"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, May 18, 2011

Ferri fizik.

Në një varg shkrimesh Ferri mitik, Ferri metempsikik, Ferri biblik, Ferri kuranik dhe Ferri artistik jam munduar të përshkruaj një realitet të gjithëgjendur gjatë të gjitha kohrave dhe i ndarë nga të gjitha besimet. Kështu, edhe agnostiku më i bindur besa e ka të vështirë të mohojë egzistencën e ferrit. Por është arsyeja, e çiftëzuar me formimin, që ende më pëshpërit diku pas veshit se, para së gjithash, besimi në jetën e përtejme dhe në ferrin renditen mes të tjerash misticizma, se koncepte të tilla si rrugëtimi i shpirtit, përjetësia e ndëshkimit hyjnor, zjarri ndëshkues trupor që konsumon shpirtin e mëkatarit janë të ushqyera nga imagjinata – sigurisht e mënçur. « Sado i tmerrshëm qoftë ferri, bëhet fjalë për një dogmë të shenjtë, pjesë përbërëse e të Vërtetave të mëdha universale » - më përgjigjet kampi tjetër – « dhe si të tilla, arsyeja nuk mund t’i kuptojë. Shumë-shumë, ajo mund t’i njohë por jo t’i kuptojë, nga momenti që tejkalojnë arsyen ». « Dhe nga momenti që njeriu nuk mund ta kuptojë – ngazëllohet Seguri i një prej shkrimeve të mësipërm – si kërkoni ju që ai mund ta ketë shpikur ?».
. Për fat, nëse dogma gjendet diku jashtë arsyes njerëzore, vetë ferri gjendet në trajektoren e pashmangshme të atyre që e kanë humbur të uruarën arsye – të të vdekurve. Me fjalë të tjera, ai është « i dënuar » të jetë pjesë e mjedisit tokësor – më mirë të themi nëntokësor. Në këtë rast, dija më e ndritur e Etërve të shenjtë të kishës – e shën Gregorit të Madh dhe e shën Augustinit, sikundër dhe katekizmi i Koncilit të të Tridhjetëve nuk ka mundur ta degdisë më larg se « qendra e tokës » - in medio terre, subtus terram, in inferiores partes terræ – « në një vend që gjeologët e përshkruajnë si një oqean të pafund zjarri, squfuri dhe zifti të shkrirë ; thjesht, një vend i llahtarisur dhe madhështor në tërësinë e tij ». Dhe si për t’i vënë kapak urtësisë së shën Thomait kur deklaron se « .. në qendër të tokës ku gjendet ferri, s’mund të ketë gjë tjetër veç zjarrit të errët, të zymtë, të mbushur krejt me tym », doktorët teologë më tregojnë me gisht tymin që del nga gryka e vullkaneve !
. Sikundër greku Empedokles kur veshi sandalet e tij të famshme, më duhet pra të armatosem me njohuritë e mia në fizikën e aplikuar – jo për për t’u hedhur kraterin e Etnës, por për t’i hedhur një sy nga larg mekanizmit të ferrit.
.
.
. Kjo kqyrje fillon me shqyrtimin e ndryshimit të masës së ferrit në lidhje me kohën. Me fjalë të tjera, me shkallën e hyrjes dhe të daljes së shpirtrave në të. Mendoj se, pa rënë në kundërshti me preceptet e feve monoteiste, mund të pranojmë se nga momenti që shpirti hyn në ferr, ai nuk rrezikon të dalë më prej andej. Pra, kahja e ferrit është veçse hyrëse. Në vijim, për të kryer llogaritjen e numrit të hyrjeve të shpirtrave në ferr, na mbetet të kqyrim funksionimin e feve të ndryshme që egzistojnë në botë. Pjesa dërrmuese e tyre pohojnë se të gjithë ata që nuk bëjnë pjesë në grigjën e besimtarëve të tyre përfundojnë në ferr. Meqënëse pra, egziston më shumë se një fe që aplikon këtë postulat dhe meqënëse njeriu nuk mund t’i përkasë më shumë se një feje njëherësh, ne mund të guxojmë të formulojmë hipotezën se që të gjitha shpirtrat – me ndonjë përjashtim të vogël - përfundojnë në ferr.
. Në këto kushte, duke patur parasysh :
. - së pari se fetë e ndryshme e kanë sqaruar një herë e mirë funksionimin e ferrit tashmë që prej 20 shekujsh ;
. - së dyti, rritjen eksponenciale të popullsisë tokësore, e cila nga momenti i krijimit dhe deri më sot ka numëruar mbi 20 miliardë individë ;
. - së treti, se sado pafundësisht i vogël qoftë – e marrtë e mira! - vëllimi i shpirtit të njeriut ka një farë vlere ;
. i bie se, vëllimi i ferrit veç rritet. Me fjalë të tjera, gradienti i vëllimit të ferrit është pozitiv.
. Le ta kqyrim tani problemin nën një kënd tjetër, nën dritën e aktivitetit të skëterrshëm që zhvillohet në ferr. Sikundër dihet, ai bazohet kryesisht mbi procesin e djegies, i cili edhe pse hyjnor në rastin tonë, shoqërohet domosdoshmërisht me çlirim nxehtësie. Në mungesë të matjeve dhe të dhënave të sakta (p.sh : fuqia kalorifike e shpirtit njerëzor bile edhe nxehtësia specifike e këtij lloj trupi), të cilat gjithmonë janë mbajtur sekret, si edhe në mungesë të dëshmive konkrete (thuaj askush nuk është kthyer prej andej – edhe ata që kanë mundur, i përkasin mitologjisë) na mbetet të shqyrtojmë këtë fenomen me ndihmën e ligjeve universale të fizikës. Kështu për shembull, ligjet e gazeve ideale (kush njeh ndonjë ligj tjetër më të përshtatshëm le të hedhë gurin e parë !) na mësojnë se në kushtet e një aktiviteti të tillë egzotermik (me çlirim nxehtësie), nëse duam që temperatura dhe shtypja e këtij mjedisi të qëndrojnë të pandryshueshme (konstante) nevojitet që vëllimi i ferrit të rritet proporcionalisht me sasinë e nxehtësisë së çliruar. Me fjalë të tjera, gradienti pozitiv i vëllimit të ferrit duhet përqasur me gradientin termik po aq pozitiv të furrës (më falni, të ferrit), nën dritën e një të dhënë të pandryshueshme : i pari është funksion i vullnetit hyjnor të Krijuesit të ferrit, pra Zotit, dhe i dyti, funksion i aktivitetit djallëzor të Satanit. Të pakët janë ato elementë të Shkrimeve të shenjta që na sqarojnë lidhur me vlerat e gradientit të parë, ndërkohë që gradienti i dytë mbetet funksion i drejpërdrejtë dhe konstant i gradientit të shpirtrave të futur në të dhe natyrisht, i procesit të djegies.
. Kjo përqasje na parashtron dy mundësi – dhe vetëm dy :
. - ose, ferri zgjerohet me një shpejtësi më të vogël se sa shpejtësia e futjes së shpirtrave në të dhe në këtë rast, temperatura dhe trysnia e ferrit rriten në mënyrë të vazhdueshme. Pra, ferri është një bombë që një ditë prej ditësh do të shpërthejë.
. - ose, ferri zgjerohet me shpejtësi më të madhe se sa shpejtësia e futjes së shpirtrave në të dhe në këtë rast, temperatura dhe trysnia e ferrit zvogëlohen në mënyrë të vazhdueshme. Pra, ferri është një frigorifer që një ditë prej ditësh do të ngrijë dhe të bëhet kallkan.
. Sado e frikshme të duket, hipoteza e parë mbetet gjithmonë për t’u vërtetuar. Në mungesë të një informacioni të saktë, na duhet t’ju bëjmë besim shqisave : në se kjo gjë do të kish bërë vaki, gjithkush do ta kish ndjerë – në mos kuptuar nga fytyra e prishur e priftërinjve, e hoxhallarëve apo e baballarëve të teqesë që janë në kontakt të vazhdueshëm me Zotin. Në se do të bëjë vaki në të ardhmen… s’na mbetet gjë tjetër veçse të lutemi… dhe të shpresojmë !
. Hipoteza e dytë është më pak shqetësuese sa e para, paçka se në këtë rast do të na duhet të ndryshojmë imagjinatën tonë lidhur me strukturën e ferrit dhe mbi natyrën biblike të ndëshkimit të mëkatarëve në të. Them më pak shqetësuese duke patur parasysh ankthin e sotëm të përbotshëm lidhur me ngrohjen e klimës dhe shkrirjen e akujve në Pole. Mjafton në këtë rast që njerëzimi t’i vihet punës dhe të gjejë hyrjen që çon në ferr – për të siguruar komunikimin e nevojshëm me atmosferën, paçka se kjo e fundit do të mbushet tashmë me shpirtra të dënuar dhe me djaj me cfurqe. Sa për mundësinë e tretë : atë të gradientëve të njejtë të nxehtësë dhe të vëllimit që do të siguronte përjetësinë e procesit, jam i detyruar ta përjashtoj nga lista, i bindur siç jam për pamundësinë e pajtimit të ideve hyjnore të Zotit – padron i qiellit dhe i tokës, dhe atyre djallëzore të Satanit, armikut të tij të betuar që prej ditës së parë të krijimit – padron i nëntokës. Përse fundja-fundit, keqardhja dhe amëshimi i pafund i të parit ndaj mëkatarëve, të dënuar të digjen në ferr, duhet të përputhet me dëshirën e e të dytit, qëllimi i vetëm i të cilit është korruptimi i shpirtrave dhe sabotimi i veprës hyjnore ?
.
. * * *
.
. Siguroj lexuesin se ky interesim lidhur me metafizikën dhe fizikën e ferrit tejkalon gjerësisht kuriozitetin e sëmurë. Mjafton të kqyrësh cmb – Cergën e Madhe Botërore (shqipërim ndoshta i guximshëm i www) për t’u bindur se ajo përbën objekt debati pasionues dhe mobilizon mendje të ndritura mes besimtarëve dhe doktorëve të fesë. Dhe si herë të tjera, arsyeja i jep të drejtë guximtarit. Një student (i vërtetë apo i stisur) i kimisë në universitetin e Montpellier-it, i ftuar t’i përgjigjej një pyetjeje të profesorit të tij « Ferri, mjedis egzotermik apo endotermik ? », pasi kalon nëpërmjet një shtjellimi fizik të ngjashëm me atë të mësipërmin, arrin në përfundimin e mëposhtëm :
. … në se pranojmë postulatin se mikesha ime Terezë, studente e vitit të parë, m’u përgjigj para do kohe « do të bëj dashuri me ty kur të ngrijë ferri » si edhe faktin tjetër se fjeta me të mbrëmë, atëhere hipoteza duhet të jetë e vërtetë. Pra, jam i sigurt se ferri është endotermik dhe tashmë ka ngrirë. Rrjedhimi i kësaj teorie është si më poshtë vijon : meqënëse ferri ka ngrirë, ai nuk pranon më asnjë shpirt në të dhe si pasojë, ai nuk egziston më. Gjë e cila më siguron se ka mbetur vetëm parajsa dhe me këtë rast, ajo provon egzistencën e qënies hyjnore, çka shpjegon përse mbrëmë Tereza nuk pushonte së thirruri « O Zot, o Zot i madh… ».
. E pra, pak gjë i duhet Terezës : dy përkëdhelje, një e futur dhe një dozë zjarrmie njerëzore që Zoti t’i ndrrojë asaj vizionin – në vend të Ferrit, t’i tregojë parajsën. Pako gjë – një grimcë - por sidoqoftë, esenciale për jetën e shkujdesur të vdekatarëve që i rrëmben rryma e jetës. Një grimcë fatlumësie që asnjë Terezë efemere nuk diti apo nuk mundi t’i falë një farë Enver Hoxhe gjatë disa muajve studentllëku në Montpellier-in biblik për ta transportuar në të ëndëruarin xhenet hyjnor, dhe si rrjedhim, një jetë fatkeqësie tonën në të zhgjëndëruarin xhehnem-gehene tokësor !

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur