"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, February 9, 2009

Shqipëria përballë luftës - Me forca të njejta (6).

.
. Qeveria e Shefqet Vërlacit sikundër edhe ajo e Mustafa Krujës (Merlika) që i zuri vendin në fund të vitit 1941 mbetën kuklla të thjeshta në duart e pushtuesit italjan. Detyra e tyre e parë dhe e vetme ishte administrimi i çështjeve të përditshme sipas direktivave dhe nën kontrollin e drejpërdrejtë të përfaqsuesit të lartë italjan, luogotenentes Françesko Jakomoni. Roli i tyre qëndronte në vënien e administratës lokale në shërbim të ushtrisë italjane, duke i siguruar kësaj të fundit bazën materiale e nevojshme dhe mbështetjen logjistike të duhur. Mes të tjerash, qeveria duhej të ngrinte në këmbë një milici teritoriale dhe të siguronte rekrutimin e të rinjve shqiptarë në njësitë ushtarake dhe mund të thuhet se deri-diku, ja arriti qëllimit.
.
. Njësitë e para me vullnetarë shqiptarë u krijuan menjëherë pas pushtimit italjan. Ende mbahet mend bataljoni " Tomorri " që, i komanduar nga Spiro Mojsiu, shkoi të luftonte në frontin grek në vitin 1940. Më pas, të gjitha njësitë ushtarake shqiptare u përfshinë në ushtrinë italjane që i grumbulloi në një Armatë të posaçme e quajtur " Grupi Skënderbeg ". Përveç njësive paraushtarake të partisë fashiste – " Këmishat e Zeza " të krijuara që prej vitit 1939, administrata kuisling organizoi edhe milicinë vullnetare dhe xhandarmërinë shqiptare. Në Kosovë, autoritetet italjane kishin rekrutuar disa mijra vendas si ndihmës të divizionit " Pulja ", ndërkohë që një numur i madh njësish paraushtarake vepronin nën urdhrat e shefave lokalë. Formacione të ngjashme u organizuan prej gjermanëve në zonë e Mitrovicës : një xhandarmëri shqiptare prej rreth 1.000 vetësh sikundër edhe forca të tjera ndihmëse, në mbështetje të regjimenteve gjermane (shënimi 1).
.
. Ai deficit besimi i qeverisë Kruja pranë popullatës shqiptare vinte kryesisht për shkak të nënshtrimit të saj të plotë si dhe për shkak të pjesëmarrjes së milicisë së saj në operacionet ndëshkuese. Ç’është e drejta, popullori Kruja kish arritur të bënte më shumë se beu i madh i Elbasanit falë atyre konçesioneve që kish mundur t’u shkëpusë Italjanëve. Bëhej fjalë për rifitimin e disa simboleve kombëtare si për shëmbull, flamuri kombëtar që u pastrua nga ato sopatat qesharake të liktorit, pa harruar gjithashtu premtimin e një amnistie të përgjithshme që duhej të përfshinte edhe të internuarit në Itali. Megjithatë, ai s’mundi të sillte as paqen civile dhe aq më pak të përmirësonte imazhin e cënuar rëndë të trupave të pushtimit.
.
. Në këtë mënyrë, të gjitha manovrat politike të përdorura nga Italjanët për të vendosur një ekuilibër në jetën politike të vendit ishin të dënuara të dështonin. Më 10 janar 1943, ata hoqën qafe Mustafa Krujën dhe qeverinë e tij " popullore " duke e zëvendësuar me një efemer Eqrem Libohova, më pas nga një Maliq Bushati – ish ministër i Drejtësisë i Zogut dhe simpatizant i Ballit Kombëtar – pa mundur që të ndikonin rrjedhën e ngjarjeve qoftë edhe me një grimë. Njëfarë paniku ishte ngjallur në rradhët e Italjanëve të cilëve ju desh të largonin politikanin Jakomoni dhe të sillnin në vend tij gjeneralët si Pariani, me shpresë se problemet tashmë mund të zgjidheshin me forcën e armëve.
. Përfundimisht, marrëdhëniet italo-shqiptare ndërruan faqen e tyre : e gjithë demagogjia e përdorur deri në atë kohë avulloi si vesa në diell dhe vendi morri pamjen e tij të vërtetë, të një territori të pushtuar, të administruar sipas rregullave të pamëshirshme të luftës. .
.
. . Arsyeja nuk ishte e vështirë të merrej me mend : rezistenca e drejtuar nga komunistët ishte bërë e guximshme dhe tashmë garnizonet italjane sulmoheshin pothuaj në të gjithë jugun e vendit, ndërkohë që ishin çfaqur zonat e para të çliruara. Më 14 janar partizanët çliruan Voskopojën, mbi qytetin e Korçës, më 31 janar ata zunë rob 200 ushtarë dhe oficerë italjanë në Gramsh dhe vetëm disa ditë më vonë ata sulmuan minierën e Selenicës, pranë Vlorës. Në maj të vitit 1943, njësitet e rregulla dhe çetat territoriale të Korçës u angazhuan në një betejë të vërtetë në Leskovik kundër forcave italjane, të cilat lanë në fushën e luftës disa dhjetra viktima – burimet komuniste do të permendin disa qindra. Duke dashur të japin një mësim të mirë, këto të fundit vunë gjithë forcën e tyre për të pastruar periferinë e kryeqytetit.
. Në qershor 1943, repartet më të mira të ushtrisë, të mbështetura nga artileria, nga tanket dhe nga aviacioni sulmuan zonën e lirë të Pezës. Pas tre ditësh luftimesh të përgjakshme që ju kushtuan jetën mbi 300 ushtarakëve italjanë, pa llogaritur dëmet e shumta materiale apo njerëzore mbi popullsisë civile, ata mundën të hynin në qendrën e zonës. Për fat të keq të tyre, ky operacion madhështor përfundoi në një fiasko të vërtetë : falë sakrificave, njësitë partizane të Myslym Pezës mundën të çajnë rethimin dhe të shmangin asgjësimin e tyre të plotë. Disa muaj më parë, në dhjetor 1942 -janar 1943, e njejta fiasko ish arritur në rajonin e Vlorës, veçse asaj here, repartet partizane luftonin krahas çetave të Ballit Kombëtar .
.
. Ndërkohë, PKSH luhatej mes sukseseve dhe shgënjimeve. Vetëm pas pesë muaj jetese, partia kish humbur gati një të tretën e kadrove kryesore të saj, të burgosur gjatë operacioneve ose të vrarë në përleshje me Italjanët. Duke u gjendur kështu me duar të zgjidhura, Hoxha dhe Popoviç - dy artizanët kryesorë të kësaj kohe, vendosën të bëjnë një hap përpara drejt " monolitizmit " të partisë sipas variantit stalinist.
. Me fjalë të tjera, duheshin eliminuar të gjithë ata që nuk përputheshin me mënyrën e tyre të vështrimit të ngjarjeve : fraksionistët – ata që nuk donin t’i nënshtroheshin vullnetit të " udhëheqjes ", të pavarurit – ata që nuk i bindeshin linjës të përcaktuar nga Komiteti Qendor. Kështu, gjatë Konferencës të Parë të Jashtëzakonshme të mbajtur në prill 1942, partia përjashtoi nga rradhët e saj antarët themelues Lulja dhe Premtaj, të akuzuar për fraksionizëm. Me sa duket të pakënaqur nga fryma që mbretëronte në ekipin drejtues të PKSH dhe të stërvitur me metodat e punës ilegale, atyre ju desh të tërhiqeshin drejt zonës së Vlorës dhe vetëm pas disa muajsh, drejtuesit kryesorë të PKSH zbuluan të tmeruar që një Komitet Qarkor i tërë ishte " infektuar " nga herezia trockiste. Ndërhyrja spastruese nuk njohu mëshirë : Aristidh Lulja mbeti i vrarë nën plumbat e " shokëve " të tij komunistë në 1943 në fortesën e tij të Vlorës ndërkohë që Sadik Premtaj në arrati i cilësuar " tradhëtar ", ndiqej deri përtej kufijve të vendit (shënimi 2). Kantieri tjetër ishte ai i riorganizimit të partisë në shkallë vendi : nga 17 deri në 22 mars të vitit 1943, partia u mblodh në Labinot pranë Elbasanit në Konferencën e saj Kombëtare që zgjodhi instancat e reja drejtuese
.
. Deri në Konferencën e Labinotit e mbajtur në mars të vitit 1943 e cila zgjodhi Hoxhën si shef të PKSH, detyra e Sekretarit të Përgjithshëm kish rënë herë herë mbi Koçi Xoxen – teneqexhiun e talentuar dhe përgjegjës i Grupit të Korçës – herë herë mbi Dr Ymer Dishnicën - një komunist me përvojë dhe i afërt me Partinë Komuniste Franceze, i kthyer përfundimisht në vend në shkurt të vitit 1942. Sipas Fischer (shënimi 3), Enver Hoxha përfitoi dhe mori një mendim të favorshëm falë cilësive të tij individuale : një person i respektuar, me edukatë të mirë, me shprehje të zgjedhura, energjik – shkurt, një tip interesant 33 vjeçar, tërheqës dhe fizikisht i pashëm. Sidoqoftë, në Labinot, përveç sinjalit të dhënë për krijimin e Ushtrisë Nacional – Çlirimtare, në krye të të cilës u vu Spiro Moisiu, një tjetër dezertor nga rradhët e kampit monarqik, u debatua edhe një linjë e re sjelljeje ndaj Ballit Kombëtar. Kështu doli mbi sipërfaqe teza e një qëndrimi të duruar dhe të rezervuar ndaj nacionalistëve. Kësaj here, gjithçka linte të mendohej që një afrim mes dy lëvizjeve politike ishte i mundshëm.
.
. Vera e vitit 1943 shënoi njëkohësisht fillimin e një faze të re për Ushtrinë Nacional – Çlirimtare. Ajo ndërmorri riorganizimin e saj në jug të vendit, momenti themelor i të cilit qe formimi më 1 gusht 1943 i Brigadës së Parë Sulmuese, nën komandën e Mehmet Shehut. Ky i fundit, ish-nxënës i Shkollës Teknike amerikane të Tiranës, ish-student oficer i Kolegjit Ushtarak të Napolit i përjashtuar për aktivitet antiitaljan, ish-luftëtar i Brigadës Internacionale " Garibaldi " gjatë luftës së Spanjës dhe së fundi, ish i internuar në kampin francez të Pirenejve Lindore, pranë Perpinjanit, mundi të kthehej në vend gjatë vitit 1942 dhe pothuaj menjëherë u bashkua me rezistencën komuniste. Duke kopjuar këtë model, një varg i tërë brigadash u formua në vazhdim.
. Këto formacione të qendrueshme të lëvizshme dhe autonome me një efektif prej 200 deri 300 partizanësh të armatosur, sikundër edhe ato tradicionale të rangut të çetës ose edhe të bataljonit, tashmë i bindeshin një Shtabi të përgjithshëm, i dalë nga rradhët e FANÇ. Balli Kombëtar nga ana e tij organizoi formacione territoriale të armatosura, mjaft efemere dhe me efektiv më të vogël. Në mungesë të një qendre koordinuese në nivelin kombëtar, ato i bindeshin vetëm shefave të tyre respektivë. Aktiviteti i tyre u kufizua kryesisht në ruajtjen e zonave të tyre të influencës, shpesh duke u munduar të shmangnin përpjekjet ballore me ushtrinë italjane. Zbarkimi i Aleatëve në Siqeli, më 10 korrik 1943, rënia e Musolinit (25.07.1943) si edhe kapitullimi i Italisë fashiste në shtator, i dhanë fund pushtetit të ushtrisë dhe të milicisë italjane në Shqipëri. Në mes të pështjellimit të përgjithshëm që mbretëronte në rradhët e ushtrisë së pushtimit, luftëtarët e UNÇ dhe të BK çarmatosën dy divizione italjane, në atë grumbull prej tetë divizionesh që ndodheshin në vend, plus edhe një të nëntë në Kosovë – me një efektiv të përgjithshëm prej 100.000 ushtarakësh. Në këtë mënyrë, krahu i armatosur i lëvizjeve politike shqiptare mblodhi një arsenal të mrekullueshëm që u përdor pas disa muajsh për të luftuar gjermanët si dhe për të vrarë njeri tjetrin.
. Ndërkohë që rradhët e UNÇ rriteshin në mënyrë të dukshme për të arritur numrin e 2.000 apo edhe 3.000 luftëtarëve aktivë, partizanët morën nën kontrollin e tyre shumicën e qyteteve jugore, me përjashtim të Vlorës që mbetej një bastion i Ballit. Ndikimi i antarëve të FANÇ zuri të ndihej deri në zonat veriore, shumë më të lidhura me traditën. Në këtë periudhë, nën efektin e lajmeve lidhur me një zbarkim të mundshëm të Aleatëve në Ballkan dhe sipas këshillave të misioneve ushtarake angleze, Fronti Nacional-Çlirimtar dhe Balli Kombëtar vendosën të takohen me qëllim që të bashkonin përpjekjet dhe forcat e tyre.
.
. Ky është edhe varianti që mbrohet nga mjaft autorë anglezë, herë herë dëshmitarë në vend, që i veshin Kupit iniciativën e takimit. Hibert, një dëshmitar tjetër anglez i ngjarjeve, mbron mendimin e kundërt sipas të cilit Mukja u organizua fshehtazi Anglezëve (shënimi 4). Sigurisht Hoxha mbështet tezën që Mukja ishte vepra e FANÇ, gjë e cila korrespondon të paktën me një pjesë të variantit anglez pasi në këtë periudhë Kupi ishte ende antar i shquar i FANÇ dhe për më tepër ai mori pjesë në atë takim për llogari të këtij të fundit. Në të vërtetë, që nga pranvera e vitit 1943, një mision ushtarak i dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm i forcave britanike në Lindjen e Mesme i komanduar nga Maklin, kaloi kufirin grek dhe u bashkua me Shtabin e Përgjithshëm të forcave partizane. Nga korriku deri në gusht të vitit 1943, gjashtë misione të tjera britanike u parashutuan në Shqipëri disa prej të cilave u akredituan pranë Ballit Kombëtar. Të gjithë këto misione u munduan të siguronin bashkëbiseduesat e tyre shqiptarë se detyra e tyre kryesore ishte ndihma për luftën e tyre kundër fashizmit.
.
. Gjatë një takimi paraprak të mbajtur më 26 korrik në Tapias, afër Tiranës, dy lëvizjet politike dhanë pëlqimin e tyre për t’u takuar në mënyrë zyrtare dhe përfundimisht, në 1 dhe 2 gusht 1943, në Mukje të Tiranës, delegacionet e Ballit dhe të Frontit u vunë rreth tryezës. Vendimi më i rëndësishëm i dalë nga ky takim ishte krijimi i një Komiteti të Shpëtimit Kombëtar detyra e të cilit ishte koordinimi i aksioneve ushtarake ndërkohë që në një fazë të dytë, ai duhej të shëndrrohej në një Qeverie të Përkohshme. Marrëveshja u bllokua in extremis nga partia Komuniste, e cila akuzoi përfaqsuesit kryesorë të saj Ymer Dishnica dhe Mustafa Gjinishi për kapitullim përpara presioneve të nacionalistëve.
. Në fakt, thelbi i debateve dhe i një papajtueshmërie të thellë ndërmjet Frontit Nacional – Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar mbetej statusi i Shqipërisë pas lufte. Nacionalistët këmbëngulnin për një Shqipëri etnike që përfshinte Kosovën si edhe për shpalljen e një deklarate zyrtare dhe të menjëhershme lidhur me pavarësinë e Shqipërisë. Përballë këtyre pikpamjeve, komunistët mbështetnin idenë e mjergullt të një konfederate ballkanike pa mohuar nga ana tjetër pavarësinë e vendit. Sidoqoftë, pikpamja e Ballit mundi të imponohej pasi në dokumentin përfundimtar të dalë nga Mukja gjendej formula e Shqipërisë etnike dhe të pavarur.
.
. Me sa dukej, që në këtë periudhë PKSH kish filluar të shqetësohej nga hipoteza e ndarjes së pushtetit të ardhshëm. Por përpara kësaj, ishin përfaqsuesit jugosllavë pranë PKSH ata që ndërhynë menjëherë dhe në mënyrë të prerë për të prishur këtë marrëveshje. Jugosllavët shihnin me një sy shumë të keq qëndrimet nacionaliste të Ballit lidhur me Kosovën dhe në të vërtetë pikpamjet e dy lëvizjeve politike lidhur me të ardhmen e kësaj krahine divergjonin keqas për të mos thënë që ishin krejt të papajtueshme. Nga njëra anë, komunistët këmbëngulnin në zgjidhjen e problemit të Kosovës brenda kuadrit jugosllav mbi bazën e vetvendosjes së popujve ndërkohë që nga ana tjetër, ballistët i mbaheshin idesë për të mos e dhënë Kosovën e cila ishte e bashkuar de facto me Shqipërinë si pasojë e pushtimit italjan. Megjithëse një zgjidhje e përbashkët ishte gjetur, ai i një plebishiti popullor që duhej të vendoste mbi statusin e Kosovës menjëherë me mbarimin e luftës, marrëveshja që ka hyrë në histori si " kompromisi i Mukjes " dhe që më vonë do të çfaqet në aktet e historiografisë shqiptare si " tradhëtia e Mukjes " nuk arriti të shihte dritën e diellit. PKSH thirri një Konferencë Kombëtare tjetër në Labinot, ne 4 shtator 1943. Ajo aprovoi vendimet anti-Mukje dhe shpalli linjën të re politike të PKSH : asnjë kompromis me Ballin Kombëtar.
. Në fundin e verës të vitit 1943, dy lëvizjet politike ishin polarizuar si asnjëherë tjetër ndërkohë që vendi përgatitej për shpërthimin e një lufte të brendshme mes forcave kundërshtare, e ngjashme me atë që vepronte tek fqinjët. Që nga fillimi i luftës, rezistenca jugosllave ishte e përçarë ndërmjet dy linjave politike të ndryshme : ajo komuniste e partizanëve të Titos dhe ajo legaliste çetnike e Mihajlloviçit. Greqia gjithashtu njihte një gjendje të ngjashme, të karakterizuar me ndeshje shpesh herë të përgjekshme mes lëvizjes ELAS, të drejtuar nga EAM-i komunist dhe EDES-i nacionalisto-monarkist i Zervës.
.
. Elementi vendimtar që afroi edhe më tepër shpërthimin e luftës vëllavrasëse në Shqipëri ishte hyrja e ushtrisë gjermane. Përpjekja e parë e rezistencës shqiptare me gjermanët ndodhi në 5 korrik 1943 dhe qe frut i një keqkuptimi fatkeq. Një kolonë e motorizuar gjermane që vinte nga Maqedonia dhe e drejtuar drejt Greqisë u sulmua në Barmash, pranë qytetit të vogël të Ersekës. Sulmuesit partizanë dhe ballistë të mbledhur bashkë, duke kujtuar se po i jepnin një goditje më tepër njësive italjane në agoni dhe gati për t’u dorëzuar, kishin përgjakur Vermahtin. Të bërë bisha nga humbjet njerëzore të pësuara, gjermanët u hakmorrën mbi fshatin paqësor të Borovës disa kilometra më tej nga vendi i betejës, duke masakruar tërë popullsinë civile. Bilanci qe i tmerrshëm : 106 persona, kryesisht gra, pleq e fëmijë u vranë në vend. Kjo dëshmi e barbarisë së " mbinjerëzve " të Rajhut të Tretë, që i shtohet të tjerave si ajo e quajtura Lidice apo Oradur-syr-Glanë, jepte një shije të parë të pushtimit të ardhshëm që do të përplasej mbi Shqipërinë vetëm dy muaj më pas.
. Që në 9 shtator, njësitë gjermane të ardhura nga Greqia dhe Jugosllavia pushtuan territorin shqiptar, ndërkohë që divizioni i 100të i Lehtë parashutohej mbi kryeqytet. Duke pushtuar kështu qytetet dhe duke detyruar partizanët të ktheheshin edhe një herë në malet e tyre, gjermanët zbatonin operacionin " Konstantin " të marrjes nën kontroll të territoreve dikur të administruara nga ushtria italjane. Nën presionin e gjermanëve, gjenerali Dalmaco, komandanti i përgjithshëm i nëntë divizioneve italjane të vendosura në Shqipërinë e Madhe, u detyrua të urdhëronte forcat e tij të dorëzoheshin në duart e ushtrive të Vermahtit. Ai mori kështu mbi vehte përgjegjësinë e vrasjes të disa mijra ushtarëve dhe oficerëve që prisnin nga dita në ditë kthimin në shtëpitë e tyre. Mes atyre që ranë rob, një pjesë u çfaros pa mëshirë në vend ndërkohë që pjesa tjetër u transferua në Gjermani.
. Përjashtim bënë rreth 15.000 ushtarakë italjanë që preferuan të shpërndahen mes popullsisë shqiptare. Vetëm një numur i vogël i tyre, rreth një mijë vetë që dikur bënin pjesë në divizionin " Firence " ju bashkuan forcave partizane duke krijuar me këtë rast bataljonin " Antonio Gramshi ", sigurisht në kujtim të komunistit të përmendur italjan me origjinë shqiptare.
.
. Menjëherë pas vendosjes së trupave të saj, Berlini u mundua të siguronte vendin duke deklaruar se gjermanët e respektonin pavarësinë e një Shqipërie të paanshme por që nga ana tjetër ata nuk mund të duronin sulmet kundër ushtrisë së tyre.
. Më konkretisht, vija e sjelljes së gjermanëve në Shqipëri është përshkruar në një letër të Ribentropit, ministër i Jashtëm i Rajhut në atë periudhë. Në një korrespondencë me ambasadorin e tij në Romë, në fund të gushtit 1943, Ministri nazist parashikon vendosjen në vend të një qeverie lokale " të pavarur " por mike që duhej të përpunonte një sistem politik të qëndrueshëm dhe veçanërisht një forcë të armatosur të sigurt dhe vepruese. Me të vërtetë, një nga masat e para të ndërmarra nga Komandatura e lartë gjermane që në 9 shtator 1943 ishte njohja zyrtare e një Shqipërie " relativisht sovrane " dhe " relativisht asnjanëse " brenda kufijve të vendosura nga Musolini. E vetmja detyrë e Shqiptarëve ishte bindja ndaj autoriteteve ushtarake si edhe ndihma që ata duhej të jepnin për të penguar një zbarkim të mundshëm të aleatëve në Ballkan. Sidoqoftë, nuk duhet hequr sysh objektivi kryesor i gjermanëve : të sigurohet mbulimi i territorit shqiptar me kosto sa më të vogël, duke vendosur një dispozitiv ushtarak sa më të kufizuar.
. E megjithatë, masat e para të ndërmarra nga Dr Herman Nojbaher – përfaqsuesi special i Fyrerit – dhe që i takonin riorganizimit të qeverisë, të policisë dhe të ushtrisë shqiptare, ngjallën një reaksion mjaft të vakur në mjediset nacionaliste shqiptare. Të vetmit që treguan një entuziazëm të dukshëm ishin Libohova dhe Bushati, sidoqoftë të mbetur jashtë listës për shkak të të kaluarës së tyre italofile. Kjo gjë detyroi gjermanët të rrëmonin në rezervën e nacionalizmit kosovar, reaksioni i të cilit qe i më se favorshëm. Menjëherë u thirr një Këshill i Përkohshëm prej 22 antarësh nën kryesinë e Bedri Pejanit dhe pas një procesi vote, ai krijoi një Komitet Ekzekutiv Provizor – një lloj Qeverie të Përkohshme – të përbërë nga gjashtë personalitete të jetës politike të vendit, kryesia e të cilit ju besua Ibrahim Biçakut. Akti i parë i saj qe shpallja e pavarësisë dhe i neutralitetit të vendit.
.
. Autoritetet gjermane bënë një hap tjetër drejt stabilizimit të pushtetit duke riatdhesuar nga Italia një ish-kryeministër zogist, Mehdi Frashëri. Pa humbur kohë, në 16 tetor 1943, Frashëri thirri një Asamble Kushtetore, e përbërë nga një turmë përfaqsuesish të forcave të të djathtës – një platé prej 150 " të zgjedhurish " që vinin kryesisht nga Kosova dhe nga krahinat e veriut. Kjo Asamble zgjodhi një Këshill të Regjencës prej katër antarësh : ballisti Fuat Dibra – musliman i Kosovës, priori françeskan Patër Anton Arapi, nacionalisti i pavarur ortodoks Lef Nosi dhe së fundi bektashiu Mehdi Frashëri, njohës shumë i mirë i mjedisit zogist. Asambleja anulloi bashkimin me Italinë dhe hodhi poshtë të gjitha Ligjet dhe dekretet e aprovuara pas 7 prillit 1939, duke u rikthyer ligjërisht në këtë mënyrë në rregjimin mbretëror, të shpallur më 1 shtator 1928. Në mungesë të monarkut, prerogativat e pushtetit deri në fund të luftës duhej të siguroheshin nga një këshill i Regjentëve. Reaksioni i rezistencës komuniste ndaj kësaj " komedie të pushtetit " - siç u quajt prej tyre – ishte i menjëhershëm : sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, në 18 tetor, një njësi partizane qëlloi disa predha topi mbi Asamblenë Kushtetuese të porsambledhur duke ngjallur panik mes pjesëmarrësve në punimet e saj.
. Vetëm disa ditë më vonë, në 5 nëntor, Regjenca i kaloi pushtetin qeverisë " kuislinge " të sapokrijuar, të kryesuar nga Rexhep Mitrovica (shënimi 6). Megjithë situatën në vend jo fort frymëzuese, qeveria paraqiti një listë të gjatë detyrash që shkonin nga njohja ndërkombëtare e vendit deri tek krijimi i një force të armatosur, të aftë për të frenuar rezistencën komuniste - duke kaluar përmes rimëkëmbjes së ekonomisë kombëtare dhe pse jo, nëpërmjet një reforme agrare. Përtej atij " entuziazmi " që ngjalli ngritja e egzekutivit " kombëtar " - dhe ashtu siç mund të pritej - kjo qeveri dështoi në gjithë vijën e saj qoftë për shkak të pengesave të vëna nga autoritetet gjermane – veçanërisht në lëminë e politikës së jashtme - qoftë thjesht nga mungesa e mjeteve – në planin ekonomik – apo edhe nga një vullnet i natyrës fantaziste – e ashtuquajtura " reformë agrare ".
.
. Megjithatë, Fischer e quan " përparimtar " programin e qeverisë Mitrovica, të cilit me sa duket pak gjë i mungoi për t’u shëndrruar në një sukses të plotë : një rregjim i qëndrueshëm, mbështetje e gjerë popullore, forca sigurimi besnike dhe të efektshme etj… Nga ana e tyre, historianët gjermanë vleresojnë se qeveria shqiptare gëzonte opinion të mirë tek 25-30% e popullsisë, duke lënë 30-35% asnjanëse ndërkohë që 35-40% e mbetur ishte kundërshtare. Pa dashur të vemë ne dyshim vërtetësinë e " sondazheve " të kryera nga gjermanët në mes të zjarrit të luftës, kjo mënyrë vlerësimi që e ndan popullsinë shqiptare ne tre pjesë thuajse të barabarta përputhet pak a shumë me peshën specifike të tre lëvizjeve politike kundërshtare që vepronin në vend gjatë kësaj periudhe BK – Legaliteti – FNÇ si edhe orientimit të tyre politik ndaj forcave të pushtimit.
.
. Përballë përpjekjeve të pasuksesshme të qeverisë Mitrovica për të mobilizuar forcat e gjalla të kombit me qëllim që t’i priste rrugën – apo edhe kokën – rezistencës komuniste, gjermanët u vunë në punë për të rekrutuar me qindra shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës në rradhët e Divizionit Malor Vafen S.S. " Skënderbeg ". Ishte një përvoje e mirënjohur dhe e zbatuar në vende të tjera të Europës. Kjo forcë ushtarake prej afro 6.000 burrash, vlera ushtarake e të cilës asnjëherë nuk e tejkaloi nivelin mediokër, u përdor gjatë operacioneve kundër serbëve në Kosovë, para se të dërgohej në Shqipëri për të penguar përparimin e njësive partizane pro-komuniste. Trupat e pakta qeveritare – kryesisht të përbëra nga malësorë të Mirditës – u organizuan në rradhët e regjimentit " Kosova ", i cili u vu nën komandën e Mark Gjon Markut – një ish ministër i Brendshëm në kohën e Italisë – si edhe të Kol Bibë Mirakajt.
. Duke u siguruar në këtë mënyrë në planin ekzekutiv, gjermanët nuk e panë të nevojshme të ushtronin një kontroll të tepërt mbi administratën lokale që ndërkohë mezi duronte barrën e rëndë ekonomike që përfaqsonte mbajtja në vend e afro 35.000 ushtarakëve hitlerianë. Nga krahu tjetër, autoritetet ushtarake bënë ç’ishte e mundur që të fitonin përkrahjen popullore me anë të konceptit të Shqipërisë së Madhe, temë kjo aq e dashur për popullatën kosovare. Duke avancuar në këtë mjedis mirëkuptimi, Midhat Frashëri udhëheqësi historik i Ballit, që nga 7 tetori 1943 porosiste rradhët e veta që të ndalonin çdo përplasje të drejtpërdrejtë me trupat e Rajhut të Tretë, duke ndezur në këtë mënyrë dritën e gjelbërt për pjesëmarrjen e ballistëve në qeverinë pro-gjermane. Sinjali i dhënë u kap menjëherë nga formacionet ushtarake të Ballit të cilat jo vetëm u tërhoqën nga loja por edhe morrën pjesë më vonë përkrah njësive antiguerrilje gjermane në operacionet në shkallë të gjerë kundër partizanëve në Shqipërinë jugore dhe të mesme (shënimi 7).
.
. Ndërkohë, në mospajtim të hapur me LANÇ, legalistët u mblodhën në 20 nëntor 1943 në Zall Herr pranë Tiranës dhe shpallën krijimin e një organizate të tretë politike, Legaliteti, me frymëzim nacionalist, antikomunist dhe sipas dukjes antigjerman. Udhëheqësi i tyre Abaz Kupi, i këshilluar nga një mision ushtarak anglez, mbështetej mbi forcat e guerriljeve me origjinë gegë të krahinave të Krujës, të Matit dhe të Dibrës si edhe mbi rrjetin e vjetër klanik të Zogut të Irë për të penguar rezistencën komuniste që të merrte Veriun e vendit. Pas një përpjekjeje të fundit pajtimi të ndërmarrë në dhjetor 1943, LANÇ përjashtoi nga rradhët e tij Abaz Kupin duke e shpallur " tradhëtar dhe armik të popullit ".
.
. Në të vërtetë tablloja veriore e vendit ishte shumë më e komplikuar dhe s’mund të përgjithësohej qoftë edhe me anë të një epifenomeni të llojit Kupi. Midis tufës së individualiteteve klanike dhe bajraktarëve të tjerë dalloheshin vëllezërit Kryeziu të Prizrenit dhe të Tropojës, Elezët e Dibrës, dhe Muharrem Bajraktari i Lumës. Të gjithë punonin për interesat e tyre që sipas rastit i afronin herë herë me LANÇ dhe komunistët, herë herë me Kupin dhe zogistët pa harruar kurrsesi Ballin dhe së fundi me gjermanët, gjithmonë të mbajtur afër, të këshilluar dhe të ndihmuar nga përfaqsuesit britanikë. Qëndrimi i tyre dhe veçanërisht forca e tyre ushtarake i bëri të pazëvendësueshëm në atë lojë të ndërlikuar që profilohej pas kurrizit të forcave të pushtimit ; ama, sikundër edhe nacionalistët e tjerë të vendit ata asnjëherë s’mundën të çlirohen nga vizionet e tyre tribale përsa i përket të ardhmes së Shqipërisë. Edhe më keq se kaq, ata asnjëherë s’mundën të kuptonin që shansi i tyre i vetëm për të mbetur mbi skenë kalonte nëpërmjet një lufte të hapur dhe të vendosur kundër gjermanëve.
.
.
. ----------------------------
.
.
. 1) Për më tepër detaje, shih : : Noel MALCOLM – Kosovë, një histori e shkurtër , Ed. Koha, Prishtinë, 1998.
.
. 2) I plagosur rëndë, Sadik Premtaj mundi të largohej në Itali ku ndjekësit e tij humbën gjurmën. Në vitin 1951, Premtaj, antar i Iternacionales së Katërt (trockiste) shpëtoi nga një atentat në Francë, të organizuar nga diplomatët shqiptarë të cilët edhe kësaj herë s’ditën të qëllonin në shenjë.
.
. 3) Shih : Bernd Jurgen FISCHER - Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945, Bot. Çabej, Tiranë, 2004.
.
. 4) Shih : : Reginald HIBBERT – Fitorja e Hidhur, Lufta nacional çlirimtare e Shqipërisë, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1993
.
. 5) Edhe mbi këtë çështje, shih : Bernd Jurgen FISCHER – ibidem.
.
. 6) Një numur i madh letrarësh shqiptarë, veçanërisht ata nga Kosova, e kanë vlerësuar gjithmonë Rexhep Mitrovicën si një figurë të shquar të nacionalizmit shqiptar, një luftëtar të orëve të para të Shqipërisë etnike. Ai mishëron fatalitetin e udhëheqësve ballistë me origjinë nga Kosova, të cilët në optikën e tyre nacionaliste dhe në përputhje me bindjet e tyre anti-serbe dhe anti-komuniste, vlerësonin ushtrinë gjermane të Rajhut të IIItë si garante të një Shqipërie lë lirë dhe të pavarur.
.
. 7) Megjithë dyzimet e tyre të natyrës thjesht taktike, tre antarë të shquar të Ballit Kombëtar u bashkuan me qeverinë Mitrovica në janar të vitit 1944. S’ishte kjo hera e parë që BK vinte antarët e tij në dispozicion të qeverive kuislinge shqiptare. Mjaft të kujtojmë që qeveria Kruja kish në rradhët e saja Hasan Dostin si Ministër të Drejtësisë dhe Jup Kastratin si Ministër të Partisë Fashiste, që të dy këta zotërinj antarë të Komitetit Qëndror të BK.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur