"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, October 31, 2010

Metafizikë e ferrit (2) - Ferri metempsikik.

.
. Vështirësia e parë dhe më e madhe për të depërtuar përfytyrimin lindor të jetës në përgjithësi dhe në veçanti të asaj « përtej vdekjes » është e natyrës semantike, pasi fjalëshoqërimet dhe kuptimi i tyre nuk janë të njejtat me të cilat jemi mësuar në gjuhët dhe kulturat tradicionale perëndimore. Kështu, budisti për shembull, është i bindur se për çdo qenie të gjallë ka shumë jetë dhe shumë vdekje, se ajo qenie shëtit shumë parajsa dhe shumë ferre – sikundër përball shumë perëndi - një vizion konceptual, gjithsesi në shumës !
. Së dyti, për një perëndimor të krishterë, mysliman apo çifut egziston një hendek ontologjik – një dallim cilësor - mes Zotit dhe qenies njerëzore, sikundër mes njeriut dhe kafshës. Nuk është aspak rasti i lindorit budist, taoist, shintoist apo hinduist, i cili mes këtyre kategorive vëren thjesht një dallim sasijor : qeniet e gjalla « qarkullojnë » në mënyrë të zhdërvjellët mes morisë së formave të ndryshme të egzistencës hyjnore, njerëzore apo kafshore… pse jo, edhe bimore. Të gjitha këto jetë integrohen në një rrymë rrethqarkore, një një rrjedhë që nuk njeh as fillim as fund – samsara - në gjuhën sanskrite, një qerthull që ngërthen edhe vetë Zotët.
.
.
. Së treti, lindori ka zgjidhur në një mënyrë origjinale çështjen e fatit, nëpërmjet mbajtjes të një ekuilibri delikat mes fatalitetit dhe shlirimit. Fataliteti mer formën e ligjit të pamëshirshëm të karma-s : meqënëse fati i një qënieje të gjallë dhe të ndërgjegjshme është i paracaktuar nga shuma e aksioneve të tij të shkuara dhe e jetëve të tij të mëparshme, askush s’mund të bëjë gjë për të ndjerin që gjendet i vetëm përballë pasojave karmike të jetëve të tij të panumërta. Rrugëdalja e vetme mbetet kërkimi dhe arritja e Nirvana-s : dalja jashtë vetvehtes, shrrënjosja e çdo pasioni dhe çlirimi nga iluzionet e kësaj bote, ngritja mbi konceptet e të mirës dhe të keqes, arritja e gjendjes absolute – ndërprerja e ciklit të samsara-s. Me të tjera fjalë, kulturat lindore mundohen të minimizojnë rolin e vdekjes, të kësaj hallke të parëndësishme në atë zinxhirin e pallogaritshëm të jetëve dhe të vdekjeve, pasi qëllimi kryesor i qenies është pikërisht dalja nga qerthulli i kushtëzimeve. Në mbetet diçka për të bërë, është pikërisht kryerja e akteve të mira që do të ndikojnë rimishërimin– metempsikozën – në forma të lumtura dhe largimin nga fatet e dhimbshme : e vetmja drojë nga vdekja është pikërisht pamundësia e kryerjes së këtyre akteve – një rrezik i parashikuar në rrugën e gjatë të rilindjes.
.
. Sipas hinduizmit, në këtë univers që i nënështrohet gjithashtu cikleve të shfaqjes dhe të zhdukjes, shpirti i përjetshëm – atman – përshkon veçse një udhëtim të përkohshëm « përtej », mes dy jetësh. Sipas natyrës së tij të rradhës, ai përfundon ose në parajsat ose në ferret – gjithashtu të përkohshme – numri i të cilave është 8.400.000 (as më pak as më shumë !), ku ai asgjëson nje pjesë të karma-s së tij. Në këto vende « pa diell », ai i nënështrohet vuajtjeve të panumërta : pjekjes, përcëllimit, shqyerjes, bluajtjes.. përpara se ai të rikthehet mbi tokë : në trupin e një njeriu, për ata që me të vërtetë e meritojnë, të një kafshe për mosmirënjohësit ose të një bime për kriminelët. Një vajtje-ardhje e këtij shpirti që mund të kryhet dy million herë në formë vegjetale, gjashtë million në formën kafshore dhe vetëm dy qind mijë herë në formën njerëzore !
. Po t’i besojmë specialistëve, hinduizmi primitiv nuk e ka njohur konceptin e ferrit. Mjaft të lexojmë tekstet indiane Rig-Veda ose Atharva-Veda. I huazuar nga babilonasit, ai hodhi shtat pas shekullit të X p.e.s dhe mori formën e tij përfundimtare pas vdekjes së Budës, duke u pasuruar me Yama-n, mbretin e ferrit dhe me qerthujt karakteristikë, herë-herë të zjarrtë herë-herë të akullt – sipas kategorive të mëkateve.
.
. Për taoistët kinezë, vdekja nuk është një akt i domosdoshëm për të shkuar në parajsë – në parajsat. Mjaft që i gjallë njeriu të zhvillojë një trup të ri gjithmonë më të lehtë, më të përsosur, me anë të një rregjimi special asketik dhe të një jete të virtutshme. Pas vdekjes, trupi i vjetër i atij që ka mundur të grumbullojë të tilla urtësi dhe dije shpërbëhet në varr dhe trupi i ri tashmë i pavdekshëm i ze vendin ; vdekatarët e tjerë duhet të kënaqen me vdekjen klasike ndërkohë që shpirti i tyre mban rradhën e gjatë për t’u gjykuar nga dhjetë gjykata hyjnore, të përbëra nga dhjetë gjyqtarë sejcila, detyra e të cilëve është t’i gjejnë vendin e merituar sejcilit. Pjesa dërrmuese e njerëzve – as të mirë, as të këqinj – i rikthehet ciklit të njohjes dhe të riedukimit. Më zullumqarët – kriminelët dhe të tjerë vetëvrasës – duhet të kënaqen me ferret, gjithmonë po aq të llahtarshëm : labirinte gjigande të nëndheshme, i përbërë nga nivele të shumtë dhe nga dhoma të panumërta ku shpirtrat duhet të vuajnë me qëllim që mëkatet e dikurshme të mund të shlyhen. Legjendat më të besueshme kineze arrijnë të dallojnë 18 nivele ose nën-nivele të ferrit Di Ju, të tjera shquajnë deri në 134 të tillë… çarje më dysh ose më katërsh, prerje e kokës, shkulje e gjuhës, kërrerje e syve, rrjepje e lëkurës, zhytje në puse të fëlliqura, shqyerje, coptim, zjarr, akull, kafshë të egra të pangopura ; sidoqoftë vuajtje që për fat të mirë nuk zgjasin shumë. Dy vjet e katër muaj – koha e domosdoshme para rimishërimit të pashmangshëm.
.
. Budistët – ata të Tibetit – mund të vetëquhen me shans pasi ata zotërojnë Librin e të Vdekurve Bardo Thodol, një farë doracaku i hollësishëm i përtej jetës dhe i mënyrave për të arritur Nirvana-n, parajsën absolute të budistëve. Për të pafatët e zakonshëm, shpirti i tyre endet në bardo – një hapësirë mes vdekjes dhe rilindjes së ardhshme, në kërkim të ndriçimit hyjnor. Në se nuk arrijnë dot brenda 49 ditëve të para, ato duhet të rimishërohen domosdoshmërisht një një formë të re njerëzore. Sidoqoftë, i ndjeri duhet të braktisë njeri pas tjetrit « trupat e ndryshëm » që e përbëjnë : fillimisht trupin fizik, një apo dy javë më pas trupin eterik dhe së fundi trupin astral – me sa mendohet, procesi më i vështirë pasi është pikërisht ky trup astral që përmbledh pasionet, lakmitë – pra, ndjenjat e ulta. Dhe pikërisht në këtë proces ndërhyn ferri, si një farë « stazhi » i përkohshëm gjatë të cilit shpirtit duhet të filtrohet, të pastrohet.
. Ai që ka krijuar ferrin budist duhet të ketë patur dhuntinë e simetrisë : 16 ferre të mëdha – 8 të përvëluar dhe 8 të akullt. Pranë portës së sejcilit gjenden 16 ferre të tjerë të vegjël, pra 256 të tillë periferikë – ose më mirë 272 gjithsej. Dhe natyrisht, një i tillë bollëk, i çel rrugën imagjinatës më të shfrenuar lidhur me mundimet dhe torturat e rezervuara për ata të gjorët që përfundojnë aty : rërë përcëlluese, flakë përvëluese, kazane në vlim, furra pjekjeje, banja gjaku të shkumbëzuara, sëpata lëkundëse që çajnë më dysh, shpata të varura që presin në rondele… pa llogaritur erërat e acarta, akullin përcëllues, breshërin shpues, shtizat e plevitosura, blloqet e gurta që bluajnë, shkëmbenjtë që shtypin, elefantët e metaltë që petëzojnë…
.
. Pa fjalë, njeriu lindor, eklektik në shpirt dhe në jetë, nuk ka mundur të çlirohet plotësisht nga baza e vjetër panteiste, mbi të cilën fetë e tij kanë lindur dhe kanë hedhur shtat. Në shkallën e tij sipërore, ai ka mundur të imagjinojë një Zot të plotfuqishëm dhe të gjithëgjendur, por sidoqoftë të pashpirt, të vdekur – pa individualitet, pa ndërgjegje të qenies së tij. Një Zot fatalist që parreshtur ngjiz dhe ringjiz botën, domosdoshmërisht brenda vetvehtes. Një Zot që nuk do askënd, pasi për të nuk egziston as e mira as edhe e keqja – pasi edhe ai vetë nuk mund të jetë as i mirë as i keq. Një Zot që s’është mishëruar kurrë pasi qëndron mbi jetën dhe vdekjen. Përballë një të tillë Krijuesi, të gjitha virtutet aktive të qenies mbeten shkallë të ulta, funksioni i të cilave është përsosmëria e mëtejshme ; një përsosmëri që arrin kulmin me asgjësimin e aktivitetit njerëzor. Fundi suprem i njeriut është pikërisht humbja e ndjenjës së vetvehtes, heqja dorë nga liria e tij, ngritja mbi ndjenjat më të pastra, mbi dilemën morale të të mirës dhe të keqes, arritja e një stadi ku zhduket vetë diferenca mes qenies dhe jo-qenies – ku sipas budizmit mbretëron hiçi.
. Duke u ngritur sferë pas sfere, deri në nivelin më të lartë të kqyrjes – ndoshta i përkëdhelur nga ideja e tejkalimit të vetë Zotit, besimi i lindorit përfundimisht kumbiset përmes qiejve në një greminë të pafund.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur