"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, March 9, 2010

Ju bumtë lytha o lezhjanë të namuzit !


.
. Çka ngacmon dëgjimin së pari në këtë protestën e fundit lezhjane është fakti social : një qind (në mos më tepër) qytetarë të Lezhës, të moshave nga 15 deri në 50 vjeç, të rinj në pjesën më të madhe, mblidhen në sheshin e qytetit të tyre për të denoncuar « fenomenin Klodi » - më mirë të themi, deklaratën e një farë Klodi, një personazh i shfaqjes televizive “Big Brother”, që shpalli publikisht homoseksualitetin e tij. Më tej, indinjata leshjane vërshoi përgjatë bulevardit « Gjergj Fishta » dhe u shpreh zhurmshëm që ky individ « të mos futej më në qytetin e tyre ». Amen!
. Së dyti, çka vret edhe më tepër veshin në këtë histori është tufa e argumentave që motivon revoltën qytetare : « Klodi ka njollosur qytetarinë lezhjane dhe të kombit shqiptar… Lezhjanët janë shquar si intelektualë dhe janë të njohur në mbarë botën për historinë, traditën dhe kulturën dhe jo për homoseksualitet… Lezha nuk e meriton njollën e "homoseksualitetit" ». E pra, për dikë që vështron turmën nga dritarja e tij lezhjane, ky marrshim burrash namuzllinj është shprehja vetë e mbrojtjes të moralit qytetës, në mos e vetë moralit të Kombit, ndërkohë që një tjetri vrojtues nga dritarja e tij evropiane, i hyn frika nga ky shpërthim pasionesh, të denja për Teheranin. Pa fjalë, një rast ideal për shumë militanten Aleancë Kundër Diskriminimit Gay & Lesbian Albania që pushton skenën mediatike me thirrjet e saj kundër atyre « Inkuizitorëve mesjetarë dhe muhaxhadinë… », paçka se për t’i dhënë më shumë kripë situatës ju ve nga një gur hipotetik në dorë dhe shton në dekor disa gra të martirizuara, për t’u rrahur.
. Nën atë këndvështrim përpjekjesh të mundimshme të popullit lezhjan për të kapërcyer detin përballë, një thirrje e tillë si « … ne s'duam të shkojmë në Europë, por duam të ruajmë krenarinë e kombit shqiptar », e dëgjuar në tubim, dashur padashur të kujton vargjet e perifrazuara të Petëfit : « Për Evropën fal edhe jetën, për namuzin fal edhe Evropën ! »
.
.
.
. * * *
.
.
. Besa, ana më tërheqëse bile edhe më zbavitëse në këtë mesele është përzierja e çeshiteve. Në ç’mënyrë homoseksualiteti i Klodit mund të njollosë qytetarinë lezhjane ? Kaq i brishtë qënka ky i bekuar dinjitet mbarëkombëtar sa që një deklaratë publike e një individi e bën zhele ?
.
. Më tej – dhe pa dyshuar aspak se intelektualizmi lezhjan ka marrë dhenë mbarë – ku qëndron papajtueshmëria mes të qenit figurë e kulturës, historisë apo edhe shkencës dhe faktit homoseksual ? Mos vallë nuk ka dijeni apo thjesht ka harruar populli i Lezhës se një farë Leonardo da Vinçi ka qenë homo i deklaruar ; se të tjerë piktorë si Botticelli, Donatello, Michelangelo, Delacroix, Dali kanë qenë gatuar me të njejtin brumë ; se ky fenomen nuk frenohet as nga kombësia, as nga epoka as edhe nga fama pasi të tjerë Cervantes, Shakespeare, Francis Bacon, Voltaire, Goethe, Balzac, Andersen i kanë bërë shoqëri të parëve ; ndërkohë kur të tjerë Kierkegaard, Walt Whitman, Jules Verne, Oscar Wilde, Gabriele D'Annunzio, Constantin Cavafy apo Rudyard Kipling rrinin karshi-karshi të tjerëve Marcel Proust, Somerset Maugham, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Federico Garcia Lorca apo Roland Barthes dhe Michel Foucault. Le të marim frymë thellë pas këtij numërimi personalitetesh të artit dhe të kulturës që besoj, i bëjnë nder edhe një qyteti të tillë të shquar si ai i Lezhës, pasi kësaj « epidemie » nuk i shpëtojnë as edhe aktorët apo regjizorët e kinemasë që, besoj, çdo lezhjan dhe lezhjane ende i mban në zemër : Lawrence Olivier, Pier Paolo Pasolini, Pablo Almodovar, Rudolfo Valentino, Cary Grant, Robert Taylor, Dirk Bogarde, Jean Marais, James Dean… Doni më për Malon ? Pasi ky Malua ynë, alias Klodi, dikur ka qenë edhe mendimtar si Demosteni, ngadhënjyes si Aleksandri i Madh, perandor si Jul Qezari, Hadrieni, Augusti, Trajani apo Diokleciani, kompozitor si Franz Schubert, Frederic Chopin, Johannes Brahms, Piotr Tchaikovsky, Georges Gershwin, këngëtar si Freddy Mercury apo si Elton John dhe George Michael, krijues i modës si Christian Dior, Gianni Versace, Yves Saint-Laurent, Jean-Paul Gaultier apo Dolce & Gabanna,Calvin Klein.. deri edhe Tarzan si Johnny Weissmuller.
. Dikush mund të më thotë se, pavarësisht talentit dhe famës, ky cen i tyre nuk i nderon kushediçfarë.. fort e vërtetë, por ama, nuk i ka shnderuar aq sa lezhjanët e qytetit të tyre t’i zenë me gurë, ndërkohë që të tjerë lezhjanë më të moderuar, dashamirës të kulturës dhe të traditës, shkojnë në koncertet, admirojnë filmat dhe pikturat apo edhe vishen me rrobat e krijuara prej tyre. Fundja, gjetkë, vesi apo ceni personal nuk hedh aspak hije bile as njollë mbi jetën shoqërore të grupit… përse atëhere një gjë e tillë në Lezhë ?
.
. Por, çka më cingërit dellin edhe më fort në këtë farë spektakli është hipokrizia e turmës. Do të ishte shumë më e udhës që lezhjanët të dinin në rrugë në emër të moralit dhe me këtë rast, t’i japin atij morali emrin që meriton – fetar. Është feja, e krishterë, çifute dhe myslimane, të cilat i respektoj dhe i nderoj paralelisht sikundër edhe vetë lezhjanët, që dënon të tilla mëkate dhe akte kundër natyre, si të papajtueshme me doktrinën dhe me konceptin e saj ndaj familjes. E pra, ata qytetarët tanë të nderuar duhet të vinin në krye të kortezhit të tyre kryqin apo gjysmë hënën dhe të marshonin me dinjitet, me kokë të ulur, duke pëshpëritur lutjet e rastit deri në bregun e Drinit, ku edhe të flaknin dordolecin-shëmbëlltyrë të Klodit të padenjë.
. Them feja - bile edhe e theksoj – pasi jashtë saj dhe për fat të keq, asnjë moral tjetër shoqëror nuk mund t’ju vijë në ndihmë, nuk mund të amëshojë shpirtrat e tyre të trazuar. Them edhe një herë feja dhe mundohem të mbyll sytë me duar – kësaj rradhe nga turpi, pasi nuk kam parë ende një turmë lezhjanësh të dalin sheshit të qytetit për të denoncuar kurvërinë – po aq të stigmatizuar sa edhe fenomeni homoseksual nga Roma katolike – këtë zanat që mban edhe ushqen jo vetëm ata njerëz por deri një popull të tërë ; të stigmatizojnë ata djemtë e tyre rrufjanë në Itali dhe gjetkë që nxjerrin në rrugë vajzat e Beratit apo të Fierit me qëllim që baballarët të çelin biznese dhe të ngrenë shtëpi ; ata djem që bëhen katërsh për të transportuar heroinë dhe kanabis përpara se ta shesin në rrugët dhe sheshet e Evropës, paçka se ju helmojnë jetën dhe të ardhmen adoleshentëve vendalinj… pa folur më tej për atë burrërinë e tyre tradicionale, disidencën e tyre heroike antikomuniste, tashmë të lodhur dhe të fikur, që nuk është në gjendje as edhe t’i lëvizë vendit për të protestuar ndaj çmimit të bukës apo të mishit, ndaj mungesës së rrymës apo të druve të zjarrit.
. Ja pra përse pikëllohem nga kjo protestë e fundit. Druhem se ajo nuk dëshmon aspak për dinjitetin e një qyteti por pikërisht për rrënimin moral të tij, për verbërinë qytetare, për vogëlsinë e shpirtit kolektiv, për ngushtësinë e horizontit social, për zvetënimin e idealit njerëzor ; thjesht, për rrëgjimin e ndërgjegjes kombëtare që meret me një qime Klodi në syrin e huaj për të harruar trarin në sytë e vet.
.
.
. * * *
.
.
. Deri-diku, edhe për dikë si puna ime që është marë që herët me historira preshi, një temë e tillë mbetet delikate. Jo vetëm pasi që ajo prek ndjenjat e popullit të atij qyteti që, kalimthi i duhet kujtuar se dikur në Mesjetën heroike skënderbejane ai mbante një emër burrëror dhe mashkullor si ai i Leshit por që rrethanat dhe përpjekjet perverse turkoshake e kanë feminizuar në Lezhë… por pasi, një e tillë temë kërkon një përpjekje të vërtetë për të mos rënë në banalitetin dëshpërues të një prapanice, qoftë ajo edhe mediatike si e Klodit. Për fat, më vjen në ndihmë Tofaqi… besoj se ja keni ndihur emrin, në mos famën !
. E pra ky Tofaqi – Fotaqi, një monument i dikurshëm i kulturës qytetëse kombinatse – mbahet mend jo si mësues fiskulture tashmë në pension, por si një disleksik sa origjinal aq edhe gjenial. Ai që në klub, i kërkonte kamarieres « dy kakafe një kao » bile edhe « shpejt se po na zjen bilja », ajo e shkollës pranë ; ai vetë që kur binte fjala për vëllezërit Frashëri, i çiftonte me çiltërsi « Namiu dhe Samiu… më falni, Naimi dhe Saimi ». Troç, ky Tofaqi, me vite drite larg preokupimeve të sotme lezhjane, që atëhere i dha dum situatës – si edhe dilemës time – me shprehjen « të bumtë lytha », të cilën unë e plaçkita pa mëshirë për t’jua dedikuar lezhjanëve të mij.

2 comments:

Anonymous said...

Cdokush ka te drejte te beje proteste morale paqesore.
Morali yt eshte i kundert me ate te lezhjaneve ne proteste, ti mund te protestosh moralisht. Ky eshte rrethi, ku secili e ndien veten moralisht superior. I tyre eshte morali kombetar me baze moralin natyroro-fetar, yti qe i gjykon ne thelb eshte pseudo-moral sepse mungon kategoria morale ku gjykimi perfiton vlere.

Lucrezia said...

Më parë bëhet Klodi kryetar bashkie në Lezhë, se sa të küptojnë lezhjanët përmbajtjen e shkrimit tënd. Nga shprehjet fotaqore ke harruar: Ushqani i dyqimeve.

 
Përjetësisht të Panjohur