"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura".
.
.. Filli kohor jep mundësinë të dallohet përballja e përjetshme me fqinjët grabitqarë, me fuqitë kontinentale dhe me perandoritë planetare ; të ndjehet pesha e pushteteve konkurruese dhe ideologjive dominuese. Kronologjia konfliktuale zbulon ndeshjen e pamëshirshme ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, dyzimin ndërmjet Krishtit dhe Muhametit, përzgjedhjen e vështirë ndërmjet Republikës dhe Monarkisë, përgjakjen ndërmjet komunizmit dhe nacionalizmit, përpëlitjen ndërmjet demokracisë dhe anarkisë, fërgëllimin ndërmjet socializmit dhe biznesit. Rregjistri shpirtëror dëshmon për luhatjen e vazhdueshme ndërmjet anonimatit dhe lavdisë, njëjtësimit dhe tjetërsimit, dashurisë dhe urrejtjes, kokëkrisjes dhe çmëndurisë, dhimbjes dhe shpresës. Alkimia e vendit furnizon së fundi edhe formulën e krijimit të përbërësve njerëzorë të Kombit : ilirë dhe arbër, Gegë dhe Toskë, fise luftarake të veriut dhe bashkësi zanatqare të jugut, bajraktarë kryelartë dhe bejlerë sipërmarrës, irredentistë kosovarë dhe çamë nostalgjikë, elita qytetëse turkofile dhe intelektualë frankofonë ose italofonë.

Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?
Affichage des messages blog dont le libellé est Metafizikë e Qenies.. Afficher tous les messages blog
Affichage des messages blog dont le libellé est Metafizikë e Qenies.. Afficher tous les messages blog

mercredi 11 juin 2008

Metafizikë krijimi.

.

. Shopenhauer - "Njeriu është një kafshë metafizike".
. .
. Një tullë në çaçkë të kokës ! Një e tillë ndjesi m’u krijua kur një miku im më hodhi, ashtu si nëpër të, pyetjen, në pamje të parë të pafajshme : Ç’ka po t’vyen blogi ? .
. Pas gjithë atyre gysmanetësh pa gjumë, pas gjithë atyre orësh të vjedhura nga të tjera ditë dhe netë, pas gjithë atyre përpjekjesh për të shkruar diçka që ja vlente barra – dhe pas atyre zhgënjimeve të vërteta apo të sajuara, pasi më dukej se askush nuk interesohej për shkrimet - doli më në fund njëri që me siguri s’kish marrë mundimin të lexonte qoftë edhe një fjalë nga ato që kisha shkruar, për të më bërë këtë pyetje asgjësuese. Bile dyshoj fort në se gjatë jetës së tij, ai ka lexuar qoftë edhe një faqe nga fillimi në fund. Duke dashur të fshij përshtypjen e keqe, mendova me ligësi se kontaktet e tij me fjalën e shkruar ishin këputur që nga dita kur letra higjenike zëvendësoi ato copat e gazetave ZP, të prera me aq kujdes, në një format dore… .
. Megjithatë, edhe kjo imagjinatë s’më dha asnjë kënaqësi, pasi e pata të vështirë t’i ktheja një përgjigje bindëse. A mund t’i thuhej atij njerimiku se unë shkruaja për kënaqësinë që jep të shkruarit ? për drithërimën që provokon gjetja e një fraze të qëlluar ? për përleshjen me vetvehten ndërkohë që përzgjedh fjalën që përshtatet mes dhjetra sinonimesh apo të tjera të përafërta ? për lezetin që ndjen duke pirë cigaren e fundit të natës, ndërkohë që çon ndër mend me sytë gjysëm të mbyllur fundin aq të gjetur të shkrimit të sapobotuar ? . Thjesht për të qetësuar vetvehten mendova se mendimi që fshihej pas kësaj pyetje ishte : a fiton ndonjë pare që po shkruan për këtë blog ? Zaten, ç’motiv tjetër – veç përfitimit – mund t’a shtynte për të më bërë këtë pyetje ? A nuk ishte ai që sikundër dhe plot të tjerë, pyetjes sime të atëhershme : a dëshiron të bëhesh antar i Shoqatës së shqiptarëve në Tuluzë ? i ish përgjigjur me kundërpyetjen : a fitojmë ndonjë gjë po të bëhemi antarë ? .
. Disa ditë më vonë, nuk ishte një tullë por e tërë shtëpia që më ra përsipër. Kësaj rradhe, ishte ime shoqe, që në një moment rrëmbimi më qëlloi me një pyetje vrastare : Ç’po na lipset ky blog ? . Ja pra, pavarësisht horizonteve të kithta intelektuale, pavarësisht raporteve radikalisht të kundërta me shkrimin, pavarësisht implikimeve personale të pakrahasueshme ndaj fatkeqit autor, dy persona të ndryshëm vinin pikpyetje të barazvlershme mbi të njejtin subjekt – natyrisht me ngjyrat vetiake dialektale. Por ajo çka më tërhoqi vëmendjen në sfondin e invariancës së shprehjes ishte loja e përemrave : vetor-dhanori njëjës i mikut ty, të = t’, i cili sipas gjasave vinte në pah (mos)vlerën në pare të përpjekjes intelektuale, dhe vetor-dhanori shumës i gruas ne, na që pa dyshim, theksonte shpërdorimin e vlerës kohë – të asaj kohës të paçmuar që duhej t’i destinohej familjes. .
. Mes idealistit ëndërrimtar që s’kish kapur kuptimin e thellë të adekuacionit kohë = pare dhe egoistit horizontngushtë që neglizhonte qëniet më të shtrenjta, zgjedhja nuk ishte aspak e lumtur.
.
. * * *
.
.
. Krejtësisht i paaftë për të zgjidhur dilemën vetiake, u mundova të vetëngushëllohem nëpërmjet një procesi fort të goditur : përpjestimit të masës së « fajësisë » me numrin e « fajtorëve ». Pra, nëpërmjet mendimit se të gjithë ata që marrin guximin dhe shkruajnë – duke qenë njëkohësisht etër dhe me një familje mbi shpatulla - gjenden në të njejtën situatë. Për më tepër, bëhet fjalë për miliona individë që në këtë pikë, i ngjajnë njeri tjetrit. Mjafton t’i hedhësh një sy blogosferës.. A thua, egziston ai që ka mundur të gjejë « mesin e artë » midis investimit kohor dhe mungesës së interesit material ? Cila është ajo forcë që shtyn krijuesin anonim, për të këmbëngulur në përpjekjen e tij shprehëse, megjithëse është i bindur për mosinteresimin e plotë financiar ? .
. Një nga shpjegimet e rralla të këtij fenomeni thuaj të pakuptueshëm është ai i dhënë kohët e fundit nga Fatos Kongoli, i cili të shkruarit e konsideron « fenomen metafizik » dhe ata që shkruajnë i kqyr si « të prekur nga virusi ». Edhe në se të shkruarit mos qoftë krejtësisht metafizik, më duhet të pranoj përmasën e tij ezoterike, egzistencën e frymës së mistershme që thyen barrierën thuaj të pakapërcyeshme të mbajtjes së penës në dorë dhe të të shkruarit të rreshtit të parë mbi letër, këmbënguljen kryeneçe për të sublimuar ndjenjën në frazë... .
. Në të vërtetë, epiteti « metafizik » i përshtatet jo aq të shkruarit vetë se sa atij që shkruan : një gjallesë absurde dhe pakuptimtë për shumicën e vdekatarëve, pasi karakterizohet nga vetia e të menduarit dhe thuaj gjithmonë jashtë realitetit fizik dhe racional. Si mund të jetë ndryshe kur bota përqark është e prirur të kuptojë dhe të tolerojë më kollaj varfërinë e mendjes se sa pasurinë e shprehjes, shpërdorimin e pasurisë se sa mungesën e interesit për të. Pa folur më tej për të tjera principe fort të larta të natyrës shoqërore, ato në emër të të cilave, në vitin 1964 në Leningradin e tij të lindjes, një farë Josip Brodski – shkrimtar thuaj anonim në vendin e vet, u gjykua si « parazit social » dhe u internua në ato kampet e famshme të edukimit nëpërmjet punës sociale. Vetëm pas një « stazhi » të tillë kuptimplotë – dhe tashmë larg një mjedisi të tillë – ai mundi të gjente qetësinë e mendimit dhe të krijimit, si edhe kurorëzimin suprem me Nobelin e letërsisë në vitin 1987. . Edhe pse shembulli i mësipërm nuk mund të shërbejë si alibi, të paktën ai mund të përdoret si argument. Bile edhe si nxitje, pasi ai ngroh bindjen se që të gjithë shkrimtarët – nga më i madhi Nobel deri tek më i zakonshmi fletënxirës – dikur kanë dalë nga ai mjedisi i krijuesve anonimë të nëpërkëmbur dhe të përbuzur, të atyre metafizikëve të fjalës dhe të mendimit që luhaten mes harresës dhe lavdisë, të atyre anti-alkimistëve që s’kanë mundur kurrë të shëndrojnë kohën në flori.. .
. Përsa i përket « prekjes nga virusi », jam i bindur se ajo s’është gjë tjetër veçse një figurë retorike, një eufemizëm, forca bindëse e të cilës mbetet sekret i shkrimtarëve të vërtetë – pikërisht i atyre që zotërojnë vetinë e shëndrrimit të « mikrobit » në para. Kam frikë se në rastin e zakonshëm, patologjia çfaqet në forma të tjera, më pak të frikshme por sidoqoftë, preokupuese : një farë krisjeje ose çarjeje në kontinuumin hapësirë-kohë, në errësirën çlodhëse të të cilës shkojnë dhe struken mendimet, nga ku buron imagjinata ; një dyzim i qenies, një pjesë e të cilës mundohet të qëndrojë në prani të të tjerëve – ajo që provokon ato buzëqeshjet pa lidhje dhe që kthen përgjigje disi të vonuara atyre që rrinë pranë, dhe pjesa tjetër – ëndërruese, fluturuese që ndërkohë, gjendet me qindra kilometra-vite larg. Troç, një farë idiotie e herahershme, një lloj hutimi i fajshëm dhe i pazëshëm që shkruhet në fytyrë dhe ndjell shpirtmadhësinë e turmës dhe bezdinë e të afërmve. A mund t’i kërkohet një të përhumburi të tillë që ngatërron shkëlqimin e yjeve me atë të arit, të vrapojë me ritmin e çmendur të njerëzve normalë, të zotërojë mekanizmin e stërhollë të harxhimit të kohës nëpër supermarkete ?
.
. * * *
.
.
. Ç’duhet të bëjë ai që ëndërron të jetë filozof ose artist i penës apo i furçës, apo ai tjetri, talenti i të cilit pret stinën e pjekjes, sikundër qershia në degë ? Në mos qoftë i martuar, duhet t’i ikë dashurisë që ndjell drejt vatrës familjare, Në të kundërt, duhet të planifikojë ndarjen. Në se i besojmë filozofit Gilles Deleuze (lexo : Zhilë Dëlëzë) – ai vetë i martuar - beqarnia është një « prodhues intensiteti » ndërkohë që mbetet një « nxitës i skicofrenisë ». Por, në fund të fundit, a nuk është më mirë të prodhosh intensitet dhe me atë rast, disa grimca arti sublim, gjithë duke rrezikuar skizofreninë vetiake se sa të prodhosh asgjë – dhe të ndash skizofreninë kolektive ? Duke mos patur një qendër të tillë rëndese apo komplekse zotëruese (grua, fëmijë, shtëpi, trashëgimi…), pra duke u çliruar nga një institucion i tillë ndërmjetës dhe vështirësisht i administrueshëm si familja, artisti ynë mund të përballë shoqërinë, botën mbarë – për të mos thënë Historinë. Kur nuk ka asgjë familjare për të mbrojtur, krijuesi ynë individual mund të matet me vetë Krijuesin universal. .
. Jam i sigurt se, shumica e atyre që lexojnë këto rradhë në mos buzëqeshin, të paktën picërrojnë sytë : të shesësh familjen për një pjatë thjerza ? të braktisësh vezën e përditshme për imazhin e pulës së artë ? Fundja, asgjë nuk na pengon të imagjinojmë, të fatazmojmë vetminë që, me që ra fjala, përbën edhe gurin e themelit të filozofisë judeo-kristiane. Strategjia e Kishës dhe betimi i priftit ! Për të qënë inteligjent, duhet të përballësh vetvehten, për të qënë i përkushtuar duhet të jesh i vetëm. Veçse kur reflekton qoftë edhe vetëm, reflekton për të tjerët. Pasi, edhe sikur të vetëquhesh Zot dhe të jesh i aftë të krijosh ex nihilo, ky krijim rezikon tredhjen në se nuk nënështrohet vështrimit të të tjerëve. Me fjalë të tjera, në mos në zemër diku gjetkë, duhet të ndjesh dashuri – për të vërtetën, të provokosh ndjellje – për të bukurën, të ndash emocionet – për vetë veprën. Përfundimisht, i vetëm por për të tjerët – dhe përpara se qarku të mbyllet për t’u shëndrruar në djallëzor, në spirale pa fund – po ngutem të shtoj, me të tjerët.
.
. * * *
.
.
. Vetëm, i çartur dhe i përçartur, për të tjerët dhe me të tjerët. Një qënie e tillë psikosociale, megjithëse brehet nga dyshimet, digjet nga dëshira për t’u kuptuar dhe për t’u shprehur. Sidoqoftë, një lutje fort profane, të cilën vetëm Zoti i teknologjisë mundi t’a përmbushë duke ju hapur portën e vogël virtuale të Internetit, ndërkohë që ai tjetri i njerëzimit ju kish mbyllur portën e madhe, reale dhe të lavdishme të shtypshkronjës. Në këtë mënyrë, krijuesi anonim mund të jashtëqendërzohet, të shpresojë dhe hera herës të lumturohet nga kontakti me një publik po aq anonim sa ai vetë. Mjaftoi një fjalë magjike – blog – për të shembur hegjemoninë e botuesve, diktaturën e redaktorëve, dhunën e kritikëve dhe për të hapur erën e demokracisë pjesëmarrëse të individit të paemër, pseudonimist. Liria virtuale dhe interaktive e bazuar mbi filozofinë e ndarjes së mendimit dhe të opinionit në blogosferë i përgjigjet ëndrrës më të vjetër të Ikarit mendimtar : arratisja nga burgu i të përditshmes, braktisja e rutinës vetëvrasëse dhe budallallepsëse, largimi nga tufa. .
. Metafizika e krijimit që piqet me metafizikën e lirisë. Liri metafizike.

La suite.. - Vazhdimi...

mardi 13 mai 2008

Metafizikë folklorike.

Shopenhauer - Njeriu është një kafshë metafizike.
.
. Pakkush në vend – për të mos thënë askush - injoron Këngën e Kalasë së Shkodrës, të njohur gjithashtu si Legjenda e Rozafës. Sipas mendimit të përgjithshëm – dhe të mirëpranuar, bëhet fjalë për një krijim të lashtë – një gojëdhënë – e kënduar dhe e transmetuar brez pas brezi, e cila fillon me vargjet e mëposhtme :
.
. Ç’po punojshin tre vëllazën
. Murin e qytetit – o,
. Shkon nje plak o aty pari
. - Puna e mbarë, o ju tre vëllazën !
. - Ku po e shef ti t’mbarën tonë ?
. gjithë ditën po punojmë
. E gjithë natën po na rrënohet..
.
. Vazhdimi në prozë është po aq pasionant sa edhe teksti poetik :
.
. .. A din me na diftue ndoj fjalë të mirë: çka të bajmë që t'i mbajmë muret më kambë?
. Unë di - u thotë plaku - po drue me jua thanë se a' mëkat. Atë mëkat hidhe mbi krytin tonë, se na duem ta qëndrojmë më kambë nji këtë kështjellë. Plaku i mirë mendohet e pvet: - A jeni të martuem, trima? A i keni ju të tri varzat e jueja? - Të martuem jemi - i thonë ata. - Edhe të tre i kemi varzat tona. Na thuej pra ç'të bajmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë?
. Në daçi m'e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, në shpi mos kuvendoni për fjalët që do t'ju thom unë. Ate prej të tri kunatave që do të vijë nesër bukë me ju pru, ta merrni e ta muroni të gjallë në mur të kështjellës. Atëhere keni me pa se muri ka me zanë vend e me qëndrue për jetë e mot..
. Medet! Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën… Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën.. Vetëm i vogli e mbajti besën e fjalën… të nesërmen, nusja e tij merr bukë e ujë, merr kungullin me venë, e puth djalin në të dy faqet, niset e i avitet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit…
.
. Ti paske lindë n'e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kemi ba me fjalë me të murue të gjallë në mur të kështjellës.
. - Pash zotin kunati madh
. nji amanet po ta la:
. - Synin e djathtë ma leni jashtë,
. - Gjin’ e djathtë ma leni jashtë,
. - Se vjen djali me më kërkue,
. se me sy do ta shikjoj
. - E ma gji do ta pajtoj
. - E ma dorë do ta lëmoj.
. Ata e marrin nusen e vogël e e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, naltohen, nuk shemben ma si ma parë. .
.
.
. Legjenda dhe arketipi nacionalist ballkanik.
.
. Për fat, ballada e murimit, ky gur i çmuar i folklorit shqiptar, është njëkohësisht një element i shquar i folklorit botëror. Sipas Dundes (4), kjo balladë njihet në mbi 700 variante, të mbledhura dhe të studiuara në mbarë botën. Vetë shifra e mësipërme hedh një hije dyshimi mbi pretendimin e origjinës « autoktone » shqiptare të legjendës megjithëse në kohë të vet, folkloristi i njohur Zihni Sako ishte një nga mbrojtësit më të flaktë të kësaj teze. Ndoshta për të hedhur poshtë tezën paralele, aq të zhvilluar mes Serbëve që e konsideronin këngën Zidanje Skadra (Ndërtimi i Shkodrës) të mbledhur dhe të botuar nga Vuk Karaxhiçi, si një nga perlat e folklorit sllav. Me këtë rast, ai kundërshtonte – me të drejtë - atësinë serbe të vetë Shkodrës. Por nëqoftëse nuk kemi të drejtë të vemë në dyshim shqiptarizmën e bindur të Sakos, aq më pak ajo mund të përdoret si një argument për të denoncuar “anti-shqiptarizmin” e amerikanes Maynard (5), e cila në studimin e saj mbi legjendën e Rozafatit gërmon në teksti e vjetër të Barletit (1504) «De Obsidione scodrensi» (Rrethimi i Shkodrës) dhe, pas krahasimit të variantit barletian të legjendës me atë të sotëm, arrin në përfundimin se ballada që dëgjojmë nga rapsodët është kënduar në një periudhë të mëvonshme se ajo e Skënderbeut !
.
. Ja pra, në se pranojmë logjikën e Maynard, i bie që as Sako as edhe paraardhësi i tij i shquar serb nuk paskëshin patur të drejtë... Ndoshta po aq pak të drejtë ka edhe greku Megas që pasi ka studiuar 333 variantet lokale të balladës së Urës së Artës (një tjetër formë e legjendës së murimit, identike me atë të Shkodrës) – dhe pasi i krahason me ato të viseve të tjera ballkanike, arrin në konkluzionin se miti jo vetëm e ka origjinën në zonat lindore greke, por ai është një pasqyrim i kozmogonisë së lashtë helene.
.
. Një shekull pas Karaxhiçit dhe gjysëm-shekulli pas Sakos, studiuesi Shaban Sinani (2) pohon se :
. « .. kenga per kalane e Shkodres, qytetit ku gjendet Rozafa antike, permban mendesine parahistorike te njeriut te hershem per paqetimin e natyres para lendimit me themele, per nje marreveshje me te per nje veper te perbashket, te cilen nje pale do ta ngreje dhe tjetra do ta mbaje. Le te shenojme kalimthi se ne emrin e Rozafes me sa duket do pare perfundimisht emri i vendlindjes se dy shenjtoreve hebrej, Sergji e Baku, qe ndertuan bri Bunes nje prej kishave me te hershme te Shqiperise. Ata erdhen ne boten shqiptare nga Rozafa izraelite. »
.
. Në të njejtën logjikë shkruhen përfundimet e Prof. Ruzhdi Ushakut që pas hulumtimeve filologjike krahasuese ngulmon mbi «Prejardhjen e lashtë autoktone të legjendave dhe të baladave shqiptare të murimit » duke nënvizuar se
. « gjithsesi, besa e lidhur ndërmjet tre vëllezërve (mbajtja, përkatësisht thyerja e besës) … është i vetmi element në motivin e njëjtë dhe të përhershëm »
.
. përpara se të kulmojë në shprehjen e mëposhtme :
. « Besa, si tipar etnopsikologjik, tipar etnik i llojit të vet, është dëshmuar si një virtyt kompleks dhe i pashoq etnik e kombëtar i shqiptarëve, si në planin individual, ashtu edhe të përgjithshëm, të cilën gjë e ka dëshmuar historia që nga kohët më të lashta »..(7)
.
. Balladë murimi apo balladë e besës së dhënë? Rozafat apo Kostandin i vogëlith? Sigurisht Rozafat dhe këtë gjë nuk e ka humbur sysh as edhe profesori kritik i artit, pasi diku më poshtë, ai shkruan :
. « në tregimet legjendat dhe baladat shqiptare, si kusht i vetëm dhe i përhershëm është flijimi i nuses së re, e cila me rezignatë, por dhe me stoicizëm e pranon fatin tragjik, ndryshe prej nuses së re në baladën serbe, e cila lutet dhe kërkon mëshirë që të mos e murosin ».
.
. Duhet të pranojmë se tundimi është i madh : kemi një balladë që përveç artit të saj të madh, na ofron pavdekësinë e lashtësisë, autenticitetin e tipareve etnopsikologjike… sikundër dhe rastin të stigmatizojmë frikën e fqinjëve vjedhacakë. Ja i lamë kështu hesapet me nusen qaramane serbe, po si t’ja bëjmë nuses po aq trime greke të Artës e cila as lutet as qan? E vetmja mundësi që shoh është të deklarojmë se ajo nusja e Artës në të vërtetë është nuse çame, pra shqiptare. Zaten, a nuk ka bërë dikur pjesë Arta në Çamërinë e shumëvuajtur ?
.
. Sidoqoftë, edhe formula patriotike çame nuk mund të zgjidhë gjithçka pasi një hap më tej na duhet të ndeshemi me variantet e panumërta të nuses rumune të balladës së Mesterul Manole, me nusen tjetër të ndërtuesit Manole bullgar – në 180 variantet e saj lokale, dy hapa më tutje duhet të përballemi me dashnoren anonime cigane të zdrukthëtarit Manoli, të cilën e gënjejnë duke i thënë se një unazë ka rënë në gropën e themelit .. dhe ende më larg me atë motrën indiane nga Santali – pasi ata tre vëllezërit indianë sakrifikuan motrën e tyre me qëllim që ai pusi i thellë të mbushej me ujë, apo me nusen tjetër indiane, Rani Rukmani nga Dharamshala, të murosur në themele dhe që kërkon t’i lenë gjirin jashtë për të ushqyer foshnjën e saj :
.
. Bëni kujdes me tullat, vëllezërit e mij,
. Mos m’i murosni këmbët miqtë e mij,
. Rani Rukmani ka nevojë për to, të shkojë në shtëpi...
. Bëni kujdes me tullat, vëllezërit e mij,
. Mos më murosni gjinjët miqtë e mij,
. Rani Rukmani ka nevojë për to, të ushqejë një fëmijë...
.
. Në se volontarizmi nacionalist përdoret si kriter i përkatësisë “etnike” të balladës së murimit, në ç’kategori duhet klasifikuar atëhere anglezi Groome (10), i cili që në fund të shekullit të XIX shprehet për një origjinë indiane të baladës, të sjellë në Ballkan nëpërmjet ciganëve muratorë?
.
. Druhem se edhe kokëfortësia për të ndalur vështrimin vetëm në viset gjithëshqiptare nuk e zgjidh problemin tonë, megjithë një mendje më thotë t’i bëj besim gjykimit të spikatur artistik të Kadaresë si edhe shijes së tij të hollë kur deklaron :
. Jam i bindur se, sikundër në rastin e baladës së fjalës së dhënë, varianti shqiptar [i baladës së murimit], duke qenë më i vjetri pa dyshim është më i bukuri..(9)
.
. dhe jo gjykimit po aq këmbëngulës të eruditit rumun Mircea Eliade, i cili pohon :
. megjithëse disa balkanologë dhe folkloristë nuk janë të një mendjeje, është e padiskutueshme – dhe fakti është shumë i rëndësishëm – se në asnjë tjetër letërsi gojore [përveç asaj rumune] ballada e sakrificës së murimit njihet si një kryevepër e vërtetë.
.
. Një vështrim sado përmbledhës i folklorit të viseve tona (11) arrin të verë në pah faktin se kjo balladë këndohet në afro 150 variante, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Në veri ato flasin për një kështjellë, në jug për një urë – në lindje bile edhe për një kishë… Në to haset edhe nusja « trime » e Shkodrës, edhe ajo « frikacake » e Elbasanit – bile edhe ajo e « gënjyer » e Korçës që shkon kërkon unazën në themele sikundër simotra e saj cigane.
. Cila nga këto variante është « origjinali »? S’ka asnjë dyshim – gjithmonë sipas Sinanit – se :
. kenget e flijimit, ndonese gjejne perhapje ne gjithe hapesiren kombetare, ne pjesen me te madhe.. jane te lidhura me nje rajon qe mund te konsiderohet si vater baze [ai i Shkodrës]. Nuk do nencmuar fakti qe kjo vater permban ne kryeqender kalane me te vjeter ne Shqiperi. Ajo eshte kalaja qe i deshmon te dy periudhat me te medha te jetes se popullit qysh prej burimit deri ne ditet tona: periudhen ilire dhe ate shqiptare…
.
. Pse pikërisht kjo vatër gjendet në Shkodër dhe jo gjetkë? «Elementary my dear Watson » do të ish përgjigjur Sherlock Holmesi shqiptar, i cili paraprakisht ka shtjelluar tezën bindëse se këtij populli të stërlashtë, rreziku i ka ardhur gjithmonë nga Perëndimi :
. « .. fakti qe balada e murimit percjell jehonen e nje rreziku perendimor eshte me shume kuptim per tezat themelore te albanologjise: tek ai rrezik ruhet nje kujtim parashqiptar, qe mund te lidhet me periudhen e romanizimit te Ballkanit apo me lufterat iliro-romake. Ky kujtim i hershem perforcon argumentin mbi burimin vendes te kesaj balade me perhapje nderballkanike. Sic shihet, nga euforia per te ndjekur “regjistra“ agjitative, demtohet nje argument i autoktonise se popullit.. dhe keshtu deformohet e kaluara historike e tij ».
.
. Ja pra, « balada e murimit » në rolin e kodit deshifrues të autoktonisë të popullit dhe folkloristi në petkun e rojtarit të të kaluarës historike ! Ka fort të drejtë studiuesi Le Quellec (12) kur thotë se
. « në këto kohët tona.. duhet t’i druhemi analizës monolitike të përrallave dhe legjendave, të bazuar mbi një dokumentacion të ngushtë, gjeografik ose kronologjik. Para së gjithash, përvoja [e kësaj analize] është një mësim i mirë mbi idiotësinë e murimit nacionalist ».
.
.
. Letërsia e madhe dhe simbolika e imagjinarit ballkanik.
.
. Ballada e murimit ka shërbyer si ind thurës i tre veprave madhore të letërsisë ballkanike : romanit « Ura mbi Drina » (1945) i nobelistit kroato-bosnjako-serb Ivo Andriç, romanit « Ura me tre harqe » (1978) e kandidatit nobelist shqiptar Ismail Kadare dhe e esesë « Komente mbi legjendën e Mjeshtrit Manole » (143) e historianit të feve, mitologut dhe filozofit, eruditit rumun Mircea Eliade.
. A priori, thuaj asgjë – përveç talentit të tyre të madh dhe origjinës së përbashkët – nuk i bashkon autorët : as epoka, as angazhimi i tyre i hershëm politik, as edhe udha intelektuale. Megjithatë, nëqoftë se origjina i ka shtyrë pashmangshmërisht drejt mitit ballkanik, realiteti specifik dhe instikti krijues ju ka sugjeruar këndvështrimin origjinal, ngjizjen personale të argjilës popullore për të prodhuar kryeveprën letrare.
.
. Ndoshta intuita, ndoshta qenia e tij intime boshnjake, shtynë Andriçin të verë në qendër të kronikës së tij katërshekullore urën me njëmbëdhjetë harqe të Vishegradit. E ndërtuar në vitin 1571 nga vendaliu Mehmet Pasha Sokolliç, sipas legjendës lokale ajo mbahet më këmbë falë murosjes së dy binjakëve…
. Një urë që lidh brigjet, që afron njerëzit dhe kulturat, që bashkon të shkuarën dhe të sotmen, që mbijeton katastrofat, që zhvillon qytetin - i cili gjen në të zanafillën, « rrënjën e tij të pashkatërrueshme ». Në këtë botë shumëkombëshe dhe shumëgjuhëshe të Andriçit ku gjysmëhënëza dhe kryqi bashkëjetojnë paqësisht falë urës, legjenda shërben thjesht për të dëshmuar të shkuarën, për të binjakëzuar fatin e përbashkët të njerëzve. Përfundimisht, invazioni perëndimor (pushtimi austriak gjatë luftës së Parë botërore) solli shembjen e urës dhe bashkë me të edhe lindjen e nacionalizmit – nacionalizmave lokalë që shënuan fundin e bashkëjetesës paqësore mes kombësive, grupeve, individëve…
.
. Ndoshta si kërkesë e brendshme e mekanizmit krijues kadarejan por pa dyshim, nevojë për të rivalizuar veprën e Andriçit (13), edhe Kadareja ve urën në qendër të romanit të tij. Një urë modeste (me tri harqe) mbi një lumë imagjinar (Ujana e Keqe), ndërtimi i të cilës në vitin 1377-78 rrezaton fatkeqsinë, paraprin katastrofën, mundëson invazionin lindor (otoman) – si edhe shembjen e asaj bote lokale të brishtë por autentike që përfaqson Arbëria mesjetare.
. Paradoksalisht, ura mbi lumë nuk krijon aspak një vazhdimësi që bashkon brigjet dhe njerëzit ; ajo krijon një të çarë në hapësirë dhe një ndërprerje në kohë – një « anti-urë » sipas Augustinos (1). Ndërkohë, edhe vetë murosja murmbajtëse përfaqson antipodin e mitit tradicional – një vrasje e maskuar në sakrificë, një burrë sabotues i groposur në themele në vend të gruas paqësuese.. Gjendemi në një realitet të vrazhdë dhe ankthngjallës ku edhe një aktivitet i fisëm dhe subliminal si ndërtimi i urës-monument shëndrrohet në një përleshje të pamëshirëshme mes korporatave thuaj-kapitaliste, që për qëllimet e tyre, zhvarrosin legjendën për të krijuar një « anti-legjendë ».
.
. Së fundi, vetëm Eliade i qëndron besnik balladës së vjetër – murimi i qënies së dashur si kusht i domosdoshëm për të jetërsuar ndërtimin e një manastiri (Curtea de Arges, 1514-1517). Ndoshta për faktin se folklori aq i pasur rumun nuk i ofron sakrificës njerëzore tjetër zgjedhje përveç lartësimit divin ; sigurisht pasi historianit i feve zbulon në të rastin e pashpresuar të paradigmës së krijimit nëpërmjet flijimit, të shkrirjes së qënies njerëzore – trup dhe shpirt « tempull i Zotit » - dhe të tempullit ku hyjnizohet vetë Zoti.
. Përtej çdo konteksti historik lokal, Eliade kqyr në këtë balladë universalitetin e motivit mitik të krijimit, esenca e të cilit qëndron në faktin se « krijimi, në çdo nivel të egzistencës, mund të realizohet vetëm nëpërmjet flijimit të një qënieje të gjallë, qoftë kur bëhet fjalë për Kriimin e Kozmosit ose të vetë njerëzimit.. » (8).
.
. Përmes krijimeve të mësipërme, shumëkush mund të kqyrë botkuptimin dhe analizon frymëzimin nacionalist kombkrijues të autorëve : jugosllavizmin e bindur dhe të sinqertë të të parit, shqiptarocentrizmin evropianofil dhe otomanofob të të dytit, romunogoninë mitike paleo-kristiane të të të tretit…
. Por para së gjithash, gjithkush mund të bindet se sejcili prej shkrimtarëve është mjeshtër i fjalës, krijues i një lloji tjetër ure-tempull – monument kujtese. Sikundër edhe ndërtuesit e lashtë të balladave përkatëse, atyre ju është dashur të flijojnë legjendën – këtë kryevepër të krijimit popullor - për të krijuar veprën e tyre të madhe letrare.
.
. * * *
.
.
. Ballada e murimit nuk ka tërhequr vetëm shkrimtarêt dhe folkloristët. Në kohë të vështira, si ato të vitit të mbrapshtë 1997, ajo u çfaq befas në analizat e sociologëve dhe të filozofëve, të cilët u munduan të zbërthenin domethënien e saj universale – në formën e « sindromës së Rozafës ».
. Sipas A. Fugës (15), mesazhi që çlirohet është ai i mospërputhjes mes reales, forcave të gjalla të historisë – puna e ditës, dhe rezultatit të ngurtësuar, të shkruajtur në realitetin rrethues – institucionet, këto mure të fuqishme. Në këtë mënyrë sindroma përmbledh atë kontradiktë mes përpjekjes së tashme – kësaj force të pakryer, dhe punës të materializuar – kësaj përmbajtjeje të institucionalizuar ; ajo shpreh atë shqetësim të thellë që prek njeriun, i cili « dëshiron të njohë vetvehten në rezultatin përfundimtar të punës së tij ndërkohë që ai identifikohet vetëm dhe nëpërmjet punës së tij ».
.
. Përse filozofi kufizohet vetëm në dallimin e një sindrome në këtë legjendë e cila, në tërësinë e saj përçon një tjetër mesazh universal, dhe jep njëkohësisht edhe zgjidhjen e dilemës të « mureve që shëmben çdo natë » ? Le të gjykojmë vetë, nëpërmjet kësaj mënyre të lexuari : në një Vëllazëri – Shoqëri klanike, e cila nuk njeh gjëkundi babain – Autoritetin, gjërat shkojnë keq e më keq – Sindroma e Rozafës, deri në momentin e çfaqjes të gruas – Bindjes. Kjo e fundit pranon që t’a murosin për së gjalli për t’i dhënë fund mallkimit – me kusht, që njëri nga gjinjët e saj të mbetet jashtë murit për të vazhduar të ushqejë fëmijën e saj. Pas kryerjes së sakrificës, muret tashmë qëndrojnë më këmbë dhe fortesa ndërtohet pak nga pak.
.
. I shprehur në këtë mënyrë mesazhi është fare i qartë :
.
. forca brute dhe efemere sublimohet dhe fisnikërohet në punën e qëndrueshme vetëm nëpërmjet shpirtit. E thënë ndryshe, me qëllim që vepra njerëzore të mund t’i rezistojë kohës që rrjedh dhe shkon, duhet sakrifikuar një pjesë e vetvehtes me qëllim që të shtihet, të shkrihet brenda rezultatit. Vetëm nëpërmjet këtij dhurimi të vetvehtes, të këtij automishërimi, ky rezultat mund të përjetësohet dhe të frymëzojë brezat e mëpastajmë.
.
.
. --------------
.
. 1. Olga Augustinos - Arches of Discord, Streams of Confluence: The Building of Bridges in the Balkans, në :. Dimitris Tziovas ed. - Greece and the Balkans : identites, Perceptions ans Cultural encounters since Enlightenments., Ashgate Publishing. Tld. 2003.
.
. 2. Shaban Sinani – Katër dilema etnotipike në veprën e Kadaresë, në : Le Dossier Kadaré , (suivi de La Vérité des souterrains d’Ismail Kadaré avec Stéphane Courtois) ; ed. Odile Jacob. 2006.
.
. 3. Alan Dundes – The walled-up Wife, a casebook. The University of Madison Press. 1996.
.
. 4. Kelly Lynne Maynard - The History of the Albanian Folktale 'The Legend of Rozafat Citadel', 14th Biennial Conference on Balkan and South Slavic Linguistics, Literature and Folklore, The University of Mississippi, Oxford, Mississippi, 2004.
.
. 5. Georgios Megas – Die ballade von der Arta-brücke, Thessaloniki, Institute for Balkan Studies, Meraklis 1973.
.
. 6. Ruzhdi Ushaku - Një vështrim filologjik krahasues mbi legjendën për Kalanë e Shkodrës –Rozafatin”, Seminari III ndërkombëtar Shkodra në shekuj, Shkodër, 2000,
.
. 7. Ismaïl Kadaré - Le Pont aux trois arches, Œuvres, Volume I, Paris, Fayard, 1993.
.
. 8. Ivo Andric - Le Pont sur la Drina, Paris, Belfond, 1994.
.
. 9. Mircea Eliade - Commentaires sur la Légende de maître Manole, l’Herne, 1994.
.
. 10. Ismaïl Kadare - Le Crépuscule des dieux de la steppe, Paris, Fayard, 1981.
.
. 11. Francis Hindes Groome - Gypsy Folk Tales, Hurst and Blackett, Limited, London 1899 (http://www.sacred-texts.com/neu/roma/gft/index.htm)
.
. 12. Denis Zavalani – Rubrika Folklor në : ANG (Albanian Network Group http://www.fajtori.com/)
.
. 13. Jean-Loïc LE QUELLEC – « la femme emmurée », à propos de « The walled-up Wife, a casebook », La Mandragore, Revue des Littératures Orales - N°3 – 1998.
.
. 14. Jean-Paul Champseix - Un pont dans la tourmente balkanique Ivo Andric’ et Ismaïl Kadaré, Revue de la Littérature Comparée, mars 2003.
.
. 15. Artan FUGA –Albanie, pourquoi les murs tombent-ils chaque soir ? në : Transeuropéennes n° 10 – Mouvements de Rue 1996 – 1997.

La suite.. - Vazhdimi...

lundi 14 avril 2008

Metafizikë estetike.

.

. Shopenhauer: " njeriu është një kafshë metafizike"
. .
Për dikë si puna e ime, i lindur dhe i rritur në një vend të tillë si Shqipëria – dikur laborator i socializmit të vërtetë – dhe njëkohësisht, thellësisht i ndjeshëm ndaj letërsisë dhe artit, një pyetje e tillë si : « Në ç’raporte qëndron Artisti ndaj Artit të tij, kur pushteti kontrollon çdo qelizë të jetës publike dhe mbarështron jetën kulturore nëpërmjet një doktrine ? » mbetet gjithmonë jo vetëm aktuale por edhe pa përgjigje. Horizonti ndriçohet menjëherë, pas zëvendësimit të fjalës pushtet me rregjim komunist.
.
. Tashmë gjithkush e di se Realizmi Socialist i përgjigjet doktrinën në fjalë, postulati kryesor i të cilës jepej nga Neni 1 i statutit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik në vitin 1934 :
.
. « Realizmi socialist, duke qënë metoda themelore e letërsisë dhe e kritikës letrare sovjetike, kërkon nga artisti një përfaqësim të vërtetë, historikisht konkret, të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar. Nga ana tjetër, vërtetësia dhe karakteri historikisht konkret i përfaqsimit artistik të reales duhet të kombinohen dhe t’i përshtaten detyrës së transformimit dhe të edukimit ideologjik të punonjësve në përputhje me shpirtin e socializmit ».
.
. Megjithë kornizën tejet të ngushtë doktrinore, është për t’u habitur se metoda tërhoqi në gjirin e vet artistë dhe krijues të mirëfilltë, gjurma kohore e të cilëve ka tejkaluar imperativat e epokës (Majakovski, Gorki, Einstein, Barbus…). Ndërkohë, të tjerë gjetën në të tema dhe frymëzime, krijuan vepra bile edhe kryevepra (Shollohov, Breht, Kadare…).Cila është hipoteza që ndriçon këtë realitet kontradiktor : utopi shoqërore e Njeriut, në kërkim të një mirëqënieje kolektive, universale dhe të përjetshme ? apo konstruksion intelektual i Artistit, adept i një Feje të re, në të cilën e Ardhmja transhendente zëvendëson Zotin tradicional, tashmë të vdekur ?
.
. .
. Artisti dhe Pushteti.
.
. Raporti mes Artit dhe Realitetit është një çështje po aq e vjetër sa edhe vetë filozofia dhe mendimi njerëzor. Megjithëse është realiteti që sugjeron temat dhe furnizon modelet, intuita njerëzore i druhet “grackës” tejet të dukshme dhe kërkon diçka tjetër, të fshehur. Ndoshta, çdokush që e ndjen vehten Artist kupton intuitivisht atë çka sociologu Barthès e thotë shkoqur: « forca lëvizëse e artit gjendet në mospërputhjen thelbësore mes formës dhe reales ».
.
. Sidoqoftë, realiteti dhe realja imponohen vetvetiu, qoftë si skicë fillestare mbi të cilën punon imagjinata pjellore e artistit, qoftë edhe si pasqyrë e ndërsjelltë, me të cilën krahasohet vetë krijimi. Edhe Aristoteli kur vlerësonte tragjeditë antike si katarsis të nevojshëm për spektatorin dhe shoqërinë, ngulmonte se edhe ngjarjet mitike që qëndronin në bazë të tyre duhet të paraqiteshin me “vërtetësi” : ja pra, problematika reale përballej me përgjigjet imagjinare. Është po i njejti Aristotel që ka thënë : “është padyshim e pamundur të kenë egzistuar njerëz sikundër i ka pikturuar Zeuksis (një piktor fort i çmuar i Antikitetit), por ai i ka krijuar më të mirë se sa kanë qenë, pasi ajo çka jepet si shembull duhet të jetë e shkëlqyer”.
.
. Ja pra, realiteti « i përmirësuar », « i përpunuar », « i përshtatur » ; thjesht « i orientuar » për të mos thënë « i ideologjizuar ». Pasi të gjithë të fuqishmit e kësaj bote – që nga Filozofi deri tek Kisha, nga Princi tek Partia – kanë kuptuar se Arti është njëkohësisht një forcë, një mjet që zotëron një ndikim të fuqishëm mbi shoqërinë. Artistit vetë i mbetej zgjedhja e epitetit që mund të vinte mbi realizmin e tij : mistik, klasik, romantik, natyralist, fantastik, kritik sikundër dhe su- ose sur-… Ndërkohë, më të maturit prej tyre janë munduar të rrinë sa më larg pushtetit.
. Le të tregohemi shpirtgjerë duke thënë se zgjedhja individuale është e vështirë – për të mos thënë e pamundur : në një krah të kandarit qëndron pavarësia aq e çmuar e krijimit, ndoshta edhe harresa dhe nga ana tjetër, paraja dhe lavdia personale, zvetënimi material ose moral.
. Sejcili sipas meritës, sejcili sipas moralit !
.
. Antifashist i bindur por komunist ende i pavendosur, Bertold Brehti estet, një nga « baballarët » e realizmit socialist, në shkrimin e tij « Popullaritet dhe Realizëm » të botuar në vitin në 1938, shpall se :
.
. «Realist do të thotë : ai që zbulon shkak-pasojën e ndërlikuar të raporteve shoqërore, ; ai që denoncon idetë mbizotëruese si ide të klasës mbizotëruese ; ai që shkruan nisur nga pikpamja e klasës që i ka gati zgjidhjet më të gjera lidhur me vështirësitë më të ngutshme në të cilat përpëlitet shoqëria e njerëzve ; ai që nënvizon momentin e evolucionit të gjithçkaje ; ai i cili është konkret, gjithë duke lehtësuar punën e abstragimit », ose pak më tej : « .. duhet kritikuar realiteti duke i dhënë këtij të fundit një formë, ai duket kritikuar në nje mënyrë realiste. Është pikërisht elementi kritik i cili mbetet vendimtar për dialektikun, pasi në brendësi të tij qëndron edhe angazhimi ».
. Pikërisht, fakti i të qenit jashtë pushtetit lejoi Bertold Brehtin qytetar, babain e teatrit epik dhe krijuesin e konceptit të « distancimit » - marrëdhënies së re mes aktorit dhe spektatorit « kufi të estetikës dhe të politikës » - t’i drejtohej udhëheqjes së partisë, në qershor 1953, me rastin e revoltës së puntorëve në RDGJ :
.
. Populli, për shkak të fajit të tij, ka humbur besimin e Qeverisë së tij.
. Dhe, veçse duke dyfishuar përpjekjen, ai mund t’a rifitojë atë rishtas.
. A nuk do të ishte më e thjeshtë për Qeverinë,
. Të shpërndante popullin dhe të zgjidhte një tjetër ?
.
. Nuk besoj se distanca me pushtetit ka qenë preokupimi kryesor i epigonit të tij të shquar shqiptar Kadare, i cili një çerek shekulli më vonë, nënëshkruan artikullin : « Realizmi socialist-arti i madh i revolucionit » në gazetën « Zëri i Popullit » të datës 13 janar 1974, ku mes të tjerash lexojmë :
.
. « Realizmi socialist është art i së ardhmes. Asnjë art i gjertanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm më të për nga mundësitë, epiciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli i lartë ideoartistik. Këtë omnipotencë ja jep atij revolucioni komunist. Realizmi socialist [..] nuk u bindet kanoneve, rregullave dhe dogmave, sic pretendojnë armiqtë e tij të hapur, ose miqtë e tij të rremë. Ai u bindet vetëm ligjeve të revolucionit, i njeh dhe i respekton ato ligje, dhe pikërisht në këtë qëndron jo dobësia dhe jetëshkurtësia e tij, por përkundrazi forca dhe pavdeksia e tij. Nganjëherë vetë ne shkrimtarët dhe artistët e realizmit socialist, nuk i njohim, ose nuk i përdorim dot mundësitë e pakufishme të këtij arti. Marksizmi na mëson që shpesh herë qëllon që shija e parë e klasës së fitimtarëve mbart me vete elementë të shijes së fundit të klasës së të mundurve. Shkëputja nga kjo shije është një detyrë e vazhdueshme e të gjithëve, dhe veçanërisht e ne krijuesve ». . . .
.
.
. Artisti dhe Liria.
.
. Duke përshkuar blogun e artistit Toni Milaqi, nuk mund të anashkalosh pa komentuar „kredon“ e tij që shprehet në formën e mëposhtme :
.
. Nje artist, nje intelektual, s'ka se si te rrije indiferent kundrejt ketyre shfaqjeve te dhunshme te Pushtetit, te cdo tipi. Nje artist s'mund te jete anashkalues! Nuk mund te rrish pafolur kur ndesh kasaphanen e Shtetit , perkundrejt Individit....
. "Prekja e Pushtetit" eshte e eger; dhe fatkeqesisht Individi eshte gjithnje i lakuriqte, i pambrojtur, dhe i vetem, perballe ketyre "perbindeshave social" te krijuar prej vete tij.
.
. Dashur padashur, mendja më shkon tek shprehja e njërit prej paraardhësve të tij të lavdishëm, Pikaso, i cili jo vetëm realizon pikturën “Guernica” në vitin 1937, por edhe e ilustron me anë të një teksti, të shkruar nga dora e tij :
.
. Ç’mendoni ju se është artisti ? Një idiot që ka veç sy në rastin e një piktori, veç veshë në rastin e një muzikanti, ose një lirë në çdo kat të zemrës në rastin e një poeti apo që ka veç muskuj në rasti e një boksieri ?
. Krejtësisht gabim, ai është njëkohësisht një qënie politike, vazhdimisht në përgjim ndaj të ngjarjeve cfilitëse, të zjarrta ose të ëmbla të botës, që ripërtërin krejtësisht vetvehten në funksion të imazhit të tyre. Si do të ish e mundur ndryshe që ai të çinteresohej në lidhje me të tjerë njerëz, dhe në sajë të cilës shkujdesjeje fildishore, të çkyçej nga ajo jetë të cilën na e sjell me aq bollëk ? Jo, piktura nuk është bërë për të dekoruar apartamentet. Ajo është një instrument e luftës sulmuese dhe mbrojtëse kundër armikut.
.
. Ja pra, përgjatë një shekulli, vështrimi i Artistit ka mbetur pothuaj i pandryshuar dhe angazhimi i tij intelektual dhe politik nuk ka marë asnjë rrudhë. Cilit rend i përket ky angazhim? Çfarë elementë të shpirtit angazhon Artisti në punën e tij krijuese dhe cili është mekanizmi i ngërthimit të këtij angazhimi në veprën e tij, në atë marrëdhënie të vazhdueshme me Tjetrin -spektator?
. I lirë të kritikojë, të shprehet – i lirë të shëndrrojë, të krijojë. Artisti paraqitet si një demiurg, i aftë të ngjizë lëndën nga asgjëja. Në mos, si një revolucionar, si një pararendës i të gjithë ndryshimeve - i aftë për të guxuar të gjitha “të pabërat” dhe të gjitha thyerjet me konformizmat e mjedisit. Edhe në këtë rast, dykuptimësia është e dukshme pasi ushtrimi i kësaj lirie të të krijuarit mund të jetë e lumtur sikundër dhe e dhimbshme, ndërtuese sikundër dhe shkatërruese. Një hap ndan artistin gjenial nga atë të mallkuar ndërkohë që si i pari dhe iI dyti, lindin, rriten – bile dhe vdesin – brenda një konteksti institucional (rregulla dhe norma), pësojnë dhe jetojnë presione ose tensione socio-politike (konjuktura), ushqehen me idetë dhe kontradiktat e epokës.
.
. Ndërkohë, Arti i tij dëshmon lidhur me një farë lirie metafizike të formës kantiane: njeriu krijues përpiqet të çlirohet përkundrejt natyrës, artisti përpiqet të çlirohet përkundrejt epokës në të cilën jeton, kritika përpiqet të çlirohet përkundrejt vetëgjykimit të brendshëm dhe perkatësive të momentit… E megjithatë, gjithçka mbetet e dykuptimshme pasi diku krijohet përshtypja e një lloj lirie të pamjaftueshme, të pakënaqshme – ndoshta për shkak të përvojës që mbështjell ushtrimin e lirë të gjykimit estetik, njëkohësisht të bezdisur nga perspektiva e një lirie morale të dyshimtë si dhe nga çfaqjet e dukshme të një determinizmi natyror.
.
. Padyshim, Artisti banohet nga një force të magjishme që tejkalon talentin dhe dhuntitë e tij personale; ndoshta paditur, ai bëhet bartës i një ideje esenciale që regjeneron shpirtin e njeriut, të sejcilit. Dhe është pikërisht ky shartim mes talentit dhe magjisë, mes forcës dhe idesë, mes frymëzimit të vetvetishëm dhe përvojës pasuruese, të pandërgjegjshmes dhe të ndërgjegjshmes që qëndron në thelb të vetë Artit që e shëndrron këtë fundit në një proces unik dhe të papërsëritshëm, të aftë të tërheqë vështrimin dhe të ngjizë reflektimin. Thjesht, të krijojë ndjenjën që i reziston kohës dhe që shtyn tej harresën.
.
. Të shëndrrojë botën në të cilën jeton dhe me këtë rast shoqërinë njerëzore, sigurisht, por në ç’mënyrë? Edhe kur është i bindur se veprat e artit nuk janë thjesht objekte për t’u varur në mur, që dekorojnë parqet publike ose që kënaqin veshin me harmoninë e tyre qiellore, ai dyshon dhe druhet t’u japë atyre maksimumin e kuptimit, në funksion të asaj çka ai percepton, përndjen dhe jeton. Pasi diçka e brendshme i pëshpërit se e veçanta në art është pikërisht ajo çka nuk arrihet të kuptohet ndërkohë që liria e përdorimit të teknikave dhe e mjeteve të shprehjes është shprehja vetë e lirisë, në formën e saj më të pastër.
.
.Arti – sikundër thotë edhe Hannah ARENDT – nuk detyrohet nga asgjë, bile edhe nga vetë e vërteta”.

La suite.. - Vazhdimi...

lundi 17 mars 2008

Metagogji elektorale.

Shopenhauer: " njeriu është një kafshë metafizike"
.
. Ça y est ! Pas kaq e kaq hezitimesh, pas kaq e aq premtimesh të natyrës politiko-rrethanore, reforma zgjedhore aq e përfolur mundi të çajë rrugën mes batakut të reformëzave dhe të pseudoreformave dhe të dalë në ballë të debatit mediatik shqiptar.
. Po t’ju besojmë gazetave të shkruara dhe virtuale që analizojnë çdo fakt dhe gjest të jetës politike, dy partitë më të mëdha të vendit –dhe njëkohësisht përgjegjëse të të gjitha gjëmave që i kanë rënë atij përsipër – janë marrë vesh me njera tjetrën dhe janë të një mendjeje për t’a vënë në jetë, bile sa më shpejt. A janë vallë vetë gjeneralët që janë parë dhe kanë folur me njeri tjetrin ? apo janë kapterët përkatës që diskutojnë në prapaskenë mbi detajet ? Pak rëndësi..
.
. Çka është e rëndësishme shprehet nga konsensusi i plotë mes PS dhe PD – një element thuajse hyjnor, pasi fort i rrallë gjatë këtyre viteve të Republikës së tretë shqiptare. Çka ka bërë vaki që shefat e PS dhe të PD të jenë në një mendje lidhur me një reformë që kërkon të verë rregull në sistemin zgjedhor, në këtë makinë kaotike që prodhon në mënyrë alternative fitues dhe përfitues, pozitë dhe opozitë, kryeministra arrogantë dhe të burgosur opinioni ?
. Fundja, për hajër ju qoftë ! përderisa ata vetë janë të bindur dhe shprehen si më poshtë :
.
. " Ne jemi të vendosur, që në këtë proces, jo vetëm të qëndrojmë mbi interesat e pjesshme, jo vetëm të ngrihemi mbi atë që mund të jetë një llogari e thjeshtë partiake, por njëkohësisht, të komunikojmë drejtpërdrejtë me shqiptaret dhe shqiptarët, pa rënë në batakun e politikës së vjetër, të diversioneve, të akuzave, shpifjes dhe përbaltjes reciproke. Pasi, sot kjo reformë e rëndësishme është e lidhur me fatin e proçesit të integrimit në NATO, me fatin e ftesës që Shqipëria pret pas ngjarjes historike të Pavarësisë së Kosovës dhe me fatin e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat ne i duam të lira dhe të ndershme. – Edi Rama
.
. « […] lidhur me reformën zgjedhore... Pothuajse të gjitha partitë janë dakord që t'i pritet rruga një fenomeni tipik shqiptar të zgjedhjeve, i ashtuquajturi "Dushk", i cili ka qenë një devijim tërësisht i papranueshëm i votës dhe që ka shtrembëruar rezultatet.. tashme ka ardhur koha te shkeputemi nga nje situate e papranueshme. … Komunikoj qe nga mengjesi deri ne darke me aleatet dhe faktoret politike. Komunikimi eshte nje dhunti shpirterore e imja » Sali Berisha .
.
. I vetmi që moderon disi qëndrimin është Presidenti i Republikës Topi, të cilit nga pozita ku ndodhet s’i mbetet gjë tjetër vese të shprehet se :
.
. « […] Unë në mënyrë absolute nuk duhet të mbaj pozicion për sistemin, sepse është vullneti i partive politike për të përcaktuar sistemin. Sistemi, nëse është e nevojshme të ndryshohet, është vullneti i partive, do të ndryshohet, qoftë edhe duke e prekur Kushtetutën. Mirë është që gjërat të mendohen, të konsumohen brenda vullnetit të të gjitha partive politike dhe nëse nuk ka një marrëveshje absolute, të merret mendimi i përgjithshëm, sepse në fund fare gjithmonë ka një vendimmarrje dhe vendimmarrja është mbi bazën e shumicës së vullneteve, në mënyrë që partitë politike të gjejnë një vullnet harmonik, sepse zgjedhjet politike kanë të bëjnë me vullnetin e të gjithë shqiptarëve ». Gjendemi kështu në skenarin më fatlum... po qe se lemë pas dore shprehjen tjetër të z. Berisha, sipas të cilës :
.
. « Ka një konsensus të plotë për një sistem proporcional, por ka debate nëse do të jetë modeli spanjoll, bullgar, grek apo proporcional rajonal… Gjithashtu, partitë e mëdha dhe organizmat ndërkombëtarë janë kundër listave të hapura sepse mendojnë se ato dëmtojnë cilësinë e parlamentit dhe dëmtojnë ndershmërinë e zgjedhjeve. Ndërsa partitë e vogla janë kundër, ato janë për listat e hapura. Megjithatë, unë jam i sigurt që do të arrihet konsensusi… » Pa shkuar më larg nga këto shprehje, merret vesh se :
.
. - « të mëdhenjtë » janë të vendosur të hyjnë në zgjedhjet e reja të vitit 2009 me një një ligj të ri zgjedhor, skica e propozuar e të cilit nuk ju pëlqen gjëkund « të vegjëlve » ;
.
. - kjo skicë parashikon ruajtjen e « proporcionalit » - skemën egzistuese, por parashikon të ndryshojë mënyrën e shpërndarjes së atyre 40 vendeve të paracaktuara, jo më mbi bazë kombëtare por mbi bazë rajoni – duke ju përshtatur një modeli të ashtuquajtur spanjoll.
.
. - Listat e proporcionalit nga të hapura si më parë – të aprovuara pas zgjedhjeve, në funksion të rezultateve të arritura, të bëhen të mbyllura – të përcaktuara njëherë e mirë qysh përpara procesit zgjedhor.
.
. Përse duhet prekur Ligji zgjedhor i sotëm ? pasi Evropa – ndoshta dhe bota mbarë, janë të bindur se ai është shkaktari i të gjitha zullumeve politike ; burim i përhershëm paqëndrueshmërie dhe mosmarrëveshjeje mes aktorëve të politikës shqiptare ; fajtor i një përfaqsimi jo-të barazvlershëm të forcave politike në Parlament falë praktikave egzistuese të votës taktike – alias « Dushku ».
. Përse partitë « e mëdha » kërkojnë me ngulm këto ndryshime ? pasi, fillimisht, bëhet fjalë për një kërkesë të përhershme të Evropës të Bashkuar – për të mos thënë një nga sine qua non, që kushtëzon hyrjen në bashkësinë evropiane ; pasi, së dyti, praktika ka treguar që gjithnjë e më tepër, ato bien pre e « shantazhit » të ushtruara nga partitë e vogla, gjatë përpjekjeve për të krijuar koalicione qeverisëse.
. Përse partitë « e vogla » kundërshtojnë ndryshimet e propozuara ? pasi, në mënyrë të dukshme, ato kuptojnë se mënyra e re e « proporcionalit » sipas rajoneve dhe jo më në rang vendi, ngre ndjeshëm pragun elektoral të përfaqësimit dhe si rrjedhim, ato ndjejnë që do të mbeten do të mbeten fillimisht jashtë parlamentit, dhe më tej jashtë lojës politike qeverisëse.
.
. Qoftë konsensus mes të gjithë forcave politike apo diktat i të mëdhenjve, pejzazhi idilik i dy Kryetarëve që hedhin valle burrërishte nën tingujt e kitarave flamenko, të rrethuar nga ezmere iberike që i përcjellin me rrahje pëllëmbësh, fillon dhe rrudhet nën peshën e disa pyetjeve, disi të bezdishme:
. - përse propozimi për ndryshimin e Ligjit zgjedhor erdhi nga PS dhe jo nga PD, kjo e dyta teorikisht më e interesuara - pasi në pushtet?
. - Cila do të jetë formula magjike që do t‘i lejojë marrëveshjejes mes PS dhe PD për reformë zgjedhore nga njera anë, të eliminojë partitë e vogla bezdisëse dhe nga ana tjetër, të ruajë egzistencën të „të paprekshmes“ por sidoqoftë të voglës PBDNJ - si përfaqsuese e pakicës greke?
.
.
. Brenda çorbës dhe diku në buzë të kazanit.
.
. Si do të ndikojë reforma e re zgjedhore në përmirësimin e jetës politike të vendit? Sipas mendimit të njërit prej arkitektëve të tij kryesorë z. Kastriot Islami, Ligji i ri
.
.ruan mundësinë e përfaqësimit të partive me elitat e vjetra dhe të reja… ndërkohë që bart një sërë elementësh pozitivë siç janë shmangja e fenomenit të "Dushkut", ruajtja e figurave politike, kontrollin e balancimit të përfaqësimit midis burrave dhe grave, si dhe lejon mundësinë e krijimit të koalicioneve parazgjedhore”.
.
. Po qe se i besohet doktor Kaçit, kemi pra të bëmë me një shans të papërsëritshëm, një ilaç çudibërës që do të shërojë të gjitha sëmundjet e rënda të sistemit dhe do të sjellë fillimisht urtësinë e qeverisjes, më tej paqen sociale dhe pse jo, begatinë ekonomike aq të shumëpritur – paçka se do të zhduken disa parti nga skena politike. Pikërisht, lidhur me fatin e partive të vogla ndahet edhe opinioni i shumicës dërmuese të analistëve – këtyre vëzhguesve aq të vëmendshëm të jetës politike të vendit.
.
. Një pjesë e tyre – mes të cilëve spikat M. Nano – megjithë syçelësinë që i shtyn të pranojnë motivet partiake të PS dhe PD në këtë „kryqëzatë“ kundër partive të vogla, e mbrojnë projektin dhe arrijnë deri aty sa të përgëzojnë vetvehten për zhdukjen e këtyre të fundit. Gjykimi i tyre ndjek formulën: më pak parti = më pak zhurmë, më pak shpenzime = më shumë transparencë, më shumë rezultat. Pjesa tjetër – e përfaqsuar nga A. Stefani – dalin në mbrojtje të viktimave dhe e kundërshtojnë idenë e një Ligji të tillë, pikërisht pasi ai mbron vetëm interesat e „të mëdhenjve“. Dashur padashur krijohet ideja që si të parët edhe të dytët gjenden diku „brenda çorbës“ – sipas shprehjes së shënuar të F. Lubonjës – pra ata shprehin, veçse me forma dhe mjete të ndryshme, dy anë të këtij realiteti, gjithë duke qenë pjesë përbërëse e tij.
. Çka të bëjë „legjitimiteti çarmatosës“ i partive të mëdha, i matur nëpërmjet numrit të madh të mbështetësve të tyre „nga Vermoshi në Konispol“, me vetë demokracinë? A mjafton kriteri numerik për të përcaktuar „vlerën“ e partisë si edhe mesazhin e saj politik lidhur me të ardhmen e vendit dhe të popullit? Rasti i të ndjerës Parti të Punës është mjaft domethënës…
. Në të kundërt, edhe sikur të arsyetohet me cinizëm se „partitë e vogla nuk kanë asnjë vlerë e asnjë funksion; ato thjesht shtojnë erën e keqe e kutërbimin në moçalin politik“, formimi dhe egzistenca e tyre e tejkalon së tepërmi vullnetin e një individi vizionar dhe bartës të projekteve politike pasi para së gjithash, ato janë pjellë e vetë sistemit. Numri i madh i partive të vogla në gjirin e një demokracie belbëzuese si ajo shqiptare mund të shpjegohet së pari nëpërmjet, paaftësisë të partive të mëdha për t‘u dhënë përgjigje problemeve të mprehta të kohës, së dyti nëpërmjet errozionit të brendshëm dhe humbjes së autoritetit të shefave historikë dhe së fundi, nëpërmjet vetë Ligjit elektoral në fuqi. Pra ngado që ta kapësh, të vetmit përgjegjës janë partitë e mëdha, pikërisht ato që duan të ndryshojnë sot këtë Ligj. A mund të pranohet se është pikërisht vullneti i partive të mëdha ai që bën - dhe zhbën – demokracinë?
.
. Krahas opinionistëve të shumtë „të çorbës“, të tjerë mundohen të bëjnë ekulibristin – pra, të qëndrojnë në buzë të kazanit – me lugë në brez – dhe të teorizojnë sipas rastit lidhur me të këqiat e sistemit proporcional korruptues (natyrisht për kushtet tona) dhe të nënvizojnë prirjet tipike shqiptare drejt mazhoritarit.. për të lëvduar avantazhet e sistemi të përzierë, jo më sipas recetës djegëse spanjolle por sipas aromës alla kiwi neo-zelandeze. Jam gati të ndaj me këta shpirtra liberalë bindjen se „ndryshimi radikal i sistemit elektoral do të sjellë transformimin radikal në arenën politike.. një ortek të mirëfilltë në organizimin partive politike shqiptare, përmbysje të traditës politike të deritanishme dhe mosrespektim i nevojës që ka Shqipëria për konsolidim institucional“. Por asnjë element nuk i vjen në ndihmë më të pandreqshmit mes tyre për të vërtetuar lidhjen mes formulës elektorale (mazhoritare, proporcionale, të përzierë) - të zgjedhur nga partitë dhe në dobi të tyre - dhe egzistencës së demokracisë.
.
. Sidoqoftë, përpara se të merren me Ligjin, opinionistët e „çorbës“ dhe ata të „lugës“ duhet të merren me „Maliqin“ – më mirë të themi me dy Maliqët tanë, shqetësimet kryesore të të cilëve mbeten zgjedhjet e ardhshme. Të paktën që prej dy legjislaturash, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale tregojnë kjartë se çyreku politik është ndarë në tre pjesë ndjeshmërisht të njejta: 1/3 e votave për PD, 1/3 për PS dhe e një e treta e fundit për partitë „e vogla“. Dy pjesë të kësaj të e trete të fundit (rreth 20% të votave) i përkasin partive të spektrit të majtë dhe të qendrës së majtë dhe vetëm një pjesë (10%) i takon partive të spektrit të djathtë. Shihet fare qartë se teorikisht – duke mos marë parasysh numrin e madh të abstensioneve (mbi 45% të votuesve potencialë), PS dhe PD kanë shfrytëzuar plotësisht rezervuarin e tyre elektoral dhe janë shëndrruar në kohorta militantësh. Sidoqoftë, „rezerva“ e majtë ku peshkon PS është më e madhe se sa ajo e PD dhe kështu, shanset e socialistëve për të fituar zgjedhjet janë të mëdha – me kusht që partitë e vogla të hedhin hapin sipas daulles socialiste. Por të mos harrojmë se në këtë mes është LSI e Metës që mundohet të përfitojë nga situata dhe që mund të përmbysë krejt rezultatet – siç ishte rasti në vitin 2005. Ja përse PS propozon këtë formulë të re zgjedhore që ose i nënshtron „aleatët“ e saj zevzekë dhe i lidh pas qerres së saj ose i zhduk fare me atë pragun përfaqsues që rritet ndjeshëm dhe me atë ndarje të re rajonale djallëzore.
. Nga ana tjetër PD nuk mund të presë ndonjë përmbysje nga formula e re në rezultatin e saj të ardhshëm – ndoshta karizma e Berishës do t’ja dalë të mposhtë sex appeal-in e Ramës – pa llogaritur shpresën e përhershme të një mobilizimi të abstensionistëve. Ndërkohë, as që mund të mendohet se ajo mund t’i kundërvihet idesë të një reforme zgjedhore, aq fort të reklamuar nga ana e saj. Të vetmet manovra që mund të tentohen janë pikërisht modalitete zgjedhore të formulës: numri i zonave, kufijtë e tyre territoriale si dhe çelembyllja e listave – duke ju falur njëkohësisht Perëndisë që konjuktura ekonomike dhe politike ndërkombëtare të mos penalizojë politikën e qeverisë, që inflacioni dhe kriza financiare të mos përmbytë sektorin bankar ose së fundi që populli të mos dalë nëpër rrugë për të kërkuar uljen e çmimit të bukës.
.
. Përtej kësaj analize me ngjyra partiake dhe spekullimit me shifrat, ajo çka i intereson mënyrës tonë të vështrimit është vetë demokracia dhe zgjedhjet, si mjet i realizimit të saj. Me fjalë të tjera, çka të bëjë administrimi i zgjedhjeve si një element i qënësishëm i zbatimit të demokracisë - me qëllim përcaktimin e përfaqsuesve të popullit, me egzistencën e vetë partive? Për të mos thënë troç: çka i duhen partitë politike (të voglat sikundër edhe të mëdhatë) demokracisë – dhe me këtë rast popullit të shumëvuajtur?
.
.
. Demokracia, zgjedhjet dhe partitë politike.
.
. Pa dashur të fundosem në Lashtësi, në kërkim të koncepteve athiniote të demokracisë, do të mjaftohem t‘i le fjalën Tokëvilit – një prej etërve modernë të saj, i cili në veprën e tij „ De la démocratie en Amérique ,1835-1840” shprehet kësisoji :
.
. [..] demokracia është një shoqëri ku barazia konsiderohet si një vlerë esenciale, ku garantohet pjesëmarrja në çështjet publike dhe ku lëvizshmëria sociale ndalon formimin e kategorive të privilegjeve. Por demokracia është gjithashtu individualiste. Epoka demokratike nuk ka për princip të saj virtutin sikundër e mendonte Monteskjë por karakterizohet në të kundërt nga lakmia e njerëzve për të mira materiale. Dhe pikërisht fakti që ata kuptojnë interesin e vërtetë lejon egoizmat të vihen në shërbim të mirëqënies së përgjithshme. Kështu, dashuria ndaj mirëqënies, rivaliteti favorizojnë në të vërtetë rendin sicial të qëndrueshëm. Ajo çka kërcënon shoqërinë demokratike nuk është revolucioni por konformizmi, harresa e lirisë në emër të barazisë”.