"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, April 26, 2010

Nacional-komunizmi i Hoxhës (2).


.
. Historia e epokës komuniste na sjell dy pamje, ku ndërthuren vështrimi i jashtëm dhe i brendshëm : e para sintetike - e një rregjimi totalitar, ku rivaliteti për pushtet vulos me gjurmën e vet të përgjakur të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore ; e dyta analitike - e një vepre autokratike, mistika e të cilës nyjëzohet nëpërmjet trinitetit të hipostazave : një dogmë absolute – komunizmi, një inteligjencë – Enver Hoxha dhe një shpirt – interesi kombëtar. Në optikën e mësipërme, shqyrtimi i aspektit nacional-komunist të këtij rregjimi merr një rëndësi të dorës së parë pasi ai hedh dritë mbi pyetjen e mëposhtme :
. Është personaliteti i Enver Hoxhës ai që ka shërbyer si kyçi i qemerit në kurorëzimin e përsosur mes utopisë komuniste dhe interesit të kombit ? apo, është burri i shtetit Hoxha që është shërbyer nga doktrina komuniste për të ngritur një pushtet vetjak, në emër të idealit të një populli të tërë ?
.
.
. * * *
.
.
. Çka përfaqson nacional-komunizmi i Hoxhës në sytë e egzegjetëve të sotëm të diktaturës komuniste ? Thjesht për kujtesë, shfaqja e kësaj terminologjie në pejzazhin e studimeve dhe të letrave politike dhe shoqërore shqipe është e vonshme, e fundviteve 90 dhe e këtij dhjetëvjeçari në vijim, e pandarë nga përpjekja e një grup studiuesish që synojnë futjen e frymës kritike në kulturën shqiptare dhe « shmitizimin - dekonstruktimin » e historisë. Kështu penat e Lubonjës, Mishës, Klosit apo edhe e Vehbiut – për të mos përmendur të tjerë - ndikuan fort dhe arritën që kjo frazeologji të bëhet pjesë përbërëse e një discours-i politik, një etiketë përgjithësuese e atij rregjimi.
.
. Veçse, nuk mund të mos përmend faktin tjetër se pas këtij këndi intelektual kqyrjeje vjen një bindje, ndonëse e sinqertë gjithsesi e ngushtë lidhur me temën tonë, se historia e Shqipërisë, në mos është një tog mitesh – të paktën, strukturohet mbi një farë mitologjie, të farkëtuar pikërisht nga nacional-komunizmi, ngurtësohet në klishetë nacional-komuniste. Me fjalë të tjera, esenca e nacional-komunizmit të Hoxhës është pikërisht ajo përpjekje – kryesisht ideologjike, pra historishkruarëse dhe/apo bërëse – që synonte himnizimin dhe hyjnizimin e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve, për të realizuar strategjinë e tij afatgjatë apo edhe taktikat e tij të momentit dhe që shkrihej në dialektikën e pashmangshme të mbajtjes dhe të forcimit të pushtetit. Në mbështetje të kësaj teze është edhe debati pasional i lindur mbi figurën e Skënderbeut dhe vendin e tij në histori, pas botimit të monografisë të fundit të Oliver Schmittit – një rast i paçmuar për të larë hesapet një herë e mirë me « mitet kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste ».
. Por për fat të keq të debatuesve të shumtë, tema skënderbejane shërben njëkohësisht si ilustrim i përsosur i kundërtezës se temat madhore të historiografisë shqiptare të përmendura më lart (vazhdimësia historike me Ilirët, bashkimi i popullit me Skënderbeun dhe pjekuria politike e popullit shqiptar me Lidhjen e Prizrenit) nuk janê aspak atribut i historianëve kalemxhinj komunistë, nga momenti kur ato këndohen me të njejtat iso nga muza nacionaliste. E thënë ndryshe, komunizmi dhe nacionalizmi shtrihen në të njejtin shtrat dhe mbulohen me të njejtat çarçafë, nga momenti kur bëhet fjalë për trajtimin e historisë tonë kombëtare. Po ngutem të them : një arsye më tepêr pêr tê justifikuar etiketën e mësipërme !
. Veçse - dhe me vështrimin e kthjellët të historianëve kombiarë të llojit Abas Ermenji, çfarë epiteti do të kishëm gjetur për të cilësuar gjysmëshekullin e shkuar, në hipotezën fatkeqësisht të pamundur të fitores së kampit republikano-ballist, pas të dështuarës luftë të dytë botërore ? A do të guxonim ta quanim atë rregjim aq të dëshiruar nacional-demokraci, ndërkohë që shkrimin adekuat të historisë së vendit ta cilësonim « të ngritur mbi mitet kombëtariste republikane të trashëguara nga Rilindja dhe periudha balliste » ?
. Dashur padashur, shkasim kështu drejt absurdit – i njejti absurd që heziton të emërojë me të njejtat terma demokracinë aktuale helene, franceze ose çifute… Për fat, ontologjia na ndih të zgjidhim dilemën duke na përmendur Aristotelin dhe Principin e Kontradiktave në Metafizikën e tij : « … është e pamundur që i njejti atribut (nacionalizmi) t’i përkasë dhe të mos i përkasë njëkohësisht dhe në të njejtat raporte një sendi të vetëm (historisë) ». S’më mbetet gjë tjetër përveç të përmend shprehjen e David Hilbert : « t’i heqësh duarsh matematikanin tertium non datur, është njëlloj sikur t’i heqësh astronomit teleskopin dhe grushtat boksierit ». Dhe nëse mund të imagjinojmë qoftë edhe për një çast historianin në rolin e matematikanit të pafuqishëm, ajo gjëja e tretë që i mungon është pikërisht pohimi i pashprehur se historia dhe ideologjia janë gjithmonë në unison.
.
. Në një tjetër rregjistër dhe me të tjera mjete shprehëse, një prej vëzhguesve më të vëmendshëm dhe të rrallë të jetës politike shqiptare të asokohe (Gabriel Jandot - L'Albanie d'Enver Hoxha (1944-1985), Paris, L'Harmattan, 1994.) pohon se, nën shembullin e Baballarëve themelues të pushtetit socialist, Enver Hoxha paskish qenë një « zbutës » i turmave, një « magjistar » i cili, sikundër çdo diktator, « aplikon një rit diktatorial të përbërë nga përbërës elementarë : ceremoni pothuaj fetare, parada të mëdha, fjalime ». Me fjalë të tjera, magjia e tij mbështetej mbi :
.
. Mesianizmin e një drejtuesi, i cili diti t’ju propozonte masave popullore një fjalim reduktues - aq sa duhet, me qëllim që sejcili nga individët të mund të shohë tek ai vetveten, të gjendet si në fjalën e tij ashtu edhe në Heroin… Përsa i përket Fjalës, nuk ishte e mundur që ajo të mos ja arrinte qëllimit, pasi ishin grumbulluar të gjitha kushtet që siguronin suksesin e saj. Masa shqiptare, e zhveshur nga ëndrrat përgjatë gjithë atyre viteve bindjeje, apatike nga nënshtrimi, e shpërbërë nga izolimi i sejcilit në hapsirën e tij jetësore, duke pritur pa shpresë ardhjen e atij që do të mund ti bashkonte. Arritja e qëllimit kalonte përmes propozimit, fillimisht me anë të forcës, dhe më tej me anë të tërheqjes ; një grup conceptesh të përgjithshme në dukje të thjeshta por që i përgjigjeshin në mënyrë të veçantë kërkesave të tyre.
.
. Pse s’na thuhet më mirë që ndodhemi në një panair : nga njëra anë një publik teveqel dhe gojëhapur dhe nga ana tjetër një magjistar i vërtetë që xhonglon me instrumentat e tij të preferuara – nacionalizmin dhe marksizmin. Me sa duket, kjo zgjedhje jo vetëm s’është e rastit por njëkohësisht ajo dëshmon për talentin e artistit - sikundër dhe të studiuesit, i cili është i bindur mbi drejtësinë e postulatit të tij themelor « nacionalizmi dhe marksizmi i përgjigjen më së miri përkufizimit të mësipërm ».
. Gjithmonë sipas Jandot, duke u mbështetur mbi memorjen, duke u frymëzuar në të kaluarën si Histori, elementi « nacionalizëm » çon drejt origjinës :
.
. drejt lindjes nascio, drejt vendlindjes, drejt atdheut që është një dhe i pandashëm, drejt Atit, drejt stërgjyshërve. Ai i përgjigjet asaj nevoje afektive të sejcilit për t’u kthyer drejt fëmijërisë, drejt misterit të origjinës. Ai imponohet si një vërtetësi e padiskutueshme, shtrin rrënjët në të kaluarën, mbështetet mbi kujtimet, mbi historinë.. Një koncept i thjeshtë dhe koherent, një bindje afektive : pikërisht ajo çka i duhet turmës për të « kuptuar » ngjarjet. I imponuar në këtë mënyrë, ai kthehet në një besnikëri e thellë dhe e pavetëdijshme ndaj origjinës dhe.. shëndrron sejcilin në një fëmijë të vënë nën autoritetin e një Ati – Hero i pagabueshëm.
.
. Pra, nëpërmjet kësaj alkimie tipike hoxhiste dhe natyrisht shqiptare, « nacionalizmi kthehet në një referencë aktive ndaj të kaluarës » :
.
.  Elementi i dytë, marksizmi, propozon të kundërtën… Ai i bën thirrje njëkohësisht të ardhmes, ëndrrës dhe Parajsës. Marksizmi transporton individin, si element i turmës drejt nevojës mishërore të lumturisë, në kënaqjen e nevojave elementare. Qofshin ato organike – sejcili sipas nevojave – ose morale – sejcili sipas kapaciteteve - marksizmi përbën bindjen e plotësimit të tyre.
.
. Falë forcës së sugjestionimit, sharlatani Hoxha arrin kështu të bindë se « marksizmi është siguria e një të ardhme të lumtur për sejcilin dhe për të të gjithë bashkë ». E megjithatë, eleganca e tij e vërtetë për të mos thënë përsosmëria apo transhendenca qëndron në shkrirjen e magjishme të koncepteve e shkuar – e tashme me anë të logarqisë ; e thënë ndryshe, ai arrin të lartësojë nacional-marksizmin e tij vetëm me anë të forcës së Fjalës.
. Përsosmëria e imazhit të krijuar në këtë mënyrë zbehet vetëm nëpërmjet një pyetjeje të thjeshtë që vjen në mendje vetvetiu : Përse ky nacional-komunizmi i tij, i quajtur herë herë nacional-marksizëm, të jetë kaq i ndryshëm në krahasim me të tjerët, sivëllezërit e tij në botën mbarë ?
. Në këtë pikë, të tjerë vrojtues dhe e analistë të botës së gjerë komuniste është unanime : autarki apo vetëadministrim, rezistencë apo bindje ndaj modelit sovjetik, gjithandej në Ballkan – që nga Shqipëria në Jugosllavi, duke kaluar nëpër Rumani bile sipas gjasave edhe nëpër Bullgari – komunizmi gjithmonë ka qenë nacional – komunizëm. Edhe më gjerë, paradigma ballkanike mund të zbatohet mbi mbarë botën : Koreja e Veriut, Vietnami, Kuba – pa folur për Kinën tashmë të njohur, të gjitha variantet lokale të komunizmit s’janë gjë tjetër veç rregjime nacional-komuniste. Pra, duhet të merret guximi dhe të thuhet se, megjithë që shprehja nacional-komunizëm është mjaft tërheqëse qoftë edhe për faktin që afron sado pak në ditët e sotme kujtimin e llahtarshëm një « kushëriri » të largët nacional – socialist, analiza e mbështetur thjesht mbi këmbënguljen e njëanshme ndaj një farë koncepti të kombit është e gabuar pasi ajo mëkaton nga zelli i tepërt. E parë nga ky kënd vështrimi, të gjitha vendet komuniste të botës – nga më i vogli tek më i madhi, përfshirë edhe vetë Bashkimin Sovjetik – mund të trajtohen si nacional-komuniste.
.
.
. * * *
.
.
. Duke ju rikthyer asaj përçapjeje « nacionaliste », të konsideruar si të brendshme dhe të pandashme nga komunizmi i Hoxhës, më duhet të theksoj se aspekti lavdithurës i historisë kombëtare që rregjimi mundi të ndërtojë për përdorim të brendshëm mbetet i dorës së dytë përkundrejt asaj politikë me fytyrë thellësisht puritane që paraqitet në rrafshin e jashtëm. Ja përse ai subjekt përvëlues i pakicave shqiptare që jetonin në vendet fqinje nuk i detyroi asnjëherë autoritetet e Tiranës që të tërheqin vëmendjen e instancave ndërkombëtare. Për të përmbushur misionin historik të ndërtimit të socializmit dhe më tej të komunizmit në Shqipëri, Hoxha kish mbyllur një herë e mirë kapitullin i kufijve, megjithë faktin se grindjet territoriale historikisht kanë qenë në themel të sjelljes së fqinjëve me shtetit shqiptar. Duke hedhur poshtë në këtë mënyrë nacionalizmin tradicional shqiptaromadh për shkak të mospërputhjes së tij me bindjet e veta komuniste, Hoxha mundi të shpikë një national-attitude të re shqiptarovogël, vlera kryesore e të cilës është vërtetësia dhe jo origjinaliteti i rrugës së zgjedhur. Sipas tij, bëhej fjalë për një komunizëm besnik ndaj mendimit të origjinës : të paktën, i vetmi që ështe besnikërisht konform me teorinë – ashtu siç ishte ngjizur nga klasikët e marksizmit dhe të leninizmit. Ky ishte i vetmi « kapital tregëtar » i përvojës shqiptare, arsyeja e vetme e egzistencës të atij grushti « të pabindurish », të rrethuar nga një botë e jashtme bardhë e zi, e nënshtruar nga imperializmi dhe nga revizionizmi. Është pikërisht ky aspekt i realitetit që « i shpëton » historianit Kristo Frashëri kur analizon « patriotizmin » e komunizmit shqiptar, si një alternativë ndaj nacionalizmit të tij të munguar – pasi atribut i të djathtës kombëtare. Përgjigjen më të mirë historianit ja sjell një tjetër militant i atij krahu (Milovan DJILAS – La nouvelle classe dirigeante, Ed. Plon, Paris 1957) që guxoi të gjykojë sistemin komunist, gjithësesi duke qenë pjesa e tij përbërëse :
.
.komunistët nuk janë nacionalistë ; për ata, këmbëngulja mbi përkatësinë nacionale është veç një mënyrë, ashtu si çdo mënyrë tjetër për të ushqyer, për të përforcuar ose për të mbrojtur pushtetin e tyre dhe, për këtë qëllim të vetëm, ata janë të aftë të veprojnë dhe sipas rastit ta shfrytëzojnë atë ndjenjë qoftë si antipatriotë qoftë edhe si shovinistë fanatikë.
.
. Në se duam t’i rikthehemi qoftë edhe shkurtimisht motiveve të brëndshme që shtynë Hoxhën të zgjedhë për strehë mbrojtjen e principeve të marksizmit, na duhet të rikthehemi pas në zhvillimet politike të kampit komunist në mesin e viteve 50.
. Menjëherë pas vdekjes së Stalinit (mars 1953), udhëheqja e re sovjetike filloi të flasë hapur për « devijimin e konceptit marksist-leninist ndaj rolit të personalitetit në histori », i cili duhej të korrigjohej gjithandej në dobi të « vendosjes së udhëheqjes kolektive », ndërkohë që i propozoi Titos rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Megjithëse i detyruar të ndjekë rrymën e përgjithshme të ndarjes së funksioneve më të larta në kreun e shtetit shqiptar (braktisja e postit të ministrit të Jashtëm, dhe të Brendshëm dhe së fundi të Kryeministrit) dhe përqëndrimi i tij në detyrën e Sekretarit të Parë të PPSH, Hoxha pati atë nuhatje të pazakonshme për të kuptuar që jo çdo gjë ishte regulluar dhe kish marrë fund në gjirin e udhëheqjes sovjetike : klani stalinist, vazhdonte të rezistonte kundër klanit të reformatorëve të Krushovit ; ai mbetej gjithmonë i fuqishëm dhe mund të shërbente si një mburojë ende për një periudhë. Dualizmi sovjetik nuk mund të bënte ndryshe veçse të frymëzonte një pluralizëm sjelljesh nga ana e partive të tjera komuniste.
. Duke u rrasur në këtë të çarë të krijuar, udhëheqësi shqiptar mundi të ndërtonte dhe të avanconte një varg qëndrimesh, të cilat prodhuan një çfazim lidhur me Bashkimin Sovjetik. Kështu, në menyrë paradoksale, ishte rezistenca e klaneve staliniste kundër destalinizimit që do të shtyjë disa nga vendet komuniste, dukë përfshirë edhe Shqipërinë, drejt desatelizimit (François FEJTO - Histoire des démocraties populaires, Tome II - Après Staline. Editions du Seuil, 1979).
. Për më tepër, udhëtimi i Krushovit dhe ekipit të tij në Kinë, në tetor të vitit 1954 solli një të re në marrëdhëniet mes partive dhe vendeve komuniste : bashkëpunimin sipas « principeve të barazisë të të drejtave, të përfitimeve reciproke, të respektit të përbashkët, të sovranitetit kombëtar dhe të integritetit territorial ». Kjo terminologji, e pazakontë për epokën, i hapte portën rehabilitimit të Titos dhe të Jugosllavisë. Dhe me të vërtetë, që nga muaji qershor i vitit 1954, ndërkohë që ndodhej në Pragë, Krushovi e quajti prishjen e 1948 si një « gabim të rëndë politik, përgjegjësia e të cilit binte kryesisht mbi Stalinin ». Pas fjalëve erdhën veprat dhe përfundimisht u morr kthesa : në 25 maj të vitit 1955, ekipi partijak sovjetik pas vizitës së tij në Kinë zbarkoi në Beograd dhe fjala e parë e shefit të Kremlinit për të zotin e shtëpisë Tito ishte që « Partia Komuniste Jugosllave ka mbetur një parti marksiste-leniniste ». Deklarata e përbashkët e të dy udhëheqësve, e botuar më 3 qershor, e cila vinte në dukje « rrugët e ndryshme drejt socializmit » la me gojë hapur të gjithë skeptikët në botë që më në fund u bindën lidhur me atë fllad të ri që po frynte përtej Perdes së Hekurt. Pra jo vetëm që Krushovi u detyrua të shkojë në Beograd për t’ju përulur Titos por ky i fundit e detyroi patronin e madh rus të njohë përfundimisht ortodoksinë e Lidhjes së Komunistëve dhe të njohë që tashmë, marrëdhëniet mes dy vendeve të vendosen mbi bazën e marrëdhënieve mes Shteteve dhe jo mbi bazën e ideologjisë.
. Përfundimisht, Tito çfaqej përpara lëvizjes komuniste ndërkombëtare jo vetëm si një martir por edhe si një nga zërat e saj më të spikatura : pavarësi e plotë e vendit të tij, falë principit të mosndërhyrjes në punët e brendshme – tashmë të ligjëruar edhe në deklaratën e përbashkët ; pavarësi në përcaktimin e rrugëve të shkuarjes në socializëm. Në këtë mënyrë, rruga kombëtare jo vetëm që nuk konsiderohet një devijim, por paraqitet si një rrugë krejt e ligjëshme, e hapur ndaj kujtdo. Ja edhe konteksti (tmerri i Hoxhës ndaj një procesi të ardhshëm rehabilitimi të viktimave pro-titiste si edhe nënshtrimi ndaj Mareshallit) që përgatiti orientimin e PPSH drejt konfliktit të hapur me « revizionizmin krushovian » dhe afrimin e saj me Kinën e Maos. Me fjalë të tjera, Hoxha gjeti justifikimin – si edhe frymëzimin - në leximin e kujdesshëm të Leninit - veçanërisht të kritikës së tij ndaj oportunizmit dhe social-demokracisë « edhe sikur, në rrafshin e ideve, revolucioni marksist dhe nacionalizmi s’mund të përputhen, në rrafshin e aksionit konkret dhe të dinamikës së historisë, sapo që socializmi merr etiketën « kombëtar » ai s’është më socializëm » (Maurice Merleau-Ponty – Sens et Non-Sens : autour du Marxisme, Bibliothèque de Philosophie, Ed Gallimard, Paris 1996).
. Shqetësimi ndaj humbjes së universalitetit të parimeve për shkak të përshtatjes me veçoritë kombëtare - ky është dhe sinori që ndan Hoxhën nga bashkëkohësit e tij marksistë në pushtet. Sipas tij, të gjithë burrat e shtetit komunistë – që nga Tito tek Krushovi, që nga Mao tek Çaushesku duke kaluar nëpërmjet Kastros – pa llogaritur tashmë të tillë si Kadari, Dubçeku apo Zhivkovi – kishin tradhëtuar parimet e marksizëm–leninizmit nga momenti që, nën maskën e « pasurimit të teorisë », ata propozojnë rishkruarjen dhe interpretimin e tyre në dobi të praktikave ekonomike dhe politike të vendit të tyre, të taktikave dhe strategjive të pushtetit. « Të mbështetemi mbi vlerat kombëtare duke mbetur internacionalistë, të shërbejmë interesat kombëtare në funksion të zbatimit strikt të parimeve universale të marksizëm-leninizmit » – kjo kredo e Hoxhës, të cilën ai ndoqi deri në fund të jetës së tij, është krejt e kundërta me pikpamjen e analistëve perëndimorë, të cilët e interpretojnë si një nënshtrim të ideologjisë ndaj interesave kombëtare.
. Nëse diku fjala nënshtrim me të vërtetë mund të përdoret, duhet pritur faza e autarkisë së rregjimit (vitet 70 dhe prishja me Kinën), pra zgjedhja e vetëdijshme e izolimit – dhe me këtë rast, ndërprerja me thekse vetëvrasjeje e mbështetjes materiale dhe financiare e botës komuniste që e mbante atë rregjim deri atëhere më këmbë. Për të thënë përfundimisht se interesat kombëtare ju nënështruan mbijetesës së pushtetit vetjak të Hoxhës, nën pretekstin e zgjedhjes ideologjike.
. Por kjo është një tjetër histori, rradha e të cilës ende nuk ka ardhur…

 
Përjetësisht të Panjohur