"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, May 11, 2011

Hupësi i zgjedhjeve bashkiake… dhe Lafonteni.


Besa, nuk hezitova aspak për t’ja kushtuar këtë shkrim hupësit të madh të zgjedhjeve për kryetar bashkie të Tiranës paçka se sot, disa orë përpara shpalljes së rezultateve të këtyre të fundit, à priori, askush nuk është në gjendje t’i verë gishtin. E quaj të madh këtë hupës për të përfillur opinionin ; atë opinion që arrin të dallojë mes tufës së kandidatëve - mes atyre Milloshëve të pavlerë, dy burra « meritokratë », të pistonuar nga aparatet partiake përkatëse. Dhe ngutem të shtoj à priori, thjesht për të respektuar demokracinë, e cila mundëson edhe më të humburin qytetar të synojë për postin e nderuar të Kryetarit të bashkisë si dhe më kandidin zgjedhës të shpresojë se vota e tij do të ndikojë në mbarëadministrimin e çështjeve të kryeqytetit.
. Këta dy burrat tanë kandidatë, njëri dalës nga bashkia dhe tjetri hyrës, janë thuaj të një brezi dhe produkte të të njejtës epokë. Dy politikanë që përmbysja e madhe – pa harruar rastësinë sikundër dhe rrethanat – i nxori në ballë të kampeve respektivë ; dy karriera të spikatura dhe të spërkatura me suksese dhe dështime, me thashetheme të hamenda dhe të vërteta. Do të dëshiroja të shtoja gjithashtu : dy vizione të ndryshme për politikën apo për shoqërinë, për ekonominë dhe për kulturën, thjesht dy projekte të dallueshme dhe të prekshme për qytetin tonë të përbashkët dhe për qytetarët… por, duke ju druajtur lajthitjes – po aq e dukshme sa edhe vetë realiteti - preferoj të them : dy ambicje të stërmëdha për pushtet dhe para.
. E pra, pas disa orësh, vota e lirë dhe demokratike, e ndërgjegjshme dhe – le të shpresojmë masive – do të përcaktojë hupësin tim fatkeq. A ka arritur kush ta dallojë atë parakohe përmes premtimeve elektorale, zhurmës partiake, sondazheve të opinionit dhe hamendjeve të masmedias ? Për të mos ndikuar qoftë edhe sadopak rezultatin po përdor alegorinë - gjuhën e Lafontenit – për t’i kompozuar një profil në 4n : ngjizja, ngritja, ndeshja dhe ndarja . . . . 
.
. 1. Ngjizja : Lendja dhe Kungulli.
.
. Talent i ndrydhur gjatë fëmijërisë së tij nga trysnia komuniste, gojëkyçur nga frika ndaj diktaturës, i formatuar nga ideologjia e partisë – dhe si rrjedhim, një çunak lagjeje që besa asgjë nuk e dallonte nga ata mijra e mijra fatosa apo pionierë kryeqytetas, hupësit tim të djeshëm ju desh të priste shembjen e madhe për t’u dyndur në Evropë. Shkolla i dha diplomën apo specializimin e shumëdëshiruar ndërkohë që rruga i ofroi fillesat e para të lirisë dhe pse jo - të demokracisë. Thjesht, ja çeli sytë për të bërë dallimin mes Lendes dhe Kungullit (për t’i ngatërruar sa më tepër gjurmët, po e quaj Gani).
 .
. Zoti di mirë ç’bën.
. Kush kërkon provat, paqen
. Le ta kqyrë në Gjithësi, tutje-tëhu,
. Bash tek kungujt ato shfaqen.
. Një katundar, një copë hu
. Kur e pa të madhin frut, varur në një fije bisht :
. « Mirë mendjen, ai thotë, po sytë ky autor
. Vallë ku i kish ? ç’heq kungull i gjorë !
. Hej pash besën ! Pa lujtun gisht,
. Do ta kisha vjerr bash n’at lis ;
. Do të kish qenë shembull i plotë :
. I tillë është fruti e tillë pema qoftë.
. Gjynah more Gani, që nuk t’i rrek koka,
. Këshillat e Atij që fort i lutet hoxha :
. Gjithshka duhej t’ish ndryshe : përse ky palo rend,
. Lendja, e vocërr, gogël, sa një thua,
. Nuk varet në këtë loze, a s’më thua ?
. Zoti u ngatërrua : nuk do fare mend
. Kur i ka bà kto fruta, pas kokës së Ganisë
. Dikush qenkish ngutur, mash bile dhe mish. »
. Kjo ide e mençur e lodhi jo pak :
. « Si mund të flesh me të tilla mendime. »
. Dhe nën një lis të lartë u shtri për merak.
. Një lende bie : bash mbi hundën trime.
. Brofi në këmbë ; shkoi dorën mbi fytyrë,
. Befas gjeti Lenden të ngecur në mjekër.
. Preku hundën paçe, të vrarë, mënxyrë.
. « Ah, ah ! thotë, u gjakosa ! dhe ç’do të kishte tjetër
. Sikur nga pema të binte me vrundull,
. Në vend të Lendes një i plotë Kungull ?
. Allahu s’ka dashur : i mençur s’ke ç’thua ;
. E shoh mirë tashmë logjikën.
. I qofshim falë, ja paçim frikën. »
. Ganuqja iku, shkoi, u largua.
.
. 2. Ngritja : Gjinkalla dhe Miza e dheut.
.
. Por, përtej vlerave abstrakte të lirisë dhe të demokracisë, ai mësoi se bota mbarë – sillej rreth një vlere konkrete : parasë - dhe një hap më pas, kuptoi i çmeritur se Evropa nuk ishte terreni i përshtatshëm për të fituar këtë të bekuar para. Çka më e natyrshme se sa kthimi në vendlindje, aty ku balta është më e ëmbël se mjalta, aty ku politikani me një sy ka shanse të bëhet mbret i të verbërve. Veçse, urtësia atërore i pëshpëriste pas veshit se për të merituar epitetin i sukseshëm, politikani nuk duhet të mjaftohet me fitimin e pares – nëpërmjet favoritizmit, korrupsionit, kontakteve me botën e nëndheshme të krimit apo trafikut të influencës – por ai duhet të dijë ta mbajë atë. Ta mbledhë, ta investojë, ta frytëzojë. Thjesht, edhe pse Gjinkallë nga zanati, ai duhet të jetë Mizë e Dheut nga takati.
.
. Gjinkalla që tundi derën,
. Gjithë verën,
. U gjet befas fare trokë
. Kur murlani i fryu në kokë ;
. As kafshatë, as fije indi,
. Prej flutre, mize apo krimbi.
. Me lypë shkoi te dera e shpisë
. Të kojshisë e Dheut Mizë,
. I kërkoi me turravrap
. Nja dy fara, për sevap
. « Jo më vonë se stinën tjetër.
. Të paguaj, mike e vjetër,
. Para gushtit, besa-besë,
. Shumën vetë dhe interes. »
. Miza jonë është hundëleshe;
. Në gjalm’ të qafës mban një hapës.
. « Ç’bëje ti në pisk të vapës?
. I thotë ajo kësaj borxhlleshe.
. - Natë e ditë, orë pa orë
. Unë këndoja, siç e di.
. - Ti këndoje? Bukuri :
. Hidh një valle tash, e gjorë. »
.
. 3. Ndeshja : Korbi dhe Dhelpra.
.
. Por, me sa duket, as përvoja e gjerë politiko-kungullore as edhe sensi proverbial milingono-pasunor nuk janë të mjafta për të shmangur humbjen. Pasi, një e tillë zgjedhje për Kryetar bashkie e tejkalon ndeshjen mes vullnetesh, përplasjen mes ideve. Ndryshe, një përballje me një kundërshtar… e di ? dinak si Dhelpra, i cili është gati të falë edhe lule për t’i hequr nga sqepi bash Korbit guak një të tillë copë erëmirë si Bashkia.
.
. Mjeshtri Korb-zi në një degë i vjerrë,
. Mbante në sqep një cop’ djathë.
. Zonjëza Dhelpër nga era e ndjellë
. I foli me lule e me lajkë :
. « Hej, tungjatë, Zoti Korb mirëdita.
. Sa i fisëm qënke ! I bukur si drita!.
. Për besë, në se tëndja këngë
. Krahasohet me të tuat pëndë,
. Ti je një feniks, i këtij pylli hatà. »
. Në këto fjalë e sipër Korbi hovardhà ;
. Për të nxjerrë të bukurin zà,
. Hapi sqepin pallë, dhe copa e djathit ra.
. Dhelpra e rrëmbeu dhe tha : « Mor ti Zotni,
. Ndij ktu se çdo lajkaxhi
. rron në shpinë të një rrotaxhilje guak ;
. Një i tillë mësim djathin e ka hak ».
. Korbi ynë me turp, i dhjerë dhe i përmjerë
. U betua, por vonë, se ish e fundit herë.
.
. 4. Ndarja : Luani i plakur.
.
. Sikur të mos mjaftonte shija e hidhur e humbjes apo britmat e militantëve që festojnë fitoren e kampionit të tyre fitimtar ! Me shpirt ndër dhëmbë – dhe pikërisht, pêr shkak të këtyre dhëmbëve që nuk kafshojnë më - me nënështrimin e Luanit të plakur, duhet duruar yryshi vrastar i lajkatarëve të djeshëm, i asaj plebeje të ndjellë nga agonia e autoritetit.
. Një luan i vjetër, dikur tmerr i gjallë,
. Nga mosha i kërrusur, i mpakur, bërë gisht,
. U sulmua së fundi nga robt e vet vërdallë,
. Të trimëruar befas, kur e panë të brishtë.
. I pari turret kali, i bie me patkua,
. Më tej ujku me dhëmbë, demi i zi me brirë,
. I ngrati luan, shpirt-hequr, i trishtë sa s’thua,
. Nxjerr një fije zë, me trup të fërgëllirë,
. Pret me bindje fundin, shpirtin plot me helm.
. Kur shikon gomarin që qaset serbes :
. « Ah, kjo është e tepërt, do të doja të vdes,
. Por më mirë dy vdjekje sa të ha tëndin shkelm »

 
Përjetësisht të Panjohur