"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura".
.
.. Filli kohor jep mundësinë të dallohet përballja e përjetshme me fqinjët grabitqarë, me fuqitë kontinentale dhe me perandoritë planetare ; të ndjehet pesha e pushteteve konkurruese dhe ideologjive dominuese. Kronologjia konfliktuale zbulon ndeshjen e pamëshirshme ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, dyzimin ndërmjet Krishtit dhe Muhametit, përzgjedhjen e vështirë ndërmjet Republikës dhe Monarkisë, përgjakjen ndërmjet komunizmit dhe nacionalizmit, përpëlitjen ndërmjet demokracisë dhe anarkisë, fërgëllimin ndërmjet socializmit dhe biznesit. Rregjistri shpirtëror dëshmon për luhatjen e vazhdueshme ndërmjet anonimatit dhe lavdisë, njëjtësimit dhe tjetërsimit, dashurisë dhe urrejtjes, kokëkrisjes dhe çmëndurisë, dhimbjes dhe shpresës. Alkimia e vendit furnizon së fundi edhe formulën e krijimit të përbërësve njerëzorë të Kombit : ilirë dhe arbër, Gegë dhe Toskë, fise luftarake të veriut dhe bashkësi zanatqare të jugut, bajraktarë kryelartë dhe bejlerë sipërmarrës, irredentistë kosovarë dhe çamë nostalgjikë, elita qytetëse turkofile dhe intelektualë frankofonë ose italofonë.

Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?
Affichage des messages blog dont le libellé est Vështrime dhe përsiatje. Afficher tous les messages blog
Affichage des messages blog dont le libellé est Vështrime dhe përsiatje. Afficher tous les messages blog

mercredi 9 juillet 2008

I lumtur si një shqiptar.

. I lodhur, bile i tejmunduar, nga kjo ditë e stërgjatë fillimkorriku, e verbuar nga drita gjithëdepërtuese dhe e pjekur nga dielli i pamëshirshëm - pasi i ngeshëm - që lëngëzon kalldrëmet e qytetit dhe avullon fasadat, çlirova një « uf » të zhurmshëm kur, më së fundi, u zhyta në gjysmëerrësirën e freskët dhe të heshtur të shtëpisë. Fizikisht i lodhur por ama i lumtur. Pasi kisha ngadhënjyer mbi vapën, mbi zhurmën, mbi stresin, mbi turmën… mbi djersën, mbi rrugën, mbi diellin, mbi vetë qiellin ! .
. Lumturi efemere, pasi mbi tryezë më priste një tufë reklamash dhe faturash për t’u paguar, pasi edhe televizori i shurdhër shpërndante imazhe të Irakianëve të masakruar, të francezëve në grevë… Edhe i freskët, i nginjur dhe i ngeshëm, nuk i shpëton dot agresionit mediatik, mjedisit shoqëror, administratës së pamëshirshme. Vendosa t’i vidhem realitetit nëpërmjet « xhiros » së zakonshme në internet. Dhe gryka e zezë e pusit befas u hap përpara këmbëve. Përpara se të kumbisesha në të, munda të lexoj titullin: « Shqiptarët, më pak të lumtur se Irakianët ». Merde! Edhe në ferr, nuk na u ndanë Irakianët..
.
. * * *
.
.
. Ishte thjesht një moment dobësie, pasoja e goditjes së diellit. Për fat, gjendesha gjithmonë mbi karrike, me sytë e përhumbur në ekran. Përse Shqiptarët janë më pak të lumtur se Irakianët ?
.
. Mes rreshtave, shkencëtari Inglehart i universitetit të Miçiganit, më shpjegonte se « arsyet e Irakut janë shumë të qarta » ndërkohë që « Shqipëria [është] vendi më i varfër në Evropë ». Pra atëhere, lumturia qënka proporcionale me pasurinë : sa më i pasur, aq më i lumtur, sa më i varfër aq më pak i lumtur ? Si shpjegohet atëhere që Bullgarët (PIB/banor 9800 $ në 2005) që janë dy herë më të pasur se Shqiptarët (5000 $/banor) gjenden gjithashtu në fund të listës, ndërkohë që Kolumbianët (8000 $/banor) janë nga më të lumturit e botës ? Mos ndoshta për shkak të kokainës ëndërrsjellëse ? Po Salvadorjanët përse janë më të lumtur se Finlandezët? Po Guatemaltekët përse gjenden përpara Norvegjezëve ? Përfundimisht, si e ka « matur » lumturinë ky Institut për Kërkime Sociale nga Miçigani ? .
. Gjithmonë, teksti më mëson se bëhet fjalë për një sondazh që ka filluar 26 vjet më parë ku « janë përfshirë më shumë se 350.000 njerëz që janë pyetur sa të lumtur janë, duke përdorur dy pyetje të njëjta : “Duke marrë parasysh të gjithë gjërat, a mund të na thoni, nëse jeni shumë i lumtur, pak i lumtur, jo shumë i lumtur dhe aspak i lumtur?” Si dhe, “Duke i marrë të gjitha parasysh, sa i lumtur jeni me jetën tuaj?”…. Nga kombinimi i përgjigjeve për këto dy pyetje, është ngritur një indeks të mirëqenies subjektive që reflekton lumturinë dhe gëzimin e jetës së përgjithshme… të cilët ndikohen nga faktorë të tillë si rritja ekonomike, demokratizimi dhe rritja e tolerancës sociale … ». Në se është kështu – dhe në se ky sondazh zgjat që prej vitit 1981 - përse atëhere Shqiptarët mbeten gjithmonë të palumtur ? Cili nga këto elementë – rritje ekonomike, demokratizim apo rritje e tolerancës sociale – i mungon aktualisht psikes krahasimore shqiptare që ajo të ndihet e lumtur ? Apo, të paktën diçka më e lumtur se në vitet 80 të komunizmit hoxhian ? Duke lënë mënjanë Inglehartin e Miçiganit, u mundova të kërkoj një përgjigje me të tjera mjete. Fillimisht, duke ngritur pyetjen : çfarë është lumturia?
.
. . Fjalorët më tregojnë se fillimisht, lumturia diku lidhet me fatin : për të qenë i lumtur duhet të jesh i zgjedhur i fatit. Ndoshta prandaj edhe lumturia është kaq e rrallë ! Së dyti, lumturia përfaqson një gjendje kënaqësie të thellë dhe të plotë të të gjitha tendencave jetësore njerëzore. Pikërisht kjo gjë e dallon lumturinë nga kënaqësia – gjithmonë jo e plotë, e çastit. Aq më tepër që kjo e fundit nuk është atribut i papërjashtueshëm i qënies njerëzore – pasi edhe kafshët ndjejnë kënaqësi, pa qenë të lumtura. Thjesht, të jesh i lumtur, duhet të « ndjehesh » mirë, të përfitosh nga kënaqësitë e jetës, të kesh mundësinë të provosh këto kënaqësi… Për ç’kënaqësi të jetës bëhet fjalë : për ato materiale apo për ato shpirtërore ? pasi këto të dytat, në një masë të madhe varen nga vetë njeriu. Liria në vetvehte, a nuk është një fuqi e mjaftueshme për t’u bërë i lumtur ? A nuk jemi ne vetë zotër të « fatit » tonë pra, të lumturisë tonë ?
. Dhe si padashur në mendje më vjen ai Taipi i Ypit, me traktora, me kombajna, me vetura dhe motora, me kuaj dhe me gomerë... Një dragua i punës dhe një nënështrues i fatit. Një Shqiptar. Megjithatë, edhe hyjnori Taip mbetet një « kafshë shoqërore », bile edhe një « kafshë politike ». Këtë nuk e them unë por vetë Aristoteli i madh. Dhe si i tillë, ai gjendet i zhytur deri në palcë në shoqërinë shqiptare, në këtë « domosdoshmëri të trishtuar » sipas Shopenhauerit. .
. Është pikërisht kjo shoqëri shqiptare që ka mbushur formularët e Miçiganit dhe e quan vehten të palumtur. Ndoshta pasi Taipët e Ypit janë një pakicë mes shumicës të Dilaverëve të Spiropalit, lumturia e të cilëve përmblidhet në një palë këpucë. Përse atëhere kjo shoqëri shqiptare është goditur nga fataliteti i Dilaverëve dhe jo nga lumturia e Taipëve ? për të gjetur përgjigjen m’u desh të kqyr një tjetër shoqëri, dikur po aq në mos edhe më fatkeqe, ajo e Islandezëve. Sot më e lumtura në botë.
.
.
. * * *
.
.
. I humbur në mes të Atlantikut, i zhytur në natën polare dhe i mbuluar nga akujt e përjeshëm, Islanda është vendi ku, sipas OKB, njerëzit janë më të lumturit mbi dhe. Pasi, Islandezët janë të parët e klasifikimit që ndërthur elementët e pasurisë materiale, shëndetin publik, moshën mesatare të banorëve, arsimin, mirëqenien shtëpiake dhe familjare – thjesht lumturinë. Një vend që s’ka as ushtri, as kriminalitet, ku asnjë familjeje nuk i mungon as ngrohja, as uji i ngrohtë, as energjia elektrike ; ku 99% e fëmijëve ndjekin shkollat publike, ku niveli i alfabetizimit të banorëve është 100%, ku 64 fëmijë në 100 bëhen jashtë martesës, ku 8% e PIB shkon për arsimin dhe kulturën…
. E pra, një shekull më parë Islandezët ishin ndoshta populli më i varfër i Evropës, ndoshta i botës. Një tokë barbarësh dhe paganësh, peshkatarësh dhe emigrantësh, porta e Ferrit. Si ka mundësi një gjë e tillë ? .
. Një përgjigje vjen nga ish-Kryetari i Bashkisë të kryeqytetit Rejkiavik : « Megjithëse ne ishim kombi më i varfër, të gjithë dinin të lexonin dhe të shkruanin, dhe gratë tona ishin të fuqishme. Duke u nisur nga kjo, ne kemi ditur të zhvillojmë politika të forta. Për mendimin tim, disa gjëra janë më të rëndësishme për shëndetin e një kombi se sa të pirët apo jo e duhanit, si dhe të ngrënët mirë. Ne vemë theksi mbi barazinë, mbi paqen, demokracinë, pastërtinë e ajrit dhe të ujit, arsimin, energjinë e përtëritshme, të drejtat e grave ». Kryeministri i vendit shprehet se « mendoj se ne kemi ditur të kombinojmë çka është më e mirë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Me fjalë të tjera, sistemin social nordik dhe shpirtin e iniciativës të ndërmarrjes amerikane… shumë prej nesh kanë jetuar dhe studiuar në Amerikë dhe aty kemi përvehtësuar – si edhe zbuluar atë çka gjendej brenda nesh – sjelljen pozitive, idenë që me punë, gjithçka është e mundshme ». .
. Puna si bazë e çdo suksesi, rrënja e lumturisë, e kombinuar me një solidaritet të gjithëgjendur – ai i individit ndaj të ngjashmit, sejcili i papërfillshëm përballë natyrës së përbindshme. Ky është edhe çelësi i mrekullisë islandeze që shfrytëzon energjinë gjeotermale për t’ju larguar naftës, që investon në farmaceutikën e gjenerikëve për të dominuar tregun botëror, që zhvillon një sistem financiar të habitshëm që ngjall zili deri në Angli, që eksporton dijen dhe mjeshtërinë e saj deri në Australi.
.
. * * *
.
.
. Përse Shqiptarët që importojnë absolutisht të gjitha mallrat, që nga perimet e Maqedonisë dhe deri në pllakat majolike të Spanjës, nuk arrijnë të importojnë modelin islandez të zhvillimit ? Çështje politikash dhe politikanësh që më shpejt shtrijnë dorën për të lypur se ta shtrëngojnë atë rreth një bishti kazme, çështje prioritetesh zhvillimi që më kollaj strukturohen rreth trafiqeve se sa rreth shfrytëzimit të burimeve të brendshme, çështje besimesh të verbëra që më përpara shpresojnë në bujarinë e qiellit se sa besojnë në forcën e tokësorit, çështje mentalitetesh që më lehtë ushqehen nga lakmia e pronave se sa nga solidariteti ndërnjerëzor, së fundi çështje sistemi traditash që pret lumturinë si dhuratë, nga një qënie e plotfuqishme, qoftë ai babai, kryetari apo vetë Zoti. Sipas Fishtes, një sistem idolatrie po aq i lashtë sa edhe korruptimi njerëzor, të cilin zhvillimi dhe koha i kanë ndryshuar vetëm formën e jashtme. .
. Fundja fundit, në atë varfërinë e tyre kampjone të Evropës, Shqiptarët mund ta konsiderojnë vehten të lumtur, pasi askush nuk mund t’i druhet një gjendjeje më të keqe se sa e tyrja.

La suite.. - Vazhdimi...

lundi 30 juin 2008

Mesdheu i Bashkuar : kur ëndrra piqet me utopinë.

. Pas një heshtjeje të gjatë, më së fundi, kancelaritë e Republikës shpallën lajmin aq të mirëpritur :
.
. « Kryeministri Sali Berisha ka marrë një ftesë nga presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy, për të marrë pjesë në Samitin e vendeve të Mesdheut dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky Samit zhvillohet më 13 korrik 2008, në Paris. »
.
. Përse kjo heshtje e dyshimtë deri në mes të qershorit – krahasuar me zhurmën shurdhuese të pranimit në NATO - lidhur me këtë takim kaq të rëndësishëm që do të mbahet vetëm tre –katër javë më pas ? Pasi, deri në momentin e marrjes së ftesës së shumëpritur asgjë nuk ishte e sigurt : as pjesëmarrja e Berishës në këtë takim, as edhe pjesëmarrja e vetë Shqipërisë në këtë Samit. Prova më e mirë është pasaktësia flagrante e kreut të Shtetit, kur vlerëson këtë « projekt », nga tribuna e Forumit të Krans Montana-s që zhvillohej në Monako, nga 26-29 qershor (Rilindja Demokratike) :
.
. « … Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e një iniciative të tillë, të drejtuar nga Presidenti francez Nikola Sarkozy dhe e mbështetur plotësisht nga vendet europiane, veçanërisht Gjermania, për ridimensionimin e procesit të Barcelonës. Berisha e konsideroi këtë iniciativë si një projekt të rëndësishëm historik. "Unioni Mesdhetar paraqet në fakt një realitet historik që duhet respektuar dhe nxitur për të zgjeruar marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve mesdhetare, si dhe bashkëpunimin e vendeve mesdhetare me vendet europiane"… Berisha përshëndeti rëndësinë e krijimit të këtij Bashkimi Mesdhetar, për të mundësuar realizimin e projekteve të propozuara në fushën e shfrytëzimit të potencialeve të energjisë diellore, të zhvillimit të infrastrukturës detare, të bashkëpunimit në mbrojtjen kundër ndotjes së brigjeve detare të vendeve mesdhetare, të sigurisë së vendeve mesdhetare, si dhe të rëndësisë së bashkëpunimit universitar ndërmjet vendeve të Bashkimit Mesdhetar [..] Bashkimi Mesdhetar, një projekt i iniciuar si një iniciativë europiane nga Presidenti Sarkozy, do të kontribuojë jo vetëm në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, por synon të japë kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe në veçanti të konfliktit izraelito-palestinez. Ky projekt synon gjithashtu të jetë një mbështetje e fuqishme në luftën kundër terrorizmit. »
.
.
. Kur qëllimi francez justifikon mjetet sarkoziane.
.
. Bota mbarë si edhe vetë vendet mesdhetare dëgjuan për herë të parë shprehjen Bashkimi Mesdhetar në korrik 2007, ndërkohë që nga Tuloni jugor Presidenti i sapozgjedhur francez Sarkozi bënte të njohur planin e tij ambicioz për vitet e ardhshme. Ideja kish lindur në mjedisin e afërt politik euroskeptik të kandidatit Sarkozi, që kërkonte një zgjidhje globale lidhur me një sërë konstatimesh shqetësuese :
. - dështimi i plotë i të ashtuquajturit Proces i Barcelonës (Projekti EUROMED i parashikuar për të ndihmuar zhvillimin e vendeve të rrethqarkut mesdhetar) ; rivendosja e një dinamike politike franceze jashtë kuadrit të Bashkimit Evropian ; oferta e një alternative serioze dhe ndjellëse ndaj Turqisë, pasi Sarkozi është një nga kundërshtarët më të vendosur ndaj pranimit të saj në Bashkimin Evropian. .
. Gjatë serisë së gjatë të vizitave në vendet e Mesdheut jugor – të quajtura të Magrebit – por dhe gjatë takimeve në Francë me udhëheqësit e këtyre vendeve, Presidenti Sarkozi çfaq elementët përbërës të këtij projekti :
.
. « Bashkimi Mesdhetar do të jetë para së gjithash një bashkim projektesh. Por me një qëllim : të shëndrrojë Mesdheun në laboratorin më të madh ne botë të bashkëzhvillimit, ku zhvillimi të vendoset bashkërisht dhe të mbikqyret bashkërisht, ku liria e qarkullimit të njerëzve të ndërtohet dhe të kontrollohet bashkërisht, ku siguria të organizohet dhe të garantohet bashkërisht. ». (Tanger, 23 tetor 2007). Por, gjithmonë sipas Sarkozisë :
.
. « Bashkimi mesdhetar nuk ka të njejtën qëllim si Bashkimi Evropian. Nuk bëhet fjalë të realizohet bashkimi politik i Mesdheut por të organizohet një bashkëpunim sa më i ngushtë për të themeluar kushtet e pajtimit ». (Tunis, 230 prill 2008). .
. Në se nuk do të jetë një Bashkim politik si ai evropian, për çfarë bashhkim bëhet fjalë ? Eshtë Sekretari i Shtetit francez për bashkëpunimin evropian që saktëson idenë dhe deklaron përpara Parlamentit francez në dhjetor 2007 :
.
. « Përse ky projekt ? Pasi [..] Mesdheu përbën zonën tonë të dytë të solidaritetit pas Evropës. Por kjo zonë mbetet e vetmja në botë pa organizma shumëpalëshe dhe pa bahkëpunim rajonal. Duhet pra të përdoret përçapja që përbën edhe origjinën e ndërtimit të Evropës për të zhvilluar solidaritete konkrete dhe për të përpunuar projekte federuese ». .
. Bashkim i ri shumëpalësh konkurrent i Evropës së Bashkuar, nën udhëheqjen franceze, apo strukturë federative, e bashkëngjitur me Bashkimin egzistues ? Përfundimisht, këshilltari lidhur me çështjet mesdhetare pranë Presidentit Sarkozi është edhe më i sakti :
.
. « .. Bashkimi mesdhetar mbështetet mbi një parim : të mbushet hendeku mes një Veriu të pasur dhe një pellgu mesdhetar shumë më të varfër. Qëllimi ? Rivendosja e ekuilibrit duke siguruar një hapësirë të paqes dhe të sigurisë. Troç, ne kërkojmë të përmirësojmë dialogun mes dy brigjeve ». .
. Nevojë riekuilibri gjeostrategjik apo dialog miqësor mes të interesuarish ? Ndoshta, para së gjithash një partnership : .
.
. « të bindur nga fakti se Mesdheu, shkritore kulturash dhe qytetërimesh, duhet të rimarrë rolmin e vet si zonë paqeje, begatije dhe tolerance, Presidenti i Republikës franceze, Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë dhe Presidenti i Qeverisë së Spanjës, mblidhen në Romë në 20 dhjetor 2007 për të menduar së bashku lidhur me drejtimet kryesore të Bashkimit për Mesdheun. Ky Bashkim ka si synim të mbledhë Evropën dhe Afrikën nëpërmjet vendeve kufitare të Mesdheut dhe të themelojë një bashkëpunim mbi baza të barabarta mes vendeve të rrethqarkut mesdhetar ». (Romë, 20 dhjetor 2007). .
. Në se është kështu, përse drejtimet kryesore të këtij Bashkimi vendosen gjatë dialogut tripalësh Francë-Itali-Spanjë, në mungesë të plotë të të interesuarve të tjerë ? Në ç’masë vende të tilla të pasura evropiane të bregut verior janë në gjendje të përcaktojnë atë çka ju intereson të varfërve afrikanë të bregut jugor ? .
. Në këtë botë të pamëshirshme ku jetojmë, e vënë në lëvizje vetëm nga interesat ekonomike, ku të mëdhenj dhe të vegjël udhëhiqen nga objektiva financiarë dhe gjeostrategjikë, shprehje të tilla ngjallin buzëqeshje – pasi është fort e vështirë të besosh në filantropinë e vendeve evropiane ose të Evropës së Bashkuar. Ajo çka fshihet pas këtyre rradhëve është vullneti për të krijuar një zonë të tërë të shkëmbimeve të lira – si ai MERCOSUR i Amerikës Latine ose ASEAN i Azisë, me qëllim zgjerimin e Tregut të përbashkët dhe zgjidhjen e krizës energjetike. Sikundër dhe nevoja për të kontrolluar flukset migruese, nëpërmjet programeve të zhvillimit të vendeve nga vijnë flukset, duke orientuar dhe përzgjedhur krahun e punës së përshtatshëm për një Evropë tashmë të plakur. .
. Në një gjuhë krejt të kuptueshme mes specialistësh të zanatit, ku pragmatizmi ka zëvendësuar plotësisht diplomacinë, një nga përgjegjësit e Institutit të Perspektivave Ekonomike të Mesdheut shprehet se :
.
. « .. është krejt e natyrshme… ne duam të afrojmë dy brigjet e Mesdheut nëpërmjet ekonomisë… sipas parrullës të njohur - ekonomia afron, politika përçan dhe kultura diferencon. Ekonomia është një gjuhë universale dhe Evropa vetë, fillimisht është ngritur në këtë mënyrë.. interesi është reciprok ». .
. Ndoshta më mirë duhet shtuar « .. dhe nga ky interes reciprok, Evropa del veçse e fituar, pasi bregu jugor do të verë në kandarin e shkëmbimeve krahun e lirë të punës, naftën dhe gazin, tregjet. Pra gjithçka ka nevojë Evropa e sotme ». Krejt i natyrshëm ky afrim mes brigjesh. Diçka si marrëdhëniet aktuale të Shteteve të Bashkuara me vendet e ALENA-s.
.
.
. Nga Bashkim Mesdhetar në Bashkim për Mesdheun.
.
.
. Projektet mesdhetare të Francës sarkoziane hasën në kundërshtimin e vendosur të Evropianëve të tjerë dhe në rradhë të parë, të partnerit të saj të parë, Gjermanisë së Kancelares Merkel. Kjo e fundit i kundërvihet me forcë idesë së krijimi të një zone influence franceze në Mesdhe, në qendër të të cilës do të ndodhen ish-kolonitë franceze në Afrikën veriore – si kundërpeshë e zonës së influencës gjermane në Balltik. Sikundër dhe idesë tjetër se, ngritja e një kati të tillë shtesë mesdhetar do të trondisë themelet e brishta të godinës evropiane. Aq më tepër që projekti fillestar propozonte një bashkëpunim shumëpalësh dhe shumëformësh, pa marë parasysh faktin se mes të interesuarve mesdhetarë gëlojnë rregjimet autoritare dhe thuaj-diktatoriale, të cilat as që venë ujin në zjarr për të drejtat e njeriut – këtë parametër konstant të politikës së jashtme evropiane. . Me një vendosmëri të paparë ndonjëherë, në mars 2008, nën frymëzimin e Angela Merkel, Këshilli i Evropës ratifikoi projektin francez por arriti t’a shëndrojë rrënjësisht : ambiciet, drejtimet e ndërhyrjes dhe objektivat, pjesëmarrjen financiare.. Tashmë, ai paraqitet si një kopje e zbehtë e Protokollit të Barcelonës, në një « Barcelona bis » - sipas shprehjes së zyrtarëve të Brukselit.
.
. - së pari, u ndryshua emërtimi. Tashmë Bashkimi mesdhetar do të quhet Bashkimi për Mesdheun. Bile, saktësisht – Protokolli i Barcelonës : Bashkimi i Mesdheut. Një detaj mes të tjerash që i ka shpëtuar krejtësisht Kryeministrit tonë Berisha. Nuk është fjala thjesht për një saktësim terminologjik, por për ripërmasim rrënjësor të dispozitivit përbërës. Ndërkohë që në projektin fillestar, ky Bashkim shihej si një klub i mbyllur i 22 vendeve që lagen nga Mesdheu, tashmë ata mund të jenë 44 (27 vendet e Bashkimit Evropian dhe 13 vendet e Procesit të Barcelonës (bashkë me Shqipërinë) si edhe disa vende të tjera të bregut lindor si Kroacia ose Bosnja). Me një masë të tillë vendesh, që e tejkalon atë të inercisë, vetëm mrekullia mund të prodhojë martesë interesash dhe qëllimesh mes një Suedie dhe një Finlande « mesdhetare » dhe një Mauritanie dhe Jordanie « pothuaj evropiane ».
.
. - së dyti, u rishikua me themel çështja e buxhetit. Në asnjë mënyrë, ky Bashkim për Mesdheun nuk do të kërkojë fondet e tij në arkën thuaj të zbrazur të Bashkimit Evropian, i cili mezi arrin të financojë projektet për vendet e pranuara rishtas nga Evropa lindore. Pra, nuk do të ketë « Plan Marshall » për Mesdheun, pasi subvencionet do të mbeten po ato të Procesit të Barcelonës. Veçse, nëqoftë se investitorët privatë fillojnë dhe magjepsen nga projekti dhe venë fondet e tyre në shërbim të Bashkimit ! Bile edhe ideja e një Banke euromesdhetare nuk arrin të enthusiazmojë antarët, të cilët këshillojnë fillimisht « një ridimensionim të hapësirës egzistuese financiare rajonale ».
.
. - së treti, Evropa i vuri një fren ambicjes franceze të kryesimit të këtij Bashkimi. Kështu Sarkoziu nuk mund të shpresojë të bëhet President i këtij Bashkimi për vitin 2008, megjithë zemërgjerësinë e tij pak të zakonshme kur propozoi të ndajë Presidencën me një prej udhëheqësit e bregut jugor. Për shembull, me egjiptianin Husni Mobarak. Në të vërtetë, në përputhje me Traktatin e Lisbonës (pikërisht ai që u hodh poshtë nga Irlandezët), presidenca e një strukture të tillë i besohet Presidentit të ardhshëm të Bashkimit evropian, Presidentëve të Komisioneve si dhe Përfaqsuesit të Lartë për Politikën e jashtme të Evropës. Një objekt tjetër debati krijoi edhe përcaktimi i selisë së këtij Bashkimi, fillimisht e menduar të gjendej në Tunis. « Të paktën të zgjedhim Marokun për seli, pasi është më i prezantueshëm » - pohojnë eurokratët e Brukselit.. Vështirë të gjesh kandidat më të përshtatshëm në mes të atyre vendeve jugore mesdhetare ku, përveç Izraelit asnjë tjetër nuk i përmbush normat e demokracisë alla evropiane.
.
.
. Një ëndërr e vjetër, një utopi e re.
.
. Një nga shprehjet më domethënëse në fjalën e mësipërme të Kryeministrit Berisha është « realiteti historik… i Unionit mesdhetar ». E dalë nga goja e një eksperti të tillë historian, i specializuar në rishkruarjen e historisë, ajo humbet përmasat e një lapsusi të thjeshtë dhe paraqitet si sinteza më e goditur e utopisë mesdhetare. Pasi, në të vërtetë ky Bashkim mesdhetar kaq i dëshiruar ka egzistuar që prej kohësh të lashta.. në formën e Perandorive. Veçse perandoritë e dikurshme zotëronin mjete të tjera bindjeje dhe nënshtrimi, pasi vepronin mbi të tjera logjika - ndërkohë që ju mungonte retorika evropianizuese si edhe hipokrizia institucionale. .
. Stërgjyshërit helenë të Grekëve të sotëm ishin të parët që e konceptuan si hapësirë qytetesh-shtete tregëtuese, të shpërndara mbi brigjet mesdhetare. Nga Athina në Marsejë, nga Dyrrakiumi në Aleksandri, nga Hellesponti në Kartagjenë. Paraardhësit romakë të Italjanëve e quajtën Mesdheun « Mare Nostrum » dhe patën kurajon politike t’u jepnin qytetarinë romake të gjithë banorëve mesdhetarë. Në të tjera kohë, Spanjollët e Filipit të IItë u munduan të ripërtëritnin idenë e vjetër të Bashkimit mesdhetar. Pa sukses dhe kryesisht për shkak të Otomanëve që – edhe ata – arritën të institucionalizojnë hapësirën mesdhetare nën flamurin e Islamit dhe nën autoritetin e Sulltanit. .
. Lirizmi mitologjik që shtyn drejt njohjes së Mesdheut si « djep i qytetërimit njerëzor », për më tepër, i krijuar nga vetë Veriorët, fsheh keq realitetin e sotëm të një rajoni që shquhet për gjithçka, përveç fuqisë dhe bashkimit. Të një iluzioni që karakterizohet nga përçarja, rivaliteti dhe nga dhuna. Mjafton të vihen ballë përballë parametra të tillë si fuqia e saj demografike – i vetmi që veçohet nga tufa – dhe fundosja e fuqisë së saj ekonomike – nga 20% të PIB botërore në fundin e shekullit të XIX, në më pak se 11% në ditët e sotme. Pa harruar edhe « minën me sahat » që e pret në të ardhmen : ky diferencial demografik, në kuadrin e pabarazive të theksuara ekonomike e shoqërore, të rrallimit dramatik të burimeve ushqimore, ujore apo energjetike, që frymëzon konflikte etnike, fetare ose kulturore dhe që gjeneron rrezikun e ballkanizimit të krejt rajonit. .
.
. Për të matur shkallën e utopizmit të projektit mesdhetar të rradhës, mjafton të kqyren reaksionet e vendeve jogore të rrethqarkut – à priori, më të interesuarit. .
. Libia e kolonelit estravagant Kadafi është deklaruar menjëherë kundër këtij projekti. Sigurisht, pasi një ide e tillë nuk përputhet aspak me kontrastin flagrant mes rezervave të saj të stërmëdha të naftës dhe të gazit si edhe potencialin e neglizhueshëm njerëzor. Përveç humbjes, Libia nuk sheh asnjë interes tjetër në ëndrrat mesdhetare të Sarkozisë. Për t’i rritur vlerën vehtes, Kadafi flet në emër të Lidhjes së Vendeve të Magrebit dhe të Bashkimit të vendeve Afrikane : « .. ne nuk jemi as të uritur as edhe qenër që të na hedhin kocka të tilla.. nëpërmjet një projekti të tillë poshtërues ». . Entuziazmi i egjiptianit Mubarak dhe i tunizianit Ben Ali ftohet disi nga pavendosmëria e algjerianit Buteflika që vazhdon të shprehë rezerva të thella për pjesëmarrjen në Samitin e Parisit. Sebepi i hapur është prania e Izraelit, me të cilin Algjeria nuk mban asnjë marrëdhënie. Ai i fshehur ngjan me atë të Libisë fqinje. Ndërkohë, prania e Mauritanisë dhe e Marokut krahas Algjerisë ngjall konfliktin e vjetër të Saharasë perëndimore. . Turqia gjithashtu, rezervon përgjigjen për takimin themelues. Ajo nuk është e bindur as për vendin që i takon në një bashkim të tillë as edhe për rolin që duhet të luajë. Ndërkohë, është e vështirë të pranohet një projekt i tillë kur vjen nga ana e një Presidenti si Sarkozia. .
. Libani nuk di si të sillet ndërkohë që mësoi se në tribunën e nderit do të gjendet siriani Bashir Al Assad. Bile jo vetëm Libani por edhe të gjithë të pranishmit evropianë që nuk dëshirojnë të kenë asnjë marrëdhënie me rregjimin sirian. Prania e Izraelit dhe e Palestinës që ende s’ka krijuar dot shtetin e saj, gjithashtu krijon një problem për të pranishmit arabë, të cilët kërkojnë « sqarime » dhe « kjartësim të situatës » përpara se të shprehen për pjesëmarrje. .
. Fundja, përse duhet të habitemi nga shprehje të tilla pakënaqësie ndaj një projekti fort të mjergullt që paraqitet krejtësisht i paaftë për të konturuar kufijtë « gjeografikë » të këtij Bashkimi, ndërkohë që karakterizohet nga varfëria e tejskajshme e përmasave politike ? A ja vlen barra të mblidhen 44 kryetarë shtetesh në Paris për të diskutuar energji diellore apo bashkëpunim universitar, autostrada mesdhetare apo kuota peshkimi ? .
. Utopia e projekteve si ai i Bashkimit për Mesdheun kujton thënien e filozofir Rikër (Paul Ricoeur), i cili shprehet diku :
.
. « Utopia bazohet mbi përçmimin ndaj logjikës së aksionit [..] si dhe paaftësinë themelore për të përcaktuar hapin e parë që duhet bërë drejt realizimit të saj duke u nisur nga realiteti egzistues [..]. Logjika e metodës « ose asgjë ose gjithçka » zëvëndëson logjikën e aksionit ».
.
.
. * * *
.
.
. Pavarësisht motiveve ëndërruese ose përmasave utopike, jam i bindur se prania e Shqipërisë në këtë Bashkim dhe veçanërisht, prania e z. Berisha në Samitin e Parisit, përbën jo vetëm një nevojë por edhe një domosdoshmëri. Jo thjesht pasi Shqipëria është një vend mesdhetar si të tjerët, megjithëse ky element esencial arriti dhe u bë i dukshëm vetëm para pak kohe, kur më në fund Shqipëria ju bashkëngjit Protokollit të Barcelonës, tashmë të cofur. E thënë më saktë, kur e pranuan në një projekt të tillë. .
. Kur mendon se në horizontin 2020, axhenda e Bashkimit për Mesdheun përmban iniciativa të tilla vitale si shfrytëzimi i energjisë diellore, ndërtimi i autostradave mesdhetare që sipas shprehjes së Presidentit Sarkozi « mund të lidhin mes tyre porte të mëdha si Port Saidi, Pireu, Tunisi, Algjeri, Tangeri, Barcelona dhe Marsejë », ose hapja e një agjencie mikrofinance për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, menjëherë të shkon në mendje se e kundërta do të ishte një fatkeqësi e vërtetë për vendin, një katastrofë ekonomike me përmasa të papara. .
. Mbetem pra plotësisht i një mendjeje me studiuesen Ilda Mara kur thotë se «.. Shqipëria me pozitën e saj gjeografike dhe me ambicien e saj evropiane duhet të sigurojë me çdo kusht një vend çelës në këtë ndërmarrje të re të udhëhequr nga Franca [..] pasi, Bashkimi për Mesdheun ështe një urë e re për të mbërritur më shpejt në Bruksel.. ». Vetëm se dyshoj fort se vlera të tilla si kultura e saj, apo trashëgimia shekullore mesdhetare mund të jenë në lartësinë e ambicieve të saj evropiane apo të përbëjnë parametra të mjaftueshëm për të siguruar çelësin e artë mesdhetar. .
. Fundja fundit, edhe sikur t’i besojnë vetëm kyçet e kashtës, edhe në mos qoftë një urë drejt Brukselit për Shqipërinë, të paktën do të jetë një urë e re drejt Francës për Berishën. Një rast i papërsëritshëm për heroin e Kryengritjes popullore të 1997 për të integruar klubin selekt të burrave të shtetit evropiano-mesdhetarë, të mbledhur në meshën solemne pariziane. Pikërisht ata që hezitonin t’i shtrëngonin dorën burrërisht pas kthimit të bujshëm në pushtet, në 2005. Sidoqoftë, është një shans i madh të pozosh mes grupit aq piktoresk të demokratëve dhe autokratëve nga Evropa dhe Mesdheu, të puthadorëve dhe të diktatorëve të nxirë nga dielli aq bujar i këtyre viseve. Sa për atë kockën aq të dashur të Kadafit, jam i mendimit se duhet të tregohemi sa të matur aq edhe relativistë. Pasi, ajo çka mund të duket e pamjaftueshme dhe e pangrënshme për kolonelin, mund të jetë e bollshme dhe e shijshme për ushtarin e thjeshtë. Aq më tepër që i pari, mund të gabohet lehtë nëpërmjet syzeve të tij të zeza, veçanërisht kur shqetësimi i tij i përditshëm është numërimi i milionave të fuçive të naftës dhe i miliardave të dollarëve. .
.
. Nuk mjafton të bësh pjesë në një pellg që bashkimi të krijojë një masë të qëndrueshme, gjenerator stabiliteti dhe begatie. Shembulli më flagrant janë karavidhet, që kur vihen së bashku në një shportë japin një shportë karavidhesh.

La suite.. - Vazhdimi...

mardi 24 juin 2008

Lumi i marrë, njerëz të mençur.

. Përgjatë pesë ditësh, ujrat e Danubit vërshuan me vrull në shtratin e Garonës. Shëtitësit e shumtë tuluzanë u lumturuan, megjithëse nuk bëhej fjalë për ato ujrat e bukura blu të Vjenës por për ujrat e turbullta të Danubit të poshtëm ballkanik. Një vazhdimësi vorbullash muzike, një varg çfaqjesh të virtuozitetit ballkanas, një marramendje tingujsh, zërash dhe pamjesh… Një varavingo e pandërprerë turme deri në orët e vona, një buçitje ritmesh të djallëzuara, një mozaik refleksesh mbi lumë, një dehje festive kolektive… e ndezur nga ballkanikët që kishin pushtuar bregun e majtë të lumit me instrumentat e tyre, jo të luftës por të muzikës. .
. Me atë zgjuarsinë e tyre të natyrshme – dhe për të larguar syrin e keq nga një projekt i tillë, tuluzanët menduan t’i japin lumit epitetin « i marrë ». Më tej, për të fshehur gjurmët e herezisë, zgjodhën t’ja thonë në gjuhën e fqinjëve spanjollë. « Rio Loco » - Lumë i marrë - i vrullshëm, i papërmbajtshëm, turbullues, eksitues dhe ndjellës.
.
. Projekt i marrë, ndoshta dhe i çmendur, por një marrëzi që i reziston kohës. Pasi vitin që shkoi ishin ujrat e Ebros që rridhnin në qendër të qytetit ndërkohë që Spanjollët ndiznin atmosferën me ritmet iberike ; një vit më parë ishte Senegali me Afrikanët e tij të gëzuar ; një tjetër vit ishte rradha e Amazonës së pafund që vërshonte brigjeve – dhe në kurriz të saj Brazilianët e papërmbajshëm ; një tjetër-tjetër vit ishte rradha e Papaloapanit me Meksikanët festivë; më parë ende ishte Cauto me Kubanët, Misisipi me Amerikanët, Vollga me Rusët, Gangu me Indianët…
.
. Kësaj rradhe ishte Danubi dhe Ballkanikët e marrë. Kaotikë, të dhunshëm, të përgjakshëm por edhe patetikë, emocionues, muzikantë në embrion, të çartur deri në varr. Të vendosur të luajnë dhe të këndojnë deri sa « edhe peshqit të kërcejnë në breg » - siç thonë Bullgarët. .
.
. Vitin e shkuar, Spanjollët e Ebros, të Guadalquivirit dhe të Douros mblodhën 167.000 spektatorë. Sivjet, vetëm gjatë koncertit kryesor të ditës së parë, Serbo-boshnjakët e Kusturicës thirrën mbi 25.000 spektatorë. 3 skena mbi lumë dhe dhjetra të tjera në mjediset e qytetit, 18 koncerte gjatë « zemrës së festës » – xhaz, rok, muzikë cigane, elektronike, tradicionale – mes 50 koncerteve të programuara, 100 manifestime kulturore… 300 artistë të ftuar : Emir Kusturica & the No Smoking Orchestra, Shantel & Bucovina Club Orkestar, Fatima Spar & the Freedom Fries, Florin Niculesku & Bireli Lagrene (Gipsy Project), Taraf de Hajduks, Mahala Raï Banda, Martin Lubenov & Jazzta Prasta Quartet, Besh o Drom, Boban i Marko & Markovic Orkestar, Kal, Toni Kitanovski Quartet, Ivo Papasov & Weding Band, Balkan Beat Box, Goran Bregovic & Orkestre des Mariages et des Enterrements, Liliana Butler & Mostar Sevdah Reunion… nga Budapesti në Stamboll, nga Sarajeva në Sofje, nga Beogradi në Athinë, nga Bukureshti në Shkup.. Ballkani i tërë kish lënë takim në Tuluzë. Thuaj i tëri, pasi mungonin Shqiptarët.
.
. * * *
.
.
. Paksa i bezdisur dhe belbëzues, komisioni organizues nuk diti të japë një përgjigje racionale. Ndoshta pasi publiku francez – dhe ai evropian - ende nuk vibron nga koncertet e artistëve nga vendi, pasi disqet e tyre ende nuk kanë gjetur rrugën e tregut dhe të amatorëve, sigurisht pasi revistat dhe gazetat e specializuara ende nuk ju kanë kushtuar kolona të tëra talentit të tyre. I vetmi element kulturor shqiptar që kish tërhequr vëmendjen e organizatorëve e festës ishte filmi « Parrullat », i cili do të çfaqej në kinemanë e mesnatës, pas një ditë të lodhshme dhe të zhurmshme. Sigurisht, pasi ky film kish bërë ndërkohë xhiron e Francës. Në se marrëzia ballkanike do të vinte me dallgë dhe do të dehte trurin nëpërmjet timpanit të veshit, ajo shqiptare ishte një valëz që mundohej të prekte shpirtin nëpërmjet syve. Fundja, më mirë një se asnjë ! .
. Një s’është keq, dy ca më mirë ! Nëse hiçi material prodhon vetëm hiç, boshllëku artistik arrin të prekë telat e ndjeshëm të nacionalizmit kulturor dhe prodhon ide. Pse jo, vendin vakant të Shqiptarëve të Shqipërisë (dhe atyre të Kosovës) t’a mbushin shqiptarët e Tuluzës. Përderisa artistët grafistë nga Bullgaria apo nga Rumania do të pjesëmerrnin në festë me krijimet dhe instalimet e tyre vizive, edhe grupi i plasticienëve shqiptaro-francezë lokalë mund të sillte ato të tyret – bile, ai propozonte të realizonte një freskë me motive shqiptare aty, në vend, gjatë koncerteve. Një vepër më shumë se kolektive – masive dhe evolutive, pasi ajo do të realizohej nga vetë spektatorët, dita ditës, në mes të produkteve të tjera kulturore nga vendi – libra, revista, foto, objekte të artizanatit. Pjesëmarrja ngjall interes, interesi krijon debat dhe ky i fundit sjell përgjigje pyetjeve ndaj të Panjohurve të përjetshëm – bile edhe atyre pyetjeve që lindin nga çfaqja e filmit. Për çudi, një ide e tillë e çmëndur u pranua nga organizatorët dhe u integrua në program. Kush më mirë se i marri mund të kuptojë të çmendurin ? .
. Një iniciativë e tillë kërkon mjete, larmi sjelljesh… dhe dikush u kujtua : po sikur të kërkojmë ndihmën e Ambasadës së Shqipërisë në Paris për të siguruar plaketa informative mbi vendin, fletë palosje mbi turizmin, foto apo afishe ? Pra, një gjurmë vizive të aktivitetit, një përzgjatje kohore të bisedës së çastit, një kujtim të takimit me vendin… .
. Një telefonatë që duhet përsëritur disa herë rradhazi, një tog përgjigjesh standard nga rregjistruesi i Ambasadës që të informon ëmbël se ndërkohë je brenda orarit të tyre të punës dhe ja, këmbëngulja shpërblehet më në fund me zërin e një vajze, tashmë plot jetë në frëngjisht, pastaj në shqip. Iku ajo kohë kur nga ana tjetër e fillit lehte vrazhdë kafazi i Ambasadës !
. Tashmë të dëgjojnë me durim, të përgjigjen me buzëqeshje – dhe të tregojnë internetin : « Dërgojini një e-mail. Domosdo, ajo do t’ju përgjigjet. Sapo të kthehet ». Pasi sekretarja kulturore e Ambasadës ndjek ndërkohë një stazh. Sa për Ambasadorin as që bëhet më fjalë. Dikur, përgjigja ishte qenërishte por ama, sigurimsi kafaz të kalonte shefin. Tashmë të tregojnë internetin. .
. Kontakti me internet rezervonte një surprizë të këndshme : Ambasadori i ri i Shqipërisë në Paris quhet Ylljet Aliçkaj. Babai i filmit « Parrullat » që do të çfaqet në festival. Një motiv më tepër për të kërkuar një ndihmë. Surpriza e dytë ishte se Ambasadori nuk ka adresë e-mail, pra duhet komunikuar me sekretaren kulturore, nëpërmjet një teksti që përmban prezantimin e Shoqatës së Tuluzës, informacionin bazë për festën si edhe ftesën për Ambasadorin. Me guximin e të marrit e ftonim Shkëlqesinë e tij të pjesëmarrë në këtë aktivitet si krijues-shkrimtar dhe si përfaqsues i Shtetit – me lutjen e kthimit të një përgjigjeje « po » ose « jo ». Me qëllim që të lajmërohet me kohë komisioni organizator dhe Kryetari i Bashkisë së Tuluzës. Një muaj përpara se të fillonte festa. .
. Dy javë më pas, asnjë përgjigje. Një ditë përpara fillimit të aktivitetit, i rashë telefonit të Sekretares kulturore. Kësaj rradhe pata me të vërtetë fat. Pasi dialogu ja vlente barrën :
.
. - (pas prezantimit të rastit) ju kam nisur një e-mail, lidhur me një aktivitet që fillon në fakt nesër..
.
. - më thoni edhe një herë për çka është fjala? (edhe një shpjegim tjetër i « Rio Loco-s »)
.
. - Më thotë diçka, por unë kam qenë gjetkë dhe vetëm disa ditë kam që jam kthyer.. ( a keni parë dikë që të hapë kutinë e mesazheve personale kur gjendet gjetkë dhe jo në zyrë ? Ja pra, në Ambasadë presin të kthehen në punë për t’a hapur). Më rimerrni në telefon pas dhjetë minutash.
.
. - (pas dhjetë minutash) është gjithmonë i njejti person nga Tuluza, për atë aktivitetin..
.
. - po, tashmë jam në dijeni të plotë (natyrisht, dhjetë minuta mjaftojnë për të lexuar pesë rreshta). Çfarë kërkoni prej nesh ?
.
. - të na ndihmoni.
.
. - Mjerisht, Ambasada nuk disponon asnjë fond.
.
. - Kush ju foli për fonde ? Në se kërkojmë ndonjë gjë, bëhet fjalë për fletë palosje, për plaketa informacioni..
.
. - Mjerisht, ne nuk kemi asgjë të tillë. Por do t’ju jap adresën e një faqeje internet (gjithmonë interneti !) ku mund të telengarkoni materiale të tilla. Janë të mrekullueshme.
.
. - (as që dyshoja për këtë mrekulli të telengarkueshme por mjerisht nuk kisha as kohë për t’a parë jo më për t’i ngarkuar – dhe shumëfishuar në dhjetra kopje). Sidoqoftë, si shpjegohet që të tjera shoqata si ato kroate, bullgare.. – dhe kur them shoqata, shoh pas tyre Ambasadat përkatëse, paraqiten me paketa të tëra materialesh « propagandistike » ?
.
. - Çështje fondesh. Ne nuk kemi. Dëgjoni përse nuk lidheni direkt me Ministrinë e Kulturës, bile me vetë Ministrin. Pasi ata kanë me tonelata materialesh të tilla.
.
. - Çka duhen tonelatat në Shqipëri kur në Francë ju nuk keni as edhe një gram? Kaq e vështirë është të furnizoheni me ato tonelatat e Kulturës? Pse jo, ndoshta duhet të marr në telefon Presidentin e Republikës z. Topi dhe t’i kërkoj disa kilogram? Si mendoni ?
.
. - Pse jo. Mund t’a merrni edhe atë. Sa për Ambasadorin, t’ju them të drejtën ai s’mund të vijë dot.
.
. - Kur e mësoi Ambasadori përmbajtjen e mesazhit tonë ? Sot ?
.
. - Po, sapo e bisedova me të dhe e ka të pamundur të vijë.
.
. - Natyrisht, në se e ka mësuar sot. Ndërkohë ne e kemi nisur mesazhin që prej një muaji.
.
. - Po, por unë isha në stazh. Vetëm pak ditë kam që jam kthyer. Pastaj, po ju them se ky aktiviteti juaj qëlloi pak keq pasi Ambasada është e mobilizuar për të pritur delegacione nga vendi të nivelit të lartë. .
. Ja pra edhe surpriza e fundit. Ambasada organizonte pritjen e personaliteteve të larta nga vendi në Paris. Me pak imagjinatë, mund të bëhej lidhja me takimin e organizuar nga Presidenti francez lidhur me inaugurimin e Bashkimit për Mesdheun. Në se ështe kështu, priten të vijnë Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha – që do të ngjiten në tribunën presidenciale të festës kombëtare të 14 korrikut. .
. Çka më normale në këto kushte se sa mospërfillja e të marrëve nga Tuluza ? Pasi në Paris, të mençurit prisnin të urtët mes të urtëve të Shqipërisë për t’jua prezantuar të fuqishmëve të Francës. Për një çast mu fanit vargu i familjarëve seriozë që çojnë nusen e mbuluar tek dhëndurët e kollarisur – ndërkohë që diku tutje, turma e marrë dhe gazmore feston dhe hedh valle, duke pritur të bukurën. T’i lemë të mençurit mes tyre…
.
. * * *
.
.
. Ndërkohë, disa qindra kilometra më tej, të marrët festonin. Pa Ambasadë dhe pa Ambasador por ama, me nuse. Si dhe me dasmorë : një djalosh shqiptar i Gostivarit që kish lindur në Los Anxheles dhe që gjeti të tijët në dasmë ; një grup të rinjsh nga Perigori që kishin kaluar një vit në Korçë, në një projekt evropian ; një familje arbëreshe nga Kalabria që kërkonte rrënjët e saj të lashta – si edhe një fjalor të shqipes ; një tuluzane që strehonte një refugjate kosovare të përhumbur, e cila mendonte se ishte e vetmja shqiptare në Tuluzë ; një çift bullgarësh me origjinë të largët shqiptare ; boshnjakë që kërkonin sivëllezërit e tyre myslimanë ; një student në histori që nuk dinte ku gjendej Shqipëria… si edhe me dhjetra prindër dhe fëmijë, të rinj dhe të reja që kërkonin penela dhe bojra për të shtuar diçka mbi freskun shqiptar. .
. Një drithërimë e pafund ku edhe francezët harruan se ishin francezë, ku argjentinasit i shitën empanadat e tyre për ballkanike, ku edhe haletë rreatonin ngjyrat e ndezura si ato pallatet e Edi Ramës, ku edhe shqiponja me dy krena mbi freskë – sipas shprehjes të një vizitori – ngjante me një pëllumb paqeje.

La suite.. - Vazhdimi...

vendredi 20 juin 2008

« Ishulli » i Blushit, ishullarët dhe vështrimi i të verbërit.

. Për një varg arsyesh nuk kam mundur të lexoj romanin e Ben Blushit « Të jetosh në ishull ». .
. « Sepse na mungojnë këmbanat » – i përgjigjej kryebashkiaku i trembur prusian i anekdotës Perandorit Napoleon të zemëruar që e kërkonte të dinte përse nuk po binin ato të uruara. Mua më mungon libri. .
. Duke mos e patur këtë të « uruar këmbanë » dhe duke mos qenë as Napoleon me Blushin përpara, vendosa të « lexoj » librin nëpërmjet komenteve që janë shkruar mbi të. Zoti vetë është dëshmitar se sa të tilla janë shkruar ! Me fjalë të tjera, e vura vehten në rolin e një të verbëri që ju kërkon të afërmve t’ja lexojnë. Por, meqë bëhet fjalë për një libër me mbi 400 faqe (po qe se ju besojmë komenteve), sejcili prej lexuesve të sjellshëm lodhet ende pa e filluar dhe preferon të tregojë përmbledhjen, pikpamjen e tij mbi librin. I bie barra të verbërit të shkojë tek vepra me anë të mendjes, nëpërmjet syrit të të tjerëve.
. Dhe për të qenë sa më afër të vërtetës i kërkova ndihmë disa lexuesve sa të kujdesshëm aq dhe të rreptë – Fatos Lubonja, Olsi Jazexhi, Nexhmedin Spahiu dhe Arbër Xhaferri. Me shpresën e dukshme se, me të vërtetë, ata e kanë lexuar librin dhe me shpresën e fshehur se ata janë seriozë në ato çka thonë mbi të.
.
. * * *
.
.
. 1. Më asnjanësi i komentuesve – Shtëpia e Librit – përkulet përpara talentit të shkrimtarit-politikan, i cili braktisi përpjekjen civilizuese të popullit për të ndriçuar mendjen e lexuesve ; një rast unik përgjatë këtyre viteve të tranzicionit ndërkohë që shumë të tjerë braktisën penat për t’ju përkushtuar politikës. « Në një rrëfim e stil jo të zakontë në letrat shqipe ». Mësoj se autori qëmton Historinë e Shqipërisë të shekujve XV – XVIII « duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe ». Duke i renditur këto konsiderata në raftin e furçave të dhëmbëve, ajo çka më tërhoqi dëgjimin ishte vijimi : « tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilin vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj. në kampe me pikëpamje të ndryshme ». Befas, interesi u ngjit katër shkallë njëherësh pasi bëhet fjalë për një temë që më intereson posaçërisht. Procesi i gjatë shoqëror i islamizimit ! Hajde pra të shohim se si e ka përtypur Blushi ynë këtë proces kaq misterioz ku plot të tjerë kanë thyer dhëmbët dhe ndoshta më mirë fillimisht, është të dëgjojmë vetë autorin. .
.
. 2. Ata që ishin prezent ditën e prezantimit të librit nga vetë autori – sot ky proces quhet promovim, një fjalë fort e bukur dhe e re e gjuhës shqipe – thonë se ai e filloi fjalën me një falenderim: « ... dua të falenderoj... Edi Ramën! Ne nje moment te caktuar, qe jane shume ne jeten tone politike, pa dashje, pa dyshim, ai me dekurajoi te merresha me politike dhe kjo eshte arsyeja qe une lash politiken dhe u ula 6 muaj te shkruaja romanin ». Mbresëlënëse dhe fort prekëse ! jo aq përmendja e Edi Ramës se sa fakti që atij ju deshën 6 muaj për të shkruar këtë vepër voluminoze, ku « çdo rresht ka mendim ». Vetëm 6 muaj për të ndërtuar një vepër që zhytet 500 vjet pas në histori. Gjashtë muaj të lumë, nga të cilët 100 ditë shkrim intensiv dhe pjesa tjetër dokumentim, hulumtim – pra fifti-fifti, e gjitha në kohën e krizës energjetike ! Po kriza energjetike ç’hyn këtu ? Për të nënvizuar vështirësinë e leximit me qiri apo e shkrimit me llampë vajguri ? Apo për të thënë se në kushte të tjera normale do të duheshin vetëm dy muaj – një muaj hulumtim, një muaj shkrim ? .
. Për një moment, mbylla veshët me duar dhe rashë në mendime të zeza, dekurajuese : më ishin dashur dhjetë vjet për të shkruar « Përjetësisht të Panjohur » me 600 faqe – 7 vjet lexim dhe 3 vjet shkrim në frëngjisht dhe përkthim në shqip, pra vetëm 60 faqe në vit. Bile duke patur dritë dhe ujë, ngrohje dhe përkujdesje, internet dhe kompjuter, ndërkohë që Blushi nxinte ato 400 faqet e tij për 3 muaj, në errësirën berishjane.
. Duke patur parasysh që të shkruarit nuk është krejt njëlloj me pjekjen e simiteve – bile edhe këto të bekuarat kërkojnë kohën e tyre në mënyrë që brumi të vijë – i bie pak a shumë që një e treta e kohës të shkojë për të ngjizur « brumin » letrar, një e treta për të prodhuar mendimet-simite në letër dhe ajo çka mbetet, nevojitet për pjekjen : lexim, rilexim, korrigjim, pra, për t’i dhënë dorën e fundit. Me një fjalë, një mesatare prej 10-15 faqe në ditë. Edhe sikur të arrijë të flerë, të çlodhet dhe te regjenerojë neuronet gjatë gjysmës së ditës, duke llogaritur këtu edhe të ngrënët, të dhjerët të pirët - dhe Shvejku do të shtonte : edhe të tjera bëma që rimojnë me të parat – dhe të ulë bythën në karrike pa lëvizur për dymbëdhjetë orë të tjera, i bie mesatarisht 1 faqe në orë ! përgjatë 100 ditësh rresht ! Një mesatare e ndershme për një kampjon të vërtetë të mendjes dhe të penës – dhe të marketingut pasi arriti të shesë 1400 kopje të librit të tij për një javë ! Sikur të kisha edhe unë atë fat, këtë të marketingut ! Ishte zëri i Toçit, botuesit të Blushit që më zgjoi nga këto ëndrra, ndërkohë që thoshte : « .. filli kryesor i tij perpiqet qe te shtellize disa nyje mbi procesin e gjate dhe teper te ngaterruar te islamizimit te shqiptareve pas pushtimit nga perandoria otomane. I paqte a i dhunshem ishte ky proces, Blushi e thote te verteten e tij ne faqet e romanit voluminoz ». Që Blushi thotë të vërtetën e tij në faqet e romani të vet, kjo gjë s’kish asnjë dyshim, e vetmja e panjohur mbetej në se kjo e vërtetë përputhet me atë tjetrën, të vertetën « objektive ». Ja vlente më mirë pra, të braktisja Blushin dhe të dëgjoja në këtë pikë rrëfimin e çmitizuesit Fatos Lubonja.
.
.
. 3. Ndonëse nuk kam patur fatin të njoh Blushin e ri, ngushëllohem me faktin se « njoh » Fatos Lubonjën. Çmoj vështrimin e tij kritik dhe vlerësoj seriozitetin e analizës, shtjellimin e argumentave, saktësinë e përfundimit. Dhe Lubonja më mëson se veprës i mungon koherenca dhe nga ky shkak, « ngjarja humbet besueshmërinë që është një nga elementë kryesorë të artit të të rrëfyerit ». Më tutje Lubonja e ngul gozhdën edhe më thellë, pasi « historia (sipas Blushit) është interpretuar sipas disa klisheve ideologjike të njohura nacional romantike shqiptare të rimarra në kontekstin e zhvillimeve nacionaliste tona të periudhës pas komuniste ». E thënë nga goja e Lubonjës, ky përfundim merr formën e një note negative. Bile edhe të një verdikti, kur ai fillon dhe shtjellon « qasjen esencialiste (blushiane – plotësimi është i imi) ndaj identitetit kombëtar shqiptar ». Arritur në këtë stad mund të « braktis » qetësisht Lubonjën dhe t’i kthehem për konsultim disa komenteve dhe teksteve të miat, lidhur me identitetin shumëformësh shqiptar – për të rikqyrur raportet mes shqiptarisë dhe fesë, mes procesit të ndërlikuar të krijimit të identitetit kombëtar gjatë shekullit të XIX – që jo vetëm nuk shoh të piqen gjëkund me përfytyrimin artistiko-historik të Blushit (ashtu si ma përshkruan Lubonja), por që hera herës nuk përputhen forcërisht as edhe me ato të vetë Lubonjës. .
. Për fat është vetë Blushi që më vjen në ndihmë, kur thotë : « Unë vendos historinë në funksion të imagjinatës sime dhe kjo është një histori e rikrijuar dhe e stilizuar ». Pa e patur përpara për t’i drejtuar pyetjen, nuk mund të them se si i kupton Blushi raportet mes historisë së vendit të vet dhe imagjinatës së tij. Por sidoqoftë, do s’do Blushi, edhe kur pretendon se e rikrijon ose e stilizon, nga momenti që i përvishet punës të shkruajë një « roman historik » të mesjetës së vonë dhe të fillimit të kohës moderne, pra të shekujve XV-XVIII, atij i duhet të hulumtojë në mjegullnajën e shkrimeve dhe të dokumentave. Këtë gjë ai e thotë vetë - dhe çdo lexues është në gjendje të vlerësojë përpjekjen titaneske. Vetë shifra 3 (muaj) dëshmon për seriozitetin e ndërmarrjes dhe thellësinë e reflektimit..
. Por hulumtim do të thotë jo vetëm shfletim ose lexim por edhe përzgjedhje. Me fjalë të tjera, ai rrethohet me ato vepra që i konsideron si të « të vërteta » dhe flak tutje ato të tjerat që atij i duken si të sajuara, për të mos thënë tendencioze dhe të gënjeshtërta. .
. Pasi hulumton epokën – pra pasi përzgjedh dhe flak tej, pasi fikson kornizën historike, autori fillon dhe pikturon tabllonë, skicon personazhet mbi këtë tabllo dhe i çvendos ata në kohë, si ato bimët që shkojnë drejt dritës. Të paktën kështu bëjnë të tjerë autorë… dhe kur dëgjoj se ai tregon sagën e Aranit Komnenit dhe të familjes së tij, mendoj se kjo zgjedhje nuk është as e pafajshme as edhe krejt e rastit. Sikundër dhe portretet e skicuara apo shprehjet që ai ve në gojën e tij apo të bashkëkohësve të tij – që jo vetëm kanë dalë nga koka e Blushit por edhe i përgjigjen nivelit intelektual, imagjinatës artistike dhe botëkuptimit historik-shoqëror të vetë autorit.. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, pasi është shkrimtari Blushi i sotëm që rrëfen Komnenët e asaj kohe dhe jo Komnenët e lashtë që i rrëfejnë jetën e tyre kronikanit Blushi.
. I vetmi rrezik që duhet përballur është shkalla e ngjashmërisë mes të vërtetës të Voskopojës voskopojare të shekullit të XVII-XVIII dhe përfytyrimit voskopojar nga Tirana e shekullit të XXI – si edhe tallanditë reale ose të sajuara, por sidoqoftë mbijetuese, të « ishullit ortodoks të qytetëruar vllaho-shqiptaro-çifut » mes detit valëshumë, fanatik dhe përpirës mysliman. Në këtë moment kaq pasionant të tregimit më duhet të ndahem – me keqardhje - nga Fatos Lubonja pasi më ndjell zëri bubullitës i Olsi Jazexhiut, « Fortis athtleta et verus propugnator fidei musulmanæ ».
.
.
. 4. Nuk mund të them se e njoh Olsi Jazexhiun, megjithëse dikur, për të më përshëndetur lidhur me një shkrim timin lidhur me islamizimin e Shqiptarëve, më ka dërguar një mesazh të përzemërt. Mesazhi kthyes mbeti pa përgjigje.. Ndoshta, për shkak të shprehjes time se historiani dhe militanti zakonisht nuk përbënin një çift të përsosur. Por nejse ! Kësaj rradhe, kisha nevojë për zërin e tij si udhërrëfyes, për të depërtuar në labirintin e mendimit Blushian. .
. Që në fjalët e tij të para mësova se, i joshur nga komentet e mira te lexuesve, Jazexhiu kish kërkuar t’i nisnin librin me ugjencë deri në Italinë ku ndodhej për të ndjekur fillin e mendimit të një autori racist dhe ksenofob. Një e tillë parti pris nga ana e lexuesit-historian i qytetërimeve myslimane nuk ndillte asgjë të mirë për një « të verbër » si puna e ime. Një listë e tërë citimesh nga teksti i Blushit që fyejnë ndjenjat myslimane si dhe dhe një katalog i tërë kundërsharjesh nga pena e Jazexhiut që fyejnë dhe poshtërojnë vllaho-grekët dhe shqiptarët ortodoksë. Bir Selman i nënes ç’të të qaj më parë – thosh dikur populli i viseve të Blushit dhe të Jazexhiut që rastësia i ka vënë karshi-karshi. Duke i lënë mënjanë këto detaje të militantit Jazexhiu, u mundova të ndjek fillin e historianit Jazexhi, deri sa ndesha me shprehjen « arsyeja pse personi do të bëhet musliman… (është) triumfi teologjik të Islamit ndaj Krishtërimit » dhe jo ajo « teoria e vjetër greko – sërbe kundër shqiptarëve e dhunës turke, taksave turke.. ».
. Aferim Olsi ! Sidoqoftë, dhelpra të rrezikshme mbeten këta greko-serbët që përpunojnë teorira të tilla kasten për shqiptarët ndërkohë që ata vetë, megjithë dhunën turke dhe taksat turke – pasi m’a merr mendja që kanë rënë edhe mbi ata – realizuan të kundërtën : triumfin teologjik të Krishtërimit ndaj Islamit. .
. Nuk e di mirë cilës kategori i përkas – shqiptar mysliman, ateist dhe patriot të Jazexhiut apo shqiptar ortodokso-vllaho-grek, besimtar të Blushit – por një gjë qënka e sigurt : të gjithë duhet të lexojnë librin. Të parët për të kuptuar kërcënimin fondamentalist greko-ortodoks dhe të dytët për të kuptuar kërcënimin fondamentalist turko-mysliman. Në se është kështu, si thjesht shqiptar që flet shqip nuk jam pishman që s’paskam dëgjuar zërin e Blushit, ama mallkova vehten që dëgjova atë të Jazexhiut. Pasi më dha dhimbje koke ! Dhe në vend të aspirinës, vura shiritin me zërin e Nexhmedin Spahiut. Me plot shpresë se gjykimi i tij do të më zbulonte të tjera horizonte. Aq më tepër kur vetë Spahiu përmend se i kish dhënë mend deri edhe Ismail Kadaresë lidhur me mbylljen e të spikaturit « Prill i thyer ».
.
.
. 5. Arsyetimi i Nexhmedin Spahiut mbështetet mbi një këmbë të vetme, e cila përmblidhet me një shprehje, bile me një fjalë – trend. Francezët do t’a kishin përkthyer effet de mode. Shqiptarët, ata që nuk zotërojnë as metodën koncize angleze as edhe elegancën franceze të të shprehurit, do t’a kishin quajtur – të qenit në rrymë, në temën e ditës. Dhe tashmë dihet (të paktën nga ana e Spahiut) që tema e ditës në vend është – shfrimi ndaj myslimanëve. Pra me fjalë të tjera, nuk duhet parë Blushi si një qënie e skëterrshme që shfryn zjarr nga hunda dhe mban erë squfur, por thjesht si një shkrimtar snob që ndjek rrymën e përgjithshme. Përse ? për të fituar famë ose për të fituar para. Sikur i mungonte fama dhe paratë ! Por duke ndjerë se kjo këmbë, si e vetme që është, mbetet e pasigurt, Spahiu i shton arsyetimit të tij edhe një patericë – sillogjizmin. Dhe meqënëse ky i fundit ka tre këmbë, tashmë me katër jemi të sigurt që godina e arsyetimit nuk do të bjerë. . Në se arsyetimi fillestar i Spahiut ka pamje kandide, në të kundër sillogjizmi i tij është fort i thellë. Le të gjykoj si i verbër që jam, mbi ato çka dëgjoj nga goja e tij : .
.
. Termi i parë : asnjëherë, një popull i zhvilluar nuk mund të sundohet nga një popull më pak i zhvilluar. .
.
. Termi i dytë : Në kohën kur Perandoria Osmane ishte në kulmet e saj ajo ishte shoqëria më e përparuar e kohës dhe « pushtimi Osman, përjashto këtu shkatërrimet që sillte lufta, sillte kulturë e civilizim ». .
.
. Përfundimi : Shqiptarët në përgjithësi (dhe Blushi në veçanti) s’kanë asnjë arsye të qahen nga Perandoria Osmane, e cila jo vetëm nuk është është shkaktare e prapambetjes shqiptare por edhe i nxorri ata në dritë. .
.
. Për fat të keq, nuk i njoh kriteret e Spahiut që e lejojnë të përkufizojë një « popull të zhvilluar » dhe një tjetër « të pazhvilluar », por kam dëgjuar se kur erdhën Osmanllinjtë në Ballkanin e shekullit të XIV-XV në vend të tregonin kartën e tyre të vizitës me fjalën « i zhvilluar » - në turqisht - për të legjitimuar pushtimin, ata zhveshën shpatën. Pra, fitorja e Osmanllinjve mbi Ballkanasit ishte çështje raporti forcash. Dhe historia dëshmon se jo gjithmonë raporti i forcave ka të bëjë me zhvillimin. Për të na bindur, ajo na jep rastin e Gotëve dhe të « barbarëve » gjermanikë që jo vetëm pushtuan Romën në shekullin e V p.e.s. por edhe administruan Perandorinë romake gjatë shekujve në vijim ; ajo na jep gjithashtu shembullin e Mongolëve që pushtuan Kinën dhe instaluan dinastitë e tyre gjatë disa shekujsh. .
. Sa për pohimin tjetër, ndërkohë që pranoj me dëshirë se në kulmet e saj, Perandoria osmane ishte një nga fuqitë më të mëdha të epokës, ende e kam të vështirë të mësohem me idenë se ajo përfaqsonte shoqërinë më të përparuar të kohës. Mbi ç’baza ngrihet ky kategorizëm ? Mbi strukturën autokratike me Sulltanin në krye ? Mbi kastën laiko-ushtarake që administronte jetën civile apo mbi kastën e ulemave që kontrollonte jetën shpirtërore të subjekteve ? Zaten, kujt periudhe historike i përgjigjet kulmi i Perandorisë otomane ? Pasi, në gjatë asaj periudhe që na intereson posaçërisht - shekulli i XVII, kur ndodhi edhe islamizimit masiv të Shqiptarëve, ylli i saj kish filluar të perëndojë. Aq më tepër, ky proces kaq i përfolur s’ka të bëjë me kulmin e madhështisë së Perandorisë « mëmë » por me kushtet e brendshme politiko-ekonomike të viseve shqiptare. Së fundi, edhe sikur t’i referohemi sumumit të kulturës osmane – fesë islamike, duhet të kujtohemi së pari se Muhamedi nuk ishte turk por arab dhe së dyti se islamizmi i përqafua prej Turqve disa shekuj pas vdekjes së Profetit. Pra, sikundër dhe subjektet e tyre të mëvonshme të islamizuar arbër-shqiptarë, edhe Turqit vetë ishin « renegatë ». Veçse këtu natyrisht nuk bëhet fjalë për krishtërimin, por për braktisjen e besimin e tyre të parë - një përzierje e habitshme mes paganizmit të stepave mongole, arianizmit iranian, hinduizmit dhe zoroastianizmit, gjurmët e të cilit mbeten në ndërgjegjen popullore deri sa riçfaqen në formën e skizmave alevite. .
. Sa për përpjekjen civilizuese në « dar-el-harb »-in arbëror, pasi kish përfunduar përpjekja shkatërruese, mbetem fort skeptik pasi nuk më shqitet nga mendja fakti se edhe pas largimit të osmanit të fundit, Shqipëria ishte vendi më pak i zhvilluar i Ballkanit. . Duke ju kthyer së fundi sillogjizmit sokratik, më mbetet të them se edhe Aristoteli, babai i saj grek, hezitonte shpesh përpara se t’a përdorte. Pasi i druhej namit të sofistit. Ndërsa unë vura re se u mora më shumë me sofistin tim të rradhës se sa me vetë Ishullin e Blushit.
.
.
. 6. Mitrovicën e Spahiut një vrap pele e ndan nga Tetova, nga më vjen jehona e zërit të akademikut Xhaferri. Arbër Xhaferri e thotë shkoqur : ato 200 faqet e para të librit të Blushit kishin qenë të mjafta që ai njëherësh të bindej për erudicionin dhe për guximin e autorit për të ndërmarrë « një viviseksion, një introspekcion (një inspektim të brendshëm) të asaj çka ka ndodhur me ne në një periudhë historike ». Fjalë politikani të vjetër, i cili sikundër dhe shumë shqiptarë të tjerë, e ndjen vehten të « kontaminuar me.. paragjykime », nevojtar « për një zbrazje, për një çlirim, për një katarsis ». Ja përse ai e rendit veprën në rradhën e përpjekjeve për lirinë e fjalës, të diversitetit të mendimit, të opinionit ndryshe. Shkurt, një pikë pozitive në favor të Blushit. .
. Përse fundja-fundit, një libër i tillë ngjall të tilla ndjenja pendese një politikani të rregjur si Xhaferri ? Pasi ai vëren që të ngjashmëve të tij ju mungon toleranca veçanërisht në fushën fetare, çka dhe i shtyn të zhurmërojnë kur hasin në vepra të tilla. Ja përse ai i këshillon të kqyrin botën nëpërmjet prizmit të sistemit të vlerave perëndimore. Nëpërmjet një « aparature të tillë » libri i Blushit, nga roman historik, shëndrrohet në eliksir që shëron paragjykimet, bile edhe ato të trashëguara. Po a është në gjendje të korigjojë edhe sensin e vetë historisë, dhe të sjellë përgjigje pyetjes : pêrse Shqiptarët mbetën vetëm përballë dilemës së apostazisë ? Dukshëm jo, po qe se i referohemi pêrgjigjes së vetë Xhaferrit, i cili shpjegon : .. pasi ishin të vetmit katolikë të rajonit, ndërkohë që dihej urrejtja reciproke mes ortodoksëve dhe katolikëve si edhe fakti që, për shkak të bizantinizimit të tyre, Turqit u renditën në pararojë të armiqve të papatit të Romës. .
. Në këtë pikë erudicioni dhe guximi nuk i takon më Blushit por vetë Xhaferrit, pasi ndërkohë ka harruar se myslimanët shqiptarë të konvertuar rishtas ishin po aq të shumtë, në mos më tepër, në jugun ortodoks se sa në veriun katolik. Në emër të kujt urrejtjeje ndodhi apostazia e toskëve jugorë ? A mos ishin vallë të gjithë katolikë në origjinë, arbër-shqiptarët e Maqedonisë, sot myslimanë?
.
. * * *
.
.
. Ngado që ta marrësh, ky dialog i shurdhër nuk i tejkalon dot caqet e horizontit të verbër. Pasi edhe për syrin e largët është e qartë se « Utopia » e Blushit është një ishull i krishterë brenda ishullit mysliman – ishull brenda ishullit. Vetvetiu më vjen ndërmend shprehja e historianit Fernand Braudel, specialistit më të shquar të hapësirës mesdhetare, i cili viset malore ballkanike i kqyrte si « ishuj në tokë të thatë » ku « shoqëria, qytetërimi, ekonomia, pra gjithçka mban vulën e arkaizmit dhe të pamjaftueshmërisë ». .
. Ishuj dhe ishullarë, ishullarë të mendjes – mendimtarë ishullarë. Sejcili mendon se ishulli i tij është kontinent dhe vetë kontinenti s’është gjë tjetër veçse ishulli përballë, ndërkohë që e trajton historinë sikur të ishte jasteku puplor i gjyshes që sa herë shkundet, prodhon një pendë gjithmonë të ndryshme, herë të kuqe herë të zezë, herë të drejtë herë të harkuar….

La suite.. - Vazhdimi...

dimanche 15 juin 2008

E mjera Evropë…

. Gjithçka rrodhi sipas skenarit më të zi, më katastrofik ! Evropa e madhe, e bashkuar, me 27 antarë-shtete, me 495 milionë banorë, fuqia e dytë ekonomike e botës dhe aktori i parë politik i planetit, kapaciteti më i rëndësishëm elitar, intelektual dhe artistik që historia e njerëzimit ka parë ndonjëherë u gjend papandehur në një fundudhe, përballë portës së mbyllur. Dhe kjo portë quhet Irlandë. .
.
. Në të vërtetë, që prej kohësh shumëkush dyshonte se çelësi i artë evropian, Traktati i Lisbonës, mund të shërbente si çelës kopil për të hapur portën e fundit irlandeze. E megjithatë, shumëkush besonte se politikanët vendas do të ishin aq të aftë sa të bindnin zgjedhësit e tyre për të mirat e asaj Evrope që i kish nxjerrë në dritë, për perspektivat e ndritura të asaj bashkësie interesash të përbashkëta që quhet Evropë, për begatinë e tejskajshme materiale që do të çelej përpara tyre… E pra, jo. Kokëfortët gaelikë u bënë gardh mbi të cilin mbetën rreckat e pantallonave të evropianëve të habitur… të më falni, faqet e çjerra të Traktatit të Lisbonës.
.
.
. Nga Treg i Përbashkët në Bashkim Politik : një histori krizash.
.
. Lipset të japim shpjegimet e rastit, për ata që nuk e kanë ndjekur episodin e fundit irlandez. Që prej disa vitesh, ky konstruksion politiko-ekonomik që quhet Evropë e Bashkuar kërkon të farkëtojë një legjitimitet për të sotmen dhe të ardhmen nëpërmjet ndërtimit të instrumentave të tij institucionalë (Parlamenti evropian, Presidenti i Evropës), kuadrit juridik të funksionimit të institucioneve bashkësiore egzistuese (Komisionet evropiane), metoda pune dhe rregulla të votës (pjesëmarrjen e Parlamenteve kombëtare dhe vendosja e shumicës së « kualifikuar »), atribute juridike për qytetarët e tij (modalitetet e votës së qytetarëve) etj… etj. Si mund të imagjinohet ndryshe jashtë këtyre kornizave institucionale dhe kushtetuese një Evropë vlerash dhe të drejtash, një Evropë e lirisë, e solidaritetit dhe e sigurisë për antarët e vet, një aktor i dorës së parë në rrafshin botëror ? .
. Të mos harrojmë se kjo Evropë e sotme egziston vetëm që prej një gjysëm shekulli dhe historia e saj luhatet mes sukseseve dhe dështimeve. Dora dorës, Bashkësia Evropiane e qymyrit dhe e çelikut prej 6 antarësh (Franca, Italia, Republika Federale Gjermane dhe Beneluksi), e krijuar nga Traktati i Parisit i vitit 1951, u shëndrrua në Bashkim Ekonomik evropian nga Konferenca e Mesinës, në qershorit 1955. Ndërkohë, ky Bashkim njohu krizën e parë pasi Franca refuzoi të nënshkruante projektin e Bashkësisë evropiane të mbrojtjes, një nga elementët e Traktatit themelues.Sidoqoftë, Bashkësia egzistuese u ligjërua prej Traktatit të Romës t