"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, March 28, 2009

Shqipëria përballë botës komuniste – Ferri jugosllav (2).

.
. E krijuar gjatë muajve mars – prill 1919, Partia Komuniste Jugosllave - Partia Socialiste Puntore sipas emrit të saj të origjinës – njohu shumë shpejt orën e vet të lavdisë. Kjo forcë politike prej 60.000 antarësh u pranua menjëherë nga Internacionalja Komuniste dhe rrëmbeu bashkinë e Beogradit gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 1920. Një vit më vonë, në korrik të vitit 1921, PKJ u shpall jashtë ligjit dhe ju desh të deklaronte zyrtarisht shpërndarjen e saj. Në të vërtetë, asaj ju desh të u riorganizohej mbi të tjera baza, në ilegalitet, dhe me këtë rast humbi pothuaj gjithë efektivat : vetëm 3.000 antarë në vitin 1930, që do të bëhen 12.000 në prag të pushtimit nazist.
. Që nga momenti i kapitullimit dhe më pas gjatë coptimit të Jugosllavisë mbretërore të Pjetrit të IItë, pra nga prilli i vitit 1941 dhe deri në fund të qershorit të këtij viti, PKJ nuk ndërmori as gjestin më të vogël – as në veprime bile as edhe në shprehje. Vetëm pas sulmit hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik, me mirë të themi pas fjalimit historik të Stalinit gjatë të cilit ai urdhëroi partitë komuniste evropiane të godisnin armikun nazist, Byrosë Politike të PKJ ju desh të shpërndante kuadrot e saj në terren për të organizuar fillimet e rezistencës kundër pushtuesve shumëkombësh – Vukmanoviç-Tempo shkoi në Bosnjë, Milovan Gjilas në Mal të Zi, Tito në Serbi (Shënimi 1) apo Kardelj në Slloveni. Veç pak javë më vonë, Mali i Zi u përfshi në një varg përleshjesh të përgjakshme mes kryengritëve vendas dhe italjanëve. Në tetor të vitit 1941, rioshët komunistë të rezistencës fillojnë të bashkëpunojnë me veteranët e maleve, me çetnikët e Drazha Mihajlloviçit, para se të shëndrrohen në konkurrentët e tyre të papajtueshëm dhe të përfundojnë armiq deri në vdekje.
. Kështu, disa ditë më vonë, në prag të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në 8 nëntor të vitit 1941, është pak të thuhet se lëvizja partizane e Titos sapo kish hedhur hapat e para ; ajo mezi numëronte në rradhët e saj dy a tre mijë luftëtarë – një forcë thuaj e papërfillshme ushtarake tashmë në planin lokal - dhe nuk kishte asnjë perspektivë të qartë të të tashmes së saj dhe ende më pak ndonjë plan të përcaktuar mirë lidhur me të ardhmen, pa folur më për gjeopolikën e Ballkanit të pasluftës.
.
. Sidoqoftë, është fakt që edhe në këto kushte, Komiteti Qëndror i PKJ kish ndërmarrë një veprim " të mençur " me vlerë të veçantë strategjike : dërgimin e emisarëve të tij të parë për të riorganizuar lëvizjen komuniste në Shqipërinë fqinje dhe aktiviteti i tyre kish dhënë frytet e dëshiruara, krijimin e PKSH. A priori, ky element është i mjaftueshëm për të ngritur hipotezën se PKSH s’ish gjë tjetër veçse krijesë e jugosllavëve. Zaten, vetë jugosllavët do të jenë të parët që do të lëvdohen dhe do të reklamojnë atësinë.
. Po qe se besojmë Enver Hoxhën, ishte malazezi Bozho Jovanoviç që hodhi këtë tezë gjatë punimeve të Konferencës së parë kombëtare të PKSH në Labinot (mars 1943) dhe e keqja ishte se kësaj here, jugosllavët e kishin me gjithë mend. Pavarësisht se vetë Popoviçi e kundërshtoi me forcë këtë ide, kasneci i ri i Titos kish mbrritur me detyrën për të vjelë " dividendët " e investimit të bërë.
. Nga ana tjetër, edhe vetë pushtuesit italjanë kishin vënë re prezencën e jugosllavëve pranë PKSH dhe e përdorën këtë fakt për qëllimet e tyre të propagandës : komunistët shqiptarë pra ishin vegla të sllavëve, një argument me peshë në kuadrin e politikës së tyre " kombëtare ". Kjo tezë u rimor me gëzim nga ana e Ballit Kombëtar dhe u përdor qoftë gjatë luftës, për të reduktuar ndikimin e komunistëve në popull, qoftë pas saj, për të nënvizuar karakterin antikombëtar të pushtetit komunist. Një provë e gjallë e eklektizmit politik të Ballit, i cili nuk ngurroi aspak për të përdorur argumentat e armiqve të tyre tradicionalë por të largët – jugosllavët e Titos – për të luftuar armiqtë e betuar tashmë të afërt – shqiptarët e Hoxhës. .
.
. Të dërguarit e parë të Titos në Shqipëri – Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha – i përkasin " rrethit të parë " të PKJ, atij të udhëheqësve të lartë lokalë apo zonalë. Me origjinë nga rajonet kufitare dhe të njohur mirë me elementin shqiptar, ata u zgjodhën në funksion të aftësive të tyre të spikatura për të ngritur në këmbë organizatat ilegale, për të rekrutuar kuadrot e nevojshëm dhe për të përgatitur aksione të tipit guerrile. Është krejt e natyrshme të mendohet se deri në fund i vitit 1942, deri në prag të krijimit të Këshillit Antifashist Nacional – Çlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ) – Bihaç nëntor 1942 - ata vepruan kryesisht me iniciativën e tyre dhe ju bindën nuhatjes së tyre apo talentit vetjak për të krijuar dhe forcuar lidhje të natyrës personale. Mjafton të ndiqen peripecitë që hoqi ndërkohë lëvizja komuniste jugosllave. Në të vërtetë, në fundin e vitit 1941, forcat partizane jugosllave ishin në agoni : prishja me çetnikët, e ndjekur nga dy disfata të llahtarshme – ato të Pljevljas dhe të Uzhices – detyruan Titon dhe shokët e tij të merrnin arratinë dhe të fshiheshin në Foca, në luginën e lumit Drino. Vetëm gjatë pranverës të vitit 1942, ai mundi të ndërmarrë riorganizimin ushtrisë së tij mbi bazën e Brigadave partizane " Proletare " : në korrik të 1942, atij i mbeteshin gjithsej 3.000 burra e gra. Ata do të jenë 30.000 në janar të 1943 për t’u bërë 300.000 një vit më vonë, në 1944.
.
. Në fund të vitit 1942, Tito arriti të ngrinte Frontin e tij Antifashist, gjë e cila e lejoi të forconte dhe të rriste bazën e lëvizjes së tij dhe të kufizonte atë të konkurrentit mbretëror. Atëhere, ai vendos të interesohet më tepër lidhur me çka ndodh tek fqinji i tij – duke dërguar kasnecin e tij Jovanoviç – aq më tepër që ndërkohë Tito kalon pjesën më të madhe të kohës në Zhabljak, në pyjet e Malit të Zi, për të mos thënë në kufirin me Shqipërinë. Duhet të presim pranverën e vitit 1943 dhe dy betejat e përgjakshme të Neretvës dhe të Sutjeskës, pas të cilave drejtuesit e PKJ fillojnë të mendojnë seriozisht lidhur me zgjerimin e rezistencës antifashiste drejt periferisë, gjë e cila i shtyn pashmangësisht drejt përpunimit të një politike ballkanike.
. Lind kështu ideja e Federatës ballkanike, një skicë e të cilës është vizatuar për herë të parë një vit më parë - gjatë vitit 1942. Me këtë rast, teoria e ndërfutjes së ideve të çlirimit kombëtar dhe të çështjes kombëtare projektohet mbi të gjithë gadishullin : gjithashtu me këtë rast, vendosen kontakte të rregullta me PK bullgare dhe me KKE greke ; përveç kontakteve që egzistonin ndërkohë me PKSH. Mirëpo në korrik të vitit 1943, duke ju përmbajtur fjalë për fjalë deklaratave të bëra në Bihaç, Partia Komuniste Maqedone shprehu vullnetin e saj për të krijuar një Maqedoni të pavarur dhe të bashkuar. Ky është edhe thelbi i të ashtuquajturës " çështje maqedone " si edhe prologu i " çështjes shqiptare ".
.
. Gjatë shgjymtyrimit të Jugosllavisë mbretërore në vitin 1941, Bullgaria ndërhyri për të aneksuar Maqedoninë – në fakt, atë çka mbetej nga Maqedonia pasi disa krahina perëndimore të saj i ishin bashkuar Shqipërisë italjane, qyteti i Selanikut dhe rrethinat e tij kishin mbetur nën pushtimin gjerman ndërkohë që një pjesë e Maqedonisë egjeane ishte vënë gjithashtu nën pushtimin italjan. E gjithë pjesa tjetër bashkohet me Bullgarinë – që nga qyteti i Follorinës pranë kufirit me Shqipërinë dhe deri në lumin Struma dhe në Pirot, apo më mirë të themi e gjithë Maqedonia e zonës së liqenjve, ajo e Vardarit dhe e Pirotit.
. Ky pushtim " logjik " nga ana e " vëllezërve bullgarë " nuk pati thuaj asnjë impakt mbi rezistencën popullore antifashiste : seksioni maqedonas i PKJ shkon deri aty sa që përqafon pikpamjet e komunistëve bullgarë dhe gjykon të panevojshme shpërthimin e një kryengritjeje të përgjithshme. Megjithë linjën politike të përcaktuar nga AVNOJ në vitin 1942, u desh ndërhyrja e posaçme e Vukmanoviç - Tempos në mars të vitit 1943 për të riorganizuar seksionin maqedonas të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Jugosllave. Pasi projekti fillestar maqedonas s’kish të bënte aspak me planet jugosllave : pas kontakteve të shpeshta me komunistët bullgarë dhe komunistët grekë, vendasit vendosën krijimin e një Fronti Nacional-Çlirimtar sllavo-Maqedonas. Kjo ishte një goditje e rëndë ndaj Titos, i cili nisi menjëherë Svetozar Vukmanoviçin - alias gjenerali Tempo për të ndëshkuar tendencat qendërikëse maqedone. Ky i fundit veproi pa mëshirë në vend për " të asgjësuar në mënyrë energjike të gjitha pozitat e gabuara të Maqedonasve ", përpara se të çfaqej në Vithkuq dhe në Lavdar të Oparit, apo në Kucakë - pranë udhëheqjes së PKSH atë mars të largët të vitit 1943, në përfundim të udhëtimit të tij të parë të inspektimit në këtë krah të Ballkanit (Sh. 2).
. Mbërritja e Vukmanoviç-Tempos në Shqipëri dhe takimet e tij të verës 1943 me udhëheqjen e PKSH shënojnë fundin e fazës së parë të bashkëpunimit mes dy partive komuniste, atë të stërvitjes dhe të mësimit të zanatit. Zëdhënësi i ri jugosllav që i përket atij grushti udhëheqësish të nivelit kombëtar, shumë të afërt me Titon dhe përgjegjës të politikës të përgjithshme të PKJ, vëren shpejt tendencat që veprojnë në gjirin e Komitetit Qendror të PKSH dhe veçanërisht, hezitimet dhe orvatjet për të bashkëpunuar apo për t’u hapur drejt rrymës nacionaliste. Ky orientim i ngjashëm me atë të fqinjëve maqedonë paraqet një rrezik të qartë në lidhje me politikën e PKJ lidhur me periferinë ballkanike – veçanërisht lidhur me të ardhmen e Kosovës, gjë e cila e shtyn të ndërhyjë në mënyrë të prerë.
.
. Eshtë interesante të nënvizohet se në thelb, ndërhyrja " brutale " e Tempos pranë shokëve të tij shqiptarë të armëve nuk ndryshon aspak nga qëndrimet anti-Balli të kolegut të tij Popoviç, të shprehura me një forcë të veçantë gjatë Mukjes. Ajo çka ndryshon në të vërtetë është këndi i vështrimit : në se gjenerali Tempo shqetësohet për fatin e ardhshëm të Kosovës në kuadrin e interesave të Jugosllavisë së tij, Popoviçi, të cilin shqiptarët e kishin " pagëzuar " Ali Gostivari, preokupohej nga perspektiva e ndarjes së pushtetit paslufte si edhe nga raportet e reja të forcës që mund të krijoheshin në vendin e tij të adoptimit, në Shqipëri.
. Sidoqoftë, ndërhyrja e emisarit special të Titos përbën edhe ngjarjen vendimtare që shënon radikalizimin e PKSH ; nën impulsin e jugosllavëve, udhëheqja e partisë shkundet dhe i kundërvihet të gjitha ideve të mëparshme të një afrimi me Ballin Kombëtar. Në këtë mënyrë lind procesi " anti Mukje " që u vulos në Konferencën e dytë të Labinotit dhe përvijohet shqyerja me kampin nacionalist – akti i parë i luftës " civile " mes shqiptarësh. Megjithëse PKSH kish mundur të marrë kthesën e duhur, pasi kthehet në bazë, Tempo paraqit një raport shumë pak të favorshëm lidhur me palën pritëse dhe arrin të influencojë Titon, i cili edhe pse nuk i zotëronte të gjitha kartat e lojës, zotëronte mundësinë tjetër – atë të ndryshimit të metodës së punës dhe në rradhë të parë, ndërrimin e ekipit jugosllav në vend.
.
. Vite – për të mos thënë dekada - më vonë, në veprat e tij, Hoxha do të rikujtohet mbi megalomaninë e jugosllavit Tempo dhe nënvizon antipatinë e thellë që lind dhe instalohet mes dy burrave. Po qe se do t’i besojmë rishtas kujtimeve të tij, elementi që përsëritet me forcë të veçantë gjatë të gjithë takimeve që padroni i ardhshëm i PKSH do të ketë me emisarin e shquar të Titos ndërmjet marsit dhe gushtit të vitit 1943, s’është gjë tjetër veçse mendimi i ngulët i këtij të fundit lidhur me shtabin ballkanik. Edhe pas kaq vitesh, në periudhën e shkrimit dhe të botimit të kujtimeve të tij, udhëheqësi shqiptar tregohet i pamëshirshëm në gjykimet e veta ndaj të dërguarve të Titos në vendin e tij pasi të gjithë ata, përveç Popoviçit, përshkruhen si konspiratorë dhe intrigantë, të drejtuar nga një ide e vetme – ajo e nënshtrimit të PKSH ndaj interesave jugosllave (Sh. 3).
.
. Është krejt e mundur që tundimet shkëputëse të maqedonëve si edhe thirrjet për marrëveshje mes shqiptarësh – këto dy prirje që, në fund të fundit, vulosnin shgjymtyrëzimin e Jugosllavisë së vjetër, përbëjnë bërthamën e asaj kthese rrënjësore që pësoi politika titiste lidhur me çështjen kombëtare, në vjeshtën e vitit 1943. Megjithatë, mes teorisë leniniste mbi të drejtën e vetvendosjes dhe praktikës ballkanike të shovinizmit etnocentrik, gremina është aq e thellë sa që Titos, shumë më tepër jugosllav në shpirt se sa kroat i lindur, ju desh një vit i tërë për të gjetur formulën e përshtatshme : atë të federalizmit. Mbi bazën e trashëgimit territorial të Jugosllavisë mbretërore, të krijohet një Jugosllavi e re federale – ja edhe së fundi platforma e re kombëtare e dalë nga punimet e Jajces. Përsa i përket politikës ballkanike të kësaj Jugosllavie të re, mes të tjerash, ajo duhet të zgjidhte edhe grindjet e vjetra mes fqinjësh të periferisë ; a ka zgjidhje më të përshtatshme se sa një Federatë ballkanike, një lloj kopje e modelit kombëtar ?
. Eshtë e sigurt që, gjatë muajve nëntor – dhjetor të vitit 1943, Tito ende nuk ishte në gjendje të merrte me mend si do të rridhnin ngjarjet deri në fund të luftës ; sidoqoftë, ai i kish marrë të gjitha masat për t’a kthyer peshoren nga ana e tij. Lëvizja e tij kishte një " Qeveri të Përkohëshme " të zgjedhur në Jajce, ushtria e tij gëzonte njohjen e gjithëfuqishme të Aleatëve si antar me të drejta të plota në Koalicionin antifashist dhe së fundi, ai vetë ishte pajisur me shkopin e Mareshallit.
.
. Së fundi, por aspak e fundit në rradhën e vlerave, vjen mbështetja e anglezëve. Nëqoftëse saga Tito ka ngjallur në mënyrë sistematike mosbesimin e Stalinit, i cili për arsye të errëta pothuaj deri në fund të luftës preferoi kampin mbretëror ndaj atij komunist, ajo tërhoqi pashmangshmërisht vëmendjen e anglezëve. Në mënyrë të veçantë, rezistenca e udhëhequr nga Titoja tërhoqi vështrimin e Çurçillit, i cili që në qershor të vitit 1943 dërgoi pranë shtabit të partizanëve jugosllavë djalin e tij Randolfin. Ky i fundit kthehet pranë të atit thellësisht i bindur dhe arrin të bindë edhe gjithë të tjerët lidhur me dobinë apo përfitimin që do të sillte Tito, po qe se do t’i bëhej besim si i vetmi konkurrent i vlefshëm në garën e ardhshme për pushtetin. Pak kohë më pas, Konferenca e Teheranit (28 nëntor – 1 dhjetor 1943) njohu Titon dhe lëvizjen e tij si partnerë të Aleatëve. Që këtej e tutje, ndihma ushtarake dhe materiale e anglezëve fillon të orientohet veç në dobi të partizanëve, duke harruar tashmë rrymën legaliste. Që nga strehimi i tij londonez, duke filluar nga janari i vitit 1944, Pjetri i IItë u detyrua të bashkëpunojë me qeverinë e përkohëshme të dalë nga Jajce dhe braktisi në mëshirën e fatit Mihajllovoçin, ushtarin e tij besnik dhe trim.
.
. Gjatë majit së vitit 1944, PKJ thirri në bazë Mugoshën dhe në vazhdim solli në vend një ekip të tërë, mes të cilit shkëlqen Velimir Stojniçi, emisari i ri i PKJ. Në këto ujra edhe Popoviçit ju kërkua me këmbëngulje të braktiste gjithçka dhe të kthehej sa më shpejt në vendlindje. U desh ndërhyrja e Enver Hoxhës, që miqtë e tij anglezë ta evakuonin nëpërmjet Italisë ku mundi të mjekojë tuberkulozin e tij kronik. Tashmë vendin e " organizuesve polivalentë " të tipit Popoviç e zunë " teknikët specialistë " të llojit Stojniç, në të vërtetë " ekspertë " të përgatitjes ideologjike, të çështjeve ushtarake apo të marrëdhënieve ndërkombëtare. Fillon kështu një fazë e dytë, ajo e konsolidimit të kontrollit jugosllav mbi PKSH.
.
. Përse ky ngut i Titos dhe ekipit të tij për të riatdhesuar Popoviçin ? Po qe se besojmë Hoxhën, një pjesë të " fajit " ka vetë Popoviçi i cili nuk u përmbajt pas atij raportit katastrofik të Tempos mbi udhëheqjen e PKSH dhe i nisi Titos një varg letrash për të kjartësuar situatën dhe në rradhë të parë, për të mbrojtur " pozitat e drejta " të udhëheqjes shqiptare.
. Paralelisht, rrjedha e ngjarjeve të fundverës të vitit 1944 sugjeron një deshifrim tjetër të situatës : që prej tre vjetësh, prej shtatorit të vitit 1941, Popoviçi jetonte në Shqipëri – praktikisht gjatë gjithë periudhës së luftës – krejtësisht i shkëputur nga realiteti jugosllav., kontaktet e tij me të cilin kishin qenë më se sporadike. Gjatë kësaj periudhe shumë ujra kishin rrjedhur dhe strategjia e PKJ kish ndërruar disa herë kahje. Hera e fundit që Popoviçi kish dhënë llogari përpara udhëheqjes së tij ishte në Zagreb, në tetor të vitit 1940. Pra, ai mungonte në Bihaç dhe në Jajce ku ishin hedhur bazat e pushtetit të ardhshëm të Jugosllavisë së re federale dhe për më tepër, ai ishte krejtësisht i shfazuar lidhur me politikën e re ballkanike të Titos. Këtë shfazim – si edhe ndikimin shumë të madh që ai ushtronte mbi Enver Hoxhën - e kish konstatuar dhe e kish relatuar për herë të parë Tempo, mesazhi i të cilit lidhur me korrigjimin e politikës së përgjithshme të PKSH dhe mbi shtabin e ardhshëm ballkanik kaloi shumë keq, pikërisht për shkak të Popoviçit. Ndërkohë, Tempo kish konstatuar edhe premisat pozitive - mediokritetin që mretëronte në rradhët e udhëheqjes së PKSH si edhe fillesën e fërkimeve të para në gjirin e saj. Padyshim, politika e re jugosllave kërkonte marrëdhënie të reja dhe veçanërisht një përqasje të re por paradoksalisht, pengesa kryesore nuk ishin vetë shqiptarët por një malazez si Popoviçi.
.
. Disa muaj më vonë, në vjeshtën e vitit 1944, rrjedha e ngjarjeve tregon shumë qartë se nga kjo anë e kufirit dhe nga ana tjetër, pushteti do të binte së shpejti në duart e komunistëve. Lajmi kaq i mirë veç mund të frymëzojë atë mendim mjeshtëror që problemi i Kosovës do të mund të zgjidhej një herë e mirë në qoftëse e tërë Shqipëria do të bënte pjesë në gjirin e Federatës së ardhshme Ballkanike – për të mos thënë Jugosllave. Ky mendim, po aq i vjetër sa edhe vetë Jugosllavia, shtyu emisarin e ri të Titos, kolonel Velimir Stojniç, të ndërmarrë një arbitrazh të vështirë gjatë Pleniumit të IItë të KQ të PKSH, të mbajtur në Berat në prag të çlirimit të vendit (22-25 nëntor 1944). Sipas legjendës, ai mundi të shfrytëzojë me mjeshtëri divergjencat e sapolindura në gjirin e Komitetit Qëndror të PKSH dhe rreshtoi pas vehtes pjesën më të madhe të antarëve të KQ, duke i lënë Enver Hoxhës veç një pakicë ithtarësh. Ky Plenium i famshëm – shumë vite më vonë Hoxha do t’a quante " njollë të zezë " në historinë e partisë së tij – la gjurmën e tij dhe peshon mbi të gjitha marrëdhëniet mes dy partive komuniste dhe të dy vendeve fqinjë për vitet e ardhshme.
.
. Çka ndodhi në Berat, atë nëntor të largët të vitit 1944 ? Dokumentat zyrtare të PPSH, të botuara pas lufte, na mësojnë se përfaqsuesi i PKJ u lëshua në një sulm të egër kundër linjës politike të PKSH, duke dënuar njëkohësisht oportunizmin e Hoxhës ndaj Ballit dhe sektarizmin e tij ndaj Veriut të vendit. Sigurisht, varianti i përhapur nga Jugosllavët është krejt i ndryshëm : sipas tyre, divergjencat e shprehura gjatë Pleniumit të Beratit ishin ushqyer nga njëra anë nga vetë Hoxha i cili kish pohuar më se një herë " naivitetin dhe paaftësinë e tij " dhe nga ana tjetër nga shokët e tij të idealit që ishin të vendosur për t’a zëvendësuar në krye të partisë. Gjithmonë sipas versionit të tyre, jugosllavët ndërhynë për të shpëtuar Hoxhën dhe nëpërmjet tij, ata mundën të siguronin suksesin e ndërmarrjes komuniste në prag të çlirimit të vendit.
. Ku qëndron e vërteta ? Si zakonisht, diku mes dy varianteve : Hoxha, i braktisur nga mentori i vet Popoviç, e kish humbur toruan si edhe sensin e vet të analizës dhe të kontrollit që do ta karakterizojë aq mirë më vonë, dhe në mënyrë naive pranoi publikisht paaftësinë e tij – zaten, absolutisht e vërtetë. Por edhe sikur ai të mos e kish pranuar këtë gjë, ishin shokët e vet të luftës Spiru dhe Malëshova që do t’ja kujtonin, tashmë që ishin çliruar krejtësisht nga gjenia e keqe e Popoviçit dhe nga kornizat e tij të ngushta organizative dhe disiplinore. Bile, duke përdorur terma jo fort të dashura, Spiru kish redaktuar për këtë rast edhe një shënim biografik për Sekretarin e Parë, i cili nuk ja harroi dhe nuk ja fali kurrë.
. Mjaftoi pra sulmi fillestar i Stojniçit që kjo " bandë " të pakënaqurish, të cilës me këtë rast ju shtua Koçi Xoxja, Liri Gega apo dhe Pandi Kristo, të saldohej mes vedit dhe të lëshohej nga zinxhiri, duke kërkuar kokën e Sekretarit të PKSH. Në se ai mundi ta shpëtojë, kjo ndodhi vetëm falë Stojniçit, qëllimi i të cilit ishte thjesht të zhdukte ndikimin e Popoviçit dhe jo vetë Hoxhën. Një puç pra në gjirin e Komitetit Qëndror të PKSH në prag të çlirimit të vendit, i frymëzuar dhe i kontrolluar deri në fund nga jugosllavët që me këtë rast, arritën të vendosin raporte të reja forcash në të. Një ndërhyrje ndoshta brutale por e llogaritur mirë, e para në atë vargun e gjatë të viteve të ardhshme, që i hapi rrugën kontrollit të plotë jugosllav mbi politikën e brendshme të PKSH.
.
.
. * * *
.
.
. Thellësisht borxhlie ndaj ndihmës jugosllave, PKSH ju nënshtrua fatit të saj : ajo kopjoi verbërisht strukturat partijake të " motrës " së saj të madhe ndërkohë që udhëheqësit shqiptarë bënin të pamundurën për t’u tejkaluar në lavde ndaj idolit të tyre Tito. Asgjë nuk dukej më fuqishme se sa kjo miqësi e farkëtuar gjatë viteve të vështira të luftës, asnjë argument nuk dukej në horizont që të trondiste sadopak këtë mirëkuptim të pashembullt – bile as edhe e ardhmja e Kosovës, që ndërkohë i ishte nënshtruar ligjit të fituesve. Megjithë zhurmën e përleshjeve të përgjakshme mes " nacionalistëve " kosovarë – të ashtuquajturve fajtorë për bashkëpunim me pushtuesin – dhe njësive të ushtrisë jugosllave ; megjithë masakrën e sapo të thirrurve nën armë kosovarë - të atyre të rinjve të mobilizuar që kundërshtonin të shkonin për t’u vrarë në frontin kroat të Sremit në prill 1945 – e vështruar nga Tirana, çështja e Kosovës ishte mbyllur një herë e mirë. Në korrik të vitit 1945, përfaqësuesit e PKSH merrnin pjesë si të ftuar nderi në seancën plenare të Asamblesë të Serbisë që vulosi përfshirjen e Kosovës në gjirin e strukturës federative Jugosllave. Si shpërblim, Jugosllavia ishte i pari vend që njohu zyrtarisht Qeverinë e Përkohshme shqiptare.
.
. Përse PKSH nuk ju kundërvu vendimit të Titos për të përfshirë Kosovën në strukturën jugosllave të pasluftës ? Po të lexosh veprën e Hoxhës " Titistët " ku emri Kosovë përmendet 275 herë, ai nuk le asnjë rast pa përmendur bindjen e tij se kjo çështje duhej të zgjidhej pas lufte, konform vullnetit të popullit të krahinës. Mirë gjatë lufte që Hoxha kish bindjen marksiste se " vëllezërit komunistë jugosllavë " do ta zgjidhnin problemin e Kosovës në përputhje me teorinë leniniste-staliniste të të drejtës së kombeve deri në vetvendosje, por pas lufte, në vitin 1945, kur ai mundi të konstatonte devijimin e praktikës jugosllave ndaj teorisë sovjetike, përse nuk e ngriti zërin publikisht ndaj një padrejtësie të tillë ?
. Përgjigjen e jep Biberaj kur thotë se :
.
. komunistët shqiptarë të Kosovës dhe ata të PKSH nuk ju kundërvunë vendimit jugosllav lidhur me një çështje kaq vitale për kombin shqiptar për shkak të pozitës të nënështruar që ata kishin ndaj PKJ. Me përfundimin e luftës, u bë e qartë se, edhe një herë, Kosova ishte e destinuar të kalonte rishtas nën qeverisjen e të huajve (Sh. 4).
.
. Me gjithë respektin ndaj autorit Biberaj, për hir të realitetit, duhet të heqim nga lista komunistët shqiptarë të Kosovës pasi as forca e tyre numerike as edhe kontributi i tyre në luftën nacional-çlirimtare nuk i vinte ata në ndonjë situatë të privilegjuar për t’i kujtuar PKJ premtimet e saj të dikurshme lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sidoqoftë, ideja e mësipërme është thelluar aq sa është bërë mënyrë të menduari mes qarqeve nacionaliste apo antikomuniste shqiptare ; ajo mbrrin deri në ditët e sotme dhe paraqitet si " përmbledhja më e qëlluar e situatës " në epokën e ngjarjeve që po përshkruajmë (Sh. 5).
. E pra, megjithë aspektin vendimtar që zgjidhja e problemit të Kosovës paraqiste dhe paraqet për të ardhmen e kombit shqiptar, mjafton të largohemi sadopak nga kuadri i interesave shqiptare stricto sensu dhe kqyrim gjithë rajonin nën një kënd më të gjerë për të kuptuar se kjo shprehje e admirueshme e Biberajt nuk merr parasysh as rrjedhën e historisë as edhe realitetin e ngjarjeve.
.
.
. --------------------------------------------
.
.
. (1) Për herë të parë, Tito riçfaqet në vendlindje në vitin 1925, pas dhjetë vjetësh të kaluara në BRSS. Ai i afrohet përkohësisht udhëheqjes më të lartë të PKJ në vitin 1928, pak kohë përpara arrestimit dhe dënimit të tij me pesë vjet burgim. Ai zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i PKJ në vitin 1939 dhe rimerr drejtimin e partisë në fundin e muajit mars të vitit 1940, pas një kthimi tjetër nga BRSS. Për hollësi të tjera mbi jetën e Titos, shih : Vladimir DEDIJER – Josip Broz Tito : prispevki za zivljenjepis, Ljubljana, Drzavna zalozba Slovenije, 1972.
.
. (2) Mbi këtë subjekt, shih : Ernest WEIBEL – Histoire et géopolitique des Balkans de 1880 à nos jours, Ed. Ellipses, coll. L’Orient Politique, Paris 2002.
.
. (3) Shih : Enver HOXHA – The Titoistes, Publishing House " Naim Frashëri ", Tirana 1982.
.
. (4) Elez BIBERAJ - Albania and China. A Study of an Unequal Alliance, Boulder et Londres, Westview press, 1986
.
. (5) Kolë GJELOSHAJ dhe Jean-Michel de WAELE - La République d'Albanie et la question du Kosovo, Cahiers d'Études sur la Méditerranée Orientale et le monde Turco-Iranien n° 29.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur