"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, March 30, 2011

Ferri kuranik

.
. Shkrimi i mëparshëm i përkushtuar ferrit biblik nënvizon mes të tjerash, nivelin e mendimit filozofiko-teologjik të krishtërimit në prag të daljes së Islamit në skenën monoteiste. Rikujtoj me këtë rast se feja islame është relativisht e re - kryeëngjëlli Gabriel-Xhebrail ju shfaq për herë të parë Muhametit në shpellën e Hira-s në vitin 610 për t’i mësuar se Zoti–Allah e kish emëruar Profet të tij, ndërkohë që Kurani - Libri i shenjtë, fillon dhe redaktohet pas vdekjes së Profetit, sipas kujtesës dhe kujtimeve të ndjekësve dhe shokëve të tij. E pra, që në shekullin e shtatë, përballë konfuzionit kishtar – dhe megjithë ngjashmëritë doktrinare me simotrat e saj hebraike dhe të krishtera, feja islame ofron një vizion të eskatologjisë në përgjithësi dhe atë të ferrit në veçanti që nuk i çel më shteg debatit. Kështu, ndërkohë që Kurani mbetet i kursyer në detajet e ndarjes së shpirtit nga trupi, ai i shpalos vdekatarit perspektivën e ardhshme menjëherë pas mbylljes përfundimtare të syve : ferri i zjarrtë për të pafetë, për idolatrët dhe mosbesuesit :

.  
. « (ata) do të pësojnë një ndëshkim në jetën e këtushme dhe ndëshkimi i asaj të fundit do të jetë edhe më i fuqishëm dhe askush nuk mund t’i mbrojë nga Allahu » (Surati 13 :34).
. « Mosbesuesit në Shenjat tona, Ne do t’i djegim në zjarr ! Dhe sa herë që lëkura e tyre do të digjet, Ne do t’jua zëvendësojmë me një tjetër, me qëllim që të shijojnë ndëshkimin deri në fund, në përjetësi » (4 :56) (shih - Shënim në fund të tekstit) ndërkohë që besimtarët e devotë rendin me gëzim drejt parajsës :

. « Parajsa (është) për ata që besojnë dhe kanë kryer vepra shpëtimtare : ata do të kenë si strehë kopshte ku rrjedhin ujra. Çdo herë që do të shpërblehen me një frut nga të kopshtit, ata do të thonë : është pikërisht ky që na është premtuar që më parë. Pasi do t’ju ofrohet gjithçka njëlloj. Ata do të kenë atje gra të virgjëra, ata do të qëndrojnë aty përjetësisht.. » (2 :25) ; (7 :42)
. I mbetet tashmë besimtarit – si edhe studiuesit të zellshëm të Kuranit – t’i përgjigjet pyetjes së mësipërme : në ç’moment shkon ky mosbesues, idhulladhurues, blasfemues – thjesht i pafe në ferr ? Pas Gjykimit të Fundit – do të përgjigjen shumica e tyre duke të treguar tekstin e shenjtë :
. « pasi këtë Ditë (Allahu) do të krijojë Ferrin; këtë ditë njeriu do të kujtohet.. » (89 :23),
. ndërkohë që më radikalët janë të bindur se Ferri gjithmonë ka egzistuar dhe vazhdon të egzistojë. Ndërkohë, si të parët edhe të dytët janë të bindur se parajsa është krijuar që në fillim – nga momenti që në të ka qenë shtënë Ademi (dhe e shoqja e tij Hava - e paemërt në Kuran). Sidoqoftë, më të maturit vërejnë se Kurani përmend një drejtim të tretë, një interval ndërmjetës « al berzak » nga ku, të vdekurit në pritje të gjykimit të fundit thërresin shokët e tyre të Kopshtit :
. « përshëndetje ju atje »… dhe kur vështrimi i tyre drejtohet drejt shokëve të tyre të Zjarrit, ata pëshpërisin : « O Allah, mos na përzje me këtë popull të padrejtë » (7 :46-47).
. Gjykimi i Fundit mbetet një nga shtyllat e besimit mysliman, një rast unik dhe i papërsëritshëm, ku të gjithë – të gjallët dhe të vdekurit - do të paraqiten përpara Krijuesit për t’i dhënë atij llogari personalisht – një risi kjo origjinale e Kuranit. Është Zoti-Krijues që do të kqyrë kandarin dhe sipas peshës do të vendosë përfundimisht ku ta çojë të ngratin – peshat e rënda në parajsë, peshat e lehta në ferr (7 :8-9). Është pak të thuhet se ferri kuranik është ndëshkues. Ai është i gjithëgjendur : përgjatë 114 surateve të tij, Kurani e përmend 115 herë – në pjesën dërrmuese të rasteve, Xhehnemin përkthyesi ka preferuar ta emërojë Gehene, ndoshta për të nënvizuar huazimin sa të guximshëm po aq të lumtur. Sidoqoftë, ai mbetet sinonim i përsosur i zjarrit – naar (i përmendur 129 herë në Kuran, nga të cilat 111 i referohen zjarrit të përjetshëm të gehenes).
. « .. një Zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, mbi të cilin vigjëlojnë engjëj të ashpër dhe të dhunshëm » (66 : 6).
. Por mbi të gjitha, ky ferr mbetet piktoresk : përveç përcëllimit në prush dhe pjekjes në flakë, përveç aromës së avujve të squfurit dhe banjave të ziftit të shkrirë, të ndëshkuarit detyrohen të hanë frutat e pemës zaqum, lulet e të cilës ngjajnë me kokat e djajve, lëngu i të cilave « .. është si pisë e shkrirë që përcëllon zorrët si ujë i përvëluar » (44 :43-46) në mos, « .. asnjë ushqim tjetër përveç gislin [një farë lëngu i pështirë i njerëzve në dekompozim e sipër ]» (69 :36).
. Një hap më larg nga bollëku statistikor, vështrimi analitik ve në pah faktin se ferri i myslimanëve paraqet një arkitekturë jo fort origjinale : krahas mundimeve skëterrore, të denja për ferrin hindu ; krahas turmës së gjykatësve ndëshkues, të krahasueshme me ferrin taoist ; krahas rrathëve barazqendërzues, të ngjashëm me ferrin helen, ai përmban shtatë porta hyrëse – krejt njëlloj si ferri asirian i legjendës së Ishtarit. Por, pavarësisht folklorit të ndëshkimeve, vetë Muhameti – që paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të ! - nuk jep asnjë të dhënë lidhur me vendndodhjen e tij ! Ajo çka mbetet është lakoniciteti i tij në përshkrimet e ferrit :
. i stërmadh « .. atë Ditë, Ai pyeti gehenen " A je mbushur ?", dhe ajo përgjigjet " A ka akoma ?" » (50 :30),
. i frikshëm « … shkoni drejt asaj hieje (të tymit) me tre pala, e cila nuk ofron asnjë strehë, e pafuqishme të mbrojë nga flaka, pasi ajo vjell shkëndija sa kështjellat, që duken si gamile të verdha » (77 :30-33),
. i mundimshëm « … çojeni të digjet në Gehene, pasi ta keni lidhur me një zinxhir, të gjatë shtatëdhjetë kut, pasi ai nuk besonte në Sublimin Zot » (79 :31-33).
. Sa për të tjera detaje, do të na duhet të shfletojmë hadithet e shumta – jo gjithmonë të besueshme - si edhe veprat e mëpastajme të teologëve myslimanë : kështu dorëshkrimi turk Marifet Nameh na jep një plan të këtij ferri që gjendet nën bazamentin e botës, pikërisht nën demin-Behemot dhe peshkun-Leviatan, bartës të peshës së tokës. Ai përbëhet nga shtatë kate që formojnë një hinkë të stërmadhe. Mbi të, nga njera anë e gehenes në tjetrën, gjendet një urë, e ngushtë si tehu i shpatës, e cila duhet të kalohet nga shpirtrat që synojë të hyjnë në Parajsë : shpirtrat e shentorëve dhe të martirëve të fesë e kapërcejnë me një frymë, atyre të të drejtëve të zakonshëm ju duhet një kohë për ta përshkuar ndërkohë që shpirtrat e të pafeve kumbisen në ferr pasi kanë bërë hapat e para.
. Është e kuptueshme përse këto përshkrime materialiste të ferrit të mos kenë gjetur unanimitet të plotë mes shpirtrave të gjalla – duke përjashtuar natyrisht masën e gjerë të besimtarëve. Pikërisht, për të mos plagosur ndjenjat e sinqerta të kësaj mase besimtarësh, islamologët i shmangen me marifet subjektit. Por nuk mungojnë lëvruesit e Kuranit që shprehen mbi karakterin metaforik të ndëshkimeve, mbi virtutin mbrojtës së figurës së ferrit. Bile këta të fundit « fajësojnë » Librin e Shenjtë që ju ka dhënë frymëzimin : A nuk është vetë Kurani që, pas përshkrimeve shumëngjyrëshe të parajsës apo të ferrit, përdor në mënyrë episodike shprehjen mathal – « ngjashmëri » pse jo edhe « parabolë » - për të goditur imagjinatën, për të përforcuar përmbajtjen morale të imazhit 
. « .. dhe vizioni që Ne të shfaqëm : ishte thjesht për t’i vënë në provë; sikundër dhe pema e mallkimit në Kuran. Por Ne u munduam më kot për t’i trembur, kjo gjë s’bëri gjë tjetër veçse i fuqizoi në paturpësinë e tyre » (17 :60). .
. Tema më e ndjeshme që ve në pah dallimet thelbësore mes Kuranit dhe librave të tjera të Shenjtë është pikërisht ajo e raporteve të Zotit me njeriun. Mbi të gjitha, Zoti i Kuranit është një demiurg me fuqi kozmike të pamatë – « Mjeshtër i universit », krijues ex-nihilo « i erërave dhe i yjeve », « Ai që veçon (dritën nga errësira, ditën nga nata, tokën nga ujrat) », që ngjiz botën « në një feksje agimi ». Një Krijues i plotfuqishëm dhe sublim, aftësia e të cilit tejkalon jo vetëm çdo realitet apo përvojë të imagjinuar më parë :
. « Ai krijoi botën në gjashtë ditë, dhe më tej, u instalua në Fron » (7 :54 ; 57 :4) - por edhe legjendën e vjetër biblike : « Ata që mohojnë, a nuk mundën të vërejnë se qiejtë dhe toka ishin të qepur ? dhe Ne i shqepëm - … dhe nga uji, Ne krijuam të gjitha qeniet e gjalla » (14 :45).
. Por nëse Zoti i Torah-ut krijoi njeriun sipas imazhit të tij – të ngjashëm me të ; nëse ai i Biblës ndërmorri hapin tjetër, atë të mishërimit njeri mes njerëzve, ai i Kuranit nuk ofron asgjë të krahasueshme. Nga froni i tij në Mbretërinë e largët të qiejve, Zoti i Muhametit nuk krijon diçka që t’i ngjajë. Bile edhe vetë ky njeri, à priori krijesa më e çmuar dhe i objekti i kqyrjes të tij të vazhdueshme, vjen si një refleks (khalifa), që nuk garanton asnjë ngjashmëri me origjinalin. Zaten, kryelartësia dhe vetëkënaqësia e dukshme e këtij Zoti :
. « .. Ne ju kemi krijuar prej argjilës së ndenjur, me tej prej pluhurit, më tej nga një pikë lëngu, më tej nga një lidhkë, më tej nga një përtypje, të nënshtruar krijimit shkallë-shkallë, dhe kjo për të të provuar (pushtetin Tonë) » (22 :5) është shprehje e mosbesimit të tij të thellë ndaj kësaj krijese, e cila ngërthen paaftësinë dhe vesin, padrejtësinë dhe lakminë :
. « Ne ju propozuam ruajtjen (e të Vërtetës ?) qiejve, tokës dhe maleve ; ata refuzuan për ta marë në ngarkim dhe u tronditën ; Njeriu, vetëm ai, pranoi… injorant dhe i padrejtë siç është » (33 :72)
. Dukshëm, Allahu i zbuloi këto difekte të ardhshme nga momenti kur ky njeri ishte ende në stadin e projektit – sikur Ai të parandjente se nderi që do t’i bëjë do të paguhet me dëbimin larg Tij. Ja përse, në Kuran, dëshira e Ademit për të shijuar frutin e ndaluar të njohjes – i nxitur nga Satani-Iblis (dhe aspak nga gjarpëri klasik, bile aq më pak nga gruaja e tij Hava, emri i të cilës as që përmendet) nuk merr përmasat e një aksidenti që shkakton tragjedinë e mëkatit të origjinës por si shfaqet si një veprim parandalues, ndoshta për të shuar një konkurrencë të ardhshme. I pari i njerëzve, Ademi, paraqitet kështu si një dështim :
. « .. kohë më parë, Ne i besuam Ademit një pakt, por ai e harroi, dhe ne s’gjetëm zgjidhje » (20 :115).
. Një dështim që do të ndiqet nga të tjera zgënjime – gjithmonë për shkak të grigjës së panumërt njerëzore, pasardhëse e Ademit, paçka se tashmë të zgjedhurit e Zotit (Abrahami-Ibrahim, Moisiu-Musa, Jesusi-Isai…) janë të një fibre tjetër. Derisa të vijë Muhameti… 
.
. ___________________________________________
.
. Shënim : Të gjitha referencat e Kuranit janë marë nga: Jacques BERQUE – Le Coran, essai de traduction, Albin Michel, 200.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur