"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Thursday, January 29, 2009

Megalomania e delirit skanDALIzues.

.
. André Breton - Gjithçka bën të besosh se egziston një farë pike e shpirtit ku
. jeta dhe vdekja,realja dhe imagjinarja, e shkuara dhe e ardhmja,
. e përçueshmja dhe e papërçueshmja, e larta dhe e ulta
. ndalen së kqyruri në mënyrë kontradiktore. .
.
. Cili është çelësi për të zbërthyer fenomenin DALI, në mos vetë shprehja e piktorit katalan, asokohe 31 vjeçar ?
. " Aktiviteti paranoiak-kritik përbën në të vërtetë një metodë të vetvetishme të njohjes iracionale të bazuar në bashkëveprimin interpretues të fenomeneve delirante. Të gjendurit e elementëve aktivë dhe sistematikë të vetë paranojës siguron karakterin zhvillues dhe prodhues, të lidhur me aktivitetin paranoja-kritik. Kjo nuk paramendon idenë e të menduarit të drejtuar në mënyrë të vullnetshme, as ndonjë kompromis të çfarëdoshëm intelektual. Aktiviteti kritik ndërhyn vetëm si një fluid çfaqës i imazheve, bashkësi koherente sistematike. Aktiviteti paranoja-kritik është një forcë organizuese dhe prodhuese e rastësisë objektive. Është organizimi sistematiko-interpretues i ndjeshmërisë materiale, eksperimentale, surealiste, të shpërndarë dhe narcisike ".
.
. Për ata që nuk kanë kuptuar gjë prej gjëje, artisti zemërgjerë shton rreshtat e mëposhtëm fort kuptimplote lidhur me këtë metodë të tij krijuese :
. " Gjithë ambicia ime në planin piktural qëndron në materializimin me më imperialistin tërbim të saktësisë, të imazheve të irracionalitetit konkret, të cilat përkohësisht nuk janë as të shpjegueshme as edhe të ndrydhura nga sistemet e intuitës logjike, as edhe nga mekanizmat racionalë ". (La conquête de l'irrationnel. Ed. Surrealistes, 1935.)
.
.
. * * *
.
.
. Vështirë është të krijosh një ide të kjartë lidhur me fenomenin Dali nga shkrimet e vetë artistit. Aq më tepër kur këto shkrime disi të rralla dhe fragmentare nuk përfaqsojnë pjesën e tij më të shkëlqyer. Atëhere duhen kqyrur pikturat, tabllotë e tij të shumta, që pasqyrojnë fazat e njëpasnjëshme të krijimtarisë. Sikundër dhe ajo metoda paranojake-kritike e viteve 30 të shekullit të kaluar, pasqyrim i përsosur i të cilës është tablloja " Metamorfoza e Narcisit " (1937). Ja edhe interpretimi i vetë autorit :
. " Po qe e kqyrim me një farë tërheqjeje dhe me një farë " fiksimi të shpenguar ", figura hipnotikisht e palëvizshme e Narcisit gradualisht fillon dhe zhduket deri sa bëhet krejtësisht e padukshme. Metamorfoza e mitit ndodh pikërisht në këtë moment pasi imazhi i Narcisit shëndrrohet befas në imazhin e një dore që shfaqet nga refleksi i tij. Kjo dorë mban me majat e gishtave një vezë, një farë, ajo rrënja si qepë nga mbin edhe Narcisi – lule… një dorë fosile, minerale që mban lulen tashmë të çelur… ". Më tej në shpjegimin e tij ai fton vështruesin të përqëndrohet në grupin e personazheve " heteroseksualë " që gjenden në planin ndarës të dy imazheve të tabllosë " .. një hindu, një Katalan, një Gjerman, një Rus, një Amerikan, një suedeze dhe një Angleze – pretendentë të të dy sekseve që ndjellin Narcisin por që ai i refuzon në mënyrë sistematike ".
. Paralelisht me pikturën, Dali boton në Paris një poemë homonime dhe deklaron që ajo duhet lexuar njëherësh duke kqyrur tabllonë :
. " kur kjo kokë do të çahet, kur kjo kokë do të kriset, do të jetë lulja, Narcisi i ri, Gala, Narcisi im ".
.
. Frojdi që priti artistin – bashkë me tabllonë e tij - në Londër në 1938, pas këmbënguljes së Zvajgut, i shkruan mikut të tij të shquar vjenez :
. " .. Me gjithë mend, duhet t’ju falemnderoj për vizitorin që më sollët mbrëmë. Pasi, deri dje isha i prirur t’i konsideroja surrealistët që me sa duket më kanë zgjedhur si shenjtor mbrojtës si të çmendur absolutë (le të themi 95% sikundër dhe alkoholi). Por ky spanjolli i ri, me ato syte e tij fanatikë dhe me mjeshtëri artistike të padyshimtë, më frymëzoi një opinion të veçantë.. " .
.
. . Provojmë fatin me një tjetër tabllo : " Endërr e shkaktuar nga fluturimi i një blete rreth një shege, një sekondë përpara zgjimit ", e realizuar në 1944. Lidhur me këtë pikturë, Dali – gjithmonë ai – shpjegon : " ..imagjinoni për herë të parë, zbulimin e Frojdit të ëndrrës tipike të një përrallisjeje të gjatë argumentale, pasojë e menjëhershmërisë së një aksidenti që shkakton zgjimin. Sikundër rënia e një mbajtëse perdesh që bie mbi qafën e të përgjumurit dhe që shkakton njëkohësisht zgjimin e tij dhe një ëndërr të gjatë që përfundon nën thikën e gijotinës, zhurma e bletës shkakton këtu nguljen e thumbit që zgjon Galën – p .s : gruan e Dalisë ".
. Duke harruar për një çast gijotinën, na mbetet të imagjinojmë Galën ende të përgjumur, nga dora e të cilës bie përtokë shega që çahet dhe ndjell bletën… një Gala të transportuar gjatë ëndrrës së saj në një botë mineralo-ujore të shëndritshme dhe pasqyruese me horizonte elefanteske, që ndjen gumëzhitjen kërcënuese dhe parandjen rrezikun, ndërkohë që nënndërgjegja e saj prodhon imazhe të njëpasnjëshme : një peshk barbun - përfaqësues i ujit, i kuq si zemra e shegës që e nxjerr – i cili vjell një tigër – gumëzhitja tashmë vjen si buçitje – që përvijohet në ajër nëpërmjet një tigri të dytë, rreziku i të cilit shëndrrohet në një pushkë që gatitet të çpojë me bajonetë llërën e gruas së fjetur – thumbi kërcënues i bletës së pafajshme. Nuk jam aspak i sigurt se mund t’ju bind me këtë imagjinatë Dalijane, aq më tepër kur edhe vetë mjeshtri katalan shprehet diku : " ka më pak çmenduri në metodën time se sa metodë në çmendurinë time ".
.
. Në një përçap(rt)je të fundit, le të kqyrim tabllonë " Këshilli ekumenik " (1960) dhe njëkohësisht të ndjekim fjalën e autorit :
. " .. për të depërtuar në zemër të realitetit, kam intuitën gjeniale që zotëroj një armë të jashtëzakonshme : misticizmin, ose ndryshe, intuitën e thellë mbi komunikimin e menjëhershëm me gjithçka, vizionin absolut nëpërmjet amëshimit të të vërtetës, nëpërmjet amëshimit qiellor… E imja ekstaza ! ekstaza mes Zotit dhe njeriut. Vdekje akademizmit, formulave burokratike të artit, plagjaturës dekorative, absurditetit debil të artit afrikan… Dhe pikërisht në këtë gjendje të profecisë të dendur munda të kuptoj se mjetet e shprehjes pikturore janë shpikur njëherë e mirë me maksimumin e përsosmërisë që prej Rilindjes dhe që dekadenca e pikturës moderne vjen nga skepticizmi dhe nga mungesa e besimit, pasoja të materializmit mekanik. Unë, Dali, duke rimëkëmbur misticizmin spanjoll, do të provoj me anë të veprës time unitetin e universit duke treguar shpirtërzimin e gjithë subsancës ".
. Pa asnjë dyzim edhe për më skeptikun e lexuesve : misticizmi i Dalisë është po aq i fuqishëm mbi letër sa edhe i dukshëm në telajo.
.
.
. * * *
.
.
. Mjaft i intriguar nga personazhi, ndoshta jo fort i bindur nga filozofia dhe me shqisa aspak të ngopura, vendosa të kqyr artin dalijan me sytë e mij. Aq më tepër kur tempulli i këtij arti gjendet vetëm 25 kilometra larg kufirit franko-spanjoll, në Figuereas, qytetin e lindjes së artistit. Teatri i dikurshëm bashkiak, i rrënuar deri në themele gjatë Luftës së Spanjës, u rindërtua në 1974 sipas dëshirës dhe fantazisë së vetë mjeshtrit dhe u shëndrrua në objektin surrealist nga më të shquarit e globit, një mjedis që grupon shumllojshmërinë e punimeve personale të Dalisë. Përgjatë pesë orësh, i zhytur në turmën shumëgjuhëshe dhe shumëngjyrëshe, admirova skicat, tabllotë, kompozimet, skulpturat, bizhutë, objektet e artit, mobiljet, mjediset, sendet… I gjithë – ose pothuaj i gjithë - universi dalijan ishte aty, në të prekur të dorës, në të kqyrët e syve, përpara objektivit të aparatit fotografik. Venusi me sirtare, Ledat atomike dhe Galateat grimcore, elefantët me këmbët si të merimangave, orët e rrjedhshme si brumi, vezët, insektet, pejzazhet minerale, buka si falus, ekskrementet, ëngjëjt dhe rinicerosi… mbi letër, mbi beze, në bronz, kristal, gur bile edhe në ar.
. Gjithkund shtrihej megalomania (Diferenca mes meje dhe surrealistëve qëndron në faktin se unë jam një surrealist), frymëzimi nga arti italjan (mos u druani nga përsosmëria, nuk do t’a arrini kurrë), misticizmi i thellë (jam praktikant por jo besimtar), narcisizmi nombrilist (Ngjarjet më të rëndësishme që mund t’i ndodhin një piktori bashkëkohor janë dy : 1. Të jetë spanjoll 2. Të quhet Gala Salvador Dali. Që të dyja këto më kanë bërë vaki. Sikundër do të thotë dhe emri im Salvador, jam i predestinuar as më pak as më shumë të shpëtoj pikturën moderne nga kaosi dhe nga dembelizmi), vdekja e gjithëgjendur (tash e tutje do të shijoj me një oreks të veçantë edhe sardelen më të vogël, ndërkohë që mendoj njëkohësisht mbi të gjithë miqtë e mij që kanë vdekur, në preferencë të pushkatuar ose të martirizuar… Nga momenti që vdesin, ata fillojnë te punojnë për Dalinë hyjnor), bile edhe vetë surrealizmi (kur njeriu u mundua të imitojë të ecurën, ai shpiku rrotën që nuk i ngjan aspak këmbës. Dashur pa dashur, ai prodhoi surrealizmin*). Mbi gjithçka shtrihej hieja e Galës, gruas dhe bashkëpuntores së tij deri në varr, alter-egoja e tij, muza e përjetshme, dyzimi i tij egzistencial, frymëzimi i parreshtur, xhandarja e pamëshirshme e krijuesit të shkujdesur (e dua Galën më shumë se nënën time, më shumë se babain, më shumë se Pikason dhe bile më shumë se paret…).
.
. Përfundimisht, Dali : shpirt i tejndjeshëm, i torturuar nga dyzimi egzistencalist ? klloun gjenial, interpret i një epoke të turbullt ? manipulator i pashoq, alkimist i etur për lavdi dhe për ar ? apo thjesht, pararendës i një arti të ri, novator, që amalgamon në një të vetme nënnndërgjegjen e errët me shkencën më të ndritshme ?
. Në pamundësi të zgjedhjes, preferoj më mirë Dalinë rrebel dhe mospërfillës ndaj ligjeve të natyrës dhe të vetë artit, që shkruan në tekstin e tij " Deklarata e pavarësisë të imagjinatës të të drejtave të njeriut ndaj çmendurisë së tij " rreshtat e mëposhtëm :
. " Atëhere kur, në historinë e kulturës njerëzore, një popull provon domosdoshmërinë për të thyer lidhjet intelektuale që e bashkojnë me sistemet logjike të të kaluarës me qëllim krijimin për nevojat e veta të një mitologjie origjinale, mitologji e cila, duke u përputhur përsosshmërisht me esencën dhe me presionin total të realitetit të tij biologjik, njihet nga shpirtrat e elitës së popujve të tjerë, atëhere opinioni publik i shoqërisë pragmatike kërkon për respekt ndaj vehtes që të ekspozohen motivet e thyerjes me formulat tradicionale tashmë të tejkaluara ".
.
.
. * * *
.
.
. I tejngopur nga vargëzimi viziv, i provokuar nga paturpësia krijuese deri edhe i agresuar nga deliri gjenial, vendosa të braktis për disa momente fotografët amatorë japonezë, kqyrësit e panginjur rusë dhe pensionistët e ngeshëm barcelonezë për të pirë një cigare duhan jashtë në ajrin e ftohtë, diku në atë pation paqësore tipike spanjolle të katit të parë, mes qiparisave dhe ullinjve katalanë.
. Vetëm dy banda çerrash fluturakë prishnin heshtjen sovrane të fundditës me cicërimat e tyre gërvishtëse, sejcila në thellësinë e errët të qiparisit të vet, dhe herë-herë kasnecët e shpupurisur zbrisnin në sheshin e mejdanit për t’u grindur rreth thërrimeve të harruara nga turistë të ngopur. Lëmshe puplash të ndriçuara deri në lëkurë nga rrezet oblike të diellit surrealist të janarit që vononte të kaptonte vargun blu të Pireneve, për t’u mbytur në oqeanin e largët. Artistë virtuozë të piruetave ajrore akrobatike dhe të arabeskave të padeshifrueshme mbi pluhurin e oborrit. Befas, një klithmë e mprehtë dhe rrënqethëse u ngrit në ajër dhe u këput në mes, u gdhënd në eter… duke ngjallur një heshtje varri mes trumcakëve të lebetitur. Një fluturim i rëndë, rrafsh me çatitë e kuqërreme, një shpalosje e vetëtimshme flatrash dhe qielli ende i ndritshëm përvijoi trajektoren imperiale të zotit të muzgut, Ishte hutini që largohej me prenë tashmë në kthetra, arbitër suprem i asaj metafizike të çastit që dora dorës quhet jetë ose vdekje, mjeshtër i padiskutueshëm i delirit irracional që shoqëron mbijetesën e llojit dhe që ngjall respektin e heshtur të grigjës me vetë artin sublim dhe efemer të magjepsjes së shpirtrave të nënështruar.
.
. Diku lart në qiell, në mes atij dekori dalijan të kolonave dhe të mureve të muzeut, reja e fundit e larë në ar nga dielli perëndues - bashka e artë - ndukej nga dora e padukshme e Krijuesit për t’i lënë vendin mbrëmjes – Gala - transparente, krejt lakuriq, që afrohej nga larg, shumë larg, diku pas hijes së diellit.

1 comments:

ARTI NE KOHERAT E KOLERES said...

gjergj,

ne rradhe te pare te them nje bravo(te madhe) per kete perqasje kaq interesante tenden, ndaj nje figure kaq te nderlikuar te historise se artit modern.

ndonese kendveshtrimet tona mbi historine (ne teresi), disahere na vendosin perballe, persa i perket prizmit te perceptimit dhe analizes se saj, nuk mund te mos pranoj publikisht se jam nje admirues i menyres tende te rrefyerit, apo i elokuences tende meditative.

le te kthehemi tek shkrimi yt mbi "fenomenin dali". mendoj se tre paragrafet e fundit (ne te cilat mund te them se eshte edhe sinteza jote mbi temen) jane mjaft domethenese dhe me nje potencial te madh shprehes. do ti cilesoja si margaritare.

sa per fenomenin dali, mendimi im per te eshte paksa i ndryshem. thua:
"...Në pamundësi të zgjedhjes, preferoj më mirë Dalinë rrebel dhe mospërfillës ndaj ligjeve të natyrës dhe të vetë artit..."

mjaft vepra te dalise kam patur fatin ti shoh nga afer, keshtu qe kam nje opinion personal. per mua me i rendesishem ishte njeriu-dali, se sa artisti-dali. artin e tij nuk e gjej aspak rebel, perkundrazi do ta konsideroja ne mjaft aspekte konservator dhe te vaket. per mua interes ka truri i tij (ne castet kur eshte i sinqerte), jo vepra. ne mjaft vepra te dalise, nuk mund te mos pranoj se has nje plogeshti te qarte krijuese, monotoni dhe lodhje, te gjitha keto "te mbeshtjella" me kordele ngjyraplot te nje "marrezie komerciale".

"fenomenin dali" do ta cilesoja si nje marrezi grishese, e ushqyer dhe e kultivuar ne mjaft faza nga nevojat komerciale te tregjeve te artit, dhe aspak si nje perpjekje per ti dhene forme vizive demoneve dhe djajve qe mund te ushqente brenda tij vete salvator dali...

te pershendes!

 
Përjetësisht të Panjohur