"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, May 19, 2009

Metafizikë Patriotike (1).

. Shopenhauer: "... njeriu është një kafshë metafizike".
.
. Ky shkrim duhet të kish dalë në dritë kohë më parë – para dy-tre muajsh. Aq më tepër kur, gjatë një debati fort të ndezur që qendërzohej mbi vllehët, kisha premtuar se përgjigja ime nuk do të vononte… Por, gjithmonë dora ka refuzuar të shtyhet përtej rreshtave të para. Sigurisht, ishte mendja në kërkim të argumentave që mbante dorën.. më tej, ishte vetë dora në kërkim të formulës së përshtatshme që përmbante mendimin… Derisa vështrimi u mbërthye nga të tjera shkrime dhe përfundimisht, rrjedha e fjalëve gjeti të çarën në digën e përtesës. Me këtë rast, falemnderoj Spiritus për zanafillën si edhe Belle fleur për kreditin e fotografive.
.
.
. * * *
.
. Jo rastësisht, fusha semantike e koncepteve të tilla si komb dhe atdhe i nënështrohet keq përpjekjeve përkufizuese. Ndoshta, për shkak të mbivendosjes të një shumllojshmërie kuptimesh, sipas një procesi njëherësh mbledhës dhe përfshirës, këto dy koncepte çojnë reciprokisht drejt njeri tjetrit, në një proces konfuz që i njeh thuaj si sinonime. Ky pasurim i natyrës polisemike është sa frut i historisë po aq edhe pasqyrë besnike i asaj shkarjeje të vazhdueshme të këtyre shprehjeve drejt të tjerash fusha – politike në rradhë të parë, pasojë e përvehtësimit – dhe më tej e përdorimit gati pa kriter të tyre. Paçka se në origjinë këto koncepte s’kishin aspak të bënin me politikën. Drejt rrugës së njohjes (dhe më tej të debatit), ngasja e parë të shtyn të kqyrësh leksikun e tyre.
. Personalisht, e kam të vështirë të zbuloj atë moment kohor kur këto fjalë u shqiptuan për herë të parë në këto vise – ose më mirë, kur ato u përzgjodhën në mënyrë të ndërgjegjshme për të përfaqsuar përmbajtjen e tyre të thellë të sotme. Ndoshta, pasi edhe zhytja në gjuhë në kërkim të gjurmëve kufizohet nga njera anë nga përpjekjet relativisht të vona për ta shkruar dhe nga ana tjetër, nga mungesa e dëshmive të besueshme të trashëgimisë gojore – të asaj dëshmie që i përdor këto fjalë në mënyrë të ndërgjegjshme. Përballë kësaj vështirësie, jam i prirur të vështroj gjuhët e tjera – në rradhë të parë, ato që historia i propozoi si gjuhëformuese (greqishtja ose latinishtja) - dhe të pranoj në mënyrë të heshtur që edhe shqiptarët (më mirë, pararendësit e tyre të origjinës) të kenë njohur procese shoqërore në mos të njejta me bashkëfqinjët e tyre të shquar, të paktën të ngjashme, të kenë përpunuar mekanizma socialë të barazvlershëm. Më duhet të pohoj gjithashtu se është pikërisht fjala komb që i reziston veçanërisht përpjekjes ftilluese – sikundër edhe ajo nyja e famshme i rezistoi si mundi shpatës së Aleksandrit të Madh, ndërkohë që fjala tjetër atdhe = dheu i atit (dheu i etërve dhe jo ati i dherave) - si edhe e barazvlershmja e saj nga ana e gjinisë së mëmës - ndjek një logjikë tashmë të sprovuar edhe jashtë kufijve të botës latine (fatherland / motherland). .
.
. . Kombi – bashkësia e origjinës.
.
. E pra në latinisht, fjala natio vjen nga pjesori natus i foljes nascere = lind. Në atë togun e fjalëve të përzgjedhur brenda një fjalori që shërbejnë për të karakterizuar një bashkësi njerëzore, natio gjend vend në hierarkinë " e morfologjive " sociale, e cila në një rend rritës përmban familjen, fisin, tribunë, etninë, bile për një arsye disi misterioze ajo renditet në krye të saj. Që në kohë të vet, Taciti [55 – 120 e.s] kur përmend një popullsi, e quan atë nationis nomen, non gentis, duke nënvizuar kështu statusin e saj të nën-bashkësisë së gens – njerëzve, që sipas tij përbëjnë formën e përkryer dhe të njejtësuar të një populli, pra të një shoqërie të vërtetë që zotëron njëherësh një strukturë hierarqike dhe bashkëplotësuese. Bile edhe fjalorët latinë që i referohen pikërisht autorëve antikë, sjellin përkufizimet e mëposhtme : " racë, lloj, gjindje ose popullsi ".
. Edhe kur fjala kalon në gjuhët e tjera me bazë latine (frëngjishtja e vjetër e shekullit të XII) në formën e saj nation, edhe pse rrethanat e përdorimit të saj çojnë drejt një veçorie origjinale të bazuar mbi kritere familiariteti, ajo mbetet fort e papërcaktuar, pasi përmbledh " çdo lloj grupimi universitar, fetar, ekonomik dhe rrallë herë etnik ". Vetëm aty rreth shekullit të XV-XVI, kjo fjalë përfshihet në një proces përgjithësues dhe modelohet sipas një mënyre gjinisore dhe kolektive për të treguar popullsitë në rrafshe të ndryshme territoriale. Kështu për shembull, fjalori i Akademisë frënge – në një nga botimet e tij të para të vitit 1708, i përpiluar nga jezuitët, rregjistron edhe poliseminë e fjalës : " Nation - emër kolektiv që i vishet një populli të shumtë në numër që banon në një sipërfaqe pak a shumë të madhe territoriale, të përmbledhur brenda disa kufijve, dhe që thirret me të njejtin emërtim. Natio, gens, populus. Thuhet gjithashtu edhe për banorët e një vendi, megjithëse i ndarë mes disa shtetesh, me qeveri të ndryshme ". Pse jo edhe disa popuj të dalë nga e njejta rrënjë, të lindur brenda të njejtit vend – pra, një popull i përbërë, i qeverisur nga të njejtat ligje.
. Megjithëse asnjë rrethanë e vjetër e konceptit nation nuk i njeh këtij të fundit statusin e një " trupi natyror " dhe ende më pak politik, vetë domethënia e tij përçon si një fill të kuq lidhjen farefisnore ose të gjirisë, atë " origjinë të përbashkët " që çfaqet si një kriter përcaktues që në antikitetin e lashtë. Një gjiri që vjen në në mbështetje të identitetit kulturor të marë si trashëgimi.
.
. Atdheu – trashëgimia e etërve.
.
. Fjalën patria latinët e huazuan prej grekëve, për të cilët mbiemri patria-patris përcaktonte gjithçka që ishte stërgjyshor, i lashtë dhe i traditës. Kjo traditë pra, e trashëguar nga të vjetrit përmblidhet nga shprehja gjinisore ta patria, ndërkohë që një kuptim edhe më të ngushtë përcakton edhe tokën e të vjetërve ge patris. Që të dyja këto kuptime shkrihen në tekstin e tragjedisë Persët të Eskilit (525-456 p.e.s) : " Tunduni, bij të Grekëve, çlironi atdheun, çlironi fëmijët dhe gratë tuaja, altaret e etërve dhe varret e stërgjyshërve ". Në kohë të vet, Demosteni (384-322 p.e.s) i jep këtij termi një kuptim më politik në fjalën e vet " liria e Grekëve ", pasi për oratorin trashëgimia stërgjyshore, përveç tokës, përmban edhe traditat e natyrës fetare ose politike.
. Të gatuar me kulturën helene, autorët latinë si puna e Cezarit, tek termi patria njësojnë pasurinë fortunae, shtëpinë domus, herë herë edhe të drejtat civile civitas, në kuptimin e një trashëgimie, të një tradite të trashëguar. Ciceroni (106 - 43 p.e.s) nuk heziton të lidhë në fjalimet e veta fjalën patria me tjetrën Roma, respublica ose bile edhe Italia, ndërkohë që në tekstin e tij të famshëm Traktati i Ligjeve arrin të bëjë një dallim të prerë mes atdheut (patria) natyror dhe atdheut të qytetarisë. Një prej dialogjeve të tij ve në skenë dy miq që diskutojnë mbi idenë e tyre të atdheut :
. - Atikus : .. ç’ke ke ndër mend kur thua se ky vend është atdheu yt i vërtetë. Mos vallë, ke dy atdhe ? Apo ndoshta egziston vetëm një i tillë, ai që është i përbashkët për ne të gjithë ? Veç nëse për të urtin Katon, atdheu nuk është Roma por Tuskulum !
. - Markus : për Herkulin, mendoj se për të sikundër për të gjithë njerëzit (gens) e komunës (municipe) egzistojnë dy atdhe : një atdhe i natyrës, një tjetër i qytetarisë. Njësoj si të themi se atdheu është sa vendi ku kemi lindur po aq edhe ai që na ka dhënë strehë. Por është e nevojshme që përkushtimi të dalë fitues, ai përkushtim për të cilin emri i republikës (respublica) përbën edhe të mirën e përbashkët të çdokujt në këtë qytet.
.
. Me kohë – dhe me shtrirjen ndërkontinentale të Perandorisë romake – koncepti i atdheut rivlerësohet. Ndërkohë që filozofi kozmopolit Seneka (v. 4 p.e.s. – 65 e.s) i njëson kufijtë e atdheut të tij metaforik me ato të vetë universit, poeti Lucian (120 – 180 e.s) i rikthehet patria naturalis :
. " S’ka gjë më të ëmbël se atdheu, thotë një proverbë e njohur ; atdheu, shkak dhe zot sovran, që i jep çdokujt jetën, ushqimin dhe edukimin. Mund të admirosh madhështinë, bukurinë dhe shkëlqimin e qyteteve të tjera ; por do vetëm atë ku ke parë dritën e diellit ".
. Në Mesjetë, fjala atdhe rrudhet dhe shëndrrohet thuajse në një fjalë të rrallë, në gojën e të diturve. Gojtaria e shenjtë – ajo e shën Augustinit – për një kohë të gjatë e ka përdorur në kuptimin e saj primitiv të trashëgimisë, duke i dhënë një përmasë të re, fetare : atdheu, është Qielli, banesa e Zotit që vetë Krishti na e ka lënë si trashëgim nëpërmjet shëlbimit. Shën Thomas d’Aquin (1225 - 1274), rizbulon kuptimin antik të huazuar prej Aristotelit dhe i jep fjalës orientimin familiar të vendit të lindjes dhe të edukimit nëpërmjet familjes. Duhet të vijë autoriteti tokësor i Mbretit ose i Perandorit për të realizuar identifikimin e parë të Regnum Germaniæ si një patria në kuptimin e civitas, ndërkohë që ligjëvenësit ju rikthyen terminologjisë të të drejtës romake ad defensionem patriae për të justifikuar mobilizimin e trupave dhe rekuizimin e mjeteve. Në vijim, Rilindja evropiane me ato referencat e saj të pashmangshme antike do ta pajisë fjalën patria me të gjitha takëmet e saj emocionale dhe qytetare dhe do t’i hapë një fushë të re veprimi përdorimit të saj. Tashmë, gjithnjë e më tepër fjala patria paraqitet si një alter ego reciprokisht e zëvëndësueshme me fjalën civitas, ndërkohë që kjo e fundit i nënështrohet dëshirës – ose ngasjes – për t’u shëndrruar në Shtet, sipas të njejtës përçapje përgjithësuese që prek njëkohësisht fjalën tjetër nation. Duke ju referuar kështu gjuhës frënge, fjala patria (patrie) kalon në fondin e saj të zakonshëm rreth vitit 1530, duke ruajtur si përmbajtje kuptimin e dyfishtë ciceronian dhe si përdorim metaforik qoftë atë augustinian të qiellit apo senekian të atdheut të të urtëve. Ai Fjalori i mësipërm i Akademisë i fillimshekullit të XVIII jep edhe përshkrimin polisemik të fjalës atdhe : " Patrie – vendi ku kemi lerë, thuhet qoftë për për një vend të përcaktuar, qoftë edhe për provincën, mbretërinë ose shtetin që e përmban këtë vend. Patria, natale solum. I gjithë Universi është atdhe i të urtit. Thuhet në mënyrë figurative se Qielli është atdheu ynë i vërtetë ".
.
. Shteti - indoktrinimi intelektual.
.
. Vështrimi etimologjik i mësipërm nxjerr në pah faktin se shprehjet komb dhe atdhe përfaqsojnë dy realitete të ndryshme, dy rende vlerash bashkëparalele por jo të shkrijshme në njera tjetrën. I pari i përket fushës semantike të brezave dhe të trashëgimisë, elementët e parë të kohezionit të një bashkësie njerëzore. Pra, ai simbolizon përjashtimisht njerëzit. Në të kundërt, kuptimet tashmë të pranuara të fjalës patria = atdhe shpien drejt konceptit të një pasurie të transmetuar, të lënë si trashëgim, të dhuruar ; ato karakterizojnë fillimisht objekte materiale qoftë edhe kur këto të fundit quhen tokë ose territor - dhe në një përpjekje përgjithësuese, traditat natyrisht jomateriale por shpirtërore, vlerat morale.
.
. Por, në dallim nga periudhat e Lashtësisë, të Mesjetës apo të Rilindjes, praktika moderne - dhe ende më tepër ajo bashkëkohore - dëshmon për një tjetër realitet. Një realitet ku raportet tradicionale mes njeriut dhe objekteve janë përçudnuar nga esenca politike, janë deformuar nga marrëdhëniet ekonomike, janë elektrizuar nga ngarkesa ideologjike. Tashmë i ndërgjegjshëm për forcën e aksionit të tij shëndrrues dhe përvehtësues të objekteve, njeriu ndjehet i aftë të riformulojë konceptet, të ripërmasojë fushat e veprimit të tyre – duke injoruar ngarkesën e tyre të lashtë psikologjike dhe shoqërore. Dhe si gjithmonë, në ballë të përpjekjes gjenden mendjet e ndritura – filozofët, shkrimtarët, teologët dhe të tjerë ligjëvënës, të cilët në një moment të caktuar të zhvillimit historik, shoqëror dhe politik të kontinentit tonë kuptuan se nuk ishin thjesht bij të natyrës dhe produkte të qytetërimit sikundër pararendësit e tyre të shquar heleno-romakë por edhe subjekte të Shtetit territorial. Këtej e tutje, logjika e ndërhyrjes së tyre tejkalon gjerësisht intuitën – bile edhe maturinë, pasi ajo udhëhiqet nga interesat, orientohet nga prioritetet dhe diktohet nga situatat konkrete – ato të infrastrukturës të pushtetit politik, që organizon dhe kanalizon mendimin intelektual dhe shoqëror.
. Shfaqja e Shtetit modern territorial, imponimi i tij në rrafshin evropian dhe më tej legjitimimi i atributeve të tij të pandashme (kufijtë, autoriteti qëndror dhe rrezatimi i tij lokal, sistemi i përqëndruar i taksave etj.. etj) detyrojnë domosdoshmërisht rikqyrjen e kategorive të tilla " anakronike " – dhe në rradhë të parë atë të kombit. Me një farë të drejte pasi këto të fundit, me Shtetin në mes, bëhen problematike. Kështu, çdo qytetar i devotë që është sadopak i lëçitur, që ka një vizion sadopak të reduktuar të historisë mbetet gjithmonë i etur të mësojë se në ç’masë kufijtë realë të Shtetit përputhen me kufijtë imagjinarë të atdheut ? në se është e moralshme dhe aq më tepër e pranueshme që shtrirja territoriale e këtij të uruari Shtet të mos korrespondojë me shtrirjen natyrore të kombit ? Aq më tepër kur, sikundër ve re edhe një autor si Raymond Aroni në librin e tij " Mësime mbi historinë " : " … në se bëhet fjalë për kombin dhe aq më mirë për shtetin, kemi të bëjmë me një ide që është e pranishme në ndërgjegjen e shumë njerëzve dhe që, edhe pse nuk zotëron personalitetin fizik të të një individi të përveçëm, përfaqson gjithmonë një lloj realiteti ".
.
. Por, nëse kjo ide është kësisoj e pranishme në ndërgjegjen thuaj të sejcilit prej nesh, përse duhet t’u biem në qafë filozofëve dhe shkrimtarëve ? Pasi, ndërkohë që Aroni i mësipërm harron të na thotë se në ç’mënyrë ideja e re e Shtetit gjen vendin e vet në ndërgjegjen tonë karshi asaj të vjetër të kombit, të tjerë mendimtarë që e kanë kqyrur kësaj problematikë me lupë në dorë janë të bindur se përfytyrimi ynë është pikërisht frut i përpjekjes së ndërgjegjshme të këtyre shkrimtarëve dhe filozofëve. Në ç’mënyrë ? Nëpërmjet një përqasjeje barazvlerësuese mes koncepteve shtet dhe atdhe. Me fjalë të tjera, mjaft që të bindemi se Shteti – ai egzistues brenda të cilit jetojmë, ose ai i dëshiruar, brenda të cilit aspirojmë të jetojmë – s’përfaqson gjë tjetër veçse atdheun tonë të dashur ! Nga momenti që hidhet ky hap, tjetri i rradhës është revizionimi i konceptit të kombit, me qëllim realizimin e adekuacionit aq të dëshëruar mes shtetit dhe corpus populus - subjektit politik.
. Përpos ngasjes që është në përpjestim të drejtë me interesat e vetë Shtetit, kjo përçapje intelektuale bart në vetvehte rrezikun e instrumentalizimit, të pajisjes së konceptit me ngarkesa psikologjike – të rimodelimit të një identiteti kolektiv, me atribute të ngjashme me ato të kombit. Krahasimisht dhe përmbledhtas, le të kqyrim dy përçapje të tilla – diametralisht të kundërta lidhur me argumentat që përdorin, por që sidoqoftë që kanë lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen politike dhe shoqërore evropiane.
.
. - E para, e markës frënge, e cila përmblidhet me devizën " kombi, një bashkësi politike që duhet prodhuar " është lidhur ngushtë me Revolucionin e vitit 1789 dhe me përmbysjen e pushtetit monarkik. Në termat e të drejtës, gjendemi në sferën e jus soli. E thënë ndryshe, Shteti egziston mbi bazën e bashkimit politik të territoreve përbërës dhe atij duhet t’i fabrikohet kombi ; ky i fundit përfshin gjithë popullsinë që gjendet mbi këto territore, sipas principit të qytetarisë.
. Në prag të këtij revolucioni, Zhan Zhak Rusó – përçues i rebelimit politik parlamentar përballë absolutizmit të Mbretit përpunon përkufizimin e mëposhtëm : " një komb është një trup politik ose një shoqëri njerëzish të mbledhur së bashku për të krijuar më shumë avantazhe ose më shumë siguri nga fakti që janë bashkë ". Edhe pse volontarist dhe i mangët, ky përkufizim i hap rrugën nenit 3 të Deklaratës të të Drejtave të Njeriut, të propozuar nga abati Sieyès që thotë : " Principi i çdo sovraniteti qëndron esencialisht në kombin " dhe mishërohet përfundimisht në shprehjen e shquar të Renanit (1882) :
. " Një Komb është pra një solidaritet i madh, i përbërë nga ndjenja dhe sakrificat që janë bërë dhe nga ato ende janë gati të bëhen. Ai nënkupton një të kaluar, ai përmblidhet sidoqoftë në të tashmen me anë te një fakti të prekshëm : mirëkuptimi, dëshira e shprehur në mënyrë të qartë për të vazhduar egzistencën e përbashkët. Egzistenca e një Kombi është një plebishit i përditshëm, sikundër dhe egzistenca e një njeriu është afrimimi i përjetshëm i vetë jetës.. ".
.
. - E dyta, e përmasës gjermane, e përmbledhur nga deviza " kombi, një bashkësi etnike që duhet bashkuar ", i takon përpjekjes së krijimit të një Gjermanie të vetme, të ndërmarrë në shekullin e XIX. Në termat e të drejtës, gjendemi në sferën e jus sanguinis. E thënë ndryshe, kombi egziston mbi bazën e elementëve njerëzorë përbashkues dhe atij i duhet gjetur Shteti ; ky i fundit përfshin gjithë territoret ku banon kjo popullsi, sipas principit të etnisë.
. Një nga pionierët e idesë së Kulturnation është Herder, i cili pohon se " Providenca i ka ndarë kombet jo vetëm me male ose me pyje por veçanërisht nga gjuhët, nga shijet dhe nga karakteret ", ndërkohë që pasuesi i tij i shquar Fichte ngulmon në faktin se përkatësia në komb është fenomen i pavetëdijshëm (Volksgeist), sikundër lidhja e njeriut me gjuhën amtare : " … njerëzit janë formuar nëpërmjet gjuhës, më tepër se sa gjuha vetë nëpërmjet njerëzve ".
.
.
. * * *
.
.
. Më tepër se një përpjekje erudicioni, kjo maratonë e vërtetë referencash dëshmon për një dilemë personale, e lashtë sa ajo e Markusit të Ciceronit – shpresoj, e njejtë për të gjithë ata që rasti dhe nevoja i ka shpërndarë si çifutët në shkretëtirën e viseve të largëta.
. Në emër të kujt identiteti pjesëmarr në këtë debat ? të atij " natyror " - që më ka dhënë gjuhën e nënës dhe mbiemrin e atit, traditat e të parëve bile deri edhe tiparet e fytyrës ? apo të atij " qytetarisë " - që më shtyn deri dhe të mendoj me gjuhën e vendit, të rropatem me ritmin e jetës së përditshme dhe të krijoj deri edhe tarbiete të reja ?
. Kujt kombi i përkas tashmë ? atij të adoptuar, të " plebishitit të përditshëm " që teorikisht duhet të prodhojë qytetarë të ndërgjegjshëm, aktorë të një jete aktive shoqërore ? apo të atij tjetrit të origjinës " kulturnation " që praktikisht gjeneron nostalgjikë të pashërueshëm, partizanë të pakicave të pamposhtura ?
. Çfarë statusi social mund të pretendoj, përveç atij të çobanit, të mbledhësit të plehrave dhe të përzierësit të llaçit – krejtësisht të justifikuar, nëse i besoj opinionit të përgjithshëm të shoqërisë që më ka pritur në gjirin e vet ? Mirë unë që i përkas " brezit të parë ", me busull të prishur – me kokën në një vend dhe me trupin në një tjetër ; po fëmijët e mij që kanë lindur këtu, a do të mundin të dalin nga ky qerthull pakrye i referencave absurde ? po fëmijët e fëmijëve… ? Apo gjithmonë do të dalë dikush dhe do t’ju kujtojë pasardhësve të mij katër apo pesë breza më tutje, shpresoj ndërkohë diku andej nga maja e asaj piramide sociale – por gjithsesi me një mbiemër disi të çuditshëm, se ata s’janë gjë tjetër veçse " uzurpatorë ", " kripto-vendas ", " albano-shkretëtiras ", " bujtës fatkeqë që nata e Historisë i zuri në rrugë të madhe siç zuri edhe romët " - bukëshkelës të asaj bujarie legjendare të mikpritësit vendas, i dha vend në sofër gjysh-stërgjyshit të tyre dikur të huaj ?
. Në mungesë të një përgjigje të drejpërdrejtë dhe të çiltër, më duhet të kënaqem me thënien e një një evropianisti të bindur si Habermasi, i cili shkruan diku :
. " .. Integrimi politik [..] nuk justifikon aspak asimilimin e sforcuar në dobi të jetës kulturore që mbizotëron në një vend. Në kushtet e Shtetit të të Drejtës, kjo alternativë implikon që identiteti i shoqërisë – të cilit i referohemi në mënyrë legjitime – nuk është aspak i mbrojtur në një periudhë afatgjatë kundër ndryshimeve të shkaktuara nga valët e emigracionit. Pasiqë emigrantët nuk duhet të forcohen të braktisin traditat e tyre, është gjithmonë e mundur që me këto mënyra jetese të vendosura rishtas të zgjerohet gjithashtu edhe kuadri brenda të cilit qytetarët të interpretojnë principet e tyre kushtetutorë të përbashkëta. Vetëm kështu që do të mundë të funksionojë ky mekanizëm i cili bën që, me këtë përbërje kulturore të ndryshuar nga veprimi i qytetarëve aktivë, të ndryshojë gjithashtu edhe konteksti të cilit i referohet koncepti i identitetit etnik dhe politik i të gjithë kombit ".
.
. (vijon)

La suite.. - Vazhdimi...

Sunday, May 3, 2009

Shqipëria përballë botës komuniste – Ferri jugosllav (3).

.
.
. Tërheqja e detyruar e trupave ushtarake gjermane nga vendet e Ballkanit, të ndjekur nga shembja e sistemit të aleancave me pushtuesit dhe rënia e regjimeve kuislinge lokale, vuri pashmangshmërisht në plan të parë çështjen e integritetit territorial të vendeve ballkanike, elementi më i ndjeshëm i të cilës ishte natyrisht rivendosja e kufijve shtetërorë, pjesërisht apo tërësisht të fshira gjatë luftës në të gjithë gadishullin. Sipas një protokolli të heshtur por të pandryshueshëm, të gjitha qeveritë e dalë nga rezistenca – shpesh herë, me pjesëmarrjen e burrave politikë, të caktuar nga mbretërit e mërguar – u vunë menjëherë në punë për të vendosur autoritetin e tyre mbi territoret kombëtarë respektivë, duke këmbëngulur në respektin e kufijve të vjetër të kohës së paraluftës.
. Në këtë mes, vendet më të prekura – dhe natyrisht më të interesuara për të rigjetur kufijtë e paraluftës, ishin pa dyshim Jugosllavia dhe Greqia, që të dyja viktima të agresionit hitlerian të vitit 1941 dhe të coptimit teritorial që rrodhi më pas, në përfitim të koalicioneve ballkanike profashiste. Le të rikujtojmë se Jugosllavia mbretërore u coptua mes Gjermanisë hitleriane që instaloi në Beograd rregjimin kuisling të Nediçit dhe Italisë së Duçes që rrëmbeu mes të tjerash territore malazeze, kroate dhe sllovene, Kosovën – dhe e bashkoi me Shqipërinë. Krahas tyre ndërhyri Bullgaria e mbretit Boris që aneksoi thuaj krejt Maqedoninë, Hungaria e diktatorit Horthy që aneksoi thuaj krejt Vojvodinën si edhe Rumania e mbretit Karol që aneksoi disa territore të Serbisë, në të djathtë të lumit Morava. Paralelisht, Greqia u nda mes Gjermanisë, Italisë që përvehtësoi krejt Epirin, Maqedoninë greke, ishujt e Jonit dhe një pjesë të atyre të Egjeut dhe së fundi Bullgarisë, që me këtë rast, doli në deti Egje.
. Në pritje të organizimit të një Konference ndërkombëtare që do të ratifikonte hartën e re ballkanike – në vazhdën e asaj të Versajës në përfundim të Luftës së Parë Botërore, ky problem u mbikqyr në distancë nga Aleatët në frymën e vendimeve të përbashkëta, të ndërmarra në Teheran dhe në Jalta, që në parim nuk vinin aspak në dyshim trashëgiminë e dikurshme të Ballkanit. Ndërkohë, hapësira ballkanike e paslufte njohu disa ndryshime kufijsh. Veçse këto ndryshime prekën territoret periferike dhe aspak ato qëndrore dhe përgjithësisht, ato vunë ballë përballë një shtet ballkanik me një tjetër jo-ballkanik. Kështu për shembull, në vitin 1947, Jugosllavia e re Federale aneksoi krahinën e Venetisë Juliane që dikur i përkiste Italisë ; Greqia mundi të përvehtësojë grupin e ishujve të Dodekanezit, të pushtuar nga Italia në fillim të shekullit gjatë luftës italo-turke. Po në vitin 1947, Bullgaria mundi të rikthehej në kufijtë e saj të përcaktuara nga Traktati i Nëjisë (1915) dhe përfundimisht mori Dobruxhën e Jugut, dikur të xhvatur nga Rumania e mbretit Karol. Së fundi Rumania – më e prekura e rajonit, përveç Dobruxhës të Jugut, humbi përfundimisht edhe Besarabinë, të aneksuar nga Bashkimi Sovjetik që prej vitit 1944 (Shënimi 1).
. Rasti i Shqipërisë dhe i Jugosllavisë përbën një shembull në vetvehte, qoftë në rrafshin territorial – pasi gjatë luftës, Shqipëria u gjend papandehur në kufijtë e saj « të mëdhenj », gjithësesi viktimë e pushtimit italjan të vitit 1939 - qoftë edhe në atë të marrëdhënieve politike - për shkak të afërisë « vëllazërore » të pikpamjeve të autoriteteve zyrtare. Udhëheqësit e rinj komunistë të Tiranës, pasi kishin mohuar traditën nacionaliste të Ballit Kombëtar që mbështetej mbi « Shqipërinë Etnike », dukshmërisht mbeteshin të kënaqur me gjendjen territoriale të trashëguar nga Mbretëria e Zogut. Zaten, ata nuk kishin as vullnetin po as edhe mjetet për të absorbuar zonat ndërshqiptare, dikur të pushtuara nga fashistët italjanë. Nga ana e tyre, edhe zotërit e rinj të Beogradit donin të rrimernin në dorë trashëgiminë teritoriale të mbretërisë jugosllave : ata kishin jo vetëm ambicien por njëkohësisht edhe aftësinë dhe forcën për të realizuar këtë qëllim. .
.
. Sa është e vërtetë që raportet miqësore të asokohe, le ti quajmë bile vllazërore, mes partive komuniste dhe qeverive të dy vendeve fqinje ja thjeshtuan mjaft detyrën jugosllavëve për t’a rimarrë nën kontroll Kosovën dhe më pas, për t’a bërë pjesë përbërëse të Federatës së ardhshme, është po aq e vërtetë - bile edhe më tepër se e vërtetë - që vendimi që i parapriu këtij aksioni u mor jashtë vullnetit të shqiptarëve, qofshin ata komunistë të Kosovës qofshin edhe ata të PKSH. Aq më tepër, edhe vetë aksioni i rimarrjes së Kosovës nuk varej aspak nga shkalla e aprovimit apo nga shkalla e mosaprovimit të këtyre të fundit. Nuk ka asnjë pikë dyshimi që çështja e Kosovës mbetej kardinale për kombin shqiptar, të paktën për krahun nacionalist - një kufi ndarës me lëvizjen komuniste. Mjafton të kujtojmë që e gjithë klasa politike e vjetër e vendit preferoi më mirë të kumbisej në greminën e historisë, aq shumë ajo i ishte përkushtuar kësaj çështjeje.
. Por megjithë dhimbjen, nuk duhet të harrojmë se menjëherë pas lufte, çelësi i këtij problemi nuk gjendej më në duart e shqiptarëve. Zgjidhjet profiloheshin së pari në kuadrin jugosllav, më tej në planin rajonal dhe se fundi në planin internacional – gjithësesi, të detyruara nga rrethanat e Luftës së Dytë botërore dhe nga situata që rezultoi në fund të saj. E thënë ndryshe, rivendosja e autoritetit të rregjimit të Titos për të rigjetur atë statu quo ante proprietario (sh. 2) mbetej një ndërmarrje e brendshme e Jugosllavisë, për të cilën shgjymtyrëzimi i vendit – aneksimi i një pjese të madhe të Maqedonisë nga Bullgaria, të Vojvodinës nga Hungaria, e Malit të Zi dhe e bregdetit dalmat nga Italia apo së fundi, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë italjane – s’ish gjë tjetër veç një dukuri e shkaktuar nga dhuna e luftës së fundit botërore dhe si e tillë, e paracaktuar të zhdukej në të njejtën kohë bashkë me arsyet që e lindën.
.
. Në çfarë mase, kjo mënyrë arsyetimi që shfaqet si një evidencë në analizat e gjeopolitikës evropiane të pasluftës, integrohet në logjikën analitike të nacionalizmit shqiptar ? Përgjigja është sa e e qartë aq edhe e prerë : jo vetëm që raportet miqësore dhe « lidhjet vllazërore » që lidhnin PKSH me simotrën e saj PKJ janë interpretuar si çfaqje të një nënshtrimi të thellë dhe primitiv, por edhe « aneksimi » i Kosovës nga ana e Jugosllavisë së re titiste është parë thjesht si shprehje e faktit se « Enver Hoxha ja shiti Kosovën serbëve ».
. Polemika u rindez me një forcë të veçantë veçanërisht pas vdekjes së Hoxhës – e ushqyer nga një numur i jo i vogël historianësh dhe vrojtuesish të jetës shqiptare – dhe në rradhë të parë të asaj kosovare. Pasi gërmuan gjerë e gjatë periudhën e luftës dhe atë të pasluftës në kërkim të argumentave – ndoshta edhe në kërkim të faturës së transaksionit, egzegjetët historianë kanë mundur të :
.
. - nënvizojnë mungesën e dukshme të referencave të çështjes kosovare në dokumentat kryesore të PKSH si dhe më vonë, në ato të PPSH ;
.
. - vërejnë se udhëheqësi shqiptar, i kapur nga një ndjenjë e thellë përuljeje, i raportonte në mënyrë të rregullt Titos gjithçka që ai dëgjonte lidhur me Kosovën ;
. - shënojnë se ai i ka kryer një shërbim të madh mjeshtrit të tij të Beogradit, qoftë duke asgjësuar patriotët nacionalistë kosovarë të Lufës së Dytë, qoftë duke ja dorëzuar këta të fundit administratës titiste pasi ju kish lidhur fillimisht këmbët e duart.
.
. Fakti që këta kërkues kanë mundur të zbulojnë natyrën e vërtetë të marëdhënieve mes Enverit dhe Titos nuk habit aspak, sikundër nuk habit edhe fakti tjetër që ata kanë mundur të kuptojnë mungesën e veçantë të interesit që ai tregonte ndaj çështjes nacionaliste. Por, mes këtyre përfundimeve dhe deklaratës që ai jua shiti Kosovën serbëve ka një hapësirë të tërë, e cila duhet mbushur me argumenta të tjerë edhe më bindës. E thënë ndryshe dhe në rradhë të parë, po qe se Historia do të bëjë përgjegjës Hoxhën për « shitjen » e Kosovës jugosllavëve, në të njëjtën mënyrë ajo duhet të trajtojë bullgarin Dimitrov që « dhuroi » krejt Maqedoninë Lindore, ose hungarezin Ferenc Nagi që « fali » Vojvodinën, ose së fundi italjanin Alcide de Gasperi që « dha gratis » pjesën më të madhe të bregdetit Dalmat po të njejtëve jugosllavë. Në rradhë të dytë, Hoxha duhet shpallur përgjegjës edhe për « shitjen » e Maqedonisë Perëndimore apo edhe të një pjese të vogël të Malit të Zi, të bashkuara me Shqipërinë në të njejtën kohë dhe në të njejtën mënyrë sikundër Kosova, para se ato të rimereshin përfundimisht nga Jugosllavia.
. Së fundi, ajo që tërheq vëmendjen është përpjekja për të rregjistruar aksionin e Hoxhës në një kuadër edhe më folklorik se sa një nënshtrim i thjeshtë apo edhe çinteresim nacionalist : në atë të antagonizmave të përjetshme mes Gegëve dhe Toskëve. Ajo vjen nga nuk pritet, nga dy francezë që kaluan një pjesë të jetës së tyre në Shqipërinë komuniste dhe si të tillë, mbahen si vrojtues të vëmendshëm dhe asnjanës të jetës shqiptare :
.
. ... Eshtë fort e mundshme që Enver Hoxha të kish kuptuar se, përtej atyre hezitimeve të Titos, serbët nuk do të braktisnin kurrë Kosovën. Ai ju nënshtrua faktit edhe më tepër pasi realizimi i projekteve të tij dhe aspirata drejt pushtetit personal veçse do të pengoheshin nga një « Shqipëri e Madhe » që do të përfshinte një shumicë gegë. Ja përse Enver Hoxha është akuzuar gjithmonë nga ana e mërgatës « republikane » shqiptare se ai ja shiti Kosovën serbëve për të vendosur pushtetin e tij mbi një Shqipëri tashmë të dobësuar. Pa dyshim kjo gjë është e tepëruar pasi, duke patur parasysh raportet e pabarabarta dhe prestigjin e Titos, komunistët shqiptarë cilatdo qofshin dëshirat e tyre, në asnjë mënyrë nuk mund të shprehnin kërkesa territoriale. Hoxha veçse ka preferuar të themelojë, nën pushtetin e tij, një Shtet shqiptar minimal por të pavarur, se sa të parashikonte formimin e një « Shqipërie të Madhe » në kuadrin e një Federate jugosllave të dominuar nga Tito (sh. 3).
.
. Në këtë rast, admirimi ndaj guximit të analizës gërshetohet me habinë, atë të mungesës së këmbënguljes. Vrojtuesit e mësipërm nuk kanë mundur – ose nuk kanë dashur - të vërejnë se zbatimi i projekteve të Hoxhës lidhur me vendosjen e pushtetit të tij mbi këtë Shqipëri të cfilitur, por më të nështrueshme meqënëse kryesisht toskë, përputhet njëkohësisht me humbjen « definitive » të krahinës së Çamërisë, e cila sikundër Kosova mbetet gjithashtu jashtë kufijve shtetërorë të atij Shteti shqiptar « minimal ». Edhe kjo krahinë, ose më mirë të themi një pjesë e saj, ishte pushtuar nga italjanët gjatë lufte dhe në vazhdim, u mbajt « de facto » në orbitën e Shqipërisë musoliniane sikundër Kosova apo edhe Maqedonia Perëndimore – paçka kundërshtimit gjerman për t’u bërë « pjesë përbërëse » e saj. Në qoftë se nëpërmjet një përpjekjeje të vërtetë të intelektit mund të arrijmë të kuptojmë se « realizimi i projekteve të tij dhe aspirata drejt pushtetit personal (të Hoxhës) veçse do të pengoheshin nga një « Shqipëri e Madhe » që do të përfshinte një shumicë gegë, mbetet një mister i vërtetë mungesa e tij e entusiazmit, në mos për të krijuar një tjetër « Shqipëri të Madhe » por kësaj here me një shumicë toskë, të paktën për të reklamuar botërisht rikthimin e Çamërisë në gjirin e Mëmëdheut.
.
. Në të vërtetë, shpjegimi i strategjisë e Hoxhës ndaj çështjes kombëtare në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti nuk ka nevojë për të tilla konstruksione intelektuale. Programet e para të përpiluara nga PKSH që gjatë luftës, ndërkohë që skicojnë vizionin e një drejtësie sociale, përçojnë në rradhë të parë idenë e kundërshtimit me forcë të pushtimin fashist dhe nazist të vendit si edhe përqasjen politike të organizimit të rezistencës. Ndërkohë që këto programe anashkalojnë zgjidhjen konkrete të problemit të Kosovës, masat praktike të ndërmarra në terren (dërgimi i një numri komunistësh shqiptarë në Kosovë) tregojnë qartë se përfytyrimi i saj « territorial » ishte pikërisht ai i realitetit konkret, pra ai krijuar nga pushtimi fashist - me Kosovën si pjesë përbërëse të Shqipërisë. Ky përfytyrim embrionar ngjet si dy pika uji me atë të përvijuar nga komunistët jugosllavë qysh para lufte, në Kongresit e IV të Kominternit (Drezden 1928), që nënvizonte se « .. një e treta e shqiptarëve jetojnë në gjirin e Mbretërisë dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë kalon vetëm nëpërmjet luftës së përbashkët me PKJ ». Ai i rezistoi kohës dhe vështrimit kritik të Konferencës së Pezës ku Fronti Nacional-Çlirimtar përvijëzoi konturet e një pushteti, apo edhe të Konferencës së Parë të Vendit në Labinot, në mars të vitit 1943, ku PKSH rishqyrtoi politikën e saj të përgjithshme dhe i hapi rrugën krijimit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ndërkohë, kjo logjikë ishte vulosur nga vetë komunistët jugosllavë në Bihaç (nëntor 1942), gjatë punimeve të Konferencës së Parë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar ku mes të tjerash, Tito deklaronte se : « Çështja e Maqedonisë, e Kosovës e Metohisë…. do të zgjidhet lehtë dhe për kënaqësinë e përgjithshme të të gjithëve, në qoftë se do të jetë populli vetë që do t’a zgjidhë, me armë në dorë, nëpërmjet luftës ». Arrijmë në këtë mënyrë në Mukje, ku strategjia e PKSH u përball publikisht për herë të parë me strategjinë e kampit liberal-republikan të përfaqsuar nga Balli Kombëtar.
. E gjendur përballë një realiteti të ri – fundosja e rregjimit fashist të Duçes, krijuesit të asaj « Shqipërie të Madhe » - PKSH dhe në rradhë të parë udhëheqja e saj u detyrua të shqyrtonte mundësinë e bashkëpunimit me forcën tjetër konkurruese – Ballin Kombëtar, dhe të krahasonte përqasjet strategjike. Për herë të parë, ideja e « Shqipërisë së madhe » - më mirë të themi ajo e « Shqipërisë Etnike » - u kthye në një temë debati bile edhe në një argument politik që mund të peshonte në kandarin e ardhshëm të pushtetit. Paralelisht, Hoxha dhe Komiteti i tij Qendror jo vetëm njihnin ndjeshmërinë e veçantë të mentorit të tyre Popoviç ndaj çështjes së Kosmetit (Kosovë-Metohisë) – si edhe kundërshtimin e tij të ndaj kompromiseve me Ballin – por patën rastin të përballeshin edhe me nervozizmin e tejskajshëm si dhe kritikat e ashpra të Svetozar Vukmanoviçit - alias gjenerali Tempo - lidhur me lëvizjen partizane në Kosovë dhe rolin e PKSH që kërkonte përparësinë e organizimit të saj. Përfundimi është ai që dihet : gjatë Konferencës së Dytë të Frontit Nacional-Çlirimtar (Labinot – shtator 1943), PKSH denoncoi dhe hodhi poshtë kompromisin e Mukjes. Megjithatë, edhe në situatën e re të krijuar që i hapte rrugën përplasjes me armë me organizatën nacionaliste, Hoxha deklaronte nga tribuna e Labinotit se :
.
. « .. Lëvizja nacional-çlirimtare ka për detyrë të bëjë popullin e Kosovës koshient për aspiratat e tij dhe ai do të arrijë të çlirojë veten vetëm nëpërmjet luftës kundër okupatorëve fashistë ose okupatorit eventual jugosllav, Drazha Mihajlloviçit. Ne duhet të kujdesemi që populli i Kosovës të vendosë vetë se me cilën palë do të bashkohet… dhe të kundërshtojë rregjimin jugosllav, që do të përpiqet ta shtypë » (sh. 4)
.
. Në se është vështirë të dallohet diferenca mes kësaj deklarate të Hoxhës dhe qëndrimit konkret të Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit në Mukje, ende më vështirë mbetet të gjendet konformiteti i saj me këshillat dhe porositë e Tempos lidhur me politikën jugosllave ndaj Kosovës.
. Në se Hoxha kish këtë mendim lidhur me Kosovën, përse atëhere ai ju kundërvu kompromisit të Mukjes ? Pasi së pari, pikat më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje i përkisnin ndarjes së pushtetit të ardhshëm dhe dukshëm favorizonin Ballin dhe së dyti, ai ende ushqente iluzione lidhur me premtimet e Titos ndaj një zgjidhjeje të çështjes së Kosovës me referendum, pas lufte, konform deklaratave të Bihaçit. Zaten, këto iluzione filluan të shpërndahen par letërkëmbimit mes Tempos dhe udhëheqjes së PKSH (shtator 1943) - megjithë talentin epistolar të Popoviçit që edhe njëherë u bë zëdhënës i idesë se lëvizja komuniste në Kosovë duhej të administrohej nga vetë shqiptarët – dhe ato u zhdukën përfundimisht pas letrave të Titos, gjithmonë adresuar asaj PKSH-je (dhjetor 1943). Ndërkohë në Jajce ishte zhvilluar sesioni i dytë i AVNOJ (29 nëntor 1943) dhe Kosova nuk shfaqej gjëkund në atë skemën federative të Jugosllavisë së ardhshme, shqiptarët nuk përmendeshin fare – bile edhe komunistët shqiptarë të Kosovës nuk u gjendën të denjë të ftoheshin në punimet e këtij tubimi.
. Ngjarjet e dimrit 1943-44 si edhe peripecitë nëpër të cilat kaloi Lëvizja Nacional-Çlirimtare e shtynë shqyrtimin e kësaj çështjeje në pranverë. Por ndërkohë, kartat e lojës kishin ndryshuar : në prill 1944, Titua dërgoi në vend emisarin e tij të ri, Velimir Stojniç që mundi të rreshtonte pas vehtes Xoxen, Spirun apo Malëshovën – dikur besnikë të Enverit - dhe ç’është më e rëndësishmja, i hoqi nga dora këtij të fundit zholin Popoviç. Paradoksalisht, në prag të marrjes së pushtetit – një ëndërr « e çmendur », aq e pabesueshme gjatë luftës – Hoxha kuptoi se po i rrezikohej koka. Mes Kosovës dhe kokës.. ja edhe ekuacioni që duhej të zgjidhte Enveri gjatë Pleniumit të Beratit dhe që e detyroi të bënte ato deklaratat fort pak të lavdishme lidhur me naivitetin dhe paaftësinë e tij.
. Si e justifikon vetë Hoxha qëndrimin e tij ndaj Kosovës ? Kohë më vonë, në fillim të viteve 1980, ai detyrohet t’i rikthehet kësaj periudhe dhe eviton përgjigjen e drejtpërdrejtë :
.
. .. Si komunistë dhe si shqiptarë, me plot të drejtë, ne nuk kemi pranuar asnjëherë të konsiderojmë si një zgjidhje të drejtë atë çka bënë nazi-fashistët në vitin 1941 në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare… Kosova dhe territoret e tjera shqiptare nuk u bashkuan me trupin e Mëmëdheut për të korrigjuar ndonjë padrejtësi të të kaluarës por për një varg motivesh të tjera të mëvonshme. Para së gjithash, nëpërmjet këtij « bashkimi » u kënaqën të gjitha ambiciet dhe dëshirat e vjetra të Italisë fashiste për të skllavëruar sa më tepër territore ballkanike. Së dyti, duke paraqitur vetvehten si « çlirimtarë », nëpërmjet këtij « bashkimi », hierarkët e fashizmit dëshironin t’a mbanin popullin shqiptar dhe veçanërisht atë të Veriut, larg luftës Nacional – Çlirimtare. Një nga qëllimet e posaçme të kësaj « zgjidhjeje » ishte të neutralizohej dhe të tërhiqej në krahun e fashizmit seksioni i nacionalistëve dhe të tjerë elementë patriotë… Njëhohësisht, nëpërmjet këtij « bashkimi » të kryer me forcën e armëve, fashizmi dhe nazizmi i hapte shtigjet të gjitha grindjeve dhe armiqësive reciproke mes popujve fqinjë të Ballkanit me qëllim që ato të mbaheshin gjallë përjetësisht (sh. 5).
.
. Megjithë elegancën, pirueta ideologjike nuk arrin të maskojë një të vërtetë – gjysmën e saj : ideja e « Shqipërisë së Madhe » duhej braktisur pikërisht në funksion të qëllimit final të PKSH – marrjes së pushtetit, qëllim i cili mund të realizohej vetëm nëpërmjet asgjësimit të BK – partizan i kësaj ideje. Gjysma tjetër e të vërtetës i takon vetë Enver Hoxhës, i cili u detyrua të pranojë zgjidhjen e paraqitur nga jugosllavët, thjesht për të qëndruar në krye të asaj PKSH-je.
.
. Në këtë prizëm, shqyrtimi i « çështjes Kosovë » tejkalon së tepërmi kuriozitetin hipotetik, bile edhe keqdashës – atë kuriozitet që shtyn të bësh pyetjen : çfarë mjetesh konkrete do të zotëronte nacionalisti Hoxha në fund të luftës për të mbajtur me forcë Kosovën ? sikundër dhe tjetrën : çfarë mjetesh konkrete do të përdorte Balli Kombëtar fitimtar për të penguar Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të Titos që synonte Kosovën ? Aq më tepër kur kjo e fundit, ishte në gjendje njëherësh, të pengonte Ushtrinë e Kuqe të çlironte Beogradin dhe të nëpërkëmbte trupat aleate të gjeneralit Aleksandër të stacionuara në Italinë e veriut, në maj të vitit 1945, gjatë mësymjes së saj në gadishullin e Istrisë dhe pushtimit të qytetin e Triestes. Interesi i vërtetë i kësaj çështjeje angazhon thelbin e metodës pragmatike të Hoxhës : mënyrën e tij për ta sjellë punën në atë farë feje që interesi i tij i ngushtë personal të mbulohet nga « interesi i shenjtë » i partisë, ndërkohë që ai vetë vihet në rolin e mbrojtjes së teorisë marksiste-leniniste më ortodokse.
. Duke ju rikthyer edhe një asaj periudhe fundlufte, patriotizmi i komunistëve shqiptarë – nëqoftëse këtu ka vend të flitet për patriotizëm – nuk i tejkalon kurrë kufijtë shtetërorë të vendit, të trashëguar nga monarkia e Zogut ; pra, krejt e kundërta me kampin nacionalist, për të cilin bashkimi i Kosovës me trupin e Mëmëdheut përbënte një element thelbësor mbi të cilin ngrihej gjithë strategjia e lëvizjes « republikane ». E parë kësisoji – dhe si përgjigje ndaj përfundimeve të Elez Biberajt dhe të tjera përfundime, të cituara më lart, nëqoftëse komunistëve shqiptarë ju mungonte vullneti për të shprehur kërkesa territoriale ndaj fqinjëve kjo nuk vjen as nga pozita e nënështruar që ata kishin ndaj PKJ, as nga raportet e pabarabarta mes PKSH dhe PKJ as edhe nga prestigji fenomenal i Titos por nga mënyra e tyre e konceptimit të rolit dhe të misionit politik të asaj force politike që quhej PKSH, të strategjisë së tyre të marrjes dhe të mbajtjes së pushtetit.
.
. Troç, asnjëherë Kosova – dhe aq më pak Çamëria apo Maqedonia lindore – ka bërë pjesë sa në realitetin politik të komunistëve shqiptarë aq edhe në imagjinarin e tyre patriotik. Paçka se herë pas here – dhe sidomos pas viteve 60’, për arsye thjesht të propagandës, ata ngrinin zërin për « nëpërkëmbjen e të drejtave të vëllezërve kosovarë » ose për « shtypjen shnjerëzore dhe antikombëtare të ushtruar nga ana e revizionistëve të Beogradit ». Për hir të principit – ose për hir të realizmit të tyre të sprovuar praktik – përpjekjet e tyre shtetformuese, të inauguruara në Pezë dhe të kolauduara në Përmet, u përqëndruan brenda kontureve të Shtetit shqiptar të paraluftës, i cili - në vijim të përfundimit të mësipërm të vëzhguesve francezë, ishte po aq minimal sa edhe Mbretëria zogolliane, ndërkohë i themeluar prej Ismail Qemalit që në vitin 1912 dhe i dobësuar deri në zalisje që në lindje, prej përpjekjeve të përbashkëta të fuqive të mëdha evropiane.
. Ky « racionalizëm komunist » – në antipod me « idealizmin republikan » por sidoqoftë, në vazhdën e « realpolitikës legaliste » - shprehet me të njejtat përmasa qoftë gjatë vitit 1941 kur komunistët ndodheshin me vite drite larg pushtetit dhe Shtetit ndërkohë që emri Tito sapo kish filluar të dëgjohej mes qarqeve të ngushta të rezistencës, qoftë në nëntorin e vitit 1944, kur ata erdhën në fuqi dhe filluan të vendosnin pushtetin e tyre mbi territorin kombëtar, qoftë edhe pas vitit 1948, pas prishjes përfundimtare me Titon.
.
. Pohimi se Hoxha e « shiti » Kosovën – kjo bindje tautologjike e nacionalistëve shqiptarë, është një korolare e e pohimit tjetër të zëshëm ose të nënzëshëm se « komunizmi nuk ka asgjë të përbashkët me nacionalizmin ». Ai që ende i mbahet pohimit të parë, duhet të pranojë paralelisht se Hoxha shiti një « mall » që asnjëherë nuk e kish patur në strajcë - nga momenti që u shpall komunist. Në mos, në nëntor të vitit 1941, ndërkohë që ai në atë kohë s’ish gjë tjetër veçse një anëtar anonim i një Komiteti Qëndror të vajtueshëm prej 11 antarësh - kur ai kishte në dorë veçse kyçet e kashtës.
. Në të kundërt, këmbëngulja në këtë logjikë përbën argumentin më të plotë që kundërshton ngrehinën « nacional-komuniste » të rregjimit të Hoxhës, këtë mit bashkëkohor aq të përfolur dhe të përshkruar. Por, kjo është me të vërtetë një tjetër çështje, e cila do të trajtohet në shkrimet e ardhshme.
.
.
. ----------------------------
.
.
. 1) Mbi këtë subjekt, shih : Ernest WEIBEL – Histoire et géopolitique des Balkans de 1880 à nos jours, Ed. Ellipses, coll. L’Orient Politique, Paris 2002.
.
. 2) Stefano BIANCHINI - Sarajevo, le radici dell'odio, Edizioni Associate, 1996.
.
. 3) Elisabeth et Jean-Paul CHAMPSEIX - L'Albanie ou la logique du désespoir, Paris, La Découverte, 1992.
.
. 4) Ramadan MARMULLAKU – Albania and the Albanians, London, Christopher Hurst, 1975.
.
. 5) Enver HOXHA – The Titoistes, Publishing House « Naim Frashëri », Tirana 1982.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur