"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, March 1, 2009

Shqipëria përballë botës komuniste - Ferri jugosllav (1).

. Ata kanë damkosur me gjurmë të përgjakura rrugën
. që ndoqën dhe çmenduria e tyre ju mësonte që e
. vërteta mund të provohet me anë të gjakut.
. Por gjaku është dëshmitari më i keq i së vërtetës :
. Gjaku infekton edhe doktrinën më të virgjër me
. helmin e çmëndurisë si dhe me urrejtjen e zemrave.
.
. NIETZSCHE – Ashtu foli Zarathustra- Priftërinjtë
.
.
. Lidhja i Shqipërisë me kampin e vendeve të Lindjes përcaktoi edhe aleatët e rinj për dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Këta aleatë që njeri pas tjetrit do të quhen Jugosllavi, Bashkimi Sovjetik apo Kinë sjellin para së gjithash ndihma materiale si edhe receta ekonomike apo politike që Enver Hoxha, si mjeshtër i Shqipërisë që është, do t’i gjykojë herë pas here të rrezikshme si për shëndetin e vendit të tij edhe për të vetin personalisht.
. Afëria gjeografike e Jugosllavisë merr formën e një fataliteti historik, jo vetëm në lidhje me Kosovën e cila i mban të dy vendet në një konkurrencë të vazhdueshme – megjithë diferencën e ndjeshme në përmasa dhe në peshë – por para së gjithash në lidhje me origjinën e përbashkët të pushtetit komunist. Prishja me Titon e detyron Enver Hoxhën të kërkojë mbrojtje pranë Stalinit ; më tej, është afrimi i Krushovit, padronit të ri të Kremlinit, me të njejtin Tito që shtyn Enverin në krahët e Mao Ce Dunit. Përfundimisht, kur trashëgimtarët e Maos pajtohen me të paevitueshmin mjeshtër të Beogradit, Hoxha, i tmerruar nga fantazma e Mareshallit plak, nuk gjeti zgjidhje tjetër veç të kalërojë i vetëm. Me kohë, kjo lojë aleancash gjithnjë e më të largëta bëhet e dëmshme dhe e ushqyer gjithnjë e më tepër nga përfitimi ; ndërkohë, një mjegull e trashë ideologjike mbulon Shqipërinë dhe fsheh një varg spastrimesh të llahtarshme në krye të pushtetit.
.
. Historia na sjell dy pamje : e para sintetike dhe e jashtme e një rregjimi totalitarist, nëpërmjet të cilit, rivaliteti për pushtet vulos me gjurmën e vet të përgjakur të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore ; e dyta analitike dhe e brendshme, është ajo e një vepre autokratike, mistika e të cilës nyjëzohet mes një triniteti : një dogmë – komunizmi, një vullnet – Enver Hoxha dhe një kult – interesi kombëtar.
. Çka intereson të dihet shtrohet si më poshtë :
. a ka shërbyer Enver Hoxha si kyçi i qemerit në kurorëzimin e përsosur mes utopisë komuniste dhe interesit të kombit apo, Hoxha është shërbyer nga doktrina për të ngritur një pushtet vetjak në emër të idealit të një populli të tërë ? .
.
. . * * *
.
.
. Kalimi rrufe i brigadave sulmuese partizane në tokat e Kosovës, në ndjekje të njësive të fundit gjermane, nuk mundi të ndikojë thellësisht në zhvillimet e mëtejshme të provincës. Të vëna në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë çlirimtare jugosllave, ato u përdorën për të " paqësuar " krahinën, e pushtuar nga një rezistencë e ashpër antikomuniste. Në vazhdim, gjatë nëntorit të vitit 1944, njësitë partizane jugosllave u ndërfutën në hullinë e forcave të përbashkëta sovjeto-bullgare dhe një nga veprimet e para të tyre ishte gjuetia e " kolaboracionistëve " shqiptarë. Raporti i pakrahasueshëm i forcave në favor të ngadhënjyesve komunistë krijoi një rast të ëndëruar për të rivendosur rendin e ri kombëtar, thellësisht të tronditur pas kaq vjetë përkatësie së krahinës rrebele në gjirin e atdheut të origjinës, nën shtrëngesën italjane.
. Si përfundim, administrata e re titiste e sapodalë nga lufta, e cila numëronte në rradhët e veta një shumicë kuadrosh me origjinë serbo-kosovare apo malazezo-kosovare, u ngul në pushtet duke absorbuar të gjitha prerogativat politike, ekonomike dhe kulturore, në të njejtën mënyrë sikundër edhe në rajonet e tjera jugosllave. U harrua pra, ai bashkim i mundshëm i Kosovës me Shqipërinë, kjo ide e distiluar dhe e ushqyer me aq kujdes në mjedisin komunist jugosllav, përpara shpërthimit të luftës së Dytë botërore.
.
. Në fakt, që prej kohrave të krijimit të Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), në prill të vitit 1919, çështja e Kosovës rivjen rregullisht në dokumentat themeltare të kësaj partie. Ajo përbën një nga referencat kryesore për të kuptuar më mirë zhvillimin e përgjithshëm të çështjes kombëtare në mendimin e komunistëve të vendit fqinjë, në funksion të shkallës së përparimit të tyre drejt marrjes së pushtetit.
.
. Gjatë Kongresit të IV të Kominternit, të mbajtur në Drezden në vitin 1928, komunistët jugosllavë që ndërkohë piketonin rrugëzgjidhjet e tyre për të shkatërruar Jugosllavinë mbretërore, vinin re se
. " .. një e treta e shqiptarëve jetojnë në gjirin e Mbretërisë dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë kalon vetëm nëpërmjet luftës së përbashkët me PKJ ". Kohë më pas, në vitin 1934, Kongresi i IV i PKJ i mbajtur në Ljubljana nënvizonte se " .. Mbretëria jugosllave nuk ish gjë tjetër veç pushtim i Kroacisë, i Dalmacisë, i Sllovenisë, i Malit të Zi … apo i Kosovës nga ana e trupave serbe " dhe vërtetonte edhe njëherë nevojën për " .. dëbimin e çetnikëve (serbë) nga Kroacia, nga Maqedonia .. si dhe nga Kosova ".
. Pushtimi italjan i Kosovës si dhe krijimi i Shqipërisë së Madhe ndryshoi paksa pikpamjet e tyre pasi, Konferenca e Vtë Kombëtare e Zagrebit e mbajtur në tetor të vitit 1940 nuk pa të nevojshme që të ritheksonte thëniet e mëparshme të bashkimit mes shqiptarëve dhe kosovarëve, ndoshta pasi bashkimi ishte tashmë një fakt i kryer. Megjithatë, ky forum partijak miratoi principet e barazisë mes kombësive dhe popujve jugosllavë, të cilët duhej të gjenin vendin që ju takonte në kuadrin e Jugosllavisë së re, si edhe nismën e krijimit të një Komiteti Rajonal të PKJ për Kosovën. Po në kuadër të kësaj Konference të Zagrebit, referuesi kryesor për provincën e Kosovës Moshe Pijade hodhi idenë e një " .. Republike të lirë të Kosovës, proletare dhe fshatare " (Shënimi 1).
.
. Me krijimin e tij, ky Komitet Rajonal u kontaktua nga grupet komuniste shqiptare me atë kërkesën e tyre të famshme për ndërmjetësim dhe, pas disa peripecish për shkak të luftës, dy nga përfaqësuesit e tij u gjendën pranë shokëve shqiptarë (Sh. 2). Për palën jugosllave, perspektiva që u krijua me futjen e një këmbe në vendin fqinjë ishte më se e lumtur pasi nga njëra anë, pa një bashkërendim dhe një marrëveshje miqsore mes komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë, as që mund të imagjinohej ndonjë shans për të organizuar diçka në Kosovë, e bashkuar siç ishte me Shqipërinë – dhe kjo e fundit nën çizmen italjane. Nga ana tjetër, organizimi dhe ngritja e një lëvizjeje rezistence në Shqipëri mund të luante veç një ndikim pozitiv mbi zgjidhjen e konfliktit në Jugosllavi (bregdeti dalmat apo Mal të Zi), mjaft të mbante të mbante të bllokuar në vend një pjesë të trupave italjane të pushtimit.
. Pjesëmarrja aktive e PKJ në luftë dhe përforcimi i rolit të saj si forcë e paevitueshme në skenën jugosllave dhe ballkanike, bëri që optika e komunistëve jugosllavë lidhur me çeshtjen kombëtare të përparojë me shpejtësi. Mjaft që të kujtojmë se, menjëherë pas Konferencës së parë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar, mbajtur në Bihaç në nëntor 1942, Tito ende i përmbahej asaj lidhjeje të ngushtë që, sipas tij, duhej të egzistonte mes " luftës së tashme të çlirimit kombëtar dhe çeshtjes kombëtare në Jugosllavi " dhe që shprehja " lufta për çlirimin kombëtar " do të ishte një mashtrim po qe se nuk përmbante, përveç kuptimit të vet jugosllav, përfitime të prekshme për të gjitha kombet e tjera : si për kroatët, sllovenët, serbet, maqedonët apo dhe shqiptarët e të tjerë (Sh. 3).
. Një vit më pas, as që flitet më për këtë çështje : sesioni i dytë i AVNOJ-it, mbajtur në Jajce në 29 nëntor të vitit 1943, hodhi themelet kryesore të çështjes kombëtare. Jugosllavia e re, gjithmonë e ngritur mbi principin federal, do të ishte atdheu i gjashtë njësive të federuara : Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Herzegovinës, popujt e të cilëve duhej të ishin të lirë dhe të barabartë, ndërkohë që të gjitha grupet e tjera etnike do të gëzonin garancitë e nevojshme lidhur me të drejtat e tyre si pakica kombëtare (Sh. 4). Kjo politikë u aprovua dhe u vulos me ardhjen në fuqi të qeverisë së Titos në mars të vitit 1945 : doktrina e barazisë dhe e vetëvendosjes së kombeve jugosllave tashmë u shndrrua në doktrinën e një Shteti federativ të centralizuar (Sh. 5).
.
. Ç’bëhet ndërkohë me Kosovë-Metohinë në këtë Jugosllavi të re titiste ? Në mungesë të referencave direkte, veç mundet të imagjinohet mendimi i Titos dhe i PKJ së tij në këtë epokë : sipas të gjitha gjasave, statusi i krahinës tejkalonte kuadrin e një problemi të thjeshtë të brendshëm jugosllav dhe përmasat e tij ndërkombëtare e shtronin si një çështje që duhej të zgjidhej mes të interesuarve direktë : Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ajo që na intereson në mënyrë të veçantë është mënyra e zgjidhjes së kësaj enigme nga ana e Titos, i cili kish vendosur tashmë ushtarët e tij mbi fushën shqiptare të shahut. Megjithë numrin e tyre të vogël dhe të kufizuar – vetëm dy në shtator të vitit 1942, katër në janar të vitit 1943 dhe gjithmonë më pak se një dyzenë në fundin e luftës – këshilltarët e PKJ në gjirin e PKSH ditën të ndodheshin në zemrën e dispozitivit politik dhe ushtarak të rezistencës ; ata ditën gjithashtu të ndikonin vendimet dhe të propozonin zgjedhjet e tyre lidhur me njerëzit që i përshtateshin mënyrës së tyre të të parit të gjërave.
.
. Përsa i përket shkallës së influencës që ata ushtruan mbi PKSH gjatë kohës së luftës, dy opinione diametralisht të kundërta janë përplasur që nga dita e parë e pasluftës : e para, që vjen nga kampi i fitimtarëve komunistë, ka patur tendencë ta zvogëlojë për të mos thënë t’a injorojë plotësisht ndërkohë që e dyta, e ardhur nga kampi i humbësve – ballistë dhe zogistë – e ka çmuar si totale, të gjithëfuqishme, të aftë për të imponuar marrëdhënie të një nënshtrimi të thellë, për të mos thënë të një vasalizmi integral. Arsyet e një papajtueshmërie të tillë mendimesh dhe opinionesh janë të kuptueshme, pa patur nevojë për të qenë me një mendje me analizat apo me bindjet politike që burojnë nga këto dy kampe të ndryshme : në qoftë se të parët kanë dashur t’a harrojnë këtë episod të largët por themelor që çvlerëson sadopak faqen më të lavdishme të historisë së tyre dhe që, para së gjithash, ve në vështirësi ndjenjat e tyre kombëtare apo nacionaliste, të dytët kanë dashur posaçërisht të tregojnë me gisht mëkatin origjinal të kundërshtarëve të tyre, t’i zhveshin këta të fundit lakuriq që gjithë bota të mund të shohë stigmatët e Djallit që ata u munduan të përballin, pavarësisht se kjo gjë përfaqëson veç një shpërblim krejt të vogël përpara humbjes që ata pësuan.
.
. Një vështrim më pak i interesuar mbi aktorët e kësaj epoke del i nevojshëm për të zbuluar nuancat në gjykime dhe sidomos, për të sjellë disa të vërteta të pashtrembërueshme. Megjithëse çdo vend ndoqi peripecitë dhe pati karakteristikat e veta gjatë periudhës së luftës, disa elementë kanë vepruar në mënyrë të përbashkët dhe të pavarur, duke shërbyer si ura afrimi mes protagonistëve :
.
. - Ndërhyrja ushtarake dhe pushtimi italo-gjerman preku pothuaj njëkohësisht bashkësinë e vendeve të fasadës perëndimore dhe jugore të Ballkanit dhe solli një seri përmbysjesh gjeopolitike si dhe fshirjen e kufijve të vjetër ndërshtetërorë.
.
. - Lëvizjet e rezistencës në vendet e pushtuara (Jugosllavi, Greqi dhe Shqipëri), të udhëhequra nga partitë komuniste respektive, kanë vepruar brenda një kuadri strategjik që shpesh ka tejkaluar kufijtë e vjetër kombëtarë. Kështu është rasti i jugosllavëve të PKJ, i grekëve të KKE, i shqiptarëve të PKSH dhe në një masë tepër të reduktuar, i bullgarëve të PKB. Për të koordinuar operacionet e tyre ushtarake dhe veçanërisht, për të shmangur përplasje të panevojshme, shtabeve përkatëse të lëvizjeve nacional-çlirimtare ju desh të lidhnin kontakte mes tyre edhe shpesh, të vinin në jetë edhe taktika të përbashkëta.
.
. - Terrenet e preferuara për realizimin e këtyre kontakteve ishin zonat kufitare që në të shkuarën kishin qenë objekt grindjesh politike dhe ndeshjesh ndëretnike - Maqedonia, mes jugosllavëve, grekëve dhe bullgarëve, Kosova mes jugosllavëve dhe shqiptarëve dhe në një masë më të vogël – Epiri, mes grekëve dhe shqiptarëve.
.
. Megjithë dëshirat e zjarrta të nacionalistëve si dhe përmbajtjen e shëndoshë apo të bazuar të mendimit të tyre në planin historik, zgjidhja e konfliktit botëror, i quajtur ndryshe Lufta e Dytë, në këtë krah të Evropës shkoi në kahjen e strategjisë së përpunuar në kampin e rezistencës komuniste. Sipas fakteve të kësaj periudhe, është krejt e natyrshme që çështja e Kosovës që na intereson në mënyrë të veçantë të kqyret nga dy kënde të ndryshme : nga ai i komunistëve shqiptarë por njëkohësisht edhe nga ai i komunistëve jugosllavë.
. Në qoftëse diku më sipër u dha rasti të shtjellohet rruga që çoi PKSH drejt pushtetit, kësaj rradhe na duket e domosdoshme të ndjekim dhe të përshkruajmë trajektoren drejt pushtetit të të interesuarit tjetër, Titos dhe PKJ së tij, si edhe pasojat e pashmangshme dhe fatale që ata shkaktuan mbi PKSH.
.
.
. -------------------------------------
.
.
. (1) Dušan T. BATAKOVIĆ– Kosovo Chronicles. Ed Plato, Beograd 1992.
.
. (2) Në librin e vet " Titistët ", Enver Hoxha i përmbahet me forcë idesë që ai vetë dhe komunistët e tjerë shqiptarë vendosën të lidhnin marrëdhënie me PKJ, nën frymën e internacionalizmit proletar dhe për të mirën e dy partive komuniste. Sipas tij, fakti që Popoviçi u gjend në mes të pjesëmarrësve të Mbledhjes themeluese të PKSH s’ish gjë tjetër veç frut i një rastësie " fatlume " ndërkohë që kalon krejt në heshtje përsenë e ndodhjes gjithashtu mes tyre edhe të jugosllavit të dytë, Dushan Mugoshës, i ardhur krejt para Mbledhjes. Me më shumë detaje dhe veçanërisht e çinteresuar, dëshmia e Premtaj nuk le asnjë dyshim mbi prezencën dhe rolin e emisarëve të Titos. Mbi këtë subjekt, shih : Sadik PREMTAJ - Stalinism and Communism in Albania, Cahiers Léon Trotsky, 1997, nr 60 (November), Bibliothèque de Documentation internationale contemporaine (Nanterre).
.
. (3) Duke ripohuar principin leninist të të drejtës për vetvendosje dhe për shkëputje, Tito rikujtonte njëkohësisht që : " Çështja e Maqedonisë, e Kosovës e Metohisë…. do të zgjidhet lehtë dhe për kënaqësinë e përgjithshme të të gjithëve, në qoftë se do të jetë populli vetë që do t’a zgjidhë, me armë në dorë, nëpërmjet luftës ".
.
. (4) Megjithatë, bile edhe mes pakicave kombëtare kishte disa prej tyre që ishin më të lira dhe më të barabarta se të tjerat. Kështu, projekti i " Deklaratës mbi të drejtat themelore të popujve dhe qytetarëve të Federatës Demokratike të Jugosllavisë ", i cili asnjëherë nuk mundi të kalojë stadin e projektit, parashikonte që " Populli i Vojvodinës dhe i Sanxhakut do të ketë liri të plotë për të vendosur ai vetë mbi lidhjet dhe vendit të tij në gjirin e Federatës ". Kosovë-Metohija nuk përmendet asgjëkundi, as në projektet as edhe në deklaratat e AVNOJ-it. Bile edhe në Ligjin mbi emrin e Shtetit si dhe mbi simbolet dhe armët e tij (Neni 2), përmenden me rradhë popujt " e Serbisë, të Vojvodinës, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë-Herzegovinës ". Rikujtojmë me këtë rast që asnjë pëfaqësues shqiptar nuk bënte pjesë në grupin e 146 delegatëve të tubimit të Jajces.
.
. (5) François FEJTO - ibidem.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur