"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Friday, June 4, 2010

Kriza sistemike… për ne, profanët.

.

. U bënë tashmë mbi dy vjet që po përjetoj krizën. Pata kështu rastin e rrallë të kqyr ciklin e plotë të një krize të kapitalizmit në të gjitha aspektet e saj : krizën e sektorit të pasurive të patundshme, që nga atdheu i saj Amerika preku Evropën mbarë dhe vuri në pah lojën e pështirë të subprime-ve, këto produkte derivate të helmëta të kuzhinës financiare ; krizën financiare, shembjen e stabilimenteve bankare si Lehmans Brothers si edhe tronditjen e thellë të një varg tempujsh të tjerë të financës së madhe për shkak të mungesës së besimit dhe të pares së lëngët për veprimet ndërmjet bankash ; krizën e bursave, indekset e të cilave morën tatëpjetën pikërisht për shkak të çrregullimeve të sistemit të pagesave dhe të kreditit ; krizën ekonomike, ngadalësimin e ritmeve të rritjes së ekonomisë në rang planetar – me pasojat tashmë të pashmangshme mbi të gjitha tregjet : të punës, të lëndëve të para dhe të prodhimeve…. Bile mund të them se kjo krizë më është bërë pjesë e pejzazhit të përditshëm ; një biçim konstante e pashmangshme që hyn në të gjitha muhabetet dhe debatet, si puna e shiut që bie me rradhë apo pa rradhë dhe që na kujton mungesën e bezdisshme të çadrës.
. Së fundi, pata fatin të përjetoj fazën fundore dhe më pasionante të saj : krizën e strukturave shtetërore për shkak të përkeqësimit të tejskajshëm të parametrave makroekonomikë – me rastin grek si shembull të spikatur. Bile ky rasti grek më risolli syve atë nënën e këngës që s’dinte ç’ti qante më parë atij Selmanit të saj : mashtrimin e tij fillestar me shifrat e borxhit publik, çoroditjen e sistemit të tij të pagave dhe të pensioneve, përuljen e tij para cinizmit të Evropës që përzgjat agoninë dhe që krahas serumit, i zgjat të sëmurit faturën, lebetitjen e tij për paundin e mishit dhe të gjakut helen që ai duhet t’i japë jahudisë Shilok për të paguar borxhin apo së fundi, buzën e varrit të hapur që pret të tjerë Selmanë…
. Të them të drejtën, pas të qarës më vjen edhe tundimi t’i ngazëllohem ndëshkimit. Atij ndëshkimi olimpian që rrufezon dhinë e zgjebosur - që edhe pse në grahmat e fundit, ëndërron t’i rrjepë lëkurën lepurit gjiton për t’u mbështjellë me të dhe mjekuar plagët e pashërueshme. Veçse s’kam harruar ende se edhe vetë Zeusi është helen dhe mjafton një dridhje sado e lehtë e dorës rrufetare për të shkrumbëzuar jo vetëm dhinë por edhe lepurin… Troç muhabetit, si kanë ardhur kohrat, duhet t’i druhemi jo vetëm Zeusit dhe dhuratës së grekut por edhe vetë këtij të fundit – edhe pse me të dyja këmbët në varr.
.
.
. * * *
.
. Për një kandid, profan ndaj çështjeve të ekonomisë dhe të politikës së madhe – ajo e shteteve, rruga është e përvijuar – bile e paracaktuar qysh në origjinë : gëlltitja pa përtypje e thënieve dhe analizave të të diturve. Por kandidllëku nuk është një sëmundje e pashërueshme : tashmë i rregjur nga një farë përvoje, dyshoj fort se këta të ditur – politikanë, ekonomistë, bankierë, analistë dhe të tjerë gazetarë, hanë të gjithë në një çanak dhe i falen të njejtës Perëndi. Mbetet pra profani, vërtet injorant por aspak idiot dhe si çdo profan, i huaj – në mos kundërshtar - i çdo shenjtërie apo idolatrie. E pra ky profan kurioz, nga momenti kur arrin të vërejë se mendimi strukturohet rreth të njejtave stereotipe dhe gjuha jehon e zbrazët, me thekse hipokrite bën vaki edhe të revoltohet, përpara se të fillojë dhe të lexojë për hesap të vet - dhe të reflektojë, gjithmonë në hesap të vet. A ja arrin gjithmonë qëllimit ? Ndoshta, nëse të tjerët që do ta gjykojnë do të tregohen zemërgjerë  dhe s'do ta zenë me gurë !
. Le të marrim si shembull pikërisht këtë krizën helene dhe nëpërmjet saj, të mundohemi të deshifrojmë skemën evropiane nëpërmjet disa postulateve tashmë të vërtetuara :
.
. 1. Fajin e ka vetë Greqia, pasi ajo mashtroi Evropën për të fshehur borxhin e saj publik « frikshëm »
.
. Pa asnjë dyshim Greqia falsifikoi rregjistrat e saj për të hyrë në Evropën e evrosë, duke fshehur gjendjen e vajtueshme të financave të saj publike. Por ndërkohë, ne kemi harruar që të tilla akrobacira financiare u bënë në vitin 2001 me fajësinë e bankës fort të nderuar Goldman Sachs, nëpërmjet operacioneve swaps të devizave dhe të produkteve të tjera derivate, gjë e cila i lejoi qeverisë të asokohe greke të « kursente » mbi 2 miliardë evro mbi borxhin e saj publik.
. Po a është Greqia e vetme në këtë rrugë gjynahqare të mashtrimit ? Absolutisht jo, pasi Evropa mbarë mashtron ! Në vitin 1996, Italia berluskoniane përdori mekanizmin e swap-eve të bankës J.P. Morgan, pikërisht për të reduktuar borxhin e saj publik ; në vitin 2000, Franca nxorri në treg bono të huasë publike dhe shtyu pagesat e interesave në fund të vitit 2014 – pikërisht për të « kuadruar » (lexo : fshehur) borxhin e saj publik ; në vitin 2004, Goldman Sachs dhe Deutche Bank ngritën në këmbë një stratagjemë financiare për Gjermaninë – të ashtuquajturën « Aries Vermoegensverwaltungs » - qëllimi i vetëm i të cilës ishte shvendosja e shumave të huazuara me përqindje interesi disa pikë mbi ato të tregut në llogari anekse, pikërisht që borxhi publik të paraqitej brenda kufijve të pranueshëm nga Evropa…
. Përse borxhi publik grek konsiderohet « i frikshëm », në nivelin 115% të Prodhimit të Brendshëm Brut (PBB) kur ai japonez me 200% nuk i bën frikë askujt? Ndoshta, për shkak se Greqia bën pjesë në Evropë dhe në këtë pjesë të sistemit kapitalist botëror, llogaritë publike janë një element fort i ndjeshëm i ekuilibrit ekonomik... Përse atëhere, borxhi publik i Estonisë (140% i PBB), i Hungarisë (160%) apo i Rumanisë (155%) nuk frikësojnë thuaj askënd, ndërkohë që borxhi publik i Islandës, i vlerësuar me 925% të PBB, as që përmendet si faktor frike ? Ndoshta, pasi Estonia, Hungaria apo Rumania nuk bëjnë pjesë në zonën euro ndërkohë që Islanda nuk bën pjesë në Evropën e Bashkuar… Përse më tej, Greqia u vu në qendër të spekullimit financiar duke u shëndrruar në makthin e Evropës ndërkohë që Italia borxhet publike të të cilës vlerësohen me 116% të PBB, nuk alarmon ende tregjet ? Ndoshta, pasi shteti grek e ka humbur kredibilitetin ekonomik pikërisht për shkak të kombinimit të një borxhi publik të stërmadh me deficitin publik prej 12.7% të PBB… Përse së fundi, Irlanda nuk e ka humbur këtë të famshëm kredibilitet kur borxhi i saj i avitet shifrës 100% të PBB ndërkohë që deficiti gjendet gjithashtu në nivelin 12% ? Ndoshta, pasi….
. Si shumë ndoshta po bëhen, ndërkohë që logjika fillon dhe humb pedalet. Po a ka logjikë ekonomike në këtë Evropë të Bashkuar që zgjohet befas e alarmuar një mëngjez të bukur nga deficiti permanent i Greqisë ndërkohë që gjatë gjithë kohës ka mbyllur sytë përpara blerjeve të saj të pafund të armëve, të shpenzimeve pa hesap për Lojrat Olimpike të Athinës në vitin 2004, të kostos të papërballueshme të shpenzimeve të shtetit për rrogat dhe pensionet etj.. etj… ?
. E vetmja logjikë që qëndron në këmbë në këtë rast është ajo e interesave gjeostrategjike dhe politike evropiane që pak ka të bëjë me konsideratat ekonomike – në formën e solidaritetit mes ekonomive të bashkërenduara. Nuk është rastësi fakti që avokatët më të mirë për pranimin e Greqisë në gjirin e Evropës së evrosë në vitin 2001 ishin pikërisht Franca – furnizuesi kryesor (bashkë me Gjermaninë) i armëve të këtij vendi, dhe Gjermania – kreditori kryesor (bashkë me Francën) i ekonomisë greke, bankat e të cilave zotërojnë mbi 80% të borxhit grek. Me fjalë të tjera, Evropa e Bashkuar është një grupim i natyrës politiko-ekonomik, i krijuar si domosdoshmëri për t’ju përgjigjur një realiteti shqetësues të shekullit të XX – egzistencës së rrezikut të një përplasjeje madhore mes dy superfuqive të epokës dhe konkurrencës së dy sistemeve ekonomike kundërshtuese, përpos nevojës së prekshme të ballancimit të tregjeve në gjirin e vetë sistemit kapitalist mbizotërues. Në këtë optikë, forca e asaj Evrope matej me efektin e përmasës së saj gjeografike dhe fuqia e saj përcaktohej nga shuma e thjeshtë e peshave specifike të vendeve antare, ndërkohë që interesi i saj imediat shtynte drejt krijimit të një hapësire ekonomike të përbashkët, të një tregu të përbashkët, të një monedhe të përbashkët – në situatën kur shuma e flukseve të shkëmbimeve mes saj dhe botës ishte me kahje pozitive, e kushtëzuar nga niveli teknologjik, nga shkalla e investimit intelektual, nga marrëdhëniet e saj të privilegjuara me masën e vendeve të pazhvilluara ose në në zhvillim, rrjedhojë e të kaluarës koloniale.
. Veçse sot, ky realitet nuk egziston më. Në më pak se dy dekada, faqja e botës është shëndrruar thuaj krejtësisht dhe globalizimi i ekonomisë dhe i tregjeve - tashmë të njehsuar nga pikpamja e marëdhënieve ekonomike, ka përmbysur kryekëput raportet e vjetra. Në këto kushte, Evropa - edhe pse e bashkuar, nuk arrin të çojë peshë nga pikpamja ekonomike dhe të imponohet si forcë ligjvënëse botërore. Një varg ekonomish emergjente dhe agresive - Kina, India, Koreja, Indonezia dhe të tjerë Brazilë - kanë dalë në skenë ; të nxitura nga gradientë të brendshëm pozitivë prodhues dhe teknologjikë, të mbështetura nga mekanizma të favorshëm pagash dhe force puntore, të frymëzuara nga raporte interesante monetare, ato kanë tronditur thellësisht ekulibrin e vjetër të qarkullimit të mallrave dhe të lëndëve të para, të akumulimit të kapitaleve, të shpërndarjes së punës dhe të vlerave të dikurshme.
. Përfundimisht, Greqia posepo « mashtroi » Evropën por në rradhë të parë, Evropa ka mashtruar vetvehten duke kërkuar të bëjë stan me lepuj dhe me dhi të zgjebosura. Dhe u desh pikërisht kjo kriza e fundit sistemike për të vëzhguar paradoksin e vërtetë që ngërthen realitetin e sotëm evropian :
.
. Evropa është gabuar rëndë duke konsideruar si përjetësisht të qëndrueshëm sistemin e saj egzistues të financave publike, të bankave dhe të rishpërndarjes së pasurisë – thjesht, të mirëqënies së saj legjendare, të mbështetur kryekëput mbi borxhet dhe kredinë.
.
. 2. Greqia është në prag të falimentimit, sikundër dhe të tjera vende të zonës euro, dhe në këtë rast, Bashkimit Evropian s’i mbetet rrugë tjetër veçse ta verë nën tutelë dhe t’i huazojë shuma të tjera.
.
. Kush është ajo fuqi hyjnore që vendos nëse një shtet është apo jo në prag të falimentimit ? Me sa duket, të ashtuquajturat Agjensi të vlerësimit - nja dy a tre organizma private të ekspertizës financiare të cilat, nëpërmjet një sistemi germash dhe shenjash barbare për profanët (AAA+, AAA-, ABB+ etj..), arrijnë të vlerësojnë pikërisht kredibilitetin dhe qëndrueshmërinë e një shteti apo institucioni financiar për të shlyer angazhimet e ndërmara. Pikërisht ato që tre ditë përpara falimentimit të bankës Lehman Brodhers, i akorduan kësaj të fundit një A të trefishtë, të dekoruar me një kryq !
. Për hir të një rastësie fatlume, këto agjensi gravitojnë rreth gjigandëve bankarë si Goldman Sachs sikundër edhe hëna vërtitet rreth tokës dhe po ashtu si hëna gjatë eklipsit, i errësojnë dritën herë një vendi herë një vendi tjetër. Në këtë terr, gjithmonë si rastësisht, qeveritarëve të çoroditur ju shfaqet spektri i fajdexhiut Sachs, që si edhe të tjera zhgaba hedge funds sillet rrotull kërmës – i gatshëm për t’ju dhënë kredi të reja disa dhjetra miliardëshe me 8.5% interes, ose dy herë më tepër në krahasim me të tjerë nevojtarë më fisnikë. Ja pra edhe paradoksi tjetër, i vënë në pah nga kriza :
.
. për t’i dhënë fund krizës financiare që trondiste bursat dhe shembte bankat, shteti zbrazi qesen, thau financat, bile hyri në borxh (!!) për t’ju përzgjatur egzistencën ; për hir të këtij borxhi, tashmë të pafund – pra të pakontrollueshëm, po këto banka dhe fonde financiare ndërkombëtare e shpallin shtetin si të falimentuar dhe i ofrojnë borxhe të reja për të paguar thjesht këstet e borxhit, ndërkohë që e kushtëzojnë dhënien e tij me ndërmarrjen e kursimeve dhe masave të reduktimit të shpenzimeve publike.
.
. Me fjalë të tjera, parja asnjëherë nuk ka munguar – bile edhe në kulmin e krizës, veçse ajo nuk gjendet aty ku duhet dhe sipas dozës, ajo mund të jetë ilaç ose helm ! Ndoshta gabohem rëndë kur shprehem – por fundja një profani si puna ime edhe i falet – se kemi të bëjmë me një spekullim të stërmadh, pre e të cilit tashmë nuk janë më individët e çoroditur apo aksionarët naivë por vetë shtetet. Dikush nga e majta e sallës, në vend të shteteve do të kish thënë masat e gjera punonjëse, të cilave ju kërkohet të bëjnë sakrifica të rënda dhe afatgjata në rrogë, në fuqinë e tyre blerëse dhe në standardin e tyre të jetesës. Besa, ai i të majtës ka të drejtë përderisa këto masa punonjëse do të sakrifikojnë deri edhe këmishën e trupit jo për të mbajtur në këmbë shtetin e tyre të krimbur në borxhe, por që ky i fundit të mund të tregohet i besueshëm ndaj bankave dhe kreditorëve të tjerë institucionalë, me qëllim që ata t’i akordojnë të tjera borxhe. Pasi ajo çka quhet « kriza greke » është në të vërtetë kriza e borxhit publik grek ndaj bankave (43% të shumave), ndaj fondeve mutuale (22%) dhe fondeve të pensioneve (15%). Sa për vetë borxhin prej 300 miliardë euro (30.000 euro për kokë greku, pensionist vorioepirot apo foshnjë në bark të nënës qoftë), as që bëhet fjalë. Le ta paguajë kush të mundet, vetëm unë jo !
. Përse pikërisht është Greqia që u kumbis e para në këtë grackë spekulluese ? Pasi ajo është rrota e fundit e karrocës, dominoja e parë e një vargu të gjatë evropian, rënia e të cilës ve në rrezik gjithë zonën ekonomike kontinentale ; pasi, më tej, qëllimi final i këtij spekullimi është vetë monedha unike, në mos egzistenca vetë e këtij Bashkimi ekonomik.
. Si e mendon kjo Evropë zgjidhjen e krizës greke të borxheve ? Duke i dhënë Greqisë një borxh të ri prej 110 miliard eurosh gjatë tre vjetëve të ardhshme. Për besë, kjo metodë e rregjur evropiane për të paguar interesat e borxhit nëpërmjet marjes së borxheve të reja, më kujton baronin Munchausen i cili shpresonte të fluturonte në ajër duke tërhequr fort lidhëset e këpucëve, përpara se të kalëronte gjylen dhe të përplasej bashkë me të pas murit ! Kaq budallaqe të ketë katandisur Evropa ? Së pari, i duhet vënë emri i vërtetë – shejtan budalla, pasi ndërkohë që ajo i huan Greqisë 110 miliard euro me shkallë interesi prej 5%, ajo e ka marë këtë shumë pikërisht pranë bankave të veta me 2.8%. I vdekur që i vdekur greku, le të paguajë edhe autobuzin për krushqit dhe vajtojcat !
. Së dyti, etiketa Evropë mbulon në të vërtetë politikën - qoftë ajo ekonomike, bile edhe e papërgjegjshme – të një bande burrash dhe grash që piqen hera-herës në Bruksel apo në Strasburg, të cilët sot janë nesër jo, dhe që mundohen t’ja ngecin bixhin atyre që do të vinë pas, në mos të ëndërrojnë mes dy drekash një luftë të ardhshme që të fshijë të gjitha borxhet – bile edhe evropianët me atë rast. Në këto raste jemi mësuar të themi : mjerë ai që vdes, pasi të gjallët bëjnë si bëjnë dhe harrojnë ! Veçse me sa duken bathët, tashmë do të na duhet të ndrrojmë kahjen : mjerë i gjalli që do të paguajë faturën e borxhit, pasi të vdekurit s’ja kujton dot kush ! E shoh nga larg atë mëngjëroshin e sallës që ngrihet më këmbë : pse jo, një revolucion si ai i Leninit në vitin 1918, që me një dekret fshiu borxhet dhe interesat e borxheve për jetë të jetëve.
.
. 3. Greqia duhet të përpilojë një plan urgjent kursimesh dhe shkurtimesh të shpenzimeve strukturore për të reduktuar borxhin publik.
.
. Ata të diturit tanë të fillimit, janë të mendimit se sot janë tregjet që udhëheqin botën. Ndryshe, bursat janë barometri i ekonomisë – tregues i krizës. Le të ndjekim pra këtë tregues nëpërmjet shtypit francez të muajve të fundit që komenton krizën greke dhe atë evropiane :
.
. Në fillim, atmosfera duket e paqme (Le Figaro, 13.04) – Tregjet e siguruara nga plani i ndihmës për Greqinë. Por shumë shpejt, puna fillon dhe ndërlikohet (Le Figaro, 27.04) – Angela Merkel ve kushte, tregjet shqetësohen. E pra, mjafton që dy Agjensi të vlerësimit të degradojnë borxhin grek dhe atë portugez që retë e zeza të nxijne qiellin (Le Figaro, 30.04) – Greqi, Portugali : panik i vërtetë në zonën euro. Ndërkohë, Evropa shpall planin e saj historik të shpëtimit prej 110 miliardësh dhe hop (Le Figaro, 30.04) – Ndihma për Greqinë e rishikuar në ngritje, tregjet hypin. Greqia është tashmë nën mbikqyrje të lartë : zjarrfiksit evropianë i imponojnë një kurë dobësimi. Por me sa duket, kjo gjë nuk është e mjaftueshme (Le Figaro, 04.05) – Tregjet mbeten skeptikë përballë përmasave të sakrificës që i kërkohet Athinës. Dhe paniku përhapet si zjarr i keq (Les Echos, 05.05) – Pas Greqisë, tashmë është Spanja që fundos tregjet. Tre të vrarë në Athinë gjatë një përleshjeje të manifestuesve anti-masa-kursyese-të-qeverisë me forcat e rendit dhe menjëherë, një valë tjetër çmendurie e tregjeve (Libération, 06.05) – Evropa humb busullën, tregjet në panik. Të gjithë bursat bien në pikiatë. Delir komplet (Le Parisien, 08.05) – Panik në Evropë. I vjen rradha elektroshokut ! I sëmuri u shërua, veçse u deshën 750 miliard euro (La Tribune, 11.05) – Plan historik. Tregjet euforike. Por me sa duket, këto të uruara tregje janë krejtësisht paranojake. Me t’u siguruar rreptësia që ju mungonte, kjo rreptësi fillon dhe i shqetëson (Le Monde, 12.05) – Aplikimi i rreptësisë financiare rrezikon të komprometojë daljen nga kriza. Mama, kam frikë… gogoli po vjen (Le Monde, 16.05) – Kriza e borxheve dhe dyshimet mbi të ardhmen e euros panikojnë tregjet. Tashmë është evroja që shkakton nevrasteni (Le Parisien, 18.05) – Rënia e euros vazhdon të çrregullojë tregjet.
. Në këtë pikë të historisë mund të pranojmë fare mirë që tregjet kanë probleme mendore, por sado ciklothimike që të duken, diku-diku ato kanë të drejtë, pasi :
.
. çdo plan i rreptë kursimesh të financave publike dhe shkurtimesh të shpenzimeve strukturore me qëllim reduktimin e borxhit publik, përkthehet në gjuhën e thjeshtë me zvogëlim të rrogave dhe të pensioneve, me rritjen e VAT-it, me zvogëlim të fondeve për shëndetin dhe për pagesat sociale, me rritjen e taksave. Troç, me zvogëlimin e fuqisë blerëse të popullatës ; gjë e cila pasqyrohet menjëherë në rrudhjen e rritjes ekonomike, pra automatikisht, në më pak të ardhura për arkën e shtetit, në më pak mundësi praktikë të këtij shteti për të paguar borxhet.
.
. Sikundër thotë edhe ajo fjala popullore : duhet zgjedhur mes tifos – falimentimit financiar – dhe kolerës – përmbysjes ekonomike. Grekët tanë – si trima mitikë dhe ballkanikë që janë – pritet të përveshin llërët për të aplikuar strategjinë e motrave Danaide. E thënë ndryshe, qeveria e Papandreut i fton t’u sulen kovave për të mbushur butin që i mungon fundi ! Në se i kapllon lodhja, i ftojmë të ulen në hije me një gotë uzo të ftohtë përpara, dy ullinj dhe një thelb hudhër… dhuratë e vobegtë e krizës ! Paçka se do t’ju mungojë rrëkeja me ujë të akullt – aq e dashur për elbasanllinjtë tanë të Kalasë, për të ftohur këmbët dhe për të rrëkëllirë alkolin. Më vijnë vetvetiu ndër mend elbasanllinjtë, ndoshta për shkak të dembellëkut të tyre legjendar dhe po aq vetvetiu më kujtohet Sudja – gjithashtu legjendare. Pasi, edhe pse grek safi, ky Papandreu është po aq i specializuar sa edhe jevga në piramidat financiare, përderisa aplikon të njejtën formulë : zhvati paret të dytit për të paguar të parin, mbathja këmbëve përpara se të të zerë turma…
.
.
. * * *
.
. Prej kohësh e kemi ditur që kapitalizmi – ky sistem ekonomiko-financiaro-politik mbarëbotëror, është i barsur me krizën. Në këtë pikë, ai i ngjan asaj nuses së re, shtati i të cilës lulëzon me lindjen e fëmijës së parë – dhe rrënohet përfundimisht pas lindjes së dhjetë apo të dymbëdhjetë, i cfilitur nga barra. Të gjithë politikanët e dynjasë që halli i shëndrroi në doktorë - përpos atyre mjekëve që rastësia i shëndrroi në politikanë – janë në gjendje të dëshmojnë se një e tillë « sëmundje » sistemike mund të trajtohet veçse me një terapi sistemike. Një mënyrë savante – shkencore – për të thënë se mënyra më e mirë për të shpëtuar të sëmurin që po heq shpirt është… rivenia mbi baza të shëndosha të rregjistrave kontabël të spitalit.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur