"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, June 22, 2009

Kjo Evropë, pas të cilës rendim…

.
. Do ditë më parë, " populli evropian " ju drejtua kutive të votimit dhe ripërtëriti për pesë vjetët e ardhshëm instancën e tij më të lartë të përbashkët, Parlamentin e Strasburgut. Veçse kësaj rradhe, kjo fitore e re e demokracisë evropiane - sipas një farë retorike sa të zakonshme aq edhe bajate, vështirë se mund të mbahet mend si një e tillë. Në të vërtetë, rezultatet e këtij votimi tregojnë thjesht se ky popull, përpara se të jetë demokrat, është pragmatik dhe realist – të paktën, shumë më tepër pragmatik dhe realist se sa ajo elitë e tij që drejton partitë politike, që udhëheq qeveritë vendore dhe që synon karriket e Strasburgut.
. Le të gjykojmë vetë : fillimisht, ai dyzon mbi dobinë vetë të këtij Parlamenti – përderisa vetëm 43,55% e votuesve marin udhën e kutive, pra një abstenim rekord prej 56,45% ; në vijim, pjesa më e madhe e atyre që votojnë mendojnë se në këto ditë të vështira krize, ja vlen më mirë të preokupohesh për atë çka është e prekshme, e numërueshme, konkrete, se sa për ëndrrat, teoritë dhe idealet – pra, për Evropën e ekonomisë dhe të kapitalit të të djathtës se sa për Evropën sociale të të majtës ; së fundi, përtej fraktalit tradicional " e djathtë – e majtë ", Evropa e sotme ju ngjall po aq pikpyetje sa edhe frikë ajo e nesërmja – pse jo, një Evropë shumë më tepër ekologjike ? me një ekonomi të riorientuar drejt aktiviteteve të ashtuquajtura " qëndrueshme ", të çliruar nga mania shkatërruese e shkallës së rritjes.. sikundër dhe një Evropë e ekstremeve ksenofobe, antiislamike, thjesht, një anti-Evropë për euroskeptikët. .
.
. . To vote or not to vote…
.
. Cili është problemi i kësaj Evrope që zgjedhësit-qytetarë të saj nuk tunden më vendit për të votuar për përfaqsuesit e tyre ? Mos është vallë efekti krizë që ju prët këmbët dhe ju paralizon duart, fakti që një vend i tërë duhet të mobilizohet për një grusht deputetësh - figurantë të pafuqishëm për të ndikuar në vendimet e instancave drejtuese, gjithmonë prerogativë e qeverive kombëtare, apo fakti tjetër që mes referendumeve, zgjedhjeve parlamentare, lokale - të zakonshme dhe të parakohshme, këto evropianet janë një thelë mbi bisht? Përfundimisht, votë krize apo krizë vote ?
. Sidoqoftë, që prej 30 vjetësh zgjedhje evropiane, shkalla e pjesëmarrjes njeh vetëm rënie : 63% e zgjedhësve votuan në 1979, 61% në 1984 (në atë kohë ishin vetëm 10 vende antare), 58.5% në 1989, 56.8% në 1994 (12 vende antare), 49.8% në 1999 (15 vende antare) dhe 45.6% në 2004 (25 antarë)…për të mbrritur në 43.6% e fundit (me 27 antarë). Me një fjalë, sa më shumë rritet numri i vendeve antare, sa më shumë zgjerohet baza elektorale e Bashkimit evropian, sa më shumë rritet numri i deputetëve për t’u zgjedhur, aq më të pakët janë zgjedhësit që shkojnë për të votuar !
. Për çudi, më të lumturuarit e kësaj Evrope – polakët, çekët, hungarezët apo sllovakët – janë edhe më bukëshkalët : vetëm 28% të polakëve " eurofilë " kujtohen se vota është atributi themelor i demokracisë, i asaj demokracie që ju ka munguar aq tepër gjatë komunizmit ; vetëm 25% të çekëve kujtohen për zgjedhjet, paçka se vendi i tyre kryeson Evropën e bashkuar ; dhe ndoshta për inat ndaj këtyre të fundit, vetëm 19% e sllovakëve çapiten drejt kutive të votës. Sa për rumunët (27% pjesëmarrje) dhe sllovenët (23%), shqetësimi i tyre kryesor me sa duket ishte të evtonin vendin e fundit dhe të gjendeshin diku andej nga mesi i listës. Sidoqoftë, më të mirët e kësaj liste të mjerë janë hungarezët (votues me 34% të pjesmarrjes) dhe bullgarët (me 37.5%). Me sa duket, në ish-vendet e lindjes që luhaten ende mes shpresës dhe mosbesimit, demokracia duhet të çajë rrugën e vet " me shpatë në dorë ", ndërkohë që bijtë e saj më të mirë – eurodeputetët – tashmë rendin drejt Strasburgut " me euro në xhepa ", plot 7000 kokrra euro për çdo muaj. Një shpërblim i merituar për atë punë kolosale që i pret, nëpër hotelet dhe restorantet alzasiane.
.
. Në se mungesa e traditës dhe gjendja e brishtë e demokracisë në këto vende është edhe faktori që justifikon pjesëmarrjen e pakët të zgjedhësve në votime, çka mund të themi për vendet e Evropës perëndimore, kështjella të qëmotshme të demokracisë që, edhe ato, notojnë në të njejtat ujra të abstenimit ? Përse vetëm 36% të hollandezëve apo 40% të francezëve interesohen për këto zgjedhje, ndërkohë që pjesa tjetër merr udhën e piknikut apo të bregdetit ? A thua çështjet e Evropës janë të dorës së dytë për 57.8% të gjermanëve apo të austriakëve që preferojnë më mirë shëtitjen se sa votimin ? Përse vetëm 35% të shembullorëve suedezë ngrihen prej shtratit me idenë e votës, ndërkohë që vendi i tyre përgatitet të udhëheqë Bashkimin evropian për gjashtë muajt e ardhshëm? Mos duhet vallë që votimi të shëndrrohet në një detyrim ligjor për të shmangur abstenimin masiv? Nuk i besoj ligjit në këtë lëmë - nën dritën e rezultateve të Greqisë ku, edhe pse ligji detyron, vetëm 55% e votuesve e respektojnë këtë ligj ! Bile edhe pa këtë ligj, 66.5% e italjanëve del për të votuar – paçka se 7% më pak përkundrejt zgjedhjeve të vitit 2004.
. I ndriçuar pra nga shifrat, prirem të mendoj se Evropa e sotme jo vetëm që nuk frymëzon, por ajo zhgënjen. Të paktën Evropianin e thjeshtë, atë të rrugës, i cili ende nuk arrin të shohë kjartë drejt cilash horizontesh ajo rend, që ende nuk është i bindur se fatin e tij – dhe atë të vendit – jua ka lënë në dorë njerëzve më të përshtatshëm për atë punë.. për të mos thënë së fundi se ai ende nuk e ka fort të kjartë për çka shërben një Evropë e tillë teknokratësh !
.
.
. Right, right, right… all.
.
. Sipas logjikës së vetë demokracisë, nga momenti që shumica çinteresohet në këtë farë feje nga rezultati i votës – pra, nga momenti që zgjedhja e qeverisjes shëndrrohet në çështje të një pakice – " gjëja publike ", shprehje e të cilës janë pikërisht këto zgjedhje, humb substancën e vet politike ndërkohë që fituesi qeverisës humb legjitimitetin e ushtrimit të pushtetit. Por në praktikën e sotme, pakkush shqetësohet nga substanca e " gjësë publike " dhe aq më pak arrin që fituesit e zgjedhjeve të shqetësohen në atë masë për legjitimitetin e pushtetit të tyre sa të humbasin gjumin. Përveç ndoshta atyre që humbën zgjedhjet – hupësit - të cilët, në mos për gjë tjetër, janë të vëmendshëm ndaj çfaqjeve të tilla fillimisht për të justifikuar rezultatet e këqia ose për t’jua kënduar fituesve si këngë. Veçse hupësit e kësaj rradhe – e majta socialiste dhe social-demokrate evropiane – mori një shuplakë monumentale, të tillë që jo vetëm e ka humbur toruan për momentin por edhe e ardhmja i është zhdukur sysh.
. Për një varg arsyesh, në dukje jo fort të kjarta, gjithandej në Evropë, qoftë në opozitë apo në pushtet, kjo e majtë pësoi një humbje fort të ndjerë :
. - në Francë, partia në pushtet (UMP e Sarkozisë) e tregoi vehten si forca kryesore politike e vendit me gati 29% të votave, ose 12 pikë më shumë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të 2004, ndërkohë që opozita socialiste largohet kokëulur me vetëm 16.5% të tyre, ose 15 pikë më pak ndaj 2004. Bile ç’është më e keqja, për pak gjë, ajo desh përfundoi në vendin e tretë që sot mbahet nga të Gjelbërtit e Kohn-Benditit që kundër çdo parashikimi arritën të sigurojnë 16.2%. Por padyshim, humbësi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është partia centriste MoDem që arriti të mbledhë vetëm 8.5% të votave, kur sipas të gjitha parashikimeve ajo do të shfaqej si forca e tretë – dhe alternativa e ardhshme e vendit – me afro 15% të votave.
. - Atë çka mundën të evitojnë socialistët francezë, e pësuan sivëllezërit e tyre laburistë në Britani të Madhe ku partia e Gordon Brown-it, megjithëse në pushtet, shkau në vendin e tretë me vetëm 15% të votave, ose me 8 pikë më pak në krahasim me 2004. Sikundër edhe parashikohej, fituesit e këtyre zgjedhjeve janë konservatorët (29%), të ndjekur nga partia eurofobe Ukip (17%). Çudia e këtyre zgjedhjeve ishte partia e të djathtës ekstreme BNP që me 6.5% të zgjedhësve arrin të çojë dy deputetë në Strasburg.
. - Në Gjermani, Angela Merkel mund të marë frymë me qetësi pasi partia e saj CDU – bashkë me motrën e vogël bavareze CSU – realizojnë 38% të votave. Megjithëse 6 pikë më pak se rezultatet e 2004, ky rezultat varros përfundimisht SPD social-demokrate (20.8%, më i keqi rezultat në historinë e zgjedhjeve evropiane të saj). Me një të tillë rezultat edhe një aleancë e parashikueshme me të Gjelbërtit (12%) nuk ngren më peshë. Ndoshta fituesit e vertetë të këtyre zgjedhjeve në Gjermani janë liberalët (11%), të cilët gjejnë një rol aq të preferuar të arbitrit lidhur me zhvillimet e ardhshme politike në vend.
. - Në Itali, megjithëse nuk mundi të realizojë premtimin e tij prej 40% të votave, Berluskonit ju desh të kënaqej me 34.7% (thuaj 3 pikë më pak se në vitin 2004). Megjithëse hupëse, partia demokratike PD (e majta) arriti të frenojë deri diku qorollepsjen me ato 26.5% të votave (edhe ajo në humbje të 5 pikëve ndaj 2004). Sikundër pritej, antiemigrantëve Nordistë të Ligës ju qeshte buza pas votimeve pasi për herë të parë, partia e tyre realizonte një rezultat me dy shifra (11%). Si për të balancuar kandarin, edhe Italia e Vlerave e antikorrupsionistit Di Pietro mundi të mbledhë 7.8% të votave, ose dyfishin e rezultateve të 2004.
.
. - gjithandej gjetkë, nga Spanja në Vendet Baltike – duke kaluar nga Skandinavia dhe duke përfunduar në Ballkan – partitë e mëdha të djathta ruajtën vendin e parë në skemat vendore politike, me përjashtim të Greqisë ku votat e PASOK-ut tejkalonin ato të shumicës së djathtë në pushtet. Por Greqia mbetet thjesht një përjashtim që vërteton jo më një rregull por një paradoks : çdo gjë përmbyset në planin lokal, asgjë s’lëviz në nivelin e Parlamentit të Strasburgut. Shumica në këtë Parlament do të jetë konservatore si edhe më parë. Kështu PPE (Partia Popullore Evropiane) do të përfaqsohet me 267 deputetë për një total prej 736 vendesh, ose 36.28% (në 2004 kjo shifër ishte 36.7% ose 288 të zgjedhur për 785 vende). Sidoqoftë, PPE kryeson në distancë të madhe me PSE (Partia Socialiste Evropiane) e cila përfaqsohet me 159 deputetë, pa llogaritur ata 20 të PD italjane – pra, diçka si 20% të numrit të përgjithshëm (217 në legjislaturën e mëparshme). Tutje pas qëndrojnë liberalët – thuaj të pandryshuar me 81 deputetë – sikundër dhe të Gjelbërtit që sot numërojnë 51 deputetë (43 një legjislaturë më parë).
. Por, politika është një sistem i mbyllur dhe çdo i tillë i bindet ligjit të ruajtjes dhe të shëndrrimit. " Asgjë nuk humbet, gjithçka shëndrrohet ". Në se pesha e të djathtës mbetet konstante, atë çka humb e majta e rekuperojnë ekstremet : islamofobët holandezë të Geert Wilders (17%), eurofobët e Ukip-it (17%) dhe ekstemistët e djathtë të BNP (6.5%) në Angli, euroskeptikët austriakë të Hans Peter Martin (18%), atisemitët dhe antiromët hungarezë të Jobbik (15%), ultranacionalistët slovakë të SNS (6%), rumunomëdhenjtë e PRM (7%), ksenofobët bullgarë të Ataka (12.5%).
.
. Si shpjegohet një rezultat i tillë i të majtës ? Karakteri i përgjithshëm dhe shtrirja gjeografike e kësaj disfate sugjerojnë se ajo është ndikuar nga një fenomen po aq i përgjithshëm, që prek Evropën mbarë – kriza financiaro-ekonomike. Me fjalë të tjera, ky përkeqësim i ekonomisë që po përjeton Evropa – si edhe pasojat e tij të drejtpërdrejta ndaj tregut të punës, ndaj rrogave, ndaj fuqisë blerëse, ndaj arritjeve sociale etj – ndëshkon pikërisht të majtën dhe politikën e saj. Një paradoks i vërtetë pasi, tradicionalisht, e majta ka imagjinuar se një krizë ekonomike e kapitalizmit krijon një kontekst të favorshëm për të, duke mobilizuar forcat e gjalla progresiste kundër kapitalit – pra kundër të djathtës ! E pra, kjo e djathtë evropiane aty ku mban pushtetin, përballë ashpërsisë së krizës dhe shtrirjes së saj të frikshme, huazoi pikërisht metodat karakteristike të të majtës socialiste apo social-demokrate : " shtetëzimin " e sektorëve më kritikë, ndërhyrjen masive me kapitale shtetërore dhe vënien nën kontroll apo nën mbikqyrje të bankave apo të ndërmarrjeve kyçe të ekonomisë kombëtare. Në mënyrë krejt të natyrshme, këtë gjë bëri edhe e majta, në ato pak vende ku ende qeveris (Britani e Madhe, Spanjë..) dhe për çudi, kjo gjë nuk e shpëtoi nga ndëshkimi i votës popullore ! Një paradoks i dytë i këtyre zgjedhjeve ?
. Në të vërtetë, në se kriza e sotme frymëzon shqetësimin popullor evropian të momentit dhe strukturon qëndrimet e tij, emëruesi i përbashkët i opinionit publik është pikërisht përfytyrimi bashkësior i kësaj Evrope si edhe perspektiva afatgjatë e këtij konstruksioni politik. Kështu, shpjegimi i rezultateve të votës mund të tentohet vetëm nëpërmjet masës së përputhjes të aspiratës popullore dhe shqetësimeve ndaj situatave rrethanore konkrete nga njera anë, me përmbajtjen e projektit evropian dhe koherencën e praktikës politike të një partie ose një grupimi forcash, nga ana tjetër. Kur një përputhje e tillë nuk egziston, opinioni ose nuk voton (abstenon) ose ja jep votën e tij ekstremeve (votë ndëshkimi) ; rrallëherë, dhe aq më pak masivisht, ndodh që ai të ndrrojë krahun – të braktisë të majtën për të djathtën ose anasjelltas.
. Me fjalë të tjera, në se e majta evropiane mori një të tillë goditje, shkaqet duhen kërkuar aty ku kryqëzohen qëndrimet e saj ndaj kapitalit dhe projektet e saj lidhur me Evropën. Eshtë pak të thuhet se lidhur me këto çështje, pikpamjet dhe reaksionet e saj janë konfuze dhe të dykuptimta : si është e mundur të luftosh për drejtësi sociale krahas punonjësve të pakënaqur dhe të admirosh masat liberale të patronëve të ngopur ; të kritikosh varfërimin relativ dhe absolut të masës së gjerë popullore dhe të bësh çmos për t’u pasuruar vetë ; të kërkosh politika të mbrojtjes sociale nga ana e qeverisë kur je në opozitë dhe të ndërmarrësh veprime që përkeqësojnë pikërisht këtë mbrojtje kur je në pushtet ; të shpallesh partizan i betuar i Evropës së Bashkuar dhe të kalosh kohën duke kritikuar ligjet e shpallura në Bruksel dhe liberalizmin e Bankës qendrore evropiane ?
.
.
. * * *
.
.
. Sikundër edhe të tjera të llojit, vlera e këtij shkrimi - analizë mbetet gjithmonë e kufizuar. Pasi ai vjen disi pas pilafit – dhjetë ditë në mos më tepër pas zgjedhjeve. Do të dëshiroja të ishte ndryshe… dhe ndoshta, ja vlente që ai të ishte shkruar përpara zgjedhjeve. Veçse përmbajtja e tij do të ishte krejt tjetër, i frymëzuar më shumë nga dëshirat se sa nga realiteti i vrazhdë. Me fjalë të tjera, në në vend të analizës do të kishim parashikime, suksesi i të cilave i ngjan atyre të horoskopit. Parashikime që zakonisht shërbejnë për të nxitur shitjen e gazetave – si dhe për të justifikuar rrogat e Instituteve të sondazheve që sidoqoftë, mbeten gjithmonë më seriozë se sa kabinetet e astrologëve. Per çka vlen atëhere ky shkrim ?
.
. Së pari për të nënvizuar që jo vetëm memorja njerëzore është e shkurtër, por edhe politikanët bëjnë çmos që t’a shkurtojnë atë sa më tepër. Ve bast që sot, fituesit e këtyre zgjedhjeve i spjegojnë rezultatet nëpërmjet meritave të punës së tyre të palodhur dhe me largpamësinë e programeve të tyre ndërkohë që hupësit vazhdojë t’i justifikojnë nëpërmjet naivitetit dhe shkurtpamësisë të zgjedhësve – sikundër ai deputeti laburist anglez që i quajti këta të fundit " skizofrenë ". Sidoqoftë, vitin e ardhshëm, kush do të kujtohet se " shumica " fituese e eurodeputetëve të një vendi – dhe në këtë rast, po mar si shembull Francën – pra, UMP e Sarkozisë, përfaqsonte në kohën e vet vetëm 28% të atyre 40% të zgjedhësve që begenisën të votojnë, zgjedhës që në realitet përbëjnë vetëm 65% të popullsisë së përgjithshme të Francës? Me fjalë të tjera, mjaftoi vetëm 7% e francezëve ose 1 francez në 14 syresh që Presidenti dhe partia e tij të mburren përpara vendit dhe Evropës mbarë për meritat e tyre dhe më pas, të imponojnë vizionin e tyre të Evropës së ardhshme. Po sikur nesër, shumica ftuese të reduktohet në 15% ndërkohë që, nën shembullin e Sllovakëve dhe të Çekëve, vetëm 20% e zgjedhësve të shkojnë të votojnë.. cila do të jetë logjika e brendshme e kësaj demokracie evropiane ku preferenca politike e 2% të popullsisë së një vendi është e mjaftë për të vendosur mbi të ardhmen e kontinentit ?
.
. Së dyti, për t’ju rikujtuar gjithë atyre që ende mbajnë rradhën përpara derës së kësaj Evrope, si puna e shqiptarëve, se zhvillimet e fundit dhe tendencat e saj politike nuk parashikojnë diçka të mirë ne favor të tyre. Ka ardhur pra koha për ta për të ballafaquar ëndrrën e shumëdëshiruar me realitetin – me realitetin e tyre konkret, sikundër edhe me realitetin e vetë Evropës. Në se ata vazhdojnë të imagjinojnë se integrimi i tyre në Evropë mund të kryhet në emër të një " detyrimi hipotetik të dhënies së ndihmës " apo për hir të " identitetit evropian të Shqiptarëve " ata gabohen rëndë. Po ashtu ata gabohen në se kqyrin Evropën si një mal me evro-lekë apo si një pashaportë magjike që hap dyert e parajsës, sikundër kanë bërë përgjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit.
. Evropa e sotme, ajo e shekullit të XXI, nuk është e njejta me atë Evropë të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Vullneti evropian i asokohe që ju hapi dyert lypsarakëve të dikurshëm – sot pasunarë - grekë dhe portugezë për të krijuar një forcë politiko-ushtarake si kundërpeshë ose si alternativë të bipolit USA-BRSS u rrënua në të njejtën kohë me rënien e Murit të Berlinit, ndërkohë që dalja në skenë e dragonëve kinezë, tigrave koreanë, elefantëve indianë, panterave braziliane apo të tjerë luanë jugafrikanë zveniti dëshirën evropiane për të krijuar një treg të përbashkët ekonomik nga Atlantiku në Ural, një hapësirë të përbashkët ku mund të qarkullojnë lirshëm mallrat, vlerat, shërbimet dhe njerëzit. Ajo lojë botërore pokeri politik që dikur luhej rreth tryezës në G8, sot luhet mes njëzet lojtarësh, gjysma e të cilëve mprehin thikat, dhe nesër ndoshta mes dyzet të tillë ortakësh … Troç muhabetit, nëse për të ruajtur fytyrën, kjo Evropë s’mund të dëbojë nga sofra e përbashkët zhelamanët e dikurshëm polakë, çekë apo rumunë dhe bullgarë, të shtruar me lugë në brez, të paktën ajo mund të pengojë të tjerët e rradhës t’u bashkangjiten të parëve.
. Ç’na mbetet të bëjmë në të tilla kushte? Ose të vazhdojmë të lypim me dinjitet te porta e kalasë Evropë – bile herë-herë duke i lutur kumbarët fqinjë aq shpirtgjerë të thonë ndonjë fjalë të mirë për ne në atë mexhelisin e tyre fisnik, ose të ulemi këmbëkryq dhe të reflektojmë seriozisht mbi rrugët dhe mundësitë e zhvillimit. Në se idetë mungojnë, Evropa na furnizon shembujt, na sjell përvojën : si bënë druvarët e djeshëm finlandezë për t’u ngjitur në kulmet e telefonisë portative botërore, barinjtë e dikurshëm sviceranë për t’u shëndrruar në bankierë të botës mbarë, mullixhinjtë e ndryshkur hollandezë për t’u shpallur luleshtarë aq të kërkuar apo poçarët e cfilitur spanjollë për t’u kthyer në furnizuesit kontinentalë të majolikës ?… Mjaft të kqyrim se shumëkush bën çmos të ngrejë në rang monumenti kombëtar traditën e tij të prodhimit të djathit, të vajit të ullirit, të ullinjve të rregjur, të verës, të sallamërisë.. në mos po edhe të picës, të gulashit dhe të qebapit !
.
. Ndoshta me këtë rast mund të kujtohemi se mes të parëve tanë, pikërisht mes atyre mjeshtrave që përpunuan artizanatin aq karakteristik të qilimave, të gurgëdhëndjes, të argjendarisë, të qëndisjeve të arit mbi xhamadan apo edhe të llullave prej shqope, kish edhe nga ata kallfë, lajtmotivi i të cilëve përmblidhej nga ajo fjala e urtë " Lypa veç fytyrën e zezë ka, se pa gjë s’të len ".

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur