"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura".
.
.. Filli kohor jep mundësinë të dallohet përballja e përjetshme me fqinjët grabitqarë, me fuqitë kontinentale dhe me perandoritë planetare ; të ndjehet pesha e pushteteve konkurruese dhe ideologjive dominuese. Kronologjia konfliktuale zbulon ndeshjen e pamëshirshme ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, dyzimin ndërmjet Krishtit dhe Muhametit, përzgjedhjen e vështirë ndërmjet Republikës dhe Monarkisë, përgjakjen ndërmjet komunizmit dhe nacionalizmit, përpëlitjen ndërmjet demokracisë dhe anarkisë, fërgëllimin ndërmjet socializmit dhe biznesit. Rregjistri shpirtëror dëshmon për luhatjen e vazhdueshme ndërmjet anonimatit dhe lavdisë, njëjtësimit dhe tjetërsimit, dashurisë dhe urrejtjes, kokëkrisjes dhe çmëndurisë, dhimbjes dhe shpresës. Alkimia e vendit furnizon së fundi edhe formulën e krijimit të përbërësve njerëzorë të Kombit : ilirë dhe arbër, Gegë dhe Toskë, fise luftarake të veriut dhe bashkësi zanatqare të jugut, bajraktarë kryelartë dhe bejlerë sipërmarrës, irredentistë kosovarë dhe çamë nostalgjikë, elita qytetëse turkofile dhe intelektualë frankofonë ose italofonë.

Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?
Affichage des messages blog dont le libellé est Notat e Identitetit. Afficher tous les messages blog
Affichage des messages blog dont le libellé est Notat e Identitetit. Afficher tous les messages blog

dimanche 16 décembre 2007

Kombi dhe Kombtaria (për të mos e quajtur ende Nacionalizëm).

Hezitova tepër përpara se t’i përgjigjesha një shkrimi si ai « E Majta Nacionaliste », të z. Koço Danaj. megjithë rrezatimin e tij të pazakontë, megjithë magnetizmin provokues.. Që në rreshtat e para logjika fillon dhe kërkon pika mbështetjeje, referenca të qëndrueshme që të mos humbë toruan, një bazë të mirëfilltë për të ruajtur fillin, për të mbajtur sensin. Duke mos patur autorin përballë – me qëllim që ta bëj rrezil – na mbetet teksti si bazë reflektimi, dhe në mungesë të tij mbetet koncepti, i cili në mënyrë të dukshme injoron të paktën dy aspekte : - bazën kombëtare të nacionalizmit. - përfytyrimin e Kombit. Sidoqoftë, mbetet fakti që një shkrim i tillë lëndon dijen dhe fyen përvojën, shkurt provokon përbuzje. Ndoshta, përgjigja më e mirë ndaj shkrimeve të tilla është një shkrim tjetër, një bazë e re reflektimi ndaj temave të tilla... .

* * *
. Ndërkohë që shqiptarët shqetësohen për të kaluarën, evropianët ngrenë pyetje për të ardhmen, duke akuzuar të tashmen. Dhe pikërisht, ata gjykojnë të tjerët mbi kriterin e të sotmes. Mjafton të analizohen ato arsyet evropiane të ngurrimit ndaj pranimit të Shqipërisë në Bashkimin evropian. Të gjitha vërejtjet prekin rolin dhe funksionet e Shtetit sikundër dhe kapacitetet e tij për të ndërmarrë reformat e dëshiruara : ekonomi e tregut, institucione demokratike, liri individuale dhe të shtypit, respekt i ligjshmërisë. Ja pra edhe mënyra më racionale për të çmbështjellë filmin e historisë : të shqyrtohet e kaluara nën dritën e të sotmes. Pa krijuar asnjë surprizë zbulohet që Shteti ka qenë hallka më e dobët e atij zinxhiri përpjekjesh të vazhdueshme që shënon procesin e ndërtimit identitar : .
Ai mungon krejtësisht në 1878, në momentin e lindjes së Kombit shqiptar ; ai është fiktiv në 1913, gjatë afirmimit ndërkombëtar të këtij kombi ; ai është efemer ndërmjet 1919 dhe 1925, ndërkohë që identiteti kombëtar merr vetëbesim ; ai është i pafuqishëm ndërmjet 1928 dhe 1939, ndërkohë që vendi i bashkohet koncertit të Kombeve ; ai zhduket nën pushtimin e huaj ndërmjet 1939 dhe 1944, ndërkohë që rilind ideja e « Shqipërisë së Madhe » ; ai gjendet nën serum ideologjik dhe ekonomik ndërmjet 1945 dhe 1990, ndërkohë që ndërmerret përvoja vetëvrasëse e « Njeriut të Ri » ; atij i merren këmbët ndërmjet 1991 dhe 1997, ndërkohë që Kombi bëhet i ndërgjegjshëm se i përket familjes evropiane ; ai është gjithmonë në kantjer që prej 1998, gjatë hapjes së debatit mbi identitetin kombëtar.
.
Mund të përfundojmë se në rastin më të keq, Shteti i ze rrugën këtij procesi dhe në rastin më të mirë, ai nuk arrin të ndikojë mbi të. Përse duhet të habitemi nëqoftë se nacionalizmi shqiptar nuk i thurr lavde Shtetit ? ose, që ky i fundit asnjëherë nuk është kqyrur si mishërimi i plotë i kombit shqiptar ? Si rrjedhim i një vargu konjukturash, zgjedhjesh dhe ngjarjesh historike, Shteti shqiptar çfaqet në skenën ballkanike i pafavorizuar nga ana njerëzore dhe materiale dhe i mangët nga përvojat e mëparshme zemërdhënëse. Që prej këtij momenti, shqetësimi i tij kryesor ka qenë dhe mbetet gjithmonë sigurimi i mbijetesës ekonomike dhe politike, në një kontekst rajonal armiqësor, gje që e ka shtyrë në mënyrë të vazhdueshme në kërkim të mbrojtësve të fuqishëm. Nga ana tjetër, të gjitha konstruksionet shtetërore që pushtetet kanë eksperimentuar – Republikë autoritare, Monarki kushtetore, Republikë popullore bile edhe Republikë parlamentare – janë vepër e elitave të saj ushtarake, latifundare ose intelektuale dhe paraqiten si përpjekje volontariste. Ato janë ndërmarrë sigurisht në emër të popullit ndërkohë që në të vërtetë, ato i kanë shërbyer interesave të një klani, të një kaste ose të një grupi shoqëror të ngushtë. Në këtë proces institucional, shoqëria ka munguar gjithmonë. Pa asnjë përpjekje këshillimi, asaj i është kërkuar thjesht pjesëmarrje dhe bindje. Në të shterrur të forcave, asaj i duhet të ngjizë simbole të reja ; ndërsa lidhjet sociale këputen, ajo riprodhon stratifikime të reja ; ndërsa kontradiktat e brendshme përkeqësohen, ajo sjell në jetë elita të reja. Ndërkohë që trashëgimia e pasur në kujtime, e ardhur nga thellësia e kohrave, i shërben shoqërisë veç si orientim, pushteti përkëdhel ëndrrën e tij për të vendosur një mirëkuptim të përditshëm. Duke mos qenë në gjendje të realizojë atë të famshmen « dëshirë për të jetuar së bashku », s’mbetet gjë tjetër veç dhunës për t’a imponuar. Të bashkuar nga forca dhe nëpërmjet përdorimit të forcës, është gjithmonë e mundur të krijohet të paktën iluzioni i ndarjes së trashëgimisë, i pajtimit shpirtëror mbi principin e të paturit lavdi të përbashkëta në të kaluarën. Asnjë vullnet i përbashkët në të tashmen, asnjë kujtim i bërjes së gjërave të mëdha së bashku ; mbetet vetëm vullneti i pushtetit : ai të kryerit të gjërave të reja. Ku ndodhemi në lidhje me kushtet e domosdoshme për të qenë një popull, sipas Renanit (1) ? Si i bëhet për të bashkuar këto dy gjëra të cilat gjenden, njëra në të kaluarën dhe tjetra në të tashmen, me qëllim që të rikrijohet ky shpirt – ky princip shpirtëror - që përfaqëson Kombi ? Ndoshta, do të kish qënë më e matur të pranohej që përkufizimi, i vënë në kornizë nga dijetari blasfemues francez, nuk na rikthen imazhin tonë dhe si pasojë, na duhet të zgjedhim një tjetër – në këtë rast, cilën ? Duke shkuar kundër rrymës, drejt burimit, mund të kërkojmë ndihmën e Herderit sipas të cilit, « falë Providencës » kombet paskëshin qenë ndarë « nga gjuhët, nga shijet dhe nga karakteret » ; ose ndihmën e Fichtes i cili ngul këmbë se « njerëzit janë formuar nëpërmjet gjuhës, më tepër se sa gjuha vetë nëpërmjet njerëzve »(2). Sidoqoftë përkufizimet e Kombit - në variantin e tij shqiptar, mund të kuptohen vetëm nën dritën e zhvillimit të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe të korolares së tij, kombtarisë. Vetëm nëpërmjet kësaj mënyre deshifrimi mund të përmblidhen në një të vetme përmasat etnike, etike, kulturore dhe politike në këtë konstruksion i cili, pavarësisht thellësisë së tij reale historike, mbetet sidoqoftë i natyrës ideologjike. Megjithë një farë vonese ndaj fqinjëve ballkanikë, lëvizja kombëtare shqiptare ndjek një rrugë tashmë të rrahur, gjerësisht të shkelur në Evropën qëndrore(3) gjatë shekullit të XIXtë : një fazë e parë e natyrës të pastër kulturore, letrare dhe folklorike, pa implikime të veçanta të rendit politik ose kombëtar ; një fazë e dytë që përjeton krijimin e një trupe pionierësh dhe të militantësh të çështjes kombëtare që investohen në një fushatë politike në favor të kësaj ideje ; së fundi, një fazë e tretë e përpunimit të programeve nacionaliste dhe fitimi i mbështetjes së masave. Sipas historiografisë zyrtare, ky proces kurorëzohet me shpalljen e pavarësisë në 28 nëntor 1912, pas një vargu kryengritjesh të armatosura që tronditën Perandorinë otomane ndërmjet 1910 – 1912.
. Në të kundërt, dinamika nacionaliste është shumë më e pasur në mësime. Ai rikujton që mendimi nacionalist gjithmonë ka paraprirë konstruksionet shtetërore pa mundur të shëndrrohet në një ideologji dominante, as edhe të prodhojë edhe një program i vërtetë politik në shërbim të shtetit. Mjedisi nacionalist, i përbërë nga mendimtarë, shkrimtarë, nga militantë të talentuar dhe nga burra politikë të dorës së parë, nuk ka mundur asnjëherë të integrojë plotësisht qarqet e pushtetit për një arsye të thjeshtë : nacionalizmi shqiptar i bën thirrje një detyre të pakryer – bashkimin e territoreve të banuara nga Shqiptarët – ndërkohë që Shteti, i zhveshur nga mjetet, pranon dhe justifikon realitetin. Megjithë faktin që ndërmjet këtyre dy mjediseve egzistojnë fije të shumta lidhjeje, ata veçohen nga një linjë ndarëse e pakapërcyeshme : të kërkosh esencën e trashëgimisë politike të burrave të « Rilindjes », automatikisht don të thotë irredentizëm – kundërshtim i kufijve egzistues dhe veprim për të zhgjymtyruar fqinjët. Bëhet fjalë për një politikë që s’mund të pranohet nga ana e pushtetit i cili shpallet si adept i integritetit territorial dhe i vendosjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me botën ballkanike. Për këtë arsye, terreni nacionalist mbetet gjithmonë djerrë dhe shëndrrohet në çiflig të opozitës që arrin të destabilizojë pozitën, duke e vënë në një situatë të paqëndrueshme ndaj dëshirave të masave të gjera popullore. Si pasojë e tallandive të kësaj natyre, përleshja mes pozitës dhe opozitës gjithmonë ka çuar drejt destabilizimit të jetës politike të vendit, duke tërhequr në hullinë e vet jo vetëm forcat e brendshme por edhe mjediset e jashtme – të prekuar nga larg ose nga afër prej projektimeve nacionaliste. Ishte rasti i mjedisit radikal verior të « Komitetit të Kosovës », i cili kundërshtoi me armë në dorë qeverinë kombëtare të Zogollit në 1922 dhe në 1924. Ishte rasti i të djathtës republikane pas Luftës së Dytë që u përpoq të rrëzonte qeverinë komuniste të Hoxhës. Është rasti aktualisht i mjedisit monarkist dhe i të djathtës ekstreme që kritikojnë qeveritë demokrate ose socialiste për shitje të interesave kombëtare, në emër të stabilitetit rajonal. Pushtimi italjan i vitit 1939, i ndjekur nga shembja e Jugosllavisë dhe e Greqisë, i ofroi opozitës republikane antizogiste tê epokës rastin unikal për të paraqitur një program politik krejtësisht nacionalist – « Shqipërinë e Madhe ». Ky konstruksion efemer – i gjeneruar nga boshllëku institucional, i frymëzuar nga coptimi i territoreve fqinje dhe i nxitur nga pushtuesit – u fshi nga vazhdimi i ngjarjeve dhe tërhoqi në rënien e saj gjithë mjedisin nacionalist shqiptar. Përballë këtij realiteti, pushteti ligjor ka vetëm një rrugëdalje : të ngulmojë në përmasat kulturore të « Rilindjes » - hapje e shkollave në gjuhën shqipe, unifikimi i gjuhës dhe krijimi i një alfabeti të vetëm, zbutje e përçarjeve fetare me anë të formulës së famshme të Vasës. Përsa i përket përmasave politike të kësaj lëvizjeje, ai gjithmonë i shmanget skenës, qoftë dhe me anë piruetash të llojit :
. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse… nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX…. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. (4) .
Të rrethojë Kombin me një mbështjellje konkrete të natyrës institucionale, t’i nënështrojë identitetin shqiptar projektit shtetëror – ja edhe detyra e parë e « nacionalizmit zyrtar ». E zbrazur nga përmbajtja e saj irredentiste, shqiptaria shëndrrohet në një instrument të pushtetit nëpërmjet ngritjes së miteve njejtësues tradicionalë : kërkim i stërgjyshërve, hyjnizim i historisë, zgjedhje e Heronjve kombëtare. Nga ky moment, Shteti zëvendëson Kombin : ai ushtron sovranitetin në emrin e tij brendapërbrenda kufijve kombëtarë dhe afirmohet jashtë tyre si subjekt historik në gjirin e rendit botëror, të themeluar mbi egzistencën dhe mbi marrëdhëniet mes njësive politike. Paralelisht, ai mundohet të neutralizojë « kombtarinë popullore » ndërkufitar dhe sfidëkërkues kur ai bezdis, ose t’a instrumentalizojë për të dalë nga një rrugë qorre, të imponuar nga historia. Kështu veproi monarkia e Zogut në fillim të viteve 30’, në epokën e kombëtarizimit të shkollava të huaja ; me të njejtën përmbajtje shpjegohet edhe qëndrimi i Republikës popullore të Hoxhës, në fillim të viteve 80’, pas ndërprerjes së ndihmave kineze. Rasti i fundit ishte ai i Republikës demokratike të Berishës që gjeti « kokën e turkut » të OMONIA-s për t’i kthyer kusurin shtetit grek. Çdo herë që mburoja mbrojtëse leskërohet dhe kriset, çdo herë që izolimi çfaqet në horizont, rregjimet i bëjnë thirrje bashkimit të popullit, përmendin virtytet e larta të shqiptarëve. Konceptimi i Kombit shërben si shtrati i Prokrustit një pushteti, i cili vepron mbi identitetin shqiptar në përputhje me qëllimet e tij : ai ja zgjat ose ja shkurton gjymtyrët shqiptarizmës me qëllim që kjo e fundit të mund të përputhet me standardet e tij utilitaristë. .
Në qoftë se ju besojmë historianëve, « koncepti filozofik(!) » i Kombit është formuluar nga Abdyl Frashëri në vigjilje të krijimit të Lidhjes së Prizrenit. Në atë pranverë të largët të vitit 1878, ai ndërkohë dallonte elementët e tij përbërës :
. gjuhën e përbashkët, territorin e përbashkët, historinë e përbashkët dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët. (4) .
Çka mbetet në ditët e sotme nga ky vizion fillestar ? Gjithçka ose asgjë – varet në ç’krah qëndron vrojtuesi. Po qe se i mbetemi besnikë frymëzimit të parë – ai i Abdylit dhe i shokëve të tij kosovarë ose çamë – ky përkufizim i kundërvihet egzistencës së shtetit të sotëm shqiptar. Në mënyrë kurioze, të dëshirosh të çlirohesh nga përmasat irredentiste, kjo nuk don të thotë të coptosh idenë fillestare, pasi në të vërtetë, në vend të Kombit, ajo përcakton etninë – një « konfuzion » mjaft i zakonshëm në rradhët e atyre që janë munduar të kqyrin problemin, që nga shekulli i XVIItë dhe deri në momentin e lindjes së kombit modern (6).
.
Le të gjykojmë vetë : duke hequr thelbin e polemikës, mes të tjerash, Kombi përcaktohet si « një popullsi e cila identifikon vetvehten në një histori dhe në një kulturë të përbashkët- shpesh edhe në një gjuhë të përbashkët, dhe që pretendon të njejtën origjinë, ose e thënë ndryshe të njejtën “lindje„ ». Për dikë që kërkon një shkallë reduktimi ende më të fuqishme, Kombi mund të përcaktohet gjithashtu si « një grup njerëzor që karakterizohet nga ndërgjegja e njësisë së tij si dhe nga vullneti për të jetuar së bashku ». Gjëkundi pra nuk ka nevojë për një territor të përbashkët – i përcaktuar nga kufijtë, gjëkundi gjithashtu nuk nevojitet një pushtet qëndror, i qëndrueshëm dhe i përjetësuar – i përfaqësuar nga Shteti, gjëkundi së fundi ajo njësi morale ose politike e banorëve – e përkujtuar nga kontrata mes shoqërisë dhe Shtetit dhe e vulosur nga Ligjet. Duke ju rikthyer realitetit tonë, trupi i këtij Kombi çfaqet diku mes Shqipërisë së Parë – asaj të mirëfilltë - dhe Shqipërisë së Dytë – asaj të përtejkufirit, ndërkohë që konturet e tij shkrihen gjithandej nëpër botë, duke u ngatëruar me kufijtë e Universit.
.
Në këtë mënyrë është prekur edhe zemra e problemit : që prej « Rilindjes » dhe Mjeshtrave të vet mendimtarë, asnjeri nuk ka guxuar t’i përvishet konceptit të Kombit – njëkohësisht i shenjtë dhe tabu. Në mënyrë të ndërgjegjshme ose të pandërgjegjshme, sejcili mundohet të qëndrojë sa më larg kësaj zone të ndjeshme dhe fort të rezikshme e cila, sipas qëndrimit të zgjedhur, mund të ndezë një konflikt kufitar ose rajonal sikundër dhe të acarojë ndjenjat nacionaliste të popullsisë, duke provokuar me këtë rast çarje të thella në strukturën shoqërore. Në këtë mënyrë, preferohet më mirë të vihet theksi mbi elementët etnikë ose mbi « shenjat e jashtme të Kombit » sikundër territori, gjuha, feja dhe të kalohet nën heshtje faktori politik ose, raportet e forcës mes Shtetit dhe shoqërisë civile. Duke vepruar në këtë mënyrë, asnjëherë nuk është guxuar të përcaktohet Kombi si « një bashkësi politike e përbërë nga një grup njerëzor, i vendosur mbi një territor të caktuar ose mbi një bashkësi territoresh të përcaktuara dhe e personifikuar nga një autoritet sovran » Ndërkohë, mjafton të hidhet një vështrim rreth e qark vehtes. Fqinjët italjanë e përshkruajnë Kombin në terma tradicionale si « një popullatë e cila praktikon, që prej gjeneratash të tëra, një bashkësi të territorit, të jetës ekonomoke, të kulturës, të gjuhës sikundër dhe një kuptim të përbashkët të ngjarjeve historike në mënyrë të tillë që, pjesa më e madhe e individëve që e përbëjnë këtë komb kanë krijuar një konceptim preciz të bazës së përbashkët, duke zhvilluar njëkohësosht një nivel të lartë lidhjeje emocionale me këtë Komb»(7). Evropianë të tjerë më lakonikë shkojnë edhe më larg dhe e përcaktojnë si « një bashkësi politike imagjinare dhe e imagjinuar si pazgjithshmërisht e kufizuar dhe sovrane » (8). Ja pra që s’paska nevojë as për gjuhë të përbashkët, as për territor të përbashkët bile as për etnicitet të përbashkët. Që në fillim të shekullit të XXtë, historiano-sociologo-antropologët Veber dhe Maus guxojnë të pohojnë se karakteristikat e përbashkëta – racë, gjuhë, kulturë – të kombëtarëve (lexo : antarët e një kombi) nuk janë shkaku por rezultat i konstruksionit kombëtar. Sigurisht, është gjithmonë e mundshme të mbrohet një farë ideje e Kombit në emër të traditave, të vlerave të lashta dhe të një farë njëjtësie. Eshtë po aq e mundshme që të hidhen poshtë të tjera, duke i quajtur egzotike, të dëmshme bile edhe tjetërsuese, për të mos thënë të çmendura. Ndërkohë, për Evropën e sotme ku edhe përpiqemi të hymë, duke fituar besimin dhe vlerësimin e saj, këto koncepte e kanë kaluar stadin e hipotezave dhe imponohen në realitetin e përditshëm me qëllim që të zbusin « tensionin mes universalizmit të kombit demokratik dhe veçorive kombëtare dhe etnike, nëpërmjet formave të tejkalimit të vetë konceptit të kombit »(9). Elementët etnikë që mbeten në bazën e çdo ndërtimi kombëtar tashmë bëhen pre dhe absorbohen gradualisht nga institucionet kolektive të cilat, në vetvehte, shërbejnë si lëndë e parë për një shoqëri civile abstrakte.
. Mes këtyre dy koncepteve të Kombit – lokale dhe evropiane, përse duhet të habitemi atëhere kur Perëndimi nuk arrin dot të ndjejë egzistencën e një kombi shqiptar ? përse duhet të dëshpërohemi nëqoftë se vëzhguesit, nëpërmjet instrumentave të tyre konceptuale, pranojnë se kombi shqiptar nuk përputhet me kriteret e përcaktimit, që zakonisht përdoren nga sociologët për të vlerësuar këto kategori ? përse së fundi, duhet të pikëllohemi nëqoftëse këta të fundit arrijnë në përfundimin se Shqipëria – në rastin më të mirë – përfaqson një komb pa Shtet dhe – në më të keqin – një Shtet pa komb (10) ? .
. ----------------------------------- . (1) Është rasti të citohet përkufizimi i shquar i kombit nga Ernest Renani, në fjalën e mbajtur në Sorbonë, në mars 1882 : « .. një komb është një shpirt, një princip shpirtëror. Dy gjëra që në të vërtetë bëjnë veç një, e përbëjnë këtë shpirt, këtë princip shpirtëror. Njëra gjendet e të kaluarën, tjetra në të tashmen. Njëra është të zotëruarit e përbashkët të një trashëgimie të pasur në kujtime, tjetra është mirëkuptimi i përditshëm, dëshira për të jetuar së bashku, vullneti për të vazhduar që të vihet në dukje trashëgimia që kemi marrë në mënyrë të pandashme… Të kesh lavdi të përbashkëta në të kaluarën, një vullnet të përbashkët në të tashmen ; të kesh bërë gjëra të mëdha së bashku, të duash të bësh të tjera, ja edhe kushtet e domosdoshme për të qenë një popull... Një Komb është pra një solidaritet i madh, i përbërë nga ndjenja dhe sakrificat që janë bërë dhe nga ato ende janë gati të bëhen. Ai nënkupton një të kaluar, ai përmbidhet sidoqoftë në të tashmen me anë te një fakti të prekshëm : mirëkuptimi, dëshira e shprehur në mënyrë të qartë për të vazhduar egzistencën e përbashkët. Egzistenca e një Kombi është një plebishit i përditshëm, sikundër dhe egzistenca e një njeriu është afrimimi i përjetshëm i vetë jetës.. ». Shih : Ernest RENAN – Qu’est-ce qu’une Nation, në : Discours et Conférences, Calman-Levy, 1887.
. (2) I njejti shpirt mendimi egziston ndërmjet ideologëve të Rilindjes shqiptare kur ata pohojnë se « … gjuha është dhe shenja e kombësisë, pasi çdo komb mbahet më këmbë nga gjuha.. » Shih : Sami FRASHËRI - Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, bot. 3të Ed. Kristo Luarasi, Tiranë, 1924. .
(3) Lidhur me strukturimin në përgjithësi të lëvizjes kombëtare dhe fazat e saj të zhvillimit, shih : HOBSBAWM Eric – Nations et nationalismes depuis 1780, Programme, mythe, réalité Paris Ed. Gallimard, 1992. .
(4) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë - Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II, Ed. Toena, Tiranë, 1994 - 2002. .
(5) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë - Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- ibidem .
(6) Shih mbi këtë subjekt : Dominique SCHNAPPER - La communauté des citoyens. Sur l'idée moderne de nation. Paris, Gallimard nrf essais, 1994. .
(7) Shih : Franco DEMARCHI et al ( nën drejt.) – Nuovo Dizionario di Sociologia. Paoline éd. Roma 1987. .
(8) Shih : Benedict ANDERSON – L’imaginaire national : réflexions sur l’origine et l’essor du nationalisme, Éd. La Découverte/Poche, Paris, 2002. .
(9) Dominique SCHNAPPER – ibidem. .
(10) Këto reflektime – në formën pohuese – i përkasin Lakshman-Lepain, dhe zhvillohen në studimin e saj mbi ndërtimin e identitetit kombëtar tek shqiptarët. Autori i referohet pikërisht veprës së Marsel Mausit mbi Kombin dhe në rradhë të parë, përkufizimit të tij : « ne kuptojmë me shprehjen Komb një shoqëri materialisht dhe moralisht të integruar, me një pushtet qëndror të qëndrueshëm, të vazhdueshëm, me kufij të përcaktuar, me një njësim relativ moral, mendor dhe kulturor të banorëve që pjasëmarrin në mënyrë të ndërgjegjshme në Shtetin dhe në ligjet e tij ». Pa dashur të analizojmë vlerën e këtij përkufizimi, mjafton të njihet vepra e « babait të antropologjisë franceze » për të kuptuar se përdorimi i kësaj reference merr ngjyra më tepër se ironike. Në të vërtetë, Mausi pohonte në vitin 1920 se « Shqiptarët gjenden në një stad qytetërimi gjithmonë primitiv, edhe më primitiv se sa Indoevropianët në momentin e futjes së tyre në histori ». Shih : Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – L’Albanie : une nation encore à inventer ?, në: DE WAELE J.-M. & GJELOSHAJ K. (nën drejt.) - De la question albanaise au Kosovo, Ed. Complexe, 1999. Shih gjithashtu : Marcel MAUSS - La nation. në : Œuvres. 3. Cohésion sociale et division de la sociologie, Les Éditions de Minuit, Paris 1969.

La suite.. - Vazhdimi...

lundi 10 décembre 2007

Identiteti evropian.

Në të vërtetë, çfarë përfaqson identiteti evropian ? Duke qëndruar larg çdo pretendimi madhështor, le të përpiqemi të ndriçojmë të paktën disa aspekte të këtij subjekti që është kthyer në temë debati dhe polemikash, që ndez pasionet gjithandej në Evropë ; në mos, të mundohemi t’i rrumbullojmë qoshet.
. Çdokush pajtohet me idenë se ky identitet duhet të jetë një cilësi esenciale e të gjithë banorëve të Evropës (Çfarë përfaqson Evropa, të paktën nga pikpamja gjeografike ? Deri ku shtrihet ajo ?) E thënë ndryshe, bëhet fjalë për një identitet ku sejcili gjen shprehjen e vet ndërkohë që grupi sheh pasqyrimin e interesave të veta, pra një identitet kolektiv bile edhe social (cilët janë kufijtë minimale të grupit për të krijuar këtë kolektiv – familja, fshati ose lagja, qyteti, krahina apo shteti ?). Sidoqoftë, për të qenë konkret, ky identitet ka nevojë të nyjëzohet në elementët e tij, ose më mirë të themi në fusha të përbashkëta : një bashkësi fati ose jetese solidare, një bashkësi e zgjedhur që lejon përmbushjen e idealeve shpresëndjellëse, një bashkësi vlerash abstrakte – pluralizëm, tolerancë, barazi, drejtësi, jo-diskriminim (1) - që në fund të fundit përbëjnë bazën e një shoqërie civile, një bashkësi ligji ose ligjshmërie (veç dy-tri shprehje mungojnë – bashkësi “bashkësish”, bashkësi interesash dhe bashkësi aksionesh – që identiteti evropian të shëndrrohet në Bashkim evropian (2). Përballë konfuzionit, mbetet të thuhet se nëqoftëse identiteti evropian ende nuk është përcaktuar si koncept, të paktën ndjehet nevoja për t’a përcaktuar si të tillë :
. « .. ndoshta detyra më e rëndësishme që vihet sot përballë Bashkimit evropian është t’i vihet një refleksioni të ri dhe mjaftueshmërisht të qartë lidhur me atë çka quhet identiteti Evropian, një nyjëzim i ri i përgjegjesive evropiane, një interes i shumëfishuar ndaj thelbit të integrimit evropian në të gjitha implikimet e saj lidhur me botën bashkëkohore, si edhe rikrijimi i etosit (karakterit të përveçëm) të tij, ose në qoftë se preferoni, karizmës së tij » (3).
.
Dilema, përballë të cilës ndodhemi, i ngjan asaj të shën Agustinit, i cili në « Rrëfimet » e tij shprehej lidhur me kohën : « Çfarë është pra koha ? Nëqoftë se asnjeri nuk më pyet, e di shumë mirë ; në qoftë se më pyesin dhe kur dua t’a shpjegoj, nuk mundem ». Ja pra, përse është më e thjeshtë që identiteti evropian të krahasohet me kaleidoskopin që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet përzierjes së perceptimeve të të kaluarës me kërkimin e një të ardhme koherente.. si një bashkësi shumëformëshe dhe e ndërlikuar që para së gjithash përmban një kuptim të përkatësisë ndaj një hapësire të përbashkët të ligjshme (4). Nëqoftëse, sikundër dhe duket, të gjitha rrugët të shpien drejt asaj trashëgimie të përbashkët shpirtërore dhe morale, që konkretizohet nëpërmjet “hapësirës së përbashkët”, elementët më të qënësishëm duhen kërkuar në « kulturën evropiane ».
.
Po sikur, ky identitet evropian të ishte amalgamë e larmive që popujt e ndryshëm përfaqsojnë në vetvehte dhe që ata sjellin në gjirin e Bashkimit ? Po sikur, identiteti evropian të mund të konceptohet si një shkritore e kulturave, të bartura nëpërmjet qytetërimeve të ndryshme që kontinenti ka parë ? E kqyrur si një « dinamikë e bashkësisë që lidh të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen », kultura evropiane i ngjan atij shkëmbit konglomerat, të shtypur nga pesha e kohës, por që lejon të shihet ndërthurja e shtresave të ndryshme kronologjike : bota matriarkale e bujqve-kafshërritës neolitikë që zbuluan « civilizimin e Evropës së Vjetër » ; shoqëria mashkullore dhe luftarake e « popujve të Kurganeve » që shtyp të parën për t’i dhënë jetë indoevropianëve ; invazioni i Keltëve me ritet e mistershme të varrimit ; qytetërimi helen me Qytet-shtetet e saj, me filozofët dhe artistët e saj gjenialë ; bota romake dhe përsosjet e saj të Ligjit, të administratës, të politikës dhe të arkitekturës ; makrokozmosi gjermanik dhe got si dhe pushteti i tij regjenerues mbi një Romë në agoni ; universi bizantin me burimet e tij fetare judeo-kristiane, me mistikën e tij sllave dhe kodet e pakrahasueshme ligjore ; suvala gjigande arabo-myslimane dhe frymëzimet e saj shkencore dhe teologjike ; mërgata çifute me kapacitetet e saj intelektuale, ekonomike dhe artistike ; bashkësia latine me hierarqitë e saj mbretërore, me mjeshtërinë e saj teknologjike dhe ushtarake … .
Sidoqoftë, identiteti evropian mund të konceptohet veçse në kryqëzimin e një vargu lëvizjesh të gjera ndërkulturore të natyrës morale, politike dhe ideologjike, të cilat kanë mundur të realizojnë këtë amalgamë të të gjitha kontributeve të veçanta. Feja e krishtere, kjo « çimento e Evropës së parë » (6), është nga elementët kryesorë të këtij vargu. Duke njohur barazinë e të gjithëve përpara Zotit, dinjitetin e personit njerëzor në kërkim të të mirës së përbashkët, ajo ndërton dhe vendos bazamentin e mendimit dhe shëndrrohet në faktor të njësimit të besimeve, të organizimeve sociale dhe të mjeteve të të shprehurit. Të këtij vargu janë edhe praktikat politike si dhe përvojat administrative sikundër Principatat, Mbretëritë dhe Perandoritë. Në këtë mënyrë vendoset rendi dhe formohet trupi social, ndërtohen aleancat dhe krijohen familjet, kështu diferencohen elitat. Paralelisht çfaqen një varg rrjetash njerëzore : zejtarët dhe korporatat, murgjit dhe pelegrinët, kalorësit dhe kryqtarët, fisnikët dhe eruditët, tregëtarët dhe udhëtarët.
. Cili nga këto elementë i mungon hapësirës fillestare shqiptare ? Praktikisht asnjë. Ajo ka bërë pjesë me mish e me shpirt në këtë botë, duke u shkrirë në të nëpërmjet zakoneve dhe sjelljeve, dokeve dhe ligjeve, duke ndarë me të peripecitë dhe fatkeqsitë. Vetëm se aventura e vërtetë evropiane fillon në shekullin e XVtë dhe të XVItë, në atë moment kur viset shqiptare shëndrrohen në pjesë përbërëse të Perandorisë otomane. Dhe përsa i përket aventurës, otomanët nuk kanë ndarë të njejtën me Evropën, nuk kanë pjesëmarrë në të njejtat dinamika sikundër dhe evropianët e krishterë. Evropa autentike përmbledh Rilindjen, Ngadhënjimin (e Botës së Re), Inkuizicionin, Reformën, Dritëzat (les Lumières), Romantizmin dhe të tjera si puna e tyre. Megjithatë, kapitali i gjerë i përbashkët i kulturës si dhe udha e përbashkët e popujve, shkurt historia, nuk janë gjë tjetër veçse një emërues i përbashkët, por as i mjaftueshëm dhe as ngushëllues. Duhet menduar njëkohësisht për elementë të tjerë sikundër etika politike, qytetaria, arsimimi – pa harruar gjithashtu edhe ato « ngjashmeri mënyrash » që karakterizojnë praktikën shoqërore, sikundër dhe normat dhe rregullat e përbashkëta që racionalizojnë sistemin ekonomik. Në dorë të fundit, evropianët kanë të përbashkëta edhe projektet institucionale dhe afishojnë një vullnet përkatësie. Dhe pikërisht, janë konceptet e mënyrës së trajtimit të përbashkët si dhe të shpirtit të bashkëpunimit që përcaktojnë identitetin evropian pasi nuk mungojnë as principet që i veçojnë as edhe praktikat kundërshtuese : mjafton të përmenden identitetet kombëtare të jashtëqendërzuara, nacionalizmat agresivë, ideologjitë konkurrente, pushtetet diktatoriale ose autoritare. Këtij kapitulli të fundit i përkasin luftrat e Mëdha Botërore, shfarosja e çifutëve si dhe episode të tjera po aq të lavdishme për t’u harruar një herë e mirë.
. Në çfarë distance, identiteti shqiptar qëndron përkundrejt identitetit evropian ? Nga një pikpamje historike, shqiptarët nuk ishin të vetmit që ju bashkëngjitën peripecisë otomane. I parë nga Evropa, gjithë Ballkani ose pothuaj i gjithi s’është gjë tjetër veçse « një rajon i ndërmjetëm, i gjendur mes Perëndimit, Lindjes dhe Afrikës, i qëndërzuar mbi Mesdheun » (6), i përthithur në një dinamikë post-bizantine dhe ish-otomane, ku identitetet lokale kanë qenë ndërtuar sipas shembullit të disa modeleve njëkohësisht perëndimore dhe lindore, sipas një « alkimie të integrimeve dhe të flakjes që ka krijuar popujt e Evropës juglindore të sotme ». Në këtë plan, ballkanikët përbashkojnë më tepër vlera se sa veçohen nga diferencat, duke frymëzuar Cvijiç dhe të tjerë antropogjeografë për të përpunuar modele të llojit homo balkanicus, të frymëzuar nga një mentalitet ballkanik i veçantë. Elementët e parë të një diferencimi rajonal çfaqen në planin socio-politik, nga momenti i vendosjes së kufijve dhe të institucioneve të pushtetit. Në këtë mënyrë, identiteti rajonal, bile dhe kombëtar, paraqitet i pajisur me funksione të reja – individ dhe pushtet, shoqëri dhe elita, gjë e cila implikon një diskriminim të njohurive, të principeve dhe të vlerave, qëllimi i të cilave është prodhimi i stereotipeve që ushqejnë të sotmen. E kaluara shëndrrohet në këtë mënyrë në një fushë të gjerë gërmimesh dhe historia përbën atë lëndë të përpunueshme sipas dëshirës, e domosdoshme për të ngritur kufij të rinj imagjinarë mes Vetvehtes dhe Tjetrit. Ndaj kësaj prespektive, nuk mjafton më të ngrihet pyetja se ç’përfaqson identiteti kombëtar por në rradhë të parë në favor të kujt dhe kundër kujt ai është ndërtuar(7).
. Nga momenti që instalohet dikotomia mes Vetvehtes dhe Tjetrit, bota ndrron fytyrë. Ajo ndahet ndërmjet qendrës dhe periferisë, ndërmjet progresit dhe regresit, ndërmjet modernizmit dhe arkaizmit. Pa asnjë dyshim, Perëndimi përfaqson modelin që duhet ndjekur dhe kopjuar ndërkohë që Ballkani mbetet shembulli që duhet harruar. Për evropianët, ballkanikët s’janë gjë tjetër veçse të tjerët nderkohë që për të dytët, të parët përbëjnë atë pjesë të idealizuar të vetvehtes, këtë pjesë të paprekshme që çdokush dëshiron të jetë. Le të bëhemi përfundimisht shpirtgjerë ! Evropianët e civilizuar arrijnë të pranojnë gjithashtu se edhe ballkanikët e prapambetur përfaqsojnë një pjesë të vetvehtes ; vetëm se, bëhet fjalë për atë pjesë të turpshme që çdokush dëshiron t’a fshehë, përpara se t’a fshijë përfundimisht nga kujtimi – intolerancën, pastrimin etnik, shfarosjen, barbarinë… Megjithatë, evropianët nuk mund të neglizhojnë faktin që konstruksionet identitare funksionojnë gjithandej në mënyrë analoge : në hapësirën perëndimore evropiane, në hapësirën qëndrore Mitteleuropa – bile edhe në atë ballkanike. Evropa e parë – ajo e kombeve dhe e shteteve - deri në pragun e luftës së dytë botërore, ja la vendin Evropës së dytë – thuajse të padukshme, pasi ish ndarë nga Perdja e Hekurt dhe ish tretur brenda dy blloqeve antagoniste. I vetmi zë në shkretëtirë që guxonte të përmendtte realitetin evropian si një bashkësi vlerash nga Atlantiku në Ural ishte ai i Sharl de Golit në fillim të viteve 60’. Nën frymëzimin socialist lindi një vizion i ri – Evropa si një forcë të tretë, mes kapitalizmit dhe komunizmit, e cila pas shëmbjes së Murit të Berlinit u konkretizua në Evropën e tretë : forcë e re e integruar politike, ekonomike dhe përfundimisht kulturore në sferën perëndimore, konkurrente e denjë në tregun liberal botëror. Në këtë stad të zhvillimit, Evropa « e Re » e shtyrë nga pragmatizmi, i bëri besim intuitës dhe në rradhë të parë arsyes. Ajo ndërkohë e kish kapërcyer barrierën e « përplasjes mes qytetërimeve » të konfirmuar nga Huntingtoni (8), duke pranuar në gjirin e vet fillimisht një Greqi që i përkiste jo vetëm botës ballkanike po edhe asaj ortodokse ; ajo e përforcoi gjestin e saj nëpërmjet pranimit të një varg vendeve të « botës sllave » - Poloni, Çeki, Slloveni ose Sllovaki, ndoshta e nxitur nga referencat e tyre katolike. Përfundimisht, ajo recidivoi me rastin bullgar duke shtrirë këtë besim edhe mbi sferën ballkaniko-sllavo-ortodokse. I vetmi hap që ende heziton të hedhë është ai i pranimit në gjirin e vet të vendeve ballkaniko-myslimanë, natyrisht nëpërmjet argumentit të një demokracie ende të dobët. Cilëtdo qofshin argumentat dhe logjika e ndjekur, aktualisht Bashkimi evropian ka prekur pothuaj ekstremet e hapësirës së tij « natyrore » : kufijtë e botës ortodokse « të mirëfilltë » - me Rusinë në qendër, dhe ato të botës myslimane – me Turqinë në rolin e përfaqsuesit të denjë.
. Projekti i institucionalizimit të identitetit evropian ka lindur nën shenjën e bashkimit. Ky bashkim i konceptuar dhe i realizuar fillimisht si një bashkim ekonomik – qymyri dhe çeliku – u shtri gradualisht edhe në fusha të tjera : kulturore, politike, ushtarake… Por para së gjithash, ideja qëndrore e këtij bashkimi ishte të ndryshonte raportet mes Vetvehtes dhe Tjetrit, në brendësi të hapësirës perëndimore, me qëllim që të tentohej t’i jepej fund mohimit fizik të Tjetrit, luftës. « Kurrë më » - don të thotë t’i bëhet thirrje kujtesës për të kuptuar se mënyra më e mirë për të tejkaluar një farë të kaluare ishte federimi rreth një ideje post-kombëtare. Bërja besim ndaj shtetit ligjor, një substance të zbrazur nga përmbajtja e saj historike për t’a shëndrruar në një normë, një institucion – ja edhe kapitali i mendimit të një Ulrik Bek kur përcakton kozmopolitizmin proceduror si esencë të evropianizmës. Pavarësisht kësaj, asnjë kozmopolitizëm i këtij lloji nuk eshtë në gjendje të absorbojë pushtetin e imagjinarit kolektiv. Fakti vetë i të dhënit vetvehtes të të drejtës për të përcaktuar një « standard » të qytetarisë evropiane nënkupton që tashmë, egziston mundësia e të përcaktuarit të këtij kufiri imagjinar në një mënyrë të ndërgjegjshme, të qënit të aftë për t’a shvendosur, për të ridimensionuar hapësirën evropiane në termat e perëndimit-Oksident dhe të lindjes-Orient.
. Cila prej këtyre ideve frymëzon Kadarenë dhe të tjerë shqiptarë kur shpallin identitetin e tyre të ri evropian ? Sipas të gjitha gjasave, asnjëra prej tyre – në qoftë se lemë mënjanë vizionin e tyre historik. Në nivelin e tyre, ata ndërhyjnë vetëm mbi klishetë e Vetvehtes dhe të Tjetrit : mjafton në këtë mënyrë të mohohet e kaluara për t’u shëndrruar në « evropianë të vërtetë ». Të tjerë, ata që na kqyrin nga larg, mendojnë ndryshe : Të pretendosh të hedhësh poshtë këtë traditë myslimane, të imagjinosh që pjesa dërrmuese e popullsisë mund të heqë dorë nga feja e saj, është një iluzion i rrezikshëm. Po aq e rrezikshme është edhe dëshira për të t’ju vjedhur trashëgimisë otomane e cila, mër të mirë ose për të keq, ka formuar identitetin e sotëm të popullit shqiptar, sikundër ka bërë edhe për popujt e tjerë të rajonit. Të duash të heqësh qafe këtë trashëgimi është e njejta gjë sikundër braktisja e kulturës dhe e identitetit të vetvehtes. (9) Pa mundur të kuptohet deri në fund mekanizmi i saj i brendshëm si dhe principet e saj themeluese, është krijuar mendimi se përfundimisht Evropa paskësh qenë e lidhur me Shqipërinë me anë të një detyrimi hipotetik të transmetimit të qytetërimit dhe të dhënies së ndihmës. Në të vërtetë, qëkur ky kontinent tashmë shumëracor paskish shprehur dëshirën për të përmirësuar imazhin e tij nëpërmjet integrimit të tre milionë e gjysëm njerëzish lëkurëbardhë ose me gjak-blu ? Me ç’rast, Evropa shumëfe paskish shpallur një ndjenjë mospranimi ndaj atyre dy milionë myslimanësh agnostikë, nga frika e rrënimit të pejzazhit të saj fetar ?
.
. ---------------- (1) Armin von BOGDANDY - The European Constitution and European Identity: A Critical Analysis of the Convention's Draft Preamble, në Weiler and Eisgruber, eds., Altneuland: The EU Constitution in a Contextual Perspective, Jean Monnet Working Paper 5/04.
. (2) Në lidhje me bazën e përbashkët si dhe mbi vlerat mbi të cilat ngrihet Bashkimi evropian, shih : SZAZADVEG – European values & Identity : A reflection for an indispensable discussion, Szazadveg Foundation, Austrian Institute for European Security Policy. 2005.
. (3) Vaclav HAVEL - fjalim në Parlamentin evropian, 8 mars 1994.
. (4) Council of Europe – European identity : a kaleidoscope undergoing constant development, « The notion of Identity », Discussions, April 17-18, 2001.
. (5) Dominique HAMON & Yvan Serge KELLER - Fondements et étapes de la construction européenne, PUF, 1997.
. (6) Albert DOJA - Formation nationale et nationalisme dans l'aire de peuplement albanais, Europa, Volume 3, No 2 – 2000.
. (7) Dimitar BECHEV – Constructing South-East Europe : the Politics of Regional Identity in the Balkans, Europe and the Mediterranean Convergence, Conficts and Crisis (Working Paper Series), European Studies Centre University of Oxford, Ramses 2 paper 1/06, march 2006.
. (8) Shih : Samuel HUNTINGTON – Le clash des civilisations, Ed Odile Jacob, Paris 2000.
. (9) Shih : Jean – Arnault DERENS – Christianisme et identité albanaise, Religioscope, Études et analyses nr. 12, mai 2007. në : http://religion.info.

La suite.. - Vazhdimi...

samedi 24 novembre 2007

Identitetet e ringjallura fetare.

Skema mjaft e ndërlikuar e identiteteve etnogjuhësore mbetet jo e plotë po qe se nuk plotësohet me një aspekt qënësor siç është ai fetar. Edhe kësaj here, tabloja që përfitohet është e pazakonshme. Të ndarë mes dy besimeve të mëdha fetare monoteiste – krishtërimit dhe islamit, sejcila e nëndarë në dy degët e saj kryesore : katolike dhe ortodokse për të parën si dhe sunite dhe alevi për të dytën, përfundimisht shqiptarët nuk mund të kyçen brenda konfigurimeve të thjeshta, sikundër dhe pjesa tjetër e Evropës.

.Pas pesë shekujsh jetese të përbashkët me otomanët, së paku u respektua një farë logjike : në vigjilje të pavarësisë së tyre, shqiptarët ishin i vetmi popull i Evropës i përkushtuar ndaj islamit, në qoftë se përjashtojmë natyrisht turqit periferikë dhe boshnjakët e përçarë (1). Sidoqoftë, duhej pritur ende një çerek shekulli që përshtypja intuitive të kthehej në siguri. Duke marrë parasysh për herë të parë edhe përkatësinë fetare të banorëve, rregjistrimi i popullsisë të vitit 1939 na mëson se masa prej 1.180.000 vetësh, përmblidhte 826.000 myslimanë (70% e popullsisë), 212.000 ortodoksë (18%) dhe së fundi 142.000 katolikë (12%). Megjithatë, bashkësia myslimane nuk ishte aq homogjene sa dukej : rreth 600.000 vetë (73% e myslimanëve) i përkisnin tendencës sunite tradicionale dhe pjesa tjetër, 226.000 vetë (27%) ishin ithtarë të vëllazërive mistike myslimane – tarikateve (2). Në vazhdim, duke përjashtuar rregjistrimin e popullsisë të vitit 1942 i cili u krye nën përkujdesin e italjanëve pushtues (3), të dhënat e drejtpërdrejta mungojnë megjithë serisë prej shtatë rregjistrimesh të plota, të mbajtura gjatë periudhës komuniste. Në këtë mënyrë, të gjitha referencat ndaj shifrave mbeten projektime të thjeshta të të parave, me vlera të kufizuara krahasuese.

.Gjeografia e grupeve fetare s’është gjë tjetër veçse pasqyrim i zhvillimit të shoqërisë njerëzore : fetë më të vjetra – në rastin tonë të krishtera – mundën t’i shpëtonin ofensivës myslimane ose falë relievit të vështirë (veriu i thellë katolik) ose falë çadrës mbrojtëse të Kishës së Madhe Ekumenike të Stambollit (çereku jugor – juglindor). Përsa i përket zonës tjetër, gjithçka është në funksion të lëvizshmërisë të popullatave si dhe të shkallës së mirëkuptimit reciprok mes bashkësive. Në perëndim të monarkisë zogolliane dhe në agim të pushtetit komunist, katolikët u gjenden në një zonë të ngushtë që përmblidhte qytetet e Shkodrës dhe Lezhës dhe rrethinat e tyre sikundër në zonat e Malësisë së Madhe, në krahinën e Mirditës dhe në malësi të Lezhës. Në të kundërt, ortodoksët përhapen në një rrip mjaft të gjerë që shkon nga Pogradeci dhe Korça në lindje deri në Himarë në perëndim, duke kaluar nga Berati, Përmeti dhe Gjirokastra. Ishuj të rëndësishëm të popullsive ortodokse gjenden në Myzeqe sikundër dhe në qytetet bregdetare dhe në Tiranë.

.Gjithë pjesa tjetër e vendit mbetet myslimane : fusha bregdetare, luginat e lumenjve Mat, Erzen, Shkumbin, Osum dhe Vjosë sikundër dhe malësia e zonave qëndrore dhe jugore. Po besnike ndaj islamit mbetet edhe lugina e sipërme e Drinit, duke përfshirë dhe Dukagjinin dhe vise të tjera rreth kufirit me Kosovën. Më tej, realiteti në terren, i kqyrur në zona të ngushta, është fort i ndërlikuar pasi edhe ato zona që mbahen si të krishtera s’janë gjë tjetër veçse ndërthurje të bashkësive kryesisht ortodokse dhe myslimane. Përsa i përket kosovarëve, në shumicën dërrmuese të tyre ata mbeten myslimanë. Vëllazëritë mistike sufi janë fort të rralla ndërsa numri i ortodoksëve shqipfolës është i papërfillshëm. Katolikët kosovarë përbëjnë 4-5% të popullatës (rreth 100.000 vetë) dhe jetojnë të përqëndruar në rrafshin e Dukagjinit si dhe në qytetet e Gjakovës dhe të Prizrenit. Të tjerë ishuj katolikë mbijetojnë në Prishtinë dhe Gjilan (4). Nga ana tjetër, profili fetar i shqiptarëve të Maqedonisë mbetet fort i ngjashëm me atë të kosovarëve, me disa sufi më tepër dhe me disa katolikë më pak.

.E paraqitur në këtë mënyrë, bashkësia e folësve të gjuhës shqipe jep përshtypjen e një blloku mjaft homogjen njerëzor, sidoqoftë grupi më i rëndësishëm i myslimanëve ballkanikë. Kjo gjendje nuk ka mundur të mos i shpëtojë vështrimit të specialistëve të fesë si dhe politologëve të cilët, një moment të caktuar i druheshin asaj « transversaleje të gjelbër », e cila sipas imagjinatës kalon nga Turqia deri në Bosnje – dhe që përshkon natyrisht Shqipërinë dhe Kosovën. Përtej një farë zhgënjimi të mjediseve anti-islamiste, mungesa e çdo motivi fetar gjatë luftës së fundit të Kosovës si dhe gjatë trazirave të natyrës civile të vitit 1997 në Shqipëri, shërbeu si bazë e një pyetjeje të re : janë apo nuk janë myslimanë të vërtetë shqiptarët ? Përgjigja mbetet fort e kontrastuar dhe si zakonisht i nënshtrohet bindjeve të vëzhguesve. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e tyre janë të mendimit se pesha e Islamit në jetën shoqërore ose politike si dhe çfaqjet e saj në hapësirën publike ndryshojnë sipas vendit ku gjendemi dhe që shpirtëzimi mysliman jetohet ndryshe në Shqipëri dhe ndryshe në Kosovë, pa harruar edhe Maqedoninë. Pa vajtur deri në pohimin që egzistojnë po aq lloje të Islamit sa edhe bashkësi shqipfolëse, kjo don të thotë që identiteti fetar duket se i bindet logjikave divergjente (5). Kjo problematikë që prek thellësisht islamin, takohet gjithashtu edhe në gjirin e popullsisë të krishtere. Tek shqiptarët, pjesëmarrja në një bashkësi fetare nuk duket se është « shprehja e një besimi dhe e një teologjie precize » - e cila, me që ra fjala mbetet fort keq e njohur, por kryesisht « pjesëmarrje në një kolektivitet, i cili ka traditat e veta si dhe orientimet e veta kulturore » (6). Duke dalë jashtë fushës së dogmës, identiteti fetar paraqitet para së gjithash si një fakt kulturor, një pjesëmarrje në një sistem vlerash familjare dhe shoqërore. Sejcili – në të vërtetë, ai që është – mbetet mysliman ose i krishterë për hir të traditës, për hir të lidhjeve ndërkohë që ritet s’kanë ndonjë peshë të veçantë : kështu, mund të falemi pa shkuar në xhami ose në kishë, ashtu sikundër mund të hyjmë në këto vende të kultit jo për t’u falur. Mbajtja e Ramazanit pa agjëruar, pjesëmarrja në meshë pa ditur asnjë lutje nga Ungjilli – gjithçka është e mundur nga momenti që nxënia e doktrinave fetare asnjëherë nuk ka përbërë ndonjë shqetësim të vërtetë. Shpesh, një përmendje e thjeshtë e Zotit është e mjaftueshme për këtë fetarësi tradicionale që ajo të gjejë paqen e brendshme, që Njeriu të transhendojë në një besimtari të sinqertë. Megjithë kohën e shkuar, tabloja e përshkruar nga vëzhguesit evropianë ende nuk i ka humbur ngjyrat e gjalla të shekujve të kaluar (7).

.Ndërkohë, përvijohet një problem i natyrës praktike, përsa i përket interpretimit të gjendjes shpirtërore fetare. A mos është vallë shprehje e asaj tolerance tradicionale – qoftë edhe të sajuar, por ndaj të cilës shqiptarët janë fort krenarë ? apo, në të kundërtën, një gjendje misticizmi të pasigurt të cilit i mungon « lidhja e drejtpërdrejtë mes identitetit bashkësior dhe ndjenjës fetare personale të individit » ? Mos vallë ndodhemi në « një kapital fetar të përbashkët në të cilin kultet fetare bashkohen dhe ku konturet e identiteteve fetare fillojnë e fshihen » apo në të kundërt, në një besimtari të rëndomtë ku banaliteti i jetës së përditshme zëvendëson ngritjen shpirtërore nëpërmjet faljes ? Nëpërmjet filtrit instrumentalizues nacionalist, mund të gjykohet në mënyrë « intuitive » se e gjitha kjo s’është gjë tjetër veçse efekti i një islamizimi sipërfaqsor të kryer mbi një popullsi, në gjirin e të cilës besimet e mëparshme të krishtera hezitonin të zgjidhnin mes katoliçizmës dhe ortodoksisë. Në qoftë se shtojmë gjithashtu efektin destabilizues të Bektashizmës, që nëpërmjet lidhjeve të tij të fuqishme me bestytnitë pagane ka orientuar adeptët e tij drejt një herezie, nuk duhet të jemi fort larg një « çudije » të re shqiptare, që i shtohet vargut tashmë të gjatë të atyre të mëparshmeve. Çudi ose jo, këto identitetet fetare ndërveprojnë dhe shprehen në bashkëveprim të thellë me elementë të tjerë po aq esencialë të natyrës etnogjuhësore, kulturore bile edhe krahinore. Në këtë rast, as që guxojmë të imagjinojmë rezultatin që del nga një mbivendosje të tillë faktorësh, që veprojnë mbi një variacion të tillë grupimesh njerëzore të fragmentuara në një hapësirë gjeografike kaq të kufizuar. Ajo çka është një predikat i brendshëm i kombit shqiptar është pikërisht kjo mënyrë krejt origjinale për të gjetur ekuilibrin nëpërmjet paqëndrueshmërisë, të krijimit të regullit nëpërmjet çrregullsisë. Duket se ai preferon më tepër të zhvillohet drejt gjendjes së tij natyrore me entropi maksimale se sa t’i bindet autoritetit artificial të një Providence. Përpara të tillë shpirtrash « të pandjeshëm » dhe fort pak të përpunueshëm, fetë çmprehen ; ato humbin shkëlqimin e tyre, tërheqjen e tyre misterioze, forcën e tyre të errët sikundër dhe agresivitetin e tyre karakteristik. Ato shëndrrohen në një plehrues të çfarëdoshëm të argjilës kulturore të bashkësisë. Ç’rëndësi ka në se njerëzit humbasin në labirintin e dogmave jo të plota dhe të bashkësive të fragmentuara, përderisa mbetet kjo magjepsje ndaj kësaj bote unikale që bashkon shpirtrat, të atij misticizmi ndoshta të pasigurt por gjallërues pasi primitiv.... I vetmi problem është se bota rrethuese rrutullohet sipas principeve të ndryshme nga të tyret. Ky popull që beson se vjen prej Perëndive, në mos prej Pellazgëve dhe si pasojë po aq hyjnor sa ata, është gjendur që herët përballë një enigme të pakuptueshme :

Ndërkohë që disponon mjete të tilla njerëzore, të afta të pushtojnë Ballkanin, të rindërtojë Shtete që heqin shpirt ose të rimëkëmbë Perandori që heqin këmbën zvarrë, ai mbetet i pafuqishëm përballë lakmisë së fqinjëve të pangopur. Ndërkohë që « eksporton » Njerëz të shquar në mbarë botën, janë veç diktatorët që i përshtaten. Ndërkohë që a priori ai lind luftëtarët më të shquar të planetit, të gjithë agresorët i hynë brenda si në një mulli pa zot. Ndërkohë që bota rrethuese nuk pushon së rrituri, hapësira e tij vitale nuk pushon së zvogëluari. Përse Zoti është kaq i padrejtë me të ?

.Ndoshta, me që « heth nga një grusht temjam në çdo altar të çdo Perëndije që i ka dëgjuar emrin », s’ka perëndi që e dëgjon. A nuk është më e logjikshme që të zgjidhet njëra prej Perëndive, ajo më e mira ? Ideja është fort tërheqëse por fatkeqsisht ajo nuk është e re. Fillimisht ajo ka mbirë në atë epokë të lavdishme, të quajtur « Rilindja Kombëtare » dhe krijuesi i saj, në mos zëdhënësi, ishte i talentuari Pashko Vasa, i njohur ndoshta edhe si Vaso Pasha Shkodrani – një burrë i penës dhe i politikës. Strofa e tij tashmë e famshme është një program i tërë : « Çonju Shqyptar, prej gjumit çonju, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtrëngonju, E mos shikjoni kisha e xhamija, Feja e Shqyptarit asht Shqyptarija ». Ja edhe zoti që ju ka munguar shqiptarëve : shqiptarija, një ideal kombëtar i cili qëndron dhe duhet të mbetet jashtë veçorive të shumëfishta, bile edhe atyre fetare.

  • Shqiptarija pra don të thotë transcendim i feve të ndryshme – ky është edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i thirrjes së lëshuar në atë vit të largët 1878. Nën këtë flamur, disa përfaqsues të elitave shqiptare u bashkuan rreth projektit të Kombit shqiptar. Eshtë simptomatik fakti se, në kohën e sotme, thirrja fillestare e Vasës vazhdon të interpretohet në sferën e saj të ngushtë politiko-ideologjike, si « afetare, por jo antifetare, një parim politik, që synonte bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare », si një përpjekje për « laicizim të ndërgjegjes kombëtare » (8) që mund të binte ndesh qoftë edhe me institucionet klerikale - duke parë tendencën e tyre të shërbesës së interesave të të huajve.
  • Paralelisht me përpjekjen vasjane të « laicizimit të ndërgjegjes fetare », një varg shqiptaristësh të epokës përgatitore të pavarësisë kombëtare ishin të mendimit se thelbi i shqiptarizmës nuk qëndronte « në denoncimin e ndarjes fetare, qoftë dhe të feve në vetvehte » por në përpjekjen kundër përdorimit të fesë si « instrument përçarjeje nga ana e hierarqive jo kombëtare » (9). Ky kuptim i përgjithësuar i shqiptarisë gjen jehonën e tij në aktivizmin e një sërë figurash të shquara të Lëvizjes Kombëtare që theksonin në mënyrë të ndërgjegjshme - ose që ndjenin në mënyrë të pandërgjegjshme - se besimi fetar mbetej një element i qenësishëm i identitetit kombëtar – dhe që kundërshtia ndaj realitetit shumëfetar mund të prodhonte imazhin e një shqiptari « të pafe ». Në këtë vazhdë, Naim Frashëri i bënte thirrje baballarëve bektashi që të viheshin në qendër të shqiptarizmës, pasi që bektashizmi sipas Naimit mbetej shprehje e besimit në « Zotin e vërtetë ». Larg çdo kuptimi politik të mirëfilltë, ky instrumentalizim nacional i fesë mbetej gjithmonë i shkrirë brenda sferës së saj të gjerë shpirtërore.
  • .Kuptimi tjetër – i tërthorti – është ai që mbiu pas krijimit të Shtetit të pavarur shqiptar : për mjedisin zyrtar të asaj periudhe, shqiptaria u kuptua si kombëtarizim i fesë. Ky projekt preku njëri pas tjetrit sunitët, bektashinjtë dhe ortodoksët që nën optikën patriotike këputën lidhjet e tyre me qendrat përkatëse. Rezultati tejkalon komentin : sunitët humbën njëkohësisht edhe ushqimin material – ndihmat, edhe ushqimin shpirtëror – dogmën ; bektashinjtë u vetëizoluan dhe e shpallën vehten « qendër të botës » ; ortodoksëve ju desh të bridhnin si çifutët në shkretëtirë përgjatë viteve të tëra për të gjetur ata tre antarët fatkeqë të Sinodit të tyre të Shenjtë. Sigurisht, ky kombëtarizim shërbeu për të forcuar autoritetin e një mbreti laik si Zogu, ndërkohë që përkeqësoi dilemën identitare.
  • .Një kuptim i katërt – i rremi – është ai i adoptuar nga rregjimi i Hoxhës : nën optikën komuniste, shqiptaria don të thotë zhdukje e feve, në emër të një ideali – që në kuptimin e tij të fundit mund të quhet kombëtar. Rezultatet e një projekti të tillë ishin të menjëhershme : klerikët e paepur katolikë u shfarosën, fetarët e zbutur sunitë fillimisht u detyruan të heshtin dhe më pas u absorbuan plotësisht, priftërinjtë zbavitës ortodoksë në fillim u shfrytëzuan dhe në fund u asgjësuan, baballarët origjinalë bektashi fillimisht u përgëzuan dhe më pas u shkarkuan. Të gjithë aktorët – padret dhe papatë, hoxhët dhe babatë – humbën njëra pas tjetrës kryqet dhe hënëzat, ungjillët dhe kuranët, petkat dhe rasat, xhybet dhe tyrbet, mjekrrat dhe së fundi kokat ; vendi humbi monumentet e tij të kulturës ; besimtarët vendet e tyre të faljes ; njerëzit e thjeshtë orientimin. Më tepër se një katastrofë ishte një kataklizmë, një përmbytje si ajo e Noesë në kohë të vet. Vetëm se Noeja i ri s’kish çfarë të mblidhte në barkën e vet pasi ndërkohë gjithçka kish dhënë shpirt, bile edhe vetë shqiptarizma.
  • .Një kuptim i fundit – i kundërthëni – ka lindur në ditët e sotme. Sipas këtij të fundit, shqiptaria don të thotë përzgjedhje e Fesë së vërtetë, ajo që mund të afrojë shqiptarin me botën e sotme. Përmes përfaqsuesve të shumtë të kësaj rryme filozofike, dy prej tyre dalin mbi tufën, nëpërmjet propozimit të dy zgjidhjeve krejtësisht të kundërta, bile antagoniste. I pari, Ismail Kadare, i përket kategorisë së « oksidentalistëve » që hedhin poshtë Islamin si dhe të kaluarën otomane të vendit në emrin e modernizmit dhe të vlerave evropiane. I dyti, Abdi Baleta, ngrihet në përfaqsues të rrymës « islamo-nacionaliste ». Ai mbështet idenë e një rikthimi pa koncesione drejt Islamit – drejt këtij gjeneratori të ndërgjegjes kolektive – në emër të shpëtimit të Kombit shqiptar i cili ka qenë gëdhendur, bile edhe mbrojtur nga ana e otomanëve. Ndërkohë, është nëpërmjet këtij islami si vektor i përbashkët që edhe « bashkimi kombëtar shqiptar sikundër bashkimi i Shqipërisë etnike ndërkohë të ndarë » mund të realizohet.

.Cili nga të dy rrymat bashkëkohore të « shqiptarisë » mban çelësin e të ardhmes ? Sipas gjasave, asnjëra prej tyre. Është fort pak e mundur që, nëpërmjet ëndrrave parashikuese ku çfaqet populli që pranon më së fundi fenë katolike të të parëve si dhe vendi që vendos të ndjekë fatin e tij, atë të bashkësisë të vendeve të civilizuara dhe të krishtere të Evropës, ky « imazh i sakatuar » i Shqipërisë përfiton një shans më tepër për t’u ribërë. Po aq i pamundur paraqitet skenari që, duke ju bashkëngjitur një koncepti të të kaluarës, kërkon të ngazëllojë aspiratat legjitime të myslimanëve në kërkim të « parajsës së humbur ». A duhet ndoshta të pranohet një sfidë tjetër, ajo e proklamuar nga elita e re që i bën thirrje dinamizmit njerëzor të gegëve dhe të kosovarëve myslimanë, nën stimulimin e një kulture gegë që shtrin rrënjët në trashëgiminë katolike (11) ? Ç’farë duhet të bëjmë atëhere me këtë Komb shumëfetar, me këtë pasuri, trashëgimtarët e të cilës kanë përfituar favoret përpara se të grinden për të marrë pjesën që ju takon ? Ku t’a çojmë atë besimin e sejcilit dhe të çdonjerit, këtë të drejtë të patjetërsueshme të individit – e përcaktuar si e tillë në të gjitha Kartat e botës ? Në fund të fundit : cilët jemi ne ? nga vimë ? ku shkojmë ? Kuptimi i debatit të sotëm është krejt i qartë, pavarësisht faktit se pyetjet janë po aq të vjetra sa edhe vetë njerëzimi. Duke ngritur të tilla pyetje esencialiste, mos jemi vallë duke i mbushur mendjen vehtes ose në të kundërt, jemi duke i hapur sytë të tjerëve, të cilët mendohen se do të na presin një ditë krahëhapur ? Ndoshta pak nga të dyja ndërkohë që diku, ushqehet në mënyrë sekrete shpresa se sa më tepër të jemi solidarë aq më mirë mund të bindim. Le të pranojmë hapur se, nëqoftë se fantazma e një Turqie laiko-myslimane, së shpejti antare e Bashkimit evropian, tmerron pjesën më të madhe të qarqeve të krishtera të Evropës, përgjigja e prerë e shqiptuar deri tani nga Bashkimi i të njëzet-e-pestëve, tmerron dhe përngut Shqipërinë. Hajde pra t’a heqim qafe atëhere Turqinë dhe me atë rast, edhe ato shekujt e të kaluarës ! Përse jo në këtë rast, shqiptarët aq të njohur për oportunizmin e tyre fetar – mund të jenë gjithashtu të aftë të ndërmarrin atë rrugën e tyre të Kryqit, kësaj rradhe në drejtim të kundërt : të konvertohen masivisht në të krishterë, bile po qe e mundur në katolikë, me qëllim që të pranohen dhe të integrohen në Evropë. Ndërkohë që Greqia rregullon dokumentat e disa anonimëve, të pagëzuar ortodoksë – thjesht për të përshpejtuar procesin ; ndërkohë që Kisha katolike hap portat e saj ndaj disa « deleve noprane » të lindura myslimane dhe të ardhura nga sfera politike ose e kulturës, përse Evropa e bashkuar nuk do të pranonte një popull të tërë i cili, i ndriçuar befasisht nga drita e shenjtë, është konvertuar në masë dhe në mes të një gëzimi të papërshkruar, në brigjet e Adriatikut ? Këto skenare të shkruara nga shpirtkulluarit për të padjallëzuarit, nuk arrijnë që të krijojnë unanimitet në hapësirën shqiptare. Duke krijuar dhe ushqyer kategori imagjinare sikundër ajo e « identitetit evropian të shqiptarëve » (12), të parët s’bëjnë gjë tjetër veçse ngrenë më këmbë kontradiktat dhe shpurrisin pasionet rreth temës së identitetit kombëtar – që prej kohësh e përhumbur dhe jashtë sheshit publik. Tashmë me Evropën në horizont, është krejtësisht legjitime të nënvizohet se « ne i përkasim Evropës » – sikundër bën edhe Kadareja. Vetëm se, ky nënvizim lapidar nuk pengon të ngrihet pyetja : a na dëshiron ne Evropa apo jo ? Kushdo mund të konstatojë – në rradhë të parë burrat politikë, se optimizmi i Brukselit duket i dyshimtë në disa nivele. Mjafton të ndiqen lajmet dhe të kqyret mënyra e integrimit të ballkanikëve të përzgjedhur si Bullgaria dhe Rumania. Mjafton gjithashtu të ndihen deklaratat lidhur me temporizimin e ardhshëm në pranimin e antarëve të rinj. Ndërkohë as evropianët nuk duken fort të sigurt lidhur me të ardhmen e tyre, as edhe vendet antare nuk paraqiten fort entuziaste për të ndërmarrë sakrifica financiare të reja. Horizonti 2015 bile edhe ai 2020 çfaqet gjithmonë më tepër i mundshëm se sa i sigurt. Kjo jep edhe atë kohën e nevojshme për t’u thelluar lidhur me çështjen e identitetit shqiptar i cili, po qe se i besojmë specialistëve (13), mbetet fort i varur nga një njohjeje e mangët e të kaluarës së shqiptarëve, sikundër dhe të psikologjisë së tyre. Sidoqoftë, përpara se të ndërmarrin atë aggiornamento-n e tyre të mundimshme, shqiptarët kanë interes të dinë se çfarë përfaqson identiteti evropian i evropianëve.

. ======================

. 1) Krahasimi me boshnjakët imponohet qoftë edhe për arsye historike, pavarësisht faktit që përkatësia fetare e këtyre të fundit ndryshon në mënyrë rrënjësore nga ajo e shqiptarëve. Në 1879, myslimanët bosnjakë përfasonin vetëm 38,7% të popullsisë lokale. Pjesa qe mbetej ishte e krishtere, ortodokse dhe katolike – respektivisht 42,9% dhe 18,1%. Në vitin 1921, numri i myslimanëve bie edhe më tepër pasi tashmë ata përfaqsojnë vetëm 31% të popullsisë. Vetëm në vitin 1971, myslimanët arrijnë të bëhen shumicë në Bosnjë-Herzegovinë – (39.6%), përpara serbëve (37.2%) dhe kroatëve (20.6%), dhe në vitin 1991, në prag të pavarësisë së Republikës myslimanët përbëjnë 43,7% të popullsisë. Shih : Xavier BOUGAREL Bosnie, Anatomie d’un conflit. Paris, 1996.

. 2) Të krijuara në periudhën e hershme të pushtimit otoman, vëllazëritë mistike janë tashmë pjesë integruese e pejzazhit lokal. Pa asnjë dyshim, Bektashinjtë përbëjnë edhe rrymën më popullore dhe më me ndikim. Ata ndiqen në një distancë të respektueshme nga Helvetitë, nga Kadiritë dhe të tjerë Çelveti, që të gjithë të konsideruar si përbërës të familjes Alevi. Sipas specialistëve, nga pikpamja e doktrinës, « Bektashizmi përfaqëson një Islam heterodoks, një sistem eklektik dhe sinkretik heterogjen dhe shpesh jokoherent – një konglomerat të ezoterizmit mysliman, të besimeve indigjene të Anadollit dhe të Iranit, me infiltrime të formave të tjera skizmatike të krishtera sikundër dhe ideve filozofike sufi. ». Në qoftëse shtojmë edhe « një varg ndikimesh, besimesh dhe traditash popullore ballkanike të epokës paraotomane » sikundër dhe « praktika turko-shamaniste, elementë të ardhur nga sisteme mistike proto-turke, precepte ortodoksisë shiite si dhe precepte të tjera të ekstremizmave fetarë », kuptohet edhe më mirë përse dhe sot e kësaj dite përcaktimi i Bektashizmës mbetet gjithmonë problematik.

.3) Sipas rregjistrimit të italjanëve, vendi numëronte 1.128.143 banorë. Myslimanët ishin 779.417 vetë – duke përfshirë dhe bektashinjtë, pra 69% të popullsisësë përgjithshme, ortodoksët ishin 232.320 vetë, ose 21%, the së fundi katolikët ishin 116.259 vetë, ose 10%. Shih mbi këtë subjekt : Robert ELSIE – Islam and the Drvish orders of Albania : un Introduction to their history, development and their current situation. Dans; www. Elsie.de/Dr Robert Elsie.

. 4) Lidhur me gjeografinë fetare të shqiptarëve, shih edhe : Jean – Arnault DERENS – Christianisme et identité albanaise, Religioscope, Études et analyses nr. 12, mai 2007. Dans : http://religion.info. .5) Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – Albanie, les enjeux de la réislamisation, në : Xavier BOUGAREL et Nathalie CLAYER (nën drejtimin) – Le Nouvel Islam balkanique, les musulmans, acteurs du post-communisme 1990 – 2000, Édition Maisonneuve & Larousse, Paris, 2001.

. 6) Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – Albanie, les enjeux de la réislamisation, dans : Xavier BOUGAREL et Nathalie CLAYER (nën drejtimin) – ibidem.

.7) Ledi Mantagy, e shoqja e ambasadorit të Mbretëreshës së Anglisë në Stamboll (1717) shkruan mbi këtë çështje : « këta njerëz që jetojnë mes të krishterëve dhe muhamedanëve por që nuk bien në mekat, deklarohen të paaftë të gjykojnë se cila nga fetë është më e mira ; por, për të qenë të sigurt që s’e kanë hedhur poshtë të vërtetën, me një kujdes tepër të madh, i ndjekin të dyja dhe shkojnë në xhami të premten dhe në kishë të djelën ». Mary WORTLEY MONTAGU - Letters and Works ed. Lord Wharncliffe Philadelphia 1837 ; e cituar në : Faik KONICA - Shqipëria: kopshti shkëmbor i Evropës juglindore : Vepra, Tirana 1993. Edhe më mirë, Hjuxh shkruan në këtë mënyrë : « myslimani shqiptar shpesh martohet me një të krishtere. Ai shpie djemtë në xhami dhe lejon vajzën të ndjekë të jëmën në kishë. Ai vetë shkon nga një tempull në tjetrin pa asnjë bezdi ». T.S. HUGHES - Travels in Greece and Albania, London 1830, 2 ed., vol 2 ; gjithashtu i cituar në : Faik KONICA – ibidem.

.8) Kolektiv autorësh (Instituti i Historisë - Akademia e Shkencave të Shqipërisë)- Historia e Popullit Shqiptar v.I e II , Bot.. Toena, Tiranë, 1994 - 2002.

.9) Në mbështetje të kësaj ideje, mes të tjerësh Clayer përmend Fan Nolin. Ky i fundit, në një tribunë të botuar nga gazeta « Kombi » në vitin 1908, është i mendimit se fakti që dallimet fetare kishin krijuar një ndarje mes Shqiptarësh vinte nga që përgjegjësit fetarë « të huaj » i kishin shëndrruar dallimet fetare në antagonizma politike, në mënyrë të veçantë mes ortodoksëve dhe myslimanëve. Kështu Noli vinte në përfundimin se nuk ishin fetë që duheshin ndërruar – aq më tepër që kjo gjë nuk mund t’i imponohej popullit – por fetarët, shërbëtorët e fesë pasi ata ishin shëndrruar në instrumenta të armiqve politikë të kombit. Shih : Nathalie CLAYER – Aux origines du nationalisme albanais : la naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe. Éd. Carthala, Paris 2007.

. 10) Është tashmë i njohur opinioni i shkrimtarit, i cili akuzon islamin si « njërën prej dy fatkeqsive më të gjëmshme që kanë goditur popullin shqiptar, ndërkohë që tjetri është komunizmi ». Kohët e fundit ai recidivon duke e cilësuar katoliçizmin si « fenë e parë të shqiptarëve » ndërkohë që nënvizon se « ortodoksët s’janë gjë tjetër veçse katolikë të konvertuar gjatë skizmës së Kishës së krishterë ». Duke ndjekur veprën e tij, kjo gjë nuk paraqitet aspak si tronditëse. Mjafton të përmendet dëshira e tij lapidare « .. isha i bindur se Shqipëria do të anonte drejt fesë së krishtere, pasi ajo është e lidhur me kulturën, me kujtesën dhe me nostalgjinë e kohës përpara Turqve. Përgjatë viteve, besimi islamik, më i vonët, i importuar në bagazhet e Otomanëve, do të dobësohej (fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Kosovë). Ndërkohë që feja e krishterë, bile më saktësisht kultura e krishterë do të rrënjosej në vend. Kështu, së shpejti nga një e keqe (ndalimi i praktikave fetare në 1967) do të lindte një e mirë. Kombi shqiptar do të ndërmerte këtë riparim historik, çka do të përshpejtonte edhe bashkimin e tij me kontinentin at, Evropën ». Shih mbi këtë çështje : Ismail KADARE - Printemps albanais – Chronique, lettres, réflexions. Ed. Fayard, 1994.

. 11) Imazhi i saj është dhënë nga Ardian VEHBIU, në : - Standard Albanian and the Gheg Renaissance: A Sociolinguistic Perspective, në : International Journal of Albanian Studies (IJAS), vol 1, issue 1, fall 1997, N Y. Kjo ide është rimarrë dhe analizuar nga Nathalie CLAYER në - Islam et Identité Nationale dans l’Espace albanais (Albanie, Macédoine, Kosovo) 1989-1998, Archives de Sciences Sociales des Religions 115, Juillet - Septembre 2001.
. 12) Bëhet fjalë për një debat të dominuar nga polemika ndërmjet I. Kadaresë dhe R. Qosja, pas publikimit te veprave të tyre respektive « Identiteti Evropian i Shqiptarëve - sprovë» dhe « Ideologjia e Shpërbërjes ». Sikundër dhe titujt lejojnë të ndërshihet, objekti i polemikës është ndikimi i kulturave evropiane dhe otomane mbi identitetin e shqiptarëve të sotëm.

. 13) Shih : Rajwantee LAKSHMAN-LEPAIN – L’Albanie : une nation encore à inventer ?, dans: DE WAELE J.-M. & GJELOSHAJ K. (sous la dir.) - De la question albanaise au Kosovo, Éd. Complexe, 1999.

La suite.. - Vazhdimi...

jeudi 25 octobre 2007

Identitetet e shuara të diasporës.

Që prej kohës së çfaqjes të emrit shqiptar në Ballkan, ai është shëndrruar me të drejtë a pa të drejtë sinonim i dikujt që braktis vendin e vet për të shkuar e ngulur gjetkë, në pjesën më të madhe të rastit tek fqinjët. Për t’a ngulitur sa më mirë këtë ide, historianët serbë janë përpjekur prej kohësh – qoftë edhe nëpërmjet përsëritjes së parreshtur të « pushtimit shqiptar të Kosovës ». Sigurisht pasi kjo krahinë banohet prej shqiptarëve. Ndërkohë, s’njihet pothuaj fare opinioni i historianëve grekë lidhur me këtë fenomen, të cilët mbeten memecë ndaj invazionit shqiptar të Greqisë, të realizuar që prej kohësh që s’mbahen mend. Ndërkohë, vetë Zoti e di se nëqoftëse rasti i parë i shqyrtuar është tepër i dyshimtë - për të mos thënë krejtësisht imagjinar, rasti i dytë është krejt real. Shkaqet e një heshtjeje të tillë janë krejt të justifikueshme : asnjeri nuk dëshiron të pranojë që kombi i sotëm grek ka mundur të lindë mbi një rrënjë të tillë, aq më tepër që ajo sot është pothuaj e padukshme. Sidoqoftë, historia mban mend se në mes të shekullit të XIVtë, duke ju përgjigjur thirrjes të fisnikëve bizantinë, frankë, serbë, katalanë ose venedikas, një numër valësh migruese shqiptare ripopulluan rajonet e Thesalisë dhe të Atikës, sikundër dhe një pjesë të Peloponezit. Këta banorë të ardhur rishtas mundën të themelojë një numër të madh qendrash të natyrës bujqësore ose blegtorale, duke kontribuar në këtë mënyrë në rimëkëmbjen e këtyre viseve te vjetra, të shpopulluara nga luftrat, nga uria ose nga epidemitë. Historia mban mend gjithashtu që një valë e dytë përmbyti viset helene nga fundi i shekullit të XVtë, me shuarjen e rezistencës shqiptare kundër otomanëve, kulmi i të cilës u arrit me Skënderbeun. Me mijra familje shqiptare u instaluan në rajonet e Atikës, të Thrakës dhe në ishujt e Egjeut (Eubea, Andros, Hidra, Specia ose Salamina), të cilat u përforcuan edhe nga një pjesë e atyre shqiptarëve të vjetër të Peloponezit të detyruar të shpërnguleshin përballë përparimit otoman. Valë të tjera migruese të një mase më të vogël u zhvendosën më vonë, gjatë shekullit të XVIItë bile edhe në fillim të shekullit të XVIIItë, të cilat braktisnin vendin për t’i shpëtuar islamizimit ose hakmarrjes së fisnikëve vendas. Këtij rasti i përgjigjet ikja e Suljotëve, të përndjekur nga Ali pashë Tepelena. Kjo përzierje e përsosur mes substratit vendas dhe mbështetjes shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri dhe një gjallëri të habitshme, një aftësi të tmerrshme. Ajo ka mundur të kapërcejë kohrat dhe të befasojë otomanët gjatë të shquarit Revolucion grek. Breza të tërë marinarësh, armatolësh dhe të tjerë kleftë kanë dalë nga ky mjedis tepër shpërthyes, po ashtu sikundër dhe kundërshtarët e tyre bejlerë otomanizues si dhe milicitë e tyre myslimane, shumë shpesh me origjinë shqiptare. Të zhytur me mish e me shpirt në këtë kasaphanë të përgjakshme greko-shqiptaro-otomane, ata mundën të shkruajnë faqet më rrënqethëse të epopesë në Tripolica, në Athinë ose në Misolongji. Ata Kollokotronët, Bubulinat, Kunduriotët si dhe të tjerë Boçarë, Miaulis ose Kanaris ishin që të gjithë me gjak shqiptar – Arvanitas, që flisnin një idiomë arkaike të dialektit toskë të shqipes. Ata luftuan, vranë dhe u vranë – bile vranë edhe njeri tjetrin – për të bërë atë Greqi të vocërr, por të pavarur mes viteve 1821 dhe 1829. Udhëtarë evropianë të asaj kohe, të cilët duke zbuluar Greqinë, kanë dalluar krejt dukshëm të dyja racat që e përbënin, grekët dhe arvanitasit (1) s’janë gabuar gjëkundi : arvanitasit i kanë ndenjur në kokë Greqisë së re ende në djepe. Ata janë përpjekur dhe kanë dhënë jetën me të njejtën kurajo për të rritur lavdinë e Greqisë, bile edhe në dëm të vendit të tyre të origjinës së dikurshme. Duke u bashkuar në atë shkritoren ku u prodhua identiteti i sotëm grek, identitetit tjetër – atij shqiptar – ju desh të shkrihej në masën e të parit. Ishte edhe çmimi që duhej paguar për t’u shëndrruar në një qytetar grek autentik. Që prej asaj kohe, arvanitasit e konsiderojnë vehten si një kompozante të qenësishme të shoqërisë greke, duke refuzuar me këmbëngulje të identifikohen me shqiptarët e sotëm. Të kirshterë të mirë, bile edhe ortodoksë fondamentalistë dhe adeptë të kalendarit të vjetër , ata janë diferencuar përfundimisht nga Shteti që është ngritur mbi ato vise që fillimisht ishin edhe të tyret. Mohimi një imazhi të tillë të laicitetit për të mos thënë të myslimanizmit, që me kohë u shëndrrua në simbol të Antikrishtit – komunist dhe ateist, kjo ishte edhe detyra kryesore e Kishës greke, shërbëtorë të bindur të të cilës ata kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë. Në këtë farë antagonizmi të fshehur që ka vepruar prej kohësh mes fqinjëve ballkanikë dhe që shpesh shëndrrohet në konflikt, arvanitasit kanë zgjedhur një herë e mirë kampin e mbrojtësve të zellshëm të Shtetit grek. Paçka se shpërblimi nuk ka qenë i të njejtës mase me shërbimet (2) ! E vetmja shenjë e origjinës që vazhdon dhe mbijeton është gjuha që, e zhdukur nga sheshi publik, ka mbetur e rrudhur në qarkun familjar. A përbëjnë arvanitasit një pakicë etnike ose kombëtare në kuptimin e vërtetë të fjalës ? Përpara se t’i lemë rradhën legjislatorit që të japë një përkufizim të qëndrueshëm dhe universal të temit « pakicë etnike », duhet rikujtuar se në tokën greke jetojnë 200.000 arvanitas (1.600.000 sipas vlerësimeve të antarëve të kësaj bashkësie) dhe që çdo përpjekje e rekuperimit të tyre me qëllime nacionaliste është e kotë dhe pa asnjë bazë. Përpara së gjithash; kjo bashkësi dëshmon egzistencën e dy fateve paralele : ai i një kombi të tërë, jetësor dhe në kërkim të vazhdueshëm të identitetit dhe ai i një dege të tij të vjetër, rojtare e një farë forme të kujtesës gjuhësore. Shërbimi i fundit, por jo më i pakti, që ata i bëjnë Shtetit të tyre helen është roli i tyre i emërhuazuesit : pas emërtimit arvanitas fshihen sot të gjitha popullsitë e tjera me origjinë shqiptare që jetojnë në territorin grek. Rritja territoriale e mbretërisë Helenike në dëm të Perandorisë otomane që po hiqte shpirt, në fundin e shekullit të XIXtë dhe ne fillim të shekullit të XXtë, çoi në aneksimin e territoreve të gjera ku shqiptarët dhe grekët kanë bashkëjetuar prej kohësh. Zgjerimi i Greqisë drejt veriut dhe veriperëndimit ish përgatitur prej kohësh nga ana e qarqeve panhelenike të Athinës që dërgoi në këto vise banda të armatosura që terrorizonin popullsinë lokale, ndërkohë që eliminonin elementët nacionalistë shqiptare më në dukje. Në vazhdën e luftrave ballkanike, Greqia aneksoi territoret e Maqedonisë jugore, rreth liqenit të Prespës, bashkë me gjithë popullsinë e vjetër me origjinë shqiptare rreth e qark Kosturit dhe Konicës, që ishin shqiptarë të rrënjës pa qenë me gjak arvanitas. Paralelisht, Greqia aneksonte dhe territore të gjera të Epirit, duke përfshirë qytetet e Artës, Prevezës, Igumenicës dhe Janinën – pra Çamërinë e shqiptarëve ose Tsamouria e grekëve. Marrja e këture viseve, dhe veçanërisht e Epirit u shoqërua me dëbimin dhe shpronësimin e popullatave lokale shqipfolëse, myslimane në shumicën dërrmuese të tyre. Gjithkush ose thuaj gjithkush në Shqipëri mban mend ato dallgët njerëzore të ardhura nga Greqia, gjatë viteve 20’ dhe 40’ të shekullit të fundit. Bëhej fjalë për dhjetra mijra vetë, familje të tëra, një popull i tërë i quajtur çam që braktisi gjithçka kishte për t’u ngulur në toka të reja ndërmjet Konospolit dhe Durrësit. Një pakicë mbetëse u detyrua të ndrronte fenë, mënyrën e jetesës bile edhe emrat ose mbiemrat për të mbijetuar. Në vitin 1937, statistikat zyrtare greke njihnin egzistencën e 90.000 shqipfolësve, megjithë ndalimin e plotë të përdorimit të gjuhës së tyre. Sot, askush ose thuaj askush në Greqi nuk kujtohet në lidhje me këto fakte, për « pastrimin etnik » që ju kushtoi jetën me dhjetra mijra vetëve (3). Përkundrazi, sipas pikpamjes zyrtare të qeverive të njëpasnjëshme greke, aktualisht nuk egziston asnjë pakicë shqiptare në territorin grek (4). E parë nga Athina, gjithçka duket konforme pasi asnjë statistikë zyrtare nuk lejon të krijohet një ide mbi numrin e saktë të shqipfolësve ose të atyre që e reklamojnë vetvehten si të tillë. Paçka se burime jo-greke, të mbështetura mbi vlerësime të përafërta, avancojnë një numër mes 400.000 dhe 1.000.000 shqiptarësh ose me origjinë shqiptare, mes të cilëve numërohen të paktën gjysëm milioni emigrantë ekonomikë. Një degë e dytë e diasporës shqiptare është ajo e arbëreshëve të Italisë. Kjo koloni e rëndësishme shqiptare jeton në gadishullin apenin që prej shekullit të XVtë. Një pjesë e arbëreshëve braktisi vendin e lindjes në epokën kur ky i fundit quhej ende Arbëri – vendi i arbërve, pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të qyteteve të fundit (Krujë dhe Shkodër) prej otomanëve. Të tjerë u shpërngulën nga viset greke, arvanitasit, ndërkohë që vala turke përmbytte Greqinë. Arbëreshët janë instaluar në fshatrat e Kalabrisë, Bazilikatës dhe të Siqelisë dhe kanë ruajtur zakonet dhe veçanërisht gjuhën e tyre shqipe arkaike. Nga pikpamja historike bile edhe ajo gjuhësore, arbëreshët janë mjaft të afërt me arvanitasit ; ajo çka i diferencon është lidhja me Shqipërinë : ata jo vetëm nuk kanë mohuar kurrë përkatësinë e tyre, por prej shekujsh kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në zhvillimin e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Numri i arbëreshëve vlerësohet rreth 115.000 - 120.000 vetë, të shpërndarë në 47 komuna, pjesë përbërëse e 9 provincave (Peskara, Campobaso, Avelino, Foxhia, Taranto, Potenza, Kosenza, Katanzaro dhe Palermo) dhe e 7 rajoneve (Abruco, Molize, Pulja, Kampania, Bazilikata, Kalabria dhe Siqelia). Arbëreshët nuk njihen si pakicë kombëtare. Si rrjedhim edhe gjuha e tyre nuk bën pjesë në grupin e gjuhëve të pakicave, tutela e të cilave sigurohet nga Shteti dhe garantohet nga Kushtetuta italjane. Sidoqoftë, në rrafshin rajonal, gjuha shqipe gëzon një farë njohjeje zyrtare nëpërmjet statuteve të autonomisë së Kalabrisë, të Bazilikatës ose të Molizes. Së fundi mbetet « la Terza Albania » ose diaspora shqiptare në Evropë dhe në botë. Pa dyshim, Turqia ka qenë prej shekujsh vendmbrritja kryesore e shqiptarëve në kërkim të punës ose të lavdisë. Stër-stërnipërit e atyre zyrtarëve ose e atyre ushtarakve, të atyre artizanëve ose tregëtarëve me origjinë shqiptare – ose arnautëve – llogariten me qindra mijra për të mos thënë me miliona, të shpërndarë gjithandej vendit dhe të përqëndruar në Stamboll, Izmir, Brusë ose Ankara. Të rrallë janë ata që e dinë këtë gjë bile edhe më të rrallë ata që përdorin gjuhën e të parëve për përdorim shtëpijak. Disa dhjetra mijra shqipfolës të tjerë janë instaluar në trojet turke gjatë shekullit të XXtë. Bëhet fjalë për kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë myslimanë të dëbuar nga Jugosllavia mbretërore dhe ajo komuniste e Titos ; bëhet fjalë për shqipfolësit çamër të Greqisë, të shkëmbyer me gërqishtfolësit e Azisë së Vogël ; bëhet fjalë së fundi edhe për shqiptarët e mirëfilltë – panislamistët, antizogistët, antikomunistët, post-komunistët, pro-Berishjanët si dhe plot të tjerë. Përveç Turqisë, shqiptarët kanë migruar që prej shekullit të XIXtë në një numër vendesh fqinje (Rumani, Bullgari… ) ose të tjera vende të pellgut të Mesdheut (Egjipt) ku kanë krijuar koloni të vërteta, kryesisht me drejtim tregëtar (5). Mbetet gjithnjë tepër e vështirë të përcaktohet numri i tyre, aq më tepër nga fakti se në kohët më të vona, ata nuk kanë hezituar të braktisin vendin e tyre të adoptimit për të kapërcyer oqeanin në zbulim të Botës së Re. Që nga fundi i shekullit të XIXtë, flukset migratore shqiptare u riorientuan drejt Amerikës së veriut, Argjentinës ose dhe Autralisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë gjithmonë vendin e parë, falë qendrave të tyre të mëdha industriale - Boston, Detroit, Çikago, Nju Jork – konsumatorë të mëdhenj të krahut të punës me çmim të lirë. Aktualisht, numri i shqiptarëve në SHBA llogaritet me pak qindra mijra – të ardhur nga Shqipëria, por njëkohësisht edhe nga Kosova ose nga Maqedonia, ndërkohë që në vendin fqinjë, në Kanada, ky numër mendohet se prek nivelin njëqind mijë. Natyrisht, Kontinenti i Vjetër nuk mund të shpëtonte nga emigracioni shqiptar, i vjetër dhe i ri. Deri në një datë të vonët, Gjermania dhe Zvicra mbeteshin drejtimet e privilegjuara të kosovarëve ndërkohë që këto kohët e fundit, shqiptarët tentojnë gjithnjë e më tepër Anglinë, duke kaluar nëpër Belgjikë bile edhe nëpër Francë.
(1) Shih : Jean-Claude BERCHET (ed.) – Le Voyage en Orient : Anthologie des voyageurs français dans le Levant au XIXème siècle, Ed. Laffont, Paris 1992. (2) Mjafton të kqyret shkalla e konsideratës që ka qeveria greke ndaj arvanitasve, të cilët i vendos si grup etnik menjëherë pas romëve. Larg përpara tyre gjenden vllehët, dopit (greko-maqedonët) ose pomakët (bullgarët e islamizuar). Për detaje të tjera, shih faqen zyrtare të Ambasadës së Greqisë në Francë : http://www.amb-grece.fr/presse/grece/diversites_culturelles.htm. (3) Zgjedhja e termit të përshtatshëm