"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, February 19, 2009

Shqipëria përballë luftës - Fataliteti i nacionalizmit shqiptar (8).

.
. Lëvizja e rezistencës së armatosur kundër pushtuesit fashist në Kosovë njohu fillime shumë të vështira, në mes të indiferencës së përgjithshme të popullatës vendase shqipfolëse. Të parët që mundën të organizoheshin ishin banorët me origjinë serbe dhe malazeze që mund të zgjidhnin mes dy lëvizjeve konkurrente : ajo çetnike dhe tjetra komuniste. Kjo e fundit vuajti për një kohë të gjatë nga dobësia e saj numerike dhe veçanërisht nga imazhi i saj sllav. Të mbytur mes elementit serb, ata pak komunistë shqiptarë vendas apo dhe të ardhur nga Shqipëria fqinje, morën një kohë të gjatë për t’u organizuar dhe për të dalë nga errësira e ilegalitetit (shënimi 1). Njësitë e para partizane u çfaqën gjithashtu mjaft vonë, andej nga mesi për të mos thënë nga fundi i vitit 1942 dhe, përveç disa operacioneve të izoluara kundër trupave të pushtimit, jehona e aksioneve të tyre qe fare i dobët dhe pa asnjë pasojë mbi në rrjedhën e luftës.
.
. Në të vërtetë, që nga momenti i shpalljes së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në prill të vitit 1941, skena politike e krahinës u zotërua plotësisht nga paria lokale që përbënte motorin e organizatave si puna e " Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës " dhe " Lidhjes Popullore Shqiptare ". Ata asnjëherë nuk i fshehën ndjenjat e tyre proitaljane dhe veçanërisht progjermane. Një pjesë tjetër e parisë, anglofile, përqafoi idetë e Ballit Kombëtar që ushtronte një ndikim jo të vogël në krahinë ndërkohë që një rrymë e fundit nacionaliste dhe legaliste gruponte kastën e ushtarakëve dhe të shefave klanikë. Të gjithë këto përbërës të mozaikut politik kosovar gëzonin një mbështetje popullore të rëndësishme dhe pak nga pak ato u kthyen në një burim shqetësimi për Komandën e Lartë italjane të cilës, përveç administrimit të ndjenjave të etnisë shqiptare, i duhej të përmbante lëvizjet e rezistencës çetnike dhe komuniste.
.
. Kapitullimi i Italisë fashiste krijoi një gjendje shpërthyese në krahinë pasi kjo ngjarje normalisht shënonte fundin e asaj periudhe të lumtur si edhe vënien në pikpyetje të të gjitha arritjeve që lidheshin me ato vite të qënies së Shqipërisë etnike.
. Përsa i përket të ardhmes së Kosovës dhe të sajin, vizioni i klasës politike lokale ishte shumë i kjartë : e bindur për dobësinë e saj përkundrejt fituesit të ardhshëm të luftës që po rrënonte Jugosllavinë, ajo nuk kish asnjë iluzion ndaj ngjyrës politike së të tij. Përvoja e këtyre tridhjetë vjetëve të bashkëjetesës së dhunshme me Serbët dhe të tjerë Kroatë i kish mësuar që duke qenë një pakicë etnike – gjuhësore dhe fetare – Shqiptarët do të mbeteshin gjithmonë qytetarë të zonës së dytë, të detyruar të paguanin me gjakun e tyre ligjin e më të fortit, qoftë ai komunist apo monarkist. Planet e tyre të një shoqërie civile dhe shanset e tyre të lulëzimit – politik, ekonomik, kulturor – ishin të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me këtë projekt të Shqipërisë së Madhe që ju ra nga qielli, paçka se ky i fundit kishte ngjyrat e Italisë së Duçes.
. Duke u vënë nën hijen e autoritetit të pushtimit gjerman ata s’bënin gjë tjetër veçse zgjasnin këtë ëndërr : ligjësimin e bashkimit me Shqipërinë nëpërmjet krijimit të një État de droit të ri, i cili në rastin më të mirë mund t’i rezistonte tërmetit të fundit të luftës dhe vështrimit kritik të Fuqive të Mëdha perëndimore. Me këtë gjendje mendimi dhe shpirti, paria vendase themeloi me brohori Lidhjen e Dytë të Prizrenit, në 16 shtator të vitit 1942. Ashtu si në kohën e Lidhjes së Parë, burrat politikë të krahinës u vunë sërishmi në krye të lëvizjes nacionaliste të mbarë kombit. .
.
. Për t’u bindur lidhur me rolin e politikanëve nacionalistë kosovarë dhe kontributin e tyre në rregjistrin e bashkëpunimit mjafton të ndjekim kronikën e javëve të para të shtatorit 1943, ecejaket e tyre frenetike mes Tiranës dhe Kosovës. Një javë përpara hyrjes së trupave gjermane në vend, më 3 shtator, majori Franc von Sheiger – specialisti më i mirë i Rajhut për çështjet shqiptare – nisej për në Mitrovicë për të takuar parinë vendase me qëllim që ata të pranonin pjesëmarrjen në qeverinë e ardhshme të Tiranës ; më 11 shtator, Xhafer Deva – shefi i administratës lokale – vraponte në Shqipëri për të liruar nga internimi ajkën e Ballit Kombëtar, të burgosur nga italjanët që prej gushtit të vitit 1943 diku pranë Durrësit ; më 13 shtator, të sapoliruarit shefa kosovarë - mes të cilëve gjendeshin Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani – merrnin pjesë në bisedimet me gjermanët dhe të nesërmen e kësaj dite, më 14 shtator, Bedri Pejani zgjidhej Kryetar i Këshillit Kombëtar të përkohshëm ; më 18 shtator, ata gjendeshin në Prizren për t’u zgjedhur në kryesinë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe më në fund, më 26 shtator, Rexhep Mitrovica ndodhej në Tiranë për të zënë kolltukun e deputetit te Kosovës në Asamblenë Kushtetuese. Më 6 nëntor, ai betohej në krye të qeverisë së re të Tiranës.
.
. Duke përfituar nga avantazhet etnike dhe politike, të dhëna me bollëk nga ana e autoriteteve pushtuese, nacionalizmi shqiptar lau hesapet e vjetra me popullatën serbo-malazeze të krahinës. Burimet gjermane flasin për rreth 40.000 serbë të dëbuar, pjesa më e madhe e të cilëve ishin kolonë të rinj, të vendosur në krahinë mes dy luftrave. Teprimet për të mos thënë krimet, autorët e të cilëve i gjeje mes të gjitha shtresave të popullatës deri edhe në rradhët e Lidhjes së Dytë, detyruan një numur të madh intelektualësh, administratorësh dhe të tjerë mjekë të strehoheshin në Serbi, duke zhytur kështu krahinën në një gjendje të vështirë mungese të krahëve dhe mendjeve të kualifikuara.
.
. Megjithëse është një epokë e tërë që i ndan, dy Prizrenët kanë të paktën një gjë të përbashkët : triumfin e pragmatizmit të politikanëve kosovarë. Vetëm se ky pragmatizëm gjithmonë i ka shtyrë këta të fundit që të ndërtojnë të ardhmen duke u mbështetur me kokëfortësi mbi aleancat e detyruara nga e tashmja. Duke mos qenë në gjendje të parashikojnë të nesërmen, ata janë lidhur sistematikisht me të mohuarit e Historisë dhe megjithë kurajon dhe trimërinë e tyre, ju është dashur të bëjnë një luftë mbrojtëse, e destinuar të njohë veçse disfatën.
. Të bashkohesh me gjermanët e Rajhut të Tretë gjatë vjeshtës së vitit 1943 me qëllim që të triumfojë çështja kombëtare - veprimit nuk i mungon aspak kurajua por aventura ka pamjen e një akrobacie të një pehlivani të lartësive. Për të qënë bindës para syve të zotërve të vërtetë hitlerjanë të vendit dhe njëkohësisht besnikë bindjeve të tyre, patriotët etnikë duhej të vepronin në mënyrë të tillë që të bashkonin në një të vetme luftën kundër komunizmit dhe adeptëve të tij me thirrjet për vllazërim mes Shqiptarësh ; të kombinonin njëherësh nënshtrimin ndaj Komandës së Lartë gjermane me shënjat e simpatisë ndaj miqve të tyre anglo-amerikanë.
. Duke u ngjeshur në atë të çarën e errët që çonte drejt pushtetit kuisling dhe duke ftuar gjithë Ballin Kombëtar që të bënte të njejtën gjë, nacionalistët kosovarë u bënë përgjegjësit e proçkës më të rëndë të bërë ndonjëherë nga e tërë organizata nacionaliste. Kështu, e gjithë plejada e nacionalistëve shqiptarë – këta burra të dhënë ndaj një çështjeje në princip të shenjtë – pranoi në mënyrë të ndërgjegjshme dhe stoike përgjegjësinë e të vetëkomprometuarit, vetëm e vetëm për të mirën e Atdheut (shënimi 2) - paçka se kjo gjë quhet vetëvrasje politike apo edhe hapje e rrugës drejt vendosjes së komunizmit në vend.
. Disa muaj më vonë, në janar të vitit 1944, ju erdhi rradha komunistëve kosovarë të afirmoheshin gjatë Konferencës së Bujanit. Ata 49 pjesëmarrës nga të cilët 42 shqiptarë të pastër, nën drejtimin e Fadil dhe Mehmet Hoxhës, aprovuan një deklaratë që nënvizonte identitetin e tyre të përveçëm në gjirin e lëvizjes komuniste të popujve të Jugosllavisë sikundër dhe dëshirën për të zgjidhur fatin e tyre dhe të krahinës pas lufte, sipas principeve të vetëvendosjes.
.
. Në rezolutën e dalë nga Konferenca e Bujanit të 1 janarit 1944, shkruhej si më poshtë : " Kosovë – Metohija është një krahinë ku Shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës. Ata dëshirojnë ende, siç kanë dëshiruar gjithmonë, të mund të bashkohen me Shqipërinë. Si pasojë, detyra jonë është të vemë në dukje rrugën që duhet të ndjekë populli shqiptar për të realizuar aspiratat e tij. E vetmja mënyrë për Shqiptarët e Kosovë – Metohisë për t’u bashkuar me Shqipërinë është nëpërmjet luftës së përbashkët me kombet e tjera të Jugosllavisë kundër pushtuesve dhe forcave të tyre, sepse kjo është njëkohësisht edhe mënyra për të fituar lirinë në momentin që të gjitha kombet duke përfshirë edhe Shqiptarët do të jenë të aftë të zgjedhin fatin e tyre , me anë të të drejtës për vetvendosje – duke përfshirë edhe të drejtën për shkëputje ".
.
. Përveç konstatimit krejtësisht të përligjshëm – ai i një Kosove e populluar në pjesën më të madhe të saj nga shqiptarët, rezoluta e komunistëve kosovarë të habit në shumë aspekte të saj lidhur me kontekstin politiko – historik të epokës në të cilën ajo është hartuar.
. Ndërkohë që delli patriotik kosovar kujton detyrën e bashkimit të krahinës me Shqipërinë – duke ju referuar ndoshta vendimeve të Mukjes për të mos thënë të Prizrenit, ndërgjegja e tyre komuniste i shtyn të injorojnë realitetin : bashkimin egzistues, të aprovuar jo vetëm nga Lidhja e Dytë por edhe nga qeveria e Tiranës.
. Është në nderin e komunistëve kosovarë fakti që ata ju vunë punës për të ndriçuar popullin shqiptar të Kosovës, duke i treguar rrugën që ai duhej të ndiqte ; sidoqoftë, të përmendje në janar të vitit 1944 domosdoshmërinë e luftës së armatosur bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër pushtuesve, kësaj i thonë të pranosh vonesën e madhe të shqiptarëve në lidhje me kombësitë e tjera përsa i përket luftës së armatosur antifashiste.
. Eshtë krejt e qartë se komunistët kosovarë dëshironin që më në fund, gjithë rajoni të dëgjonte zërin e tyre të përveçëm, por ama ky zë është në shfazim të plotë jo vetëm me atë të komunistëve jugosllavë që kishin vendosur të ecnin drejt federalizmit, jo vetëm me atë të komunistëve të " nënës Shqipëri " shqetësimi i parë i të cilëve ishte marrja e pushtetit pour edhe me atë të popullit kosovar që fatin e vet ja kish besuar Lidhjes së Prizrenit.
.
. Pas largimit të forcave gjermane, krahina " e lirë " ndjeu që dara po shtrëngohej gjithandej dhe ajo u përgatit t’i dilte të keqes përballë. Lidhja e Dytë u shkri në 15 nëntor të vitit 1944 dhe bashkë me të mori fund një herë e mirë ajo periudhë zotërimi e klasës politike kosovare në skenën shqiptare. Ndërkohë që udhëheqësit historikë të krahinës përgatitnin bagazhet për të vazhduar aktivitetin e tyre patriotik jashtë atdheut, disa bataljone milicësh dhe vullnetarësh kosovarë zhvillonin një betejë të dëshpëruar kundër divizioneve partizane jugosllave, forcave të motorizuara bullgare, njësive maqedonase dhe tre brigadave sulmuese shqiptare që kishin shkuar të ndihmonin Titon. Mes tetorit dhe nëntorit, të gjitha qytetet e Kosovës ranë në duart e sulmuesve, ndërhyrja e të cilëve shkaktoi një lumë gjaku mes popullatës civile dhe fillimin e një lufte guerrilje antikomuniste që zgjati me vite të tëra.
.
. Pa asnjë dyshim, pushtimi serb i Kosovës më 1912, i vulosur nga Traktatet ndërkombëtare të asaj epoke, ishte një padrejtësi e madhe e bërë ndaj popullit shqiptar. Kjo gjë u ndje jo vetëm si një gjymtim nga njëra anë dhe nga ana tjetër e kufirit por ky akt nuk u pranua asnjëherë nga ndërgjegja kombëtare dhe u hodh poshtë, veçanërisht nga ana e kosovarëve. Duke mos patur mjete të përshtatshme kundërshtimi, atyre ju desh t’i nënshtrohen faktit të kryer, ndërkohë që shprehnin një mori ndjenjash dhe gjestesh që shkonin nga rezistenca aktive në atë pasive, në pritje të rastit për të përmbysur këtë situatë të padurueshme. Më në fund rasti erdhi me pushtimin fashist italjan të Shqipërisë më 1939, të ndjekur nga shembja e Jugosllavisë, vepër e Gjermanisë naziste.
. Në këtë pikë, historia është shumë e qartë : ndërkohë që pushtimi italjan prekte rëndë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve të mirëfilltë – atyre të Shqipërisë së Parë – ai forconte dhe kënaqte të njejtën ndjenjë kombëtare të shqiptarëve të rrethit të dytë, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë perëndimore, pasi për këta të fundit ardhja e italjanëve donte të thoshte shpëtim dhe bashkim me atdheun e dashur Shqipëri, pra një e keqe e vogël në krahasim me shporrjen e serbëve dhe jugosllavëve të tjerë.
. Ja pra, konjuktura e krijuar me Luftën e Dytë prodhoi efekte radikalisht të kundërta në gjirin e përbërësve kryesorë të etnisë shqiptare :
.
. - rezistencë e përzierë me elementë të luftës civile në Shqipëri – kjo do të jetë forca motore e shoqërisë dhe lejtmotivi i shtetit të ardhshëm komunist,
.
. - marrëdhënie dashamirëse që shkojnë deri në kolaboracionizëm me autoritetet ushtarake të pushtimit në Kosovë dhe së fundi, një pjesëmarrje direkte në pushtetin kuisling në Shqipëri – ky do të jetë freni motor që do të bllokojë shtresa të tëra të shoqërisë kosovare nën rregjimin titist dhe që do të justifikojë një represion të egër të këtij të fundit.
.
. Ky dualizëm veprimesh dhe qëndrimesh, të trashëguara nga konflikti i fundit botëror, do të ushqejë njëkohësisht edhe një thyerje të brendshme thuajse të padukshme – e para gjatë historisë së tyre – mes kosovarësh dhe shqiptarësh. Në qoftë se të parët kanë kritikuar të dytët për zgjedhjen e tyre të " ndërgjegjshme " të kampit komunist duke u bashkuar në këtë mënyrë me armikun e trashëguar, të dytët kanë harruar me shumë zor bëmat e të parëve si ndihmës të gjermanëve gjatë operacioneve ndëshkuese në tokën shqiptare.
.
.
. --------------------------------------
.
.
. (1) Po qe se besojmë Emin Durakun, shqiptar i kulluar dhe një nga antarët e shquar të Komitetit rajonal të Kosovë – Metohisë të PKJ, në fundin e vitit 1942, Komiteti rajonal i partisë përbëhej prej 343 antarësh nga të cilët vetëm 52 ishin me origjinë shqiptare. Nga këta të fundit, 17 vinin drejtpërdrejt nga Shqipëria.
.
. (2) Ky formulim është i Mërgim Korçës, i shprehur në një varg shkrimesh të tij që mund të lexohen në internet, në adresën : http://de.geocites.com/mergimkorca/artikuj/ dhe duhet pohuar se atij nuk i mungon as sinqeriteti as edhe realizmi. Megjithë diferencën e madhe dhe krejt të dukshme në lidhje me gjykime e sotme evropiane ndaj nazizmit dhe rregjimeve që ky i fundit vendosi në një varg vendesh të kontinentit tonë, ky reflektim përmban meritën të hapë një debat i cili synon të ripërcaktojë konturet e kategorive etike dhe morale si për shembull patriotizmi dhe nacionalizmi.

1 comments:

Arbër Sh said...

Nje blog teper cilesor, interesant dhe patriot. Ju pershendes, Arbri.

 
Përjetësisht të Panjohur