"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, August 2, 2009

Metafizikë Patriotike (3).

. Shopenhauer : .. « Njeriu është një kafshë metafizike ».

. . Patriotizmi si profesion.

.

. Rrallëherë letërsia e madhe ka denjuar të merret seriozisht me tema të tilla të zararshme si patriotizmi dhe po aq rrallëherë, shkrimtarët dhe të tjerë mendimtarë - të mëdhenj dhe të vegjël - kanë mundur t’i shmangen ngasjes për të shprehur gjykime – herë-herë mikluese dhe të tjera herë besa fort të ashpra – ndaj fenomenit patriot.
. Kësaj ngasjeje nuk i ka shpëtuar as Kadareja ynë kombëtar i cili, në esenë e tij Kombi shqiptar në prag te mijëvjeçarit te tretë. (Tirane, Onufri, 1998) shprehet si më poshtë :
. . « .. Shqiptarët janë të detyruar, midis të tjerash, të bëjnë një zgjedhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin. Mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin, që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit, ata duhet t'i përgjigjen me nje "jo" të prerë. Patriotizmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi. Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit, e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vendet e tyre, dhe si të gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen me të. Ndërkaq vetënderimin për vendet e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve, pa kursyer asgjë, madje as forcën e armëve ».
. . Mjafton të përshkosh përsiatjen e shkurtër të Kadaresë për të ndjerë shqetësimin e asokohe të krijuesit, ende i traumatizuar nga ngjarjet e « vitit të prapë 1997 » të cilin ai dukshëm e ka përjetuar si një moment ku « Shqipëria u përpoq të vetëvritej », gjithë-gjithë duke u bërë zëdhënës i atyre që sikundër ai, s’ishin « në gjendje të shkoqitin e te zhbirojnë shkaqet e thella e ndërthurjen e kushteve që e sollën popullin shqiptar në këtë ditë me të vërtetë të zezë të tij ». E pra, nën këtë kënd vështrimi të turbulluar, Kadare i ve detyrë vehtes të ndajë sheqerin nga shapi – patriotizmin nga nacionalizmi. Më tepër se aq, të ndajë shqiptarët në dy grupe : patriotët – sikundër ai vetë – dhe antipatriotët. Më mirë të themi, të verë ballë-përballë « atdhedashurinë e disave dhe antishqiptarizmin e, disa herë kundërshqiptarizmin e të tjerëve ».
.
. Kjo shprehja e fundit është simptomatike e vështirësisë së ndërmarrjes, qoftë edhe nga pikpamja e semantikës : nëse fjala atdhedashuri është sinonime thuaj e përsosur e fjalës tjetër të huazuar nga gjuhët fjalëformuese – patriotizëm, cili është antonimi i saj në gjuhën shqipe ? sigursisht jo – antiatdhedashuri apo kundëratdhedashuri, pasi të përçudnuara ; antipatriotizëm – pse jo, veçse nuk arrin të vrasë deri në fund bartësin ; le të zgjedhim pra – të ndihur edhe nga nënvetëdija – antishqiptarizëm, bile le t’a shqipërojmë – kundërshqiptarizëm ! Veçse, personalisht, nuk arrij dot të deshifroj atë dialektikë kadarejane që mëson se sinonimi i atdhedashurisë është pikërisht shqiptarizma !
. Më tej… ajo çka më krijon problem është pikërisht përpjekja e Kadaresë për ‘ju shmangur qoftë edhe hijes së nacionalizmit – sikur ky i fundit të ishte kolerë dhe zgjebe bashkë dhe jo një forcë lëvizëse e shekujve të fundit, që i ka ndihur aq fort përpjekjes shtetformuese. Bile ai nuk ngurron që edhe vizionin e Rilindasve tanë të nderuar, pikërisht të atyre që shkruanin « Ti Shqipëri më ep nderrë, më ep emërin shqipëtar, zemërnë ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr … » ta emërtojë me shumë elegancë « më i madhi e më i gjeri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare » ! S’më mbetet gjë tjetër veçse t’i bëj pyetje vehtes : a kishte vallë ndonjë përmasë politike ky aksion që mundi të nxjerë programe si ai i Lidhjes së Prizrenit apo Memorandume si ai i Gërçes ? A kishin qoftë edhe një qelizë nacionaliste këta Rilindas patriotë, që betoheshin veçse mbi altarin e Kombit dhe që u bënë deri edhe theror për të ? A thua të mjaftonte vetëm patriotizmi i Etërve të Kombit për të ngritur Shtetin e parë shqiptar në 1912, përballë nacionalizmit të tërbuar të fqinjëve të pangopur ?
. Ja edhe paradoksi kadarejan : mund të flasim lirshëm mbi « vlerat kombëtare », të kërkojmë me ngulm « një strategji kombëtare » bile edhe të paralajmërojmë se « asnje doktrine, asnje manipulim apo tregti politike, asnje trysni shtetesh, lobesh apo organizmash nderkombetare nuk mund ta pengoje kombin shqiptar te kryeje ate qe te gjithe kombet e tjere te Europes, plotesisht apo gati plotesisht e kane kryer : bashkimin e tyre » - pra, mund të përdorim fjalën komb dhe derivatet e saj dhjetra herë brenda një teksti disafaqësh, duke filluar që nga vetë titulli – duke harruar po aq herë se barazvlera e këtij kombi - natio është tulla e parë, guri i themelit të nacionalizmit ! Dhe kjo, pikërisht për të mos rënë në grackën e « mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin », pasi në atë betejën titanike mes të mirës dhe të keqes, mes dashurisë dhe urrejtjes të mirët jemi ne – patriotët, ndërkohë që këqinjtë janë të tjerët - nacionalistët ! Dashur-padashur, fanepset përpara nesh « Fytyra e Tjetrit » dhe një hap më tej « Metafizika e Vetvehtes ». Me siguri, nga ai tjetri, diçka dinte edhe De Goli i ndjerë kur shprehej : « patriot është ai që do atdheun e vet, nacionalist ai tjetri, që urren atdheun e fqinjit ».
. Është pikërisht ky paradoks që të shtyn të krijosh një pasqyrë, të tillë që të reflektojë imazhin e vetvehtes – ashtu siç dëshiron që ai të jetë. Veçse, në këtë nivel sipëror të profesionit, edhe pse e ndjerë, nënvetëdija patriote e shkrimtarit mbetet e mangët kur kufizohet në ngjitjen e etiketave në trungun shumëgjymtyrësh të kombit - popull mikpritës, njeri i besës, besimtar tolerant, gjuhë e lashtë, racë e bukur, njerëz të mençur, histori e shkëlqyer. Pasi ajo nuk shoqërohet me vetëdijen e realiste të mendimtarit, të aftë për të konstatuar se ky imazh aporik – as racist, as luftëdashës, as fanatik, as i dhunshëm, as intolerant - delja e xhenetit mes xhenhemit të ujqërve - krijon një kontrast të pabesueshëm me atë tjetrin, që çlirohet nga çdo komb i dheut, qoftë ai i afërt ose i largët. . E pra, edhe një popull biblik si ai çifut vuri në kryq Birin e Zotit ; një tjetër popull i gjenezës të qytetërimit si ai grek betohet mbi bibël se tokat e fqinjëve janë të tiat; një popull i tretë i vëllazërimit si ai francez, katolik i devotë, dikur shkoi në thikë protestantët dhe katarët e tij paqësorë ; një popull i mësuar dhe i kulturuar si ai gjerman dogji dhe poqi çifutët e kontinentit mbarë ; një popull demokrat në shpirt si ai amerikan shëndrroi në sistem dallimin racial…
. Fundja, « Right or wrong, my country » do të kish thënë pikërisht amerikani (dhe miku i tij anglez), që në një vështrim të parë mund të interpretohet sikundër dhe lexohet, nga e majta në të djathtë : drejt apo shtrembër, vendi (atdheu) im – pra e pranoj këtë vend ashtu siç është. E pra, unë e lexoj ndryshe, nga e djathta në të majtë : ky vendi im, drejt e ka – por mund t’a ketë edhe shtrembër. Mjafton kjo mënyrë e të lexuarit për t’u fshirë nga lista e lavdishme e nacionalistëve, pasi këta të fundit nuk mund të pranojnë që vendi i tyre mund edhe të gabojë. Pasi për t’a pranuar, ai duhet të zotërojë një kriter të të vërtetës (dhe të gabimit) i cili atij forcërisht i mungon, meqënëse ky kriter tejkalon faktin e thjeshtë të përkatësisë kombëtare. Ndryshe, atij i mungon një ndërgjegje jashtëkombëtare dhe jashtëpersonale që mbahet si e vërtetë objektive për të moderuar gjykimin. Në mënyrë krejt të natyrshme, spontane, nacionalisti ynë – më falni, patrioti ynë, po qe se lexojmë Kadarenë – gjykon që atdheu i tij s’mund t’a ketë asnjëherë gabim, pra që ai ka gjithmonë të drejtë. Atë çka nuk arrin të shohë Kadareja e vëren Bernard Shaw kur thotë : « të jesh patriot, do të thotë të besosh se vendi yt ka gjithmonë të drejtë, meqënëse në të ke lindur ».
. Mund të imagjinohet lehtë përfundimi i një tubimi mes nacionalistësh të tillë, të « racave » të ndryshme, që si rastësisht mbajnë nga një kopaçe në dorë ! Forca si vlerë supreme ! As më shumë as më pak se sa përfundimi logjik i historisë së njerëzimit : fituesit kanë gjithmonë të drejtë. Një ideologji e atij zhvillimi që jemi mësuar t’a quajmë darvinizëm social.
.
.
. Patriotizmi si strehë.
.
. Mendoj se do të ishte më inteligjente – dhe në rradhë të parë më realiste – të thuhet se egzistojnë disa lloje nacionalizmi, sikundër ka edhe lloje të ndryshme, për shembull, vere. Një verë e mirë, rubi dhe qelibar, e bërë nga rrushi i shëndetshëm, ai që i sublimon aromat e tokës, djersën e këmbëve të çupave të fshatit dhe atë të ballit të vreshtarit që e distilon mushtin deri në shishe, një nektar i çmuar që ngroh gjoksin dhe ndez vështrimin dhe që të shtyn t’ja marrësh këngës nëpër dhëmbë, qoftë edhe në atë tryezën e shtrenjtë mes ftuarve të nderuar… sikundër dhe një verë e keqe, e errët dhe e ashpër, e bërë me lëtyrat e sheqerosura, që shkumëzon vozen dhe ngjit në gotë, që të bie në kokë, të trash gjuhën dhe të err sytë në atë zgafellë të nxirosur të mejhanes ; në vend të këngës, në kokë fanepset sherri, që shtyn dorën të nxjerrë thikën e brezit. Çështje shije do të thotë dikush, unë them çështje portofoli !
. Përmend portofolin dhe kam parasysh ata të velurit, nga e ngrëna dhe e pira, nga të mirat e kësaj bote. I adhuroj këta të ngopur dhe ende më shumë të velurit pasi ata zotërojnë klasin e të përzgjedhurit dhe si pasojë, ata ndihmojnë në ruajtjen e gjithçkaje të çmuar që inteligjenca njerëzore ka mundur të krijojë. Nëse me të vërtetë ju arrin të japin këshilla kundër patriotizmit, nuk besoj aspak se e bëjnë për luks, apo për naze. Ata janë thesht të kamur – ja përse edhe të velur – dhe sikundër të pasurit e kësaj bote, interesi i tyre i tejkalon kufijtë e një atdheu. Më mirë të themi, atdheu i tyre është bota mbarë. A nuk janë po këta të velur që bëhen katërsh për fatin e shtresës së ozonit, për fatin e bebeve të fokës, për të adoptuar jetimët ugandezë ? Për t’u marë me këto aksione të admirueshme që zhvillohen gjithandej por veçse jo në vendin e tyre – dhe në kalim, për t’u përkujdesur për fatin e verës së mirë në shishe – mendoj se atyre nuk ju del thjesht koha të mendojnë për patriotizmin dhe aq më pak të predikojnë kundër tij.
. Në të kundërt, ata që zakonisht merren me patriotizmin janë të pangopurit - burrat e shtetit dhe politikanët e të gjitha ngjyrave – shërbëtorët e Shtetit ; ata që fjalën e tyre e strukturojnë rreth koncepteve të përjetshme të dashurisë, të familjes, të punës, të fesë, të rendit dhe të disiplinës. Janë pikërisht ata që ngatërrojnë – herë-herë nga padija, disi më shpesh nga ngutja, por kryesisht me qëllim - popullin me kombin, interesat e këtij të fundit me interesat e tyre, nderimin e atdheut me vetënderimin dhe ç’është më e keqja sinoret e Shtetit me sinoret e pronës së tyre private. Ndoshta gaboj por – për besë, çdo kqyrje që i bëj kësaj bote të të fuqishmëve të pangopur m’a shton bindjen – patriotizmi për këtë kategori njerëzish s’është gjë tjetër veçse një parrullë, një karrem për të tërhequr turmën, një dekor që maskon dallaveret, një alibi që qetëson ndërgjegjen e turbulluar. Një instrument, një rregjistër i propagandës.
. Jo rastësisht pra, qysh në shekullin e XIX, një armik i rendit dhe i strukturave të organizuara si Bakunini shihte tek patriotizmi një veti, një pasion natyror, të paraprirë nga një ligj biologjik, pikërisht ai që përcakton ndarjen e qënieve të gjalla në lloje, në familje, në grupe :
.
. Patriotizmi natyror mund të përkufizohet si më poshtë : një lidhje instiktive, mekanike dhe krejtësisht i zhveshur nga çdo kritikë ndaj zakoneve të egzistencës kolektive të përfituara dhe të trashëguara, sikundër dhe një armiqësi po aq instiktive si dhe urrejtje mekanike kundër çdo mënyre tjetër jetese. Është dashuria ndaj të vetëve dhe vehtes dhe urrejtja ndaj gjithçkaje që bart një karakter të huaj.
. . Dhe si për t’i vënë vulën, ai vëren – jo pa ironi – se një solidaritet i tillë nuk është asnjëherë aq i fuqishëm sa që të pengojë antarët e një bashkësie të tillë të shqyejnë reciprokisht njeri tjetrin, por sidoqoftë ai mbetet gjithmonë i mjaftueshëm që të gjithë këta individë, duke harruar grindjet e tyre civile, të bashkohen si një grusht i vetëm kundër çdo belaxhiu të paftuar që vjen nga një bashkësi tjetër e huaj. . Thëniet e babait të anarshizmit dhe të pararendësit të ideologjisë komuniste mund të injorohen – bile edhe të harrohen - pa asnjë vështirësi. Fundja, ç’mund të presësh më tepër nga dikush që konsideron se çështja sociale, zgjidhja e të cilës sipas tij do të ishte fshirja e kufijve mes Shteteve, mund të realizohet vetëm nëpërmjet shkatërrimit të patriotizmit, të këtij zakoni tradicional, nga ndërgjegja e puntorëve të të gjitha vendeve ?
. Mirë që me Bakuninin i lamë hesapet, por ç’ti bëjmë anglezit Samuel Johnson, më i cituari ishullor pas Shekspirit, kur nga largësia e shekullit të tij të XVIII-të na lëshon thënien e famshme « Patriotizmi është strofka e fundit e zuzarit » ? Askush, bile edhe miqtë e tij të asaj kohe, nuk nuk janë në gjendje të thonë se për kë zuzar konkret e kish fjalën Samueli kur nxorri këtë xhevahir. Në këtë mënyrë, kjo lloj pulle ju ngjit të gjithë zuzarëve të botës dhe e keqja është se ajo vazhdon të përdoret edhe për zuzarët e kohës së sotme. Paçka se një gazetar si Mero Baze e zëvendëson fjalën zuzar me horr dhe tjetrën fjalë strofkë me strehë kur ka parasysh një ministër të qeverisë të parazgjedhjeve që si të gjithë horrat dhe zuzarët bashkë, veshin qyrkun e patiotizmit kur shtrëngon acari i thashethemnajës. Por fundja, ç’faj ka patriotizmi në se atij i ngjiten të gjithë horrat, zuzarët apo edhe mistrecët e dynjasë ?
.
. Hajde-dé, sikur të ishin vetëm horrat ! Pasi, patriotizmi – kjo ndjenjë fisnike e shpirtrave të përgjëruar, kjo arsye e pjekur e mendjeve të shqetësuara – është njëkohësisht edhe banaku i preferuar i të gjithë naivëve dhe shiltja e butë e të gjithë hajvanëve. Dashuria për atdheun… është në imazhin e dlirë të atij fshatarit të dikurshëm, i përhumbur në masën e kooperativistëve, me duar gjithë nyje dhe me fytyrën e rreshkur por të ndritur kur merr fletëlavdërimin nga sekretari i partisë në ballë të fshatit për rendimentin e tij të grurit dhe që i duket vehtja si Skënderbeu mbi kalë që çan rrethimin, paçka se në mbrëmje mbi tryezë, e pret buka e misrit.
Ç’të thuash më tej për atë tufën e hajvanëve, që pas një tifozllëku të dështuar por heroik mbi ekipin kombëtar, mblidhet në mejhane rreth asaj vere popullore të butit për t’u grindur mbi origjinën shqiptare të Zotërve të Egjiptit, të Bonapartit apo të Garibaldit… që ekspozon pra patriotizmin e saj me krenari, sikundër ai idioti i fshatit gushën !
. .
. * * *
. . . Njëzet e kusur vjet më parë, kur e lashë vendin, për të gjithë miqtë e rinj dhe të njohurit e rastit isha një nacionalist. Në fillim ata habiteshin – me kohë u mësuan – me ato frazat e mia të asokohe që fillonin gjithmonë me shprehjen : « Në Shqipëri, ne… Ne, në Shqipëri… ». Asnjëherë unë, gjithmonë ne. Dhe si zakonisht, ne kishim gjithmonë të drejtë. Më kujtohet gjithashtu se atë kohë nuk shihesha thuaj asnjëherë në pasqyrë – veçse për t’u rrojtur, dhe kjo herët në mëngjez, kur vështrimi ende nuk ishte zgjuar.
. Me kohë, u mësova me pasqyrat – fillimisht me ato të dyqaneve dhe të magazinave, më tej me ato të shtëpisë. U mësova t’a shihja vetvehten dhe t’a gjeja shumë të zakonshme, herë-herë të shëmtuar. Sidoqoftë, as më i bukuri, as më i fuqishmi, as edhe më inteligjenti… u mësova të kuptoja se nderi i Atdheut tim nuk varej aspak nga suksesi ose nga fatkeqësitë e mia personale, as edhe nga brohoritjet për të parin këngëtar shqiptar në skenat evropiane, sikundër nuk u mësova kurrë me mungesën e silhuetës së malit të Dajtit në horizont apo me mungesën e plepave anës rrugës që u mbollën në Kombinat po atë vit kur unë linda. Deri atë ditë kur kuptova se, më shumë se nacionalist, isha ndoshta patriot.
. Sigurisht, edhe patriotizmi mbetet një izmë. Por një izmë e ndryshme nga të tjerat. Cili ka dëgjuar të flitet për patriotist ? Ndryshe nga nacionalizmi, patriotizmi nuk është as doktrinë as ideologji. Ai është i natyrshëm si demokracia, ithtarët e të cilës janë demokratë dhe askurrë demokratistë. Ndoshta dikush mendon se po luaj me fjalët. Aspak. Edhe në shqip, sikundër edhe në çdo gjuhë tjetër të botës, kurrëherë dy fjalë të ndryshme shprehin egzaktësisht të njejtën gjë. Në se dikur kjo gjë ka egzistuar, përdorimi ndërkohë ka zhdukur njërën. Në se ende vazhdoni të mendoni se unë luaj me fjalët, atëhere padyshim ju jeni – sikundër thotë edhe ai gazetari afrikan – një patriot që injoron vetvehten… Lidhur me lavdinë spontane që i ka siguruar atdheut të lindjes me veprën e tij madhore, edhe Kadare është padyshim një patriot i madh. Nacionalist ? Duhet t’i drejtojmë pyetjen…
. .
.(vijon)

4 comments:

Hyllin said...

Si parashtrim, dua te them se per mua deri me sot, shqiptaret e mbarsur me frengjizma, kane pjelle vetem mendime te deshtuara. Po ashtu perzierja e arrogances shqiptare me arrogancen franceze, se nxjerr nje lloj gazi teper helmues, sidomos per mendjet e francezeve safi(atyre te bardhe) dhe te shqiptareve safi.

Ky blog eshte rasti i pare i nje kryqezimi te suksesshem shqiptaro-freng.

Persa i perket temes, do thoja, dallimin kryesor mes atdhetarise/patriotizmit dhe kombetarizmit/nacionalizmit e jep vete etimologjia e fjaleve.
Atedhetaria lidhet me dheun, kombetarizmi me kombin, pra nga njera ane dashuria per materien, per te dukshmen, te prekshmen dhe nga ana tjeter dashuria per njerez te caktuar, jo per njeriun ne pergjithesi, por per karakteristika te caktuara, identitetin e atij njeriu.

Njesoj si dashuria e kristianit per kristianin, jo per njeriun si teresi, por per identitetin e tij kristian.

Patriotizmi eshte ndjenje natyrore , ndjenje primitive per token; cdokush ne planet eshte patriot, kush me shume e kush me pak.

Kombetarizmi, perkundrazi eshte ndjesi e kultivueshme, sepse dashuria e njeriut duhet te shkoje drejt dickaje te paprekshme por te perceptueshme. Pra ketu kemi edhe ceshtje ndergjegjesimi, ketu kemi dimension social, kemi dimension historik, kemi dimension moral e kemi edhe dimension politik.

Prandaj eshte nacionalizmi e jo patriotizmi qe formon ideologji, qe prodhon parime, qe mbeshtetet tek e shkuara per te dhene nje vizion te se ardhmes.

Superioriteti i nacionalizmit eshte i qarte, njeriut i ofrohet ai qe mund te quhet
dimensioni moralo-socialo-historiko-politik, pra i ofrohet pjesa e jashtme e identitetit, plotesohet identiteti.

Femija padyshim eshte patriot, kur rritet ka 3 zgjedhje;
1-te ngelet patriot
2-te behet nacionalist
3-te behet universalist

Vetem ai qe arrin ndergjegjesimin kombetar mund te zhvilloje dimensionin moralo-socialo-historiko-politik, gjithe te tjeret qe sidoqofte kete dimension e kane perfituar ne femijeri, parapelqejne ta kufizojne ne socio-politik, socio-historik apo edhe moralo-socio-historik.

Kombetarizmi si shprehje e dashurise per te ngjashmit qe sjell edhe privilegjimin e te ngjashmit, e ploteson individin po aq sa fete plotesojne besimtarin, pra i zhvillojne njeriut altruzmin dhe nuk lejojne qe narcizimi fiziologjik te transformohet ne narcizizem patologjik.

hypnos said...

Xixa, e kisha lexuar këtë shkrim që në gusht, por kur iu ktheva sot sërish, më pëlqeu shumë paralelizmi që hiqje midis "patriotëve" dhe "të pangopurve", m'u lexua si kontribut origjinal në një temë shumë të shkelur.

Albania said...

Blogu juaj eshte nje miniere infomacionesh.

andrew said...

Nje blog ku mund te gjesh "prehje"per nje cast nga enigmat e misteret qe te torturojne pa meshire mendjen dhe shpirtin.Nje "XIXE"qe feks diku ne nje breg mencurie e urtesie si "far"shpetimi,shprese e optimizmi per te gjithe ata rrenjedale te rreckosuur e te etur per dije ,per te verteten e per te moralshmen...Dhe kjo ,sepse "xixa"ndricon ne errsire ,ne padije e vobektesi...PERGEZIME "XIXE"dhe besoj se dote vazhdosh te "pulsosh"kuante drite edhe per shume kohe per te na drejtuar ndonjehere ne "viset" e ndritura te dijes e dinjitetit ...

 
Përjetësisht të Panjohur