"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, February 4, 2010

Metafizikë e sferave

. Shopenhauer: "... njeriu është një kafshë metafizike".
.
. Në këto ditë të vështira dimri, ku sejcili si mundet përballon acarin rreth sobës, mangallit apo një furnele të mpakur – mundësisht me një batanije supeve, një lajm i tillë i lumtur si ai i rregjistrimit të popullsisë dhe i banesave - veçse ngroh zemrën dhe skuq faqet nga gëzimi. Aq më tepër kur qeveria premton se kësaj rradhe – bile për herë të parë – pyetësori do të përmbajë pyetje për përkatësinë etnike dhe fetare të shtetasve. Një risi e vërtetë që vetëm demokracia mund ta ideojë dhe ta realizojë në dobi të popullit, ndoshta i shpirtçmësuar pas atyre dekadave të tëra rregjimesh të mëparshme – por gjithmonë shpirtmalluar ndaj të tillash vlera.
.
. Imagjinoni vetë : 12 ministra dhe kushedisa të tjerë specialistë të fushave të mobilizuar, nën udhëheqjen e vetë Ministrit të Shtetit Pollo ; një mbështetje e plotë e INSTAT, ekspertëve më në zë të BE dhe një varg agjensish ndërkombëtare ; një fond i tërë prej 15 milionë eurosh në dispozicion ; një ushtri e tërë anketorësh dhe punonjësisht që do t’i bien kryq e tërthor terrenit…
. Thjesht, një proces me rëndësi të jashtëzakonshme në shërbim të mirëqeverisjes, të përpilimit të asaj panorame të plotë të zhvillimeve gjigande sociale dhe ekonomike në vend, një pikënisje për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale në shërbim të studimit të kapaciteteve dhe ndërtimit institucional... Troc, një domosdoshmëri ! Ç’them, një mrekulli, kur mëson më tej se ky proces do të përmbajë edhe hedhjen e të dhënave nëpërmjet teknikës më moderne për rregjistrimin e të dhënave - sistemit të skanimit ! .
.
. * * *
.
.
. Edhe sikur të mos jemi në gjendje të ndjejmë këtë ndjenjë ngrohjeje dhe gëzimi të faktit etnik dhe fetar, të provojmë entusiazmin e dosmosdoshmërisë institucionale, veç për hir të këtij skanimit të fundit ja vlen t’i bashkohemi këtij aksioni të Qeverisë, që sipas thashethemeve na vjen si porosi e Evropës. Le të besojmë qoftë edhe një herë të vetme të urtin Berisha që është gati të përgënjeshtrojë edhe rekomandimet e ndërkombëtarëve, kur thotë
.
. unë jam për regjistrimin e këtij vendi, që do të bëhet nga kjo qeveri. Cdo qytetar do ketë të drejtë të shënojë gjuhën, përkatësinë etnike, besimin fetar…
. Në këtë kontekst të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat.
.
. Të parët që i kundërvihen kësaj urtësie sekulariste kryeministrore, që i bën eko trashëgimisë themelore pozitive të Shtetit të tij, janë historianët, kritikë nga natyra dhe zemërakë nga përvoja. Për shembull, Pëllumb Xhufi, që nënvizon se kjo gjë do të shkonte në favor të qarqeve të shpallura antishqiptare – dhe me këtë rast na kujton se në atë vitin e largët 1993, po ky Kryeministër – atëhere President - i premtonte të njejtën gjë Micotaqisit fqinjë. Thjesht për t’ju kujtuar pasardhësve të Micotaqisit historinë, ai ju përmend
.
. listë[n] me 70 ose 80 fshatra [që] është njohur që atëhere jo vetëm nga Lidhja e Kombeve, por dhe nga vetë Greqia. Më duket se sot kur Shqipëria ka një Kushtetutë që bazohet tek qytetari, ku trajtohen të gjithë pa dallim kombësie, feje, ngjyre, apo ideje – kjo është një kthim prapa në standardet do të thosha të karakterit bizantino-otoman dhe jo që të përputhet me standardet europiane. Pra, ne e kemi të regjistruar etnicitetin e qytetarëve tanë që në atë kohë. Minoriteti është i njohur dhe asnjëherë nuk i është hequr e drejta për të qënë i tillë. Dhe në fund të fundit ligji ndërkombëtar e thotë që të qënit minoritar nuk është një e drejtë për t'u deklaruar i tillë, por është çështje e faktit të të qënit si i tillë.
.
. Në të njejtin istikam qëndron edhe shkrimtari-historian Godo, i cili arrin të shohë kokën e Dules dhe të Kserës pas shpatullave të gjera të Berishës, këtij mbrojtësi të betuar të të drejtave të njeriut :
.
. … por si i bëhet me familjet e regjistruara me kombësi greke? Janë me qindra familje në Korce, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që marrin pensione greke. Nuk jam kundër pensionit por kundër dokumentit që kanë nënshkruar i cili i detyron të ndryshojnë kombësinë. Këtu duhet të vërë dorë shteti shqiptar. Do të kemi më tepër njerëz me kombësi greke nga ckemi realisht, dy ose tre herë më tepër. Kjo i jep të drejtë palës greke të thotë që, ky është territori im sepse është i banuar në shumicën e vetë nga qytetarë që kanë kombësi greke. Rrjedhimisht kërcënon drejtpërdrejt tërësinë tokësore të shtetit shqiptar
.
. Për hir të të vërtetës tashmë historike, detyrohem t’ju kujtoj historianëve se standardet evropiane lidhur me etnicitetin dhe fenë janë po aq të shumëllojshme sa edhe numri i shteteve që përbëjnë Evropën e bashkuar. Nëse Franca laike e ka ndaluar me ligj që në vitin 1872 dallimin e personave mbi bazën e përkatësisë së tyre fetare gjatë regjistrimit të popullsisë dhe që Neni 8 i po këtij Ligji, i ndyshuar rishtas (6 janar 1978) « ndalon mbledhjen e të dhënave me karakter personal që çfaqin në mënyrë të drejpërdrejtë ose të tërthortë, origjinën e tyre raciale ose etnike, opinionet politike, filozofike ose fetare, si dhe përkatësinë sindikale të personave.. », nëse Belgjika multietnike nuk siguron asnjë statistikë zyrtare në fushën e përkatësisë fetare, nëse së fundi Spanja dhe Italia katolike ju bëjnë thirrje vetëm Qendrave të Studimeve fetare dhe organizmave të tjera pastorale të Kishës për të njohur numrin përkatës të besimtarëve, Austria po aq laike përdor pyetësorin e regjistrimit të popullsisë, Gjermania gjithashtu përdor pyetësorin e regjistrimit publik për të deklaruar përkatësinë fetare të shtetasve ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar e pasuroi pyetësorin e vet me elementë të përkatësisë etnike dhe fetare gjatë regjistrimit të fundit të vitit 2001. Përfundimisht, ja vlen ndoshta të përmendim se vendet fqinje (Rumania, Bullgaria, Kroacia apo edhe vetë Greqia) nuk i kanë shpëtuar kuriozitetit etniko-fetar aq karakteristik ballkanik.
. Përfundimisht, përse Zoti të mos hyjë në një pyetësor, kur ai ndërkohë ka hyrë në Kushtetutë, bile në rreshtin e parë të saj ?
.
. Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare… (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Miratuar nga Kuvendi Popullor më 21 tetor 1998).
.
.
. * * *
.
.
. Në skalion të dytë të regjimentit të mosbesuesve gjenden analistët, të cilët në vend të risisë të premtuar, shohin në këtë regjistrim veçse probleme. Problemi i parë : premisa e gabuar e sferës juridike të Nazarkos, i cili ngre pyetjen - Çdo me thënë përkatësi etnike dhe fetare ? A ka një përkufizim juridik të këtyre koncepteve ? A ka një konventë, një dokument ndërkombëtar, një ligj të brendshëm, të aftë që ta përcaktojë ? E pra, na mbetet që t’i shpikim !
. Problemi i dytë : baza e mangët e vlerësimit të saktë statistikor të parametrave në sferën sociale të Zaloshnjës, i cili vëren se formulimi i pyetjeve të pyetësorit çon pashmangshërisht në përgjigje të gabuara me kah të njëanshëm. E pra për të korrigjuar përgjigjen e pyetjes « cilës fe i përket », na duhet t’i drejtojmë të intervistuarit edhe një varg pyetjesh të tjera - sa herë në muaj shkon për t’u falur në një objekt kulti ? Si quhet objekti tënd i kultit ? kujt denominacioni fetar i përket ti ? A beson me të vërtetë në ekzistencën e Zotit ? pse jo – edhe « si quhej gjyshi yt ? Hysen ? atëhere, i dashur Dhimitër ti s’je grek sikundër hiqesh por shqiptar safi ! »
. Problemi i tretë : mungesa e shënuar e inventarizimit në sferën administrative të Nurellarit, i cili me këtë rast përpilon edhe menynë - lista të sakta pronash, votuesish, regjistri i pakontetsueshëm i gjendjes civile, adresarë bazikë… Zaten, sipas tij njohja e këtij dimensioni fetar dhe etnik është një akt i parakohshëm – pêr tê mos thënë i nxituar - për shoqërinë shqiptare, gjithnjë e varur në rrjetën e kushteve ekonomike, nga lëvizja e lirë dhe nga nivelet aktuale të zhvillimit shoqëror. E thënë ndryshe – dhe nga një tjetër vezhgues – përse duhet ta shtiem në ngasje shqiptarin tonë, i cili është aq në gjendje të krahasojë vlerat dhe standardet shqiptare me ato greke dhe me këtë rast, të tjetërsojë qëllimisht identitetin ?
. Problemi i katërt : cënimi nga Shteti i Pollos i sferës private të Klosit, i cili sheh vetëm prapamendim ose djallëzi të qeverisë në këtë projekt të dështuar qysh në embrion. Bile Klosi na propozon të davaritim klishetë demagogjike dhe cinike që ende egzistojnë mes nesh dhe që përdoren nga politikanët tanë : tolerancën e madhe që jepet si shembull i bashkëjetesës të komuniteteve fetare – që me këtë rast duhet quajtur pragmatizëm, tezat nacionaliste si ato të Pashko Vasës – dhe në rradhë të parë – mitin e shpirtërzimit të brendshëm dhe të qëndrueshëm fetar të atij populli që tallazet e kohës e kanë bërë laik, në mos ateist në pjesën më të madhe të tij.
.
. E pra, me shpirt të tejshkuar dhe të ndriçuar nga këto burime drite të dijes intelektuale, pres me durim vizitën e të dërguarve të qeverisë si edhe pyetjet e tyre të pafajshme lidhur me origjinën time etnike dhe bindjet e mia fetare. Një eufemizëm, pasi këtu ku jam – jashtë shtetit, sikundër një million shqiptarë të tjerë si unë – askush s’ka për t’i rënë portës. Në këtë rast, ata që do të përgjigjen në vendin tim janë prindërit e mij pleq që duhet të rrëmojnë në kujtimet e tyre dhe t’i venë flatra imagjinatës për të shpjeguar se në çilimëri djali i tyre ka qenë pagëzuar në një kishë ortodokse me iniciativën e gjyshes së tij besimtare, përpara se të bëhej ateist i bindur nga trysnia e ideologjisë së shtetit, për të përfunduar në një agnostik tolerant nën ndikimin e shoqërisë së huaj (a e dinë këtë gjë ata vallë?) ; se po ky djalë i tyre ka lindur shqiptar por që sot ndoshta ai është francez – sikundër dhe fëmijët e tij, ndërkohë që vajza e tyre është kanadeze kur xhaxhallarët janë amerikanë, kunetërit italjanë, vjehra spanjolle dhe nipërit grekë ; se së fundi po ky djalë ka një apartament diku në Golem, në një rrugë pa emër dhe në një godinë panumër, me njëfarë sipërfaqeje banimi por që ende nuk figuron në asnjë kadastër për hir të rrumpallës kavajse, por sidoqoftë demokratike.
. Gjithësesi, i bëj besim aftësisë profesionale të Pollos për të mirëinterpretuar rezultatet egzotike të këtij pyetësori vital për të ardhmen e kombit – si edhe sensit praktik të Berishës. Atij sensi praktik që ai ka përdorur parreshtur për të interpretuar bindshëm rezultatet elektorale – dhe për të shpallur me po aq bindje fitoren e partisë së tij. Sikundër dhe sensit praktik të fqinjëve tanë grekë proselitistë që i shtyn natyrshëm në kundërshtimin sistematik të rezultateve të regjistrimeve shqiptare kur bëhet fjalë për pakicën e tyre gërqishtfolëse dhe ortodokse.
.
.
. * * *
.
.
. Çka ndodh kur ndërfuten këto soj sferash ? juridike, sociale administrative, private – pa harruar të tjera sfera : ato të atdhetarisë të sinqertë dhe të shtirur, të reflektimit intelektual të ndjerë ose të blerë ? të politikës largpamëse ose dritëshkurtër… dhe në fund, të interesit të gjithëgjendur ? Mbi rrafshin e realitetit të përditshëm – ai njerëzori, me batanije mbi kokë dhe me duar të morthura mbi furnelë – objekti i përvijuar është një shumë rrathësh që ngërthejnë sendet, shkaqet dhe pasojat, që krijojnë një spirale : një qark të virtytshëm, mirëbërës dhe shpresëndjellës kur ngjitet drejt mirëqënies, drejt evropianizimit të vlerave… sikundër dhe një qark djallëzor, përkeqësues dhe kobsjellës kur zbret drejt varfërisë, drejt ballkanizimit të ndjenjave.
.
. Sidoqoftë një zinxhir hallkëlidhës, mendjempirës, brenda të cilit gjendet i mbyllur populli – dje i tallonit, sot i pensionit, të cilit i mungon pikërisht regjistrimi i popullsisë dhe pyetësori etnik për të zgjidhur një herë e mirë problemet e tij të ushqimit dhe të ngrohjes. Njeriu i thjeshtë dhe i përvuajtur për të cilin Greqia fqinje dhe Italia e përtejdetit përbëjnë cakun e parë dhe të fundit të imagjinatës ; për të cilin, lidhja me Zotin e tij të krishterë apo mysliman mbetet ndoshta i vetmi send i prekshëm i kësaj bote materiale. Jashtë tij shtrihet bota e paanë e humorit dhe e vetëtalljes, e groteskut – e këtij arti madhor, ballkanik i mirëfilltë, që ka prodhuar po aq Nastradinë sa edhe Eskilë.
. Nën prizmin e këtij grotesku, edhe shqetësimi egzistencial i klasave tona me interesa sferike bëhet thuaj njerëzor, prekës : si i bëhet këtyre grekëve tanë të qenë dhe të paqenë, të vjetër dhe të rinj, të pagëzuar dhe të papagëzuar – por që të gjithë të bindur për prejardhjen e tyre protohelene, aq më tepër kur Shteti grek i mban dhe i ushqen me ato pensionet dhe alokacionet mujore? Si i bëhet atij Shteti grek që qëndron pas tyre dhe që nesër mund të na trokasë në derë për të kërkuar territorin « e tij » legjitim, pasi të banuar nga të tillë grekë safi ? Si mund t’i justifikojmë ato shifra tashmë shekullore të 2-3% pakicash kombëtare, pas shpalljes të rezultateve të këtij regjistrimi shejtanesk ?
.
. E pra, në mungesë të asaj trimërisë tjetër të hershme politike dhe diplomatike, që shprehet në të detyruarin e Greqisë së asokohe që të bënte një regjistrim të popullsisë së saj sipas kriterit etnik për të zbuluar numrin e vërtetë të çamëve shqiptarë në territorin e saj, besa mbetet vetëm trimëria e pastër : ajo e të vënit të gjoksit para plumbit dhe të kapurit e gjyles me dhëmbë. Pra, e thirrjes së Greqisë në mejdanin e burrave, përpara se të lëshohet thirrja njëzërëshi : « mbë ta ! ». Duke pritur dhe shpresuar që asaj t’i dridhen këmbët dhe t’i priten gjunjët, duke parashikuar se pas dallgës së parë shkatërrimtare kombëtare vjen batica oqeanike e pamposhtur e Atlantikut të Veriut. Me shpresë edhe më të madhe por të fshehur që përfundimisht, të fitojmë… në mos luftën, të paktën pensionet për të gjithë.
. Për të evituar dilemën ankthndjellëse, nuk guxoj të ngre hipotezën tjetër – atë më të natyrshmen. Zaten një deputet i Vlorës heroike i kohës së Zogut shtangu një Parlament të tërë kurnjë koleg i tij – sipas anekdotës – hodhi idenë e fitimit të luftës hipotetike ndaj Amerikës, si ilaç kundër krizës. Sot, për të sprapsur djallin e kundërshtisë, ja vlen që Berisha të armatoset me kryqin… më mirë të themi, me durimin dhe të shtyjë për një kohë mbajtjen e këtij regjistrimi kaq të përfolur. Aq sa do të na duhet – jo më për të hyrë në Evropën e Bashkuar, me idenë e akordimit të pensioneve të gjithë çamëve të kësaj ane të kufirit, por për të përjetuar falimentimin total financiar të Greqisë së Papandreut. Në se kjo Greqi e telendisur premton të ekonomizojë 10.3 miliardë evro nga buxheti i saj për vitin në vijim, duke luftuar punën në të zezë, shkurtuar rrogat e punonjësve, mbyllur spitalet dhe çmobilizuar ushtarakët – kush e di ? ndoshta do t’i vërsulet edhe koromanes vorio-epirote. Paçka se me atë rast do të shohim atë vargun e gjatë të Kristove që do të kujtohen se dikur kanë qenë Muhametër dhe do të batisin nga kjo anë…
.
. E shoh që dikush buzëqesh, bile edhe qesh, me këtë mënyrë arsyetimi. « Qesh, pse mos qeshësh… tani që fitove davanë » i përgjigjej Nastradini ynë i anekdotës fajdexhiut kur ky i fundit vuri buzën në gaz pasi kish dëgjuar një historitë tërë me ferra ndërkohë të mbjella, me dhen që priteshin të ngecnin në to, me lesh hipotetik që duhej mbledhur, larë, krehur, tjerrur, thurur, shitur.. për të larë atë borxhin real.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur