"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Friday, June 25, 2010

Fundi i palavdishëm i monarkisë zogolljane (2).


.
. Nuk e tepërojmë aspak në pjesën e parë të këtij shkrimi duke përdorur fjalën « treg » pasi në këtë fundlufte, mes Fuqive të Mëdha po zhvillohej një treg, për të mos thënë një pazar. Qëkur u bë e qartë se fundi i Rajhut të IIItë tashmë ish i pashmangshëm, vëmendja e protagonistëve të koalicionit antifashist u drejtua krejt natyrshëm drejt rendit të ri evropian. Duke parashikuar raportin e ri të forcave që po shfaqej prapa Aleatëve fitimtarë, sejcila nga Fuqitë e Mëdha ish dhënë me mish e me shpirt në përllogaritjet e saja prej bakalli, siç ndodhi për shembull në Moskë, mes 9 dhe 12 tetorit të vitit 1944.
. Gjatë këtyre ditëve të shënuara, Çurçilli dhe Stalini, të shoqëruar nga ministrat respektivë të Punëve të Jashtme « vendosën » të legalizonin ndarjen e zonave të tyre të influencës mbi vendet ballkanike : 90% ndikim anglez përkundrejt 10% ndikimi rus në Greqi, « fifti-fifti » në Jugosllavi apo edhe në Hungari, pa folur për Bullgarinë (ku 75% ju la rusëve ndaj 25% për të gjithë të tjerët) dhe ende më pak për Rumaninë (90% për rusët kundrejt vetëm 10% për të tjerët). Meqënëse Shqipëria nuk përmendet gjëkundi në këtë listë të famshme « të marrëveshjes » – sado e çuditshme që kjo gjë mund të duket – dy hipoteza mund të hidhen :
. primo, ose këta burra shteti thjesht nuk kishin idenë se egziston një Shqipëri në Ballkan ;
 . secundo, ose për shkak të zhvillimeve rajonale dhe në dobi të politikave të tyre, ata s’patën nevojë të theksonin ndarjen e interesave të tyre në këtë vend pasi, paraprakisht dhe de facto, fati i tij ishte lidhur ndërkohë me atë të ndonjë fqinji, për shembull, të Jugosllavisë.
. Një analizë e thjeshtë e të dhënave – deklaratat zyrtare të Aleatëve që prej vitit 1942 dhe qëndrimi i tyre ndaj ish-Monarkut Zog ; të gjendurit në terrenin shqiptar të një numri jo të vogël misionesh ushtarake - angleze në rradhë të parë ; të gjendurit e një misioni ushtaral të UNÇ pranë Shtabit të Përgjithshëm të forcave aleate në Bari apo edhe të burimeve të tjera të dokumentuara - ve në dukje brishtësinë e hipotezës së parë e cila mezi e justifikon vetvehten. Mjafton të themi se ky « pazar » u bë mbi një numur fare të kufizuar vendesh ; mjafton gjithashtu të lexojmë dorëshkrimet e ministrit të Jashtëm britanik Ser Antoni Iden, të redaktuara përpara takimit të Moskës. Iden kujtohet që të ketë diskutuar me Çurçillin lidhur me Shqipërinë dhe Mbretin Zog jo më vonë se sa natën përpara bisedimeve të famshme. (Extracts from pencilled diary kept by Anthony Eden Oct 9-12, 1944 on his visit to Moscow. Lord Avon papers, University of Birmingham, file AP.20/3/09.
.
.
. Në të kundërt, hipoteza e dytë është mjaft këmbëngulëse, qoftë nën dritën e punës përgatitore të kryer nga Tito - me anën e përfaqsuesve të tij pranë PKSH që përpiqeshin me ngulm që Shqipëria të bëjë pjesë në strukturën jugosllave të pasluftës, qoftë edhe me rastet e patura nga Mareshalli për të zhvilluar pikpamjet e tij përpara protagonistëve të takimit të Moskës. Kështu Tito kish parë Çurçillin në Napoli, më 12 gusht 1944, dhe të dy burrat e shtetit kishin folur mbi të ardhmen e Ballkanit, jo thjesht simbolikisht. Muajin tjetër Tito fluturoi në Moskë dhe debatoi me Stalinin, në 22 shtator të vitit 1944 – vetëm dy javë përpara takimit të lartpërmendur mes këti të fundit dhe Çurçillit. Përveç faktit që ai mundi të fliste për herë të parë si i barabartë me të zotin e shtëpisë – sikundër shprehen biografët e tij, shqetësimi i Mareshallit ishte që të linte një përshtypje sa më të madhe lidhur me peshën e tij në planin ballkanik dhe të sigurohej mbi mbështetjen sovjetike që deri atëhere ndahej mes lëvizjes partizane dhe asaj çetnike mbretërore.
.
. Përfundimisht, duke « braktisur » Zogun dhe qeverinë e vet në mërgim në kryeqytetin e tyre Londër dhe duke nxituar të hynin në marrëdhënie zyrtare me zotërit e rinj të Tiranës, të dërguarit e Mbretëreshës i dhanë goditjen përfundimtare monarkisë shqiptare. Një fat aspak i lakmuar, bile dhe i pamerituar – duke e krahasuar me atë të sivëllezërve të tjerë ballkanikë. Kështu për shembull, me ndërmjetësinë e tê njejtëve anglezë, në nëntor 1944, kryetari i qeverisë mbretërore jugosllave në mërgim Ivan Subashiq u takua me Titon dhe arritën të bien dakord të krijojnë një Këshill Regjence që duhej të organizonte një plebishit kombëtar lidhur me të ardhmen e Mbretërisë dhe rikthimin e Mbretit Pjetër II i Jugosllavisë. Jo më vonë se në mars 1945, qeveria e parë jugosllave e dalë nga lufta përmbante në gjirin e saj tre ministra, të caktuar nga Mbreti. Përse kjo diferencë angleze në trajtimin e monarkëve ballkanikë ? Ndoshta, për hir të faktit se ky Pjetër II, që në verën e vitit 1944 u kish bërë thirrje nga Londra me radio të gjithë besnikëve të tij të bashkoheshin me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare jugosllave dhe të njihnin Titon si kryekomandant të të gjitha forcave të rezistencës...
. Duke ju rikthyer Shqipërisë së paslufte, gjatë muajve të parë të vitit 1945, misioni i dikurshëm ushtarak anglez rriti personelin e tij dhe u shëndrrua në një përfaqësi civile, i ndjekur hap pas hapi nga një mision amerikan me një personnel më të kufizuar. Zyrtarisht dhe sipas dëshirës së palës pritëse, këto misione duhej të përgatisnin terrenin për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me qeverinë e re të Tiranës. Sipas shembullit të sovjetikëve, të cilët e kishin kaluar këtë fazë qysh në nëntor të vitit 1945, apo edhe të francezëve që njohën qeverinë e Hoxhës një muaj më pas, në dhjetor, anglezët dhe amerikanët vendosën të bëjnë të njejën gjë, të paktën në letër. Sidoqoftë, marrëdhëniet e pushtetit komunist me këto dy demokraci të mëdha mbetën në një nivel shumë të ulët pasi, ndërkohë që anglezët kërkonin një seri garancish demokratike, Amerikanët ngulmonin mbi vlefshmërinë e « traktateve dhe marrëveshjeve të nënshkruara mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë që para lufte dhe deri në prill të vitit 1939 » - pa harruar se në qershor të vitit 1946, qarqet panhelene të Shteteve të Bashkuara mundën të kalonin një rezolutë në Senatin amerikan – e njohur me emrin Rezoluta Pajpër – që theksonte përkatësinë e Epirit të Veriut në shtetin Grek. Sebep apo arsye e thellë, ky qëndrim « i papërgjegjshëm » i amerikanëve u vlerësua shumë ashpër nga qeveria e Hoxhës dhe ndikoi jo pak në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
. Marrëdhëniet me aleatët perëndimorë morën një goditje të mëtejshme me refuzimin nga ana e Londrës të kërkesës së autoriteteve komuniste lidhur me dëbimin nga territori italjan të « kriminelëve të luftës » shqiptarë dhe dorëzimit të tyre drejtësisë komuniste. Bëhej fjalë për disa qindra apo mijra ish-luftëtarë, politikanë apo ikanakë ballistë dhe zogistë që kishin braktisur vendin gjatë ditëve të fundit të luftës, të mbledhur nga anijet luftarake angleze në Adriatik dhe të strehuar në kampe. Ndërkohë, fakt kurioz, të njejtët anglezë nuk ngurruan aspak t’i rikthenin rregjimit të Titos në maj 1945 një turmë të tërë ustashësh kroatë, rojesh kombëtar sllovene dhe çetnikësh serbë bashkë me familjet e tyre – rreth 50.000 vetë ; ikanakë që zgjodhën t’u dorëzoheshin forcave aleate në Bleiburg, në kufirin austriako-slloven, dhe që përfunduan të gjithë tä masakruar, në gropa të përbashkëta.
. Tensioni u rrit një shkallë më tepër pasi si kundërpërgjigje, regjimi komunist hodhi poshtë kërkesën britanike dhe amerikane për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve për deputetë në Asamblenë popullore, në dhjetor të vitit 1945. Si për të nënvizuar vullnetin e saj, qeveria e Tiranës kufizoi lëvizjen e personelit të tyre diplomatik në brendësi të vendit.
. Preteksti ishte i mjaft i gjetur pasi, varianti zyrtar i autoriteteve shqiptare përmendte ndërhyrjen e anglezëve dhe të amerikanëve në punët e brendshme të vendit si dhe implikimin e shërbimeve të huaja në përgatitjen e një kryengritjeje antikomuniste në Veri. Në fakt, komunistët kishin hasur në një rezistencë mjaft të ashpër në zonat e Mirditës apo rreth Shkodrës ku vepronin një numur çetash apo bandash, streha e fundit e një numri ballistësh apo zogistësh të vendosur deri në pikën e fundit të gjakut. Në janar të vitit 1945, këto grupe luftëtarësh kishin sulmuar dhe pushtuar apo çliruar – varet nga bindjet politike të vëzhguesit – lokalitetin e Koplikut ndërkohë që disa muaj më pas, në shtator, një turmë prej 400 burrash të armatosur kishte mundur të hynte bile edhe në Shkodër.
. Të acaruar nga vendimi i fundit i qeverisë së Enver Hoxhës që ju ndalonte ushtarakëve britanikë të administronin shpërndarjen e ndihmës humanitare të UNRRA-s, në prill të vitit 1946, anglezët shpallën se tërhiqnin misionin diplomatik. Një veprim i njejtë u ndërmorr edhe nga amerikanët, të cilët larguan njerëzit e tyre në nëntor. Tirana kundërveproi menjëherë dhe denoncoi aktivitetin e spiunazhit dhe sabotimin e « grupit të Maliqit ». Sipas autoriteteve shqiptare, një grup inxhinierësh dhe specialistësh të formuar nga shkolla teknike amerikane kishin sabotuar punimet e tharjes së kënetës së Maliqit, duke ju bindur urdhrave të padronëve të tyre perëndimorë. « Sabotatorët » e Maliqit u gjykuan dhe u dënuan me vdekje për aktivitet armiqësor, megjithë mungesën e provave të vërteta apo të vërtetuara mbi këtë aktivitet apo edhe mbi një ndërhyrje çfarëdo amerikane, pa minimizuar faktin tjetër se vetë ideja e « sabotimit » në kanalin e Maliqit nuk mund t’i rezistonte asnjë logjike të shëndoshë : një kanal i thjeshtë prej disa qindra metrash që lidhte kënetën e dikurshme me lumin e Devollit, i gërmuar me forcën e krahut – kryesisht nga tregëtarët e shpronësuar dhe intelektualët e dënuar me punë të detyruar.
. Megjithatë, përtej natyrës krejt tendencioze të akuzave dhe dënimit me karakter thjesht politik, gjithçka lejon të mendohet se ish-drejtori i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë, Hari T. Fullc, i cili gjatë luftës drejtonte aktivitetin e shërbimit të zbulimit amerikan në Shqipëri dhe në periudhën e pasluftës ishte antar i misionit diplomatik amerikan, nuk ishte kufizuar vetëm në rolin e vet pedagogjik para lufte. Sikundër dhe njihet botërisht që Kryqi i Kuq Junior i Shteteve të Bashkuara, ajo organizata paraqeveritare që ka themeluar dhe drejtuar Shkollën Teknike në Tiranë që prej vitit 1921, ka qenë dhe mbetet një nga ato mbulimet zyrtare nën të cilat punon CIA në një numur të madh vendesh të botës.
.
. Përgjigja anglo-amerikane ndaj « kokëfortësisë së paturpshme » të rregjimit komunist të Tiranës nuk vonoi dhe gjeti shprehjen e saj më të përkryer në planin ndërkombëtar. Me propozimin e këtyre antarëve themelues të Konferencës së San Franciskos, kërkesa shqiptare për t’u pranuar në OKB u hodh poshtë. Çështja e pjesëmarrjes shqiptare në përgatitjen e traktateve të paqes me Italinë dhe Gjermaninë u paraqit po aq e ndërlikuar. Enver Hoxha, i shtrënguar nga uniforma e tij e re e gjeneral-kolonelit, përfitoi nga rasti i dhënë nga Konferenca e Paqes, e mbajtur në Paris nga 29 korriku deri më 15 tetor të vitit 1946, për të përshkruar një tabllo të përpjekjeve të vendit të tij gjatë luftës nacional – çlirimtare, kundër fashistëve italjanë dhe nazistëve gjermanë. Me të drejtën që i jepte roli i tij prej fitimtari, ai kërkoi të bashkëngjiste Shqipërinë me koalicionin antifashist dhe kërkoi shpërblim për dëmet e pësuara dhe së fundi - për të kundërshtuar ndikimin grek mbi Konferencën, ai paralajmëroi të pranishmit për vullnetin e popullit të tij për të ruajtur integritetin territorial të vendit. Idetë themelore që përshkonin fjalimin e Hoxhës ishin siguria në mbrojtjen jugosllave si edhe shqetësimi i tij lidhur me sjelljen e vendeve perëndimore. Megjithë thirrjet drithëruese të Hoxhës, Konferenca nuk mori parasysh asnjë nga kërkesat e shtruara nga shqiptarët. U desh të pritej përpilimi përfundimtar i Traktatit të paqes me Italinë në vitin 1947, për të mësuar se asaj i ishte njohur e drejta e një dëmshpërblimi qesharak prej 5 million dollarësh për dëmet e luftës. Sidoqoftë, sipas klauzolave të këtij Traktati, Italia hiqte dorë nga të gjitha koncesionet e vjetra, nga të gjitha pasuritë dhe të drejtat që ajo gëzonte në Shqipëri që përpara lufte. Ajo njihte njëkohësisht sovranitetin e Shqipërisë mbi ishullin e Sazanit, në hyrje të gjirit të Vlorës.
. Një incident i rëndë ndodhi në vitin 1946, midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, ndërkohë që kjo e fundit ishte shprehur në favor të vendosjes së juridiksionit të saj mbi kanalin e Korfuzit, këtë parcelë ujore që ndan tokën nga ishulli grek me të njejtin emër. Britania e Madhe nxitoi të çonte në vend disa anije lufte që ranë mbi mina. Dy prej tyre u mbytën, në 22 tetor 1946, dhe bashkë me to humbën jetën edhe dyzet e katër antarë të ekipazhit. Britania e Madhe e çoi çështjen përpara Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, e cila megjithë protestat e shqiptarëve dhe justifikimit që vendi i tyre nuk zotëronte mina, vendosi të njohë fajësinë e Shqipërisë në këtë çështje. Në vazhdim, britanikët u vetëshpërblyen duke bllokuar arin shqiptar (1.100 kg), të kapur në territorin gjerman pas mbarimit të luftës së Dytë botërore. Kjo çështje e « arit të vjedhur » nga britanikët zgjati me dhjetëvjeçarë dhe helmoi në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve.
. Ndërkohë, një rrezik i ri po merrte formë në Jug të vendit për shkak të luftës civile në Greqi. Kjo luftë që lindi menjëherë pas tërheqjes së trupave gjermane, kish vënë ballë për ballë bashkëluftëtarët e dikurshëm : pas disa përpjekjeve pajtimi, të ndjekura nga masakra të përgjakshme të kryera nga të gjitha palët, monarkistët e EDES-it, të mbështetur dhe të armatosur nga anglezët, mundën të izolojnë dhe të shtynin drejt maleve komunistët e KKE, që vepronin në rradhët e EAM/ELAS. Nga momenti që e majta greke u zbua nga pushteti, ajo humbi kontrollin e qyteteve dhe asaj ju desh të rifillonte një luftë të re partizane kundër forcave qeveritare. Vendet komuniste fqinje (Jugosllavia, Shqipëria dhe Bullgaria) pa asnjë mëdyshje u shprehën për të ndihmuar aktivisht forcat partizane greke, duke ju furnizuar atyre armë, municion dhe ndihmë mjeksore. Gjatë disa viteve, luftëtarët grekë përdorën teritorin shqiptar si prapavijë, aq më tepër që edhe pritja e rezervuar ishte gjithmonë e mirë. Në janar të vitit 1947, Kombet e Bashkuara, nën frymëzimin amerikan dhe të Britanisë së Madhe, krijuan një Komision vëzhgimi në Athinë i cili rekomandoi krijimin e një nënkomisioni të përhershëm me bazë në Selanik, për të vrojtuar kufijtë ndërshtetërorë. Qeveria shqiptare sikundër edhe qeveritë e tjera komuniste të Ballkanit i ndaloi hyrjen në territorin e vet, gjë e cila nuk e pengoi nënkomisionin në fjalë të nxirrte përfundimin që Shqipëria përbënte një nga bazat kryesore logjistike të EAM-it dhe ta përshkruante atë si një rrezik për demokracinë greke në pelena. Në shkurt të vitit 1947, Britania e Madhe hoqi dorë nga administrimi i çështjes greke duke ja kaluar detyrimet e veta Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë marrje në ngarkim, Presidenti Truman gjeti rastin të shpallte përpara Kongresit Amerikan në 12 mars 1947, doktrinën e tij të famshme « të mbështetjes së vendeve të lira, të rrezikuara nga pakicat e armatosura ose nga forcat e huaja ». Ofertës amerikane - pjesë përbërëse e kësaj doktrine e njohur ndryshe edhe si « Plani Marshall », Shqipëria u përgjigj në mënyrë negative pa ngurrim, natyrisht duke kopjuar qëndrimin e vendeve të tjera komuniste, të cilat në bllok dhanë një përgjigje mohuese.
. Në 5 qershor 1947, Sekretari amerikan i Shtetit Xhorxh C. Marshall mbajti një fjalim programatik në Universitetin e Harvardit, gjatë të cilit ai njoftoi masat ekonomike dhe politike që duheshin vënë në jetë për rindërtimin e Evropës së shkatërruar. Një muaj më vonë, në 4 korrik 1947, qeveria shqiptare u ftua nëpërmjet një telegrami për të marrë pjesë në Konferencën ekonomike të Parisit, e parashikuar të mbahej në 12 korrik të të njejtit vit, bashkë me 21 vende të tjera. Kjo konferencë, e organizuar nga Franca dhe nga Anglia duhej të diskutonte mënyrat dhe mekanizmat që duheshin parashikuar për të konkretizuar « planin Marshall ». Të nesërmen e kësaj dite, në 5 korrik, Enver Hoxha sikundër edhe Sekretarët e tjerë të Parë të partive komuniste të vendeve të Lindjes, mori një telegram tjetër, kësaj rradhe nga ana e PKBS, që i kërkonte të bashkohej me vijën sovjetike gjatë Konferencës që do të konsistonte në refuzimin e ndihmës amerikane. Një telegram i dytë nga Moska arriti në 6 korrik, që i sillte udhëzimin e ri, sipas të cilit Shqipëria duhej të vononte përgjigjen për marrje pjesë në këtë Konferencë ndërkohë që një telegram i tretë, gjithmonë nga ana e sovjetikëve, mbrrinte më 7 korrik. Sipas këtij të fundit, shqiptarët duhej të refuzonin publikisht pjesëmarrjen në këtë Konferencë dhe si pasojë ata duhej të hidhnin poshtë ofertën amerikane po publikisht. (Mikhail M. NARINSKY - The Soviet Union and the Marshall plan, në: www. Cwihp.si.edu - Cold War International History Project - CWHIP Document Library).
.
. Nga mesi i korrikut të vitit 1949, Jugosllavia në grindje të hapur me vendet e tjera komuniste, mbylli kufijtë e saj maqedonas me Greqinë dhe ndërpreu çdo ndihmë ndaj partizanëve të EAM-it. Pjesa më e madhe e trupave partizane të Komandantit Markos, pasi u mundua më kot të zhvillonte një luftë frontale kundër ushtrisë greke, të pajisur me shpenzimet e amerikanëve, u gjend e izoluar në pjesën veriore të Epirit. Nën presionin e trupave qeveritare, partizanët grekë u grumbulluan pranë kufirit shqiptar dhe u bllokuan në lartësitë e maleve Gramoz dhe Viçi. Atyre mijra luftëtarëve, grave edhe fëmijëve grekë ju desh të zgjidhnin mes bombardimeve me napalm të aviacionit greko-amerikan ose kapërcimit të kufirit për t’u strehuar në vendin fqinjë. Shumë prej tyre zgjodhën rrugën e dytë, të ndjekur këmba këmbës nga ushtria greke, e cila nuk pati asnjë dyzim për të dhunuar integritetin e Shqipërisë. Kështu, në gusht të vitit 1949, disa batalione të ushtrisë helene avancuan me qindra metra brenda territorit shqiptar, në një zonë që shkonte nga Bilishti në Leskovik, dyzet kilometra më në jug. Luftimet e përgjakshme vazhduan disa ditë mes forcave ndëshkuese greke dhe njësive të rregullta të ushtrisë shqiptare. Ndërkohë, me shterrimin e valëve të ikësve, Grekët vendosën të tërhiqen. Disa dhjetra mijra refugjatë grekë u strehuan në këtë mënyrë nëpër kampe, nga të cilët vetëm ai i Cërrikut numëronte rreth 60.000 frymë. Me vendim të përbashkët të Kominformit, pothuaj që të gjithë u larguan nga Shqipëria për t’u vendosur në vendet e tjera të Evropës së Lindjes. Vetëm udhëheqja e KKE, me Niko Zakariadhisin në krye, e zgjati qëndrimin në Shqipëri edhe disa muaj të tjerë, para se të merrte rrugën për në Bashkimin Sovjetik.
. Përpjekja e dështuar e komunistëve në Greqi dhe largimi i Jugosllavisë nga vatha sovjetike vunë në dukje brishtësinë e gjendjes në të cilën ndodhej Shqipëria, ky vend në periferi të Perdes së Hekurt që tashmë ndante Evropën në dysh. Që nga fundi i vitit 1946, anglezët të lodhur nga ngurtësia e qëndrimeve të Hoxhës ja kishin besuar administrimin e çështjes shqiptare shërbimeve të tyre sekrete. Nën ndikimin e specialistëve të kalibrit të Julian Ameri u krijua një lob i vërtetë konservator, i cili mori në dorë koordinimin e tërësisë të aktiviteteve minuese dhe diversioniste ndaj vendeve komuniste dhe, siç mund të pritej, puna filloi nga hallka më e dobët e sistemit. Rregjimi komunist i Shqipërisë duhej të ndëshkohej për incidentin e kanalit të Korfuzit, për rolin e saj aktiv në mbështetje të rrebelëve grekë ose më tej, që ajo të rikthehej qoftë edhe me forcë në atë sistem vlerash demokratike, të përcaktuara vite më parë nga Presidenti Uilson. Në këtë mënyrë, përmbysja e rregjimit të Enver Hoxhës do të ishte një mësim i mirë për Stalinin, në lidhje me grushtin e shtetit të organizuar në Çekosllovaki, për bllokimin e Berlinit apo për gjëmat e tij të tjera të panumërta.
. Hapet kështu faza e tretë dhe e fundit e peripecisë zogolliane në mërgim : përpjekja për të përmbysur rregjimi komunist të Hoxhës.
.
. (vijon)

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, June 18, 2010

Kriza greke… për ne profanët shqiptarë.


Në një shkrim të mëparshëm – i shkruar nga një profan për të tjerë profanë – u mundova të tërheq vëmendjen e këtyre të fundit mbi disa aspekte të krizës greke. E parë me syrin kritik të atij që jeton në Evropë dhe me ndjeshmërinë e dikujt që mbetet i ndjeshëm ndaj problematikës ekonomike dhe politike, kjo krizë paraqitet si një ngërç jo thjesht i sistemit të sotëm kapitalist, por i strukturave të tij më të ndjeshme financiare, i nyjeve të tij më nevralgjike shtetërore. Në këtë pikpamje, kjo krizë tejkalon gjerësisht kuadrin grek dhe paraqitet si simptomatike e atij konstruksioni politik që jemi mësuar ta quajmë Evropë e Bashkuar.
. Thjesht për kujtesë, linjat kryesore të atij shkrimi nënvizonin idenë se Evropa e Bashkuar përbën një strukturë jashtështetërore, të ngritur në një epokë tjetër dhe për një varg qëllimesh strategjiko-politike, përshtatshmëria e të cilës në botën e sotme – në kushtet e një konkurence të lirë në tregun global - është vënë në një sprovë të vështirë. Për më tepër, strategjia ekonomike solidare bashkëevropiane mbështetet në sistem të tërë subvencionesh dhe transferim fondesh mes degëve të ekonomisë dhe mes antarëve, për të stimuluar rritjen dhe zhvillimin strukturor, për të balancuar efektet e padëshirueshme dhe për të sheshuar konkurrencën e panevojshme, ndërkohë që arritjet më të spikatura të politikës së brendshme të vendeve antare shquhen pikërisht në fushat sociale, të edukimit, të shëndetit apo të politikave të punës. Tê gjitha këto politika strategjike mbështeten mbi konceptin e ndërhyrjes së vazhdueshme të shtetit, i cili planifikon, axhuston raportet dhe parametrat dhe në rradhë të parë furnizon fondet e nevojshme.
. Ku i gjen ai këto fonde dhe mjete të stërmëdha në vlera monetare dhe të qëndrueshme në kohë ? Në tregun financiar botëror, duke hyrë në borxhe– me shuma tashmë kolosale. Si e justifikon ai të hyrët në borxh – dhe eventualisht, si mendon ai ta shlyejë këtë borxh ? Nëpërmjet faktorit të rritjes së vazhdueshme ekonomike.
.
.
. E pra, nga momenti kur mekanizmi i rritjes ekonomike evropiane bllokohet për shkak të konjukturës ekonomike globale dhe të agresivitetit të fuqive të reja emergjente, borxhi publik shëndrrohet në një faktor thellësisht destabilizues për borxhliun shtet që detyrohet t’i rikthehet përsëri tregut për borxhe të reja – për të paguar interesat e themelorit.
. Paralelisht, bankat dhe të tjerë kreditorë funds hedge zaptojnë hapësirën financiare dhe paraqiten si përfaqsuesit idealë të një kapitalizmi financiarizues dhe patrimonial, të aftë të manipulojnë kreditin dhe të diktojë shkallën e interesit. Në këtë mënyrë, qendra e gravitetit të aktivitetit ekonomik shvendoset drejt tregut financiar që përbën kështu « horizontin e konvergjencës së vetme » ; ndërkohë, tregu i i punës shëndrrohet në rolin e faktorit rregullues dhe tregu i të mirave materiale paraqitet thjesht si treg ndihmës.
.
.
. * * *
.
. Le t’i kthehemi tani « origjinës » së kësaj krize – Greqisë dhe problemeve aktuale të saj.
. Gjithkush në Evropë është i mendjes që deficiti publik i Greqisë si edhe borxhi i saj mbytës pasqyrojnë një varg problemesh – për të mos thënë « sëmundjesh kronike », mes të cilave shkëlqejnë korrupsioni dhe egzistenca e ekonomisë paralele. Në mënyrë sipërfaqsore, mund të shprehemi se grekët bëjnë të pamundurën për të mos paguar taksat, vjedhja nga të cilat përbën një « sport » kombëtar. E thënë ndryshe, shteti grek shquhet nga pamundësia për të mbledhur të ardhurat fiskale. Një vështrim tjetër më i vëmendshëm arrin të shquajë se një numur i madh grekësh – për shkak të rrogave të pamjaftueshme dhe të gjendjes së pakënaqshme të sistemit arsimor ose të atij shëndetsor - janë të detyruar të « punësohen » paralelisht në sektorin legal dhe ilegal, bile të zhyten kokë-e-këmbë në labirintin e aktiviteteve të ekonomisë paralele për të përballuar koston e jetesës dhe bakshishet e domosdoshme.
. Por veset e pakorrigjueshme të taksapaguesit grek nuk mund të fshehin mëkatet e vajtueshme të pushtetit, në ballë të të cilave renditen klientelizmi dhe pesha e një grushti familjesh në jetën politike të vendit. Në se të gjithë të zgjedhurit e demokracise helene nuk harrojnë aspak t’ju bëjnë qejfin zgjedhësve dhe në rradhë të parë miqve të tyre, ajka e kremit të këtyre te zgjedhurve – qeveria – është e detyruar të kënaqë interesat e armatorëve, këtyre pronarëve të flotës tregëtare që lundron në ujra jo gjithmonë të kthjellta, dhe lobeve të ndërtuesve që përfitojnë si padashur nga investimet e shtetit dhe fondet strukturore. Ky sistem klientelist i qeverisjes, i trashëguar nga kohët tashmë të harruara të origjinës së vetë shtetit, plotësohet në mënyrë natyrale nga influenca e pashmangshme dhe konstante e Karamanlisëve dhe Papandreve në jetën politike.
. Sidoqoftë, tabloja e mësipërme e korrupsionit, e ekonomisë paralele dhe e klientelizmit mbetet e zbehtë pa përmendur mungesën e transparencës që prek të gjitha sektorët e jetës ekonomike të vendit - manipulimin e llogarive publike ose private, mungesën e një organizmi të pavarur të statistikave, të kontureve të mjergullta të buxheteve ministeriale etj..
.
. Përfundimisht, Greqia dhe grekët e saj të dashur bëjnë një jetë mbi mundësitë e tyre reale ? Sigurisht, mjafton të kqyren indekset e çekuilibrit të borxhit dhe të deficitit publik – do të përgjigjeshin gjermanët apo të tjerë francezë, të cilët e vonuan me sa mundën ndërhyrjen e tyre financiare. Por, cili nga evropianët nuk jeton sot mbi mundësitë e tyre reale ? Cili prej tyre mund të sigurojë se nesër nuk do të bjerë pre e spekullimit të bankave apo të hedge funds – sikundër grekët sot ?
. Po a ka veshë të vëmendshëm në Evropë për të dëgjuar grekët kur shprehen se rroga e tyre mesatare është veçse 75% e asaj të Evropës së Bashkuar ? se niveli minimal i kësaj rroge është më pak se gjysma e asaj të Evropës ? se mesatarja e pensioneve është gjithashtu gjysmagjel.. – ndërkohë që çmimet në evro të produkteve të pazarit janë po aq, në mos më të larta se mesatarja evropiane ? Ç’mund t’i thuash të huajit që bën zemrën e gjerë dhe të ndihmon – përveç falemnderit, kur ndërkohë tëndi kryeministër arrin dhe deklaron se « fondet publike dhe ndihmat evropiane kanë shërbyer kryesisht për të blerë shtëpi, vetura apo për të jetuar në farniente » ? (Le Monde, 29 prill 2010).
. Fundja, të shkuara dhe ndoshta të harruara – nga momenti që Evropa arriti dhe pagoi 110 miliardë evro për t’i ardhur në ndihmë cfilisë, e cila si kundërpërgjigje pranoi të vihet nën tutelën evropiane dhe u zotua të kursejë nga buxheti i saj mbi 30 miliardë deri në horizontin 2013 (mesatarisht 10 miliardë çdo vit) me shpresë që shpenzimet publike të reduktohen në 47.7% të PBB (përkundrejt 52% në 2009) dhe të ardhurat e këtij buxheti të rriten në 45.7% të PBB (39% gjithmonë në 2009).
. Për ata profanë që nuk hanë pykë nga shifra të tilla, reduktimi i shpenzimeve publike përkthehet me një gjuhë të thjeshtë në masa kursimesh mbi rrogat dhe veçanërisht mbi shpërblimet e funksionarëve, gjë e cila mendohet se do të lehtësojë buxhetin me 600 milionë evro ; në uljen e shpenzimeve të spitaleve publike me 1.4 miliardë evro – ndërkohë që disa qindra milionë evro mendohen të sigurohen nga shkurtimi i shpenzimeve për armatimin dhe mirëmbajtjen e falangës ushtarake greke ; apo së fundi, nga ngrirja e pensioneve dhe e rrogave.
. Në kapitullin e hyrjeve në buxhet, qeveria parashikon fundin e privilegjeve fiskale të një sërë grekësh « lumtur » ; adoptimin e një arsenali anti-mashtrues dhe kundër-ekonomisë paralele që mendohet se do të rritin të ardhurat me mbi 2.3 miliardë evro, sikundër dhe një rritje të fondeve evropiane si pasojë e fuqizimit të investimeve publike në masën 1.4 miliardë evro. Bile nëse këto masa do të rezultojnë të pamjaftueshme, qeveria parashikon një gërshërë më të madhe në shpenzimet publike si edhe rritjen e taksave – bashkë me TVSH që mendohet të arrijë deri në 25%.
. Në një kapitull të fundit që përmbledh dy të parët, bateria e masave anti-krizë konsiston në liberalizimin e thellë të sektorit publik : privatizimi i pjesshëm ose i plotë i një varg shërbimesh, pasurish publike dhe sektorësh aktiviteti ku konkurrenca aktuale i përmbahet një kuadri tepër strikt. Përmendim me rradhë : postën helenike Elta (39% për t’u shitur), hekurudhat greke OSE (49%), prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike PPC (deri në masën 49% në shitje), të kompanive të ujrave Eydap dhe Eyath, operatorin e telekomunikacionit OTE portet kombëtare dhe rajonale bile deri edhe një pjesë të aksioneve të monopolit të lojrave OPAP.. privatizimi i të cilave do t’i sjellë arkës së shtetit shuma vjetore të rendit 1 miliardë evro deri në horizontin 2013 nga shitja privatit e pjesës së zotëruar sot nga shteti – pa harruar shkurtimet e shpenzimet publike për këto sektorë. Në mënyrë të ndërgjegjshme pra, shteti heq dorë nga kontrolli dhe administrimi i aktiviteteve ekonomike të konsideruara esenciale për mirëqënien publike dhe për pavarësinë kombëtare dhe i hap rrugën shrregullimit të tregut të punës, konkurrencës së lirë.
. Në një vend si Greqia ku :
. - ekonomia « informale » - sektori « gri » i aktivitetit ekonomik, jashtë çdo kontrolli fiskal – vlerësohet me rreth 40% të aktivitetit të përgjithshëm,
. - raporti i punonjësve me dy ose më tepër aktivitete ekonomike është i konsiderueshëm,
. - numri i pensionistëve të vërtetë apo të sajuar - « minoritarë », si edhe i atyre të nxjerrë në pension para kohe është shumë i lartë,
. - prania e punonjësve emigrantë është nga më të lartat e rajonit, në mos e Evropës,
. duhet pritur që hapja drejt konkurrencës së lirë e sektorëve të mësipërm, në kushtet kur tregu i punës njeh sot një rrudhje të masës deri 15-20%, të çojë jo vetëm drejt shkatërrimit të indit social, në prishjen e lidhjeve shoqërore, por edhe drejt varfërimit relativ dhe absolut të shtresave të gjera të popullsisë, drejt tensioneve të forta mes punonjësve dhe punëdhënësve, drejt ksenofobisë.
.
. Po sikur – larg qoftë, plani grek i « shpëtimit kombëtar » të paraqitet si i pamjaftueshëm për t’i vënë fre krizës dhe spekullimit – për të mos thënë, të dështojë ? Gjendem në të drejtën time të profanit të hedh hipoteza të tilla ogurzeza, aq më tepër kur thuaj gjithçka më shtyn në këtë rrugë, dhe pikërisht :
. - rreziku i rrudhjes së rritjes ekonomike të vendit që, ndërkohë, mendohet të arrijë deri – 4% këtë vit dhe të qëndrojë negativ për disa të tillë në vijim,
. - rënia drastike e konsumit të brendshëm për shkak të masave antikrizë që ulin rrogat dhe rritin çmimet,
. - rritja e « avullimit » fiskal, sikundër edhe ikja e kapitaleve jashtë, si pasojë e një taksimi të përkeqësuar të të ardhurave të mëdha,
. - « lënia peng » e të ardhurave të tilla si taksat e aeroporteve, të kalimit në autostradë etj,
. - një përkeqësim i mëtejshëm i notës së Greqisë nga agjensitë e vlerësimit - thjesht, në vijim të spekullimit të sotëm, ose në se kjo e fundit ju drejtohet rishtas tregjeve financiare për fonde shtesë dhe si pasojë, përkeqësimi i gjendjes së bankave greke (largimi i depozitave drejt bankave të huaja) si edhe pamundësia e rifinancimit të tyre nga BCE,
. - rritja e tensionit social në vend dhe thërmimi i bazës mbështetëse të opinionit publik ndaj aksionit të qeverisë.
.
.
. * * *
.
. Ç’ka po na hyn në qese ne shqiptarëve në se grekët janë zhytur në llumin e krizës ekonomike ? A nuk na mjafton kriza jonë politike – vendosmëria e opozitës socialiste për të sabotuar parlamentin, kryeneçësia e pozitës demokrate për të ruajtur hegjemoninë e qeverisjes – por duhet të meremi me qarjen e hallit të fqinjëve ?
. Një përgjigje çuditërisht e kthjellët këtyre pyetjeve – paçka se e ndërsjelltë - vjen andej nga s’pritet – nga z. Kajsiu (Blendi Kajsiu - Kriza e përfaqësimit, Panorama, dt 26.02.2010), i cili me një sens të hollë analize arrin dhe përmbledh problematikën e brendshme sociale të shoqërisë shqiptare, të karakterizuar nga :
. - niveli i papunësisë (30-40% të forcës puntore në vend, sipas një sërë studimesh alternative),
. - niveli i informalitetit të ekonomisë (rreth 50%, sipas burimeve të CIA-s),
. - fakti tjetër që rreth 50% e popullsisë shqiptare mbetet agrare, pra e lidhur me tokën dhe bujqësinë e cila mbetet fragmentare (struktura e atomizuar e pronësisë), e natyrës mbijetësore (subsistence farming) – gjeneruese e fuqishme e migracionit të brendshëm dhe të jashtëm,
. - numri i konsiderueshëm të emigrantëve (rreth një milion shqiptarë të aftë për punë, pra gati 1/3 e popullsisë dhe ndoshta ½ e forcës puntore globale), të vendosur kryesisht në vendet fqinjë.
. - remitancat (dërgesat në para) që vijnë prej tyre dhe që shifrohen rreth 800 – 900 milionë euro (12% të PBB), të cilat financojnë në një masë të madhe konsumin e brendshëm.
.
. Çfarë frymëzon kjo problematikë dhe këto shifra – krahasuar me problematikën thjesht helene, kur dihet tashmë se gati 700.000 shqiptarë jetojnë dhe/ose punojnë në Greqinë agonizuese ? Kur një numur i papërcaktuar (gojët e liga përmendin shifrën 250.000) qytetarësh shqiptarë janë rregjistruar me origjinën e tyre etnike greke të re fringo dhe marin pensione nga Banka Bujqësore Greke, me një shumë që luhatet mes 250 – 480 evro në muaj ? Kur 4 banka private greke mbizotërojnë në sektorin bankar shqiptar (ato kontrollojnë 35% të tij deri në 57% - sipas vlerësimeve divergjente) ? Kur Greqia mbetet partneri kryesor (i dyti në listë pas Italisë) i shkëmbimeve tregëtare me Shqipërinë, e cila me fqinjin ka një bilanc import-eksporti thellësisht negativ (505 milionë euro import ndaj 56 milionë eksport në vitin 2009) ? Kur biznesi grek është i gjithëgjendur (25% të mbulimit biznesor) në telefoninë celulare, në sektorin bankar, burimet e energjisë, industri, ndërtim, tregti, turizëm, transport ? Kur investimet greke zënë afro 1/3 e investimeve të huaja direkte, me një total prej rreth 1.2 miliard euro ?
. A priori, nën prizmin e lajmeve alarmuese që vinë nga Greqia fqinje, përfundimi i Kajsiut se « qeverisja është diçka që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë një segment gjithnjë e më të vogël të shoqërisë tonë », më shtyn drejt perifrazimit të mëposhtëm : « kriza greke është diçka që prek në mënyrë të drejpërdrejtë një segment gjithnjë e më të madh të shoqërisë tonë ».
.
. Por sidoqoftë, le të kqyrim ndikimin e pritshëm të krizës greke me syrin e specialistëve të shquar të ekonomisë, opinionet e të cilëve ndryshojnë sikundër vendgjendja në piramidën e pushtetit dhe bindjet politike.
. Më euforiku është Guvernatori i BSH Fullani që na siguron se « zhvillimi ekonomik i vendit gjatë vitit 2010, do të mbështetet prej një situate më të favorshme të ekonomisë ndërkombëtare ( ? !), e cila do të ofrojë një mjedis më të mirë për investimet e huaja dhe do të mbështesë më mirë kërkesën për eksportet e vendit… megjithatë, ky ndikim pozitiv pritet të jetë i kufizuar, për shkak të problemeve të shfaqura në ekonominë greke ». Në ç’masë ky ndikim pozitiv pritet të sabotohet nga grekët ? Mister… zaten, roli dhe detyra e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë është të sigurojë stabilitetin financiar të sistemit bankar, të nxjerë statistika dhe të përpilojë raporte dhe jo të bëjë fallxhorin.
. Më i maturi është Rektori i Universitetit Evropian të Tiranës Civici, i cili shprehet se « kriza ekonomike që ka përfshirë Greqinë do të prekë Shqipërinë si dhe vendet e tjera të rajonit… se janë disa sektorë që do të preken nga kjo krizë, por këtu nuk ka vend për panik. Për sa u përket bankave greke që operojnë në vendin tonë, ato nuk do të kenë asnjë ndikim nga kjo krizë ». Si arrin ai në këtë përfundim ? Thjesht nëpërmjet postulatit ekonomik se « në këtë epokë të globalizuar, çdo krizë, qoftë kjo ekonomike, financiare, politike apo sociale e një vendi, ndikon direkt apo indirekt në një grup të madh vendesh të tjera, aq më tepër në vendet e të njëjtit rajon apo kufitare ». Sidoqoftë, analiza empirike i lejon të evidentojë disa drejtime të krizëprekjes : së pari, sektorët ekonomikë që punojnë « me fason » me Greqinë, të cilët ndjejnë kontraktimin e kërkesës- deri edhe anullimin e kontratave ; së dyti, rënia e mundshme e remitancave nga emigracioni ekonomik shqiptar në Greqi ; së treti, rrudhja e investimeve greke në Shqipëri - megjithëse ato nuk kanë qenë asnjëherë shumë të konsiderueshme dhe determinuese ; së fundi, vala goditëse e tregjeve, çmimeve, konsumit apo bizneseve të këtij vendi. Me sa pikë kjo krizë mund të prekë rritjen e pritshme ekonomike shqiptare për vitin 2010 dhe në vijim ? Heshtje.. një detaj, llogaritja e të cilit i përshtatet ndoshta një studenti të UET por jo rektorit të tij.
. Më kritiku është ish-Guvernatori i BSH, Cani, i cili kërkon që « të bien kambanat e alarmit edhe këtu tek ne ». Jo thjesht duke parashikuar numrin e konsiderueshëm të sektorëve ekonomikë që rrezikohen të preken nga pasojat e krizës greke, mes të cilëve ai nënvizon uljen e remitancave nga emigrantët dhe përkeqësimin e situatës së tyre ekonomike në vendin pritës ; shtrenjtimin e mallrave në tregun shqiptar si pasojë e rritjes së çmimeve të tyre në Greqi ; tkurrjen e investimeve greke dhe çinteresimin e investitorëve grekë në projektet shqiptare apo në transferimin e teknologjisë ; uljen e nivelit të kreditimit të bankave greke ndaj filialeve të tyre në Shqipëri si edhe efektet kolaterale të shvlerësimit të bondeve greke mbi bankat shqiptare që kanë investuar në blerjen e tyre… Por në rradhë të parë se, sikundër edhe në rastin grek, Cani është i bindur se qeveria shqiptare manipulon shifrat dhe zhonglon me treguesit ekonomikë duke fshehur në këtë mënyrë një situatë të vërtetë krize në vend, e cila veçse do të përkeqësohet nën ndikimin e asaj greke.
. Cili prej tyre ka të drejtë ? Guvernatori Fullani që ruani thesarin e qeverisë Berisha ? Rektori Civici që lëvron shkencën ekonomike në Universitetin e tij Evropian ? apo ish-Guvernatori Cani që strukturon sulmin ekonomik të opozitës socialiste?
.
. Diku larg këtij Panteoni ekonomistësh, mendja induktive dhe deduktive e profanit gjykon se, brenda apo jashtë zonës euro, ekonomia – bile edhe shoqëria shqiptare, jo vetëm që i ngjan si binjaku binjakut ekonomisë greke por edhe jeton me këtë të fundit në një modus vivendi, sipas një logjike reciprokisht përfituese. Diçka si puna e algës dhe e këpurdhës brenda likenit. Por nëse treguesit e rritjes së algës greke ka kohë që tkurren dhe treten në lëngun amniotik të likenit evropian, të njejtit tregues të këpurdhës shqiptare rriten dhe zhvillohen.
. Mos vallë pasi këpurdha është parazitare ?

La suite.. - Vazhdimi...

Saturday, June 12, 2010

Fundi i palavdishëm i monarkisë zogolljane.


.
. Në mënyrë të pashmangshme, madje përpara se sa të instalohej në Tiranë, pushteti komunist i dalë nga lufta nacional – çlirimtare tërhoqi vëmendjen e fuqive perëndimore, të cilat me dashje apo pa dashje lidhën me të kontaktet e para. Veç më vonë, pas kalimit të stuhisë, ata mundën të vërejnë shtrirjen e vërtetë të katastrofës politike që kish prekur vendin. Fakti që ata vendosën të ndërhyjnë nuk ish vetëm nga dëshira e tyre e madhe për të ndaluar zhdukjen e opozitës së brendshme « e çfarosur nga gjykatat popullore që ndodheshin në duart e gjykatësve injorantë dhe pa asnjë kualifikim, të shtyrë nga turmat e etura për gjak që kërkonin dënime kapitale kundër kriminelëve të luftës » (Nicholas BETHELL - La grande trahison, Flammarion, Paris, 1985). Një varg arsyesh të tjera të natyrës politike apo gjeostrategjike që e tejkalonin se tepërmi kuadrin shqiptar qendërzoheshin diku dhe preknin interesat e qeverive perëndimore, në rradhë të parë asaj angleze, të cilat vendosën të investonin energjitë dhe paratë e tyre në administrimin e një « biznesi », që me kohë do të çfaqej si tepër i ndërlikuar.
. Nga momenti që qeveria komuniste e Enver Hoxhës u angazhua në rrugën e pashmangshme të njohjes ndërkombëtare, ajo kuptoi menjëherë se kish të bënte me problemin më të mprehtë dhe më delikat, të lindur që të nesërmen e fitores. Megjithatë hapat e para ishin hedhur që gjatë luftës : ndërkohë që qeveritë aleate përshëndesnin rezistencën shqiptare, misionet e tyre ushtarake zbarkonin në terren dhe takonin aktorët e kësaj rezistence. Gradualisht, duke parë mënyrën me të cilën këta aktorë administronin shanset e tyre për fitore, sendet u bënë gjithnjë e më të qarta në vështrimin e anglezëve, të cilët kishin një përvojë mjaft të gjatë të vendit dhe një njohje të thellë të klasës politike shqiptare. Rikujtojmë se, mes pranverës të vitit 1943 dhe vjeshtës të vitit 1944, nja tridhjet oficerë ndërlidhës anglezë vepronin në Shqipëri pranë lëvizjeve politike lokale, të prirura të bënin rezistencë ndaj pushtuesit gjerman.
. Shumë shpejt, dy pikpamje të ndryshme u çfaqën dhe u përplasën mes tyre : ajo e Brigadierit « Trocki » Dejvis – i akredituar pranë Shtabit të Përgjithshëm të forcave partizane – i cili rekomandonte Shtabit të përgjthshëm të forcave aleate që të mbështesnin me materiale lëvizjen e Hoxhës dhe ajo e Julian Amerisë, kundërshtar i betuar i komunizmit, në mision pranë pasuesve legalistë të Zogut. Një nga dëshmitarë e kohës, Hibert, përshkruan një tabllo të përpjekjeve britanike si edhe të vështirësive që ata hasën në terren (Reginald HIBBERT – Fitorja e Hidhur, Lufta nacional çlirimtare e Shqipërisë, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1993). I bindur nga argumentat e gjeneralit Brigadier – dhe në rradhë të parë, nga rezultatet e partizanëve në terren, Shtabi i Përgjithshëm anglez për Mesdheun Lindor vendosi marrëdhënie të privilegjuara me Shtabin e Përgjithshëm të LANÇ, gjë e cila dëmtonte interesat e rrymave të tjera politike (Balli Kombëtar dhe Legaliteti), por pa i prerë marrëdhëniet me këta të fundit. Kjo politikë ish tepër e çuditshme sipas Ballit, i cili u ankua mjaft pas lufte për ndihmën ushtarake angleze, krejt të pamjaftueshme.
.
.
.  * * *
.
. Legaliteti kish të tjera ankesa për të formuluar dhe shprehur, veçanërisht kundër Çurçillit, i cili nuk deshi kurrë që të njihte qeverinë e krijuar nga mbreti Zog në mërgim. Përse një mospranim i tillë i qeverisë së Mbretëreshës përkundrejt një kërkese krejt legjitime të një mbreti të dëbuar, i cili gëzonte ndërkohë mikpritjen aq të shquar angleze ? Ndërkohë që monarkët e tjerë të ikur – Jorgo i IItë i Greqisë dhe Pjetri i IItë i Jugosllavisë – ishin ftuar të shkonin pranë Shtabit të Përgjithshëm të forcave aleate në Kajro, meqënëse përfaqësonin forcat e rezistencës të vendeve të tyre respektive, Zogut të Irë të shqiptarëve i duhej të hante vehten me dhëmbë, diku në një hotel të Londrës, thjesht i toleruar të banonte në territorin britanik si një person privat i çfarëdoshëm. Kjo gjë nuk rridhte nga fakti që Drazha Mihajlloviçi luftonte më me zell se sa Abaz Kupi kundër Gjermanëve, apo ngaqë Napoleon Zervas ishte më i zoti se sa homologu i tij monarkist shqiptar për të mbledhur rreth vehtes më tepër luftëtarë të armatosur. Këto lloj detajesh nuk vlenin shumë për qeverinë angleze, e bindur në këtë stad të luftës që këto lëvizje monarkiste nuk ishin në gjendje të kthenin fatin e konfliktit të armatosur në Ballkan.
.
. E vërteta është se Zogu kish humbur një kohë të çmuar gjatë pelegrinazhit të tij evropian, që pas Greqisë, e çoi me rradhë në Turqi, në Rumani, në Poloni, në vendet Balte, në Suedi dhe deri në Norvegji, për të zbritur më tej në Francë, në gusht të vitit 1939. Për më tepër, qëllimi i këtij shtegëtimi përputhet keq me një llogjikë kthimi të mëvonshëm në vendin e tij të lindjes. Edhe sot e kësaj dite, psaltët e monarkisë nuk arrijnë dot të shpjegojnë përse Zogu nuk shkoi menjëherë të kërkojë strehim në Egjypt, pas atyre ditëve të para të çlodhjes në Greqi. Aty ai mund të gjente jo vetëm mikpritjen e një Faruku të Irë, i cili s’kish harruar se në venat e tij ende qarkullonin disa pak pika gjaku shqiptar, por edhe përkrahjen e tij, meqë Egjyptjani ish nga të rrallët burra në botë që vazhdonte të njihte Zogun fluturak si përfaqësues të ligjshëm të vendit të tij. Kështu, Mbreti i shqiptarëve mund të kish formuar qeverinë e tij në mërgim qysh në fillim të luftës dhe në kushte të favorshme – paralelisht me përpjekjet për të kërkuar dhe marrë njohjen e Fuqive të Mëdha. Duke shkelur tokën britanike në qershor të vitit 1940, në mes të asaj turme shumëngjyrëshe rrefugjatësh që nxitoheshin të braktisnin brigjet franceze, ai dhe oborri i tij kaluan pothuaj pa u parë dhe kërkesat e tij nuk arritën pothuaj kurrë të tërhiqnin vëmendjen e një Forin Ofisi, i zhytur edhe i mbytur në këto fillime të luftës në detin e kërkesave të tilla të ngjashme.
.
. E vërteta tjetër është se gjithmonë, Britania e Madhe e ka kqyrur këtë vend ballkanik si një « faktor të dorës së dytë ». Për të kënaqur interesat e saja gjigande në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në Mesdheun Lindor, asaj i nevojitej « neutraliteti » italjan gjë e cila e shtyu të njihte në mënyrë të heshtur pushtimin e Shqipërisë nga Italia, që të nesërmen e pushtimit fashist. Vetëm në tetor të vitit 1940, me rastin e luftës italo-greke, Shqipëria fillon edhe çfaqet në llogaritjet e Kurorës britanike si një terren aksionesh, i cili mund të shërbente për të çrregulluar sado pak maqinën ushtarake të Duçes. Me rastin e pushtimit gjerman të Jugosllavisë dhe sidomos të Greqisë, pamja e gjërave ndryshon në mënyrë radikale. Nga ky moment e tutje, çështja shqiptare bëhet një objekt shqetësimi, një subjekt studimi për njerëzit e SOE të cilët mes të tjerash, patën edhe një mendim për mbretin Zog.
. Të konsultuar në lidhje me këtë problem, « aleatët » e tyre grekë dhanë një përgjigje të rrufeshme dhe të drejtpërdrejtë – e dalë nga goja e Kryeministrit grek të epokës Koritis : asnjë gjë e saktë nuk mund të vinte nga një njeri i tillë si Zogu, i cili ka shkaktuar vetëm zhgënjime edhe mes njerëzve të tij më të afërt, nga ky « përndjekës i pashpirt i kundërshtarëve të tij politikë, të cilëve ju kish përkushtuar një urrejtje të pashuar », nga ky « persekutues i përjetshëm i minoritetit grek ». Disa muaj më vonë, një tjetër Kryeministër grek Cuderos – kësaj rradhe nga mërgimi – e nguli gozhdën deri në fund, duke folur për « njerëzit gjysëm të egër të Shqipërisë, keta adeptë të pandarë të Italisë fashiste », para se të përmendte dhe të rikujtonte pretendimet teritoriale të vendit të tij mbi Epirin e Veriut. Kjo gjë u konsiderua plotësisht e mjaftueshme nga britanikët për ta flakur Zogun në harresë.
. Zgjerimi i konfliktit botëror dhe veçanërisht, agresioni hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik, ndikoi në afrimin e Aleatëve të ardhshëm dhe me këtë rast anglezët patën rastin të njihnin mendimin e Stalinit në lidhje me të ardhmen e Evropës në përgjithësi dhe të asaj Lindore në veçanti. Ata arritën në përfundimin llogjik që vetëm mbështetja e pakushtëzuar e mbretërve të shfronësuar dhe e qeverive të vjetra të këtyre vendeve - shumica e të cilëve ishin mbledhur në Londër si miq të anglezëve - do të mund t’i vinte një fre dëshirave sovjetike lidhur me rikrijimin evropian të pasluftës. Kjo kthesë në politikën e jashtme angleze ashtu sikundër nevoja praktike për të nxitur lëvizjet e rezistencës në vendet evropiane të pushtuara detyroi qeverinë e Madhërisë së Saj të bëjë atë deklaratën e saj lapidare në dhjetor të vitit 1942, ku shprehej dëshira angleze për të parë një Shqipëri të çliruar nga pushtimi italjan dhe indipendente. Por edhe në këtë rast, Zogu mbeti në harresë pasi asnjë referencë ndaj tij nuk doli në pah.
. Karta Zog u rivendos mbi tryezë në vitin 1943, me rastin e krijimit të Lëvizjes së Legalitetit. Çfaqja e Abaz Kupit si përfaqësues i kësaj force, e aftë të luftonte kundër gjermanëve, i tërhoqi anglezët në mënyrë të dukshme. Menjëherë anglezët dërguan pranë tij disa oficerë ndërlidhës. Por, ky i fundit e kushtëzoi ndërhyrjen e tij ushtarake me njohjen e menjëhershme të Mbretit Zog dhe të qeverisë së tij në mërgim. Forin Ofisi e mori shumë seriozisht kërkesën e « Heroit » të Legalitetit dhe u përpoq që të lidhej me Mbretin në mënyrë që ai t’i shkruante kolonelit të tij një letër dhe t’i kujtonte që të rivihej në kontakt me Frontin Nacional – Çlirimtar për të frymëzuar rezistencën.
. Në përpjekjen e tij epistolare, Zogu e tejkaloi vetvehten së tepërmi : përveç vërejtjeve që kujtonin panevojshmërinë për t’u shkaktuar shkatërime të kota fshatrave të pafajshme – një kritikë krejt e hapur, e drejtuar ndaj FANÇ - ai i rezervoi vehtes të drejtën që të jepte sinjalin përfundimtar të kryengritjes së përgjithshme, para se të rikujtonte rrezikun që vinte nga fqinjët të cilët lakmonin gjithnjë rajonet e Korçës dhe të Gjirokastrës – një aluzion i hapur ndaj Greqisë apo edhe Jugosllavisë. Për arsye krejt të kuptueshme kjo letër nuk mbërriti kurrë në adresë dhe përfundoi në arshivat angleze.
. Kjo politikë « absurde » që konsistonte në përkrahjen e Kupit dhe në mospërfilljen ndaj të zotit të tij Mbretit, mund të habiste apo të zhbindte këdo tjetër por asnjëherë një njeri të rrahur me vaj dhe me uthull si Lartmadhëria e tij, i cili e mbante gjithmonë vehten si përfaqësuesi i vetëm i ligjshëm i vendit të tij. Kështu, ai ju vu punës dhe zgjodhi një rrugë rraskapitëse : të krijonte rreth figurës së tij një konsensus të kolonive të shumta shqiptare të Turqisë, të Egjiptit dhe sidomos të Amerikës, me qëllim që të formonte qeverinë e tij në mërgim. Megjithë rezultatet në terren, përpjekja u quajt e tepërt - në mos e dëmshme nga ana e autoriteteve angleze, të cilat e këshilluan energjikisht që t’u jepte fund përpjekjeve dhe të braktiste këtë projekt. Me fjalë të tjera, mbretëria e Britanisë së Madhe nuk mundej dhe nuk donte që të njihte Zogun si mbajtës i pushtetit ligjor të vendit të tij.
. Pikpamja britanike lidhur me njohjen e Zogut u shpreh qartë gjatë një deklarate të Forin Ofisit, mbajtur në mars të vitit 1943. Qeveria e Madhërisë së Saj nuk do ta njihte një qeveri të Zogut në mërgim « edhe sikur të gjithë shqiptarët e Amerikës dhe të Anglisë të ngriheshin më këmbë për të mbështetur përpjekjet e tij » dhe kjo për arsyet e mëposhtme :
. 1. Një organizatë e tillë nuk do të shërbente për nxitjen e rezistencës në vend ; në të kundërt, ajo mund t’a mbyste atë për shkak të figurës antipopullore të Mbretit.
. 2. Një skenar i tillë mund të shkaktonte pasoja katastrofike mbi vazhdimin e marrëdhënieve anglo-greke.
. Sidoqoftë, qeveria britanike pranoi se nuk mund të përjashtonte variantin Zog po qe se populli shqiptar vetë do të shprehte vullnetin e tij në këtë drejtim, duke kërkuar kthimin e tij në vend pas lufte (Bernd Jürgen FISCHER - Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945, Bot. Çabej, Tiranë, 2004), një skenar që u përmbys nga Kongresi i Përmetit, në qershor të vitit 1944.
.
. Një e vërtetë e fundit është se trupat e armatosura të Zogut apo edhe malësorët e tij besnikë nuk arritën asnjëherë të krijonin një forcë të vërtetë rezistence gjatë pushtimit fashist, një sinergji që të mund të tërhiqte vëmendjen e Evropës në përgjithësi apo të anglezëve në veçanti. Në mungesë të Mbretit, ushtarëve të Monarkisë dhe Kreshnikëve e tjerë ju ringjall instikti i tyre i lashtë : ai i të qenit mbret vetë në gjirin e fisit apo klanit të tij. Kështu, çfarëdo që mund të thuhet lidhur me dhuntitë e tyre të larta luftarake apo lidhur me ndjenjat e tyre të zjarrta patriotike, ata më parë ishin gati t’i kushtoheshin me mish e me shpirt përpjekjeve për të vënë rregull në pronat dhe zotërimet e tyre se sa të përmbushnin dëshirën më të shtrenjtë të Mbretit të tyre : të shpëtonin atdheun e dashur. Sidoqoftë, më të përkushtuarit ndërmjet tyre, u dhanë pas një loje mjaft të ndërlikuar e cila zgjati deri në kapitullimin e Italisë fashiste : njëherësh, të siguronin Lartmadhërinë e Tij lidhur me besnikërinë e tyre pakufi, të mos hidhnin poshtë në mënyrë sistematike thirrjet për bashkëpunim që vinin nga kampi i rezistencës komuniste dhe se fundi, të mbanin një distancë të respektueshme me autoritetet e pushtimit.
. Kjo politikë e « ekuilibrit barazqendërzues » u bë copë dhe fluturoi tutje në momentin e hyrjes së trupave gjermane të Rajhut të IIItë. Brenda një hapësire politike që sa vinte dhe ngushtohej, e mbushur nga konkurenca vëllavrasëse mes PKSH dhe Ballit Kombëtar, Legaliteti mer pamjen e një force të tretë alternative, e detyruar siç ishte të paraqiste një program politik herë herë tradicional herë herë të kohës, me referenca demokratike apo populiste. Pa asnjë dyshim, organizata zogiste arriti të kalojë me sukses sprovën e saj të parë : të ngulej në dekor dhe të bashkonte të gjithë besnikët e monarkisë – bile edhe, nën flamurin e « Shqipërisë Etnike » i cili asnjëherë s’ka qenë i veti. Por, ajo dështoi sikundër edhe simotra e saj republikane në terrenin e rezistencës së armatosur.
. Legaliteti doli se ishte një makinë, gjithmonë e gatshme të ndizej për të shkuar përpara – në pritje të një shkëndije mbretërore e cila nuk erdhi kurrë – sidoqoftë, e prirur më tepër të ushqente lidhjet me qeveritë « legale » të Tiranës se sa të sulmonte njësitë ushtarake gjermane. Bile, edhe kujtesa më e fuqishme zogiste nuk ka mundur të gjejë ngjarje lufte më të lavdishme se sa ajo e 31 korrikut të vitit 1943 – të asaj përpjekjeje heroike kundër garnizonit italjan të Burrelit, të hutuar dhe të çoroditur nga habia e shkaktuar pas arrestimit të Duçes së madh.
. Hapi i fundit që rrënoi plotësisht kredibilitetin e Legalitetit qe pëlqimi i dhënë nga Kupi ndaj propozimit të Mehdi Frashërit për të krijuar një qeveri kuislinge nën drejtimin e Fiqri Dines, në fund të muajit qershor të vitit 1944. Përvoja Dine që zgjati vetëm një muaj doli po aq e dështuar sikundër edhe të tjerat para saj. Shqetësimi kryesor i Kryeministrit të ri ishte furnizimi i miqve të tij monarkistë me armë dhe pajisje ushtarake ndërkohë që përpiqej ethshëm të krijonte lidhje dhe kontakte me Aleatët për t’i bindur për asnjanësinë e qeverisë të tij.
. Këto manovra politike patën dhuntinë të shtynin në dëshpërim edhe më flegmatikun e anglezëve në rradhët e SOE, të cilët megjithatë bënë çmos për të përcjellë kërkesat e Kupit drejt ministrit Eden, të bindur siç ishin që monarkitë ballkanike ju përgjigjeshin më së miri interesave të Kurorës (Jason TOMES - King Zog of Albania, Europe's self-made muslim monarch, N Y University Press, 2004). Kështu, jo më vonë se shtatori i vitit 1944, pra dy muaj përpara përfundimit të luftës në Shqipëri, Komiteti politik i Forcave Ajrore të Ballkanit ende shkonte kohën duke i bërë vetvehtes pyetjet e mëposhtme :
.
. A mund të vështroheshin « veprimet e vonuara » të Kupit si kërcënim ushtarak serioz për gjermanët ? Forcat e tij ishin shumë më të vogla se të partizanëve dhe ishin të kufizuara në një zonë të vogël të bregdetit. Dërgimi i furnizimeve për Kupin, nëse do të kishte vlerë reale ushtarake, vetëm do të ushqente luftën civile. A ishin ato operacione vërtet operacione ushtarake, nën kujdesin e vetë Kupit apo ishin sulme të vogla sabotimi të ndërmarra nga disa prej pasuesve të Kupit, nën drejtimin e oficerëve britanikë ? (Reginald HIBBERT – Ibidem)
.
. Mundim i kotë për të kërkuar ndonjë përgjigje bindëse pasi nën dritën e zhvillimeve të luftës dhe të perspektivës së mëtejme, Zogu dhe lëvizja e tij e Legalitetit ngjanin më shumë me objekte antike të muzeut se sa me vlera të vërteta të tregut apo të biznesit.
.
.
. (vijon)

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, June 4, 2010

Kriza sistemike… për ne, profanët.

.

. U bënë tashmë mbi dy vjet që po përjetoj krizën. Pata kështu rastin e rrallë të kqyr ciklin e plotë të një krize të kapitalizmit në të gjitha aspektet e saj : krizën e sektorit të pasurive të patundshme, që nga atdheu i saj Amerika preku Evropën mbarë dhe vuri në pah lojën e pështirë të subprime-ve, këto produkte derivate të helmëta të kuzhinës financiare ; krizën financiare, shembjen e stabilimenteve bankare si Lehmans Brothers si edhe tronditjen e thellë të një varg tempujsh të tjerë të financës së madhe për shkak të mungesës së besimit dhe të pares së lëngët për veprimet ndërmjet bankash ; krizën e bursave, indekset e të cilave morën tatëpjetën pikërisht për shkak të çrregullimeve të sistemit të pagesave dhe të kreditit ; krizën ekonomike, ngadalësimin e ritmeve të rritjes së ekonomisë në rang planetar – me pasojat tashmë të pashmangshme mbi të gjitha tregjet : të punës, të lëndëve të para dhe të prodhimeve…. Bile mund të them se kjo krizë më është bërë pjesë e pejzazhit të përditshëm ; një biçim konstante e pashmangshme që hyn në të gjitha muhabetet dhe debatet, si puna e shiut që bie me rradhë apo pa rradhë dhe që na kujton mungesën e bezdisshme të çadrës.
. Së fundi, pata fatin të përjetoj fazën fundore dhe më pasionante të saj : krizën e strukturave shtetërore për shkak të përkeqësimit të tejskajshëm të parametrave makroekonomikë – me rastin grek si shembull të spikatur. Bile ky rasti grek më risolli syve atë nënën e këngës që s’dinte ç’ti qante më parë atij Selmanit të saj : mashtrimin e tij fillestar me shifrat e borxhit publik, çoroditjen e sistemit të tij të pagave dhe të pensioneve, përuljen e tij para cinizmit të Evropës që përzgjat agoninë dhe që krahas serumit, i zgjat të sëmurit faturën, lebetitjen e tij për paundin e mishit dhe të gjakut helen që ai duhet t’i japë jahudisë Shilok për të paguar borxhin apo së fundi, buzën e varrit të hapur që pret të tjerë Selmanë…
. Të them të drejtën, pas të qarës më vjen edhe tundimi t’i ngazëllohem ndëshkimit. Atij ndëshkimi olimpian që rrufezon dhinë e zgjebosur - që edhe pse në grahmat e fundit, ëndërron t’i rrjepë lëkurën lepurit gjiton për t’u mbështjellë me të dhe mjekuar plagët e pashërueshme. Veçse s’kam harruar ende se edhe vetë Zeusi është helen dhe mjafton një dridhje sado e lehtë e dorës rrufetare për të shkrumbëzuar jo vetëm dhinë por edhe lepurin… Troç muhabetit, si kanë ardhur kohrat, duhet t’i druhemi jo vetëm Zeusit dhe dhuratës së grekut por edhe vetë këtij të fundit – edhe pse me të dyja këmbët në varr.
.
.
. * * *
.
. Për një kandid, profan ndaj çështjeve të ekonomisë dhe të politikës së madhe – ajo e shteteve, rruga është e përvijuar – bile e paracaktuar qysh në origjinë : gëlltitja pa përtypje e thënieve dhe analizave të të diturve. Por kandidllëku nuk është një sëmundje e pashërueshme : tashmë i rregjur nga një farë përvoje, dyshoj fort se këta të ditur – politikanë, ekonomistë, bankierë, analistë dhe të tjerë gazetarë, hanë të gjithë në një çanak dhe i falen të njejtës Perëndi. Mbetet pra profani, vërtet injorant por aspak idiot dhe si çdo profan, i huaj – në mos kundërshtar - i çdo shenjtërie apo idolatrie. E pra ky profan kurioz, nga momenti kur arrin të vërejë se mendimi strukturohet rreth të njejtave stereotipe dhe gjuha jehon e zbrazët, me thekse hipokrite bën vaki edhe të revoltohet, përpara se të fillojë dhe të lexojë për hesap të vet - dhe të reflektojë, gjithmonë në hesap të vet. A ja arrin gjithmonë qëllimit ? Ndoshta, nëse të tjerët që do ta gjykojnë do të tregohen zemërgjerë  dhe s'do ta zenë me gurë !
. Le të marrim si shembull pikërisht këtë krizën helene dhe nëpërmjet saj, të mundohemi të deshifrojmë skemën evropiane nëpërmjet disa postulateve tashmë të vërtetuara :
.
. 1. Fajin e ka vetë Greqia, pasi ajo mashtroi Evropën për të fshehur borxhin e saj publik « frikshëm »
.
. Pa asnjë dyshim Greqia falsifikoi rregjistrat e saj për të hyrë në Evropën e evrosë, duke fshehur gjendjen e vajtueshme të financave të saj publike. Por ndërkohë, ne kemi harruar që të tilla akrobacira financiare u bënë në vitin 2001 me fajësinë e bankës fort të nderuar Goldman Sachs, nëpërmjet operacioneve swaps të devizave dhe të produkteve të tjera derivate, gjë e cila i lejoi qeverisë të asokohe greke të « kursente » mbi 2 miliardë evro mbi borxhin e saj publik.
. Po a është Greqia e vetme në këtë rrugë gjynahqare të mashtrimit ? Absolutisht jo, pasi Evropa mbarë mashtron ! Në vitin 1996, Italia berluskoniane përdori mekanizmin e swap-eve të bankës J.P. Morgan, pikërisht për të reduktuar borxhin e saj publik ; në vitin 2000, Franca nxorri në treg bono të huasë publike dhe shtyu pagesat e interesave në fund të vitit 2014 – pikërisht për të « kuadruar » (lexo : fshehur) borxhin e saj publik ; në vitin 2004, Goldman Sachs dhe Deutche Bank ngritën në këmbë një stratagjemë financiare për Gjermaninë – të ashtuquajturën « Aries Vermoegensverwaltungs » - qëllimi i vetëm i të cilës ishte shvendosja e shumave të huazuara me përqindje interesi disa pikë mbi ato të tregut në llogari anekse, pikërisht që borxhi publik të paraqitej brenda kufijve të pranueshëm nga Evropa…
. Përse borxhi publik grek konsiderohet « i frikshëm », në nivelin 115% të Prodhimit të Brendshëm Brut (PBB) kur ai japonez me 200% nuk i bën frikë askujt? Ndoshta, për shkak se Greqia bën pjesë në Evropë dhe në këtë pjesë të sistemit kapitalist botëror, llogaritë publike janë një element fort i ndjeshëm i ekuilibrit ekonomik... Përse atëhere, borxhi publik i Estonisë (140% i PBB), i Hungarisë (160%) apo i Rumanisë (155%) nuk frikësojnë thuaj askënd, ndërkohë që borxhi publik i Islandës, i vlerësuar me 925% të PBB, as që përmendet si faktor frike ? Ndoshta, pasi Estonia, Hungaria apo Rumania nuk bëjnë pjesë në zonën euro ndërkohë që Islanda nuk bën pjesë në Evropën e Bashkuar… Përse më tej, Greqia u vu në qendër të spekullimit financiar duke u shëndrruar në makthin e Evropës ndërkohë që Italia borxhet publike të të cilës vlerësohen me 116% të PBB, nuk alarmon ende tregjet ? Ndoshta, pasi shteti grek e ka humbur kredibilitetin ekonomik pikërisht për shkak të kombinimit të një borxhi publik të stërmadh me deficitin publik prej 12.7% të PBB… Përse së fundi, Irlanda nuk e ka humbur këtë të famshëm kredibilitet kur borxhi i saj i avitet shifrës 100% të PBB ndërkohë që deficiti gjendet gjithashtu në nivelin 12% ? Ndoshta, pasi….
. Si shumë ndoshta po bëhen, ndërkohë që logjika fillon dhe humb pedalet. Po a ka logjikë ekonomike në këtë Evropë të Bashkuar që zgjohet befas e alarmuar një mëngjez të bukur nga deficiti permanent i Greqisë ndërkohë që gjatë gjithë kohës ka mbyllur sytë përpara blerjeve të saj të pafund të armëve, të shpenzimeve pa hesap për Lojrat Olimpike të Athinës në vitin 2004, të kostos të papërballueshme të shpenzimeve të shtetit për rrogat dhe pensionet etj.. etj… ?
. E vetmja logjikë që qëndron në këmbë në këtë rast është ajo e interesave gjeostrategjike dhe politike evropiane që pak ka të bëjë me konsideratat ekonomike – në formën e solidaritetit mes ekonomive të bashkërenduara. Nuk është rastësi fakti që avokatët më të mirë për pranimin e Greqisë në gjirin e Evropës së evrosë në vitin 2001 ishin pikërisht Franca – furnizuesi kryesor (bashkë me Gjermaninë) i armëve të këtij vendi, dhe Gjermania – kreditori kryesor (bashkë me Francën) i ekonomisë greke, bankat e të cilave zotërojnë mbi 80% të borxhit grek. Me fjalë të tjera, Evropa e Bashkuar është një grupim i natyrës politiko-ekonomik, i krijuar si domosdoshmëri për t’ju përgjigjur një realiteti shqetësues të shekullit të XX – egzistencës së rrezikut të një përplasjeje madhore mes dy superfuqive të epokës dhe konkurrencës së dy sistemeve ekonomike kundërshtuese, përpos nevojës së prekshme të ballancimit të tregjeve në gjirin e vetë sistemit kapitalist mbizotërues. Në këtë optikë, forca e asaj Evrope matej me efektin e përmasës së saj gjeografike dhe fuqia e saj përcaktohej nga shuma e thjeshtë e peshave specifike të vendeve antare, ndërkohë që interesi i saj imediat shtynte drejt krijimit të një hapësire ekonomike të përbashkët, të një tregu të përbashkët, të një monedhe të përbashkët – në situatën kur shuma e flukseve të shkëmbimeve mes saj dhe botës ishte me kahje pozitive, e kushtëzuar nga niveli teknologjik, nga shkalla e investimit intelektual, nga marrëdhëniet e saj të privilegjuara me masën e vendeve të pazhvilluara ose në në zhvillim, rrjedhojë e të kaluarës koloniale.
. Veçse sot, ky realitet nuk egziston më. Në më pak se dy dekada, faqja e botës është shëndrruar thuaj krejtësisht dhe globalizimi i ekonomisë dhe i tregjeve - tashmë të njehsuar nga pikpamja e marëdhënieve ekonomike, ka përmbysur kryekëput raportet e vjetra. Në këto kushte, Evropa - edhe pse e bashkuar, nuk arrin të çojë peshë nga pikpamja ekonomike dhe të imponohet si forcë ligjvënëse botërore. Një varg ekonomish emergjente dhe agresive - Kina, India, Koreja, Indonezia dhe të tjerë Brazilë - kanë dalë në skenë ; të nxitura nga gradientë të brendshëm pozitivë prodhues dhe teknologjikë, të mbështetura nga mekanizma të favorshëm pagash dhe force puntore, të frymëzuara nga raporte interesante monetare, ato kanë tronditur thellësisht ekulibrin e vjetër të qarkullimit të mallrave dhe të lëndëve të para, të akumulimit të kapitaleve, të shpërndarjes së punës dhe të vlerave të dikurshme.
. Përfundimisht, Greqia posepo « mashtroi » Evropën por në rradhë të parë, Evropa ka mashtruar vetvehten duke kërkuar të bëjë stan me lepuj dhe me dhi të zgjebosura. Dhe u desh pikërisht kjo kriza e fundit sistemike për të vëzhguar paradoksin e vërtetë që ngërthen realitetin e sotëm evropian :
.
. Evropa është gabuar rëndë duke konsideruar si përjetësisht të qëndrueshëm sistemin e saj egzistues të financave publike, të bankave dhe të rishpërndarjes së pasurisë – thjesht, të mirëqënies së saj legjendare, të mbështetur kryekëput mbi borxhet dhe kredinë.
.
. 2. Greqia është në prag të falimentimit, sikundër dhe të tjera vende të zonës euro, dhe në këtë rast, Bashkimit Evropian s’i mbetet rrugë tjetër veçse ta verë nën tutelë dhe t’i huazojë shuma të tjera.
.
. Kush është ajo fuqi hyjnore që vendos nëse një shtet është apo jo në prag të falimentimit ? Me sa duket, të ashtuquajturat Agjensi të vlerësimit - nja dy a tre organizma private të ekspertizës financiare të cilat, nëpërmjet një sistemi germash dhe shenjash barbare për profanët (AAA+, AAA-, ABB+ etj..), arrijnë të vlerësojnë pikërisht kredibilitetin dhe qëndrueshmërinë e një shteti apo institucioni financiar për të shlyer angazhimet e ndërmara. Pikërisht ato që tre ditë përpara falimentimit të bankës Lehman Brodhers, i akorduan kësaj të fundit një A të trefishtë, të dekoruar me një kryq !
. Për hir të një rastësie fatlume, këto agjensi gravitojnë rreth gjigandëve bankarë si Goldman Sachs sikundër edhe hëna vërtitet rreth tokës dhe po ashtu si hëna gjatë eklipsit, i errësojnë dritën herë një vendi herë një vendi tjetër. Në këtë terr, gjithmonë si rastësisht, qeveritarëve të çoroditur ju shfaqet spektri i fajdexhiut Sachs, që si edhe të tjera zhgaba hedge funds sillet rrotull kërmës – i gatshëm për t’ju dhënë kredi të reja disa dhjetra miliardëshe me 8.5% interes, ose dy herë më tepër në krahasim me të tjerë nevojtarë më fisnikë. Ja pra edhe paradoksi tjetër, i vënë në pah nga kriza :
.
. për t’i dhënë fund krizës financiare që trondiste bursat dhe shembte bankat, shteti zbrazi qesen, thau financat, bile hyri në borxh (!!) për t’ju përzgjatur egzistencën ; për hir të këtij borxhi, tashmë të pafund – pra të pakontrollueshëm, po këto banka dhe fonde financiare ndërkombëtare e shpallin shtetin si të falimentuar dhe i ofrojnë borxhe të reja për të paguar thjesht këstet e borxhit, ndërkohë që e kushtëzojnë dhënien e tij me ndërmarrjen e kursimeve dhe masave të reduktimit të shpenzimeve publike.
.
. Me fjalë të tjera, parja asnjëherë nuk ka munguar – bile edhe në kulmin e krizës, veçse ajo nuk gjendet aty ku duhet dhe sipas dozës, ajo mund të jetë ilaç ose helm ! Ndoshta gabohem rëndë kur shprehem – por fundja një profani si puna ime edhe i falet – se kemi të bëjmë me një spekullim të stërmadh, pre e të cilit tashmë nuk janë më individët e çoroditur apo aksionarët naivë por vetë shtetet. Dikush nga e majta e sallës, në vend të shteteve do të kish thënë masat e gjera punonjëse, të cilave ju kërkohet të bëjnë sakrifica të rënda dhe afatgjata në rrogë, në fuqinë e tyre blerëse dhe në standardin e tyre të jetesës. Besa, ai i të majtës ka të drejtë përderisa këto masa punonjëse do të sakrifikojnë deri edhe këmishën e trupit jo për të mbajtur në këmbë shtetin e tyre të krimbur në borxhe, por që ky i fundit të mund të tregohet i besueshëm ndaj bankave dhe kreditorëve të tjerë institucionalë, me qëllim që ata t’i akordojnë të tjera borxhe. Pasi ajo çka quhet « kriza greke » është në të vërtetë kriza e borxhit publik grek ndaj bankave (43% të shumave), ndaj fondeve mutuale (22%) dhe fondeve të pensioneve (15%). Sa për vetë borxhin prej 300 miliardë euro (30.000 euro për kokë greku, pensionist vorioepirot apo foshnjë në bark të nënës qoftë), as që bëhet fjalë. Le ta paguajë kush të mundet, vetëm unë jo !
. Përse pikërisht është Greqia që u kumbis e para në këtë grackë spekulluese ? Pasi ajo është rrota e fundit e karrocës, dominoja e parë e një vargu të gjatë evropian, rënia e të cilës ve në rrezik gjithë zonën ekonomike kontinentale ; pasi, më tej, qëllimi final i këtij spekullimi është vetë monedha unike, në mos egzistenca vetë e këtij Bashkimi ekonomik.
. Si e mendon kjo Evropë zgjidhjen e krizës greke të borxheve ? Duke i dhënë Greqisë një borxh të ri prej 110 miliard eurosh gjatë tre vjetëve të ardhshme. Për besë, kjo metodë e rregjur evropiane për të paguar interesat e borxhit nëpërmjet marjes së borxheve të reja, më kujton baronin Munchausen i cili shpresonte të fluturonte në ajër duke tërhequr fort lidhëset e këpucëve, përpara se të kalëronte gjylen dhe të përplasej bashkë me të pas murit ! Kaq budallaqe të ketë katandisur Evropa ? Së pari, i duhet vënë emri i vërtetë – shejtan budalla, pasi ndërkohë që ajo i huan Greqisë 110 miliard euro me shkallë interesi prej 5%, ajo e ka marë këtë shumë pikërisht pranë bankave të veta me 2.8%. I vdekur që i vdekur greku, le të paguajë edhe autobuzin për krushqit dhe vajtojcat !
. Së dyti, etiketa Evropë mbulon në të vërtetë politikën - qoftë ajo ekonomike, bile edhe e papërgjegjshme – të një bande burrash dhe grash që piqen hera-herës në Bruksel apo në Strasburg, të cilët sot janë nesër jo, dhe që mundohen t’ja ngecin bixhin atyre që do të vinë pas, në mos të ëndërrojnë mes dy drekash një luftë të ardhshme që të fshijë të gjitha borxhet – bile edhe evropianët me atë rast. Në këto raste jemi mësuar të themi : mjerë ai që vdes, pasi të gjallët bëjnë si bëjnë dhe harrojnë ! Veçse me sa duken bathët, tashmë do të na duhet të ndrrojmë kahjen : mjerë i gjalli që do të paguajë faturën e borxhit, pasi të vdekurit s’ja kujton dot kush ! E shoh nga larg atë mëngjëroshin e sallës që ngrihet më këmbë : pse jo, një revolucion si ai i Leninit në vitin 1918, që me një dekret fshiu borxhet dhe interesat e borxheve për jetë të jetëve.
.
. 3. Greqia duhet të përpilojë një plan urgjent kursimesh dhe shkurtimesh të shpenzimeve strukturore për të reduktuar borxhin publik.
.
. Ata të diturit tanë të fillimit, janë të mendimit se sot janë tregjet që udhëheqin botën. Ndryshe, bursat janë barometri i ekonomisë – tregues i krizës. Le të ndjekim pra këtë tregues nëpërmjet shtypit francez të muajve të fundit që komenton krizën greke dhe atë evropiane :
.
. Në fillim, atmosfera duket e paqme (Le Figaro, 13.04) – Tregjet e siguruara nga plani i ndihmës për Greqinë. Por shumë shpejt, puna fillon dhe ndërlikohet (Le Figaro, 27.04) – Angela Merkel ve kushte, tregjet shqetësohen. E pra, mjafton që dy Agjensi të vlerësimit të degradojnë borxhin grek dhe atë portugez që retë e zeza të nxijne qiellin (Le Figaro, 30.04) – Greqi, Portugali : panik i vërtetë në zonën euro. Ndërkohë, Evropa shpall planin e saj historik të shpëtimit prej 110 miliardësh dhe hop (Le Figaro, 30.04) – Ndihma për Greqinë e rishikuar në ngritje, tregjet hypin. Greqia është tashmë nën mbikqyrje të lartë : zjarrfiksit evropianë i imponojnë një kurë dobësimi. Por me sa duket, kjo gjë nuk është e mjaftueshme (Le Figaro, 04.05) – Tregjet mbeten skeptikë përballë përmasave të sakrificës që i kërkohet Athinës. Dhe paniku përhapet si zjarr i keq (Les Echos, 05.05) – Pas Greqisë, tashmë është Spanja që fundos tregjet. Tre të vrarë në Athinë gjatë një përleshjeje të manifestuesve anti-masa-kursyese-të-qeverisë me forcat e rendit dhe menjëherë, një valë tjetër çmendurie e tregjeve (Libération, 06.05) – Evropa humb busullën, tregjet në panik. Të gjithë bursat bien në pikiatë. Delir komplet (Le Parisien, 08.05) – Panik në Evropë. I vjen rradha elektroshokut ! I sëmuri u shërua, veçse u deshën 750 miliard euro (La Tribune, 11.05) – Plan historik. Tregjet euforike. Por me sa duket, këto të uruara tregje janë krejtësisht paranojake. Me t’u siguruar rreptësia që ju mungonte, kjo rreptësi fillon dhe i shqetëson (Le Monde, 12.05) – Aplikimi i rreptësisë financiare rrezikon të komprometojë daljen nga kriza. Mama, kam frikë… gogoli po vjen (Le Monde, 16.05) – Kriza e borxheve dhe dyshimet mbi të ardhmen e euros panikojnë tregjet. Tashmë është evroja që shkakton nevrasteni (Le Parisien, 18.05) – Rënia e euros vazhdon të çrregullojë tregjet.
. Në këtë pikë të historisë mund të pranojmë fare mirë që tregjet kanë probleme mendore, por sado ciklothimike që të duken, diku-diku ato kanë të drejtë, pasi :
.
. çdo plan i rreptë kursimesh të financave publike dhe shkurtimesh të shpenzimeve strukturore me qëllim reduktimin e borxhit publik, përkthehet në gjuhën e thjeshtë me zvogëlim të rrogave dhe të pensioneve, me rritjen e VAT-it, me zvogëlim të fondeve për shëndetin dhe për pagesat sociale, me rritjen e taksave. Troç, me zvogëlimin e fuqisë blerëse të popullatës ; gjë e cila pasqyrohet menjëherë në rrudhjen e rritjes ekonomike, pra automatikisht, në më pak të ardhura për arkën e shtetit, në më pak mundësi praktikë të këtij shteti për të paguar borxhet.
.
. Sikundër thotë edhe ajo fjala popullore : duhet zgjedhur mes tifos – falimentimit financiar – dhe kolerës – përmbysjes ekonomike. Grekët tanë – si trima mitikë dhe ballkanikë që janë – pritet të përveshin llërët për të aplikuar strategjinë e motrave Danaide. E thënë ndryshe, qeveria e Papandreut i fton t’u sulen kovave për të mbushur butin që i mungon fundi ! Në se i kapllon lodhja, i ftojmë të ulen në hije me një gotë uzo të ftohtë përpara, dy ullinj dhe një thelb hudhër… dhuratë e vobegtë e krizës ! Paçka se do t’ju mungojë rrëkeja me ujë të akullt – aq e dashur për elbasanllinjtë tanë të Kalasë, për të ftohur këmbët dhe për të rrëkëllirë alkolin. Më vijnë vetvetiu ndër mend elbasanllinjtë, ndoshta për shkak të dembellëkut të tyre legjendar dhe po aq vetvetiu më kujtohet Sudja – gjithashtu legjendare. Pasi, edhe pse grek safi, ky Papandreu është po aq i specializuar sa edhe jevga në piramidat financiare, përderisa aplikon të njejtën formulë : zhvati paret të dytit për të paguar të parin, mbathja këmbëve përpara se të të zerë turma…
.
.
. * * *
.
. Prej kohësh e kemi ditur që kapitalizmi – ky sistem ekonomiko-financiaro-politik mbarëbotëror, është i barsur me krizën. Në këtë pikë, ai i ngjan asaj nuses së re, shtati i të cilës lulëzon me lindjen e fëmijës së parë – dhe rrënohet përfundimisht pas lindjes së dhjetë apo të dymbëdhjetë, i cfilitur nga barra. Të gjithë politikanët e dynjasë që halli i shëndrroi në doktorë - përpos atyre mjekëve që rastësia i shëndrroi në politikanë – janë në gjendje të dëshmojnë se një e tillë « sëmundje » sistemike mund të trajtohet veçse me një terapi sistemike. Një mënyrë savante – shkencore – për të thënë se mënyra më e mirë për të shpëtuar të sëmurin që po heq shpirt është… rivenia mbi baza të shëndosha të rregjistrave kontabël të spitalit.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur