"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Friday, January 16, 2009

Shqipëria përballë luftës - Dyzimi nacionalist (5).

.
. Pa asnjë dyshim, Lëvizja Antifashiste si edhe Fronti ishin krijime madhore të cilat kryen një shërbim historik të paçmueshëm, nxjerrjen e PKSH nga anonimati. Falë tyre, partia e re u ngjit në skenën politike dhe fitoi statusin e bashkëbiseduesit të pashmangshëm për të mos thënë konkurrent i drejtpërdrejtë i të gjitha lëvizjeve të tjera vendase.
.
. Ndërkohë, humbësi i madh ishte rryma legaliste e cila, me largimin e elementëve më të vendosur, mbeti pa shpirt luftarak dhe u reduktua në një forcë territoriale të palëvizshme, gjithmonë në pritje të porosive të një mbreti pelegrin. Ajo s’ngjante gjëkundi me simotrat e saja ballkanike : lëvizja çetnike, besnike e mbretit të Jugosllavëve gjithashtu në mërgim apo edhe EDES-i grek, e përkushtuar ndaj monarkut grek – që të dyja ato përbënin tehun e rezistencës së armatosur në vendet e tyre përkatëse që nga ditët e para të agresionit nazist.
.
. Lëvizja tjetër kombëtare, ajo republikane e cila vepronte virtualisht që nga momentet e para të pushtimit fashist, ishte e interesuar drejtpërdrejt për të mos thënë e kërcënuar nga iniciativa e komunistëve. Pasi kishte hedhur poshtë ftesën e komunistëve për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës, ajo parandjeu që boshllëku politik i vendit tashmë ishte mbushur plotësisht. Kështu, në nëntor të vitit 1942, Midhat Frashëri dhe Ali Këlcyra, dy nga figurat më të shquara të nacionalizmit antizogist dhe antikomunist shqiptar, njoftuan hyrjen në lojë të lëvizjes Balli Kombëtar (shënimi 1).
.
. Një farë misteri mbulon datën e krijimit të Frontit Nacional – Ballit kombëtar. Ato pak kujtime që vijnë nga ballistët e vjetër e fiksojnë krijimin e organizatës së tyre në prill të vitit 1939, pra vetëm pak ditë pas pushtimit fashist, ndërkohë që sipas Abaz Ermenjit – njëkohësisht historian dhe shef ushtarak i lëvizjes : " .. Nuk ka rëndësi se në çfarë date Balli Kombëtar u çfaq me këtë emër. Puna është se ai përbëhej prej atdhetarësh që e kishin kundërshtuar pushtimin fashist që më 1939, që kishin dyndur demostratat, dhe që disa prej tyre kishin hequr dy vjet burgim ose internim nëpër ishujt e Italisë ".
.
. Ky front i ri, përgjigje nacionaliste e atij Nacional-Çlirimtar, mblodhi pjesën më të madhe të pronarëve të tokave, intelektualë me pikpamje perëndimore dhe borgjezinë e vogël të qytetit si edhe disa majtistë të vjetër të kalibrit të Zjarristëve. Duke tundur fantazmën e bolshevizmit, Balli Kombëtar në një kohë të parë mundi të fitonte besimin e fshatarësisë, veçanërisht në Jug të vendit. Idetë qëndrore të kesaj organizate përmblidhnin ndjenjat nacionaliste lidhur me një " Shqipëri të Madhe ", qëndrimet antikomuniste si edhe orientimin pro perëndimor të antarëve të saj. Dokumenti bazë i lëvizjes, Dekalogu (shënimi 2) i Midhat Frashërit përfaqësonte kredon e saj politike dhe sociale dhe me kohë ai u shëndrrua në manifest të nacionalizmit shqiptar.
. Megjithëse atij i mungonin përmasat e një programi politik, ai dilte në kundërshtim me format e vjetra shtetërore dhe propozonte futjen e një numri reformash shoqërore, pa llogaritur njëkohësisht aspiratën për të vendosur një demokraci që respektonte vlerat kombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut. Por Dekalogu jo vetëm që nuk arrinte të çlironte një vizion të qartë të të ardhmes së Shtetit, veçanërisht të formës së ardhshme kushtetutore, por ai anashkalonte edhe mjetet me të cilat do të realizoheshin ndryshimet shoqërore e parashikuara. Ai kënaqej me një ide të mjegullt të " një Shqipërie të rregullueme ekonomikisht dhe shoqërisht, në mënyrë që të mos ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuem ", ku " ku nuk do të kenë vend dallkaukët, servilët dhe të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin ". Dhe ky imazh i kësaj demokracie të re bëhet edhe më shqetësues kur sheh se asaj i bie barra " të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shembullore antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, ngatërrestarët, spekulluesit, spiunët ". .
. . Pa asnjë tepërim, Balli Kombëtar përfaqësonte një organizatë mbarëkombëtare me autoritet të madh dhe me një rrezatim të qartë në krahinat jugore si edhe në Kosovë, e pajisur me një pikësynim republikan i cili në filigran sillte rishtas pjesën më të madhe të pikpamjeve të Fan Nolit, të shprehura për herë të parë në vitin 1924. Ky grupim politik vinte në skenë, i pajisur me një kapital të madh prestigji të antarëve të tij patriotë dhe nacionalistë që nga të parët kishin kundërshtuar pushtimin italjan, duke u bërë kështu përfaqësues të pakënaqësisë popullore.
. Sidoqoftë, Balli Kombëtar vuajti taksiratet e strukturës së vet politike të deformuar, të përbërë nga një grumbull i konsiderueshëm individualitetesh të shquara në planin politik apo edhe intelektual si edhe nga një bazë shumë të gjerë popullore gati analfabete por patriote, e mbledhur rreth të parëve për arsye të besimit ndaj personit ose për hir të lidhjeve tribale dhe të klientelës. Duke ju bindur veç gjykimeve të tyre personale dhe duke i bërë besim analizës së tyre të situatës, paria e Ballit nuk mundi të ngrihet mbi këtë platformë bashkimi me qëllim që të federonte personalitetet më me zë në gjirin e një partie politike. Me fjalë të tjera, ata nuk qenë të aftë të kthenin idetë e tyre në një forcë nëpërmjet të cilës, vetëm një parti politike mund të prekë pushtetin.
. Të pajisur me një koncept politik gjithësesi naiv, bile edhe foshnjarak, " ideologët " e Ballit kërkonin të ringjallnin atë fryme populiste që buronte nga apostujt e parë të çështjes kombëtare si vëllezërit Frashëri ; për këtë arsye ata nxitën idenë e një konsensusi të gjerë popullor rreth temave të tyre të preferuara – atdhe, komb – në dëm të përpunimit të një strategjie të pushtetit. Ishte forca e fjalës që i zuri vendin forcës së aksionit ushtarak.
.
. Në planin e veprimit politik, konservatorizmi i udhëheqësve të Ballit, siç ishte rasti i Koço Mukës, i Kol Tromarës, i Hasan Dostit ose edhe i Bahri Omarit – kunatit të Enver Hoxhës, ndikoi së tepërmi për të bllokuar vështrimin e tyre rreth problemit më të mprehtë : çfarë qëndrimi duhej mbajtur ndaj pushtuesit italjan ? Duke avancuar argumenta të tilla si puna e frikës ndaj reprezaljeve ndaj popullsisë së pafajshme, përfaqësuesit e Ballit nuk mundën të çlirojnë një politikë të qartë dhe të prerë, krejt e kundërta e politikës së Frontit Nacional-Çlirimtar për të cilin, lufta e armatosur kundër pushtuesit ishte i vetmi motiv dhe i vetmi argument. Si pasojë, një numur i ndjeshëm ballistësh – deri në sferat më të larta të organizatës – mundën të gjejnë një gjuhë të përbashkët me autoritetet civile dhe ushtarake italjane, më vonë me ato gjermane, me të vetmin qëllim që të ruajnë pasuritë dhe privilegjet e tyre. Vetëm pas kapitullimit të Italisë, u morr vesh që gjenerali italjan Dalmaco dhe Ali Këlcyra për Ballin, kishin nënshkruar një marrëveshje sekrete sipas të cilës, çetat balliste angazhoheshin të mos pengonin trupat italjane gjatë operacioneve të tyre ushtarake kundër guerriljeve komuniste në jugun e vendit.
. Në të vërtetë, qëndrimi i Ballit ndaj Italjanëve u karakterizua nga një kundërshti themelore : si mund të pretendohej synimi për të patur një vend të lirë dhe demokratik dhe në të njejtën kohë të kërkohej largimi i pushtuesve, ndërkohë që këta pushtues me trupat e tyre ushtarake në Ballkan siguronin një nga objektivat më të rëndësishme të programit të Ballit – Shqipërinë Etnike – apo siç e përcakton edhe Dekalogu - Shqipëria Shqiptarëvet.
. Balli Kombëtar ishte një strukurë politike e traditës, e drejtuar nga politikanë natyrisht patriotë dhe aktorë të skenës kombëtare bile edhe përpara shpalljes së pavarësisë të vendit, por ama bartës të një farë mentaliteti otoman dhe të zhytur në atmosferën e salloneve ballkanike. Fjala e tyre e parë ishte kompromisi. Ky qëndrim i shefave jo gjithmonë u kuptua dhe u pranua nga baza. Ballistët e thjeshtë ose edhe shefat ushtarakë të terrenit si Hysni Lepenica apo Safet Butka, pa harruar një numur luftëtarësh të vjetër të viteve njëzet, nuk hezituan aspak të rezistonin ndaj ekspeditave ndëshkuese italjane në një periudhë që shkon nga janari deri në gusht të vitit 1943.
.
. Balli Kombëtar bëri njëkohësisht një gabim të rëndë, duke nënvlerësuar forcat e kundërshtarëve të tij politikë. Ai kuptoi tepër vonë – dhe kjo vonesë i kushtoi shumë – që përpara tij gjendej një parti e një tipi të ri, e organizuar mjaft mirë dhe me një strukturë tepër të qëndrueshme, udhëheqësit e të cilës s’kishin të bënin fare me politikanët klasikë. Këta " çunakë " anonimë, të ushqyer me një besim të patundur dhe militant gradualisht u quajtën rrjepacakë, aventurierë, terroristë dhe së fundi kokëfortë, para se sa të merreshin me seriozitet, ndërkohë që në thellësi të tyre krerët e Ballit ushqenin shpresën se kundërshtarët komunistë do të thyenin kokën në ndeshjen me italjanët.
. Të paktën kësaj here, llogaria e bërë mbi rëndësinë numerike të forcave në terren doli e gabuar : ato vazhduan të zhvilloheshin gjithmonë në favor të PKSH gjatë gjithë luftës, duke ju bindur llogjikës së angazhimit politik dhe dinamikës së implikimit praktik në aksionin ushtarak. Sipas një kiazme kurioze, paaftësia e të nderuarve " Baballarë të Kombit " ballistë për t’u shëndrruar në ushtarakë të vërtetë favorizoi, bile edhe stimuloi, metamorfozën e luftëtarëve diletantë të PKSH në politikanë të rrezikshëm.
. Sidoqoftë – dhe pavarësisht çka është thënë e shkruar pas lufte, gjatë muajve të tërë (verë e vitit 1942 – korrik 1943), PKSH dhe BK kanë patur kontakte të shumta dhe shkëmbime mendimesh në nivele të ndryshme. Mjaft të kujtohemi se Enver Hoxha dora vetë, i shpallur person në kërkim nga Autoritetet ushtarake italjane - bile i dënuar edhe me vdekje në mungesë, jetonte që prej kohe si " ilegal " në qendër të Tiranës, në shtëpinë e kunatit dhe mirëbërësit të tij Bahri Omari. Ky i fundit, deputet i vjetër i kohës së Zogut ishte njëkohësisht një nga kokat kryesore të Ballit Kombëtar. Kështu, Hoxha ka patur raste të panumërta të debatonte idetë dhe mendimet e tij me ajkën e kremit të Ballit – duke përfshirë edhe Midhat Frashërin. Përpara se dy lëvizjet shqiptare të shkonin të takoheshin në Mukje, përgjegjsat e tyre politikë u munduan të gjejnë një gjuhë të përbashkët përsa i përket luftës së armatosur kundër italjanëve dhe në disa raste ata mundën të bashkonin forcat.
.
. Afirmimi i PKSH në nivelin lokal dhe veçanërisht sukseset e para ushtarake të Frontit Nacional – Çlirimtar bezdisën dhe shqetësuan së tepërmi kundërshtarët e tyre politikë deri edhe në planin ndërkombëtar pasi, që prej nëntorit të vitit 1942, Departamenti amerikan i Shtetit, nëpërmjet zërit të titullarit të saj Kordel Hëll kish përmendur rezistencën e armatosur të popullit shqiptar, duke i premtuar ndihmën e tij si dhe njohjen e plotë të pavarësisë së vendit. Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit Sovjetik ndoqën shembullin amerikan, duke njohur angazhimin e popullit shqiptar në luftën kundër fashizmit.
.
.
. ------------------------------------------
.
.
. 1) Përveç përgjigjes në termat e organizimit politik, nacionalistët kësaj rradhe ju dhanë komunistëve edhe një mësim të mirë gjuhe pasi fjala front me origjinë latine, mes të tjerash pëputhet me fjalën balli në shqip – ajo pjesë e përparme e kokës njerëzore që shkon nga vendi i mbirjes së flokëve deri tek vetullat. Sigurisht, ata donin të tregonin që përfaqsonin atë pjesë të dukshme dhe të zgjedhur të popullit, përfaqsuese të gjithë kombit shqiptar.
.
. 2) Ja edhe teksti i plotë i Dekalogut : 1. Luftojmë për Flamurin Kuq e zi, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. 2. Luftojmë për një Shqipëri të Lirë, Etnike, demokratike, me bazë shoqërore moderne. 3. Luftojmë për një Shqipëri ku do të mbretërojë liria e fjalës dhe e mendimit. 4. Luftojmë për një Shqipëri të rregullueme ekonomikisht dhe shoqërisht, në mënyrë që të mos ketë shfrytëzues dhe të shfrytëzuem, d.m.th të mos ketë njerëz që jetojnë në kurriz të të tjerëve; mos të ketë bujq pa tokë të vetën të mjaftueshme, puntorë krahu dhe mendjeje pa banesë dhe jetë të sigurueme, pra një Shqipëri të rregullueme me një sistem ekonomik rrënjësisht të reformuem simbas shpirtit dhe nevojave të popullit shqiptar. 5. Luftojmë për një Shqipëri ku do të zbulohen, do të përkrahen dhe do të rriten vlerat e fshehura në çdo shtresë të popullit, me anë të shkollës shqiptare. 6. Luftojmë për një Shqipëri ku do të çmohen drejtësisht të gjitha vlerat, pa dallim moshe, krahine, besimi apo klase. 7. Luftojmë për të formue një Shqipëri të drejtueme nga njerëz të pa kompromentuem, nga shqiptarë që nuk janë kursyer në çdo kohë e në çdo rrethanë për shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash puntorë, të aftë e të ndershëm. 8. Luftojmë për një Shqipëri që të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shembullore antipatriotët, tradhëtarët, të shiturit, ngatërrestarët, spekulluesit, spiunët; për një Shqipëri ku nuk do të kenë vend dallkaukët, servilët dhe të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së Rilindur. 9. Luftojmë për të harmonizue dhe bashkue energjitë e Kombit, për të gatue bashkimin mendor dhe shpirtëror të të gjithë shqiptarëve. 10. Luftojmë për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të Kombit, kundra pushtuesit, për realizimin e idealit të lartë kombëtar: Shqipëria Shqiptarëvet!

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur