.
.

.
. Pas largimit të dhunshëm të qeverisë Noli në dhjetor të vitit 1924, mërgimi mbeti si një nga zgjidhjet e vetme të mundshme për kundërshtarët politikë të Zogut. Në fillim, një numur i madh i tyre u vendos në Itali, deri në momentin kur trashja e lidhjeve mes Tiranës dhe Romës i detyroi të shpërndahen në Europë, me një preferencë për Vjenën dhe Parisin. Sidoqoftë, një pjesë e të mërguarve, mes të cilëve shkëlqenin Mustafa Merlika - Kruja apo Ernest Koliqi, u tërhoqën nga ideologjia fashiste. Gradualisht, ata u shëndrruan në mbrojtës të zellshëm të rendit të ri botëror dhe bile, disa prej tyre u bindën të ktheheshin në vend gjatë vitit 1939, në bagazhet e ushtrisë italjane të pushtimit.
.
. Në fundin e vitit 1925, nën frymëzimin e krahut rinor të shoqatës të vjetër " Bashkimi ", u mbajt në Vjenë një konferencë e të mërguarve antizogistë e cila shpalli formimin e një Komiteti Nacional Revolucionar (KONARE), në presidencën e Hirësisë së Tij Fan Noli. Pasi që ndjenjat antizogiste nuk ishin të mjaftueshme për të çimentuar këtë nebulozë opozitare, grupimi i mërgatës shqiptare shumë shpejt ra pre e një serie divergjencash.
. Molla e sherrit u bë orientimi që duhej të merrte kjo lëvizje në politikën e saj të jashtme, veçanërisht lidhur me kontaktet që KONARE kish lidhur me Konfederatën Komuniste të Ballkanit. Në mënyrë të paevitueshme, pikpamjet e ndryshme dhe të papajtueshme çuan në shpërndarjen e Komitetit, gati një vit më pas themelimit të tij (shënimi 1). Pjesa më e madhe e fraksioneve të djathta, partizanë të një politike bashkëpunimi me fqinjët ballkanikë dhe me vendet e perëndimit, u afrua me " Bashkimin Kombëtar " - një organizatë tjetër në mërgim e krijuar nga Ali Këlcyra, Sotir Peci si edhe nga Qazim Koculi. Disa nga personalitetet më në zë, si Fan Noli, të zhgënjyer dhe të ligështuar, e braktisën fushën e betejës dhe u zhdukën përgjithnjë nga jeta politike shqiptare. Së fundi, një grupim i vogël krejt i majtë vendosi të shkojë dhe të vendoset në Bashkimin Sovjetik.
.
. Të posambrriturit në vendin e Sovjetëve – nja njëzet vetë gjithsej – u adoptuan menjëherë nga
Konfederata Ballkanike e partive komuniste dhe nëpërmjet saj, këta militantë u lidhën me Internacionalen Komuniste (Komintern), duke u bërë në këtë mënyrë revolucionarë profesionistë. Gjurmat e tyre çfaqen në Ballkan, në Gjermani apo në Iran bile deri edhe në Mançurinë e largët. Sidoqoftë, një grup i vogël komunistësh shqiptarë, në gjirin e të cilit bënin pjesë Ali Kelmendi, Dr Sejfulla Malëshova – sekretari personal i Nolit, Llazar (Zai) Fundo, Tajar Zavalani si edhe Koço Tashko, u vendos përfundimisht në Moskë. Me iniciativën e tyre u krijua edhe një parti komuniste shqiptare fantazëm për të cilën, përveç atyre pak antarëve të saj, askush s’kish dëgjuar të flitej në rrethet komuniste të kryeqytetit sovjetik dhe aq më pak në Shqipërinë e largët.
.

.
.
. Në vitin 1929, Dimitrovi, padroni bullgar i Kominternit, dërgoi disa emisarë në Shqipëri, për të organizuar bazat e lëvizjes komuniste të ardhshme. Mes tyre, historia rregjistroi Ali Kelmendin (shënimi 2). Përgjatë disa viteve, ky i fundit u mundua të mbledhë rreth tij një numur puntorësh, intelektualësh dhe të pakënaqur të tjerë të rregjimit, në fillim në Korçë dhe më pas në Tiranë. I diktuar shumë shpejt nga agjentët e mbretërisë, ai u burgos dhe, pasi u lirua për arsye shëndetsore, u mbajt nën kontrollin e afërt të policisë. Gjithmonë i sëmurë, ai u largua nga Shqipëria pak para shpërthimit të luftës së Spanjës. Gjurmët e tij u çfaqën në Lion dhe në Paris ku edhe vdiq nga tuberkulozi, pasi kish mundur të botonte një gazetë komuniste. Ndërkohë, në 1937, i dërguari i ri i Kominternit për Shqipërinë quhej Koço Tashko, i cili zgjodhi si rezidencë të tij Korçën.

.
. Në pragun e pushtimit fashist, Shqipëria numëronte gati dyqind simpatizantë komunistë, të grumbulluar pranë një gjysëm dyzene grupesh të izoluara, si edhe disa grupthe jashtë shtetit (Francë, Bashkimi Sovjetik). Mes tyre, më i vjetri mbahej Grupi i Korçës, i krijuar që në prill të vitit 1928 nga një artizan lokal, Miha Lako. Fillimisht i dominuar nga idetë arkeo-marksiste (shënimi 3), ai u shëndrrua krejtësisht dhe u vu mbi baza të reja nga Ali Kelmendi që, për më tepër, e orientoi drejt organizatave profesionale siç ishte rasti i Grupit " Puna ". Nën frymëzimin e Kelmendit, disa nga antarët dhe simpatizantët e grupit, mes të cilëve shquhej Riza Cërova i sapokthyer nga Bashkimi Sovjetik, mundën të depërtonin në rrethet antizogiste të oficerëve të Mbretit dhe morën pjesë në atë lëvizje komplotiste që u quajt Kryengritja e Fierit. Një grup i dytë qe krijuar në Shkodër, në vitin 1934. I drejtuar nga një intelektual lokal, Zef Mala (shënimi 4), ai u degëzua shpejt në qytete të tjera si në Tiranë, në Elbasan bile edhe në Korçë. Shumë i mbyllur dhe i karakterizuar nga një mosbesim i ngulët ndaj sivëllezërve të tjerë komunistë, aktiviteti i Grupit të Shkodrës u kufizua në përgatitjen teorike të antarëve të tij. Që prej vitit
1938, me anë të revistës së tij " Buletini Jeshil ", ai teorizonte mbi pavlefshëmërinë e tezave të Frontit popullor, të mbrojtura me zell nga Grupi i Korçës. Një grup i tretë, i quajtur " i Zjarrit ", doli në skenë në vitin 1937 nën drejtimin e Andrea Zisit, i cili deklaronte se kish krijuar një vit më parë në Greqi një grupim të vetin që vetëquhej ndërkohë parti Komuniste (trockiste). Ky çfaqje e papritur dhe kundërshtimi i vendosur i Zjarristëve ndaj grupeve të tjera s’bëri gjë tjetër veçse shtoi konfuzionin dhe gjallëroi grindjet që edhe në mungesë të tij ishin mjaft të ashpra. Ndërkohë, Zai Fundo, një nga të vjetrit e Kominternit ishte prishur me stalinizmin dhe kish denoncuar publikisht të ashtuquajturat " gjyqet e Moskës " kundër opozitës trockiste sikundër edhe ndërhyrjen e Sovjetikëve në çështjet e brendshme të Republikës së porsalindur spanjolle.

.
. Ende në fazën e saj foshnjore, lëvizja komuniste pësoi një goditje të rëndë nga rregjimi i Zogut : në fillim të vitit 1939, u hap në Tiranë gjyqi kundër 75 antarëve dhe simpatizantëve komunistë, që i përkisnin kryesisht Grupit të Shkodrës. E gjymtuar në këtë mënyrë, asaj ju desh të riorganizohej në kushtet e pushtimit fashist të vendit. Përfundimisht, një grup i katërt, ai i " të Rinjve " u çfaq në Tiranë gjatë vitit 1940. Udhëheqësit e tij Sadik Premtaj dhe Anastas Lulja u shkëputën nga grupi i tyre i Korçës në përgjigje të alternativës së krijuar nga pushtimi italjan.
. Të keqpërgatitur nga ana teorike, të brejtur nga ndarjet dhe grindjet e brendshme dhe sidomos, të këmbëngulur në interpretimet e tyre të ndryshme të direktivave e Kominternit – veçanërisht lidhur me Frontin Popullor, grupet komuniste lokale nuk patën asnjë eko në skenën politike të vendit. Situata ndryshoi vetëm pas çfaqjes së figurës së Enver Hoxhës, udhëheqësi i ardhshëm i partisë komuniste dhe padyshim figura dominante e politikës shqiptare të shekullit të XXtë.
.

.
. Pushtimi fashist ngjalli një lëvizje të vetvetishme të rezistencës dhe kristalizoi ndjenjat kombëtare të popullit, shprehja praktike e të cilës ishin ndjenjat e vjetra antiitaljane. Dashur padashur, kjo gjë ndikoi në rigjallërimin e aktivitetit të komunistëve të cilëve ju desh të kërkonin rrugë të reja bashkëpunimi mes tyre për të dalë nga gjendja e pasivitetit. Por nënshkrimi i Paktit antiagresion të 23 gushtit 1939 mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë hitleriane frenoi entusiazmin e tyre dhe përgjatë muajve të tërë, ata s’bënë gjë tjetër veç të vështronin instalimin e maqinës ushtarake fashiste dhe përgatitjet e saj për aventurën ballkanike. U desh sulmi i Gjermanisë ndaj BRSS, në 22 qershor 1941 që ata të zgjohen përfundimisht dhe të vendosin të krijojnë Partinë Komuniste Shqiptare.
.
.
. ------------------------------
.
.
. 1) Shpërndarja e KONARE-s më 1926, mundësoi krijimin e një Komiteti të Çlirimit Kombëtar, me frymëzim mjaft të majtë për të mos thënë komunist, i drejtuar nga Halim Xhelo. Që nga viti 1929, ky Komitet bënte pjesë në Konfederatën ballkanike komuniste.
.
. 2) Agjentët e parë të Kominternit – të gjithë të huaj – përshkuan vendin në fillimin e viteve njëzetë. Përveç njohjes së terrenit, detyra e tyre ishte rekrutimi i elementit vendas dhe përkrahja e tyre në drejtim të krijimit të grupeve komuniste. Ndoshta nga të parët që u rekrutua ishte Sejfulla Malëshova që i përkiste rrethit të ngushtë të Fan Nolit.
.
. 3) Epiteti vjen nga " Archiou marxismou " (Arkivat e marksizmit), titulli i revistës kryesore të organizatës trockiste greke të viteve tridhjetë.
.
. 4) Drejtuesi tjetër i Grupit të Shkodrës ishte Niko Xoxi, zëdhënësi kryesor i ideve arkeo-marksiste të Grupit të Korçës. I përjashtuar nga ky grup, ai shkoi në Shkodër dhe ndikoi në thellimin e kontradiktave mes këtyre dy organizatave. Sidoqoftë, në korrik të vitit 1939, Zef Mala arriti të shëndrronte grupin e tij në Parti Komuniste të Shqipërisë. Akti i krijimit pati një jehonë aq të dobët saqë asnjeri në vend s’mori vesh gjë ndërkohë që Mala u internua nga italjanët diku në gadishullin Apenin që në ditët e para të pushtimit fashist.
1 comments:
2
Post a Comment