"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, September 15, 2010

Dafina dhe Rrush.

.
. Halli më bëri të shkoja gjatë kësaj fundvere në Palma de Mallorca. Për t´i qenë pranë një vjehrre në pikë të hallit. Për ta ndihur disi në atë përleshjen e saj të përditshme me zorrët dhe tubat që i sillnin oksigjenin aq të munguar. Për t´ju gjendur pranë në ato orë ndoshta të fundit... dhe në momentet e tjera të rralla të shlodhjes, larg asaj dhome ku zjenin edhe muret nga vapa dhe ku gumëzhinin aparaturat si bletët, dilja në ballkonin e katit të tetë dhe kqyrja nga larg detin.
. Më mirë të them atë çikë det që shfaqej mes morisë së kullave dhe patiove spanjolle, atë parcelë blu farfuritëse që ma bënte me sy nga larg dhe që më kujtonte parreshtur se vala që ngrihej aty pranë shkonte dhe shtrihej diku në plazhin e Vlorës, se pulëbardhat e gjirit të Palmës klithnin në të njejtën gjuhë me pulëbardhat e Shëngjinit, se dielli që përgatitej të flinte në kodrën përkarshi ishte zgjuar diku mbi Durrës… që më përsëriste parreshtur se me trup gjendesha në ishujt Baleare por me mendje në Shqipëri. Në këtë rol të bezdisur të mysafirit “të palarë pranë detit” dhe “të panxirë pranë diellit”, s’më mbetej gjë tjetër veçse të lakmoja fatin e mirë të atyre miliona turistëve pa halle, preokupimi i vetëm i të cilëve ishte pushimi i trupit dhe dëfrimi i mendjes… dhe të ngazëllehesha nga mendimi se në kthim, do të hakmerresha sipas dëshirës mbi turizmin dhe rolin e tij në ekonomi.
.
.
. * * *
.
. Qenia e një pjese të familjes në Baleare dhe afëria gjeografike më kanë krijuar atë mundësi të lumtur të shëtis dhe të vizitoj Spanjën prej njëzet vjetësh – që nga fillimet e viteve 90. Në vijim, kurioziteti i natyrshëm dhe ai tjetri, i kultivuar, më kanë detyruar të vlerësoj dhe të respektoj vendalinjtë dhe atë çka është e çmuar për ta: historinë, letërsinë dhe artin deri edhe traditat dhe shijet lokale – që nga rrushi dhe vera deri tek djathrat, duke kaluar nëpër sallamërinë dhe frutat e detit – pa harruar erëzat karakteristike të kësaj zone skajore mesdhetare. Së fundi, kontaktet e vazhdueshme me vendin më kanë dhënë mundësinë të kqyr zhvillimet - që nga mentalitetet e banorëve deri tek peizazhi, apo infrastruktura. Përfundimisht mund të them se nëse Spanja e sotme nuk ngjan fort me atë të djeshmen, të njëzet vjetëve më parë, “fajin” kryesor e mban ajo hapje e papërmbajtur ndaj Evropës dhe ndaj botës, me turizmin si vektor të depërtimit të njerëzve dhe të vlerave – si levë parësore e dinamizmit ekonomik të vendit. Në këtë kuadër, Balearet përbëjnë shembullin më të spikatur - luajnë rolin e vitrinës.
. Deri përpara viteve 60, ky grup ishujsh i Mesdheut perëndimor që numërohen me gishtat e një dore (gjithsej 4974 km2), të rrahur nga erërat dhe të djegur nga dielli, përbënte zonën më të humbur dhe më varfër të Spanjës bashkëkohore – që në atë kohë ishte një nga vendet më të vobegta të Evropës perëndimore. Mjafton të thuhet se vendasit balearjotë ishin kandidatët e parë spanjollë drejt emigracionit, se ekonomia lokale kufizohej në peshkim, në prodhimin e agrumeve dhe në mbledhjen e bajameve të mbkjella mbi tokat shterpë, se vlera e terreneve ishte thuaj zero – që i shtynte etërit, kur ndanin pasurinë, t’ju taksnin ranishtet pranë detit trashëgimtarëve më dembelë dhe parazitë. Paçka traditës së gjatë të pritje-përcjelljes, të tregëtisë bile edhe të piratërisë apo të kondrabandës, askush në këtë kohë - që nga bankat, tek ndërtuesit deri tek pronarët e mëdhenj të tokave - nuk guxonte të mendonte se turizmi mund të përbënte një aktivitet ekonomik madhor, një burim të konsiderueshëm të ardhurash, një zgjidhje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të problemeve të jetesës së përditshme. E pra, në atë kohë, ishujt që numëronin rreth 400.000 vendalinj prisnin dhe përcillnin rreth 300.000 turistë në vit, në pjesën më të madhe të tyre të ardhur individualisht dhe të strehuar qoftë tek banorët qoftë në ato pak hotele apo bujtina lokale.
. Kjo skemë ndryshoi rrënjësisht në vitet 60 dhe i përgjigjet kryekëput një logjike thjesht alogjene – të huaj, aspak të lidhur me dinamikat apo dëshirat lokale - endogjene. Boom-i ekonomik i Evropës perëndimore, që ngërthente avantazhet sociale të punonjësve evropianë, pasurimin e shpejtë të shtresave të varfra dhe të mesme, lindjen e turizmit masiv dhe riorganizimin e shpejtë të centraleve dhe zyrave turistike angleze dhe gjermane, nxorri në plan të parë këtë “copë tokë me diell dhe me det” që kish njëkohësisht avantazhin e të qenit të virgjër, me çmime qesharake, egzotike dhe mikpritëse. Përballë dyndjes eksponenciale të turistëve, shoqëria lokale u organizua si mundi dhe për t’ju përgjigjur kërkesës, ajo zhvilloi një model të zhvillimit turistik që njihet me emrin “balearizim”: një ofertë bazike, sezonale dhe masive për klienta “me buxhet të kufizuar” – pra, jo të pasur, sipas formulës “diell, plazh, hotel”; por sidoqoftë e aftë të siguronte një përfitim ekonomik të shpejtë. Në këtë kontekst ekonomik shumë të favorshëm, u ngritën dhe u zhvilluan hotelet e para “të vërteta” majorkine, u formuan profesionistët vendas në fushën e turizmit: në origjinë njerëz të varfër, pa asnjë mbështetje në zanat dhe pa asnjë formim – të ashtuquajturit “muratorët-hotelxhinj”, ndërtues dhe shfrytëzues të strukturave të tyre private, egzekutues të thjeshtë dhe të pafuqishëm përballë diktatit të agjensive turistike të huaja që impononin tarifat, numrin e klientëve apo kohëzgjatjen e qëndrimit të pushuesve. Kjo situatë zgjati deri në fillim të viteve 80 dhe gëdhendi në një farë mënyre edhe fytyrën e qëndrueshme të turizmit balear. Kjo rritje e papërmbajtur njohu frenin e parë gjatë periudhës 1974 – 1976, për hir të krizës së parë të naftës, një fren të dytë në vitin 1980, (aktet terroriste baske në zonat turistike spanjolle) dhe disa të tjerë më pas – krizat e tregjeve britanike në 1985, lufta e Gjirit Persik në periudhën 1989-1990. Rënia e numrit të turistëve vuri në pah kufizimet e modelit të mësipërm sikundër edhe problemet lidhur me cilësinë e vetë turizmit balear. Aktorët lokalë kuptuan më në fund se duheshin “riparë” raportet me centralet turistike të huaja, në kushtet kur ata kishin grumbulluar përvojën e nevojshme si edhe kapitalet e duhura për të ndryshuar kryekëput vlerat e ofertës vendase. Nga ana tjetër, rëniet e njëpasnjëshme të numrit të klientëve patën meritën e provokimit të një reaksioni me përmasa të mëdha në gjirin e shoqërisë majorkine si edhe të tërhiqnin vëmendjen e klasës politike lokale.
. Me kërkesën këmbëngulëse të kësaj të fundit, në vitin 1984, Balearet mundën të fitonin statusin e Rajonit Autonom, gjë e cila lejonte tashmë një organizim dhe një administrim optimal të territorit sikundër dhe një vendimmarrje apo vjelje dhe rishpërndarje të të ardhurave jashtë kontrollit të Madridit. Në vijim, në vitin 1988, qeveria dhe parlamenti ishullor aprovoi një plan-kornizë afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit turistik me synim modernizimin e ofertës turistike; në vitin 1995, ai u ndoq nga një tjetër plan-kornizë lidhur me riorganizimin e kësaj oferte që synonte aspektet dytësore të saj (restorantet, aktivitetet anekse, kualifikimin dhe specializimin e profesioneve të turizmit). Paralelisht nxitjes dhe investimit në iniciativat publike dhe private drejt agroturizmit, turizmit rural apo atij kulturor, pushteti lokal përpiloi një varg normash dhe rregullash ishullore në ndërtimin e porteve turistike (marinat), të terreneve të golfit apo të parqeve të lojrave. Ky angazhim i mençur i pushtetit lokal në favor të industrisë turistike gjeti përkrahjen e profesionistëve të turizmit, të vendosur të përmirësonin shërbimin hotelistik ndaj konkurrencës gjithnjë e më të ashpër. Ata u organizuan në një sindikatë ishullore, që u angazhua në rrugën e përmirësimit rrënjësor të cilësisë dhe të profesionalizimit të plotë të sektorit: nga njera anë sindikata luante rolin e një bashkëbiseduesi të privilegjuar me centralet turistike – të ashtuquajturit “tours-operators” dhe nga ana tjetër, orienonte dinamikat lokale në përputhje me logjikën globale të këtyre të fundit.
. Hapi tjetër vendimtar ishte aprovimi i një varg dekretesh dhe ligjesh që synojnë zhvillimin e turizmit në kuadrin e mbrojtjes së territorit: dekreti “Cladera” (1984 dhe 1987) që përcakton sipërfaqen minimale të zënë nga ngrehinat turistike; ligji i mbrojtjes së hapësirave natyrore (1991) që vendosi krijimin e disa parqeve natyrore (34% të sipërfaqes së përgjithshme ishullore); përpilimi i “Librit të Bardhë të turizmit në ishujt Baleare” (1987) që përcakton pragun e lejuar të frekuentimit turistik; përpilimi i planeve rregullues të urbanizmit për të gjitha qendrat e banuara, me kritere striktë normativë ndaj ndërtimeve me karakter turistik; hartimi i planit të përgjithshëm të modernizimit të zonave turistike (1990), i financuar bashkërisht nga organet autonome dhe ato komunale; krijimi i fondit të rehabilitimit të hapësirave turistike (1999), nëpërmjet vendosjes të një eko-takse ndaj turistëve; moratoriumi që ndalon ndërtimet e reja mbi vijën bregdetare ishullore (2002) etj.. (shih: Jean Emanuel Vittori - Les dynamiques locales face au tourisme aux îles Baléares, rev. « Rives méditerranéennes »,12/2002.) Modeli i mësipërm dhe shëndrrimet e tij të njëpasnjëshme sollën një varg pasojash të rëndësishme dhe të pakthyeshme, që ngërthejnë avantazhe dhe disavantazhe madhore:
. - Në rrafshin turistik, ishujt Baleare dhe në rradhë të parë Majorka njohën një rritje të paparë të numrit të turistëve që arriti kulmin në vitin 1999 me 11 milionë vizitorë (për një popullsi lokale prej 800.000 banorësh, bashkë me rezidentët e përhershëm). Pra, një dëndësi mesatare popullate prej 300 banorë/km2, i krahasueshëm me vendet më të populluara të Evropës. Po t’i referohemi qyteteve, dendësia e tejkalon normën e metropoleve dhe në zonat turistike të mirëfillta (plazhet), kjo dendësi tashmë quhet mizëri dhe ajo bëhet e tillë sa vret syrin e çdo vizitori.
. - Në rrafshin ekonomik, ai solli një rritje të paimagjinueshme të të ardhurave për kokë, një përmirësim të përgjithshëm të nivelit të jetesës së ishullorëve - me një PBB për banor më të lartin në Spanjë dhe një nga më të vlerësuarit në Evropë. Të rrallë janë ato shembuj në botë ku dinamikat lokale janë po aq të fuqishme, ku ritmet e zhvillimit të përkthyera në të ardhura efektive për banor janë po aq të konsiderueshme – qofshin ato të sjella nga jashtë, frut i tendencave kontinentale.
. - Në rrafshin territorial, ajo u karakterizua nga një rritje urbane kaotike me pasoja të rënda mbi vijën bregdetare, nga ritme të shfrenuara të rritjes ekonomike të shoqëruar me dëmtime të pakthyeshme mjedisore apo shoqërore, nga mungesa kronike të infrastrukturave dhe të pajisjeve publike apo private, nga një vizion afatgjatë jo gjithmonë bindës të administratës publike lidhur me çështjet e planifikimit urban.
. - Në rrafshin ekologjik u kqyr një ndryshim shumë i theksuar i pejzazhit bregdetar – përgjatë 30 vjetësh, u betonua një e katërta e bregdetit ishullor; zhdukja përfundimtare e një numri të konsiderueshëm speciesh bimore dhe shtazore endemike me vlera të mëdha natyrore; një mbishfytëzim i egër i rezervave natyrore, veçanërisht i ujit të pijshëm; një frenezi e papërmbajtur konsumi që solli një mbiprodhim të plehrave të të gjitha llojeve (dyfishi i prodhimit mesatar spanjoll) dhe përfundimisht, një nivel i tejskajshëm i ndotjes mjedisore për shkak të përqëndrimit të mjeteve të transportit tokësor, të nivelit të zhurmave nga transporti ajror.
. - Së fundi, në rrafshin shoqëror, vërehet një humbje e identitetit të bashkësisë majorkine tradicionale; një rrudhje e gjuhës katalane për shkak të ndërfutjes së asaj kastiljane, të përdorur nga gadishullorët dhe e folur nga turistët; nga një urbanizim i mënyrës së jetesës dhe një përfshirje e gjithanshme në shoqërinë globale; nga krijimi i bashkësive të qëndrueshme dhe të përfillshme të rezidentëve të huaj (gjermanë apo anglezë), që krahas përdorimit masiv të produkteve industriale dhe ushqimore të importuara nga vendet e tyre në dëm të prodhimeve lokale, kanë arritur të imponojnë edhe shtypjen apo përhapjen e shtypit në gjuhët amë, lokale dhe hotele që shërbejnë vetëm në këto gjuhë, përfaqsues të tyre në organet e pushtetit lokal deri edhe krijimin e grupeve politike në mbrojtje të interesave të tyre specifike.
.
.
. * * *
.
. U mora me Palmën që në hyrje të shkrimit dhe përmenda hallin. Pasi qejfi do të më kish sjellë në Golem, dyfish të dëshiruar: së pari do të gjendesha në vendin tim, së dyti në shtëpinë time. Në atë apartament buzë detit - në kuptimin më të drejtpërdrejtë dhe më prekës të fjalës det, pasi nga ballkoni i katit të dytë mund të shoh Adriatikun që valëzon as njëqind metra më poshtë, përqafoj me vështrim gjirin e Durrësit mbarë. E pra – dhe për t’ju përgjigjur Maks Velos - unë kam diçka më shumë se “ata që do të vijnë” pasi ndërkohë kam ardhur. I ardhur që prej vitesh për të blerë apartamentin e ndërtuar mes xhunglës plazhistike të Golemit, mes katastrofës ekologjike shqiptare. Edhe pa qenë pasanik suedez apo norvegjez, apo varfanjak kosovar … por që ende nuk ka kaluar as edhe një ditë pushime në të. Jam nga ata të ardhurit - të paqenë, të pagjendur, të pandodhur në vend por që sidoqoftë, arrijnë të lahen thjesht me imagjinatën e tyre në detin e virgjër të Golemit, që thithin ajrin erëmirë të pyllit të dendur të pishave, që llapashitin këmbët në valën e parë të bregut, që enden vetmitarë përgjatë orësh të tëra nga Plepat e plazhit deri në Golem… në atë Golem të rinisë së tyre që strehonte vetëm një sërë kabinash-furriqe, kampin e studentëve dhe atë të rinisë.. si dhe një barangë prej dërrase ku kavajsit rrjepacakë të djeshëm – sot pronarë hotelesh dhe biznesmenë apartamentesh - shisnin domate zemërkau, shalqinj dhe kumblla.
. Alejuja – do të kish kënduar Leonard Cohen-i! Por jo të gjithë turistët – ata të vërtetët – janë fans të Cohen-it dhe kur bêhet fjalë për të shpenzuar ato pak ditë qê padronêt e tyre tê pamêshirshêm dhe zemërgjerë janë të detyruar t’jua japin, ata marin rrugën duke fërshëllyer “vamos a la playa”. Si njê përrua – ç’them! – si një lumë i papêrmbajtur, plot tre milionë syresh – në se i besojmë Kryeministrit Berisha - vërshuan drejt atyre brigjeve që ofrojnë në këto kohê tê vështira krize avantazhin “e të qenit të virgjër, me çmime qesharake, egzotike dhe mikpritëse”. Edhe sikur të heqim epitetet “të virgjëra”, dhe “me çmime qesharake” të shekullit të kaluar, mbetet sidoqoftë egzotizmi i padyshimtë shqiptar dhe mikpritja tradicionale ballkanase.
. Tre milionë turistë – shifra është historike, pêr njê vend pritës si Shqipëria që numëron po aq banorë. Natyrisht, ende jemi larg Palma de Mallorca-s apo Saint Tropez-it që njëzetfishojnë popullatën në verë, por ndërkohë jemi në të njejtin nivel me Francën që priti po aq turistë sa edhe popullata e saj (68 milionë turistë në 2009, nga të cilët 14 milionë në kalim drejt të tjerë vendesh turistike) dhe që mbetet drejtimi i parë botëror. Bile ja kemi marë asaj në kthesë lidhur me të ardhurat e siguruara, pasi me turistët e saj Franca arrin të sigurojë “vetëm” 36 miliardë euro ndërkohë që Shqipëria me tre milionët e turistëve të saj arrin të mbledhë “disa miliardë” euro!
. Ç’bëri vaki me turizmin shqiptar që arriti magjepsë tre milionë turistë të huaj? Zaten, bëhet fjalë për vitin 2009 apo për këtë në vijim? Këmbëngul në këtë pyetje pasi kakofonia në mjediset gazetareske është totale, aq më tepër kur analizat kanë mbetur në dorë të profesionistëve të llojit Redi Agolli apo Valentina Madani; aq më tepêr kur të tjera shkrime të fillimvitit raportojnë se në 2009, vendi u vizitua nga 1.600.000 turistë. E pra, në këto shkrime, analizat e ekspertëve si Zef Preçi apo Selim Belortaja, të konfirmuara nga INSTAT, venë në pah se ky sektor vuan nga një varg problemesh strukturore: infrastruktura e pamjaftueshme (rrugore, mungesa e ujit dhe e energjisë elektrike); mungesa e planeve rregulluese të zonave, problemet e rendit dhe të qetësisë publike; cilësia e shërbimit: e cila lë shumë për të dëshiruar, (për shkak të mungesës së përvojës, jo profesionalizmit dhe mungesës së kualifikimit të punonjësve të sektorit); çmimet e larta (mungesa e harmonizimit mes çmimeve dhe cilësisë në shërbime), mungesa e aktiviteteve turistike anekse (marina, terrene sportive, aktivitete artistike). Ekspertët theksojnë se këto mangësi dëmtojnë imazhin e turizmit dhe zvogëlojnë hapësirën e konkurrencës me vendet fqinje ose të rajonit dhe favorizojnë turizmin kalimtar një ditor, me origjinë nga Greqia fqinje. Bile ato frenojnë edhe vërshimin e turistëve kosovarë ose maqedonas. Po të dëgjosh Berishën nga ana tjetër, kosovarët ishin mizëri, të huajt tabor dhe suksesi i detyrohet pikërisht infrastrukturës rrugore (rruga e Kombit), përkushtimit të punonjësve të turizmit dhe cilësisë së lartë të shërbimeve – krahas çmimeve shumë tërheqëse. Hajde merr vesh ndonjë send!
. Ajo çka Berisha nuk përmend me modestinë që e karakterizon është puna përkushtuese e Qeverisë ndaj turizmit si edhe vullneti i patundur i krijuesit të shkencës së hemodinamikës, sensi politik dhe ekonomik i të cilit bëri që vendi “të tejkalojë me 27 pikë mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së. për lehtësitë në regjistrimin e biznesit; që investimi në të gjithë sektorët në Shqipëri, krahasuar me vendet mesatare të OECD-së, është 7 pikë përpara, duke u renditur në 63 vendet që tërheq më mirë investimet në botë. Po kështu, në krahasim me investimet, që ai të rradhitet mes vendet me liri fiskale më të lartë në botë, mbi 94 për qind”. Në se është vështirë të mendosh se ata miliona turistë zgjedhin Shqipërinë si vend të preferuar për këto arsye, na mbetet të besojmë se ata janë lexues të thekur të “Newsweek” që rradhit Shqipërinë në vendin e 57-të të vendeve më të mira për të jetuar mes njëqind syresh…
. Por edhe sikur të mos besojmë asgjë, tre milionshi mbetet tre milionë. Si është përllogaritur ky numur magjik? “Elementare, i dashur Watson” – do të ish pêrgjigjur Sherlok Holmesi shqiptar që përmend me krenari misionin ICITAP, teknologjia e të cilit egziston në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe publikon shifrat tejet ekzakte. Ja për shembull, sipas statistikave të MTKRS (punë e madhe për ata që nuk kuptojnë asgjë mes këtyre inicialeve barbare), bazuar në standardet dhe definicionet e Organizatës Botërore, për periudhën janar-15 shtator 2008, numri i vizitorëve me nënshtetësi të huaj është 1.042.907 dhe numri i vizitorëve me nënshtetësi shqiptare – gjithmonë të ardhur nga jashtë - është 1.115.487. Gjithmonë sipas të njejtave statistika, 63130 (6%) e të huajve janë vizitorë ditorë (eskursioniste) ndërsa 979777 (94%) jane vizitore me netë-qëndrime (turiste).
. Përballë këtyre shifrave të patundura, e vetmja kritikë që vjen nga skeptikët opozitarë është se shtetasit e huaj, në shumicën dërrmuese të tyre janë shqiptarë të dikurshëm që janë bërë të huaj rishtas - si puna e ime që shkon dhe fle tek prindërit dhe ha gjellën e tyre në vend të përfundoj në hotel apo në restorant, apo kosovarë që vijnë me trasta plot me speca apo me domate nga të Maqedonisë. E pastaj? A po më pengon kjo gjë që, sa herë vij në vendlindje, t’i shpenzoj evrotë me qindra dhe me mijra? Paçka se shumica më shkon për pashaporta dhe certifikata, për noterë dhe taksistë, për raki dhe kafe – si dhe për të paguar tragetet dhe avionat… Po turizmi ku hyn në këtë mes? – mund të pyesë dikush. Hyn që ç’ke me të – kam dëshirë t’i përgjigjem – nga momenti që ai justifikon si asnjë sektor tjetër rritjen e deklaruar të zhvillimit ekonomik të vendit, nga momenti që ai ekulibron mungesën e të ardhurave nga të tjerë sektorë si eksportet apo prurjet bankare (remitencat) e emigrantëve, nga momenti tjetër që ai stimulon dhe motivon motorin e kësaj rritjeje, sektorin e ndërtimtarisë... nga momenti i fundit që i lejon propagandës aguridhe së qeverisë të shitet në treg me sukses si rrush i arrirë.
. Si kurrëherë tjetër, dëshiroj t’i jap të drejtë Berishës kur flet me ngazëllim për milionat e turistëve dhe për miliardat e evrove – qoftë edhe për të kundërshtuar vullnetin e keq të Mustafa Nanos, i cili edhe mes arithmetikës së shifrave arrin dhe sheh litaninë e dënglave. Bile e ftoj t’i rishikojë shifrat dhe të deklarojë të tjera, edhe më të mëdha. Pasi ai ka harruar të llogarisë të tjerë turistë nga Tirana, që me paret e shtetit shkojnë në Dhërmi për të ngrënë peshk deti në skarë apo për të thyer rekordet e notit – për t’i dhënë një shtytje turizmit lokal. Bashkë me një tufë turistësh-roje po aq të motivuar, të gatshëm të mësyjnë në vijim edhe Korçën për të pirë nga njê shishe birrë jo dokudo – të parën në Ballkan, me certifikatë evropiane, sipas pijetarëve ekspertë vendas.
.
.
. * * *
.
. Ishte pikërisht ky udhëtim i fundit turistik i Berishës, i lagur me birrën lokale me famë, që më dha motivin e fundit të këtij shkrimi, thjesht për faktin se ai përmban brenda Korçën. Atë Korçë që falte me bujari të gjithë panelin e ngjyrave dhe shijeve, mahnitëse për një fëmijë: mollët e Dvoranit, dardhat e Qytezës, qershitë e Ersekës lajthitë e Bozdovecit, manat e Boboshticës, kumbllat e Sinicës dhe thanat e Gjergjevicës. Por, çuditërisht, janë dy të tjera pemë tipike mesdhetare - rrushi dhe dafina – që mbajnë të lidhur pazgjithshmërisht imazhin e Korçës në galerinë e kujtimeve të mia të fëmijërisë.
. Thuaj çdo fundgushti, të telendisur dhe të përvëluar nga pushimet e përvitshme buzëdetit, gjenim freskllëkun dhe qetësinë aq të dëshiruar në Korçë, tek shtëpia e e vjetër e gjyshes. E mësyrë kështu nga një tufë zhurmëmadhe nipërish e mbesash, ajo na bënte vend si mundte në dhomat e mëdha dhe të freskëta, të mbushura me reliket e jetës së saj prej borgjezeje të deklasuar, të tatuar dhe përfundimisht të harruar nga hakmarrja e pushtetit popullor i cili, sidoqoftë, kish arritur ta zhvishte nga pronat dhe gjithçka tjetër me vlerë që familja e gjyshit zotëronte. Të shtrirë pra në gjysmëmuzgun e odës, të parfumuar nga tavat me lulebliri që thaheshin nën shtretërit dhe të ngopur deri në grykë nga një lakror të saçit me qepë dhe domate që vetëm gjyshja ime ja dinte sekretin, sytë tanë bridhnin nga një objekt në tjetrin deri sa ndaleshin në atë pikturën e madhe përballë. “Apolloni dhe Dafne”. Padyshim një surrogato e origjinalit, por madhështore në kornizën e saj të praruar, e egzekutuar me shumë zell nga ndonjë dorë lokale e fillimshekullit – mjaft të kqyrje shputën e këmbës së majtë si drapër i spërdredhur të djaloshit perëndi-gjahtar, që gollomesh dhe me hark në dorë, renddte pa rreshtur pas vajzës të lebetitur, po aq gollomeshe sa ai vetë.
.Ç´i ka ato gjethe përpara ajo çupa?” – pyetëm jo pa djallëzi gjyshen që, hera-herës, vinte të sigurohej që s’ishim duke bërë prapësira.
.Gjethka rrushi, për të mbuluar turpin” – erdhi përgjigja, me një fije qortimi në të.
. Po ai djali, përse i ka hequr gjethet nga përpara dhe i ka vënë në kokë?” Ndoshta ishte gjyshja që e vonoi përgjigjen disa çaste, ndoshta ishte gjumi që e frenoi disi dëgjimin… nën magjinë e pikturës gjithçka u përzie në kokat tona të lodhura: Apolloni dhe Dafneja, gjahtari dhe gjahu, rrushi dhe dafinat…
. Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite ende më jehon në kokë zëri i saj që para se të hiqte derën, mërmëriti si nëpër dhëmbë:
.Kur e ha turpin me bukë si ai zuzari-perëndi atje, nuk hyjnë më në punë gjethkat e rrushit. Duhen të tjera, si ato të dafinës, për të fshehur turpin që shkruhet në ballë”.

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, September 13, 2010

Metafizikë e ferrit (1).


. Ferri i krishterë – zjarr, ferri pagan - duman,
. ferri mysliman – prush, ferri hindu – tym e flakë.
. Po t’u besojmë feve, Zoti paska lindur furrxhi.
. Victor Hugo - Choses vues.
.
.  « Sot prifti na foli për ferrin dhe vuajtjet e mëkatarëve… »

. E hoqa për një çast vëmendjen nga rryma kompakte e njerëzve në metro. Kqyra disi pjerrtas profilin e tim biri që përpiqej me sa mundej të shtrinte çapin, me gjithë peshën e çantës në kurriz dhe zbulova një shkëndijë djallëzie në vështrimin e tij të kaltër :
. «… por nga momenti që askush nuk është kthyer prej andej, si mund të jetë aq i sigurt ai në përshkrimin e tij ? »
. « Ndoshta këtë siguri ai e gjen Bibël, pasi aty-këtu ky libër flet për ferrin » - ju përgjigja pa pikë sigurie.
. « Pse, ai që e ka shkruar Biblën, ka qënë vallë në ferr ? » - kësaj rradhe sinqeriteti ndihej dukshëm në zërin e fëmijës.
. « Ai ose ata që e kanë shkruar, kanë qenë frymëzuar nga fjala e Zotit që mes të tjerash, ka krijuar edhe ferrin ».
. « Përse atëhere Zoti që është Mirësi krijoi ferrin dhe çon njerëzit në të ? ata njerëz që i krijoi po ai vetë sipas imazhit të tij ? »
. Në vend të tij do të kisha pyetur : kur e krijoi Zoti këtë ferr, përpara apo pas krijimit të Adamit dhe Evës ? por u turrëm për të kapur atë farë treni nëntokësor dhe duhet thënë patëm fat pasi dera metalike u mbyll rrafsh me shpinat tona. Nëse ferri sipas biblës ishte bërë për Satanin dhe engjëjt e tij të nxirosur, Egësirën, profetin e rremë dhe të gjithë ata që nuk përmendeshin në Libër, ky ferri tjetër ku gjendeshim ishte bërë për « djajtë » e vegjël, të thjeshtë dhe pa pretendime. Për turmën shumëngjyrëshe dhe shumëgjuhëshe, të lodhur dhe kutërbuese, e cila për hir të një mrekullie tokësore mbetej e padukshme në rrugët e gjera dhe të qeta të mbitokës, në magazinat e mëdha të ndritshme dhe erëmira të qendrës së qytetit. Ndoshta, pasi ata janë ngjizur me të njejtën lëndë transparente të ëngjëjve.
. Në qetësinë e shtëpisë, kujtimi i një të tillë bisede më shtyu drejt vargut të kundërshtive jo fort të përditshme : parajsë - Ferr, Zot – Satan, engjëj – djaj.. dhe më tej, dritë – errësirë, krijim – shkatërrim, mirësi – ligësi…. Sikundër një e fryrë e shkujdesur që shpurrit hirin e ftohtë të vatrës, mendimi heterodoks zbuloi gacën e ndezur dhe djegëse të fshehur mes shtresës së trashë të të vërtetave të vjetra :
.
. Megjithëse dikur, formimi ynë ateist trushpëlarës mbështetej mbi dialektikën e kundërshtisë, në krye të të kundërtave qëndronte materja si dhunë dhe fjala si ideologji dhe aspak ideja si dije apo morali si arbitër. Me një fjalë, simbolika jonë tokësore e mbijetesës, e materializuar në fillim me shpatën dhe më tej me kazmën dhe pushkën, këto hekura të nëntokës - atribute të trupit, qe në antitezë të plotë me amëshimin e shpirtit, të mishëruar në kryqin dhe librin, këto derivate të pemës së përjetshme.
.
Një arsye më shumë për t’ju rikthyer leximit, reflektimit, shkrimit ; në ndekje të atij filli të spërdredhur të urtësisë apo të marrisë njerëzore… shkurt, metafizikës.
.
.
. * * *
.
. I përballur që në ag të egzistencës së tij paleolitike me antinominë jetë-vdekje, njeriu e zgjidhi arbitrarisht dilemën duke « shpikur » varrin. Më tej, ai filloi ta mobilojë këtë varr me sende të përditshme (ushqime, armë, vegla deri edhe shoqërues frymorë) me idenë tashmë të formuar se « jeta e përtejme » do të ishte e ngjashme me atë tokësore, një përzgjatje e jetës reale. Një kohë më pas, ai u detyrua të pranojë se gjurma e vetme e kësaj simbolike mortore në kujtimin e të gjallëve paraqitej si një zhytje e pafund drejt harresës, drejt hiçit.
. Tashmë në epokën neolitike, duke u projektuar në një logjikë mistike parafetare që sugjeronte qenien e një varg forcash hyjnore që rregullonin egzistencën njerëzore, e vetmja zgjidhje « racionale » që paraqitej para njeriut ishte pikërisht ndarja fatlume e trupit nga shpirti. Një zgjidhje që bashkonte dëshirën e lumtur - rishfaqjen e shumëpritur të qenies së dashur, tashmë të përcjellë me ceremoni drejt banesës së fundit, dhe realitetin e trishtë – përmbajtjen e krimbur, të pluhurosur dhe minerale të varrit, konstat i përvojave të plaçkitjes së varreve dhe i kuriozitetit të sëmurë. Trupi, kjo mbështjellje materiale, e përkohshme - pra e vdekshme dhe e shkatërrueshme e qenies, mbyll rrugëtimin e tij tokësor në varr, ndërkohë që shpirti tashmë i çliruar nis një rrugëtim të ri, drejt horizontesh të reja – imagjinare dhe të imagjinuara.
. Megjithatë, edhe kjo zgjidhje e shpirtit fluturak paraqet disa vështirësi konceptuale, të vëna në pah nga pyetje krejt të natyrshme : cila është trajektorja e rrugëtimit të njeriut-shpirt ? ç’vend i rezervohet atij në jetën e përtejme ? Përgjigja mbetet komplekse dhe dhe thelbin e saj duhet ta kërkojmë mes elementëve të kulturës shpirtërore të qytetërimeve ose grup-qytetërimeve dhe nuk është e rastit që gjykimet të reflektojnë një botëpërfytyrim herë-herë linear, karakteristik i botës mesdhetare (Egjipt, Babilonë, Greqi apo Romë), herë-herë ciklik, tipik për Lindjen e Largët (Indi, Kinë apo Japoni).
.
. Ferri mitik.
.
. Djep kulturash dhe mitesh, Mesdheu, realitetin e tij të mesëm tokësor jo fort gazmor, që në lashtësi e ka plotësuar me dy ekstremet e boshtit kozmogonik : një « territor » përrallor i larë në dritë – pikërisht aty ku jetojnë forcat e larta dhe të plotfuqishme që qeverisin vetë jetën, Perënditë - parajsa ; si dhe një « territor » tjetër i errët dhe i frikshëm – aty ku kanë përfunduar perënditë e mallkuara, rrebele dhe të pamëshirshme - ferri. Më se e natyrshme që i pari të gjendet në pafundësitë e qiellit dhe i dyti në shpellat e thellësisë së tokës ! Cili është kriteri që përcakton ngjitjen në qiell apo zbritjen në greminë ? gjykimi i bëmave dhe i akteve të ish-të-gjallit nga zotërit fuqiplotë që arrijnë të ndajnë tufën në fatlumë dhe të dënuar – pesha e fajeve, e matur me kandarin shpirtpeshues. Aspekti më domethënës i imagjinatës mitike post-mortore është ndërthurja e saj me elementët e strukturës teogonike, karakteristikë thuaj e përbashkët e qytetërimeve të lashta të pellgut mesdhetar dhe të Lindjes së Afërme.
. Kështu, « bota e përtejme » e egjyptianëve është një imazh, i ngjashëm me vetë Egjiptin, refleks i pafundësisë të perëndive dhe e zoolatrisë të tij aq karakteristike. Ajo vjen si një rajon i pafund, i ndarë me mure dhe me porta, i rrethuar me këneta të përbaltura dhe i ndarë me lumenj dhe kanale – herë herë të zjarrtë. Shqetësimi më ndrydhës i egjiptianëve ishte pikërisht njohja e itinerarit që duhej zgjedhur si edhe përgjigjet e sakta që duheshin shqiptuar gjatë « provimit » përfundimtar. Ja përse sarkofaget e tyre përmbanin harta të vërteta si edhe tekste komplekse për të lehtësuar sadopak barrën e të vdekurve përpara turmës së gjykatësve fundorë (dyzet e dy të tillë), mes të cilëve shkëlqenin perënditë Osiris, Thot, Horus dhe Anubis. Ata që e meritonin shkonin me gëzim në mbretërinë e Osirisit, të tjerët që nuk ja dilnin mbanë këtij provimi ishin të dënuar me etje dhe uri të përjetshme në varret e pluhurosura, të detyruar të hanin mutin e tyre, të shqyer nga gjarpërinjtë e stërmëdhenj Apop dhe Sati.
. Elementët e ferrit asiro-babilonas shfaqen në epopenë sumere të Gilgameshit (mijëvjeçari i IIItë p.e.s) dhe « Zbritja e Ishtarit në ferr », heroit mbretëror të të cilës për t’i gjetur hyrjen ju desh të shkonte deri në kufirin e fundëm perëndimor, aty ku dielli shkon për të fjetur. Ky ferr paraqitet si imazh i përmbysur i vetë Babilonës : një qytet i tërë i nëndheshëm – Arallu – i mbrojtur nga shtatë mure dhe shtatë porta, i rrethuar nga ujrat e lumenjve. Sumerët dhe babilonasit e quanin « toka pa kthim » ose « shtëpia që kur hyn, askush nuk del ». Jeta e përtejme bazohet në ambivalencën mes gjumit dhe vdekjes, një egzistencë e zymtë, e lagësht dhe e mykur ; e materializuar në aftësinë e të vdekurve për t’u « zgjuar » dhe për të torturuar të gjallët. Ky ferr babilonas i nënshtrohet një logjike të pamëshirshme : të ndëshkuarit e vjetër formojnë rradhët e demonëve të pangopur, të ngarkuar me persekutimin e të porsaardhurve, të cilët nuk kanë merituar parajsën : vajzat e reja ende të virgjëra, nënat e vdekuar gjatë lindjes, të aksidentuarit apo të mbyturit, të vdekurit pa trashëgimtarë, të vdekurit e pavarr…
. Tek Hurritët aziatikë, e vetmja mënyrë për siguruar lidhjen mes botës të të gjallëve dhe asaj të të vdekurve dhe për të përmirësuar kushtet e « jetesës » të këtyre të fundit ishte kulti ndaj të vjetërve : gjakderdhja - flijimi i kafshëve apo i robërve për të marë me të mirë perënditë e ferrit. (BONNEFOY Y.(dir.) - Dictionnaire des mythologies, Paris, 1981).
. Helenët e vjetër, me sa duket, e trashëguan përfytyrimin asiro-babilonas të ferrit nga Hititët e Azisë së Vogël dhe e integruan në kozmogoninë e tyre karakteristike në formë boshti që lejon komunikimin mes niveleve të ndryshme të hapësirës së shenjtë tripërmasore (Parajsë, Tokë, Ferr). Një vizion artistik të kësaj hapësire na vjen prej Hesiodit (Teogonia). Sidoqoftë, ata kanë meritën e krijimit të një Panteoni të tërë perëndish si edhe të njehsimit për herë të parë të konceptit të ekstremeve (parajsë – ferr) në një strukturë hyjnore të kthyer kokëposhtë : një farë Olimpi të nëndheshëm, i drejtuar nga perëndi të mallkuara. Kështu, pas vdekjes dhe ndarjes nga trupi, të gjithë shpirtrat – psike përfundojnë në mbretërinë e Hadesit, ku presin të gjykohen, përpara se të njohin stacionin e tyre të fundit. Është Hades pra, nga gjinia hyjnore e vetë Zeusit, që mbretëron i plotfuqishëm, në një rajon që fillimisht sipas Homerit (Iliada) gjendet në perëndimin ekstrem – përtej lumit Oqean. Të tjerë helenë ja gjejnë vendin – gjithmonë nëntokë, herë-herë në stepat perëndimore (?!), herë-herë diku në fundin e botës së qytetëruar helene – në kepin Tenare, në jug të Peloponezit ose në Thesprotinë ilirike dhe të ilirizuar (Eric FOUACHE et al. - L'entrée des enfers de Thesprôtie : du mythe à la recherche d'une rationalité géomorphologique et historique, Université de Paris IV, Université de Lyon II, France).
. Pasi kalojnë portën e hyrjes, të ruajtur me xhelozi nga qeni trekokësh Cerber, të vdekurit pësojnë një seleksion fillestar : ata që s’janë varrosur sipas riteve duhet të presin një qind vjet në Ereb. Të tjerët përfundojnë menjëherë përpara një kolegji gjykatësish hyjnorë të përmortshëm Minos, Eaku dhe Radamanti të cilët gjykojnë në funksion të cilësive, të trimërive dhe të difekteve të sejcilit dhe orientojnë turmat sipas meritës. Më të lumturit përfundojnë në fushat Elizeane – një farë « parajse » e nëndheshme, ku të zgjedhurit gëzojnë një jetë të plotë dhe të këndshme, përpara rimishërimit të ardhshëm dhe ngritjes së tyre në hapësirën përtejhënore. Ata me më pak fat shkojnë në fushën e Asfodelit ku fantazmat e të vdekurve bëjnë një jetë të trishtë dhe të zymtë, duke mos arritur të fitojnë asnjë përmbajtje mishërore. Përfundimisht të pafatët përfundojnë njëherë e përgjithmonë në Tartar, i administruar nga Titanët, zona më e thellë dhe më e llahtarshme e ferrit, e parashikuar për kriminelët të ndëshkuar me vuajtje dhe tortura fizike dhe psikologjike. Me sa duket, kjo zonë është e pajetë dhe monotone me liqene të ngrirë, me pellgje squfuri dhe zifti të shkrirë, e rrethuar me lumenj të turbullt dhe me këneta që qelbura, thjesht për të penguar arratisjen e të dënuarve. Hadesi komunikon me sipërfaqen me anë të lumit Akeront (i vuajtjeve) – që rridhte diku në Çamërinë e sotme, një prej pesë lumenjve që rrethojnë banesën e fundit të perëndisë Hades : Stiksi (lumi i urrejtjes), Lete (lumi i harresës), Kociti (lumi i psherëtimave) dhe Flegjeton (lumi i zjarrtë).
. Etruskët italikë gjithashtu besonin në ndëshkimin post-vdekatar. Kujdesi jo i zakonshëm në përkushtimin ndaj të vdekurve reflekton konceptin e tyre të ferrit, i përfytyruar nën shembullin e Babilonasve si një vend torturash dhe dëshpërimi për manes (shpirtrat), fati i të cilëve mund të përmirësohej vetëm nëpërmjet flijimeve dhe gjakderdhjes. Pasardhësit romakë i adoptuan këto rite, bashkë me përfytyrimin etrusk të ferrit – Orcus ose Infernus – të cilëve ju shartuan mitet greke lidhur me Hades-in, zotin e atij vendi, që me atë rast ripagëzohet Pluton. Sipas tyre, hyrja në infernus gjendej diku në shpellat e liqenit Averne.
.
Në prag të lindjes së feve të mëdha monoteiste (judaismi, krishtërimi dhe islami), njeriu mitik mesdhetar ende heziton qoftë në raportet e ndërsjellta mes trupit dhe shpirtit, qoftë në karakterin e përkohshëm ose të përjetshëm të gjykimit dhe ndëshkimit hyjnor. I parritur, ndoshta i papjekur – ende i zhveshur nga ajo përmbajtje e mëvonshme morale që identifikon ferrin si vatra e të Keqes dhe parajsën si apoteozën e të Mirës - por gjithsesi epik, ai sidoqoftë guxon dhe sfidon vetë Perënditë që i imagjinon sipas shëmbëlltyrës së tij - heroikë.
. Nën shembullin e Odisesë, të Tezeut, të Periandrit, të Orfeut bile edhe të Herkulit, ai zbret pa qeder në ferr për të konsultuar të vdekurit, për të siguruar një provë të çmuar, për të çliruar një të ndëshkuar… deri edhe në kërkim të qënies së dashur, pasi sikundër vëren me të drejtë edhe Kadareja « … ferri ju ishte bërë familjar, diçka si qilari i shtëpisë së tyre ». (Ismail KADARE - Eschyle ou l'éternel perdant, Paris, 1988)
.
. (vijon) 

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur