"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, December 27, 2010

Ferri biblik.

.
. Në ç’moment të zhvillimit të tij intelektual, njeriu antik flijoi zjarrin, simbolin e përparimit të tij madhor teknologjik të asokohshëm, në altarin e fesë – me qëllim që Zoti i tij, tashmë Unik, ta përdorë si dekor universal të ferrit të tij ndëshkimtar ? Atë zjarr, të cilin ai e kish përvehtësuar me aq vështirësi dhe sakrifica – frut i revoltës titaneske të tokësorit Prometé ndaj tiranisë qiellore së Zeusit ! Përgjigja duhet kërkuar në tekstet e shenjta, Bibla mes të tjerësh, që gjithmonë kanë nxitur debate të gjalla mes teologëve dhe filozofëve – lidhur me vendin dhe rolin që i është rezervuar në të, ndëshkimit qiellor dhe në mënyrë të veçantë ferrit. Bibla (shënimi 1) përmban katër shprehje të përvetshme, të cilat sipas rastit janë interpretuar ferr, sinonim i zjarrit të përjetshëm. Dhjata e Vjetër – hebraisht në origjinal, përmban fjalën « sheol », të përsëritur 65 herë dhe të përkthyer në 31 raste « ferr » dhe herët e tjera « vendbanim i të vdekurve », « gropë » ose thjesht « varr ». Dhjata e Re përmban tre të tjera – në gërqisht kësaj rradhe, të përkthyera gjithashtu ferr, gropë ose varr : « hades » (i shfaqur 10 herë), « tartaro » (1 herë e vetme) dhe « gehenne » (12 herë). Cili pra është përfytyrimi i ferrit për hebrenjtë parabiblikë, autorë të Torah-ut, të Neviim-it dhe të Ketuvim-it, të përmbledhura brenda atij korpusi që njihet nga të krishterët me emrin Dhjata e Vjetër– dhe më tej, përfytyrimi i Apostujve ungjillorë – shkrues të Dhjatës së Re, hebrenj tashmë të krishtëruar ?  
.
.
. Sikundër dhe në të tjerë popuj, besimi në jetën e përtejme është element esencial i fesë hebraike primitive dhe para së gjithash, një e tillë jetë i përgjigjet një gjendjeje të egzistencës të reduktuar, një vendi të quajtur sheol. Por ndërkohë që vendndodhja e tij është e papërcaktuar, gjendja e shpirtrave në këtë sheol mbetet fort e errët. Ndoshta pasi edhe arsyeja e hebrenjve të asaj epoke ishte e pafuqishme – ende e pandriçuar nga rrëfimi hyjnor - ose më mirë të themi, pozitivizmi dhe prakticiteti i racës ishin fort pak të afta për të spekulluar mbi « të përtejmen » individuale. Sigurisht që hebrenjtë reflektonin dhe shqetesoheshin për atë botë, por në rradhë të parë ata mendonin për këtë tjetrën, për mjetet dhe metodat e nevojshme për të arritur lumturinë individuale dhe pasurimin e përbashkët. Sidoqoftë, përmes rënieve, ngritjeve, ndëshkimeve apo sukseseve, kronika e ndërtesës teokratike të Izraelit – ashtu sikundër e përshkruan Dhjata e Vjetër deri në periudhën e mbretit David dhe më tej – në të gjitha aspektet e saj morale, sociale apo politike shpreh përgjegjësinë morale të elitave, fajësitë dhe gabimet e tyre – përuljen, të denja për ndëshkimin por edhe për faljen e Krijuesit Jahve. Veçse kjo përgjegjësi morale e hebrenjve përpara Krijuesit shfaqet në terma aspak hyjnore : Ligji i Torah-ut (Levitiku 11-24 ; Deuteronomi 15-45) përmend një varg ndëshkimesh për të gjithë ata që shkelin preceptet e shenjta por këto ndëshkime janë thjesht tokësore. Sa për jetën e ardhshme, ajo mbetet e trishtë dhe e zymtë ; vetëm disa shpirtra sipërore mund të shpresonin në një perspektivë shpëtimi mesianik – zaten po ato ndërgjegje të ndriçuara që parashikonin ndëshkimet morale në sheolin e përtejmë.
. Fillesat e një ndjeshmërie individuale dhe kolektive ndaj ndëshkimeve që rezervon jeta e përtejme shfaqen pas Kronikave, me Librat e vjetra morale si Jobi dhe Ekleziasti, të përmbledhura në gjirin e Ketuvim-it gjatë periudhës helenistike të vonët. Ndryshe, është shqetësimi mbi raportet e përmbysura mes pasurisë dhe virtyteve të kësaj bote që ngrenë çështjen e ndëshkimeve në botën e përtejme. Por sidoqoftë, duhet të vinin Profetët e mëdhenj, saktësisht Isaia, Ezekieli, Danieli, Zaharia dhe Malakia që më në fund, Krijuesi të shpaloste perspektivën e jetës së përtejme si edhe ndëshkimet e sheolit për për të dënuarit, mëkatarët – lë ligjtë Babilonas, Asirianë dhe Egjiptianë – gjykimin e fundit ! Por edhe nëse zjarri spastrues mbetet një armë e preferuar e Krijuesit, ai nuk bën pjesë në takëmet e sheolit hebraik. Dhjata e Vjetër e paraqet këtë të fundit si një « vend të fshehur », i adaptuar për gjendjen e njeriut që vdes dhe pas vdekjes, një e përtejme e padeshifrueshme ku vdekatari i thjeshtë përfundon i heshtur dhe i pandërgjegjshëm. Le ta quajmë pra këtë sheol - pse jo - ferr të hebrenjve. Sidoqoftë, një sheol-ferr që nuk korrespondon aspak me imazhin e sotëm të ferrit, një sheol ku zjarri mungon mizorisht. Duhet të dilte në skenë libri i Enokut - Henoc jetëshkurtri, patriarku i shtatë pas Adamit, ai që « eci me Zotin përgjatë treqind vjetësh, dhe që më tej shkoi, pasi Zoti e mori » – sikundër thotë edhe Dhjata e Vjetër (Gjeneza 5 :23, 24) për të patur edhe një nga të rrallat vizione kozmologjike të sheolit. Ky libër paraqet sheolin si të ndarë në disa zona - : në të parën, të drejtët dhe shenjtorët presin gëzueshëm ditën e Gjykimit (Ungjilli sipas Llukës e quan këtë vend « Gjiri i Abrahamit ») ; në zonën që vijon, të ndershmit jo fort të përmendur presin me durim shpërblimin e merituar ; në tjetrën, të ligjtë ndëshkohen dhe presin gjykimin e fundit dhe në të fundit, të ligjtë që nuk meritojnë ringjalljen vuajnë ndëshkimin e tyre të përjetshëm. Por ajo çka tërheq vëmendjen në këtë tekst, autorësia e të cilit mbetet e errët – fillimisht e shkruar nga hebrenjtë, më tej e rishkruar nga helenët e Aleksandrisë dhe e rikopjuar nga duar etiopiane - është pikërisht imazhi i zjarrit si mjet ndëshkimi hyjnor ndaj mëkatarëve (90 :13 ; 99 :5) si edhe ferri i përflakur, i rezervuar ndaj të gjithë atyre që kanë përbuzur të Përzgjedhurin e Zotit, Birin e tij (62 :14).
. Përfundimisht, eskatologjia skëterrore hebraike – ajo doktrinë teologjike që merret me objektivat fundore të njeriut dhe me shëndrrimin përfundimtar të botës - paraqitet shumë më sipërore se sa simotrat e saj pagane. Vërtet që edhe në të, ndërhyrja e Zotit mbetet vendimtare dhe fort e dukshme – për të mos thënë shpëtimtare - por sidoqoftë, asaj i mungojnë mitet e Helenëve, panteizmi i Persëve, animizmi i Babilonasve, metempsikoza e Indianëve, sikundër dhe faraonizmat përrallore egjiptiane. Tek hebrenjtë, njeriu është krijuar nga Zoti për Zotin dhe ky Zot – Providencë transhendent dhe krijues, i drejtë por xheloz - sa i dashur dhe i kujdesshëm po aq i dhunshëm dhe hakmarrës – ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të komunikuar me krijesën e tij, të krijuar sipas imazhit të vet – mesazhin mesianik. Nëpërmjet Fjalës së tij dhe duke vringëlluar ndëshkimin e gjykimit të fundit, ai vigjëlon parreshtur mbi çdo krijim të duarve të tij në këtë botë dhe në atë tjetrën.
.
. Gjatë shekullit që paraprin Krishtin–Jesus, mendimi hebraik lidhur me jetën e përtejme fillon të precizohet dhe shfaq idenë e dy gjendjeve të ndryshme të shpirtrave në rrugëtimin e tyre : një gjendje për të Drejtët dhe një tjetër për të pafetë, adeptët e blasfemës. Këto dy koncepte qëndrojnë në origjinë të dy fjalëve-shprehje të reja, që karakterizojnë dy ekstremet kozmogonike : Qielli ose parajsa, e rezervuar për të parët dhe ferri-gehene, vend vuajtjesh dhe mundimesh, ku përfundojnë të dytët, të gjithë ata që refuzojnë drejtësinë dhe dashurinë e Zotit. Që të dyja gjendjet janë të pandashme nga ideja e një drejtësie hyjnore pas vdekjes – sikundër dhe të zgjedhjes së lirë njerëzore, përcaktuese e statusit përfundimtar.
. Në paraqitjen e saj të ferrit, Dhjata e Re lejon të kqyren tre faza : nëpërmjet ungjillit, Krishti shfaq plotësisht substancën e teologjisë së ferrit-gehene – një vend i llahtarshëm ku mbizotërojnë përbuzja si dhe mallkimi i Zotit (dam), zjarri, ndëshkimi i përjetëshëm i çdo mëkati vrastar ; në kuadrin e teologjisë së tij të shtjelluar në Epitrat, shën Pavli (Paul) zhvillon në mënyrë sintetike eskatologjinë skëterrore ; së fundi, në Apokalipsin e tij, nëpërmjet vizioneve ngërthyese, shën Jani (Jean) përvijon realitetin e plotë – dhe pjesërisht material – të vendit dhe të vuajtjeve në atë greminë të zjarrtë ku do të gjenden në shekuj të shekujve të gjithë adeptët e Qytetit të të Keqes. Risija në këtë rast qëndron pikërisht në përdorimin e fjalës « gehene » - ferr në letërsinë apokaliptike, paralelisht me përdorimin e fjalës hades e cila mbetet sinonim tashmë i helenizuar i sheolit të dikurshëm. Kështu, në Ungjillin e tij (9:42-48), Marku vendos në gojën e Krishtit fjalët e mëposhtme (të më falin besimtarët për « egzotizmin » e përkthimit):
. « .. dhe në se dora tënde bëhet për ty sebep i të qorollepsurit, prije, ja vlen më mirë të jesh dorac por në jetë se sa me të dyja duart dhe të shkosh në gehene, në atë zjarr që nuk shuhet kurrë. Dhe në se këmba tënde bëhet sebep i qorollepsjes, këpute ; më mirë këmbac dhe në jetë se sa me të dy këmbët dhe të përfundosh në gehene. Dhe në se syri tënd bëhet sebep i qorollepsjes, kërreje ; më mirë qorr por në mbretërinë e Zotit se me dy sy dhe në gehene, ku krimbi i tyre nuk ngordh kurrë - in gehennam ignis inextinguibilis - dhe ku zjarri nuk shuhet kurrë - ignis non extinguitur. ».
. Në Apokalipsin e tij (20 :12-14), shën Jani shprehet :
. « … dhe të vdekurit u gjykuan sipas veprave të tyre, sipas atyre që ishin shkruar në këto libra.. Dhe të vdekurit dhe qëndrimi i të vdekurve u hodhën në pellgun e zjarrit. Eshtë kjo vdekja e dytë, pellgu i zjarrit. Sejcili që nuk ishte shkruar në librin e jetës u hodh në pellgun e zjarrit »
. Ibidem (21 :8) :
. « … për frikacakët, jo-besimtarët, të llahtarshmit, vrasësit, të paturpshmit, magjistaret, idolatrët dhe të gjithë gënjeshtarët, fati e tyre do të jetë në gehene, në pellgun e djegshëm të zjarrit dhe të squfurit, që është edhe vdekja e tyre e dytë ».
. Lexuesit e sprovuar të Ungjillit vërejnë se fjala gehene është një shtrembërim dhe greqizim i shprehjes hebraike « hinom », emërtimi i një farë lugine me të njejtin emër në jug të Jeruzalemit, e përdorur si depo plehrash që prej lashtësisë, ku squfuri përdorej për të ushqyer zjarrin « e përjetshëm » dhe ku – sipas rastit – përfundonin kërmat e kafshëve dhe trupat e kriminelëve të gjykuar dhe të egzekutuar, por që s’kishin gjetur varr. Kështu, imazhi i Apostujve lidhur me ferrin qiellor dhe zjarrin e përjetshëm të tij ushqehet dhe frymëzohet, sikundër dhe pritet, nga realiteti tokësor i epokës.
. Nga momenti që egzistenca e ferrit dhe e zjarrit të përjetshëm s’mund të vihet më në dyshim, pasi tashmë elementë përbërës të Librave të Shenjtë dhe si rrjedhim të vetë dogmës, Etërve të parë të Kishës ju desh të shpalosnin thesare të mendimit filozofik-kishtar lidhur me një varg problemesh të natyrës « praktike », si për shembull : cila është natyra e zjarrit në të cilin duhet të digjen të ndëshkuarit ? Pa hyrë në meandret e këtij mendimi, le të përmendim se ai mobilizoi mendjet më të ndritura të epokës dhe shkaktoi jo pak viktima mes më të pabindurve, mes të cilëve Origjenin (185-254) - teolog i shquar i gjuhës greke dhe adept i Platonit, ithtar i shpëtimit të përjetshëm dhe themelues i herezisë të origjenizmit. I ndjekur nga Klementi i Aleksandrisë (160-220), ky Origjen spjegon se zjarri i përmendur në Shkrimet e Shenjta është metafizik dhe inteligjent ; ai shpreh pendesën e shpirtit mëkatar nga kujtimi i mëkatit të kryer dhe ushtrohet jo mbi mishrat por mbi vetë shpirtin – ai nuk konsumon por depërton përmes shpirtit, dhimbjeve të të cilit për shkak të mëkateve të kryera i duhet shtuar pamja e mirësisë që ju shpaloset të zgjedhurve nga Zoti dhe që ju mungon të ndëshkuarve.
. Më eklektik, shën Gregori i Nyse-s (335-395), një nga etërit më të shquar të Kishës së Lindjes, vjen si përfaqsues i gjithë atyre që besonin se ky zjarr është metaforik. Në Fjalimin Katekizmik, ai shprehet :
. « Jeta e dhimbshme e mëkatarëve (në atë të përtejmen) s’mund të krahasohet me asgjë që shkakton vuajtje në këtë tonën. Edhe sikur t’i vemë të njejtat emra që njohim këtu ndëshkimeve të përtejme, ndryshimi mbetet i pamasë. Me fjalën zjarr ju jeni mësuar të konceptoni një gjë krejtësisht të ndryshme nga zjarri i këtushëm, pasi ai atje zotëron një veti që ky këtu nuk e ka : i pari nuk shuhet kurrë ndërkohë që përvoja ka zbuluar jo pak mënyra për të shuar tjetrin – dhe diferenca është e pamatë mes një zjarri që shuhet dhe zjarrit të pashueshëm… Shkrimet na mësojnë se të mallkuarit do të ndëshkohen me vuajtje të drejta, që janë zjarri, terri, krimbi, që të gjitha vuajtje të përbëra nga elementë materialë. Shpirti, meqënëse është thjesht shpirtëror, nuk mund të preket asnjëherë nga zjarri. Si ka mundësi që terri mund ta torturojë shpirtin, pikërisht atë që nuk zotëron organe pamore ? Çfarë vuajtje mund t’i shkaktojë atij krimbi, i cili mund të prekë trupin, por askurrë shpirtin ? »
.
. Propagandist praktik, shën Jan Kristozomi (Gojëarti) (349-407), Doktor i Kishës dhe Patriark i Konstandinopojës, në homelinë e tij mbi shën Matinë (Mathieu) shprehet :
Atje (në gehene) askush për t’ju mbrojtur, askush për t’ju shpëtuar ; ju nuk mund të shquani fytyrën e qetë dhe të ëmbël të Shpëtuesit… të paktën, mbi tokë kemi mundësinë t’i përulemi Perandorit, t’i lutemi dhe të fitojmë në këtë mënyrë lirinë e ndonjë të dënuari. Por në ferr, kj o është e pamundur ; atje asnjë falje ; atje gjendemi mes vuajtjeve dhe dhimbjeve të papërshkueshme. Nga momenti që jemi të dënuar në zjarr, humbim natyrisht Mbretërinë dhe kjo gjë përbën edhe fatkeqsinë më të madhe. E di se shumëkush trembet vetëm duke dëgjuar emrin gehene, por unë deklaroj se humbja e kësaj lavdie sipërore është edhe më e tmerrshme se sa vuajtjet e gehenes.. një humbje e asaj la vdie që do të na bënte përjetësisht të lumtur ; çfarë torture kjo e të qenit një objekt përbuzjeje nga Krishti, të mund të ndjesh nga goja e tij : nuk ju njoh më ; të akuzohesh prej tij se nuk ke dashur t’i japësh për të ngrënë kur Ai ishte nevojtar. Më mirë të goditesh nga mijra rrufe se sa të shohësh këtë fytyrë kaq të butë të shmangë vështrimin nga fytyra tënde, këta sy kaq të qetë të të kqyrin me indinjatë.
.
. Për herë të parë kështu, Ati i kishës ortodokse përmend shkoqur atë çka teologjia e mëvonshme do ta cilësojë si vuajtja e dam-it. Një zhvillim cilësor i natyrës morale dhe njëkohësisht, shprehje e kompleksitetit të sensit të vetë krishtërimit që do të përbëjë edhe esencën teologjike të kësaj Kishe të konsideruar si universale : besimin solemn mbi personin e Krijuesit të saj hyjnor. Veçse në kuadrin e kësaj feje të re, ky Krijues nuk mjaftohet me atributet e tij të vjetra hebraike : as me mesazhin profetik abrahamik as edhe me aksionin shpëtimtar moisian. Tashmë Fjala jashtëkohore dhe jashtëtrupërore zbret në tokë – njeri mes njerëzve ; ajo mishërohet në gjirin e një gruaje, Marisë, dhe pjella e saj Krishti – njëkohësisht Zot dhe njeri – është bartës universal i mesazhit dhe e aksionit.
. 
. Qëndrimi ndaj Krishtit përbën edhe gurin themeltar të kësaj feje – objekt kundërshtish heretike dhe pohimesh dogmatike të një varg Koncilesh të shenjta (njëzet të tilla), nga ai i Nikesë (në vitin 335) deri tek ai i Vatikanit (1869-1870). Ai pasqyron vështirësinë konceptuale të të pranuarit njëkohësisht të unitetit të substancës së personit Krisht nëpërmjet dualitetit të natyrave të tij – hyjnore dhe njerëzore – si edhe të dy vullneteve të tij natyrore aspak të kundërta – hyjnor dhe njerëzor. Mjafton t’i referohemi përmbajtjes dogmatike të përcaktuar që prej Koncilit të parë dhe të pandryshuar prej shekujsh :
. « Biri i Zotit, i vetmi i ngjizur prej Atit, çka do të thotë nga substanca e Atit, Zot i Zotit ; i ngjizur dhe aspak i krijuar, bashkësubstancial me Atin nga i cili të gjitha sendet janë bërë në Qiell dhe mbi tokë ; i cili, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, ka zbritur dhe është mishëruar, u bë njeri, vuajti, u ringjall ditën e tretë, u ngjit në qiej nga ku edhe do të rivijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit »
.
. ___________________________
. 
. Shënimi 1: Si përfaqsuese të këtij teksti, ky shkrim përdor variantin francez: La Bible - Louis Segond 1910, Ass. Viens et Vois, Grezieu la Varenne, 1993.

La suite.. - Vazhdimi...

Sunday, October 31, 2010

Metafizikë e ferrit (2) - Ferri metempsikik.

.
. Vështirësia e parë dhe më e madhe për të depërtuar përfytyrimin lindor të jetës në përgjithësi dhe në veçanti të asaj « përtej vdekjes » është e natyrës semantike, pasi fjalëshoqërimet dhe kuptimi i tyre nuk janë të njejtat me të cilat jemi mësuar në gjuhët dhe kulturat tradicionale perëndimore. Kështu, budisti për shembull, është i bindur se për çdo qenie të gjallë ka shumë jetë dhe shumë vdekje, se ajo qenie shëtit shumë parajsa dhe shumë ferre – sikundër përball shumë perëndi - një vizion konceptual, gjithsesi në shumës !
. Së dyti, për një perëndimor të krishterë, mysliman apo çifut egziston një hendek ontologjik – një dallim cilësor - mes Zotit dhe qenies njerëzore, sikundër mes njeriut dhe kafshës. Nuk është aspak rasti i lindorit budist, taoist, shintoist apo hinduist, i cili mes këtyre kategorive vëren thjesht një dallim sasijor : qeniet e gjalla « qarkullojnë » në mënyrë të zhdërvjellët mes morisë së formave të ndryshme të egzistencës hyjnore, njerëzore apo kafshore… pse jo, edhe bimore. Të gjitha këto jetë integrohen në një rrymë rrethqarkore, një një rrjedhë që nuk njeh as fillim as fund – samsara - në gjuhën sanskrite, një qerthull që ngërthen edhe vetë Zotët.
.
.
. Së treti, lindori ka zgjidhur në një mënyrë origjinale çështjen e fatit, nëpërmjet mbajtjes të një ekuilibri delikat mes fatalitetit dhe shlirimit. Fataliteti mer formën e ligjit të pamëshirshëm të karma-s : meqënëse fati i një qënieje të gjallë dhe të ndërgjegjshme është i paracaktuar nga shuma e aksioneve të tij të shkuara dhe e jetëve të tij të mëparshme, askush s’mund të bëjë gjë për të ndjerin që gjendet i vetëm përballë pasojave karmike të jetëve të tij të panumërta. Rrugëdalja e vetme mbetet kërkimi dhe arritja e Nirvana-s : dalja jashtë vetvehtes, shrrënjosja e çdo pasioni dhe çlirimi nga iluzionet e kësaj bote, ngritja mbi konceptet e të mirës dhe të keqes, arritja e gjendjes absolute – ndërprerja e ciklit të samsara-s. Me të tjera fjalë, kulturat lindore mundohen të minimizojnë rolin e vdekjes, të kësaj hallke të parëndësishme në atë zinxhirin e pallogaritshëm të jetëve dhe të vdekjeve, pasi qëllimi kryesor i qenies është pikërisht dalja nga qerthulli i kushtëzimeve. Në mbetet diçka për të bërë, është pikërisht kryerja e akteve të mira që do të ndikojnë rimishërimin– metempsikozën – në forma të lumtura dhe largimin nga fatet e dhimbshme : e vetmja drojë nga vdekja është pikërisht pamundësia e kryerjes së këtyre akteve – një rrezik i parashikuar në rrugën e gjatë të rilindjes.
.
. Sipas hinduizmit, në këtë univers që i nënështrohet gjithashtu cikleve të shfaqjes dhe të zhdukjes, shpirti i përjetshëm – atman – përshkon veçse një udhëtim të përkohshëm « përtej », mes dy jetësh. Sipas natyrës së tij të rradhës, ai përfundon ose në parajsat ose në ferret – gjithashtu të përkohshme – numri i të cilave është 8.400.000 (as më pak as më shumë !), ku ai asgjëson nje pjesë të karma-s së tij. Në këto vende « pa diell », ai i nënështrohet vuajtjeve të panumërta : pjekjes, përcëllimit, shqyerjes, bluajtjes.. përpara se ai të rikthehet mbi tokë : në trupin e një njeriu, për ata që me të vërtetë e meritojnë, të një kafshe për mosmirënjohësit ose të një bime për kriminelët. Një vajtje-ardhje e këtij shpirti që mund të kryhet dy million herë në formë vegjetale, gjashtë million në formën kafshore dhe vetëm dy qind mijë herë në formën njerëzore !
. Po t’i besojmë specialistëve, hinduizmi primitiv nuk e ka njohur konceptin e ferrit. Mjaft të lexojmë tekstet indiane Rig-Veda ose Atharva-Veda. I huazuar nga babilonasit, ai hodhi shtat pas shekullit të X p.e.s dhe mori formën e tij përfundimtare pas vdekjes së Budës, duke u pasuruar me Yama-n, mbretin e ferrit dhe me qerthujt karakteristikë, herë-herë të zjarrtë herë-herë të akullt – sipas kategorive të mëkateve.
.
. Për taoistët kinezë, vdekja nuk është një akt i domosdoshëm për të shkuar në parajsë – në parajsat. Mjaft që i gjallë njeriu të zhvillojë një trup të ri gjithmonë më të lehtë, më të përsosur, me anë të një rregjimi special asketik dhe të një jete të virtutshme. Pas vdekjes, trupi i vjetër i atij që ka mundur të grumbullojë të tilla urtësi dhe dije shpërbëhet në varr dhe trupi i ri tashmë i pavdekshëm i ze vendin ; vdekatarët e tjerë duhet të kënaqen me vdekjen klasike ndërkohë që shpirti i tyre mban rradhën e gjatë për t’u gjykuar nga dhjetë gjykata hyjnore, të përbëra nga dhjetë gjyqtarë sejcila, detyra e të cilëve është t’i gjejnë vendin e merituar sejcilit. Pjesa dërrmuese e njerëzve – as të mirë, as të këqinj – i rikthehet ciklit të njohjes dhe të riedukimit. Më zullumqarët – kriminelët dhe të tjerë vetëvrasës – duhet të kënaqen me ferret, gjithmonë po aq të llahtarshëm : labirinte gjigande të nëndheshme, i përbërë nga nivele të shumtë dhe nga dhoma të panumërta ku shpirtrat duhet të vuajnë me qëllim që mëkatet e dikurshme të mund të shlyhen. Legjendat më të besueshme kineze arrijnë të dallojnë 18 nivele ose nën-nivele të ferrit Di Ju, të tjera shquajnë deri në 134 të tillë… çarje më dysh ose më katërsh, prerje e kokës, shkulje e gjuhës, kërrerje e syve, rrjepje e lëkurës, zhytje në puse të fëlliqura, shqyerje, coptim, zjarr, akull, kafshë të egra të pangopura ; sidoqoftë vuajtje që për fat të mirë nuk zgjasin shumë. Dy vjet e katër muaj – koha e domosdoshme para rimishërimit të pashmangshëm.
.
. Budistët – ata të Tibetit – mund të vetëquhen me shans pasi ata zotërojnë Librin e të Vdekurve Bardo Thodol, një farë doracaku i hollësishëm i përtej jetës dhe i mënyrave për të arritur Nirvana-n, parajsën absolute të budistëve. Për të pafatët e zakonshëm, shpirti i tyre endet në bardo – një hapësirë mes vdekjes dhe rilindjes së ardhshme, në kërkim të ndriçimit hyjnor. Në se nuk arrijnë dot brenda 49 ditëve të para, ato duhet të rimishërohen domosdoshmërisht një një formë të re njerëzore. Sidoqoftë, i ndjeri duhet të braktisë njeri pas tjetrit « trupat e ndryshëm » që e përbëjnë : fillimisht trupin fizik, një apo dy javë më pas trupin eterik dhe së fundi trupin astral – me sa mendohet, procesi më i vështirë pasi është pikërisht ky trup astral që përmbledh pasionet, lakmitë – pra, ndjenjat e ulta. Dhe pikërisht në këtë proces ndërhyn ferri, si një farë « stazhi » i përkohshëm gjatë të cilit shpirtit duhet të filtrohet, të pastrohet.
. Ai që ka krijuar ferrin budist duhet të ketë patur dhuntinë e simetrisë : 16 ferre të mëdha – 8 të përvëluar dhe 8 të akullt. Pranë portës së sejcilit gjenden 16 ferre të tjerë të vegjël, pra 256 të tillë periferikë – ose më mirë 272 gjithsej. Dhe natyrisht, një i tillë bollëk, i çel rrugën imagjinatës më të shfrenuar lidhur me mundimet dhe torturat e rezervuara për ata të gjorët që përfundojnë aty : rërë përcëlluese, flakë përvëluese, kazane në vlim, furra pjekjeje, banja gjaku të shkumbëzuara, sëpata lëkundëse që çajnë më dysh, shpata të varura që presin në rondele… pa llogaritur erërat e acarta, akullin përcëllues, breshërin shpues, shtizat e plevitosura, blloqet e gurta që bluajnë, shkëmbenjtë që shtypin, elefantët e metaltë që petëzojnë…
.
. Pa fjalë, njeriu lindor, eklektik në shpirt dhe në jetë, nuk ka mundur të çlirohet plotësisht nga baza e vjetër panteiste, mbi të cilën fetë e tij kanë lindur dhe kanë hedhur shtat. Në shkallën e tij sipërore, ai ka mundur të imagjinojë një Zot të plotfuqishëm dhe të gjithëgjendur, por sidoqoftë të pashpirt, të vdekur – pa individualitet, pa ndërgjegje të qenies së tij. Një Zot fatalist që parreshtur ngjiz dhe ringjiz botën, domosdoshmërisht brenda vetvehtes. Një Zot që nuk do askënd, pasi për të nuk egziston as e mira as edhe e keqja – pasi edhe ai vetë nuk mund të jetë as i mirë as i keq. Një Zot që s’është mishëruar kurrë pasi qëndron mbi jetën dhe vdekjen. Përballë një të tillë Krijuesi, të gjitha virtutet aktive të qenies mbeten shkallë të ulta, funksioni i të cilave është përsosmëria e mëtejshme ; një përsosmëri që arrin kulmin me asgjësimin e aktivitetit njerëzor. Fundi suprem i njeriut është pikërisht humbja e ndjenjës së vetvehtes, heqja dorë nga liria e tij, ngritja mbi ndjenjat më të pastra, mbi dilemën morale të të mirës dhe të keqes, arritja e një stadi ku zhduket vetë diferenca mes qenies dhe jo-qenies – ku sipas budizmit mbretëron hiçi.
. Duke u ngritur sferë pas sfere, deri në nivelin më të lartë të kqyrjes – ndoshta i përkëdhelur nga ideja e tejkalimit të vetë Zotit, besimi i lindorit përfundimisht kumbiset përmes qiejve në një greminë të pafund.

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, September 15, 2010

Dafina dhe Rrush.

.
. Halli më bëri të shkoja gjatë kësaj fundvere në Palma de Mallorca. Për t´i qenë pranë një vjehrre në pikë të hallit. Për ta ndihur disi në atë përleshjen e saj të përditshme me zorrët dhe tubat që i sillnin oksigjenin aq të munguar. Për t´ju gjendur pranë në ato orë ndoshta të fundit... dhe në momentet e tjera të rralla të shlodhjes, larg asaj dhome ku zjenin edhe muret nga vapa dhe ku gumëzhinin aparaturat si bletët, dilja në ballkonin e katit të tetë dhe kqyrja nga larg detin.
. Më mirë të them atë çikë det që shfaqej mes morisë së kullave dhe patiove spanjolle, atë parcelë blu farfuritëse që ma bënte me sy nga larg dhe që më kujtonte parreshtur se vala që ngrihej aty pranë shkonte dhe shtrihej diku në plazhin e Vlorës, se pulëbardhat e gjirit të Palmës klithnin në të njejtën gjuhë me pulëbardhat e Shëngjinit, se dielli që përgatitej të flinte në kodrën përkarshi ishte zgjuar diku mbi Durrës… që më përsëriste parreshtur se me trup gjendesha në ishujt Baleare por me mendje në Shqipëri. Në këtë rol të bezdisur të mysafirit “të palarë pranë detit” dhe “të panxirë pranë diellit”, s’më mbetej gjë tjetër veçse të lakmoja fatin e mirë të atyre miliona turistëve pa halle, preokupimi i vetëm i të cilëve ishte pushimi i trupit dhe dëfrimi i mendjes… dhe të ngazëllehesha nga mendimi se në kthim, do të hakmerresha sipas dëshirës mbi turizmin dhe rolin e tij në ekonomi.
.
.
. * * *
.
. Qenia e një pjese të familjes në Baleare dhe afëria gjeografike më kanë krijuar atë mundësi të lumtur të shëtis dhe të vizitoj Spanjën prej njëzet vjetësh – që nga fillimet e viteve 90. Në vijim, kurioziteti i natyrshëm dhe ai tjetri, i kultivuar, më kanë detyruar të vlerësoj dhe të respektoj vendalinjtë dhe atë çka është e çmuar për ta: historinë, letërsinë dhe artin deri edhe traditat dhe shijet lokale – që nga rrushi dhe vera deri tek djathrat, duke kaluar nëpër sallamërinë dhe frutat e detit – pa harruar erëzat karakteristike të kësaj zone skajore mesdhetare. Së fundi, kontaktet e vazhdueshme me vendin më kanë dhënë mundësinë të kqyr zhvillimet - që nga mentalitetet e banorëve deri tek peizazhi, apo infrastruktura. Përfundimisht mund të them se nëse Spanja e sotme nuk ngjan fort me atë të djeshmen, të njëzet vjetëve më parë, “fajin” kryesor e mban ajo hapje e papërmbajtur ndaj Evropës dhe ndaj botës, me turizmin si vektor të depërtimit të njerëzve dhe të vlerave – si levë parësore e dinamizmit ekonomik të vendit. Në këtë kuadër, Balearet përbëjnë shembullin më të spikatur - luajnë rolin e vitrinës.
. Deri përpara viteve 60, ky grup ishujsh i Mesdheut perëndimor që numërohen me gishtat e një dore (gjithsej 4974 km2), të rrahur nga erërat dhe të djegur nga dielli, përbënte zonën më të humbur dhe më varfër të Spanjës bashkëkohore – që në atë kohë ishte një nga vendet më të vobegta të Evropës perëndimore. Mjafton të thuhet se vendasit balearjotë ishin kandidatët e parë spanjollë drejt emigracionit, se ekonomia lokale kufizohej në peshkim, në prodhimin e agrumeve dhe në mbledhjen e bajameve të mbkjella mbi tokat shterpë, se vlera e terreneve ishte thuaj zero – që i shtynte etërit, kur ndanin pasurinë, t’ju taksnin ranishtet pranë detit trashëgimtarëve më dembelë dhe parazitë. Paçka traditës së gjatë të pritje-përcjelljes, të tregëtisë bile edhe të piratërisë apo të kondrabandës, askush në këtë kohë - që nga bankat, tek ndërtuesit deri tek pronarët e mëdhenj të tokave - nuk guxonte të mendonte se turizmi mund të përbënte një aktivitet ekonomik madhor, një burim të konsiderueshëm të ardhurash, një zgjidhje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të problemeve të jetesës së përditshme. E pra, në atë kohë, ishujt që numëronin rreth 400.000 vendalinj prisnin dhe përcillnin rreth 300.000 turistë në vit, në pjesën më të madhe të tyre të ardhur individualisht dhe të strehuar qoftë tek banorët qoftë në ato pak hotele apo bujtina lokale.
. Kjo skemë ndryshoi rrënjësisht në vitet 60 dhe i përgjigjet kryekëput një logjike thjesht alogjene – të huaj, aspak të lidhur me dinamikat apo dëshirat lokale - endogjene. Boom-i ekonomik i Evropës perëndimore, që ngërthente avantazhet sociale të punonjësve evropianë, pasurimin e shpejtë të shtresave të varfra dhe të mesme, lindjen e turizmit masiv dhe riorganizimin e shpejtë të centraleve dhe zyrave turistike angleze dhe gjermane, nxorri në plan të parë këtë “copë tokë me diell dhe me det” që kish njëkohësisht avantazhin e të qenit të virgjër, me çmime qesharake, egzotike dhe mikpritëse. Përballë dyndjes eksponenciale të turistëve, shoqëria lokale u organizua si mundi dhe për t’ju përgjigjur kërkesës, ajo zhvilloi një model të zhvillimit turistik që njihet me emrin “balearizim”: një ofertë bazike, sezonale dhe masive për klienta “me buxhet të kufizuar” – pra, jo të pasur, sipas formulës “diell, plazh, hotel”; por sidoqoftë e aftë të siguronte një përfitim ekonomik të shpejtë. Në këtë kontekst ekonomik shumë të favorshëm, u ngritën dhe u zhvilluan hotelet e para “të vërteta” majorkine, u formuan profesionistët vendas në fushën e turizmit: në origjinë njerëz të varfër, pa asnjë mbështetje në zanat dhe pa asnjë formim – të ashtuquajturit “muratorët-hotelxhinj”, ndërtues dhe shfrytëzues të strukturave të tyre private, egzekutues të thjeshtë dhe të pafuqishëm përballë diktatit të agjensive turistike të huaja që impononin tarifat, numrin e klientëve apo kohëzgjatjen e qëndrimit të pushuesve. Kjo situatë zgjati deri në fillim të viteve 80 dhe gëdhendi në një farë mënyre edhe fytyrën e qëndrueshme të turizmit balear. Kjo rritje e papërmbajtur njohu frenin e parë gjatë periudhës 1974 – 1976, për hir të krizës së parë të naftës, një fren të dytë në vitin 1980, (aktet terroriste baske në zonat turistike spanjolle) dhe disa të tjerë më pas – krizat e tregjeve britanike në 1985, lufta e Gjirit Persik në periudhën 1989-1990. Rënia e numrit të turistëve vuri në pah kufizimet e modelit të mësipërm sikundër edhe problemet lidhur me cilësinë e vetë turizmit balear. Aktorët lokalë kuptuan më në fund se duheshin “riparë” raportet me centralet turistike të huaja, në kushtet kur ata kishin grumbulluar përvojën e nevojshme si edhe kapitalet e duhura për të ndryshuar kryekëput vlerat e ofertës vendase. Nga ana tjetër, rëniet e njëpasnjëshme të numrit të klientëve patën meritën e provokimit të një reaksioni me përmasa të mëdha në gjirin e shoqërisë majorkine si edhe të tërhiqnin vëmendjen e klasës politike lokale.
. Me kërkesën këmbëngulëse të kësaj të fundit, në vitin 1984, Balearet mundën të fitonin statusin e Rajonit Autonom, gjë e cila lejonte tashmë një organizim dhe një administrim optimal të territorit sikundër dhe një vendimmarrje apo vjelje dhe rishpërndarje të të ardhurave jashtë kontrollit të Madridit. Në vijim, në vitin 1988, qeveria dhe parlamenti ishullor aprovoi një plan-kornizë afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit turistik me synim modernizimin e ofertës turistike; në vitin 1995, ai u ndoq nga një tjetër plan-kornizë lidhur me riorganizimin e kësaj oferte që synonte aspektet dytësore të saj (restorantet, aktivitetet anekse, kualifikimin dhe specializimin e profesioneve të turizmit). Paralelisht nxitjes dhe investimit në iniciativat publike dhe private drejt agroturizmit, turizmit rural apo atij kulturor, pushteti lokal përpiloi një varg normash dhe rregullash ishullore në ndërtimin e porteve turistike (marinat), të terreneve të golfit apo të parqeve të lojrave. Ky angazhim i mençur i pushtetit lokal në favor të industrisë turistike gjeti përkrahjen e profesionistëve të turizmit, të vendosur të përmirësonin shërbimin hotelistik ndaj konkurrencës gjithnjë e më të ashpër. Ata u organizuan në një sindikatë ishullore, që u angazhua në rrugën e përmirësimit rrënjësor të cilësisë dhe të profesionalizimit të plotë të sektorit: nga njera anë sindikata luante rolin e një bashkëbiseduesi të privilegjuar me centralet turistike – të ashtuquajturit “tours-operators” dhe nga ana tjetër, orienonte dinamikat lokale në përputhje me logjikën globale të këtyre të fundit.
. Hapi tjetër vendimtar ishte aprovimi i një varg dekretesh dhe ligjesh që synojnë zhvillimin e turizmit në kuadrin e mbrojtjes së territorit: dekreti “Cladera” (1984 dhe 1987) që përcakton sipërfaqen minimale të zënë nga ngrehinat turistike; ligji i mbrojtjes së hapësirave natyrore (1991) që vendosi krijimin e disa parqeve natyrore (34% të sipërfaqes së përgjithshme ishullore); përpilimi i “Librit të Bardhë të turizmit në ishujt Baleare” (1987) që përcakton pragun e lejuar të frekuentimit turistik; përpilimi i planeve rregullues të urbanizmit për të gjitha qendrat e banuara, me kritere striktë normativë ndaj ndërtimeve me karakter turistik; hartimi i planit të përgjithshëm të modernizimit të zonave turistike (1990), i financuar bashkërisht nga organet autonome dhe ato komunale; krijimi i fondit të rehabilitimit të hapësirave turistike (1999), nëpërmjet vendosjes të një eko-takse ndaj turistëve; moratoriumi që ndalon ndërtimet e reja mbi vijën bregdetare ishullore (2002) etj.. (shih: Jean Emanuel Vittori - Les dynamiques locales face au tourisme aux îles Baléares, rev. « Rives méditerranéennes »,12/2002.) Modeli i mësipërm dhe shëndrrimet e tij të njëpasnjëshme sollën një varg pasojash të rëndësishme dhe të pakthyeshme, që ngërthejnë avantazhe dhe disavantazhe madhore:
. - Në rrafshin turistik, ishujt Baleare dhe në rradhë të parë Majorka njohën një rritje të paparë të numrit të turistëve që arriti kulmin në vitin 1999 me 11 milionë vizitorë (për një popullsi lokale prej 800.000 banorësh, bashkë me rezidentët e përhershëm). Pra, një dëndësi mesatare popullate prej 300 banorë/km2, i krahasueshëm me vendet më të populluara të Evropës. Po t’i referohemi qyteteve, dendësia e tejkalon normën e metropoleve dhe në zonat turistike të mirëfillta (plazhet), kjo dendësi tashmë quhet mizëri dhe ajo bëhet e tillë sa vret syrin e çdo vizitori.
. - Në rrafshin ekonomik, ai solli një rritje të paimagjinueshme të të ardhurave për kokë, një përmirësim të përgjithshëm të nivelit të jetesës së ishullorëve - me një PBB për banor më të lartin në Spanjë dhe një nga më të vlerësuarit në Evropë. Të rrallë janë ato shembuj në botë ku dinamikat lokale janë po aq të fuqishme, ku ritmet e zhvillimit të përkthyera në të ardhura efektive për banor janë po aq të konsiderueshme – qofshin ato të sjella nga jashtë, frut i tendencave kontinentale.
. - Në rrafshin territorial, ajo u karakterizua nga një rritje urbane kaotike me pasoja të rënda mbi vijën bregdetare, nga ritme të shfrenuara të rritjes ekonomike të shoqëruar me dëmtime të pakthyeshme mjedisore apo shoqërore, nga mungesa kronike të infrastrukturave dhe të pajisjeve publike apo private, nga një vizion afatgjatë jo gjithmonë bindës të administratës publike lidhur me çështjet e planifikimit urban.
. - Në rrafshin ekologjik u kqyr një ndryshim shumë i theksuar i pejzazhit bregdetar – përgjatë 30 vjetësh, u betonua një e katërta e bregdetit ishullor; zhdukja përfundimtare e një numri të konsiderueshëm speciesh bimore dhe shtazore endemike me vlera të mëdha natyrore; një mbishfytëzim i egër i rezervave natyrore, veçanërisht i ujit të pijshëm; një frenezi e papërmbajtur konsumi që solli një mbiprodhim të plehrave të të gjitha llojeve (dyfishi i prodhimit mesatar spanjoll) dhe përfundimisht, një nivel i tejskajshëm i ndotjes mjedisore për shkak të përqëndrimit të mjeteve të transportit tokësor, të nivelit të zhurmave nga transporti ajror.
. - Së fundi, në rrafshin shoqëror, vërehet një humbje e identitetit të bashkësisë majorkine tradicionale; një rrudhje e gjuhës katalane për shkak të ndërfutjes së asaj kastiljane, të përdorur nga gadishullorët dhe e folur nga turistët; nga një urbanizim i mënyrës së jetesës dhe një përfshirje e gjithanshme në shoqërinë globale; nga krijimi i bashkësive të qëndrueshme dhe të përfillshme të rezidentëve të huaj (gjermanë apo anglezë), që krahas përdorimit masiv të produkteve industriale dhe ushqimore të importuara nga vendet e tyre në dëm të prodhimeve lokale, kanë arritur të imponojnë edhe shtypjen apo përhapjen e shtypit në gjuhët amë, lokale dhe hotele që shërbejnë vetëm në këto gjuhë, përfaqsues të tyre në organet e pushtetit lokal deri edhe krijimin e grupeve politike në mbrojtje të interesave të tyre specifike.
.
.
. * * *
.
. U mora me Palmën që në hyrje të shkrimit dhe përmenda hallin. Pasi qejfi do të më kish sjellë në Golem, dyfish të dëshiruar: së pari do të gjendesha në vendin tim, së dyti në shtëpinë time. Në atë apartament buzë detit - në kuptimin më të drejtpërdrejtë dhe më prekës të fjalës det, pasi nga ballkoni i katit të dytë mund të shoh Adriatikun që valëzon as njëqind metra më poshtë, përqafoj me vështrim gjirin e Durrësit mbarë. E pra – dhe për t’ju përgjigjur Maks Velos - unë kam diçka më shumë se “ata që do të vijnë” pasi ndërkohë kam ardhur. I ardhur që prej vitesh për të blerë apartamentin e ndërtuar mes xhunglës plazhistike të Golemit, mes katastrofës ekologjike shqiptare. Edhe pa qenë pasanik suedez apo norvegjez, apo varfanjak kosovar … por që ende nuk ka kaluar as edhe një ditë pushime në të. Jam nga ata të ardhurit - të paqenë, të pagjendur, të pandodhur në vend por që sidoqoftë, arrijnë të lahen thjesht me imagjinatën e tyre në detin e virgjër të Golemit, që thithin ajrin erëmirë të pyllit të dendur të pishave, që llapashitin këmbët në valën e parë të bregut, që enden vetmitarë përgjatë orësh të tëra nga Plepat e plazhit deri në Golem… në atë Golem të rinisë së tyre që strehonte vetëm një sërë kabinash-furriqe, kampin e studentëve dhe atë të rinisë.. si dhe një barangë prej dërrase ku kavajsit rrjepacakë të djeshëm – sot pronarë hotelesh dhe biznesmenë apartamentesh - shisnin domate zemërkau, shalqinj dhe kumblla.
. Alejuja – do të kish kënduar Leonard Cohen-i! Por jo të gjithë turistët – ata të vërtetët – janë fans të Cohen-it dhe kur bêhet fjalë për të shpenzuar ato pak ditë qê padronêt e tyre tê pamêshirshêm dhe zemërgjerë janë të detyruar t’jua japin, ata marin rrugën duke fërshëllyer “vamos a la playa”. Si njê përrua – ç’them! – si një lumë i papêrmbajtur, plot tre milionë syresh – në se i besojmë Kryeministrit Berisha - vërshuan drejt atyre brigjeve që ofrojnë në këto kohê tê vështira krize avantazhin “e të qenit të virgjër, me çmime qesharake, egzotike dhe mikpritëse”. Edhe sikur të heqim epitetet “të virgjëra”, dhe “me çmime qesharake” të shekullit të kaluar, mbetet sidoqoftë egzotizmi i padyshimtë shqiptar dhe mikpritja tradicionale ballkanase.
. Tre milionë turistë – shifra është historike, pêr njê vend pritës si Shqipëria që numëron po aq banorë. Natyrisht, ende jemi larg Palma de Mallorca-s apo Saint Tropez-it që njëzetfishojnë popullatën në verë, por ndërkohë jemi në të njejtin nivel me Francën që priti po aq turistë sa edhe popullata e saj (68 milionë turistë në 2009, nga të cilët 14 milionë në kalim drejt të tjerë vendesh turistike) dhe që mbetet drejtimi i parë botëror. Bile ja kemi marë asaj në kthesë lidhur me të ardhurat e siguruara, pasi me turistët e saj Franca arrin të sigurojë “vetëm” 36 miliardë euro ndërkohë që Shqipëria me tre milionët e turistëve të saj arrin të mbledhë “disa miliardë” euro!
. Ç’bëri vaki me turizmin shqiptar që arriti magjepsë tre milionë turistë të huaj? Zaten, bëhet fjalë për vitin 2009 apo për këtë në vijim? Këmbëngul në këtë pyetje pasi kakofonia në mjediset gazetareske është totale, aq më tepër kur analizat kanë mbetur në dorë të profesionistëve të llojit Redi Agolli apo Valentina Madani; aq më tepêr kur të tjera shkrime të fillimvitit raportojnë se në 2009, vendi u vizitua nga 1.600.000 turistë. E pra, në këto shkrime, analizat e ekspertëve si Zef Preçi apo Selim Belortaja, të konfirmuara nga INSTAT, venë në pah se ky sektor vuan nga një varg problemesh strukturore: infrastruktura e pamjaftueshme (rrugore, mungesa e ujit dhe e energjisë elektrike); mungesa e planeve rregulluese të zonave, problemet e rendit dhe të qetësisë publike; cilësia e shërbimit: e cila lë shumë për të dëshiruar, (për shkak të mungesës së përvojës, jo profesionalizmit dhe mungesës së kualifikimit të punonjësve të sektorit); çmimet e larta (mungesa e harmonizimit mes çmimeve dhe cilësisë në shërbime), mungesa e aktiviteteve turistike anekse (marina, terrene sportive, aktivitete artistike). Ekspertët theksojnë se këto mangësi dëmtojnë imazhin e turizmit dhe zvogëlojnë hapësirën e konkurrencës me vendet fqinje ose të rajonit dhe favorizojnë turizmin kalimtar një ditor, me origjinë nga Greqia fqinje. Bile ato frenojnë edhe vërshimin e turistëve kosovarë ose maqedonas. Po të dëgjosh Berishën nga ana tjetër, kosovarët ishin mizëri, të huajt tabor dhe suksesi i detyrohet pikërisht infrastrukturës rrugore (rruga e Kombit), përkushtimit të punonjësve të turizmit dhe cilësisë së lartë të shërbimeve – krahas çmimeve shumë tërheqëse. Hajde merr vesh ndonjë send!
. Ajo çka Berisha nuk përmend me modestinë që e karakterizon është puna përkushtuese e Qeverisë ndaj turizmit si edhe vullneti i patundur i krijuesit të shkencës së hemodinamikës, sensi politik dhe ekonomik i të cilit bëri që vendi “të tejkalojë me 27 pikë mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së. për lehtësitë në regjistrimin e biznesit; që investimi në të gjithë sektorët në Shqipëri, krahasuar me vendet mesatare të OECD-së, është 7 pikë përpara, duke u renditur në 63 vendet që tërheq më mirë investimet në botë. Po kështu, në krahasim me investimet, që ai të rradhitet mes vendet me liri fiskale më të lartë në botë, mbi 94 për qind”. Në se është vështirë të mendosh se ata miliona turistë zgjedhin Shqipërinë si vend të preferuar për këto arsye, na mbetet të besojmë se ata janë lexues të thekur të “Newsweek” që rradhit Shqipërinë në vendin e 57-të të vendeve më të mira për të jetuar mes njëqind syresh…
. Por edhe sikur të mos besojmë asgjë, tre milionshi mbetet tre milionë. Si është përllogaritur ky numur magjik? “Elementare, i dashur Watson” – do të ish pêrgjigjur Sherlok Holmesi shqiptar që përmend me krenari misionin ICITAP, teknologjia e të cilit egziston në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe publikon shifrat tejet ekzakte. Ja për shembull, sipas statistikave të MTKRS (punë e madhe për ata që nuk kuptojnë asgjë mes këtyre inicialeve barbare), bazuar në standardet dhe definicionet e Organizatës Botërore, për periudhën janar-15 shtator 2008, numri i vizitorëve me nënshtetësi të huaj është 1.042.907 dhe numri i vizitorëve me nënshtetësi shqiptare – gjithmonë të ardhur nga jashtë - është 1.115.487. Gjithmonë sipas të njejtave statistika, 63130 (6%) e të huajve janë vizitorë ditorë (eskursioniste) ndërsa 979777 (94%) jane vizitore me netë-qëndrime (turiste).
. Përballë këtyre shifrave të patundura, e vetmja kritikë që vjen nga skeptikët opozitarë është se shtetasit e huaj, në shumicën dërrmuese të tyre janë shqiptarë të dikurshëm që janë bërë të huaj rishtas - si puna e ime që shkon dhe fle tek prindërit dhe ha gjellën e tyre në vend të përfundoj në hotel apo në restorant, apo kosovarë që vijnë me trasta plot me speca apo me domate nga të Maqedonisë. E pastaj? A po më pengon kjo gjë që, sa herë vij në vendlindje, t’i shpenzoj evrotë me qindra dhe me mijra? Paçka se shumica më shkon për pashaporta dhe certifikata, për noterë dhe taksistë, për raki dhe kafe – si dhe për të paguar tragetet dhe avionat… Po turizmi ku hyn në këtë mes? – mund të pyesë dikush. Hyn që ç’ke me të – kam dëshirë t’i përgjigjem – nga momenti që ai justifikon si asnjë sektor tjetër rritjen e deklaruar të zhvillimit ekonomik të vendit, nga momenti që ai ekulibron mungesën e të ardhurave nga të tjerë sektorë si eksportet apo prurjet bankare (remitencat) e emigrantëve, nga momenti tjetër që ai stimulon dhe motivon motorin e kësaj rritjeje, sektorin e ndërtimtarisë... nga momenti i fundit që i lejon propagandës aguridhe së qeverisë të shitet në treg me sukses si rrush i arrirë.
. Si kurrëherë tjetër, dëshiroj t’i jap të drejtë Berishës kur flet me ngazëllim për milionat e turistëve dhe për miliardat e evrove – qoftë edhe për të kundërshtuar vullnetin e keq të Mustafa Nanos, i cili edhe mes arithmetikës së shifrave arrin dhe sheh litaninë e dënglave. Bile e ftoj t’i rishikojë shifrat dhe të deklarojë të tjera, edhe më të mëdha. Pasi ai ka harruar të llogarisë të tjerë turistë nga Tirana, që me paret e shtetit shkojnë në Dhërmi për të ngrënë peshk deti në skarë apo për të thyer rekordet e notit – për t’i dhënë një shtytje turizmit lokal. Bashkë me një tufë turistësh-roje po aq të motivuar, të gatshëm të mësyjnë në vijim edhe Korçën për të pirë nga njê shishe birrë jo dokudo – të parën në Ballkan, me certifikatë evropiane, sipas pijetarëve ekspertë vendas.
.
.
. * * *
.
. Ishte pikërisht ky udhëtim i fundit turistik i Berishës, i lagur me birrën lokale me famë, që më dha motivin e fundit të këtij shkrimi, thjesht për faktin se ai përmban brenda Korçën. Atë Korçë që falte me bujari të gjithë panelin e ngjyrave dhe shijeve, mahnitëse për një fëmijë: mollët e Dvoranit, dardhat e Qytezës, qershitë e Ersekës lajthitë e Bozdovecit, manat e Boboshticës, kumbllat e Sinicës dhe thanat e Gjergjevicës. Por, çuditërisht, janë dy të tjera pemë tipike mesdhetare - rrushi dhe dafina – që mbajnë të lidhur pazgjithshmërisht imazhin e Korçës në galerinë e kujtimeve të mia të fëmijërisë.
. Thuaj çdo fundgushti, të telendisur dhe të përvëluar nga pushimet e përvitshme buzëdetit, gjenim freskllëkun dhe qetësinë aq të dëshiruar në Korçë, tek shtëpia e e vjetër e gjyshes. E mësyrë kështu nga një tufë zhurmëmadhe nipërish e mbesash, ajo na bënte vend si mundte në dhomat e mëdha dhe të freskëta, të mbushura me reliket e jetës së saj prej borgjezeje të deklasuar, të tatuar dhe përfundimisht të harruar nga hakmarrja e pushtetit popullor i cili, sidoqoftë, kish arritur ta zhvishte nga pronat dhe gjithçka tjetër me vlerë që familja e gjyshit zotëronte. Të shtrirë pra në gjysmëmuzgun e odës, të parfumuar nga tavat me lulebliri që thaheshin nën shtretërit dhe të ngopur deri në grykë nga një lakror të saçit me qepë dhe domate që vetëm gjyshja ime ja dinte sekretin, sytë tanë bridhnin nga një objekt në tjetrin deri sa ndaleshin në atë pikturën e madhe përballë. “Apolloni dhe Dafne”. Padyshim një surrogato e origjinalit, por madhështore në kornizën e saj të praruar, e egzekutuar me shumë zell nga ndonjë dorë lokale e fillimshekullit – mjaft të kqyrje shputën e këmbës së majtë si drapër i spërdredhur të djaloshit perëndi-gjahtar, që gollomesh dhe me hark në dorë, renddte pa rreshtur pas vajzës të lebetitur, po aq gollomeshe sa ai vetë.
.Ç´i ka ato gjethe përpara ajo çupa?” – pyetëm jo pa djallëzi gjyshen që, hera-herës, vinte të sigurohej që s’ishim duke bërë prapësira.
.Gjethka rrushi, për të mbuluar turpin” – erdhi përgjigja, me një fije qortimi në të.
. Po ai djali, përse i ka hequr gjethet nga përpara dhe i ka vënë në kokë?” Ndoshta ishte gjyshja që e vonoi përgjigjen disa çaste, ndoshta ishte gjumi që e frenoi disi dëgjimin… nën magjinë e pikturës gjithçka u përzie në kokat tona të lodhura: Apolloni dhe Dafneja, gjahtari dhe gjahu, rrushi dhe dafinat…
. Sidoqoftë, edhe sot e kësaj dite ende më jehon në kokë zëri i saj që para se të hiqte derën, mërmëriti si nëpër dhëmbë:
.Kur e ha turpin me bukë si ai zuzari-perëndi atje, nuk hyjnë më në punë gjethkat e rrushit. Duhen të tjera, si ato të dafinës, për të fshehur turpin që shkruhet në ballë”.

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, September 13, 2010

Metafizikë e ferrit (1).


. Ferri i krishterë – zjarr, ferri pagan - duman,
. ferri mysliman – prush, ferri hindu – tym e flakë.
. Po t’u besojmë feve, Zoti paska lindur furrxhi.
. Victor Hugo - Choses vues.
.
.  « Sot prifti na foli për ferrin dhe vuajtjet e mëkatarëve… »

. E hoqa për një çast vëmendjen nga rryma kompakte e njerëzve në metro. Kqyra disi pjerrtas profilin e tim biri që përpiqej me sa mundej të shtrinte çapin, me gjithë peshën e çantës në kurriz dhe zbulova një shkëndijë djallëzie në vështrimin e tij të kaltër :
. «… por nga momenti që askush nuk është kthyer prej andej, si mund të jetë aq i sigurt ai në përshkrimin e tij ? »
. « Ndoshta këtë siguri ai e gjen Bibël, pasi aty-këtu ky libër flet për ferrin » - ju përgjigja pa pikë sigurie.
. « Pse, ai që e ka shkruar Biblën, ka qënë vallë në ferr ? » - kësaj rradhe sinqeriteti ndihej dukshëm në zërin e fëmijës.
. « Ai ose ata që e kanë shkruar, kanë qenë frymëzuar nga fjala e Zotit që mes të tjerash, ka krijuar edhe ferrin ».
. « Përse atëhere Zoti që është Mirësi krijoi ferrin dhe çon njerëzit në të ? ata njerëz që i krijoi po ai vetë sipas imazhit të tij ? »
. Në vend të tij do të kisha pyetur : kur e krijoi Zoti këtë ferr, përpara apo pas krijimit të Adamit dhe Evës ? por u turrëm për të kapur atë farë treni nëntokësor dhe duhet thënë patëm fat pasi dera metalike u mbyll rrafsh me shpinat tona. Nëse ferri sipas biblës ishte bërë për Satanin dhe engjëjt e tij të nxirosur, Egësirën, profetin e rremë dhe të gjithë ata që nuk përmendeshin në Libër, ky ferri tjetër ku gjendeshim ishte bërë për « djajtë » e vegjël, të thjeshtë dhe pa pretendime. Për turmën shumëngjyrëshe dhe shumëgjuhëshe, të lodhur dhe kutërbuese, e cila për hir të një mrekullie tokësore mbetej e padukshme në rrugët e gjera dhe të qeta të mbitokës, në magazinat e mëdha të ndritshme dhe erëmira të qendrës së qytetit. Ndoshta, pasi ata janë ngjizur me të njejtën lëndë transparente të ëngjëjve.
. Në qetësinë e shtëpisë, kujtimi i një të tillë bisede më shtyu drejt vargut të kundërshtive jo fort të përditshme : parajsë - Ferr, Zot – Satan, engjëj – djaj.. dhe më tej, dritë – errësirë, krijim – shkatërrim, mirësi – ligësi…. Sikundër një e fryrë e shkujdesur që shpurrit hirin e ftohtë të vatrës, mendimi heterodoks zbuloi gacën e ndezur dhe djegëse të fshehur mes shtresës së trashë të të vërtetave të vjetra :
.
. Megjithëse dikur, formimi ynë ateist trushpëlarës mbështetej mbi dialektikën e kundërshtisë, në krye të të kundërtave qëndronte materja si dhunë dhe fjala si ideologji dhe aspak ideja si dije apo morali si arbitër. Me një fjalë, simbolika jonë tokësore e mbijetesës, e materializuar në fillim me shpatën dhe më tej me kazmën dhe pushkën, këto hekura të nëntokës - atribute të trupit, qe në antitezë të plotë me amëshimin e shpirtit, të mishëruar në kryqin dhe librin, këto derivate të pemës së përjetshme.
.
Një arsye më shumë për t’ju rikthyer leximit, reflektimit, shkrimit ; në ndekje të atij filli të spërdredhur të urtësisë apo të marrisë njerëzore… shkurt, metafizikës.
.
.
. * * *
.
. I përballur që në ag të egzistencës së tij paleolitike me antinominë jetë-vdekje, njeriu e zgjidhi arbitrarisht dilemën duke « shpikur » varrin. Më tej, ai filloi ta mobilojë këtë varr me sende të përditshme (ushqime, armë, vegla deri edhe shoqërues frymorë) me idenë tashmë të formuar se « jeta e përtejme » do të ishte e ngjashme me atë tokësore, një përzgjatje e jetës reale. Një kohë më pas, ai u detyrua të pranojë se gjurma e vetme e kësaj simbolike mortore në kujtimin e të gjallëve paraqitej si një zhytje e pafund drejt harresës, drejt hiçit.
. Tashmë në epokën neolitike, duke u projektuar në një logjikë mistike parafetare që sugjeronte qenien e një varg forcash hyjnore që rregullonin egzistencën njerëzore, e vetmja zgjidhje « racionale » që paraqitej para njeriut ishte pikërisht ndarja fatlume e trupit nga shpirti. Një zgjidhje që bashkonte dëshirën e lumtur - rishfaqjen e shumëpritur të qenies së dashur, tashmë të përcjellë me ceremoni drejt banesës së fundit, dhe realitetin e trishtë – përmbajtjen e krimbur, të pluhurosur dhe minerale të varrit, konstat i përvojave të plaçkitjes së varreve dhe i kuriozitetit të sëmurë. Trupi, kjo mbështjellje materiale, e përkohshme - pra e vdekshme dhe e shkatërrueshme e qenies, mbyll rrugëtimin e tij tokësor në varr, ndërkohë që shpirti tashmë i çliruar nis një rrugëtim të ri, drejt horizontesh të reja – imagjinare dhe të imagjinuara.
. Megjithatë, edhe kjo zgjidhje e shpirtit fluturak paraqet disa vështirësi konceptuale, të vëna në pah nga pyetje krejt të natyrshme : cila është trajektorja e rrugëtimit të njeriut-shpirt ? ç’vend i rezervohet atij në jetën e përtejme ? Përgjigja mbetet komplekse dhe dhe thelbin e saj duhet ta kërkojmë mes elementëve të kulturës shpirtërore të qytetërimeve ose grup-qytetërimeve dhe nuk është e rastit që gjykimet të reflektojnë një botëpërfytyrim herë-herë linear, karakteristik i botës mesdhetare (Egjipt, Babilonë, Greqi apo Romë), herë-herë ciklik, tipik për Lindjen e Largët (Indi, Kinë apo Japoni).
.
. Ferri mitik.
.
. Djep kulturash dhe mitesh, Mesdheu, realitetin e tij të mesëm tokësor jo fort gazmor, që në lashtësi e ka plotësuar me dy ekstremet e boshtit kozmogonik : një « territor » përrallor i larë në dritë – pikërisht aty ku jetojnë forcat e larta dhe të plotfuqishme që qeverisin vetë jetën, Perënditë - parajsa ; si dhe një « territor » tjetër i errët dhe i frikshëm – aty ku kanë përfunduar perënditë e mallkuara, rrebele dhe të pamëshirshme - ferri. Më se e natyrshme që i pari të gjendet në pafundësitë e qiellit dhe i dyti në shpellat e thellësisë së tokës ! Cili është kriteri që përcakton ngjitjen në qiell apo zbritjen në greminë ? gjykimi i bëmave dhe i akteve të ish-të-gjallit nga zotërit fuqiplotë që arrijnë të ndajnë tufën në fatlumë dhe të dënuar – pesha e fajeve, e matur me kandarin shpirtpeshues. Aspekti më domethënës i imagjinatës mitike post-mortore është ndërthurja e saj me elementët e strukturës teogonike, karakteristikë thuaj e përbashkët e qytetërimeve të lashta të pellgut mesdhetar dhe të Lindjes së Afërme.
. Kështu, « bota e përtejme » e egjyptianëve është një imazh, i ngjashëm me vetë Egjiptin, refleks i pafundësisë të perëndive dhe e zoolatrisë të tij aq karakteristike. Ajo vjen si një rajon i pafund, i ndarë me mure dhe me porta, i rrethuar me këneta të përbaltura dhe i ndarë me lumenj dhe kanale – herë herë të zjarrtë. Shqetësimi më ndrydhës i egjiptianëve ishte pikërisht njohja e itinerarit që duhej zgjedhur si edhe përgjigjet e sakta që duheshin shqiptuar gjatë « provimit » përfundimtar. Ja përse sarkofaget e tyre përmbanin harta të vërteta si edhe tekste komplekse për të lehtësuar sadopak barrën e të vdekurve përpara turmës së gjykatësve fundorë (dyzet e dy të tillë), mes të cilëve shkëlqenin perënditë Osiris, Thot, Horus dhe Anubis. Ata që e meritonin shkonin me gëzim në mbretërinë e Osirisit, të tjerët që nuk ja dilnin mbanë këtij provimi ishin të dënuar me etje dhe uri të përjetshme në varret e pluhurosura, të detyruar të hanin mutin e tyre, të shqyer nga gjarpërinjtë e stërmëdhenj Apop dhe Sati.
. Elementët e ferrit asiro-babilonas shfaqen në epopenë sumere të Gilgameshit (mijëvjeçari i IIItë p.e.s) dhe « Zbritja e Ishtarit në ferr », heroit mbretëror të të cilës për t’i gjetur hyrjen ju desh të shkonte deri në kufirin e fundëm perëndimor, aty ku dielli shkon për të fjetur. Ky ferr paraqitet si imazh i përmbysur i vetë Babilonës : një qytet i tërë i nëndheshëm – Arallu – i mbrojtur nga shtatë mure dhe shtatë porta, i rrethuar nga ujrat e lumenjve. Sumerët dhe babilonasit e quanin « toka pa kthim » ose « shtëpia që kur hyn, askush nuk del ». Jeta e përtejme bazohet në ambivalencën mes gjumit dhe vdekjes, një egzistencë e zymtë, e lagësht dhe e mykur ; e materializuar në aftësinë e të vdekurve për t’u « zgjuar » dhe për të torturuar të gjallët. Ky ferr babilonas i nënshtrohet një logjike të pamëshirshme : të ndëshkuarit e vjetër formojnë rradhët e demonëve të pangopur, të ngarkuar me persekutimin e të porsaardhurve, të cilët nuk kanë merituar parajsën : vajzat e reja ende të virgjëra, nënat e vdekuar gjatë lindjes, të aksidentuarit apo të mbyturit, të vdekurit pa trashëgimtarë, të vdekurit e pavarr…
. Tek Hurritët aziatikë, e vetmja mënyrë për siguruar lidhjen mes botës të të gjallëve dhe asaj të të vdekurve dhe për të përmirësuar kushtet e « jetesës » të këtyre të fundit ishte kulti ndaj të vjetërve : gjakderdhja - flijimi i kafshëve apo i robërve për të marë me të mirë perënditë e ferrit. (BONNEFOY Y.(dir.) - Dictionnaire des mythologies, Paris, 1981).
. Helenët e vjetër, me sa duket, e trashëguan përfytyrimin asiro-babilonas të ferrit nga Hititët e Azisë së Vogël dhe e integruan në kozmogoninë e tyre karakteristike në formë boshti që lejon komunikimin mes niveleve të ndryshme të hapësirës së shenjtë tripërmasore (Parajsë, Tokë, Ferr). Një vizion artistik të kësaj hapësire na vjen prej Hesiodit (Teogonia). Sidoqoftë, ata kanë meritën e krijimit të një Panteoni të tërë perëndish si edhe të njehsimit për herë të parë të konceptit të ekstremeve (parajsë – ferr) në një strukturë hyjnore të kthyer kokëposhtë : një farë Olimpi të nëndheshëm, i drejtuar nga perëndi të mallkuara. Kështu, pas vdekjes dhe ndarjes nga trupi, të gjithë shpirtrat – psike përfundojnë në mbretërinë e Hadesit, ku presin të gjykohen, përpara se të njohin stacionin e tyre të fundit. Është Hades pra, nga gjinia hyjnore e vetë Zeusit, që mbretëron i plotfuqishëm, në një rajon që fillimisht sipas Homerit (Iliada) gjendet në perëndimin ekstrem – përtej lumit Oqean. Të tjerë helenë ja gjejnë vendin – gjithmonë nëntokë, herë-herë në stepat perëndimore (?!), herë-herë diku në fundin e botës së qytetëruar helene – në kepin Tenare, në jug të Peloponezit ose në Thesprotinë ilirike dhe të ilirizuar (Eric FOUACHE et al. - L'entrée des enfers de Thesprôtie : du mythe à la recherche d'une rationalité géomorphologique et historique, Université de Paris IV, Université de Lyon II, France).
. Pasi kalojnë portën e hyrjes, të ruajtur me xhelozi nga qeni trekokësh Cerber, të vdekurit pësojnë një seleksion fillestar : ata që s’janë varrosur sipas riteve duhet të presin një qind vjet në Ereb. Të tjerët përfundojnë menjëherë përpara një kolegji gjykatësish hyjnorë të përmortshëm Minos, Eaku dhe Radamanti të cilët gjykojnë në funksion të cilësive, të trimërive dhe të difekteve të sejcilit dhe orientojnë turmat sipas meritës. Më të lumturit përfundojnë në fushat Elizeane – një farë « parajse » e nëndheshme, ku të zgjedhurit gëzojnë një jetë të plotë dhe të këndshme, përpara rimishërimit të ardhshëm dhe ngritjes së tyre në hapësirën përtejhënore. Ata me më pak fat shkojnë në fushën e Asfodelit ku fantazmat e të vdekurve bëjnë një jetë të trishtë dhe të zymtë, duke mos arritur të fitojnë asnjë përmbajtje mishërore. Përfundimisht të pafatët përfundojnë njëherë e përgjithmonë në Tartar, i administruar nga Titanët, zona më e thellë dhe më e llahtarshme e ferrit, e parashikuar për kriminelët të ndëshkuar me vuajtje dhe tortura fizike dhe psikologjike. Me sa duket, kjo zonë është e pajetë dhe monotone me liqene të ngrirë, me pellgje squfuri dhe zifti të shkrirë, e rrethuar me lumenj të turbullt dhe me këneta që qelbura, thjesht për të penguar arratisjen e të dënuarve. Hadesi komunikon me sipërfaqen me anë të lumit Akeront (i vuajtjeve) – që rridhte diku në Çamërinë e sotme, një prej pesë lumenjve që rrethojnë banesën e fundit të perëndisë Hades : Stiksi (lumi i urrejtjes), Lete (lumi i harresës), Kociti (lumi i psherëtimave) dhe Flegjeton (lumi i zjarrtë).
. Etruskët italikë gjithashtu besonin në ndëshkimin post-vdekatar. Kujdesi jo i zakonshëm në përkushtimin ndaj të vdekurve reflekton konceptin e tyre të ferrit, i përfytyruar nën shembullin e Babilonasve si një vend torturash dhe dëshpërimi për manes (shpirtrat), fati i të cilëve mund të përmirësohej vetëm nëpërmjet flijimeve dhe gjakderdhjes. Pasardhësit romakë i adoptuan këto rite, bashkë me përfytyrimin etrusk të ferrit – Orcus ose Infernus – të cilëve ju shartuan mitet greke lidhur me Hades-in, zotin e atij vendi, që me atë rast ripagëzohet Pluton. Sipas tyre, hyrja në infernus gjendej diku në shpellat e liqenit Averne.
.
Në prag të lindjes së feve të mëdha monoteiste (judaismi, krishtërimi dhe islami), njeriu mitik mesdhetar ende heziton qoftë në raportet e ndërsjellta mes trupit dhe shpirtit, qoftë në karakterin e përkohshëm ose të përjetshëm të gjykimit dhe ndëshkimit hyjnor. I parritur, ndoshta i papjekur – ende i zhveshur nga ajo përmbajtje e mëvonshme morale që identifikon ferrin si vatra e të Keqes dhe parajsën si apoteozën e të Mirës - por gjithsesi epik, ai sidoqoftë guxon dhe sfidon vetë Perënditë që i imagjinon sipas shëmbëlltyrës së tij - heroikë.
. Nën shembullin e Odisesë, të Tezeut, të Periandrit, të Orfeut bile edhe të Herkulit, ai zbret pa qeder në ferr për të konsultuar të vdekurit, për të siguruar një provë të çmuar, për të çliruar një të ndëshkuar… deri edhe në kërkim të qënies së dashur, pasi sikundër vëren me të drejtë edhe Kadareja « … ferri ju ishte bërë familjar, diçka si qilari i shtëpisë së tyre ». (Ismail KADARE - Eschyle ou l'éternel perdant, Paris, 1988)
.
. (vijon) 

La suite.. - Vazhdimi...

Saturday, August 21, 2010

« Mos shpresoni t´i hiqni qafe librat »

.
. Sebepi u bë PPU me një shkrim të tij të llahtarshëm: I llahtarshëm në titull "Mos ua bëni librave funeralin", i llahtarshëm në përkthimin e tij (Zoti mbroftë atë përkthyes!). Një shkrim pa kokë as këmbë - një përmbledhje ad hoc e një libri të ardhshëm që pritet të dalë në tetor në Francë, që sjell para lexuesit bisedën e Umberto Eco me Jean-Claude Carrière.
. Në se i pari s´ka më nevojë për prezantim, i dyti e mban vehten për rrëfimtar. Të tjerët e vlerësojnë për shkrimet e tij (autor i suksesshëm i dhjetra librave, skenareve, teksteve të këngëve), sikundër dhe regjizor, autor dramaturg, sipas rastit edhe aktor apo këngëtar. Ka punuar me Jacques Tati dhe Luis Buñuel, me të cilin bashkëpunon mbi 20 vjet rresht. Ai bashkëpunon me Milos Forman (Valmont), Volker Schlöndorff (Le Tambour), Andrej Wajda (Danton), Louis Malle (Viva Maria, Milou en Mai), Jacques Deray (La Piscine, Borsalino), Jean-Paul Rappeneau (Cyrano de Bergerac) etj... Sidoqoftë, Eco dhe Carrière kanë të përbashkët bibliofilinë, lexime të panumërta dhe një magjepsje të thellë ndaj budallallëkut.
. Pjesë nga një bisedë fort pak e ujdisur mes dy mjeshtrave të fjalës. Bashkëbisedimi i tyre u përgatit dhe u pajis me një parathënie të Jean-Philippe de Tonnac. Ed. Grasset, 340 f. (do të dalë në librari në 21 tetor 2010).
.
.
. Umberto Eco. - A do të zhduket libri për shkak të internetit? [...] Në të vërtetë, shumë pak gjera mund të thuhen mbi këtë subjekt. Me internetin, ne u rikthyem në epokën alfabetike. Edhe në qoftëse kishim besuar ndonjëherë se kishim hyrë në qytetërimin e imazheve, ja që kompjuteri na riktheu në galaksinë e Gutenbergut dhe gjithkush është tqashmë i detyruar të lexojë. [...] Libri është si puna e lugës, e çekiçit, e rrotës apo e gërshërës. Nga momenti që i shpik, vështirë është të bësh diçka më të mirë. [...] Philippe Starck u mundua të përmirësojë shtrydhësen e limonit, por ai i riu i tij (për të ruajtur një farë pastërtie estetike) le farat të kalojnë. [...] Ndoshta [libri] do të zhvillohet në përbërësit e tij, ndoshta faqet nuk do të jenë më në letër. Por ai do të mbetet ashtu siç është.
.
. Jean-Claude Carrière. - Duket se versionet e fundit të librit elektronik (e-book) e venë në konkurrencë të drejpërdrejtë me librin e shtypur. Modeli Reader përmban tashmë 160 tituj.
.
. U. Eco. - S´ka asnjë dyshim që një gjykatës do të transportojë në shtëpi të tij ato 25 000 dokumentat e procesit gjyqësor aqë qi ndjek në se ato gjenden të memorizuara në një e-book. Në fusha të ndryshme, libri elektronik do të sjellë një komfort përdorimi të jashtëzakonshëm. Unë vazhdoj të pyes vehten a ja vlen të lexosh "Luftën dhe Paqen" në e-book. Do të shohim. Sidoqoftë, ne nuk mund të vazhdojmë të lexojmë Tolstoin sikundër edhe të tjerë libra të shtypur mbi brumë letre, thjesht pasi ata kanë filluar tashmë të dekompozohen në bibliotekat tona. [...]
.
. Jean-Philippe de Tonnac. - Me daljen në skenë të mjediseve të reja [...], përse të mos imagjinojmë përfundimisht një braktisje të lehtë të objektit libër në formën e tij tradicionale?
.
. U. Eco. - çdo gjë mund të ndodhë. Librat mundet të interesojnë nesërvetëm një grusht të paepurish që do të shkojnë në muze të kënaqin kuriozitetet e tyre të perënduara, në biblioteka.
.
. J.-C. Carrière. - Në se të tilla do të gjenden ende.
.
. U. Eco. - Por ne mund të imagjinojmë fort mirë se kjo shpikje e mrekullueshme që quhet internet të zhduket, në të ardhmen. Sikundër edhe balonat fluturuese që humbën në qiejt tanë. [...] E njejta gjë edhe për avionin Concorde: aksidenti i Gonesse-s në vitin 2000 qe fatal. Historia sidoqoftë është e jashtëzakonshme. Shpiket një avion, aë në vend të 8 orëve për të kapërcyer Atlantikun, i duhen vetëm 3. Kush do të kish guxuar të kundërshtonte një progres të tillë? Por ja që u hoq dorë prej tij, pas asaj katstrofës së Gonesse-s, duke çmuar që Concorde kushton shumë shtrenjtë. A është kjo një arsye serioze? Bomba atomike kushton po aq shtenjtë, në mos më tepër !
.
. J.-P. de Tonnac.- Po ju citoj një vërejtje të Hermann Hesse [...]. Ai shprehej kështu rreth viteve 1950 : « Sa më tepër, me kohë, nevojat e zbavitjes dhe të edukimit popullore mund të kënaqen nga shpikje të reja, aq më tepër libri do të rifitojë dinjitetin e tij dhe autoritet. [...]
.
. J.-C. Carrière. - Në këtë drejtim, ai nuk është gënjyer. Kinemaja dhe radio, bile edhe televizioni nuk i kanë hequr asgjë librit, asgjë të humbur "pa dëme".
.
. U. Eco. - [...] Ne mund të konsiderojmë se shkrimi është zgjatimi i dorës dhe në këtë kuptim, ai është thuajse biologjik. Ai përbën teknologjinë e komunikimit të lidhur ngushtësisht me trupin. [...] Ndërkohë qé shpikjet tona moderne, kinemaja, radio, interneti, nuk janë biologjike.
.
. J.-C. Carrière. - Keni të drejtë të nënvizoni: asnjëherë, ne nuk kemi patur nevojë të shkruajmë dhe të lexojmë se sot. Nuk mund të përdorim një kompjuter pa ditur té shkruash dhe të lexosh. Bile edhe në një formë më komplekse se dikur, pasi ne kemi integruar të tjera shenja, çelësa shtesë. [...] Mund të ndodhë një rikthim tjetër drejt të folurit, në se kompjuterat tonë do të arrinin të shkruajnë drejpërdrejt atë çka themi. Por kjo gjë do të shtrojë një tjetër problem: a mund të shprehesh mirë pa ditur të shkruash as të lexosh ?
.
. U. Eco. - Homeri do të përgjigjej pa asnjë dyshim: po.
.
. J.-C. Carrière. - Sepse Homeri i përket traditës gojore. [...] A mund të imagjnohet sot një shkrimtar që dikton romanin e tij pa ndërhyrjen pajtuese të shkrimeve dhe që nuk njeh gjë prej gjëje nga e gjithë ajo letërsi që e ka paraprirë ? [...] Rimbaud ishte një i ri gjenialisht i aftë, autor vargjesh të paimitueshme. Por ai nuk ishte aspak një i ashtuquajtur autodidakt. Në moshën 16 vjeçare, kultura e tij ishte ndërkohë klasike, e fuqishme. Ai dinte të kompozonte vargje në latinisht.
.
. * * *
.
.
. E pra, megjithë epitetet "i llahtarshëm", ky shkrim arriti të tërheqë vëmendjen e disa peshkatarëve kuriozë, shkrimet e të cilëve përmbajnë disa vërejtje interesante. Të denja për t´ja parashtruar autorëve. Por meqënëse nuk i kemi përballë (gjynah!), le të sjellim përgjigjet e njërit prej tyre - Jean-Claude Carrière - ndaj pyetjeve të të tjerëve peshkatarë, të detrave perëndimorë.
.
. Pyetje: Dihet tashmë sa mund të influencohet të shkruarit nga mjeti.. Por tabletat numerike si e-book a nuk do ta shëndrrojnë leximin, duke imponuar tekste, për të mos thënë vepra, më të shkurtra, më të ngulta dhe lehtësisht të kuptueshme, të ndërtuar ndryshe nga ato të shkruara mbi letër ? Po sikur ky model numerik të zhvillohet në shkallë të gjerë, sikundër mund të imagjinohet pa rrezik, dhe të ndajë popullatën e lexuesve në polivalentë dhe lexues numerologjikë, thuaj të paaftë të arrijnë të lexojnë më shumë se dy faqe letër? Ju falemnderoj për vëmendjen.
.
. Jean-Claude Carrière: i/e dashur, Më sipër, sigurisht, ju keni dashur të shpreheshit: të shëndrrojnë "shkrimin", të paktën në llojin e librave të propozuara, dhe jo leximin, i cili mbetet i nënshtruar ndaj një ritmi synor dhe mendor tashmë të vjetér. Nuk arrij të shoh se si mund të lexohet "ndryshe". "Të shkruarit", po, ndoshta. Thuhej dikur se makina e shkrimit favorizoi një ritëm tjetër, më të ndërprerë, më të shpejté. Nuk e di, s´jam i sigurt. Ma kanë bérë shpesh këtë pyetje, bile edhe ndaj kinemasë. Nuk di se si të përgjigjem. Nuk jam aspak profet. Disa studentëve amerikanë, ju përgjigja një ditë (ju kërkoj ndjesë për përsëritjen): a u shëndrrua vallë letërsia gjatë kalimit nga penda e patës në pendën metalike ? Askush nuk di gjë. Por diçka është e sigurt: jeta a patave po, ajo u shëndrrua. Lidhur me pyetjen tjetër tuajën, një mister: ç´do të ndodhë me leximin, po me lexuesit? Ndoshta, ata "lexues numerologjikë" do të jenë më të shumtë se lexuesit e sotëm, kush e di? Sikundër dhe kaq dhe aq shëndrrime të tjera teknologjike mund të ndërhyjnë... Pyetja e vërtetë mbetet e mëposhtmja: rrugëtimi i heshtur i gjësë së shkruar, lidhur me kuptimin tonë ose perceptimin tonë, a do të jetë vallë më i shkurtër dhe mbi të gjitha, më i mirë? A do të jemi ne rishtas të detyruar të mësojmë të lexojmë? Miqësisht, i juaji...
.
. Pyetje: Botimi numerik përmban avantazhe të rëndësishme: ekologjik, grumbullim thuaj i pafundëm (sasi dhe kohëzgjatje), lidhje drejt burimeve të tjera, fjalorë, mundësi komentesh përgjatë leximit, kërkime të menjëhershme me fjalë-çelës, shtypje e përzgjedhur, lexim me iPhone, mjete elektronike leximi, PC, letër.. A nuk keni përshtypjen që gjithë këto mjete që ofrojnë mjediset elektronike e bëjnë leximin më të lehtë dhe në rradhë të paré më të plotë? Personalisht, gjendem i çoroditur kur filloj dhe shfletoj një libër prej letre...
.
. Jean-Claude Carrière: Askush nuk ve në pyetje avantazhet praktike të e-book, por edhe ai mbetet një libër, në një tjetër formë. Zgjedhja e mjedisit të leximit është çështje personale e gjithkujt. Cështje mukajeti, ndoshta intimiteti të ndjeshëm me një objekt unik, personal, që dikush mund ta nënvizojë, zhgarravitë, palosë, grisë etj.. etj... Një gjë nuk arrin të eliminojë një tjetër dhe bilé më mirë kështu. Në vitet 20 apo 30, tregonin se kinemaja do të eliminonte të gjitha format e tjera të të shprehurit, teatrin, operan, bile edhe librin. Ajo pérbënte artin total. Rezultati: asnjëherë ekspozitat e pikturës nuk kanë tërhequr më shumë jjerézit sa sot. Kryesorja nuk është teknika por ideja. Miqësisht, i juaji...
.
. Vërejtje: Keynes thoshte: ari është një relikë barbare. A s´mund të thuhet në të njejtën mënyrë: letra është një relikë barbare?
.
. Jean-Claude Carrière: Plotësisht e mundshme, por druhem dhe dyshoj ndaj atyre qé i tregojnë barbarët me gisht. Mos doni të thoni me këtë: të vjetra, demodé, të tejkaluara? Apo, nën shembullin e Grekëve të dikurshëm, me "barbarë" quani ata që nuk dinin të shkruanin greqishten? Në këtë rast, papirusi, më tej, pergamena, dhe më në fund, letra kanë qenë faktorë të qytetërimit. Ndoshta jetra nuk do të arrijë të mbijetojë. Por nuk shoh asgjë të keqe në të. Ajo çka do të ishte vërtet e rëndë është zhdukja e të shkruarit. Nuk jemi ende aty: e provon vetë fakti që jemi duke shkruar. Me simpati...
. PS: fjala "relikë" ofron një farë parfumi të shenjtë, të çmuar, bile edhe mrekullor. A do të vijë vallë rasti të adhurojmë në atë apo këtë kishë, një origjinal të Flaubert, apo të Borges?
.
. Ndaj peshkatarëve vendalinj, po mundohem vetë të gjej argumentat:
.
. PF : Une do nxirrja si argument kryesor kunder argumentave te profesorit lenden nga e cila prodhohet letra: druri. Sikur botimi i gazetave, flyers dhe librave te ca poeteve si ajo Kezja p.sh qe na solli njehere Mirazh ketu te vazhdojne te botohen edhe per nja njezet vjet te tjera me te njejtet ritme, ai afrikani do te jete duke e lexuar librin i ulur ne barin e lendines, sepse drurin subtropikal ku duhet te ishte ulur, do ia kene prere per te bere letren e librit qe ai po lexon. Une nuk kerkoj qimen ne kashte, por sidoqofte nuk blej kurre gazete [...] Pemet jane gjeja e gjalle qe nderoj me shume ne kete planet.
.
. G.X : Ndjenjë e fisme dashuria dhe nderimi për drurin, pemët. Por përtej egzistencës si qënie e gjallë, nga të gjitha qytetërimet pema është kqyrur si pasuri natyrore, si lëndë e parë. Si e tillë ajo ka dhënë bishtin e kazmës dhe rrotën, qerren dhe barkën dhe mbi të gjitha qerestenë. Këtë lloj lënde e pret i njejti fund sikundër edhe naftën apo hekurin dhe mbetet funksion i drejtpërdrejtë i makutllëkut njerëzor. Aq më tepër kur produkti i saj më i çmuar - letra - përdoret për flyers apo të tjera "botime" që s´kanë të bëjnë aspak me letërsinë. Megjithatë, të mos harrojmë jo vetëm se prodhimi i letrës bëhet mbi bazën e mbetjeve të drurit (60%), të papërdorshme në fusha të tjera si mobiljet apo lënda e ndërtimit, sikundër dhe me letër të ricikluar (40%), por edhe se pema është një qënie fundi i të cilés është vdekja e natyrshme dhe e pashmangshme. Dhe besa do të preferoja që ajo pemë të shëndrrohet në një lëndë fisnike - letër për një libër që të mund ta shfletoj, ta lexoj dhe ta përkëdhel se sa kalbësirë, pleh për pemë të tjera.

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, June 25, 2010

Fundi i palavdishëm i monarkisë zogolljane (2).


.
. Nuk e tepërojmë aspak në pjesën e parë të këtij shkrimi duke përdorur fjalën « treg » pasi në këtë fundlufte, mes Fuqive të Mëdha po zhvillohej një treg, për të mos thënë një pazar. Qëkur u bë e qartë se fundi i Rajhut të IIItë tashmë ish i pashmangshëm, vëmendja e protagonistëve të koalicionit antifashist u drejtua krejt natyrshëm drejt rendit të ri evropian. Duke parashikuar raportin e ri të forcave që po shfaqej prapa Aleatëve fitimtarë, sejcila nga Fuqitë e Mëdha ish dhënë me mish e me shpirt në përllogaritjet e saja prej bakalli, siç ndodhi për shembull në Moskë, mes 9 dhe 12 tetorit të vitit 1944.
. Gjatë këtyre ditëve të shënuara, Çurçilli dhe Stalini, të shoqëruar nga ministrat respektivë të Punëve të Jashtme « vendosën » të legalizonin ndarjen e zonave të tyre të influencës mbi vendet ballkanike : 90% ndikim anglez përkundrejt 10% ndikimi rus në Greqi, « fifti-fifti » në Jugosllavi apo edhe në Hungari, pa folur për Bullgarinë (ku 75% ju la rusëve ndaj 25% për të gjithë të tjerët) dhe ende më pak për Rumaninë (90% për rusët kundrejt vetëm 10% për të tjerët). Meqënëse Shqipëria nuk përmendet gjëkundi në këtë listë të famshme « të marrëveshjes » – sado e çuditshme që kjo gjë mund të duket – dy hipoteza mund të hidhen :
. primo, ose këta burra shteti thjesht nuk kishin idenë se egziston një Shqipëri në Ballkan ;
 . secundo, ose për shkak të zhvillimeve rajonale dhe në dobi të politikave të tyre, ata s’patën nevojë të theksonin ndarjen e interesave të tyre në këtë vend pasi, paraprakisht dhe de facto, fati i tij ishte lidhur ndërkohë me atë të ndonjë fqinji, për shembull, të Jugosllavisë.
. Një analizë e thjeshtë e të dhënave – deklaratat zyrtare të Aleatëve që prej vitit 1942 dhe qëndrimi i tyre ndaj ish-Monarkut Zog ; të gjendurit në terrenin shqiptar të një numri jo të vogël misionesh ushtarake - angleze në rradhë të parë ; të gjendurit e një misioni ushtaral të UNÇ pranë Shtabit të Përgjithshëm të forcave aleate në Bari apo edhe të burimeve të tjera të dokumentuara - ve në dukje brishtësinë e hipotezës së parë e cila mezi e justifikon vetvehten. Mjafton të themi se ky « pazar » u bë mbi një numur fare të kufizuar vendesh ; mjafton gjithashtu të lexojmë dorëshkrimet e ministrit të Jashtëm britanik Ser Antoni Iden, të redaktuara përpara takimit të Moskës. Iden kujtohet që të ketë diskutuar me Çurçillin lidhur me Shqipërinë dhe Mbretin Zog jo më vonë se sa natën përpara bisedimeve të famshme. (Extracts from pencilled diary kept by Anthony Eden Oct 9-12, 1944 on his visit to Moscow. Lord Avon papers, University of Birmingham, file AP.20/3/09.
.
.
. Në të kundërt, hipoteza e dytë është mjaft këmbëngulëse, qoftë nën dritën e punës përgatitore të kryer nga Tito - me anën e përfaqsuesve të tij pranë PKSH që përpiqeshin me ngulm që Shqipëria të bëjë pjesë në strukturën jugosllave të pasluftës, qoftë edhe me rastet e patura nga Mareshalli për të zhvilluar pikpamjet e tij përpara protagonistëve të takimit të Moskës. Kështu Tito kish parë Çurçillin në Napoli, më 12 gusht 1944, dhe të dy burrat e shtetit kishin folur mbi të ardhmen e Ballkanit, jo thjesht simbolikisht. Muajin tjetër Tito fluturoi në Moskë dhe debatoi me Stalinin, në 22 shtator të vitit 1944 – vetëm dy javë përpara takimit të lartpërmendur mes këti të fundit dhe Çurçillit. Përveç faktit që ai mundi të fliste për herë të parë si i barabartë me të zotin e shtëpisë – sikundër shprehen biografët e tij, shqetësimi i Mareshallit ishte që të linte një përshtypje sa më të madhe lidhur me peshën e tij në planin ballkanik dhe të sigurohej mbi mbështetjen sovjetike që deri atëhere ndahej mes lëvizjes partizane dhe asaj çetnike mbretërore.
.
. Përfundimisht, duke « braktisur » Zogun dhe qeverinë e vet në mërgim në kryeqytetin e tyre Londër dhe duke nxituar të hynin në marrëdhënie zyrtare me zotërit e rinj të Tiranës, të dërguarit e Mbretëreshës i dhanë goditjen përfundimtare monarkisë shqiptare. Një fat aspak i lakmuar, bile dhe i pamerituar – duke e krahasuar me atë të sivëllezërve të tjerë ballkanikë. Kështu për shembull, me ndërmjetësinë e tê njejtëve anglezë, në nëntor 1944, kryetari i qeverisë mbretërore jugosllave në mërgim Ivan Subashiq u takua me Titon dhe arritën të bien dakord të krijojnë një Këshill Regjence që duhej të organizonte një plebishit kombëtar lidhur me të ardhmen e Mbretërisë dhe rikthimin e Mbretit Pjetër II i Jugosllavisë. Jo më vonë se në mars 1945, qeveria e parë jugosllave e dalë nga lufta përmbante në gjirin e saj tre ministra, të caktuar nga Mbreti. Përse kjo diferencë angleze në trajtimin e monarkëve ballkanikë ? Ndoshta, për hir të faktit se ky Pjetër II, që në verën e vitit 1944 u kish bërë thirrje nga Londra me radio të gjithë besnikëve të tij të bashkoheshin me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare jugosllave dhe të njihnin Titon si kryekomandant të të gjitha forcave të rezistencës...
. Duke ju rikthyer Shqipërisë së paslufte, gjatë muajve të parë të vitit 1945, misioni i dikurshëm ushtarak anglez rriti personelin e tij dhe u shëndrrua në një përfaqësi civile, i ndjekur hap pas hapi nga një mision amerikan me një personnel më të kufizuar. Zyrtarisht dhe sipas dëshirës së palës pritëse, këto misione duhej të përgatisnin terrenin për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me qeverinë e re të Tiranës. Sipas shembullit të sovjetikëve, të cilët e kishin kaluar këtë fazë qysh në nëntor të vitit 1945, apo edhe të francezëve që njohën qeverinë e Hoxhës një muaj më pas, në dhjetor, anglezët dhe amerikanët vendosën të bëjnë të njejën gjë, të paktën në letër. Sidoqoftë, marrëdhëniet e pushtetit komunist me këto dy demokraci të mëdha mbetën në një nivel shumë të ulët pasi, ndërkohë që anglezët kërkonin një seri garancish demokratike, Amerikanët ngulmonin mbi vlefshmërinë e « traktateve dhe marrëveshjeve të nënshkruara mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë që para lufte dhe deri në prill të vitit 1939 » - pa harruar se në qershor të vitit 1946, qarqet panhelene të Shteteve të Bashkuara mundën të kalonin një rezolutë në Senatin amerikan – e njohur me emrin Rezoluta Pajpër – që theksonte përkatësinë e Epirit të Veriut në shtetin Grek. Sebep apo arsye e thellë, ky qëndrim « i papërgjegjshëm » i amerikanëve u vlerësua shumë ashpër nga qeveria e Hoxhës dhe ndikoi jo pak në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
. Marrëdhëniet me aleatët perëndimorë morën një goditje të mëtejshme me refuzimin nga ana e Londrës të kërkesës së autoriteteve komuniste lidhur me dëbimin nga territori italjan të « kriminelëve të luftës » shqiptarë dhe dorëzimit të tyre drejtësisë komuniste. Bëhej fjalë për disa qindra apo mijra ish-luftëtarë, politikanë apo ikanakë ballistë dhe zogistë që kishin braktisur vendin gjatë ditëve të fundit të luftës, të mbledhur nga anijet luftarake angleze në Adriatik dhe të strehuar në kampe. Ndërkohë, fakt kurioz, të njejtët anglezë nuk ngurruan aspak t’i rikthenin rregjimit të Titos në maj 1945 një turmë të tërë ustashësh kroatë, rojesh kombëtar sllovene dhe çetnikësh serbë bashkë me familjet e tyre – rreth 50.000 vetë ; ikanakë që zgjodhën t’u dorëzoheshin forcave aleate në Bleiburg, në kufirin austriako-slloven, dhe që përfunduan të gjithë tä masakruar, në gropa të përbashkëta.
. Tensioni u rrit një shkallë më tepër pasi si kundërpërgjigje, regjimi komunist hodhi poshtë kërkesën britanike dhe amerikane për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve për deputetë në Asamblenë popullore, në dhjetor të vitit 1945. Si për të nënvizuar vullnetin e saj, qeveria e Tiranës kufizoi lëvizjen e personelit të tyre diplomatik në brendësi të vendit.
. Preteksti ishte i mjaft i gjetur pasi, varianti zyrtar i autoriteteve shqiptare përmendte ndërhyrjen e anglezëve dhe të amerikanëve në punët e brendshme të vendit si dhe implikimin e shërbimeve të huaja në përgatitjen e një kryengritjeje antikomuniste në Veri. Në fakt, komunistët kishin hasur në një rezistencë mjaft të ashpër në zonat e Mirditës apo rreth Shkodrës ku vepronin një numur çetash apo bandash, streha e fundit e një numri ballistësh apo zogistësh të vendosur deri në pikën e fundit të gjakut. Në janar të vitit 1945, këto grupe luftëtarësh kishin sulmuar dhe pushtuar apo çliruar – varet nga bindjet politike të vëzhguesit – lokalitetin e Koplikut ndërkohë që disa muaj më pas, në shtator, një turmë prej 400 burrash të armatosur kishte mundur të hynte bile edhe në Shkodër.
. Të acaruar nga vendimi i fundit i qeverisë së Enver Hoxhës që ju ndalonte ushtarakëve britanikë të administronin shpërndarjen e ndihmës humanitare të UNRRA-s, në prill të vitit 1946, anglezët shpallën se tërhiqnin misionin diplomatik. Një veprim i njejtë u ndërmorr edhe nga amerikanët, të cilët larguan njerëzit e tyre në nëntor. Tirana kundërveproi menjëherë dhe denoncoi aktivitetin e spiunazhit dhe sabotimin e « grupit të Maliqit ». Sipas autoriteteve shqiptare, një grup inxhinierësh dhe specialistësh të formuar nga shkolla teknike amerikane kishin sabotuar punimet e tharjes së kënetës së Maliqit, duke ju bindur urdhrave të padronëve të tyre perëndimorë. « Sabotatorët » e Maliqit u gjykuan dhe u dënuan me vdekje për aktivitet armiqësor, megjithë mungesën e provave të vërteta apo të vërtetuara mbi këtë aktivitet apo edhe mbi një ndërhyrje çfarëdo amerikane, pa minimizuar faktin tjetër se vetë ideja e « sabotimit » në kanalin e Maliqit nuk mund t’i rezistonte asnjë logjike të shëndoshë : një kanal i thjeshtë prej disa qindra metrash që lidhte kënetën e dikurshme me lumin e Devollit, i gërmuar me forcën e krahut – kryesisht nga tregëtarët e shpronësuar dhe intelektualët e dënuar me punë të detyruar.
. Megjithatë, përtej natyrës krejt tendencioze të akuzave dhe dënimit me karakter thjesht politik, gjithçka lejon të mendohet se ish-drejtori i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë, Hari T. Fullc, i cili gjatë luftës drejtonte aktivitetin e shërbimit të zbulimit amerikan në Shqipëri dhe në periudhën e pasluftës ishte antar i misionit diplomatik amerikan, nuk ishte kufizuar vetëm në rolin e vet pedagogjik para lufte. Sikundër dhe njihet botërisht që Kryqi i Kuq Junior i Shteteve të Bashkuara, ajo organizata paraqeveritare që ka themeluar dhe drejtuar Shkollën Teknike në Tiranë që prej vitit 1921, ka qenë dhe mbetet një nga ato mbulimet zyrtare nën të cilat punon CIA në një numur të madh vendesh të botës.
.
. Përgjigja anglo-amerikane ndaj « kokëfortësisë së paturpshme » të rregjimit komunist të Tiranës nuk vonoi dhe gjeti shprehjen e saj më të përkryer në planin ndërkombëtar. Me propozimin e këtyre antarëve themelues të Konferencës së San Franciskos, kërkesa shqiptare për t’u pranuar në OKB u hodh poshtë. Çështja e pjesëmarrjes shqiptare në përgatitjen e traktateve të paqes me Italinë dhe Gjermaninë u paraqit po aq e ndërlikuar. Enver Hoxha, i shtrënguar nga uniforma e tij e re e gjeneral-kolonelit, përfitoi nga rasti i dhënë nga Konferenca e Paqes, e mbajtur në Paris nga 29 korriku deri më 15 tetor të vitit 1946, për të përshkruar një tabllo të përpjekjeve të vendit të tij gjatë luftës nacional – çlirimtare, kundër fashistëve italjanë dhe nazistëve gjermanë. Me të drejtën që i jepte roli i tij prej fitimtari, ai kërkoi të bashkëngjiste Shqipërinë me koalicionin antifashist dhe kërkoi shpërblim për dëmet e pësuara dhe së fundi - për të kundërshtuar ndikimin grek mbi Konferencën, ai paralajmëroi të pranishmit për vullnetin e popullit të tij për të ruajtur integritetin territorial të vendit. Idetë themelore që përshkonin fjalimin e Hoxhës ishin siguria në mbrojtjen jugosllave si edhe shqetësimi i tij lidhur me sjelljen e vendeve perëndimore. Megjithë thirrjet drithëruese të Hoxhës, Konferenca nuk mori parasysh asnjë nga kërkesat e shtruara nga shqiptarët. U desh të pritej përpilimi përfundimtar i Traktatit të paqes me Italinë në vitin 1947, për të mësuar se asaj i ishte njohur e drejta e një dëmshpërblimi qesharak prej 5 million dollarësh për dëmet e luftës. Sidoqoftë, sipas klauzolave të këtij Traktati, Italia hiqte dorë nga të gjitha koncesionet e vjetra, nga të gjitha pasuritë dhe të drejtat që ajo gëzonte në Shqipëri që përpara lufte. Ajo njihte njëkohësisht sovranitetin e Shqipërisë mbi ishullin e Sazanit, në hyrje të gjirit të Vlorës.
. Një incident i rëndë ndodhi në vitin 1946, midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, ndërkohë që kjo e fundit ishte shprehur në favor të vendosjes së juridiksionit të saj mbi kanalin e Korfuzit, këtë parcelë ujore që ndan tokën nga ishulli grek me të njejtin emër. Britania e Madhe nxitoi të çonte në vend disa anije lufte që ranë mbi mina. Dy prej tyre u mbytën, në 22 tetor 1946, dhe bashkë me to humbën jetën edhe dyzet e katër antarë të ekipazhit. Britania e Madhe e çoi çështjen përpara Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, e cila megjithë protestat e shqiptarëve dhe justifikimit që vendi i tyre nuk zotëronte mina, vendosi të njohë fajësinë e Shqipërisë në këtë çështje. Në vazhdim, britanikët u vetëshpërblyen duke bllokuar arin shqiptar (1.100 kg), të kapur në territorin gjerman pas mbarimit të luftës së Dytë botërore. Kjo çështje e « arit të vjedhur » nga britanikët zgjati me dhjetëvjeçarë dhe helmoi në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve.
. Ndërkohë, një rrezik i ri po merrte formë në Jug të vendit për shkak të luftës civile në Greqi. Kjo luftë që lindi menjëherë pas tërheqjes së trupave gjermane, kish vënë ballë për ballë bashkëluftëtarët e dikurshëm : pas disa përpjekjeve pajtimi, të ndjekura nga masakra të përgjakshme të kryera nga të gjitha palët, monarkistët e EDES-it, të mbështetur dhe të armatosur nga anglezët, mundën të izolojnë dhe të shtynin drejt maleve komunistët e KKE, që vepronin në rradhët e EAM/ELAS. Nga momenti që e majta greke u zbua nga pushteti, ajo humbi kontrollin e qyteteve dhe asaj ju desh të rifillonte një luftë të re partizane kundër forcave qeveritare. Vendet komuniste fqinje (Jugosllavia, Shqipëria dhe Bullgaria) pa asnjë mëdyshje u shprehën për të ndihmuar aktivisht forcat partizane greke, duke ju furnizuar atyre armë, municion dhe ndihmë mjeksore. Gjatë disa viteve, luftëtarët grekë përdorën teritorin shqiptar si prapavijë, aq më tepër që edhe pritja e rezervuar ishte gjithmonë e mirë. Në janar të vitit 1947, Kombet e Bashkuara, nën frymëzimin amerikan dhe të Britanisë së Madhe, krijuan një Komision vëzhgimi në Athinë i cili rekomandoi krijimin e një nënkomisioni të përhershëm me bazë në Selanik, për të vrojtuar kufijtë ndërshtetërorë. Qeveria shqiptare sikundër edhe qeveritë e tjera komuniste të Ballkanit i ndaloi hyrjen në territorin e vet, gjë e cila nuk e pengoi nënkomisionin në fjalë të nxirrte përfundimin që Shqipëria përbënte një nga bazat kryesore logjistike të EAM-it dhe ta përshkruante atë si një rrezik për demokracinë greke në pelena. Në shkurt të vitit 1947, Britania e Madhe hoqi dorë nga administrimi i çështjes greke duke ja kaluar detyrimet e veta Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë marrje në ngarkim, Presidenti Truman gjeti rastin të shpallte përpara Kongresit Amerikan në 12 mars 1947, doktrinën e tij të famshme « të mbështetjes së vendeve të lira, të rrezikuara nga pakicat e armatosura ose nga forcat e huaja ». Ofertës amerikane - pjesë përbërëse e kësaj doktrine e njohur ndryshe edhe si « Plani Marshall », Shqipëria u përgjigj në mënyrë negative pa ngurrim, natyrisht duke kopjuar qëndrimin e vendeve të tjera komuniste, të cilat në bllok dhanë një përgjigje mohuese.
. Në 5 qershor 1947, Sekretari amerikan i Shtetit Xhorxh C. Marshall mbajti një fjalim programatik në Universitetin e Harvardit, gjatë të cilit ai njoftoi masat ekonomike dhe politike që duheshin vënë në jetë për rindërtimin e Evropës së shkatërruar. Një muaj më vonë, në 4 korrik 1947, qeveria shqiptare u ftua nëpërmjet një telegrami për të marrë pjesë në Konferencën ekonomike të Parisit, e parashikuar të mbahej në 12 korrik të të njejtit vit, bashkë me 21 vende të tjera. Kjo konferencë, e organizuar nga Franca dhe nga Anglia duhej të diskutonte mënyrat dhe mekanizmat që duheshin parashikuar për të konkretizuar « planin Marshall ». Të nesërmen e kësaj dite, në 5 korrik, Enver Hoxha sikundër edhe Sekretarët e tjerë të Parë të partive komuniste të vendeve të Lindjes, mori një telegram tjetër, kësaj rradhe nga ana e PKBS, që i kërkonte të bashkohej me vijën sovjetike gjatë Konferencës që do të konsistonte në refuzimin e ndihmës amerikane. Një telegram i dytë nga Moska arriti në 6 korrik, që i sillte udhëzimin e ri, sipas të cilit Shqipëria duhej të vononte përgjigjen për marrje pjesë në këtë Konferencë ndërkohë që një telegram i tretë, gjithmonë nga ana e sovjetikëve, mbrrinte më 7 korrik. Sipas këtij të fundit, shqiptarët duhej të refuzonin publikisht pjesëmarrjen në këtë Konferencë dhe si pasojë ata duhej të hidhnin poshtë ofertën amerikane po publikisht. (Mikhail M. NARINSKY - The Soviet Union and the Marshall plan, në: www. Cwihp.si.edu - Cold War International History Project - CWHIP Document Library).
.
. Nga mesi i korrikut të vitit 1949, Jugosllavia në grindje të hapur me vendet e tjera komuniste, mbylli kufijtë e saj maqedonas me Greqinë dhe ndërpreu çdo ndihmë ndaj partizanëve të EAM-it. Pjesa më e madhe e trupave partizane të Komandantit Markos, pasi u mundua më kot të zhvillonte një luftë frontale kundër ushtrisë greke, të pajisur me shpenzimet e amerikanëve, u gjend e izoluar në pjesën veriore të Epirit. Nën presionin e trupave qeveritare, partizanët grekë u grumbulluan pranë kufirit shqiptar dhe u bllokuan në lartësitë e maleve Gramoz dhe Viçi. Atyre mijra luftëtarëve, grave edhe fëmijëve grekë ju desh të zgjidhnin mes bombardimeve me napalm të aviacionit greko-amerikan ose kapërcimit të kufirit për t’u strehuar në vendin fqinjë. Shumë prej tyre zgjodhën rrugën e dytë, të ndjekur këmba këmbës nga ushtria greke, e cila nuk pati asnjë dyzim për të dhunuar integritetin e Shqipërisë. Kështu, në gusht të vitit 1949, disa batalione të ushtrisë helene avancuan me qindra metra brenda territorit shqiptar, në një zonë që shkonte nga Bilishti në Leskovik, dyzet kilometra më në jug. Luftimet e përgjakshme vazhduan disa ditë mes forcave ndëshkuese greke dhe njësive të rregullta të ushtrisë shqiptare. Ndërkohë, me shterrimin e valëve të ikësve, Grekët vendosën të tërhiqen. Disa dhjetra mijra refugjatë grekë u strehuan në këtë mënyrë nëpër kampe, nga të cilët vetëm ai i Cërrikut numëronte rreth 60.000 frymë. Me vendim të përbashkët të Kominformit, pothuaj që të gjithë u larguan nga Shqipëria për t’u vendosur në vendet e tjera të Evropës së Lindjes. Vetëm udhëheqja e KKE, me Niko Zakariadhisin në krye, e zgjati qëndrimin në Shqipëri edhe disa muaj të tjerë, para se të merrte rrugën për në Bashkimin Sovjetik.
. Përpjekja e dështuar e komunistëve në Greqi dhe largimi i Jugosllavisë nga vatha sovjetike vunë në dukje brishtësinë e gjendjes në të cilën ndodhej Shqipëria, ky vend në periferi të Perdes së Hekurt që tashmë ndante Evropën në dysh. Që nga fundi i vitit 1946, anglezët të lodhur nga ngurtësia e qëndrimeve të Hoxhës ja kishin besuar administrimin e çështjes shqiptare shërbimeve të tyre sekrete. Nën ndikimin e specialistëve të kalibrit të Julian Ameri u krijua një lob i vërtetë konservator, i cili mori në dorë koordinimin e tërësisë të aktiviteteve minuese dhe diversioniste ndaj vendeve komuniste dhe, siç mund të pritej, puna filloi nga hallka më e dobët e sistemit. Rregjimi komunist i Shqipërisë duhej të ndëshkohej për incidentin e kanalit të Korfuzit, për rolin e saj aktiv në mbështetje të rrebelëve grekë ose më tej, që ajo të rikthehej qoftë edhe me forcë në atë sistem vlerash demokratike, të përcaktuara vite më parë nga Presidenti Uilson. Në këtë mënyrë, përmbysja e rregjimit të Enver Hoxhës do të ishte një mësim i mirë për Stalinin, në lidhje me grushtin e shtetit të organizuar në Çekosllovaki, për bllokimin e Berlinit apo për gjëmat e tij të tjera të panumërta.
. Hapet kështu faza e tretë dhe e fundit e peripecisë zogolliane në mërgim : përpjekja për të përmbysur rregjimi komunist të Hoxhës.
.
. (vijon)

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur