"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, April 13, 2010

Nacional-komunizmi i Hoxhës (1).

.
. Sikundër dhe në kthesa të tjera gjatë historisë bashkëkohore të vendit, në zanafillë të kësaj dukurie janë të pashmangshmit jugosllavë. Kësaj rradhe ishte vdekja e Titos në maj të vitit 1980 që përmbysi përfundimisht ekuilibrin e brishtë të mozaikut federativ dhe mprehu vigjilencën e udhëheqësve të Tiranës.
. Shkëmbimet e vrullshme kulturore me krahinën autonome si edhe ndërhyrjet e shumta profesorale në Universitetin e Prishtinës kishin krijuar bindjen që periudha pas Titos fshihte surpriza të shumta për vendin fqinjë. Në fakt, që në muajin mars 1981, një varg manifestimesh të studentëve kosovarë ndezën gjithë krahinën dhe krijuan vështirësi të mëdha për administratën lokale, e cila nuk ngurroi asnjë sekondë që të përdorte shtypjen policore. Sigurisht, parrullat e tipit « Kosova Republikë » si edhe gjurmët e organizatave marksiste – leniniste sugjeruan që pas këtyre ngjarjeve fshihej dora e Enver Hoxhës dhe qarqet politike të Beogradit denoncuan skandalin – apo më mirë të themi, ndërhyrjen në punët e tyre të brendshme. Kësaj rradhe, autoriteteve të Tiranës ju desh të zgjohen nga gjumi i tyre letargjik fill përpara shpërthimit të problemit kosovar : pas gjithë atyre viteve të një heshtjeje të thellë fajtore, propaganda shqiptare rifilloi të shigjetonte thirrje kundër të gjithë atyre që « shkelnin të drejtat legjitime të vëllezërve tanë kosovarë të një gjaku ». Duke i dalë përpara ndërkombëtarizimit të çështjes kosovare, rregjimi i Hoxhës u lëshua në eksplorimin e një territori « të minuar », prej kohësh, terren i privilegjuar i nacionalizmit antikomunist shqiptaromadh : Kosova.
. Tashmë, sinteza e relikave që vinin nga thellësia e historisë së vendit dhe që shërbenin për të farkëtuar shtratin e komunizmit shqiptar në një lloj algoritmi prej katër etapash, plotësohej edhe me temën kosovare. Për ata që ende nuk e njohin këtë varg algoritmik të nacionalizmit hoxhian, përmendim se ajo përftohet nga integrimi i motivit të patriotizmit, të marë nga lufta antifashiste e çlirimit kombëtar, në një triptik tashmë të famshëm : vazhdimësia historike me Ilirët, bashkimi i popullit me Skënderbeun dhe pjekuria politike e popullit shqiptar me Lidhjen e Prizrenit (Gabriel JANDOT - Albanie 1944 à 1985. L’édification du national-marxisme, thèse de doctorat, université de Montpellier III, 1992). Për një numur të madh vëzhguesish evropianë të asaj kohe, kjo gjë ishte plotësisht e mjaftueshme për të deklaruar se komunizmi shqiptar kishte hyrë përfundimisht në fazën e tij nacional-komuniste (Sonia COMBE et Ivaylo DITCHEV - Albanie utopie, huis clos dans les Balkans. Ed. Autrement, collection Monde 1996).
. . . * * *
.
. Ç’është nacional-komunizmi ? Thjesht për kujtesë, në variantin e tij origjinal, termi nacional-bolshevizëm është çfaqur në Gjermaninë e vitit 1918. Të frymëzuar nga fitorja e Revolucionit të Tetorit dhe nën peshën e turpit të shkaktuar nga Traktati i Versajës, një fraksion i komunistëve gjermanë – dhe jo vetëm ata, por edhe një grup nacionalistësh të vërtetë – menduan të krijojnë një urë lidhëse midis komunizmit dhe nacionalizmit. Kjo rrymë intelektuale, e kthyer në pjesë përbërëse e pejzazhit politik të Republikës së Vejmarit, shkau gradualisht por vendosmërisht drejt nacional-socializmit gjerman të viteve tridhjetë. Më tej, gjatë vitit 1932, shprehja u rimorr nga Trocki që e riquajti nacional-komunizëm. Në mbrojtje të idesë së vet të revolucionit permanent, ai deshi të demaskonte në këtë mënyrë komunizmin stalinist në atë prirjen e vet për të nënshtruar aksionin e gjithë lëvizjes komuniste ndërkombëtare ndaj interesave të ndërtimit të komunizmit në Bashkimin Sovjetik. Pas një periudhe të gjatë zhdukjeje, ky koncept rilindi në kontekstin europian të viteve gjashtëdhjetë, në kryqëzim të mendimit komunist disident dhe të një farë konceptimi bashkësiformues të çmarksizuar, i cili rikujton sadopak praktikën e socializmit jugosllav ose edhe rumun.
. Çfarë metamorfoze kreu rregjimi i Enver Hoxhës, komunist që nga vendosja e tij në fuqi : marksist – nga lidhjet e tij me dogmën, dhe leninist ose më mirë stalinist – nga praktikat e ndjekura, për të merituar « të drejtën » që t’i shtohej etiketa e « nacionalizmit » në agim të viteve tetëdhjetë ? Vetë fakti se identiteti shqiptar qe një nga temat më të dashura të rregjimit të Enver Hoxhës – përgjigjet Cabannes, i cili në kundërshtim me rrymën, vendos origjinën e nacional-komunizmit shqiptar menjëherë pas prishjes me Jugosllavinë (nëntor 1948) dhe pas pastrimeve të ndërmarra në gjirin e dashamirëve të Jugosllavëve (Pierre et Bruno CABANNES - Passions albanaises. De Berisha au Kosovo, Paris, Odile Jacob, 1999). Arsyetim fort i ndrydhur - për të mos thënë i mangët, nga ana e një çifti të tillë historianësh, horizonti i të cilëve kufizohet dukshëm nga arkeologjia dhe ilirologjia... Nëse cipa e virgjërisë "nacionaliste" shfaqet në takëmin "komunist" të Hoxhës për hir të divorcit shqiptaro-jugosllav që me që ra fjala, s'ka të bëjë aspak me fatin e Kosovës martire, si arriti ai t'ja shesë këtë virtyt të lartë thjeshtrit Stalin, gjatë martesës së dytë shqiptaro-sovjetike?
. Për të tjerë vrojtues më realistë dhe më të vëmendshëm, në një moment të caktuar të historisë, Hoxha mundi « të kombëtarizojë » komunizmin për t’a kthyer në një specifikë të vendit të tij, në specifikën e tij të pashlyeshme (Jean-Paul CHAMPSEIX – l’Albanie entre exode et réforme, Revue Hérodote, 1991). « Kombëtarizimi » i marksizmit - ja pra cila paskish qenë e veçanta e komunizmit hoxhian, ajo që e dallonte prej kohësh nga sivëllezërit apo simotrat e tij, ajo veti që në fund të fundit justifikon edhe kqyrjen e tij nga afër si fenomen i ri - një përçudnim më tepër, i veshur me kostumin kombëtar, që i shtohej atij përçudnimi shoqëror që ishte komunizmi.
. Ky lloj të menduari përbën si të thuash një metamorfozë të një mendimi të përgjithshëm i cili trajton rregjimin e Hoxhës si një sui generis, një përzierje të një komunizmi të rëndomtë, të marrëdhënieve klanike dhe të traditës së lashtë, të ngjyrosura në fund me një farë folklori. Për ata që e njohin mirë, ky imazh i krijuar me kaq mjeshtëri përputhet keq me realitetin e jetuar : komunizmi i tij është shëmbulli vetë i ortodoksisë marksiste, si në planin teorik ashtu dhe ne atë praktik, duke përjashtuar çdo tundim « kombëtarizimi » të komunizmit aq e dukshme në veprën e Maos, çdo përpjekje « modernizimi » të mendimit marksist, aq tipik për Titon – bile edhe çdo predikim « zhvillimi historik » të politikës leniniste, aq karakteristik për Krushovin. Thjesht për krahasim, le t’i referohemi Mao ce Dunit, që predikonte hapur se teoritë e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit nuk duhen kqyrur si një dogmë por si një udhëzues drejt aksionit, dhe që më tej zhvillonte idenë që marksizmi duhet të marë një formë kombëtare, para se sa ai të përdoret në praktikë :
.
. … nuk egziston gjëkundi një marksizëm abstrakt, por veç një marksizëm konkret… me fjalë të tjera, marksizmi që ka marë një formë kombëtare, marksizmi i zbatuar në luftën konkrete dhe në traditat konkrete të Kinës. Si pasojë, kinezërimi i marksizmit – fakti që ai duhet të mbajë në të gjitha format e çfaqjes së tij, shenjën e të veçantës që karakterizon Kinën, kthehet në një problem të cilin e gjithë partia duhet së pari ta kuptojë dhe më pas ta zgjidhë sa më parë. - (i cituar në : Raoul GIRARDET – Nationalismes et Nation, Édition Complexe, Bruxelles 1996).
.
. Në mungesë të « kinezërimit » ideologjik të Maos, të « vetëadministrimit » ekonomik të Titos dhe të « bashkegzistencës paqësore » politik të Krushovit, ajo çka i mbetet Hoxhës është rikthimi në vlerat kombëtare dhe tradicionale, i çfaqur në vend aty nga mesi i viteve gjashtëdhjetë - veçanërisht në fushat e artit dhe të kulturës. Bile edhe në këtë rast bëhet fjalë për një zgjidhje ad hoc përballë kozmopolitizmit, i konsideruar si një vektor i kulturës borgjeze, thellësisht i papajtueshëm me idealin komunist.
.
. Pa asnjë dyshim, elementi kryesor që shtyu rregjimin hoxhian për të adoptuar një qëndrim definitiv, të orientuar nga tema kombëtare ishte prishja me Kinën dhe zgjedhja autarkike. Në këto kushte bëhet e domosdoshme, bile jetësore, afirmimi i zotërimit të plotë të jetës politike, ekonomike dhe kulturore si edhe mbrojtja e kësaj zgjedhjeje të bërë. Duke përdorur kuadrin shtetëror i cili përputhet pak a shumë me atë të një Shteti-komb, përpjekja zhvillohet në planin politik dhe ajo bashkon temat e pavarësisë dhe të madhështisë të Kombit, përputhshmërisht me një « kapital të përbashkët të nacionalizmit ideologjik i përmbledhur rreth katër temave kryesore : tema e sovranitetit, ajo e bashkimit, ajo e historicizmit dhe ajo e pretendimit drejt universalitetit » (Raoul GIRARDET – ibid.). I vetmi problem që del është se kjo metodë s’ka asgjë specifike komuniste ose shqiptare, pasi ajo është përdorur gjithkund që prej kohësh dhe vazhdon të përdoret gjithandej me sukses edhe sot e kësaj dite.
. Fakti që kjo përçapje « nacionaliste » çfaqet mjaft e ndërfutur, e integruar në gjirin e ideologjisë dominante – në rastin tonë marksiste, nuk duhet të çuditë aspak pasi, në vende dhe në kohë të tjera, gjithmonë ajo ka mundur të bëjë shtrat një një sistem më të përgjithshëm vlerash politike dhe shoqërore. Në rastin tonë, përçapja shprehet nëpërmjet miteve krijuese, nëpërmjet një serie shëmbëlltyrash identifikuese që mundohen të çimentojnë projektin shoqëror dhe politik ; që prej këtij momenti, a ka veprim më të natyrshëm se sa ai rikthim sistematik drejt historisë – nëpërmjet rikrijimit të saj, apo edhe nëpërmjet mësimit të saj – për të realizuar lartësimin e ndjenjës kombëtare ?
. Cila është diferenca thelbësore e kësaj përçapjeje nga ajo e ndërmarrë nga një vend i lirë dhe demokratik i cili, në një moment të caktuar të historisë së tij, zbret në terrenin e vlerave kombëtare ose shërbehet nga takëmi i simboleve kombëtare për të rivendosur « kufijtë » e kombit të tij ? Shembujt në këtë drejtim janë të panumërt. Mjafton të sillet parasysh kulti i ngritur nga Amerika ndaj American way of life – të mbështjellë me shirita dhe të stolisur me yje, ajo përulje e thellë e Grekëve ndaj monumenteve të tyre të lashta apo ndaj helenizmit të madh, ajo këmbëngulje e Shtetit izraelit ndaj imazheve të tij nacional – fetare pa harruar së fundi edhe kokëfortësinë e Republikës së Pestë franceze që kërkon t’ju mësojë me zor La Marseillaise nxënësve të vet.
.
. Ku qëndron në këtë rast origjinaliteti i Hoxhës ? Sigurisht në faktin që ai këmbëngulte në riformulimin e historisë të shqiptarëve në shërbim të projektit të tij politiko-shoqëror si edhe në shfrytëzimin e kësaj « lënde të parë » në dobi të ideologjisë së PPSH. Besa, një zbulim i madh, i denjë për përfundime akademike – një platformë e tërë e kritikës objektive të marksizmit, një argument i rrallë në dobi të tezës « nacionaliste » të komunizmit shqiptar !
. Në të vërtetë, ajo që intrigon është metoda Hoxha : cila është formula « magjike » e « kombëtarizimit » komunist hoxhian, përbërësit e të cilës quhen dora-dorës komunizëm dhe nacionalizëm që i lejoi të tërheqë pas hunde një popull të tërë për dyzet vjet me rradhë dhe njëkohësisht të ngjallë interesin e vrojtuesve evropianë ?
.
.
. (vijon)

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur