"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, February 21, 2009

Shqipëria përballë luftës - Bilanc dhe përfundime (10).

Couleur du texte .
. Gjendja e Shqipërisë të nesërmen e luftës nuk ishte për t’u patur zili. Vendi njohu shkatërime dhe vrasje, masakra dhe internime. Gjatë pesë vjet pushtimi, rreth 100.000 italjanë dhe 70.000 gjermanë shkelën tokën shqiptare, nga të cilët 26.000 u vranë dhe po aq u zunë rob nga rezistenca vendase. Nga pala shqiptare, megjithë mungesën e statistikave të plota dhe të imta, raportet e UNRRA - (United Nations Relief and Rehabilitation Administration) – të asaj kohe flasin për 30.000 të vdekur për shkak të luftës (2.5% e popullatës), për 13.000 të sakatuar, për 45.000 të burgosur dhe të internuar (4% të popullatës), për 200 fshatra krejtësisht ose pjesërisht të shkatërruara, për 18.000 shtëpi të djegura dhe të rrafshuara krejtësisht (numri i të cilave mund të ishte edhe 60.000) dhe së fundi për 100.000 të pastrehë, në kuadrin e një popullsie të përgjithshme që mezi e kalon milionin (shënimi 1). Shqipëria dilte nga ky konflikt pa porte, pa ura, pa asnjë industri të vlefshme, bile edhe ato pajisje minerale të rralla ishin të shkatëruara. Për më tepër, ajo kish humbur 30% të tufës së saj të kafshëve si edhe 35% të vreshtave dhe të pemëve frutore. Humbjet e përgjithshme u llogaritën në afro një miliard 600 milionë dollarë, ose 1.500 dollarë për frymë.
.
. Megjithatë, në krahasim me periudha të tjera lufte të përmasave rajonale ose botërore, në aktivin e saj mbeteshin disa elementë të rëndësishëm që duhen marrë parasysh. Më e rëndësishmja nga të gjitha ishte padyshim ruajtja e tërësisë territoriale të vendit. Ky element merr një forcë të veçantë po qe se analizojmë planet e ushqyera qoftë nga forcat e Boshtit qoftë edhe nga Aleatët si edhe trajektoren e projekteve të tyre.
.
.
. 1. Ky fund lufte vjen me një përfundim, logjika e të cilit shprehet sikur të bëhej fjalë për një dukuri të pritshme – rikrijimi i shtetit shqiptar brenda kufijve të përcaktuara në vitet 1913 – 1925. Në të vërtetë, ai fsheh në vetvehte një variacion qëndrimesh dhe arbitrazhe konjukturale të fuqive perëndimore cilat njohën një zhvillim të pandërprerë, po të kemi parasysh atë ditë fatkeqe të 7 prillit 1939. Sipas ritmit të ngjarjeve, ato shkojnë nga pëlqimi i heshtur i zhdukjes së strukturës shtetërore për shkak të pushtimit italjan deri tek ajo ide karakteristike europiane e coptimit të vendit në favor të fqinjëve.
. Jo më vonë se sa pranvera e vitit 1941, një nga fuqitë më të vendosura evropiane dhe përbërësja më e aktive e kampit aleat antifashist, Britania e Madhe, ëndërronte gjithmonë të përdorte territoret shqiptare si monedhë shkëmbimi për të shuar urinë e interesave greke apo jugosllave (sh. 2). Por ja që përgjithësimi i konfliktit botëror në kontinentin europian sugjeroi aleanca të tjera, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe strategjitë rajonale. Sipas Ueles (sh. 3), në fillim ishte Stalini ai që, gjatë bisedimeve të dhjetorit të vitit 1941 me sekretarin e Forin Ofisit, lord Iden, paskish propozuar një rimodelim të Ballkanit që merrte parasysh rikthimin e Shqipërisë në kufijtë e saj të vjetër dhe rimëkëmbjen e Jugosllavisë. Përballë kundërshtimit të menjëhershëm amerikan, ky plan përfundoi në kosh të plehrave ndërkohë që Britanikët propozonin gjatë vitit 1942 krijimin e një Federate ballkanike, ide e cila u adoptua menjëherë nga qeveritë greke dhe jugosllave. Kësaj rradhe ishte Bashkimi Sovjetik ai që bllokoi një inisiativë të këtij lloji, duke patur frikë krijimin e një kordoni sanitar të ri.
. Në vitin 1943, lufta kish gjetur fytyrën e saj përfundimtare dhe Britanikëve ju desh të zbrisnin në terrenin shqiptar për të orientuar rezistencën dhe për të mobilizuar të gjitha forcat politike të mundshme drejt luftës kundër Wermachtit. Pak nga pak, ata zbuluan realitetin e sendeve dhe në 1944 – me ato vështirësi që ju njihen – ju desh të pranonin fitoren e pamohueshme të UNÇ, të frymëzuar nga PKSH.
. Fundi i pashmangshëm i luftës diktonte një përqasje të re strategjike mes Aleatëve : ndarjen e botës, e vendosur gjatë konferencave të të Mëdhenjve. Në Jalta, sipas Stetinius (sh. 3), Stalini paskish deklaruar përpara Çurçillit që " ..Jugosllavia, Shqipëria dhe vendet e tjera të këtij lloji nuk kanë të drejtë të ulen pranë kësaj tryeze ". E vetmja përgjigje e denjë që mundi të gjejë Çurçilli, pa menduar aspak për interesat e Shqipërisë, ishte :
. " .. Shqiponja duhet t’i lejojë zogjtë e vegjël të këndojnë dhe të mos e vrasë mendjen për arsyet për të cilat ato nxjerrin zërin ".
. Më vonë në Kujtimet e tij, Kryeministri britanik (sh. 5) do të pranojë që kish harruar të shënonte çështjen shqiptare në axhendën e tij, gjatë diskutimeve të nivelit të lartë të Teheranit apo edhe të Jaltës. .
.
. . Sidoqoftë në vjeshtën e vitit 1944, marrja e pushtetit nga ana e Hoxhës nuk varej më as nga harresat e Çurçillit as edhe nga deklaratat bombastike të Stalinit, dhe aq më pak nga llogaritjet e këtyre dy " hanxhinjve " në Moskë, në tetor të vitit 1944 –, ku sipas legjendës u ndanë " zonat e influencës " ruso-britanike në Ballkan. Kështu pra, nuk kam se si të pajtohem me atë shprehjen e Paskal Milos në kontekstin e komenteve dhënë shtypit lidhur me veprën e fundit kolektive të historianëve shqiptarë (Historia e Popullit Shqiptar - vëllimi IV) :
. " .. Arsyeja e tjetër që favorizoi ardhjen në pushtet të komunistëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ishte se vetë Fuqitë e Mëdha dhe veçanërisht Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, bënë ndarjen e sferave të influencës në Ballkan "
. ndërkohë që çështja e marrjes së pushtetit nga komunistët shqiptarë ishtë tashmë çështje e zgjidhur një herë e mirë.
.
. Për herë të parë në historinë e vendit, lufta i kish lejuar Shqiptarët nga njëra anë të vendosnin vetë lidhur me fatin e tyre dhe nga ana tjetër, të ngrinin një strukturë të re politiko-shtetërore mes gërmadhave të mbretërisë dhe rrënojave të konfliktit : një Këshill Antifashist Nacional-Çlirimtar me atributet e një Asambleje ligjëvënëse, një qeveri e Përkohshme dhe Këshillat e Çlirimit Kombëtar në rolin e pushtetit egzekutiv, një Ushtri Nacional-Çlirimtare që siguronte njëherësh mbrojtjen e territorit dhe shtypjen e klasave sociale të deklaruara armike dhe së fundi, një Front Antifashist që mbahej si faktor i forcimit të unitetit popullor rreth pushtetit.
. Edhe sikur të mundeshim të mernim me mend projektin shoqëror që po përgatitej në zyrat e PKSH, kapitulli financiar i nevojshëm për të realizuar këtë projekt mbetej ende i errët. Duke njohur mirë burimet materiale dhe njerëzore të vendit si edhe praktikën tradicionale të rregjimeve të mëparshme, pyetja mund të shtrohej në formën e mëposhtme : kush do të ishte kësaj rradhe ajo fuqi kujdestare që do të mbështeste Shqipërinë ?
.
.
. 2. Elementi tjetër i sintezës i takon dinamikës së brendshme të kësaj lufte, asaj bashkësie zhvillimesh politike, asaj thurje dhe shthurje aleancash që çoi në përcaktimin përfundimtar të fituesit, PKSH dhe udhëheqësit të saj Enver Hoxha.
. Në një vështrim të parë dhe veçanërisht, në lidhje me forcat e brendshme që mundi të mobilizojë, Lufta e Dytë Botërore ngjan në mënyrë të habitshme me Luftën e Parë. Në nivelin e vendit, tema e sejcilit prej konflikteve të përbotshme është gjithmonë e njejtë : ndërkohë që vendi mbetet i paanshëm, vërshimi i trupave të huaja dhe pushtimi i territorit kombëtar shkakton një thyerje të rëndë të klasës politike vendase dhe tërheq të gjitha pasionet e popullsisë rreth një përplasje forcash, objekti kryesor i të cilët është pavarësia e vendit. Sikundër tridhjetë vjet më parë, pejzazhi politik riorganizohet rreth katër poleve antagoniste lokale që paraqesin katër pamje të ndryshme të të ardhmes së vendit :
.
. - Varianti nacionalist - republikan, për të cilin pavarësia i nënshtrohet zgjidhjes së antinomisë egzistuese komb - shtet. Realizimi i këtij projekti shtyn drejt aleancave me ato fuqi që përkrahin idenë e zgjerimit territorial dhe në konflikt të hapur me fqinjët e drejtpërdrejtë – pasi këto të fundit natyrisht janë kundër këtij zgjerimi. Idealiste deri në vetvrasje, kjo rrymë politike është në gjendje të shpërfytyrojë deri edhe natyrën e pushtuesit, bile të pranojë edhe sovranitetin e cunguar ose të kufizuar.
.
. - Varianti radikal - diktatorial imperativi kryesor i të cilit është zgjidhja e ekuacionit forcë - pushtet, ndërkohë që çështja e kufijve kombëtarë mbetet e dorës së dytë. Në këtë kuadër, ideja e pavarësisë i nënshtrohet " çështjes " që mund të jetë ajo e një partie ose e një individi. Realizimi i këtij projekti çon në bashkëpunim me fqinjët – si rastësisht me Jugosllavinë që paraqitet gjithmonë e gatshme – dhe në konflikt me fuqitë që kërkojnë ruajtjen e ekuilibrit të brendshëm tradicional. Realiste deri në çfarosje, kjo lëvizje e sheh zhvillimin kryesisht si vetëzhvillim i asistuar në shërbim të një sovraniteti të plotë, qoftë edhe nëpërmjet sakrificave territoriale.
.
. - Varianti tradicionalist - legalist për të cilin pavarësia buron nga qenia e monarkut dhe shterron me zhdukjen e tij. Përveç atij monarqik, këtij varianti i mungon çdo projekt tjetër dhe është gati të bashkëpunojë ose të hyjë në konflikt me këdo – sipas qëndrimit që ai mban ndaj forcimit të pushtetit suprem, kufijtë e të cilit janë vetëm të natyrës kohore Endërrimtare deri në çmenduri, kjo frymë pothuaj mistike refuzon të pranojë realitetin hapësinor dhe shpreson në një ndërhyrje " hyjnore ", e cila përputhet me përfytyrimin që ajo ka për vendin dhe rolin e mbretit.
.
. - Varianti individualist - fisnor për të cilin pavarësia e vendit mbetet një koncept abstrakt, pasi në të vërtetë për të pavarësia e vërtetë është ajo e fisit, sigurimi i të cilës historikisht nuk është varur pothuaj kurrë prej të parës. I jashtëkohshëm, të vetmit kufij të këtij projekti janë ato hapësinorë sipas antitezës : mik - armik. Indiferent deri në cinizëm, pak rëndësi për të ka fakti se cili është miku ose armiku – i afërt, i largët, i vendit ose i huaj.
.
. Krahasimi me periudhën e shkuar bëhet edhe më bindës po qe se shtojmë trupat e huaja të pushtimit, qeverinë " kombëtare " të ngritur në këmbë dhe të mbështetur nga të huajt si edhe pafuqinë e kësaj të fundit për të kontrolluar qoftë territorin qoftë edhe zhvillimin e ngjarjeve.
.
. Megjithëse analogjia krijon kushtet për të admiruar pjellorinë e mendimit politik shqiptar si edhe aftësitë e tij për të krijuar një mozaik të tillë pikpamjesh në momentet e krizave të thella, asaj i mungon forca e imagjinatës sikundër edhe forca e arsyes pasi një çerek shekulli më pas, nga një luftë në tjetrën, skena politike e gadishullit ka pësuar shëndrrime të thella. Nacionalizmi ballkanik, kjo ideologji dominuese e hershme që ka mundur të mobilizojë breza të tërë patriotësh, luftëtarësh dhe politikanësh, lëshon terren dhe fillon të rrudhet nën presionin e një ideologjie të re, internacionalizmit proletar.
. Kështu, nëqoftëse episodi tragjik i Luftës së Parë botërore mbetet vepër e shteteve - të gadishullit dhe atyre evropiane, zhvillohet në hapësirën ndërshtetërore dhe mbyllet me triumfin e nacionalizmit, epizodi po aq tragjik i Luftës së Dytë do të luhet nga popujt, zhvillohet brenda vendit dhe dëshmon për fitoren e komunizmit. Ajo çka është e veçantë dhe e papërsëritshme përmblidhet në atë që lufta e përbotëshme me shprehjen e saj konkrete, pushtimin fashist dhe nazist, furnizon njëherësh dekorin, skenarin dhe bën përzgjedhjen e aktorëve kryesorë.
.
. Cënimi i pavarësisë dhe vënia në pikpyetje e sovranitetit kombëtar prek thellësisht masat e gjera popullore dhe shërben si prolog i rezistencës së natyrshme, thyerja dhe e strukturave shtetërore e raporteve të vjetra shoqërore i hap rrugën çështjes së pushtetit të ardhshëm ndërkohë që mes tufës së kandidatëve te mundshëm dallohen pikërisht ata që janë të aftë të paraqesin një projekt shtetëror dhe shoqëror novator.
.
. Në këtë pikë, Shqipëria në luftë nuk bën asnjë përjashtim dhe ndjek tendencën e përgjithshme të rajonit : vetëm bartësit e një ideologjie – në rastin tonë PKSH dhe BK - mundën t’i qëndronin kohës dhe të pretendonin për pushtetin e ardhshëm. Për të tjerët, mesha ishte kënduar me kohë : ose të zgjidhnin aleatin e tyre mes dy konkurrentëve të mësipërm ose të zhdukeshin nga skena. Sipas të gjitha gjasave, arratisja e Mbretit dhe paaftësia e kampit monarqik për të dalë përpara opinionit me një program të qartë dhe të orientuar drejt të ardhmes lajmëronte eklipsin e fuqisë tradicionale gegë që mbante pushtetin që prej shpalljes së pavarësisë së vendit.
.
. Deri në momentin e kapitullimit të Italisë fashiste, forcat kundërshtare lokale, zemra dhe truri i të cilave ishte përqëndruar tashmë në jug të vendit, mbeten në dinamikën e mobilizimit të forcave dhe të përcaktimit të zonave të tyre të ndikimit. Megjithë fërkimet e rastit, të lidhura me strategjinë e përdorur, marrëdhëniet mes tyre karakterizohen nga kërkimi i elementëve të përbashkët dhe vendosja e kanaleve të kontaktit në kuadrin e rezistencës kundër pushtuesit. Ky proces kulmon me takimin e Mukjes, që dëshmon para së gjithash për njohjen reciproke dhe për një përpjekje kompromisi lidhur me të ardhmen, pikërisht në momentin kur forcat aleate zbarkojnë në Siqeli dhe kur tashmë dihet fati i rregjimit fashist të Musolinit. Pavarësisht shkaktarëve të prishjes së kësaj marrëveshjeje dhe arsyeve të përmendura, asnjë prej protagonistëve nuk mund të injoronte faktin që fundi i luftës ende nuk dihej dhe që atmosfera ballkanike sugjeronte një ndërhyrje shumë të afërt të forcave gjermane që gjendeshin dy hapa më tej, në territorin e fqinjëve.
.
. Në verën e vitit 1943, Rajhu i IIItë megjithë forcën e vet të konsiderueshme ushtarake të shpërndarë në të gjithë territorin evropian, e kish humbur iniciativën fillestare dhe kish hyrë në një fazë tërheqjeje strategjike. Për më tepër, ai kish dështuar në përpjekjet e tij për të nënshtruar dy fuqitë periferike të kontinentit – Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Sovjetik, të cilët kishin marrë avantazhin e sulmit në frontin e Lindjes dhe në pellgun e Mesdheut. Çfarë qëndrimi duhej mbajtur ndaj gjermanëve, të cilët megjithëse nuk çfaqnin ndonjë entuziazëm të madh për të hyrë në Shqipëri, ishin të detyruar të ndërhynin dhe të likuidonin nga njëra anë trashëgiminë ushtarake italjane dhe nga ana tjetër të pengonin një zbarkim të mundshëm të Anglo-Amerikanëve ?
. Për kampin e rezistencës të dominuar nga PKSH, përgjigja ishte evidente : nuk kish asnjë arsye që të dyshohej në vazhdimin e luftës së armatosur pa kompromis kundër pushtuesit, të filluar prej kohësh. Edhe pse LANÇ bashkë me frymëzuesen e vet PKSH e kishin të qartë që s’mund të mposhtnin ushtarakisht Wermachtin, vetëm fakti që ata ndërmernin sakrificën për t’a luftuar këtë të fundit imponohej si zgjedhja e vetme strategjike që çonte drejt fitores dhe më tej drejt pushteti. Gjykimi i kësaj ndërmarrjeje justifikohet në mos nga arsyeja racionale të paktën nga ndjenjat e brendshme, pasi perspektiva e qorollepsjes të Gjermanisë kish filluar të merrte formë qysh përpara se kjo e fundit të pushtonte Shqipërinë, në vjeshtën e vitit 1943. Mjaft që taktika e luftës partizane të mund të shmangte asgjësimin e lëvizjes. Çka mbetej problem ishte qëndrimi që duhej mbajtur ndaj konkurrentëve të tyre ballistë, predispozita e të cilëve për t’ju larguar përplasjes me forcat gjermane dukej nga larg.
. Veçse në këtë pikë, komunistët përfituan nga " ndihma " e papritur e armiqve të tyre gjermanë, të cilët duke u vetëshpallur si " çliruesit " e Shqipërisë dhe si mbrojtësit e pavarësisë së saj brenda kufijve etnikë mundën të bënin për vehte një grup krerësh dhe simpatizantësh të Ballit, në mënyrë të veçantë klasën politike kosovare, duke i besuar këtyre të fundit krijimin e një qeverie " kombëtare ".
. Me fjalë të tjera, megjithë hezitimet dhe luhatjet e natyrës taktike, një pjesë e Ballit Kombëtar bashkëpunoi me autoritetet ushtarake gjermane si në fushën e qeverisjes ashtu edhe në atë ushtarake, pjesa tjetër priste me durim tërheqjen e parashikueshme të këtyre të fundit, ndërkohë që e gjithë organizata nacionaliste me të madh e me të vogël i lutej Zotit që trupat e Vermahtit të asgjësonin forcat komuniste kundërshtare. Bile edhe atëhere kur mjetet në dispozicion të Zotit të madh (shiu, bora, akulli ose vapa dhe thatësira) u treguan të pamjaftueshme, ata e ndjenë për detyrë t’i ndihmonin në terren trupat çlirimtare gjermane për të përmbushur një nga premtimet e shpallura që në ditën e parë të ardhjes – shfarosjen e komunistëve.
.
. Arsyet që shtynë gjermanët për të kërkuar bashkëpunimin me Ballin janë jo vetëm të kuptueshme por edhe krejt të justifikueshme nën dritën e objektivave parësore të ushtarakëve të Rajhut të IIItë : të bllokonin sa më pak trupa në këtë vend, interesi strategjik i të cilit kufizohej nga mbajtja hapur e rrugëve të tërheqjes nga Greqia dhe Maqedonia si dhe nga disa pasuri minerale të dyshimta. Megjithatë, politika e portës së hapur dhe e sofrës së shtruar nuk mund të shërbejë si apologji e fatalitetit që godet Ballin as edhe si argument për të shpjeguar fitoren e komunizmit, sikundër bën historiani Fischer :
.
. " .. faktori më i rëndësishëm – i jashtëm ose i brendshëm – që çoi në fitoren e komunizmit, ishte politika e ndjekur nga gjermanët. Ndonëse gjermanët përfituan së tepërmi nga politika e tyre përça e sundo, po kështu bënë edhe partizanët. Sa herë që gjermanët arrinin të tërhiqnin pas vetes edhe një grup, ata hiqnin një pengesë tjetër në rrugën e Hoxhës drejt pushtetit. Në vjeshtën e 1943, komunistët ishin një grup i fortë pretendues për marrjen e pushtetit, por jo grupi që mund të shtypte të gjithë të tjerët – përfshi këtu edhe Ballin kombëtar, zogistët dhe bajraktarët e pavarur të Shqipërisë së Mesme, të Veriut. Si edhe ata të Kosovës. Duke i tërhequr pas vehtes të gjithë keta grupe, gjermanët shkatërruan krejt besueshmërinë e tyre politike dhe efektshmërinë luftarake që ata mund të kishin patur deri atëhere. Me afrimin e mëtejshëm të këtyre grupeve ndaj gjermanëve, si dhe me nacionalizmin e popullit shqiptar që po vinte dhe rritej, të gjitha këto grupe u shmangën nga e drejta e luftës për pushtet në periudhën e pasluftës (sh.6) ".
.
. Në qoftë se si bazë arsyetimi qëndron fakti që gjermanët hynë në Shqipëri thjesht për arsye strategjike, është krejt e natyrshme që ndeshja mes LANÇ dhe BK të konsiderohet si fenomeni më i rëndësishëm i këtij fund lufte pasi është kjo ndeshje që do të përcaktojë fytyrën e ardhshme të vendit, për të cilën gjermanët janë krejt indiferentë. Sipas kësaj optike, faktori më i rëndësishëmi jashtëm ose i brendshëm – që çoi në fitoren e komunizmit, ishte politika e ndjekur nga Balli Kombëtar. Në qoftë se programi i afishuar nga autoritetet ushtarake gjermane ju hapte horizontin pikpamjeve dhe projekteve nacionaliste që frymëzonin dhe ushqenin politikën e Ballit Kombëtar, i takonte krerëve të kësaj organizate të ndanin kashtën nga kokrrat dhe të mos lejonin që bindjet e tyre të shëndrroheshin në zinxhir me të cilin të tjerët t’i tërhiqnin nga hunda ose si litar për t’i lidhur duart dhe këmbët përpara se t’i përdornin si mish për top, pa u shqetësuar për fundin e tyre të ardhshëm :
.
. - Cili ishte misioni " çlirimtar " i gjermanëve të cilët vendosën të hynin në Shqipëri vetëm pas kapitullimit të Italisë fashiste ? Cilat forca apo shtete rrezikonin egzistencën e Shqipërisë Etnike, të ngritur me përkujdesin e fashizmit musolinian, për të justifikuar ndërhyrjen e trupave gjermane në mbrojtje të saj në vitin 1943 ? Si shpjegohet që gjermanët, këta mbrojtës kaq të zellshëm nuk kishin pranuar kurrë bashkimin e Çamërisë ose të zonës së Mitrovicës me vendin amë ?
.
. - Si shpjegohet që urrejtja e natyrshme kundër pushtuesit aq instiktive dhe vluese në shpirtin e shqiptarit, e cila - nëqoftëse i besojmë thënies së ballistëve - ish çfaqur me forcë të paparë ndonjëherë në shpirtin e çdo patrioti të ndershëm që nga dita e parë e pushtimit fashist, nuk mundi të ngjitet deri në kokat e krerëve – këtyre Baballarëve të Kombit - dhe t’i detyronte të kundërshtonin politikën e dorës së zgjatur të gjermanëve, ose të paktën deri tek sytë e tyre për t’ju treguar greminën që hapej në fundin e luftës ? Edhe në qoftë se interesi imediat bëhej më i fuqishëm se sa arsyeja e brendshme dhe errësonte pamjen, përse atëhere nuk i besuan veshëve të tyre, ose më mirë të themi, thirrjeve të britanikëve që i nxisnin drejt rezistencës së armatosur dhe i këshillonin të braktisnin gjermanët ?
.
. - Përse duhej besuar legjenda e " Shqipërisë së pavarur ", kjo shpikje kaq e goditur, e krijuar enkas për një million e gjysëm shqiptarë të papërfillshëm në nivelin kontinental ndërkohë që, prej Kroacisë deri në Francë, po këta gjermanë kishin ngritur një varg rregjimesh " mike ", detyra e vetme e të cilave ishte lehtësimi i jetës së ushtrisë së Vermahtit si edhe sigurimi i furnizimeve të domosdoshme për kryerjen e luftës ?
.
. - Së fundi, cila do të ishte gjendja e Shqipërisë në fund të luftës nëqoftëse Balli Kombëtar do të kish zgjedhur një variant strategjik të ndryshëm nga ai i bashkëpunimit : atë të luftës së armatosur dhe të vendosur kundër gjermanëve, gjithmonë duke mbetur jashtë lëvizjes nacional-çlirimtare dhe në konkurrencë të hapur me të ? Shembujt evropianë të një lëvizjeje republikane ose demokrate – deri edhe demokristiane – që ka kundërshtuar me armë pushtimin nazist, gjithmonë duke mbetur i pavarur nga lëvizja komuniste, nuk mungojnë. Mjafton të bëhet një paralele me situatën greke për të kuptuar se, edhe pa mundur të evitoheshin komplikimet e brendshme, çështja e pushtetit do të mbetej e hapur dhe përse jo, nën arbitrazhin e aleatëve perëndimorë.
.
. Pavarësisht komenteve të pasluftës, sipas të gjitha gjasave, çështja e organizimit të rezistencës së armatosur kundër ushtrisë gjermane nuk është shtruar asnjëherë përpara krerëve të Ballit kombëtar, të cilët jo vetëm këmbëngulnin në karakterin kalimtar dhe të përkohshëm të saj por edhe shpresonin të shfrytëzonin mundësitë e krijuara për t’i shkaktuar një disfatë të plotë kundërshtarëve të tyre komunistë. Kjo gjë motivoi edhe pjesëmarrjen e një varg eksponentësh ballistë ose të afërt me Organizatën - me në krye Mitrovicën - në përbërje të strukturave shtetërore të qeverisë " kombëtare " pro gjermane, po kjo gjë shtyu edhe Enver Hoxhën dhe partinë e tij të vinin Ballin Kombëtar në një plan me pushtuesin dhe t’ju shpallnin luftë të armatosur.
. Përfundimisht, duke perifrazuar një analizë mjaft të qëlluar (sh. 7) - paçka që ajo i takon një tjetër vendi, një tjetër epoke dhe angazhon të tjerë aktorë - mund të pohojmë me plot gojën :
.
. Në qoftë se Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare e udhëhequr dhe e frymëzuar nga PKSH mundi të fitojë luftën dhe të marrë pushtetin, kjo erdhi në rradhë të parë si pasojë e mediokritetit, e pasigurisë, e varfërisë të imagjinatës dhe e mungesës së kurajos të atyre që hiqeshin si mbrojtësit e " demokracisë " dhe të idealit republikan në Shqipëri ; dhe vetëm në rradhë të dytë, falë dinamizmit dhe fuqisë së PKSH, të aftësisë taktike të udhëheqësve të saj, të disiplinës, të vetëmohimit dhe të shpirtit luftarak të antarëve të saj – aq më tepër që masa dërrmuese e këtyre të fundit luftonte kundër okupatorit dhe jo për marrjen e pushtetit.
.
. Ja përse duket e dykuptimtë, e ndërsjelltë dhe veçanërisht tendencioze, shprehja tjetër e Paskal Milos kur deklaron se :
.
. " .. Faktorët që përcaktuan fitoren e komunizmit në Shqipëri janë të brendshëm, sepse ishte Partia Komuniste ajo që luajti rolin kryesor në organizimin e rezistencës dhe të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Shqipëri ".
.
.
. 3. Gjithmonë duke mbetur në kuadrin e bilancit përfundimtar, le të ngremë një pyetje tjetër : a ka patur apo jo luftë civile në Shqipëri gjatë periudhës 1941 – 1944 ? Përgjatë gjysëm shekulli të pushtetit komunist, autoritetet shqiptare kanë dhënë gjithmonë një përgjigje mohuese, duke patur frikë nga një " çvleftësim " i luftës nacional – çlirimtare si dhe nga një " ndotje " të burimeve legjitime të pushtetit të tyre. Përsa i përket ballistëve, përgjigja e tyre është aq e prerë sa edhe e ngutur, nga momenti që sipas tyre – nëpërmjet gojës së Abaz Ermenjit - " grupe njerëzish t'organizuar nisnë të vrasin me plan e me taktikë të tjerë grupe njerëzish t'organizuar ".
.
. Për të orientuar sadopak përgjigjen, mjafton të citohen përkufizimet e " luftës civile " :
. - në variantin e saj klasik, lufta civile paraqitet si një kryengritje e armatosur, e ndërmarrë nga një pjesë e trupit social (një pjesë e madhe e popullsisë) kundër qeverisë (legjitime) të vendit (sh. 8),
. - ndërkohë që në një variant më të afërt me ditët e sotme, lufta civile egziston kur në një Shtet, një pjesë e popullatës kundërshton t’i bindet qeverisë dhe merr armët haptazi, qoftë për të vënë një qeveri tjetër në vend të të parës, qoftë edhe për të krijuar një Shtet tjetër duke ndarë nga territori kombëtar një pjesë të këtij territori (sh. 9).
.
. Duke ju kthyer pyetjes së mëparshme dhe duke nënvizuar kushtet specifike të vendit, së pari duhet kufizuar periudha kohore kur kjo pyetje bëhet " legjitime ", pra gjatë periudhës shtator 1943 – nëntor 1944, atëhere kur dy Frontet – ai Nacional-Çlirimtar dhe tjetri Kombëtar përplasen me armë dhe gjakosen. Në vazhdim, nuk mund të mos vemë në dukje elementët e mëposhtëm, që mbështesin tezën e luftës civile : një qeveri kombëtare në fuqi – e ligjëruar nga Asambleja Kushtetuese ; një pjesë e popullatës që kundërshton t’i bindet kësaj qeverie – e rreshtuar pas një partie politike dhe që lufton qeverinë " e saj " me anë të forcës së armëve.
. Paralelisht, nuk mund të injorojmë elementët fondamentale që kundërshtojnë këtë tezë : krijimi dhe vendosja në fuqi e një qeverie të tillë ad hoc ndodh në shtator 1943, pra në zjarrin e luftës së Dytë, duke ju bindur llogjikës dhe nevojave të Rajhut të IIItë dhe natyrisht, edhe interesave të çastit të politikanëve lokalë ; motivi i parë " i kryengritësve " të cilët nuk krijojnë as një trup social as edhe një masë homogjene, është të shporrin pushtimin fashist – në vazhdim nazist – dhe me këtë rast, të kundërshtojnë të gjithë ata që mbështesin këtë të fundit. Ajo çka mbetet dhe që s’mund të mohohet kurrsesi është dhuna, vrasjet mes shqiptarëve, asgjësimi fizik i justifikuar me termat " tradhëtarë të Atdheut " apo " bashkëpuntorë (të gjermanit apo të serbit) ", viktimat që jo gjithmonë i përkasin fushës së betejës. Sejcila palë bën llogaritë e saj dhe natyrisht, i hedh fajin tjetrës, - dhe harron kusuret e veta, paçka se dukuria e masakrave të civilëve të pafajshëm ose " pak të fajshëm " nuk është aspak shqiptare, bile as edhe ballkanike por e cilitdo vend që me hir apo pahir mori pjesë në këtë konflikt të pêrbotshëm.
.
. Nuk ka asnjë dyshim që ushtria gjermane ka treguar një " imagjinatë, një zgjuarsi dhe një forcë të veçantë " - sipas shprehjes fatlume të Fischer - pasi ajo diti të shfrytëzojë për qëllimet e veta ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve – posaçërisht ato të kosovarëve – të lidhur siç ishin ndaj konceptit të Shqipërisë etnike. Duke vepruar në këtë mënyrë, ata mundën të fabrikojnë një mit i cili vazhdon të jetojë deri në ditët e sotme, sipas të cilit, ky fund lufte s’qe gjë tjetër veçse një kasaphanë e thjeshtë mes shqiptarësh komunistë dhe nacionalistë – nga e cila lind edhe ideja e një lufte civile – ndërkohë që Wermachti kish ardhur dhe rrinte në vend thjesht si " vizitor " për të mos thënë si " mik çlirimtar ".
.
. Në cilin moment preciz lufta e çlirimit kombëtar i le vendin luftës civile ? Askush dhe aq më pak protagonistët e kësaj lufte të ngërthyer janë në gjendje t’i përgjigjen me saktësi kësaj pyetjeje të fundit sikundër mbetet po aq e vështirë të thuhet se në cilin moment interesat kombëtare zëvendësohen nga interesat politike që justifikojnë bashkëpunimin e fajshëm të klasës politike vendase me pushtuesin gjerman. Megjithatë, edhe vetëm përpjekja për të ngritur pyetje të tilla meriton një vështrim të veçantë dhe të kujdesshëm përballë harresës të qëllimshme – aq më tepër përballë përçmimit të historianit grek Stavrou, që s’ngurron aspak të përshkruajë një tabllo sintetike dhe të paharruar të Shqipërisë gjatë luftës, atë të një :
.
. " .. orgjie nacionaliste e organizuar e cila ju ka lënë mbresa të pashlyera viktimave të saj të panumurta në Greqi, në Kosovë dhe në Shqipëri vetë … të një vepre magjistrale, e kryer nga njësitë e rregullta dhe të parregullta, të ngarkuara me detyrën e ndyrë të pastrimit etnik mbi Serbët e Kosovës dhe mbi Grekët e Shqipërisë së Jugut (sh. 10) ".
.
. Duke përmbushur një mision fisnik, historiani niset për të gjuajtur mitet, të krijuara nga kolegët e tij shqiptarë gjatë periudhës komuniste, sigurisht, të shtyrë, të frymëzuar bile dhe të paguar nga rregjimi i Hoxhës, pasi :
.
. " .. kërkesat dhe mitet e farkëtuara nga historiografia e epokës hoxhiane përbëjnë edhe bazën e analizave perëndimore dhe shpjegojnë se : (a) Shqipëria nuk egzistonte më si shtet i pavarur që prej vitit 1939, dhe si pasojë ajo s’ka mundur të luajë asnjë rol në skemat e Romës – dhe të sajat – kundrejt gadishullit Ballkanik ; (b) që nga ditët e para të vendosjes së ushtrisë fashiste italjane, shumica e njerëzve në Shqipëri i rezistuan pushtimit ; (c) vetëm qeveria kuislinge e Tiranës, e ndihmuar nga bashkëpuntorët e saj, mori pjesë në mënyrë kriminele në aksionet brutale kundër shteteve fqinje ; (d) komunistët filluan rezistencën e tyre menjëherë pas pushtimit dhe si pasojë, ata s’mund të jenë përgjegjës për gjithçka ndodhi ndërmjet 1939 – 1944 ".
.
. Me fjalë të tjera, me qëllim që të respektohet e vërteta – e vërteta e tij dhe ajo e grekëve të tjerë që e identifikojnë vehten me të – na duhet të pranojmë brenda mundësive se :
. - megjithë pushtimin e pamohueshëm italjan, Shqipëria çuditërisht i mbetur shtet sovran s’ish gjë tjetër veçse një bashkëpuntore e rregjimit fashist të Duçes në agresionin kundër Greqisë ;
. - Shqiptarët u kënaqën dhe u mrekulluan nga mbrritja e ushtrisë së Duçes dhe, jo vetëm nuk i bënë kësaj të fundit asnjë rezistencë, por si një trup i vetëm mbështetën qeverinë kuislinge të Tiranës për të ndërmarrë aksione brutale kundër shteteve fqinje ;
. - së fundi, komunistët s’kanë bërë gjë tjetër veç një rezistencë sa për dukje, dhe vetëm gjatë ditëve të fundit të luftës. Si pasojë, ata janë plotësisht përgjegjës për gjithçka ka ndodhur ndërmjet 1939 dhe 1944.
.
. Duke denoncuar në këtë mënyrë " vakuumin historik " që karakterizonte Ballkanin, si pasojë e të cilit " mitologjia dhe historia fitojnë të njejtat përmasa ", Stavrou pretendon të zhbirojë paradoksin e Luftës së fundit, i cili kqyr " komunistët brutalë të djeshëm (sigurisht ata Shqiptarë) si viktima, ndërkohë që ata, të cilët kanë humbur me miliona njerëz, luftëtarë për demokracinë – Serbët dhe Grekët – trajtohen si armiq ". E thënë ndryshe, është në nderin e historianit të mjekojë amnezinë historike dhe të vendosë në vend sensin e vërtetë të ngjarjeve – dhe me këtë rast t’u rikujtojë shqiptarëve të kaluarën e tyre të turpshme kuisling, paçka se kjo terapi mbështetet mbi një mashtrim historik – atë të harresës – që e çliron studiuesin fqinjë nga kujtimi po aq i turpshëm i atyre kuislingëve grekë - ata Çollakoglutë, Logotetopullosët dhe të tjerë Ralis – pa harruar gjithashtu një kohortë simpatizantësh të nazizmit që u integruan menjëherë në gjirin e qeverive të para demokratike greke të pasluftës.
.
. Nga ana tjetër e kufirit, historianët shqiptarë të pasluftës do të ngrenë në qiell karakterin heroik dhe bashkues të konfliktit, duke vënë në dukje faktin që " falë gjakut të 28.000 martirëve ", Shqipëria u çlirua vetë, pa patur nevojë që " çizmja e ushtarit të kuq " të shkelë truallin shqiptar.
. Ata gjithmonë kanë dashur ta përshkruajnë Luftën Nacional-Çlirimtare si një proces të pandalshëm dhe të pandashëm, si një baticë popullore " pastruese " që mundi të ngrejë PKSH mbi piedestalin e pavdekshmërisë. Duke vepruar kështu, ata ndërtuan një mit të ri krijues i cili përcaktonte gjenezën e botës së re në atë vit të lumë 1944, vitin e kryqëzimit të fashizmit dhe të shërbëtorëve të tij mbi kryqin e turpit. U desh mbi një gjysëm shekulli që të tjerë në vendin e tyre të rikujtojnë ato fakte që ndihmuan dhe lehtësuan këtë fitore : organizimi jugosllav, ndihma ushtarake britanike (sh. 11), pjesëmarrja në luftë e Koalicionit antifashist anglo-amerikano-sovjetik ose që të venë në dukje anët e saj të lëna në harresë : aspektet e errëta të " luftës civile ", shqyerjen mes Veriut monarkist dhe klanik dhe Jugut komunist dhe republikan apo edhe diferencimin mes shqiptarëve dhe kosovarëve.
.
.
. ---------------------------------------------------
.
.
. (1) Megjithë humbjet e konsiderueshme të shkaktuara nga Lufta e Dytë botërore, Shqipëria kish shpëtuar më mirë se sa fqinjë e saj : sipas Singleton, Jugosllavia kish humbur 1.750.000 persona mes të vrarëve dhe të zhdukurve (ose 11% të popullatës) ndërkohë që sipas Stavrianos, Greqia numuronte 500.000 viktima (ose 7% të popullatës së saj). Shih : Fred SINGLETON – Twentieth-Century Yugoslavia, Columbia University Press, N.Y, 1976 ; si edhe : L. S. STAVRIANOS– The Balkans since 1453, N.Y. Rinehart, 1958.
.
. (2) Në prag të sulmit gjerman kundër Jugosllavisë dhe Greqisë, qeveritë e këtyre vendeve bënë deklarata krejt të ngjashme lidhur me synimet e tyre për të vënë Shqipërinë nën mbrojtjen e tyre të përbashkët. Në qershor të vitit 1941, Kryeministri grek në mërgim Cuderos shkoi edhe më tej në deklaratat e tij duke kërkuar një ndreqje kufijsh në lidhje me Epirin menjëherë pas lufte ndërkohë që në tetor, përfaqsuesit britanikë pranonin se " do të ishte e papërshtatshme për të vendosur në lidhje me rimëkëmbjen e një Shqipërie të pavarur ". Mbi këtë subjekt, Shih : Reginald HIBBERT – Ibidem.
.
. (3) WELLES cituar në : François FEJTO Histoire des démocraties populaires, Tome I L’ère de Staline. Ed. du Seuil, coll. " Point-Histoire " 1992.
.
. (4) STETINIUS cituar në : François FEJTO – ibidem.
.
. (5) Winston S CHURCHILL – Mémoires sur la Deuxième Guerre mondiale. Ed. Plon, Paris 1952.
.
. (6) Bernd Jurgen FISCHER – Ibidem
.
. (7) Shih : François FEJTO – Ibidem.
.
. (8) Shih : Victor-Yves GHEBALI – Les guerres civiles de la post-bipolarité : Nouveaux acteurs et nouveaux objectifs, në : Relations Internationales N° 105, printemps 2001.
.
. (9) Shih : Robert KOLB – Le droit international public et le concept de la guerre civile depuis 1945, në : Relations Internationales N° 105, printemps 2001.
.
. (10) Shih : Nicolaos A. STAVROU – Pages of Albanian History, Mediterranean Quarterly. Spring 2001.
.
. (11) Në librin e tij " Rreziku anglo-amerikan në Shqipëri " e botuar më 1975, Hoxha do të shkruajë se kjo ndihmë s’ish gjë tjetër veç " një pikë uji në oqeanin e nevojave të luftës antifashiste ", përpara se sa të përmendë parashutimet angleze që përmbanin çizme ose shumë të vogla ose shumë të mëdha, benevrekë të stërgjëra – troç sende të papërdorshme, municione të kalibrave të papërshtatshëm, çokollata si dhe vogëlsira të tjera të këtij lloji. Natyrisht që mendimi i Anglezëve është krejt tjetër. Duke pranuar faktin që ndihma materiale ishte e pamjaftueshme dhe që nuk ishte ajo që vendosi mbi rezultatin e luftës nacional-çlirimtare, ata nuk harojnë të nënvizojnë ato dhjetra parashutime mujore – disa qindra tonë me armë, municion dhe uniforma – si edhe ato dhjetra mijra lira stërlina-ar të shpërndara mes protagonistëve. Shih mbi këtë subjekt : Reginald HIBBERT– Fitorja e Hidhur, Lufta nacional çlirimtare e Shqipërisë, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1993.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur