"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Saturday, January 17, 2009

Metafizikë e forcës.

. . Shopenhauer " Njeriu është kafshë metafizike".
.
.
. Një frazë si ajo e z. Berisha, drejtuar gazetarëve gjatë konferencës së shtypit që mbylli ceremoninë e fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në, nuk mund të lerë indiferent askënd. Jo më gazetarët, të cilët sipas dëshmitarëve – e pranuan nëpërmjet heshtjes së tyre – si të peshkut (shënimi im) por cilindo, sado larg apo jashtë të ndodhet këtij profesioni të nderuar.
. Pasi kjo frazë është nga ato që mund të shkruhen pa frikë në fondin e artë të çdo pushteti sikundër dhe në gurin e varrit të çdo gazetari, një pikë e çmuar nektari nga balli i kazanit politik që të bie kokës dhe të shushat mendjen ; thjesht një xhevahir nga ato që vetëm Berisha mban sekretin :
.
. "Problemi juaj si media është ky: Në tërësi njohuritë tuaja për rritjen ekonomike janë zero, për të mos thënë minus, pasi, nëse dikush ju jep stilolaps dhe letër dhe ju thotë që të shkruani treguesit se nga del llogaritja për rritjen ekonomike, ju nuk jeni në gjendje të shkruani as dy prej tyre. Por juve ju interesojnë kundërshtitë ose diversiteti, që është sigurisht një pjesë shumë normale e jetës."
.
. Për gazetarët nuk kam ç’të them, aq më tepër kur edhe elementit më të ndërgjegjshëm mes tyre ju desh një javë e tërë lufte me vetvehten për t’i kthyer përgjigje. Një të tillë përgjigje mund t’a gjykosh vetëm nga titulli : Kur i padrejti ka të drejtë. Ngado që t’a sjellësh dhe ta rrotullosh, ajo përmblidhet vetëm me një frazë : " … në cilësinë e tij si Kryeministër në fuqi, ai është logjikshëm, shumë i padrejtë për shumë gjëra. Por pse në rastin e vlerësimit të gazetarëve të ekonomisë, ky i padrejtë paska të drejtë ! ".
. Nuk po shkoj më larg në gjykimin e autorit, logjika e të cilit vlerëson se mjafton të jesh Kryeministër për të qenë i padrejtë. Paçka se ky autor mbetet sidoqoftë zemërgjerë, duke i njohur vetinë e të qenit i drejtë edhe të padrejtit – natyrisht, në rrethana lehtësuese. Në demokraci, qoftë ajo edhe e markës shqiptare, çdokush mbetet i lirë të japë vlerësimet e veta, në funksion të distancës nga posti i Kryeministrit ose nga zanati i gazetarit. Kështu edhe unë, duke mos qenë as njeri as tjetri…
.
.
. * * *
.
.
. Personalisht, leximi i frazës së Kryeministrit Berisha më shtron dy probleme : së pari, është një Kryeministër që flet me përfaqsuesit e mediave ; së dyti, ky Kryeministër quhet Berisha. Me fjalë të tjera, edhe sikur të pranojmë idenë e shprehur nga gazetari Çipa, se Kreu i qeverisë është thellësisht i bindur dhe i ndërgjegjshëm se para tij gjendet një tufë reporterësh të medias – injorantë në problemet ekonomike, qoftë për të nderuar rangun apo për të respektuar përfaquesen e FMI nën hije, ai duhet të kish përzgjedhur fjalët dhe administruar shprehjet. Pra, një çështje etike kryeministrore që, me sa duket, nuk bën pjesë në sistemin e vlerave të Shefit tonë të egzekutivit. Diku në fshat, do të kishin thënë : di Kryeministri ç’është etika ? në të njejtin ton justifikues kur të përmendin dhinë dhe tagjinë.
.
. Në një kënd tjetër vështrimi, është Berisha që replikon me gazetarët, qofshin ata edhe një bandë injorantësh të papërgjegjshëm në çështjet e ekonomisë. Them Berisha dhe kam parasysh një mjek kardiolog, bile edhe tepër të zot dhe të specializuar sa më s’bëhet në ndërhyrjet kirurgjikale të zemrës, por fatkeqësisht, aspak ekonomist. Sigurisht politikan – mjaft për faktin se ka gati dy dekada që udhëheq partinë e tij demokratike dhe sipas rastit, edhe vetë Shtetin , por ende jo specialist i ekonomisë si fjala bie, z. Ruli apo i ndjeri Pashko, zhonglues të shifrave dhe zbutës të tendencave. Në se dikush do të ndërhyjë për t’a mbrojtur duke më thënë se mjaft të merresh me qeverisje dhe bëhesh ekonomist, do t’i përgjigjem me të njejtin ton : mjaft të merresh me gazetari dhe bëhesh gazetar.
. Hajde pra, le t’i akordojmë më së fundi atij Kryeministri një rrethanë lehtësuese : në mos injorant, profan ; në mos kaqol fare, disi i lëçitur. Prova ? Mjafton të kqyrësh argumentat e tij në mbledhjet e Qeverisë apo në Parlament, kur diskutohen probleme makroekonomike, të perspektivave të zhvillimit, të energjisë....
. Ndoshta rasti më flagrant ishte ai " i axhustimit të shifrës.. " , pikërisht të asaj shifre që ndolli pyetjet e gazetarëve dhe solli ndëshkimin e tyre si injorantë. Tellalli e shet, i zoti nuk e jep. Veçse kësaj rradhe gjendemi në një situatë groteske : një profan i ekonomisë ju mban leksione profesionalizmi injorantëve të gazetarisë ! .
. . . Në këtë pikë të muhabetit, në vend që të qeshim na duhet të qajmë, pasi groteskja fsheh një tjetër realitet : raportin e forcave mes pushtetarit dhe qytetarit, i shprehur jo më në termat e " të drejtës " dhe " lirisë " të të shprehurit sikundër bën z. Çipa, por " të arsyes " dhe " të përgjegjësisë ".
.
. Në pamje të parë duket sikur fajin e ka ajo " e flamosura " gjuhë shqipe e nënës, e cila në rastin tonë fut në të njejtin thes " të drejtën " dhe " arsyen " dhe që e lejon Çipën të përdorë shprehjen mbi " të drejtën e të padrejtit" Kryeministër. E pra në një tjetër gjuhë – në atë frëngjishten e njerkës – ndoshta një nga rruga mund të kish thënë " le droit du Premier ministre injuste " ndërkohë që një gazetar do të kish shkruar " la raison de l’injuste … ". Mjafton ky krahasim, për dikë ndoshta barbar, për të nënvizuar se ajo çka në shqipen e Çipës mbetet gjithmonë " e drejtë ", në frëngjisht, sipas rastit, mund të jetë " droit = e drejta, në kuptimin që i jep asaj Ligji ", " juste, injuste = i drejtë - i urtë, i padrejtë, në kuptimin që i jep atij Morali" sikundër dhe " raison = arsye ". Për fat, edhe të tjera gjuhë, bile edhe shqipja e lëvruar, arrijnë të bëjnë këtë diferencë. Aq më tepër që nuk bëhet fjalë për nuanca por për koncepte, të debatuara nga një tjetër kategori njerëzisht– filozofët, gjithsesi disi të ndryshëm nga politikanët apo nga gazetarët.
.
.
. E drejta e më të fortit apo arsyeja e më të përgjegjshmit ?
.
.
. Imazhi më i fuqishëm që ka mundur të ngjallë shprehja " e drejta e më të fortit " tek shumica e vdekatarëve është ai i ujkut në fabulën e La Fontenit, që akuzon qingjin si turbullues të përroit, përpara se t’a shqyejë. E pra në këtë rast, ujku ynë s’bën gjë tjetër veçse zbaton të drejtën e tij si i fortë që është - me gojë të madhe dhe me dhëmbë të gjatë – dhe ushtron autoritetin e tij mbi të dobtin. Sado fatkeq që të duket, ky imazh i përgjigjet një realiteti ku ujku bën jo vetëm ligjin por edhe e zbaton atë, realitet i vrojtuar – dhe i justifikuar - që në kohët më të lashta bile edhe nga njerëzit me arsye të zhvilluar si Platoni :
.
. " … vetë natyra, sipas meje, na provon se, sipas drejtësisë të vërtetë, ai që vlen më tepër duhet të fitojë mbi atë që vlen më pak, i afti mbi të paaftin. Ajo na ofron shembuj ngado, tek kafshët dhe tek njerëzit, në qytetet dhe në familjet, që ndodh pikërisht kështu – bile që mbajnë edhe vulën e të urtit ; është dominimi i të fuqishmit mbi të pafuqishmin, pranimi i superiorietit të të parit mbi të dytin. Më ç’të drejtë Kserksi solli luftën deri në Greqi… dhe sa raste të tilla mund të sjell si shembuj ? Të gjithe këta njerëz veprojnë, sipas mendimit tim, në emër të natyrës së vërtetë të të drejtës dhe, për Zeusin, sipas ligjeve të vetë natyrës ".
.
. Çka mund t’i ndryshosh kësaj drejtësie ? veçse në qofsh më i fuqishëm se sa vetë i fuqishmi, më i aftë se i afti… Pikërisht kjo ide përshkon mendimin e Hobbes-it, i cili tashmë e zhvesh " ligjin natyror " sokratik nga karakteri i tij " i shenjtë " duke e pagëzuar " e drejta natyrore " :
.
. " .. çdo njeri nga natyra e tij ka të drejtë mbi të gjitha sendet, e thënë ndryshe ai mund të bëjë çka të dojë, ai mund të zotërojë të gjitha gjërat që dëshiron dhe mund të zotërojë, t’i shfrytëzojë dhe të kënaqet me to. Në të vërtetë, në se konsiderohet se të gjitha sendet që ai dëshiron mund të jenë të dobishme për të sipas gjykimit të tij, përderisa i dëshiron,dhe mund të pjesëmarin në procesin e zhvillimit të tij një ditë ose një ditë tjetër, i bie që të jetë legjitime të bëjë gjithçka. Pikërisht për këtë që është thënë me plot arsye : natyra i dhuron të gjitha sendet të gjithë njerëzve, në mënyrë të tillë që e drejta dhe e dobishmja përputhen me njera tjetrën. Por, kjo e drejtë e të gjithë njerëzve ndaj të gjitha sendeve nuk vlen më tepër sikur askush të mos ketë asnjë të drejtë. Pasi një njeri ka fort pak shanse të ushtrojë këtë të drejtë dhe të përfitojë nga ajo, ndërkohë që një tjetër njeri po aq i fortë sa ai, në mos edhe më i fortë, ka të të njejtat të drejta ndaj të njejtave sende ".
.
. Në mos eklektik, të paktën i arsyeshëm, përndryshe lind lufta e njerit ndaj tjetrit, e të gjithëve kundër të gjthëve bellum omnium contra omnes, Hobbes hedh kështu idenë e një " kontrate " mes palëve që vetëm një " arbitër " mund t’i ndajë – Shteti. Pra, ai legjitimon të drejtën juridike, një bashkësi rregullash dhe ligjesh të vendosura dhe të aprovuara në kuadrin e një shoqërie të dhënë. Në këtë mënyrë kjo e drejtë natyrore e njeriut- individ shëndrrohet në " të drejtë pozitive " të grupit, të bashkësisë.
. E megjithatë, kjo mënyrë hobesiane e kqyrurit të realitetit bie ndesh me një tjetër logjikë, atë të Rusoit, i cili e kqyr këtë realitet nën prizmin e një " moraliteti ", pra të etikës :
.
. "Asnjëherë, më i forti nuk është aq i fortë për të qenë gjithmonë padron, në se nuk shëndrron forcën e tij në të drejtë dhe nënshtrimin në detyrë. Ja pra edhe e drejta e më të fortit ; e drejtë e marë ironikisht në formë dhe realisht e vendosur si princip. Por a mundet që t’a kuptojmë ndonjëherë siç duhet këtë fjalë ? Forca është një fuqi fizike dhe nuk arrij dot të shoh çfarë moraliteti mund të shkaktojë si rrjedhim. T’i nënështrohesh forcës është një gjest i ndërmarrë nga nevoja, dhe jo nga vullneti ; shumë shumë është një gjest i kujdesshëm. Në çfarë kuptimi ai mund të shëndrrohet në një detyrë ?
. Le të kqyrim për një moment këtë të ashtuquajtur të drejtë. Them që ajo çka rezulton është një konfuzion i pazgjidhshëm pasi, sapo që është forca që krijon të drejtën, pasoja ndryshon bashkë me shkakun. Çdo forcë tjetër që tejkalon të parën kërkon të drejtën e vet. Nga momenti që mosbindja mbetet e pandëshkuar, ajo shëndrrohet në legjitime ; dhe, me që arsyeja është në krah të më të fortit, nuk ja vlen që të të bëjmë çmos për të qenë më i forti. Por, çka është një e drejtë që vdes kur forca ndalet ? Në se duhet të bindemi për shkak të forcës, nuk ka më nevojë të bindemi për të përmbushur një detyrë dhe në se nuk jemi më të forcuar që të bindemi, nuk jemi as edhe të detyruar. Shihet qartë se fjala - e drejtë - nuk i shton as edhe një grimë vetë forcës ; ajo nuk do të thotë asgjë prej gjëje ".
.
. Me fjalë të tjera, " e drejta natyrore " e Rusoit s’ka të bëjë aspak me ligjin as me shoqërinë e njerëzve ; në se kjo e " drejtë ideale " shënjon gjësend, sendi nuk është forca por ideali shoqëror në përgjithësi, ndërkohë që vetë marrëveshja shëndrrohet në një kontratë të lirë, të pjekur dhe reciproke mes njerëzve që e përbëjnë.
.
. Kritika e dytë ndaj Hobess-it vjen prej Spinozës, i cili si bir i denjë i natyrës që është nuk mund të injorojë se kjo e fundit nuk njeh ligj tjetër veç atij të fizikës dhe domosdoshmërisht, zhvillimi i saj shkon drejt kufirit të fundit. Me fjalë të tjera, edhe sikur të ketë një kontratë në bazë të institucionit politik, kjo marrëveshje nuk mund të sjellë si pasojë braktisjen e ushtrimit të fuqisë natyrore, aq më tepër që është e pamundur që individi të mund të heqë dorë nga ushtrimi i fuqisë së vet. E vetmja zgjidhje sipas Spinozës është kombinimi i fuqive individuale, mbi bazën e interesit të çdokujt. Kështu, ndërkohë që individi ruan dhe ushtron fuqinë e tij, ai mund të zgjedhë në funksion të përfaqësimit që ai bën të interesave të tij, për ta vënë ose jo në shërbim të bashkësisë. E thënë ndryshe, ai duhet të kombinojë fuqinë e tij me fuqinë e tjetrit, ose në të kundërt të ndeshet me tjetrin. Motivet që mund t’a shtyjnë në njerin sens ose në tjetrin janë ose shpresa e një avantazhi që mund të sigurojë ose dezavantazhi të cilit i trembet.
. Shpresa ose frika – ja edhe motivet themelore që përcaktojnë rrezen e veprimit të aksionit sipas Spinozës. Në të kundërt të Hobbes-it që mbështetet mbi frikën, për të mos thënë tmerrin që ngjall Leviathani-Shtet, Spinoza pohon se një Shtet qytetarët e të cilit veprojnë sipas dëshirës – dhe interesit – është më i fuqishëm se ai ku qytetarët veprojnë sipas frikës : fuqia e një shteti nuk matet me anë të terrorit që ai shkakton por me anë të shpresës që ai ngjall.
.
. Ja përse ky filozof nga ajo reja e largët ku i gjendet shpirti na këshillon se Shteti duhet të tolerojë gjithçka që ai nuk mund të ndalojë – ndoshta në rradhë të parë, vetë lirinë e të menduarit. Një shtet i tillë ku e drejta nuk është atribut i askujt – pasi i takon të gjithëve njëherësh, pra jashtënjerëzore – është para së gjithash i ndërgjegjshëm jo më për forcën e institucioneve por për arsyen e qeveritarëve. Edhe sikur të duam, nuk jemi në gjendje t’i shpëtojmë dyzimit bashkëkohor që ve ballëpërballë aspektin juridik të pushtetit hobesian me rolin rritës të fuqisë efektive spinoziane. Sidoqoftë, përvoja është e qartë : nuk mjafton më të mohosh ose të konfiskosh vullnete ose forca por tashmë duhet të kompozosh me to, t’i llogaritësh si fuqi të mundshme, pozitive, të dobishme.
.
.
. * * *
.
.
. Së fundi, mbetet edhe një problem për t’u shkoqitur : ç’lidhje ka mes shkrimit të z. Çipi dhe fabulës së La Fontenit ? Ndoshta është një filozof tjetër, Émile-Auguste Chartier, alias Alain, që zotëron një pjesë të përgjigjes :
.
. " .. forca çfaqet si padrejtësia vetë ; por do të ishte edhe më mirë po të themi e forca është e huaj ndaj të drejtës. Sidoqoftë ujku i fabulës është shëmbulli i pastër i kësaj padrejtësie, pasi ai kërkon që t’a aprovojnë ; këtu çfaqet thelbi i padrejtësisë, e cila qënka një pretendim i shpirtit. Ujku dëshironte që qingji të mos kishte send për t’ju përgjigjur, ose të paktën asgjë që mund të pranohet nga një arbitër, dhe arbitri është vetë ujku. Kësaj rradhe janë fjalët që na paralajmërojnë boll mirë : është e qartë që drejtësia varet nga gjykimi dhe që në këtë rast, suksesi s’ka të bëjë aspak. Të japësh të drejtë do të thotë të gjykosh. Të mbrohesh do të thotë të argumentosh. Të peshosh arsyen dhe jo forcat. Drejtësia e parë qënka pra një zhbirilim i shpirtit dhe një kqyrje e arsyeve. Një paragjykim është padrejtësi në vetvehte ; bile edhe ai që gjendet i favorizuar dhe që për më tepër, beson se ka të drejtë, nuk do të besojë kurrë se e ka patur drejtësinë me vehte përderisa nuk i është akorduar drejtësia edhe atij tjetrit, duke shqyrtuar gjithashtu arsyet e tjetrit me sinqeritet "
.
. Pjesën tjetër na duhet ta kërkojmë në vetë tekstin e Çipës, i cili me një zell prej ermiti vetëfshikullohet deri në gjak për të dëbuar djallin e injorancës që ka zgjedhur strehë në gjirin e profesionit. Dhe që në vazhdim i kërkon qeverisë të " investohet më shumë për një status të gazetarëve dhe për një mirërritje të brezave të rinj të gazetarisë kombëtare… për të garantuar shëndetin e debatit për teoritë e mediapolitikës ". Njëlloj sikur t’i kërkosh ujkut të fabulës të birësojë qingjin… për të garantuar dialogun mbi dobinë e të qenit vegjetarian !
. Në se liria brenda kokës së qytetarit gazetar – e pa ngjizur në fjalë ose e shprehur mbi letër – mbetet e paqënë " si fëmija në mitër ", e drejta e akorduar ndaj qytetarit Kryeministër të nëpërkëmbë një profesion të tërë bëhet e papërmbajtshme " si një kalë pa fre ". Pasi, në pamundësi të mbrojmë principin, të kemi të paktën kurajon për të konstatuar faktin brutal.

1 comments:

N.Ago said...

Është me të vërtetë për të qeshur dhe për të qarë. Arrin të japë mësime gazetarie(dhe gazetarët të heshtin), njeriu që duhet të heshtëte përjetë.
Paradoksi i paradoksaleve!

 
Përjetësisht të Panjohur