"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, May 18, 2011

Ferri fizik.

Në një varg shkrimesh Ferri mitik, Ferri metempsikik, Ferri biblik, Ferri kuranik dhe Ferri artistik jam munduar të përshkruaj një realitet të gjithëgjendur gjatë të gjitha kohrave dhe i ndarë nga të gjitha besimet. Kështu, edhe agnostiku më i bindur besa e ka të vështirë të mohojë egzistencën e ferrit. Por është arsyeja, e çiftëzuar me formimin, që ende më pëshpërit diku pas veshit se, para së gjithash, besimi në jetën e përtejme dhe në ferrin renditen mes të tjerash misticizma, se koncepte të tilla si rrugëtimi i shpirtit, përjetësia e ndëshkimit hyjnor, zjarri ndëshkues trupor që konsumon shpirtin e mëkatarit janë të ushqyera nga imagjinata – sigurisht e mënçur. « Sado i tmerrshëm qoftë ferri, bëhet fjalë për një dogmë të shenjtë, pjesë përbërëse e të Vërtetave të mëdha universale » - më përgjigjet kampi tjetër – « dhe si të tilla, arsyeja nuk mund t’i kuptojë. Shumë-shumë, ajo mund t’i njohë por jo t’i kuptojë, nga momenti që tejkalojnë arsyen ». « Dhe nga momenti që njeriu nuk mund ta kuptojë – ngazëllohet Seguri i një prej shkrimeve të mësipërm – si kërkoni ju që ai mund ta ketë shpikur ?».
. Për fat, nëse dogma gjendet diku jashtë arsyes njerëzore, vetë ferri gjendet në trajektoren e pashmangshme të atyre që e kanë humbur të uruarën arsye – të të vdekurve. Me fjalë të tjera, ai është « i dënuar » të jetë pjesë e mjedisit tokësor – më mirë të themi nëntokësor. Në këtë rast, dija më e ndritur e Etërve të shenjtë të kishës – e shën Gregorit të Madh dhe e shën Augustinit, sikundër dhe katekizmi i Koncilit të të Tridhjetëve nuk ka mundur ta degdisë më larg se « qendra e tokës » - in medio terre, subtus terram, in inferiores partes terræ – « në një vend që gjeologët e përshkruajnë si një oqean të pafund zjarri, squfuri dhe zifti të shkrirë ; thjesht, një vend i llahtarisur dhe madhështor në tërësinë e tij ». Dhe si për t’i vënë kapak urtësisë së shën Thomait kur deklaron se « .. në qendër të tokës ku gjendet ferri, s’mund të ketë gjë tjetër veç zjarrit të errët, të zymtë, të mbushur krejt me tym », doktorët teologë më tregojnë me gisht tymin që del nga gryka e vullkaneve !
. Sikundër greku Empedokles kur veshi sandalet e tij të famshme, më duhet pra të armatosem me njohuritë e mia në fizikën e aplikuar – jo për për t’u hedhur kraterin e Etnës, por për t’i hedhur një sy nga larg mekanizmit të ferrit.
.
.
. Kjo kqyrje fillon me shqyrtimin e ndryshimit të masës së ferrit në lidhje me kohën. Me fjalë të tjera, me shkallën e hyrjes dhe të daljes së shpirtrave në të. Mendoj se, pa rënë në kundërshti me preceptet e feve monoteiste, mund të pranojmë se nga momenti që shpirti hyn në ferr, ai nuk rrezikon të dalë më prej andej. Pra, kahja e ferrit është veçse hyrëse. Në vijim, për të kryer llogaritjen e numrit të hyrjeve të shpirtrave në ferr, na mbetet të kqyrim funksionimin e feve të ndryshme që egzistojnë në botë. Pjesa dërrmuese e tyre pohojnë se të gjithë ata që nuk bëjnë pjesë në grigjën e besimtarëve të tyre përfundojnë në ferr. Meqënëse pra, egziston më shumë se një fe që aplikon këtë postulat dhe meqënëse njeriu nuk mund t’i përkasë më shumë se një feje njëherësh, ne mund të guxojmë të formulojmë hipotezën se që të gjitha shpirtrat – me ndonjë përjashtim të vogël - përfundojnë në ferr.
. Në këto kushte, duke patur parasysh :
. - së pari se fetë e ndryshme e kanë sqaruar një herë e mirë funksionimin e ferrit tashmë që prej 20 shekujsh ;
. - së dyti, rritjen eksponenciale të popullsisë tokësore, e cila nga momenti i krijimit dhe deri më sot ka numëruar mbi 20 miliardë individë ;
. - së treti, se sado pafundësisht i vogël qoftë – e marrtë e mira! - vëllimi i shpirtit të njeriut ka një farë vlere ;
. i bie se, vëllimi i ferrit veç rritet. Me fjalë të tjera, gradienti i vëllimit të ferrit është pozitiv.
. Le ta kqyrim tani problemin nën një kënd tjetër, nën dritën e aktivitetit të skëterrshëm që zhvillohet në ferr. Sikundër dihet, ai bazohet kryesisht mbi procesin e djegies, i cili edhe pse hyjnor në rastin tonë, shoqërohet domosdoshmërisht me çlirim nxehtësie. Në mungesë të matjeve dhe të dhënave të sakta (p.sh : fuqia kalorifike e shpirtit njerëzor bile edhe nxehtësia specifike e këtij lloj trupi), të cilat gjithmonë janë mbajtur sekret, si edhe në mungesë të dëshmive konkrete (thuaj askush nuk është kthyer prej andej – edhe ata që kanë mundur, i përkasin mitologjisë) na mbetet të shqyrtojmë këtë fenomen me ndihmën e ligjeve universale të fizikës. Kështu për shembull, ligjet e gazeve ideale (kush njeh ndonjë ligj tjetër më të përshtatshëm le të hedhë gurin e parë !) na mësojnë se në kushtet e një aktiviteti të tillë egzotermik (me çlirim nxehtësie), nëse duam që temperatura dhe shtypja e këtij mjedisi të qëndrojnë të pandryshueshme (konstante) nevojitet që vëllimi i ferrit të rritet proporcionalisht me sasinë e nxehtësisë së çliruar. Me fjalë të tjera, gradienti pozitiv i vëllimit të ferrit duhet përqasur me gradientin termik po aq pozitiv të furrës (më falni, të ferrit), nën dritën e një të dhënë të pandryshueshme : i pari është funksion i vullnetit hyjnor të Krijuesit të ferrit, pra Zotit, dhe i dyti, funksion i aktivitetit djallëzor të Satanit. Të pakët janë ato elementë të Shkrimeve të shenjta që na sqarojnë lidhur me vlerat e gradientit të parë, ndërkohë që gradienti i dytë mbetet funksion i drejpërdrejtë dhe konstant i gradientit të shpirtrave të futur në të dhe natyrisht, i procesit të djegies.
. Kjo përqasje na parashtron dy mundësi – dhe vetëm dy :
. - ose, ferri zgjerohet me një shpejtësi më të vogël se sa shpejtësia e futjes së shpirtrave në të dhe në këtë rast, temperatura dhe trysnia e ferrit rriten në mënyrë të vazhdueshme. Pra, ferri është një bombë që një ditë prej ditësh do të shpërthejë.
. - ose, ferri zgjerohet me shpejtësi më të madhe se sa shpejtësia e futjes së shpirtrave në të dhe në këtë rast, temperatura dhe trysnia e ferrit zvogëlohen në mënyrë të vazhdueshme. Pra, ferri është një frigorifer që një ditë prej ditësh do të ngrijë dhe të bëhet kallkan.
. Sado e frikshme të duket, hipoteza e parë mbetet gjithmonë për t’u vërtetuar. Në mungesë të një informacioni të saktë, na duhet t’ju bëjmë besim shqisave : në se kjo gjë do të kish bërë vaki, gjithkush do ta kish ndjerë – në mos kuptuar nga fytyra e prishur e priftërinjve, e hoxhallarëve apo e baballarëve të teqesë që janë në kontakt të vazhdueshëm me Zotin. Në se do të bëjë vaki në të ardhmen… s’na mbetet gjë tjetër veçse të lutemi… dhe të shpresojmë !
. Hipoteza e dytë është më pak shqetësuese sa e para, paçka se në këtë rast do të na duhet të ndryshojmë imagjinatën tonë lidhur me strukturën e ferrit dhe mbi natyrën biblike të ndëshkimit të mëkatarëve në të. Them më pak shqetësuese duke patur parasysh ankthin e sotëm të përbotshëm lidhur me ngrohjen e klimës dhe shkrirjen e akujve në Pole. Mjafton në këtë rast që njerëzimi t’i vihet punës dhe të gjejë hyrjen që çon në ferr – për të siguruar komunikimin e nevojshëm me atmosferën, paçka se kjo e fundit do të mbushet tashmë me shpirtra të dënuar dhe me djaj me cfurqe. Sa për mundësinë e tretë : atë të gradientëve të njejtë të nxehtësë dhe të vëllimit që do të siguronte përjetësinë e procesit, jam i detyruar ta përjashtoj nga lista, i bindur siç jam për pamundësinë e pajtimit të ideve hyjnore të Zotit – padron i qiellit dhe i tokës, dhe atyre djallëzore të Satanit, armikut të tij të betuar që prej ditës së parë të krijimit – padron i nëntokës. Përse fundja-fundit, keqardhja dhe amëshimi i pafund i të parit ndaj mëkatarëve, të dënuar të digjen në ferr, duhet të përputhet me dëshirën e e të dytit, qëllimi i vetëm i të cilit është korruptimi i shpirtrave dhe sabotimi i veprës hyjnore ?
.
. * * *
.
. Siguroj lexuesin se ky interesim lidhur me metafizikën dhe fizikën e ferrit tejkalon gjerësisht kuriozitetin e sëmurë. Mjafton të kqyrësh cmb – Cergën e Madhe Botërore (shqipërim ndoshta i guximshëm i www) për t’u bindur se ajo përbën objekt debati pasionues dhe mobilizon mendje të ndritura mes besimtarëve dhe doktorëve të fesë. Dhe si herë të tjera, arsyeja i jep të drejtë guximtarit. Një student (i vërtetë apo i stisur) i kimisë në universitetin e Montpellier-it, i ftuar t’i përgjigjej një pyetjeje të profesorit të tij « Ferri, mjedis egzotermik apo endotermik ? », pasi kalon nëpërmjet një shtjellimi fizik të ngjashëm me atë të mësipërmin, arrin në përfundimin e mëposhtëm :
. … në se pranojmë postulatin se mikesha ime Terezë, studente e vitit të parë, m’u përgjigj para do kohe « do të bëj dashuri me ty kur të ngrijë ferri » si edhe faktin tjetër se fjeta me të mbrëmë, atëhere hipoteza duhet të jetë e vërtetë. Pra, jam i sigurt se ferri është endotermik dhe tashmë ka ngrirë. Rrjedhimi i kësaj teorie është si më poshtë vijon : meqënëse ferri ka ngrirë, ai nuk pranon më asnjë shpirt në të dhe si pasojë, ai nuk egziston më. Gjë e cila më siguron se ka mbetur vetëm parajsa dhe me këtë rast, ajo provon egzistencën e qënies hyjnore, çka shpjegon përse mbrëmë Tereza nuk pushonte së thirruri « O Zot, o Zot i madh… ».
. E pra, pak gjë i duhet Terezës : dy përkëdhelje, një e futur dhe një dozë zjarrmie njerëzore që Zoti t’i ndrrojë asaj vizionin – në vend të Ferrit, t’i tregojë parajsën. Pako gjë – një grimcë - por sidoqoftë, esenciale për jetën e shkujdesur të vdekatarëve që i rrëmben rryma e jetës. Një grimcë fatlumësie që asnjë Terezë efemere nuk diti apo nuk mundi t’i falë një farë Enver Hoxhe gjatë disa muajve studentllëku në Montpellier-in biblik për ta transportuar në të ëndëruarin xhenet hyjnor, dhe si rrjedhim, një jetë fatkeqësie tonën në të zhgjëndëruarin xhehnem-gehene tokësor !

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, May 11, 2011

Hupësi i zgjedhjeve bashkiake… dhe Lafonteni.


Besa, nuk hezitova aspak për t’ja kushtuar këtë shkrim hupësit të madh të zgjedhjeve për kryetar bashkie të Tiranës paçka se sot, disa orë përpara shpalljes së rezultateve të këtyre të fundit, à priori, askush nuk është në gjendje t’i verë gishtin. E quaj të madh këtë hupës për të përfillur opinionin ; atë opinion që arrin të dallojë mes tufës së kandidatëve - mes atyre Milloshëve të pavlerë, dy burra « meritokratë », të pistonuar nga aparatet partiake përkatëse. Dhe ngutem të shtoj à priori, thjesht për të respektuar demokracinë, e cila mundëson edhe më të humburin qytetar të synojë për postin e nderuar të Kryetarit të bashkisë si dhe më kandidin zgjedhës të shpresojë se vota e tij do të ndikojë në mbarëadministrimin e çështjeve të kryeqytetit.
. Këta dy burrat tanë kandidatë, njëri dalës nga bashkia dhe tjetri hyrës, janë thuaj të një brezi dhe produkte të të njejtës epokë. Dy politikanë që përmbysja e madhe – pa harruar rastësinë sikundër dhe rrethanat – i nxori në ballë të kampeve respektivë ; dy karriera të spikatura dhe të spërkatura me suksese dhe dështime, me thashetheme të hamenda dhe të vërteta. Do të dëshiroja të shtoja gjithashtu : dy vizione të ndryshme për politikën apo për shoqërinë, për ekonominë dhe për kulturën, thjesht dy projekte të dallueshme dhe të prekshme për qytetin tonë të përbashkët dhe për qytetarët… por, duke ju druajtur lajthitjes – po aq e dukshme sa edhe vetë realiteti - preferoj të them : dy ambicje të stërmëdha për pushtet dhe para.
. E pra, pas disa orësh, vota e lirë dhe demokratike, e ndërgjegjshme dhe – le të shpresojmë masive – do të përcaktojë hupësin tim fatkeq. A ka arritur kush ta dallojë atë parakohe përmes premtimeve elektorale, zhurmës partiake, sondazheve të opinionit dhe hamendjeve të masmedias ? Për të mos ndikuar qoftë edhe sadopak rezultatin po përdor alegorinë - gjuhën e Lafontenit – për t’i kompozuar një profil në 4n : ngjizja, ngritja, ndeshja dhe ndarja . . . . 
.
. 1. Ngjizja : Lendja dhe Kungulli.
.
. Talent i ndrydhur gjatë fëmijërisë së tij nga trysnia komuniste, gojëkyçur nga frika ndaj diktaturës, i formatuar nga ideologjia e partisë – dhe si rrjedhim, një çunak lagjeje që besa asgjë nuk e dallonte nga ata mijra e mijra fatosa apo pionierë kryeqytetas, hupësit tim të djeshëm ju desh të priste shembjen e madhe për t’u dyndur në Evropë. Shkolla i dha diplomën apo specializimin e shumëdëshiruar ndërkohë që rruga i ofroi fillesat e para të lirisë dhe pse jo - të demokracisë. Thjesht, ja çeli sytë për të bërë dallimin mes Lendes dhe Kungullit (për t’i ngatërruar sa më tepër gjurmët, po e quaj Gani).
 .
. Zoti di mirë ç’bën.
. Kush kërkon provat, paqen
. Le ta kqyrë në Gjithësi, tutje-tëhu,
. Bash tek kungujt ato shfaqen.
. Një katundar, një copë hu
. Kur e pa të madhin frut, varur në një fije bisht :
. « Mirë mendjen, ai thotë, po sytë ky autor
. Vallë ku i kish ? ç’heq kungull i gjorë !
. Hej pash besën ! Pa lujtun gisht,
. Do ta kisha vjerr bash n’at lis ;
. Do të kish qenë shembull i plotë :
. I tillë është fruti e tillë pema qoftë.
. Gjynah more Gani, që nuk t’i rrek koka,
. Këshillat e Atij që fort i lutet hoxha :
. Gjithshka duhej t’ish ndryshe : përse ky palo rend,
. Lendja, e vocërr, gogël, sa një thua,
. Nuk varet në këtë loze, a s’më thua ?
. Zoti u ngatërrua : nuk do fare mend
. Kur i ka bà kto fruta, pas kokës së Ganisë
. Dikush qenkish ngutur, mash bile dhe mish. »
. Kjo ide e mençur e lodhi jo pak :
. « Si mund të flesh me të tilla mendime. »
. Dhe nën një lis të lartë u shtri për merak.
. Një lende bie : bash mbi hundën trime.
. Brofi në këmbë ; shkoi dorën mbi fytyrë,
. Befas gjeti Lenden të ngecur në mjekër.
. Preku hundën paçe, të vrarë, mënxyrë.
. « Ah, ah ! thotë, u gjakosa ! dhe ç’do të kishte tjetër
. Sikur nga pema të binte me vrundull,
. Në vend të Lendes një i plotë Kungull ?
. Allahu s’ka dashur : i mençur s’ke ç’thua ;
. E shoh mirë tashmë logjikën.
. I qofshim falë, ja paçim frikën. »
. Ganuqja iku, shkoi, u largua.
.
. 2. Ngritja : Gjinkalla dhe Miza e dheut.
.
. Por, përtej vlerave abstrakte të lirisë dhe të demokracisë, ai mësoi se bota mbarë – sillej rreth një vlere konkrete : parasë - dhe një hap më pas, kuptoi i çmeritur se Evropa nuk ishte terreni i përshtatshëm për të fituar këtë të bekuar para. Çka më e natyrshme se sa kthimi në vendlindje, aty ku balta është më e ëmbël se mjalta, aty ku politikani me një sy ka shanse të bëhet mbret i të verbërve. Veçse, urtësia atërore i pëshpëriste pas veshit se për të merituar epitetin i sukseshëm, politikani nuk duhet të mjaftohet me fitimin e pares – nëpërmjet favoritizmit, korrupsionit, kontakteve me botën e nëndheshme të krimit apo trafikut të influencës – por ai duhet të dijë ta mbajë atë. Ta mbledhë, ta investojë, ta frytëzojë. Thjesht, edhe pse Gjinkallë nga zanati, ai duhet të jetë Mizë e Dheut nga takati.
.
. Gjinkalla që tundi derën,
. Gjithë verën,
. U gjet befas fare trokë
. Kur murlani i fryu në kokë ;
. As kafshatë, as fije indi,
. Prej flutre, mize apo krimbi.
. Me lypë shkoi te dera e shpisë
. Të kojshisë e Dheut Mizë,
. I kërkoi me turravrap
. Nja dy fara, për sevap
. « Jo më vonë se stinën tjetër.
. Të paguaj, mike e vjetër,
. Para gushtit, besa-besë,
. Shumën vetë dhe interes. »
. Miza jonë është hundëleshe;
. Në gjalm’ të qafës mban një hapës.
. « Ç’bëje ti në pisk të vapës?
. I thotë ajo kësaj borxhlleshe.
. - Natë e ditë, orë pa orë
. Unë këndoja, siç e di.
. - Ti këndoje? Bukuri :
. Hidh një valle tash, e gjorë. »
.
. 3. Ndeshja : Korbi dhe Dhelpra.
.
. Por, me sa duket, as përvoja e gjerë politiko-kungullore as edhe sensi proverbial milingono-pasunor nuk janë të mjafta për të shmangur humbjen. Pasi, një e tillë zgjedhje për Kryetar bashkie e tejkalon ndeshjen mes vullnetesh, përplasjen mes ideve. Ndryshe, një përballje me një kundërshtar… e di ? dinak si Dhelpra, i cili është gati të falë edhe lule për t’i hequr nga sqepi bash Korbit guak një të tillë copë erëmirë si Bashkia.
.
. Mjeshtri Korb-zi në një degë i vjerrë,
. Mbante në sqep një cop’ djathë.
. Zonjëza Dhelpër nga era e ndjellë
. I foli me lule e me lajkë :
. « Hej, tungjatë, Zoti Korb mirëdita.
. Sa i fisëm qënke ! I bukur si drita!.
. Për besë, në se tëndja këngë
. Krahasohet me të tuat pëndë,
. Ti je një feniks, i këtij pylli hatà. »
. Në këto fjalë e sipër Korbi hovardhà ;
. Për të nxjerrë të bukurin zà,
. Hapi sqepin pallë, dhe copa e djathit ra.
. Dhelpra e rrëmbeu dhe tha : « Mor ti Zotni,
. Ndij ktu se çdo lajkaxhi
. rron në shpinë të një rrotaxhilje guak ;
. Një i tillë mësim djathin e ka hak ».
. Korbi ynë me turp, i dhjerë dhe i përmjerë
. U betua, por vonë, se ish e fundit herë.
.
. 4. Ndarja : Luani i plakur.
.
. Sikur të mos mjaftonte shija e hidhur e humbjes apo britmat e militantëve që festojnë fitoren e kampionit të tyre fitimtar ! Me shpirt ndër dhëmbë – dhe pikërisht, pêr shkak të këtyre dhëmbëve që nuk kafshojnë më - me nënështrimin e Luanit të plakur, duhet duruar yryshi vrastar i lajkatarëve të djeshëm, i asaj plebeje të ndjellë nga agonia e autoritetit.
. Një luan i vjetër, dikur tmerr i gjallë,
. Nga mosha i kërrusur, i mpakur, bërë gisht,
. U sulmua së fundi nga robt e vet vërdallë,
. Të trimëruar befas, kur e panë të brishtë.
. I pari turret kali, i bie me patkua,
. Më tej ujku me dhëmbë, demi i zi me brirë,
. I ngrati luan, shpirt-hequr, i trishtë sa s’thua,
. Nxjerr një fije zë, me trup të fërgëllirë,
. Pret me bindje fundin, shpirtin plot me helm.
. Kur shikon gomarin që qaset serbes :
. « Ah, kjo është e tepërt, do të doja të vdes,
. Por më mirë dy vdjekje sa të ha tëndin shkelm »

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, April 13, 2011

Ferri artistik.

.
. Me moshë sa ajo e vetë njerëzimit, nënvetëdija kolektive e ka përdorur ferrin si pasqyrë të drejtpërdrejtë ku ajo projekton dhe reflekton frikën apo vuajtjet, kundërshtitë apo dobësitë e saj. Me institucionalizimin e kësaj nënvetëdijeje – mes të tjerash, nëpërmjet shkrimeve të shenjta - ferri paraqitet tashmë si një pasqyrë e ndërsjelltë e marrëdhënieve mes fesë dhe njeriut, mes kultit dhe besimtarit. Sa më tepër kjo fe përballet mes ndërlikimin e jetës shoqërore, sa më tepër ajo bie ndesh me përhumbjen e mendimit të lirë njerëzor, aq më të dhunshme bëhen përfytyrimet e jetës së përtejme që kulti ofron ndaj besimtarëve të padenjë, ndaj blasfemuesve dhe ndaj të pabindurve. Nga të dyja faqet e kësaj pasqyre, ferri projektohet si zgjidhje ndaj dështimeve të qytetërimeve.
. Cili nga këto spektra ngërthen imagjinatën e krijuesit dhe mobilizon talentin e tij ? Pa dyshim, fataliteti i egzistencës njerëzore magjeps vështrimin artistik – sikundër të tjera vështrime. Veçse, artisti ka ditur gjithmonë të tejkalojë kuadrin institucional dhe ka propozuar trajektore që kanë shëndrruar thellësisht raportet mes profanes – njerëzore - dhe të shenjtës - hyjnore. Ndoshta, pasi ndjeshmëria i lejon njeriut të artit të kqyrë se ferri, paralelisht me parajsën, egzistojnë si gjendje të veçanta të shpirtit njerëzor ; këtë dualitet mes të Keqes dhe të Mirës ai e përjeton çdo moment të jetës së tij, të cilit ai i dedikon vendimet, reaksionet, idetë bile edhe pasionet. 
. Shembulli më i pastër është "Komedia Hyjnore" e Dante Allighieri-t (1265-1321), që na sjell një përshkrim të detajuar të ferrit. Me dy fjalë, me sytë e Dantes, lexuesi viziton ferrin duke patur si udhërrëfyes Virgjilin, poetin latin (70-19 p.e.s). Përse Virgjili ? Pasi ky i fundit trembëdhjetë shekuj më parë, ka përcjellë në ferrin mitik Enean, heroin e veprës së tij poetike « Eneida » i cili, sikundër të tjerë heronj përpara tij, kryen vizitën dhe rikthehet. Veçse ndërkohë në Mesjetën e Dantes, dekori aty poshtë ka ndryshuar. Tashmë që në hyrje të ferrit dantesk, i cili nga forma ciklike dhe nga llojshmëria e ndëshkimeve të mëkatarëve ngjan me homologët e tij budistë, induistë – pse jo edhe me atë kuranik, vizitori paralajmërohet « ju që hyni, braktisni shpresën » (Ferri, Kënga III). Cikli i tridhjetë e tre këngëve të kantikut të parë (Ferri) mbyllet me takimin e poetëve me Luciferin-Dité, zotin e plotfuqishëm të këtij vendi : një qenie e frikshme me tre palë krahë dhe tre kokë – pra tre fytyra të ndryshme, trupi i të cilit është i varrosur deri në brez në akullin e përjetshëm. Është për t’u përmendur se përfytyrimi mesjetar i personazhit misterioz të Luciferit-Dité-Satan i qëndron deri-diku besnik ikonografisë biblike, e cila frymëzohet nga një interpretim i një vargu të Dhjatës së Vjetër (Esaïe - 14 :12) sikundër dhe nga disa momente të tjera fort enigmatike të Dhjatës së re (Ungjilli sipas Llukës 10 :18, sipas Janit 8 :44, apo Apokalipsit 12 :9). Artisti i shton kanonit biblik disa penelata, duke forcuar me këtë rast përmbajtjen morale të mësimit ungjillor : Satani, princi i të Keqes, mbetet mishërimi i krijesës së fëlliqur kozmike që njëherësh duhet mbajtur sa më larg të jetë e mundur nga imazhi ëngjëllor i besimtarit, gjithë duke e paraqitur të frikshëm dhe mizerabël – shembulli i gjallë i ndëshkimit më të tmerrshëm që mund t’i arrijë mëkatarit. Dashur-padashur, kjo figurë fiton një diçka të re : ajo bëhet më e dukshme – në shkëmbim, ajo mbetet personifikimi i të Keqes absolute, një e keqe e ngadhënjyer.
. Shumëkush, sot, e interpreton « Komedinë Njerëzore » (1) si një alegori, me anë të të cilës Dante mediton lidhur me realitetin politik të Italisë së kohës së tij paçka se falë artit të tij, fiksioni i veprës ka tejkaluar së tepërmi « realitetin biblik » dhe është imponuar si një nga « standardet » klasike të imagjinarit kolektiv të ferrit. Por në të vërtetë, elementi novator, i popullarizuar nga vepra e Dantes, është Purgatori – një realitet i ri i kozmogonisë perëndimore, i farkëtuar pikërisht gjatë mesjetës së hershme.
. Diku gjetkë u përmend dyzimi i Etërve të Kishës të periudhës arkeokristiane lidhur me rrugëtimin e të vdekurve si dhe hipotezat e tyre të egzistencës të një vendqëndrimi të përkohshëm të shpirtrave receptacula – deri në ditën e ringjalljes dhe të Gjykimit të Fundit. Qysh përpara shekullit të XII, Mesjeta, paralelisht me zhvillimin material, solli një letërsi të bollshme të udhëtimeve në Botën e përtejme si edhe një varg vizionesh të kësaj « jete ». Kështu, hap pas hapi, epiteti purgatorius shëndrrohet në emër purgatorium – sikundër ideja tenton të materializohet në qenie (ose koha në hapësirë). Tashmë, gjendja e të pastruarit të shpirtit fillon dhe imagjinohet si vend ku pastrohet shpirti dhe ky koncept plotëson topografinë eskatologjike të dikurshme me një hapësirë të re – me përmasa të krahasueshme me Parajsën dhe Ferrin (2). Veçse kjo risi nuk vjen si spekullim i teologëve apo i filozofëve por si « revolucion » kulturor - si rezultat i refleksionit te intelektualëve dhe artistëve. Ajo dëshmon mbi ndryshimin e mentaliteve dhe përbën një shenjë të përshtatjes së kishës me epokën e re të tregëtarëve – sikundër shlyerja e mëkateve përkon me shitjet e indulgjencave papale ; një përpjekje për kontabilizuar, për të shifruar fenomenet shpirtërore.
. Krijimi i Purgatorit si një vend tranziti i përcaktuar mes Tokës dhe Qiellit, mes Ferrit dhe Parajsës, përputhet me zbulimin e një morali më kërkues ; e thënë ndryshe, të një distance mes aktit dhe qëllimit, e cila tashmë duhet marrë parasysh dhe që imponon një vlerësim më të drejtë dhe si rrjedhim, një gjykim më të ekulibruar. (3)
. Na duhet të pranojmë se egzistenca e Purgatorit - paradhomë e prehjes së shpirtrave - paraqet një avantazh të dyfishtë. Krahas konfortit shpirtëror që krijon mes besimtarëve motivi i lashtë i komunikimit mes të gjallëve dhe të vdekurve, ky element i ri i kozmogonisë hyjnore i lejon fesë së krishterë të ripajtohet me bazën e besimit të vjetër në një jetë të përtejme të reduktuar dhe letargjike, karakteristike e Hadesit helen bile edhe e sheolit hebraik. Por duhet thënë se kjo perspektivë e re nuk ofron asgjë pasionante apo të fuqishme, megjithë përpjekjet e mëpastajme të Kishës katolike për ta pajisur me prush ose me zjarrin pastrues. Aq më pak ajo arrin të intrigojë apo të pasionojë vështrimin e artistit, vëmendja e të cilit gjatë Rilindjes vazhdon të tërhiqet nga figura e Satanit - sikundër është rasti i Torquato Tasso-s (1544-1595) në veprën e tij të njohur "Jeruzalemi i çliruar" (4).
. Satani-Pluton i Tasso-s paraqitet si një mbret feudal, i ulur në fron dhe i rrethuar nga një tufë oborrtarësh-hije të llahtarshme, i cili digjet nga dëshira të hakmerret ndaj Zotit dhe kalorësve të tij. Megjithëse goja e tij mbetet e përgjakur – një huazim nga sivëllai të tij dantesk – pamja e tij është e madhështore, për të mos thënë e nderuar : një ish-Perëndi mes djajve. Por mbi të gjitha, ai flet dhe shprehet – një nismë e guximshme e të marrit Tasso kjo e « shmitizimit » të Satanit, aq më tepër kur dihet se në kohë të tij, fjala ishte prerogativë madhore e individit të lirë.
. Disa dekada më pas, Satani rikthehet në skenën e artit të madh dhe kësaj rradhe ai pushton qendrën e veprës "Parajsa e Humbur" (4)  e John Milton-it (1608-1674). Poeti puritan na prezanton kështu kryengritësin e pamposhtur, heroin e thyer me përmasa mitologjike – paçka se për fatin e tij të keq, ai është i parashkruar për t’u bërë shembull i krenarisë së ndëshkuar. Satani miltonian është një personazh i ndërlikuar, një qënie e djegur nga dëshira për të ushtruar lirinë e tij vetiake, rrebelizmi i hapur të cilit ndaj autoritetit të Zotit e sikteris nga Parajsa dhe e zbret në tokë, mes të gjallëve – në vend ta çojë në Ferrin e të vdekurve. Ai flet, shpreh mendimet, ndan ndjenjat... Sigurisht, ai mbetet një mëkatar – por me vese të vetë njeriut, dhe si pasojë, i prekshëm dhe prekës. Ai përfaqson simbolin e realitetit njerëzor, të torturuar nga dëshira për pushtet ; një qënie e dëshpëruar, klithma e të cilit identifikohet me atë të vetë poetit, të shgënjyer nga disfata politike.
. Tashmë i shmitizuar dhe i degraduar - i zbritur në tokë si në epokën e Jobit « për ta përshkuar dhe shëtitur » (Jobi 1 :7), Satani shkrihet në masën e njerëzve dhe merr pamjen e një njeriu elegant me sjellje të mira. Shkrimtari frëng Le Sage (1668-1747) jo vetëm e adopton si personazh kryesor por edhe për herë të parë, këtë emër të urryer e ve në kopertinë të veprës së tij "Djalli i çalë"(6) , Nga momenti që të metat e tij legjendare degdisen në rrafshin fizik (i çalë), i hapet shteg vetive të reja (i ndershëm, i sinqertë, vetëmohues) si edhe premtimit për t’i dhënë njeriut dije dhe lumturi – një motiv që do të rivijë me forcë në kryeveprën e Goethes Faust.
. Në antipod me këtë letërsi « satanike » ka hedhur shtat një krijimtari « ëngjëllore » që synon të mobilizojë grigjën e besimtarëve disi të çoroditur dhe t’i rikujtojë asaj përmbajtjen e dogmës. Krahas provave të pagabueshme të egzistencës së ferrit, të ardhura nga përtej varri - të verifikuara nga feja, kjo krijimtari na sjell një varg vizionesh të përjetuara të tij, si ky i mëposhtmi i Shenjtores katolike Terezë d’Avila :
.
. … hyrja m’u duk e ngjashme me një rrugicë fort të gjatë dhe shumë të ngushtë, ose më mirë me një furrë tepër të ulët, të errët dhe të shtrënguar. Fundi ishte si një ujë i vishtullt, shumë i ndotur dhe i mbushur me zvarranikë të helmatisur. Në skaj gjendej një shpellë e gërryer në një farë muri të qemertë ku e gjenda vehten të ndrydhur. E gjithë kjo mund të quhet ende e këndëshme për pamjen, e krahasuar me atë çka ndjeva më pas, aq e pamundur ndjehem për ta përshkruar. Lidhur me vuajtjen që përjetova në këtë birucë, më duket krejt e pamundur t’ju krijoj edhe idenë më të vogël. Ndjeva në shpirtin tim një zjarr, natyrën e të cilit nuk mund ta përshkruaj, ndërkohë që trupi përshkohej nga vuajtje të padurueshme […] kam përballur gjithë farë lloj vuajtjesh, një pjesë e të cilave sikundër e kam thënë vinin nga djalli. Por këto vuajtje janë të papërfillshme në krahasim me ato çka vuajta në këtë farë biruce [...] E megjithatë, edhe këto të fundit janë një hiç në krahasim me agoninë e shpirtit. Shpirti ndjen një ndrydhje, një angushti, një cfilitje kaq të ndjeshme, një vuajtje kaq të dëshpëruar dhe të thellë, që nuk di se si ta shpreh.
. Edhe po t’ju them që aty ju shkulin parreshtur shpirtin, është pak, pasi në këtë rast është një tjetër që që duket se po ju merr jetën. Por këtu, është vetë shpirti që coptohet vetvetiu. E pranoj, nuk e di se si t’ju jap një ide të këtij zjarri të brendshëm dhe të këtij dëshpërimi që ju shtohen vuajtjeve dhe dhimbjeve aq të llahtarshme por unë ndjehesha që po digjesha, që po më coptonin pjesë pjesë. Po e përsëris, ajo çka është më e llahtarshme, është pikërisht ai zjarr i brendshëm dhe ai dëshpërim i shpirtit.
. Në këtë vend kaq të qelbur, ku edhe shpresa më e vogël e ngushëllimit është e humbur një herë e mirë, është e pamundur të ulesh ose të shtrihesh ; hapësira mungon ; isha mbyllur si në një vrimë të gërryer në mur ; faqet e të cilit, objekt i llahtarshëm për vështrimin, ju shtypin me gjithë peshën e tyre. Aty, gjithçka ju mbyt, aspak dritë, veçse errësirë gjithandej. Sidoqoftë, një gjë që nuk di se si ta kuptoj, megjithë mungesën e dritës, arrija të shihja gjithçka qe përbënte vuajtje për vështrimin. …
. Ai më dha në këtë mënyrë, mundësinë e të kqyrurit të sendeve të llahtarshme dhe të ndëshkimeve të aplikuara ndaj disa veseve ; këto tortura më duken shumë të tmerrshme për t’u përjetuar. Por meqënëse nuk e vuaja aspak ndëshkimin, isha më pak e tmerruar. Në vizionin e mëparshëm, në të kundërt Zoti bëri që të ndjeja me të vërtetë në shpirt këto vuajtje dhe këto ankthe, sikur të ishte trupi im që i përballonte. Nuk e di se në ç’mënyrë ndodhi kjo gjë, por kuptova mirë që ishte një amëshim i madh dhe që vetë Zoti kërkonte të shihja me sytë e mij greminën nga ku plotfuqia e Tij më kish çliruar (7).
. Me keqardhje, më duhet të pohoj se këtij përshkrimi skëterror të murgeshës spanjolle sa të devotë aq edhe të përgjëruar i mungon arti i madh – një mangësi që ndjek edhe vizione të tjera të ngjashme të shën Francesco d’Assise apo të shën Gianni Bosco. Edhe nëse për fat të keq i mungon tekstit, ai është i gjithëgjendur në atë çka përbën indin e tij – në praktikën dhe mendimin e Kishës.
. Veçse këtu nuk e kam parasysh aspak artin e madh skenik të ceremonive fetare apo atë tjetrin e indoktrinimit të turmave që zbaviteshin me autodafetë apo që brohorisnin djegjen e « heretikëve » satanikë në turrë të zjarrit. Eshtë fjala për artin epistolar të Papës Piu IX (1792-1878) që nga njera anë proklamonte dogmën e pagabueshmërisë papale « Pastor Æternus » dhe nga ana tjetër botonte të famshmin Silabus (1864) ku nën etiketën e denoncimit të gabimeve dhe herezive të e botës moderne, lëshohej anatema mbi të drejtat e njeriut dhe lirinë e ndërgjegjes. Jo rastësisht pra, ky Papë kërkonte nga priftërinjtë dhe peshkopët të predikonin ferrin – sipas logjikës « meditimi mbi ferrin prodhon shënjtorët ».
. Dhe nëse një i tillë Papë nuk bind ende, le t’i bëjmë besim gojtarisë po aq artistike së shën Jan Kristozomit :
.
. Që ka të krishterë mëkatarë, këtë edhe unë e di, por që mund të ketë paganë që jetojnë ashtu siç duhet, këtë nuk e di ende. Mos më përmendni ata që, nga natyra, qënkan të virtytshëm dhe të ndershëm ! Më flisni më mirë për atë njeri i cili, gjatë gjithë jetës së tij, ka mundur t’ju rezistojë pasioneve dhe është sjellë si i pamëkatë. Ju siguroj se nuk keni për ta gjetur ! Nëse premtimi i Parajsës dhe frika nga Ferri mezi mjaftojnë për t’i mbajtur njerëzit në virtut, ç’mund të thuhet për praktikat e atyre që nuk besojnë aspak në to ? Edhe sikur të hiqen se e praktikojnë këtë virtyt, ata veprojnë thjesht për hir të emrit dhe famës së tyre : veçse, sa herë që ky emër fillon të humbë dhe ajo famë të zbehet, ai i dorëzohet pa asnjë rezervë dëshirave të tij të këqija
.
. ----------------------------
.
. (1) Allighieri DANTE – La Divine Comédie, éd. Lattès, Paris, 1986.
. (2) Jacques LE GOFF – La naissance du Purgatoire, Gallimard, Paris, 1981.

. (3) Philippe ARIES – le Purgatoire et la cosmologie de l’Au-delà, Annales. Economies, Sociétés, Civilisations, 38 année, N. 1, 1983.
. (4) Torquato TASSO - Gerusalemme Liberata, a cura di Lanfranco Caretti, Torino, Einaudi, 1971.

. (5) John MILTON - Paradise lost, edited by John Broadbent, Cambridge University Press, 1972.
. (6) Alain - René LESAGE - Le diable boiteux, éd. Nillson, Paris.
. (7) Mgr de SEGUR - L'Enfer, Paris, 1876.

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, March 30, 2011

Ferri kuranik

.
. Shkrimi i mëparshëm i përkushtuar ferrit biblik nënvizon mes të tjerash, nivelin e mendimit filozofiko-teologjik të krishtërimit në prag të daljes së Islamit në skenën monoteiste. Rikujtoj me këtë rast se feja islame është relativisht e re - kryeëngjëlli Gabriel-Xhebrail ju shfaq për herë të parë Muhametit në shpellën e Hira-s në vitin 610 për t’i mësuar se Zoti–Allah e kish emëruar Profet të tij, ndërkohë që Kurani - Libri i shenjtë, fillon dhe redaktohet pas vdekjes së Profetit, sipas kujtesës dhe kujtimeve të ndjekësve dhe shokëve të tij. E pra, që në shekullin e shtatë, përballë konfuzionit kishtar – dhe megjithë ngjashmëritë doktrinare me simotrat e saj hebraike dhe të krishtera, feja islame ofron një vizion të eskatologjisë në përgjithësi dhe atë të ferrit në veçanti që nuk i çel më shteg debatit. Kështu, ndërkohë që Kurani mbetet i kursyer në detajet e ndarjes së shpirtit nga trupi, ai i shpalos vdekatarit perspektivën e ardhshme menjëherë pas mbylljes përfundimtare të syve : ferri i zjarrtë për të pafetë, për idolatrët dhe mosbesuesit :

.  
. « (ata) do të pësojnë një ndëshkim në jetën e këtushme dhe ndëshkimi i asaj të fundit do të jetë edhe më i fuqishëm dhe askush nuk mund t’i mbrojë nga Allahu » (Surati 13 :34).
. « Mosbesuesit në Shenjat tona, Ne do t’i djegim në zjarr ! Dhe sa herë që lëkura e tyre do të digjet, Ne do t’jua zëvendësojmë me një tjetër, me qëllim që të shijojnë ndëshkimin deri në fund, në përjetësi » (4 :56) (shih - Shënim në fund të tekstit) ndërkohë që besimtarët e devotë rendin me gëzim drejt parajsës :

. « Parajsa (është) për ata që besojnë dhe kanë kryer vepra shpëtimtare : ata do të kenë si strehë kopshte ku rrjedhin ujra. Çdo herë që do të shpërblehen me një frut nga të kopshtit, ata do të thonë : është pikërisht ky që na është premtuar që më parë. Pasi do t’ju ofrohet gjithçka njëlloj. Ata do të kenë atje gra të virgjëra, ata do të qëndrojnë aty përjetësisht.. » (2 :25) ; (7 :42)
. I mbetet tashmë besimtarit – si edhe studiuesit të zellshëm të Kuranit – t’i përgjigjet pyetjes së mësipërme : në ç’moment shkon ky mosbesues, idhulladhurues, blasfemues – thjesht i pafe në ferr ? Pas Gjykimit të Fundit – do të përgjigjen shumica e tyre duke të treguar tekstin e shenjtë :
. « pasi këtë Ditë (Allahu) do të krijojë Ferrin; këtë ditë njeriu do të kujtohet.. » (89 :23),
. ndërkohë që më radikalët janë të bindur se Ferri gjithmonë ka egzistuar dhe vazhdon të egzistojë. Ndërkohë, si të parët edhe të dytët janë të bindur se parajsa është krijuar që në fillim – nga momenti që në të ka qenë shtënë Ademi (dhe e shoqja e tij Hava - e paemërt në Kuran). Sidoqoftë, më të maturit vërejnë se Kurani përmend një drejtim të tretë, një interval ndërmjetës « al berzak » nga ku, të vdekurit në pritje të gjykimit të fundit thërresin shokët e tyre të Kopshtit :
. « përshëndetje ju atje »… dhe kur vështrimi i tyre drejtohet drejt shokëve të tyre të Zjarrit, ata pëshpërisin : « O Allah, mos na përzje me këtë popull të padrejtë » (7 :46-47).
. Gjykimi i Fundit mbetet një nga shtyllat e besimit mysliman, një rast unik dhe i papërsëritshëm, ku të gjithë – të gjallët dhe të vdekurit - do të paraqiten përpara Krijuesit për t’i dhënë atij llogari personalisht – një risi kjo origjinale e Kuranit. Është Zoti-Krijues që do të kqyrë kandarin dhe sipas peshës do të vendosë përfundimisht ku ta çojë të ngratin – peshat e rënda në parajsë, peshat e lehta në ferr (7 :8-9). Është pak të thuhet se ferri kuranik është ndëshkues. Ai është i gjithëgjendur : përgjatë 114 surateve të tij, Kurani e përmend 115 herë – në pjesën dërrmuese të rasteve, Xhehnemin përkthyesi ka preferuar ta emërojë Gehene, ndoshta për të nënvizuar huazimin sa të guximshëm po aq të lumtur. Sidoqoftë, ai mbetet sinonim i përsosur i zjarrit – naar (i përmendur 129 herë në Kuran, nga të cilat 111 i referohen zjarrit të përjetshëm të gehenes).
. « .. një Zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, mbi të cilin vigjëlojnë engjëj të ashpër dhe të dhunshëm » (66 : 6).
. Por mbi të gjitha, ky ferr mbetet piktoresk : përveç përcëllimit në prush dhe pjekjes në flakë, përveç aromës së avujve të squfurit dhe banjave të ziftit të shkrirë, të ndëshkuarit detyrohen të hanë frutat e pemës zaqum, lulet e të cilës ngjajnë me kokat e djajve, lëngu i të cilave « .. është si pisë e shkrirë që përcëllon zorrët si ujë i përvëluar » (44 :43-46) në mos, « .. asnjë ushqim tjetër përveç gislin [një farë lëngu i pështirë i njerëzve në dekompozim e sipër ]» (69 :36).
. Një hap më larg nga bollëku statistikor, vështrimi analitik ve në pah faktin se ferri i myslimanëve paraqet një arkitekturë jo fort origjinale : krahas mundimeve skëterrore, të denja për ferrin hindu ; krahas turmës së gjykatësve ndëshkues, të krahasueshme me ferrin taoist ; krahas rrathëve barazqendërzues, të ngjashëm me ferrin helen, ai përmban shtatë porta hyrëse – krejt njëlloj si ferri asirian i legjendës së Ishtarit. Por, pavarësisht folklorit të ndëshkimeve, vetë Muhameti – që paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të ! - nuk jep asnjë të dhënë lidhur me vendndodhjen e tij ! Ajo çka mbetet është lakoniciteti i tij në përshkrimet e ferrit :
. i stërmadh « .. atë Ditë, Ai pyeti gehenen " A je mbushur ?", dhe ajo përgjigjet " A ka akoma ?" » (50 :30),
. i frikshëm « … shkoni drejt asaj hieje (të tymit) me tre pala, e cila nuk ofron asnjë strehë, e pafuqishme të mbrojë nga flaka, pasi ajo vjell shkëndija sa kështjellat, që duken si gamile të verdha » (77 :30-33),
. i mundimshëm « … çojeni të digjet në Gehene, pasi ta keni lidhur me një zinxhir, të gjatë shtatëdhjetë kut, pasi ai nuk besonte në Sublimin Zot » (79 :31-33).
. Sa për të tjera detaje, do të na duhet të shfletojmë hadithet e shumta – jo gjithmonë të besueshme - si edhe veprat e mëpastajme të teologëve myslimanë : kështu dorëshkrimi turk Marifet Nameh na jep një plan të këtij ferri që gjendet nën bazamentin e botës, pikërisht nën demin-Behemot dhe peshkun-Leviatan, bartës të peshës së tokës. Ai përbëhet nga shtatë kate që formojnë një hinkë të stërmadhe. Mbi të, nga njera anë e gehenes në tjetrën, gjendet një urë, e ngushtë si tehu i shpatës, e cila duhet të kalohet nga shpirtrat që synojë të hyjnë në Parajsë : shpirtrat e shentorëve dhe të martirëve të fesë e kapërcejnë me një frymë, atyre të të drejtëve të zakonshëm ju duhet një kohë për ta përshkuar ndërkohë që shpirtrat e të pafeve kumbisen në ferr pasi kanë bërë hapat e para.
. Është e kuptueshme përse këto përshkrime materialiste të ferrit të mos kenë gjetur unanimitet të plotë mes shpirtrave të gjalla – duke përjashtuar natyrisht masën e gjerë të besimtarëve. Pikërisht, për të mos plagosur ndjenjat e sinqerta të kësaj mase besimtarësh, islamologët i shmangen me marifet subjektit. Por nuk mungojnë lëvruesit e Kuranit që shprehen mbi karakterin metaforik të ndëshkimeve, mbi virtutin mbrojtës së figurës së ferrit. Bile këta të fundit « fajësojnë » Librin e Shenjtë që ju ka dhënë frymëzimin : A nuk është vetë Kurani që, pas përshkrimeve shumëngjyrëshe të parajsës apo të ferrit, përdor në mënyrë episodike shprehjen mathal – « ngjashmëri » pse jo edhe « parabolë » - për të goditur imagjinatën, për të përforcuar përmbajtjen morale të imazhit 
. « .. dhe vizioni që Ne të shfaqëm : ishte thjesht për t’i vënë në provë; sikundër dhe pema e mallkimit në Kuran. Por Ne u munduam më kot për t’i trembur, kjo gjë s’bëri gjë tjetër veçse i fuqizoi në paturpësinë e tyre » (17 :60). .
. Tema më e ndjeshme që ve në pah dallimet thelbësore mes Kuranit dhe librave të tjera të Shenjtë është pikërisht ajo e raporteve të Zotit me njeriun. Mbi të gjitha, Zoti i Kuranit është një demiurg me fuqi kozmike të pamatë – « Mjeshtër i universit », krijues ex-nihilo « i erërave dhe i yjeve », « Ai që veçon (dritën nga errësira, ditën nga nata, tokën nga ujrat) », që ngjiz botën « në një feksje agimi ». Një Krijues i plotfuqishëm dhe sublim, aftësia e të cilit tejkalon jo vetëm çdo realitet apo përvojë të imagjinuar më parë :
. « Ai krijoi botën në gjashtë ditë, dhe më tej, u instalua në Fron » (7 :54 ; 57 :4) - por edhe legjendën e vjetër biblike : « Ata që mohojnë, a nuk mundën të vërejnë se qiejtë dhe toka ishin të qepur ? dhe Ne i shqepëm - … dhe nga uji, Ne krijuam të gjitha qeniet e gjalla » (14 :45).
. Por nëse Zoti i Torah-ut krijoi njeriun sipas imazhit të tij – të ngjashëm me të ; nëse ai i Biblës ndërmorri hapin tjetër, atë të mishërimit njeri mes njerëzve, ai i Kuranit nuk ofron asgjë të krahasueshme. Nga froni i tij në Mbretërinë e largët të qiejve, Zoti i Muhametit nuk krijon diçka që t’i ngjajë. Bile edhe vetë ky njeri, à priori krijesa më e çmuar dhe i objekti i kqyrjes të tij të vazhdueshme, vjen si një refleks (khalifa), që nuk garanton asnjë ngjashmëri me origjinalin. Zaten, kryelartësia dhe vetëkënaqësia e dukshme e këtij Zoti :
. « .. Ne ju kemi krijuar prej argjilës së ndenjur, me tej prej pluhurit, më tej nga një pikë lëngu, më tej nga një lidhkë, më tej nga një përtypje, të nënshtruar krijimit shkallë-shkallë, dhe kjo për të të provuar (pushtetin Tonë) » (22 :5) është shprehje e mosbesimit të tij të thellë ndaj kësaj krijese, e cila ngërthen paaftësinë dhe vesin, padrejtësinë dhe lakminë :
. « Ne ju propozuam ruajtjen (e të Vërtetës ?) qiejve, tokës dhe maleve ; ata refuzuan për ta marë në ngarkim dhe u tronditën ; Njeriu, vetëm ai, pranoi… injorant dhe i padrejtë siç është » (33 :72)
. Dukshëm, Allahu i zbuloi këto difekte të ardhshme nga momenti kur ky njeri ishte ende në stadin e projektit – sikur Ai të parandjente se nderi që do t’i bëjë do të paguhet me dëbimin larg Tij. Ja përse, në Kuran, dëshira e Ademit për të shijuar frutin e ndaluar të njohjes – i nxitur nga Satani-Iblis (dhe aspak nga gjarpëri klasik, bile aq më pak nga gruaja e tij Hava, emri i të cilës as që përmendet) nuk merr përmasat e një aksidenti që shkakton tragjedinë e mëkatit të origjinës por si shfaqet si një veprim parandalues, ndoshta për të shuar një konkurrencë të ardhshme. I pari i njerëzve, Ademi, paraqitet kështu si një dështim :
. « .. kohë më parë, Ne i besuam Ademit një pakt, por ai e harroi, dhe ne s’gjetëm zgjidhje » (20 :115).
. Një dështim që do të ndiqet nga të tjera zgënjime – gjithmonë për shkak të grigjës së panumërt njerëzore, pasardhëse e Ademit, paçka se tashmë të zgjedhurit e Zotit (Abrahami-Ibrahim, Moisiu-Musa, Jesusi-Isai…) janë të një fibre tjetër. Derisa të vijë Muhameti… 
.
. ___________________________________________
.
. Shënim : Të gjitha referencat e Kuranit janë marë nga: Jacques BERQUE – Le Coran, essai de traduction, Albin Michel, 200.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur