"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Monday, January 12, 2009

Shqipëria përballë luftës - ofensiva fashiste në Ballkan (2).

.
.
. Ndërkohë që Zogu ikanak kërkonte strehë dhe azil nëpër Evropë, vendi i tij i mbetur jetim vazhdonte shkrirjen e pamënjanueshme me fqinjin e tij fashist. Që me largimin e Sovranit, në 12 prill 1939, një e ashtuquajtur Asamble Kushtetuese e mbledhur në Tiranë shfuqizonte dinastinë dhe Kushtetutën mbretërore dhe votonte bashkimin e Mbretërive, duke i ofruar kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit të IIItë. Me këtë rast asambleistët sollën në fuqi një qeveri fashiste, të udhëhequr nga Shefqet Vërlaci, ndërkohë që italjanët absorbonin të gjithë aktivitetin diplomatik dhe ushtarak.
.
. Paralelisht, italjanët inauguronin kantierin e madh të integrimit. Në 3 qershor, ata shpallën " Statutin themelor të Mbretërisë " i cili i delegonte mbretit Viktor Emanuel i IIItë të gjitha pushtetet legjislative dhe ekzekutive. Në mënyrë efektive, këto pushtete i ishin transferuar ambasadorit të vjetër italjan në Tiranë, me këtë rast i shpallur nën-mbret, i cili ndihmohej nga një " Këshill Korporativ fashist " në vend. Ushtria e vjetër mbretërore shqiptare u shkri brenda ushtrisë italjane ndërkohë që administrata ndërmorri një reformë të nështetësisë, duke dekretuar barazinë e të drejtave qytatare dhe politike mes shtetasve të të dy mbretërive të bashkuara. Kjo reformë kishte për qëllim pervehtësimin e vendasve dhe në mënyrë të veçantë vendosjen e kolonëve të rinj, këtij guri themeltar të programit ekonomik kolonial italjan në Shqipëri. Bile edhe flamuri kombëtar shqiptar pësoi ndryshimet e rastit : shqiponja dykrerëshe u rrethua nga shufrat dhe sopatat e liktorit.
.
. Përpjekja e përvehtësimit nuk kaloi pa u vënë re dhe u ndesh me opozitën e vetvetishme të popullsisë së qyteteve. Pakënaqsia popullore shpërtheu më 28 nëntor 1939, ditën e festës kombëare, me anën e një vargu manifestimesh me karakter antiitaljan në Korçë, në Vlorë, në Tiranë apo në Shkodër. Në qendër të shprehjes popullore të kësaj kohe u vunë liceistët dhe një pjese e trupit mësimor por njëkohësisht edhe një pjesë e intelektualëve, kundërshtarë të vjetër të Zogut që kishin refuzuar të bashkëpunonin me autoritetet pushtuese. Ata pak komunistë të vendit mbetën larg këtij procesi instiktiv ; të përçarë dhe te izoluar, ata nuk kishin asnjë ndikim mbi popullatën.
.
. Lufta rrufe e gjermanëve dhe fitoret e lehta të Vermahtit në Poloni, dhe më tej në Evropën perëndimore – Danimarkë, Vendet e Ulta, Belgjikë, Norvegji dhe së fundi në Francë, përbënin një burim frymëzimi për Musolinin, i cili kishte përcaktuar ndërkohë objektivin e tij të ardhshëm – Greqinë, duke përdorur si bazë sulmi territorin shqiptar. Për një tip metodik si Duçja, fillimisht duhej të studioheshin shanset dhe si zakonisht, njeriu i tij i besuar, njëkohësisht dhëndrri i tij dhe diplomati kryesor i Mbretërisë, u ngarkua të përgatiste terrenin.
.
. Plani i përgatitur nga Çiano ishte një vepër klasike në llojin e vet. Duke nënvizuar nevojën e shtimit të numrit të trupave ushtarake në vend, ai këmbëngulte mbi krijimin e një lëvizjeje irredentiste – brenda mundësive, nga ana tjetër e kufirit – që të kërkonte me forcë kthimin e Çamërisë në gjirin e Shqipërisë mëmë. Së fundi, duke ndjekur shembullin gjerman, ai parashikonte provokimin e incidenteve kufitare që do të furnizonin pretekstin e fundit. Në qershor të vitit 1940, propaganda italjane u kap pas vrasjes së një farë Daut Hoxha nga Çamëria, që kish ndodhur pranë kufirit greko-shqiptar. I paraqitur si një nga udhëheqësit e rezistencës çame kundër pushtetit të Athinës, shtypi shqiptar dhe ai italjan zbuluan vuajtjet e popullatës çame ndërkohë që Musolini ju kërkonte zyrtarisht grekëve që t’i kthenin Çamërinë dhe Korfuzin.
. Atmosfera u rëndua edhe më tepër pas torpilimit dhe mbytjes së një kryqëzori grek nga ana e një nëndetseje italjane në brendësi të ujrave territoriale helene, në 15 gusht. Megjithë paralajmërimin zyrtar të Gjermanëve për të ruajtur ekuilibrin ballkanik, Duçja i prekur nga hyrja e trupave gjermane në Rumani , në 12 tetor, i dha urdhër ushtrisë së tij të hidhej në sulm. Çdokush nµë Romë ishte i bindur se Greqia ishte gati të shembej nga pesha e ushtrisë italjane që numëronte " tetë milionë bajoneta ". .
. . Në 28 tetor 1940, tetë divizione italjane të përbëra nga 140.000 ushtarakë filluan sulmin në një front prej 200 kilometrash dhe Musolini pati kënaqësinë t’i jepte lajmin e mirë Hitlerit gjatë takimit të tyre të Firences. Sidoqoftë, shpresat e një fitoreje të shpejtë u avulluan shumë shpejt pasi trupat greke, megjithë dobësinë e tyre numerike, arritën që të ndalin ofensivën italjane në grykat e Pindit. Më tej, në 14 nëntor dhe për çudinë e të gjithëve, ushtria greke e mareshallit Papagos kaloi në kundërsulm dhe i shtyu italjanët në brendësi të territorit shqiptar. Grekët morën Korçën në 22 nëntor dhe Gjirokastrën në 8 dhjetor dhe si herët e tjera, ata ngritën flamurin e tyre për t’ju kujtuar banorëve bashkimin e këtyre rajoneve me mbretërinë helene. Ky balet i çudishëm që po luhej mes italjanëve dhe grekëve nuk mund të linte indiferent të interesuarin kryesor – popullsinë lokale, ndjenjat e të cilës ishin mjaft të shpërndara. Sidoqë të vinte puna, shovinizmi grek ishte shprehur me gojën e komandantit të përgjithshëm të trupave helene : asnjë shqiptar etnik nuk kishte vend në rradhët greke për të luftuar kundër italjanëve. Për popullsinë shqiptare kjo gjë përbënte një arsye më tepër për të ndenjur jashtë këtij konflikti që asnjëherë nuk i ka interesuar, përveç faktit që ai luhej brenda territorit të tij. Dimri i ashpër i vitit 1940 – 1941 frenoi përparimin e ushtrisë greke dhe trupat italjane mundën të stabilizonin një vijë fronti që kalonte nga Tepelena në Gramsh, deri në lartësitë e Mokrës. Pasi fshiu grumbullin e gjeneralëve disfatistë, Musolini shpalli mobilizimin e përgjithshëm dhe dërgoi në front trupa të freskëta, numri i të cilave arriti deri në 300.000 ushtarakë. E megjithatë, ushtria italjane bënte hapa në vend në llogoret e mbuluara nga dëbora, pa mundur të avanconte deri në pranverën e vitit 1941.
.
. Në fillim të muajit prill 1941, gjatë një Blitzkrieg-u të vërtetë, trupat gjermane dhe aleatët e tyre italjanë, hungarezë dhe bullgarë dërrmuan brenda disa ditësh Jugosllavinë që kapitulloi në 17 prill. Më tej, i erdhi rradha Greqisë, e cila kapitulloi në 26 prill. Ushtria greke në Shqipëri humbi lidhjen me shtabin e saj të përgjithshëm si dhe me bazat e saj të pasme në Epir dhe ju desh të ndërmerrte një tërheqje të mundimshme. Të lëshuara në ndjekje të saj, divizionet italjane u vendosën në Çamëri dhe në rajone të tjera të Epirit.
.
. Marrëveshjet italo-gjermane, të dala nga mbledhja e 21 prillit, e mbajtur në Vjenë mes ministrave të Punëve të Jashtme, parashikonin krijimin e një " Shqipërie të Madhe " që duhej të përfshinte pjesën më të madhe të teritoreve të Kosovës si dhe rajonin e Çamërisë në Greqi. Përveç pjesës më të madhe të territorit të Kosovës, me Prishtinën si kryeqendër, Italia i bashkoi zotërimeve të saja shqiptare edhe një rrip territori në veriperëndim të Maqedonisë, bashkë me qytetin e Dibrës, si edhe disa territore malazeze rreth liqenit të Shkodrës si edhe bregdetin ngjitur, duke përfshirë edhe qytetet e Ulqinit dhe të Tivarit. Pjesa veriore e Kosovës, me qytetet e Mitrovicës, Vuçiternit dhe minierat e Trepçës, mbeti nën kontrollin e ushtrisë gjermane – për pakënaqsinë më të madhe të italjanëve, ndërkohë që pjesa lindore e krahinës së Kosovës – me Kaçanikun, kaloi nën pushtimin bullgar, sikundër edhe pjesa më e madhe e Maqedonisë. Përsa i përket Greqisë, italjanët reklamonin rajonet e Janinës, të Thesprotisë dhe të Prevezës, duke caktuar njëkohësisht edhe një përfaqsues të lartë për Çamërinë në personin e Xhemil Dinos – një ministër i vjetër i Punëve të Jashtme i Zogut. Sidoqoftë, ata s’mundën asnjëherë të realizonin bashkimin e Çamërisë me " Shqipërinë e Madhe ", për shkak të kundërshtimit të prerë gjerman. Një muaj më vonë nënëshkrimit të kësaj marrëveshjeje, trupat italjane merrnin nën kontroll Kosovën, duke realizuar bashkimin e shumëndërruar të krahinës me Shqipërinë. Kështu, Shqipëria dyfishonte sipërfaqen si dhe popullsinë e saj ndërkohë që administrata civile e varur nga qeveria e Tiranës vendosej në krahinat e sipërpërmendura.
. Më në fund, ëndrra aq e dëshiruar prej kushedisa breza patriotësh shqiptarë ishtë bërë realitet ; përfundimisht, Shqipëria e Madhe kish parë dritën e diellit veçse, si për ironi të fatit kjo Shqipëri ishte nën çizmen italjane. Popullsia shqiptare e Kosovës u bë viktimë e nacionalizmit të saj dhe pre e një propagande italjane – dhe gjermane, e cila e quante këtë bashkim si një ringjallje kombëtare, e fituar falë fuqive të Boshtit. Në të vërtetë, sipas dekreteve mbretërore të tetorit 1941 dhe të shkurtit 1942, të gjithë banorët e zonës italjane të Kosovës bëheshin qytetarë të Shqipërisë, me fjalë të tjera qytetarë italjanë, ndërkohë që administrata civile hapte 173 shkolla të reja në gjuhën shqipe gjithandej në krahinë (shënimi 1). Autoritetet gjermane të Mitrovicës ngarkuan shqiptarët vendas të drejtonin administratën civile dhe këta të fundit u nxituan të hapnin nja dyzet shkolla të tjera. Drejtuesi i mirënjohur i administratës kosovare, Xhafer Deva, për kënaqësinë e tij të plotë mundi të rivendosë strukturat tradicionale si Këshillat e Pleqve, të cilat u ngarkuan të zgjidhnin grindjet dhe të pajtonin gjakrat sipas normave të Shariasë dhe të Kanunit të Lekës.
.
. Fillimi i vitit 1941, vit i cili do të mbyllej me krijimin e Partisë Komuniste shqiptare, solli një ngjarje mjaft të pakëndshme që i rikujtoi italjanëve atë çka vlonte në shpirtin e një populli të tërë, kurrëherë i nënshtruar. Në 17 maj 1941, gjatë vizitës së parë të Mbretit të Italisë dhe të Shqipërisë Viktor Emanuel i IIItë, një i ri qëlloi pesë here mbi monarkun qe po largohej nga kryeqyteti. Ndërkohë që Mbreti xhuxh shpëtonte për qime dhe që Kryeministri Vërlaci plagosej lehtë, autori i këtij atentati – i pagëzuar maqedonas apo dhe serb nga historianët e asaj kohe, hynte në histori si përfaqsuesi anonim i revoltës së vetvetishme.
.
.
. -----------------------------------
.
.
. 1) Historianët serbë këmbëngulin mbi faktin që pushtimi italjan dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë – më mirë duhet thënë me Italinë, pasi Shqipëria vetë s’ish gjë tjetër veç një territor i pushtuar përtej Adriatikut nga Mbretëria e Italisë – ka qenë i shoqëruar me mbrritjen e një vale kolonësh shqiptarë në krahinë, në dëm të popullsisë me origjinë serbe që u detyrua t’u lëshonte vendin (100.000 kolonë të vjetër serbë në ikje dhe 10.000 të vrarë në vend). Jo fort të saktë përsa i përket numrit të të ardhurve, ata flasin për 80.000 deri në 100.000 shqiptarë të ardhur rishtas. Vetëm të mendohet që këto shifra korrespondojnë me 10% të popullatës të vendit fqinjë qe paskish marrë rrugët e mërgimit për t’u ngulur në tokat mikpritëse të Kosovës, kjo gjë mjafton për të diskretituar pohime të tilla fantaziste. Mbi këtë çështje, shih : Dušan T. BATAKOVIĆ– Kosovo Chronicles. Ed Plato, Beograd 1992.

7 comments:

ARTI NE KOHERAT E KOLERES said...

"...Ky balet i çudishëm që po luhej mes italjanëve dhe grekëve nuk mund të linte indiferent të interesuarin kryesor – popullsinë lokale, ndjenjat e të cilës ishin mjaft të shpërndara..."

ky informacion ka shume boshlleqe . shpresoj se eshte bere nga padituria. trupave italiane qe sulmuan greqine, u ishin bashkangjitur edhe nje pjese e mire e ish gardes se zogut, e cila kishte kaluar nen komanden italiane. per kete ekzistojne mjaft burime historike, fotografike dhe kinematografike. aty i ka rrenjet edhe ligji i luftes me greqine. gardistet shqiptare, forcat e armatosura shqiptare, nen komanden italiane, ishin nje hallke e mekanizmit fashist qe sulmoi greqine, pse ke frike, apo harron ta thuash kete?!

eshte e lehte te flasesh per shovinizmin grek, por nuk duhet te analizojme me pare shovinizmin shqiptar?

xixa said...

Toni,
përpara se të nxjerrësh përfundime - që ngutja shpesh i shëndrron në gabime - mundohu të lexosh me qetësi ato rradhët e mësipërme:
"...Ky balet i çudishëm që po luhej mes italjanëve dhe grekëve nuk mund të linte indiferent të interesuarin kryesor – popullsinë lokale, ndjenjat e të cilës ishin mjaft të shpërndara..."
pra bëhet fjalë për popullsinë e zonave të Korçës, të Gjirokastrës dhe Përmetit, të cilat asokohe nuk u marrosën aspak nga gëzimi kur panë ushtrinë e Papagosit të ngrinte flamurin grek në qytetet e tyre.
Sa për njësitë ushtarake shqiptare të inkorporuara në ushtrinë agresore italjane (bëhet fjalë për bataljonin Tomorri - mes të tjerësh)që morën pjesë në "aventurën greke", ende nuk ju ka ardhur rradha, pasi këtu nuk jemi duke kqyrur aktivitetin e qeverisë Merlika por vetëm aktivitetin e ushtrisë italjane të pushtimit në hapësirën ballkanike. Mos ki aspak merak; ky cikël shkrimesh (m'a merr mendja një dyzenë) do të përmbledhë gjithë hapësirën ndërshqiptare - bile edhe më tej, deri në përfundimin e luftës së dytë.
Elementi i fundit që më duhet të çel debat është lidhur me atë "Ligjin e luftës", për fat të keq ende në fuqi në Greqi. Luftën ndaj Greqisë e çeli Mbretëria e Italisë në 28 tetor 1940, dhe jo shteti sovran shqiptar. Sa për kujtesë, ky shtet nuk egzistonte më që prej prillit 1939. Nuk kundërshtoj aspak se në gjirin e ushtrisë italjane morën pjesë disa njësi ushtarake shqiptare - bile edhe me rroba kombëtare. Por ato ishin pjesë përbërëse e ushtrisë fashiste. Nuk më duket aspak logjike - bile as edhe serioze - që një shtet i pushtuar si Shqipëria të bëhet përgjegjëse për agresionin italjan ndaj Greqisë, për të vetmen arsye sepse ky agresion e pati zanafillën nga territori fqinjë. Në mos gaboj, Greqia u sulmua dhe u pushtua prej Gjermanisë naziste në 6 prill 1941 dhe një pjesë e forcave të kësaj të fundit vinte nga territori bullgar. Bile edhe forcat e armatosura bullgare morën pjesë në këtë pushtim. A di të më thuash, egziston sot e kësaj dite një "Ligj i luftës" mes Greqisë dhe Bullgarisë? a ka egzistuar ndonjëherë?
Tjetër shembull, forca greke - natyrisht të rekrutuara prej Gjermanëve, me bekimin e qeverisë kuislinge të Jorgos Collakoglu - shkuan në frontin rus dhe u ndeshën me Ushtrinë e Kuqe të Stalinit. A do të dukej logjike, si qytetar grek që je, që qeveria ruse të vendoste një "Ligj lufte" me Greqinë e Karamanlisit apo të Simitis?

ARTI NE KOHERAT E KOLERES said...

gjergj

shkrimin tend e lexova me kujdes, teper i qete dhe pa u ngutur. disa mendime te tuat, apo ngjyrime meditative (qe fatkeqesisht jane karakteristike ne historiografine shqiptare) jane ato qe me ngacmuan dhe do ti percaktoja si kontradiktore, por edhe irrituese. perpjekja per te vendosur ne te njejtin rrafsh luften pushtuese dhe grabitqare te italise fashiste, dhe ate clirimtare te popullit grek, eshte te pakten mjerane.

sa per ligjin e luftes, shqiperia pas ikjes (shitjes) se zogut, nuk u shperbe. jerarkia politiko-ekonomike shqiptare vazhdoi te ekzistoje dhe te kryeje sherbimet e saj per padronin e ri viktor emanuelin i III-te. trupat ushtarake shqiptare po keshtu. ky i fundit u shpall -ashtu sikurse e pranon edhe ti- edhe mbret i shqiperise. duke vezhguar influencen, si dhe rolin qe luajti italia ne formimin dhe konsolidimin e shtetit te ri shiptar (qysh prej krijimit te tij), por edhe interesat strategjike qe permbushte ky rol, mund te themi se ndryshimi i fronit mbreteror s'perbente asgje te re. ne thelb ishte e njejta gje.

kur iu shpall lufta greqise, ultimatumi erdhi nga italia dhe shqiperia fashiste (shtete qe gezonin statusin e bashkimit ne nje mbreteri). per grekun trupat okupuse qe i zune deren dhe qe duhet te shporrte nga atdheu i tij ishin ato italiane, por edhe ato shqiptare.

kishte pra cdo lloj te drejte legjitime te mbrohej dhe te sulmonte perbindeshin fashist deri ne strofkullen e vet.


te lexoj tek perdor per realitetin shqiptar fraza te tilla si:

"... ëndrra aq e dëshiruar prej kushedisa breza patriotësh shqiptarë ishtë bërë realitet ; përfundimisht, Shqipëria e Madhe kish parë dritën e diellit...

...kërkonte me forcë kthimin e Çamërisë në gjirin e Shqipërisë mëmë..."

kurse per ate grek shkruan:

"...shovinizmi grek ishte shprehur me gojën e komandantit të përgjithshëm të trupave helene ..."

nese fenomenin e luftes nen flamujt e idealeve etnike dhe kombetariste do ta cilesonim si shovinizem, atehere ky perkufizim duhej te ishte i njejte per te gjitha palet. jo disa i perkedhelim si "patriote" dhe te tjere si "shoviniste".

per ta mbyllur po te citoj fjalet e Winston Churchill, i cili i frymezuar nga qendresa e ushtrise greke perballe kampit fashist ka thene:

" fjala heroizem, kam frike se nuk percjell aspak veprimtarine vetmohuese te grekeve, e cilat ishte faktor vendimtar per ecurine fitimtare te perpjekjes se perbashket te kombeve, pergjate luftes se dyte boterore, per liri dhe personalitet njerezor. nese nuk do te ishte burreria e grekeve dhe guximi i tyre, rrjedha e luftes do te ishte e papercaktuar. deri tani perdornim shpehjen "greket luftojne si heronj". qe ketej e tutje do te themi: "heronjte luftojne si greket".


pershendetje!

xixa said...

Toni,

Të falemnderoj për komentin, megjithëse jam fort i bindur se edhe një herë më shumë, mendimet tona për këtë çështje divergjojnë, bile fort tepër. Por, qoftë edhe për hir të të vërtetës, qoftë edhe për hatër të atyre lexuesve që ndoshta do t’i lexojnë këto komente, nuk mund t’a braktis këtë debat në pikën ku e e ke lënë.
Le t’i marim pra gjërat sipas rradhës :
1. Nuk e di se në ç’mënyrë arrin të kqyrësh në shkrimin tim atë ngjyrim që ti e quan « vendosje ne te njejtin rrafsh të luftes pushtuese dhe grabitqare te italise fashiste, dhe ate clirimtare te popullit grek ». Fillimisht, të sugjeroj t’u ruhesh amalgamave vulgarizuese. Si puna e atyre që venë ballë përballë « popullin grek » dhe « shqiptarët » ose « ushtrinë greke » dhe « kampin fashist ». Jo për gjë, por ata që të lexojnë krijojnë përshtypjen se « populli heroik grek » u sulmua nga një turmë fashistësh barbarë – mes të cilëve « shqiptarët », të cilët bënin pjesë në « kampin fashist » dhe falë asaj « ushtrie heronjsh » ky popull shkoi dhe u përlesh me « përbindëshin fashist » në stofkën e këtij të fundit – si puna e Heraklesit që zbret në ferr për të mundur Cerberin. Përtej kësaj mitologjie lavdithurëse, është e udhës të theksojmë se deri në momentin e sulmit grabitqar dhe pushtues të Italisë fashiste – dhe të jap plotësisht të drejtë pêr cilësimin – Greqia qeveriset nga Metaksai, një diktator fashistizues, mik i madh i Gjermanisë naziste. Ajo lufta çlirimtare e grekëve, sikundër dhe e quan, është vepër e ushtrisë mbretërore që përtej heroizmit dhe vetëmbrojtjes e çuan atë në territorin e Shqipërisë fqinje ku ishin dislokuar divizionet italjane. Karakteri çlirimtar i saj përfundon nga momenti kur kjo ushtri shtyhet përtej kufirit të saj shtetëror – dhe depërton të territorin e fqinjit dhe për logjikën time ajo quhet tashmë me tjetër emër, sidoqoftë jo më çlirimtare. Veçse në se ti konsideron me të njejtin cilësor – çlirimtar – edhe aneksimin e Vorio Epirit pasi, jo rastësisht, sulmi grek u ndal në lartësitë e Mokrës, të Gramshit, të Këlcyrës dhe të Himarës dhe u kurorëzua me ngritjen e flamurit grek në qytetet shqiptare. Në këtë moment, është e vërtetë, mendimet tona ndahen kategorikisht, pasi nuk mund të pranoj aspak që Korça dhe Gjirokastra – apo Përmeti dhe Këlcyra - . ajo çka grekët quajnë Vorio Epir t’i përkasin Greqisë. Pra edhe prindërit e mij që janë nga Korça , sikundër dhe unë vetë, të jemi automatikisht grekë etnikë – pasi kemi shansin e madh të jemi ortodoksë. Herë herë, më duket sikur dëgjoj të ndjerin Kryeministër Cuderos, i cili edhe pse në mërgimin e zi, s’mund të rrinte pa folur për « njerëzit gjysëm të egër të Shqipërisë, keta adeptë të pandarë të Italisë fashiste », para se të përmendte dhe të rikujtonte pretendimet teritoriale të vendit të tij mbi Epirin e Veriut.
2. Ti insiston në idenë tënde se Shqipëria e pas Zogut nuk u shpërbë por u integrua nga Mbretëria fashiste dhe si e tillë, ajo ka të njejtën përgjegjësi dhe faj sikundër edhe Italia e Duçes për sulmin ndaj Greqisë. Në ndihmë të kësaj ideje ti sjell mendimin se « Shteti shqiptar » u bashkua me shtetin italjan ndërkohë që ushtria shqiptare – garda e Zogut – u integrua në ushtrinë fashiste. Përse nuk thua më mirë se Shqipëria nuk u pushtua aspak nga Italia në atë ditën e zezë të 7 prillit por u bashkua me të me gëzim dhe hare, duke ëndërruar shijen e makaronave me salcë domateje ! po të citoj : « . jerarkia politiko-ekonomike shqiptare vazhdoi te ekzistoje dhe te kryeje sherbimet e saj per padronin e ri viktor emanuelin i III-te. trupat ushtarake shqiptare po keshtu. ky i fundit u shpall -ashtu sikurse e pranon edhe ti- edhe mbret i shqiperise. duke vezhguar influencen, si dhe rolin qe luajti italia ne formimin dhe konsolidimin e shtetit te ri shqiptar (qysh prej krijimit te tij), por edhe interesat strategjike qe permbushte ky rol, mund te themi se ndryshimi i fronit mbreteror s'perbente asgje te re. ne thelb ishte e njejta gje ». Ja pra, kjo është edhe pika e dytë ku mendimet tona divergjojnë rrënjësisht. Problemi është se fatkeqësitë në Ballkan shpesh ngjajnë me njera tjetrën. Dy vjet më vonë asaj ngjarjeje fatkeqe, i erdhi rradha Greqisë të pushtohej nga miku i saj i djeshëm Gjermania naziste. Dhe po të ndjekim të njejtën logjikë, i bie se edhe ajo « jerarkia politiko-ekonomike greke vazhdoi te ekzistoje dhe te kryeje shërbimet e saj per padronin e ri Hitler ». Paçka se i mjeri Jorgo II iku nga sytë këmbët sikundër dhe Zogu diku në Angli… A nuk ishin Collakoglutë dhe Logothetopoulos apo Rallis pjesë e asaj jerarkie politiko-ekonomike tê paraluftës ? që ndoqën çifutët me po aq tërbim sa edhe vetë nazistët, që masakruan partizanët grekë me të njejtin entusiazëm sa edhe Wermahti etj.. etj..
3. Problemi i « ligjit të luftës » që ka mbetur me Shqipërinë e tejkalon së tepërmi atë « pjesëmarrjen » e mjerë të atyre disa qindra shqiptarëve « gardistë të Zogut » në rradhët e qindra mijrave italjanë të Duçes, shqiptarë të cilët me që ra fjala dezertuan në masë që në ditët e para të sulmit italjan. Natyrisht, ai lidhet me atë kockën e mbetur në grykë të Vorio Epirit » ende të paçliruar, por njëkohësisht edhe të faktit që Konferenca e Paqes e Parisit të vitit 1946 nuk pranoi të vinte Shqipërinë në rradhët e agresorëve fashistë italjanë dhe nazistë gjermanë – sipas propozimit aq interesant grek.
4. Sa për atë shprehjen aq frymëzuese të Curçillit, jam plotësisht dakord me ty. Por nuk e di nëse bëhet fjalë për të njejtin Curçill që pas kapitullimit të Gjermanisë naziste – pra pas mbarimit të luftës së dytë, nuk mëtoi të dërgonte ushtarët e tij heroikë si edhe avionët e tij të famshëm, për të dërrmuar partizanët grekë të EAM-it që meqë ra fjala, u pritën, u mjekuan dhe u shtrehuan pikërisht nga ata Shqiptarë agresorë ndërkohë që ishin duke u masakruar nga të tjerë grekë « heroikë » të Zervës. Pa e shtyrë më tej muhabetin për ata çamët fatkeqë, lidhur me të cilët edhe pa e çelur muhabetin, e di paraprakisht mendimin dhe vlerësimin tënd.
5. Së fundi, përpara se të japësh notën finale ndaj « shovinizmit » tim antigrek, ja vlen të presësh edhe pak dhe të lexosh ato që do të vinë më vonë në këtë seri skenash të dhimbshme të Luftës së Dytë.

ARTI NE KOHERAT E KOLERES said...

ndonese mendoj se argumentat tona pak a shume jane thene, dhe kundershtite tona jane po ashtu te qarta, dua te sqaroj ty-tre pika.

thua:

"...Ajo lufta çlirimtare e grekëve, sikundër dhe e quan, është vepër e ushtrisë mbretërore që përtej heroizmit dhe vetëmbrojtjes e çuan atë në territorin e Shqipërisë fqinje ku ishin dislokuar divizionet italjane. Karakteri çlirimtar i saj përfundon nga momenti kur kjo ushtri shtyhet përtej kufirit të saj shtetëror – dhe depërton të territorin e fqinjit ..."

eposi grek i 1940, dhe lufta ne trojet e epirit verior, shumepak te perbashketa kane me perkufizimin tend te mesiperm. vazhdoj te theksoj termin "lufte clirimtare e popullit grek" duke te sugjeruar se eshte teresisht abuziv perkufizimi yt mbi "ushtri mbretërore greke. pasi ne rradhet e kesaj ushtrie , menjehere pas ultimatumit fashist, u mobilizua cdo mashkull qe kish mbushur moshen e pjekurise. nuk ishte nje ushtri mbreterore, por nje shperthim i mirefillte i revoltes popullore.

sa per "depërtimin në territorin e fqinjit", ishte ky fqinj qe kish shkelur me pare kete pakt fqinjesie, dhe nen tutelen e nje fqinji akoma me "te madh" kishin perdhosur vatren e tjetrit.

dhe se fundmi, ekzistenca e "ligjit te luftes" eshte nje term qe e ndesh vetem ne mediat dhe llafolloget virtualiste shqiptare. ne greqi rroj mbi 17 vjet dhe nuk kam degjuar kurre te permendet si fakt. per ate se sa ka kontribuar shteti grek ne konsolidimin e shtetin shqiptar, mjafton te permendesh ekzistencen e 800.000 (afer 1/3 e banoreve shqiperise) shqiptareve te ardhur ne greqi pas viteve 1990. eshte ky kontigjent njerezish faktori numer nje i stabilitetit ekonomiko-politik shqiptar dhe shpresoj qe ne nje te ardhme ti si historian do te mund t'a trajtosh si teme me vete.

uroj te jesh mire dhe sa me shume dashuri! thone se kjo e fundit do te shpetoje boten ...

Anonymous said...

Wonderful blog! I found it while browsing on Υahoо Neωs.
Do you hаve any suggеstіons on hοw to gеt lіѕted in Yahoo
Νews? I've been trying for a while but I never seem to get there! Many thanks

Also visit my weblog: backlink checker

Anonymous said...

Mу brothеr rеcommеndеd I wоulԁ
possibly like thіs wеb site. He usеԁ to be
totаlly гight. Τhis publish tгulу made my daу.

You cann't consider simply how much time I had spent for this information! Thanks!

My homepage - article builder free trial

 
Përjetësisht të Panjohur