"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, April 30, 2009

Gabimi origjinal.

.Parabolë metafizike
.
.
. Pasi krijoi Gjithësinë e paanë, herë-herë bosh dhe herë-herë të mbushur me frymën jetëdhënëse ; pasi ngjizi pra me rradhë qerthujt e stërmëdhenj të galaksive dhe të diejve të panjohur ende që sillen rrotull në sferën qiellore, Zotit ju mbush mendja të krijojë botën tonë unike. Në atë vrullin e tij krijues gjenial të çastit, ai i dha përmbajtje ujit – detrave dhe oqeaneve të paanë, dhe më tej i dha formë tokës – kontinenteve dhe ishujve, pra dheut, gjithësesi i zbrazur pasi ende shterpë. I kënaqur nga ky fillim i mbarë, ai filloi të shpërndante kuturum dhe pa hesap mbi dhe, gjithçka përmbante thesi i tij i stërmadh :
. Diku hodhi farën dhe aty çeli lulja,
. gjetkë mbiu gjembi dhe hodhi shtat shkurrja ;
. Diku rritej pema, diku pranë gruri,
. gjetkë u çfaq rëra, në mos mbuloi guri ;
. Diku mbiu bari, i lagur prej shiu,
. gjetkë ra acari i akullt, veriu ;
. Diku rridhte lumi, më tej shtrihej fusha,
. gjetkë ngrihej mali, me gërxhe dhe çuka ;
. Diku doli naftë, diku u gjet ari,
. gjetkë verboi kripa, më lart priste strralli ;
. Diku bridhte lopa, më tej ulej tusha,
. gjetkë sillej ujku dhe pinte këpusha…
.
. Dikur pra Zoti edhe u lodh dhe vendosi të pushojë. Përpara se t’i vihej detyrës së tij të fundit, krijimit të njerëzve – sipas shëmbëlltyrës së tij. U ul këmbëkryq, hodhi sytë mbi atë çka kish bërë dhe befas, u step. Edhe pse krejt e rastësishme, dora e tij kish krijuar kontrastin e gjësë ; edhe pse i pavullnetshëm, veprimi i tij kish prodhuar pabarazinë e bollëkut : diku bollëk fushash dhe lumenjsh, kafshësh dhe shpendësh, pyjesh dhe xeherorësh… dhe diku gjetkë, bollëk shkrepash dhe acaresh, shkurresh dhe strralli, ujqish dhe çimkash. I nxehur me vehten, ai vendosi ta korrigjojë gabimin, pikërisht me anën e njerëzve – nëpërmjet kompensimit të vlerave. Përfundimisht, diku ai vuri frëngun dhe gjetkë shqiptarin ! .
.
. Trimëria që vret.
.
. Sipas të gjitha gjasave, ky rrëfim i padatuar dhe anonim përzien mitin origjinal kozmologjik me një perceptim tipik njerëzor të realitetit, ku imagjinata flirton haptazi me zilinë. Pasi po t’i kqyrësh nga afër, as Franca nuk është ai vend i përshkruar më lart – pra një parajsë gjithandej veç me lumenj dhe fusha, apo me lopë dhe tusha – sikundër dhe Shqipëria nuk është shëmbëlltyra e ferrit mbi dhe – pra veç male dhe strrall, apo ujq edhe acar. Të vetmit elementë racionalë në të janë egzistenca e Zotit, pra përpjekja e tij madhore e krijimit të botës dhe të njerëzve… si edhe lindja e shqiptarëve në formën e tyre fillestare pellazgjike , që në çastet e para të krijmit të Botës.
. Një e vërtetë e patundur ajo e egzistencës së Zotit, aq mirë e ndjerë nga Presidenti amerikan kur mbyll fjalimet e tij planetare me shprehjen drithëruese « God bless America » apo nga të tjerë anglezët që këndojnë në kor me sy të përpëlitur « God save the Queen ». Të tjerëve që dyshojnë sadopak, ju mbetet t’i japin dum qerres me pyetje ende pa përgjigje : përse ne jemi të vetmet qënie inteligjente të universit, pse deti është i kripur, pse qielli është blu, përse egzistojnë pesë rraca njerëzish krahas dy milionë rracash insektesh... apo dhe të tjera të këtij lloji.
. Sa për pellazgët dhe si rrjedhim shqiptarët, nuk besoj se dikush me mend mund të verë tashmë në dyshim prejardhjen e tyre hyjnore ; aq më tepër, kur kjo tezë është zhvilluar dhe mbrojtur nga të tillë dijetarë si Spiro Konda apo Zacharia Mayani pa harruar aspak më modernin dhe bashkëkohësin, një farë Mathieu Aref. Së fundi dhe më e parëndësishmja, frengjtë luajnë rolin e gjinisorit-gjenerik. Pra, ata mund të zëvendësohen fare mirë me Filistinët sikundër me çdo popull të Izraelit antik, me Egjiptianët apo me Hindusët… thjesht, me këdo - bile edhe me Hititët, Babilonasit ose Helenët.
.
. Por duhet të pranojmë se, edhe sikur Zoti diku të ketë gabuar pa dashje në shpërndarjen e tij fillestare të bollëkut, « gabimi » i tij më i madh - për më tepër « me dashje » - është ai i kompensimit me anë të njerëzve. Kështu, për të korrigjuar lajthitjen e parë, nga njera anë ai krijoi shqiptarët duke i pajisur me vetitë më të mira të njeriut : trima, kryelartë, të zgjuar, të shkathët, të bukur shtatlartë… dhe nga ana tjetër italjanët (më falni, grekët) : frikacakë, të përulur, torollakë, të mefshtë, të shëmtuar dhe të tjera më the të thashë… Ja pra edhe lajthitja e dytë fenomenale : mospërputhja flagrante e vlerave materiale me vlerat njerëzore !
. Le të gjykojmë vetë : me çka do të merret trimi i zgjuar, cerebral dhe kokoroç shqiptar në majën e malit, në mos të luftojë me ngjashmit e tij, po aq trima të çartur sa ai, përderisa guxojnë dhe ngjiten në këto male ? Po kur këtyre të ardhurve t’u jetë shfarosur fara, me kë tjetër ai do të merret përveç se me sivëllaun, më tej me vëllain dhe së fundi me vetvehten ? Ndërkohë ai pordhacaku frëng i mefshët as që guxon të përleshet me dikë dhe aq më pak me vehten ; pra thjesht për t’u marë me diçka, ai do t’ju përvishet sendeve – fushave, lopëve dhe xeherorëve të pashpirt.
. Rezultati s’ka nevojë për koment : sot mezi numërohen tre milionë e gjysëm shqiptarë dhe nja dy milionë kosovarë – krenarë si ata - që gjallojnë në një vend të varfër ku edhe malet janë shëndrruar në kështjella, të rrënuara të bëra fushë - dhe nga ana tjetër, njëqind milionë gjermanë – të nënështruar, sigurisht - që rrojnë në fushë, të rrethuar nga malet e të mirave materiale. Në se që ditën e parë, Zoti do të kish vënë në punë logjikën e thjeshtë, sipas ligjit të tjetër të ndërsjelljes, sot do të kishim krejt të kundërtën : njëqind milionë shqiptarë të ngopur, bile edhe të majmë – paçka se disi më kokëulur – në një vend të begatë me malet e kthyera në fusha të vërteta, rreth e qark të cilit do të silleshin gjashtë milionë serbë ndoshta krenarë si Artabani i proverbës, por ama të zgjebosur, të uritur dhe të leckosur, fushat e të cilëve do të ishin mbuluar nga malet – e plehrave !
.
.
. Mosbesimi që veçon.
.
. Në vend të efektit të dëshëruar, lajthitja origjinale e Zotit e zgjedhuar me inteligjencën po aq natyrale të shqiptarëve, prodhoi një pasojë të dytë, ende më fatkeqe. Edhe pse i pazot nga natyra të zhbironte deri në fund udhët e Zotit, shumë shpejt dhe intuitivisht, shqiptari cerebral kuptoi se diku ky Zot ishte gabuar. Vetvetiu lindi dhe u zhvillua tek ai mosbesimi që e shtyu drejt dyshimit, drejt agnosticizmit. Ndaj një Zoti të tillë, të parët u hakmorrën duke ja ndrruar kishën – Krishtin e kryqëzuar të katolikëve me sivëllain e tij ortodoks ende më të cfilitur – dhe anasjelltas ; pasardhësit apostatë ja braktisën atë fare dhe rendën në masë pas xhamisë së Muhametit dhe parajsës së tij qiellore plot me hyrije, bashkëkohësit ateistë i mbyllën krejt kishat dhe xhamitë dhe u rreshtuan pas Enverit dhe parajsës së tij komuniste tokësore. Së fundi, bashkërendësit e çoroditur – dhe natyrisht të uritur, ende hezitojnë mes kryqit dhe gjysmëhënës, mes profetëve dhe mashtruesve, mes dogmës dhe thashethemeve, mes Kryetarit dhe partisë, mes Unit dhe grupit…
. Hezitim agnostik. Një luks që përveç filozofit të përçartur dhe dijetarit të përhumbur, jo gjithkush ja lejon vehtes. Si i bëhet kur një grusht individësh të lirë si shqipja pretendon të jetë njëherësh filozof, dijetar dhe luftëtar – në mos i barabartë, të paktën po aq i barazvlefshëm sa edhe perënditë e qiellit ? Edhe pse njëzet vjet jetë në vendin e frëngjve më ka ndihmuar t’i ve fre agnosticizmit të lindur, hezitoj t’i jap përgjigje një pyetjeje të tillë. Thjesht për të mos plagosur krenarinë time – dhe të të tjerëve si puna ime.
.
. Ky preokupim i përjetshëm për të deshifruar dhe për të nënështruar forcat hyjnore e pengoi përfundimisht shqiptarin tonë të kuptonte skemat e thjeshta tokësore, mekanizmin banal jetësor që vinte në lëvizje gjallesa të tilla si francezin. Me atë shpërfilljen karakteristike, po ajo me të cilën individi i plotfuqishëm dhe i lirë vështron nga maja e malit të tij masën e nënështruar dhe skllave që zvarritet fushave, ai fshiu njëherësh nga tefteri i tij njëfaqësh të gjitha vlerat e përbuzura : dhuntinë elementare të punës së rëndomtë, të përditshme dhe të stërlodhshme ; virtytet çudibërëse të demokracisë të turmës anonime që rron me iluzionin e zgjidhjes së problemeve me anën e një fije letre – votës ; fuqinë shpresëdhënëse të institucioneve të përbashkëta që mbështetet mbi vendimet kolektive ; forcën e verbër të makinës të ligjeve që kristalizon vullnetin e grupit mbi interesat sovrane të popullit ; përmbajtjen konvencionale të fjalës që mbështetet mbi koncepte abstrakte të tilla si barazia apo vllazërimi.
. Detyrimisht, ai përjeton një moskuptim të shumëfishtë – atë të filozofit vetmitar që refuzon argumentat e të singjashmit mendimtar, atë të individualitetit të spikatur që mohon çdo autoritet tjetër përveç vetvehtes, atë të rrebelit të përjetshëm dhe kokëfortë që guxon dhe ngre krye kundër vetë Zotit. Ndërkohë, atij nuk i ka munguar as arsyeja – ajo e urisë që të detyron të braktisësh malet shterpe në kërkim të bukës ; as urtësia – ajo e monedhëzimit të të vetmit produkt që gjendej me bollëk në këto vise, trimërisë dhe forcës së krahut. Ja përse, në kryqëzim të udhëve të mendjes dhe të krahut, të mprehtësisë dhe të forcës, gjithmonë është gjendur ai – luftëtar dhe mercenar, rojtar dhe bandit, sulmues dhe mbrojtës. Me kusht që, diku pranë të gjendej dikush që kish nevojë për të – dhe që për më tepër, sipas një alkimie misterioze dhe asnjëherë të kuptueshme nga mendja e ndritur e trimave, ishte i aftë sidoqoftë të kthente në ar çdo gjë që prekte. Romaku në kërkim të legjioneve dhe të gjeneralëve, Bizantini nevojtar për ushtarë për perandorë, Venedikasi dhe të tjerë Latinë mungestar për stratiotë dhe të Komendatorë, Otomani i etur për jeniçerë dhe Vezirë…
. Ky ekuilibër shekullor u thye papritur e papandehur, po atë ditë kur frëngu i përbuzur zbuloi se edhe një mendje e fjetur si e tij ishte më se e mjaftë për të frutëzuar përpjekjen njerëzore, tashmë të investuar në kohë. Me fjalë të tjera, në se rrota e qerres ishte shpikur nga dikush dikur, nuk ja vlente më barra të mereshe me rrotën por me qerexhiun. E thënë ndryshe – dhe në lidhje me një lëmi që na intereson veçanërisht, atë të luftës – nga momenti që tashmë baruti ishte shpikur, duhej kaluar vështrimi tek pushka ; nga momenti që pushka paraqitej efikase dhe mjaftueshmërisht vrastare, dukej menduar për topin… dhe përfundimisht, nga gjylja e topit tek bomba atomike rruga përvijohej vetvetiu. Puna është se kjo mënyrë e kqyrjes së bashkëveprimit njeri-natyrë (dikush mendoi ta quajë teknologji) e çoi shqiptarin tonë drejt papunësisë së plotë dhe përfundimtare.
.
. Mendoni vetë : së pari, për të përvehtësuar këtë të uruar teknologji, duhet të pranosh fillimisht se nuk di thuaj asgjë, më tej duhet të ulesh diku – për shembull, në një bankë shkolle, për ta mësuar. E pra shqipja e maleve di gjithçka që në origjinë dhe s’ka nevojë ta mësojnë të tjerët. Së dyti, përdorimi i saj s’ka asnjë lidhje me trimërinë – këtë dhuratë të Zotit, por me bindjen dhe nënështrimin : të përsëritësh mekanikisht atë çka të urdhëron tjetri. A ka parë dikush një shqiptar t’i bindet verbërisht urdhërit, fanatik të disiplinës ? Dhe në vijim, kjo mënyrë e re e përballjes së tjetrit, është karakteristikë e frikacakut dhe e bërë për frikacakët – kur mund t’a vrasësh armikun tënd nga larg, përse t’i dalësh atij përballë ? Në këto kushte, askush ka nevojë për krahun kordhëtar apo për trimin që të merr gjak në vetull – pasi sot, nuk arrin t’i shohësh armikut as nishanin… dhe jo më vetullën !
. Përfundimisht, kur arrijmë në atë derexhe që edhe një gjë e tillë e shenjtë dhe fisnike si lufta bëhet dhe fitohet nga frikacakët e mefshët, ndoshta botës ende nuk i ka ardhur fundi, ama në këtë botë të tillë nuk ka më vend për shqiptarët.
.
.
. Zhvillimi që frenon.
.
. Pikërisht, duke ju bindur kërkimit të efektit aq të dëshëruar, përpjekja origjinale e robit frëng të Zotit, tashmë krejt e pavarur nga inteligjenca natyrale e shqiptarit, prodhoi një pasojë të fundit, trefish më fatkeqe : krijimin e Shtetit. Ky sendërzim djallëzor, më i përsosuri që mendja e mbrapshtë e skllavit të zvetënuar kish mundur të sajojë, ishte shkruar në logjikën e vetë sendeve. Tashmë, teknologjia e dijes dhe ajo e luftës konkurronin mes tyre për të shenjtëruar pushtetin e pronarit mbi pronën, për të ligjësuar fuqinë e të fortit mbi të dobtin ; troç, për të përjetësuar privilegjet e kastës dhe për t’i treguar vendin atij që dilte nga rreshti. Një ushtri e vërtetë rrogëtarësh e përbërë prej policit dhe xhandarit, mësuesit dhe ushtarit, gjykatësit dhe rojtarit, priftit dhe kuvendarit, tagrambledhësit dhe postjarit… deri tek nëpunësi, funksionari dhe ministri apo doganieri, spiuni dhe xhelati. Të gjithë këta « shërbëtorë të Shtetit », rrotulla dhe rrypa transmisioni të makinës së pashpirt, robëtoheshin për të ruajtur në planin lokal bindjen e shtetasit, harmoninë e familjes, ekuilibrin e rendit shoqëror, mbijetesën e paqes sociale, mirëqënien e shtresave të privilegjuara… dhe në një plan tjetër, kësaj here rajonal dhe botëror, kontrollin e tregjeve të krahut të punës, të lëndëve të para dhe të produkteve industriale ; hegjemoninë mbi sferat e influencës politike ; ndikimin mbi paktet dhe traktatet ekonomike dhe ushtarake ; ndërhyrjen në punët e brendshme të shtetit tjetër.
. Është pak të thuhet se, jo vetëm vrapi i shfrenuar i jetës dhe aktiviteti intelektual gjithnjë dhe më frenetik – tipik i fundshekullit të XIXtë – nuk përputhet aspak me kqyrjen filozofike të natyrës së vrazhdë dhe preokupimet baritore të malësorit tonë trim, dhe por edhe frazeologjia apo terminologjia e mësipërme është në shfazim të plotë me botën e tij idilike, të ritmuar nga konceptet biblike të besës dhe nderit, të Kanunit dhe të bajrakut, të fisit apo të farës, të gjakmarrjes dhe të hasmit. Shumë-shumë, mund të imagjinojmë se për të, ecejakja e kësaj bote të jashtme në vlim paraqet një proces sa absurd aq edhe të çoroditur, të ndërmarrë nga njerëz po aq të çoroditur.
.
. Fundja, ç’mund të prisje tjetër nga ajo skotë të huajsh që i kish shkuar jeta duke nënështruar objektet e pashpirt, duke numëruar gjënë në zotërim të saj – me sytë e verbuar nga lakmia ? Kaq dhe aq fusha.. pse jo dhe disa më tepër ; aq dhe kaq lopë… pse jo edhe tufa tjetër ? Frika e fqiut e shtyu këtë racë fatkeqe të rrethohej me gardh, t’i tregonte sinorin frikacakut tjetër ende më lakmiqar, të shpikte kufijtë mes shteteve, t’i rrethonte këto të fundit me tela me gjemba, të mobilizonte rojet bile edhe ushtrinë për t’i ruajtur – dhe pasi të sigurohej se zotëronte një fuqi më se të mjaftueshme, t’i çonte këto kufij deri tek thana. Bile në këtë pikë, shqiptari duhej të ndihej i lumtur që ende nuk i kish prerë të gjitha thanat për thupra, pra që i kish mbetur një qafë e tërë plot, pasi fqiu i tij i pangopur serb – tashmë në rrugë, ishte gati t’i kërkonte këto të uruara thana deri në breg të detit, tek Shkëmbi i Kavajës. Kështu, një ditë të bukur ndonëse të vrenjtur, të vjeshtës së tretë 1912, shqiptari u gjend i rrethuar gjithandej nga kufijtë e të tjerëve.
. Fort të aftë nga natyra të imagjinonin deri në fund qëllimin e lig të tjetrit, bijtë më të mirë të kësaj racës tonë të lashtë – më e shquara se ato që e rrethojnë – kuptuan më në fund se e vetmja mënyrë për penguar fqinjtë keqbërës ishte të lidheshin me të tjerë fqinjë, disi më të largët, por të paktën në pamje mirëbërës. Detyrë e vështirë besa - por sidoqoftë e frymëzuar nga adaxhio e lashtë « armiku i armikut tim është miku im » - ajo e të përzgjedhurit mes tufës së miqve, grabitës të sprovuar të rangut kontinental. Ngushëllohemi bile edhe ngazëllohemi veç duke ditur se sidoqoftë, ata ishin armiq të përbetuar të lakmiqarëve modestë fqinjë. Ja përse ai grusht burrash që mundi të ngjitej në atë ballkonin e famshëm të Vlorës rendi fillimisht në Vjenë dhe fill përmbrapa në Romë, përpara se të shqiptonte atë fjalimin lakonik por historik të shpalljes së Pavarësisë.
. Pas aq e kaq shekujsh pavarësie mendore, shpirtërore dhe fizike individuale, shqiptarët u detyruan t’i braktisnin atributet e tyre hyjnore origjinale për t’u vënë në një këmbë me të tjerët, për hir të pavarësisë së tyre të përbashkët. Nga ky moment, turma e luftëtarëve të pamposhtur u kthye në popull banal, vendi legjendar i shqiponjave në shtet të papërfillshëm ballkanik, raca e lavdishme në komb gjysmak dhe së fundi, trimi i çartur – bir i denjë i Zotit, u shëndrrua në nënshtetas. As krejtësisht i përulur dhe i bindur për të qenë sa duhet qytetar, as i krishterë dhe i kulturuar si duhet për të qenë evropian për së mbari. Thjesht, shqiptar metis i fillimshekullit të XX, që kish trashëguar nga nëna urinë e përhershme, pakënaqsinë legjendare dhe skepticizmin qiellor ndërsa nga baballarët e shumtë, lakminë për prona dhe për para, zbythjen përpara autoritetit dhe adhurimin hipokrit të doktrinës.
.
. Për herë të parë në historinë e tij, vendi tashmë i emancipuar – në kohën e tyre, rilindasit Frashëri ëndëronin ta shihnin të mëvetëm, u vu në starting bloc-un e garës ndërkombëtare të ecjes, finishi i të cilës ndonëse nuk i dukej fundi, quhej qytetërim, begati dhe demokraci. Vetëm se, konkurrentët ishin nisur prej kohësh dhe gjendeshin disa dhjetëvjeçarë, në mos shekuj larg përpara. Nën vështrimin babaxhan të trajnerëve dhe në vijim të këshillave të tyre dashamire, bashkëkombasit dora-dorës mësuan si të ngrinin një shtet me të gjitha takëmet e domosdoshme (qeveri, administratë, ushtri, xhandërmari), si të organizonin një ekonomi të orientuar drejt prodhimit të lëndëve të para për industrinë e miqve dhe konsumit të prodhimeve të gatshme të industrisë së tyre ; si të konceptonin një politikë eklektike aleancash, të ngritur mbi mundësinë e marrjes së borxheve dhe mbi pamundësinë e shlyerjes së tyre.
. Në mungesë të këllqeve, nga ecje sportive, gara u shëndrrua në përçapje të mundimshme, në një anabas që synonte terminusin Evropë – si dikur Shvejku Bugjejovicën. Një anabas që vazhdon deri në ditët e sotme, fort i lakuar dhe i përdredhur, ndoshta i vështirësuar nga vetë shqiptarët që mes gjitha shtigjeve të mundshme që ju ofronte bota, preferuan ato që i përshtateshin më mirë natyrës së tyre jo fort komode : liberalizmin fisnor të monarkut despot ndaj premtimeve të fisme të dhespotit liberal ; Frontin e luftës në krah të Aleatëve ndaj Ballit të aleancës me shkaktarët e Luftës ; diktaturën e egër « demokratike » të shumicës proletare ndaj demokracisë së gjerë « shfrytëzuese » të pakicës së kamur ; terapinë e shokut të doktorit-mjek-dijetar ndaj ekonomisë së tregut të doktorit-ekonomist-pijetar.
.
. Ndoshta pa kokë, por ama me këmbë… bile ca më mirë me qerre pasi, bë vaki, mund të biesh në lepur, një e tillë udhë të çon diku. Ishallah në Romë, paçka se u nisëm për bute dhe ramë në shtamba. Në rastin tonë në NATO. Zaten, i duruari i fituari, se edhe trimi më i mirë ka nevojë për shokë shumë… si edhe për një mik, të bardhë – pra evropian – për një ditë të zezë… bile mundësisht një mik me pare, se kur ke pare ç’i do mentë. Ato të bekuara mend, dhuratë e Zotit, shkaktare të aq e kaq fatkeqësish, që na mësonin dikur të luteshim : ruajna Zot nga miqtë budallenj se nga armiqtë e zgjuar mbrohemi vetë !
.
.
. * * *
.
.
. Ç’duhet të bëjnë njerëzit kur krijuesi i tyre, Zoti, gabon që në origjinë ? Edhe pse në dukje legjitime – nga këndvështrimi i laikëve, ose krejt absurde – sipas mendimit të fetarëve, kjo pyetje është fort delikate. Nuk shkoj deri aty sa të pohoj ne se mundet apo jo të gjykojë poçja prej balte poçarin që e krijoi, pasi nga momenti që Zoti mendoi t’i fryjë në hundë nuskës prej argjile, ai i dha asaj Frymën, pra një diçka prej vehtes së tij. Në mos inteligjencën, të paktën shpirtin ! Dhe nga momenti që ka shpirt, njeriu shpirtërzon, shqison, ndjen, krahason, analizon, logjikon dhe përfundimisht edhe gjykon. Edhe sikur t’i ndalohet të gjykojë Krijuesin, askush s’mund ta pengojë të gjykojë të singjashmin dhe vetvehten. Pikërisht nëpërmjet krahasimit, analizës dhe sintezës.
.
. Pra, le të ndryshojmë vetë sensin e pyetjes : Përse Zoti, pasi krijoi njeriun, e braktisi atë në fatin e vet ? A thua të ishte kaq i lodhur nga ky proces krijues, kaq i zënë në procese të tjera, sa që nuk pati më kohë t’i rikthehej veprës së tij madhore – si çdo krijues tjetër - qoftë për t’i bërë asaj korrigjimet e rastit ? Në të kundërt – dhe për të gjithë ata që mendojnë se Zoti është i mishëruar gjithandej në natyrë – përseja e kësaj pyetjeje është një evidence, pasi Ai ngjizi një krijesë me jetë, me shqisa bile edhe me shpirt e gjykim, por sidoqoftë të paaftë të dallonte me sy të lirë qoftë Krijuesin qoftë edhe shëmbëlltyrat e tij të shumta, për të ndjerë aprovimin apo mosaprovimin e vështrimit të Atit tonë në Qiell ndaj veprimeve të veta mbi tokë. Edhe nëse nuk duam të pranojmë se Ai e dështoi këtë krijesë që në krijim, ose të paktën e braktisi më tej në fatin e vet, përse atëhere ai nisi mbi dhé Birin e vet Jesu - dhe herë-pas-here – të tjerë Profetë, në mos për t’i treguar grigjës së çoroditur rrugën e vërtetë, për t’i bërë njerëzit të riorientoheshin nga fjala e tij ? Përse kjo grigjë paska tendencën të shkasë në rrugë të keqe ? Përse së fundi, ai nis engjëj dhe të tjerë shenjtorë për t’u transmetuar veshëve të ndjeshëm mesazhe qiellore, gjithmonë me shpresë se një ditë prej ditësh njerëzit do ta kuptojnë dhe do të ndryshojnë natyrë ?
.
. Përpara shumës së pyetjeve të tilla pa përgjigje që rrezikojnë të shëndrrohen në ortek, pres me durim që dikush të marë guximin të formulojë tre a katër ide – majë ; sidoqoftë, disi më të ndryshme nga ato që propozon Bibla apo Kurani, lidhur me krijimin, mëkatin apo edhe gabimin origjinal të Zotit, sikundër dhe një a dy hipoteza fillestare disi më të mençura, lidhur me origjinën hyjnore të shqiptarëve. Pres dhe shpresoj, që ai dikush të ketë kuptuar më në fund që ky shqiptar origjinal ndoshta nuk është më i mirë se sa të tjerët por aspak më i keq se ta ; ndoshta jo më shumë hyjnor se fqinjët por sigurisht po aq i barazvlershëm sipas standardeve tokësore ; ndoshta jo kërthiza e botës dhe fara e njerëzimit por natyrisht aktor i Historisë, edhe pse i dorës së dytë. As më pak as më shumë, i zakonshëm mes të zakonshmëve të tjerë, i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm - aspak theror i fatit të keq sikundër dhe viktimë i ndonjë ndëshkimi qiellor !
. Fundja, këto ide dhe hipoteza le të jenë si të jenë, veç mos jenë të njejta me ato të Kadaresë që gjithë fajin ja hedh djallit dhe shejtanit - pushtimit otoman dhe vendosjes së komunizmit – sipas tij, dy katastrofat më të rënda që kanë rënë mbi popullin tonë dhe që e kanë devijuar nga rruga e parashkruar. Shumë e thjeshtë dhe fort komode t’ja hedhësh fajin tjetrit – edhe sikur ky tjetri të vijë drejt nga Skëterra, kur mendon se mjafton vetëm amëshimi dhe besimi në Krijuesin për të qëndruar mbi udhë… Njësoj sikur të thuash se fajtorët janë teknologjia dhe Shteti, këto shpikje të qafirit kaurr !
. Më pas, jam i bindur se dikush tjetër, rreth këtyre ideve dhe hipotezave, do të mundë të thurë ngjarjet – indin, të ngjizë pra një farë tregimi të origjinës – pëlhurë, që edhe pse nuk përmban konturet e maskës mortore të Jesusë sikundër edhe pëlhura e famshme e Torinos – të paktën, mund të përdoret si qefin i të kaluarës, besa fort e largët por gjithmonë prezente, mahnitëse dhe përpirëse. Mjaft që me një të tillë qefin të mbështillen të vdekurit ende të pakallur - Muji dhe Halili, Gjergj Elez Alia dhe të tjerët Krajleviq Marko, Zuku Bajraktar ose Paji Harambash ; me të tillë cohë të fshijnë lotët Ajkunat dhe Vojsavat dhe të tjerat vajtojce ende të pangushëlluara ; me të tillë çarçaf të zbardhet zija kombëtare ende e përvëluar ; me të tillë flamur të paqësohen shpirtrat ende të trazuara…
. Me qëllim që të gjendemi përfundimisht ballë-për-ballë vetvehtes në të sotmen dhe të reflektojmë për vehten, nesër.

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, April 22, 2009

Pastor Æternus.

.
. Shumë është folur, bile edhe përfolur – në shtyp, në radio dhe në të tjera kanale të masmedias - lidhur me vendimin (me vendimet) e Papës Benedikt XVI për të hequr shkishërimin me të cilin vetë Roma kish ndëshkuar një varg peshkopësh revizionistë dhe integristë si edhe dishepujt e tyre.
. Kështu, disa dhjetëvjeçarë më parë, Mgr Lefebvre mori guximin dhe rrufezoi Kishën katolike, qingj i bindur i të cilës kish qenë dikur, përpara se të përplaste derën e saj dhe të shpallte krijimin e Kishës së tij të Reformuar. Ai guxoi dhe kundërshtoi autoritetin qiellor në emër të një amëshimi dhe të një besimi që nuk përputhej më me ritin ; në emër të një riti që nuk i përgjigjej më asaj Kishe ; në emër të një vetë Kishe që nuk i përgjigjej më besës me Zotin.. Pra, në emër të një integrizmi kishtar që mohonte vlerat e Vatikanit, tashmë të ndriçuar sadopak nga Dritëzat (Lumières) ; në emër të një rikthimi pas në traditën konservatore, paçka mësimet tragjike të dy-tre shekujve të fundit.
. Disa vite më parë, një tjetër peshkop - anglez kësaj rradhe, Mgr Williamson guxoi edhe ai të shpallte publikisht atë çka i vlonte përbrenda prej kohësh : të shprehej " Besoj se provat historike dënojnë pa asnjë mëdyshje tezën sipas të cilës, 6 milionë persona qenkëshin vrarë në dhomat e gazit sipas vendimit politik të Adolf Hitlerit. Mendoj se nuk ka patur askurrë dhoma të tilla gazi".
. Çka synon Papa Benedikt XVI nëpërmjet kësaj amnestie doktrinale? Ndoshta zgjerimin e bazës besimtare të një Kishe në thërmim, ndoshta rikthimin e disa deleve dikur të humbura në tufën e besimtarëve tolerantë.. Bën vaki që ky Papë edhe ka të drejtë… veçse të mbledhësh nuk do të thotë forcërisht të përbashkosh. Këto dy tufa nuk janë të shkrijshme dhe një falje qoftë edhe papale nuk është e mjaftueshme që lutjet e përbashkëta tashmë të krijojnë një kor të akorduar. Politika, qoftë edhe ajo e Vatikanit – misioni universal, dialogu, mirëkuptimi, hapja ndaj besimit të tjetrit, nuk mund të reduktohet në një gjest bindjeje dhe nënshtrimi ndaj ideologjisë (dogmës). .
.
. . * * *
.
.
. Kam përpara syve dy tekste, jo më të dala nga dora e një prelati kishtar si Ratzinger por, sidoqoftë, nga goja ose nga mendja e dy personaliteteve publike të jetës shqiptare si z. Aleksandër Meksi dhe z. Fatos Lubonja. Pavarësisht nuancave të stilit dhe të gjuhës – të përveçme bile karakteristike për çdonjerin prej tyre – ato kanë të përbashkët kërkesën e rehabilitimit të të pushkatuarve pa gjyq nga komunizmi, të viktimave të tij pas çlirimit dhe vendosjes të atij rregjimi, por edhe para çlirimit, pra gjatë viteve të luftës. Ajo çka tërheq veçanërisht vemendjen në këtë pozicionim të tyre në debatin publik është përfshirja në këtë kategori viktimash edhe e kolaboracionistëve – ose e të ashtuquajturve " kolaboracionistë ". Qoftë Meksi, qoftë Lubonja i përmbahen mendimit se edhe ata jo vetëm duhen doemos rehabilituar, por " edhe duhen quajtur dëshmorë (ish-politikani Meksi) " ose së paku " ata duhet t’i kuptojmë e arsyetojmë (analisti Lubonja) ".
.
. 1. Qysh në këtë stad fillestar të debatit të çelur, qoftë edhe si spektator aktiv, më lind një problem, i cili kërkon domosdo një përgjigje : viktima posepo dhe padyshim të komunizmit, por ama, viktima të fajshme për shkak të bashkëpunimit me fashizmin dhe nazizmin - kolaboracionistë? Apo viktima të pafajshme - të ashtuquajtur " kolaboracionistë " ? Me fjalë të tjera, cili është ai kriter objektiv që dallon dëshmorin mes grupit të të vrarëve - viktimat ? A thua mjaft që vrasësi të vetëquhet komunist që viktima e tij të jetë e pafajshme, theror bile edhe dëshmor ? Pa asnjë dyshim që Meksi është i këtij mendimi, ndërkohë që thotë (dhe gazetari shkruan):
.
. .. Ata njerëz janë vrarë sepse ishin kundërshtarë të komunizmit në shumicën dërrmuese të rasteve. Qenë kundërshtarë të komunizmit, sepse në një mënyrë apo në një tjetër e njihnin komunizmin, ose njihnin njerëzit të cilët i paraqiteshin publikut si komunistë. Sigurisht që në një vend të vogël si Shqipëria lidhjet me fuqitë e huaja janë vendimtare. Nuk mund të quhen "kolaboracionistë"…. Kjo është një gjë fare-fare e qartë. Kishte njerëz të cilët e dinin mirë se komunizmi ishte armik i Shqipërisë, sepse ishte me Serbinë, kundër këtij vendi, e dinin mirë që ishte armik i njerëzimit.
.
. Çka mund t’i shtohet tjetër këtij gjykimi që vjen nga një mendje që i është përkushtuar demokracisë - një parim në thelb tolerant ndaj çdo bindjeje politike, bartës i " mënyrës pluraliste të gjykimit ", i hapur ndaj pjesëmarrjes së çdo opinioni personal në të ashtuquajturin " trup social " ; nga një erudit që s’ka se si të harrojë se një teori sociale si ajo e komunizmit mbetet gjithmonë në bazë të rrymave dhe lëvizjeve të sotme socialiste dhe socialdemokrate – si për shans, kundërshtarët e tij të mendimit dhe të ideologjisë ? Ndoshta duhet shtuar se syçelësia e tij të jep përshtypjen se vjen drejpërdrejt nga sallat e mitingjeve politike dhe besa, do të ishte fort e mirëpritur dhe veçanërisht ngrohëse për vdekatarët e thjeshtë sikur për shans, Meksi të na e kish kumtuar nga thellësia e viteve shtatëdhjetë ose tetëdhjetë e shekullit të shkuar… nga mesi i acarit komunist.
.
. Në të kundërt, Lubonja është besa fort i matur në shprehje, përderisa shkruan " .. sigurisht nuk ka qenë punë e lavdishme, por e dënueshme, puna e atyre shqiptarëve që i dorëzuan kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit dhe u futën në shërbim të pushtimit ". Çështja për të, ndoshta (them ndoshta pasi ai vetë nuk i hyn këtij shtegu) është masa e dënimit që ata meritonin. Dhe në këtë rast, çka vihet në dukje sot dhe kërkohet të riparohet është dënimi i tyre pa gjyq, mungesa e qëllimshme e dëshirës nga ana e fitimtarëve për të " dalluar midis tyre përgjegjësitë e ndryshme, rrethanat e ndryshme apo edhe padrejtësitë e ndryshme ". Asgjë s’mund t’i shtoj këtij gjykimi… e megjithë përpjekjen, nuk arrij të pajtohem me të kur mundohet të më bindë se
. " .. pritja me duartrokitje e italianëve dhe bashkëpunimi me ta, mes tjerash edhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës, është një realitet kompleks në të cilin është e vështirë të ndash me thikë antipushtuesit nga një anë dhe kolaboracionistë nga ana tjetër ".
. Vihem për një çast në vendin e atij që injoron këtë realitet kompleks – si edhe laryshinë befasuese të gjuhës shqipe – dhe mundohem të zbërthej kuptimin e fjalës anti-pushtues : kundër-pushtuesit = ai-që-nuk-toleron-atë-që-vjen-për-ta-pushtuar. Me mendje, me fjalë, me gjeste, me vepra – dhe menjëherë më shkon ndër mend shprehja e Meksit : Shqiptari me të huajin asnjëherë s’ka qenë tolerant. Pra çdo shqiptar është antipushtues. Kush mbetet kolaboracionist ?
.
. Ja edhe dallimi thelbësor mes Meksit dhe Lubonjës : ndërsa i pari i bindet ligjit të tij universal se, meqënëse komunizmi është armik i njerëzimit, çdo armik i tij është domosdo miku ynë – dhe si i tillë, çdo mik i vrarë duhet të quhet sot dëshmor ; i dyti kërkon faljen dhe amëshimin në emër të specificitetit aq karakteristik të atij mjedisi të epokës – të ashtuquajturit përjashtim shqiptar – që nuk lejon kurrsesi përdorimin e thikës… as edhe kur është rasti për të ndarë antipushtuesin nga kolaboracionisti. Në se do të quhesha Ratzinger, amnestinë e të parit do ta kisha klasifikuar integriste ndërsa të të dytit revizioniste.
.
. 2. Në rastin tonë, më tepër se një amnesti, me plot gojën flitet për një rishikim të historisë. Bile ky i bekuari rishikim duhet të jetë integral, të prekë të gjitha palët, fituesit sikundër dhe humbësit. Sipas Meksit, pse jo edhe ata që gjetkë, quhen shkaktarë të asaj lufte. Për shembull, gjermanët e Hitlerit që deklaronin në çdo udhëkryq të Evropës se "ne jemi kalimtarë, nuk kemi punë me ju". Bile sipas mitit meksian – pikërisht atij që i ka shpallur luftë Lubonja – edhe përpara se të ndërmerrnin operacionin e Dimrit dhe atë të Verës për të shfarosur partizanët, ju përsërisnin këtyre të fundit – duke patur si përkthyesa ballistët, natyrisht – se në asnjë mënyrë nuk donin të angazhoheshin në beteja me shqiptarët !
.
. Gjynah vallahile që një dije e tillë e politikës së Rajhut të III çiftohet me një harresë fenomenale të fakteve – Borova e Ersekës, ku ata gjermanët e paangazhuar në 3 korrik 1943 masakruan plot 106 banorë të atij fshati : gra, fëmijë, pleq – që të gjithë shqiptarë safi ; vetë Tirana, ku në 4 shkurt 1944, SS-ët gjermanë të gjeneralit Fiztum dhe milicët shqiptarë të Xhaferr Devës, të atij Xhaferri që meriton të bëhet sot dëshmor, vranë 84 qytetarë të paemër në prag të portës. Fundja mirë gjermanët kalimtarë, po italjanët e Duçes në atë memorjen tuaj fëminore fenomenale të kohës së luftës z. Meksi, me ç’rast kishin deklaruar se ishin kalimtarë, apo të paangazhuar ?
. Edhe nëse nuk ju kujtohet, për fat, kemi dëshminë e njërit prej atyre që duhet shpallur dëshmor, z. Mustafa Merlika – Kruja, në kohën e vet Kryeministër i qeverisë, ndoshta fashiste por ama shqiptare, i cili nuk përtyp aspak fjalët por i deklaron me plot gojën :
.
. " .. Vetëm një burrë ndjeu dhe paditi i pari në botë padrejtësitë e traktateve të ndryshme të paqes, dhe mbështeti me forcë t'admirueshme, me ngulm të pathyeshëm nevojën e ndryshimit për të mirën e të gjithëvet: Benito Mussolini, që lëshoi fjalinë e famshme paralajmëruese: "Traktatet nuk janë të përjetshme".
. Por nuk u ndigjua. I bëri jehonë vetëm miku i tij i madh, udhëheqësi i kombit të madh gjerman Adolf Hitleri. Në rendin e ri që do të dalë nga fitorja e Boshtit, populli shqiptar, më së fundi, do të ketë bashkimin kombëtar në kufijtë e Shqipërisë më të madhe të pavarur, të bashkuar pazgjidhshmërisht me Italinë e Mussolinit nën skeptrin e M. T. Viktor Emanueli III.
. Ky është fruti më madhështor që kombi shqiptar korr sot nga bashkimi me Italinë. Populli shqiptar nuk do të harrojë kurrë se sendërtimi i idealit të tij më të lartë kombëtar i detyrohet vlerës dhe sakrificës së ushtarit italian, gjenisë dhe vullnetit të Duçes, krijuesi i Shqipërisë së re, të Madhe e të pavarur ".
.
. Më kjartë se kaq nuk mund të flitet dhe një i tillë patos të ngre peshë në hava, në atë kohë sikundër dhe në ditët e sotme – aq më tepër kur flitet për Shqipërinë e Madhe, shqiptarët trima dhe serbët e ligj. Por për fat të keq, bota nuk është e populluar vetëm nga shqiptarë dhe serbë. Diku më poshtë ka edhe grekë… dhe kur bën pjesë në atë ushtrinë e lavdishme shqiptare të asaj kohe në shërbim të italjanëve - sepse ajo quhej ushtri shqiptare, apo jo z. Meksi – nëse mburremi me Shqipërinë e Merlikave të asokohe " të re, të Madhe dhe të Pavarur… dhe të bashkuar pazgjidhshmërisht me Italinë e Mussolinit nën skeptrin e M. T. Viktor Emanueli III " përse duhet të habitemi kur këta fqinjët grekë na bëjnë përgjegjës për agresionin fashist kundër Greqisë, të atij tetori të vitit 1940 ?
.
. Ndonëse Historia ende nuk mund të pretendojë të jetë një shkencë egzakte si arkitektura apo arkeologjia, ajo mbetet logjike dhe racionale. Sidoqoftë, nëse rishkrimi i kësaj Historie është pikërisht ky që na propozon Meksi, s’më mbetet gjë tjetër veçse të uroj Lubonjën së pari për idenë e tij dhe së dyti, për vlerat intelektuale të ithtarëve që ka mundur t’i bashkëngjisë çështjes – burra të vërtetë, dikur me mustaqe sot me bole, që pasi bënë Historinë, atë të tyren dhe të partisë që ata përfaqsuan përgjatë gjashtë vjetëve të para të tranzicionit demokratik – dhe me ato rezultate që tashmë ju njihen - i janë rikthyer rishkrimit të historisë të një tjetër tranzicioni. Atij komunist, që shumicën e tyre e nxorri nga anonimati i baltës të arave dhe nga banaliteti i kakërdhive të dhenve.
.
. 3. Pashmangshmërisht, rishikimi i Historisë së Luftës prek edhe temën e ndjeshme të numrit të pjesëmarrësve në të : partizanëve dhe ballistëve, fitimtarëve dhe hupësve, vrasësve dhe viktimave. Pa asnjë surprizë për të gjitha palët e interesuara, këto shifra duhen rishikuar. Sipas një matematike të thjeshtë – në se zbret ai i fitimtarëve partizanë, një tjetër duhet të rritet. Ndoshta, ai i hupësve ballistë. Vërtet, sa ishte numri i saktë i tyre ?
.
. Ai që i ka mundur të numërojë ish-partizanët, Kryetari i Komisionit të Verifikimit z. Dashamir Shehi, thotë që ajo shifra prej 70.000 luftëtarësh në fund të Luftës, e përmendur nga burimet e PPSH, duhet reduktuar radikalisht në 4.200 syresh. Edhe pa i verifikuar llogaritjet e tij komplekse, jam plotësisht dakord me të. Bile i propozoj që edhe këtë numër të fundit ta rishikojë në zbritje dhe i sjell shembullin e Petraqit që sigurisht atij i ka shpëtuar. E pra Petraqit, Peçit për intimët – troç, vëllait të gjyshes sime – ju mbush mendja një ditë të dilte partizan dhe sipas zanatit të tij të hershëm u gradua kasapi i Shtabit të Përgjithshëm, diku pranë Vithkuqit… derisa po ajo mendje i tha të kthehej andej nga kish ardhur. Veçse kësaj rradhe, për të mos zhgënjyer shokët e Shtabit, në vend t’i binte mishit të mushkës, i ra dorës së tij me hanxharin e tij të kasapit. Për shkak të asaj jete që zgjodhi të bënte më pas, nuk e di se në ç’vend i ranë përfundimisht kockat dhe shpresoj që aty ku ndodhet tashmë prehet në paqe. Por jam i sigurt që askurrë ai rendi zyrave, as për të rregjistruar emrin diku, as për të kërkuar pensionin e veteranit.
.
. Zaten, prej kohësh, sy të vemendshëm si dhe gojë të liga kanë qenë të mendjes se në të kundërt të Peçit, një numër i madh ballistësh dhe të tjerë xhaketakthyerësish të shkathët braktisën rradhët e dikurshme të organizatave të tyre të lavdishme dhe rendën për t’u hedhur në krahun e fituesve. Po kështu, edhe një numër i madh indiferentësh që nga shtëpitë e tyre të rehatshme panë në ç’drejtim ishte orientuar flugeri… pa llogaritur ata të tjerët që s’lanë vërtetim pa gjetur për të provuar se dikur paskëshin qenë partizanë – thjesht për të përfituar njëqind lekshin e veteranit të luftës !
. Përpara logjikës të një riti të tillë të lashtë, askush nuk u habit – aq më pak udhëheqësit e saj të lavdishëm - se si arriti për shembull, Partia Demokratike e vitit 1991 të bënte 80.000 antarë brenda disa muajsh.
.
. Fundja, ç’prishi send në se numri i partizanëve paskish qenë vetëm një e shtata e atij të përmendur dikur ? Bile edhe populli thotë diku : më mirë pak e sak ! Veçse, për hir të të vërtetës – asaj të Historisë që ju vuri emrin fitimtarëve - të gjithë Meksët dhe Shehët e dynjasë së sotme duhet t’i bëjnë të paktën një pyetje vehtes : si mundën këta 4.200 bile edhe më pak partizanë të bëjnë Luftën dhe të marrin pushtetin në fund të saj ? cili ishte ai numër minimum partizanësh, mjaftueshmërisht i nevojshëm për të nëpërkëmbur një klasë të tërë politike me në krye Baballarët e Kombit ?
. Edhe në se ata nuk kanë mundur apo nuk kanë dashur t’ja bëjnë këtë pyetje vehtes, po jua jap unë atë përgjigje :
.
. ajo " farë e keqe " e Lubonjës – apo " murtajë e keqe " e Meksit – erdhi në pushtet në rradhë të parë si pasojë e mediokritetit, e pasigurisë, e varfërisë të imagjinatës dhe e mungesës së kurajos të atyre që hiqeshin si mbrojtësit e " demokracisë " dhe të idealit republikan në Shqipëri ; dhe në rradhë të dytë, falë dinamizmit dhe fuqisë së PKSH, të aftësisë taktike të udhëheqësve të saj, të disiplinës, të vetëmohimit dhe të shpirtit luftarak të antarëve të saj.
.
. Kështu pra, z. Meksi, ajo " zgjidhja politike e tyre që u bashkuan me Boshtin ", nuk ishte thjesht " e gabuar " por katastrofike, me pasoja të rënda për vendin – dhe në rradhë të parë për ata vetë. A ka njeri sot të marrë guximin dhe t’ju përmendë atyre këtë mediokritet, këtë pasiguri politike, këtë mungesë të imagjinatës dhe të kurajos – përpara se të kërkojë rehabilitimin dhe shpalljen " dëshmorë të Kombit " ? A ka njeri që t’i gjykojë si përgjegjësit kryesorë për vendosjen e komunizmit – pikërisht për shkak të kolaboracionizmit dhe dritëshkurtësisë të zgjedhjes të aleancave me pushtuesin ?
.
. 4. Së fundi, dy fjalë lidhur me atë " vëllavrasjen mes shqiptarësh " - luftën civile – ose më mirë, sipas fjalorit në modë – të ashtuquajturën " luftë civile ", atë gjenerator të spastrimeve, vrasjeve dhe likuidimeve pa gjyq që goditën një pjesë të klasës politike të vendit, bile edhe një pjesë të vetë atyre që morën pjesë në to. Gjithkush ka përpunuar variantin e vet të ngjarjeve, bile Lubonja shpreh bindjen se komunistët zhvillonin që në atë epokë revolucionin proletar për përmbysjen e klasave, krahas Luftës Nacional – Çlirimtare. Le t’ja nënështrojmë gjykimin tonë fakteve, të cilat mbeten kokëforta – si edhe paralelizmave me të tjera situata të ngjashme, të cilat moderojnë edhe pasionet e çastit.
.
. Por, për t’i hyrë kësaj pune, duhet të lemë mënjanë përfitimet konjukturale sikundër dhe të tjera interesa partizane. Pasi në rradhë të parë dhe para së gjithash, kjo luftë civile apo " luftë klasash " ishte një larje hesapesh mes atyre që kishin të tilla – dhe për të larë të tilla hesape, nuk ka nevojë të jesh as komunist as proletar. Thjesht, i shtypur dhe i përbuzur, i dhunuar dhe i shfrytëzuar – në mos ziliqar dhe lakmiqar, hakmarrës dhe i dhunshëm – që të gjitha motive të vlefshme për të vrarë dhe për t’u vrarë kur mbretëron rrëmuja, vese të përjetshme të çdo njeriu. Aq më tepër kur një konflikt i armatosur, lufta e përbotshme, të furnizon njëherësh armën dhe kaosin dhe të heq të gjitha alibitë e mundshme : moralin, mëshirën, respektin për jetën, nënshtrimin ndaj autoritetit. Kështu ndodhi në Shqipëri dhe e njejta gjë ndodhi edhe në Francë, në atë vend të qytetëruar që na e përmend edhe Meksi si shembull të tolerancës ndaj Mareshallit Peten – përpara se të shtojë me ngut se kontributi i tij [në lëminë e kolaboracionizmit – shënimi im] është i njejti me atë të Lef Nosit apo Mustafa Krujës.
. Bën vaki z. Meksi që kontributi të ketë qenë në mos i njejtë, të paktën i ngjashëm – me atë diferencën e jahudinjve të përndjekur dhe të dorëzuar në rastin e parë apo të fshehur dhe të mbrojtur në të dytin – por përsa i përket dënimeve për bashkëpunim me armikun dhe kolaboracionizëm, edhe pse me gjyq, vështirë se gjen shembull tjetër të ngjashëm me Francën në Evropën perëndimore : 158.000 të gjykuar, 7.040 të dënuar me vdekje, 2.722 të dënuar me punë të detyruar të përjetshme, 10.434 me punë të detyruar të kufizuar në kohë, 60.000 të burgosur në korrik të vitit 1945 nga të cilët 26.529 të dënuar me masë burgimi, 57.852 të ndëshkuar nga gjyqi me masën e degradimit kombëtar (humbje të të drejtave civile), 300.000 të degraduar nga ana e Komiteteve të pastrimit profesional (humbje të të drejtave dhe privilegjeve të punës dhe të pensioneve), 120.000 të degraduar nga Administrata (të përjashtuar nga postet administrative dhe pa të drejtë pune)… Në total, gati 2.000.000 persona të prekur nga procesi i pastrimit kombëtar, nga të cilët 990.000 të arrestuar qoftë për disa ditë, muaj ose vite.. sa për egzekutimet nga ana e Rezistencës franceze gjatë dhe pas lufte për shkak të " bashkëpunimit dhe kolaboracionizmit " : 105.000 persona nga qershori 1944 deri në shkurt 1945, nga të cilët 50.000 vetëm në jug të Francës (nga Nica në Tuluzë – sipas të dhënave të shërbimeve të sigurimit ushtarak amerikan).
.
. A mjafton kjo mënyrë e të kqyrurit të fenomenit për të rikthyer në jetë të vrarët ? për të lehtësuar dhimbjen e të afërmve, apo për të ngushëlluar familjet e tyre ? apo së fundi për të ndëshkuar vrasësit ? Aspak jo, sikundër nuk mjekon plagët as pohimi që vetë lufta është një e keqe radikale dhe vrastare, paçka se e bërë rregullisht nga njerëzit kundër të tjerëve njerëz. Sidoqoftë, çdo përgjigje përmban në vetvehte gjykimin që të tilla gjëma janë të pandara nga përmbysjet sociale. Në këtë vështrim, çdo datë e shquar në historinë e njerëzimit, çdo festë kombëtare në kujtesën e popullit, çdo ngjarje e shënuar në jetën e një vendi përmban njëkohësisht çlirimin dhe robërimin, parajsën dhe skëterrën. Sejcili, sipas vendit dhe implikimit në të, mund ta quajë lindje apo vdekje, dasmë apo zi, revolucion apo katastrofë. Dhe këtij ligji nuk i shpëton as 14 korriku francez i 1789 apo 28 nëntori shqiptar i 1912, as çlirimi i Kosovës as edhe ndërhyrja demokratike e Amerikanëve në Irak apo në Afganistan.
.
. Çka mund të bëjnë të gjallët, pasi është larguar furtuna, pasi kanë varrosur të vrarët dhe i janë rikthyer jetës, është të përzgjedhin mes të vdekurve ata që meritojnë të prehen në Panteonin e Kombit : heronjtë, dëshmorët, martirët… dhe herë pas here, me rast përvjetoresh, përkujtimesh apo fundja edhe përmbysjesh të reja, t’i rikthehen atij Panteoni për t’a pastruar, riparuar pllakat ose korrigjuar emrat mbi to. Atë çka fundi i fundit, po mundohen të bëjnë deri-diku politikanët tonë sot, gjashtëdhjetë e kusur vjet pas fundit të asaj lufte. Përse pikërisht sot këta politikanë i janë rikthyer këtij Panteoni ? Përse nuk u investuan në këtë ndërmarrje kaq fisnike përgjatë gjithë atyre vjetëve të mëparshme të riparimit të krimeve dhe të katastrofave të komunizmit ?
. Fundja, ç’rëndësi ka koha kur të paktën, njihen principet dhe vlerat në emër të të cilave ndërhyhet, në emër të të cilave do të rishkruhet kjo histori… Cilat janë pra këto principe dhe vlera në rastin tonë ? Ato të një Panteoni ku do të gjenden cip mbi cip " heronjtë " partizanë dhe " tradhtarët " e dikurshëm, xhelatët dhe viktimat, fituesit dhe humbësit ; që të gjithë të veshur me një cilësi të vetme, atë të të qenit fillimisht luftëtarë dhe më pas martirë.
.
.
. * * *
.
.
. Kur guxoi dhe ndërmorri një hap të tillë si rehabilitimi i peshkopëve të ndëshkuar dhe të përjashtuar, ai Papa ynë i fillimit të këtij shkrimi vuri mbi kandar jo vetëm autoritetin e tij si Ati shpirtëror i katolikëve të botës mbarë por edhe atë çka quhet pagabueshmëri papale, të proklamuar një herë e mirë nga Piu i IXtë në 1870, nëpërmjet Kushtetutës dogmatike Pastor Æternus.
.
. " … Papa i Romës […] gëzon, nëpërmjet ndihmesës qiellore që i është premtuar nga figura e Shën Pjetrit, pagabueshmërinë me të cilën Shëlbyesi i Shenjtë ka dashur të pajisë Kishën, kur kjo e fundit përcakton doktrinën e besimit dhe të moralit ".
.
. Në mungesë pra të këtij autoriteti të patundur, do të dëshiroja të dija se në emër të kujt pagabueshmërie, ajo pjesë dominante (PD) e klasës tonë politike kërkon rehabilitimin e kolaboracionistëve të djeshëm. Nëse bota e sotme laike ka arritur të zgjidhë problemet e saj politike dhe të moralit edhe pa ndihmën e Shën Pjetrit apo të ndonjë kushtetute dogmatike, kjo gjë ka bërë vaki vetëm nëpërmjet pranimit të njëzëshëm të principeve dhe të vlerave universale, mes të cilave krahas demokracisë dhe respektit të jetës së njeriut, shkëlqen me të njejtën dritë edhe dënimi pa asnjë mëdyzje i fashizmit dhe i nazizmit - dhe me atë rast, nderimi për ata që luftuan dhe dhanë jetën kundër tij dhe aspak e kundërta, bashkëpunimi apo kolaboracionizmi.
.
. Si rrjedhim, nëse dikush si Meksi kërkon të mohojë këtë realitet, ai nuk ka nevojë të fshihet pas argumentave anakronikë të fantazmës së komunizmit dhe pas sillogjizmave qesharakë : " Nuk është e rastit që Mustafa Kruja dhe Xhaferr Deva morën shtetësinë amerikane. Nuk ishte Amerika nga ato shtete që falte kolaboracionistët… pra, ata nuk ishin aspak kolaboracionistë ". Edhe pse nën hijen e flamurit me yje dhe shirita, dëshira rishkruese e Meksit shihet nga larg : fshirja një herë e mirë e asaj faqeje të Historisë që quhet Lufta Nacional Çlirimtare, dëshmitarët e fundit të të cilës po shuhen njëri pas tjetrit ; shlyerja deri edhe e gjurmave të kësaj Lufte në ndërgjegjen e atyre që do të vijnë pas… të kësaj përpjekjeje madhore që përvijoi profilin e epokës, sikundër ai Muri i Madh që përvijëzon kufirin e fundit të identitetit të kinezëve. Sidoqoftë, një ndërmarrje e turpshme, një gabim i rëndë përpara Historisë dhe interesave të vetë shqiptarëve pasi edhe në këtë rast, të mbledhësh nuk do të thotë forcërisht të përbashkosh.
.
. Ajo çka përmban Meksin – dhe Meksët e tjerë - për momentin është vetëm grima e drojës, pikërisht ajo që i mungonte kolegut të tij Kalakula ose të singjashmit të tij Merlika-Kruja… ajo çka frenon pushtetin e tyre, është pamundësia e shqiptimit të një Pastor Æternus :
. " Nëse dikush, që Zotit mos i pëlqeftë, do të marë guximin të kundërshtojë përcaktimin tonë, anathema të bjerë mbi të ".

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur