. . . 1. Fabula indiane.
.
. Një Perëndi indiane nga ato të stërlashtat, Niyam Raja, zgjodhi kodrat Niyamgiri të rajonit Orissa, diku në lindje të nënkontinentit indian si strehën e tij të fundit. Meqë ka bërë fole mbi këto kodra prej shekujsh, fisi indian Dongria Kondh, raca e të cilit sot ka katandisur një grusht burrash dhe grash – të gjithë besimtarë të thekur, i falet këtij vendi të shenjtë duke vendosur statuja druri të këtij Zoti në çdo shteg dhe duke i bërë sakrifica të panumërta me bukën e tij të gojës. Deri sa një shoqëri shumëkombëshe e minierave, e quajtur Vedanta Ressources zbuloi se në të vërtetë shpirti i atij zoti ishte fshehur brenda një mase të stërmadhe minerali boksiti, për më tepër tejet i pasur me oksid alumini aq të çmuar. E pra, buldozerat, kamionët, konvejerët.. shkurt makineria është gati të zhdukë nga faqja e dheut këto kodra të shenjta me qëllim që uzina e posandërtuar në fushën pranë të fillojë punën e saj ndërtimtare. Qeveria indiane posepo, por edhe Gjykata Supreme e atij vendi i ka dhënë lejen shoqërisë në fjalë që në korrik 2008 për të ndezur motorat. Natyrisht, ai fisi indian i Dongriasë nuk është aspak i të njejtjes mendje dhe është gati të ndërmarrë gjithçka është e mundur për të penguar këtë vepër shkatërrimtare. Për shembull, nëpërmjet faqeve të revistës Variety, ai i ka bërë thirrje Zotit planetar, James Cameron-it të famshëm për të aplikuar në praktikë recetën magjike të filmit të tij po aq magjik Avatar.
. Për fat të keq – të indianëve, kjo klithmë dëshpërimi ka mbetur ende pa përgjigje… Por sidoqoftë, thirrja indiane e zemrës ka prekur ndërkohë Kishën anglikane të Mbretësisë së Bashkuar që ka deklaruar se do tërhiqte paratë e besimtarëve të saj nga kapitali i kësaj shoqërie, me motivin e natyrshëm « antinjerëzor ».
.
.
. 2. Fabula shqiptare.
.
.
. Që prej kohëve më të lashta, Helenët e lavdishëm që Perënditë e tyre të Olimpit na i kanë
taksur si fqinjë, kanë qenë të bindur se çdo qënie njerëzore që arrinte të shprehej në gjuhën e tyre fisnike duhej të rishikonte biografinë e tij në kërkim të rrënjëve familiare dhe të vetëdeklarohej helen. Kjo dogmë arriti t’i mbijetonte shekujve dhe të gjithë katastrofave që i ranë atyre përsipër dhe lulëzoi me një forcë të re në gjirin e trashëgimtarit historik, Shtetit Helen të sotëm. Ky i fundit e pasuroi me tezën tjetër po aq ambicioze : « Edhe ajo pëllëmbë toke ku ky helen jeton është pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme e Shtetit tonë të amëshuar ». Bile ky shtet ka bërë çmos – deri edhe me forcën e thikave dhe të kobureve – për ta vënë në jetë këtë doktrinë, veçanërisht në mes të rrëmujave të përbotshme sikundër Lufta e Parë dhe e Dytë botërore, duke u justifikuar me numrin e papërcaktuar të minoritarëve grekë mbi këto vise.

. Atë çka fqinjët tanë të mirë nuk mundën ta marrin me anë të forcës, Qeveria jonë e sotme e jep falas, falë një tradite të vjetër të njohur përbotërisht – bujaria e shqiptarit. Po ajo bujari që shtyu dikur një tjetër Qeveri shqiptare të Zogut t’i falte fqinjit jugosllav Shën Naumin dhe disa ngastra kullote në Vermosh. Veçse kësaj rradhe – vetë moderniteti i epokës të detyron – në vend të tokës, Qeveria e Berishës vendosi t’u falë grekëve një copë det prej 354 km2, pa mundur të tregojë se në ç’mënyrë llogariti numrin e peshqve minoritarë në të të. Flitet se fisi iliro-shqiptar i peshqve të Jonit i ka bërë thirrje Zotit për ta mbrojtur.
. Për fat të keq, ai i detrave, Poseidoni – për arsye që dihen – nuk është përgjigjur… Por sidoqoftë, thirrja peshkore e zemrës ka prekur Gjykatën Kushtetore shqiptare që vendosi të hedhë poshtë vendimin e Qeverisë, me motivin më logjik që ajo mundi të gjejë: « antikushtetues ».
.
.
. Morali :
.
. 1. Lakmia nuk njeh kufi as edhe kombësi, sikundër dhe bujaria pa interes ; e pra, megjithëse lakmia dhe bujaria janë produkte të pastra shpirtërore, si rastësisht, objekti i tyre është gjithmonë material.
.
. 2. Çka të ban tandi, s’ta ban as dreqi i mallkuem.
.
. 3. Udhët e Zotit janë të papërshkueshme sikundër dhe zëri i tij është i paimitueshëm, qoftë kur ai buçet nga maja e katedrës të Kishës anglikane ose kur ai pëshpërit në sallën e Gjykatës Kushtetuese.

0 comments:
Post a Comment