"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, December 27, 2009

Gëzuar.. !

.
.
. Të dashur miq dhe dashamirë. .
. Ju uroj nga zemra : Gëzuar… në këtë çast, sytë dyzojnë dhe mendimi ndalet : meqënëse jemi në fund të vitit na është bërë zakon të urojmë fillimisht ditëlindjen e Krishtit - dhe më tej Vitin e Ri. Por në se ditëlindjen e Krishtit e quajmë Krishtlindje, përse atëhere urojmë : Gëzuar Krishtlindjet ? .
. Përse Krishtlindjet në shumës ? vallë Perëndia kish ngjizur disa djem si Krishti ? apo ky i bekuar Krisht ka lindur disa herë rresht ? Edhe një ish-ateist si puna ime, sot agnostik dhe laik – por sidoqoftë i pagëzuar që foshnjë – e di fare mirë që Jesusi i Nazaretit, ky bir unik i Zotit dhe mishërimi i tij i gjallë, pjella e virgjëreshës Mari dhe e Frymës së Shenjtë, mendohet se ka lindur diku në Betlehem, mes kafshëve shtëpiake të një stalle, në një datë të papërcaktuar – në mos të harruar. Më vonë, me reformën e kalendarit, Roma zyrtare vendosi që kjo datë të jetë 25 dhjetor ndërkohë që të tjera kisha, besnike të kalendarit gregorian, vendosën ta festojnë në 7 janar. Edhe nëse ve në dyshim shqipen time, të gjithë gjuhët e tjera që flas dhe lëçit më japin të drejtë : Chrismas, Navidad, Nöel, Natale…
.
. Ç’është ky zell shqiptaresk për të shumuar ditën e lindjes si dikur vetë Krishti bukët ? .
.
. - ndoshta për shkak se nuk e kemi festuar këtë ditë përgjatë një gjysëm shekulli – foli dikush përballë, mes dy kafshatash mishi. Ndoshta.. por ama, kjo mungesë shpirtërore gjysëmshekullore nuk na shtyn të shumëfishojmë as Ramazanët, as Kurban Bajramët as edhe Festat e Hashureve… .
. - ndoshta, meqënëse e festojmë çdo vit… - Hajde pra, të fajësojmë maninë e festimit të përvitshëm. Por, sidoqoftë, kjo festomani nuk i shtyn mysafirët të më urojnë çdo vit : gëzuar ditëlindjet ! dhe aq më pak njeriun e rrugës të më përshëndesë me tradicionalen : Gëzuar Vitet e Rinj ! .
. - atëhere është gabim i televizorit, faji i ndonjë regjizori shumë të zellshëm - m’u përgjegj fqinji im i tryezës që si unë po kqyr ekranin ku po shkasin urimet. Gabim posepo, faj ndoshta, por sidoqoftë regjizori i zellshëm nuk është më pak i papërgjegjshëm se sa përfaqësuesit më të lartë politikë të vendit – pa dallim feje, krahine dhe ideje – do të kish thënë rilindasi. Për shembull, Kryeministri Berisha uron shkodranët gjatë vizitës së Kishës Ortodokse dhe të Katedrales të qytetit të Shkodrës : "Krishtlindjet e tjera ti festojmë me një besim më të madh te Zoti, te vetja dhe te Shqipëria, si dhe të lëvizim të lirë në mbarë Evropën si qytetarë të një vendi të lire në v.2010 ». Ndoshta, i rritur në një tjetër frymë, dhe nën hijen e të tjera minaresh , ai edhe gabon… po ç’emër t’i vemë atëhere znj. Topalli, katolike e devotë, kur ju deklaron tiranasve nga Katedralja e Shën Palit dhe nga Kisha ortodokse autoqefale : « Dita e Krishtlindjeve, është një ndër festat më të hareshme është dita në cilën lind shpresa për një botë të re, për një paqe të re dhe kjo na bën që në familjet tona të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimet e tyre fetare ta shohin si një festë shumë të ngrohtë që të jep optimizëm dhe besim për të ardhmen » ? Këtij mëkati nuk i shpëton as z. Rama që, me gjithë praninë e të Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, uron me plot gojën : “Ju uroj të gjithëve Gëzuar Krishtlindjet! Mbi të gjitha dua që ky urim t’ju shkojë të gjitha familjeve shqiptare që në këtë fundviti përballen me një krizë e cila ka nevojë për durim, ka nevojë për mundim, ka nevojë për sakrifica të veçanta, që unë uroj dhe shpresoj që nuk do të vazhdojnë për një kohë të gjatë ». .
. Zaten, këtij tundimi nuk i shpëtojnë as vetë klerikët, ipso facto. « Telegrafi » kosovar na mëson se « me rastin e Krishtlindjeve katolike, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji të enjten, më 24 dhjetor do të organizojë një pritje solemne për personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë e punojnë në Republikën e Kosovës, në Rezidencën e re Ipeshkvnore ». Nga disa mijra kilometra më tej, Zëri i Amerikës, Uashington, sjell lajmin se Hirësia e tij Ilia Ketri, Episkopi i Patriarkanës Ikumenike të Kostandinopojës, të Stambollit, i caktuar për besimtarët shqiptarë shqipfolës, ortodoksë të Amerikës u uron shqipfolësve të tij urbi et orbi Gëzuar Krishtlindjet. Edhe "Ngjallja", organi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë e titullon kryeartikullin e saj festiv "Gëzuar Krishtlindjet".
. Nga të rrallët që i përmbahet protokollit – si edhe gjuhës – është Papa Benedikt XVI, i cili gjatë mesazhit tradicional poliglot përshëndet në shqip « gëzuar Krishtlindjen ». Por një gazetar më tutje, një redaktor më tej edhe mesha papale kthehet - edhe ajo - në të Krishtlindjeve.
. Mes kësaj kakofonie urimesh, pritjesh dhe meshash të paganëve shqiptarë të ripagëzuar që kremtojnë lindjet e Krishtit duke shnatyruar gjuhën e nënës, preferoj më mirë të uroj thjesht : « Gëzuar… ».

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur