"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, January 11, 2010

Politikë dhe ekologji.

. Tre javë më parë, në 19 dhjetor 2009, në Kopenhagë, përfundoi punimet konferenca ndërkombëtare e OKB, që kish në qendër të saj – as më pak, as më tepër - luftën kundër ngrohjes klimatike. Një fiasko e vërtetë për ekologjistët, një dështim për pesimistët e shumtë, një gjysëm-dështim për optimistët e pakët. Dymbëdhjetë ditë të një psikodrame botërore në kryeqytetin e Danimarkës që priti 120 përfaqsuesit më të lartë të 192 shteteve, që akreditoi 45.000 pjesëmarrës : një shpresë e pashoqe për të gjetur një zgjidhje ndaj këtij fenomeni që shqetëson miliarda njerëz, një mobilizim i pashembëllt për të ndjeshmuar opinionin publik botëror, një shpenzim kohe dhe energjie i burrave (dhe grave) politikë…
. Rezultati : u desh ndërhyrja e vetë Presidentit Obama, dhe e një tufe Presidentësh, Kancelarësh dhe Kryeministrash – dhe diku në një qoshe edhe Berisha dora vetë - për të nxjerrë në dritë 3 faqe mjerane, 12 paragrafë dështakë, e ashtuquajtura Deklaratë politike ose « Marrëveshja e Kopenhagës », të cilës është pak t’i thuhet se i mungon çdo ambicie : .
. « Duke pranuar pikpamjen shkencore, sipas të cilës rritja e temperaturës duhet të kufizohet në 2° deri në vitin 2050, ne do të forcojmë aksionet tona të bashkëpunimit afatgjatë me qëllim që të luftojmë ndryshimet klimatike ».
.
. « Ne duhet të bashkëpunojmë për të arritur maksimumin e emisioneve të gazit karbonik sa më shpejt të jetë e mundur, duke njohur njëkohësisht që do të duhet ende kohë për rastin e vendeve në zhvillim ».
.
. « Aksionet e zvogëlimit (ato që synojnë zvogëlimin e emisioneve të gazeve me efekt serre) të realizuara nga ana e palëve që nuk përfshihen në Aneksin 1 (të Protokollit të Kiotos) duhet të behen objekt i një komunikimi nga ana e vetë vendeve të interesuara, çdo dy vjet, mbi bazën e parimeve të adoptuara nga Konferenca e palëve »
.
. « Ne njohim nevojën e bashkërendimit të nismave pozitive ndaj aksioneve që synojnë luftën kundër shpyllëzimit, duke vënë vënë në jetë mekanizmin REDD-plus (Reduction Emissions from Deforestation and Degradation), me qëllim lejimin e mobilizimit të burimeve financiare nga ana e vendeve të zhvilluara ».
. Troç, ndërkohë që predikon « bashkëpunim » dhe « bashkërendim », tekstit të paraqitur i mungojnë angazhimet e shifruara – përveç asaj mjegullores 2°C në të largëtin 2050 ; sikundër dhe inciativat financiare – përtej atyre 30 miliardë dollarë (21 miliardë euro) në horizontin 2015, gjithmonë në kuadrin e programit REDD-plus. Për më tepër, atij i mungon jo vetëm esenca por dhe baza juridike : ai nuk është nënëshkruar dhe nuk ka aspak karakterin e një Traktati ; meqënëse ai përmend dhe pretendon të mbështetet mbi Konventat – kornizë të OKB mbi ndryshimet klimatike, ai duhet të respektojë edhe rregullat normative të kësaj të fundit, pra të aprovohet dhe të adoptohet njëzëri nga antarët.
.
. Përfundimisht, e gjithë procedura e pêrpunimit dhe e paraqitjes së tij ve në pah një varg vërejtjesh :
.
. - edhe një herë më tepër, OKB shfaqet si një forum i shfazuar ndaj situatës ndërkombëtare, arkaik dhe tejet i pafuqishëm për t’u dhënë përgjigje problemeve esenciale që shqetësojnë njerëzimin.
.
. - fati i botës mbetet në duart e fuqive më të mëdha ekonomike të planetit. Në rastin konkret, çështja e klimës varet nga dëshira e tyre e mirë - dhe si rastësisht, SHBA dhe Kina janë edhe ndotësit më të mëdhenj të atmosferës (50% të prodhimit global të CO2), pra përgjegjësit kryesorë të ngrohjes klimatike.
.
. - raporti botëror i forcave tashmë ka ndryshuar : krahas SHBA, Kina paraqitet si një bashkëbisedues i dorës së parë, sa i pashmangshëm po aq edhe kërcënues dhe i paparashikueshëm. Paralelisht, një grup i ri vendesh (India, Brazili, Afrika e Jugut) – ende jo « të zhvilluara », por jo më « në zhvillim » – peshon fort në skenën ndërkombëtare dhe mund ta përmbysë balancën. Përfundimisht, Evropa e Bashkuar paraqitet në rolin e një këshilluesi, ndoshta ekspert, por sidoqoftë i pafuqishëm për të orientuar dinamikën e marrjes së vendimit dhe të kanalizimit të forcave në arenën ndërkombëtare.
.
.
. Kronikë e një koncerti të dështuar.
.
.
. (një përmbledhje shkrimesh, të botuara nga gazeta « Lë Monde » gjatë punimeve të Konferencës)
.
.
. Konferenca e 15të e palëve të Konventës-kornizë së Organizatës të Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike u hap me pompë në mjedisin Bela Center të Kopenhagës, mes një atmosfere thuaj optimiste, të hënën 7 dhjetor.
.
. Të martën, 8 dhjetor, vjen qorollepsja e parë, me autorësi daneze : gazeta britanike « The Guardian » boton projektin e marrëveshjes, të përpiluar paraprakisht nga qeveria daneze. Grupi i vendeve në zhvillim, G-77 i kundërvihet me forcë këtij teksti, duke akuzuar Danimarkën për « mungesë transparence » si edhe për njëanesi në favor të Shteteve të Bashkuara. Fillon kështu beteja e teksteve.
.
. Të shtunën, 12 dhjetor, « beteja » çvendoset jashtë Bela Center. Disa dhjetra mijra manifestues parakalojnë në rrugët e Kopenhagës për të kërkuar një program me nivel dhe ambicioz : « jo plan B », « Ndërroni sistemin dhe jo klimën » – ishin disa prej parrullave më të brohoritura nga turma. Nderkohë, Kina ngre krye kundër mungesës të referencave të Protokollit të Kiotos deri edhe në afishet e Konferencës.
.
. Të djelën, 13 dhjetor, ndodh shkarja e dytë – po me autorësi daneze : presidentja e Konferencës Connie Hedegaard fton jashtë punimeve zyrtare një varg ministrash nga kontinente të ndryshme dhe i mbledh në një hotel, në një seancë me dyer të mbyllura. Nisma u përjetua fort keq nga bashkëbiseduesit zyrtarë që u ndjenë befas jashtë loje. Një nismë politike ndoshta e shkathët e Presidencës daneze por që ra ndesh me procedurat më elementare të bisedimeve ndërkombëtare shumëpalëshe
.
. Të Hënën, 14 dhjetor, vjen « kryengritja » e afrikanëve. Grupi i vendeve afrikane rrethon zyrat e Presidencës dhe kërkon me forcë integrimin në debate të tekstit mbi Protokollin e Kiotos, që ish lënë mënjanë. Ideja është të bëhet presion mbi vendet e zhvilluara që këta të fundit të marrin angazhime detyruese. Pas shumë orësh ndërprerje të seancës, Presidentja daneze pranon kërkesën e tyre.
.
. Të martën, 15 dhjetor, profilohet « fillimi i dështimit ». Ban-ki-Moon, Sekretari i Përgjithshëm i OKB hap seancën ministeriale. Ajo karakterizohet nga incidente lidhur me procedurën, ndërkohë që diskutimet ende nuk arrijnë të prekin thelbin e problemit. Znja Hedegaard pranon publikisht « ne mund edhe të dështojmë… »
.
. Të mërkurën, 16 dhjetor, vuloset « pastrimi i zonës ». Organizatat jo Qeveritare (OJQ), të cilat kontribuan krahas shkencëtarëve në përgatitjen e vetë Konferencës dhe në popullaritetin e saj botëror, detyrohen të largohen nga skena. Sekretariati i Konferencës zvogëlon në mënyrë fort të ndjeshme numrin e akreditimeve, qoftë për t’u hapur vend delegacioneve presidenciale, qoftë edhe për të shmangur rrezikun e manifestimeve. Nga 20.000 pjesëmarrës të OJQ, numri i tyre bëhet 90. Ministrat pjesëmarrës fillojnë të nervozohen pasi koha rrjedh dhe asnjë tekst nuk po duket në horizont, ndërkohë që po mbrrijnë të ftuarit e shquar – Presidentë dhe Kryeministra.
.
. Të enjten, 17 dhjetor, Evropa « kërcëllin dhëmbët ». Gjatë seancës së pasdites, Danimarka vendos t’u shpërndajë përfaqsuesve të 192 vendeve dy tekste ku mbizotërojnë kllapat dhe thonjëzat, të përgatitura nga bashkëbiseduesit teknikë. Kryetarët e Shteteve fillojnë t’i lenë rradhën njeri tjetrit në tribunë. Presidenti francez Sarkozi kërkon një mbledhje urgjente të një grupi vendesh përfaqsuese e cila duhet të përgatisë një deklaratë politike, bazën e ardhshme të një marrëveshjeje. Kjo kërkesë, njëkohësisht e shprehur edhe nga Bashkimi Evropian, pranohet. Përfaqsuesit e të 26 vendeve mblidhen kështu në mesnatë dhe ata punojnë gjithë natën për të përpiluar një projekt akordi. Për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta dhe të tensioneve, nuk i arrihet këtij qëllimi.
.
. Të premten, 18 dhjetor, ndodh « puçi » i dyshes SHBA - Kinë. Kryetarët e Shteteve përfaqsues mblidhen në një sallë të Bela Center dhe përpilojne ata vetë tekstin e projekt-marrëveshjes. Një numur tekstesh të tilla ndjek njëri tjetrin dhe për hir të mirëkuptimit, çdo herë dhe më tepër, ai humbet substancën. Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mbizotëron debatin dhe bllokon zhvillimin. Pasdite, Kina organizon një mbledhje paralele me Indinë dhe Brazilin ku ftohet (ose vetëftohet – sipas versioneve) edhe Barak Obama. Gjatë këtij takimi gjendet edhe kompromisi lidhur me kontrollin e angazhimeve klimatike që kërkon me forcë SHBA. Teksti i përgatitur në këtë mënyrë ju parashtrohet kryetarëve të tjerë. Rreth orës 22, Barak Obama njofton se është arritur « një marrëveshje domethënëse ». Megjithatë, teksti përfundimtar ende nuk është redaktuar.
.
. Të shtunën, 19 dhjetor, Konferenca mbyllet. Në orën 3 të natës, një variant « përfundimtar » i tekstit paraqitet « për informacion » në seancën plenare të Konferencës. Fillojnë kështu debatet e ashpra bile deri edhe britmat : një varg vendesh venë në dyshim legjitimitetin e këtij teksti si edhe statusin e tij të papërcaktuar. Përfundimisht, merret vesh deklarata përfundimtare nuk mund të aprovohet me konsensus dhe në këtë mënyrë, ajo nuk mund të shëndrrohet në një vendim të Konventës-kornizë.
.
.
. « Harruan të thërresin Tokën në Konferencën e klimës ».
.
.
. Në vend të përfundimit, po sjellim këtu shqipërmin e një interviste të Mishel Serres, të botuar nga gazeta « Le Monde » (21.12.2009). Akademiku dhe profesori i Stanfordit. shpalos vështrimin e tij mbi botën, një vështrim që përbashkon shkencat dhe kulturën, krahas politikës në adminstrimin e saj. Ai mbështet mendimin se planeti ynë duhet të kthehet në një aktor esencial i skenës politike.
.
. - Dymbëdhjetë ditë bashkëbisedime për të arritur në një marrëveshje minimale : mali polli një mi. Përse një bilanc i tillë shgënjyes ?
.
. Kopenhaga qëndron ndaj gjeopolitikës sikundër Marrëveshjet e Mynihut të shtatorit 1938 qëndrojnë ndaj politikës : një kompromis frikacak dhe i ulët. Por krahasimi ndalon në këtë pikë. Në se takimi mbi klimën mbetet një dështim, kjo rrjedh në rradhë të parë prej faktit se të arrish të mbledhësh 192 persona rreth një tryeze, kjo i ngjan më tepër një meshe solemne se sa bisedimesh të vërteta. Problemi vjen kryesisht se këta 192 persona janë burra shteti, misioni i parë i të cilëve është mbrojtja e interesave të qeverive të tyre dhe më pas, të vendeve të tyre. Politika – dhe është pikërisht roli i saj – kqyr marrëdhëniet njerëzore, qofshin ato edhe konfliktuale.
. Por, qëllimi i Kopenhagës nuk ishin marrëdhëniet njerëzore, por ringrohja e planetit, shkrirja e akujve në pole, ngritja e nivelit të ujrave, zhdukja e specieve. Pra, bëhet fjalë për një objekt që e tejkalon horizontin klasik të politikës. Çka dëshmon para së gjithash ky takim i Kopenhagës, është se kufijtë e politikës – në kuptimin tradicional të fjalës – janë arritur dhe tejkaluar si rrallëherë në histori.
.
. - Pra, dështimi ishte i vulosur paraprakisht ?
.
. Sidoqoftë, ai ishte fort i mundshëm dhe për një arsye të thjeshtë : u harrua të thirrej në Kopenhagë një partner thelbësor, i përbërë nga ajri, nga zjarri, nga uji dhe nga të tjera qenie të gjalla. Këtë mungues që ende nuk është ulur në asnjë Parlament, unë e quaj « Biogjé » - për të përmbledhur në një fjalë të vetme jetën mbi Tokë. Është një vend nga kemi dalë që të gjithë ne. Kush mund ta përfaqësoje këtë vend ? Kush mund të jetë ambasadori i tij ; në ç’gjuhë duhet të flasë ai vallë ? Kjo mbetet ende për t’u shpikur. Por ama, institucionet tona nuk mund të kënaqen më nga kjo lojë me dy lojtarë. Loja e nesërme duhet luajtur me tre të tillë : ne nuk mund të bëjmë asgjë, pa marrë parasysh tashmë këtë Biogjé.
.
. - Të luhet treshe, ç’doni të thoni me këtë ?
.
. Është një tabllo e piktorit Goja, « Duel me dru », që spjegon fort mirë këtë gjë. Në të shihen dy njerëz që rrihen me shkopinj. Nga kjo lojë dyshe, kush do të dalë fitues ? Kur Hegeli ve ballë përballë skllavin dhe të zotin, ai jep njëkohësisht edhe rezultatin e kësaj lufte (skllavi shëndrrohet në zot të të zotit), por ai harron të theksojë vendin ku zhvillohet kjo ndeshje. Goja është piktor dhe nuk mund t’ja lejojë vehtes një harresë të tillë… ai e vendos këtë ndeshje në mes të rërave përpirëse. Ja pra, sa më tepër ata qëllojnë njeri tjetrin, aq më tepër ata fundosen. Ja përse, loja treshe sot bëhet e pashmangshme.
. Burrat politikë mund të vazhdojnë të administrojnë konfliktet e tyre në mënyrë strategjike, luftarake ose diplomatike : nëse ata do të vazhdojnë të harrojnë të përfaqsojnë njëkohësisht Biogjénë, ata do të fundosen gjithnjë e më tepër në rërat thithëse. Në Kopenhagë, do të kisha dashur që kjo tabllo të zhvillohej në mes të një amfiteatri !
.
. - « Në se klima do të kish qenë një bankë, do ta kishim shpëtuar ndërkohë » ironizoi presidenti i Venezuelës Hugo Çavez, gjatë këtij takimi. Ç’ka ju frymëzon kjo shprehje ?
.
. Ajo ç’ka nënvizon Çavezi, është mbizotërimi dhe pesha që ka marë ekonomia në administrimin e botës tonë. Që prej njëqind e pesëdhjetë vjetësh, tashmë përmendet – si nga e majta ekstreme marksiste, sikundër edhe nga e djathta liberale më e pastër – se ekonomia është infrastruktura esenciale e çdo shoqërie. Në këtë mënyrë, mjafton një re e zezë të mbulojë këtë fushë që të gjithë politikanët e botës të mobilizohen. Por, unë prej kohësh përmend se ekonomia s’është veçse një parametër mes të tjerësh. Dhe që kriza financiare që po lëkund sot kazinon e bankës është veçse një tregues i thyerjeve shumë më të thella, për të cilat shprehjet « relancim » ose « reformë » nuk kanë asnjë kuptim.
.
. - Cilat janë këto thyerje që ju i përshkruani në librin tuaj « Kohë krizash » ?
.
. E para, dhe padyshim më e thella, është zhdukja e shumicës fshatare e popullsisë. Në fillim të shekullit të XX, popullsia e Perëndimit ka qenë 60 deri 65% fshatare; në vitin 2000, ajo ka mbetur 1.8%. Kjo rënie e fuqishme e popullatave fshatare, që pashmangshmërisht do të përhapet me shpejtësi edhe në zonat e tjera të globit, shënon fundin e një periudhe që ka filluar… në Neolitik.
. Por, risia e një ngjarjeje është gjithmonë në raport të drejtë me gjatësinë e epokës së mëparshme. Bëhet fjalë pra për një tronditje të fortë që ka ndodhur, pasojat e të cilës sapo kanë filluar të ndihen. « Kafsha » fshatare nuk është e njejta me « kafshën » qytetare, nuk është e njejta sjellje « e të qenit në këtë botë »… dhe epoka jonë njeh të tjera thyerje. Në fusha po aq të ndryshme sa edhe të rëndësishme sikundër mënyra e banimit, jetëgjatësia, demografia, komunikacionet ; gjithçka është duke ndryshuar. Por e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar janë institucionet. Dhe ju kërkoni që të mos shpërthejë ? Me instanca dhe mekanizma qeveritarë të parashikuara për një miliard banorë, ndërkohë që ne jemi gjashtë miliard e gjysëm ? të përpunuara për një popullsi në shumicën e saj fshatarake ndërkohë që ne jetojmë të gjithë në qytete ? për njerëz që vdisnin në moshën 30-40 vjeçare ndërkohë që ne po bëhemi njëqind vjeçarë ?
.
.
- Si duhen shëndrruar pra institucionet për të marë parasysh « mikun e paftuar » të Kopenhagës ?
.
. Diku më lart, thashë që takimi mbi klimën tregoi edhe kufijtë e aksionit politik, por njëkohësisht duhet thënë diçka edhe për shkencën. Asnjëherë këta 192 persona nuk do të ishin mbledhur në se nuk do të kishin patur dijeni për punimet e Grupit të Ekspertëve ndërqeveritarë mbi zhvillimin e klimës (GIEC), me fjalë të tjera shkencëtarët dhe të diturit. Dy grupe personash janë pra në lojë : një grup ekspertësh që njohin dhe dijnë por që nuk janë të zgjedhur, dhe një grup të zgjedhurish por që nuk dijnë. Për të ecur përpara, duhet shpikur një rimodelim i këtyre dy profilesh. Ai i politikanit sikundër edhe ai i shkencëtarit, implikimi i të cilit në jetën qytetare të sotme është absolutisht i domosdoshëm.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur