"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, January 18, 2009

Na ishte një herë (që mos qoftë) – Kombinati (III)

.
. (Të them të drejtën, paralelizmi që çel këtë shkrim dhe që ndjek shkrimet e ardhshme të kësaj serie nuk është aspak i imi. Ai m’u imponua vetvetiu, nga leximi i një teksti ad-hoc të mikut tim të vjetër Arjan që, ndonëse nën hijen e flamurin e tij të ri gjerman, ka mbetur po aq kombinats me dy krena sa edhe unë. Zaten, jam i krejt i bindur se edhe ai, kur lodhja e natës i mrrol pamjen, dashur-padashur zgjohet në parajsën e dikurshme të fëmijërisë dhe fillon dhe bisedon shqip me fantazmat e njohurve të asokohe. Ja përse dëshiroj që këtë shkrim t’a quaj me emrin e tij të vërtetë : sprovë e shkruar me tre duar).
.
. Në se guxoj përsëritjen, tashmë me kokë të kthjellët – ku, të paktën, pas fluturimit të pasioneve patriotike, kanë mbetur vetëm malli dhe kujtimet, do të thosha se Kombinati i Xixës i ngjan Hannibalit të Mark Twainit. Me të vetmin dallim se Tom Sojerët e shumtë kombinats shulloheshin në oborret e shkollave të lagjes ndërkohë që banda e Hekëlberi Finëve të panumërt bridhte kodrave… se rolin e indianit Xhoe e luanin gjytrymët dhe zezakët Xhim shumë-shumë ishin jevgj... sikundër me dallimin tjetër, se arratisja drejt lirisë, nëpër Misisipi-rruga-e-Dibrës, nuk bëhej më me trap por me autobuzat Ikarus, bile me rimorkjo.
.
.
. * * *
.
.
. " Nuk e di kujt i keni ngjarë dhe ku e kini marë këtë zakon që t’i konsideroni mësuesit sikur të ishin shokët tuaj. Ju mungon respekti më elementar. Ja për shembull, kur unë isha fëmijë, kisha një të tillë adhurim për mësuesit e mij, saqë i mendoja sikur të ishin ëngjëj. Bile as që më shkonte ndër mend se ata shkonin në nevojtore, si njerëzit e zakonshëm ".
.
. Ky që shprehet kështu është Kristofori, mësuesi i historisë i gjimnazit " 50 Vjetori i Pavarësisë ", të cilin ne e thërrisnim shkurt Fori. Dhe sigurisht ky fjalim vinte për faj të nofkës. Por nuk ish veç ai që i kish veshët e mprehtë. Edhe Perëndia, e arratisur diku larg nga bota jonë ateiste, me sa dukej arriti të kuptonte atë shqipen minoritare të Forit dhe i lëshoi nga sipër urimin. Më mirë të themi zyrden, një të prerë të tillë barku sa që i gjori nuk arriti të përfundonte frazën dhe u lëshua si i marrosur drejt halesë së shkollës, të cilën mundohej t’a evitonte si djallin për shkak të pastërtisë së dyshimtë. E kotë të rrëfej vazhdimin… mund të them sidoqoftë se ishte hera e fundit që ai i bëri thirrje Qiellit dhe engjëjve të tij nga Dropulli.
. Fori ishte një " prodhim vendi ", nga ata puro. Jetonte në Kombinat që prej kohrave të lashta, e kish filluar aty karrierën dhe po aty e mbylli dhe si askush tjetër, ai e vuante thellë këtë afëri të përditshme, këte nakatosje mëkatare me nxënësit e tij halabakë. E pra, maniaku i datave, fanatiku i riprodhimit fjalë-për-fjalë, pedanti i provimeve, mblidhej si iriqi kur e gjente vehten në rradhën e dhjathëshitëses Athina, rrethuar nga një dyzenë adoleshentë, bëhej gogël kur i duhej të priste rradhën tek berberhanja e Llaqit dhe e Taqit mes një turme gazmore shpotitësish që shkonin kohën duke dëgjuar ndeshjet e kampionatit në radio dhe që brofnin më këmbë - duke pritur golin - kur Ismet Bellova lêshonte atë shprehjen e tij proverbiale " lëmsh para porte… ". .
.
. Në antipod të Forit qëndronte Cerua, mësuesi i fizikës - edhe ai kombinats dhe " bir kombinatsi ". Por meqë kjo lëndë " fisnike " ishte pushtuar një herë e mirë nga presor Nuriu, atij i kish mbetur të improvizohej mësues astronomie dhe.. elektroteknike. Në dallim me historianin tonë që kish një problem egzistencial, Cerua (që në të vërtetë quhej Niko) kish një qerre të tilla esenciale. Bile m’a merr mendja se problemi i tij themelor përmblidhej në një shprehje të vetme : ai nuk qe bërë për të qenë mësues. Pasi, lëshonte gjithmonë pe : një fije pasigurie në njohuritë që dinte – i ngatërroheshin këmbët që me induksionin manjetik, pa le më tutje me rrymat Fukó; një fije shkujdesje në shprehjet që lëshonte – " Ptolemeu ka qene budalla, sepse ai besonte që dielli rrotullohet rreth tokës " ; një fije halabakllëku në veprimet që bënte – i kishim bërë një vend në lojrat tona të futbollit, aty në oborr të shkollës, ku vinte dhe luante si sulmues - me brekë të zeza dhe me atlete të grisura, nën urdhrat e Garinçës Xhollo ; një fije fajësie në qëndrimet që merrte – pasi nipi i tij Aljosha bënte pjesë në tufën e banditëve përballë… përfundimisht, i mbeti rrotulla në dorë : mësues kujdestar i një mature bisektile, një përçudni që çfaqej një herë në çdo katër vjet, në atë gjimnaz të humbur lagjeje.
. Si për t’i vënë vulën aventurës, Cerua shpalli krijimin e rrethit të radioteknikëve të rinj. Paksa i drojtur, ndoshta nuk besonte shumë në aftësitë e veta. Ku e dinte i mjeri se një klasë e tërë, e etur për aventura, do të përgjigjej " gati " - si trup i vetëm ? Një javë më pas, gjysma e laboratorit ishte pushtuar nga telat, antenat, bobinat ajrore, potenciometrat… për të prodhuar një " radio " monstruoze, sa të heshtur aq edhe indiferente ndaj lutjeve të Ceros. Problemin e zgjidhi Mirua që s’kishte asgjë te përbashkët me zogjtë, megjithëse ishte çuni i Petrites dhe vëllai i Shpendit – dhe që rastësia fatlume e kish sjellë në kampin e Tom Sojerëve. Për të magjinuar Miron e asokohe mjaft të sjellësh ndër mend gjestet e Pitkinit, të dubluara me mimikën e Franko Frankit në fytyrën e shtrembër të Totósë. E pra, mjaftoi që Totó-Pitkinit-Miro t’i zinin sytë diku një radio tranzistor miniaturë. Ndërkohë që Cerua kalibronte si zakonisht potenciometrat e tij, Mirua ndezi atë palo miniradio në xhep. Veç të kqyrje shprehjen e lumtur dhe britmën e gëzuar të mësuesit… që u kthye në belbëzim, pasi me gjithë përpjekjet e tij të çmendura, radioja vazhdonte të transmetonte këngët " e ndaluara " italjane dhe që përfundoi në ulëritje kur kuptoi se nga vinte ajo muzikë e mallkuar.
. Pas kësaj përvoje fatkeqe, Cerua dekretoi se duhej të bënim një udhëtim mësimor në Durrës, për të vizituar uzinën e Televizorëve, ku montoheshin radiot e famshme " Iliria ". Aq më tepër që aty punonte një shoku i tij i vjetër i shkollës, qê përveç këshillave, mund të na jepte edhe ndonjë " material tepër " - rezistenca, kondensatorë si dhe një a dy tranzistorë… Dhe për të parandaluar katastrofat, na mbajti një fjalim të gjatë me temë " si duhet të sillet një maturant në ekskursion " – me një vështrim të gjatë dhe domethënës drejt Miros. Pas një udhëtimi fort të këndshëm me tren dhe një vizite po aq të këndshme në uzinë, pelegrinazhi përfundoi sikundër parashikimi, në katastrofë – gjithmonë me Miron që me insistim, ndërpreu në mes bisedën e Ceros me shokun e tij radioprodhues duke i treguar sheshit grushtin plot rezistenca dhe kondensatorë : " Presor, tashmë mund të ikim pasi, sipas porosisë tënde, ne i kemi mbushur xhepat plot ". Vetëm ujët e ftohtë të detit në atë ditë shkurti mundën të freskonin disi turpin e Ceros, në një larje kolektive dhe gazmore sa më s’bëhej.
.
.
. * * *
.
.
. Sidoqoftë, Fori dhe Cerua ishin dy raste sa tê veçanta aq edhe të papërsëritshme ; përjashtime që plotësonin rregullin absolut se të gjithë mësuesit për të qenë të Kombinatit vinin nga Tirana. Të vetmit që i shpêtonin ligjit ishin mësueset e çerdhes, të kopshtit si edhe disa nga ato të fillores… pa llogaritur natyrisht mësuesit e fiskulturës, të cilët i kishim me tepricë. Sidoqoftë, krenaria jonë kombëtare, ndoshta e vetmja në këtë regjistër. Tek ky fiskulturisti kombinats, ngjizja e dhuntive fizike dhe elementëve intelektualë kishte arritur të tilla kulme dhe kish prekur të tilla tela sa që pa asnjë ngurrim, ai paraqiste një hibrid mahnitës – një qënie unike, zërin më të shquar të eksportit lokal drejt galaksive fqinje.
.
. E pra, si çdo meteorit tjetër, trupat kozmikë tiranas të arsimit linin gjurmën e tyre efemere në qiellin e tymosur nga Teci. Dhe vetëm ata më të ndërgjegjshmit – ose më të vetëkënaqurit - kujtoheshin herë-herë të rrezatonin dijet e tyre të thella mbi grigjën vendase gojëhapur. Për shembull, Adem Gina, dishepulli i Ptolemeut dhe i Pandi Geços, çdo frazë e të cilit përfundonte papritur papandehur – mbetej në ajër, për shkak të një lemze të brendshme gastrike… Dëgjuesve të tij të vëmendshëm që ngecnin në gojën e Ademit ose i duhej të merrnin me mend vazhdimin ose të bênin një pyetje shtesë, përgjigja e të cilës këputej sikundër dhe imagjinohet diku në mes, po aq beftas nga një lemzë e dytë edhe më acide se e para. Troç, mësimi i gjeografisë për gjysmën e klasës ishte një kalvar i pafund, për gjysmën tjetër një argëtim i pamasë.
.
. Çuditë e fizikës i administronte me dorë të hekurt Nuri Xhepa, i cili kish dhuntinë t’i bënte edhe më të mistershme me anë të zërit të tij mëmëritës-pëshpëritës që zbriste në frekuencat më të ulta, bash ato të lakuriqëve të natës. Mjer ai që nuk arrinte t’i deshifronte aty për aty, aq më keq pasi presori kish përfunduar monologun e tij të gjatë në tabelë të zezë, të shoqëruar me disa formula të mjera që lexoheshin vetëm me një palë dylbi… Shumë-shumë, kuriozët që merrnin guximin të kërkonin shpjegime të mëtejshme, arrinin të dallonin mes mërmëritjes vijuese një onomatopé hundore, që përfundonte me një " idiot.. " çuditërisht tingëllues. Pa fjalë, një vlerësim krejt bindës, pasi " fajtori " i gjorë zakonisht shkrehej në një lloj buzëqeshjeje naive, qoftë edhe për t’i bërë disi qejfin xhelatit fizikan, që ndërkohë kërkonte me sy viktimën e rradhës. E kotë të shtoj se mësimi i fizikës ishte një llahatarë. Kaq e vërtetë sa disa vite pas nesh, Ila i Hallove dorëzoi fletën e bardhë në një nga provimet e fundvitit, dhjetë minuta pasi kish filluar, duke i lëshuar Nuriut të syngrysur një nga ato përgjigjet që i ka marë tashmë historia : " Më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund! ".
.
. Kuzhina e kimisë i ishte besuar Feridun Belit, ndoshta më i vjetri mes trupës së mësuesve, por sidoqoftë i vetmi që guxonte të mbante mustaqe të zeza dhe borsalino kafe. Kush e di, ndoshta kujtime të rinisë së tij të shkujdesur prej pinjolli bejlerësh, nostalgji e laboratoreve fashiste bolonjeze ku sipas legjendës, kishte humbur edhe gishtin e mesit të dorës së djathtë... Për këtë shkak, edhe valavitja e asaj dore mbi epruvetën tymosëse për të sjellë pranë hundës aromën e çmuar, kishte diçka të papërsëritshme ku përzihej komikja me paturpësinë e gjestit. Çka ishte e sigurt, dijet e magjistarit Feridun tejkalonin gjerësisht tretjet acide apo solucionet bazike si edhe përdorimin e lakmusit, pasi një hundë e stërvitur arrinte të dallonte mes të tjerash avujsh, aromat delikate të konjakut " fait maison " dhe të likernave kontrabandë, sigurisht të bëra me alkoholin e eksperimenteve. Kimia, një ëndërr e lume që për fat të keq këputej nga zilja.
. Një arratisje mendore për grupin e vogël të admiruesve të kimisë.. dhe të Feridunit që kishin privilegjin të praktikoheshin në përzierjet e dyshimta të fosforit të kuq me nitratin e kaliumit, në dozazhin e acidit nitrik me glicerinën e në të tjera aventura të rrezikshme. Pikërisht ky shpirt aventure më shtyu në prag të një viti të ri, të mbushja një dorë kapsollash boshe të Poligonit të qitjes me atë përzierje eksplozive të fosforit me nitrat – dhe të lëshoja me llastiqe zogjsh nga ballkoni një predhë tê tillë eksperimentale në sheshin e Shatrivanit, ku ndërkohë gjendej një grup i shokëve të klasës. Shpërthimi i parë alarmoi grupin që krejt natyrshëm ju drejtuan Aleksit, njerit prej tyre aty prezent, i njohur për tendenca të tilla anarshiste. Ndërkohë që Aleksi i shkretë mundohej t’ju shpjegonte se ish për hiçmosgjë në këtë shpërthim, u nis predha e dytë që ngjalli një panik të vërtetë dhe që tërhoqi vëmendjen jo vetëm të shëtitësve të ngeshëm por edhe të një polici aty pranë që filloi të interesohej për origjinën e plasjes aq të dyshimtë. Predha e tretë plasi pikërisht mes këmbëve të policit që nuk e zgjati hiç por vuri përpara grupin fatkeq të bankierëve si dhe të doktorë-profesorëve të ardhshëm drejt Rajonit të policisë, nga ku shpëtuan vetëm për hir të namit të mirë të prindërve, dy-tre orë përpara kalimit në vitin tjetër.
.
. Violina e parë në këtë orkestër virtuozësh të shkencës i takonte padyshim Besim Erindit, që zhonglonte mes ekuacioneve lineare, diferencialeve, integraleve dhe gjeometrisë analitike. Për fat, sa mizore ishte analiza aq e butë ishte fjala, sa e pamëshirëshme ishte gjeometria aq babaxhane ishte shprehja e fytyrës. Një duhanxhi i pandreqshëm me bisht të fikur cigareje në buzë, një mullixhi i vërtetë që bluante shkumës gjithë ditën e ditës, një rrondokop brenda një kostum i zi me mëngë të stërgjata që mbrrinin deri tek majat e gishtave. Një shushuq, shprehja më e dashur e të cilit ishte " pshe? ", e aftë të çmobilizonte edhe më të zellshmin e klasës. Një pervers gazmor që pasi shkruante në drrasën e zezë një nga ato shprehjet integrale nga më të bezdisurat, kërkonte djallëzisht me sy diku nga mesi përpara se të deklaronte " të vijë në drashë të zhezhë Pirro eshmeri ". I mjeri Pirro, esmer si bytha e tiganit, afrohej trimërisht me këmbë të dridhura, duke menduar gjithmonë se Besimi po bënte shaka – aq më tepër kur Besimi, edhe pse i vinte katrën e rradhës, nuk harronte t’i thoshte " çoji të falat e mia Pandorës " !
.
.
. * * *
.
.
. Gjimnazi " 50 Vjetori " përfaqsonte sumumin e shkencës të asaj qyteze puntore, stacionin e fundit – terminus – të një udhe të pafund dymbëdhjetë vjeçare studimesh, ndalesat ndërmjetëse të të cilës quheshin dora-dorës " 8 Nëntori " dhe " Myqrem Peza ". Në dallim me shokët e mij të vegjëlisë që s’kishin nevojë as të hecnin dhe jo më të vraponin – pasi muri i shkollës gjendej ngjitur me pallatin e përbashkët, aq afër sa Kristit i mjaftonte të kapërcente murin për të ngrënë një copë bukë me vaj dhe sheqer gjatë pushimit të vogël - aventura ime e dijes ishte krejt origjinale.
. Klasën e parë e inagurova në një shkollë fillore krejt të përhumbur, diku në Qytetin e Nxënësave. Pasi nëna ishte mësuese në një nga Teknikumet dhe i interesonte të më mbante pranë. Kështu, pata fatin të pagëzohem qytetnxënës, në mes të tufës modeste të fëmijëve selitas.Veçse, fundi i orëve të mia s’përputhej me të sajat dhe më duhej t’a prisja. Pasi kisha kapur dy flutra dhe masakruar tre hardhuca, për të larguar mërzinë, fusja degëza të gjata nga vrima e çelësit në klasën ku ajo jepte mësim. Një lloj mesazhi origjinal për t’i kujtuar se isha pas derës… për lumturinë më të madhe të nxënësve të saj. Në mos, shkoja dhe i bija derës së profesor Vexhi Demirit, një ish-teolog i diplomuar në Kajro që koha e kish shëndrruar në gjeograf, për të vazhduar bredhjen imagjinare mes hartave dhe globeve. Nuk di se ç’bëhet Vexhiu që s’di pse, nëna ime e quante me këmbëngulje " zoti Vexhi ", por sipas moshës së tij të asokohe nuk është vështirë të imagjinohet se ai prehet diku, i qetë. Më duhet t’i mbyll sytë për të sjellë ndërmend fytyrën e tij të verdheme, flokët e thinjura dhe shkopin e gjatë në duart e rrudhura, përhumbjen e tij stoike si dhe buzëqeshjen e qetë që i adresonte një fëmije kurioz shtatëvjeçar – ndoshta i vetmi antidot kundër mërzisë intelektuale, mbytjes së ngadalshme por të sigurt në detin gumëzhitës dhe injorant teknikums. E lodhur nga ky rregjim rraskapitës, vitin tjetër nëna vendosi të më rregjistronte në shkollën " 8 Nëntori ", diku pranë shtëpisë. Pra, u ktheva në vathë… dhe fillova të mbaja kyçin në qafë me një gjalmë, si qindra dhe mijra bashkëmoshatarët e mij.
.
. Po të mos ishte ai Arjani i fillimit të rrëfimit, zor se do t’ju vija emër atyre perëndive profane aq të largëta, por sidoqoftë të plotfuqishme, që lëshonin shiun dhe shpërndanin retë mbi botën e nxënësve të tetëvjeçares. Mes tyre ndriçonte me mijra diej Jorgo Papingji, i " internuar " në Kombinat për shkak të namit të tij fustanndjekës… ndërkohë që bënte sikur jepte mësim fizike, ai vargëzonte tekstet për kompozitorët e festivaleve të këngës. Ose ai i " internuari " tjetër, Hajro Babameto, që si Zeusi, në një çast zemërimi ndaj " rrugaçëve " që nuk bënin detyrat, lëshoi një rrufe - paçka se qielli i asaj dite ishte i kthjellët : " .. do t’ju zhduk fare ô kombinats ! Unë s’kam pyetur hiç për një farë Mehmet Shehu dhe ja mbeta në klasë të mbesën, atë Shqiponjën ". Në kokën time, heretiku moskokëçarës Babameto mori përmasat e Prometheut antik me mëlçi copë nga Shqiponjat mishngrënëse, aq më tepër kur edhe bebet në barkun e nënës e njihnin emrin e heroikut Mehmet. Herë-herë, ky Mehmeti i legjendave begeniste dhe na bënte nga një vizitê, për gëzimin më të madh të popullit që shpërthente në hare, në mes të shtyrave të grave të mallëngjyera dhe të burrave zëngjirrur nga parrullat. Pasi e kishim deputet të lagjes.
.
. Ah ato zgjedhjet, ku njerêzit bêheshin copë kush e kush tê votonte i pari, bile i luteshin kryetarit t’a çelte qendrën përpara orës qê tê ishin tê parêt e Tiranës, në mos të Shqipërisë mbarë. Nuk e di se si bêhej ajo punë, por ama brenda gjysmës së parë të orës, qendrat e votimit tê Kombinatit deklaronin unanimisht pêrfundimin e votimit me 100% pjesëmarrje. Thuaj se njerëzit kishin fjetur brenda në kuti të votimit. Edhe sikur tê mos kishin fjetur në kuti, ku të linte tupani i magjypit tropojs Berisha që e merrte bllokun rresht, derë më derë, duke i rënë veglës së tij djallëzore si i marrë. " I erdhi dita e lume Haxhiut " mërmëriste im atë. Një herë në çdo dy vjet, veç për zgjedhjet, qofshin ato për deputetët apo për antarët e Këshillave, ai vishte tirqet dhe xhamadanin, ngjeshte plisin, rrëmbente tupanin… dhe meronte njerëzinë ende në shtrat. Të nesërmen ai do të përfundonte tek transporti i plehrave, si çdo ditë…
. po a kish burrë nënë t’i thoshte gjë Berishës atë ditë feste? pa u bêre helaq nga turma e kryetarëve Muço tê Frontit qê i vinin pas?
.
. Fundja të votoje për Mehmetin ja vlente barrën pasi edhe Kryeministër burri i botës, kish mbetur popull. Ç’emër tjetër t’i vesh Merhumit të ardhshëm kur ai ndalon Mercedes Benzin në mes të Kombinatit dhe lëshohet me vrap, në ndjekje të bixhozçinjve që dridhnin lekët diku pas këpucarëve? Ai Arjani i fillimit të shkrimit që e ka parë me sy skenën (dhe kur e ka parë ai zere se e kam parë edhe unë) kërkon të më bindë se Mehmeti nuk kish harruar se, dikur, kish qenë Ministër i Brendshëm dhe po në të njejtën mënyrë vraponte pas diversantëve. Gjithësesi, ndryshe nga Arjani, unë mendoj se atë e kish zënë malli të luante me lekë, si dikur në Mallakastrën e lindjes.. Po hajde mbushi mendjen bixhozçinjve që u zhdukën sa çel dhe mbyll sytë, sikur i përpiu dheu.
.
. Zaten, edhe kombinatsit e tjerë ja kishin marë disi dorën Mehmetit dhe dyshonin se, pavarësisht pamjes, shpirtin e kish popullor. Ja për shembull, ai komshiu i Arjanit, Tit Kuqi, gjysëm tezgjahist gjysëm shvejk. Që thoni ju, ky Mehmeti kish vajtur në Tezgjah për t’ju shtënë tmerrin atyre që donin të largoheshin nga ferri. Ku e kish marë vesh? Pse pak spiunë kishte në ferr? E pra, Kryeministri na i pyet tezgjahistët : " Kush prej jush do te largohet nga tezgjahu? " Siç mund të pritej, të gjithë, si një trup i vetëm, filluan te bertisnin " Parti Enver jemi gati kurdoher'! ".
. " Me leje ? " tha Tit Kuqi. " Fol! " i thotë Mehmeti i tejhabitur, bile i zbavitur. " Unë dua te largohem ". " E pse do te largohesh o edepsez? " " Dua te behem pilot, qe ti sherbej atdheut sa m¨r mirë " ja ktheu i qetë Titi. " Dhe sa per edepsez, te lutem mbani gojen shoku Mehmet, se jam punetor i mirë ". " Ti shumë-shumë bëhesh kapterr " ju përgjigj trimi Mehmet me shaka.
.
.
. (vijon)

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur