit të edukohen të konsumojnë me kursim : dy orë ndërprerje të përditshme të rrymës në Tiranë, gjashtë orë në Durrës, shtatë në Vlorë, nëntë në Fier dhe gjashtëmbëdhjetë në Shkodër. Veç ndërgjegja e tij e din përse ky variacion kaq piktoresk sipas qyteteve ! Përsa i përket zonave jo-urbane, ndërprerjet janë edhe më të rënda : nga katër orë në rrethinat e Tiranës deri në njëzet e dy orë në ato të Fierit.

Konsumatori, ai që paguan – pasi më shumë se një e treta nuk i paguan faturat e saj, nuk e di sa ç’farë përmban kjo faturë e bekuar. Fillimisht, më tepër se 40% e familjeve qytetare (63% të atyre fshatare) nuk kanë « sahatë » ose matës të konsumit - dhe si rrjedhim ata paguajnë një forfe ; më tej, ndërprerjet e përditshme janë më të gjata se sa periudhat e lajmëruara dhe ç’është më e keqja fare të rastit. Hajde merre vesh se kur do të vijë rryma ! Por, meqënëse mungesa e rrymës elektrike sjell me vehte edhe mungesën e ujit të pijshëm, jeta e përditshme bëhet thjesht e pamundur. I vetmi variacion që sjell edhe një grimë origjinaliteti vjen nga stinët : në verë mund të durohet pa ndriçim deri vonë, mund të përfitohet nga freskllëku i hijes së pemëve ndërkohë që është mungesa e ujit që krijon problemet më të mëdha ; në dimër, është uji i shiut që mund të zëvendësojë disi mungesën e ujit të robinetit ndërkohë që këshillohet shtrirja në shtrat që në orën 17 dhe mbështjellja me mbulesa të trasha, për shkak të ngrohjes që bëhet problemi kryesor.

Përfundimisht, sejcili mendon se situata është kritike dhe që duhet të ndryshojë. Vetëm se idetë janë të ndryshme ndaj natyrës së zgjidhjeve : kompanitë e huaja propozojnë burime të reja energjie – diellore, tradicionale bile edhe atomikë, administratori mendon në rradhë të parë të blerë energji jashtë shtetit dhe t’jua shesë konsumatorëve lokalë, politikani vendos të rrisë çmimet dhe të aplikojë pagesën me nivele të konsumimit, me një çmim progresiv dhe së fundi, konsumatori – gjithmonë ai që paguan – detyrohet të paguajë edhe më tepër ndërkohë që asgjë nuk ndryshon – as rrymë më tepër as edhe ujë të pijshëm më të bollshëm. Duke pritur në këtë mënyrë që të bjerë shiu, të fryjë era dhe të ndriçojë dielli, që gazi natyror i cili duhet blerë diku të mund të vijë nëpërmjet tubacioneve që ende nuk janë shtrirë për t’u djegur në termocentralet që ende s’janë ndërtuar ; që atomi i Westinghausit të shëndrrohet në rrymë në centralet bërthamorë që gjenden në kokat a antarëve të qeverisë ; që së fundi, energjia elektrike të mund të prodhohet në sasitë e mjaftueshme, të mund të transportohet në mënyrë korrekte për të siguruar ndriçimin, ngrohjen, forcën motorike dhe ujin e pijshëm – ky konsumator duhet të zgjidhë një problem tjetër të natyrës egzistencialiste : si t’ja bëjë për të kaluar edhe këtë dimër, ndërkohë që çmimi i druve të zjarrit është dyfishuar ndërkohë që rrogat janë po ato ?

  • Askush nuk ve në dyshim namin e mirë që rrethon kompaninë Westinghouse, një prej farëve botërorë të projektimit dhe të ndërtimit të centraleve bërthamore. Po të njejtat shprehje mos edhe më tepër mund të thuhen për kompani të tjera si Framatome (Areva) franceze ose Siemensi gjerman. Por askush nuk mund të mohojë se ndërtimi i një centrali bërthamor është një vepër kapitale, ndërmarrja e të cilës nënkupton njëkohësisht një bashkëpunim aktiv shumë nivelesh mes ndërtuesit dhe vendit pritës, një studim paraprak dhe shterrues të të gjitha problemeve të natyrës së mjedisit, financiare, teknologjike dhe të shfrytëzimit, një vizion afatgjatë të zhvillimit ekonomik të vendit në përgjithësi dhe të energjetikës në veçanti etj, etj…Të vetmet elementë që njihen janë dëshira e qeverisë për të zgjidhur krizën energjetike, vullneti i saj për të përshpejtuar bazën ligjore të domosdoshme si dhe buxheti publik më se i pamjaftueshëm për një investim të tillë. Pra, ndërtimi i një vepre të tillë – po qe se do të bëhet – do t’i lihet kompanive private, gjë e cila nënkupton privatizimin e plotë të të gjithë bazës energjetike të vendit – dhe jo vetëm atë të KESH-it. Në këtë lëmi, të gjitha krahasimet e sjella nga z. Berisha lidhur me vlerën e energjisë atomike si dhe peshën e saj në ekonominë e vendeve të tjera evropiane është thjesht hipokrizi, pasi asnjë nga këto vende nuk ka guxuar ende t’ja besojë gjenerimin e energjisë së tij sektorit privat – në emër të pavarësisë së tij energjetike dhe në emër të pavarësisë të vetë vendit.Një element tjetër jo-zyrtar lidhet me vendin ku mendohet të ngrihet ky central – pranë Durrësit. Duke përjashtuar qytetin, kodrat e Hamallajt dhe vetë plazhin, varianti më i mundshëm mbetet bregdeti i Mamurrasit, diku pranë derdhjes së Erzenit dhe Ishmit. Pra, duhet gjetur një zonë prej 150-200 hektarësh, e stabilizuar dhe jashtë çdo rreziku sizmik, e pajisur me burime fort të rëndësishme uji (disa mijra metra kub në orë për ftohje), mbi të cilën do të ngrihet përgjatë një dhjetëvjeçari – në mos më tepër – një vepër që kushton rreth 1.5-2 miliardë euro (3.5-3 miliardë dollarë), me sa duket i teknologjisë PWR (pressurized water reactor) me kapacitet termik prej 3.100 MW dhe prodhimi energjie elektrike prej 1.000 – 1.100 MW. Edhe sikur kjo vepër të ngrihet – duke importuar nga jashtë që nga bulloni më i thjeshtë ose kilogrami i çimentos me cilësi të lartë deri në shufrat e karbonit të pastër ose të oksidit të uraniumit - të mos harrojmë që pasi ndërtohet, një uzinë e tillë ka nevojë për një ekip prej 800 – 1.000 inxhinierësh dhe teknikësh tepër të specializuar, përveç profesioneve të tjera ndihmëse. Nëqoftëse, sipas shprehjes së z. Berisha « Shqipëria të bëhet një superfuqi të vogël energjetike » do të duhen dy ose tre centrale të tillë, kuptohet se këto shifra duhet të shumëzohen me një koeficient dy ose tre.Ndërkohë, një burim i tillë i stërmadh energjie, fuqia e të cilit manovrohet me vështirësi, duhet të futet në rrjetin elektrik të vendit. Pra, ai duhet t’i besohet për shfrytëzim KESH-it ose pasardhësit të tij privat, preokupimet kryesore aktuale të të cilit janë sigurimi i sahatëve elektrikë dhe pajisja e banesave me to si dhe blerja e energjisë në vendet fqinje. Në këtë pikë, z. Bojaxhi është fare i çiltër : « KESH-i nuk nuk është i aftë të menaxhojë një central të tillë ». Me fjalë të tjera, atyre 2 miliardave euro duhet t’ju shtojmë edhe një ose dy miliardë të tjera për të rimëkëmbur fund e krye rrjetin e tensionit të lartë, transformatorët, rrjetin e tensionit të ulët etj. etj… për t’ju avitur standardeve evropiane që parashikojnë humbje në rrjet dhjetë herë më të vogla se ato të Shqipërisë.Sidoqoftë, edhe naivi më entuziast duhet të ketë parasysh se një central bërthamor është një vepër që ndërtohet, jeton – ose prodhon – dhe së fundi « vdes » pas 40 vjetësh jete në kushtet e teknologjisë së sotme. Pra, ndërkohë duhet menduar se si duhet « varrosur », më mirë të themi se si të zhbëhet ajo që ishte bërë nga brezat e mëparshëm të politikanëve dhe të ekonomistëve. Vendet si Franca ose Gjermania që përballen sot me të tilla probleme e dinë se sa i kushtueshëm dhe sa i ndërlikuar është një veprim i tillë!S’ka asnjë dyshim që njohuritë e z. Kryeministër në fushën e energjetikës s’kanë asnjë pikë të përbashkët me ato të zanatit të tij të parë, kirurgjisë kardiake. S’ka asnjë dyshim gjithashtu se ai i referohet raporteve dhe të dhënave të furnizuara nga këshilltarëve të tij. Do të dëshironim thjesht të dinim se në ç’masë, mendimet dhe përvoja e specialistëve të energjetikës së vendit janë shkrirë në talentin parashikues të Znj. Zana Guxholli, urtësia dhe titujt në ekonomi të të cilës gjithashtu s’kanë të krahasuar me diplomën e saj prej inxhiniereje.
  • Ishte krejt e parashikueshme që frymëzimi i beftë atomik i z. Berisha të ngjallë rreaksionin e gjallë të opozitës socialiste, momenti më prekës i të cilës ishte rikujtimi i skenarit katastrofik të Çernobilit. Megjithë absurditetin e metaforës së Kryeministrit, lidhur me « orët sovjetike dhe amerikane », çdokush është në gjendje të gjykojë se edhe teknologjia më e përsosur s’ka mundur deri më sot të shmangë rreziqet, aq më tepër kur ajo i besohet duarve të papërvoja. Por, ndotja e mjedisit nga hedhjet ose mbetjet radioaktive, të cilat gjenden ndërkohë në vend edhe në mungesë të centralit bërthamor, mund të krahasohet fare mirë me ndotjet masive të centraleve të tjera termike me mazut ose edhe me gaz, të imagjinuara gjatë periudhës socialiste. Çështja kryesore që shtrohet përpara ekonomisë shqiptare mbetet kapërcimi i krizës energjetike dhe në këtë fushë, asnjë nga qeveritë e mëparshme Nano, Meta ose Majko s’ka ngulur qoftë edhe një gozhdë në murin e skëlfitur, të trashëguar nga periudhe Hoxha. Si zgjidhet kjo nyje e koklavitur që është duke i marrë frymën ekonomisë së vendit ? Ja edhe tema themelore e një debati të tërë që fillimisht, duhet të frymëzojë specialistët e energjetikës dhe të tjerë specialistë të fushave anësore, përpara se të shëndrrohet në temë debati mes politikanëve. Sa debate të tilla janë zhvilluar në vend dhe sa ka qenë numri i specialistëve të mirëfilltë që kanë marrë pjesë në to ? Cili është mendimi i pjekur që orienton sot politikën energjetike të vendit, përveç ai i Ministrit Ruli dhe i këshilltarëve të Kryeministrit ?Përfundimisht, dhe vetëm në rradhë të fundit, kjo çështje mund të përvehtësohet nga gazetarët e llojit Mustafa Nano, kënaqësia dhe këmbëngulja e të cilëve për t’a interpretuar si « qasje idiotike » gjen ekuivalentin e saj në lakminë e gazetës së tyre për të gjetur lexues – po aq të zgjuar.Duke ju kthyer edhe një herë projektit bërthamor që ndodhet mbi tryezën e z. Berisha, edhe sikur kjo ëndërr të bëhet realitet – qoftë edhe nëpërmjet një ndërhyrjeje hyjnore që mbetet gjithmonë e mundshme – ka fort të ngjarë që ekonomia shqiptare të marrë pamjen e kamionit të vjetër ZIS, nën llamarinat e ndryshkura të të cilit do të montohet një motor FERRARI. Mbetet sidoqoftë e zorshme që një automobil i tillë, në duar kaq eksperte, të mund të arrijë të çojë bandën gazmore shqiptare në parajsën e Evropës së Bashkuar.

La suite.. - Vazhdimi...

jeudi 8 novembre 2007

Trimëria e fundit e diplomacisë shqiptare.

Duke qëmtuar në Internet lajme dhe përmendje të atdheut të shumëvuajtur dhe të shumëdashur, më tërhoqi vëmendjen një blog në frëngjisht “Canoe Info”, nga Kebeku (Kanada) që i bënte eko një përpjekjeje të administratës së George. W. Bush. Ja edhe një përmbledhje e artikullit në disa rreshta: Këto ditë e fundit (më saktësisht në 30 tetor 2007), Kuba i paraqiti Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, një mocion që synonte dënimin e bllokazhit të përgjithshëm, të imponuar nga Shtetet e Bashkuara pothuaj gjysëm shekulli më parë ndaj ishullit karibean. Që prej tre vjetësh, një shumicë shtetesh e dënon këtë masë ekonomike dhe tregëtare, të ndërmarrë ndaj një vendi të vogël prej 11 milionë banorësh... Kësaj rradhe ishin 184 vende solidare nga 192 antare. Katër vende votuan kundër: SHBA, Izraeli, ishujt Marshall (një arqipelag i Paqësorit me 60.000 banorë, nën tutelën e OKB dhe të SHBA deri në vitin 1986) si dhe republika e Palaos – (një tjetër arqipelag i Paqësorit me 20.000 banorë, nën tutelë deri në vitin 1994). Një vend - Mikronezia – abstenoi. Së fundi, tre vende munguan gjatë votës: Shqipëria, Salvadori dhe Iraku“. Një varg mendimesh më vërshoi në kokë dhe përfundimisht, disa prej tyre mbetën pa përgjigje. Ja çka më detyroi të ulesha t’i ndaja me të tjerët.
  1. Fillimisht, e forcova vehten të pranoja se analisti-gazetar kanadez donte të mashtronte botën mbarë me këtë histori të shpikur fund e krye - pse jo, për të dëmtuar imazhin e kulluar të Shqipërisë. Aq më tepër që asnjë prej gazetave të vërteta (prej letre) ose virtuale (elektronike) shqiptare, në përgjithësi tejet të mirëinformuara në lëminë e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk e përmendtte një gjë të tillë. Si zakonisht, i bëra thirrje Google - armës lajmkërkuese së pagabueshme, e cila në këtë rast më largoi çdo iluzion duke më sjellë përpara një tufë me gazeta në gjuhën spanjolle që festonin „fitoren historike kubane“ – pra votimin kundër „Jo-së“ amerikane, pa llogaritur Zërin e Amerikës – që e quante „të gabuar“ votimin e OKB“ dhe vlerësonte përpjekjen kubane si njê hap tjetër për „të fajësuar Shtetet e Bashkuara për vështirësitë e saj ekonomike dhe për të larguar vëmendjen nga gjendja e mjerueshme e të drejtave të njeriut në atë vend“. Çka më tërhoqi posaçërisht vëmendjen ishte fakti se votimi i 30 tetorit vinte një javë më pas thirrjes „dramatike“ të Presidentit Bush të drejtuar botës mbarë, me shpresë për të gjetur një mbështetje në fushatën e tij kundër Kubës kastriste. Me këtë rast, Bushi kish kërkuar krijimin e një fondi ndërkombëtar, i destinuar për financimin e subversionit anti-kastrist.
  2. Përse përfaqsuesi shqiptar në OKB nuk ndoqi shembullin e SHBA-së dhe të Izraelit (për të mos përmendur ato republikat mikroskopike të Paqësorit) por e gjeti të udhës të vidhej nga salla e Asamblesë – sikundër kolegu i tij i pashtet irakian? A i bindej ai urdhërit të Ministrit të tij Basha (dhe në këtë rast porosisë së Kryeministrit Berisha) apo diçka e kish penguar të gjendej në sallë në momentin e duhur? Në rastin e hipotezës së parë, cilët janë elementët e rinj cilësorë të politikës së jashtme shqiptare që e detyrojnë këtë të fundit t’i bëjë bisht detyrimeve të pashlyeshme ndaj mikut dhe aleatit të saj të parë dhe të madh? Përse një kthesë e tillë pas asaj pritjeje të paharruar të Bushit në Tiranë? Të gjithë e dimë se Shqipëria ze një vend të veçantë në zemrat amerikane, pasi ajo ka treguar me vepra se është vendi më proamerikan në botë: ajo ishte nga të parat dhe nga të paktat që dërgoi trupa në Afganistan dhe që u bashkua me forcat amerikane në Irak, ajo ju bëri vend edhe atyre tetë të dënuarve të Guantánamo Bay, në Kubë (ah kjo Kuba!) në pamundësi për t’i dërguar në vendet e tyre. A s’ishin gazetat shqiptare ato që i kërkuan Presidentit amerikan "Ju lutemi, na pushtoni“ ? A s’janë burrat politikë shqiptarë ata që dalin kundra të gjithë kritizerëve të botës mbarë që duan të njollosin Bushin si „luftënxitës, unilateral, shkelës të të drejtave qytetare e madje deri tek mbyllja e syrit përballë torturave“? A s’ishte parlamenti shqiptar ai që aprovoi unanimisht një akt-normativ disa kohë më parë, i cili i lejon "forcat amerikane të përfshihen në operacione të çdo lloji, përfshi edhe përdorimin e forcës, me qëllim ruajtjen e sigurisë së presidentit (shqiptar)" ? A s’ishte qeveria shqiptare ajo që ndër të parat –dhe kundër mendimit të të gjithë evropianëve të tjerë - mbështeti refuzimin e Uashingtonit për të njohur autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (kundër Njerëzimit)? Ç’farë po ndodh kështu me qeverinë e Z. Berisha?
  3. Që nga më i madhi politikan deri në më të voglin e nxënësit të shkollave janë në gjendje të shpjegojnë se origjina e kësaj dashurie pasionale shqiptaro-amerikane është ai vendimi historik i Presidentit Udru Uilson për të mos u bashkuar me përçapjen gllabëruese dhe grabitqare të Evropianëve në Konferencën e Paqes së Parsit në vitin 1918, dhe më tej, përkrahja e tij për antarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si dhe njohja ndërkombëtare e Shtetit të Ri shqiptar.