"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, January 12, 2009

Shqipëria përballë luftës - Vdekja e paralajmëruar e Mbretërisë (1) .

.
.
. Ai kostum prej zotërie të madh huadhënës dhe partner besnik në tregëti me Shqipërinë që tregonte Italia fashiste e viteve tridhjetë, fshihte keq pancirin e hekurt me të cilën e kish veshur Duçja i saj i madh. E hyrë me vonesë në klubin e mbyllur të Fuqive të mëdha, Italia u sul me rrëmbim në aventurën e saj afrikane, pas një përgatitje të gjatë dhe të kujdesshme : në tetor të vitit 1935, ajo sulmoi Abisininë dhe vetëm tre muaj më vonë ajo mund të mburrej me sprovën e saj të suksesshme. Më tej, në vitin 1937, njësitë e saja të zgjedhura ushtarake u angazhuan në Spanjë, në krah të gjeneralit Franko që po hiqte keq përballë vullnetarëve republikanë. E vënë në një garë të vërtetë me Gjermaninë në atë klimën tepër të veçantë që mbretëronte në Evropë gjatë atyre viteve, vështrimi i saj u zgjat krejt natyrshëm drejt Shqipërisë fqinje, fati i të cilës dukej se ishte vulosur prej kohësh.
.
. Aneksimi i Austrisë prej Gjermanisë naziste në mars të vitit 1938 dhe pushtimi i parashikueshëm i Çekosllovakisë e detyruan Italinë fashiste që t’i jepte gaz maqinës : tepër e nxituar, qeveria italjane e Musolinit ngarkoi Ministrin e Punëve të jashtme, kontin Çiano, të studionte personalisht çështjen e ndërhyrjes në Shqipëri. Duke përmendur perspektivat e shkëlqyera që do të hapeshin me rastin e gëlltitjes të Shqipërisë, raporti i këtij të fundit nënvizonte mundësinë e aneksionit të tërësisë së Shqipërisë në formën e një " bashkimi personal " të dy mbretërive si edhe detyrën e sigurimit të neutralitetit të fqinjëve ballkanikë si Greqia dhe Jugosllavia – nëpërmjet rregullimit të kufijve. Sidoqoftë, këto alternativa ishin të kushtëzuara nga një varg masash të ndërhyrjes në shkallë të gjerë në Shqipëri si dhe nga përgatitja e një kryengritjeje antizogiste, të kombinuar me asgjësimin fizik të sovranit. Ky kapitull i fundit do të shërbente si pretekst për një ndërhyrje ushtarake italjane në emër të " mbrojtjes së rendit ".
.
. Gjesti i parë i italjanëve ishte të bënin pazar me qeverinë jugosllave të Stojadinoviçit, në janar të vitit 1938. Gjatë bashkëbisedimeve nuk u gjet asnjë vështirësi për të nënvizuar karakterin krejtësisht italo-jugosllav të çështjes shqiptare, bile përpara se sa dy palët t’i shtroheshin punës për të afruar pikpamjet respektive. Edhe sikur të çfaqeshin divergjenca, ato kishin të bënin vetëm me mënyrën se si do të ndahej trupi i viktimës. Pasi nëshkroi një Pakt miqësie në Beograd në mars të vitit 1938, Çiano u takua rishtas me Kryeministrin jugosllav në Venecia, në 18 qershor të po këtij viti. Kësaj rradhe, qëllimi i afishuar ishte përforcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërkohë që shqetësimi i vërtetë ishte gjetja e një marrëveshjeje në rastin e aneksimit italjan të Shqipërisë. Dhe kjo marrëveshje u gjet shumë shpejt : Jugosllavia ishte e gatshme t’a pranonte aneksimin po qe se Italia gjente te udhës një ndryshim të kufirit verior, për të mos thënë një coptim të territorit shqiptar. Mirëkuptimi ishte kaq i madh saqë në shtator, Ministri jugosllav i Punëve të Jashtme njoftoi homologun e vet shqiptar që vendit të tij i dilte për detyrë të pushtonte territoret veriore të fqinjit të vet, në rast se italjanët do të zbarkonin në Shqipëri. .
. . Ose kjo marrëveshje ishte kurdisur prapa shpinës së Regjentit Pal të Jugosllavisë, ose ky i fundit ndjeu rrezikun e një afrimi të tepërt me Italinë ; sidoqoftë, kjo gjë i kushtoi shtrenjtë Stojadinoviçit, i cili humbi kolltukun e tij të Kryeministrit. Megjithatë, përpara se të ndodhte kjo gjë, këshilltarët e tij të asaj kohe, mes të cilëve shkëlqente Ivo Andriç – shkrimtari i famshëm i pasluftës dhe Nobelisti i ardhshëm i letërsisë – me kërkesën e vetë Kryeministrit, përpunuan një raport mbi Shqipërinë, linjat kryesore të të cilit reflektojnë politikën tradicionale të Mbretërisë jugosllave ndaj fqinjit të saj dhe që përmblidhet në linjat e mëposhtme :
. 1. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, egzistenca e Shtetit shqiptar përbënte një pengesë për zhvillimin e Mbretërisë jugosllave dhe falë një ndarjeje të territorit të saj me Italinë, linja kufitare mund të shkurtohej me afro 300 kilometra ;
. 2. Vetëm zhdukja e Shqipërisë mund t’i jepte zgjidhje problemit të irredentizmit shqiptar që vepronte në krahinat jugore – lexo : Kosovë ; me fjalë të tjera, me zhdukjen e atij poli tërheqjeje që përbënte vendi fqinjë, pakica shqiptare e Kosovës mund të asimilohej fare lehtësisht ;
. 3. E parë në perspektivën e një ndarjeje, kufijtë maksimalistë duhej të ndiqnin luginën e lumit Shkumbin, sipas një linje që kalonte nga Struga në Librazhd dhe nga Elbasani në Durrës, ndërkohë që ato minimaliste duhej të ndiqnin luginat e lumenjve Mat dhe Drini i Zi, pa harruar krahinat përreth liqenit të Ohrit dhe të Prespës. Kjo gjë do të siguronte pavarësinë strategjike të rajonit të Kosovës dhe të Malit të Zi sikundër edhe ndërmarrjen e një numur projektesh të përmasave të mëdha (vënia në plan të parë e lidhjeve të dretpërdrejta mes rajoneve të Vardarit dhe bregdetit adriatik, rivlerësimi i fushës përreth liqenit të Shkodrës për të siguruar pavarësinë ushqimore të Malit të Zi, shfrytëzimi i burimeve hidroenergjetike të Drinit si dhe të pasurive minerare të Veriut shqiptar – shënimi 1).
. Çianos ju desh të shkonte rishtas në Beograd, më 18 janar të vitit 1939, për të rregulluar disa detaje si dhe për t’u bindur përfundimisht për qëndrimin e parashikuar të Jugosllavëve. Para së gjithash, konti ekstravagant ndjeu llahtarinë e Jugosllavëve përballë fantazmës gjermane që peshonte mbi Evropën qëndrore.
.
. Përfundimisht, Musolini gjykoi që kish ardhur koha për të vënë në lëvizje dispozitivin ushtarak. Sidoqoftë, hapat e fundit u ndërmorrën nga diplomacia italjann. Gjatë bashkëbisedimeve italo-britanike të zhvilluara në Romë nga 11 deri në 14 janar 1939, Kryeministri britanik Çamberlen dhe Sekretari i Forin Ofisit, lordi Halifaks, mundën t’u transmetojnë të zotërve të shtëpisë bindjen se asnjë reaksion nuk do të vinte nga ana e Britanisë së Madhe.
. Nëse Musolini gjykoi se Britania e Madhe nuk do t’i nxirrte pengesa projektit të tij të pushtimit, ai kishte të gjitha arsyet t’i druhej aleatit të tij kryesor Gjermanisë naziste. Në fakt, qarqet diplomatike gjermane diskutonin idenë që të hapnin bisedime me autoritetet e Tiranës përsa i përket shfrytëzimit të naftës shqiptare. Projekti parashikonte transportimin e naftës bruto në Gjermani dhe njëkohësisht, ndërtimin e tre rafinerive në vend, me pjesëmarrjen e kapitaleve gjermane dhe nën mbrojtjen e trupave të Vermahtit. U desh një ndërhyrje energjike e kontit Çiano gjatë bashkëbisedimeve të tij të 11 shkurtit 1939 me ambasadorin gjerman në Romë, Hans Georg von Mackensen, që Gjermanët më në fund të braktisnin çdo projekt ndërhyrjeje në Shqipëri, e parë me të drejtë si një zonë influence natyrore e Italisë.
.
. Në mesin e marsit, situata ndërkombëtare u bë veçanërisht e favorshme për zbatimin e projektit italjan të pushtimit. Më 15 mars, trupat hitleriane pushtonin Çekosllovakinë pa ngjallur asnjë reaksion nga fuqitë perëndimore. Pas asaj date të trishtuar të 15 marsit 1939 që shënon hyrjen e trupave naziste në Pragë si dhe të episodit të 23 marsit, gjatë të cilit Gjermanët pushtuan qytetin e Memelit, që i përkiste Lituanisë që nga koha e Traktatit të Versajës, një pështjellim i madh u çfaq në kryeqytetet perëndimore pasi çdo gjë linte të mendohej se e para në listë tashmë ishte Polonia. Përballë spektrit të luftës që po profilohej në Evropë, pushtimi italjan i Shqipërisë kaloi pa rënë pothuaj fare në sy dhe u trajtua nga shtypi i kontinentit të vjetër si një ngjarje e zakonshme. Përveç deklaratës së Sekretarit të Shtetit amerikan Kordell Hull i cili e dënoi pushtimin që më 8 prill, kanceleritë evropiane – Londra dhe Parisi – një javë më vonë pra më 13 prill, u nxituan para së gjithash të siguronin aleatët e tyre të rajonit – Greqinë dhe Rumaninë - për mbështetjen e tyre. Përsa i përket Gjermanisë naziste, pasi u informua me kujdes përpara se sa te fillonte agresioni, ajo dha pëlqimin e saj të plotë.
. Në 5 prill, Rauf Fico, i ngarkuari me punë shqiptar në Berlin, kërkoi të takohet me zyrtarë të lartë të Ministrisë të Jashtme dhe shtroi pyetjen se cila do të ishte reaksioni gjerman përballë një pushtimi të mundshëm të vendit të tij nga Italia. Përgjigja që ai mori ishte pa asnjë mëdyzje : ai mësoi se Rajhu i Tretë nuk kish interesa të veçanta në Adriatik (shënimi 2).
. Nga ana e saj, Roma zbatonte planin e saj me metodë : më 23 mars, ajo koncentroi një dispozitiv ushtarak mbresëlënës në brigjet e Puljes ndërkohë që flota e saj afrohej drejt brigjeve shqiptare. Ministri i saj fuqiplotë në Shqipëri, gjenerali Françesko Jakomoni di San Sarino, mori urdhërin të përgatiste një kryengritje të malësorëve kundër Zogut ; njëkohësisht, shërbimet e fshehta italjane mobilizonin mërgatën politike shqiptare en Evropë. Më 25 mars të vitit 1939, Duçja i dërgoi një ultimatum Mbretit Zog ku i kërkonte hapjen e të gjitha portave ndërhyrjes masive italjane.
.
. Përballë opinionit të përgjithshëm të ministrave të tij që këshillonin kapitullimin, Zogu dërgoi adjudantin e tij personal gjeneral Zef Sereqin në Romë për t’u marrë vesh me italjanët lidhur me një zgjidhje që ruante nderin e Mbretit. Ai deklaronte se ishte gati t’i pranonte kërkesat italjane po qe se këta të fundit hiqnin dorë nga një ndërhyrje e armatosur. Duçja u përgjegj me një ultimatum të ri, më 5 prill, ku ai i urdhëronte autoritetet shqiptare të pranonin vendosjen e dy divizioneve italjane në territorin e tyre. Ky ultimatum i dytë u hodh poshtë fillimisht nga Parlamenti dhe më pas nga Mbreti vetë, ndërkohë që një valë protestash popullore, manifestime në mbështetje të Mbretit dhe veçanërisht një varg thirrjesh për rezistencë të armatosur u ngritën në të gjithë vendin. Duke ndjerë fundin e afërt, Mbreti fatkeq shumëfishoi thirrjet ndaj bashkësisë ndërkombëtare : në 5 prill ai kërkonte ndihmën e demokracive evropiane dhe në 6 prill, ai tërhiqte vëmendjen e vendeve ballkanike por pa mundur të marrë as edhe hijen e një përgjigjeje apo reagimi. Gjithmonë në 6 prill, në një deklaratë përpara Dhomës së Komuneve, Çamberleni këmbënguli se " qeveria britanike nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, përveç atij interesi të përgjithshëm për të ruajtur paqen në botë ".
.
. Akti i fundit i trimërisë së Zogut ishte kundërshtimi i tij për t’u përgjigjur një telegrami të Duçes, me të cilin ky i fundit e njoftonte për skadimin e ultimatumit italjan, në darkën e 6 prillit. Duke u nisur nga ky casus belli, në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat e Musolinit zbarkuan në Shqipëri " dy divizjone këmbësorie, katër regjimente bersaljerësh – shënjuesit e elitës, një regjiment granatierësh, dy bataljone të këmishëzes, tre bataljone të motorizuara tanksesh dhe një grup qerresh të koracuara, dy grupe artilerie të kalibrit të mesëm si edhe një një flotë detare prej dy koracatash dhe shtatë kryqëzorësh përveç torpilorëvet, etj. dhe së fundi një flotë ajrore – mbi pesëdhjetë gjuajtësa dhe bombardues - gjithësejt afro 40.000 ushtarë nën komandën e gjeneral Alfredo Guzzonit ". Duke shtypur një rezistencë sporadike të disa njësive mbretërore të mbështetura nga disa dhjetra apo qindra vullnetarë veçanërisht në Durrës, por edhe në Vlorë, Shëngjin ose Sarandë, trupat italjane mundën të hynin përfundimisht në kryeqytet.
.
. Në ato dy ditët që pasuan, familja mbretërore – sovrani, e shoqja e tij e re hungareze Gjeraldina Aponyi dhe djali i tij i porsalindur Leka - të shoqëruar nga Oborri, nga një pjesë e madhe e qeverisë si dhe nga trupi i deputetëve – pra një turmë prej 2.000 personash, kapërcenin kufirin grek. Me sa duket, Mbreti kish harruar deklaratat e tij të mëparshme, sipas të cilave " ai ishte gati të vishte opingat dhe të merrte malet për të luftuar pushtuesin ". Ky ndalim në Greqi do të ishte etapa e parë e një mërgimi përfundimtar dhe pa kthim prapa të familjes mbretërore. Shtegëtimi do t’a çonte me rradhë në Turqi, në Rumani, në Poloni, në vendet Balte, në Suedi dhe deri në Norvegji, për të zbritur më tej në Francë, në gusht të vitit 1939 - etapa e parafundit e mërgimit të madh që do të mbyllet në Britaninë e Madhe ku Zogu do të kërkojë edhe azil.
.
.
. -------------------------------------------
.
.
. 1) Shih mbi këtë çështje : Rexhep QOSJA - The Albanian National Question in the Serb Political Programs during 1937-1944. në : International Journal of Albanian Studies (IJAS), vol 1, issue 1, fall 1997, N Y.
.
. 2) Për të krijuar një ide më të plotë mbi Evropën e asaj kohe, shih mes të tjerash : William L. SHIRER – Le Troisième Reich – des origines à la chute, T.1, Stock, 1965.

2 comments:

Bato Bujku said...

Ka diçka interesante në togfjalëshin tuaj:

"...vështrimi i saj u zgjat krejt natyrshëm drejt Shqipërisë fqinje..."

Mua më duket se kjo nuk është aspak e natyrshme. P.sh., sa e natyrshme do i tingëllonte një frëngu i njëjti togfjalësh por me objekt Francën?

Kjo nuk i heq aspa vlerën serisë së artikujve. Urime!

xixa said...

Krejt i natyrshëm o Bato, ai" vështrimi i saj që zgjatej drejt Shqipërisë fqinje" pasi nuk duhet harruar se Italia kish zbarkuar në territoret shqiptare pêrballë detit në fundvitin e 1914 dhe forcat e saj qëndruan në Vlorë dhe rrethinat deri në vitin 1920 - dhe kishin për të qëndruar ende po qe se Selamët e e të tjerë vlonjatë nuk do t'i kishin hedhur në det. Mos harro se qeveria e Duces e vitit 1939vinte si vijim i qeverive italjane të mëparshme. Ja edhe ajo natyrshmëri që i shtyu pêrsêri të marin detin..

 
Përjetësisht të Panjohur