"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Tuesday, February 17, 2009

Shqipëria përballë luftës - Marrja e pushtetit (7).

.
. Që të nesërmen e mbarimit të luftës, pasi bëri një analizë të parë të disfatës së tij ushtarake dhe të shpartallimit të tij politik, Balli Kombëtar arriti në përfundimin se partia Komuniste dhe lëvizja e saj e rezistencës së armatosur kishin maninë e keqe që më përpara të godisnin Ballin dhe të eliminonin nacionalistët shqiptarë se sa të luftonin kundër gjermanëve. Me siguri që vetë gjermanët mendonin ndryshe pasi ata përdorën të gjithë fuqinë e tyre ushtarake dhe harxhuan shumë energji për të çfarosur rezistencën shqiptare.
.
. Eshtë mjaft interesante të shihet kjo çështje pikërisht nga këndi i vështrimi të trupave gjermane të pushtimit, gjithashtu të interesuara. Në korrik të vitit 1943, në prag të kapitullimit të ushtrisë italjane, ata vlerësonin se forcat e rezistencës shqiptare ishin rreth 20.000 luftëtarë, grupi më i madh dhe më i rëndësishëm i të cilave ishte i udhëhequr nga komunisti Enver Hoxha. Pasi trupat e tyre u vendosën në vend, vlerësimet e gjermanëve natyrisht bëhen më të sakta : raportet flasin për një guerrilje komuniste mjaft aktive në jug të vendit dhe përreth kufirit me Greqinë dhe më tej, ato përmendin njësitë ndihmëse si edhe forcat shqiptare të sigurisë që shoqëronin dhe ndihmonin trupat gjermane gjatë operacioneve ndëshkimore. E " papritura " e madhe e raporteve është fakti se, asnjëherë gjermanët nuk arrijnë të dallojnë forcat e Ballit Kombëtar. Përshtypja e krijuar forcohet edhe më tepër nga fakti që ndërkohë gjermanët arrijnë të bëjnë një diferencim të plotë ndaj forcave konkurrente në vendet fqinjë. Kështu ata vërejnë se në Greqi, krahas ELAS-it komunist vepron EDES-i nacionalist i Zervës si edhe EKKA republikane e kolonelit Psarros ndërkohë që në Jugosllavi, atyre ju duhet të ndeshen me partizanët komunistë të Titos si edhe me çetnikët monarkistë të Mihajlloviçit (shënimi 1).
.
. Njësitë antiguerrilje gjermane, të shoqëruara nga milicia vendase, u angazhuan në luftime të pandërprera kundër Ushtrisë Nacional-Çlirimtare gjatë sezonit të vjeshtës dhe të dimrit 1943 përreth qyteteve të mëdha në Qendër dhe në Jug të vendit. Kjo vinte si pasojë e vështirësive të hasura nga ushtria gjermane për t’u përhapur në vend dhe për të siguruar rrugët e komunikimit me Greqinë e Veriut dhe nëpërmjet saj, me Maqedoninë dhe Serbinë. Kështu, trupat e Divizionit 100të të Lehtë u lëshuan në një varg operacionesh spastrimi në zonën Tiranë – Elbasan – Dibër, duke i detyruar partizanët të tërhiqen drejt maleve. Shumë shpejt, UNÇ humbi zonat e saja të Pezës dhe të Dibrës ndërkohë që Brigada e Dytë Sulmuese sikundër dhe Brigada e Tretë u asgjësuan plotësisht. Kjo s’ishte gjë tjetër veç një shije praparake e asaj ofensive të madhe gjermane të lëshuar në mes të dimrit të vitit 1943 - 1944.
. Në ditët e para të janarit të vitit 1944, katër divizione gjermane që i përkisnin Armatës së XXItë dhe të XXIItë, të ndjekura nga xhandarmëria dhe formacione të tjera shqiptare, në total 45.000 vetë, sulmuan njëkohësisht zonat e Beratit, të Gjirokastrës, të Korçës dhe të Vlorës, në zbatim të planit të operacioneve të njohur me emrat " Roter Mann " et " Edelweiss ".
. Gjatë të njejtës periudhë, Korparmata E gjermane kish nisur operacionin " Panther " në veri të Greqisë për të pastruar zonën përrreth Follorinës, që sipas të gjitha gjasave prekte njëkohësisht edhe zonat kufitare me Shqipërinë që, sipas vlerësimeve të vetë gjermanëve, ishin të infektuara nga partizanët. Një operacion i dytë ndëshkues, i quajur " Horrido ", zhvillohej nga Korparmata e XXIItë Malore gjatë muajve të parë të vitit 1944, gjithmonë në Greqinë veriore. Eshtë e qartë se në strategjinë e saj antiguerrilje, Komanda e Lartë gjermane për Ballkanin nuk kish kohë të merrej me detaje si puna e " kufijve " mes Greqisë dhe Shqipërisë – vende ndërkohë të pushtuara nga ushtria e vet. Ky vizion strategjik i cili konsideronte grekët e ELAS-it dhe shqiptarët e UNÇ si një trup i vetëm kryengritës do të vërtetohet edhe një herë gjatë operacioneve të mëdha të verës 1944. .
.
. . Pothuaj të gjitha formacionet e vogla dhe të mesme partizane që u gjetën në këto zona u tërhoqën me shpejtësi drejt zonave të Gorës dhe të Oparit, në thellësi të jug-lindjes, ku u gjendën të rrethuara së bashku me Brigadën e Irë dhe të IV në lartësitë mbi 2.000 metra të Ostrovicës. U nevojitën sakrifica të panumurta, përleshje deri edhe me armë të bardha siç ishte rasti i Tendës së Qypit në 26 shkurt 1944 me qëllim që partizanët të mund të dilnin nga rrethimi dhe të evitonin asgjësimin e tyre të plotë. Ndërkohë pas luftimeve të ashpra, Brigada e Vtë tërhiqej në lartësitë e Kurveleshit. Njëkohësisht, një terror i verbër godiste qytetet. Në 4 shkurt 1944, trupat SS dhe milicët shqiptarë masakronin tetëdhjet e katër qytetarë të pafajshëm në rrugët e Tiranës.
.
. Në piskun e dimrit, i erdhi rradha Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, Komitetit Qëndror të PKSH dhe Këshillit të Përgjithshëm të FANÇ të binin në rrethimin e gjermanëve në lartësitë me borë të Martaneshit, si pasojë e operacionit " 1828 ". Sipas të gjitha gjasave, fundi i lëvizjes nacional – çlirimtare ishte krejt i afërt. Veç një mrekullie, kokave të Hoxhës dhe të shokëve të tij të ngushtë i kish ardhur rradha të ekspozoheshin në rrugët e Tiranës.
. Por ja që, si për inat të gjermanëve dhe të ballistëve, kësaj rradhe kjo mrekulli ndodhi dhe ajo quhej Mehmet Shehu dhe Brigada e Parë. I njoftuar në minutën e fundit në malet e Mokrës ku kish gjetur strehë, Shehu u lëshua në një ndërmarrje vetvrasëse për t’ju ardhur në ndihmë, në krye të një grushti burrash dhe grash të gatshëm për çdo gjë. Pasi ndoqën rrugë të pamundura, pasi evituan grackat e ngritura në një zonë thellësisht armiqsore të kontrolluar nga forcat e Ballit dhe të Legalitetit, pasi ngjitën maja me mbi 2.000 metra lartësi, tre bataljone të Brigadës së Parë Sulmuese mundën të prekin objektivin e tyre në një kohë rekord. Duke sulmuar befasisht, ata arritën të çanin linjat gjermane dhe krijuan kushtet që Shtabi i Përgjithshëm dhe instancat të tjera të larta të lëvizjes të dilnin nga rrethimi.
. Megjithë këtë moment të lumtur, lëvizja e çlirimit pësoi humbje shumë të mëdha gjatë dimrit të tmershëm 1943 – 1944 : me qindra partizanë të vrarë gjatë luftimeve apo të humbur në dëborë, mijra të tjerë që dezertuan ose ranë rob, i gjithë parku i armëve të rënda i humbur në natyrë, pjesa më e madhe e bazave të saj teritoriale të djegura, të plaçkitura ose thjesht të asgjësuara nga sulmet e përbashkëta gjermano-balliste. Përshtypja e disfatës ishte e plotë : ndërkohë që oficerët britanikë njoftonin qendrën e tyre për fundin e forcave partizane, edhe ballisti më i pasigurt vrapoi për të siguruar gjermanët për ndjenjat e tij më të sinqerta.
.
. Edhe kësaj rradhe llogaritjet klasike dolën të gabuara : formacionet partizane rilindën nga hiri i tyre dhe gjetën një vrull të ri në pranverën e vitit 1944. Nën goditjet e tyre gjithnjë e më të fuqishme, gjermanët u tërhoqën drejt qyteteve dhe një zonë e tërë e lirë u krijua në jug të vendit. LANÇ mendoi se kish mundur të bashkojë të gjitha kushtet për të thirrur në Përmet Kongresin e tij të Parë Antifashist, më 24 maj 1944, gjatë të cilit ai ndrroi edhe emrin në Fronti Antifashist Nacional – Çlirimtar (FANÇ). Kongresi zgjodhi një Këshill Kombëtar prej 121 antarësh, kryetar i të cilit u zgjodh Dr Omer Nishani – një tjetër figurë e mjedisit intelektual shqiptar që vetëm disa vjet më parë flirtonte me fashizmin.
. I veshur njëkohësisht me pushtet ekzekutiv dhe legjislativ, Këshilli zgjodhi një Komitet antifashist prej 13 antarësh me atributet e një Qeverie Provizore. Sikurse edhe Peza, Kongresi i Përmetit ishte një fitore tjetër e madhe e PKSH, të cilën tashmë një hap e ndante nga marrja së pushtetit ndërkohë që Enver Hoxha shpërblehej në mënyrë bujare për përpjekjet dhe talentin e tij. Jo vetëm që atij i dhurohej presidenca e Komitetit Antifashist por njëkohësisht ai merrte gradën gjeneral-kolonel dhe zgjidhej edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
. Në planin praktik, Kongresi i Përmetit përcaktonte linjat e politikës së ardhshme ; ai vendosi ngritjen e një Shqipërie demokratike dhe popullore, ndaloi kthimit e Mbretit Zog në vend, anulloi të gjitha marrëveshjet dhe traktatet të nënshkruara nga qeveritë e mëparshme dhe vendosi për vazhdimin e lufës së armatosur deri në çlirimin e plotë të vendit. Ai mbaroi punimet nën goditjet e artilerisë gjermane pasi, në 6 qershor 1944, kish filluar operacioni " Gemsbock ", i njohur ndryshe si Operacioni i verës. Tre divizione gjermane, të mbështetura nga njësitë e qeverisë shqiptare dhe nga çetat nacionaliste, një total prej 35.000 gjermanësh dhe 15.000 shqiptarësh, u lëshuan në front të rregullt për të pastruar gjithë jugun e vendit.
.
. Divizioni i Parë Malor sulmoi gjatë një linje që shkonte nga Gramshi në Vasiliko – në periferi të Konicës, duke kaluar nga zona e Korçës, ndërkohë që Divizioni i 298të i Këmbësorisë avanconte mes Gramshit dhe Vlorës. Përfundimisht Grup-Divizioni Stejrer duhej të mbyllte rrethimin sipas linjës Vasiliko – Sarandë. Qëllimi i operacionit të ndërmarrë nga Korparmata e XXIItë Malore, në gjirin e të cilit bënin pjesë këto divizione, ishte asgjësimi i rezistencës të UNÇ shqiptare dhe të ELAS-it grek, forcat kryesore të të cilave vepronin në hapësirën Korçë – Vlorë – Sarandë – Vasilikon. Sipas planeve të Komandës të Përgjithshme gjermane, grupet e sulmit duhej të takoheshin në lartësitë e Çorovodës ku ishte përqëndruar edhe Shtabi i Përgjithshëm i rezistencës. Ndërkohë që një pjesë e forcave partizane mundi të shmangte rënien në rrethim duke u strehuar në veri të zonës të operacionit, pjesa më e madhe e tyre u grumbullua në zonën Përmet – Tepelenë dhe u angazhua në luftime shumë të ashpra në lartësitë e Përmetit, më pas në malësitë e Kuçit, duke pësuar me këtë rast humbje mjaft të rënda.
. Tre javë më vonë, një tjetër operacion i quajtur " Steinadler " lëshohej nga ushtria gjermane në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kësaj rradhe, përveç trupave të Korparmatës të XXIIème Malore merrnin pjesë edhe forcat e Korparmatës të Selanikut, në një lëvizje strategjike që shkonte nga Korça në Janinë dhe nga Janina në Trikalla. Rezultatet e arritura nga gjermanët qenë po të paqarta sa edhe të mëparshmet : edhe kësaj here, falë terrenit malor dhe lëvizshërisë së lartë, partizanët shmangën rrethimin dhe shpartallimin e tyre të plotë. Paralelisht, luftime të përgjakshme u zhvilluan mes njësive partizane dhe forcave të Ballit, në zonat e Tiranës, të Elbasanit dhe të Durrësit.
. Megjithë humbjet e rënda që ju shkaktuan forcave partizane, operacionet e mëdha të verës nuk arritën objektivat e tyre. Jo vetëm që ato nuk mundën të mbysnin rezistencën komuniste por njëkohësisht shënuan edhe momentin e fillimit të një tërheqjeje strategjike të ushtrisë gjermane e cila tashmë duhej të mbante një linjë të re fronti Shkodër – Shkup – Negotin, në kuadrin e një perspektive të afërt të braktisjes së Ballkanit. Kjo gjë shënoi edhe një disfatë të rëndë ushtarake për Ballin i cili, bashkë me Legalitetin, tashmë bënin pjesë në listën e armiqve numur një të UNÇ. Forcat partizane, të organizuara ndërkohë në Divizione Sulmuese, kishin filluar kapërcimin e Shkumbinit për të hyrë në Qendër dhe në Veri të vendit.
.
. Në qershor të vitit 1944, qeveria e Tiranës dha dorëheqjen. I sëmurë dhe i lodhur, Rexhep Mitrovica s’mund të bënte gjë tjetër veç të vërente dështimin e politikës së tij të paasnjanësisë dhe të bashkimit kombëtar : më shumë se një e treta e territorit të vendit, teatër i luftimeve të përgjakshme, ishte krejtësisht jashtë kontrollit të qeverisë – ndërkohë që një e tretë tjetër s’kish qenë kurrë nën kontrollin e saj ; rendi publik mbahej më këmbë vetëm falë prezencës të garnizoneve gjermane në qytetet kryesore, harmonia dhe marrëveshja kombëtare ishin një ëndër në kokat e politikanëve dhe përfundimisht, kalimi në sulm i UNÇ kish prodhuar një efekt shkatërrues në rradhët e Ballit. Megjithë këshillat dhe porositë e mikut të tij të madh dhe këshilltarit në politikë Midhat Frashëri, Mitrovica s’mundi të realizonte qëllimin e tij për të ngulur në kokat e njerëzve bindjen se komunistët dhe idetë e tyre ishin antidemokratike dhe antinjerëzore. Edhe më keq, gjermanët ishin tashmë krejt të sigurt se përvoja e provuar me Ballin si forcë politike në qeverisje kish prekur kufijtë e saj : nga njëra anë, interesat e tyre strategjike tashmë ishin krejt të ndryshme me ato të ballistëve dhe nga ana tjetër, humbja e influencës së Ballit në rajonet jugore prekte thelbin e pushtetit në vend. I ngopur nga manovrat politike dhe i zhgënjyer nga reagimet e kampit ballist, Mitrovica lëshoi kolltukun e Kryeministrit dhe u kthye në Kosovë për t’ju kushtuar, bashkë me mikun e tij Deva, Lidhjes së tyre të Dytë të Prizrenit që e kishin themeluar që prej 16 shtatorit të vitit 1943.
.
. Duke marrë rishtas rolin e ndërmjetësit, Mehdi Frashëri propozoi zgjerimin e bazës së qeverisë me të vetmen forcë politike që kundërshtonte komunistët, me zogistët. Pas një varg të tërë ngurrimesh, gjermanët arritën të pranonin idenë për t’u bërë thirrje monarkistëve të Kupit, gjë e cila të paktën do ju siguronte rrugën e ikjes së tyre të afërt nga Shqipëria. Me pëlqimin e heroit të Legalitetit, vendi i Kryeministrit ju ofrua Fiqri Dines i cili prezantoi qeverinë e tij në fund të muajit qershor të vitit 1944. Përvoja Dine që zgjati vetëm një muaj doli po aq e dështuar sikundër edhe të tjerat para saj. Shqetësimi kryesor i Kryeministrit të ri ishte furnizimi i miqve të tij monarkistë me armë dhe pajisje ushtarake ndërkohë që përpiqej ethshëm të krijonte lidhje dhe kontakte me Aleatët për t’i bindur për asnjanësinë e qeverisë të tij. Në gusht 1944, Ibrahim Biçaku u rikthye në vendin e dikurshëm si Kryeministër. Siç mund të imagjinohet, ai s’mundi të bënte asgjë ndërkohë që mbajtësi i vërtetë i pushtetit në këtë fazë fundore të luftës ishte gjenerali SS Jozef Fiztum. Legjenda e një Shqipërie të pavarur, asnjanëse dhe mike e Gjermanisë naziste kish marrë fund në mënyrë të papritur.
.
. Nga ana tjetër e barrikadës, gjithmonë në gusht të vitit 1944, një mision ushtarak sovjetik i nisur nga Greqia mbrriti pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ. Ai ju bashkangjit misionit britanik dhe amerikan (shënimi 2), të një niveli krejt tjetër qoftë nga numri i personelit të tyre qoftë dhe nga fakti që ata ishin në vend që prej vitit 1943. Më në fund, Stalini vuri re egzistencën e një lufte antifashiste në Shqipëri, në momentin kur Jugosllavia dhe Greqia po përgatiteshin të hynin në vathën komuniste. Përveç vlerave të natyrës simbolike, prezenca e Sovjetikëve pranë UNÇ pati edhe dhuntinë që të acaronte tepër Britanikët të cilët gëzonin një farë ndikimi mbi Hoxhën dhe lëvizjen e tij, qoftë edhe për shkak të atyre qindra tonelatave me materiale të parashutuara që prej vitit 1943 me qëllim pajisjen dhe armatosjen e partizanëve. Nga ana tjetër, megjithë paraqitjen sheshit të gjërave, ata shpresonin gjithnjë në vlerat luftarake të Kupit dhe të legalistëve të tij si forcë rezistence.
.
. Duke dashur të shmangin përplasjen ballore mes komunistëve dhe legalistëve, që sipas gjithë gjasave paraqitej si e panevojshme bile edhe e dëmshme, Britanikët shumëfishuan ndërhyrjet dhe presionet e tyre pranë të dy kampeve. Kjo gjë ishte një përpjekje e kotë pasi nga njëra anë Hoxha zotëronte një vështrim të qartë të forcave dhe njihte përsosmërisht vlerat e luftëtarëve të tij ndërkohë që nga ana tjetër, Kupi nuk kishte asnjë shtytje për të luftuar kundër gjermanëve, megjithë deklaratat e tij zhurmëmëdha.
. Kjo situatë tepër e ndërlikuar në një vend kaq të vogël dhe të pavlerë si Shqipëria i lodhi Britanikët që u detyruan të zvogëlojnë numrin e skemave të tyre dhe të njohin më së fundi rolin e pazëvendësueshëm të FANÇ, në luftën kundër gjermanëve. Megjithë shpirtin e tyre të njohur praktik dhe pragmatizmin karakteristik, Britanikët vuanin nga një farë folklorizmi lidhur me vlerësimin e vendit të shqiptarëve. Ata i përmbaheshin ngultas për të mos thënë verbërisht idesë që forcat e gjalla, bile edhe shpirti krijues dhe luftarak i kombit ndodhej në Veri, një ide e krijuar dhe e ushqyer nga një plejadë udhëtarësh dhe etnologësh të fillimit të shekullit të XXtë.
. Nga ana tjetër, ata nuk donin të përkrahnin dhe të inkurajonin Enver Hoxhën, mosbesimi dhe bindjet e të cilit acaronin keqas perëndimorët. Ky i fundit kish dërguar edhe një delegacion pranë Shtabit të Përgjithshëm të forcave aleate në Bari, duke kërkuar mes të tjerave njohjen zyrtare të Komitetit Antifashist të dalë nga Kongresi i Përmetit si edhe ndalimin e përkrahjes së grupimit monarqik, të përfaqsuar nga Kupi. Përgjigja e Britanikëve ishte tepër e mjergullt dhe misioni shqiptar u largua me duar bosh : perëndimorët nuk mund të braktisnin Kupin në fatin e tij të trishtuar. Kjo gjë përbënte një ngushëllim fare të vogël për Legalistin e madh i cili s’ish më në gjendje të pengonte përparimin e partizanëve bile edhe në tokat e tij të Krujës. Së fundi, një tentativë marrëveshjeje, e ndërmarrë në malet e Kurbinit në shtator të vitit 1944 mes antagonistëve të vjetër të BK dhe të Legalitetit, përfundoi me një dështim të plotë; Edhe në buzë të varrit, politikanët shqiptarë nuk ishin në gjendje të bashkonin forcat e tyre.
.
. Njohja zyrtare e FANÇ nga ana e Aleatëve si forca e vetme efektive e rezistencës vuri të gjitha qarqet nacionaliste në vështirësi të madhe. Të gjithë shefat e Ballit dhe figurat e tjera të shquara të kombit vrapuan pranë misioneve britanike për të treguar urrejtjen e tyre të thellë ndaj gjermanëve, miqve të tyre të djeshëm. Në shenjë të vullnetit të mirë, disa prej tyre si për shembull Ermenji nuk hezituan bile edhe të godisnin njësitë gjermane që ishin duke përgatitur bagazhet e largimit nga vendi. Veçse kësaj rradhe ishte tepër vonë. Enver Hoxha zotëronte të gjithë kartat e lojës dhe kish dhënë paralajmërimin e fundit nacionalistëve të pavarur : ose bashkimin pa kushte me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare ose asgjësim të plotë. Sejcili prej të fundmit e Mohikanëve të maleve shqiptare e interpretoi sipas mënyrës dhe mundësisë së tij : Muharrem Bajraktari vrapoi drejt gjermanëve, Gani bej Kryeziu përfundoi rob në duart e Jugosllavëve, Cen Elezi u neutralizua (lexo : u bashkua me komunistët) ndërkohë që ballisti Xhemë Gostivari i Maqedonisë perëndimore u vra nga shokët e tij. Së fundi, Abaz Kupi, i zgjedhuri i Britanikëve, mundi të hidhet në anën tjetër të Adriatikut me mjetet e veta.
. Në 9 tetor të vitit 1944, trupat e zbarkimit britanike zbritën në bregdetin e Sarandës dhe çliruan qytetin, në bashkëpunim me partizanët vendas. Reaksioni i Hoxhës qe i menjëhershëm dhe i prerë : sipas të gjitha gjasave dhe pa më të voglin njoftim, aleatët e tij donin të vendosnin një bazë të parë në tokën shqiptare. Të lidhur këmbë e duar me çështjen Kupi, Britanikët preferuan të hapnin shteg dhe tërhoqën menjëherë trupat.
.
. Tashmë forcat më të zgjedhura të UNÇ ishin grumbulluar rreth Tiranës dhe po përgatiteshin për betejën e çlirimit të kryeqytetit. Që në ditët e para të muajit nëntor, guerriljet qytetëse dhe Divizioni i Parë Sulmues i të pashmangshmit Mehmet Shehu lëshuan sulmin përfundimtar mbi Tiranën e barrikaduar ndërkohë që një tjetër betejë e përgjakshme zhvillohej në lartësitë e Krrabës ku një Divizion gjerman mundohej të hapte rrugën për të hyrë në Tiranë. Pas dy javësh luftimesh në rrugët e kryeqytetit, më 17 nëntor 1944, Tirana u çlirua. Ajo çka mbetej nga ushtria gjermane shkau drejt Veriut. Në hullinë e gjermanëve, braktisën vendin disa qindra persona - përgjegjësit kryesorë të Ballit Kombëtar dhe shefa të tjerë nacionalistë. Qeveria e Përkohshme e krijuar në Berat një muaj më parë me Enver Hoxhën Kryeministër hyri triumfalisht në kryeqytet. Më 29 nëntor, ditën e hyrjes së forcave partizane në Shkodër – qyteti i fundit i vendit ende i paçliruar – Komandanti Suprem jepte urdhër forcave të tij të kalonin kufirin në ndjekje të trupave gjermane në territoret e Malit të Zi dhe të Kosovës.
. Megjithë fitoren e forcave komuniste, situata në vend mbetej e turbullt. Grupe të shpërndara ballistësh në komandën e Abaz Ermenjit vazhdonin të ndesheshin me forcat partizane veçanërisht në zonat veriore ndërkohë që vatra të tëra të pabindura rezistonin në jug, rreth Vlorës apo Skraparit.
.
.
. ----------------------------------
.
.
. 1) Një panoramë e operacioneve antiguerrilje të ushtrisë gjermane në Shqipëri gjatë viteve 1943 – 1944 mund të kqyret në internet, në adresën : http//ftp.ibiblio.org/hyperwar/ETO/East/Balkans/AG-Balkans.html - me titullin : German Antiguerrilla Operations in the Balkans (1941-1944), Center for Military History Publication 104-18.
.
. 2) Në territorin shqiptar vepronte njëkohësisht edhe një mision amerikan, me një numur të vogël antarësh. I ardhur gjatë muajve të parë të vitit 1944, ai drejtohej nga një amerikan me origjinë shqiptare i cili mbante marrëdhënie mjaft të mira me Shtabin e Përgjithshëm të forcave partizane të Enver Hoxhës, ndërkohë që kish lidhur kontakte edhe me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur