"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, March 28, 2009

Shqipëria përballë botës komuniste – Ferri jugosllav (2).

.
. E krijuar gjatë muajve mars – prill 1919, Partia Komuniste Jugosllave - Partia Socialiste Puntore sipas emrit të saj të origjinës – njohu shumë shpejt orën e vet të lavdisë. Kjo forcë politike prej 60.000 antarësh u pranua menjëherë nga Internacionalja Komuniste dhe rrëmbeu bashkinë e Beogradit gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 1920. Një vit më vonë, në korrik të vitit 1921, PKJ u shpall jashtë ligjit dhe ju desh të deklaronte zyrtarisht shpërndarjen e saj. Në të vërtetë, asaj ju desh të u riorganizohej mbi të tjera baza, në ilegalitet, dhe me këtë rast humbi pothuaj gjithë efektivat : vetëm 3.000 antarë në vitin 1930, që do të bëhen 12.000 në prag të pushtimit nazist.
. Që nga momenti i kapitullimit dhe më pas gjatë coptimit të Jugosllavisë mbretërore të Pjetrit të IItë, pra nga prilli i vitit 1941 dhe deri në fund të qershorit të këtij viti, PKJ nuk ndërmori as gjestin më të vogël – as në veprime bile as edhe në shprehje. Vetëm pas sulmit hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik, me mirë të themi pas fjalimit historik të Stalinit gjatë të cilit ai urdhëroi partitë komuniste evropiane të godisnin armikun nazist, Byrosë Politike të PKJ ju desh të shpërndante kuadrot e saj në terren për të organizuar fillimet e rezistencës kundër pushtuesve shumëkombësh – Vukmanoviç-Tempo shkoi në Bosnjë, Milovan Gjilas në Mal të Zi, Tito në Serbi (Shënimi 1) apo Kardelj në Slloveni. Veç pak javë më vonë, Mali i Zi u përfshi në një varg përleshjesh të përgjakshme mes kryengritëve vendas dhe italjanëve. Në tetor të vitit 1941, rioshët komunistë të rezistencës fillojnë të bashkëpunojnë me veteranët e maleve, me çetnikët e Drazha Mihajlloviçit, para se të shëndrrohen në konkurrentët e tyre të papajtueshëm dhe të përfundojnë armiq deri në vdekje.
. Kështu, disa ditë më vonë, në prag të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në 8 nëntor të vitit 1941, është pak të thuhet se lëvizja partizane e Titos sapo kish hedhur hapat e para ; ajo mezi numëronte në rradhët e saj dy a tre mijë luftëtarë – një forcë thuaj e papërfillshme ushtarake tashmë në planin lokal - dhe nuk kishte asnjë perspektivë të qartë të të tashmes së saj dhe ende më pak ndonjë plan të përcaktuar mirë lidhur me të ardhmen, pa folur më për gjeopolikën e Ballkanit të pasluftës.
.
. Sidoqoftë, është fakt që edhe në këto kushte, Komiteti Qëndror i PKJ kish ndërmarrë një veprim " të mençur " me vlerë të veçantë strategjike : dërgimin e emisarëve të tij të parë për të riorganizuar lëvizjen komuniste në Shqipërinë fqinje dhe aktiviteti i tyre kish dhënë frytet e dëshiruara, krijimin e PKSH. A priori, ky element është i mjaftueshëm për të ngritur hipotezën se PKSH s’ish gjë tjetër veçse krijesë e jugosllavëve. Zaten, vetë jugosllavët do të jenë të parët që do të lëvdohen dhe do të reklamojnë atësinë.
. Po qe se besojmë Enver Hoxhën, ishte malazezi Bozho Jovanoviç që hodhi këtë tezë gjatë punimeve të Konferencës së parë kombëtare të PKSH në Labinot (mars 1943) dhe e keqja ishte se kësaj here, jugosllavët e kishin me gjithë mend. Pavarësisht se vetë Popoviçi e kundërshtoi me forcë këtë ide, kasneci i ri i Titos kish mbrritur me detyrën për të vjelë " dividendët " e investimit të bërë.
. Nga ana tjetër, edhe vetë pushtuesit italjanë kishin vënë re prezencën e jugosllavëve pranë PKSH dhe e përdorën këtë fakt për qëllimet e tyre të propagandës : komunistët shqiptarë pra ishin vegla të sllavëve, një argument me peshë në kuadrin e politikës së tyre " kombëtare ". Kjo tezë u rimor me gëzim nga ana e Ballit Kombëtar dhe u përdor qoftë gjatë luftës, për të reduktuar ndikimin e komunistëve në popull, qoftë pas saj, për të nënvizuar karakterin antikombëtar të pushtetit komunist. Një provë e gjallë e eklektizmit politik të Ballit, i cili nuk ngurroi aspak për të përdorur argumentat e armiqve të tyre tradicionalë por të largët – jugosllavët e Titos – për të luftuar armiqtë e betuar tashmë të afërt – shqiptarët e Hoxhës. .
.
. Të dërguarit e parë të Titos në Shqipëri – Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha – i përkasin " rrethit të parë " të PKJ, atij të udhëheqësve të lartë lokalë apo zonalë. Me origjinë nga rajonet kufitare dhe të njohur mirë me elementin shqiptar, ata u zgjodhën në funksion të aftësive të tyre të spikatura për të ngritur në këmbë organizatat ilegale, për të rekrutuar kuadrot e nevojshëm dhe për të përgatitur aksione të tipit guerrile. Është krejt e natyrshme të mendohet se deri në fund i vitit 1942, deri në prag të krijimit të Këshillit Antifashist Nacional – Çlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ) – Bihaç nëntor 1942 - ata vepruan kryesisht me iniciativën e tyre dhe ju bindën nuhatjes së tyre apo talentit vetjak për të krijuar dhe forcuar lidhje të natyrës personale. Mjafton të ndiqen peripecitë që hoqi ndërkohë lëvizja komuniste jugosllave. Në të vërtetë, në fundin e vitit 1941, forcat partizane jugosllave ishin në agoni : prishja me çetnikët, e ndjekur nga dy disfata të llahtarshme – ato të Pljevljas dhe të Uzhices – detyruan Titon dhe shokët e tij të merrnin arratinë dhe të fshiheshin në Foca, në luginën e lumit Drino. Vetëm gjatë pranverës të vitit 1942, ai mundi të ndërmarrë riorganizimin ushtrisë së tij mbi bazën e Brigadave partizane " Proletare " : në korrik të 1942, atij i mbeteshin gjithsej 3.000 burra e gra. Ata do të jenë 30.000 në janar të 1943 për t’u bërë 300.000 një vit më vonë, në 1944.
.
. Në fund të vitit 1942, Tito arriti të ngrinte Frontin e tij Antifashist, gjë e cila e lejoi të forconte dhe të rriste bazën e lëvizjes së tij dhe të kufizonte atë të konkurrentit mbretëror. Atëhere, ai vendos të interesohet më tepër lidhur me çka ndodh tek fqinji i tij – duke dërguar kasnecin e tij Jovanoviç – aq më tepër që ndërkohë Tito kalon pjesën më të madhe të kohës në Zhabljak, në pyjet e Malit të Zi, për të mos thënë në kufirin me Shqipërinë. Duhet të presim pranverën e vitit 1943 dhe dy betejat e përgjakshme të Neretvës dhe të Sutjeskës, pas të cilave drejtuesit e PKJ fillojnë të mendojnë seriozisht lidhur me zgjerimin e rezistencës antifashiste drejt periferisë, gjë e cila i shtyn pashmangësisht drejt përpunimit të një politike ballkanike.
. Lind kështu ideja e Federatës ballkanike, një skicë e të cilës është vizatuar për herë të parë një vit më parë - gjatë vitit 1942. Me këtë rast, teoria e ndërfutjes së ideve të çlirimit kombëtar dhe të çështjes kombëtare projektohet mbi të gjithë gadishullin : gjithashtu me këtë rast, vendosen kontakte të rregullta me PK bullgare dhe me KKE greke ; përveç kontakteve që egzistonin ndërkohë me PKSH. Mirëpo në korrik të vitit 1943, duke ju përmbajtur fjalë për fjalë deklaratave të bëra në Bihaç, Partia Komuniste Maqedone shprehu vullnetin e saj për të krijuar një Maqedoni të pavarur dhe të bashkuar. Ky është edhe thelbi i të ashtuquajturës " çështje maqedone " si edhe prologu i " çështjes shqiptare ".
.
. Gjatë shgjymtyrimit të Jugosllavisë mbretërore në vitin 1941, Bullgaria ndërhyri për të aneksuar Maqedoninë – në fakt, atë çka mbetej nga Maqedonia pasi disa krahina perëndimore të saj i ishin bashkuar Shqipërisë italjane, qyteti i Selanikut dhe rrethinat e tij kishin mbetur nën pushtimin gjerman ndërkohë që një pjesë e Maqedonisë egjeane ishte vënë gjithashtu nën pushtimin italjan. E gjithë pjesa tjetër bashkohet me Bullgarinë – që nga qyteti i Follorinës pranë kufirit me Shqipërinë dhe deri në lumin Struma dhe në Pirot, apo më mirë të themi e gjithë Maqedonia e zonës së liqenjve, ajo e Vardarit dhe e Pirotit.
. Ky pushtim " logjik " nga ana e " vëllezërve bullgarë " nuk pati thuaj asnjë impakt mbi rezistencën popullore antifashiste : seksioni maqedonas i PKJ shkon deri aty sa që përqafon pikpamjet e komunistëve bullgarë dhe gjykon të panevojshme shpërthimin e një kryengritjeje të përgjithshme. Megjithë linjën politike të përcaktuar nga AVNOJ në vitin 1942, u desh ndërhyrja e posaçme e Vukmanoviç - Tempos në mars të vitit 1943 për të riorganizuar seksionin maqedonas të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Jugosllave. Pasi projekti fillestar maqedonas s’kish të bënte aspak me planet jugosllave : pas kontakteve të shpeshta me komunistët bullgarë dhe komunistët grekë, vendasit vendosën krijimin e një Fronti Nacional-Çlirimtar sllavo-Maqedonas. Kjo ishte një goditje e rëndë ndaj Titos, i cili nisi menjëherë Svetozar Vukmanoviçin - alias gjenerali Tempo për të ndëshkuar tendencat qendërikëse maqedone. Ky i fundit veproi pa mëshirë në vend për " të asgjësuar në mënyrë energjike të gjitha pozitat e gabuara të Maqedonasve ", përpara se të çfaqej në Vithkuq dhe në Lavdar të Oparit, apo në Kucakë - pranë udhëheqjes së PKSH atë mars të largët të vitit 1943, në përfundim të udhëtimit të tij të parë të inspektimit në këtë krah të Ballkanit (Sh. 2).
. Mbërritja e Vukmanoviç-Tempos në Shqipëri dhe takimet e tij të verës 1943 me udhëheqjen e PKSH shënojnë fundin e fazës së parë të bashkëpunimit mes dy partive komuniste, atë të stërvitjes dhe të mësimit të zanatit. Zëdhënësi i ri jugosllav që i përket atij grushti udhëheqësish të nivelit kombëtar, shumë të afërt me Titon dhe përgjegjës të politikës të përgjithshme të PKJ, vëren shpejt tendencat që veprojnë në gjirin e Komitetit Qendror të PKSH dhe veçanërisht, hezitimet dhe orvatjet për të bashkëpunuar apo për t’u hapur drejt rrymës nacionaliste. Ky orientim i ngjashëm me atë të fqinjëve maqedonë paraqet një rrezik të qartë në lidhje me politikën e PKJ lidhur me periferinë ballkanike – veçanërisht lidhur me të ardhmen e Kosovës, gjë e cila e shtyn të ndërhyjë në mënyrë të prerë.
.
. Eshtë interesante të nënvizohet se në thelb, ndërhyrja " brutale " e Tempos pranë shokëve të tij shqiptarë të armëve nuk ndryshon aspak nga qëndrimet anti-Balli të kolegut të tij Popoviç, të shprehura me një forcë të veçantë gjatë Mukjes. Ajo çka ndryshon në të vërtetë është këndi i vështrimit : në se gjenerali Tempo shqetësohet për fatin e ardhshëm të Kosovës në kuadrin e interesave të Jugosllavisë së tij, Popoviçi, të cilin shqiptarët e kishin " pagëzuar " Ali Gostivari, preokupohej nga perspektiva e ndarjes së pushtetit paslufte si edhe nga raportet e reja të forcës që mund të krijoheshin në vendin e tij të adoptimit, në Shqipëri.
. Sidoqoftë, ndërhyrja e emisarit special të Titos përbën edhe ngjarjen vendimtare që shënon radikalizimin e PKSH ; nën impulsin e jugosllavëve, udhëheqja e partisë shkundet dhe i kundërvihet të gjitha ideve të mëparshme të një afrimi me Ballin Kombëtar. Në këtë mënyrë lind procesi " anti Mukje " që u vulos në Konferencën e dytë të Labinotit dhe përvijohet shqyerja me kampin nacionalist – akti i parë i luftës " civile " mes shqiptarësh. Megjithëse PKSH kish mundur të marrë kthesën e duhur, pasi kthehet në bazë, Tempo paraqit një raport shumë pak të favorshëm lidhur me palën pritëse dhe arrin të influencojë Titon, i cili edhe pse nuk i zotëronte të gjitha kartat e lojës, zotëronte mundësinë tjetër – atë të ndryshimit të metodës së punës dhe në rradhë të parë, ndërrimin e ekipit jugosllav në vend.
.
. Vite – për të mos thënë dekada - më vonë, në veprat e tij, Hoxha do të rikujtohet mbi megalomaninë e jugosllavit Tempo dhe nënvizon antipatinë e thellë që lind dhe instalohet mes dy burrave. Po qe se do t’i besojmë rishtas kujtimeve të tij, elementi që përsëritet me forcë të veçantë gjatë të gjithë takimeve që padroni i ardhshëm i PKSH do të ketë me emisarin e shquar të Titos ndërmjet marsit dhe gushtit të vitit 1943, s’është gjë tjetër veçse mendimi i ngulët i këtij të fundit lidhur me shtabin ballkanik. Edhe pas kaq vitesh, në periudhën e shkrimit dhe të botimit të kujtimeve të tij, udhëheqësi shqiptar tregohet i pamëshirshëm në gjykimet e veta ndaj të dërguarve të Titos në vendin e tij pasi të gjithë ata, përveç Popoviçit, përshkruhen si konspiratorë dhe intrigantë, të drejtuar nga një ide e vetme – ajo e nënshtrimit të PKSH ndaj interesave jugosllave (Sh. 3).
.
. Është krejt e mundur që tundimet shkëputëse të maqedonëve si edhe thirrjet për marrëveshje mes shqiptarësh – këto dy prirje që, në fund të fundit, vulosnin shgjymtyrëzimin e Jugosllavisë së vjetër, përbëjnë bërthamën e asaj kthese rrënjësore që pësoi politika titiste lidhur me çështjen kombëtare, në vjeshtën e vitit 1943. Megjithatë, mes teorisë leniniste mbi të drejtën e vetvendosjes dhe praktikës ballkanike të shovinizmit etnocentrik, gremina është aq e thellë sa që Titos, shumë më tepër jugosllav në shpirt se sa kroat i lindur, ju desh një vit i tërë për të gjetur formulën e përshtatshme : atë të federalizmit. Mbi bazën e trashëgimit territorial të Jugosllavisë mbretërore, të krijohet një Jugosllavi e re federale – ja edhe së fundi platforma e re kombëtare e dalë nga punimet e Jajces. Përsa i përket politikës ballkanike të kësaj Jugosllavie të re, mes të tjerash, ajo duhet të zgjidhte edhe grindjet e vjetra mes fqinjësh të periferisë ; a ka zgjidhje më të përshtatshme se sa një Federatë ballkanike, një lloj kopje e modelit kombëtar ?
. Eshtë e sigurt që, gjatë muajve nëntor – dhjetor të vitit 1943, Tito ende nuk ishte në gjendje të merrte me mend si do të rridhnin ngjarjet deri në fund të luftës ; sidoqoftë, ai i kish marrë të gjitha masat për t’a kthyer peshoren nga ana e tij. Lëvizja e tij kishte një " Qeveri të Përkohëshme " të zgjedhur në Jajce, ushtria e tij gëzonte njohjen e gjithëfuqishme të Aleatëve si antar me të drejta të plota në Koalicionin antifashist dhe së fundi, ai vetë ishte pajisur me shkopin e Mareshallit.
.
. Së fundi, por aspak e fundit në rradhën e vlerave, vjen mbështetja e anglezëve. Nëqoftëse saga Tito ka ngjallur në mënyrë sistematike mosbesimin e Stalinit, i cili për arsye të errëta pothuaj deri në fund të luftës preferoi kampin mbretëror ndaj atij komunist, ajo tërhoqi pashmangshmërisht vëmendjen e anglezëve. Në mënyrë të veçantë, rezistenca e udhëhequr nga Titoja tërhoqi vështrimin e Çurçillit, i cili që në qershor të vitit 1943 dërgoi pranë shtabit të partizanëve jugosllavë djalin e tij Randolfin. Ky i fundit kthehet pranë të atit thellësisht i bindur dhe arrin të bindë edhe gjithë të tjerët lidhur me dobinë apo përfitimin që do të sillte Tito, po qe se do t’i bëhej besim si i vetmi konkurrent i vlefshëm në garën e ardhshme për pushtetin. Pak kohë më pas, Konferenca e Teheranit (28 nëntor – 1 dhjetor 1943) njohu Titon dhe lëvizjen e tij si partnerë të Aleatëve. Që këtej e tutje, ndihma ushtarake dhe materiale e anglezëve fillon të orientohet veç në dobi të partizanëve, duke harruar tashmë rrymën legaliste. Që nga strehimi i tij londonez, duke filluar nga janari i vitit 1944, Pjetri i IItë u detyrua të bashkëpunojë me qeverinë e përkohëshme të dalë nga Jajce dhe braktisi në mëshirën e fatit Mihajllovoçin, ushtarin e tij besnik dhe trim.
.
. Gjatë majit së vitit 1944, PKJ thirri në bazë Mugoshën dhe në vazhdim solli në vend një ekip të tërë, mes të cilit shkëlqen Velimir Stojniçi, emisari i ri i PKJ. Në këto ujra edhe Popoviçit ju kërkua me këmbëngulje të braktiste gjithçka dhe të kthehej sa më shpejt në vendlindje. U desh ndërhyrja e Enver Hoxhës, që miqtë e tij anglezë ta evakuonin nëpërmjet Italisë ku mundi të mjekojë tuberkulozin e tij kronik. Tashmë vendin e " organizuesve polivalentë " të tipit Popoviç e zunë " teknikët specialistë " të llojit Stojniç, në të vërtetë " ekspertë " të përgatitjes ideologjike, të çështjeve ushtarake apo të marrëdhënieve ndërkombëtare. Fillon kështu një fazë e dytë, ajo e konsolidimit të kontrollit jugosllav mbi PKSH.
.
. Përse ky ngut i Titos dhe ekipit të tij për të riatdhesuar Popoviçin ? Po qe se besojmë Hoxhën, një pjesë të " fajit " ka vetë Popoviçi i cili nuk u përmbajt pas atij raportit katastrofik të Tempos mbi udhëheqjen e PKSH dhe i nisi Titos një varg letrash për të kjartësuar situatën dhe në rradhë të parë, për të mbrojtur " pozitat e drejta " të udhëheqjes shqiptare.
. Paralelisht, rrjedha e ngjarjeve të fundverës të vitit 1944 sugjeron një deshifrim tjetër të situatës : që prej tre vjetësh, prej shtatorit të vitit 1941, Popoviçi jetonte në Shqipëri – praktikisht gjatë gjithë periudhës së luftës – krejtësisht i shkëputur nga realiteti jugosllav., kontaktet e tij me të cilin kishin qenë më se sporadike. Gjatë kësaj periudhe shumë ujra kishin rrjedhur dhe strategjia e PKJ kish ndërruar disa herë kahje. Hera e fundit që Popoviçi kish dhënë llogari përpara udhëheqjes së tij ishte në Zagreb, në tetor të vitit 1940. Pra, ai mungonte në Bihaç dhe në Jajce ku ishin hedhur bazat e pushtetit të ardhshëm të Jugosllavisë së re federale dhe për më tepër, ai ishte krejtësisht i shfazuar lidhur me politikën e re ballkanike të Titos. Këtë shfazim – si edhe ndikimin shumë të madh që ai ushtronte mbi Enver Hoxhën - e kish konstatuar dhe e kish relatuar për herë të parë Tempo, mesazhi i të cilit lidhur me korrigjimin e politikës së përgjithshme të PKSH dhe mbi shtabin e ardhshëm ballkanik kaloi shumë keq, pikërisht për shkak të Popoviçit. Ndërkohë, Tempo kish konstatuar edhe premisat pozitive - mediokritetin që mretëronte në rradhët e udhëheqjes së PKSH si edhe fillesën e fërkimeve të para në gjirin e saj. Padyshim, politika e re jugosllave kërkonte marrëdhënie të reja dhe veçanërisht një përqasje të re por paradoksalisht, pengesa kryesore nuk ishin vetë shqiptarët por një malazez si Popoviçi.
.
. Disa muaj më vonë, në vjeshtën e vitit 1944, rrjedha e ngjarjeve tregon shumë qartë se nga kjo anë e kufirit dhe nga ana tjetër, pushteti do të binte së shpejti në duart e komunistëve. Lajmi kaq i mirë veç mund të frymëzojë atë mendim mjeshtëror që problemi i Kosovës do të mund të zgjidhej një herë e mirë në qoftëse e tërë Shqipëria do të bënte pjesë në gjirin e Federatës së ardhshme Ballkanike – për të mos thënë Jugosllave. Ky mendim, po aq i vjetër sa edhe vetë Jugosllavia, shtyu emisarin e ri të Titos, kolonel Velimir Stojniç, të ndërmarrë një arbitrazh të vështirë gjatë Pleniumit të IItë të KQ të PKSH, të mbajtur në Berat në prag të çlirimit të vendit (22-25 nëntor 1944). Sipas legjendës, ai mundi të shfrytëzojë me mjeshtëri divergjencat e sapolindura në gjirin e Komitetit Qëndror të PKSH dhe rreshtoi pas vehtes pjesën më të madhe të antarëve të KQ, duke i lënë Enver Hoxhës veç një pakicë ithtarësh. Ky Plenium i famshëm – shumë vite më vonë Hoxha do t’a quante " njollë të zezë " në historinë e partisë së tij – la gjurmën e tij dhe peshon mbi të gjitha marrëdhëniet mes dy partive komuniste dhe të dy vendeve fqinjë për vitet e ardhshme.
.
. Çka ndodhi në Berat, atë nëntor të largët të vitit 1944 ? Dokumentat zyrtare të PPSH, të botuara pas lufte, na mësojnë se përfaqsuesi i PKJ u lëshua në një sulm të egër kundër linjës politike të PKSH, duke dënuar njëkohësisht oportunizmin e Hoxhës ndaj Ballit dhe sektarizmin e tij ndaj Veriut të vendit. Sigurisht, varianti i përhapur nga Jugosllavët është krejt i ndryshëm : sipas tyre, divergjencat e shprehura gjatë Pleniumit të Beratit ishin ushqyer nga njëra anë nga vetë Hoxha i cili kish pohuar më se një herë " naivitetin dhe paaftësinë e tij " dhe nga ana tjetër nga shokët e tij të idealit që ishin të vendosur për t’a zëvendësuar në krye të partisë. Gjithmonë sipas versionit të tyre, jugosllavët ndërhynë për të shpëtuar Hoxhën dhe nëpërmjet tij, ata mundën të siguronin suksesin e ndërmarrjes komuniste në prag të çlirimit të vendit.
. Ku qëndron e vërteta ? Si zakonisht, diku mes dy varianteve : Hoxha, i braktisur nga mentori i vet Popoviç, e kish humbur toruan si edhe sensin e vet të analizës dhe të kontrollit që do ta karakterizojë aq mirë më vonë, dhe në mënyrë naive pranoi publikisht paaftësinë e tij – zaten, absolutisht e vërtetë. Por edhe sikur ai të mos e kish pranuar këtë gjë, ishin shokët e vet të luftës Spiru dhe Malëshova që do t’ja kujtonin, tashmë që ishin çliruar krejtësisht nga gjenia e keqe e Popoviçit dhe nga kornizat e tij të ngushta organizative dhe disiplinore. Bile, duke përdorur terma jo fort të dashura, Spiru kish redaktuar për këtë rast edhe një shënim biografik për Sekretarin e Parë, i cili nuk ja harroi dhe nuk ja fali kurrë.
. Mjaftoi pra sulmi fillestar i Stojniçit që kjo " bandë " të pakënaqurish, të cilës me këtë rast ju shtua Koçi Xoxja, Liri Gega apo dhe Pandi Kristo, të saldohej mes vedit dhe të lëshohej nga zinxhiri, duke kërkuar kokën e Sekretarit të PKSH. Në se ai mundi ta shpëtojë, kjo ndodhi vetëm falë Stojniçit, qëllimi i të cilit ishte thjesht të zhdukte ndikimin e Popoviçit dhe jo vetë Hoxhën. Një puç pra në gjirin e Komitetit Qëndror të PKSH në prag të çlirimit të vendit, i frymëzuar dhe i kontrolluar deri në fund nga jugosllavët që me këtë rast, arritën të vendosin raporte të reja forcash në të. Një ndërhyrje ndoshta brutale por e llogaritur mirë, e para në atë vargun e gjatë të viteve të ardhshme, që i hapi rrugën kontrollit të plotë jugosllav mbi politikën e brendshme të PKSH.
.
.
. * * *
.
.
. Thellësisht borxhlie ndaj ndihmës jugosllave, PKSH ju nënshtrua fatit të saj : ajo kopjoi verbërisht strukturat partijake të " motrës " së saj të madhe ndërkohë që udhëheqësit shqiptarë bënin të pamundurën për t’u tejkaluar në lavde ndaj idolit të tyre Tito. Asgjë nuk dukej më fuqishme se sa kjo miqësi e farkëtuar gjatë viteve të vështira të luftës, asnjë argument nuk dukej në horizont që të trondiste sadopak këtë mirëkuptim të pashembullt – bile as edhe e ardhmja e Kosovës, që ndërkohë i ishte nënshtruar ligjit të fituesve. Megjithë zhurmën e përleshjeve të përgjakshme mes " nacionalistëve " kosovarë – të ashtuquajturve fajtorë për bashkëpunim me pushtuesin – dhe njësive të ushtrisë jugosllave ; megjithë masakrën e sapo të thirrurve nën armë kosovarë - të atyre të rinjve të mobilizuar që kundërshtonin të shkonin për t’u vrarë në frontin kroat të Sremit në prill 1945 – e vështruar nga Tirana, çështja e Kosovës ishte mbyllur një herë e mirë. Në korrik të vitit 1945, përfaqësuesit e PKSH merrnin pjesë si të ftuar nderi në seancën plenare të Asamblesë të Serbisë që vulosi përfshirjen e Kosovës në gjirin e strukturës federative Jugosllave. Si shpërblim, Jugosllavia ishte i pari vend që njohu zyrtarisht Qeverinë e Përkohshme shqiptare.
.
. Përse PKSH nuk ju kundërvu vendimit të Titos për të përfshirë Kosovën në strukturën jugosllave të pasluftës ? Po të lexosh veprën e Hoxhës " Titistët " ku emri Kosovë përmendet 275 herë, ai nuk le asnjë rast pa përmendur bindjen e tij se kjo çështje duhej të zgjidhej pas lufte, konform vullnetit të popullit të krahinës. Mirë gjatë lufte që Hoxha kish bindjen marksiste se " vëllezërit komunistë jugosllavë " do ta zgjidhnin problemin e Kosovës në përputhje me teorinë leniniste-staliniste të të drejtës së kombeve deri në vetvendosje, por pas lufte, në vitin 1945, kur ai mundi të konstatonte devijimin e praktikës jugosllave ndaj teorisë sovjetike, përse nuk e ngriti zërin publikisht ndaj një padrejtësie të tillë ?
. Përgjigjen e jep Biberaj kur thotë se :
.
. komunistët shqiptarë të Kosovës dhe ata të PKSH nuk ju kundërvunë vendimit jugosllav lidhur me një çështje kaq vitale për kombin shqiptar për shkak të pozitës të nënështruar që ata kishin ndaj PKJ. Me përfundimin e luftës, u bë e qartë se, edhe një herë, Kosova ishte e destinuar të kalonte rishtas nën qeverisjen e të huajve (Sh. 4).
.
. Me gjithë respektin ndaj autorit Biberaj, për hir të realitetit, duhet të heqim nga lista komunistët shqiptarë të Kosovës pasi as forca e tyre numerike as edhe kontributi i tyre në luftën nacional-çlirimtare nuk i vinte ata në ndonjë situatë të privilegjuar për t’i kujtuar PKJ premtimet e saj të dikurshme lidhur me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sidoqoftë, ideja e mësipërme është thelluar aq sa është bërë mënyrë të menduari mes qarqeve nacionaliste apo antikomuniste shqiptare ; ajo mbrrin deri në ditët e sotme dhe paraqitet si " përmbledhja më e qëlluar e situatës " në epokën e ngjarjeve që po përshkruajmë (Sh. 5).
. E pra, megjithë aspektin vendimtar që zgjidhja e problemit të Kosovës paraqiste dhe paraqet për të ardhmen e kombit shqiptar, mjafton të largohemi sadopak nga kuadri i interesave shqiptare stricto sensu dhe kqyrim gjithë rajonin nën një kënd më të gjerë për të kuptuar se kjo shprehje e admirueshme e Biberajt nuk merr parasysh as rrjedhën e historisë as edhe realitetin e ngjarjeve.
.
.
. --------------------------------------------
.
.
. (1) Për herë të parë, Tito riçfaqet në vendlindje në vitin 1925, pas dhjetë vjetësh të kaluara në BRSS. Ai i afrohet përkohësisht udhëheqjes më të lartë të PKJ në vitin 1928, pak kohë përpara arrestimit dhe dënimit të tij me pesë vjet burgim. Ai zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i PKJ në vitin 1939 dhe rimerr drejtimin e partisë në fundin e muajit mars të vitit 1940, pas një kthimi tjetër nga BRSS. Për hollësi të tjera mbi jetën e Titos, shih : Vladimir DEDIJER – Josip Broz Tito : prispevki za zivljenjepis, Ljubljana, Drzavna zalozba Slovenije, 1972.
.
. (2) Mbi këtë subjekt, shih : Ernest WEIBEL – Histoire et géopolitique des Balkans de 1880 à nos jours, Ed. Ellipses, coll. L’Orient Politique, Paris 2002.
.
. (3) Shih : Enver HOXHA – The Titoistes, Publishing House " Naim Frashëri ", Tirana 1982.
.
. (4) Elez BIBERAJ - Albania and China. A Study of an Unequal Alliance, Boulder et Londres, Westview press, 1986
.
. (5) Kolë GJELOSHAJ dhe Jean-Michel de WAELE - La République d'Albanie et la question du Kosovo, Cahiers d'Études sur la Méditerranée Orientale et le monde Turco-Iranien n° 29.

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, March 20, 2009

Metafizikë e komunikimit.

. Kundër-esé mbi marrëdhëniet midis individit dhe kulturës.
.
.
. Çka i mbetet skenës mediatike shqiptare të javëve të fundit nëse i heqim histerinë vrastare ypjane, britmat e çfaqjes filmike marubjane dhe akrobacitë seksuale pangoiane ? Pako gjë do të thotë shumëkush pasi, çuditërisht, turmat pagane të militantëve ende s’kanë dalë nëpër rrugë për të vallzuar nën tingujt e daulleve të shiut – ai i premtimeve elektorale.
. E pra, ashtu si nëpër shalë, u vodh syresh një debat tjetër – ô sa interesant – i lindur pas shkrimit të Artan Fugës « Kanë ardhur ata … analfabetët », i përndjekur nga reagimi i Fatos Lubonjës « Kultura e imazhit dhe mungesa e kulturës » dhe së fundi, i përfolur nga përgjigja e Artur Çanit « Imazhi i kulturës dhe kultura e mllefit ».
.
. Për ata që tashmë e kanë humbur fillin e këtij seriali pasionant, rikujtojmë se « krijuesi » i tij, Fuga, kërkon të argumentojë arsyet (ose mungesën e arsyeve) të konfliktit mes brezave - atij të vjetër dhe të alfabetizuar, rob i rregullave të fjalës së shkruar, dhe atij të ri « analfabet, por aspak në kuptimin e keq, stigmatizues », i formuar nga kontakti i ngushtë me një shprehje të re vizive – të imazhit. Lubonja, krejtësisht skeptik ndaj kësaj mënyre vështrimi të shoqërisë shqiptare të sotme, rrëzon teorinë e « konfliktit të alfabeteve » si të pathemeltë dhe e interpreton përqasjen e sociologut akademik si një « shenjë dorëzimi të mëtejshëm të inteligjencës shqiptare ndaj një sistemi të bazuar mbi kulturën e manipulimit të publikut ». Së fundi – siç mund të pritet – ndërhyn « manipulatori i publikut » Çani që mundohet të thotë diçka origjinale dhe në rradhë të parë të mençur.. por që në thelb, nuk thotë asgjë – po qe se harrojmë për një çast imazhin e narcisizmit të tij të thellë dhe mllefit ndaj opinionistit që e ka vënë në shënjestër.
.
. Por sidoqoftë, nëse dikush mund të justifikohet ai është pikërisht Çani që, sikundër çdo prift tjetër, predikon për famullinë e tij - aq më tepër kur mungesën e përmbajtjes ai e kompenson me inteligjencën e formës. Ç’fjalë tjetër - përveç inteligjencës së ndritur - mund të përdoret kur ai shprehet se « Lubonja me sa duket nuk e ka marrë vesh akoma që në fushën e opinioneve çdo ide mund të jetë e kundërshtueshme nga një tjetër, mund të zëvendësohet nga një tjetër, mund të anulohet nga një tjetër, ose mund të plotësohet nga një tjetër » ? Ndoshta egocentrizmi i verbër – pasi, sipas të njejtit postulat, i bie që askush – bile edhe Fuga dhe aq më pak Çani vetë – nuk zotëron monopolin e të vërtetës në këtë fushë.
. Duke harruar një herë e mirë Çanin dhe komplekset e tij egocentriko-megalomaniake, po i kthehem debatit të vërtetë : kundërvënia e risisë ndaj tradicionales në sferën e informacionit, e ashtuquajtura « përparësi » e imazhit të transmetuar ndaj tekstit të shkruar - e televizionit ndaj librit. Troç, roli i medias të shkruar, të dëgjuar dhe të kqyrur në formimin kulturor të njeriut të sotëm, dukuri kjo bashkëkohore që, nëpërmjet penës së çlirtë dhe shprehjes figurative të akademikut sociolog, tejkalon sferën e një refleksioni mbi vetë dukurinë për t’u shëndrruar në një panagjerik të ndjerë mbi vlerat e emisioneve të llojit « reality show ». .
.
. . Fjalë e shkruar apo Fjalë e folur ?
.
.
. 1. Në fillim ishte Fjala.. ajo fjalë që u bë ind, që u mishërua - thotë diku Ungjilli. Me kohë, bile përpara se të shkruhej vetë Ungjilli, kjo Fjalë-ind, Ligji, u gurëzua – pra, u shkrua mbi gur dhe u shëndrrua në privilegj të Despotit – të mishërimit të Zotit mbi dhe, në kulturë të magjistarit, të skribit apo të priftit. Shprehje vizatimore piktograme, ideograme si edhe shkrime kunjëforme, hieroglifike të Sumerit, të Egjiptit apo të Mikenës – ende të keqdeshifruara - që vdiqën dhe u varrosën bashkë me shpikësit e tyre të ditur ; që reflektojnë më tepër arbitrarin mbretëror se sa frutin e një debati njerëzish mbi « gjënë e përbashkët ».
. E pra, zhdukja e këtyre qytetërimeve si edhe e shkrimeve të tyre nuk ndikoi aspak mbi forcën e fjalës. Intersubjektiviteti mbetet, sikundër shumëfishimi i përsëritjes gojore të një « teksti » siguron pak a shumë jetëgjatësine e informacionit që ai përmban, edhe përpjekja e ndërgjegjshme e kopistit për të shumëfishuar tekstin e shkruar nuk e shpëton këtë të fundit nga tundimi i të shtuarit të elementëve personalë në të.
.
.
. 2. Na duhet të presim Fenikasit dhe nevojën e tyre të shkëmbimit - të marët dhe të dhënit në një kuadër gjeografik që përmbledh Mesdheun lindor bile edhe më tej – për të patur një shkrim alfabetik mbi bazën e tingullit, të prekshëm dhe në rradhë të parë, të përdorshëm nga të gjithë. Një alfabet që lejon të shkruarit si çfaqje jo thjesht të forcës por të informacionit, jo thjesht të egzistencës së Ligjit por të pjesëmarrjes së tij në ushtrimin e pushtetit – një « gjë e përbashkët » e ndashme nga të gjithë, e drejtuar të gjithëve ; një mendim tashmë i materializuar që i nënështrohet kqyrjes, që i ofrohet fjalës si propozim, që krijon debat… Në këtë mënyrë teksti i shpëton dëshirës arbitrare dhe shfaqet si një marrëveshje, legjitimiteti i të cilës varet nga pëlqimi i të gjithëve. Pikërisht është ky relativizëm që tërheq vëmendjen e sofistëve, të cilët nënvizojnë shumllojshmërinë e interpretimeve dhe që, në fund të fundit, i lejon të thonë gjithçka - nga momenti që pushteti humb monopolin gjithëpërjashtues të Ligjit të shkruar dhe që detyrohet t’i imponojë vetvehtes bindjen ndaj tij.
.
. Xhungla e fjalës së sofistëve ; kakofonia e debatit, shkaktoi lindjen e filozofisë si dashuri ndaj urtësisë, për të mos thënë lartësim i fjalës. Për cilën fjalë flitet : fjala e shkruar - ajo e Protagoras : « çka është e vërtetë, pikërisht ajo që kam shkruar », apo e folur – ajo e Sokratit : « je ti që do ta thuash » ? Dyzimin e ndan Platoni, dishepulli i mjeshtrit antik të ironisë, të maieutikës dhe të dialektikës, i cili nëpërmjet Dialogjeve te gjithënjohura ngre një filozofi të tërë mbi vullnetin e ndërtimit të një fjalimi, atë që e lidh me qënien. Dialog me tjetrin, dialog me vehten – kjo është edhe metoda filozofike platoniane, në bazë të të cilës qëndron përparësia e fjalës së folur ndaj asaj të shkruar. Platon-Sokrati na rikujton parreshtur se « më e rëndësishmja në një fjalim është pikërisht e vërteta që ai përmban dhe jo autori apo vendi apo koha kur ai e ka mbajtur atë » – dhe aq më pak teksti, kjo gjurmë e shkruar, tashmë e braktisur nga ai që e ka krijuar :
.
. Çka ishte e imja shëndrrohet në send të kësaj bote, e braktisur në mëshirën e çdo objekti tjetër pasi e ndarë nga procesi krijues – i vetmi që mund ta mbrojë. Objekti i braktisur, megjithë shumën e përpjekjeve të procesit krijues për ta përmbaruar, humb karakterin e të qenit i qëndrueshëm përderisa ai do të « perceptohet » ndryshmërisht, sipas lexuesit, ndërkohë që vetë ky objekt s’mund të protestojë.
.
.
. 3. Nga momenti që shkrimi i lejon të folurit të shkëputet nga bota rrethuese – nëpërmjet vetisë së tij të diferencojë fjalën nga sendi në një mënyrë të tillë që e para s’ka asnjë ngjashmëri me të dytin – vetë shkrimi shëndrrohet në një problem filozofik. Ndryshe, raportet mes fjalëve dhe sendeve bëhen problematike, shëndrrohen në problem.
.
. Sikundër gramatika, edhe filozofia meren me fjalën dhe e ndajnë atë : e para e kqyr fjalën si fjalë të shkruar dhe e dyta e trajton në raport me botën si emërtim. Vetë mendimi mbi gjuhën mbështillet kështu në dy qerthuj : qerthulli i gramatikës, ku fjala e folur dhe ajo e shkruar përcillen reciprokisht drejt njera tjetrës ; qerthulli i filozofisë, qark gjithashtu i mbyllur mes emërtimeve dhe sendeve ku sejcili grup përcjell tek tjetri. Këto qerthuj komunikojnë dhe përforcojnë njeri tjetrin : filozofia mund ta çvendosë shprehjen ose materialitetin e emërtimit drejt gramatikës ndërkohë që gramatika mund të përcjellë problemin në sensin e filozofisë, pa harruar se çdo emërtim është para së gjithash një fjalë e shkruar dhe si e tillë, fjala mbetet një simbol i dukshëm.
. Si mund të thyhet kjo rrethqarkulli « djallëzore » ? Vetëm nëpërmjet ndërprerjes së bashkëfajësisë mes fjalës dhe shkrimit dhe mes emertimeve dhe sendeve : fjala shkëputet nga shkrimi për t’u lidhur me veshin dhe emërtimi zgjidhet nga sendi për t’u lidhur me dëgjimin. Ajo çka rrjedh është teoria e Ferdinand de Saussure-s mbi fjalën dhe zërin, të lidhura ngushtësisht me një teori të re të shenjave (simboleve). Me fjalë të tjera, sipas mendimit të Saussure-s, këto dy lëvizje shprehin të njejtin gjest që paramendon të mos konsiderojë më gjuhën duke u nisur nga shkrimi – kjo metaforikë optike, gjë e cila nxjerr në plan të parë çështjen e tingullit që tashmë nuk i përket më skemës së qerthujve të mësipërm.
.
. Padyshim, u desh një kohë e gjatë – dhe një përpjekje po aq e mundimshme – për të ndarë fjalën e folur nga ajo e shkruar, gjë e cila në fakt kish filluar me gramatikën e krahasuar. Por Saussure shkon shumë më larg se Bopp-i dhe të tjerë gramatikanë, kur pohon se shkrimi është një mashtrim që na verbon lidhur me natyrën e vërtetë të gjuhës :
.
. Imazhi grafik i fjalëve na godet si një objekt i qëndrueshëm dhe i ngurtë, më i pastër se sa tingulli për të ngjizur unitetin e gjuhës përgjatë kohës. Paçka se kjo lidhje është sipërfaqsore dhe krijon një unitet thjesht fals : është shumë më e thjeshtë dhe më e kapshme se lidhja natyrore, e vetmja e vërtetë, ajo e tingullit. Në pjesën më të madhe të individëve, përshtypjet vizuale janë më të kjarta dhe më të qëndrueshme se sa përshtypjet akustike dhe për këtë arsye, ata preferojnë dhe lidhen me të parat. Imazhi grafik vjen dhe imponohet në dëm të tingullit.
.
. Për fat, Saussure u ndih nga zhvillimi i fonologjisë – fiziologjia e tingullit – gjithë duke qenë bashkëkohës i shpikjes së fonografit – riprodhimi i tingullit të rregjistruar. Kështu, fjala mund të dëgjohet në mungesë të gojës që flet sikundër dhe teksti mund të lexohet në mungesë të atij që e ka shkruar. Tashmë është vetë veshi që flet. Veshi – fonograf. Në këtë mënyrë, qerthulli i parë shpërbëhet thjesht duke fshirë idenë e fjalës dhe duke e zëvendësuar me atë të gjuhës : « Gjuha dhe shkrimi janë dy sisteme shenjash të ndryshme… shenjat e shkrimit janë grafike sikundër ato të gjuhës janë akustike… gjuha mbetet një magazinë imazhesh akustike dhe shkrimi përbën formën e prekshme të këtyre imazheve ».
. Në këtë pikë të debatit ne mund të përshëndetemi me filozofinë e Sassure-s lidhur me gjuhën, me gjuhët. Veçse jo pa rikujtuar faktin se për babain zviceran të semiogjisë - egziston një diferencë thelbësore mes substancës fonike, tingullit të prodhuar, dhe imazhit akustik, tingullit të perceptuar, i cili « s’ka asgjë materiale pasi ai është gjurma psikike e tingullit të parë, përfaqësimi i tij nëpërmjet ndjesisë së shqisave tona ».
.
.
. * * *
.
.
. Edhe në se ne, vdekatarët e tjerë, nuk mundemi të kapim të gjitha nuancat e mendimit të Saussure-s ose të përqafojmë me vështrimin tonë thellësinë e përfytyrimit të tij gjuhësor-filozofik, edhe mekanizmi më i thjeshtë i analizë-sintezës mjafton për të pohuar se, në se diku egziston një konflikt, ai nuk angazhon « alfabetet » por ndoshta « gjuhët ».
.
.
. Gjuhë imazhesh apo paradigmë njohjeje ?
.
.
. 1. Përse gjithë kjo vëmendje ndaj semiotikës së Sassure-s ? Në mos për gjë tjetër, thjesht për të përmendur që tashmë, imazhi fonik vihet në një plan krahasues me imazhin viziv, në kuptimin që sejcili është elementi përbërës i një « gjuhe » të veçantë por të ndërthurur që kushtëzon dhe ndërton përfytyrimin tonë të botës, që orienton paradigmën – paradigmat e njohjes. Kjo mënyrë vështrimi nuk harron të theksojë njëkohësisht edhe diferencën thelbësore mes këtyre « gjuhëve » : natyrën « numerike » të të folurit dhe natyrën « analogjike » të imazhit. E thënë ndryshe, karakterin fragmentar dhe vijëzues në kohë të të parës dhe natyrën hapësinore dhe të vazhduar – kontinuumin grafik ose figurativ, vështirësisht të fragmentueshëm – të të dytës.
. Zaten, kontributi si edhe roli reciprok i formateve si edhe i modaliteteve të përfaqsimit (zanore ose vizive), ose ndryshe, e simbolikave specifike në procesin e krijimit të imazheve mendore si instrumenta të pajtimit dhe të ndërveprimit mes vetvehtes dhe universit, mbetet një fushë debati i hapur dhe i përplasjeve intelektuale mes përfaqsuesve të disiplinave të ndryshme që interesohen nga komunikimi : gjuhësia, sociologjia, mësuesia dhe pedagogjia, psikologjia dhe psikanaliza… pa harruar së fundi ekonominë ose edhe informatikën. Në qendër të këtij debati qëndron mekanizmi i njohjes – noesis – « bashkësia e akteve njohëse të diferencimit, të kuptimit dhe të interferencës », pra përfaqsimet mendore, dhe ndërveprimi i tij me mekanizmin tjetër të deshifrimit të përfaqsimeve materiale dhe të riprodhimit nëpërmjet gjuhëve të imazheve – semiosis.
.
.
. 2. Debat apo jo, mendimi thuaj unanim arrin të sintetizojë idenë e përgjithshme që informacioni i përcjellë nga dy kanalet e privilegjuara të komunikimit pasiv me mjedisin – ai zanor, nëpërmjet veshit, dhe ai viziv, nëpërmjet syrit – perceptohet esencialisht si një shumë imazhesh, « ikonash », dhe arrin të ngjallë dhe të ngjizë imazhe mendore. Njohja pra ngrihet mbi një sërë strukturash konceptuale ; ngrehina hierarqike dhe kategorike të ikonave të brendshme që paraqesin profile dhe relieve të ndryshme. Janë pikërisht këto struktura mendore, të ngritura nëpërmjet një aktiviteti intensiv të natyrës asimiluese, diferencuese dhe krahasuese, që shërbejnë si parafabrikate në krijimin e modeleve të brendshme. Kështu, kujtesa paraqitet si një rrjet i dendur modelesh, të ndërfutura brenda njera tjetrës, të afta të specifikohen në mënyrë reciproke, që lejojnë kodifikimin dhe formalizmin ikonografik si elementë përbërës të një ligjërate – të një gjuhe sintetike në kuptimin më të përgjithshëm të të shprehurit – me anë të të cilës individi komunikon me mjedisin dhe me të ngjashmit e tij. Në një formë shumë të pergjithësuar, aktiviteti njerëzor si kultura, shkenca dhe teknika prodhojnë skema « transsubjektive », të asimiluara dhe të përbrendësuara nga individët, të cilat ndikojnë dhe shëndrrojnë shëmbëlltyrat e brendshme skematike specifike, duke i pasuruar dhe ngjyrosur këto të fundit me karakteristika sociale.
. Në këtë përmbajtje, ligjërata përbën një dispozitiv shprehjeje po aq sa edhe një dispozitiv njohjeje : në origjinë të strukturimit të saj gjenden modelet mendore të përfaqsimit të botës rrethuese, jo thjesht si kopje të botës objektive por si ngrehina intelektuale subjektive – tablo komplekse, relievi i të cilës implikon njëherësh përvojën, magazinimin e elementëve personalë të njohjes si edhe traditat e ndryshme – ajo çka quhet ndryshe kulturë. Çdo ligjëratë e tillë përmban kështu gjurmët e një përpjekjeje individuale dhe kolektive (bile kjo e dyta shfaqet si parësore), rregullimet e njëpasnjëshme të vatrës së interesave, të përzgjedhjes metonimike, të projektimit metaforik, të skematizimit sintaktik… troç, të një mesazhi informues ndërshkëmbyes, të ngritur mbi bazën e kodeve të komunikimit, që lejon rindërtimin e një modeli mendor nga ana « marrësit », pak a shumë në përputhje me atë të « dhënësit ».
.
.
. 3. E parë në këtë prizëm, të gjitha format konkrete të të shprehurit (zanor, i shkruar, audioviziv bile edhe ai multimediatik) zhvillohen brenda të njejtit kuadër të përgjithshëm, nyjëzohen sipas të njejtave parime bazë dhe së fundi, ndërveprojnë sipas të njejtave modaliteteve skemëformuese – pasi mekanizmi i brendshëm gjenerues i tyre mbetet i përbashkët. Ajo çka i dallon është veçantia e mjeteve shprehëse, specifika e vektorit përcjellës të informacionit që kushtëzon pikërisht ato mjete. Ku qëndron pra konflikti mes « vertikalitetit të fjalës së shkruar » « dhe horizontalitetit të televizionit » - ai konflikt mes hunjve dhe shkopinjve, aq i dashur për sociologun Fuga ? Si shpjegohet ndryshe që « teoricienët më të mirë të komunikimit mediatik e bëjnë qartazi dallimin parimor midis mediave të ndryshme, atyre radiotelevizive të mbështetura në rradhë të parë te figura dhe zëri dhe atyre të shkruara, të bazuara te shkronja e shtypur », ndërkohë që tjerë teoricienë po aq të mirë – gjithmonë të lëmisë së komunikimit – por specialistë të semiotikës dhe të gjuhësisë të njohjes (cognitive), këmbëngulin pikërisht mbi mungesën e dallimeve ? A duhet t’i besojmë Fugës kur thotë se « edhe Zhak Derrida [gjen] epërsinë e dialogut që nuk e ka kultura e mbështetur mbi shkrimin » apo duhet t’i vihemi tashmë leximit të shkrimeve të Zhak Derridës ? Gjithmonë duke shpresuar se lexojmë të njejtin Derrida, pasi tek ky i imi, përparësia e fjalës së shkruar ndaj asaj të folur përbën një nga themelet e veprës së tij dekonstruktiviste.
. Pikërisht, ky Derrida i fundit ngulmon mbi përmasat logjike të kësaj përparësie – duke na servirur bile edhe një listë institucionesh që përdorin shkrimin si kodifikues të ligjeve të të gjitha llojeve (nga ai Civil deri tek ai Penal), si mjet rregjistrimi të informacionit mbi një tog rregjistrash (mjeksorë, shkollorë, të gjendjes civile), si mjet përcjellës i një forme tjetër informacioni (strategjia, balistika, diplomacia, bujqësia, industria, fiskaliteti…struktura e të cilavë është lidhur pazgjidhshmërisht me shkrimin) dhe së fundi, si ndërmjetës vlerash (kartmonedhat dhe çeqet e të gjitha formave dhe formateve)… paraja në formë dialogu ? e pra, vetë Derrida ende s’ka arritur të zgjidhë këtë ekuacion të pamundur !
.
. Argumenti i dytë i Derridës në favor të shkrimit është ai i përparësisë teleologjike – i finalitetit të tij : shkrimi pra, plotëson punën e fjalës që sidoqoftë, ka karakter të përkohshëm dhe të kufizuar në kohë ; shkrimi i sjell komunikimit një kontekst, detyrë e pamundur për vetë gjuhën e folur. Shkrimi pra si gjurmë mbetëse, një skicë e domosdoshme për fjalën edhe në rastin kur kjo e fundit përgatitet të lerë gjurmën e saj fonike mbi një mjedis të qëndrueshëm (manjetik ose të ngurtë) ; shkrimi njëkohësisht si jashtëqendërzim i gjuhës së folur, duke mos qenë « imazhi » i saj i barazvlershëm fonik, dhe si brendaqendërzim i saj që në vetvehte përfaqson ndërkohë një lloj « shkrimi ». Bile, Derrida ngulmon me forcë që komunikimi në përgjithësi e implikon shkrimin si finalitet më vehte – si telos – pasi pavarësisht diferencave në formë dhe në simbolikë, ai nënkupton fiksimin e një kategori shenjash të caktuara mbi një material të qëndrueshëm.
. Dhe më tej, megjithë avantazhin e empatisë apo të ndjesisë të drejpërdrejtë afruese si edhe të reciprocitetit që karakterizon dialogun, filozofi francez i « shndërtimit » nuk mund të mos pranojë vlerën epistemike qoftë edhe të njësisë semantike, të paarritshme nga një fjalë e vetme. Për më tepër, shkrimi mund të kqyret dhe të rikqyret, të debatohet, të rivlerësohet, të rikonsiderohet, të korrigjohet, të risaktësohet… në një mënyrë shumë më të thelluar se sa komunikimi gojor. Kjo mënyrë vështrimi çon pashmangësisht në konceptin derridian të « gjurmës » - të asaj shenje përfundimtare dhe të qëndrueshme që implikohet deri edhe në mënyrën tonë të të folurit, të të mbajturit mend dhe të të kuptuarit në formën më të përgjithshme, bile edhe atëhere kur asnjë akt i të shkruarit në kuptimin e vërtetë nuk është angazhuar.
.
. Së fundi, Derrida i gjen shkrimit edhe një përparësi tjetër të karakterit teleologjik : pavarësinë e tij ndaj personit, ndaj shkruesit të tekstit dhe lexuesit të tij. Me fjalë të tjera, aty ku Platoni gjen një dobësi, Derrida zbulon një forcë : shkrimi gjeneron mundësi të tjera nga ato që i lejohen gjuhës së folur. Shkrimi pra mund të kufizojë një kontekst të caktuar duke presupozuar një sfond, i cili nuk bën pjesë në kontekst. Ndryshe, vetë fakti që mund të lexojmë sot poemat e Homerit në një kontekst tjetër, krejtësisht jashtë atij që i lindi, lejon një thellim të mëtejshëm dhe një reflektim mbi vetë kontekstin. Në se citojmë Derridën :
.
. Çdo shenjë, gjuhësore ose jo-gjuhësore, e folur ose e shkruar (në kuptimin e zakonshëm të kundërshtisë), në njesi të vogël ose të madhe, mund të citohet, të vihet mes thonjëzave, dhe në këtë mënyrë të presë lidhjet me një kontekst të dhënë, të ngjizë deri në pafundësi të tjera kontekste, në një mënyrë aspak të ngopur. Kjo gjë nuk do të thotë se shenja vlen jashtë kontekstit por pikërisht e kundërta, që egzistojnë kontekste pa asnjë qendër fiksimi të qëndrueshëm.
.
.
. * * *
.
.
. Mund ta tjerrim edhe më tej këtë fill mendimi - duke braktisur Derridën dhe duke thirrur në mejdan Umberto Eco-n, semiolog burri i botës bile përpara se të njihej shkrimtar. Besa mundim i kotë, pasi mendimet e Eco-s mbi fjalën e shkruar s’bëjnë gjë tjetër veçse përforcojnë bindjet tashmë të krijuara. I vetmi rrezik i shumëfishimit të përqasjeve qëndron tek tejndriçimi i planit të kqyrjes duke errësuar perspektivën e vështrimit. E thënë ndryshe, në se diku egziston një konflikt, ai implikon formën - « gjuhët » si vektorë të informacionit – vetëm në mënyrë të ndërsjelltë, pasi thelbi i tij prek në rradhë të parë përmbajtjen – « kulturën » e përcjellë nëpërmjet tyre.
.
.
. Konflikt kulturash apo rivalitet paradigmash ?
.
.
. 1. Ç’i mbetet tekstit të Fugës në se i heqim leximet e tij « vertikale » dhe « horizontale », kryqet që s’falin por vrasin, Derridat dhe Ecot ; thjesht, argumentat e mundësisë së kufizuar interpretuese të fjalës dhe dialogun e pafund komunikues njeriformues të televizionit ? Fotografia e shoqërisë së sotme shqiptare : mosmarrëveshja mes gjyshërve dhe etërve të alfabetizuar nëpërmjet shkronjës dhe bijve dhe nipave të « analfabetizuar » nëpërmjet imazhit. Pra, konflikti mes brezave, i kqyrur si konflikt kulturash. Diçka që nuk mund të fshihet, qoftë për faktin se nuk është tipik shqiptar, qoftë edhe për tjetrin se nuk është karakteristik i kohës së sotme. Ndryshe, ky konflikt ka egzistuar gjithmonë dhe egziston gjithkund, nga momenti që i riu rend pas risisë dhe i vjetri mbahet fort pas traditës, nga momenti tjetër që risia çfaqet disa këmbë përpara dhe tradita mbush hapësirën përreth. Mjafton ky relativitet për të rikujtuar se etërit e sotëm ishin të rinjtë e dikurshëm, po ata që u « alfabetizuan » nëpërmjet medias së asohohe – radios - po aq sa edhe nëpërmjet shkronjës. Media e diktaturës – do të thotë Fuga ; diktaturë e medias – është një nga përgjigjet që vijnë ndër mend vetëtimthi.
.
. Sado e qëlluar, loja e fjalëve nuk mund të fshehë revolucionin teknologjik, sikundër ky i fundit nuk mund të maskojë realitetin : shumën e mesazheve që stukturon informacionin e përcjellë nga mediat sikundër dhe grupin shoqëror, të cilit i shërbejnë këto mesazhe. Edhe sot, sikundër dje, do të ishte naive të mendohet se mediat e shkruara apo ato audiovizive - kanalet e informacionit – janë thjesht një dhuratë e Zotit mbi dhe, që rropaten thjesht për të arsimuar vogëlushin çamarrok, për të ndriçuar trurin e topitur të mamit amvise apo për të argëtuar kokën e lodhur të babit biznesmen. Edhe në se këto mesazhe treten dhe sublimohen mjeshtërisht mes një lumi të vërtetë imazhesh, fjalësh mono-dialog apo tingujsh – e ashtuquajtura kulturë – merita i takon një bande specialistësh që ndërkohë, kanë matur nivelin e publikut të predestinuar, përpara se të dozojnë përzierjen kulturore sipas shijes së ustait – atij që vringëllin paranë. Çka mbetet e panjohur në këtë mes është pikërisht përcaktimi i shprehjes kulturë, që lakohet në të gjitha rasat dhe zgjedhohet në të gjitha trajtat.
. Çfarëdo sensi që t’i japim shprehjes, kjo e bekuara kulturë si edhe subkulturat specifike strukturohen në përputhje me një kategori vlerash dhe vlerësohen pikërisht në funksion të tyre : të mira ose të këqia, të përshtatshme ose të papërshtatshme, moderne ose të mykura– dhe sipas këtij këndvështrimi, në se ka diçka që krijon kundërshti mes brezave nuk është mungesa e kulturës së njërit dhe tepria e kulturës së tjetrit por, mospërputhja e sistemit të vlerave të të parit me atë të të dytit.
. Është kjo kundërshti themelore, produkt i epokës, që prodhoi ngjarjet e majit 1968 në mbarë Evropën dhe më tej, që shkaktoi përmbysjen e balancës shoqërore dhe përshpejtoi thyerjen e murit të zakoneve që i zinin pamjen rinisë së asokohe. Dhe është rasti të thuhet se këtu merita i takon fjalës së shkruar dhe asaj të folur dhe aspak televizionit të asokohe, ende në belbëzimet e tij teknike.
.
.
. 2. Revolucioni teknologjik në fushën e komunikacionit si edhe industria e komunikacionit kanë përmbysur fund e krye raportet tradicionale mes kulturës dhe individit dhe e kanë detyruar këtë të fundit të zhvillojë një përqasje të re perceptuese. Ai është i detyruar njëherësh të integrojë procesin e simbolizimit (fjalën e folur, shkrimin, imazhin analogjik, imazhin numerik), të deshifrojë kodin social të komunikimit (gjuhën), të përvehtësojë mjedisin material të përhapjes së informacionit (letrën, ekranin), të familjarizohet me dispozitivat e rregjistrimit dhe të përhapjes (dorëshkrim, shtyp, foto, televizion, informatikë) dhe së fundi, të realizojë ndërmjetësimin me korrespondentët (realë, virtualë). Domosdoshmërisht, shumëfishimi i kanaleve, i mjediseve dhe i kontakteve ka çuar paralelisht drejt një masivizimi të pjesëmarrjes dhe një standardizimi të përmbajtjes – drejt një komunikimi « të masës ». Ky fenomen, i cilësuar nga Teodor Adorno si « industrializim i kulturës », përbën edhe bazën aktuale të shoqërisë së informacionit, egzistenca e të cilës parametrohet nga shpenzimet minimale të kompetencave ose të përpjekjeve të komunikimit. Përpos industrializimit, koha e sotme dëshmon me forcë edhe për « tregëtarizimin e kulturës » si edhe për rolin përparësues të televizionit në të. Kështu, përballë rajoneve shumëngjyrëshe dhe shumëformëshe të supermerkatos kulturore, çdo vëzhgues i ndërgjegjshëm pyet vetvehten : kujt i përfiton ky treg ? Industrialistit institucional, artizanit artist, tregëtarit mediatik apo konsumatorit lambda ?
. Metafora e tregut bëhet veçanërisht interesante përballë pretendimit të Fugës lidhur me uzinën « analfabetike » por ama demokratike të televizionit, të aftë të prodhojë « një informacion shumë të ngjeshur, shumë të demokratizuar, shumë profesional ». Edhe pa sipërorin, niveli i profesionalizmit dhe shkalla e trysnisë mediatike mbeten gjithmonë subjektive - varen nga saktësia instrumentave matës – ndërkohë që demokracia e televizionit nuk varet aspak nga numri i shikuesve përballë ekranit apo nga ai i spektatorëve të ftuar në plató, sikundër dhe demokracia e tregut nuk varet nga numri i blerësve që paguajnë në kasë apo nga xhiroja ditore e dyqanit. Edhe në se demokracia është diku çështje numri, ky numër mbetet i dorës së dytë përballë pjesëmarrjes efektive të individit nëpërmjet zgjedhjes, të shprehjes së lirë të mendimit dhe shpresës së tij se kjo pjesëmarrje dhe kjo shprehje sjellin ndryshim. Përndryshe, fjala e akademikut do të mbetet po aq bindëse sa edhe thirrja e shitësit që ndjell konsumatorin të blejë patatet e tij « demokratike », paçka aftësisë së tij tregëtare të dialogut si i barabartë me të barabartët ose magjisë së fytyrës të tij tmerrësisht jetësore përkryershmërisht të papërkryer.
.
.
. 3. Një nga të rrallat mendime që më tërheqin dhe më mbajnë vëmendjen në esenë e Fugës është ai i konfliktit mes « kodit të shkruar të informacionit shkollor » dhe « kodit figurativo-zanor të kulturës jashtëshkollore ». E thënë ndryshe, konflikti mes dogmës autoritare tekstuale që administron informacionin shkollor-akademik dhe doktrinës liberale vizuale-zanore që udhëheq aktivitetin kulturor jashtëshkollor. Dashur – padashur i është vënë gishti një aspekti tjetër të sferës kulturore : rivalitetit të paradigmave (skemave mendore, të cilave ju referohemi – shpesh në mënyrë të pavetëdijshme) të edukimit dhe të komunikimit.
.
. Përgjatë dhjetëvjeçarësh për të mos thënë shekujsh, projekti edukativ me të cilin ishte ngarkuar shkolla strukturohej rreth dy paradigmave paralele dhe konkurrente : ajo formuese (teorike), e bazuar mbi mësimin empirik dhe racional të dijeve, të organizuara në një seri programesh, lëndësh dhe tekstesh mësimore dhe të përcjella nëpërmjet polit moderator – mësuesit, dhe ajo zbatuese (praktike), e mbështetur mbi një varg aktivitetesh prodhuese brenda dhe jashtë shkollore, të pilotuara nga specialistë të teknologjisë. Ndërkohë që mjeshtëria e ndërthurjes së harmonikave të brendshme dhe mprehtësia e mjeteve pedagogjike bënin emrin e mirë (ose të keq) të shkollës, raportet mes tyre përcaktonin edhe profilin e saj si edhe orientimin e nxënësit apo të studentit. Pra, siguronin suksesin (ose dështimin) e projektit. Në prag të mijëvjeçarit të tretë, me çfaqjen dhe përsosjen e teknologjive të reja të informacionit dhe veçanërisht të informatikës, një paradigmë e tretë – e komunikimit - ju bashkua të parave, duke ndryshuar fund e krye konceptet mbi transmetimin e dijes.
. Çka vjen si risi është është braktisja e modelit të telegrafit (e pingpongut relacional) me një transmetues që dërgon një mesazh drejt një marrësi nëpërmjet një kanali, ndërkohë që ky i fundit shëndrrohet në transmetues për të ridërguar një mesazh nëpërmjet po atij kanali. Modeli zëvendësues tashmë ka një karakter sistemik dhe shprehet me anë të metaforës së orkestrës :
.
. komunikimi kqyret si sistem shumëkanalesh, në të cilin aktori social pjesëmerr dashur padashur në çdo moment – me anë të gjesteve, zërit, të vështrimit apo të mungesës së tyre bile edhe të heshtjes. Si përfaqsues i një lloj kulture, ai bëhet pjesëmarrës i komunikimit sikundër muzikanti bën pjesë në një orkestër. Një orkestër e gjerë kulturore pa dirigjent dhe pa tekste muzike. Sejcili luan duke u akorduar lidhur me tjetrin.
.
. Sipas kësaj skeme, individi shfaqet si një rélé pak a shumë autonome, brenda sistemesh të gjera, të ngritur mbi bazën e lidhjeve ndërvarësore, ku vetë informacioni i përcjellë vlerësohet jo vetëm lidhur me përmbajtjen e tij por parësisht, për vetinë e tij për të siguruar këtë lidhje.
. Megjithë këtë tablo frymëzuese, duhet një përpjekje e veçantë për të parë në të « demokracinë » pasi parametri esencial i demokracisë - liria e shprehjes – mbetet funksion i ndërsjelltë i shkallës së kontrollit mbi kanalet e informacionit. Nuk është aspak e rastit që i vetmi mjedis që ende i shpëton censurës të qeverive, kontrollit të elitave korporative, mendimit zyrtar mbizotërues të akademive mbetet padyshim Interneti, dhe kjo falë formatit (numerik), strukturës (rrjetit) dhe decentralizimit (shpërndarjes).
.
.
. * * *
.
.
. Sikundër ato të Zotit, udhët e metafizikës janë të padepërtueshme. Kështu, edhe kur hyjnizon kulturën demokracimbjellëse të imazhit, Fuga nuk arrin të evitojë shkrimin, t’i vidhet diktatit autoritar të tekstit të shkruar. Rezulton pra një ese disi e çuditshme shumëplanëshe, mes refleksionit rrëfyes dhe dialogut teatral, ku mendimi turret në një vrap me pengesa dhe ku rrëfyesi nuk gjen tjetër dëgjues veç vetvehtes – un discours à batôns rompus do të kish thënë sozia ime franceze. Një tekst gati në një gjendje brut, një meta-tekst që shtjellon një meta-logjikë. Ndoshta është faji i vetë subjektit pasi, duke ndjekur sidoqoftë një tjetër rrugë paralele, edhe kjo kundër-ese mbi kulturën dashur-padashur u morr me komunikimin mbi komunikimin – u shkrua nën shenjën e meta-kulturës.
.
. Për të sprapsur pra kundërshtinë, preferoj të shkund përpara syve kryqin e metaforës : ajo e Diogjenit që, me kandile në dorë dhe në mes të ditës me diell, kërkon të vërtetën. Një të vërtetë krejtësisht të padukshme, transparente sikundër dhe ajri që frymëmarrim, me tone të dritës që ushqen vetë shikimin…dhe befas, më vijnë ndër mend fjalët e gjeneral De Golit: « kërkues që kërkojnë gjen sa të duash; ama, kërkues që gjejnë duhet t'i kërkosh ».

La suite.. - Vazhdimi...

Sunday, March 1, 2009

Shqipëria përballë botës komuniste - Ferri jugosllav (1).

. Ata kanë damkosur me gjurmë të përgjakura rrugën
. që ndoqën dhe çmenduria e tyre ju mësonte që e
. vërteta mund të provohet me anë të gjakut.
. Por gjaku është dëshmitari më i keq i së vërtetës :
. Gjaku infekton edhe doktrinën më të virgjër me
. helmin e çmëndurisë si dhe me urrejtjen e zemrave.
.
. NIETZSCHE – Ashtu foli Zarathustra- Priftërinjtë
.
.
. Lidhja i Shqipërisë me kampin e vendeve të Lindjes përcaktoi edhe aleatët e rinj për dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Këta aleatë që njeri pas tjetrit do të quhen Jugosllavi, Bashkimi Sovjetik apo Kinë sjellin para së gjithash ndihma materiale si edhe receta ekonomike apo politike që Enver Hoxha, si mjeshtër i Shqipërisë që është, do t’i gjykojë herë pas here të rrezikshme si për shëndetin e vendit të tij edhe për të vetin personalisht.
. Afëria gjeografike e Jugosllavisë merr formën e një fataliteti historik, jo vetëm në lidhje me Kosovën e cila i mban të dy vendet në një konkurrencë të vazhdueshme – megjithë diferencën e ndjeshme në përmasa dhe në peshë – por para së gjithash në lidhje me origjinën e përbashkët të pushtetit komunist. Prishja me Titon e detyron Enver Hoxhën të kërkojë mbrojtje pranë Stalinit ; më tej, është afrimi i Krushovit, padronit të ri të Kremlinit, me të njejtin Tito që shtyn Enverin në krahët e Mao Ce Dunit. Përfundimisht, kur trashëgimtarët e Maos pajtohen me të paevitueshmin mjeshtër të Beogradit, Hoxha, i tmerruar nga fantazma e Mareshallit plak, nuk gjeti zgjidhje tjetër veç të kalërojë i vetëm. Me kohë, kjo lojë aleancash gjithnjë e më të largëta bëhet e dëmshme dhe e ushqyer gjithnjë e më tepër nga përfitimi ; ndërkohë, një mjegull e trashë ideologjike mbulon Shqipërinë dhe fsheh një varg spastrimesh të llahtarshme në krye të pushtetit.
.
. Historia na sjell dy pamje : e para sintetike dhe e jashtme e një rregjimi totalitarist, nëpërmjet të cilit, rivaliteti për pushtet vulos me gjurmën e vet të përgjakur të gjitha aspektet e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore ; e dyta analitike dhe e brendshme, është ajo e një vepre autokratike, mistika e të cilës nyjëzohet mes një triniteti : një dogmë – komunizmi, një vullnet – Enver Hoxha dhe një kult – interesi kombëtar.
. Çka intereson të dihet shtrohet si më poshtë :
. a ka shërbyer Enver Hoxha si kyçi i qemerit në kurorëzimin e përsosur mes utopisë komuniste dhe interesit të kombit apo, Hoxha është shërbyer nga doktrina për të ngritur një pushtet vetjak në emër të idealit të një populli të tërë ? .
.
. . * * *
.
.
. Kalimi rrufe i brigadave sulmuese partizane në tokat e Kosovës, në ndjekje të njësive të fundit gjermane, nuk mundi të ndikojë thellësisht në zhvillimet e mëtejshme të provincës. Të vëna në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë çlirimtare jugosllave, ato u përdorën për të " paqësuar " krahinën, e pushtuar nga një rezistencë e ashpër antikomuniste. Në vazhdim, gjatë nëntorit të vitit 1944, njësitë partizane jugosllave u ndërfutën në hullinë e forcave të përbashkëta sovjeto-bullgare dhe një nga veprimet e para të tyre ishte gjuetia e " kolaboracionistëve " shqiptarë. Raporti i pakrahasueshëm i forcave në favor të ngadhënjyesve komunistë krijoi një rast të ëndëruar për të rivendosur rendin e ri kombëtar, thellësisht të tronditur pas kaq vjetë përkatësie së krahinës rrebele në gjirin e atdheut të origjinës, nën shtrëngesën italjane.
. Si përfundim, administrata e re titiste e sapodalë nga lufta, e cila numëronte në rradhët e veta një shumicë kuadrosh me origjinë serbo-kosovare apo malazezo-kosovare, u ngul në pushtet duke absorbuar të gjitha prerogativat politike, ekonomike dhe kulturore, në të njejtën mënyrë sikundër edhe në rajonet e tjera jugosllave. U harrua pra, ai bashkim i mundshëm i Kosovës me Shqipërinë, kjo ide e distiluar dhe e ushqyer me aq kujdes në mjedisin komunist jugosllav, përpara shpërthimit të luftës së Dytë botërore.
.
. Në fakt, që prej kohrave të krijimit të Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), në prill të vitit 1919, çështja e Kosovës rivjen rregullisht në dokumentat themeltare të kësaj partie. Ajo përbën një nga referencat kryesore për të kuptuar më mirë zhvillimin e përgjithshëm të çështjes kombëtare në mendimin e komunistëve të vendit fqinjë, në funksion të shkallës së përparimit të tyre drejt marrjes së pushtetit.
.
. Gjatë Kongresit të IV të Kominternit, të mbajtur në Drezden në vitin 1928, komunistët jugosllavë që ndërkohë piketonin rrugëzgjidhjet e tyre për të shkatërruar Jugosllavinë mbretërore, vinin re se
. " .. një e treta e shqiptarëve jetojnë në gjirin e Mbretërisë dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë kalon vetëm nëpërmjet luftës së përbashkët me PKJ ". Kohë më pas, në vitin 1934, Kongresi i IV i PKJ i mbajtur në Ljubljana nënvizonte se " .. Mbretëria jugosllave nuk ish gjë tjetër veç pushtim i Kroacisë, i Dalmacisë, i Sllovenisë, i Malit të Zi … apo i Kosovës nga ana e trupave serbe " dhe vërtetonte edhe njëherë nevojën për " .. dëbimin e çetnikëve (serbë) nga Kroacia, nga Maqedonia .. si dhe nga Kosova ".
. Pushtimi italjan i Kosovës si dhe krijimi i Shqipërisë së Madhe ndryshoi paksa pikpamjet e tyre pasi, Konferenca e Vtë Kombëtare e Zagrebit e mbajtur në tetor të vitit 1940 nuk pa të nevojshme që të ritheksonte thëniet e mëparshme të bashkimit mes shqiptarëve dhe kosovarëve, ndoshta pasi bashkimi ishte tashmë një fakt i kryer. Megjithatë, ky forum partijak miratoi principet e barazisë mes kombësive dhe popujve jugosllavë, të cilët duhej të gjenin vendin që ju takonte në kuadrin e Jugosllavisë së re, si edhe nismën e krijimit të një Komiteti Rajonal të PKJ për Kosovën. Po në kuadër të kësaj Konference të Zagrebit, referuesi kryesor për provincën e Kosovës Moshe Pijade hodhi idenë e një " .. Republike të lirë të Kosovës, proletare dhe fshatare " (Shënimi 1).
.
. Me krijimin e tij, ky Komitet Rajonal u kontaktua nga grupet komuniste shqiptare me atë kërkesën e tyre të famshme për ndërmjetësim dhe, pas disa peripecish për shkak të luftës, dy nga përfaqësuesit e tij u gjendën pranë shokëve shqiptarë (Sh. 2). Për palën jugosllave, perspektiva që u krijua me futjen e një këmbe në vendin fqinjë ishte më se e lumtur pasi nga njëra anë, pa një bashkërendim dhe një marrëveshje miqsore mes komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë, as që mund të imagjinohej ndonjë shans për të organizuar diçka në Kosovë, e bashkuar siç ishte me Shqipërinë – dhe kjo e fundit nën çizmen italjane. Nga ana tjetër, organizimi dhe ngritja e një lëvizjeje rezistence në Shqipëri mund të luante veç një ndikim pozitiv mbi zgjidhjen e konfliktit në Jugosllavi (bregdeti dalmat apo Mal të Zi), mjaft të mbante të mbante të bllokuar në vend një pjesë të trupave italjane të pushtimit.
. Pjesëmarrja aktive e PKJ në luftë dhe përforcimi i rolit të saj si forcë e paevitueshme në skenën jugosllave dhe ballkanike, bëri që optika e komunistëve jugosllavë lidhur me çeshtjen kombëtare të përparojë me shpejtësi. Mjaft që të kujtojmë se, menjëherë pas Konferencës së parë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar, mbajtur në Bihaç në nëntor 1942, Tito ende i përmbahej asaj lidhjeje të ngushtë që, sipas tij, duhej të egzistonte mes " luftës së tashme të çlirimit kombëtar dhe çeshtjes kombëtare në Jugosllavi " dhe që shprehja " lufta për çlirimin kombëtar " do të ishte një mashtrim po qe se nuk përmbante, përveç kuptimit të vet jugosllav, përfitime të prekshme për të gjitha kombet e tjera : si për kroatët, sllovenët, serbet, maqedonët apo dhe shqiptarët e të tjerë (Sh. 3).
. Një vit më pas, as që flitet më për këtë çështje : sesioni i dytë i AVNOJ-it, mbajtur në Jajce në 29 nëntor të vitit 1943, hodhi themelet kryesore të çështjes kombëtare. Jugosllavia e re, gjithmonë e ngritur mbi principin federal, do të ishte atdheu i gjashtë njësive të federuara : Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Herzegovinës, popujt e të cilëve duhej të ishin të lirë dhe të barabartë, ndërkohë që të gjitha grupet e tjera etnike do të gëzonin garancitë e nevojshme lidhur me të drejtat e tyre si pakica kombëtare (Sh. 4). Kjo politikë u aprovua dhe u vulos me ardhjen në fuqi të qeverisë së Titos në mars të vitit 1945 : doktrina e barazisë dhe e vetëvendosjes së kombeve jugosllave tashmë u shndrrua në doktrinën e një Shteti federativ të centralizuar (Sh. 5).
.
. Ç’bëhet ndërkohë me Kosovë-Metohinë në këtë Jugosllavi të re titiste ? Në mungesë të referencave direkte, veç mundet të imagjinohet mendimi i Titos dhe i PKJ së tij në këtë epokë : sipas të gjitha gjasave, statusi i krahinës tejkalonte kuadrin e një problemi të thjeshtë të brendshëm jugosllav dhe përmasat e tij ndërkombëtare e shtronin si një çështje që duhej të zgjidhej mes të interesuarve direktë : Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Ajo që na intereson në mënyrë të veçantë është mënyra e zgjidhjes së kësaj enigme nga ana e Titos, i cili kish vendosur tashmë ushtarët e tij mbi fushën shqiptare të shahut. Megjithë numrin e tyre të vogël dhe të kufizuar – vetëm dy në shtator të vitit 1942, katër në janar të vitit 1943 dhe gjithmonë më pak se një dyzenë në fundin e luftës – këshilltarët e PKJ në gjirin e PKSH ditën të ndodheshin në zemrën e dispozitivit politik dhe ushtarak të rezistencës ; ata ditën gjithashtu të ndikonin vendimet dhe të propozonin zgjedhjet e tyre lidhur me njerëzit që i përshtateshin mënyrës së tyre të të parit të gjërave.
.
. Përsa i përket shkallës së influencës që ata ushtruan mbi PKSH gjatë kohës së luftës, dy opinione diametralisht të kundërta janë përplasur që nga dita e parë e pasluftës : e para, që vjen nga kampi i fitimtarëve komunistë, ka patur tendencë ta zvogëlojë për të mos thënë t’a injorojë plotësisht ndërkohë që e dyta, e ardhur nga kampi i humbësve – ballistë dhe zogistë – e ka çmuar si totale, të gjithëfuqishme, të aftë për të imponuar marrëdhënie të një nënshtrimi të thellë, për të mos thënë të një vasalizmi integral. Arsyet e një papajtueshmërie të tillë mendimesh dhe opinionesh janë të kuptueshme, pa patur nevojë për të qenë me një mendje me analizat apo me bindjet politike që burojnë nga këto dy kampe të ndryshme : në qoftë se të parët kanë dashur t’a harrojnë këtë episod të largët por themelor që çvlerëson sadopak faqen më të lavdishme të historisë së tyre dhe që, para së gjithash, ve në vështirësi ndjenjat e tyre kombëtare apo nacionaliste, të dytët kanë dashur posaçërisht të tregojnë me gisht mëkatin origjinal të kundërshtarëve të tyre, t’i zhveshin këta të fundit lakuriq që gjithë bota të mund të shohë stigmatët e Djallit që ata u munduan të përballin, pavarësisht se kjo gjë përfaqëson veç një shpërblim krejt të vogël përpara humbjes që ata pësuan.
.
. Një vështrim më pak i interesuar mbi aktorët e kësaj epoke del i nevojshëm për të zbuluar nuancat në gjykime dhe sidomos, për të sjellë disa të vërteta të pashtrembërueshme. Megjithëse çdo vend ndoqi peripecitë dhe pati karakteristikat e veta gjatë periudhës së luftës, disa elementë kanë vepruar në mënyrë të përbashkët dhe të pavarur, duke shërbyer si ura afrimi mes protagonistëve :
.
. - Ndërhyrja ushtarake dhe pushtimi italo-gjerman preku pothuaj njëkohësisht bashkësinë e vendeve të fasadës perëndimore dhe jugore të Ballkanit dhe solli një seri përmbysjesh gjeopolitike si dhe fshirjen e kufijve të vjetër ndërshtetërorë.
.
. - Lëvizjet e rezistencës në vendet e pushtuara (Jugosllavi, Greqi dhe Shqipëri), të udhëhequra nga partitë komuniste respektive, kanë vepruar brenda një kuadri strategjik që shpesh ka tejkaluar kufijtë e vjetër kombëtarë. Kështu është rasti i jugosllavëve të PKJ, i grekëve të KKE, i shqiptarëve të PKSH dhe në një masë tepër të reduktuar, i bullgarëve të PKB. Për të koordinuar operacionet e tyre ushtarake dhe veçanërisht, për të shmangur përplasje të panevojshme, shtabeve përkatëse të lëvizjeve nacional-çlirimtare ju desh të lidhnin kontakte mes tyre edhe shpesh, të vinin në jetë edhe taktika të përbashkëta.
.
. - Terrenet e preferuara për realizimin e këtyre kontakteve ishin zonat kufitare që në të shkuarën kishin qenë objekt grindjesh politike dhe ndeshjesh ndëretnike - Maqedonia, mes jugosllavëve, grekëve dhe bullgarëve, Kosova mes jugosllavëve dhe shqiptarëve dhe në një masë më të vogël – Epiri, mes grekëve dhe shqiptarëve.
.
. Megjithë dëshirat e zjarrta të nacionalistëve si dhe përmbajtjen e shëndoshë apo të bazuar të mendimit të tyre në planin historik, zgjidhja e konfliktit botëror, i quajtur ndryshe Lufta e Dytë, në këtë krah të Evropës shkoi në kahjen e strategjisë së përpunuar në kampin e rezistencës komuniste. Sipas fakteve të kësaj periudhe, është krejt e natyrshme që çështja e Kosovës që na intereson në mënyrë të veçantë të kqyret nga dy kënde të ndryshme : nga ai i komunistëve shqiptarë por njëkohësisht edhe nga ai i komunistëve jugosllavë.
. Në qoftëse diku më sipër u dha rasti të shtjellohet rruga që çoi PKSH drejt pushtetit, kësaj rradhe na duket e domosdoshme të ndjekim dhe të përshkruajmë trajektoren drejt pushtetit të të interesuarit tjetër, Titos dhe PKJ së tij, si edhe pasojat e pashmangshme dhe fatale që ata shkaktuan mbi PKSH.
.
.
. -------------------------------------
.
.
. (1) Dušan T. BATAKOVIĆ– Kosovo Chronicles. Ed Plato, Beograd 1992.
.
. (2) Në librin e vet " Titistët ", Enver Hoxha i përmbahet me forcë idesë që ai vetë dhe komunistët e tjerë shqiptarë vendosën të lidhnin marrëdhënie me PKJ, nën frymën e internacionalizmit proletar dhe për të mirën e dy partive komuniste. Sipas tij, fakti që Popoviçi u gjend në mes të pjesëmarrësve të Mbledhjes themeluese të PKSH s’ish gjë tjetër veç frut i një rastësie " fatlume " ndërkohë që kalon krejt në heshtje përsenë e ndodhjes gjithashtu mes tyre edhe të jugosllavit të dytë, Dushan Mugoshës, i ardhur krejt para Mbledhjes. Me më shumë detaje dhe veçanërisht e çinteresuar, dëshmia e Premtaj nuk le asnjë dyshim mbi prezencën dhe rolin e emisarëve të Titos. Mbi këtë subjekt, shih : Sadik PREMTAJ - Stalinism and Communism in Albania, Cahiers Léon Trotsky, 1997, nr 60 (November), Bibliothèque de Documentation internationale contemporaine (Nanterre).
.
. (3) Duke ripohuar principin leninist të të drejtës për vetvendosje dhe për shkëputje, Tito rikujtonte njëkohësisht që : " Çështja e Maqedonisë, e Kosovës e Metohisë…. do të zgjidhet lehtë dhe për kënaqësinë e përgjithshme të të gjithëve, në qoftë se do të jetë populli vetë që do t’a zgjidhë, me armë në dorë, nëpërmjet luftës ".
.
. (4) Megjithatë, bile edhe mes pakicave kombëtare kishte disa prej tyre që ishin më të lira dhe më të barabarta se të tjerat. Kështu, projekti i " Deklaratës mbi të drejtat themelore të popujve dhe qytetarëve të Federatës Demokratike të Jugosllavisë ", i cili asnjëherë nuk mundi të kalojë stadin e projektit, parashikonte që " Populli i Vojvodinës dhe i Sanxhakut do të ketë liri të plotë për të vendosur ai vetë mbi lidhjet dhe vendit të tij në gjirin e Federatës ". Kosovë-Metohija nuk përmendet asgjëkundi, as në projektet as edhe në deklaratat e AVNOJ-it. Bile edhe në Ligjin mbi emrin e Shtetit si dhe mbi simbolet dhe armët e tij (Neni 2), përmenden me rradhë popujt " e Serbisë, të Vojvodinës, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë-Herzegovinës ". Rikujtojmë me këtë rast që asnjë pëfaqësues shqiptar nuk bënte pjesë në grupin e 146 delegatëve të tubimit të Jajces.
.
. (5) François FEJTO - ibidem.

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur