"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura".
.
.. Filli kohor jep mundësinë të dallohet përballja e përjetshme me fqinjët grabitqarë, me fuqitë kontinentale dhe me perandoritë planetare ; të ndjehet pesha e pushteteve konkurruese dhe ideologjive dominuese. Kronologjia konfliktuale zbulon ndeshjen e pamëshirshme ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, dyzimin ndërmjet Krishtit dhe Muhametit, përzgjedhjen e vështirë ndërmjet Republikës dhe Monarkisë, përgjakjen ndërmjet komunizmit dhe nacionalizmit, përpëlitjen ndërmjet demokracisë dhe anarkisë, fërgëllimin ndërmjet socializmit dhe biznesit. Rregjistri shpirtëror dëshmon për luhatjen e vazhdueshme ndërmjet anonimatit dhe lavdisë, njëjtësimit dhe tjetërsimit, dashurisë dhe urrejtjes, kokëkrisjes dhe çmëndurisë, dhimbjes dhe shpresës. Alkimia e vendit furnizon së fundi edhe formulën e krijimit të përbërësve njerëzorë të Kombit : ilirë dhe arbër, Gegë dhe Toskë, fise luftarake të veriut dhe bashkësi zanatqare të jugut, bajraktarë kryelartë dhe bejlerë sipërmarrës, irredentistë kosovarë dhe çamë nostalgjikë, elita qytetëse turkofile dhe intelektualë frankofonë ose italofonë.

Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?
Affichage des messages blog dont le libellé est Udhë dhe shtigje. Afficher tous les messages blog
Affichage des messages blog dont le libellé est Udhë dhe shtigje. Afficher tous les messages blog

jeudi 3 avril 2008

Kosovë, mon amour (5) - Nën simbolin e UÇK-së.

Në një hapësirë prej disa muajsh pas çfaqjes së saj në terren, UÇK-ja u shëndrrua në « argëtimin » kryesor dhe të vetëm të popullsisë lokale ndërkohë që përbënte shqetësimin e përhershëm të forcave të sigurimit dhe të policisë serbe. Këto të fundit, vetëm gjatë muajit shtator 1997, pësuan 11 sulme të armatosura kundër stacioneve të tyre gjithandej në territorin e krahinës.
. Qëndrimi i forcave politike shqiptare dhe kosovare ndaj fenomenit UÇK lëkundej ende mes refuzimit të plotë për të njohur të paftuarit në sofrën kosovare (Presidenti i Shqipërisë Rexhep Mejdani, Kryeministri Fatos Nano si edhe përgjegjësit kryesorë politikë të partive shqiptare), venies re të kësaj egzistence dhe pranimit pa komente (personalitete më në zë të skenës politike kosovare - Bujar Bukoshi, Adem Demaçi, Hydajet Hyseni) si dhe dënimit kategorik (Ibrahim Rugova dhe shtabi i tij i LDK). Udhëheqësit e LDK shkuan edhe më tej, duke e cilësuar si një krijesë të policisë serbe si dhe një rrezik për të gjithë popullin kosovar.
.
. C'përfaqsonte kjo UÇK kaq misterioze? Origjina e saj mbetet disi e errët për pjesën më të madhe të vëzhguesve që lidhin krijimin e saj me grupthet marksiste kosovaro-shqiptare të fillimit të viteve 80, në vendet e Evtropës perëndimore. Në këtë periudhë, emigrantë politikë albanofonë të hapësirës jugosllave, të bazuar në Gjermani dhe në Zvicër, krijuan disa grupe marksiste-leniniste : Lëvizja Nacional-çlirimtare e Kosovës dhe e viseve shqiptare në Jugosllavi – LNÇKVSHJ, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës – OMLK, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi - PKMLSHJ si edhe Fronti i Kuq Popullor – FKP. Në shkurt 1982, këto organizata klandestine u shkrinë dhe formuan një organizatë të re : Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi – LRSHJ, nga gjiri i të cilës pothuaj menjëherë doli një Lëvizje Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK. Ndërkohë që distancohej nga qëndrimet jo të dhunshme të predikuara nga Rugova, në vitin 1993, LPRK ndrroi emrin dhe u quajt Lëvizja popullore e Kosovës – LPK. Objektivat politikë të LPK përfshinin bashkimin e të gjithë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë – Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbia lindore – në një shtet të vetëm, pa përjashtuar përdorimin e luftës së armatosur. Përfundimisht, një grusht udhëheqësish të LPK u shkëputën nga stuktura amë për të krijuar në Prishtinë Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e Kosovës – LKÇK. Kundërshtare e idesë së krijimit të Republikës së Kosovës, kjo lëvizje e re predikonte bashkimin e të gjitha territoreve të banuara nga shqiptarët në ish Jugosllavi me Shqipërinë – « Shqipërinë e Madhe »- nëpërmjet luftës së armatosur kundër pushtetit serb.
Ndërkohë, zona e Drenicës kish krijuar grupet e veta guerrilje, bindjet politike të të cilëve ishin pak a shumë republikane, në vazhdën e një tradite që shkonte deri në kohën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Duke vepruar në rrjet sipas një skeme qelizore tradicionale, ata qenë në origjinë të aksioneve të para kundër forcave serbe të krahinës. Paralelisht, « qeveria » Bukoshi që varej nga LDK, kish menduar të krijonte forcat e veta të armatosura. Projekti i fillimit të viteve 90 u rimorr dhe filloi të zbatohej në vitin 1997, pas krizës shqiptare. Kështu panë dritën e diellit Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, të vendosura në Shqipëri dhe të degëzuara në Kosovën fqinje. Një rrymë e tretë e rezistencës u çfaq masivisht në terren në vitin 1997-1998 : kjo UÇK e tretë – krahu i armatosur i LPK – financohej nga Fondacioni « Vendlindja Thërret » u pozicionua si konkurrente e drejpërdrejtë e FARK-ut me qëllim që të rekuperonte rrjetin egzistent. Momenti kulminant i rivalitetit mes këtyre dy rrymave ishte vrasja në Tiranë e Ahmet Krasniqit, « ministrit të Mbrojtjes » të qeverisë Bukoshi (1).
.
. Pa asnjë dyshim, që të gjithë aktorët e terrenit kosovar ishin të shqetësuar dhe të bezdisur nga UÇK-ja dhe duke gjykuar nga reagimet e kësaj periudhe, shqiptarët edhe më tepër se sa vetë serbët. Në të vërtetë, nga momenti që aksionet e armatosura ishin vepër e grupeve ose e individëve të izoluar që vepronin në zona gjeografikisht të kufizuara, loja mbetej gjithmonë e kontrollueshme nga ana e forcave të sigurimit ose të policisë serbe. Në të kundërt, kjo situatë i jepte një argument shtesë Millosheviçit për të sulmuar rrezikun e ekstremizmit shqiptar dhe me këtë rast, të vinte më mirë në fre shoqërinë kosovare. Fundi i statu quo-së, i atij « stabiliteti » politik që mbretëronte në Kosovë që prej vitit 1990 falë monolitizmit të lëvizjes së tij, prishja e ekuilibrit të forcave mes segmenteve të ndryshme të shoqërisë kosovare : ja edhe shqetësimi kryesor i Rugovës, fati dhe « kapitali » politik i të cilit ishin të lidhura në mënyrë të pandashme me ato të armikut të tij intim Millosheviç. Megjithë ato shenjat e qarta të reorganizimeve të brendshme dhe të vrullshme në gjirin e shoqërisë kosovare, të çfaqura përpara daljes në skenë të UÇK-së, Rugova nuk hezitoi as edhe një grimë për t’a cilësuar këtë të fundit si « terroriste » ose më tej « komuniste », duke shprehur në këtë mënyrë garancinë e vullnetit të tij të mirë ndaj Beogradit si edhe përbuzjen e tij të thellë ndaj frymëzimit ideologjik të kundërshtarëve të tij. Nga ana e Shqipërisë fqinje, reaksionet e dy forcave kryesore politike PD dhe PS s’bënin gjë tjetër veçse shprehnin kontradiktat mes tyre sikundër dhe gjendjen e tyre të brendshme. Në rolin e një partizani të Kosovës së pavarur, Berisha duhej të përgëzohej për çfaqjen e UÇK. Megjithatë, ai i druhej referencave tepër të dukshme marksiste-leniniste dhe « hoxhaiste » të frymëzuesve të saj në mërgim ; në këto kushte, ja vlente më mirë të injorohej ana e marketingut dhe e komunikimit ndërkohë që ai zhvillonte një biznes të vërtetë me përfaqsuesit e UÇK dhe financierët e saj në ato tokat e tij fisnore të Tropojës. Përsa i përket Nanos, kuadri ideologjik i të posaçfaqurve të UÇK nuk krijonte asnjë problem, përkundrazi, kjo gjë nënkuptonte një bazë të shëndoshë mirëkuptimi si edhe allishverishe të majme në perspektivën e ndrrimit të pushtetit në Kosovë. Por nga ana tjetër, vatra destabilizuese e Kosovës ishte një skenar që duhej evituar me çdo kusht pasi, stabiliteti i Ballkanit si dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët grekë dhe serbë përbënin edhe linjat kryesore të politikës të jashtme të padronit të ri të Tiranës.
. Si pasojë e një mpleksje të çuditshme të rrethanave, të jepej përshtypja sikur po përsëritej rishtas skenari i Luftës nacional-çlirimtare që u zhvillua në Shqipëri gjatë viteve 1941 – 1944, me aktorët e saj, me dilemat e tyre ideologjike si dhe me zgjedhjet e tyre politike. Në rast se mund t’i besohet fatalitetit dhe mësimeve të historisë, kish shumë mundësi që logjika e militantizmit politik dhe dinamika e implikimit praktik në aksionin ushtarak të mbizotëronin rishtas mbi llogaritjen e rëndësisë numerike të forcave në terren.
. Përmbysja e tendencave dhe ekuilibri i ri i forcave në Kosovë nuk kaloi pa u vë në re në Uashington. Duke ndjerë afrimin e një konflikti të ri rajonal si dhe rrezikun mbi stabilitetin ballkanik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të kqyrin nga afër rrjedhën e ngjarjeve : amerikanët çelën një qendër informacioni në Prishtinë në qershor të vitit 1996 ndërkohë që vajtje – ardhjet e diplomatëve amerikanë në terren u bënë gjë e zakonshme. Evropa, me anë të levave të saj bashkësiore ndërmorri disa demarshe dhe dënoi shtypjen serbe pasi edhe ajo ndjeu erën e barutit.
.
. Problemi i Kosovës hyri në një fazë të re tepër të rrezikshme me ndërhyrjet vrastare të forcave serbe në Drenicë ku humbi jetën e tërë familja e Jasharëve (2), gjatë ditëve të fundit të marsit të vitit 1998. Megjithë zhvillimin e zgjedhjeve të reja klandestine të 22 marsit 1998 që siguruan rishtas pozitat e Rugovës në postin e tij të « Presidentit » të Kosovës dhe takimet e nivelit të lartë mes Rugovës dhe Millosheviçit në maj të vitit 1998, që prej muajit prill krahina ishte kapërthyer në një spirale të vërtetë dhune (3). Përfundimisht, UÇK doli nga prapaskena dhe nëpërmjet forcave të saj të armatosura që vlerësoheshin në disa mijra luftëtarë, ajo deklaroi se kontrollonte një të tretën e territorit të krahinës. Njësitë e milicisë serbe, të ushtrisë së rregullt dhe grupet e paraushtarakëve u vunë në veprim të përhershëm dhe rezultatet ishin të tmerrshme : me dhjetra fshatra fantazëm, me qindra shtëpi të djegura dhe të shkatërruara nga themelet ndërkohë që në muajt e parë të verës, numri i rrefugjatëve kosovarë në rrugët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Shqipërisë llogaritej në 300.000 vetë.
.
. Ofensiva e forcave serbe gjatë pranverës dhe verës të vitit 1998 shkaktoi një disfatë të rëndë ushtarake mes rradhëve të UÇK – gjë e cila deri diku ishte e pritshme. E reduktuar në disa mijra luftëtarë – nga 2.000 deri 4.000 në Kosovë dhe po aq në Shqipërinë fqinje, UÇK u detyrua të lëshojë terren dhe të gjejë strehë në male, ku edhe priste momentin e përshtatshëm për t’u kthyer rishtas. Përfundimisht, kjo luftë s’kishte të bënte fare me skenarët tashmë të njohur të Kroacisë ose të Bosnjes : ushtria e rregullt serbe kish rënë në grackën e luftës guerrilje. Të gjithë ata që e kanë parë nga afër ose nga larg (Ballkani në kohën e Luftës së Dytë ose më afër nesh – Algjeria ose Vietnami) e dinë se ajo është e pamëshirshme dhe tejet e lodhshme për të gjithë pjesëmarrësit aktivë dhe pasivë. Ç’është më e rëndësishmja, kjo lloj lufte shoqërohet me sakrifica të dhimbshme veçanërisht në nivelin e popullsisë civile, e cila zihet peng nga njera dhe nga pala tjetër. Herët ose vonë, operacionet e shkatërrimit të bazave të guerriljes dhe të « pastrimit » të zonave të infektuara shkaktojnë ose një kryengritje të përgjithshme të popullsisë civile ose largimin e saj masiv drejt zonave të tjera, të vlerësuara si më të sigurta, në mos të dyja. Në këtë pikë, strategjia e UÇK ishte ajo e partizanëve tradicionalë : sulme kundër stacioneve të izoluara të policisë, përgjithësimi i përplasjeve të shpejta dhe të përleshjeve me segmente të pakta në numër, shkallëzim i dhunës ushtarake dhe i vrasjes së elementëve të komprometuar, destabilizim i vendit – deri edhe i rajoneve të tëra, me qëllim që të degradohej situata politike dhe të shtohej rrëmuja dhe kaosi në vend.
. Prapa asaj përmase të mohimit të vetvehtes i cili çon drejt akteve heroike, përtej angazhimit personal në emër të një çështjeje « të shenjtë », gjithmonë gjendet llogaritja e ftohtë e disa mendjeve të ndritura që modelojnë te ardhmen, ndodhen shtabet që nëpërmjet aksionit ushtarak synojnë pushtetin. Sikundër çdo ndërmarrje tjetër e madhe, kjo luftë ka nevojë për fonde, për materiale dhe në rradhë të parë për përpjekje njerëzore. Asaj i duhet forca brut e argatit-ushtar të thjeshtë, zanati i teknikëve-specialistë, njohuritë e administratorëve-oficerë, mjeshtëria e ustallarëve-gjeneralë dhe së fundi, paraqitja e udhëheqësve. Zaten, këta të fundit e dinë mirë që zgjidhja e një lufte të tillë nuk ndjek logjikën e më të fortit dhe nuk vendoset pothuaj kurrë në fushën e betejës. Për këto arsye, nëpërmjet imazhit të një « lufte të drejtë » për të mos thënë të justifikuar, atyre ju duhet të sigurojnë mjedisin rreth e qark dhe të bindin vëzhguesit sa ata janë jo thjesht përfaqsues të gjithë popullit por njëkohësisht edhe bartës të një projekti të të ardhmes : politik, shoqëror bile edhe ekonomik.
.
. E kqyrur nga ana e UÇK, « llogaritja » ishte e qartë : kish ardhur koha për të ndërmarrë çlirimin e Kosovës që ndodhej nën zotërimin e serbëve. Megjithë mungesën e ekuilibrin në raportin e forcave, duhej detyruar rregjimi i Millosheviçit që të angazhohej në një konflikt të hapur dhe të armatosur. Fakti se serbët nuk do të pranonin kurrë shkëputjen e Kosovës jepte edhe sigurinë se Beogradi do të përdorte mënyrën e fortë ; kështu ai do të vihej në shënjestrën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila a priori nuk mund të toleronte një Bosnje të re. Megjithë përmbajtjen e tij të guximshme, ky projekt përmbante disa pika të dobta të cilat komprometonin shanset e saj :
.
. - Të gjitha fuqitë evropiane ishin vendosmërisht kundër perspektivës të një ndezjeje të re të Ballkanit ; aq më tepër nëqoftë se ky konflikt do të vinte në lojë shqiptarët pasi në këtë rast, pasojat do të ishin tepër të rënda për të gjitha vendet ballkanike.
.
. - Skena politike lokale mbetej nën pushtetin e LDK të Rugovës e cila vazhdontë të tërhiqte vëmendjen dhe simpatinë ndërkombëtare pikërisht falë pozitave të saj të moderuara dke veçanërisht falë armiqësisë së saj të deklaruar ndaj luftës së armatosur.
.
. - Kjo organizatë politike që do të udhëhiqte këtë luftë nuk ngjallte asnjë besim ndaj amerikanëve të cilët pa asnjë hezitim e trajtonin si « organizatë terroriste » që prej shkurtit të vitit 1998, gjatë bashkëbisedimeve me vetë Millosheviçin në Beograd. Sipas tyre, ajo « udhëhiqej prej njerëzish të hijes lidhjet ndërkombëtare të të cilëve mbeteshin të errta, me aspirata afatgjata të paqarta » (4). Nga ana tjetër, vetë agjenda e kesaj organizate përmendte se « nëpërmjet grykës së pushkës, ne duhet të fitojmë pavarësinë e Kosovës si një hap i parë drejt krijimit të një Shqipërie të Madhe, që do të përfshijë përveç Shqipërisë, një pjesë të Serbisë (Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë), të Malit të Zi (Dukagjin, Plavë, Rozhaje), të Maqedonisë (Tetovë, Gostivar) dhe të Greqisë (Çamëri) ».
.
. Ndërkohë, gjendja në terren kish ndryshuar si pasojë e ofensivës serbe të pranverë – verës që kish hedhur masa të tëra të popullsisë kosovare në rrugët e Ballkanit. Skenat boshnjake të pastrimit etnik u riçfaqën përballë opinionit publik botëror bashkë me rrezikun e një katastrofe të re humanitare, në prag të dimrit. A ishin pikërisht arsyet humanitare apo ishin arsye të tjera të natyrës strategjike që shtynë Shtëpinë e Bardhë të ndrronte mendim ? Për një arsye ose për një tjetër, sidoqoftë një kthesë e vërtetë kish bërë vaki në Uashington : gjithmonë e më tepër dëgjoheshin zëra që kërkonin ti jepej fund rregjimit të Beogradit.
. Mjafton tashmë që Amerika të pranonte realitetin e prekshëm : atë të një UÇK-je në rolin e çadrës mbrojtëse të kosovarëve përballë një Millosheviçi të pakorrigjueshëm sikundër dhe atë të një Rugove të pafuqishëm për të penguar shpërthimin e revoltës popullore. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara u munduan të fitojnë kohë ndërkohë që në fshehtësi, ndërmerreshin një varg masash : forcimi i dispozitivit të Kombeve të Bashkuara që ndërkohë gjendej diku në Maqedoni, negociata me Shqipërinë për të përgatitur një plan të shpërndarjes së forcave të NATO-s, venia në gatishmëri të lartë e forcave amerikane me qëndrim në Itali.
.
. Përfundimisht u duk sikur rreziku i një ndërhyrjeje ushtarake kundër Serbisë po largohej, veçanërisht pas pranimit nga ana e Millosheviçit të bashkëbisedimeve me Rugovën – që ishin në fakt krejt të kota – dhe sidomos pas asaj ndërmjetësisë ruse që lejoi ndërhyrjen e vëzhguesve të parë ndërkombëtarë të OSCE në territorin e Kosovës. Megjithatë, diplomacia e shtrëngimit e praktikuar nga amerikanët, të ndjekur nga evropianët e pavendosur, i tregoi shumë shpejt kufizimet e saj : radikalizimi i lëvizjes nacionaliste kosovare rreth UÇK-së si dhe sulmet ushtarake serbe u shumëfishuan deri në afrimin e dimrit, duke shkaktuar rreth dy mijë të vrarë të tjerë brenda disa muajsh. U desh masakra e Raçakut (5), në 15 janar 1999, që perëndimorët të zbresin me të vërtetë në terren për të përdorur kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake. Nën shtytjen e një « Grupi të Kontaktit » - një mekanizëm i vjetër i kohës së krizës boshnjake dhe i përbërë nga përfaqsues të Shteteve të Bashkuara, të Rusisë, të Gjermanisë, të Britanisë së Madhe, të Francës dhe të Italisë – një varg kontaktesh u morën me Millosheviçin për të gjetur një zgjidhje ndaj çështjes së Kosovës dhe në rradhë të parë, të thirreshin të interesuarit për të shqyrtuar propozimet e bashkësisë ndërkombëtare.
. Pa asnjë dyshim, këto propozime ngjanin me një kompromis : t’i jepej një autonomi « substanciale » kosovarëve në gjirin e Federatës Jugosllave. Të detyruar që të « uleshin rreth një tryeze » (6) në Rambujet, ndërmjet 6 dhe 20 shkurtit të vitit 1999, të dy palët e interesuara mbetën të papajtueshme, megjithë këmbënguljen e amerikanëve dhe të perëndimorëve të tjerë dhe bile duke përbuzur rrezikun e një ndërhyrjeje të armatosur të forcave të NATO-s. Dështimi i këtij kompromisi, i shkaktuar nga kundërshtimi serb për të nënëshkruar protokollet e Parisit (15 – 19 mars 1999) – që mes të tjerash parashikonin ndërhyrjen e forcave të NATO-s për të ndarë ndërluftuesit, dha edhe pretekstin e ndërhyrjes ushtarake mbi Jugosllavi. Tashmë, partizanëve të shumtë të « teorisë së komplotit » anti-serb ju duhej të rishikonin llogaritë e tyre dhe të shtonin në listën e armiqve të tyre edhe « lobin shqiptar » të Uashingtonit (7).
.
. Nëpërmjet goditjeve intensive ajrore, të filluara në 24 mars 1999 dhe që zgjatën shtatëdhjetë e nëntë ditë, forcat aleate të Atlantikut Verior synuan të shkatërronin forcën ushtarake dhe të paralizonin pushtetin politik të Millosheviçit. Ndërkohë, ushtria serbe, policia dhe paraushtarakët e Raznjatoviçit alias Arkan, ndërmorrën një pastrim të vërtetë etnik të krahinës. Fshatra dhe më pas qytete të tërë (Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Gjakovë për të përmendur veç këto) u krehën dhe u zbrazën nga banorët me origjinë shqiptare, të cilët u detyruan të braktisin vendin e tyre. Sipas të dhënave të HCR, midis 800.000 dhe një million kosovarë u ndoqën me metodë dhe u detyruan të ikin përtej kufirit për t’u strehuar në vendet fqinje (459.000 rrefugjatë në Shqipëri, 249.000 në Maqedoni dhe 68.000 në Mal të Zi) sikundër dhe në vende të tjera diçka më larg (22.000 në Bosnjë-Herzegovinë si edhe 198.000 në vendet e tjera të Evropës). Në terren, Ushtria Çlirimtare u mundua të kanalizonte rrymën e rrefugjatëve dhe në rradhë të parë të përmbante ofensivën e serbëve, duke pësuar humbje të rënda.
.
. Me fillimin e goditjeve ajrore të NATO-s, UÇK-ja mundi të rifitojë dinamizmin e vet dhe në rradhë të parë forcën e saj goditëse – duke u shëndrruar në një trupë ushtarake prej 17.000 – 20.000 luftëtarësh. Ndërkohë që pjesa më e madhe e trupave ishin rekrutë me origjinë nga Kosova, me profil prej partizanësh, kuadrot e saj më të mira ishin ushtarakë të vjetër të ushtrisë jugosllave JNA, të dalë nga një trupë prej disa mijra ushtarakësh që kishin bërë luftën e Kroacisë dhe të Bosnjës. Që në fillim të vitit 1999, drejtimi politik kish kaluar në duart e Hashim Thaçit – alias Gjarpëri, ndërkohë që drejtimi i punëve ushtarake sigurohej nga Gjeneral brigade Agim Çeku. Që të dy këta bënin pjesë në shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, një grup vendimmarrës prej 18 vetësh, i cili drejtonte tërësinë e operacioneve dhe veprimeve ushtarako-politike për Kosovën.
. Terreni ishte ndarë në shtatë zona operative, sejcila e drejtuar nga një komandant rajonal : i Drenicës (që gruponte komunat e Gllogovcit, të Skënderajt – Sërbica, Malishevë dhe Klinë), e Shalës, e Dukagjinit (Pejë, Deçan, Gjakovë dhe Prizren), e Llapit, e Nerodines, e Kaçanikut dhe së fundi e Pashtrrikut. Mes komandantëve lokalë, dafinat i takonin Ramush Haradinajt – një ish legjionar i Legjionit të Huaj francez – i cili drejtonte operacionet në Dukagjinin e tij të lindjes.
.
. Përfundimi i luftimeve, për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes « prej dhjetë pikash » çoi në një tërheqje të plotë të forcave ushtarake serbe nga territori i Kosovës si edhe në shpërndarjen e një force ndërkombëtare të ndarjes së palëve – KFOR – detyrat e të cilës ishin ruajtja e paqes dhe mbajtja e rendit publik. Ky proces përbën pa asnjë dyshim edhe ngjarjen më të madhe në gjithë historinë e krahinës. Ai përcakton një etapë tranzicioni dhe në rradhë të parë lejon një kohë refleksioni përsa i përket marrëdhënieve të ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit, duke lënë sidoqoftë vjerrë dëshirën e përbashkët dhe unanime të popullsisë shqiptare : pavarësinë e Kosovës.
.
.
. ----------------------------------------------------------
.
. (1) Mbi këtë çështje shih : Xavier BOUGAREL & Nathalie CLAYER – Le Nouvel Islam balkanique, les musulmans, acteurs du post-communisme 1990 – 2000, Edition Maisonneuve & Larouse, Paris, 2001 sikundër dhe : Christophe CHICLET – L’histoire secrète de UCK, dans : La nouvelle guerre des Balkans, Le Monde Diplomatique, mai-juin 1999.
.
. (2) Në 22 janar 1998, dështoi një operacion i policisë serbe që synonte arrestimin e Adem Jasharit, kryetari i fisit të Jasharajve të Drenicës dhe një nga organizatorët e rezistencës të armatosur antiserbe në zonë. Në vijim, në 5 mars 1998, njësitë e policisë dhe të ushtrisë mësynë shtepinë familjare të Jasharajve në Prekaz. Operacioni përfundoi në një det gjaku : 58 antarë të familjes Jashari gjetën vdekjen, mes të cilëve 18 gra dhe 10 të mitur nën 17 vjeç.
.
. (3) Burimet gjermane përmendin ndërhyrjen e Presidentit maqedon Gligorov në janar 1998, i cili shprehte shqetpesimin e tij ngaj një lufte krejt të afërt në Kosovë, ndërkohë që vendi i tij përgatitej të hapte « një koridor kalimi të kosovarëve drejt Shqipërisë ». në shkurt 1998, politikanë të Vojvodinës deklaronin se dispononin prova të pakundërshtueshme të mobilizimit të ushtrisë serbe me qëllim që të ndërhunte në Kosovë, përgatitje që rikujtonin luftën kundër Kroacisë në vitin 1991. Shih : Frank MUENZEL – Ibidem.
.
. (4) Kraig R. NATION – War in the Balkans, 1991 – 2002, Strategic Studies Institute Monographs, Carlisle, August 2003.
.
. (5) Të thirrur në vendin e ngjarjes në 15 janar 1999, vëzhguesit e OSCE zbuluan në afërsi të fshatit Raçak, në Drenicë, trupat e 45 civilëve mes të cilëve gjendeshin dy gra dhe një fëmijë. Sipas thënieve të dëshmitarëve lokalë, bëhej fjalë për fshatarë tâ pafajshëm, viktima të një sulmi të ndërmarrë nga ushtria serbe kundër luftëtareve të UÇK-së. Përgjegjësia për cilësimin e këtij zbulimi si « krim i vetëdijshëm i kryer nga serbët kundër të pafajshmëve » bie mbi Uliam Ualker, përgjegjës i vëzhguesve të OSCE. Pa hezituar as dhe një sekondë, ky ish ambasador amerikan në Amerikën Qëndrore gjatë viteve nëntëdhjetë, informoi përgjegjësit e tij të Uashingtonit lidhur me këtë ngjarje e cila pushtoi mediat e botës mbarë. Pa mundur të krijojnë një provë të pakundërshtueshme, elementët e mbledhur në vendin e ngjarjes nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë hapën një debat mbi egzistencën vetë të masakrës pasi, sipas disa burimeve të izoluara Raçaku s’ish gjë tjetër veçse një montazh makabër.
.
. (6) Pa dyshim që shprehja përbën një eufemizëm, pasi delegacionet serbe dhe shqiptare ishin vendosur në salla të veçanta dhe të ndara ndërkohë që negociatorët e Grupit të Kontaktit shkonin dhe vinin mes tyre. Arsyeja e këtij qëndrimi duhet gjetur në zgjedhjen e kosovarëve për t’i besuar vendin e kryetarit të delegacionit Hashim Thaçit, përfaqsuesit të UÇK-së që s’përputhej gjëkundi me shijen e serbëve, aq më tepër që për ta i përfaqsonte një organizatë terroriste. Përtej anës pasionale, duhet nënvizuar që delegacioni serb përfundimisht pranoi të nënëshkruajë kapitullin « politik » të marrëveshjes dhe njëhohësisht shprehu mospajtimin e tij ndaj vendosjes të forcave të NATO-s mbi territorine krahinës – duke argumentuar se « bëhej fjalë për një pushtim ushtarak të territoreve që i përkasin Federatës jugosllave ». Në të kundërt, serbet treguan shenja se ata mund të pranonin vendosjen e trupave të çarmatosura të paqeruajtësve, me kusht që këta të fundit të viheshin nën flamurin e OSCE-së ose të OKB-së. Ndërkohë, pala shqiptare pranonte kapitullin « ushtarak », duke denoncuar çdo zgjidhje politike që përjashtonte pavarësinë. Por, Sekretarja e Shtetit e SHBA-së Madelene Ollbrajt, nga njera anë insistoi mbi pranimin e plotë dhe pa rezerva të propozimeve të bëra dhe nga ana tjetër mundi të sigurojë aprovimin e delegacionit kosovar dhe vënien e tij në akord të plotë me pikpamjet e admnistratës Klinton, duke i premtuar mbajtjen e një referendumi popullor lidhur me të ardhmen e Kosovës. Mbi të tjera, shil për këtë çështje : Paul-Marie de la GORCE - L’Otan et le Kosovo, Confluences Méditerranée N°30 Été 1999.
.
. (7) Kjo teori e vjetër e risjellë në modë me rastin e luftës së Bosnjës, i hedh përgjegjësinë e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë një komploti të thurur nga qarqet « gjermano-vatikano-kominformo-islamiste ». Përsa i përket lobit shqiptar në Uashington, ai është vepër e shqiptaro-amerikanëve të vjetër dhe grumbullon nga afër dhe nga larg kongresmenë, senatorë dhe të tjerë njerës me ndikim politik sikundër ZhozefJ. DioGuardi – një italo-amerikan me origjinë arbëreshe që mbështet Lidhjen Civile Shqiptaro – Amerikane (AACL). Ky i afërt i Bob Dolit – kandidati fatkeq për President kundër Klintonit në vitin 1996, përbën edhe strumbullarin e lobit në fjalë që mes të tjerësh afron edhe Xhorxh Tenet – një padron i vjetër i CIA-s me origjinë greko-shqiptaro-amerikane.

La suite.. - Vazhdimi...

dimanche 9 mars 2008

Kosovë mon amour (4) - Nën magjinë e Rugovës.

.
. Në çfarë mase pasqyrohet e vërteta në këtë mënyrë të të shkruari të historisë, të prezantuar nga specialistët serbë ? Zaten, cili prej tyre po shqetësohet për të vërtetën nga momenti që metoda e përdorur ja ka arritur qëllimit të saj : të paralajmërojë opinionin e vet publik që faktori shqiptar i Kosovës është me origjinë alogjene – i ardhur gradualisht nga Shqipëria fqinje. Lidhur me shqiptarët, mendimi serb është tejet i kjartë : duke bashkuar traditën patriarkale, obskurantizmin fetar mysliman dhe nacionalizmin e brendshëm, kjo popullsi « e huaj » gjithmonë ka synuar të shtjerë në dorë krahinën - nëpërmjet blerjes së tokave, nëpërmjet një përputhje interesash të rastit me autoritetet komuniste titiste dhe së fundi, nëpërmjet një politike të qëllimshme të shtimit demografik.
.
. Përveç shprehjes të një përçmimi dhe përbuzjeje të thellë ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë – një opinion unanimisht i përndjerë mes serbëve – një mënyrë e tillë e të trajtuarit të të kaluarës përputhej me interesat e diktuara nga e tashmja : t’ju kujtonin të gjithë atyre që e kishin harruar dhe t’ju mësonin të gjithë atyre që ende nuk e kishin kuptuar se kush ishte armiku që duhej hequr qafe në Kosovë. Kështu, nuk ishte e mundur të çrrënjosej nacionalizmi shqiptaromadh, ky burim i të gjithë të këqiave, përderisa mbetej qoftë edhe një këmbë shqiptari në vend – gjithësesi i huaj megjithëse përbënte shumicën, mysliman i pabesë dhe folës i një gjuhe barbare jo-sllave, fort i ri në moshë dhe armik i betuar i pushtetit serb.
.
. Duke vënë në këtë mënyrë « objektivitetin » e historisë në shërbim të objektivave të pushtetit, historianë serbë dhanë kontributin e tyre patriotik në ngritjen e një miti të ri : Millosheviçit. Në këtë rast, Millosheviçi s’ish gjë tjetër veçse shpata e ofruar nga vetë fati, shprehja e faktit që durimi i serbëve kish mbrritur kufijtë e tij më të dhimbshëm.
. Në se duam të pranojmë idenë e hedhur nga analistët politikë të asaj kohe që Serbia e Millosheviçit ishte angazhuar në një proces natyror të rindërtimit kombëtar, plotësisht të justifikuar nga pikpamja historike, të nevojshëm nga pikpamja morale dhe të pashmangshëm në lidhje me fatin e këtij populli, nuk duhet të habitemi në qoftë se – nëpërmjet një efekti domino, procesi në fjalë të shkaktonte një homogjenizim kombëtar të të gjithë popujve të tjerë jugosllavë. Në një Shtet me popullsi të përziera në mënyrë pothuaj të pandashme, ky riqendërzim nacionalist drejt njejtësimit etnik nuk mund të çonte tjetërkund përveç një drame (1).
. E kqyrur nën këtë kënd vështrimi, përgjegjësit e kësaj tragjedie të vërtetë që goditi Jugosllavinë posttitiste të viteve nëntëdhjetë dhe që morri jetën e qindra mijra vetëve duheshin kërkuar gjetkë dhe jo mes rradhëve të atyre që e ndezën : fillimisht ishte rregjimi titist i cili e përgatiti – duke manipuluar bombën e konflikteve kombëtare ; në vijim, ishte pesha e kulturave të cilave ju mungonte pjekuria e duhur dhe toleranca politike – të ardhura nga thellësitë otomane dhe ballkanike ; ishte trashëgimia ideologjike e komunistëve – që kishin riprodhuar variantin kroat të jugosllavizmës, federaliste dhe egalitariste në përmasat e një vendi të tërë (2). Sidoqoftë, duke zbritur në terrenin konkret të Kosovës, debati historiografik në vlim derdhej përtej kornizës akademike dhe propozonte një linjë aksioni që synonte në rradhë të parë procesin e « shqiptarizimit » të krahinës dhe çfaqjet e tij më të dukshme : boom-in demografik, tensionet sociale, aspiratat kombëtare. Në shënjestër të ketyre luftëtarëve qytetërues ishte tashmë inteligentsia kosovare, përfaqsuesi i përsosur i të cilit paskish qenë
. « një lloj i veçantë gjysëm-intelektuali, i aftë për të absorbuar një numër të ngushtë idesh, të kufizuara nga horizonti kombëtar dhe modeli ideologjik i Shqipërisë, të cilat i pranon pa mundur të zhvillojë asnjë sens kritik ndaj origjinës së tyre » (3). . Duke parë « dashamirësinë » me të cilën intelektualët serbë trajtonin të ngjashmit e tyre kosovarë, nuk duhet të habitemi aspak në qoftë se Universitetit të Prishtinës do të detyrohej të mbyllte dyert (4). Në të vërtetë, reaksioni i parë erdhi nga pararoja e intelektualëve – të zgjedhurit krahinorë. Në 2 korrik 1990, një grup prej 114 deputetësh nga 183 që përmbante Kuvendi krahinor i Kosovës, u mblodh përpara godinës së këtij Kuvendi dhe aprovoi një rezolutë që shpallte « Republikën Jugosllave të Kosovës ». Tre ditë më vonë, Beogradi u përgjigj duke shpërndarë Kuvendin si dhe duke shkarkuar qeverinë krahinore. Pjesa më e madhe e deputetëve të vjetër u mblodh rishtas kësaj here në Kaçanik dhe në 7 shtator 1990 aprovoi një Kushtetutë të re e cila shpallte Republikën e Kosovës në gjirin e Jugosllavisë. Një vit më vonë ideja e republikës ishte zhvilluar më tej : ndërmjet 26 dhe 30 shtator 1991, 87% e zgjedhësve të krahinës pjesëmorrën në një referendum klandestin që shtronte pyetjen lidhur me « pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës ». Përgjigja ishte unanime me 99,7% të të shprehurve. Në 19 tetor 1991, Kosova u vetëshpall « Shtet sovran dhe i pavarur ».
. Ky zhvillim i ri në jetën politike dhe shoqërore të krahinës vinte si pasojë e daljes në plan të parë të një brezi të ri të elitës kosovare që ish shkëputur nga rradhët e nomenklaturës së vjetër komuniste. Në pjesën më të madhe të saj, produkt i pastër i Universitetit të Prishtinës dhe e grupuar rreth qarqeve kulturore si Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve ose Lidhja e Shkrimtarëve, kjo klasë e re politike gjeti përfaquesin e saj të përsosur në figurën e Ibrahim Rugovës.
.
. I lindur në Istog, në gjirin e një familjeje të parisë fshatare, fëmijëria e tij u vulos nga humbja e gjyshit dhe e babait, të egzekutuar nga komunistët që në ditët e para të vendosjes së rregjimit të ri. I mbrojtur fort nga struktura familjare për të mos thënë i përkëdhelur si djalë i vetëm që ishte, ai zbret në Pejë për të kryer shkollën e mesme dhe më pas në Prishtinë ku vazhdon studimet universitare. I shtënë pas Sartrit dhe Levi-Strausit, letrari i ri hyn në gazetari përpara se të bëhet asistent – kërkues pranë Institutit të Albanologjisë të Prishtinës. Në qoftë se « fillimet » e tij në politikë kryhen në Prishtinë – ku edhe pranohet në rradhët e Lidhjes Komuniste Jugosllave, qëndrimi në Paris (1976 – 1977) përbën edhe kthesën e madhe në jetën e tij : stazh studimesh në EPHE (Shkolla Praktike e Studimeve të Larta), leksione në Sorbonë. Aty, ai mëson çka don të thotë të jesh i lirë ndërkohë që zbulon – sipas fjalëve të tij – që ndërkohë është « infektuar » nga demokracia.
. Me t’u kthyer në Kosovë, ai i kushtohet rishtas kërkimeve dhe diplomohet Doktor në Filozofi përpara se të zgjidhet President i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1988. Nënshkrues i « Thirrjes së Intelektualëve të Kosovës » kundër ndrrimit të statusit të krahinës autonome, ai përjashtohet nga rradhët e LKJ. I gëlltitur nga lëvizja e protestave, Rugova pranoi të vihet në krye të Lidhjes Demokratike si President i saj. Kështu, nxënësi i drojtur i Bartès, adepti i strukturalizmit, u thirr që të ristrukturonte të ardhmen e Kosovës.
.
. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Rugovës dallohej në mënyrë të ndjeshme mes strukturave të tjera politike të porsalindura. Duke zotëruar tërësisht votimet klandestine të 24 majit të vitit 1992, ajo dominonte « Parlamentin » sikundër dhe « qeverinë » klandestine. Diçka në mes të një partie politike dhe një lëvizje popullore, sikundër dhe Solidarnost i Lesh Valesës, ajo mund të mburrej me numrin jashtëzakonisht të madh të antarëve të saj (gati 800.000 vetë sipas burimeve të brendshme të saj), gjë e cila i lejoi të luante një rol të pazëvendësueshëm në pejzazhin politik të krahinës. Duke ndjekur një strategji të rezistencës pasive por të vendosur kundër pushtetit serb, Rugova u mundua të predikonte një zhvillim gradual dhe një opozitë pa dhunë të shoqërisë kosovare, qëllimi përfundimtar i të cilës ishte fitorja e pavarësisë. Ai, të cilin shpesh e kanë krahasuar me Gandin, gjithmonë ka besuar se bojkotimi i organizuar i institucioneve qëndrore, i shoqëruar me një përpjekje të njohjes ndërkombëtare të gjendjes së Kosovës do të përbënin argumenta madhorë në sytë e fuqive perëndimore me qëllim që problemi i Kosovës të mos mbetej një çeshtje e brendshme e Serbisë. Kështu, nëpërmjet forcës së veprimit dhe vazhdimësisë së aksionit, krahina do të fitonte njohjen unanime të vendeve të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në sfondin e dekadencës dhe të shkatërrimit të Serbisë.
.
. Të gjendur përballë terrorit politik, të ndjekur nga dhuna fizike dhe morale e ushtruar nga policia dhe ushtria serbe, kosovarët mbetën në kuadrin e mosbindjes civile. Ata gjetën mënyrat për t’u organizuar një shoqëri të vërtetë paralele : një sistem i nëndheshëm arsimor, i shëndetsisë dhe shërbime të tjera sociale u vunë në punë, të financuara në pjesën më të madhe nga një « tatim revolucionar » prej 3% mbi të ardhurat e familjeve kosovare si dhe mbi pasurinë e kosovarëve jashtë vendit. Këto shuma mblidheshin nga fondacioni « Vendlindja Thërret » në dobi të qeverisë Bukoshi në mërgim.
. Ndërkohë që, nëpërmjet mediave, bota mbarë zbulonte dhe duartrokiste këtë filozofi jo të dhunshme – kaq të pazakontë dhe të arsyeshme në krahasim me realitetin e përgjakshëm të pastrimit etnik në Bosnje, njohja ndërkombëtare e « Republikës së Kosovës » nuk avanconte pothuaj fare. Përveç qeverisë të Tiranës që e njohu zyrtarisht që në muajin shtator 1991, reaksionet e kryeqyteteve evropiane luhateshin mes atij të Presidentit kroat Tuxhman që e cilësonte Kosovën si një problem të brendshëm të Serbisë dha asaj të Bashkësisë Evropiane që hidhte poshtë kërkesën e shprehur nga ana e Rugovës. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesnin politikën e rezistencës pasive të Rugovës ndërkohë që linin në heshtje çështjen e « Republikës së Pavarur », e asaj demokracie fantazëm hieja e të cilës qëndronte mbi krahinë (5). Në të kundërt, të gjithë qeveritë dhe personalitetet politike shprehnin të njejtat këshilla : nxitje e dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve, mbrojtje e të drejtave të njeriut, ngritje e një shtypi të pavarur dhe vendosje e një sistemi të monitorimit ndërkombëtar për të vrojtuar progreset e arritura në vend (6).
.
. Fundi i krizës boshnjake tregoi fare qartë që e ardhmja e Kosovës nuk i interesonte gati fare kancelarive evropiane. Duke u mbështetur fort mbi Republikën Sërbska të Bosnjë-Herzegovinës, Millosheviçi vuri veton kundër çdo diskutimi të mundshëm të problemit të Kosovës gjatë marrëveshjes së Dejtonit në nëntor të vitit 1995, e megjithatë ai arriti të fitojë mirënjohjen e diplomatëve dhe të qeverive perëndimore të cilët e vlerësuan si një garant të « ruajtjes së paqes » në rajon. Kjo shtyrje sine die e problemit kosovar, që në një farë mënyre shprehte pranimin për të mos thënë aprovimin e kontrollit të plotë serb mbi krahinë, ishte një goditje tepër e rëndë për Rugovën dhe për politikën e tij. Ishte njëkohësisht edhe një llogaritje fort e gabuar nga ana e bashkëbiseduesve perëndimorë të cilët me sa duket injoronin plotësisht potencialin shkatërrues të Kosovës mbi të ardhmen e Ballkanit. Gjithnjë e më tepër, u ngritën zëra të ndryshëm – nga e majta, e djathta bile edhe në gjirin e vetë Lidhjes – që denonconin kotësinë e rezistencës pasive. Edhe ajo iniciativa befasuese e ndërmarrë në shtator të vitit 1996 nga ana e Presidentit klandestin kosovar për të negociuar me Presidentin e zgjedhur serb një marrëveshje lidhur me arsimin publik në Kosovë përfundoi si mos më keq : vetëm disa muaj pas nënshkrimit të saj, çdokush kuptoi që qëllimi i vetëm i Millosheviçit kish qenë diskretitimi i Rugovës.
. Përgjatë këtyre viteve të rezistencës pasive, situata ekonomike e krahinës ishtë bërë e padurueshme : gjatë periudhës 1991 – 1992, parlamenti i Beogradit kish aprovuar 371 rezoluta që synonin marrjen e « masave të përkohshme që synojnë mbrojtjen sociale dhe të drejtat të vetëadministrimit në kolektivat punonjëse » të Kosovës (7). Në rrafshin praktik, udhëheqësit ekonomikë të krahinës ishin të detyruar t’ju lëshonin vendin administratorëve të « përkohshëm » - të mbiquajtur « drejtorë të dhunshëm » nga ana e shqiptarëve. Kështu, falë një ligji « mbi marrëdhëniet mes rrogëtarëve në situata të jashtëzakonshme », këta drejtues të veshur me të drejta speciale të menaxhimit – në rrafshin « e statusit dhe të marrëdhënieve të punës » dhe veçanërisht përsa i përket « personelit të pajtuar në punë » - mund të pushonin në vend çdo punonjës të konsideruar si të dëmshëm ose të rrezikshëm, pa marrë mendimin paraprak të sindikatave ose të këshillave vetëadministrues të ndërmarrjeve. Praktikisht, aplikimi i këtyre kompetencave çoi në pushimin nga puna të 145.000 rrogëtarëve me origjinë shqiptare. Sipas statistikave të Ministrisë serbe të industrisë, rreth 253 ndërmarrje kosovare që i përkisnin sektorit të « mbrojtur nga ana sociale » - ose ndryshe 90% e ekonomisë kosovare, ju nënshtruan procedurave të privatizimit, përfituesit direktë të të cilave ishin rrogëtarët e mbetur në vendet e punës, pra serbët. Ndërkohë, ndërmarrjet e mëdha siç ishte rasti i Kosovar Telekom, minierat e Trepçës ose të tjera uzina të ferronikelit ju shitën sipërmarrësve të huaj (grekë, italjanë ose gjermanë).
. Në një rrafsh tjetër, ai i administrimit dhe i ndarjes territoriale, rregjimi i Millosheviçit kish ndërmarrë rishikimin e rrjetit politiko-administrativ të krahinës me qëllim ngritjen e komunave të reja në përputhje me grupimet pak a shumë homogjene të popullsisë serbe, deri atëhere e tretur në masën e popullsisë shqiptare. Mund të përmendet rasti i Zubin Potokut, i ndarë nga Mitrovica, i Shtërpces të ndarë nga Uroshevaci ose ai i Kosovo-Poljes e ndarë nga Prishtina. Ky veprim ilustron idenë e krijimit të bazave të mbështetjes në rast konflikti për të mos thënë baza të nguljes në rast disfate (8).
.
. Ngjarjet e vitit 1997 treguan se shoqëria kosovare ishte përfshirë në një proces reflektimi të thellë dhe kish filluar të braktiste përkushtimin e saj pa rezerva ndaj optikës Rugova. Politikisht i dobësuar nga grindja me Bukoshin – padroni i egzekutivit kosovar dhe rojtari i « thesarit të qeverisë », udhëheqësi suprem i LDK u izolua gjithnjë e më tepër. Dinamika e ngjarjeve filloi të tejkalonte veprimin politik ndërkohë që ai u detyrua të pranonte largimin e një pjese të shokëve të tij të udhës, të cilët denonconin hegjemoninë dhe monolitizmin e Lidhjes. Mes atyre që u larguan, kryetari i partisë Parlamentare të Kosovës (PPK), radikali Adem Demaçi (9) – Mandela i Kosovës - ishte nga të parët që mbështeste tezën e një përplasjeje direkte dhe të armatosur me pushtetin qëndror. Ideja e braktisjes së rezistencës pasive bëri udhë dhe u adoptua nga përfaqsuesit e Lëvizjes Studentore dhe së fundi nga vetë Rexhep Qosja, përfaqsuesi i Lëvizjes Demokratike të Bashkuar. Këto forca të reja në rrafshin e ideve që përçonin, megjithse mbeteshin minoritare nga pikpamja numerike, bënë që LDK të mbetej në hullinë e pakënaqsisë popullore, të manifestimeve studentore dhe veçanërisht të aksioneve të armatosura kundër serbëve (10), të kryera nga një misterioze « Ushtri Çlirimtare e Kosovës ».
. Përfundimisht, ngjarjet e dhunshme të pranverës të vitit 1997 në Shqipërinë fqinje i shkëputën Rugovës miqësinë e çmuar të Presidentit Berisha, një nga mbështetjet e tij më të sigurta. Humbja personale e pësuar nga Presidenti shqiptar si dhe disfata politike e lëvizjes së tij demokratike minuan pozitat e lëkundura të Presidentit kosovar, ndërkohë që shpërthimi i zemërimit popullor dhe plaçkitja e kazermave të ushtrisë popullore shqiptare vuri në « treg » një sasi të pallogaritshme armësh të të gjitha kalibrave – të vlerësuara nga vëzhguesit mes 750.000 dhe 1.000.000 copë – një pjesë e mirë e të cilave morri rrugën e Kosovës. Ekipi i ri qeveritar socialist i Tiranës shprehu menjëherë qëllimet e veta për të ndjekur një politikë ballkanike të ndryshme në krahasim me atë të pararendësve të tij, prologu më domethënës i të cilës ishte takimi «i përzemërt » mes Nanos dhe Millosheviçit në Kretë në nëntor të vitit 1997, në prapaskenat e Konferencës të kryetarëve të vendeve ballkanike.
.
. ----------------------
.
.
. (1) Dušan T. BATAKOVIĆ - Yougoslavie : nations, religions, idéologies. Éditions L’Age d’Homme, Lausanne, Suisse, 1994.
.
. (2) Dusan T. BATAKOVIC -- Kosovo à l’époque titiste : entre nationalisme et communisme - Kosovo, Les Annales de l’Autre Islam, nº 7, INALCO – ERISM, Paris, 2000.
.
. (3) Dušan T. BATAKOVIĆ– Kosovo Chronicles. Ed Plato, Beograd 1992.
.
. (4) Në gusht 1991, 430 profesorë shqiptarë të këtij Universiteti u pushuan nga puna. Muajin në vijim, i erdhi rradha 6.000 mësuesve të të gjitha niveleve që të braktisnin vendet e tyre të punës si pasojë e refuzimit të tyre për të aplikuar programet shkollore të përgatitura nga Beogradi. 350.000 fëmijë mbetën në këtë menyrë në rrugë, të përjashtuar faktikisht nga sistemi i arsimit publik, tashmë i zhvilluar vetëm në gjyhën serbo-kroate. Shih : Pierre CABANES, Bruno CABANES – Passions Albanaises, de Berisha au Kosovo, Ed. Odile Jacob, Paris 1999.
.
. (5) Disa zëra serbe, që vijnë nga kampi i disidencës demokratike, mbështesin idenë se Millosheviçi i kish duart e lidhura në Kosovë për shkak të presionit amerikan. Gjithmonë sipas tyre, në vigjilje të Krishtlindjeve 1992, Shtëpia e Bardhë kish dërguar një telegram « tepër të thatë » udhëheqësit serb, duke e paralajmëruar mbi faktin se Shtatat e Bashkuara ishin gati të përdornin forcën në qoftë se një konflikt do të shpërthente në Kosovë me iniciativën e serbëve. Shih : Stanko CEROVIC – Dans les griffes des humanistes, Éd. Climats, Castelnau-le-Lez, 2001.
.
. (6) Megjithatë, Rugova kish avancuar tre « propozime » lidhur me të ardhmen afatmesme të shqiptarëve në ish-Jugosllavi : 1) në rast të mos ndryshimit të kufijve mes Republikave të ish-Jugosllavisë : një Kosovë të pavarur, sigurinë për shqiptarët e Maqedonisë që të njiheshin si komb konstruktiv dhe për shqiptarët e Malit të Zi dhe të Serbisë së jugut, një vetëadministrim. 2) në qoftë se këto kufij do të ndryshonin : krijim i një republike që do të gruponte të gjithë shqiptarët e ish-Jugosllavisë. 3) në qoftë se kufijtë ndërkombëtarë do të ndryshonin : një bashkim me Shqipërinë. Shih : Ibrahim RUGOVA - ibidem.
.
. (7) Frank MUENZEL - What Does Public International Law Have to Say About Kosovar Independence? University of Goettingen Law Faculty, Max-Plank-Institut fur Auslandisches und Internationales Privatrecht, Hamburg, September, 1998.
.
. (8) Që në vitin 1995, ideja e një konflikti ushtarak në Kosovë kish filluar të përpunohej në shpirtin e evropianëve. Kështu, përgjegjësit e UNHCR në Shqipëri punonin mbi hipotezën e një vale rrefugjetësh me origjinë nga Kosova, duke parashikur në këtë rast një kapacitet pritjeje prej 40.000 vetësh. E megjithatë, në këtë kohë askush nuk ish në gjendje të parashikonte lindjen e një lëvizjeje çlirimtare në vend. Shih : Michel ROUX - -Le calme trompeur du Kosovo, Dans : Jacques RUPNIK (sous la dir.) – Les Balkans, paysage après la bataille, Éditions Complexe, Paris 1996.
.
. (9) Pak njerëz kujtohen se shkrimtari Adem Demaçi ka qenë një nga të burgosurit e opinionit nga më të vuajturit në botë – 29 vjet në burgjet e Titos dhe të pasardhësve të tij, pra një vit më tepër se vetë Mandela – dhe ende më pak kujtohen se ai ishte laureat i çmimit Sakarov, i dhënë në vitin 1991 nga Këshilli i Evropës. Në vitin 1998, laureat i po këtij çmimi ishte miku i tij Rugova.
.
. (10) Mes prillit 1993 dhe nëntorit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) morri mbi vehte përgjegjêsinë – me faks, dhe nga kjo gjë rrodhi dhe emërtimi organizata faks – më se 30 sulme të armatosura kundër objektivave ushtarake dhe civile në Kosovë, gjatë të cilave gjetën vdekjen nja 20 serbë dhe po aq shqiptarë, të egzekutuar për bashkëpunim me armikun. Çfaqja e tyre e parë publike u bë në 28 nëntor 1997 : të maskuar, të armatosur dhe me uniforma, ata morrën pjesë në funeralin e një të riu, pranë Prishtinës, në mes të një turme prej 20.000 vetësh.

La suite.. - Vazhdimi...

jeudi 21 février 2008

Kosovë mon amour (3) - Nën peshën e Mitologjisë nacionaliste.

. (Pjesa e tretë e serisë prej tetë shkrimesh mbi Kosovën)
.
.
.
. Vlimi i popullatës serbe të Kosovës detyroi hyrjen në skenë të përgjegjësve më të lartë serbë të Lidhjes Komuniste (1). Megjithatë, duke ju druajur grackës nacionaliste, Ivan Stamboliçi, padroni i vjetër i komunistëve serbë, tashmë President i Republikës socialiste të Serbisë, dërgoi në vend zëvendësin e tij të ri Sllobodan Millosheviçin, një aparatçik pothuaj të panjohur në këtë periudhë. Asnjeri nuk ish në gjendje të merrte me mend pasojat e këtij akti, bile edhe Stamboliçi vetë injoronte shtrirjen e gjestit të tij. Dashur padashur, ai kish relancuar karrierën e jashtëzakonshme të zotit të ardhshëm të Beogradit, duke varrosur me këtë rast të vetën. Fjalimi i improvizuar i Millosheviçit në Fushë Kosovë, në 24 prill të vitit 1987, mbi mbrojtjen e të drejtave të shenjta të serbëve u shëndrrua në një program politik dhe populli serb, pasi e kish dëgjuar dhe stërdëgjuar nëpërmjet valëve herciane, përfundimisht ndjeu që përpara tij gjendej i vetmi njeri me përmasa kombëtare i aftë për t’a mbrojtur. Një vit më vonë, në dhjetor 1987, Stamboliçi zhdukej nga skena dhe Millosheviçi forconte bazën e tij personale si njeriu më i fuqishëm i Lidhjes së Komunistëve.
.
. Ndërkohë që çështja e Kosovës shëndrrohej në temën kryesore të Pleniumit të IXtë të LKJ, mediat përfitonin nga rasti dhe i kushtonin kësaj ngjarjeje titujt e tyre më të dukshëm. Qerthulli djallëzor ishte vënë në lëvizje : instancat më të larta të partisë dhe të pushtetit kishin marrë çështjen e Kosovës në duart e tyre. Kjo çështje si dhe mënyra me të cilën do të trajtohej do të galvanizonte unitetin e shkundur të komunistëve në dëm të rrymave reformiste që e minonin prej kohësh. Në këtë mënyrë do të krijohej një aleancë e papritur mes ndjenjës nacionaliste, ndërgjegjes shoqërore dhe militantizmit luftarak, pasojat e të cilës do t’i ndrronin faqen situatës kosovare. Kjo gjë i përgjigjej më së miri ndjenjës së përgjithshme të poshtërimit që ndihej mes opinionit publik serb ndaj çështjes kombëtare, humbjes së toruas të shtresave të gjera puntore përsa i përket një politike ekonomike katastrofike (2) që mbretëronte në vend dhe së fundi apatisë së thellë të masës së komunistëve, e shgënjyer nga qëndrimet e çthurura dhe anarkiste që gërryenin aparatin e partisë. Të tërhequra nga fjala e Millosheviçit që premtonte rivendosjen e rendit dhe të madhështisë të popullit serb, populli i tërë nuk donte të kqyrte përzierjen e çeshiteve aq bukur të sajuar, ai dëshironte të jetonte dhe të shihte drejpërdrejt rimëkëmbjen dhe ringjalljen e kombit.
.
. Një nga hapat e para të Millosheviçit drejt rivendosjes të rendit të tronditur ishte homogjenizimi i mendimit politik në hapësirën « gjithëserbe », nëpërmjet imponimit të koncepteve të tij të ringjalljes kombëtare. Metoda e përdorur ishte sulmi kundër instancave drejtuese të tërësive territoriale fqinje. Duke respektuar një skenar tashmë të sprovuar, nëpërmjet manifestimeve publike masive, elementët serbo-malazezë kërkonin me insistim aprovimin nga ana e drejtuesve lokalë të kërkesave të tyre lidhur me Kosovën sikundër dhe ndryshime të natyrës kushtetutore që shkonin në drejtimin e bashkimit gjithëserb. Përballë reksionit legjitim të të zgjedhurve lokalë, Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve për Serbinë hynte në valle për të kërkuar diferencimin (lexo : përjashtimin) e kuadrove partiakë që « kërkonin të ndërprisnin procesin e demokratizimit në Serbi ». Në këtë mënyrë, në tetor 1988 u arrit largimi i gjithë ekipi drejtues i Vojvodinës ndërkohë që diferencimi bënte kërdinë në rradhët e Komitetit krahinor të Kosovës. . Kësaj rradhe në shënjestër u vu Azem Vllasi, i zëvendësuar nga kryepolici kosovar Rrahman Morina. Reaksioni i popullsisë shqiptare qe i menjëhershëm dhe në 18 tetor, nën impulsin e minatorëve të Trepçës, rreth 100.000 shqiptarë manifestuan në rrugët e Prishtinës. Që të nesërmen, ju erdhi rradha serbëve të Beogradit të dilnin në rrugë : më tepër se 350.000 vetë brohoritën Millosheviçin i cili ju rikujtonte vendin që zinte Kosova në zemrat serbe. Tashmë ora e Kosovës kishte trokitur. Ndërkohë, të gjithë të zgjedhurit krahinorë të Malit të Zi jepnin dorëheqjen përballë manifestimeve gjigande në rrugët e Titogradit. Nga ky moment, asgjë s’mund të pengonte pushtetin legjislativ serb të kërkonte ndryshime thelbësore të Kushtetutës jugosllave të vitit 1974 me qëllim që të riparoheshin « gabimet historike » në dëm të kombit. Realizimi i kësaj ëndrre të vjetër do të realizohet jo më vonë se 23 shkurti i vitit 1989, gjë e cila shkaktoi një valë të re protestash të fuqishme si dhe grevash në Kosovë si edhe një kundër-manifestim gjigand në rrugët e Beogradit. Ndërkohë, ushtria dhe forcat e policisë ndërhynë në mënyrë masive në krahinë dhe pushteti qëndror vendosi gjendjen e jashtëzakonshme. Me mijra vetë u arrestuan nën akuzën e pjesëmarrjes në manifestime antikushtetuese.
. Në 23 mars, i rrethuar nga tanket dhe forcat e armatosura, Kuvendi Krahinor u detyrua të mblidhej në një sesion të jashtëzakonshëm për të votuar dhe aprovuar një seri ndryshimesh kushtetuese të cilat do të shërbenin si bazë e mëtejshme për një Kushtetutë të re serbe. Kësaj rradhe, manifestimet në rrugët e Prishtinës u shëndrruan në përleshje me forcat e armatosura dhe ato të policisë dhe pushteti dekretoi ndalim-qarkullimin (3). Pesë ditë më vonë në Beograd, Asambleja Popullore serbe - edhe ajo e mbledhur në një sesion të jashtëzakonshëm - aprovoi këto ndryshime kushtetuese. Epoka Tito kish përfunduar një herë e mirë dhe bashkë me të, Kosova kish humbur përfundimisht autonominë e vet politike ndërkohë që Federata jugosllave jetonte çastet e saj të fundit (4).
.
. Pasi kish mundur të sigurojë përkrahjen e kishës ortodokse serbe, në 28 qershor 1989, Sllobodan Millosheviçi organizoi një manifestim mbresëlënës të pakicës serbe dhe malazeze në rrugët e Prishtinës për të festuar 600 vjetorin e betejës historike të Fushës së Mëllënjave (Fushë Kosovës). Ky tubim i më se një million serbësh dhe malazezësh të ardhur enkas nga i gjithë vendi shënon edhe momentin kulminant të lëvizjes nacionaliste kundër « sfidës shqiptare » që në të vërtetë merr formën e saj përfundimtare në qershor të vitit 1990, me hyrjen në fuqi të një varg dekret-ligjesh. Kjo përçapje e fundit varroste një herë e mirë autonominë e Kosovës, e cila vihej nën pushtetin e një Ligji të ri të ashtuquajtur të përkohshëm mbi « aktivitetin e organeve të Republikës në kushtet e jashtëzakonshme ». Kjo politikë, e adoptuar pa ja vënë veshin paralajmërimeve të rrepta të Kroacisë dhe të Sllovenisë, prodhoi një reaksion të menjëhershëm : pakënaqsia e popullsisë shqiptare shpërtheu në manifestime dhe protesta të dhunshme, të shtypura me rreptësi tejet të madhe nga ana e policisë dhe e ushtrisë serbe (5) – një fakt i panjohur deri atëhere. Me qindra aktivistë shqiptarë u arrestuan, u ndalua botimi i gazetës « Rilindja » në gjuhën shqipe, gjuha serbo-kroate zëvendësoi tashmë atë shqipe dhe u shëndrrua në një lëndë të detyrueshme në gjithë sistemin e arsimit tetëvjeçar dhe të mesëm. Ndërkohë që trupi pedagogjik ishte pushuar nga puna dhe nxënësit shqiptarë braktisnin mësimin, një numër i madh shkollash u detyrua të mbyllin dyert. Një gjueti e vërtetë ndaj kuadrove me origjinë shqiptare u organizua në administratën lokale, në stacionet e radios dhe të televizionit lokal, në mjediset arsimore dhe universitare, bile edhe në ndërmarrjet publike dhe në mjedisin spitalor.
. Përtej metodës së përdorur dhe mënyrave të zbatimit të direktivave, rimarrja në dorë e Kosovës përputhej me ambicien gjithmonë të gjithëgjendur në mendimin dhe shpirtin e drejtuesve serbë për të cilët politika federative e Titos s’ish gjë tjetër veçse shprehje e dëshirës së tij prej kroati për të dobësuar dhe më tej, për të coptuar Serbinë. Meqënëse vdekja natyrore e Titos e kish fshirë këtë rrezik, ata u nxituan t’i riktheheshin të gjitha arritjeve kushtetuese dhe politike të periudhës së Mareshallit dhe të kryenin atë hapin e madh aq të dëshiruar të shkrirjes së krahinës me vendin amë. Me këtë rast, ata zbuluan edhe shëndrrimin e pabesueshëm dhe të frikshëm të raporteve etnike në favor të shqiptarëve (6) : ndërkohë që ata përbënin 77% të popullsisë së Kosovës në vitin 1981, dhjetë vjet më vonë ky raport kish arritur në 88%.
.
. Zbulimi i faktit që shqiptarët përbënin shumicën, à priori nuk duhet të habiste kërkënd. Rregjistrimi i popullsisë i vitit 1948, i pari i organizuar në Jugosllavinë titiste, kish nënvizuar faktin që ata përfaqsonin 68,5% të popullsisë të krahinës. Bile edhe në atë vitin e largët 1921, që i përkiste tashmë epokës së Karagjorgjeviçëve, shqiptarët përbënin 65,8% (7). Për të patur shansin dhe gjetur një shumicë serbe në Kosovë – në qoftë se ajo ka egzistuar ndonjë herë – dhe si pasojë një pakicë shqiptare, duhej bërë një zhytje e vërtetë në thellësinë e kohrave të pushtimit otoman. Në këtë rast, detyra bëhet gjithmonë e më e vështirë sikundër dhe suksesi gjithmonë e më i diskutueshëm pasi asnjë rregjistrim popullsie i kryer nga autoritetet e Perandorisë otomane nuk mund të sjellë elementë të saktë mbi një territor kaq të kufizuar. Nuk duhet harrruar gjithashtu se statistikat e mbajtura prej otomanëve jepnin të dhëna lidhur me miletet – bashkësitë fetare, dhe jo mbi kombësitë e shtetasve të perandorisë. Atëhere mbetet vetëm që të kryhen spekullime – një detyrë e vërtetë prej historiani – të cilat mbështeten mbi vërejtjet e njerëzve të kishës, mbi kujtimet e udhëtarëve të ndryshëm, mbi raportet rastësore të diplomatëve si dhe kronikat e vjetra të historianëve të tjerë. Që të gjithë pa përjashtim kanë vërejtur prezencën e myslimanëve – shqiptarë, turq si dhe të tjerë sllavë, të ortodoksëve – serbë ose të quajtur si të tillë, dhe së fundi të katolikëve – shqiptarë, pa mundur sidoqoftë të sjellin as rezultate të prekshme as edhe përfundime bindëse.
. Megjithatë, mbetet edhe një mundësi tjetër për të arritur në rezultatet aq të dëshiruara. Duke u nisur nga një shenjë kohore fikse – për shembull beteja e Fushës së Mëllenjave (në vitin 1389), ky monument i mitologjisë që na rikujton momentin kulminant të lavdisë mesjetare serbe dhe me këtë rast, mbizotërimin logjik të fuqisë sllave mbi atë qendrën shpirtërore të kombit (lexo : Kosovë dhe Rrafshi i Dukagjinit), historiani fqinjë mundohet të argumentojë pakësimin e vazhdueshëm, largimin e popullsisë që sikundër zbatica i ikën brigjeve drejt thellësisë. Duke luajtur me anë të instrumentit të tij magjepës, mjeshtri historian na ofron një suitë për të mos thënë një simfoni, kohët e të cilës përvijojnë atë fat tragjik të Kosovës serbe. Pa asnjë lëshim, qoftë në parime qoftë dhe në detaje. Në këtë mënyrë përjetojmë luftën e shifrave.
.
. Ja edhe vështrimi i një historiani bashkëkohës serb mbi lashtësinë e afërt të Kosovës, të cilin ai e quan tempo e Lartësimit :
.
. Gjatë mesjetës, kësaj periudhe të vulosur nga qytetërimi i ndritur i Nemanjiçëve, Kosova ishte në mënyrë mbizotëruese një tokë sllave e banuar nga Serbët – bukrobër, zotërit e të cilëve ishin fisnikët vendas. Kosova, qendra e shtetit serb, strehonte njëkohësisht edhe kryeqendrën e fisnikëve serbë sikundër dhe gjykatat mbretërore. Metohia (Rrafshi i Dukagjinit) gjithashtu, kryeqendra e Kryepeshkopatës serbe e cila më vonë u shëndrrua në Patriarkat, ishte e mbuluar nga një rrjet i dendur manastiresh dhe kishash. Pjesa më e madhe e fshatrave të Metohisë me një popullsi mjaft të dendur ishte në zotërim të manastireve të mëdha, shpesh të dhuruara nga ana e fisnikëve, ose ishin në zotërim të bashkësive të famshme manastike të Malit Atos. Shqiptarët, të cilët janë quajtur gjithmonë Arbanashi nga ana e Serbëve ishin barinj, një popull nomad i cili pa ndonjë pangesë merrej me rritjen e kafshëve të tij në ato malet e errta që ndajnë Kosovën nga Shqipëria. (8)
.
. Ky është edhe kuadri idilik i Kosovë-Metohisë mesjetare, një shoqëri feudale ku jetojnë në harmoni të plotë fisnikë dhe bujkrobër, Mbretër dhe Patriarkë – natyrisht serbë - në mes të një bollëku manastiresh dhe kishash. Edhe pse çfaqen aty këtu disa pak barinj shqiptarë, këta kafshërritës nomadë, përshtypja diçka e pakëndëshme fshihet me një të rënë lapsi nga një tjetër historian-akademik, i cili krejt natyrshëm pohon se :
.
. Rajoni i Kosovës dhe i Metohisë ka qënë banuar qysh prej kohëve të Mesjetës së Hershme nga një popullatë homogjene serbe. Shtetet e para serbe të shekujve të Xtë dhe të XItë shtriheshin mbi tokën e Kosovës. Gjatë sundimit bizantin dhe deri në përfshirjen e tyre të plotë në Shtetin e Nemanjiçëve në fundin e shekullit të XIItë dhe atë të XIIItë, Kosova ishte, nga pikpamja etnike, një tokë serbe ku kish filluar ndërkohë një proces i integrimit politik. Kjo gjë vërtetohet nga dokumentat historike (kodet e sunduesve serbë), dhe në mënyrë të veçantë nga një studim i antronimeve (mbiemrave të familjeve) sikundër dhe të toponomeve origjinale (emrat e vendeve), që në rastin e Kosovës dhe të Metohisë janë kryesisht të origjinës sllave. Grupe nomade të barinjve shqiptarë, kryesisht të besimit katolik roman, ishin një përbërëse e neglizhueshme prej vetëm 2% të popullsisë të përgjithshme dhe ishin përqëndruar në pjesën malore perëndimore, në kufirin e sotëm jugosllavo-shqiptar. Një numër i vogël shqiptarësh ushtronte mjeshtëritë e zejtarit, të minatorit ose të tregëtarit në qytetet e zonës (9).
.
. Cila pra është origjina "etnike" e banorëve të Kosovës në shekullin e XIIItë ? Në mungesë të plotë të të dhënave – qoftë për hir të debatit kontradiktor - le t'i japim krahë imagjinatës dhe të pranojmë për disa çaste si të mirëqenë faktin që në këtë fundshekulli të XIIItë, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit ishin një tokë e banuar nga serbët në 98% të saj. Në këtë mënyrë, të paktën, do të mund të ndjekim fillin e mendimit të historiano-gjeografëve të Beogradit - për të analizuar kontradiktën që qëndron në themel të arsyetimit të tyre.
. Në këtë moment të caktuar të historisë ballkanike, ku merr zanafillën edhe debati ynë, e gjithë popullsia autoktone e kësaj zone të brendshme të Ballkanit ishte e pagëzuar dhe e kunguar që në lindje në fenë e Krishtit. Që prej disa dhjetëvjeçarësh, ortodoksia sllavo-bizantine ishte emancipuar dhe kish krijuar kryeqendrën e saj të re në Pec (Pejë). Përveç ortodoksëve, vetmit antagonistë nga pikpamja teologjike ishin katolikët romanë si dhe heretikët bogomilë. Në këtë mënyrë, në qoftë se përdorim identitetet e mëposhtme : ortodoksë = serbë, katolikë = shqiptarë, bogomilë = të dashurit e Perëndisë = të denjë për t'u shfarosur, biem në skemën e mësipërme, të përshkruar me aq detaje.
.
. Megjithatë, asnjeri nuk na pengon të ngreme një varg dyshimesh të natyrshme dhe të shtrojmë pyetje qoftë dhe instiktive :
. përse konsiderohet Kosova si djepi i « qytetërimit » të Nemanjave ndërkohë që një varg specialistësh të historisë së Mesjetës i vendosin këta të fundit diku mes Rashkës dhe Zetës – në veri të zonës ?
. Përse shqiptarët – arbër të Kosovës identifikohen me katolikët ndërkohë që dihet tashmë që disa hapa më tej, në territoret e Shqipërisë së sotme, pjesa më e madhe e tyre i përkiste ritit ortodoks bizantin ?
. Çfarë instrumenta matës kaq të përpiktë zotëronin murgjit e Kosovës që arrinin të kqyrin deri edhe njësinë e përqindjes të popullsisë – aq më tepër të besimit të ndryshëm ?
.
. S’na mbetet gjë tjetër veçse të admirojmë këtë kryevepër të mitologjisë, këtë tabllo të shquar të Nemanjave, të rrethuar nga murgj të devotë që i këndojnë psallme Perëndisë në ato mijra manastire dhe kisha, ndërkohë që bujkrobërit besnikë shëndrrojnë këtë tokë të bekuar të Kosovës në parajsë. Dhe, përpjekja e admirimit ja vlen barrën pasi ndodhemi në laboratorin e historisë, bash aty ku pamja shtanget për përjetësinë e mëpastajme, ku realja shëndrrohet në pavdekësi.
.
. Pasi fillimisht, koha në këtë çështjen e Kosovës është e burgosur në përmasat e saj metafizike. Në të vërtetë, bëhet fjalë për dy shekuj të shquar të Mesjetës (gjithë gjithë, shekujt e XIIItë dhe të XIVtë), lavdia e të cilëve mundohet të fshijë degradimin e një qytetërimi, dekadencën e një farë ideje të Kombit. Përse të mos shkojmë prapa në kohë dhe të interesohemi për banorin e parë të krahinës : burrë apo grua ? ilir apo dardan ? ardhacakë sllavë apo të fundmit e mohikanëve iliro-romako-bizantinë ? bujq serbë apo barinj shqiptarë ?
. Në emër të cilës së « drejte » - përveç asaj të forcës – nomadët sllavë vijnë dhe ngulen në territoret e Ilirisë gjatë shekullit të VIItë ? Në emër të kujt « arsyeje » - përveç asaj të «Ligjit të numrit më të madh » - një pjesë e këtyre territoreve shëndrrohen në serbe ? Përse së fundi, e drejta e forcës dhe « Ligji i numrit më të madh » janë të « ligjshme » në një moment të caktuar dhe « të paligjshme » në një moment tjetër ? Kështu, veçse mund të bashkohemi me mendimin që shprehet se
.
. Çdo argumentim i natyrës « historike » shkon në kundërshtim me tezën « serbe » pasi Historia na mëson se Serbët, në lidhje me Kosovën, s’janë gjë tjetër veçse pushtues të ardhur me vonesë. (10)
.
. Në rradhë të dytë, vargu i ngjarjeve i kësaj çështjes së Kosovës shkruhet në një logjikë fataliteti, pasi gjithçka fillon mbas disfatës monumentale të Kosovo Poljes. Megjithatë, epoka e Fushës së Mëllënjave u ndoq nga rezistenca kundër turqve – ndërkohë që tenorët më të shquar serbë janë Stefan Lazareviçi dhe Gjergj Brankoviçi – dhe përfundoi me nënshtrimin. Historiani-kompozitor e quan tempo e Derteve, e një dominimi otoman që mes të tjerash solli edhe Islamin në këtë qoshe të Ballkanit. Por, jo cilido pranoi të braktiste fenë e tij të parë të krishtere për t’u shëndrruar në mysliman : nëqoftë se shqiptarët pranuan në fund të fundit, të shëndrrohen në adeptë të rinj të Profetit Muhamet, serbët qëndruan përgjithmonë shërbëtorë të përunjur të djalit të Perëndisë, Jezus. Pikërisht në këtë moment, rendi fillon dhe trazohet pasi, sikundër dhe në Shqipërinë fqinje, Kosova shëndrrohet gradualisht por në mënyrë të pakthyeshme në myslimane. Si shpjegohet që kjo tokë e shenjtë e krishterë – Jeruzalemi i serbëve – e cila strehon mbi 1.500 manastire, kisha dhe të tjera objekte kulti shëndrrohet në tokë myslimane ? Po qe se ju besojmë historianëve serbë, përgjigja është tejet e qartë : pa diskutim, si pasojë e këmbënguljes inatçore të otomanëve që filluan të thyejnë dhe të prishin gjithçka, të paturpësisë të « atyre shqiptarëve hajdutë që zbritën nga malet e tyre për të plaçkitur », të mungesës së skrupujve të atyre « barinjve të tjerë shqiptarë » që u sulën dhe pushtuan tokat e braktisura nga fatkeqët serbë aq të devotë. Me fjalë të tjera, ishin pra shqiptarët e ardhur prej diku gjetkë që u bënë vektor i përçimit të fesë myslimane.
. Përse Islami zgjodhi pikërisht Kosovën – këtë qoshe të humbur diku në mes të Ballkanit – për të eksperimentuar eksportimin e vet nëpërmjet popullatave të treta dhe nuk veproi në të njejtën mënyrë dhe në rajone të tjera ballkanike, ndoshta edhe më të pajisura me thesare, me toka ose me monumente të tjera të ndritura ? A nuk është më racionale dhe logjike të mendohet se islamizimi u realizua mbi popullata autoktone, sikundër gjithandej në gadishullin Ballkanik ? Kësaj radhe, pyetja mbetet pa marrë përgjigje…
. Fundja, kur paska ndodhur kjo kataklizmë në tokat e Kosovës ?
.
. Invazioni turk vuri në lëvizje masa të tëra etnike në Ballkan dhe shkaktoi kryengritje që shpesh përfunduan tragjikisht. Magjithë faktin që Kosova gjithashtu u përfshi në këto ngjarje, migrimet e para të Serbëve në shekullin e XVtë jo vetëm nuk mundën të prekin në një shkallë të konsiderueshme tokat e këtij rajoni por edhe nuk shkaktuan ndonjë rendje drejt tyre të barinjve shqiptarë nga malet e tyre të Nëmura. Në shekullin e XVItë, rregjistrimet zyrtare turke venë në dukje në vazhdimësi se të Krishterët përbëjnë shumicën dërrmuese ndaj Myslimanëve (turqve dhe shqiptarëve të kthyer në myslimanë). Së bashku me pakicat e tjera të krishtera, të cilat kishin mundur të mbijetonin si rezidentë qytetës ose si barinj (grekë dhe vlleh ortodoksë si edhe shqiptarë katolikë) Serbët përbënin 97% të të gjithë popullsisë (11).
.
. Si ndodhi atëhere që në fund të po këtij shekulli (të XVItë) dhe në vazhdim, pjesa më e madhe e popullsisë të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit infektohet nga virusi i ndrrimit të fesë – gjithmonë sipas të njejtave rregjistra turk ? Historianët serbë (12) do të thonë se shkaku ishin ata barinjtë e famshëm të zbritur nga ato malet e tyre të nëmura, të pajisur « me kapacitete të pabesueshme riprodhuese (sic!) » të cilët, pasi kishin pushtuar tokat e fshatarëve serbë dhe mbushur qytetet e krahinës – pasi qytetet ishin të parat që u islamizuan – ju vunë punës për të islamizuar atë çka mbetej prej serbëve. Ç’janë këta barinj dhe nga cilat male paskan zbritur ? – ngrenë pyetjen historianët e përtej kufirit (13), të cilët nënvizojnë se gjithmonë sipas të famshmëve rregjistra otomanë të epokës, rajonet malore të sanxhakut të Dukagjinit (Iballa, Spasi, Fandi i Madh, Fandi i Vogël et Puka) si edhe rajonet e sanxhakut të Shkodrës (Pulti et Kelmendi) totalizonin 2.014 shtëpi ose hane, një hiçkël përballë rajoneve të Kosovës dhe të Metohisë që së bashku totalizonin 28.000 shtëpi.
.
. Përfundimisht, duket të presim ofensivën austriake e cila preku thellësitë e Ballkanit gjatë shekullit të XVIItë – më saktësisht në vitin 1690 - për të asistuar në egzodin e vërtetë të serbëve, nën frikën e reprezaljeve otomane. Tashmë jemi në tempon e Migracioneve.
. Nën peshën e kryqit, Patriarku Arsenije i IIItë udhëhoqi d