"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura".
.
.. Filli kohor jep mundësinë të dallohet përballja e përjetshme me fqinjët grabitqarë, me fuqitë kontinentale dhe me perandoritë planetare ; të ndjehet pesha e pushteteve konkurruese dhe ideologjive dominuese. Kronologjia konfliktuale zbulon ndeshjen e pamëshirshme ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, dyzimin ndërmjet Krishtit dhe Muhametit, përzgjedhjen e vështirë ndërmjet Republikës dhe Monarkisë, përgjakjen ndërmjet komunizmit dhe nacionalizmit, përpëlitjen ndërmjet demokracisë dhe anarkisë, fërgëllimin ndërmjet socializmit dhe biznesit. Rregjistri shpirtëror dëshmon për luhatjen e vazhdueshme ndërmjet anonimatit dhe lavdisë, njëjtësimit dhe tjetërsimit, dashurisë dhe urrejtjes, kokëkrisjes dhe çmëndurisë, dhimbjes dhe shpresës. Alkimia e vendit furnizon së fundi edhe formulën e krijimit të përbërësve njerëzorë të Kombit : ilirë dhe arbër, Gegë dhe Toskë, fise luftarake të veriut dhe bashkësi zanatqare të jugut, bajraktarë kryelartë dhe bejlerë sipërmarrës, irredentistë kosovarë dhe çamë nostalgjikë, elita qytetëse turkofile dhe intelektualë frankofonë ose italofonë.

Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?
Affichage des messages blog dont le libellé est Anatomi e shoqërisë. Afficher tous les messages blog
Affichage des messages blog dont le libellé est Anatomi e shoqërisë. Afficher tous les messages blog

jeudi 15 mai 2008

Viti 68’ : një botë në vlim.

Maji 68 ngërthen në një të vetme dy rryma të fuqishme paralele : një protestë sociale dhe një lëvizje shoqërore. Një shpërthim i paparë proteste në një botë në krizë të thellë kuadriptique : krizë sociale, krizë identitare, krizë politike, krizë ideologjike. Një botë që ende s’ka riparuar dëmet e Luftës botërore, që ende s’ka mbyllur hesapet e kolonializmit, që ende s’ka zgjidhur kontradiktat mes sistemeve shoqërore të kundërta, që ende s’ka shëruar plagët e ndërgjegjes kolektive. Një botë e ndarë në blloqe, e kufizuar me mure, e ideologjizuar dhe gjithmonë e armatosur ku ndjehet zhgënjimi intelektual, ku jetohet katastrofa morale, ku preket mizerja raciale, ku pësohet shtypja autoritare, ku kqyret mospërfillja sociale. Një botë në kërkim të një ideali ende në embrion. Një botë protestuese që i kundërvihet diktaturës ushtarake në Spanjë dhe në Greqi, që kërkon të çlirohet nga pushteti i Partisë të vetme në Çekosllovaki, që mbron çështjen palestineze në Egjipt, që entuziazmohet nga guerrilja guevariste në Kolumbi, që identifikohet me Revolucionin Proletar në Kinë, që proteston kundër luftës në Vietnam… Por gjithashtu, një botë në lëvizje, në ndryshim, në kërkim të teorive të reja, të forcave të gjalla. Një botë e re, studente dhe puntore, e tërhequr nga kultura dhe politika, e ngopur me frymë heroike, e frymëzuar nga muzika dhe erotika – nga herotigzotika. Gjithandej në Evropë debatohet mes leninistëve dhe lenonistëve, maoistëve dhe markuzistëve, gevaristëve et hoshiministëve. Gjithandej në botë flitet revolucion, rock, liri, seks, demokraci, drogë, barazi…. dhe përfundimisht njerëzit dalin në rrugë, përgjaken me forcat e rendit, ngrenë barrikada, pushtojnë universitete dhe uzina. Një uragan njerëzor që ka për parrullë « soyons réalistes, demandons l’impossible » (le të jemi realistë, të kërkojmë të pamundurën). . Paralelisht me përleshjet në rrugë, mendje të ndritura përleshin mendimet : egzistencializëm kundër strukturalizmit, subjekti kundër konceptit, aksioni kundër fjalës… Jean-Paul Sartre kundër Jacques Lacan, Herbert Marcuse kundër Louis Athusser, Milan Kundera kundër Vaclav Havel, Martin Luther King kundër Tariq Ali... Nëse një Rajmond Aron e quante Majin 1968 një « psikodramë », nëse një Roland Barthes deklaronte se « strukturat nuk dalin në rrugë », një Sartre shpalte formulën e tij të famshme : « grupi është fillesa e mbarë njerëzimit ». .
. Ndoshta maji 68’ në Francë mbetet simbol i asaj epoke, ndoshta për shkak të forcës goditëse shoqërore, implikimit njerëzor masiv dhe sigurisht falë mediatizimit të pashoq. Por ky maj nuk është as i pari as edhe i vetmi, në Evropë ose në botë, gjatë atij viti të stuhishëm 1968. .
.
. Berlin - Frankfurt : revolta kundër Etërve.
.
. Maji gjerman u mbars nga të shtënat e armëve : në qershor 1967, policia ndërhyn brutalisht për të shtypur një manifestim paqësor kundër vizitës së Shahut të Iranit dhe vret një student. Në prill 1968, një student ekstremist i djathtë qëllon me armë dhe plagos rëndë udhëheqësin e studentëve, radikalin Rudi Dutschke. Disa ditë më vonë, Gjermania e tërë pushtohet nga revolta studentore.
. Baballarët – ata që kishin mundur të shpëtonin gjallë nga Lufta e Dytë Botërore - zbulojnë me llahtari që fëmijët e tyre përbuznin thellësisht gjithçka : sigurinë që ju jepte pasuria, qethjen e tyre shkurt, faqet e rruara përditë, barkun e tyre të dhjamur, kohën që kalonin duke pastruar veturën, konformizmin e tyre karakteristik, të shkuarit në kishë çdo të djelë, pushimet familjare në bregdet.. Në një vend që mundohej me ngulm të harronte çdo gjë që kish të bënte me nazizmin, ku sejcili e mbante vehten për viktimë, mënyra më e mirë ishte heshtja, mbyllja në vetvehte, harresa nëpërmjet punës – nëpërmjet mirëqënies materiale. Të tillë prindër, nga njera anë ishin të bindur ndaj Shtetit, ndaj disiplinës – struca që fshihnin kokën e fajshme, dele që ripërtypnin fraza – dhe nga ana tjetër ata ishin vetë autoriteti, profesorë që jepnin nota, diploma, karriera. Ata ishin vetë pushteti.
. Revolta pra ishte shumëformëshe : kundër heshtjes, kundër harresës, kundër moskuptimit dhe mbylljes emocionale të prindërve, por edhe për rikrijimin e një morali të ri politik, të një dialogu social, për një formim më të përshtatshëm, për modernizimin e vetë shoqërisë. Sikundër thotë edhe një dëshmitar i asaj kohe : « për të gjetur gëzimin e jetës ».
. Hap pas hapi, të rinjtë zbuluan se kish intelektualë që shkruanin të tjera idera, që mbronin të tjera çështje – por që shoqëria ose i mbulonte me heshtje, ose i syrgjynoste jashtë. Ata zbuluan Markuzen dhe Adornon, rizbuluan Marksin dhe Leninin, riformatuan socializmin, u pasionuan për Vitnamin, për Kubën… Ata provuan drogën dhe dëgjuan muzikën, shijuan seksin dhe jetesën e lirë.. dhe natyrisht u revoltuan kundër prindërve. Dhe pikërisht, ishte « indiferenca kriminele » e masave, e njerëzve të rrugës që i hodhi benzinë zjarrit të revoltës.
.
.
. Romë - Milano : revolta kundër Autoritarizmit.
.
. Ajo çka e bën të ndryshëm « Majin » italjan nga ai i vendeve të tjera është kohëzgjatja – un « Maggio rampante », që ka filluar që në nëntor 1967 me pushtimin nga studentët të Universitetit Katolik të Milanos, të ndjekur nga Fakulteti i Shkencave Sociale të Torinos, i cili kulmon në shkurt 1968 me pushtimin e Universitetit « La Sapienza » të Romës dhe me betejën e Valle Giulia, me forcat e rendit. Edhe pse ai nuk mundi të mobilizojë me miliona studentë dhe puntorë, të shkaktojë me qindra apo mijra të plagosur në të dy kampet si në Francë, ai vazhdoi deri në vjeshtën e vitit 1969… ai u radikalizua deri në ekstrem për të shërbyer si shtrat social i « Viteve të plumbta » dhe i atentateve të Brigadave të Kuqe.
. Pakënaqsi ndaj zvarritjes së një sistemi politik që s’arrinte dot të modernizohej, që shpërfillte kapitalin demokratik të luftës antifashiste dhe të Rezistencës, ndaj një shoqërie tejet katolike dhe konservatore, ndaj një sistemi ekonomik që vazhdonte të prodhonte varfëri krahas « mrekullisë së konsumit », ndaj një sistemi arsimor që i konsideron studentët me një « thes për t’u mbushur, me koncepte të gatshme nga maja e katedrës ». Përballë sistemit autoritar dhe mospërfillës gjendet rinia, gjithmonë më e etur, më kërkuese, më e politizuar, më e ideologjizuar, më e ndërgjegjshme, që interesohet « për Çe Guevarën që lufton në Kolumbi, për çështjen e të zinjve në Amerikë, për Vietnamezët, për gjendjen në Indi, për mbarë botën dhe varfërinë në të… » « Kundër autoritarizmit akademik, pushteti studentëve » ja edhe manifesti i studentëve që pushtuan Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Torino
.
.
. San Francisko – Çikago : revolta kundër Qënies.
.
. Amerika e viteve 60’ i përngjante një kazani të mbushur deri në buzë, ku era e mirë e supës në vlim përzihej me erën e shkrumbit të zjarrit nxehës. Nga njera anë mirëqënie ekonomike, bollëk material, naivitet provincial, besim i pafund në forcën e Kombit dhe të Zotit, thjesht « american way of life » dhe nga ana tjetër, Amerika e getove të zeza, e pakicave, e segregacionit racial, e varfërisë shtrydhëse… Një ekulibër i vështirë që injorohej nga moskokëçarja proverbiale popullore, që mezi reflektohej nga një inteligentsia mediokre, që harrohej nga shumica e të vdekshmëve « zarzavate nga trutë, por ama zarzavate të etur për liri » - sipas shprehjes së një ish-hipi. Përvoja revolucionare « Sex and drogue and rock’n’roll » e tribuve rinore u pavdekësua në Summer of Love të San Francisco në verën e vitit 1967, nëpërmjet atyre 3 milionë të rinjsh të dehur me Rolling Stones dhe me Beatles, me Iggy Pop, me Doors, me Velvet Underground et me Mamas and the Papas.. dhe natyrisht me alkohol, me hashish dhe me majijuana.
.
. Vetëm se disa hapa më tej ishte lufta e Vietnamit me ata dhjetra mijra të vrarët e saj amerikanë dhe ato qindra mijra viktimat vjetkonge, me napalmin dhe B52, me fëmijët dhe gratë e masakruara të Mylait... se disa lagje më tej, vepronin militantët e Black Panther Party, përfaqsuesit e black people, të mbushur me black pride, të dehur me black nationalism të të ndjerit Malkolm X.. vetëm se disa rrugë më tej, në Memphis, u vra pastori i zi Marin Luter King, ai që kish ndjerë atë ëndrrën e pamundur por aq të bukur.. « A negro killed in Memphis » titullon kryeartikullin New York Times i 29 marsit 1968.
. Dhe befas, West Side i Çikagos ndizet i tëri : 2.500 policë kundër 300.000 të zinjve të zemëruar. Ndërkohë që qeveria shpejton të dërgojë 4.000 roje kombëtare dhe kryetari i bashkisë urdhëron policët e tij « të qëllojnë për të vrarë kryengritësit », përleshjet i venë zjarri Washingtonit. Në 170 qytete amerikane getot e zeza ngrihen në përleshje. « Java më e zezë e Amerikës » psherëtin jo pa humor revista Newsweek »..
.
.
. Varshavë - Pragë : revolta kundër Sistemit.
.
. Sikundër dhe bashkëmoshtatarët e tyre të Parisit ose të Berlinit, të rinjtë çekë ose polakë pushtoi rrugët e Pragës ose të Varshavës por jo për të shprehur solidaritetin e tyre me Vietnamin ose me Kubën, jo për të thirrur « Ho, Ho, Ho Shi Min » por për të mbrojtur kulturën dhe letërsinë, thjesht lirinë e shprehjes, kundër një pushteti komunist shtypës deri në palcë. Mjaftonte Muri, Perdja e Hekurt që edhe shprehjet e të rinjve të ishin të ndryshme, që edhe aspiratat divergjente. Në se për francezët ose gjermanët e keqja quhej imperializëm amerikan, « xhelat i popullit vietnamez » dhe në shenjë kundërshtimi ata përqafonin çështjen e të majtës ekstreme, për të polakët, çekët apo hungarezët ai kish fytyrën e komunizmit sovjetik dhe ata ëndërronin demokracinë, plurimendimin, lirinë e ndërmarrjes liberale. Në se të parët mendonin revolucionin, të dytët dëshironin mbretërinë e Ligjit të vërtetë. Në se në Paris studentët digjnin vetura, në Pragë studentët digjnin gazetat. Pra, çështje pikpamjeje… Në se në Berkeley ose Sorbonë, studentët nxirrnin jashtë profesorët dhe mbyllnin fakultetet, në Pragë ose Budapest, studentët kërkonin integrimin e profesorëve të përjashtuar..
. Në mars 1968, studentët e Universitetit të Varshavës manifestuan në masë kundër përjashtimit të dy shokëve të tyre, të akuzuar për aktivitet subversiv. Ndërhyrja e policisë ishte sa brutale aq edhe e shpejtë.. Studentë të rrahur, të arrestuar, të përjashtuar, të burgosur.. Një pjesë e tyre përfundoi në ilegalitet dhe krijoi kuadrot e ardhshme të « Solidarnosc ».
.
. Në Çekosllovaki, janë intelektualët që treguan me gisht censurën dhe tronditën tërë sistemin. Le të kujtojmë Kunderën dhe shkrimin e tij « T’i japim letërsisë cilësinë dhe dinjitetin » në Kongresin e Shkrimtarëve në vitin 1967. Shkrimtarët lanin hesapet me të kaluarën, me vehten e tyre… Më tej është Partia që i hap derën reformës dhe zgjedh në krye të saj Dubçekun, i cili nuk hezitoi të tregojë me gisht problemet e vendit : rradhët për ushqime, fshatarët e rraskapitur dhe të varfëruar, hipokrizinë e kuadrove, në emër të « socializmit me fytyrë njerëzore ». Në atë të largëtin vit 1968, ky aparatçik sllovak 45 vjeçar guxonte thënien « demokracia nuk është vetëm e drejta dhe mundësia e të shprehurit të opinionit të çdokujt, por edhe marrja parasysh e këtij opinioni nga pushteti, mundësia për sejcilin të marrë pjesë realisht në marrjen e vendimeve ». Disa muaj më vonë, në gusht 1968, tanket e Traktatit të Varshavës shtypën me zinxhirat e tyre « pranverën e Pragës » dhe kësaj rradhe një rini e tërë doli në rrugë, u përlesh, u përgjak.. bile edhe u vetëndez me benzinë për të protestuar kundër « vëllezërve rusë » të idealit të përbashkët.
.
.
. Tokio – Meksiko : revolta kundër Rendit.
.
. Edhe periferia e botës perëndimore njeh llokoçitjet e veta, trazirat sociale, frekuencat dhe amplitudat e të cilave mbeten funksion i politikave të brendshme, i krizave politike. Por, kur vala rinore e ardhur nga Perëndimi interferon me atë lokale ndodh që arrihet rezonanca aq e frikshme..
.
. Që nga koha e Luftës së Koresë, Japonia shërben si bazë e dytë, si prapavijë e ushtrisë amerikane që nis avionat e frikshëm B52 për të bombarduar orizoret e Vietnamit të Jugut dhe qytetet e Vietnamit të Veriut. Në janar 1968, disa mijra studentë të lidhjes Zengakuren bllokojnë portin Sasebo për të penguar hyrjen e avionmbajtëses USS Entreprise. Në shkurt, ata sulmojnë bazën e Okinawës. Në prill lëvizja studentore japoneze merr format e simotrave perëndimore : studentët bllokojnë mbi 200 universitete dhe kërkojnë uljen e taksave të pranimit, kundërshtojnë seleksionin e hyrjes dhe refuzojnë sistemin arsimor. Në tetor, Zengakuren hidhet në sulm të Tokios : gjatë tre ditëve me rradhë, studentët bllokojnë parlamentin, ambasadën e SHBA dhe stacionin qëndror hekurudhor të Tokios. Rezoltati : disa qindra të plagosur nga të dy palët dhe 300 qytete krejtësisht të paralizuara. Përballë shtypjes policore, më të vendosurit mes studentëve barrikadohen në qytetet universitare të Tokios që merren me sulm nga forcat e rendit në nëntor të vitit 1968.
.
. Në Meksiko, lëvizja studentore ziente që prej muajve të parë të vitit 1968 dhe kërkesat e studentëve morën ngjyra gjithnjë e më politike : « abrogimi i Neneve 145 dhe 145b të Kodit Penal (kërcënimi i rendit publik nga grumbullimet e tre personave), shpërndarja e grenaderove (një repart taktik i policisë), lirim i të burgosurve politikë… ». Në shtator, sulmi i ushtrisë ndaj qytetit universitar dhe arrestimi i 500 studentëve dhe profesorëve ngriti gjithë vendin më këmbë. Në 2 tetor një manifestim i madh i studentëve protestues u bllokua nga policia në sheshin e Tlatelolcos : « no queremos olimpiadas, queremos revolucion » ishte parrulla e demonstruesve. 5.000 ushtarë dhe 300 tanke ju rrinin përballë.. dhe befas filluan të shtënat e mitralozëve. Disa hapa më tej, qyteti vazhdonte jetën e tij dhe asnjë veturë nuk ndalej për të asistuar skenën. « Një normalitet i përbindshëm, fyes, nuk arrija të kuptoja këtë qetësi » kujtohet një nga gazetaret e epokës. Të nesërmen, gazetat lokale shkruanin për përleshje mes terroristëve dhe ushtarëve që kish bërë 28 të vrarë dhe 80 të plagosur nga të dy kampet. Burime të tjera jashtëqeveritare shpallën se numri i të vrarëve ishte mbi 250, disa mijra të plagosur, dy mijë të arrestuar.. mes indiferencës së përgjithshme. Vetëm dhjetë ditë më vonë, Meksiko hapte me bujë Olimpiadën verore, të XIX e erës moderne, në prezencë të 112 vendeve dhe 5516 atletëve…
.
. * * *
.
.
. Kjo pasqyrë e shpejtë e botës së ngërthyer nga ngërçi i ndryshimit, e frymëzuar nga afshi i lirisë dhe e shkrumbosur nga revoltat e rinisë, sidoqoftë mbetet e mangët pa pasqyrimin e dy momenteve të tjera aq domethënëse : Pekin – Shangai : revolta kundër Udhëheqësve dhe Tiranë - Durrës : revolta kundër Zotit.
. Por, duke respektuar këshillën e një mikut im blogist nga Italia, i cili më shkruan diku : « .. është me të vërtetë kënaqësi për mua kur lexoj artikujt [tuaj].. sidomos kur nuk janë shumëëëëë të gjatë », mendova t’i le për shkrimin tjetër të rradhës.

La suite.. - Vazhdimi...

lundi 5 mai 2008

Maj 68’ : Kronika e stuhisë franceze.

Tërmeti i madh shoqëror që tronditi botën mbarë gjatë viteve 1967-1968, për një sërë arsyesh, njohu një zhvillim të jashtëzakonshëm në Francë. Sidoqoftë, shumë më të ashpër dhe më masiv se në vendet e tjera.
. Që në ditët e para të muajit maj, studentë anarshistë të pakontrollueshëm dhe pa asnjë program politik, adeptë te Maos dhe të Markuzes, sulmuan fakultetet, i pushtuan dhe u ndeshën me policinë nëpër rrugët e Parisit.
. Asnjëherë, kryeqyteti francez nuk kish parë një shpërthim të tillë dhune dhe shkatërrimi. Një varg intelektualësh e majtë i mbështetën dhe kodifikuan këtë lëvizje si shprehje të pakënaqësisë që lëvrinte në gjirin e shoqërisë. Në mes të muajit maj, puntorët u solidarizuan me studentët dhe u ngritën në grevë që brenda disa ditësh u shëndrrua në grevë të përgjithshme. E tërë Franca u paralizua dhe partitë politike të opozitës kërkuan rrëzimin e qeverisë. Presidenti De Gol shprehet për një referendum popullor lidhur me votëbesimin ndaj politikës së tij. Qeveria dhe sindikatat hyjnë në bisedime pêr rishikimin e rrogave dhe tê avantazheve sociale (bisedimet e Grenelës). Përfundimisht, në fund të majit, De Goli shpall shpërndarjen e Parlamentit dhe njofton pêr zgjedhje tê reja, në fund të muajit qershor.
.
. Për « çudi » zgjedhjet e reja legjislative ishin një plebishit i vërtetë pêr partinë e De Golit që si asnjëherë tjetër mori shumicën dërrmuese të vendeve në Parlament. Revolta përfundoi po aq befasisht si kish filluar : njerëzit shkuan me ngut në pushimet e korrikut dhe u rikthyen tê paqësuar.
. Sidoqoftë, « e keqja » ish bërë : qeveria e djathtë s’mundi tê realizonte ato reformat e premtuara, Elizeja (selia e Presidentit) ish gjithmonë më e largët dhe më e shkëputur nga populli, vetë De Goli kish rënë nga piedestali i Babait të Kombit… Diçka e pakthyeshme kish ndodhur në shoqërinë franceze – vetë Franca nuk ish më ajo që kish qenë më parë.
.
. Ja edhe kronika e kësaj periudhe të stuhishme, dyzet vjet më parë :
.
. 22 mars – lokalet administrative të Universitetit të Nanterrës u pushtuan nga një grup prej 400 studentësh anarkishtë dhe trockistë., që protestonin kundër dhunës ndaj militantëve të Komitetit Viet-Nam.
.
. 28 mars – Dekani urdhëron mbylljen e fakultetit të letërsisë.
.
. 1 maj – manifestim i madh i forcave të majta në Paris.
.
. 2 maj – studentët e të djathtës ekstreme (Oksident) i venë zjarrin një lokali sindikal në Sorbonë.
.
. 3 maj – të gjitha organizatat e të majtës ekstreme manifestojnë në Sorbonë dhe përgatiten për përleshje me grupet e të djathtës ekstreme. Rektori kërkon ndërhyrjen e forcave të policisë që fillojnë të arrestojnë « organizatorët ». Kalldrëmi i parë kundër policëve hidhet në orën 17 e 30 min. Përleshjet bllokojnë gjithë lagjen ngjitur Quartier Latin : 83 policë të plagosur dhe 574 studentë të arrestuar.
.
. 6 maj – përleshje të reja në Quartier Latin : 300 policë dhe 600 studentë të plagosur. Lëvizja se studentëve përfshin qytetet e tjera të Francës.
.
. 10 maj – përleshjet shëndrrohen në luftë të vërtetë. 60 barrikada ngrihen vetëm në Quartier Latin, 1000 të plagosur nga të dy anët. Sindikata e mësuesve dhe e profesorëve bashkohet me studentët dhe ndërpret mësimin.
.
. 13 maj – sindikatat puntore organizojnë një manifestim në Paris në mbështetje të studentëve : 800.000 pjesëmarrës. Kryeministri Pompidu deklaro rihapjen e Sorbonës për të qetësuar disi studentët. Këta të fundit e pushtuan menjëherë Universitetin dhe e shëndrruan në Shtab të Përgjithshëm të lëvizjes.
.
. 14 maj – 2.600 puntorët e një uzine aviacioni në qendër të Francës fillojnë një grevë pa afat dhe pjesëmarrin në lëvizjen e studentëve.
.
. 15 maj – 300 të rinj puntorë pushtojnë uzinën e tyre Renault dhe marrin peng kuadrot.
.
. 16 maj – rreth 100 uzina janë pushtuar nga komitetet puntore në të gjithë vendin. Të gjitha ndërmarrjet e mëdha gjenden në grevë dhe janë paralizuar. Numri i grevistëve llogaritet në rreth 200.000.
.
. 18 maj – numri i grevistëve arrin në 2.000.000.
.
. 19 maj – partitë e majta dhe sindikatat kërkojnë të ndërhyjnë dhe të marrin nën kontroll lëvizjen puntore.
.
. 22 maj – shumica në Parlament hedh poshtë një mocion censure të kërkuar nga e majta.
.
. 24 maj – De Goli shpall organizimin e një referendumi popullor për të kërkuar besimin e qeverisë së tij. Në Paris, demostruesit i venë zjarrin godinës së Bursës.
.
. 25 maj – numri i grevistëve arrin në 9.000.000. Stacionet e benzinës janë bosh dhe njerëzit fillojnë bëjnë rradhën për të blerë ushqime.
.
. 27 maj – bisedimet mes qeverisë dhe sindikatave prodhojnë Marrëveshjen e Grenelës (25% të rrogës minimale dhe 10 të asaj mesatare, zvogëlim i kohës së punës dhe i moshës së pensioneve). Baza puntore nuk i pranon pasi i quan të pamjaftueshme dhe shprehet për vazhdimin e grevës.
.
. 28 maj – kriza politike ashpërsohet dhe gjithnjë e më tepër dëgjohen zëra mbi largimin e De Golit nga pushteti. Miterani ve kandidaturën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
.
. 29 maj – De Goli braktis Parisin dhe konsultohet në sekret me Gjeneralët e trupave franceze të stacionuara në Gjermaninë Federale.
.
. 30 maj – Fjalim i De Golit në televizion : Asambleja Kombëtare është shpërndarë dhe vendi do të organizojë zgjedhje të reja në fund të muajit qershor.
.
. 31 maj – manifestim gjigand në Paris (1.000.000 vetë) në përkrahje të Presidentit De Gol.

La suite.. - Vazhdimi...

lundi 24 mars 2008

Mars i përgjakur, kujtesë e plagosur.

Katastrofa e Gërdecit me dhjetra të vrarët e tij, të zhdukurit e shumtë, me dëmet e pallogaritshme materiale dhe me traumën e rëndë kolektive përbën aktin e rradhës të tragjedisë së sotme të shoqërisë shqiptare që, edhe pas 17 vjetësh të shkuara nga përshëndoshja me rregjimin komunist, vazhdon të vuajë pasojat e të kaluarës shtypëse.
.
. Kësaj here, e kaluara u materializua në predha dhe të tjera ngarkesa eksplozive që duar të shkujdesura i kishin grumbulluar pranë një fshati si Gërdeci, pranë një qyteti si Vora me qëllim që duar të tjera të kujdesshme grash dhe fëmijësh t’i kondiciononin, t’i manipulonin, t’i çmontonin – shkurt, t’i shëndrronin në vlera monetare. Nuk mund të harrosh se pikërisht një mars tjetër të vitit 1997, plot 11 vjet më parë, ishin po të njejtat predha dhe armë, e njejta trashëgimi i të kaluarës komuniste, që u grabitën nga depot e ushtrisë popullore të falimentuar dhe u përdorën gjatë orgjisë kolektive për të vrarë me mijra pjesëmarrës të atij « ahengu » që çoi në rrëzimin e demokracisë naive berishjane. E pra, një demokraci berishjane kësaj here e pjekur vazhdon të manipulojë armët dhe municionet jo më për tregun e « brendshëm », por për tregun vrastar të përbotshëm. Kur do të vemë mend dhe të kuptojmë një herë e mirë që armët dhe municionet s’janë lëndë e parë – dhe aq më pak lodra – që mund të lihen në duart e pafajshme të civilëve ?
.
. Megjithë etiketën e tij demokratike, paradoksalisht, shteti shqiptar dhe qeveritë e tij të njëpasnjëshme blu-rozë-blu s’kanë mundur t’i bëjnë dalje të kaluarës dhe të mbyllin një herë e mirë rregjistrin e tij të trashëgimisë. Nuk dëshiroj aspak të përmend mentalitetin e burrave politikë, të pjekur në furrën e vjetër të PPSH, bile as edhe retorikën partiake që kujton çuditërisht atë të kongreseve të dikurshme. Kësaj rradhe dua të flas për « bazën materiale » të socializmit – atë pasuri kolektive që megjithëse u thye dhe u grabit për vite të tëra mes 1991 dhe 1994 – dhe më pas në 1997, ende vazhdon të tërheqë lakmi të shumta : ato tokat e pazot të vëna në ankand me 1 euro, ato pasuri minerale të shfrytëzuara barbarisht, ato vepra industriale gjysëm të çmontuara, ato grumbuj materialesh ushtarake të demoduara, të cilat vazhdojnë të përbëjë fondin « tregëtar » të demokracisë ku gërmojnë politikanë të paskrupullt, në kërkim të pasurive personale. .
. * * *
.
. I parë veçmas, rasti i Gërdecit është i ngjashëm me shumë të tjerë – çka e dallon janë përmasat e katastrofës si dhe numri i viktimave. Sa raste të tilla kanë kaluar në heshtje – pasi nuk janë marrë vesh - ose janë harruar – pasi kanë shkaktuar « vetëm » një ose dy të vrarë, « vetëm » tre ose katër të plagosur ?
.
. Dikush, me ngut, e cilësoi këtë katastrofë si « frut të pakujdesisë njerëzore ». Vështirë se mund të përdoret ironi më e hidhur për të justifikuar tragjedinë gjithmonë njerëzore, dhimbjen e familjeve të viktimave. A egziston tjetër shpjegim - përveç « pakujdesisë njerëzore », që mund të shpjegojë gjëma të tilla të natyrës industriale ? Por, cili është elementi « pakujdesi » që shkaktoi Gërdecin : procesi i asgjësimit të ish-ushtrisë popullore shqiptare që i la këto instrumenta të vdekjes në mëshirën e çdo kapteri, përgjegjës depoje ? ideja e krijimit të « MEICO »-s për të ricikluar këto mbetje ushtarake me qëllim pëfitimi monetar ? besimi i armëve dhe i municioneve, të destinuara për të vrarë njerëz, një pseudo-ndërmarrjeje si « Albdemil » ? shëndrrimi i ish-gazermave të ushtrisë pranë Gërdecit në kapanone industriale çmontimi municioni ? rekrutimi nga ana e « Albdemil »-it e grave dhe e të miturve pa asnjë formim profesional për të manipuluar predhat ? Përfundimisht, a ka ndonjë nga këto elementë që angazhon përgjegjësinë e Shtetit dhe të përfaqsuesit të tij, Qeverisë ?
. Si i përgjigjet Qeveria këtyre pyetjeve ? Le të shkojmë në sallën e Kuvendit Popullor dhe të dëgjojmë ligjëratat e Kryeministrit dhe të Ministrit të tij të Mbrojtjes :
.
. “I quaj të papranueshme me gjithë dijeninë time, vendosjen e çmontimit në zonën ku është vendosur. Dhe ka një vendim shumë të qartë të Këshillit të Ministrave se cila është praktika që duhet të ndiqet. Dhe çdo vendim tjetër dhe mospaqyrim të tij ka përgjegjësitë e veta. Pra në rast se thyhet urdhri i kryeministrit, ai që nuk zbaton urdhrin, ai ka përgjegjësi. Që Gërdeci nuk duhet të ishte e kam thënë dhe e them 100 herë. Ai që vendosi të mbajë përgjegjësi të plotë dhe ju që hetoni, hetoni këto elementë: kush e vendosi! Zotërinj, emrin Gërdec e kam dëgjuar për herë të parë më datën 15 mars”. (S. Berisha – 19 mars 2008)
.
. Si Ministër i Mbrojtjes nuk kam marrë as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse të forcave të armatosura, apo ato që lidhen me Ministrin e Mbrojtjes në kontrollin e zbatueshmërisë së vendimeve të Ministrit të Mbrojtjes për çështje të sigurisë, trajtimit të personelit dhe as për fakte skandaloze të prezencës së të miturve në mjedise të tilla. Autoritetet më të larta ushtarake e kanë vizituar këtë fabrikë të montimit dhe nuk kam asnjë raportim të tyre për situatën e rrezikshmërisë, apo pasojat që mund të sillnin”. (F. Mediu - 19 mars 2008)
.
. Ndërkohë që vetë Kryeministri injoron deri edhe emrin Gërdec, që Ministri i tij i Mbrojtjes – megjithëse e njeh – nuk ka marrë « as shqetësimin më të vogël nga strukturat përkatëse », që « autoritetet më të larta ushtarake » nuk kqyrin asgjë të rrezikshme në « këtë fabrikë » ku montohet vdekja, që autoritetet civile përkatëse (Ministria e Industrisë) nuk e sheh të nevojshme të përzihet, që autoritetet lokale (bashkia e Vorës) nuk ka pipëtirë as edhe fjalën më të ndrojtur ndaj rrezikut – a egziston diku ndonjë sy, në mos i përgjegjshëm, të paktën i ndërgjegjshëm që të kish dalluar diçka që mund të jepte idenë e katastrofës ? një gojë, që në mos e zonja të artikulonte fjalime, të paktën e aftë të lëshonte britmën : « O njerëz, o Gërdecarë, largohuni nga sytë këmbët » ? së fundi, një dorë, në mos e aftë të ndalojë dorën tjetër vrastare, të paktën e zonja t’i japë një shuplakë në fytyrë politikanëve hipokritë ?
.
. Në prani të kësaj gjendjeje papërgjegjësie të plotë të të gjitha niveleve të pushteteve, në kushtet e « zbrazëtisë integrale » të substancës administrative, ç’vlerë ka ngushëllimi publik i familjeve të viktimave ? Apo, thjesht si vello për të mbuluar pakujdesinë dhe papërgjegjshmërinë ndaj jetës njerëzore ? Eshtë në përgjegjësinë e një Kryeministri si z. Berisha të indinjohet me përfaqsuesit e medias, me ata « mercenaret gazetarë qe duke shkelmuar me menyren me te turpshme mbi moralin njerezor hidhen nga gezimi ne Televizionet e tyre e manipulojne me fatkeqesine e viktimave… keta mercenare [që] non stop bertisnin rrofte vdekja, poshte qeveria”. Do të ishte në nderin e tij, në nderin e mjekut humanist, siç është përpara se të bëhej Kryeministër, të thërriste përpara të gjithëve : « Rroftë jeta – çdo jetë njerëzore. Poshtë vrasësit ». Jam gjithmonë në pritje !
.
. Çdokush njeh tashmë se sa i dashuruar është ai me mediat, gëzimin e tij që ato jenë te lira si dhe përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes të lirisë së tyre – do të dëshironim që me të njejtin patos ai të shprehte vendosmërinë e tij për mbrojtjen e Ligjit – atij Ligji themelor Kushtetues, që ndonëse nuk mundi ta nënëshkruajë me dorën e vet dikur, e trashëgoi si detyrë. Kjo Kushtetutë, gardian e të cilës është çdo Kryeministër, pohon mes të tjerash se : « … dinjiteti i njeriut, te drejtat dhe lirite e tij, drejtesia shoqerore… jane baza e ketij shteti, i cili ka per detyre t'i respektoje dhe t'i mbrojë (Neni i Tretë, Pjesa e Parë) » përpara se të proklamojë me zë të lartë se « jeta e personit mbrohet me ligj (Neni 21, Kreu i Dytë) ».
.
.
. * * *
.
. Kam bindjen se një situatë e tillë, e krijuar pas ngjarjes së Gërdecit, e « ndotur » nga fëlliqësia mediatiko-politike vendore mund të kjartësohet jo vetëm nëpërmjet kërkimit dhe gjetjes së përgjegjësive përkatëse por në rradhë të parë, nëpërmjet ripërcaktimit të sferave të juridiksionit të çështjes. Me fjalë të tjera, a bëhet fjalë për një « fatalizëm » të llojit industrial apo për një « kazualitet » kriminel, ku problematika ushtarako-politike shkapërderdhet përtej kufijve të saj tradicionalë dhe përmbyt aktivitetin civil, jetën e përditshme ?
. Eshtë e sigurt se, edhe kjo mënyrë e kqyrjes së çështjes, nuk mjafton për të ringjallur viktimat ose për të ngushëlluar familiarët përjetësisht të helmuar – ashtu siç nuk mjafton për të shlyer përgjegjësinë e Qeverisë që sidoqoftë, mbetet i vetmi Autoritet kompetent që kontrollon dhe mbarështron këto dy sfera dhe që për më tepër, administron sigurinë e jetës së nënshtetasve të vet. Shpresoj vetëm që kështu do të mund të vihet diçka më tepër përgjegjësi dhe rregull në këtë botë të mbrapshtë, të përkufizuar si « demokraci », ku edhe jeta - « kapitali më i çmuar » i nënështrohet ligjeve të pamëshirshme të fitimit, ku interesat materiale të një edepsëzi paralli alla-Delijorgji vlejnë më tepër se e ardhmja e dhjetra fëmijëve gërdecarë…
.
. Lidhur me « kazualitetin »,në një shkrim të mëparshëm, të përgatitur me muaj – për të mos thënë vite – përpara Gërdecit, kam analizuar procesin e dezintegrimit të ish-ushtrisë Popullore, të vënë në jetë nga politikanët dilentantë të epokës Berisha – Meksi, produkti anësor i të cilës është edhe « lënda e parë » vrastare e « Albedemil »-it. Po aty është përmendur edhe aktiviteti i dikurshëm i të sotmes « MEICO », specialiteti kryesor i të cilës me sa duket ka mbetur trafiku i armëve – krahas tregëtisë « së ndershme ». S’ka asnjë dyshim se ky mekanizëm « tranzicionel », i cili parapriu dhe përgatiti dikur Vitin e Mbrapshtë 97’, është në origjinë të fatkeqsisë së sotme. Për fat të keq, askush nuk nxorri mësimet e duhura nga katastrofat, as politikanët përgjegjës as edhe shoqëria civile e viktimizuar.
. Bile edhe ajo opozita e sotme aq luftarake që kërkon sot dorëheqjen e Qeverisë, ka harruar tashmë që disa vjet më parë – dhe për tetë vjet me rradhë (1997-2005) – i ka patur këto armë dhe këto municione përpara syve dhe përpara hundës, ndërkohë që e vetmja masë që ka mundur të marrë ka qenë pikërisht tregëtia « e ndershme » - gjithmonë nëpërmjet « MEICO »-s dhe filialeve të saj dhe me të njejtët ndërmjetës trafikantë delijorgjë. Përse kjo ish-pozitë socialiste nuk ndërmorri në kohë të vet, asgjësimin metodik dhe të asistuar nga specialistë të huaj, të kësaj trashëgimie vrasëse ? Pasi, ishte më e thjeshtë të « harroje » se sa të veproje, më e thjeshtë dhe më fitimprurëse të shisje se sa të asgjësoje… Dhe së pari, rroftë ai fat që nuk ndodhi ndonjë Gërdec në atë kohë – por i ngeci « zholi » në dorë Berishës dhe demokratëve të tij !
.
. Sa për « fatalitetin » industrial, kam qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes në vitin 2001, të një shpërthimi të llahtarshëm që tronditi qytetin e Tuluzës – një lloj tjetër Gërdeci por kësaj rradhe francez. Në jug të qytetit që strehon rreth 600.000 banorë – dhe në skaj të tij, prej vitesh vepronte një zonë e tërë industriale prej 120 hektarësh ku punonin rreth 1.500 vetë, e specializuar në produktet kimike (një uzinë e plehrave azotike – si ajo e Fierit, një tjetër uzinë e prodhimit të karburantit të ngurtë për mbushjen e raketave, një uzinë e tretë farmaceutike, një e katërt e pesticideve bujqësore..). Në 21 shtator 2001 (dhjetë ditë pas sulmit mbi Kullat Binjake të NY), në orën 10 e 17 min, një eksplozion tejet i fuqishëm ndodhi në depon e uzinës kimike AZF që stokonte 400 – 500 tonë nitrat amoni. Bilanci i aksidentit : 30 të vdekur (22 në uzinë), 2.500 të plagosur në të gjithë qytetin, uzina kimike në fjalë u zhduk nga faqja e dheut, uzinat e tjera u bënë pjesërisht të papërdorshme, disa mijra banesa në një rreze prej 1.700 metrash pësuan dëme të ndryshme – shpesh të pariparueshme. Dhe nuk po përmend traumat psikologjike individuale, traumën kolektive që edhe sot e kësaj dite ende peshon mbi popullsinë e qytetit dhe mbi shpatullat e të zgjedhurve vendorë.
. Ekspertiza që zgjati me muaj konstatoi se shpërthimi implikoi një masë nitrat-amoni prej 80 tonës, ekuivalent i 40 tonëve TNT. Procesi gjyqësor, i angazhuar që në vitin 2001 për të përcaktuar fajtorët si edhe shkallën e përgjegjësisë të tyre, ende nuk ka përfunduar në ditën e sotme, pra 7 vjet më vonë.
.
. Është tashmë e sigurt – bile edhe pa ndërhyrjen e ekspertizës – që pas shpërthimit të AZF qëndron dora e njeriut – në mos ndërgjegja e tij : ndoshta e njeriut tê pakujdesshëm, që kish përzierë pa dashje nitratin me diçka tjetër ; ndoshta e njeriut kriminel që kish vënë një bombë të vogël për të provokuar bombën e madhe ; e industrialistëve të shkujdesur që kishin neglizhuar masat e sigurisë të domosdoshme ; e bashkiakëve të shastisur që kishin lejuar ndërtimin e banesave pranë uzinës së rrezikshme ; e njerëzve të zakonshëm të Tuluzës që ishin mësuar me prezencën e një monstre të tillë në jetën e tyre ; unë vetë që ndonëse i diplomuar në energjetikë dhe i specializuar në rreziqet indistriale, banoja bashkë me familjen brenda zonës së aksidentit ; e qeverisë së Parisit që ende s’kish nxjerrë mësimet e duhura nga katastrofat e mëparshme… E pastaj ? A mjaftojnë këto pohime të përgjegjësisë individuale ose kolektive për të rikthyer në jetë viktimat ? A mjaftojnë ato për të parandaluar aksidentet ose së paku për të korrigjuar kujtesën e shkurtër njerëzore ?
.
. Ja edhe faqja e fshehur e procesit të ardhshëm të Gërdecit – po qe se do të ketë një të tillë. Jo vetëm të gjenden fajtorët e drejtpërdrejtë dhe të ndëshkohen, jo vetëm të merret pêrgjegjësia nga ana e politikanëve të korruptuar që nxitën dhe lejuan fatkeqsi të tilla – por në rradhë të parë, që vetë njerëzit, shoqëria civile të përulet përpara viktimave të pafajshme dhe të gëdhendë fytyrat e tyre në kujtesën e saj, bile përpara se të ngrihet më këmbë dhe të thërresë me një zë : « Kurrë më Gërdec » !
. Pasi në të kundërt, viktimat e rradhës do të jenë bijtë e saj, fëmijët tanë, të çdokujt.

La suite.. - Vazhdimi...

lundi 14 janvier 2008

Viti i Mbrapshtë 1997: -- 5. Mekanizmi i Revoltës.

Le t’i rikthehemi edhe një herë orëve të të fundit të demokracisë berishiane për të kuptuar dinamikën e crash-it të frikshëm : .
.
. ...Vetëndezja e trupit elektoral ishte bërë shqetësuese, ndërkohë që vendimi i opozitës për t’u tërhequr nga gara elektorale nën pretekstin e dënimit të mashtrimit të zgjedhjeve shërbeu si pikënisje e shqyerjes së indeve të tij më të ndjeshme. Në këtë stad, fundosja e shoqërive të kreditit ishte shkëndija që i vuri flakën pakënaqësisë së brendshme dhe që mobilizoi turmat në manifestimet e rrugës. Përleshja politike mes pozitës dhe opozitës braktisi sallat dhe u shëndrrua në çështje të militantëve të ndezur ndërkohë që dhuna verbale, aq karakteristike për Republikën e Tretë tashmë duket fëminore përballë brutalitetit të forcave të rendit. Të gjithë elementët janë gati me qëllim që grumbullimet të shëndrrohen në përleshje, që mërmëritja e shurdhër të kthehet në urrejtje dhe që turma të saldohet nën magjepsjen e gjestit shkatërrues individual. Nga momenti që forcat e rendit fillojnë dhe tërhiqen, që Shteti tregon shënjat e para të dobësisë, kampi i kryengritësve bëhet i ndërgjegjshëm për forcën e tij dhe hidhet në kundërsulm. Shkallëzimi prek cakun e pakthyeshmërisë sapo që njerëzit vihen në zotërim të armëve : revolta popullore merr tiparet e një revolucioni….
.
.
Duke çmontuar mekanizmin e makinës djallëzore, shpërthimi i të cilës fshiu rregjimin e Berishës, është e pamundur të mos vihen re një mori rrotullash dhe sustash, elementë të detonatorit – në rastin tonë, të famshmit « Komitete të Shpëtimit Publik ». Megjithëse tashmë dihet që filli dhe butoni ndezës përfundonte në zyrat e Partisë Socialiste, ishte vetë rregjimi demokratik që furnizoi pjesët përbërëse të bombës – mes të tjerash, dezintegrimin e ushtrisë shqiptare. Ushtarakët bënin pjesë në kategoritë profesionale nga më të prekurat e reformave të para të qeverisë Meksi. Ministri i ri i Mbrojtjes, Safet Zhulali – një mësues i vjetër matematike nga Peshkopia, bëri të njohur në vitin 1993 planin e tij të riorganizimit të ushtrisë që parashikonte mes të tjerash, reduktimin e numrit të divizioneve të këmbësorisë si dhe rishkrirjen e armëve të tjera – aviacionin dhe forcat ushtarako-detare. Të gjithë komisarët dhe të tjerë puntorë politikë duhej të braktisnin trupën dhe ushtrinë ndërkohë që trupa e oficerëve reduktohej në mënyrë të ndjeshme. Riorganizimi preku njëkohësisht edhe kazermat dhe qendrat e tjera të grumbullimit sikundër dhe depot e armëve dhe të municionit. Mbi ç’kritere u ndërmorr ky riorganizim ? Në mungesë të asaj që quhet « doktrina e mbrojtjes » ose të dokumentave të tjera themelore të përgatitura nga shtabet, s’mbetet gjë tjetër veçse të imagjinohen motivet strategjike, ushtarake, ekonomike dhe politike.
.
.
Aleancat e reja politiko-ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet evropiane sugjeronin një rishikim të thellë të koncepteve të vjetra të mbrojtjes kombëtare, të përpunuara gjatë epokës komuniste. Tashmë ishte krejt e qartë për sejcilin se ideja e të mbrojturit, e mbështetur mbi konceptin e « forcave të veta » ishte një mashtrim trashanik :
.
- vendi nuk dispononte mjete njerëzore dhe materiale të mjaftueshme për të përmbajtur një agresion të mundshëm, të ardhur nga fqinjët ;
.
- vetë koncepti i « armikut potencial » kish ndryshuar pasi vendi nuk i përkiste më botës komuniste ;
.
- teknologjia e saj më e përparuar e fabrikimit kinez i takonte viteve shtatëdhjetë, asaj i mungonin pjesët e këmbimit, mirëmbajtja e rregullt dhe asnjeri nuk ishte në gjendje të përgjigjej për funksionimin dhe gatishmërinë e saj ;
.
- vetë ushtria ishtë shëndrruar në një barrë tepër të rëndë për financat e Shtetit demokratik, i cili nga ana e tij mbahej në këmbë falë ndihmave ndërkombëtare ;
.
- struktura e saj e brendshme dhe në rradhë të parë, kuadrot e saj përbërëse të formuara dhe të edukuara gjatë rregjimit komunist, ishin ose komunistë ose dyshoheshin si të tillë. Për të gjitha këto arsye, ushtria ishte paracaktuar si një strukturë që duhej shembur dhe asgjësuar.
.
Me fjalë të tjera, pyetja kryesore që shtrohej fare qartë përballë zotërve të rinj të vendit ishte ajo e mëposhtmja : çfarë duhet bërë me një ushtri të trashëguar nga një rregjim tashmë i shembur, e cila është njëkohësisht tepër e madhe në numër, e paadaptuar me situatën, e papërdorshme, e kushtueshme dhe së fundi e rrezikshme ? Përgjigja e parë që vjen vetvetiu është : ajo duhet shpërndarë, duhet çmontuar ose më mirë duhet thyer. Kjo përgjigje është edhe më instiktive kur ndërkohë ajo është sugjeruar prej këshilltarëve të shumtë ushtarakë dhe civilë amerikanë ose evropianë të cilët, nga ana e tyre, premtojnë përkrahje, ndihma dhe në rradhë të parë zgjidhje të gatshme. Zaten, zbërthimi, çmontimi sikundër dhe thyerja janë procese, teknika e të cilave zotërohet në mënyrë të përsosur ndërkohë që praktika është eksperimentuar me sukses të plotë në fusha të tjera si ekonomia kombëtare ose dhe administrata shtetërore. Veçse, të zbërthesh dhe të çmontosh një ushtri nuk është krejt e njejta gjë sikundër një ministri ose një uzinë pasi, përpara se të fillosh punën, duhet t’i kesh dhënë zgjidhje të paktën tre problemeve të reja :
.
- ç’do t’i bëjmë ushtarakët, dija e vetme e të cilëve është përdorimi i armëve dhe mënyra e vetme e jetesës është disiplina ?
.
- çfarë do të bëjmë me armët dhe me municionet të cilat, megjithë vjetërsinë dhe teknologjinë e tyre të tejkaluar, janë gjithmonë në gjendje pune dhe shërbejnë gjithmonë për të vrarë njerëz (1) ?
.
- Si i bëhet për të ngritur një ushtri të re njëkohësisht më të adaptuar, më të pajisur, më operative dhe më pak të kushtueshme ?
.
.
Sikundër dhe mund të imagjinohet, ky problemi i tretë mbeti pothuaj i pazgjidhur : mes inercisë të zakonshme të administratës ushtarake, çorganizimit të administratës qëndrore, ndërhyrjes së politikanëve për t’a vënë nën kontrollin e civilëve dhe në rradhë të parë, mungesës mizore të mjeteve financiare dhe materiale, ushtrisë shqiptare ju desh të zbriste në ferr. Mjafton të thuhet se në vitin 1995, pjesa e buxhetit e dedikuar ushtrisë nuk tejkalonte shumën prej 50 milionë dollarë, një krodhe e vërtetë e krahasuar me nevojat jetësore që i nevojiten një mase njerëzish prej 26.000 vetësh vetëm për të mbijetuar (pagesa e trupës, ushqimi, veshmbathja dhe furnizimet personale, energjia – rryma, uji, ngrohja, karburanti, kancelaria etj…). Përsa i përket riorganizimit organik, formimi dhe përgatitja e kuadrove, ripajisja, riarmatosja – shkurt modernizimi i trupës dhe bazës materiale, vështrimi ishte kthyer në mënyrë të vendosur drejt aleatëve të rinj të fuqishëm, me Shtetet e Bashkuara në krye.
.
Në të kundërt, problemi i parë u zgjidh pothuaj menjëherë, bile me një lehtësi befasuese : në mungesë të çdo « plani social », sejcilit nga ushtarakët e liruar mund të merrej me çka t’i donte e bardha zemër – të pushonte pas gjithë atyre viteve lodhje dhe mundimi, të konvertohej në biznesmen, të shkruhej në listat e të papunëve ose së fundi, të merrte rrugët e kurbetit. Përfundimisht, problemi i dytë paraqiste disa faqe të ndryshme pasi, përveç stokut egzistues, ishte njëkohësisht edhe industria e armatimit – e shpërndarë ndërmjet disa qendrave të prodhimit të armëve (kryesisht të armëve gjysëm automatike ose automatike me në krye përfaqsuesin e shquar AK-47, alias kallashnikov), të prodhimit të municioneve (fishekë, predha, mina dhe të tjera ngarkesa eksplozive) dhe së fundi të kimisë ushtarake (nitroglicerinë, barut). Me kusht reduktimin e prodhimit bile dhe të mbylljes së uzinave, reduktimi i stoqeve mund të realizohej qoftë nëpërmjet asgjësimit të tyre – e gjykuar si tepër e kushtueshme, qoftë nëpërmjet shitjes. Ndërkohë, armët egzistuese duheshin rimagazinuar, kondicionuar, në përputhje me rregullat e reja të sigurisë. Në të vërtetë, vetëm kapitulli tregëtar eci deri diku. Sipas burimeve zyrtare, diçka më tepër se një qind mijë armë të lehta si dhe një çerek miliard fishekë të kalibrave të armëve mundën të gjejnë blerës, duke gjeneruar një « fitim » prej 30 millionë dollarësh , ndërkohë, nga burime të brendshme doli lajmi se shitja përfaqsonte vetëm pjesën e dukshme të « ajsbergut » Zhulali që paskish organizuar një trafik të tërë armësh me Bosnjën në luftë.
.
Në këtë mënyrë, në prag të rrebelimit, ushtria e « re » shqiptare ishte njëkohësisht jooperacionale, e çorientuar dhe pakrye. As komanda e saj e përgjithshme ose e lartë, as edhe komandat e saj rajonale (Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër et Tiranë), gjithmonë të zënë me probleme të panumërta dhe të pazgjidhshme të logjistikës dhe të rishpërndarjes së trupave as nuk panë as nuk morën vesh gjë. Bile edhe më keq, edhe pas sulmeve të para kundër kazermave dhe depove të saj të armatimit në fund të muajit shkurt – fillimi i marsit, shtabet mbetën inerte ndërkohë që trupa luhatej rreth indiferencës, bashkëpunimit pasiv me plaçkitësit, vëllazërimit me sulmuesit dhe dezertimit. I zënë në befasi, Komandanti i Përgjithshëm Berisha shkarkoi përgjegjësit kryesorë ushtarakë dhe ja dorëzoi gjykatave ushtarake, ndërkohë që komanda e operacioneve në terren kaloi nga duart e matematikanëve të llojit Zhulali në duart e fizikanëve të variantit Gazidede.
.
Duke mos patur asnjë përvojë të kësaj natyre, duke mos qenë e stërvitur të ndërhyjë në situata të tilla të brendshme (2), Ushtria Popullore, ky objekt i krenarisë kombëtare përgjatë një gjysëm shekulli, e krijuar enkas për të përmbajtur çdo agresion të jashtëm deri edhe superfuqitë botërore, u mund dhe u asgjësua nga disa grupe civilësh leckamanë dhe fillimisht të çarmatosur. Por, nëqoftëse sulmuesit ishin civilë leckamanë bile edhe të veshur me tesha me marka, shtabet e kryengritjes – Komitetet e Shpëtimit Publik – zjenin nga ish ushtarakët e pushuar nga puna.
.
Komiteti i parë i këtij lloji thuhet se u çfaq në Sarandë, gjatë ditës së 4 marsit të vitit 1997. Pasi kishin pushtuar me sulm bazën ushtarake të qytetit, çliruar tre qind të burgosurit nga qelitë lokale, plaçkitur dhe djegur disa godina publike dhe masakruar një polic të gjorë, vegjëlia e qytetit më jugor të vendit, i shquar deri atëhere vetëm për shijen e agrumeve dhe ngjyrën blu-gurkali të detit, vendosi të krijojë një « Bashkësi komunale autonome ». Ky grumbullim virtual i të zgjedhurve të gëzuar të partive politike dhe përfaqsuesve të zemëruar të popullit kërkonte në rradhë të parë t’i jepte shembullin mbarë vendit. Në pamundësi, ishin qytetet fqinje që e morrën shembullin sarandjot : Delvina, Memaliaj, Himara dhe në rradhë të parë vatra e kryengritjes rrebeluese, Vlora, e cila më vonë do të kërkonte bile edhe autorësinë dhe parësinë e ngjarjes.
.
Qysh në fillim, ky vullnet popullor afishonte një përmasë politike. Ideja vetë e autonomisë shprehte këputjen e lidhjeve me pushtetin qëndror, një shkëputje të shquar aq më tepër që ajo vinte nga një distrikt kufitar, i banuar nga një pakicë mjaft e rëndësishme grekofone. Kjo gjë përbënte dhe një sinjal të fuqishëm ndaj vendit fqinjë i cili u nxitua të deklaronte që pakica e tij nuk kish të bënte fare me këtë konflikt « mes forcave qeveritare dhe bandave të armatosura ». Ky saktësim mezi arrinte të fshihte hipokrizinë : edhe pse bindja e qarqeve qeveritare të Tiranës për të parë hijen e grekut pas çdo rrebeli mund të merret për obsesion, ishte e qartë për çdokënd që largimi i Berishës përputhej me dëshirën më të zjarrtë të fqinjit jugor, i cili asnjëherë nuk i kish fshehur preferencat e tij për kundërshtarët politikë të rregjimit të Tiranës. Problemi qëndronte tek vetë Berisha : kësaj rradhe trimi i madh por pa shokë nuk arrinte të vinte rregull në rradhët e veta (3) ndërkohë që kish humbur kontrollin mbi një çerekun e vendit ; me fjalë të tjera, asnjeri nuk e dëgjonte më – aq më pak bota e jashtme - pasi ai kish humbur krejtësisht forcën e tij bindëse.
.
. Gjatë kësaj javës së parë të marsit 1997, procesi i vlimit së turmave jugore kish arritur kulmin. Në Vlorë, ato mblidheshin dy herë në ditë në sheshin e Flamurit për të dëgjuar oratorët profesionalë dhe të improvizuar si dhe për të vendosur se çka duhet të bënin – dhe çka nuk duhet të bënin – deri në mbledhjen e ardhshme të rradhës. Çfarë kërkonin këta njerëz ? Kthimin e parave të tyre – sigurisht – dhe ndëshkimin e fajtorëve pasi sipas tyre, vendi kish nevojë për një « demokraci të vërtetë, një demokraci pa Berishën ». Mbetet e vështirë të imagjinohet dhe aq më pak të pranohet një kërkesë e tillë, e shprehur nga ana e atyre që për t’ja arritur këtij qëllimi fisnik, nuk kishin hezituar aspak të shkelnin një nga principet themelore të vetë demokracisë. Mjafton ti kthehemi teksteve për të zbuluar se « demokracia garanton që procesi i ngjitjes në pushtet si dhe ushtrimi dhe rrethrotullimi i pushtetit lejojnë një konkurrencë të lirë politike dhe të shprehur nëpërmjet një pjesëmarrjeje popullore të hapur, të lirë dhe jo diskriminuese, të ushtruar në përputhje të plotë me rregullin e ligjit, sikundër në shpirtin e tij dhe në zbatimin e tij fjalë për fjalë » (4).
.
.
Shumë shpejt, në mes të kakofonisë së përgjithshme, disa zëra të përveçëm fillojnë dhe dëgjohen fort kjartë. Ky grusht burrash dhe grash të vendosur ngarkojnë vetvehten me detyrën e vështirë të përfaqsimit të turmës – që në këtë moment ka lindur Komiteti i Shpëtimit. Ai duhej të organizonte vetëmbrojtjen territoriale, të siguronte administrimin e çështjeve komunale, të zgjidhte grindjet ; shkurt, t’i vinte fre anarkisë popullore dhe në rradhë të parë të kanalizonte pakënaqsinë e turmës. Nëpërmjet elementëve të saj kryengritës të orëve të para dhe antarë të komiteteve, ky kundërpushtet u morr plotësisht në dorë dhe u zbut nga ana e opozitës, e përbërë kryesisht nga forca të të majtës. Gjëja më zbavitëse në këtë mes është fakti që ndërkohë kjo opozitë e majtë kish hyrë në bashkëbisedime me Berishën për të krijuar një qeveri të tranzicionit.
.
Në këtë mënyrë, e majta luante një lojë kurioze mbi disa fusha njëherësh : ndërkohë që përfaqsuesi i saj kryesor Fino merrte në dorë qeverinë e « Bashkimit Kombëtar » dhe që presidenti i Partisë Socialiste Nano priste me durim që kryengritësit të thyenin burgun e tij të Bënçës, drejtuesit e saj më radikalë gjendeshin në Vlorë dhe të Gjirokastër, në mes të turmave të armatosura dhe në gjirin e Komiteteve. Pikërisht, njëmbëdhjetë përfaqsues të këtyre Komiteteve u mblodhën në Gjirokastrën e Finos për të shpallur krijimin e « Frontit Kombëtar të Shpëtimit të popullit », i kryesuar nga një kolonel i çmobilizuar që kërkonte largimin e Presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja legjislative. Ky pol i ri presioni funksiononte për mrekulli : çdo herë që Berisha tregohej i vendosur, mjaftonte një shkelje e syrit të Finos dhe të miqve të tij të kryeqytetit që Fronti të ngrinte zërin dhe të kërcënonte se do të marrshonte drejt Tiranës – një kërcënim i përsëritur kushesaherë por asnjëherë i vënë në jetë. E shprehur në termat e pushtetit, në planin kombëtar kjo gjendje prodhonte skemën e mëposhtme :
.
- Presidenti kontrollonte legjislativin por s’kish asnjë mjet për të kontrolluar egzekutivin i cili drejtohej nga opozita. Legjitimiteti presidencial ishte vënë në pikpyetje qoftë nga rezultatet e përfolura të zgjedhjeve të fundit të prill – majit 1997, qoftë dhe nga një procedurë e dyshimtë e zgjedhjes presidenciale në mungesë të të zgjedhurve të opozitës. Pasi kish humbur mbështetjen e ushtrisë, Presidenti mund të mbështetej vetëm mbi forcat e policisë, të njësive speciale si dhe mbi të egzaltuarit e lëvizjes të vet demokratike. Kjo gjë i lejonte të ruante një farë rendi në Tiranë dhe në rajonet veriore, pak të prekura nga rrebelimi, por ai s’mund të merrte iniciativën e aksionit qoftë për shkak të dobësisë së tij qoftë edhe për faktin se atij i duhej të bashkëpunonte me qeverinë.
.
- Opozita mbetej gjithmonë jashtëparlamentare dhe megjithatë, ajo ishte ngarkuar të drejtonte një egzekutiv të përkohshëm që s’kishte pushtet real. Zyrtarisht, ajo bënte thirrje për vendosjen e qetësisë dhe të rendit publik si dhe për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative të parakohshme.
.
- Në gjysmën jugore të territorit të vendit, pushteti ishte në duart e Komiteteve të Shpëtimit, të mbledhur në gjirin e Frontit Kombëtar. Megjithë faktin që ky i fundit ishte pajisur me një forcë ushtarake të krahasueshme për të mos thënë edhe më të madhe se sa ajo e kampit presidencial, ai nuk merr iniciativën dhe mbetet në pritje, i ngujuar në llogoret e tij jugore.
.
Në ç’mënyrë mund të merren vesh me njëri tjetrin një President legjitim, kokëfortë dhe në shterrim të forcave, një opozitë jashtëparlamentare, e vendosur dhe e zhurmshme dhe një Front Kombëtar ilegal, i fuqishëm por i heshtur ? Nga momenti që një bashkësi e tërë ndërkombëtare ishte vënë në kërkim të zgjidhjes, gjëja më e mirë ishte rritja e ankandit të pretendimeve dhe vënia në pritje. Rezultati i kësaj loje është një inerci e përgjithshme dhe një stabilitet i brishtë. Të gjithë palët janë prezent, presin ndërkohë që askush nuk merr përgjegjësi për gjendjen. Ja më në fund edhe situata ideale e shumëpritur nga çdo trafikant për të treguar talentin e tij, nga çdo qënie e armatosur për të imponuar forcën e tij, nga çdo bandë individësh për të vendosur ligjin e terrorit. I gjithë vendi zhytet në pasiguri të përgjithshme ndërkohë që disa dhjetra mijra vetë lëshohen drejt brigjeve italjane ose qyteteve greke. Ja përse të gjitha vështrimet kthehen vetvetiu drejt qeverisë Fino, e cila si rrugë shpëtimi gjen ndërhyrjen e armatosur evropiane.
.
Megjithatë, të shumtë janë ata që kërkojnë të merren vesh drejpërdrejt me rrebelët, duke filluar që nga ambasadori italjan Foresti, padrino i qeverisë Fino. Në 14 mars 1997, gjatë kthimit të tij nga Vlora, ndërmjetësi negociant evropian Vranicki u mburr se kish marrë mendimin e tyre pozitiv lidhur me përdorimin e forcës ndërkombëtare. Disa ditë më vonë, Fino dora vetë mori rrugën e Vlorës dhe u rikthye krenar në Tiranë pasi kish futur në xhep mbështetjen e tetëmbëdhjetë komiteteve. Por fatkeqit kryeministër të përkohshëm ja kishin kaluar në shpejtësi grekët : në 18 mars, i ardhur nga ana tjetër e kufirit, zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme helen Kranidiotis ishte ulur këmbëkryq me përgjegjësit e bashkësisë grekofone si edhe rebelët e Gjirokastrës. Edhe atij ja kish marrë në kthesë shefi kryesor i « Demokracisë së Re » helene që kish bërë një vizitë rrufe « private » në Gjirokastër. Jugu shqiptar ishte kthyer në një mulli të vërtetë ku mund të hyje pa i marrë leje mullixhinjve të Tiranës. Dy javë më vonë, në 2 prill, Kryeministri italjan Prodi vizitoi edhe ai Gjirokastrën por ai të paktën i kish marrë leje Finos. Megjithë atë, Prodi rikthehet në 13 prill, kësaj rradhe në Vlorë, dhe pati rastin të përshëndetet me popullin heroik : 10.000 vetë thërrasin njëzëri « Ne kërkojmë paratë tona » si dhe « Berisha jashtë ». Ishte mënyra e re vlonjate për të përshëndetur mbrritjen e ushtarëve italjanë në tokën shqiptare.
.
Nën vështrimin e paepur të paqëtuesve evropianë në vend, politika rihyri në rrjedhën e saj « normale » dhe qendra e interesit u çvendos në Tiranë. Sidoqoftë, me shpresë që të shmangin përplasjen me bandat e armatosura, edhe vetë ushtarakët detyrohen të bisedojnë me çarmatosësit e tyre komitetaxhinj të cilët janë gjithmonë prezent – ndoshta, për t’u siguruar që Berisha nuk do të tentohet të qëndrojë në pushtet. Duhej të priteshin rezultatet e zgjedhjeve, largimin e mbarëdëshiruar të Berishës, përshëndetjet e përmallueshme të qeveritarëve provizorë që ndërkohë kishin gjetur nga një vend në Kuvendin e ri si deputetë të PS ose të PAD, më tej betimin e qeverisë Nano, fundin e vapës së verës dhe ardhjen e shirave të parë që këto Komitete të avullohen në natyrë pa lënë gjurmë. Nanos i duhej t’ju ndizte nga një qiri dhe nuk është fare e rastit që qeveria e tij e parë numëronte mes antarëve të tij dy nga përfaqsuesit më të shquar të komitetit të Vlorës : Arben Malaj dhe Sabit Brokaj, respektivisht ministër i Financave dhe i Mbrojtjes.
.
Të ardhur nga një qytet si Vlora, « kryeqyteti » i parave të pista të trafiqeve dhe përgjegjësi kryesor i shpartallimit të ushtrisë popullore shqiptare, kjo gjë tejkalonte vlerën e simbolit.
.
. Mbi të gjitha – mbi ato difektet e tij, përfytyrimet e tij politike naive, prirjet e tij autoritare –Berisha mbetet një vegimtar. Emri i tij është sinonimi i pluralizmit politik, i lindjes së PD, i zgjedhjeve të para të lira, i fitores të të djathtës, shkurt i shëmbjes së komunizmit dhe i përvojës së parë demokratike (1992 – 1997). Në të kundërt, vepra e tij mbetet e kontrastuar : shkëlqimi i arritjeve zbehet nga hieja e dështimeve ndërkohë që karakteri i tij i plotë shëndrrohet në pengesë si brenda ashtu dhe jashtë partisë dhe vendit. I dashur ose i urryer, një analizë objektive e pesëvjeçarit të tij në krye të pushtetit paraqet bilancin e mëposhtëm :
.
1. lindja e Republikës së Tretë. Pa asnjë dyshim dështimi më i madh i Berishës pasi, megjithë disa arritje të shënuara (rikrijimi legjislativ dhe gjyqësor, përsosja e sistemit elektoral, rivendosja e lirive individuale) ekuilibri i pushteteve mbetet i papërcaktuar. Përderisa pushteti i Presidentit të Republikës nuk është rregulluar nga Kushtetuta (e mbajtur në trajtën e saj më embrionare), pavarësia e pushteteve - legjislative, egzekutive dhe gjyqësore – mbetet e cënuar dhe nën kërcënimin e shkarjeve autoritare. Kjo gjë peshon mbi ripërtëritjen institucionale që vazhdon të jetë e ngadaltë dhe hezituese.
.
2. çfaqja e një klase të re politike. E përbërë kryesisht nga intelektualë, nga burokratë dhe opozitarë të rregjimit të vjetër dhe e rreshtuar brenda partive politike, ajo mbetet tejet e polarizuar. Megjithë përpjekjet për të ecur me hapin e kohës, ajo karakterizohet jo vetëm nga një violencë verbale të paparë ndonjëherë por njëkohësisht edhe nga mungesë kulture të vërtetë politike.
.
3. vendosja e një ekonomie të tregut. Megjithë një varg masash çliruese (braktisja e centralizimit dhe e planifikimit, privatizimi masiv i bujqësisë, të shërbimeve dhe të tregëtisë, forcimi i monedhës lokale dhe liberalizimi i çmimeve) Shteti duhet të bëjë përpjekje të mëdha për të rimarrë në dorë kontrollin e mekanizmave ekonomikë ndërkohë që vuan nga shpërpjestime të rënda strukturore – papunësi endemike, sektor industrial në bllokim të vazhdueshëm, deficite fiskale dhe tregëtare kronike.
.
4. rikthim në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Ndoshta, arritja më e madhe e rregjimit të Berishës, pas një gjysëm shekulli izolimi dhe aleancash të diktuara nga ideologjia. Por kjo arritje errësohet për shkak të tensioneve mes fqinjësh ndërkohë që figura ndërkombëtare vuan pasojat e dallgëve të migracionit, të trafiqeve, të korrupsionit dhe të tjera Mafia, për të cilat vendi thyen rekorde.
.
5. krijimi i shoqërisë së njerëzve të lirë. E lutur në mënyrë të vazhdueshme për të qenë motor i ndryshimeve demokratike, ajo tregoi se vuan nga një varg « sëmundjesh » : një bashkëlidhje të brendshme shoqërore të brishtë, një ind të pamjaftueshëm prej organizatash dhe shoqatash, një pjesëmarrje pasionale dhe partizane në jetën politike lokale dhe kombëtare, një reflektim kolektiv të cekët.
.
I parë në këtë mënyrë, ky proces i gjatë dhe ndryshueshëm i natyrës institucionale, politike dhe ekonomike që synon shëndrrimin radikal të shoqërisë, i quajtur shpesh « tranzicion » nuk ka dështuar. Pas një nisjeje me fanfarë, ai ngadalësoi hapin në mes të rrugës për shkak të një voluntarizmi të papërgjegjshëm përpara se t’i fundosen këmbët në baltë për të mos thënë të ndalojë në vend për shkak të një eksplozioni shoqëror, në origjinë të të cilit qëndronin piramidat financiare. Sidoqoftë, as arritjet as edhe vlerat e krijuara nuk u vunë në dyshim as nga kryengritja e armatosur as edhe nga ngritja e socialistëve në pushtet. Në vend të trajtohet si i « dështuar » është e udhës që të quhet thjesht « një tranzicion i pakryer ».
.
.
-----------------------------
.
.
1) Nga epoka e vet komuniste, vendi kish trashëguar 22 divizione këmbësorie që përbënin njëkohësisht edhe 90% të efektivit të tij të forcave të armatosura ; pjesa tjetër ndahej mes forcave ajrore dhe detare. Në pikpamje të efektivit, kjo përfaqësonte 45.000 ushtarë në shërbim të rregullt dhe 19.500 oficerë dhe nënoficerë aktivë, pra një e treta e trupës. Forcat tokësore ishin përqëndruar në 2.500 njësi ushtarake, të shpërndara gjithandej në çdo qoshe të territorit kombëtar, sipas ndarjes territoriale ushtarake që përputhej në vija të përgjithshme ne ndarjen administrative në rrethe. Nga ana tjetër, armatimi i rëndë dhe i lehtë ruhej në më tepër se 2.000 depo armësh. Në përputhje me reformën e re, në vitin 1993, numri i divizioneve u reduktua deri në 9 syresh (plus një të dhjetë që gruponte forcat speciale) për të mbrritur në 5 në vitin 1995. Në 1997, ushtria shqiptare përmban më në fund pesë divizione këmbësorie, njëzet e një brigada të transportueshme, katër brigada tankesh, katër distrikte – ndarje territoriale – navale si edhe tre baza ajrore. Numri i oficerëve aktivë ka zbrritur në 5.000, pa llogaritur gjithashtu edhe 4.000 nënoficera. Pjesa që mbetej u vu në lirim të parakohshëm (ata që ishin 39 vjeç e sipër) ose u çmobilizua, duke përfituar dëmshpërblime të qenësishme. Së fundi, u përpunua dhe u ngrit në këmbë një program i tërë për grupimin e armëve dhe të municionit. Ai parashikonte një zvogëlim të dalëngadalshëm të numrit të kazermave dhe të depove, sikundër dhe një zvogëlim fizik të stokut të armëve. Mes viteve 1992 – 1996, Shteti ka shitur një stok prej 100.000 armësh inidviduale si edhe një stok tjetër fishekësh, si plotësim të parit, për një shumë prej 30 milionë dollarësh. Lidhur me elementë më të thelluar mbi këtë çështje, shih : Denison C. LANE – Once upon an Army : The Crisis in the Albanian Army, 1995 - 1996, Conflict Studies Research Centre, G 114, Septembre 2002. Shih njëkohësisht : Halit DACI – ibidem.
.
.
2) Në të vërtetë, dokumentat themelore të Shtetit parashikonin ndërhyrjen e forcave të armatosura, në mbështetje të operacioneve të policisë ose të forcave të tjera të rendit, për të kundërshtuar përpjekjet ose rreziqet e natyrës që mund të vinin në rrezik egzistencën vetë të vendit ose të rendit kushtetues : « disa nga elementët e forcës ushtarake mund të përdoren për të ndihmuar forcat e policisë në rrethanat e mëposhtme : për të përmbajtur dhe neutralizuar grupet separatiste aktive që përdorin forcën e armatosur për të vënë në rrezik Shqipërinë dhe integritetin e saj territorial ; për të përmbajtur dhe shtypur përpjekjet që synojnë fundosjen e rendit kushtetues, të ardhur nga ana e formacioneve ilegale të armatosura ». Shih : - The Sécurity and Defense Policy of Republic of Albania, Tirana 1995.
.
.
3) « Kryengritja » e deputetëve demokratë në Kuvend s’ish gjë tjetër veçse fillimi i një vargu shqetësimesh të brendshme që do t’a ndjekin Berishën përgjatë gjithë kohës së krizës. Kështu, një numër i ministrave të tij të vjetër do braktisin kampin demokratik që nga momenti i shpalljes të rezultateve të zgjedhjeve qershor – korrik 1997. Mjaft kritikë ndaj Berishës dhe politikës së tij, ata do të vihen në origjinë të një lëvizjeje të re politike, bile dhe të një partie të re demokratike, të deklaruar gjatë vitit 1997. Sidoqoftë, goditja më e rëndë do të vijë nga ana e përgjegjësve të mbrojtjes dhe të forcave të sigurimit kombëtar. Ministri i vjetër i Mbrojtjes Zhulali dhe banda e tij e mësuesve të matematikës do të braktisë vendin për t’u strehuar në Itali, ndërkohë që Gazidede dhe ithtarët e tij islamistë do të fluturojnë drejt Turqisë, etapa e parë drejt një varg vendesh arabe.