"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, February 7, 2009

Metafizikë e nostalgjisë.

. Shopenhauer: "Njeriu është kafshë metafizike"
.
.
. Herë-herë mjafton një rrjedhë notash, një vargëzim fjalësh që një e kaluar e tërë, deri dje e heshtur bile edhe e varrosur, të vërshojë në të tashmen e zhurmshme. Imazhe dhe portrete, melodi dhe këngë, aroma dhe parfume, fjalë dhe biseda, thjesht kujtime që mundohen të tjetërsojnë të tashmen – kordon kërthizor hermeneutik që mbështjell pazgjidhshmërisht qenien dhe që e tërheq me forcë drejt rrathëve imagjinarë të kthimit të përjetshëm në vetvehte. Një kordon që mund edhe të hollohet apo të përdridhet por i paasgjësueshëm. I lumtur apo i dhimbshëm, i vetvetishëm apo i forcuar, do s’do ky kthim të çon drejt origjinës. Nostos algos, malli i vendit. Veçse një vend i humbur, njëherë e përgjithmonë. E shkuara e tashme e një origjine të mangët.
. Kënaqësia e nostalgjisë mbetet kënaqësi e iluzionit, ajo e të besuarit në një kthim të mundshëm drejt " ndërkohë–të–humburës ". Të humbur prej sa kohë përpara ? Si mund t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje delikate, pa rrezikuar të cënosh vetë pyetjen ? E rikthyer në ç’mënyrë ? Çuditërisht, kjo inerci e shpirtit, lënda e paformë e të cilës shfaqet si një gjurmë shqisore, perceptohet nga qenia sikundër veshi ndjen tingullin.
.
. " Nostalgjia, dhimbja e kthimit pas si pamundësi, struket në qendër të dëgjimit. Të dëgjosh do të thotë të mos arrish të mbash prezent, sikundër bën vështrimi, atë çka dëgjon. E thënë ndryshe, ndërkohë që e dëgjon, e ndjen që ajo largohet, që shëndrrohet si një eko e largët në kujtesë. Të dëgjosh, do të thotë të mos jesh i aftë ta ruash, do të thotë ta humbësh pa patur mundësi rikthimi - (Marie-Louise Mallet - La musique en respect, ed. Galilée, Paris, 2002) ".
.
. Një vend tashmë i humbur, një kohë tashmë e harruar… kujtime. Por ama, kujtime që tentojnë tjetërsimin e të tashmes. Por vetë kujtimi s’mund të egzistojë përtej tjetërsimit, pasi edhe përsëritja e të njejtës – në kuptimin që i jep Kierkegaard – s’është gjë tjetër veçse iluzion. Sidoqoftë, një forcë që shtyn drejt një të ardhmeje ende të pashprehur, ndoshta të parashikuar por gjithmonë të panjohur. Që pritet të vijë. Një ndjenjë në kalim, pasi gjithmonë kalimtare, sipas ritmeve të përzgjedhura nga vetë ndjenja, që fton mbyllësh zinë ndaj vetvehtes dhe të çlirohesh nëpërmjet autonomisë të shumëkërkuar, përballjes së botës së vërtetë.
.
. Nostalgjia spontane, e brëndshme dhe e përmallshme është veçse ana e ndritshme e tabllosë. Tingull melankolik dhe vibrues i violinës-zemër, të prekur nga harku qimeashpër i të përditshmes së vrazhdë. Ana e errët është ajo nostalgjia tjetër e pakuptueshme dhe zemërake, shenjë e pagabueshme e egzistencës të një gjendjeje tjetër, natyrisht të shkuar – nostalgjia e prodhuar nga një zakon i coptuar – thotë diku Balzaku. Një e zakonshme e dikurshme, e shëndrruar në zakon, që rikujton pa mëshirë se e sotmja nuk i përgjigjet premtimeve të të kaluarës. Pasqyrë e thyer në mijra copa që reflekton si kaleidoskop imazhin e deformuar të një ëndrre të vjetër që pavetëdija e rikthen si mirazh.
.
. Nostalgji e bardhë e mallit, nostalgji e zezë e kundërshtisë, dy faqe të ndryshme të të njejtës përmbajtje : dyzimi i qenies së torturuar, i ngërthyer mes të gjithëgjendurës skizofreni gri e jetës. Eliksir apo antidot ? thjesht çështje doze në kupën e kthyer me fund, që sipas rastit mund të jetë balsam i shpirtit ose helm i shprehjes. .
.
.
.
. Realiteti i mirazhit utopik.
.
.
. Shumëkush sot – rreth pas rrethi – është në gjendje të katalogojë krimet, mekatet dhe veset e ferrit komunist, të përshkruajë katastrofën totalitare dhe mangësitë që përjetuan brezat e pasluftës : mungesën e lirisë së fjalës, asgjësimin e hapësirës politike, atentatin ndaj pronës, shtypjen e ndërgjegjes individuale ose fetare, asgjësimin fizik të kundërshtarëve të rregjimit etj.. etj… Dikush tjetër thekson mediokritetin udhëheqës, shkretëtirën intelektuale, dëmet thuaj të pakthyeshme të " inxhinierisë sociale ", eskperimentet e dështuara ekonomike… Politikë, ideologji, ekonomi, social.. bile edhe art, kulturë, shkencë… Eshtë për t’u habitur si kjo rrjetë e dendur kritikash kap të gjitha " skoritë " e rregjimit ndërkohë që lejon të kalojë mes sythesh një nga elementët më kuptimplotë të egzistencës njerëzore, kushtet materiale të jetës së shqiptarit lambda. Të sejcilit, të të gjithëve – të shprehura në lekë të epokës, në orë pune.
.
. Ndoshta sot shumëkush ka harruar por asokohe objekti më banal, radioja, kushtonte 1.000 lekë, televizori shkonte nga 4.000 deri 4.500 lekë, frigoriferi me vetëm 45 litra hapësirë ftohëse kushtonte 4.000 lekë – ose 100 lekë për litër, ndërkohë që maqina larëse më e humbur që lante 5 kilogramë tesha kushtonte 2.500 lekë – pra, 500 lekë kilogrami i teshave të lara. Po qe se shprehim përpjekjen në orë pune të nevojshme për të siguruar këto elementë mirëqënieje, tablloja bëhet e thjesht e pabesueshme : një puntor i thjeshtë duhet të punonte 400 orë që të mund të dëgjonte muzikë, 1.800 orë (tetë muaj e gjysëm jetë) për të ndjekur emisionin e lajmeve në televizor, 1.600 orë për të ftohur frutat ose mishin dhe së fundi 1.000 orë që gruaja e tij të lante ato kilogramët e teshave në një mënyrë disi më moderne.
. Natyrisht, një kuadër shqiptar duhej të bënte një përpjekje më të vogël : vetëm pesë javë për radion " Iliria ", gjashtë muaj për televizorin e të njejtës marke, njëzet e një javë për frigoriferin dhe trembëdhjetë javë për maqinën larëse – me kusht që të mos vdiste ndërkohë, pasi llogaritja është bërë pa marë parasysh që ai ndërkohë duhet të hajë, të vishet, të shkojë në punë, të çojë fëmijët në shkollë etj. etj… Me fjalë të tjera, duke menduar që ai arrinte të vinte mënjanë një të dhjetën e rrogës së tij mujore, në një vend ku kredija për konsum ishte krejt e panjohur, shifrat e mësipërme duhet të shumëzohen me dhjetë – dy vjet kursime për të blerë atë radion e famshme , dhjetë për televizorin bardhë e zi.
. Ndoshta instiktivisht, ishte urtësia popullore që kish mundur të kapte përmasat e vërteta te dhimbjes, kur përdorte frazën " parà të mbledhura siç mbledh plaga qelbin ".
.
. Për të krijuar një ide mbi përpjekjet e një familjeje në fushën e ushqimit, mjafton të kqyren nga afër çmimet e shitjes me pakicë, të shprehura në orë pune. Kështu më 1980 për shembull, punëtorit tonë që gjithmonë ëndërronte atë televizorin hyjnor bardhë e zi i duhej të punonte 20 minuta për të blerë një vezë, 50 minuta për një litër qumësht, 1,2 orë për një kilogram domate të sezonit, 2 orë për të blerë bukën, 2,5 orë për një kilogram miell, 3,2 orë për një kilogram sheqer, gjysma e ditës së punës (4 orë) për një kilogram fasule, 6 orë për një litër vaj luledielli, një ditë e tërë për një kilogram mish, 14,5 orë për një kilogram gjalpë dhe së fundi 36 orë (katër ditë e gjysëm !) për një kilogram kafe. Në krahasim me puntorin tonë fatkeq por ama kurajoz, një kuadro i lartë si puna e inxhinierit me 20 vjet vjetërsi pune është me të vërtetë i privilegjuar pasi atij i duheshin vetëm 1,1 orë pune për të blerë një kilogram mollë në mes të dimrit dhe 1,4 orë pune për të blerë bukën. Po qe se kish ndërmend t’a lyente bukën me gjalpë, atij i duhej të bënte 10 orë suplementare dhe ama, sikur ky inxhinier të ishte nje terjaqi i kafesë, ai duhej të punonte pa ndërprerje 25 orë pune për një kilogram kafe dhe në fund 2,5 orë për sheqerin.
. Përpara këtyre shifrave asnjë argument siç ishte rasti i kostos së prodhimit nuk qëndronte më këmbë ndërkohë që qarjet e asokohe të rregjimit lidhur me humbjet e tij financiare për të sjellë kafe apo sheqer në treg ishin thjesht shprehje të një cinizmi të egër.
.
. Sidoqoftë, në qoftë se autarkia - kjo zgjedhje e vetëdijshme e natyrës politike e pushtetit komunist mund të shpjegojë mungesën e mishit apo të djathrave në dyqane, ajo është e paaftë t’i japë përgjigje një pyetjeje tjetër, krejtësisht të fshehur nga vështirësitë e realitetit të viteve tetëdhjetë : si shpjegohet që një familje punëtore mund të haste në vështirësi të tilla gjatë jetës së përditshme ? Si ka mundësi që antarët e saj nuk arrinin të ushqeheshin në mënyrë korrekte ose që nuk mund të siguronin një minimum mirëqënieje materiale ndërkohë që çdo i rritur i aftë për punë rropatej 48 orë në javë, me të vetmin " privilegj " të një ditë shtesë pushimi në muaj ?
. Të përfshirë në entusiazmin e rindërtimit të vendit të atyre viteve të para pas çlirimit, një pjesë e madhe e popullsisë nuk pati dëshirë të ngrejë pyetje të tilla pasi besonte në një të ardhme të ndyshme nga ajo që kish parë deri atëhere. Pjesa tjetër që kish më shumë përvojë, nuk guxoi të bënte pyetje të tilla pasi nuk dyshonte aspak në forcën goditëse të diktaturës. Me kalimin e viteve, prirjet po ktheheshin në një gjendje gjithnjë e më të qëndrueshme : rregjimi shpallte arritje pas arritjesh, ekonomia zhvillonte fusha të reja aktiviteti, shoqëria shënonte ndryshime strukturore të njëpasnjëshme ndërkohë që familja haste gjithmonë të njejtat vështirësi në jetën e saj të përditshme – strehim problematik, ushqim cilësisht i dobët, mjete financiare të pamjaftueshme. Dyzet vjet më vonë ishte tashmë tepër vonë : ata që bënë dhe fituan luftën, që kishin derdhur gjakun dhe djersën për atë rregjim, kishin filluar të largohen nga jeta aktive, me shijen e hidhur që jep zhgënjimi ; ata që lindën dhe u rritën nën atë rregjim nuk arrinin të shihnin se ku çonte rruga e zgjedhur. Sidoqoftë, asnjeri nuk i besonte më argumentat zyrtare lidhur me vështirësitë e rritjes, mbi trillet e klimës apo mbi gabimet e dikujt. I vetmi arsyetim që qëndronte ende më këmbë ishte ai rrethimit të famshëm imperialisto-revizionist, i ushtruar mbi vendin si pasojë e rrugës krejt të ndryshme të zgjedhur. Po përse duhej zgjedhur kjo rrugë krejt e ndryshme ? Shumë pak ishin ata që arrinin të kuptonin arsyen e kësaj zgjedhjeje e megjithatë, populli po flijohej për hir të saj.
.
. Ndërkohë, po qe se i besohej asaj çka thoshte PPSH, vendi kish arritur të ndërtojë bazën ekonomike të socializmit dhe kish hyrë në fazën vendimtare – atë të ndërtimit të shoqërisë së plotë socialiste. Edhe sa vjet ende do të duheshin për gëzuar frytet konkrete të kësaj shoqërie : bollëkun e të mirave materiale, zvogëlimin e kohës së punës në dobi të dëfrimit, lartësimin e nivelit kulturor dhe intelektual ? Sipas asaj çka ndodhte në treg, asnjeri nuk merrte më guximin të bënte parashikime…E realizuar nga ana e një sistemi shoqëror i cili vetëquhej më i drejti në botë dhe mbahet si e ardhmja e njerëzimit, kjo gjë meriton një përgjigje të vetme : bëhet fjalë për një shfrytëzim të turpshëm të njeriut nga një klasë njerëzish, në emër të një shoqërie të përmendur pikërisht për mungesën e kësaj klase dhe të shfrytëzimit të njeriut. Bëhet fjalë për një sistem që bashkon varfërinë materiale me zvetënimin intelektual, shpërbërjen morale me indoktrinimin ideologjik, mungesën e shprehjes së lirë vetjake me indiferentizmin qytetar kolektiv.
. Vetëm duke qëndruar në këtë përmasë njerëzore - dhe duke harruar për një çast të gjitha të tjerat - mjafton të thuhet pa asnjë dyzim, se kjo ngrehinë shoqërore që u pagëzua komunizëm është më e keqja që ka qenë imagjinuar dhe ngritur ndonjëherë.
.
. " Kur gënjeshtra shëndrrohet në të vërtetë, e vërteta vetë shëndrohet në mirazh. Kur hiçi bëhet realitet, edhe vetë realitet kumbiset në hiç ".
.
.
. Ironi, për të (mos) thënë nostalgji.
.
.
. Çdokush ka mënyrën e vet për t’u kthyer në kaluarën : nostalgji për të rijetuar atë ëndërr që ndoshta s’ka egzistuar kurrë ose ironi për të krijuar distancë nga ëndrra ndoshta gënjeshtare. Voluntarizmit të zgjedhjes i shtohet edhe rreziku i metodës dhe rezultati dallohet pikërisht nga doza : disa pika personalitet më pak ose më tepër dhe nostalgjia shëndrrohet në qurravitje sikundër ironia shket në cinizëm.Edhe pa vajtur deri në atë pikë sa të asimiloj ironinë me një estetikë të re " postmoderniste ", pa asnjë luhatje, preferenca personale shkon drejt të dytës. Ndoshta edhe për faktin se shkrimtarët e mij të përzgjedhur quhen rradhazi Joyce, Kafka, Proust apo Svevo. Troç muhabetit, jam i gatshëm të heq dorë edhe nga kujtimet më të ndjera të fëmijërisë – sikundër edhe nga ato më të thekurat e rinisë – për hir të idesë tashmë të rrënjosur në kokën time se e kaluara jonë e afërt – ajo që në bisedat e zakonshme quhet diktaturë - nuk e meriton aspak nostalgjinë. Vëmendje, sigurisht – si çdo e kaluar që furnizon elementë të kuptimit të të sotmes ; keqardhje, ndoshta – qoftë edhe për hir të fateve të njerëzve që e kanë përjetuar ; nostalgji, fare – dhe aq më pak lavdithurje. Ja përse ndihem ligsht kur dëgjoj biseda me thekse përmalluese, kur lexoj tekste që i thurin lavde të drejpërdrejta ose të ndërsjellta, sikundër ai i Monika Shoshori-Stafës.
.
. Si mund të mbllaçitet dhe më tej, të gëlltitet një shprehje lapidare e llojit : "Sa të lumtur ishim kur vuanim bashkë", që i vjen ndër mendje Stafës kur evokon një gjysëm shekulli jetë nën diktaturë. A mund t’i gjendet qoftë edhe një fije lumturie vuajtjes ? Bile edhe ajo ndajfolja bashkë që ajo përdor më sipër s’është gjë tjetër veçse mbështjellja e ëmbël që ndihmon për të kaluar poshtë pilulën farmak. Shumë-shumë, arrij t’a interpretoj si një përpjekje për të kolektivizuar mazokizmin e turmës. Pra, çdokush i lumtur pasi s’është i vetëm në vuajtje, i kënaqur pasi edhe i afërmi vuan sikundër ai vetë, në mos më tepër… Çka i zvogëlon kjo gjë vuajtjes personale ? fatkeqsisë familjare ? Të merremi vesh, është e vërtetë se në ato vite të vështira solidariteti mes antarëve të familjes, mes të njohurve apo mes shokëve, veçanërisht mes fqinjëve, lejonte të lehtësohej disi barra… më jep borxh një filxhan vaj sot se t’a kthej nesër kur të ble kilen me tallon, një filxhan sheqer të lutem sa të marr rrogën pas një jave… një grusht kripë o kojshi se do m’vijn fmija dhe m’duhet me ba dreken… Por edhe kolektivizmi masovik ka një kufi – ai i Kiços, i cili detyrohej t’i jepte përditë nga një fije shkrepse komshiut dhe që, një ditë të lume, i dha gjithë kutinë duke i thënë : " këtu ke tridhjetë fije, mirupafshim muaji që vjen ! ".
. E megjithatë, në se ka diçka racionale në logjikën e Stafës, ajo s’ka lidhje aspak me vetë nostalgjinë. Pseudonaiviteti i saj arrin sidoqoftë t’i verë gishtin plagës : pafuqia e e plotë dhe e frikshme e homo albanicus vulgaris përballë forcave të errta që administrojnë universin e tij të sotëm politik, ekonomik dhe social. Eshtë e njejta frikë që pushtonte pararendësin e tij Homo Sapiens primitivii, me çomagen e drunjtë në dorë, kur gjendej përballë gojës të llahtarshme të luanit, që në ato dekikat e tij të fundit, sillte ndër mendje me përmallim sigurinë që i jepte shpella e errët por mbrojtëse, ngrohtësinë njerëzore të tufës të kërleshur.. E thënë ndryshe – dhe në një gjuhë më parabolike, ndërgjegja e tij luhatet si dikur Uliksi mes Karibdit njëkokësh përpirës dhe Shilës jetërrëmbyese shumëkokëshe. Ja edhe llogaria e Stafës së mësipërme : më mirë të gjithë bashkë në barkun e Karibdit se sa veç e veç në gojën e Shilës.
.
. Mirë që dikur, na ra një mort dhe na fshiu, po më tej, përse na ndjekin katastrofat ?
. " Matematikisht – na siguronte dikur kapterri i zborit – është absolutisht e pamundur që predha të bjerë dy herë rresht në të njejtën gropë ". E megjithatë, edhe predhën e dytë e hëngrëm kokës megjithëse rrinim strukur në vrimën e vjetër, pasi siç duken bathët, topçiu ynë i sotëm Kaporal nuk ha pykë nga matematika.
.
. A ka mjet tjetër përveç ironisë për të përballuar të tilla gjendje metafizike ? Një pyetje e tërthortë, sado e mençur, nuk të shpëton nga përgjegjësia e gjetjes së përgjigjes. Pasi triumfi i ironisë mbi nostalgjinë, ironikisht, rrezikon të shëndrrohet në nostalgji të ironisë. Në të njejtën mënyrë sikundër brishtësia e ëndrës boshe të gjejë eko në boshllëkun e elegancës së fjalës.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur