"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura".
.
.. Filli kohor jep mundësinë të dallohet përballja e përjetshme me fqinjët grabitqarë, me fuqitë kontinentale dhe me perandoritë planetare ; të ndjehet pesha e pushteteve konkurruese dhe ideologjive dominuese. Kronologjia konfliktuale zbulon ndeshjen e pamëshirshme ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, dyzimin ndërmjet Krishtit dhe Muhametit, përzgjedhjen e vështirë ndërmjet Republikës dhe Monarkisë, përgjakjen ndërmjet komunizmit dhe nacionalizmit, përpëlitjen ndërmjet demokracisë dhe anarkisë, fërgëllimin ndërmjet socializmit dhe biznesit. Rregjistri shpirtëror dëshmon për luhatjen e vazhdueshme ndërmjet anonimatit dhe lavdisë, njëjtësimit dhe tjetërsimit, dashurisë dhe urrejtjes, kokëkrisjes dhe çmëndurisë, dhimbjes dhe shpresës. Alkimia e vendit furnizon së fundi edhe formulën e krijimit të përbërësve njerëzorë të Kombit : ilirë dhe arbër, Gegë dhe Toskë, fise luftarake të veriut dhe bashkësi zanatqare të jugut, bajraktarë kryelartë dhe bejlerë sipërmarrës, irredentistë kosovarë dhe çamë nostalgjikë, elita qytetëse turkofile dhe intelektualë frankofonë ose italofonë.

Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?
Affichage des messages blog dont le libellé est Teatri i absurdit. Afficher tous les messages blog
Affichage des messages blog dont le libellé est Teatri i absurdit. Afficher tous les messages blog

lundi 2 juin 2008

The « Postman » always rings twice.

. Le të zhgënjehen amatorët e flaktë të filmave hollivudianë.
. Pasi në këtë shkrim nuk bëhet fjalë aspak për filmin e Tay Garnett-it të vitit 1946 me Lana Turner dhe John Garfield, i cili solli në ekran romanin eponim të James M. Cain. Nuk bëhet gjithashtu fjalë për remake-n e tij aq të sukseshëm të vitit 1981 të Bob Rafelson-it, me të paharruarit Jack Nicholson dhe Jessica Lange. .
. Postuesit tanë të rradhës gjenden në redaksitë kulturore të gazetave të vendit, mes redaktorëve shterpë në ide vetiake që kthejnë së prapi gur e guriçkë të Cergës së Gjerë Botërore (cgjb – alias www), në kërkim të artikujve zbavitës për lexuesit e tyre të dashur. Duke gjykuar nga përmasat – dhe nga reaksionet e lexuesve, kjo maskaradë intelektuale që luhet në mjediset aq studiuese të gazetarisë lokale jep përshtypjen e një procesi krejt të zakonshëm – aq banal saqë thuaj nuk i bën më përshtypje askujt.
.
. * * *
.
. Të martën, në 27 maj, botova një shkrim në blogun tim (http://www.albanie-albanais.com/) me titullin « Letër e hapur plaçkitësve të « Shekullit ». Ndoshta me rrëmbim – por sigurisht i indinjuar – denoncoja kopjimin nga ana e një gazete të madhe të një përkthimi origjinal, botuar në një blog të vogël, të ndërhyrjes së shkrimtarit Fatos Kongoli me titull « Çarja gjeografike », të çfaqur në faqet elektronike të gazetës franceze « Le Monde ». . Në të vërtetë dhe përtej problemit personal të « autorësisë », ajo çka më shqetësonte thellësisht ishte pikërisht procesi i « anonimatizimit » të krijimit, të praktikuar dhe të kultivuar nga mediat e mëdha, të cilat mjaftohen me dy germa-iniciale në fund të tre-katër rreshtave komentesh rrethanore, për të absorbuar dhe më tej, servirur si të vetën, një krijim të dikujt tjetër. Edhe më keq, shkrimi paraqitet nën një titull të ri – që shlyen edhe kontaktin e fundit me origjinalin…
.
. A duhet të egzistojë një praktikë e tillë? Sigurisht jo, dhe aq më pak e përdorur nga peshat e rënda të shtypit, si puna e « Shekullit ». Pasi së pari, ligji mbi të drejtën e autorit dhe mbi pronësinë intelektuale e dënon shprehimisht një praktikë të tillë, pasi deontologjia e profesionit aq të nderuar të gazetarit nuk përmban idenë e plagjiaturës – dhe aq më pak atë të kopjimit, pasi vetë zanati i redaktorit kulturor ndërtohet mbi krijimtarinë vetjake dhe kontributin personal, pasi së fundi edhe mjetet financiare në dispozicion të një gazete të tillë janë të pakrahasueshme me ato të fletushkave të tjera që mund të justifikohen pikërisht me mungesën e tyre.. Çka pengon një gazetë si ajo e mësipërmja të kontaktojë këtë farë autori dhe t’i propozojë botimin në faqet e saj të atij shkrimi? Çka e pengon këtë gazetë edhe duke neglizhuar kontaktin e drejpërdrejtë me autorin e largët, të botojë këtë farë shkrimi dhe të përmendë si « kalimthi » referencat e origjinës? Mister i vërtetë, që vetëm ata gazetarë mund t’a shpjegojnë. Bile ndoshta edhe vetë gazetarët nuk janë në gjendje t’a shpjegojnë dhe ftoj lexuesit të gjykojnë faktet : .
. Përpara se të botoj atë shkrimin e zëmëruar, atë ja nisa Drejtorit të gazetës z. Thano, i cili m’u përgjigj thuaj menjëherë : .
. « ..ne blogun tuaj lexova letren qe fliste mbi kopjimin e nje perkthimi ne faqet tona te kultures. Per shkak se ndodhem larg Tiranes per nje kohe relativisht te gjate, i shkeputur thuajse totalisht nga pergjegjesite redaksionale te postit, ju lutem te kontaktoni me kryeredaktorin xxxxxx dhe redaktoren e kultures yyyyyyyy lidhur me pretendimin tuaj. Une nderkohe po ua percjell nje info baze. Perzemersisht… » .
. Edhe pa ditur përmbajtjen e asaj info-s bazë, mjafton fakti se Drejtori i gazetës sonë më përpara informohet nëpërmjet blogut në fjalë se sa nga mesazhet në kutinë e postës së tij private për të hipotekuar suksesin e ndërmarrjes. Me të vërtetë, disa orë më vonë, redaktorja e kulturës yyyyyyy më nis një mesazh, nëpërmjet të cilit ajo lan duart si Pons Pilati, pasi ajo shprehet : .
. « .. Mora sot e-mailin tuaj dhe nepermjet tij indinjaten tuaj. Duke qene se nuk kam qene ne Shqiperi gjate kohes qe eshte botuar shkrimi ne fjale nga kolegia ime A. M., eshte kjo e fundit qe do t'ju jape nje pergjigje sqaruese qysh sonte. Ju shpreh keqardhjet e mia ne rast se vertet ju kemi demtuar ». .
. Një minutë më vonë, është A.M. dora vetë që më shkruan tekstin e mëposhtëm : .
. « .. Quhem A. M., jam gazetare kulture prej 5 vjetesh, vetem tek gazeta "Shekulli". Ose nese preferoni me mire, jam "plaçkitesja" e perkthimit tuaj. Te them te verteten, nuk me ka ndodhur ndonjehere te ndodhem ne nje situate te tille, jo sepse hereve te tjera ia kam hedhur paq e askush nuk eshte ankuar, por sepse asnjehere nuk me eshte dashur te "plaçkis" punen e dikujt. Eshte e vertete qe shkrimin e z. Fatos Kongoli, te cilit i kam marre shume here intervista dhe e vleresoj shume, e kam gjetur te perkthyer, faqe, pas faqeje interneti. (Me vjen keq t'ju zhgenjej, por blogun tuaj nuk e njoh dhe nuk jam frekuentuese) Ashtu siç gjeta edhe versionin frengjisht ne faqet e "Le Mondit", bashke me informacionin per aktivitetin, apo fjalime te shkrimtareve te tjere. Sigurisht, une nuk jam ndonje "cipeplasur" te them qe shkrimin e kam perkthyer une, edhe pse mund ta kisha bere (perkthimin), por mund t'ju them sinqerisht qe emrin tuaj e lexova per here te pare tek e maili, qe me kishte ardhur sot. Nese perkthimi do te kishte nje emer, apo do te kisha nje adrese tuajen, sigurisht qe do t'ju kisha shkruar.(Deri me sot askush nuk ka mundur te me akuzoje per vjedhje, apo shtremberime fjalesh. Kjo eshte lehte e testueshme). Perveç 10 rradheve te hyrjes, ku kam shkruar inicialet e mija, nuk i kam marre meritat askujt. Dhe nese nxitova ta botoj ne gazeten "Shekulli", thjesht prej entuziazmit, qe nje shkrim i Kongolit eshte botuar tek "Le Monde". Gjithsesi ju kerkoj shume ndjese per kete situate. E kuptoj edhe mllefin tuaj, sepse e kam provuar kur shkrimet e mija jane marre pa dijenine time nga blogje e faqe te ndryshme interneti. Qellimi im nuk ishte t'ju merrja meritat. Duke shpresuar ne mirekuptimin tuaj, ju uroj gjithe te mirat! Sinqerisht A. M. » .
. M’u desh t’a lexoja dise herë këtë mesazh të A. M për të arritur të kuptoja diçka në të. Ja edhe dekriptimi që kam mundur t’i bëj : .
. Primo : është hera e parë që gazetares tonë i ndodh të « plaçkisë » pronësinë intelektuale të dikujt dhe të nëpërkëmbë të drejtën e autorit. Bile, përkundrazi, asaj i ka ndodhur të jetë herë pas here viktimë e procedurave të tilla (m’a merr mendja nga kolegë të tjerë gazetarë). Sa herë duhet përsëritur kjo procedurë në zanatin e gazetarisë, që përfundimisht ajo mund të quhet e pandershme ? . Secundo : Edhe në se e ka ndërmarrë këtë veprim, motivi kryesor i gazetares ka qenë admirimi pakufi dhe entuziazmi i paanë për shkrimtarin F. Kongoli, të cilin ka dashur t’jua sjellë sa më afër lexuesve të gazetës, në gjuhën e tyre të nënës. A mund të përdoret admirimi si alibi për të pohuar « nuk i kam marë meritat askujt », lidhur me një shkrim që haptazi, nuk i përket gazetarit ? . Tercio : çfarë ka bërë ajo në fund të fundit ? Një kërkim banal në internet (një punë e vërtetë krijuese prej gazetari kompetent) dhe - faqe pas faqeje, blog pas blogu – rasti e solli të bjerë në një përkthim anonim pa emër, pa adresë, pa asnjë referencë. Cili është koncepti i anonimatit të Web, ku çdo germë është shkruar nga një dorë njeriu, ku çdo faqe identifikohet nga një link, ku çdo adresë shoqërohet nga një numër IP? .
. Në këto kushte, cili mund t’a akuzojë se ajo i ka marrë meritat dikujt ? Kërkush, pasi kërkushi është emri tjetër i askushit. Aq më tepër që ajo na siguron se është në gjendje t’a përkthejë vetë shkrimin e Kongolit nga frëngjishtja, aq më tepër që ajo ka shkruar me dorën e saj ato dhjetë rreshtat e para shpjeguese të artikullit – pa llogaritur atë titullin fatkeq « Vepra fillon ku mbaron historia ». .
. Mosbesues nga natyra dhe racional nga përvoja, e vura vehten në rolin e A.M. dhe vendosa të bëj të njejtën gjë si ajo : kërkimin në internet gjethe pas gjethe, degë pas dege –për të shkuar tek rrënja - pasi, pse jo, dikush tjetër përpara saj mund të ish në origjinë të « plaçkitjes » dhe në këtë rast, gazetarja jonë kish plaçkitur plaçkitësin. Zbulova atë që mund të imagjinohet: të tjera faqe elektronike tê informacionit si puna e BesianaInfo ose LajmeInterneti e transmetonin shkrimin me referencat e "Shekullit", sikundër dhe të papriturën – o kryevepër e gazetarisë kulturore – një plaçkitje tjetër, paralele megjithëse disi të vonuar pasi i botuar në datën 30 maj. Simotra ose sivëllai i A.M, militon në rradhët e gazetës « 55 » dhe karakterizohet nga imagjinata fort e zhvilluar, pasi « shkrimi » i tij tashmë quhet : Çarja gjeografike ndihmoi letërsinë të mbijetonte nga ferri i diktaturës. .
. Befas, kuptova absurditetin e ndërmarrjes time : diku më parë i kërkoja « Shekullit » të bënte një apologji publike! Ndërkohë që përpiqesha ti jepja indinjatës së mësipërme një përmasë disi tragjike, tashmë ndodhesha përpara një farse! A duhet të vazhdoja dialogun me « Shekullin » apo të filloja një të ri me « 55 » ? Fundja fundit, a ja vlen të merresh me të tillë tillë postues ? Përballë një realiteti të tillë gazetaresk, vetvetiu del urimi i mëposhtëm :
.
. T'u çaftë kaptina o gazetari anonim i gazetës « 55 », se ndoshta kështu do të ndihmohet edhe krijimtaria të mbijetojë nga kllounlliqet e gazetave tuaja.

La suite.. - Vazhdimi...

mardi 27 mai 2008

Letër e hapur plaçkitësve të « Shekullit ».

E nderuara Gazetë « Shekulli », i nderuar zoti Drejtor Thano,
.
.
. Falë dashamirësve të vëmendshëm dhe vëzhgues të kujdesshëm të shtypit, zbulova se gazeta juaj në linjë e datës 26.05.2008, në rubrikën e saj Kulturë, kish botuar artikullin « Vepra fillon ku mbaron historia », kushtuar takimit letrar ndërkombëtar të Lionit (Francë), ku merr pjesë edhe shkrimtari Fatos Kongoli. .
. E lexova me shumë vëmendje, në mos për faktin se vepra e z. Kongoli ngjall admirim, për faktin tjetër se në datën 23.05.2008, po në atë ditë kur artikulli i shkrimtarit botohej nga faqja elektronike e gazetës « Le Monde » - natyrisht në frëngjisht – në blogun tim http://www.albanie-albanais.com/ botova përkthimin – natyrisht në shqip - të këtij shkrimi nën titullin : Fatos Kongoli dhe « çarja gjeografike ». .
. Edhe të mos duash të vëresh, mjaftonte vetëm një grimë e asaj vëmendje që përdora gjatë leximit për t’u bindur se përveç titullit – si edhe atyre pesë-gjashtë rreshtave të para shpjeguese të aktivitetit – i gjithë teksti i ndërhyrjes së shkrimtarit Kongoli, pra përkthimi i tekstit origjinal frëngjisht, ngjan si dy pika uji me tekstin e botuar në blogun tim. Bile në këtë rast, edhe shprehja « si dy pika uji » përbën një eufemizëm të lumtur pasi në të vërtetë, bëhet fjalë për një kopjim mekanik, një prerje – ngjitje në gjuhën e programeve të përpiunimit të teksteve. Mjafton të themi se trupi i tekstit të z. Kongoli, i botuar prej « Shekullit » tuaj përbëhet prej 6676 karakteresh, ndërkohë që ai i botuar prej meje përmban 6672 karaktere… Zor, se dy përkthyes të cilët i ndajnë disa qindra kilometra distancë, të mund të prodhojnë tekste të tilla identike dhe që më tepër të përdorin të njejtat shprehje aq karakteristike si : trysninë e ndrydhjes ndëretnike, e plot të tjera si puna e tyre. .
. Në se shprehja kopjim ju duket e papërshtatshme, ju propozoj një shprehje tjetër : vjedhje, dhe në se kjo e fundit plagos ndërgjegjen tuaj profesionale, le të rrimë tek shprehja plaçkitje. . Natyrisht, nuk dua të ve në dyshim as profesionalizmin tuaj as edhe atë të gazetës që ju drejtoni. Shumë, shumë, mund të mendoj se kjo gjë përbën një veprim të ngutur të ndonjë artikullshkruesi të pacipë si edhe një vemendje të pamjaftueshme të ndonjë redaktori të shkujdesur.. Megjithatë, është gazeta « Shekulli » që mbulon me hijen e saj këto përgjegjësi dhe prezanton përpara atyre dhjetra mijra lexuesve të saj të lumtur pasqyrën e ndershmërisë së bashkëpuntorëve të saj. .
. Sidoqoftë, nuk arrij të kuptoj se çfarë e pengon gazetën tuaj të kontaktojë një individ, një faqe interneti dhe t’i kërkojë këtij të fundit lejen për të botuar në faqet e saj, një artikull, në rastin tonë një përkthim, i cili sipas edukatës duhet të përmbajë edhe referencat e autorësisë.. Personalisht, do të ndjehesha i lumtur nga një kërkesë e tillë, e ardhur nga një gazetë e tillë si « Shekulli » dhe do t’a kisha dhënë lejen me gjithë dëshirë. Por, me sa duket, një praktikë e tillë e tejkalon me papërfillshmërinë e saj etikën profesionale të gazetës suaj që preferon të plaçkisë, dhe jo të kontaktojë, të mospërfillë dhe jo të citojë… Edhe në se kjo etikë diku është e mangët, të paktën duhet të kujtohemi se egzistojnë ligje që mbrojnë shprehimisht të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale! .
. Jam i ndërgjegjshëm se të tilla letra nuk janë aspak të këndëshme, si për të adresuarin edhe për shkruesin e saj, por ngushëllohem nga fakti se një e tillë letër ndoshta do të tërheqë vëmendjen qoftë edhe një grimë më tepër ndaj një shkrimtari si z. Kongoli, ndaj veprës së tij të admirueshme si edhe bashkëbisedimit të tij me lexuesit në linjë, që zhvillohet sot në orën 16. Ngushëllohem gjithashtu nga fakti se ata dhjetra mijra lexuesit e gazetës suaj – sikundër edhe ata dhjetra lexuesit e blogut tim – meritojnë plotësisht respekt dhe përkujdesje, transparencë dhe sinqeritet.
.
. Me shpresë se apologjia publike bën pjesë në atë panel vlerash që karakterizojnë stafin drejtues të gazetës suaj, ju lutem të pranoni e nderuar Gazetë dhe i nderuari z. Drejtor, shprehjen e përshëndetjeve të mia më të sinqerta.
.
. Gjergj XEXO (xexo.georg@gmail.com)
.
.
. P.S : Përkthyesve tuaj të talentuar ju rekomandoj të rishohin titullin e artikullit « Vepra fillon ku mbaron historia » pasi ky i fundit, në formën aktuale, shtrembëron idenë e vetë shkrimtarit që diku brenda tekstit, shprehet në frëngjisht: ".. l'œuvre littéraire commence là où finit l'histoire racontée", pra : vepra letrare fillon aty ku përfundon historia e treguar. Po qe se i lejojmë vehtes të fshijmë epitetin letrare dhe plotësin e treguar, vepra mund të fillojë bile edhe më përpara se sa të mbarojë historia – sikundër edhe ndershmëria që përfundon vetvetiu, pikërisht aty ku neglizhohet respekti.
Voici la suite - Ja edhe vazhdimi

La suite.. - Vazhdimi...

mardi 29 avril 2008

Vox Populi…

Herë herë, mjaftojnë dy javë për të përmbysur pejzazhin politik të një vendi, për të mohuar traditën që përjetësohet prej një gjysëm shekulli. Ndoshta për këtë shkak politikanët ngurrojnë aq gjatë të largohen nga skena politike. Edhe kur zgjedhjet i çojnë në ferr, edhe kur sondazhet i shpallin të humbur, ata shpresojnë të pamundurën, ëndërrojnë fitoren, i bëjnë thirrje Zotit – dhe në rradhë të parë popullit (për të mos thënë zgjedhësve). Dhe kanë të drejtë, pasi populli zotëron forcë të madhe por kujtesën e ka të shkurtër.
.
. Brenda këtyre dy javëve të fundit të bekuara, Italia mbarë ndërroi lëkurën. Në fillim ishte i paimitueshmi Silvio Berluskoni, Il Commendatore, industrialisti miliarder që i theu hundën kundërshtarit të tij intelektual Walter Veltroni, gazetarit kryebashkiak, në një duel kombëtar për të pushtuar Parlamentin dhe Senatin. MasMedia populiste kundër kulturës elitare, e djathta mozaik kundër të majtës shumënjgjyrëshe, il Popolo della liberta – liri si ajo e Lega Nord separatist kundër Partito Democratico – demokraci e ullirit dhe e karafilit, prakticizmi kundër angelizmit, Milano kundër Romës…
.
. Por ajo që mbushi kupën ishte fitorja e thuaj të panjohurit Gianni Alemmano, inxhinierit të vonuar ambjentalist, kundër të shquarit Françesko Rutelit, arqitektit demokrat të krishterë. Në qoftë se gjatë fushatës elektorale të Italisë, e majta humbi këmishën, gjatë betejës së re të Romës, centristët katolikë humbën brekët! Ksenofobia primare kundër vizionit mondialist, MSI neo-fashiste kundër Margeritës centriste, Bari kundër Romës…
.
. Drejt cilash horizonte të ndritur po shkon kështu Italia e mijëvjeçarit të tretë?
. Eshtë e vërtetë se italjanëve të thjeshtë ju ka ardhur në majë të hundës nga vjedhjet e Romëve, nga agresionet e Rumunëve, nga varavingot e Shqiptarëve, nga era e Afrikanëve, nga kinezëritë e Aziatikëve… është e vërtetë gjithashtu se një biftek i madh në pjatë dhe një gotë verë kianti përpara janë më ndjellëse se idetë shterpe të një të majte pa perspektivë, se qyfyret e Berluskonit janë më tërheqëse se sa debatet intelektualiste të Weltronit, se thirrjet e fuqishme të Alemmanos “Ne duhet të rikthehemi në zotër të shtëpisë tonë” janë më bindëse se sa zërat melodiozë që shpërndahen nga teatrot apo nga operat e inauguruara nga Ruteli…
.
. Fundja, fundit, a nuk është kjo një shprehje e demokracisë? Çdokush voton për atë që bind më tepër, që premton më tepër, që bën më tepër... Veçse e bëra në këtë rast ka pamjen e një fshese të madhe që do të pastrojë rrugët dhe sheshet e bukura të Romës dhe të Italisë mbarë nga ata klandestinë të paskrupullt dhe këmbëzbathur që hanë bukën e Italjanëve, që vijnë nga ana e anës për të plaçkitur dhe për të varfëruar këtë popull, sot të begatë. Roma për Romanët, Italia për Italjanët, Evropa për Evropianët. Pra, pasuria për të pasurit, sofra e shtruar për të nginjurit, mirëqënia për Botën e Parë - dhe në skajin tjetër, varfëria për të varfërit, mizerja për mizerablët, uria për Botën e Tretë! Ja edhe mësimi i madh i demokracisë alla italjançe.
.
. Fitorja e fundit e Alemmanos më jep edhe shkasin të kem një mendim për Kryeministrin shqiptar Berisha. Ky i fundit, menjëherë pas fitores së Berluskonit në zgjedhjet legjislative u nxitua t’i dërgojë fituesit mesazhin e tij përshëndetës, mes të cilit shkëlqente shprehja “një ngjarje e madhe për qendrën e djathtë në Itali, në Shqipëri dhe në të gjithë Evropën”.
. Mesazh plotësisht i moralshëm mes të djathtave qendërzuese evropiane, bile edhe ekonomikisht plotësisht i justifikuar po qe se kujtojmë se qarqet berluskoniane kishin shprehur dëshirën e ngritjes së një centrali bërthamor në Shqipërinë fqinje – një prej ëndrrave të njohura të Atomikut Berisha. Po tani, me rasti e zgjedhjes së ish-neo-fashistit Alemmano, cili do të jetë thelbi i mesazhit të ardhshëm të Kryetarit tonë ish-komunist ?
. Ndoshta, “ju presim në Durrës, në krye të kohortave neo-Musoliniane, si në 39’” ?
.
.
. * * *
.
. Duke kërkuar titullin e këtij shkrimi, mendja më shkoi tek shprehja aq e njohur latine : « Vox Populi.. » dhe ishte dora që refuzoi t’a plotësonte me vazhdimin“.. Vox Dei ». Pasi diku, më kujtohej se kisha parë edhe shprehjen tjetër , jo më pak të famshme « .. Populus Stupidus ».

La suite.. - Vazhdimi...

mardi 8 avril 2008

A jemi gati të vdesim për Afganistanin?

Asnjëherë s’më kishte shkuar mendja të ngrija një pyetje të tillë, megjithëse e dija se nja 150 ushtarakë shqiptarë gjenden ndërkohë në vendin e talibanëve - ndërkohë që rreth 120 të tjerë gjenden në Irak. E pra, pyetje të tilla tashmë mund të ngrihen me plot gojën pasi, së pari mund të krenohemi se bëjmë pjesë në NATO – dhe si pasojë, na takon të shkojmë aty ku na thërret detyra - dhe jo më dëshira e mirë, dhe së dyti, pasi Kryeministri z. Berisha njoftoi lajmin e gëzuar se kontingjenti shqiptar në Afganistan do të rritet me rreth 100 ushtarakë të tjerë, ndërkohë që një njësi do të shkojë në Darfur për të përforcuar forcën shumëkombëshe. Meqënëse ende të rrallë janë ata që e njohin mirë Sudanin – dhe Darfurin, ja përse zgjodha Afganistanin për t’a vënë në titull.
.
. Sidoqoftë, tashmë që hymë në NATO, "teorikisht" edhe zgjedhja e vendit ku mund të shkojmë për të vdekur është më e gjerë. Pasi nga ana tjetër, vetë logjika thotë që është më interesante të vdesësh për Italinë, për Francën, Gjermaninë ose Anglinë – pa përmendur Shtetet e Bashkuara ose Kanadanë që përbëjnë edhe must-in e zgjedhjes. Një këmbë më poshtë duhet të rradhiten kandidatët që shkojnë për të vdekur për Norvegjinë ose Islandën (s’besoj të jetë fort e këndshme të vdesësh në një të çarë akullnaje ose në një gejzer) si edhe ata që do të zgjedhin vendet balltike ose fundja, Poloninë. Së fundi, s’ma merr mendja që kandidatët të shtyhen për të vdekur për Bullgarinë ose Rumaninë – aq më tepër që gjyshërit e tyre kurbetqarë kanë lënë kockat në këto vende edhe përpara se NATO-ja jonë të shihte dritën e diellit. Ama, ata që shkojnë për të vdekur në Afganistan duhet të jenë jashtë kategorisë, pasi ky i uruar vend që prodhon veç hashish dhe opium s’bën pjesë as në NATO! .
.
. Me gjithë karakterin fisnik të gjestit, të vdesësh për NATO-n është njëra anë, por ama me kusht që të të ftojnë të vdesësh për vendet e mësipërme. Pasi si mund të vdesësh pa qenë i ftuar? Tani për tani në listë është veç Afganistani, Iraku – si edhe Darfuri, ndoshta nesër lista e vendeve që do të na e akordojë këtë nder mund të zgjatet. Ama, kush të garanton se Amerika ose Italia do të na e japë këtë të drejtë kaq legjitime?
. Imagjinoni kapterin shqiptar që i shkruan letër komandantit dhe i kërkon se është gati të vdesë për Italinë, sigurisht në kuadrin e NATO-s. Komandanti i togës ja përcjell kërkesën, të themi, komandantit të bataljonit i cili kontakton Komandën e brigadës. kjo e fundit njofton atë të divizionit, ajo e divizionit ja përcjell asaj rajonale dhe përfundimisht, kërkesa sublime mbrrin në Shtabin e përgjithshëm. M’a merr mendja, se edhe Shtabi nuk vendos vetë por kontakton Ministrinë. Dhe ja, letra e ushtarit tonë arrin në dorën e Ministrit. Ministri gjeneral-inxhinier sigurisht ja raporton atë Presidentit Komandant-i-Përgjithshëm veteriner që sipas protokollit duhet t’ja përcjellë Presidentit të Italisë. Nga ky moment, kërkesa aq e çmuar e ardhur nga Shqipëria aleate fillon edhe zbret shkallët e hierarqisë italjane për të mbrritur në hallkën e duhur – dhe në këtë rast, duke mos patur informacion të mjaftueshëm për shkallëzimet e ushtrisë italjane, le të themi se përfundimisht ajo arrin mbi tavolinën e zyrtarit që do te marrë vendimin. Si do t’i përgjigjet ai kësaj kërkese?
.
. M’a merr mendja se fillimisht, ai do të habitet dhe më pas do të mrekullohet. Ja një ushtarak shqiptar, i gatshëm të vdesë për Italinë në kuadrin e NATO-s. Por sidoqoftë, protokolli e kërkon të pyesë fillimisht : a ka ndonjë ushtarak italjan i gatshëm të vdesë për Shqipërinë? Jo për gjë, por të paktën të ruhet reciprociteti… Dhe pikërisht në këtë moment, çështja ndërlikohet. Imagjinoni vetë : në 3 prill, me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO, një farë Marcello FOA botoi një shkrim të titulluar « "Siamo pronti a morire per l’Albania? » i cili brenda tre-katër ditësh tërhoqi 130 reaksione. Reaksionet e shkruara nga shqiptarët (90% të numrit të përgjithshëm) shkonin në të njejtin drejtim me atë të kapterit tonë, ndërkohë që asnjë prej italjanëve që u përgjigj s’mori guximin të shkruante « jam gati të vdes për Shqipërinë ». Fort e çuditshme mes te tjerash, pasi baballarët dhe gjyshërit e tyre pra kishin vdekur në Shqipëri – ndoshta jo për Shqipërinë por për Duçen, sidoqoftë në Shqipëri… A jua merr mendja se përgjegjësi italjan i « të vdekurit në Itali » do t’i akordojë një përgjigje pozitive kërkesë së kapterit tonë trim? Personalisht, mendoj se jo.
.
. Ç’do të ndodhte vallë sikur ky kapter të kish patur idenë estravagante të vdiste për Luksemburgun? Cilin nga ata pesë ushtarët e tij do të kish dërguar Duka i Madh si shkëmbim të vdiste në Shqipëri? Ç’do të ndodhte vallë sikur, krahas kapterit thanatofil, të dilnin edhe nja një mijë ose dy mijë ushtarakë të tjerë, të gashëm të vdisnin sipas dëshirës kush në Kanada – bile në Toronto, kush në Belgjikë – mundësisht në Anderleht, pse jo pranë stadiumit të famshëm, i treti në Gjermani – Mynih dhe në krah të birrarisë gjigande, i katërti në Danimarkë - në Kopenhagë pranë statujës së Sirenës së vogël, i pesti në Hollandë diku pranë lopëve laramane ndërkohë që kolegu i tij preferon mullinjtë me erë… dhe i fundit në bregdetin kroat? Do të duhej një Ministri e re në Tiranë, ajo e NATOS, me drejtoritë përkatëse mes të cilave ajo «e « të vdekurit për NATO-n ». Ja pra, natyra e problemeve të reja që mund të krijohen!
.
. Le të tregohemi disi racionalë edhe në fusha të tilla metafizike si ajo e të vdekurit: tingëllon disi fallco të kërkosh të vdesësh qoftë edhe me dëshirë dhe me entuziazëm për dikë që është më i fuqishëm se sa ti. Pasi gjithkush mund të mendojë se në origjinë të kërkesës qëndron interesi material. Larg qoftë!
. Ja përse ndoshta edhe ai FOA italjani nuk e shtron pyetjen e tij "Siamo pronti a morire per l'America?" por gjen dikë të cfilitur si Shqipëria për të bërë debat.... Në nivelin tonë modest, na mbetet të kqyrim më poshtë se ne.. dhe me këtë rast të pyesim dhe të debatojmë lidhur me Afganistanin.
.
.
. * * *
.
. Sidoqoftë, tash për tash, kemi vetëm Afganistanin si shesh lufte dhe vdekjeje. Të shpresoj gjithsesi, se ushtarakët tanë nuk do të kenë idenë e rrezikshme të marrin me vehte kallashnikovët e tyre legjendarë pasi, larg qoftë, ja ju mbaruan fishekët.. Atëhere, ka shumë mundësi të bien në ato fishekët delijorgjianë të MEICO-s dhe nuk guxoj të imagjinoj hatanë.

La suite.. - Vazhdimi...

jeudi 27 mars 2008

Bir Kryetar i nënes....

. Dikur kanë qenë mësues, mjekë, metalurgë, ushtarakë, inxhinierë.. . . . Koha - dhe njerëzit - i bënë Kryetarë, Prijës, Presidentë... . . . Sidoqoftë në thellësi të shpirtit, ata kanë mbetur ashtu siç i ka bërë nëna e tyre : komikë. . . . . . George. W. Bush jr. - President i SH.B.A .

. "Nuk njoh njeri tjetër [si veten] të ketë arsyet më të mira, për të gjitha dëmet që mund të ketë shkaktuar.. " (The Guardian. Londër)

. " E kaloj kohën në telefon, dëgjoj, inkurajoj, bëj edhe mbledhje. Pra, bëj plot gjëra.." (Washington Post. USA)

. "E dini? E kam të vështirë ndërkohë që jetoj në këtë Shtëpi të Bardhë kaq të bukur, t'ju them me saktësi se çfarë ndodh në terren.." (përgjigje ndaj pyetjes: A po ndodh luftë civile në Irak ?) (Washington Post. USA)

. "Kush e ka shkruar për ty Geldof" pyeti G.W. Bush rockerin britanik Bob Geldof, ndërkohë që ky i fundit i dhuroi librin e tij.

. "Kush do t'a lexojë për ju zoti President?" qe përgjigja e artistit.

. . Mahmud Ahmedinejad - President i Republikës Islamike të Iranit. . Mahmud Ahmedinejad - President i Republikës Islamike të Iranit. . . . " Në përgjithësi, vera është e nxehtë. Por kësaj vere, ne parashikojmë një rritje të mëtejshme temperature, falë fitoreve së njëpasnjëshme të popullit tonë, si edhe falë dështimeve të armiqve tanë që sa vinë edhe shtohen.." (Al-Hayat, Londër). . . " Me qëllim që të na prishin punë, armiqtë tanë thurin komplote pas komplotesh: për shembull, ata ngrenë çmimin e domateve në treg. Ata mendojnë se në këtë mënyrë mund të na detyrojnë të heqim dorë nga idealet tona.." ( Agjensia ISNA, Teheran). . . Luiz Injacio Lula da Silva - Presidenti i Brazilit. . . . "Në se njihni dikë të madh në moshë dhe që ju pohon se është i majtë, dijeni sa ai ka një problem. Dhe në rastin tjetër, po qe se njihni dikë të ri që ju pohon se është i djathtë, edhe ai ka një problem.." (Revista Istoe, Brazil). . . " Imagjinoni sikur të pranoj të ul moshën madhore, të dënueshme penalisht nga 18 vjeç në 16, të nesërmen do të më kërkonin t'a çoja në 15 vjeç, më tej në 9, mos të themi 10 dhe, kush e di, ndoshta një ditë do të më kërkojnë të dënoj edhe një fetus... " (përpara Parlamentit të Brazilias) . . Aleksandër Lukashenko - president i Bjellorusisë. . . " Ne i falsifikuam zgjedhjet. Në fakt, rreth 95,5% e zgjedhësve votuan për presidentin Lukashenko. Por menduam se, gjithsesi, nuk do të ishte një rezultat bindës për Evropën. Atëhere, bëmë si bëmë dhe nxorrëm një rezultat aty rreth 86% - sipas normave evropiane..." . . Lesh Walesa - ish presidenti i Polonisë. . . " Jam tashmë 54 vjeç dhe kur i shoh gratë, i konsideroj vetëm nga pikpamja praktike.." (prill 2007) . Vladimir Putin - ish presidenti i Rusisë. . . . "Që nga vdekja e mahatma Gandit, s'ka mbetur asnjë njeri tjetër me të cilin mund të flas..." (qershor 2007) . . "Spanjollët nuk mund të na japin leksione ne - mjafton të shohin ata kryetarët e tyre të bashkive të korruptuar. Sa për Mafian, ajo ka lindur në Itali dhe jo në Rusi... " . . "Së shpejti, ne do të ngremë një ushtri të aftë të ndalojë çdo të huaj që dëshiron të shtjerë hundën e qurrosur në çështjet tona të brendshme.." (nëntor 2007) . . Robert Mugabe - president i Zimbabwes. . . " Sigurisht që do të dal në pension një ditë prej dite, por gjithçka varet nga rrethanat. Nuk mund të më kërkoni sidoqoftë, që të largohem - dhe të le partinë time të shembet... " (ndërkohë që ai ka 30 vjet në krye të vendit..) . . . . . . . . . . . . . . . Në qoftë se do të ndiqnim formulën tashmë klasike të Shvejkut, babait të humorit antikonformist dhe absurd, do të ngrinim pyetjen : . . A njihni një Kryetar, ish-President dhe Kryeministër si ai, që mbledh në një të vetme freskinë e përgjigjeve të të parit, thellësinë e mendimit tê të dytit, imagjinatën e të tretit, zgjuarësinë e të katërtit, babaxhanllëkun e të pestit, vendosmërinë e të gjashtit si edhe jetëgjatësinë politike të të shtatit ? dhe që ndërkohë është i ngjyrosur (nga bloza e Gërdecit), i hipur në degë (më falni: në tribunën e Parlamentit) dhe që këndon (edhe njëherë të falur: këshillon opozitën të fshijnë me nder prapanicën me gazetat që flasin për allishverishet e trafikut të armëve).

La suite.. - Vazhdimi...

dimanche 23 mars 2008

Me presh në dorë.

. Gjithmonë më ka intriguar shprehja popullore « … u kap me presh në dorë » që në kuptimin e përditshëm kërkon të thotë : fajtori u kap në vendin e fajit, në prezencë të provës të fajësisë. Gjithësesi, intriga lind nga lidhja mes preshit (ose prasit – sipas prejardhjes së fajtorit) dhe provës, fajit. Ç’ka të bëjë preshi si objekt i botës bimore me fajin ? Si ka mundësi që dikur hajdutët të linin mënjanë të tjera pasuri dhe të vidhnin presh ?
. Edhe sikur kjo gjë të ketë qenë e vërtetë në kohë të tjera, të shkuara, sot hajdutët klasikë vjedhin vetura, banka ndërsa të tjerë, më pak klasikë, grabisin pasurinë e popullit. E megjithatë shprehja popullore ka mbetur, pasi askush nuk thotë : u zu me veturë në dorë ose me bankë në dorë – por vazhdon të thuhet « .. u zu me presh në dorë ». Thua se preshi është një objekt i tillë mitik që tejkalon edhe veturën edhe pasurinë e të shumëvuajturit popull…
. Ndoshta, kjo shprehje e pavdekshme ka lindur në një epokë të strukturuar rreth kultit të perëndisë presh. Kur ka qenë kjo epokë e panjohur nga historianët ? Në kohën e Pellazgëve ndoshta.. Ideja e Pellazgëve vjen si vetvetiu, pasi që kjo shprehje haset vetëm mes Shqiptarësh, ndërkohë që popuj të tjerë qoftë fqinjë qoftë edhe të largët as e njohin, as edhe e përdorin.
.
. . * * *
.
. Preshi (Allium polyanthum) është një bimë me origjinë nga viset mesdhetare, i njohur që në lashtësinë greko-romake. Bile, thonë se Perandori Neron (ai që i vuri flakën Romës) i hante aq shumë – për të riparuar zërin e tij të ngjirrur, në mos për tjetër gjë - sa që bashkëkohësit e quajtën « porrophage ». Megjithë namin e Neronit, preshi mbeti disi në anonimat pasi asnjëherë nuk mundi të fitojë lavdinë e këshërinjve të tij të afërt hudhra ose qepa. Ajo çka e ka dalluar preshin nga sivëllezërit dhe simotrat e tij është pikërisht forma : i gjatë, i plotë, cilindrik – një simbol i virilitetit mashkullor, një surrogato e organit të riprodhimit. Ja përse ai ka hyrë në proverbat e popujve të tjerë mesdhetarë.
. Sa për kujtesë, italjanët dhe spanjollët thonë (natyrisht në gjuhët përkatëse) : Koka e preshit ndoshta është e bardhë, por ama bishti mbetet gjithnjë i gjelbërt. Me fjalë të tjera – dhe duke ja përshtatur figurën letrare njeriut : mos e gjyko njeriun nga koka e bardhë (flokët e thinjur), pasi diku më poshtë bishti është gjithmonë i gjelbërt (i ri). Para tyre, Romakët që me sa duket ja kishin lënë Neronit mizor përdorimin praktik të preshit, përdornin një shprehje tjetër, fort poetike : Qesja e dashnorit lidhet me gjethe preshi – pra lidhëset e qeses janë po aq të paqëndrueshme sa edhe gjethja e kësaj bime. E megjithatë, diku gjetkë, s'mund të mos nënkuptosh një lidhje më të thellë dhe më pak të dukshme mes dashnorit dhe preshit tê tij...
. Në kohët e sotme, njerëzit vazhdojnë të kujtohen për preshin dhe për vetitë e tij çudibërëse. Diku në Francë thonë : Gruaja sterile, presh me mor, barku i saj i madh, do bëhet pjellor. Interpretimi i kësaj proverbe mbetet gjithmonë i dyzuar, pasi diku-diku, lidhja mes gruas dhe preshit e tejkalon sterilitetin natyror. Por, çudi e vërtetë, askush nuk bën lidhje mes preshit dhe hajdutit, mes bimës dhe objektit të fajit. Përveç Shqiptarëve…
.
. Duke dashur të gjej këtë lidhje kaq misterioze, për një çast mendova se çelësi i saj është varfëria proverbiale e bijve të shqipes. Pra, për një shoqëri e tillë të varfër, edhe preshi më i thjeshtë përbënte një farë pasurie – një objekt lakmie për hajdutët, po aq të përvuajtur sa edhe viktimat. Por, shpejt mu desh të heq dorë nga kjo teori e varfërisë pasi të tjerë si puna e kinezëve (dhe Zoti vetë e di se sa të varfër dhe sa të shumtë janë) nuk kanë arritur të bëjnë atë lidhjen që na intereson. Bile as edhe lakrën e tyre aq të dashur s’kanë mundur ta fusin në këtë kategori. A ka dëgjuar kush një kinez të thotë : .. e zunë me lakër në dorë? Pra, normalisht, gjendja shoqërore s’ka të bëjë fare me preshin. Ndërkohë, një miku im turk më mësoi se turqit e quajnë preshin (prasin) pras. Me fjalë të tjera, shqiptarët e kanë huajtur fjalën nga turqit – sikundër dhe vetë bimën, m’a merr mendja. Dikush, mund të supozojë të kundërtën : që turqit e kanë huajtur fjalën (edhe vetë bimën) nga shqiptarët. Mua s’ma merr mendja… por jam gati të pranoj argumentat e kundërta, po qe se janë bindëse.
.
. Sidoqoftë, ky « zbulim » i fundit ishte një ndriçim i vërtetë. Së pari, ai fundoste një herë e mirë atë teorinë e varfërisë pasi në kohën e turkut, shqiptarët nuk u bënë më të varfër se në kohën e Skënderbeut dhe të Lek Dukagjinit. Përndryshe, si shpjegohet numri i madh i bejlerëve, i agallarëve, i çorbaxhinjve apo i delenxhinjve, deri përpara shpalljes së Pavarësisë? Së dyti, ai me lejoi të përqëndrohesha më mirë në atë pistën « mashkullore » të virilitetit.
.
. Dhe me të vërtetë, po t’a shohim çështjen shtruar : sipas mendimit të antropologëve, shoqëria tradicionale (për të mos e quajtur primitive) ka qenë strukturuar rreth simboleve të tilla mashkullore – falus. Shembujt janë të shumtë që nga shtyllat, trarët, totemet, gurët e lartë vertikalë.. deri tek statujat, obelisqet, kullat.. Ka të ngjarë që dikur, kjo shoqëria jonë tradicionale shqiptare t’a ketë transpozuar simbolin seksual tek preshi, sikundër të tjerë tek kastraveci. Ja pra se si mund të kenë rrjedhur punët :
. Le të imagjinojmë atë fshatarin tiranas që mbjell presh në bahçen e tij, nga ato preshët e vërtetë të Kasharit që shkojnë deri në një metër të gjatë dhe që peshojnë një kile e gjysëm copa. Një mrekulli e vërtetë e natyrës – nga ato që s’i bën më nëna, dhe që nuk i sheh më në pazar. Krenar si ai, fshatari kashars "porrophile" nuk lejon askënd t’ja prekë dhe jo më t’ja vjedhë. Dhe si për inat, një hajdut rrjepacak nga ata të qytetit vjen një natë dhe i merr preshin. Për të keqen e vet, pasi kasharsi e ze në bahçe – me presh në dorë. Tashmë kuptohet fare kjartë përse shprehja thotë me (një) presh në dorë dhe jo me (shumë) presh në duar. Pasi, ai i uruar presh kashari është kaq grandioz sa që një i vetëm dhe mezi mbahet me të dy duart.
.
. Pra, përfundimisht, hajduti u zu me objektin e vjedhjes në dorë. Çfarë mund t’i bënte aty për aty kasharsi ynë atij hajdutit të fëlliqur? Sigurisht që e dënoi, bile me dënimin më logjik që bëhet : megjithëse me keqardhje për objektin e çmuar bimor, ai ja shtiu atë preshin aty ku s’thuhet (imagjinoni vetë torturën, ndërkohë që preshi nuk ishte as i pastruar si duhej as edhe i larë – pa folur më për rrënjët ende me baltë). Dhe së fundi, ende i pakënaqur sa duhej, fshatari i dha edhe një shqelm bythëve ( duke bërë kujdes të mos dëmtonte preshin). Por, shqelmi ishte aq i fortë – shqelm kashari – saqë hajduti fluturoi në qiellin me hënë dhe me yje të fshatit. Të tërë banorët e Kasharit e panë këtë Objekt Fluturues të pa-Identifikuar (OFI), pas të cilit varej preshi. Shumica nuk ju besoi syve dhe mendoi se njeriu fluturues ishte një prodhim i imagjinatës, ose një çast ëndrre të lumtur. Sidoqoftë, me këtë rast, doli edhe ajo shprehja tjetër po aq e njohur : fluturon me presh në bythë.
.
. * * *
.
. Ja pra, njëherësh, ideja e preshit – falus, me origjinë nga Kashari, jo vetëm më ndihmoi të deshifroja dy proverba popullore, krejtësisht të pashpjegueshme më parë, por edhe më lejoi të bëja lidhjen e mëposhtme : shprehja - të kapesh me presh në dorë paraprin dhe plotëson krejt natyrshëm shprehjen – fluturon me presh në bythë. Dhe, menjëherë ky zbulim më tmerroi dhe më gëzoi njëherësh.
. Po sikur, në vijim të traditës popullore, të kapej sot një hajdut me veturë në dorë? A do të mund të aplikohej vazhdimi : fluturon me veturë në bythë? Vështirë se do të mund të gjendej dikush me forcë shqelmi aq të madhe.. Në të kundërt, më shkoi mendja në një tjetër rast, fort të përshtatshëm.
.
. Ja, arritëm dhe zumë një farë Delijorgji, një horr të fëlliqur pa ndërgjegje. Bile e zumë me predha në dorë. Po sikur t’ja shtiem ato predha nga pas – dhe t’i ndezim fitilin? Kështu të paktën, Delijorgjët e tjerë do t’i zerë frika, duke parë të ngjashmin e tyre duke fluturuar në qiellin e tymosur të Tiranës – me predhë në bythë.

La suite.. - Vazhdimi...

« Epokë biznesi »

(tragjedi me epilog, një mini-akt dhe një prolog)
.
. Në modelin e teatrit të dikurshëm, po mundohem të ndërtoj skenarin e asaj çka përgatiti Gërdecin tragjik, të shpirtërzoj disa nga personazhet, t’i jap jetë parangjarjes – tashmë që tymi i këpurdhës të përbindshme ka rënë mbi fushat e Vorës dhe që vaji i të gjallëve ka shterrur – që në rradhë të parë të mos harrohen të vrarët dhe në rradhët që vijnë më pas, të mos vriten të tjerë.
.
. Epilog :
.
. Vendngjarja : Një zyrë diku në Tiranë – elementë të dekorit : një tavolinë, mbi të cilën gjendet një tog me dosje, një abazhur dhe një telefon. Rreth e qark tavolinës gjenden tre kolltuqe të zinj. Mbi murin përballë, një fotografi e Presidentit Topi. Një perde e gjerë fsheh fundin e skenës.
. Gërdec - i panjohur thuajse krejtësisht nga mbarë shqiptarët përpara katastrofës, ky fshat pranë qytetit të Vorës – vetëm disa kilometra larg Tiranës, strehonte dikur një repart ushtarak tankesh (ky detaj i fundit do të jetë vendimtar ndaj implikimit të sipërmarrësit - njërit prej personazheve kryesorë në ngjarje). Lokalet e repartit ushtarak të dikurshëm, të braktisur nga « banorët » e tij dhe të shëndrruara në mjedise pune për firmën « Albdemil », përbëjnë edhe skenën ku do të luhet akti i dytë i tragjedisë tonë. Si dekor shërbejnë disa mure të rrjepura gazerme, një dysheme betoni dhe një tog arkash municionesh diku në qoshe, mbi të cilat dallohen hieroglife kineze.
.
. Personazhet :
.
. - Perëndia (alias Berisha) – « pronari » i gjithë vendit dhe si rrjedhim përgjegjësi virtual i gjithkaje që ndodh. Ai nuk zbret asnjëherë në skenë, vetëm zëri i tij dëgjohet herë pas here.
.
. - Sipërmarrësi (alias Delijorgji) – pronari i « Albdemil », biznesmen i njohur i hekurit, pronar i disa firmave të begata në fushën e metaleve si dhe i Klubit Dinamo.
.
. - Punëdhënësi (alias MEICO) – fasada gjysëm civile e administratës ushtarake shqiptare. Herë-herë ai materializohet nëpërmjet Pinarit (drejtori i MEICO-s), herë-herë nëpërmjet Mediut (Ministri i Mbrojtjes).
.
. - Daja Sam (alias kushëriri amerikan) – megjithëse deri-diku i dorës së dytë, është personazhi çelës i tragjedisë. Ai mban një valixhe në dorë, ku sipas gjasave gjenden dollarët që motivojnë të gjithë personazhet e tjerë.
.
. - Gazetari (alias Shekulli) – personazh misterioz, kësaj rradhe i veshur me një kostum të prerë keq nga ata të ShIK-ut. Ai shfaqet me një celular në dorën e djathtë.
.
. - Rrufjani (alias Albano-Amerikani matrapaz) – Ndërmjetës i tregut të armëve. I veshur me kostum Versaçe, që për fat të keq fotografia e rradhës nuk e tregon.
.
. - Kori : një përzierje sipas të gjitha rregullave të artit të shoqërisë civile shqiptare, e partive të opozitës dhe e mjediseve të tjera aktive (p.sh : Peshkupaujë).
.
. - Figurantët : Gërdecarët (disa qindra burra, gra dhe të mitur) – fshatarë të rrethit të Tiranës dhe të rretheve të tjera veriore, banorë të Gërdecit. Varfëria dhe halli i shtyu të trokisnin në portën e ndërmarrjes « Albdemil », të instaluar në territorin e fshatit të tyre dhe që zyrtarisht merrej me riciklimin e stoqeve të municioneve të ish-ushtrisë popullore. Një pjesë e këtyre figurantëve (disa dhjetra) do të sakrifikohen në fund të tragjedisë, me qëllim që ajo të marrë ngjyra sa më reale. .
.
. 1. Akti i parë.
.
. (Sipari hapet mbi zyrën e Tiranës. Pas tavolinës së punës shihet Punëdhënësi që shkruan në një dosje. Në qoshen përballë të dhomës, në të kundërt të perdes është vendosur Kori).
.
.
. Kori : Diçka e keqe po vjen vërdallë. Mban erë barut, mban erë dollarë. Korba të zinj i rrinë sipër. Emra të njohur, të rinj pronarë…
.
. Punëdhënësi (ngjesh maskën e Pinarit në fytyrë dhe ngre telefonin): më thërrisni këtu Sipërmarrësin.
. (Bie dera dhe hyn Sipërmarrësi)
.
. Sipërmarrësi : T’u rritë ndera patron. Si është puna ?
.
. Punëdhënësi : Ulu aty ! Kësaj rradhe kemi punë me Dajë Samin. Kërkon fishekë për Afganistan. Nga ato të depove të armëve që ti i di. Prandaj mendova për ty. E merr përsipër apo jo ?
.
. Sipërmarrësi : Sigurisht, pasi të mësoj pazarin.
.
. Punëdhënësi : S’ka pazar. Çmimi është fiks : 22 dollarë për arkë me 1000 fishekë. 20 dollarë për Shtetin dhe 2 për ty. Duhen nxjerrë nga amballazhet e vjetra kineze dhe të shtihen në të reja, prej druri. OK ?
.
. Kori : Ka pazar, ka pazar.. gjetkë ai thuret. 22 i thuhet Qeverisë, 40 do të nxjerrë nga xhepi Daja… Ku shkon diferenca ?
.
. Sipërmarrësi : Punë me rrezik kjo..
.
. Punëdhënësi : Kush po të thotë t’i prekësh ti me dorë. Merr punëtorë nga fshatrat afër.. Unë të siguroj lëndën e parë, kamionat e ushtrisë do t’i transportojnë deri në fabrikë. Kamiona privatë vijnë dhe tërheqin mallin. Ku e sheh rrezikun ti ?
.
. Sipërmarrësi : Po të ndodhë gjë, mua do të më zenë për koqesh. Për dy dollarë të qelbur..
.
. Punëdhënësi (disi i nxehur) : Mblidh mendjen. Janë 100 milionë fishekë, pra 100 mijë arka. Bëje vetë llogarinë… Kur mblidhen bashkë dollarët ju del edhe ajo farë ere. Fundja, po s’deshe po thërres tjetrin, atë të Mjekësit, bile kanë dalë edhe ca amatorë andej nga Korça..
.
. Sipërmarrësi ( me ngut dhe me një farë buzëqeshje servile) : OK, OK, s’thashë gjë..
.
. Punëdhënësi : Hë se desh harrova. Në fakt, ato dy dollarët janë vetëm një dollar e gjysëm, pasi gjysma tjetër e dollarit na duhet për vaj, për të lyer rrotën.
.
. Sipërmarrësi (kinse i pezmatuar, ngrihet më këmbë) : Pse, edhe rrotën unë duhet t’a lyej. S’mjaftojnë gjobat që paguaj rregullisht..
.
. Punëdhënësi : Ulu more spurdhjak aty dhe më dëgjo se s’kam mbaruar. Kondicionimi i fishekëve është njëri prej bizneseve. Krahas tij, ti do të merresh me çmontimin e predhave të kundërajrorëve dhe të artilerisë : 37, 100, 122 dhe 152 milimetroshe. Ti rekupero çelikun dhe tunxhin, barutin ndaje veç. Ke nevojë të të rikujtoj çmimin e tunxhit në treg ?
.
. Sipërmarrësi : Jo, jo s’ka nevojë..
.
. Punëdhënësi : Dhe thuaj faleminderit Perëndisë që na e solli municionin në derë !
.
. Sipërmarrësi : Dhe që të vuri zotrote në këtë kolltuk.
.
. Perëndia (vetëm zëri) : Kush e përmendi emrin tim aty ?
.
. Sipërmarrësi : Askush.. (duke ju rikthyer Punëdhënësit) sa për vendin, po të le dorë të lirë, zgjidhe vetë, vetëm më lajmëro.
.
. Punëdhënësi : Më shkoi menjëherë mendja në Gërdec, aty pranë Vorës.
.
. Sipërmarrësi (qesh) : Pasi ja shkrive tanket për llogari të Mercedesit, kërkon të përdorësh kapanonet e repartit ushtarak për punishte ? Dakord, për hajr i qoftë Gërdecit.
.
. Kori : të mjerët Gërdecarë, i mjeri Gërdec.. Bomba do t’ju bjerë, do t’i bëjë përshesh.
.
. Punëdhënësi : Kam edhe kunatin, mjeshtër nga ana teknike.
.
. Sipërmarrësi : Mos më lodh kokën me të tilla pisllëqe. Shiko këtu : ky biznesi i dytë e ka pazarin ndryshe nga i pari. Nuk është më ai i mëparshmi, i kohës së socialistëve. Mos harro se ç’hoqe nga ish-Kryeministri. Kujdes dredhat, po t’u qepëm pas, kësaj rradhe do të jetë ndryshe.
.
. Punëdhënësi : Ti më njeh, unë jam i besës. Më njofto vetëm taksën dhe do të shohësh vetë.
.
. Sipërmarrësi : Hiqmu sysh tani… (bie telefoni) Alo ? Po ? (vazhdon një bisedë telefonike disa minutëshe, e cila ndërpritet nga disa yes dhe disa no. Ndërkohë ai i bën shenjë me dorë Punëdhënësit që po mundohet të dalë nga zyra) – Prit aty, mos u largo. Ishte vetë Daja. Paska dalë një problem, punë paresh, dhe ai kërkon të vijë të bisedojë me ne. Ti do të bësh dëshmitarin, aty prapa perdes. (Punëdhënësi fshihet)
.
. Dajë Sami (hyn pa trokitur me valixhe në dorë. Ai shoqërohet nga Rrufjani dhe fillimisht i drejtohet këtij të fundit) : Ti do bësh dëshmitarin, shko aty prapa perdes. Dhe kujdes, rregjistro bisedën.
. (pastaj i kthehet Sipërmarrësit që ndërkohë ka ngjeshur maskën e Ministrit të Mbrojtjes) Si është kjo puna e kontratës të fishekëve të Afganistanit ? Pse ka hipur çmimi ? Fillimisht, ne ramë dakord për 22 dollarë, apo jo ? Pastaj, ç’është ky qipriot që na hyri në mes ?
.
. Sipërmarrësi : Jetojmë kohë të vështira, Çmimet rriten nga dita në ditë. Shih atë të benzinës, apo të vajit të lulediellit.. Ndërkohë dollari bie. Sa për qipriotin, se mos është hera e parë që po e shihni.. Kur thua qipriot, ke thënë grek. Na duhet greku për t’i dhënë përmasa biznesit. Bile edhe ai ortaku juaj Punëdhënës grek është, nga nëna dhe nga baba.
.
. Kori : Qipriot, grek… na mungon veç serbi që ta quajmë konspiracion.
.
. Dajë Sami : Mblidhni mendjen dhe rishikoni çmimet, në mos po shkoj t’i ble fishekët në Serbi. (si me vehte) Ç’mu desh që i hyra asaj lufte për hatrin e këtyre, përndryshe do të gjeja fishekë me okë atje tej.
.
. Sipërmarrësi : Shko po deshe edhe në Maqedoni. Sa për muhabet, përse nuk i blini fishekët në Kinë ? Apo se Kinezët ju shesin Talibanëve ? Nejse, ishte shaka..
.
. Dajë Sami : Listen.. A ka mundësi të rregullohemi ndryshe ? Për shembull, sikur të ndahej disi ajo diferenca.. Jam biznesmen i ndershëm dhe Perëndia është dëshmitare.
.
. Perëndia (vetëm zëri) : Ju thashë ndërkohë të mos e përmendni emrin tim.
.
. Sipërmarrësi : Sorry... Takimi po përfundon, jam tepër i zënë.. Diferenca është ndarë ndërkohë. Janë sa e sa gojë që duhen ushqyer.
.
. Dajë Sami : Ku rashë edhe unë në këtë Mafia.
.
. Sipërmarrësi : Mafian mbajeni aty në Amerikë. Ne jemi të pastër si bora e bjeshkëve të Perëndisë.
.
. Perëndia : Lerini bjeshkët e mia mënjanë, mos i përzjeni me këto bizneset tuaja.
.
. Sipërmarrësi : Jo, jo.. ishte veç shembull, nga ato tonat të republikanëve. Daja i kupton. (Duke ju kthyer këtij të fundit) Mister, valixhen lereni mbi tavolinë. Bye, bye…
.
. (ndërkohë ngrihet perdja e fundit të dhomës. Rrufjani dhe Punëdhënësi mbeten në hije. Ndriçohet vetëm Gazetari, ky i fundit me celular në dorë).
.
. Gazetari : (i drejtohet Dajë Samit) Biseda u rregjistrua nga Rrufjani, i cili më dha celularin e vet. Një provë, në rast se ndodh ndonjë gjë… (i kthehet Sipërmarrësit) Procedura klasike e përgjimit të telefonave, apo jo ? Gazeta jonë shquhet për paanshmëri dhe për ndershmëri profesionale.
.
. Kori : një biznes u mbyll, varre do të hapen. Dollarë për të pasurit, lotë për të varfrit..
.
.
. Prolog.
.
. (Sipari hapet në Gërdec. E gjithë skena është e mbushur plot me figurantë të heshtur që ppunojnë pranë njeri tjetrit. Dikush hap arka dhe nxjerr fishekët, disa burra tërheqin arka zvarrë, disa gra kruajnë me thikë grason nga predhat, disa burra të tjerë godasin me çekiç mbi gëzhojat, disa fëmijë derdhin barutin në thasë. Një ish-ushtarak me uniformë të vjetër është mbështetur pas një muri dhe po pi cigare. Nga ana e kundërt shihet Kori).
. (Ndërkohë në paraskenë kalon një veturë e madhe, brenda të cilës dallohen Dajë Sami, Rrufjani dhe Punëdhënësi)
.
. Punëdhënësi : Ja edhe Gërdeci, me fusha dhe me male që na mban dhe na ushqen..
.
. Dajë Sami : Praktike, pranë Tiranës, pranë Aeroportit.. (i kthehet ish-ushtarakut figurant) Mos pi cigare në orar të punës ti, aq më tepër pranë barutit.
.
. Rrufjani (i drejtohet Punëdhënësit) : të presim në Miami për pushime. Dhe kujdes numrin ditor të kamionëve. All right ?
.
. Kori (duke u larguar nga skena) : Këshilla amerikane, dhurata greke. Kali i Trojës, viktima Shqiptare.
.
. (vetura del nga skena. Ndërkohë dëgjohet një krismë, e ndjekur nga një uturimë ; Skena mbushet me tym dhe figurantët shtrihen përtokë. Fiken dritat. Një rrëke hemoglobine fillo dhe rrjedh në një skaj. Bie sipari).
. (dëgjohet një zë i largët me akcent amerikan) Sigurisht ajo cigarja… Shqiptarë të pandreqshëm… vetëm varri..

La suite.. - Vazhdimi...