"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, January 15, 2009

Shqipëria përballë luftës - Rezistenca komuniste (4)

.
. Megjithë aspektin e vet të parashikueshëm, rënia e rregjimit të Zogut ishte aq e menjëhershme dhe aq e plotë saqë çdo orvatje për rezistencë aktive gjatë muajve të parë pas pushtimit fashist italjan u mbyt që në vezë. Në fillim veproi efekti i përmasës, i ndjekur nga ai i arsyes : jo vetëm që forcat mbretërore, të reduktuara në më pak se 6.000 ushtarakë të armatosur si mos më keq, nuk ngrinin kandar përpara armatës fashiste por edhe të luftoje dhe të jepje jetën për një çështje të vdekur e të pambuluar nuk bënte pjesë në etikën e ushtrisë apo edhe të Monarkisë.
. Zaten, vetëm sindroma e " vdekjes para kohe " është e mjaftueshme për të shpjeguar rrëmujën që karakterizoi aksionin e forcave mbretërore gjatë pushtimit. Kjo rrëmujë ishte kaq mirë e organizuar sa që, në momentin që bersaljerët e parë shkelnin tokën shqiptare, të gjithë oficerët e lartë të Mbretërisë dhe të tjerë kreshnikë trokisnin në portën jugosllave për të kërkuar azil. Të pavendosurit e mbetur në vend si edhe një pjesë e klasës politike kombëtare vrapuan pas pushtuesit, duke ndjekur shembullin e një Xhaferr Ypi – një nga miqtë më të vjetër dhe më të besuar të Naltmadhënisë së Tij, gjesti i parë i të cilit ishte të përshëndeste Italjanët, ata " çlirimtarë " që mundën të shpëtonin Shqipërinë nga një " skllavëri e rëndë e vendosur nga gjakatari Zog ".
.
. Me largimin e valës së parë të arrestimeve dhe të internimeve, vendi njohu një periudhë stabiliteti, për të mos thënë begatie. Kantieret e mëdha që synonin ngritjen e infrastrukturës rrugore apo detare, objektet e ndryshme administrative si edhe punimet në fushën minerare synonin jo vetëm të mbanin gjallë shpirtin e njerëzve por edhe t’i largonin sadopak nga çdo formë kundërshtimi pasi ato ndihmonin gjerësisht në përmirësimin e nivelit të jetesës. Fluks kapitalesh, ndërmarrjesh, parash të freskëta dhe së fundi, të ngënë e të pirë për gjithë dynjanë : këto ishin argumentat më të mprehta të propagandës fashiste, për të cilën, nënshtrimi i ekonomisë shqiptare ndaj nevojave të perandorisë neo-romake kalonte në mënyrë të pashmangshme nëpërmjet " spagetizimit " të jetës politike dhe shoqërore të kolonisë.
.
. Në mes të kësaj euforie, asnjeri ose pothuaj asnjeri nuk mundi të vërente kthimin gradual të të ikurve të djeshëm, të vendosur ngultas në Jugosllavi apo edhe në Turqi. Ndërkohë, urdhërat e shtabit shëtitës të Mbretit si edhe ari mbretëror kishin mundur të zgjonin rrjetat klanike legaliste. Të detyruar të braktisnin rishtas vendin fqinjë për shkak të pushtimit gjerman dhe të shtyrë nga oficerët anglezë që mbeteshin gjithmonë aktivë, të riatdhesuarit mbrritën në malet e tyre të lindjes dhe menjëherë provuan terrenin.
. Që në muajin prill të vitit 1940, disa elementa britanikë të instaluar në Jugosllavi, që i përkisnin shërbimeve të Zbulimit Ushtarak MI(R) dhe Shërbimeve Sekrete (SIS) – Seksioni D (Destruction), u munduan të organizonin një kryengritje të armatosur kundër italjanëve në Shqipëri. Kontaktet e tyre të para ishin vëllezërit Gani dhe Seid Kryeziu në Kosovë dhe nëpërmjet tyre, ata u lidhën me monarkistin Abaz Kupi në Stamboll si edhe me komunistin Mustafa Gjinishi. Projekti u shty për shkak të fillimit të luftës italo-greke dhe më pas nga zhvillimet politike në Jugosllavi. Vetëm në prag të sulmit nazist mbi Beogradin, në 6 prill 1941, një grup prej 300 personash të komanduar nga Oukli Hill – një këshilltar i vjetër i xhandërmarisë së Mbretit Zog – simuloi një pseudo pushtim të Shqipërisë dhe pësoi me këtë rast një disfatë të plotë, për shkak të reaksionit të menjëhershëm të Italjanëve (shënimi 1).
. Përfundimisht njerëzit e Zogut zgjodhën rrugën e arsyes. Ata u shkrinë në masë duke pritur ditë më të mira. Si pasojë, një pjesë jo e vogël e territorit kombëtar ndërmjet Pogradecit dhe Dibrës, Mirditës dhe Lezhës ose mes Krujës dhe Matit – pa harruar aspak malsitë e Tiranës dhe Librazhdit, rigjeti simpatitë e vjetra monarqike dhe automatizmat luftarakë, duke rivendosur në këtë mënyrë bazat e çdo kundërshtimi të mëtejshëm të natyrës legjitime. .
.
. Fushata katastrofike ushtarake kundër Greqisë në vjeshtën e vitit 1940 i dha fund mitit të pathyeshmërisë të ushtrisë italjane, i përgatitur me aq kujdes nga maqina e propagandës së Duçes. Kjo gjë mjaftoi që pakënaqsia popullore të zgjohej dhe që reflekset e vjetra antiitaljane të saj të dalin në sipërfaqe. Ishte rasti i shumëpritur nga disa nacionalistë me ndikim në popull, oficerë të vjetër të ushtrisë apo të xhandarmërisë mbretërore, si puna e Abaz Kupit në malësitë e Krujës dhe Myslym Pezës në Shqipërinë e Mesme, e fetarit bektashi Mustafa Xhani në Martanesh apo edhe e Haxhi Lleshit në Dibër, të cilët krijuan grupet e tyre të armatosura dhe ranë në ndeshjet e para me ushtrinë italjane.
.
. Në një plan krejt tjetër, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë vuri në kontakt komunistët e ardhur nga Shqipëria me kuadrot e partisë Komuniste të Josip Brozit, alias Tito që e njihnin këtë provincë prej kohësh. Në këto fillime të viteve dyzet, një nga udhëheqësit komunistë të Kosmetit (të Kosovo-Metohisë sipas Serbëve), malazezi Miladin Popoviç lidhi fijet e para me grupin e Shkodrës me qëllim riorganizimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri (shënimi 2). Arrestimi i rastësishëm i Popoviçit nga Italjanët në Mitrovicë dhe burgosja e tij në një kamp përqëndrimi diku afër Peqinit, në Shqipërinë e Mesme, rrezikuan rëndë projektin. Falë një aksioni të planifikuar të guerriljeve shqiptare, Popoviçi u nxorr nga kampi dhe vetëm kështu ai mundi të rimerrte rolin e tij të ndërmjetësit mes përfaqsuesve të grupeve komuniste shqiptare. Ja përse ai u gjend në atë mbledhjen klandestine të Tiranës, atë 8 nëntor të vitit 1941, që ka hyrë në histori si dita e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare.
. Kjo mbledhje, shkrimet mbi të cilën do të mbushin me mijra faqe dhe do të kërkojnë tonelata të tëra me bojë, bashkoi Enver Hoxhën dhe militantë të tjerë komunistë, gjithsej pesëmbëdhjetë vetë në atë shtëpi përdhese tiranase. Ajo që ka intriguar vazhdimisht ishte fakti se mes pesëmbëdhjetë vetësh, dy ishin jugosllavë – Popoviçi dhe i porsaardhuri Dushan Mugosha që sillte mandatin zyrtar të përfaqsuesit të PKJ. Delegatët përfaqsonin tre grupe komuniste të vendit pasi ai " i Zjarrit " nuk pranoi idenë e bashkimit dhe nuk u thirr të merrte pjesë. Të detyruar nga ky principialitet komunist, udhëheqësit e tij Andrea Zisi et Zai Fundo zgjodhën përfundimisht kampin e nacionalistëve. Kjo gjë ishte më se e mjaftueshme që ata të quheshin rrenegatë dhe si pasojë, të përndiqeshin dhe të eliminoheshin fizikisht gjatë luftës deri tek njeriu i fundit.
.
. Eshtë vendi të thuhet se çështja e pranisë jugosllave në Mbledhjen e themelimit të Tiranës është administruar me shumë kujdes nga ana e udhëheqësve shqiptarë. Përtej disa pëshpëritjeve të rastit dhe kujtimeve të pjesëmarrësve që nuk u botuan kurrë – qoftë edhe për faktin që spastrimet e vazhdueshme në rradhët e PKSH pakësuan ndjeshëm numrin e pjesëmarrësve – ky fakt u kalua në heshtje pothuaj të plotë. Të gjitha botimet e njëpasnjëshme si për shembull shumë zyrtarja Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë, Tiranë, 1974, e shmangnin me shumë shkathtësi dhe kujtoheshin vetëm për atë pjesmarrje të rastit të internacionalistit malazez Miladin Popoviç. Por, përballë këmbënguljes jugosllave – duke përfshirë edhe veprën e Dedijerit të botuar në Beograd që prej vitit 1949 si dhe vepra të tjera të mëvonshme, Enver Hoxhës ju desh të dilte prej heshtjes dhe, vetëm në fillim të viteve 1980, ai botoi librin e tij " Titistët ". Me këtë rast ai dha variantin e tij të ngjarjeve, qoftë edhe për të hedhur poshtë tezën e jugosllavëve sipas të cilës PKSH ishte një krijim i tyre. Përtej varianteve të personalizuara të pjesëmarrësve apo të të tjerëve që kanë dashur të hedhin vështrimin mbi këtë çështje, i vetmi fakt që i reziston kohës përmblidhet si më poshtë : gjatë mbledhjes themeluese të PKSH të 8 nëntorit të vitit 1941, mes 15 pjesëmarrësve dy ishin jugosllavë.
.
. Në muajt e parë pas krijimit të saj, Partia Komuniste e Enver Hoxhës (shënimi 3) përfaqësonte një forcë numerike të papërfillshme në planin politik dhe aq më tepër në planin ushtarak. Mjafton të thuhet se ajo kishte gjithsej dyqind antarë, njëmbëdhjetë nga të cilët bënin pjesë në Komitetit të saj Qëndror. Megjithatë, kjo gjë nuk e pengoi aspak PKSH të bëjë një bilanc të saktë të situatës politike të vendit si edhe të perspektivës së saj :
.
. - Fillimisht, ajo vërejti shumë qartë gjendjen e mediokritetit dhe të foshnjërisë politike në të cilën ish katandisur klasa politike shqiptare e asaj periudhe, e porsadalë nga rregjimi i Zogut. Asnjë organizatë politike nuk egzistonte para ardhjes së Italjanëve dhe asnjë tjetër nuk ish krijuar gjatë dy vjet e gjysëm pushtimi. I vetmi përjashtim që vërtetonte rregullin vinte nga Partia Fashiste Shqiptare, e drejtuar nga avokati antizogist dhe fashisti i mirënjohur Tefik Mborja. Krijimi i kësaj kopjeje të zbehtë të Partisë Fashiste Italjane u bë me bujë në 11 prill 1939, vetëm katër ditë më pas pushtimit italjan.
.
. - Në vazhdim, PKSH kuptoi që prirja e saj e parë dhe ndoshta e vetme ishte lufta e armatosur kundër pushtuesit, nëpërmjet një konsensusi të gjerë popullor. A vinte kjo gjë thjesht si një rekomandim i Jugosllavëve apo ishte fjala për një kthim në traditën popullore : mjafton të themi që përdorimi i armëve është pjesë e pandarë e realitetit ballkanik ku njeriu i armatosur ka bërë gjithmonë ligjin – dhe rrallëherë ai ka mundur t’i shpëtojë tundimit.
.
. - Së fundi, ajo pati frymëzimin politik që të mbrrinte në përfundimin se në një vend thellësisht agrar si rasti i Shqipërisë, një Parti Komuniste nuk duhet në asnjë mënyrë të harrojë fshatarësinë që ëndërron të ketë të drejta mbi tokën. Kështu, në programin e saj minimum, megjithëse shqetësimi i parë ishte natyrisht lufta e armatosur dhe çlirimi i vendit, çështja agrare – e parë si një rishpërndarje e drejtë e tokave – qëndron në qendër të çdo reforme të ardhshme demokratike. Sidoqoftë, është mjaft interesante të shënohet se në këtë program mungonin referencat e drejtpërdrejta ndaj marksizmit apo leninizmit (shënimi 4) : a vinte kjo si pasojë e një kujdesi " të urtë " nga ana e PKSH për të mos rënë ndesh me ndjenjat popullore apo thjesht, një njohje sipërfaqsore e teorisë, apo që të dyja njëherësh ? Kqyrja e viteve të luftës dhe e atyre të pasluftës tregon që përvehtësimi i zanatit do të vijë shkallë shkallë, sipas shkallës së afërisë së partisë me pushtetin dhe sipas nivelit së njohjes dhe përvehtësimit të vështirësive të ushtrimit të këtij pushteti.
.
. Duke vepruar me shpejtësi në planin praktik, PKSH shpërndau antarët e saj në të gjithë vendin me detyrën e parë të organizonin luftën e armatosur kundër Italjanëve dhe të hetonin terrenin lidhur me mundësinë e bashkimit të të gjitha rrymave dhe tendencave politike në një front të vetëm. Shumë shpejt, fillimet e para të një guerrilje qytetëse u çfaqën në një seri qendrash e banuara të vendit dhe, falë entuziazmit dhe vetëmohimit të këtyre komunistëve të rinj – në pjesën më të madhe nxënës apo punëtorë, çeshtja e tyre fitoi simpatinë e rinisë dhe të mjaft nacionalistëve lokalë. Antarë të tjerë të partisë ju bashkëngjitën atyre pak grupeve të armatosura që vepronin në disa zona të vendit dhe shkallë-shkallë kjo lëvizje e armatosur e vetvetishme u vu nën kontrollin e tyre. Të mos harrojmë se në planin kombëtar lëvizja e armatosur ishte ende në fillimet e saj : ajo kufizohej në shpërndarjen e trakteve apo ngjitjen e afisheve, në disa atentate të natyrës terroriste ose edhe në disa sulme të rralla ndaj depove të armatimit dhe qendrave të milicisë fashiste. Lëvizjes komuniste i duhej të pësonte edhe goditjet e vazhdueshme të propagandës së dendur të qeverisë lokale që e akuzonte si shkatërrimtare të atdheut, të traditave popullore ose se fundi si agjente të Sllavëve, një seri argumentash këto që gjenin një jehonë të veçantë mes shtresave fshatare.
.
. Pasi kishin dhënë tashmë provat e para të vendosmërisë së tyre për të luftuar pushtuesin, komunistëve ju duhej të ngadhënjenin në një provë tjetër : të tregonin se ishin të aftë që të organizonin një popull të tërë. Pas konsultimeve të gjata dhe të ethshme mes rrymave politike të vendit, me iniciativën e PKSH dhe me pjesëmarrjen e saj të drejtpërdrejtë, në 16 shtator 1942 u mblodh në Pezë, nja 25 kilometra larg Tiranës, forumi i parë popullor antifashist. Konferenca e Pezës vendosi krijimin e Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare (LANÇ), një strukturë politiko-ushtarake që duhej " të bashkonte të gjithë Shqiptarët, pa dallim feje, krahine apo idesh politike " për të luftuar pushtuesit dhe të ndihmonte në krijimin e një " Shqipërie të lirë, të pandashme dhe demokratike ", forma e të cilës do të përcaktohej pas lufte me anë të zgjedhjeve të lira. Lëvizja ngarkohej gjithashtu me organizimin dhe strukturimin e rezistencës së armatosur, shprehja më e lartë e të cilës do të ishte Ushtria Nacional-Çlirimtare (UNÇ) që gruponte kështu të gjitha formacionet e vogla egzistuese. Konferenca zgjodhi gjithashtu Këshillin e Përgjithshëm Antifashist Nacional – Çlirimtar (KANÇ), pjesa më e madhe e antarëve të të cilit përfaqësonin rrymat nacionaliste ose ishin personalitete të mjedisit nacionalist, të ardhur nga horizonte politike të ndryshme dhe larg komunizmit. Eshtë rasti i Ndoc Çobës apo i Skënder Muços, përfaqësues të elitës qytetare antizogiste ; i Myslym Pezës dhe i Haxhi Lleshit, oficerë të vjetër të mbretit dhe luftëtarë aktivë kundër fashizmit ; i legalistit të bindur Abaz Kupi, i përmendur për pjesëmarrjen e tij në përpjekjen e parë me forcat e pushtimit italjan ; i bektashiut Mustafa Xhani – alias Baba Faja që përfaqsonte elitën fetare, pa harruar së fundi edhe përfaqsuesit minoritarë të PKSH siç ishte rasti i Enver Hoxhës, i Koço Tashkos apo edhe i Mustafa Gjinishit. Megjithatë, në appelin e fundit mungonte një seri emrash të tjerë të shquar të nacionalizmit shqiptar, të cilët kishin refuzuar kërkesën për të marrë pjesë në Konferencë.
.
. Për një parti ilegale si puna e PKSH, Lëvizja Antifashiste Nacional - Çlirimtare përbënte njëherësh vitrinën e saj politike dhe instrumentin embrionar të pushtetit. Në këtë kuptim, pavarësisht emërtimit, ai paraqitet me plot të drejtë si një Front Antifashist, qoftë në planin e bashkimit popullor – me krijimin e KANÇ – qoftë me programin ose platformën e tij – ku ideja e frontit shprehet edhe në tekstin përfundimtar – qoftë së fundi me bazën e tij organizative - krijimin e Këshillave Nacional-Çlirimtare, si organe të bashkimit dhe të mobilizimit të popullit. Në zonat e ashtuquajtura " të lira " këshillat nacional-çlirimtare duhej të merrnin përsipër funksionet e pushtetit ekzekutiv lokal : sigurimin e rendit publik, organizimin e aktivitetit ekonomik dhe bujqësor, furnizimin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
.
. Gjatë muajit dhjetor të vitit 1942, Kominterni dërgoi direktivat e tij nëpërmjet kanalit jugosllav të partisë së Titos. Sipas tyre, PKSH duhej të realizonte sa më parë " organizimin dhe zhvillimin e luftës të çlirimit kombëtar të popullit shqiptar kundër pushtuesit fashist ; krijimin e Frontit Nacional – Çlirimtar me të gjitha forcat patriotike, nacionaliste dhe antifashiste, duke evituar parrullat që tejkalojnë kuadrin e çlirimit kombëtar ; përfshirjen në shtabin e luftës partizane, përveç komunistëve, të një numri sa më të madh të patriotëve dhe të nacionalistëve të ndershëm ". Këto direktiva të vonuara vinin si me porosi për të shtuar kënaqësinë e Enverit dhe shokëve të tij të ngushtë. Përveç njohjes së pamohueshme nga ana e Kominternit, që vuloste njëherë e mirë pavarësinë e partisë së tij në lidhje me çdo lëvizje tjetër komuniste, ai zbulonte me këtë rast edhe provën " e patundur " të drejtësisë të linjës së tij të përgjithshme dhe të zgjedhjes së përshtatshme strategjike. Ky kontakt i parë me Kominternin do të ishte njëkohësisht i fundit pasi Internacionalja Komuniste u shpërnda me 15 maj të vitit 1943.
.
. Nga dëshmitarët e asokohe – si edhe përmes dokumentat partiake të të interesuarve – mësojmë se në prill të vitit 1942, Komiteti Qëndror i PKSH dërgoi Mugoshën tek të vetët për të raportuar lidhur me gjendjen në Shqipëri si dhe për të vendosur lidhje me Kominternin nëpërmjet PKJ. Ai u kthye pas disa muajsh mungese, në prag të vitit të ri 1943, dhe solli pikërisht atë letër të Titos të shkruar në shtator ku bëhej fjalë për Frontin Popullor. Ndërkohë, ai shoqërohej nga një jugosllav tjetër Bllago Jovanoviç që ishte sekretari i PKJ për Malin e Zi. Pasi u lexuan udhëzimet e Titos, u morr vesh që përsa i përket Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar, PKSH kish vepruar më shpejt se sa vetë PKJ që kish mundur të mbledhë Këshillin e saj Antifashist Nacional-Çlirimtar (AVNOJ) në Bihaç, më 26 nëntor të vitit 1942 pra, dy muaj e gjysëm më vonë. Një arritje mjaft e shënuar për një parti të sapokrijuar dhe sipas opinionit të sotëm, " satelite e Jugosllavëve " që nga dita e lindjes ! Sipas këtij këndi vështrimi, ose shokët jugosllavë të deleguar pranë PKSH ishin më të zotë se sa vetë Tito në çështjet e organizimit ose, mjedisi antifashist shiptar qe i prirur për rezistencë të armatosur dhe i aftë të organizohej me mjetet e veta.
.
.
. ----------------------------------------
.
.
. 1) Mbi detajet e kësaj çështjeje, shih : Reginald HIBBERT – Fitorja e Hidhur, Lufta nacional çlirimtare e Shqipërisë, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1993.
.
. 2) Sipas një prej dëshmitarëve të kohës, Sadik Premtaj, Grupi i Shkodrës dhe i " të Rinjve " ndërmorrën një iniciativë të përbashkët për të kërkuar ndihmën e Popoviçit pas refuzimit që Grupi i Korçës i dërgoi thirrjes së tyre për bashkim. Ishin po këto grupe komuniste që thirrën Popoviçin në Tiranë më 1941. Shih : Sadik PREMTAJ - Stalinism and Communism in Albania, Cahiers Léon Trotsky, 1997, nr 60 (November), Bibliothèque de Documentation internationale Contemporaine (Nanterre). Nga ana tjetër, Dedijer paraqet një version të ndryshëm të ngjarjeve : kontaktet e para të Popoviçit me komunistët shqiptarë u vendosën gjatë vitit 1940. Pas një vizite pune në vendin fqinjë gjatë këtij viti, ai u kthye në Jugosllavi dhe mori pjesë në Konferencën e Vtë Kombëtare të PK jugosllave (tetor 1940) ku ai raportoi mbi gjendjen në Shqipëri. Kontakte të reja u rivendosën gjatë vitit 1941 dhe, pas arrestimit të Popoviçit, qe Mugosha ai që i zuri vendin në shtator të vitit 1941. Shih : Vladimir DEDIJER - Il Sangue Traditto - Relazioni Jugoslavo-Albanesi 1938-1949, Official records, letters an reminiscences, Editoriale Periodici Italiani, Varese, 1949.
.
. 3) Në këtë rast, termi Partia Komuniste e Enver Hoxhës merr thjesht vlerë përgjithësuese pasi, sipas kujtimeve të pjesëmarrësve, ditën e krijimit të saj PKSH pranoi principin e një drejtimi kolegjial, pa dashur të përcakojë Sekretarin e saj të Përgjithshëm. Ndërkohë, gjithmonë sipas pjesëmarrësve, Enver Hoxha u ftua vetëm në minutat e fundit dhe kandidatura e tij u pranua para së gjithash për cilësitë e tij intelektuale dhe jo për militantizmin në rradhët e Grupi të Korçës.
.
. 4) Siç ishte zakoni, duke filluar nga vitet dyzetë të shekullit të kaluar, ato pak burime që shërbejnë për të përvijuar historinë e Shqipërisë vijnë nga arkivat e Shtetit Komunist të Enver Hoxhës, të pastruara, të përzgjedhura dhe të renditura sipas qejfit. Të tjera të dhëna vinë qoftë nga një numur shumë i ngushtë botimesh të dëshmitarëve të kohës të strehuar në Perëndim qoftë nga botimet e kujtimeve të atyre që mbijetuan rregjimin komunist dhe që u vunë të shkruajnë gati pesëdhjetë vjet më pas.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur