"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, March 24, 2010

Kandar demokratik.

.
.
. Mundohuni të magjinoni një skenë nga më banalet : një tufë prindërish të ngeshëm që shoqërojnë fëmijët e tyre në McDonaldsin e Gaillac-ut diku në jug-perëndim të Francës, një qytezë paqësore e përmendur vetëm për verën dhe pijetarët e saj. Imagjinoni gjithashtu që këta fëmijë – si të gjithë fëmijët e tjerë ose pothuajse të gjithë – vërsulen mbi menunë karakteristike Happy Meal, në mos për hamburgerin e pashijshëm, patatet e skuqura me dhjamë dhe gotën prej kartoni plot me Coca Cola, pikërisht për hatër të asaj lodre të famshme që e ka bërë të njohur në mbarë botën. Imagjinoni së fundi se në vend të një lodre plastike Made in China, kësaj rradhe menuja përmbante një libërth-rebus me vizatime, kopje e zbehtë e një serie të njohur vizatimore Kid Paddle.
. Ajo çka imagjinohet më me zor është se ky rebus tejkalonte kapacitetet fëminore të deshifrimit dhe si pasojë, punën e nisur nga fëmijët e përfunduan prindërit, katolikë të bindur dhe të devotë, zbavitja e të cilëve kur zbuluan mesazhin e « koduar » : « A doni të merni për sillë Suzanën, këtu prezente ?» u shëndrrua në ngërdheshje dhe kjo e fundit në indinjatë kur kur arritën të bëjnë lidhjen me imazhin shoqërues. Një patate-peshkop me veshjen karakteristike liturgjike tund kryqin, mbi të cilin dallohet një Jesus –bretkocë e shkëlyer, për të bekuar « martesën » e një çifti patatesh të deformuara, por të lumtura. .
.
. E pra, për të çuar imagjinatën tonë deri në fund, mendoni se prindërit tashmë të prekur thellë në ndërgjegjen e tyre liturgjike, informuan priftin e tyre, Atin Xavier Cormary, i cili në kohën e sotme të teknologjisë dhe të informacionit, vendosi t’ju drejtohet besimtarëve nga faqet virtuale të blogut të tij Icthus, me thirrjen për të bojkotuar keto restorante ndoshta popullore por gjithësesi blasfematore.
. « … edhe një herë më tepër, feja e krishterë kthehet në qesharake. Martesa nëpërkëmbet, peshkopi del si klloun, kryqi shërben si alibi e një propagande, që nën një pamje të zhdërvjellët, ndyen dhe blasfemon shenjat dhe bindjet që gjenden në thelb të besimit tonë. Përse kjo përpjekje për të hedhur baltë mbi fenë dhe për t’u tallur me ndjenjat fetare të të krishterëve ? » Pa fjalë, ndinjata e priftit preku telat e zemrës të besimtarëve të përgjëruar që reaguan menjëherë me komentet e tyre : « … duhet të veprojmë. Nuk mund të pranojmë kështu pafund që të nëpërkembet çka është më e shenjtë në fenë tonë. », « nuk dimë çfarë duhet të hamë, çfarë duhet të pimë, nuk dimë se si të zbavitemi, nuk dimë as edhe të duam nuk dimë bile as edhe të falemi… Palo shoqëri që humb vlerat e saj themelore ».
. Zëmërimi i At Xavier-it i tejkaloi shpejt përmasat virtuale të internetit dhe u materializua në një varg letrash me tone të zemëruara, të drejtuara vetë McDonaldsit dhe botuesit lokal të libërthit. Me sa duket, për të parandaluar epideminë, dy firmat jo vetëm ju përgjigjën priftit zemërak por edhe i kërkuan falje, duke u zotuar të hiqnin nga qarkullimi « produktet » heretike – këto karikatura në pamje të parë të pafajshme, të destinuara të zbavisin fëmijët. « Ne kuptojmë plotësisht dhe ndajmë me ju indinjatën tuaj, Dijeni Zotëri që produkti tashmë është tërhequr nga tregu, mbetja e librave në depo u çua për karton dhe janë marë masa radikale që kjo gjë të mos përsëritet më. Sinqerisht të brengosur në se ju kemi prekur » - përgjigjet me përunjësi shtëpia botuese. « Dijeni se shoqëria McDonalds nuk dëshiron në asnjë mënyrë të prekë ndjeshmërinë e konsumatorëve të saj… na erdhi shumë keq kur mësuam se një farë përmbajtje e albumit Kid Paddle mund t’ju ketë prekur » - ja edhe mea culpa e McDo, që precizon se këto albume janë tashmë tërhequr nga të gjitha restorantet e saj në territorin francez.
. Natyrisht, më i lumturi në këtë mes është Ati ynë i shenjtë Xavier, David fitimtar përballë Goliathëve të marketingut dhe të shtypit, i cili përballë gazetarit lokal ngazëllon : « .. dikur, censura e Kishës padyshim do të kish djegur këtë libërth në turrën e druve. Por ndërkohë, pluralizmi fetar si edhe liria e të shprehurit – ca më mirë bile – kanë kaluar diku afër nesh dhe na kanë prekur. Besomëni, jam në gjendje të pranoj një mendim ose një vështrim karikatural qoftë edhe të tejkaluar, bile edhe të ve buzën në gaz. Por ama, çka është e shenjtë nuk duhet prekur ».
.
.
. * * *
.
.
. Nuk e pata atë rast ta zbuloja vetë rebusin dhe imazhin në McDo dhe si të tjerë e mesova këtë ngjarje nga faqet e gazetës lokale « Dêpeche de Midi ». Pikërisht duke shfletuar këto faqe gazete, m’u rikujtua një histori tashmë të vjetër – dhe disi të harruar, por që në kohë të vet, tronditi botën mbarë. E kam fjalën për ato karikaturat e Muhametit, të realizuara nga një grup prej dymbëdhjetë ilustratorësh dhe të botuara nga gazeta daneze Jyllands-Posten, disa vite më parë, në shtator 2005. Një blasfemë e pafalshme, bile edhe kriminele, për bashkësinë myslimane – një formë e lirisë të të shprehurit, pjesë e pandarë e demokracisë, për shtypin dhe për një pjesë të klasës politike evropiane. Ndoshta është rasti të risjellim shkrimin e gazetës France Soir, që shoqëronte botimin e këtyre karikaturave aq të përfolura : « Jo, ne nuk do të kërkojmë askurrë falje për të qenë të lirë të flasim, të mendojmë, të besojmë… përderisa këta doktorë të vetëshpallur të besimit fetar e shëndrrojnë këtë gjë një një çështje principi, le të jemi të prerë. Le të shpallim me zë të lartë, sa herë të jetë e nevojshme, ne kemi të drejtë të karikaturojmë Muhametin, Krishtin, Budën, Yahvenë sikundër dhe të gjitha shkallëzimet e fetarisë. Kjo gjë quhet liri e shprehjes në një vend laik ». E shfletova me shumë shpresë mbarë e prapë gazetën e kësaj rradhe, në kërkim të një reaksioni si ai më sipër… dhe rashë në fytyrën e vetëkënaqur të priftit që më vështronte me qesëndi.
.
. Nuk ju bashkova kortezhit për të protestuar kundër gjunjëzimit të shprehjes së lirë dhe aq më pak shkova në tubimin e besimtarëve katolikë për të festuar ngadhënjimin kundër antikrishtit. Pasi ai i pari as që u organizua. Më mbetet pra të admiroj gjendjen dhe t’i nënështrohem realitetit dhe ky i fundit është dërrmues. Atë çka s’mundën të bëjnë me miliona myslimanë të zemëruar që dogjën flamujtë danezë, norvegjezë apo francezë në Palestinë, Aman dhe në Tripoli, atë çka s’mundi të realizojë fatwa e përmendur nga Ben Ladeni apo proceset e panumërta gjyqësore të provokuara nga shoqatat myslimanë në mbarë Evropën, aty ku dështoi aksioni politik i një varg qeverish të vendeve të Konferencës Islamike, ja mbërriti një prift province me një blog të pjerdhur.
. Ndoshta – mund të thotë dikush – s’ka të krahasuar argumenti i blasfemës së shenjave dhe bindjeve që gjenden në thelb të besimit, në gjirin e një shoqërie demokratike të krishterë që sidoqoftë, ka të drejtë të karikaturojë Zotin vetë - me ndalimin qoftë edhe të vizatimit të figurës së Profetit Muhamet në një shoqëri autokratike si ajo myslimane. Besa, një argument bindës, veçanërisht kur ideja e parë mbrohet nga një prift katolik për hir të korit ëngjëllor të fëmijëve të dlirë ndërkohë që e dyta mbrohet nga një mulla mysliman për hatër të britmave të një turme fanatikësh. Çështje kandari, si ai i katundarit ndroqar, që ndrron koqen për të peshuar me kile të logjikën myslimane dhe me okë demokracinë e krishterë.
. Fundja kjo histori më jep shpresë… jo se kjo shoqëri laike dhe demokratike do të bëhet më e ndjeshme ndaj fjalës së lirë kur ajo vjen nga kjo anë apo nga ana tjetër e lumit – por se edhe një blog i pjerdhur si ky i imi mund të shërbejë si një antidot kundër letargjisë intelektuale ; kundër atij mendimi rutinë që është mësuar të kqyrë demokracinë evropiane në rolin e asaj amviseje shëmbullore që mburret me pastërtinë e shtëpisë së vet, paçka se hileqare pasi plehrat e dhomës i fsheh nën qilim dhe ato të oborrit i hedh tek komshia.

1 comments:

mimilela said...

Kjo ngjan shume me reaksionin diametralisht te kundert te Thierry Ardisson-it tek ''Tout le monde en parle''...Pro lirise se fjales kur behej fjale per karikaturat e Mohamet-it, por kunder saj kur Dieudonné kishte bere humor me cifutet, nga te cilet ai vete rrjedh...Sic e thote vete frengu...''Un poids, deux mesures''

 
Përjetësisht të Panjohur