"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, September 13, 2010

Metafizikë e ferrit (1).


. Ferri i krishterë – zjarr, ferri pagan - duman,
. ferri mysliman – prush, ferri hindu – tym e flakë.
. Po t’u besojmë feve, Zoti paska lindur furrxhi.
. Victor Hugo - Choses vues.
.
.  « Sot prifti na foli për ferrin dhe vuajtjet e mëkatarëve… »

. E hoqa për një çast vëmendjen nga rryma kompakte e njerëzve në metro. Kqyra disi pjerrtas profilin e tim biri që përpiqej me sa mundej të shtrinte çapin, me gjithë peshën e çantës në kurriz dhe zbulova një shkëndijë djallëzie në vështrimin e tij të kaltër :
. «… por nga momenti që askush nuk është kthyer prej andej, si mund të jetë aq i sigurt ai në përshkrimin e tij ? »
. « Ndoshta këtë siguri ai e gjen Bibël, pasi aty-këtu ky libër flet për ferrin » - ju përgjigja pa pikë sigurie.
. « Pse, ai që e ka shkruar Biblën, ka qënë vallë në ferr ? » - kësaj rradhe sinqeriteti ndihej dukshëm në zërin e fëmijës.
. « Ai ose ata që e kanë shkruar, kanë qenë frymëzuar nga fjala e Zotit që mes të tjerash, ka krijuar edhe ferrin ».
. « Përse atëhere Zoti që është Mirësi krijoi ferrin dhe çon njerëzit në të ? ata njerëz që i krijoi po ai vetë sipas imazhit të tij ? »
. Në vend të tij do të kisha pyetur : kur e krijoi Zoti këtë ferr, përpara apo pas krijimit të Adamit dhe Evës ? por u turrëm për të kapur atë farë treni nëntokësor dhe duhet thënë patëm fat pasi dera metalike u mbyll rrafsh me shpinat tona. Nëse ferri sipas biblës ishte bërë për Satanin dhe engjëjt e tij të nxirosur, Egësirën, profetin e rremë dhe të gjithë ata që nuk përmendeshin në Libër, ky ferri tjetër ku gjendeshim ishte bërë për « djajtë » e vegjël, të thjeshtë dhe pa pretendime. Për turmën shumëngjyrëshe dhe shumëgjuhëshe, të lodhur dhe kutërbuese, e cila për hir të një mrekullie tokësore mbetej e padukshme në rrugët e gjera dhe të qeta të mbitokës, në magazinat e mëdha të ndritshme dhe erëmira të qendrës së qytetit. Ndoshta, pasi ata janë ngjizur me të njejtën lëndë transparente të ëngjëjve.
. Në qetësinë e shtëpisë, kujtimi i një të tillë bisede më shtyu drejt vargut të kundërshtive jo fort të përditshme : parajsë - Ferr, Zot – Satan, engjëj – djaj.. dhe më tej, dritë – errësirë, krijim – shkatërrim, mirësi – ligësi…. Sikundër një e fryrë e shkujdesur që shpurrit hirin e ftohtë të vatrës, mendimi heterodoks zbuloi gacën e ndezur dhe djegëse të fshehur mes shtresës së trashë të të vërtetave të vjetra :
.
. Megjithëse dikur, formimi ynë ateist trushpëlarës mbështetej mbi dialektikën e kundërshtisë, në krye të të kundërtave qëndronte materja si dhunë dhe fjala si ideologji dhe aspak ideja si dije apo morali si arbitër. Me një fjalë, simbolika jonë tokësore e mbijetesës, e materializuar në fillim me shpatën dhe më tej me kazmën dhe pushkën, këto hekura të nëntokës - atribute të trupit, qe në antitezë të plotë me amëshimin e shpirtit, të mishëruar në kryqin dhe librin, këto derivate të pemës së përjetshme.
.
Një arsye më shumë për t’ju rikthyer leximit, reflektimit, shkrimit ; në ndekje të atij filli të spërdredhur të urtësisë apo të marrisë njerëzore… shkurt, metafizikës.
.
.
. * * *
.
. I përballur që në ag të egzistencës së tij paleolitike me antinominë jetë-vdekje, njeriu e zgjidhi arbitrarisht dilemën duke « shpikur » varrin. Më tej, ai filloi ta mobilojë këtë varr me sende të përditshme (ushqime, armë, vegla deri edhe shoqërues frymorë) me idenë tashmë të formuar se « jeta e përtejme » do të ishte e ngjashme me atë tokësore, një përzgjatje e jetës reale. Një kohë më pas, ai u detyrua të pranojë se gjurma e vetme e kësaj simbolike mortore në kujtimin e të gjallëve paraqitej si një zhytje e pafund drejt harresës, drejt hiçit.
. Tashmë në epokën neolitike, duke u projektuar në një logjikë mistike parafetare që sugjeronte qenien e një varg forcash hyjnore që rregullonin egzistencën njerëzore, e vetmja zgjidhje « racionale » që paraqitej para njeriut ishte pikërisht ndarja fatlume e trupit nga shpirti. Një zgjidhje që bashkonte dëshirën e lumtur - rishfaqjen e shumëpritur të qenies së dashur, tashmë të përcjellë me ceremoni drejt banesës së fundit, dhe realitetin e trishtë – përmbajtjen e krimbur, të pluhurosur dhe minerale të varrit, konstat i përvojave të plaçkitjes së varreve dhe i kuriozitetit të sëmurë. Trupi, kjo mbështjellje materiale, e përkohshme - pra e vdekshme dhe e shkatërrueshme e qenies, mbyll rrugëtimin e tij tokësor në varr, ndërkohë që shpirti tashmë i çliruar nis një rrugëtim të ri, drejt horizontesh të reja – imagjinare dhe të imagjinuara.
. Megjithatë, edhe kjo zgjidhje e shpirtit fluturak paraqet disa vështirësi konceptuale, të vëna në pah nga pyetje krejt të natyrshme : cila është trajektorja e rrugëtimit të njeriut-shpirt ? ç’vend i rezervohet atij në jetën e përtejme ? Përgjigja mbetet komplekse dhe dhe thelbin e saj duhet ta kërkojmë mes elementëve të kulturës shpirtërore të qytetërimeve ose grup-qytetërimeve dhe nuk është e rastit që gjykimet të reflektojnë një botëpërfytyrim herë-herë linear, karakteristik i botës mesdhetare (Egjipt, Babilonë, Greqi apo Romë), herë-herë ciklik, tipik për Lindjen e Largët (Indi, Kinë apo Japoni).
.
. Ferri mitik.
.
. Djep kulturash dhe mitesh, Mesdheu, realitetin e tij të mesëm tokësor jo fort gazmor, që në lashtësi e ka plotësuar me dy ekstremet e boshtit kozmogonik : një « territor » përrallor i larë në dritë – pikërisht aty ku jetojnë forcat e larta dhe të plotfuqishme që qeverisin vetë jetën, Perënditë - parajsa ; si dhe një « territor » tjetër i errët dhe i frikshëm – aty ku kanë përfunduar perënditë e mallkuara, rrebele dhe të pamëshirshme - ferri. Më se e natyrshme që i pari të gjendet në pafundësitë e qiellit dhe i dyti në shpellat e thellësisë së tokës ! Cili është kriteri që përcakton ngjitjen në qiell apo zbritjen në greminë ? gjykimi i bëmave dhe i akteve të ish-të-gjallit nga zotërit fuqiplotë që arrijnë të ndajnë tufën në fatlumë dhe të dënuar – pesha e fajeve, e matur me kandarin shpirtpeshues. Aspekti më domethënës i imagjinatës mitike post-mortore është ndërthurja e saj me elementët e strukturës teogonike, karakteristikë thuaj e përbashkët e qytetërimeve të lashta të pellgut mesdhetar dhe të Lindjes së Afërme.
. Kështu, « bota e përtejme » e egjyptianëve është një imazh, i ngjashëm me vetë Egjiptin, refleks i pafundësisë të perëndive dhe e zoolatrisë të tij aq karakteristike. Ajo vjen si një rajon i pafund, i ndarë me mure dhe me porta, i rrethuar me këneta të përbaltura dhe i ndarë me lumenj dhe kanale – herë herë të zjarrtë. Shqetësimi më ndrydhës i egjiptianëve ishte pikërisht njohja e itinerarit që duhej zgjedhur si edhe përgjigjet e sakta që duheshin shqiptuar gjatë « provimit » përfundimtar. Ja përse sarkofaget e tyre përmbanin harta të vërteta si edhe tekste komplekse për të lehtësuar sadopak barrën e të vdekurve përpara turmës së gjykatësve fundorë (dyzet e dy të tillë), mes të cilëve shkëlqenin perënditë Osiris, Thot, Horus dhe Anubis. Ata që e meritonin shkonin me gëzim në mbretërinë e Osirisit, të tjerët që nuk ja dilnin mbanë këtij provimi ishin të dënuar me etje dhe uri të përjetshme në varret e pluhurosura, të detyruar të hanin mutin e tyre, të shqyer nga gjarpërinjtë e stërmëdhenj Apop dhe Sati.
. Elementët e ferrit asiro-babilonas shfaqen në epopenë sumere të Gilgameshit (mijëvjeçari i IIItë p.e.s) dhe « Zbritja e Ishtarit në ferr », heroit mbretëror të të cilës për t’i gjetur hyrjen ju desh të shkonte deri në kufirin e fundëm perëndimor, aty ku dielli shkon për të fjetur. Ky ferr paraqitet si imazh i përmbysur i vetë Babilonës : një qytet i tërë i nëndheshëm – Arallu – i mbrojtur nga shtatë mure dhe shtatë porta, i rrethuar nga ujrat e lumenjve. Sumerët dhe babilonasit e quanin « toka pa kthim » ose « shtëpia që kur hyn, askush nuk del ». Jeta e përtejme bazohet në ambivalencën mes gjumit dhe vdekjes, një egzistencë e zymtë, e lagësht dhe e mykur ; e materializuar në aftësinë e të vdekurve për t’u « zgjuar » dhe për të torturuar të gjallët. Ky ferr babilonas i nënshtrohet një logjike të pamëshirshme : të ndëshkuarit e vjetër formojnë rradhët e demonëve të pangopur, të ngarkuar me persekutimin e të porsaardhurve, të cilët nuk kanë merituar parajsën : vajzat e reja ende të virgjëra, nënat e vdekuar gjatë lindjes, të aksidentuarit apo të mbyturit, të vdekurit pa trashëgimtarë, të vdekurit e pavarr…
. Tek Hurritët aziatikë, e vetmja mënyrë për siguruar lidhjen mes botës të të gjallëve dhe asaj të të vdekurve dhe për të përmirësuar kushtet e « jetesës » të këtyre të fundit ishte kulti ndaj të vjetërve : gjakderdhja - flijimi i kafshëve apo i robërve për të marë me të mirë perënditë e ferrit. (BONNEFOY Y.(dir.) - Dictionnaire des mythologies, Paris, 1981).
. Helenët e vjetër, me sa duket, e trashëguan përfytyrimin asiro-babilonas të ferrit nga Hititët e Azisë së Vogël dhe e integruan në kozmogoninë e tyre karakteristike në formë boshti që lejon komunikimin mes niveleve të ndryshme të hapësirës së shenjtë tripërmasore (Parajsë, Tokë, Ferr). Një vizion artistik të kësaj hapësire na vjen prej Hesiodit (Teogonia). Sidoqoftë, ata kanë meritën e krijimit të një Panteoni të tërë perëndish si edhe të njehsimit për herë të parë të konceptit të ekstremeve (parajsë – ferr) në një strukturë hyjnore të kthyer kokëposhtë : një farë Olimpi të nëndheshëm, i drejtuar nga perëndi të mallkuara. Kështu, pas vdekjes dhe ndarjes nga trupi, të gjithë shpirtrat – psike përfundojnë në mbretërinë e Hadesit, ku presin të gjykohen, përpara se të njohin stacionin e tyre të fundit. Është Hades pra, nga gjinia hyjnore e vetë Zeusit, që mbretëron i plotfuqishëm, në një rajon që fillimisht sipas Homerit (Iliada) gjendet në perëndimin ekstrem – përtej lumit Oqean. Të tjerë helenë ja gjejnë vendin – gjithmonë nëntokë, herë-herë në stepat perëndimore (?!), herë-herë diku në fundin e botës së qytetëruar helene – në kepin Tenare, në jug të Peloponezit ose në Thesprotinë ilirike dhe të ilirizuar (Eric FOUACHE et al. - L'entrée des enfers de Thesprôtie : du mythe à la recherche d'une rationalité géomorphologique et historique, Université de Paris IV, Université de Lyon II, France).
. Pasi kalojnë portën e hyrjes, të ruajtur me xhelozi nga qeni trekokësh Cerber, të vdekurit pësojnë një seleksion fillestar : ata që s’janë varrosur sipas riteve duhet të presin një qind vjet në Ereb. Të tjerët përfundojnë menjëherë përpara një kolegji gjykatësish hyjnorë të përmortshëm Minos, Eaku dhe Radamanti të cilët gjykojnë në funksion të cilësive, të trimërive dhe të difekteve të sejcilit dhe orientojnë turmat sipas meritës. Më të lumturit përfundojnë në fushat Elizeane – një farë « parajse » e nëndheshme, ku të zgjedhurit gëzojnë një jetë të plotë dhe të këndshme, përpara rimishërimit të ardhshëm dhe ngritjes së tyre në hapësirën përtejhënore. Ata me më pak fat shkojnë në fushën e Asfodelit ku fantazmat e të vdekurve bëjnë një jetë të trishtë dhe të zymtë, duke mos arritur të fitojnë asnjë përmbajtje mishërore. Përfundimisht të pafatët përfundojnë njëherë e përgjithmonë në Tartar, i administruar nga Titanët, zona më e thellë dhe më e llahtarshme e ferrit, e parashikuar për kriminelët të ndëshkuar me vuajtje dhe tortura fizike dhe psikologjike. Me sa duket, kjo zonë është e pajetë dhe monotone me liqene të ngrirë, me pellgje squfuri dhe zifti të shkrirë, e rrethuar me lumenj të turbullt dhe me këneta që qelbura, thjesht për të penguar arratisjen e të dënuarve. Hadesi komunikon me sipërfaqen me anë të lumit Akeront (i vuajtjeve) – që rridhte diku në Çamërinë e sotme, një prej pesë lumenjve që rrethojnë banesën e fundit të perëndisë Hades : Stiksi (lumi i urrejtjes), Lete (lumi i harresës), Kociti (lumi i psherëtimave) dhe Flegjeton (lumi i zjarrtë).
. Etruskët italikë gjithashtu besonin në ndëshkimin post-vdekatar. Kujdesi jo i zakonshëm në përkushtimin ndaj të vdekurve reflekton konceptin e tyre të ferrit, i përfytyruar nën shembullin e Babilonasve si një vend torturash dhe dëshpërimi për manes (shpirtrat), fati i të cilëve mund të përmirësohej vetëm nëpërmjet flijimeve dhe gjakderdhjes. Pasardhësit romakë i adoptuan këto rite, bashkë me përfytyrimin etrusk të ferrit – Orcus ose Infernus – të cilëve ju shartuan mitet greke lidhur me Hades-in, zotin e atij vendi, që me atë rast ripagëzohet Pluton. Sipas tyre, hyrja në infernus gjendej diku në shpellat e liqenit Averne.
.
Në prag të lindjes së feve të mëdha monoteiste (judaismi, krishtërimi dhe islami), njeriu mitik mesdhetar ende heziton qoftë në raportet e ndërsjellta mes trupit dhe shpirtit, qoftë në karakterin e përkohshëm ose të përjetshëm të gjykimit dhe ndëshkimit hyjnor. I parritur, ndoshta i papjekur – ende i zhveshur nga ajo përmbajtje e mëvonshme morale që identifikon ferrin si vatra e të Keqes dhe parajsën si apoteozën e të Mirës - por gjithsesi epik, ai sidoqoftë guxon dhe sfidon vetë Perënditë që i imagjinon sipas shëmbëlltyrës së tij - heroikë.
. Nën shembullin e Odisesë, të Tezeut, të Periandrit, të Orfeut bile edhe të Herkulit, ai zbret pa qeder në ferr për të konsultuar të vdekurit, për të siguruar një provë të çmuar, për të çliruar një të ndëshkuar… deri edhe në kërkim të qënies së dashur, pasi sikundër vëren me të drejtë edhe Kadareja « … ferri ju ishte bërë familjar, diçka si qilari i shtëpisë së tyre ». (Ismail KADARE - Eschyle ou l'éternel perdant, Paris, 1988)
.
. (vijon) 

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur