"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Wednesday, March 24, 2010

Kandar demokratik.

.
.
. Mundohuni të magjinoni një skenë nga më banalet : një tufë prindërish të ngeshëm që shoqërojnë fëmijët e tyre në McDonaldsin e Gaillac-ut diku në jug-perëndim të Francës, një qytezë paqësore e përmendur vetëm për verën dhe pijetarët e saj. Imagjinoni gjithashtu që këta fëmijë – si të gjithë fëmijët e tjerë ose pothuajse të gjithë – vërsulen mbi menunë karakteristike Happy Meal, në mos për hamburgerin e pashijshëm, patatet e skuqura me dhjamë dhe gotën prej kartoni plot me Coca Cola, pikërisht për hatër të asaj lodre të famshme që e ka bërë të njohur në mbarë botën. Imagjinoni së fundi se në vend të një lodre plastike Made in China, kësaj rradhe menuja përmbante një libërth-rebus me vizatime, kopje e zbehtë e një serie të njohur vizatimore Kid Paddle.
. Ajo çka imagjinohet më me zor është se ky rebus tejkalonte kapacitetet fëminore të deshifrimit dhe si pasojë, punën e nisur nga fëmijët e përfunduan prindërit, katolikë të bindur dhe të devotë, zbavitja e të cilëve kur zbuluan mesazhin e « koduar » : « A doni të merni për sillë Suzanën, këtu prezente ?» u shëndrrua në ngërdheshje dhe kjo e fundit në indinjatë kur kur arritën të bëjnë lidhjen me imazhin shoqërues. Një patate-peshkop me veshjen karakteristike liturgjike tund kryqin, mbi të cilin dallohet një Jesus –bretkocë e shkëlyer, për të bekuar « martesën » e një çifti patatesh të deformuara, por të lumtura. .
.
. E pra, për të çuar imagjinatën tonë deri në fund, mendoni se prindërit tashmë të prekur thellë në ndërgjegjen e tyre liturgjike, informuan priftin e tyre, Atin Xavier Cormary, i cili në kohën e sotme të teknologjisë dhe të informacionit, vendosi t’ju drejtohet besimtarëve nga faqet virtuale të blogut të tij Icthus, me thirrjen për të bojkotuar keto restorante ndoshta popullore por gjithësesi blasfematore.
. « … edhe një herë më tepër, feja e krishterë kthehet në qesharake. Martesa nëpërkëmbet, peshkopi del si klloun, kryqi shërben si alibi e një propagande, që nën një pamje të zhdërvjellët, ndyen dhe blasfemon shenjat dhe bindjet që gjenden në thelb të besimit tonë. Përse kjo përpjekje për të hedhur baltë mbi fenë dhe për t’u tallur me ndjenjat fetare të të krishterëve ? » Pa fjalë, ndinjata e priftit preku telat e zemrës të besimtarëve të përgjëruar që reaguan menjëherë me komentet e tyre : « … duhet të veprojmë. Nuk mund të pranojmë kështu pafund që të nëpërkembet çka është më e shenjtë në fenë tonë. », « nuk dimë çfarë duhet të hamë, çfarë duhet të pimë, nuk dimë se si të zbavitemi, nuk dimë as edhe të duam nuk dimë bile as edhe të falemi… Palo shoqëri që humb vlerat e saj themelore ».
. Zëmërimi i At Xavier-it i tejkaloi shpejt përmasat virtuale të internetit dhe u materializua në një varg letrash me tone të zemëruara, të drejtuara vetë McDonaldsit dhe botuesit lokal të libërthit. Me sa duket, për të parandaluar epideminë, dy firmat jo vetëm ju përgjigjën priftit zemërak por edhe i kërkuan falje, duke u zotuar të hiqnin nga qarkullimi « produktet » heretike – këto karikatura në pamje të parë të pafajshme, të destinuara të zbavisin fëmijët. « Ne kuptojmë plotësisht dhe ndajmë me ju indinjatën tuaj, Dijeni Zotëri që produkti tashmë është tërhequr nga tregu, mbetja e librave në depo u çua për karton dhe janë marë masa radikale që kjo gjë të mos përsëritet më. Sinqerisht të brengosur në se ju kemi prekur » - përgjigjet me përunjësi shtëpia botuese. « Dijeni se shoqëria McDonalds nuk dëshiron në asnjë mënyrë të prekë ndjeshmërinë e konsumatorëve të saj… na erdhi shumë keq kur mësuam se një farë përmbajtje e albumit Kid Paddle mund t’ju ketë prekur » - ja edhe mea culpa e McDo, që precizon se këto albume janë tashmë tërhequr nga të gjitha restorantet e saj në territorin francez.
. Natyrisht, më i lumturi në këtë mes është Ati ynë i shenjtë Xavier, David fitimtar përballë Goliathëve të marketingut dhe të shtypit, i cili përballë gazetarit lokal ngazëllon : « .. dikur, censura e Kishës padyshim do të kish djegur këtë libërth në turrën e druve. Por ndërkohë, pluralizmi fetar si edhe liria e të shprehurit – ca më mirë bile – kanë kaluar diku afër nesh dhe na kanë prekur. Besomëni, jam në gjendje të pranoj një mendim ose një vështrim karikatural qoftë edhe të tejkaluar, bile edhe të ve buzën në gaz. Por ama, çka është e shenjtë nuk duhet prekur ».
.
.
. * * *
.
.
. Nuk e pata atë rast ta zbuloja vetë rebusin dhe imazhin në McDo dhe si të tjerë e mesova këtë ngjarje nga faqet e gazetës lokale « Dêpeche de Midi ». Pikërisht duke shfletuar këto faqe gazete, m’u rikujtua një histori tashmë të vjetër – dhe disi të harruar, por që në kohë të vet, tronditi botën mbarë. E kam fjalën për ato karikaturat e Muhametit, të realizuara nga një grup prej dymbëdhjetë ilustratorësh dhe të botuara nga gazeta daneze Jyllands-Posten, disa vite më parë, në shtator 2005. Një blasfemë e pafalshme, bile edhe kriminele, për bashkësinë myslimane – një formë e lirisë të të shprehurit, pjesë e pandarë e demokracisë, për shtypin dhe për një pjesë të klasës politike evropiane. Ndoshta është rasti të risjellim shkrimin e gazetës France Soir, që shoqëronte botimin e këtyre karikaturave aq të përfolura : « Jo, ne nuk do të kërkojmë askurrë falje për të qenë të lirë të flasim, të mendojmë, të besojmë… përderisa këta doktorë të vetëshpallur të besimit fetar e shëndrrojnë këtë gjë një një çështje principi, le të jemi të prerë. Le të shpallim me zë të lartë, sa herë të jetë e nevojshme, ne kemi të drejtë të karikaturojmë Muhametin, Krishtin, Budën, Yahvenë sikundër dhe të gjitha shkallëzimet e fetarisë. Kjo gjë quhet liri e shprehjes në një vend laik ». E shfletova me shumë shpresë mbarë e prapë gazetën e kësaj rradhe, në kërkim të një reaksioni si ai më sipër… dhe rashë në fytyrën e vetëkënaqur të priftit që më vështronte me qesëndi.
.
. Nuk ju bashkova kortezhit për të protestuar kundër gjunjëzimit të shprehjes së lirë dhe aq më pak shkova në tubimin e besimtarëve katolikë për të festuar ngadhënjimin kundër antikrishtit. Pasi ai i pari as që u organizua. Më mbetet pra të admiroj gjendjen dhe t’i nënështrohem realitetit dhe ky i fundit është dërrmues. Atë çka s’mundën të bëjnë me miliona myslimanë të zemëruar që dogjën flamujtë danezë, norvegjezë apo francezë në Palestinë, Aman dhe në Tripoli, atë çka s’mundi të realizojë fatwa e përmendur nga Ben Ladeni apo proceset e panumërta gjyqësore të provokuara nga shoqatat myslimanë në mbarë Evropën, aty ku dështoi aksioni politik i një varg qeverish të vendeve të Konferencës Islamike, ja mbërriti një prift province me një blog të pjerdhur.
. Ndoshta – mund të thotë dikush – s’ka të krahasuar argumenti i blasfemës së shenjave dhe bindjeve që gjenden në thelb të besimit, në gjirin e një shoqërie demokratike të krishterë që sidoqoftë, ka të drejtë të karikaturojë Zotin vetë - me ndalimin qoftë edhe të vizatimit të figurës së Profetit Muhamet në një shoqëri autokratike si ajo myslimane. Besa, një argument bindës, veçanërisht kur ideja e parë mbrohet nga një prift katolik për hir të korit ëngjëllor të fëmijëve të dlirë ndërkohë që e dyta mbrohet nga një mulla mysliman për hatër të britmave të një turme fanatikësh. Çështje kandari, si ai i katundarit ndroqar, që ndrron koqen për të peshuar me kile të logjikën myslimane dhe me okë demokracinë e krishterë.
. Fundja kjo histori më jep shpresë… jo se kjo shoqëri laike dhe demokratike do të bëhet më e ndjeshme ndaj fjalës së lirë kur ajo vjen nga kjo anë apo nga ana tjetër e lumit – por se edhe një blog i pjerdhur si ky i imi mund të shërbejë si një antidot kundër letargjisë intelektuale ; kundër atij mendimi rutinë që është mësuar të kqyrë demokracinë evropiane në rolin e asaj amviseje shëmbullore që mburret me pastërtinë e shtëpisë së vet, paçka se hileqare pasi plehrat e dhomës i fsheh nën qilim dhe ato të oborrit i hedh tek komshia.

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, March 19, 2010

Urtësi lojrash.

. « E vetmja gjë që dallon të rriturit nga fëmijët është përmasa e lojrave të tyre »
. Pablo Neruda.
.
.
. Kujt mund t’i drejtohemi për të fituar urtësi ? Një pyetje esenciale, e domosdoshme, në këtë epokë të përciptë dhe të pasigurt. Pleqtë e qëmotshëm janë të diskredituar : Platoni është shëndrruar në një referencë bajate. Aristotelit i merren këmbët. Shën Augustini është mekur. Hegeli është plaçkitur pa mëshirë. Descartes është reduktuar në një referencë thjesht gjeometrike. Heideggeri ka mbetur peng i përkthyesit të tij fjalëlumë…
. Të ndjekësh leksione – të ditës ose part-time, të zhytesh nëpër enciklopeditë, të shfletosh antologjitë e mbushura me citate nuk sjell kurrë mençuri. Sikundër thotë edhe poeti : « njohja edhe fitohet, ama urtësia rregj ». Urtësia pra depërton edhe pa qenë të ndërgjegjshëm, ajo freskon shpirtin dhe bëhet e dobishme ; jo më thupër në dorën e të riut por shkop në dorën e plakut. Njohja është si një rrymë uji, një e lagur e fuqishme me zorrë. Që ndoshta ujit dhe vadit, por që të shpëlan rrënjët, t’i nxjerr në ajër…
. Thjesht, ajo çka na lipset është mençuria. Por për fat të keq, na duhet edhe njohja, në mos për gjë tjetër, thjesht për të kërkuar të parën. Nëse tashmë njohim diçka, bereqaversën - qoftë e mirëseardhur, por fatkeqësisht, shumë shpesh ne injorojmë nëse zotërojmë apo jo urtësinë e nevojshme. .
.
. * * *
.
.
. Një ditë gjeta një revistë të rreshkur 10 lekshe, të harruar mbi një stol të lulishtes njujorkeze. « Stop, or babë – u përmbajta, më në fund – përndryshe do të të akuzojnë për plagjiaturë të O. Henrit. Shpreso se hyrja e mësipërme do të kalojë pa u marrë vesh !». Në të vërtetë, ajo ishte shuma që më kërkoi shitësi spanjoll, me vështrim të lëbyrur nga dielli i shkurtit – në se përqasim 10 lekshin e dikurshëm me euron e sotme si edhe parkun mesdhetar të Palmës majorkine me Central Parkun e Nju Jorkut.
. Diçka ma mbajti dorën për të mos e flakur në koshin pranë këtë palo fletushkë « Shëndeti Alternativ ». Ndoshta hareja e dallgëve dhe era e freskët e jodit. E shtira në xhep dhe shtyva këmbët më tej.. për ta rigjetur në buzëmbrëmje. Mes artikujve bajatë të veprimit mirëbërës të vajrave esenciale mbi shëndetin dhe të përzierjes së bimëve të çajit për t’u kombinuar me aksionin gjallërues të jogës, vështrimi ngeci në një shkrim të humbur nga fundi : « La universidad des jardín de infancia ». Nuk di nëse ishte pamja e revistës apo e ajo e lexuesit që tërhoqi vëmendjen e djalit tim.
.
. - Ç’po lexon ashtu, papa ?
.
. I bëra vend pranë vehtes dhe frëngjizova paragrafin e parë me atë spanjollishten time hezituese : për aq sa jemi të rritur, profesionistë, rrogëtarë, sipërmarrës apo punonjës të shëndetit publik ; për vetë faktin se kemi fëmijë për të edukuar, nxënës për të mësuar ; përderisa kemi bërë kurse, ndjekur shkolla apo universitete, sigurisht, të gjithë ne kemi nxënë gjërat më të rëndësishme në kopësht : universiteti më i mirë i jetës.
. I frymëzuar nga heshtja, vijova më tej – më shumë nga vehtja se nga teksti : në kopshtore, fëmija zhvillon ndjenjat pozitive si miqësia, besimi dhe gëzimi, ngjiz shprehitë e para personale nëpërmjet lojrave, forcon solidaritetin e grupit, përfton ndjesitë e personalitetit, koncepton shprehjen e dëshirave të tij fillestare dhe vështirësitë e realizimit të tyre, ndjen autoritetin e të rriturit, krijon vizionin e botës së gjerë dhe të objekteve të saj… dhe fjalët filluan të ngecin përballë vështrimit mosbesues të nxënësit të fillores.
.
. - mendoj se ky zotnia që ka shkruar këto fjalë nuk ka qenë kurrë në kopësht.
.
. E njihja fort mirë përvojën e tij të keqe të kopshtit. Më kujtoheshin po aq mirë përpjekjet tona të përditshme të dëshpëruara për të ngritur nga shtrati një fëmijë katër, më tej pesëvjeçar, të cilit një ditë i dhimbte barku, të nesërmen koka dhe të pasnesërmen dhëmbi dhe që ngrihej si lugati që në pikë të sabahut të shtunën, thjesht për të na kujtuar se duhet ta linim të flinte.
.
. - ku e di ti që ai nuk ka qenë kurrë në kopësht ?
.
. - nga ajo çka ai thotë. Kopshti është një vend ku fëmijët vetëm çirren dhe qajnë ; ku zyshat bërtasin dhe dënojnë fëmijët të shkojnë në qoshe me një këmbë ; ku ushqimi është i pangrënshëm, bile edhe kur është i ngrënshëm ta marin pjatën përpara se ta mbarosh dhe ku të venë të flesh në drekë me zor. Ja ti për shembull, ç’kujtim ke nga kopshti tënd ?
.
. Kopshti im i Kombinatit i fillimviteve 60. Një shtëpi njëkatëshe disadhomëshe me tulla të kuqe e rrethuar me mur ; me një oborr me dy pisha përpara dhe me portën ku shfaqeshin prindërit, me barishte të gjata prapa dhe me një gropë gjysëm të mbuluar në skaj ku luanin fëmijët. Nga të vetmet kujtime është një fotografi tashmë e zverdhur nga ku kqyrin të habitur një grup fëmijësh rreth zysh Qefseres, të kapur njeri pas tjetrit nga përparset e bardha. Tjetri është ai i aromës së supës me oriz ku notonin ca fije mishi. Kujtimi i fundit është ai i një bredhi të gjelbërt me disa objekte të varura në të – dhe sidomos ajo kënga në kor : « ja na erdhi viti i Ri, sa jam i gëzuar... » që një disident anonim e shëndrroi në motivin e parë të protestës fëminore : « Viti i Ri me duar plot, katër arra një biskot’, portokalla s’kishte fare, doli zysha gënjeshtare ».
.
. Përballë heshtjes time të gjatë, ai u mundua të më ngushëllojë :
.
. - E di ? mësuesi ynë na thotë gjithmonë se fillorja është më e rëndësishme se vetë universiteti, pasi aty ne mësojmë bazat e gjuhës dhe të matematikës, mësojmë të përdorim logjikën, të respektojmë punën, vetvehten dhe tjetrin, të dëgjojmë me durim.. bile edhe kur duam të flasim, ngremë gishtin… pasi të jemi të bindur se nuk mund t’i përgjigjemi vetë pyetjes që sillet në kokë.
.
. - e sheh ? edhe ti si ai që ka shkruar në këtë revistën… i kënaqur me shkollën tënde dhe me mësuesin.
.
. - nuk jam unë që i them këto gjëra, por mësuesi. Është e vërtetë se tani shkoj me dëshirë në shkollë, por për shkak të shokëve dhe të lojrave që bëjmë aty. Prandaj edhe e urrej të mërkurën, pasi gjithë pasditen duhet ta kaloj në shtëpi, vetëm. Sa për mësuesin, ai më shumë zbavitet me metodat e tij të mësimdhënies dhe me ndëshkimet që na jep kur flasim me njeri tjetrin në klasë. E di ? kur jam në shtrat, mbyll sytë për të fjetur me shpresë se kur të ngrihem, do të gjendem në universitet. Dua t’i mbaroj këto shkolla një herë e mirë.
.
. - ti ëndërron se kështu do t’i japësh fund mundimeve ? Duhet të ndihesh i lumtur që hallet e tua të vetme sot reduktohen në një vajtje në shkollë dhe dy detyra të përditshme. Mendo më tej punën që mezi gjendet, patronët e pangopur, shokët egoistë, gruan e pakënaqur, fëmijët e pabindur, prindërit pleq…
.
. Ishte rradha e djalit tim të binte në heshtje, të rrudhte ballin duke imagjinuar sërën e gardheve për t’u kapërcyer, që humbisnin në hapësirë.
.
. - të kujtohet xhaxhi Faik, papa ? e kam dëgjuar të thotë : universiteti më i mirë është ai i jetës. Përse më i miri, ai i jetës ?
.
. Universiteti i jetës… një shprehje e përdorur pafund, e keqpërdorur : universiteti i rrugës, i stazhit, i ushtrisë, i burgut, i militantizmit… Gorki i quante « Universitetet e mia ». Faikut në fjalë, mitroviçar nga Prishtina, i bie të ketë bërë një dyzenë të tilla : universitetin e odave kosovare ; ushtrinë e Jugosllavisë ; burgun e Titos ; mësuesinë e fshatit ; fakultetin e kimisë të Mitrovicës ; elektronat e qymyrit të Fushë Kosovës ; rafineritë e Libisë të Kadafit ; papunësinë e dhunshme të Millosheviçit ; egzodin e Bllacës ; kampet e rrefugjatëve të Maqedonisë dhe së fundi, gurbetin e Francës.
.
. - Faiku thotë kështu pasi ka vuajtur shumë në jetë dhe me sa duket, përmes përpjekjeve dhe mundimeve ai ka mësuar më tepër se gjatë shkollës.
.
. - Aha… diçka si ajo lojrat e mia në kompjuter. Duhet të luash shumë variante, të pranosh humbjen dhe të rifillosh nga e para ; dhe me këtë rast, fiton përvojë dhe shmang gabimet.
.
. Diku duhet të kem nënqeshur, pasi ndjeva se fjalia e tim biri u mbyll me një notë të lartë, dyshimi. Besa kësaj shprehjeje së Faikut i mungonin disa detaje - që natyrisht edhe djalit tim i shpëtonin gjithashtu – pasi ajo loja e tij me jetën nuk ofronte aspak zgjedhje. Jam i bindur se, përpos asaj Libie të largët afrikane, ku motivi kryesor ishte pagesa interesante, Gorki ynë s’kish patur asnjë mundësi të zgjedhë llojin e universitetit të tij jetësor – dhe aq më pak, të rifillonte « nga e para ». Për shembull, të mos kryente shërbimin ushtarak ose pse jo, të mos hynte në burgun e Titos, pasi kish një tjetër universitet për të kryer. Më tej, mes asaj turme laramane lojtarësh të taksur nga rastësia ai duhet të përzgjidhte « profesorët » më të kualifikuar, mes vuajtjeve leksionet më interesante dhe përfundimisht, mes ndëshkimeve diplomat më të vyera.
.
. - shpesh mundohem të përqas mësuesin tim me ty… përse nuk bëhesh mësues, papa ?
.
.
. * * *
.
.
. Si mund t’i përgjigjesha këtij gjysëm-qortimi të një çilimie ndaj babait të tij, që ka braktisur tashmë zanatin e mësuesisë për fëmijë të rritur, studentë universiteti, për t’u marrë me lojrat e tij të shkrimeve për të tjerë fëmijë? Preferova të tres vështrimin gjetkë. Në ato kristalet e brishta të pranverës së parë që po zbardhnin bajamet e vjetra jashtë… për të evituar dy rreze drite të kaltra dhe ngulmuese që shëtisnin mbi fytyrën time, në kërkim të syve gri të përhumbura. Ishte mendja që dyzoi mes fjalëve që rendnin në kokë, më tej ishin dhëmbët që u bënë gardh dhe përmbajtën vërshimin.
. Kur ktheva kokën, tashmë ishte vonë ; djali po luante diku pranë, me vështrim të përpirë nga lumi i imazheve të lojës së tij elektronike. Vendosa më në fund t’i përgjigjem të vetmit bashkëbisedues pranë, vehtes ; që vazhdon të më bëjë shoqëri dhe në mos më kupton, të paktën më ndjek si hije. E pra, ajo qenie, sot qesëndisëse por që dje besonte në vlerat e universitetit, pati guximin të më buzëqeshë me shpoti :
.
. -… pate frikë qëpari ? Përse nuk i the fëmijës se universiteti, hëm, shkolla është si furra : fut byrek dhe e nxjerr të pjekur, sikundër fut kungull.. edhe atë e nxjerr të pjekur !
.
. - frikë ? Jo, ndoshta diçka tjetër. Edhe ajo furra tënde e pjekjes mbetet gjithmonë në dorë të furrxhiut : byrek apo kungull, vërtet ai i fut por më tej mund t’i nxjerrë shkrumb, medemek baltë. Ky është ai furrxhiu i dikurshëm i lagjes, në krah të shkollës « 50 Vjetori »… të kujtohet, kur çonim bashkë byreqet e mamasë ditën e djelë dhe që herë-herë, pamja e tyre e shkrumbosur dëshpëronte gjithë familjen ? Nuk e kish aspak gabim gjyshi ynë kur shkrehej gjithë kënaqësi përpara një byreku të bukur : i lumshin duart furrxhiut, sa mirë e ka pjekur! Një furrxhi i mirë është si alkimisti : edhe baltë fut në furrën e tij dhe nxjerr flori! Thua që e kupton djali im metaforën e furrës - shkollë dhe furrxhiut - mësues në kohën e sotme të hamburgerëve dhe të pizzave të stërngrira ?

La suite.. - Vazhdimi...

Tuesday, March 9, 2010

Ju bumtë lytha o lezhjanë të namuzit !


.
. Çka ngacmon dëgjimin së pari në këtë protestën e fundit lezhjane është fakti social : një qind (në mos më tepër) qytetarë të Lezhës, të moshave nga 15 deri në 50 vjeç, të rinj në pjesën më të madhe, mblidhen në sheshin e qytetit të tyre për të denoncuar « fenomenin Klodi » - më mirë të themi, deklaratën e një farë Klodi, një personazh i shfaqjes televizive “Big Brother”, që shpalli publikisht homoseksualitetin e tij. Më tej, indinjata leshjane vërshoi përgjatë bulevardit « Gjergj Fishta » dhe u shpreh zhurmshëm që ky individ « të mos futej më në qytetin e tyre ». Amen!
. Së dyti, çka vret edhe më tepër veshin në këtë histori është tufa e argumentave që motivon revoltën qytetare : « Klodi ka njollosur qytetarinë lezhjane dhe të kombit shqiptar… Lezhjanët janë shquar si intelektualë dhe janë të njohur në mbarë botën për historinë, traditën dhe kulturën dhe jo për homoseksualitet… Lezha nuk e meriton njollën e "homoseksualitetit" ». E pra, për dikë që vështron turmën nga dritarja e tij lezhjane, ky marrshim burrash namuzllinj është shprehja vetë e mbrojtjes të moralit qytetës, në mos e vetë moralit të Kombit, ndërkohë që një tjetri vrojtues nga dritarja e tij evropiane, i hyn frika nga ky shpërthim pasionesh, të denja për Teheranin. Pa fjalë, një rast ideal për shumë militanten Aleancë Kundër Diskriminimit Gay & Lesbian Albania që pushton skenën mediatike me thirrjet e saj kundër atyre « Inkuizitorëve mesjetarë dhe muhaxhadinë… », paçka se për t’i dhënë më shumë kripë situatës ju ve nga një gur hipotetik në dorë dhe shton në dekor disa gra të martirizuara, për t’u rrahur.
. Nën atë këndvështrim përpjekjesh të mundimshme të popullit lezhjan për të kapërcyer detin përballë, një thirrje e tillë si « … ne s'duam të shkojmë në Europë, por duam të ruajmë krenarinë e kombit shqiptar », e dëgjuar në tubim, dashur padashur të kujton vargjet e perifrazuara të Petëfit : « Për Evropën fal edhe jetën, për namuzin fal edhe Evropën ! »
.
.
.
. * * *
.
.
. Besa, ana më tërheqëse bile edhe më zbavitëse në këtë mesele është përzierja e çeshiteve. Në ç’mënyrë homoseksualiteti i Klodit mund të njollosë qytetarinë lezhjane ? Kaq i brishtë qënka ky i bekuar dinjitet mbarëkombëtar sa që një deklaratë publike e një individi e bën zhele ?
.
. Më tej – dhe pa dyshuar aspak se intelektualizmi lezhjan ka marrë dhenë mbarë – ku qëndron papajtueshmëria mes të qenit figurë e kulturës, historisë apo edhe shkencës dhe faktit homoseksual ? Mos vallë nuk ka dijeni apo thjesht ka harruar populli i Lezhës se një farë Leonardo da Vinçi ka qenë homo i deklaruar ; se të tjerë piktorë si Botticelli, Donatello, Michelangelo, Delacroix, Dali kanë qenë gatuar me të njejtin brumë ; se ky fenomen nuk frenohet as nga kombësia, as nga epoka as edhe nga fama pasi të tjerë Cervantes, Shakespeare, Francis Bacon, Voltaire, Goethe, Balzac, Andersen i kanë bërë shoqëri të parëve ; ndërkohë kur të tjerë Kierkegaard, Walt Whitman, Jules Verne, Oscar Wilde, Gabriele D'Annunzio, Constantin Cavafy apo Rudyard Kipling rrinin karshi-karshi të tjerëve Marcel Proust, Somerset Maugham, Thomas Mann, Bertolt Brecht, Federico Garcia Lorca apo Roland Barthes dhe Michel Foucault. Le të marim frymë thellë pas këtij numërimi personalitetesh të artit dhe të kulturës që besoj, i bëjnë nder edhe një qyteti të tillë të shquar si ai i Lezhës, pasi kësaj « epidemie » nuk i shpëtojnë as edhe aktorët apo regjizorët e kinemasë që, besoj, çdo lezhjan dhe lezhjane ende i mban në zemër : Lawrence Olivier, Pier Paolo Pasolini, Pablo Almodovar, Rudolfo Valentino, Cary Grant, Robert Taylor, Dirk Bogarde, Jean Marais, James Dean… Doni më për Malon ? Pasi ky Malua ynë, alias Klodi, dikur ka qenë edhe mendimtar si Demosteni, ngadhënjyes si Aleksandri i Madh, perandor si Jul Qezari, Hadrieni, Augusti, Trajani apo Diokleciani, kompozitor si Franz Schubert, Frederic Chopin, Johannes Brahms, Piotr Tchaikovsky, Georges Gershwin, këngëtar si Freddy Mercury apo si Elton John dhe George Michael, krijues i modës si Christian Dior, Gianni Versace, Yves Saint-Laurent, Jean-Paul Gaultier apo Dolce & Gabanna,Calvin Klein.. deri edhe Tarzan si Johnny Weissmuller.
. Dikush mund të më thotë se, pavarësisht talentit dhe famës, ky cen i tyre nuk i nderon kushediçfarë.. fort e vërtetë, por ama, nuk i ka shnderuar aq sa lezhjanët e qytetit të tyre t’i zenë me gurë, ndërkohë që të tjerë lezhjanë më të moderuar, dashamirës të kulturës dhe të traditës, shkojnë në koncertet, admirojnë filmat dhe pikturat apo edhe vishen me rrobat e krijuara prej tyre. Fundja, gjetkë, vesi apo ceni personal nuk hedh aspak hije bile as njollë mbi jetën shoqërore të grupit… përse atëhere një gjë e tillë në Lezhë ?
.
. Por, çka më cingërit dellin edhe më fort në këtë farë spektakli është hipokrizia e turmës. Do të ishte shumë më e udhës që lezhjanët të dinin në rrugë në emër të moralit dhe me këtë rast, t’i japin atij morali emrin që meriton – fetar. Është feja, e krishterë, çifute dhe myslimane, të cilat i respektoj dhe i nderoj paralelisht sikundër edhe vetë lezhjanët, që dënon të tilla mëkate dhe akte kundër natyre, si të papajtueshme me doktrinën dhe me konceptin e saj ndaj familjes. E pra, ata qytetarët tanë të nderuar duhet të vinin në krye të kortezhit të tyre kryqin apo gjysmë hënën dhe të marshonin me dinjitet, me kokë të ulur, duke pëshpëritur lutjet e rastit deri në bregun e Drinit, ku edhe të flaknin dordolecin-shëmbëlltyrë të Klodit të padenjë.
. Them feja - bile edhe e theksoj – pasi jashtë saj dhe për fat të keq, asnjë moral tjetër shoqëror nuk mund t’ju vijë në ndihmë, nuk mund të amëshojë shpirtrat e tyre të trazuar. Them edhe një herë feja dhe mundohem të mbyll sytë me duar – kësaj rradhe nga turpi, pasi nuk kam parë ende një turmë lezhjanësh të dalin sheshit të qytetit për të denoncuar kurvërinë – po aq të stigmatizuar sa edhe fenomeni homoseksual nga Roma katolike – këtë zanat që mban edhe ushqen jo vetëm ata njerëz por deri një popull të tërë ; të stigmatizojnë ata djemtë e tyre rrufjanë në Itali dhe gjetkë që nxjerrin në rrugë vajzat e Beratit apo të Fierit me qëllim që baballarët të çelin biznese dhe të ngrenë shtëpi ; ata djem që bëhen katërsh për të transportuar heroinë dhe kanabis përpara se ta shesin në rrugët dhe sheshet e Evropës, paçka se ju helmojnë jetën dhe të ardhmen adoleshentëve vendalinj… pa folur më tej për atë burrërinë e tyre tradicionale, disidencën e tyre heroike antikomuniste, tashmë të lodhur dhe të fikur, që nuk është në gjendje as edhe t’i lëvizë vendit për të protestuar ndaj çmimit të bukës apo të mishit, ndaj mungesës së rrymës apo të druve të zjarrit.
. Ja pra përse pikëllohem nga kjo protestë e fundit. Druhem se ajo nuk dëshmon aspak për dinjitetin e një qyteti por pikërisht për rrënimin moral të tij, për verbërinë qytetare, për vogëlsinë e shpirtit kolektiv, për ngushtësinë e horizontit social, për zvetënimin e idealit njerëzor ; thjesht, për rrëgjimin e ndërgjegjes kombëtare që meret me një qime Klodi në syrin e huaj për të harruar trarin në sytë e vet.
.
.
. * * *
.
.
. Deri-diku, edhe për dikë si puna ime që është marë që herët me historira preshi, një temë e tillë mbetet delikate. Jo vetëm pasi që ajo prek ndjenjat e popullit të atij qyteti që, kalimthi i duhet kujtuar se dikur në Mesjetën heroike skënderbejane ai mbante një emër burrëror dhe mashkullor si ai i Leshit por që rrethanat dhe përpjekjet perverse turkoshake e kanë feminizuar në Lezhë… por pasi, një e tillë temë kërkon një përpjekje të vërtetë për të mos rënë në banalitetin dëshpërues të një prapanice, qoftë ajo edhe mediatike si e Klodit. Për fat, më vjen në ndihmë Tofaqi… besoj se ja keni ndihur emrin, në mos famën !
. E pra ky Tofaqi – Fotaqi, një monument i dikurshëm i kulturës qytetëse kombinatse – mbahet mend jo si mësues fiskulture tashmë në pension, por si një disleksik sa origjinal aq edhe gjenial. Ai që në klub, i kërkonte kamarieres « dy kakafe një kao » bile edhe « shpejt se po na zjen bilja », ajo e shkollës pranë ; ai vetë që kur binte fjala për vëllezërit Frashëri, i çiftonte me çiltërsi « Namiu dhe Samiu… më falni, Naimi dhe Saimi ». Troç, ky Tofaqi, me vite drite larg preokupimeve të sotme lezhjane, që atëhere i dha dum situatës – si edhe dilemës time – me shprehjen « të bumtë lytha », të cilën unë e plaçkita pa mëshirë për t’jua dedikuar lezhjanëve të mij.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur