"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, February 14, 2010

Dy fabula.

. . . 1. Fabula indiane. .
. Një Perëndi indiane nga ato të stërlashtat, Niyam Raja, zgjodhi kodrat Niyamgiri të rajonit Orissa, diku në lindje të nënkontinentit indian si strehën e tij të fundit. Meqë ka bërë fole mbi këto kodra prej shekujsh, fisi indian Dongria Kondh, raca e të cilit sot ka katandisur një grusht burrash dhe grash – të gjithë besimtarë të thekur, i falet këtij vendi të shenjtë duke vendosur statuja druri të këtij Zoti në çdo shteg dhe duke i bërë sakrifica të panumërta me bukën e tij të gojës. Deri sa një shoqëri shumëkombëshe e minierave, e quajtur Vedanta Ressources zbuloi se në të vërtetë shpirti i atij zoti ishte fshehur brenda një mase të stërmadhe minerali boksiti, për më tepër tejet i pasur me oksid alumini aq të çmuar. E pra, buldozerat, kamionët, konvejerët.. shkurt makineria është gati të zhdukë nga faqja e dheut këto kodra të shenjta me qëllim që uzina e posandërtuar në fushën pranë të fillojë punën e saj ndërtimtare. Qeveria indiane posepo, por edhe Gjykata Supreme e atij vendi i ka dhënë lejen shoqërisë në fjalë që në korrik 2008 për të ndezur motorat. Natyrisht, ai fisi indian i Dongriasë nuk është aspak i të njejtjes mendje dhe është gati të ndërmarrë gjithçka është e mundur për të penguar këtë vepër shkatërrimtare. Për shembull, nëpërmjet faqeve të revistës Variety, ai i ka bërë thirrje Zotit planetar, James Cameron-it të famshëm për të aplikuar në praktikë recetën magjike të filmit të tij po aq magjik Avatar.
. Për fat të keq – të indianëve, kjo klithmë dëshpërimi ka mbetur ende pa përgjigje… Por sidoqoftë, thirrja indiane e zemrës ka prekur ndërkohë Kishën anglikane të Mbretësisë së Bashkuar që ka deklaruar se do tërhiqte paratë e besimtarëve të saj nga kapitali i kësaj shoqërie, me motivin e natyrshëm « antinjerëzor ».
.
.
. 2. Fabula shqiptare.
.
.
. Që prej kohëve më të lashta, Helenët e lavdishëm që Perënditë e tyre të Olimpit na i kanë taksur si fqinjë, kanë qenë të bindur se çdo qënie njerëzore që arrinte të shprehej në gjuhën e tyre fisnike duhej të rishikonte biografinë e tij në kërkim të rrënjëve familiare dhe të vetëdeklarohej helen. Kjo dogmë arriti t’i mbijetonte shekujve dhe të gjithë katastrofave që i ranë atyre përsipër dhe lulëzoi me një forcë të re në gjirin e trashëgimtarit historik, Shtetit Helen të sotëm. Ky i fundit e pasuroi me tezën tjetër po aq ambicioze : « Edhe ajo pëllëmbë toke ku ky helen jeton është pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme e Shtetit tonë të amëshuar ». Bile ky shtet ka bërë çmos – deri edhe me forcën e thikave dhe të kobureve – për ta vënë në jetë këtë doktrinë, veçanërisht në mes të rrëmujave të përbotshme sikundër Lufta e Parë dhe e Dytë botërore, duke u justifikuar me numrin e papërcaktuar të minoritarëve grekë mbi këto vise.
. Atë çka fqinjët tanë të mirë nuk mundën ta marrin me anë të forcës, Qeveria jonë e sotme e jep falas, falë një tradite të vjetër të njohur përbotërisht – bujaria e shqiptarit. Po ajo bujari që shtyu dikur një tjetër Qeveri shqiptare të Zogut t’i falte fqinjit jugosllav Shën Naumin dhe disa ngastra kullote në Vermosh. Veçse kësaj rradhe – vetë moderniteti i epokës të detyron – në vend të tokës, Qeveria e Berishës vendosi t’u falë grekëve një copë det prej 354 km2, pa mundur të tregojë se në ç’mënyrë llogariti numrin e peshqve minoritarë në të të. Flitet se fisi iliro-shqiptar i peshqve të Jonit i ka bërë thirrje Zotit për ta mbrojtur.
. Për fat të keq, ai i detrave, Poseidoni – për arsye që dihen – nuk është përgjigjur… Por sidoqoftë, thirrja peshkore e zemrës ka prekur Gjykatën Kushtetore shqiptare që vendosi të hedhë poshtë vendimin e Qeverisë, me motivin më logjik që ajo mundi të gjejë: « antikushtetues ».
.
.
. Morali :
.
. 1. Lakmia nuk njeh kufi as edhe kombësi, sikundër dhe bujaria pa interes ; e pra, megjithëse lakmia dhe bujaria janë produkte të pastra shpirtërore, si rastësisht, objekti i tyre është gjithmonë material.
.
. 2. Çka të ban tandi, s’ta ban as dreqi i mallkuem.
.
. 3. Udhët e Zotit janë të papërshkueshme sikundër dhe zëri i tij është i paimitueshëm, qoftë kur ai buçet nga maja e katedrës të Kishës anglikane ose kur ai pëshpërit në sallën e Gjykatës Kushtetuese.

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, February 10, 2010

Metafizikë e harresës.

.
.
. Kam përpara syve dy tekste : trilogjinë « Rrno vetem per me tregue » të At Zef Pllumit dhe artikullin « Strategjite e Harreses Kolektive, ose perse nuk mund te mesojme nga e kaluara » të Blendi Kajsiut – dy tekste vështirësisht të krahasueshëm qoftë nga përmasat apo nga investimi intelektual, qoftë edhe nga intensiteti i ndjenjës që përçojnë. Megjithatë, të lidhur me të njejtin fill – e kaluara diktatoriale e vendit, fantazmat e të cilës vazhdojnë të përzihen me imazhet e të sotmes ; përvoja njerëzore e kësaj periudhe të historisë bashkëkohore, e gjithëgjendur në debatin publik.
. Kujtesa dhe harresa si dy pole konkurrues dhe ndërtues të ndërgjegjes, dy « metoda » për të përqasur të shkuarën dhe të tashmen¸ për të vëzhguar substancën e asaj çka është esenciale në jetën e njeriut. Veçse në këtë rast, harresë kolektive dhe kujtesë individuale : përplasje mes fatit - kolektiv dhe vullnetit – individual. Por, vështirësia qëndron në zgjedhjen e këndit të vështrimit, pasi çdo preferencë ngjiz paradokse :
.
. - nëse kujtesa është një mjet për të luftuar harresën, në të njejtën logjikë të jetës sociale, sikundër dhe atë intime, ajo ka nevojë për këtë harresë për të mbijetuar. Ndryshe, disa forma të harresës janë përbërëse të vetë kujtesës (harresa-mbyllje në vetvehte e Freud-it që siguron mbrojtjen e jetës psikike kundër të palejueshmes, që rrezikon ta çorganizojë).
.
. - nëse kujtimet e protagonistëve të historisë – sikundër dhe shkrimet e gazetarëve ose të analistëve - mbushin hapësirën publike dhe orientojnë reagimet e bashkëkohësve, historiani mund të hierarkizojë ngjarjet, të gjejë masën e duhur ndaj tyre vetëm duke u distancuar në kohë. Ndryshe, është vetë koha që njёkohёsisht shton harresёn dhe qartёson kujtesёn tonё historike.
.
. Ndoshta në këtë mes, faji është i dëshirës : « të duash, do të thotë të gjenerosh paradokse ». .
. Detyra e kujtesës.
.
. « .. dhe e pashë Sizifin që vuante dhimbje të mëdha dhe shtynte një shkëmb të stërmadh me dy duart. Dhe ai përpiqej, duke shtyrë atë shkëmb me duar dhe me këmbë deri në majën e një mali. Dhe, kur ai gjendej thuaj gati të mbrrinte në majë, atëhere masa e gurtë e merrte me vehte dhe shkëmbi i stërmadh rrokullisej deri poshtë. Dhe ai rifillonte rishtas, dhe djersa i rridhte mbi gjymtyrët, dhe pluhuri ngrihej lart dhe i mbulonte kokën.. » (Homeri)
.
. Pervoja e jetuar nga frati françeskan në ferrin e burgjeve politike të rregjimit komunist përbën indin e asaj vepre të shënuar shumëfaqëshe, në origjinë të të cilës qëndron shprehja-titull « Rrno vetem per me tregue ». Mes të tjerash motive, kjo porosi e vetë urdhrit kishtar të cilit ai i përkiste, përballë kataklizmës që po shfaqej, i dha atë forcë për të mbijetuar dhe më tej – për të treguar. Kështu, « Të duash të kujtosh », kjo zgjedhje personale, në pamje të parë e vetvetishme por gjithësesi e dhimbëshme duhet kqyrur në një sërë planesh, ku kujtesa vetiake identifikohet dhe transpozohet në kolektiven :
.
. - lexuesit e shquar të kësaj vepre realizojnë se ajo përmbush një nevojë të shoqërisë shqiptare, « për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s'e kanë jetuar, nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët… Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë » (I. Kadare), se ajo përbën një dëshmi « për një shumicë shqiptarësh… për ta kuptuar se mohimi i së kaluarës - kulti i harresës - është një nga mënyrat më perfide për të përligjur a posteriori gjithë sa ka pasur kriminale një rregjim » (A. Plasari). Në këtë detyrë kujtese, filozofi Paul Ricoeur do të kish kqyrur një premtim ndaj atyre që nuk patën fatin të dalin gjallë, një detyrë ndaj atyre të tjerëve që nuk kishin lindur ende. Bile edhe më larg, ai do të evokonte përpjekjen për t’u vënë në lëkurën e tjetrit, që ka jetuar një të tillë të shkuar të papërsëritshme ; në se njohja intelektuale paraqitet si e pamjaftueshme, duhet kërkuar kuptimi i brendshëm i përvojës – « të ndjesh bashkë me tjetrin ».
.
. - në një tjetër regjistër, kjo vepër mund të kqyret gjithashtu si një veprim me veti terapeutike, me qëllim mjekimin e traumatizmave të historisë, ndalimin e lindjes së pulsioneve të përsëritura. Bile Freud do të kish hequr paralelen mes saj dhe kryerjes së zisë – rijetimin e traumatizmës, viktimë e të cilit ai është, për t’u pajtuar me humbjen, me dhimbjen e pësuar. Në pamundësi të fshirjes së dhimbjes, ajo duhet pranuar si e tillë, të përballohet ndërgjegjësisht pesha e saj, të pranohet se ajo tashmë është pjesë përbërëse e identitetit – një pajtim me humbjen dhe sakrificën, që tejkalon vetë kohëzgjatjen e jetës njerëzore.
.
. - Në një vështrim të fundit, ajo mund të kqyret si një përpjekje e dhenies së të drejtës viktimave. T’u japësh dinjitetin e merituar atyre mijra burrave dhe grave, një vend po aq të merituar mes nesh, të gjallëve. Një varr të denjë në kujtesën tonë. Një emër dhe një fytyrë konkrete të humburve të harruar. Bile edhe më tepër se kaq : një jetë tjetër, emocionale kësaj here, nëpërmjet një personi tjetër të afërt – një jetë, vuajtja e të cilës ngjall më tepër kujtimin se sa hakmarrjen, evokon vullnetin për të mos harruar dhe për të bërë çmos që këto krime të mos përsëriten kurrë më.
.
. Kalvari i At Pllumit sugjeron një përqasje ndaj përvojës së tij si një rifillim i përjetshëm ciklik dhe mitit të Sizifit. Përse një ndëshkim i tillë ? Ndoshta, aktiviteti dhe bindjet e tij përbënin një fyerje ndaj « Zotërve », sikundër dikur, kokëngjeshja e heroit të mitologjisë dhe revolta e tij ndaj Olimpit. Alegoria mitike përbën një ironi të thellë të situatës së atëhershme ku një prift katolik, shërbëtor i Zotit të vërtetë, fyen « Zotërit » e vetëshpallur ateistë. Sidoqoftë, ishte këmbëngulja e tij e pashembëllt në besimin që acaroi ata Zotër të cilët, për ta ndeshkuar, e çuan në ferrin tokësor të burgjeve, duarlidhur dhe sylidhur, i detyruar të ngjisë malin duke shtyrë përpara shkëmbin – atë shkëmb që do të rrokulliset rishtas në rrëzë, deri në përjetësi.
. Një Sizif « i lumtur », nëse i zemë besë Albert Camus (Le Mythe de Sisyphe, Gallimard, Paris, 1942), që gjen lumturinë në përmbushjen e detyrës dhe jo më në përmbajtjen e saj konkrete : « … ky univers ku tashmë mungojnë zotërit, nuk i duket as steril as edhe pjellor. Çdo grimcë e atij guri, çdo cifël minerale e këtij mali i mbuluar nga terri, përbën në vetvehte një botë të tërë. Vetë ajo luftë e vazhdueshme drejt majave është e mjaftë të mbushë zemrën e njeriut. Duhet imagjinuar Sizifi i lumtur… »
. Dyshoj disi që epiteti « i lumtur » i këtij Sizifi egzistencialist në Ferrin mitologjik të mund t’i përshtatet gjendjes së Atit tonë në mesin e ferrit tokësor, sikundër dyshoj se lumturia në vetvehte është e mjaftë për të jetuar atë farë jete, edhe sikur të jesh i ndërgjegjshëm për absurditetin e saj si dhe për mundësitë që të jep ndërgjegja për të administruar egzistencën. A nuk është vetë At Pllumi që dëshmon se qëllimi i tij i vetëm ishte Rrno vetem per me tregue ?
. Ndoshta është vetë shpresa e pafund e besimtarit të bindur se Zoti do t’i ndihte qëllimit të tij të pamundur që e bënte të pandijshëm ndaj esencës egzistencialiste, ndërkohë që të tjerë vdekatarë që tashmë e kishin humbur këtë dritë, gjendeshin të vetmuar përballë mendimeve të tyre.
.
.
. E drejta e harresës.
.
. Në ç’rregjistra duhet ta rendisim harresën tonë kur kujtesa zotëron të tilla veti njeriformuese dhe terapeutike ? Sidoqoftë, jo në atë të degjenerimit fizik, të moshës – zhdukjen e neuroneve në korteks, për shkak të plakjes së trurit, pasi Kajsiu ngul këmbë që ajo është jo vetëm kolektive por edhe e ndërgjegjshme – pjesë e një strategjie, dhe së fundi e instrumentalizuar nga klasat politike.
. Në se qëndrojmë në këtë lëmi të fundit të sjelljes, të pandërgjegjshme dhe spontane të popullit, mund të flasim për një harresë - kujtesë të penguar, të ndrydhur dhe të vetëndrydhur. Ajo heshtje fajtore që karakterizoi shoqërinë gjermane në vitet e para të pasluftës lidhur me krimet e përbindshme naziste, e njejta heshtje ndaj episodit Vishi ose luftës së Algjerisë në Francë ; « harresa » në të cilën individi dhe familja shqiptare e epokës komuniste varroste të përndjekurit e saj politikë dhe viktimat e saj të diktaturës. Në gjuhën e popullit, sindroma e « biografisë pa politikë ».
. Sikundër dhe harresa e « kujtimeve të manipuluara » - e bashkëfajësisë sekrete, të imponuar nga rregjimi, që gjeneron një sjelljeje gjysëm-pasive, gjysëm-aktive të shoqërisë civile, dhe që e fton dhe nxit këtë të fundit të kërkojë « si një trup i vetëm » dënimin në litar të « tradhëtarëve të Kombit », të armiqve të klasës – dikur udhëheqës të shquar. E vullnetit të errët të masës që kërkon të moskërkojë të kuptojë, të shohë. Po e njejta harresë – kësaj rradhe institucionale – që aprovon dhe dekreton gjuhën ndryshe, fshirjen e fjalëve të dëmshme nga fjalia, e fjalive të rrezikshme nga e folura, e ripërmasimit të protagonistëve në një aksion, e vetë kontureve dhe përmasave të aksionit në një ngjarje – e historisë së autorizuar, të shënuar, të kremtuar, zyrtare. Një e tillë gjendje skizofrenie kolektive ku edhe kujtimi ushqehet nga harresa dhe vetë harresa shëndrrohet në kujtim vjen si rezultat i një ndërthurjeje të një strukture patologjiko-sociologjike, të një trysnie ideologjike, të një spektakli mediatik permanent që bashkërendojnë efektet e tyre perverse, ndërkohë që pasiviteti qytetar dhe injoranca e ushqyer bashkëpunon me qerratallëkun aktiv të spiunimeve vigjilente, me verbërinë intelektuale, me mbylljen në vetvehte.
. Çuditërisht, në ekstremin tjetër të saj – atë të lirisë së shprehjes dhe të mendimit, të emancipimit dhe të qytetërimit, shoqëria e të drejtës ka nevojë për harresën e dekretuar – amnistinë dhe parashkrimin. Një e drejtë po aq sovrane sa edhe vetë ndëshkimi : shoqëria përndjek të fajshmin thjesht për të rivendosur rendin dhe për të realizuar sigurinë publike dhe jo për t’u hakmarrë ndaj tij. Dhe ndoshta është pikërisht fenomeni i hakmarrjes – pamundësia e të harruarit - që i ve një cak të fundit kujtesës dhe që rikujton barazpeshën e vështirë mes saj dhe harresës.
.
. Në planin personal, së fundi, harresa kqyret si një proces themeltar, zanafilla e të cilit duhet kërkuar pikërisht në diferencimin e Qenies - njeri - Dasein të Heideggerit me të Qenët. Sipas këtij filozofi, njeriu « është një qënie brenda botës », egzistenca e të cilit është gjithmonë e hapur drejt të jashtmes ; ai është shenja e fundit e fundësisë që e strukturon. Pikërisht kjo egzistencë shkakton edhe harresën e Qenies : fillimisht, ai është i lidhur me këte botë me atë të veglës – « pragmata » e grekëve, e cila ka një raport të caktuar me një praksis. Kjo vegël, e konceptuar për një përdorim të caktuar, e drejton detyrimisht drejt një sendi tjetër. Ky sistem sendesh dhe përcjelljesh përbën edhe botën e Heideggerit – bota e preokupimeve të përditshme – të Qenët. Një botë që e çon atë në pikënisje, drejt vetvehtes, pa i krijuar mundësinë e hapjes drejt prezencës së qenies. Një qenie pra, e preokupuar nga të qenët, në një botë të qëni. Një botë që maskon qenien, që e pengon qenien të jetë. Një Dasein që karakterizohet nga një egzistencë joautentike, në banalitetin e të përditshmes.
.
. Në një gjuhe tjetër, tashmë të qendërzuar në të Qënët, harresa rezulton po aq mirëbërëse sa edhe kujtesa : në se egziston një harresë shkatërruese, paralelisht egziston edhe një e tillë ndërtuese. Një harresë që na mbron nga çmenduria e trurit të çoroditur nga kujtime të panumërta, nga zymtësia e të rikthyerit parreshtur në të shkuarën e dhimbshme, nga e përzishmja e përjetshme ndaj një dashurie të humbur, nga pengu i patretshëm ndaj një veprimi të pakryer… Zaten, me atë energjinë e tij shpërthyese që e lejonte të shprehej ndaj një të njohuri të tij « … i përket asaj race që kanë kujtesë me tepricë për të patur gjeni », Nietzsche (Genéalogie de la Morale, Flammarion, 1996) ngazëllon kur përmend harresën : « pa harresë, nuk mund të ketë lumturi, humor të mirë, shpresë, krenari, të tashme ».
. Bile edhe Paul Ricoeur (La Mémoire, l’Histoire, l’Oubli, ed. Seuil, Paris 1992) që zakonisht është fort dashamirës ndaj kujteses dhe po aq kritik ndaj harresës, nuk është në gjendje të ndajë shapin nga sheqeri, më mirë të themi, të vendosë arbitrarisht në se një harresë është shkatërruese ose ndërtuese. Me fjalë të tjera, qenia njerëzore nuk zotëron atë kend vështrimi sipëror nga mund të dallojë atë element brenda burimit të përbashkët, që vendos nëse rrjedha është shkatërruese apo ndërtuese : « asnjë bilanc nuk është i mundur ndaj asaj dramaturgjie të madhe të Qenies ».
.
. Përderisa nuk e fshin krejt të kaluarën, përderisa nuk shëndrrohet në amnezi, « e drejta e harresës » ndoshta duhet kqyrur si shprehje e ndërsjelltë « e detyrës së zgjuarsisë », pikërisht ajo që në emër të « të drejtës të të gabuarit » të djeshëm i dhuron shanset të sotmes. Sigurisht, gabimi është sa i dëmshëm po aq edhe i dënueshëm, dhe morali – qoftë edhe ai i krishterë - gjithmonë na kujton se edhe më i rëndë se sa vetë gabimi është kundërshtimi për ta korrigjuar, për t’u vetëkorrigjuar. Sikundër edhe vërejtjen tjetër se të kryerit të këtij gabimi s’mund të justifikojë këmbënguljen e përjetshme në dëshirën e të hakmarrurit, duke i çelur kështu rrugën « të drejtës së faljes ». Këtë të drejtë të fundit, nën prizmin e pedagogjisë pozitive, shoqëria e sotme civile e ka shëndrruar në « detyrë të kujtesës ». Ndoshta është pikërisht falja – kujtesa e amëshuar - që lejon edhe zgjedhimin e « të drejtës së harresës » dhe « detyrës të kujtesës » - të heqësh dorë nga format e instrumentalizimit të kujtesës, pa fshirë aspak këtë të fundit.
.
.
. * * *
.
.
. Analiza e Kajsiut – si edhe titulli i këtij shkrimi, sugjeron një kqyrje tjetër, ndoshta po aq të pamundur sa edhe e para : « të duash të harrosh ». Një paradoks që ngërthen dëshirën – të duash – dhe aksionin – të harrosh, që shpreh një rast të shënuar të pëparcaktueshmërisë së qenies. Në fund të fundit një oksimorë që bashkon në një të vullnetshmen me të pashmangshmen : si mund të dëshirosh të pavullnetshmen ?
.
. Ndoshta rasti më i ndritshëm i këtij « vullneti të pavullnetshëm » është Miti i Orfeut : struktura e brendshme e atij ligji që ndalon Orfeun të kthehet drejt Euridiçes – simbolika e tensionit brenda vetë vullnetit. Shkyerja mes « vullnetit dëshirues » për t’u kthyer drejt të vetvetishmes, drejt atij objekti të pamundur të harresës që përfaqsohet nga e dashura, dhe një « vullneti detyrues » të kërkuar nga Ligji, nga ligji i harresës – ai i vetë jetës. Pozicionimi radikal njerëzor në fushën « magnetike » të kohës, të krijuar nga polet e kundërta të dëshirës dhe të arsyes.
. Të duash të harrosh në këtë rast shfaq natyrën e saj të dyfishtë : dyzimin mes vullnetit të të harruarit dhe vullnetit të të dëshiruarit, relatives dhe absolutes. Dhe në se Orfeu e humb përfundimisht Euridiçen, kjo vjen për shkak të padurimit të tij. Me fjalë të tjera, ai është fajtor ngaqë tregohet i paduruar. Gabimi i tij pra është ai i dhënies fund të pafundësisë, i përfundimit të të papërfundueshmes – pamundësisë të të harruarit të Euridiçes. E thënë ndryshe, padurimi i atij që dëshiron të harrojë është faji i kryer kur kërkon t’i vidhesh mungesës së përmasës kohë ; në të kundërt, durimi është një hile që kërkon të administrojë këtë mungesë përmase, duke e shëndrruar në një kohë tjetër, të matur ndryshe.
. Duke ju mosbindur ligjit të harresës – me vështrimin e tij drejt Euridiçes – gjithçka paraqitet sikur Orfeu s’bën gjë tjetër veçse i bindet logjikës së brendshme të « dëshirës së harresës » : të duash të harrosh, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm mbi çka kërkon të harrosh. Dhe të harrosh, do të thotë të harrosh që dëshiron të harrosh. Është pikërisht është ndërgjegja ajo që paralizon dëshirën, është durimi ai që ripërmason të pamundurën në të mundur - ajo ndërgjegje që mungon krejtësisht në vështrimin e dëshiruar dhe të paduruar të një Orfeu, ndoshta të pandërgjegjshëm por pavdekshëm – pikërisht për hir të një vështrimi të tillë të vjedhur.
.
. Përfundimisht, në këtë ndeshje mes kujtesës dhe harresës, fjala e fundit i vjen etnologut :
.
. Të kujtosh ose të harrosh, është diçka që i ngjan punës së një kopshtari – të seleksionosh, të krasitësh. Kujtimet janë si bimët : ka nga ato që duhen çrrënjosur sa më shpejt që të tjera të mund të zhvillohen, të shëndrrohen, të lulëzojnë. Por edhe këto bimë që mbërrijnë të realizojnë fatin e tyre, këto bimë të lulëzuara, gjatë shëndrrimit janë deri-diku të harruarat e vetvehtes : mes farës apo fidanit që i lindi dhe mes asaj çka ato përfaqsojnë tashmë të rritura nuk ka më lidhje të drejtpërdrejtë. E thënë ndryshe, lulja është harresë e farës… sikundër dhe fruti tejkalon premtimin e mbajtur nga lulja. (Marc Augé, Les formes de l'oubli, Paris, Manuels Payot, 1998)

La suite.. - Vazhdimi...

Thursday, February 4, 2010

Metafizikë e sferave

. Shopenhauer: "... njeriu është një kafshë metafizike".
.
. Në këto ditë të vështira dimri, ku sejcili si mundet përballon acarin rreth sobës, mangallit apo një furnele të mpakur – mundësisht me një batanije supeve, një lajm i tillë i lumtur si ai i rregjistrimit të popullsisë dhe i banesave - veçse ngroh zemrën dhe skuq faqet nga gëzimi. Aq më tepër kur qeveria premton se kësaj rradhe – bile për herë të parë – pyetësori do të përmbajë pyetje për përkatësinë etnike dhe fetare të shtetasve. Një risi e vërtetë që vetëm demokracia mund ta ideojë dhe ta realizojë në dobi të popullit, ndoshta i shpirtçmësuar pas atyre dekadave të tëra rregjimesh të mëparshme – por gjithmonë shpirtmalluar ndaj të tillash vlera.
.
. Imagjinoni vetë : 12 ministra dhe kushedisa të tjerë specialistë të fushave të mobilizuar, nën udhëheqjen e vetë Ministrit të Shtetit Pollo ; një mbështetje e plotë e INSTAT, ekspertëve më në zë të BE dhe një varg agjensish ndërkombëtare ; një fond i tërë prej 15 milionë eurosh në dispozicion ; një ushtri e tërë anketorësh dhe punonjësisht që do t’i bien kryq e tërthor terrenit…
. Thjesht, një proces me rëndësi të jashtëzakonshme në shërbim të mirëqeverisjes, të përpilimit të asaj panorame të plotë të zhvillimeve gjigande sociale dhe ekonomike në vend, një pikënisje për një sistem të qëndrueshëm të statistikave aktuale në shërbim të studimit të kapaciteteve dhe ndërtimit institucional... Troc, një domosdoshmëri ! Ç’them, një mrekulli, kur mëson më tej se ky proces do të përmbajë edhe hedhjen e të dhënave nëpërmjet teknikës më moderne për rregjistrimin e të dhënave - sistemit të skanimit ! .
.
. * * *
.
.
. Edhe sikur të mos jemi në gjendje të ndjejmë këtë ndjenjë ngrohjeje dhe gëzimi të faktit etnik dhe fetar, të provojmë entusiazmin e dosmosdoshmërisë institucionale, veç për hir të këtij skanimit të fundit ja vlen t’i bashkohemi këtij aksioni të Qeverisë, që sipas thashethemeve na vjen si porosi e Evropës. Le të besojmë qoftë edhe një herë të vetme të urtin Berisha që është gati të përgënjeshtrojë edhe rekomandimet e ndërkombëtarëve, kur thotë
.
. unë jam për regjistrimin e këtij vendi, që do të bëhet nga kjo qeveri. Cdo qytetar do ketë të drejtë të shënojë gjuhën, përkatësinë etnike, besimin fetar…
. Në këtë kontekst të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat.
.
. Të parët që i kundërvihen kësaj urtësie sekulariste kryeministrore, që i bën eko trashëgimisë themelore pozitive të Shtetit të tij, janë historianët, kritikë nga natyra dhe zemërakë nga përvoja. Për shembull, Pëllumb Xhufi, që nënvizon se kjo gjë do të shkonte në favor të qarqeve të shpallura antishqiptare – dhe me këtë rast na kujton se në atë vitin e largët 1993, po ky Kryeministër – atëhere President - i premtonte të njejtën gjë Micotaqisit fqinjë. Thjesht për t’ju kujtuar pasardhësve të Micotaqisit historinë, ai ju përmend
.
. listë[n] me 70 ose 80 fshatra [që] është njohur që atëhere jo vetëm nga Lidhja e Kombeve, por dhe nga vetë Greqia. Më duket se sot kur Shqipëria ka një Kushtetutë që bazohet tek qytetari, ku trajtohen të gjithë pa dallim kombësie, feje, ngjyre, apo ideje – kjo është një kthim prapa në standardet do të thosha të karakterit bizantino-otoman dhe jo që të përputhet me standardet europiane. Pra, ne e kemi të regjistruar etnicitetin e qytetarëve tanë që në atë kohë. Minoriteti është i njohur dhe asnjëherë nuk i është hequr e drejta për të qënë i tillë. Dhe në fund të fundit ligji ndërkombëtar e thotë që të qënit minoritar nuk është një e drejtë për t'u deklaruar i tillë, por është çështje e faktit të të qënit si i tillë.
.
. Në të njejtin istikam qëndron edhe shkrimtari-historian Godo, i cili arrin të shohë kokën e Dules dhe të Kserës pas shpatullave të gjera të Berishës, këtij mbrojtësi të betuar të të drejtave të njeriut :
.
. … por si i bëhet me familjet e regjistruara me kombësi greke? Janë me qindra familje në Korce, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që marrin pensione greke. Nuk jam kundër pensionit por kundër dokumentit që kanë nënshkruar i cili i detyron të ndryshojnë kombësinë. Këtu duhet të vërë dorë shteti shqiptar. Do të kemi më tepër njerëz me kombësi greke nga ckemi realisht, dy ose tre herë më tepër. Kjo i jep të drejtë palës greke të thotë që, ky është territori im sepse është i banuar në shumicën e vetë nga qytetarë që kanë kombësi greke. Rrjedhimisht kërcënon drejtpërdrejt tërësinë tokësore të shtetit shqiptar
.
. Për hir të të vërtetës tashmë historike, detyrohem t’ju kujtoj historianëve se standardet evropiane lidhur me etnicitetin dhe fenë janë po aq të shumëllojshme sa edhe numri i shteteve që përbëjnë Evropën e bashkuar. Nëse Franca laike e ka ndaluar me ligj që në vitin 1872 dallimin e personave mbi bazën e përkatësisë së tyre fetare gjatë regjistrimit të popullsisë dhe që Neni 8 i po këtij Ligji, i ndyshuar rishtas (6 janar 1978) « ndalon mbledhjen e të dhënave me karakter personal që çfaqin në mënyrë të drejpërdrejtë ose të tërthortë, origjinën e tyre raciale ose etnike, opinionet politike, filozofike ose fetare, si dhe përkatësinë sindikale të personave.. », nëse Belgjika multietnike nuk siguron asnjë statistikë zyrtare në fushën e përkatësisë fetare, nëse së fundi Spanja dhe Italia katolike ju bëjnë thirrje vetëm Qendrave të Studimeve fetare dhe organizmave të tjera pastorale të Kishës për të njohur numrin përkatës të besimtarëve, Austria po aq laike përdor pyetësorin e regjistrimit të popullsisë, Gjermania gjithashtu përdor pyetësorin e regjistrimit publik për të deklaruar përkatësinë fetare të shtetasve ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar e pasuroi pyetësorin e vet me elementë të përkatësisë etnike dhe fetare gjatë regjistrimit të fundit të vitit 2001. Përfundimisht, ja vlen ndoshta të përmendim se vendet fqinje (Rumania, Bullgaria, Kroacia apo edhe vetë Greqia) nuk i kanë shpëtuar kuriozitetit etniko-fetar aq karakteristik ballkanik.
. Përfundimisht, përse Zoti të mos hyjë në një pyetësor, kur ai ndërkohë ka hyrë në Kushtetutë, bile në rreshtin e parë të saj ?
.
. Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare… (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Miratuar nga Kuvendi Popullor më 21 tetor 1998).
.
.
. * * *
.
.
. Në skalion të dytë të regjimentit të mosbesuesve gjenden analistët, të cilët në vend të risisë të premtuar, shohin në këtë regjistrim veçse probleme. Problemi i parë : premisa e gabuar e sferës juridike të Nazarkos, i cili ngre pyetjen - Çdo me thënë përkatësi etnike dhe fetare ? A ka një përkufizim juridik të këtyre koncepteve ? A ka një konventë, një dokument ndërkombëtar, një ligj të brendshëm, të aftë që ta përcaktojë ? E pra, na mbetet që t’i shpikim !
. Problemi i dytë : baza e mangët e vlerësimit të saktë statistikor të parametrave në sferën sociale të Zaloshnjës, i cili vëren se formulimi i pyetjeve të pyetësorit çon pashmangshërisht në përgjigje të gabuara me kah të njëanshëm. E pra për të korrigjuar përgjigjen e pyetjes « cilës fe i përket », na duhet t’i drejtojmë të intervistuarit edhe një varg pyetjesh të tjera - sa herë në muaj shkon për t’u falur në një objekt kulti ? Si quhet objekti tënd i kultit ? kujt denominacioni fetar i përket ti ? A beson me të vërtetë në ekzistencën e Zotit ? pse jo – edhe « si quhej gjyshi yt ? Hysen ? atëhere, i dashur Dhimitër ti s’je grek sikundër hiqesh por shqiptar safi ! »
. Problemi i tretë : mungesa e shënuar e inventarizimit në sferën administrative të Nurellarit, i cili me këtë rast përpilon edhe menynë - lista të sakta pronash, votuesish, regjistri i pakontetsueshëm i gjendjes civile, adresarë bazikë… Zaten, sipas tij njohja e këtij dimensioni fetar dhe etnik është një akt i parakohshëm – pêr tê mos thënë i nxituar - për shoqërinë shqiptare, gjithnjë e varur në rrjetën e kushteve ekonomike, nga lëvizja e lirë dhe nga nivelet aktuale të zhvillimit shoqëror. E thënë ndryshe – dhe nga një tjetër vezhgues – përse duhet ta shtiem në ngasje shqiptarin tonë, i cili është aq në gjendje të krahasojë vlerat dhe standardet shqiptare me ato greke dhe me këtë rast, të tjetërsojë qëllimisht identitetin ?
. Problemi i katërt : cënimi nga Shteti i Pollos i sferës private të Klosit, i cili sheh vetëm prapamendim ose djallëzi të qeverisë në këtë projekt të dështuar qysh në embrion. Bile Klosi na propozon të davaritim klishetë demagogjike dhe cinike që ende egzistojnë mes nesh dhe që përdoren nga politikanët tanë : tolerancën e madhe që jepet si shembull i bashkëjetesës të komuniteteve fetare – që me këtë rast duhet quajtur pragmatizëm, tezat nacionaliste si ato të Pashko Vasës – dhe në rradhë të parë – mitin e shpirtërzimit të brendshëm dhe të qëndrueshëm fetar të atij populli që tallazet e kohës e kanë bërë laik, në mos ateist në pjesën më të madhe të tij.
.
. E pra, me shpirt të tejshkuar dhe të ndriçuar nga këto burime drite të dijes intelektuale, pres me durim vizitën e të dërguarve të qeverisë si edhe pyetjet e tyre të pafajshme lidhur me origjinën time etnike dhe bindjet e mia fetare. Një eufemizëm, pasi këtu ku jam – jashtë shtetit, sikundër një million shqiptarë të tjerë si unë – askush s’ka për t’i rënë portës. Në këtë rast, ata që do të përgjigjen në vendin tim janë prindërit e mij pleq që duhet të rrëmojnë në kujtimet e tyre dhe t’i venë flatra imagjinatës për të shpjeguar se në çilimëri djali i tyre ka qenë pagëzuar në një kishë ortodokse me iniciativën e gjyshes së tij besimtare, përpara se të bëhej ateist i bindur nga trysnia e ideologjisë së shtetit, për të përfunduar në një agnostik tolerant nën ndikimin e shoqërisë së huaj (a e dinë këtë gjë ata vallë?) ; se po ky djalë i tyre ka lindur shqiptar por që sot ndoshta ai është francez – sikundër dhe fëmijët e tij, ndërkohë që vajza e tyre është kanadeze kur xhaxhallarët janë amerikanë, kunetërit italjanë, vjehra spanjolle dhe nipërit grekë ; se së fundi po ky djalë ka një apartament diku në Golem, në një rrugë pa emër dhe në një godinë panumër, me njëfarë sipërfaqeje banimi por që ende nuk figuron në asnjë kadastër për hir të rrumpallës kavajse, por sidoqoftë demokratike.
. Gjithësesi, i bëj besim aftësisë profesionale të Pollos për të mirëinterpretuar rezultatet egzotike të këtij pyetësori vital për të ardhmen e kombit – si edhe sensit praktik të Berishës. Atij sensi praktik që ai ka përdorur parreshtur për të interpretuar bindshëm rezultatet elektorale – dhe për të shpallur me po aq bindje fitoren e partisë së tij. Sikundër dhe sensit praktik të fqinjëve tanë grekë proselitistë që i shtyn natyrshëm në kundërshtimin sistematik të rezultateve të regjistrimeve shqiptare kur bëhet fjalë për pakicën e tyre gërqishtfolëse dhe ortodokse.
.
.
. * * *
.
.
. Çka ndodh kur ndërfuten këto soj sferash ? juridike, sociale administrative, private – pa harruar të tjera sfera : ato të atdhetarisë të sinqertë dhe të shtirur, të reflektimit intelektual të ndjerë ose të blerë ? të politikës largpamëse ose dritëshkurtër… dhe në fund, të interesit të gjithëgjendur ? Mbi rrafshin e realitetit të përditshëm – ai njerëzori, me batanije mbi kokë dhe me duar të morthura mbi furnelë – objekti i përvijuar është një shumë rrathësh që ngërthejnë sendet, shkaqet dhe pasojat, që krijojnë një spirale : një qark të virtytshëm, mirëbërës dhe shpresëndjellës kur ngjitet drejt mirëqënies, drejt evropianizimit të vlerave… sikundër dhe një qark djallëzor, përkeqësues dhe kobsjellës kur zbret drejt varfërisë, drejt ballkanizimit të ndjenjave.
.
. Sidoqoftë një zinxhir hallkëlidhës, mendjempirës, brenda të cilit gjendet i mbyllur populli – dje i tallonit, sot i pensionit, të cilit i mungon pikërisht regjistrimi i popullsisë dhe pyetësori etnik për të zgjidhur një herë e mirë problemet e tij të ushqimit dhe të ngrohjes. Njeriu i thjeshtë dhe i përvuajtur për të cilin Greqia fqinje dhe Italia e përtejdetit përbëjnë cakun e parë dhe të fundit të imagjinatës ; për të cilin, lidhja me Zotin e tij të krishterë apo mysliman mbetet ndoshta i vetmi send i prekshëm i kësaj bote materiale. Jashtë tij shtrihet bota e paanë e humorit dhe e vetëtalljes, e groteskut – e këtij arti madhor, ballkanik i mirëfilltë, që ka prodhuar po aq Nastradinë sa edhe Eskilë.
. Nën prizmin e këtij grotesku, edhe shqetësimi egzistencial i klasave tona me interesa sferike bëhet thuaj njerëzor, prekës : si i bëhet këtyre grekëve tanë të qenë dhe të paqenë, të vjetër dhe të rinj, të pagëzuar dhe të papagëzuar – por që të gjithë të bindur për prejardhjen e tyre protohelene, aq më tepër kur Shteti grek i mban dhe i ushqen me ato pensionet dhe alokacionet mujore? Si i bëhet atij Shteti grek që qëndron pas tyre dhe që nesër mund të na trokasë në derë për të kërkuar territorin « e tij » legjitim, pasi të banuar nga të tillë grekë safi ? Si mund t’i justifikojmë ato shifra tashmë shekullore të 2-3% pakicash kombëtare, pas shpalljes të rezultateve të këtij regjistrimi shejtanesk ?
.
. E pra, në mungesë të asaj trimërisë tjetër të hershme politike dhe diplomatike, që shprehet në të detyruarin e Greqisë së asokohe që të bënte një regjistrim të popullsisë së saj sipas kriterit etnik për të zbuluar numrin e vërtetë të çamëve shqiptarë në territorin e saj, besa mbetet vetëm trimëria e pastër : ajo e të vënit të gjoksit para plumbit dhe të kapurit e gjyles me dhëmbë. Pra, e thirrjes së Greqisë në mejdanin e burrave, përpara se të lëshohet thirrja njëzërëshi : « mbë ta ! ». Duke pritur dhe shpresuar që asaj t’i dridhen këmbët dhe t’i priten gjunjët, duke parashikuar se pas dallgës së parë shkatërrimtare kombëtare vjen batica oqeanike e pamposhtur e Atlantikut të Veriut. Me shpresë edhe më të madhe por të fshehur që përfundimisht, të fitojmë… në mos luftën, të paktën pensionet për të gjithë.
. Për të evituar dilemën ankthndjellëse, nuk guxoj të ngre hipotezën tjetër – atë më të natyrshmen. Zaten një deputet i Vlorës heroike i kohës së Zogut shtangu një Parlament të tërë kurnjë koleg i tij – sipas anekdotës – hodhi idenë e fitimit të luftës hipotetike ndaj Amerikës, si ilaç kundër krizës. Sot, për të sprapsur djallin e kundërshtisë, ja vlen që Berisha të armatoset me kryqin… më mirë të themi, me durimin dhe të shtyjë për një kohë mbajtjen e këtij regjistrimi kaq të përfolur. Aq sa do të na duhet – jo më për të hyrë në Evropën e Bashkuar, me idenë e akordimit të pensioneve të gjithë çamëve të kësaj ane të kufirit, por për të përjetuar falimentimin total financiar të Greqisë së Papandreut. Në se kjo Greqi e telendisur premton të ekonomizojë 10.3 miliardë evro nga buxheti i saj për vitin në vijim, duke luftuar punën në të zezë, shkurtuar rrogat e punonjësve, mbyllur spitalet dhe çmobilizuar ushtarakët – kush e di ? ndoshta do t’i vërsulet edhe koromanes vorio-epirote. Paçka se me atë rast do të shohim atë vargun e gjatë të Kristove që do të kujtohen se dikur kanë qenë Muhametër dhe do të batisin nga kjo anë…
.
. E shoh që dikush buzëqesh, bile edhe qesh, me këtë mënyrë arsyetimi. « Qesh, pse mos qeshësh… tani që fitove davanë » i përgjigjej Nastradini ynë i anekdotës fajdexhiut kur ky i fundit vuri buzën në gaz pasi kish dëgjuar një historitë tërë me ferra ndërkohë të mbjella, me dhen që priteshin të ngecnin në to, me lesh hipotetik që duhej mbledhur, larë, krehur, tjerrur, thurur, shitur.. për të larë atë borxhin real.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur