"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Sunday, December 27, 2009

Gëzuar.. !

.
.
. Të dashur miq dhe dashamirë. .
. Ju uroj nga zemra : Gëzuar… në këtë çast, sytë dyzojnë dhe mendimi ndalet : meqënëse jemi në fund të vitit na është bërë zakon të urojmë fillimisht ditëlindjen e Krishtit - dhe më tej Vitin e Ri. Por në se ditëlindjen e Krishtit e quajmë Krishtlindje, përse atëhere urojmë : Gëzuar Krishtlindjet ? .
. Përse Krishtlindjet në shumës ? vallë Perëndia kish ngjizur disa djem si Krishti ? apo ky i bekuar Krisht ka lindur disa herë rresht ? Edhe një ish-ateist si puna ime, sot agnostik dhe laik – por sidoqoftë i pagëzuar që foshnjë – e di fare mirë që Jesusi i Nazaretit, ky bir unik i Zotit dhe mishërimi i tij i gjallë, pjella e virgjëreshës Mari dhe e Frymës së Shenjtë, mendohet se ka lindur diku në Betlehem, mes kafshëve shtëpiake të një stalle, në një datë të papërcaktuar – në mos të harruar. Më vonë, me reformën e kalendarit, Roma zyrtare vendosi që kjo datë të jetë 25 dhjetor ndërkohë që të tjera kisha, besnike të kalendarit gregorian, vendosën ta festojnë në 7 janar. Edhe nëse ve në dyshim shqipen time, të gjithë gjuhët e tjera që flas dhe lëçit më japin të drejtë : Chrismas, Navidad, Nöel, Natale…
.
. Ç’është ky zell shqiptaresk për të shumuar ditën e lindjes si dikur vetë Krishti bukët ? .
.
. - ndoshta për shkak se nuk e kemi festuar këtë ditë përgjatë një gjysëm shekulli – foli dikush përballë, mes dy kafshatash mishi. Ndoshta.. por ama, kjo mungesë shpirtërore gjysëmshekullore nuk na shtyn të shumëfishojmë as Ramazanët, as Kurban Bajramët as edhe Festat e Hashureve… .
. - ndoshta, meqënëse e festojmë çdo vit… - Hajde pra, të fajësojmë maninë e festimit të përvitshëm. Por, sidoqoftë, kjo festomani nuk i shtyn mysafirët të më urojnë çdo vit : gëzuar ditëlindjet ! dhe aq më pak njeriun e rrugës të më përshëndesë me tradicionalen : Gëzuar Vitet e Rinj ! .
. - atëhere është gabim i televizorit, faji i ndonjë regjizori shumë të zellshëm - m’u përgjegj fqinji im i tryezës që si unë po kqyr ekranin ku po shkasin urimet. Gabim posepo, faj ndoshta, por sidoqoftë regjizori i zellshëm nuk është më pak i papërgjegjshëm se sa përfaqësuesit më të lartë politikë të vendit – pa dallim feje, krahine dhe ideje – do të kish thënë rilindasi. Për shembull, Kryeministri Berisha uron shkodranët gjatë vizitës së Kishës Ortodokse dhe të Katedrales të qytetit të Shkodrës : "Krishtlindjet e tjera ti festojmë me një besim më të madh te Zoti, te vetja dhe te Shqipëria, si dhe të lëvizim të lirë në mbarë Evropën si qytetarë të një vendi të lire në v.2010 ». Ndoshta, i rritur në një tjetër frymë, dhe nën hijen e të tjera minaresh , ai edhe gabon… po ç’emër t’i vemë atëhere znj. Topalli, katolike e devotë, kur ju deklaron tiranasve nga Katedralja e Shën Palit dhe nga Kisha ortodokse autoqefale : « Dita e Krishtlindjeve, është një ndër festat më të hareshme është dita në cilën lind shpresa për një botë të re, për një paqe të re dhe kjo na bën që në familjet tona të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimet e tyre fetare ta shohin si një festë shumë të ngrohtë që të jep optimizëm dhe besim për të ardhmen » ? Këtij mëkati nuk i shpëton as z. Rama që, me gjithë praninë e të Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, uron me plot gojën : “Ju uroj të gjithëve Gëzuar Krishtlindjet! Mbi të gjitha dua që ky urim t’ju shkojë të gjitha familjeve shqiptare që në këtë fundviti përballen me një krizë e cila ka nevojë për durim, ka nevojë për mundim, ka nevojë për sakrifica të veçanta, që unë uroj dhe shpresoj që nuk do të vazhdojnë për një kohë të gjatë ». .
. Zaten, këtij tundimi nuk i shpëtojnë as vetë klerikët, ipso facto. « Telegrafi » kosovar na mëson se « me rastin e Krishtlindjeve katolike, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji të enjten, më 24 dhjetor do të organizojë një pritje solemne për personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë e punojnë në Republikën e Kosovës, në Rezidencën e re Ipeshkvnore ». Nga disa mijra kilometra më tej, Zëri i Amerikës, Uashington, sjell lajmin se Hirësia e tij Ilia Ketri, Episkopi i Patriarkanës Ikumenike të Kostandinopojës, të Stambollit, i caktuar për besimtarët shqiptarë shqipfolës, ortodoksë të Amerikës u uron shqipfolësve të tij urbi et orbi Gëzuar Krishtlindjet. Edhe "Ngjallja", organi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë e titullon kryeartikullin e saj festiv "Gëzuar Krishtlindjet".
. Nga të rrallët që i përmbahet protokollit – si edhe gjuhës – është Papa Benedikt XVI, i cili gjatë mesazhit tradicional poliglot përshëndet në shqip « gëzuar Krishtlindjen ». Por një gazetar më tutje, një redaktor më tej edhe mesha papale kthehet - edhe ajo - në të Krishtlindjeve.
. Mes kësaj kakofonie urimesh, pritjesh dhe meshash të paganëve shqiptarë të ripagëzuar që kremtojnë lindjet e Krishtit duke shnatyruar gjuhën e nënës, preferoj më mirë të uroj thjesht : « Gëzuar… ».

La suite.. - Vazhdimi...

Friday, December 18, 2009

Pesha e kryqit.

. Përsiatje mbi shkrimin e F. Lubonjës « çmimi Asturias dhe Kadare» .
.
. Është një temë tashmë e njohur qepja e opinionistit Lubonja ndaj shkrimtarit Kadare, aq sa dikush – popullorçe – do ta cilësonte « me bukë në trastë ». Kësaj rradhe, është çmimi Princi i Asturias i Shkrimeve që i vuri zjarrin shkarpave dhe që ndezi debatin e vjetër. . Pa diskutim, gjithmonë e kam vlerësuar mendimin e Lubonjës : forcën e argumentave të tij bile edhe elegancën e mendimit. Por kësaj here, më duhet të pranoj se logjika mjergullohet dhe fjala humb forcën e saj. Ndoshta shkaku është zemërimi që rrjedh nga bujaria spanjolle që arrin dhe e cilëson veprën e Kadaresë "antitotalitare", që e shtyn të thërresë në ndihmë dëshmitarë të panevojshëm – Ramiz Alinë apo Rexhep Qosen. . Sejcili, sipas mënyrës së vet, hakmerret në këtë duel në distancë : Lubonja merr revansh ndaj të tashmes, që mbyll sytë me kryeneçësi ndaj mëkateve të të kaluarës. Edhe Kadare, nga skena e largët madrilene merr hak : ndaj të kaluarës, duke kqyrur vetvehten sikur të ishte Orfeu – ai që rikthehej tek të gjallët pasi kish përjetuar botën e përtejme, realizues i një misioni të paarritshëm, bartës i një mesazhi universal – dhe jo pa qëllim ai evokon Don Kishotët e çmendur, ndonëse fisnikë, por sidoqoftë të dënuar nga ai Shteti shqiptar po aq i çmëndur, por ama pervers.
.
. Cili prej tyre ka të drejtë : analisti i shquar që shpurrit kujtimet e vjetra të periudhës totalitare, në kërkim të gjesteve dhe të shprehjeve të shkrimtarit, i bindur për njejtësimin e dikurshëm të tij me sistemin, për unitetin e idealeve dhe të interesave - apo shkrimtari edhe më i shquar, vepra e mbarënjohur e të cilit, e ngjizur pikërisht me lëndën e kësaj të shkuare, njihet dhe vlerësohet së fundi edhe nga zhuria spanjolle jo vetëm « si një nga figurat më të mëdha të letërsisë shqiptare» por si ai « që ka kapërcyer kufijtë për t’u ngritur si zë universal kundër totalitarizmit » ? Me të tjera fjalë, nga kjo anë apo nga ana tjetër e « kufirit të kapërcyer », cila nga logjikat është më qenësore : adhezioni i hershëm i vullnetshëm i shkrimtarit me totalitarizmin shqiptar apo kontributi i tij i mëvonshëm si zë universal kundër totalitarizmit të përbotshëm ? ideja e Lubonjës se arti i « realizmit socialist » - përfaqsues i përsosur i të cilit ishte dikur shkrimtari ynë – është një armë e sofistikuar e arsenalit shtypës të Shtetit komunist, apo ideja tjetër – e mbrojtur nga Kadareja në Madrid - që bota e artit dhe bota reale janë dy botë të ndryshme në ndeshje të përhershme, me synime dhe qëllime të kundërta, « pohimi më sublim e pavarësisë së vërtetë të artit » - dhe me këtë rast, i vetë shkrimtarit ? .
.
. . Le t’ja besojmë gjykimin e kësaj çështjeje delikate një arbitri të paanshëm, Solzhenicinit. Aq më tepër i paanshëm pasi sot ai nuk gjendet mes të gjallëve. Për fat, ky Solzhenicin bashkon në një të vetëm analistin dhe shkrimtarin : i diplomuar në shkencat egzakte (matematike – fizikë), i dënuar me tetë vjet burgim në gulaget staliniane, më tej i internuar i përjetshëm në républikat e Azisë së Mesme, ai i kthehet shkrimit dhe letërsisë, mbi bazën e përvojës së tij personale. Në vitin 1963 – po atë vit që sheh dritën e diellit « Gjenerali.. » - ai boton novelën « Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit » - titullin e parë të asaj liste të gjatë veprash që e bënë të njohur në vendin e vet dhe në botën mbarë dhe që e kurorëzuan si Nobelist (1970).
.
.
. * * *
.
.
. Romani i tij i shquar « Pavjoni i kancerozëve », i shkruar në periudhën 1963 – 1967, na sjell skenën e mëposhtme : dy të sëmurë me kancer, sejcili në perëndim të jetës së tij, të ulur në diell në stolin e lulishtes së pavjonit, shkëmbejnë mendime lidhur me jetën – atë të mjerën që e kanë lënë pas, të brejtur nga dyshimi për atë tjetrën që kanë përpara. I pari, në origjinal Kostoglotov (që po e shqipërojmë Kosta), vjen nga internimi i përjetshëm, pasi ka bërë ndërkohë 8 vjet burg « për politikë ». I dyti, Çulubin (i shqipëruar Çome) ka mundur t’i shpëtojë arrestimit, burgut, internimit – por jo sëmundjes. Këtu, dialogu i tyre është sjellë i dramatizuar – për të qenë më i shkurtër dhe më dinamik, dhe sigurisht, i përshtatur. (Të më falë lexuesi për « pasaktësitë » dhe sidomos për « shmangien » nga origjinali, pasi shqipërimi dhe dramatizimi i tij është bërë nga varianti francez i veprës – ndërkohë që më tej « përshtatja » vjen si kërkesë ndaj një realiteti tashmë të përjetuar).
.
.
. Kosta - … unë, për shembull, mund t’ju them që kam patur një jetë fatkeqe sa s’ka. Por, ku e di unë? Ndoshta, e juaja jetë mund të ketë qenë edhe më e vështirë. Si mund ta di kur nuk jam në dijeni? .
. Çome - .. jeta më e vështirë nuk është ajo e njerëzve që përballin detin, që rrëmihin tokën, që kërkojnë ujë në shkretëtirë. Jeta më e vështirë është ajo e njeriut që çdo ditë, duke dalë jashtë, përplas kokën tek trau i portës, pasi ky i fundit zbret gjithnjë e më poshtë… përsa ju përket, kam kuptuar se keni bërë luftën, më tej burgun, apo jo? .
. Kosta – pa llogaritur që nuk kam mundur të kryej studimet para lufte. Pa llogaritur që ishte e pamundur të ngrihesha në gradë gjatë saj. Pa llogaritur që pas lufte – dhe pas burgut, jam një i internuar i përjetshëm… pa llogaritur kancerin e sotëm. .
. Çome – në këtë pikë të fundit jemi njëlloj, Sa për tjetrën, po ju them këtë : ju, sidoqoftë, keni gënjyer më pak, më kuptoni? Ju e keni përkulur më pak kurrizin. Mos e harro këtë ! Ju, ju arrestonin ; ne na mblidhnin tufë në mbledhje për t’u hakërruar ndaj jush. Ju, ju ndëshkonin ; ne na detyronin të duartrokisnim, më këmbë kur shqiptohej dënimi. Ç’po them duartrokisnim ! Ne duhet të kërkonim dënimin tuaj me vdekje, t’a lypnim ! A ju kujtohet ç’ka shkruanin gazetat ? « si një njeri i vetëm, i gjithë populli u ngrit më këmbë kur mësoi poshtërsitë e tyre, të një fëlliqësie të paparë ndonjëherë ». Vetëm kjo shprehje « si një njeri i vetëm », a mund të imagjinoni se ç’ka përfaqson ? Ne jemi të gjithë të ndryshëm, që të gjithë, dhe befas « si një njeri i vetëm ». Dhe na duhej të duartrokisnim, të ngrinim lart duart tona të pastra, sa më lart që ish e mundur që fqinjët t’i shihnin mirë - sikundër edhe presidiumi. Dhe më gjej një të lutem, që në atë çast nuk e dëshironte jetën. Që të klithte fort për t’ju mbrojtur. Po, kush protestoi ? Ku janë ata sot ? Ishte një farë Dhimitri, Dhimo. Ai abstenoi. Nuk ishte kundër, as që mendohet ; por ai abstenoi në momentin kur votohej kundër partisë industriale. « le të shpjegohet mirë – bërtiste salla – le të shpjegohet ». Atëhere, ai u ngrit, me grykën krejt të tharë : « mendoj se dymbëdhjetë vjet pas Revolucionit, është e mundur të gjehen të tjera mënyra për të ndëshkuar.. ». « Ah, i poshtri, i shituri, për dhjetë aspra.. ». Dhe të nesërmen që pa gëdhirë, Sigurimi e fshiu. Për jetë të jetëve. .
. Kosta – Çome, gjithçka varet nga bileta e llotarisë që të ngec në dorë. Në vendin tonë, ju do të kishit qenë martirë si puna jonë ; ne në vendin tuaj, oportunistë si puna juaj. Por sidoqoftë, ata që ishin shkuar në hell ishin njerëz, si puna juaj ; ata që e morën vesh, ata që e kuptuan që në fillim. Por, për ata që besonin, për të gjithë ata gjërat ishin më të thjeshta. Për ata, duart e tyre të lyera me gjak, ishin të lyera me gjak pasi nuk kuptonin. .
. Çome – pa më thuaj të lutem, cili ishte ai që i besonte, që nuk kuptonte ? …Ju vetë, për shembull; sa kohë i keni besuar ? Sa kohë ju desh për ta marë vesh, për të kuptuar ? Hajde, të mos llogarisim fëmijët. Por të tjerët… të pranosh që brenda ditës, shpirti i njeriut të rrugës u shëndrrua në baltë, jo ! Kjo nuk mund të gëlltitet. Dikur, beu mbi shkallare mund të dërdëlliste çka i donte shpirti dhe fshatarët përballë dëgjonin, bile edhe talleshin me të pas shpine. Por ama, beu nuk ishte idiot dhe aq më pak qehajai i tij. Ata e merrnin vesh që çke me të, por bënin sikur s’merrnin vesh. Dhe ja, në momentin kur ata linin shëndenë, fshatarët tanë ju bënin një temena të thellë « si një njeri i vetëm ». Dhe ju më thoni se ata e bënin pasi kishin besim tek beu i tyre ? Çfarë njeriu duhet të jesh për ta ngrënë këtë ? … dhe hop, përnjëherësh, të gjithë profesorët, të gjithë inxhinjerët na dolën sabotatorë, dhe ai njeriu juaj e beson këtë ? të gjithë gjeneralët më të mirë, heronjtë e Luftës na dolën spiunë dhe agjentë dhe ai, vazhdon ta besojë ? të gjithë shokët e Udhëheqësit u shëndrruan në rrenegatë dhe tradhëtarë të tërbuar dhe ai, ende i beson ? të gjithë shokët dhe miqtë e atij vetë u quajtën armiq të popullit dhe ai, i ze besë ? me qindra ushtarakë dolën se ishin gati të shisnin Atdheun e tyre dhe ai, vazhdon ta hajë ? populli i tërë kositet, që nga pleqtë deri tek foshnjat, dhe ai ende vazhdon të besojë ? Atëhere, të lutem, kush është ky njeri, sa i vlen atij lëkura ? një idiot? Do më thuash ndoshta që i gjithë populli ishte idiot ? Të lutem fort. Populli nuk është kafshë, as edhe i metë, por ai kërkon thjesht të jetojë. Dhe që të gjithë popujt i nënështrohen të njejtit ligj : të mbijetojnë me çdo kusht dhe të qëndrojnë më këmbë. Dhe atëhere, kur për sejcilin prej nesh, Historia do të pyesë mbi varr : kush ishte vallë ky njeri ? Mbetet një zgjedhje, sipas Pushkinit : « Në këtë shekullin tonë, të fëlliqësisë ; Gjithkund, në të gjitha elementët ; Njeriu është ose tiran, ose tradhëtar ose viktimë ». .. Hajvani nuk ka gjetur vend në këto vargje. Megjithëse poeti e dinte mirë se edhe hajvanët egzistonin. Jo, na mbetet të zgjedhim vetëm mes këtyre varianteve. Dhe nga momenti kur më kujtohet se nuk kam bërë burg, nga momenti kur e di fort mirë që nuk kam qenë një tiran, kjo don të thotë se… Kjo don të thotë… gjithë jetën e kam shkuar me frikë në zemër. .
. Kosta – jo Çome, ju po merrni kot.Ju gjykoni disi fort ashpër. Për mua, tradhëtarët janë ata që bënin spiunllëqe, që shkruanin letra, që dëshmonin. Vetëm nga ky lloj ka me qindra mijra. Mund të llogarisim në çdo dy veta një spiun, hajde pra, një hafije për çdo tre veta të arrestuar dhe të dënuar. Por që të quhen të gjithë të tjerët hafije, është pak si tepër. Pushkini ja ka futur si ka mundur. Stuhia thyen pemët dhe përkul barin por a mund të thuhet se bari tradhëtoi pemët ? Sejcili jetën e vet. Ju vetë e thatë : mbijetesë, ky është ligji i jetës të një populli. .
. Çome – ndoshta, por nuk arrij gjithmonë të spjegoj se në ç’mënyrë, brenda disa vjetësh, energjia kolektive shuhet kështu, si ka mundësi që impulset heroike të shëndrrohen në impulse të frikës ? Dhe unë jam një komunist nga ata të parët, të themelimit. Kam bërë luftën dhe kushesa herë e kam vënë jetën në rrezik, dy gisht larg vdekjes. Si u shëndrruam në këtë mënyrë, ne që shpresonim dhe ëndërronim të jepnim edhe jetën për diçka të lartë ? Si mundëm të nënështroheshim ? Dhe kujt, në rradhë të parë ? Frikës ? Idhujve ? Hajde mo, unë jam një dikush pa rëndësi, i vogël dhe fjala ime nuk peshon. Po ata të tjerët, Beharët, Babë Lymët apo Haxhinjtë, Dishnicat dhe Sejfullatë e më the të thashë…E pra ata, nuk merrnin vesh ata apo nuk kuptonin ? Përse ata nuk ngritën zërin publikisht, që në fillim ? A e kupton se sa vlerë do të kishte për të gjithë ne sikur ata të kishin folur hapur ? Ndoshta ata do të kishin shkuar për lesh – sikundër edhe shkoi shumica e tyre, por ndoshta ne do të kishim ndryshuar, do të ishim ngritur krye dhe gjërat nuk do të kishin shkuar aq larg.. Jo, jo, ata preferuan të largoheshin nga skena, preferuan të vetëvriteshin ose të zhdukeshin në rrethana misterioze. Është kurajo kjo ? .
. Një spektator nga salla - Po ata të tjerët, shkrimtarët dhe mendimtarët e mëtejshëm – Agollët dhe Kadaretë - përse nuk luajtën vendit ? Nuk kuptonin vallë realitetin apo i besonin atij ? Kush i pengoi të merrnin fjalën publikisht kundër rregjimit, qoftë edhe një herë të vetme - për të mos thënë më tej, cili element i ndërgjegjes së tyre intelektuale i shtyu t’i thurrnin lavde atij rregjimi, në vend që të heshtnin, të mbyllnin gojën, të mbijetonin si memecë – sikundër plot të tjerë, po aq - në mos edhe më të talentuar se ata ?
.
.
. * * *
.
.
. Le të qetësojmë me sa mundemi shpirtin : edhe pse Historia tashmë ka shqiptuar pyetjen e pamëshirëshme alla Pushkin : « Tiran, tradhëtar apo viktimë ? », bota e të gjallëve ende rreket të deshifrojë përgjigjen, e dalë nga varri i Njeriut. A thua është hieja e frikës që peshon mbi njeriun e sotëm, në epokën e demokracisë, dhe e pengon të kqyrë përgjegjësinë e djeshme intelektuale ? Apo është pikërisht vetë objektiviteti që na shtyn të vemë talentin e artistit mbi mangësinë e guximit qytetar ? Apo së fundi droja – ajo e Çomes – që heziton të gjejë emrin : nga momenti kur më kujtohet se nuk kam bërë burg, nga momenti kur e di fort mirë që nuk kam qenë një tiran, kjo don të thotë se.. kjo don të thotë… .
. Por, sado e shkurtër të jetë kujtesa, ndërkohë që guxojmë të admirojmë sot kurajon e shkrimtarit të rradhëve të mësipërme si dhe vetëmohimin e njerëzve të thjeshtë si ata të Dhjetorit 1989 që me fjalë ose me vepra thyen muret dhe shembën idhujt - pa menduar aspak për çmime apo për pavdekësi, nuk mund të harrojmë njëkohësisht se të tjerë shkrimtarë – dikur bashkëpërgjegjës qoftë edhe moralë - rendën mbi gërmadhat e mureve dhe të idhujve drejt horizonteve të lira, në kërkim të lavdisë aq të dëshiruar, në pritje të çmimeve aq të merituara. Në se ka një kriter sot, pas njëzet vjetësh, që mund të vlerësojë atë bashkëpërgjegjësi të intelektualit, ai është pikërisht heshtja – ose më mirë të themi, mungesa e heshtjes. Ajo heshtje që e respektuar dje, ndoshta do të kish shenjtëruar ikonën e krijuesit martir ; ajo mungesë heshtjeje që e mosrespektuar sot, vazhdon të gërryejë dinjitetin e njeriut publik, imazhin e moralistit. .
. Fundja, sejcili kryqin e vet ! Dikush me të në dorë, dikush me të në ballë dhe dikush tjetër me shpinën mbi kryq.

La suite.. - Vazhdimi...

Sunday, August 2, 2009

Metafizikë Patriotike (3).

. Shopenhauer : .. « Njeriu është një kafshë metafizike ».

. . Patriotizmi si profesion.

.

. Rrallëherë letërsia e madhe ka denjuar të merret seriozisht me tema të tilla të zararshme si patriotizmi dhe po aq rrallëherë, shkrimtarët dhe të tjerë mendimtarë - të mëdhenj dhe të vegjël - kanë mundur t’i shmangen ngasjes për të shprehur gjykime – herë-herë mikluese dhe të tjera herë besa fort të ashpra – ndaj fenomenit patriot.
. Kësaj ngasjeje nuk i ka shpëtuar as Kadareja ynë kombëtar i cili, në esenë e tij Kombi shqiptar në prag te mijëvjeçarit te tretë. (Tirane, Onufri, 1998) shprehet si më poshtë :
. . « .. Shqiptarët janë të detyruar, midis të tjerash, të bëjnë një zgjedhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin. Mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin, që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit, ata duhet t'i përgjigjen me nje "jo" të prerë. Patriotizmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi. Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit, e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vendet e tyre, dhe si të gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen me të. Ndërkaq vetënderimin për vendet e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve, pa kursyer asgjë, madje as forcën e armëve ».
. . Mjafton të përshkosh përsiatjen e shkurtër të Kadaresë për të ndjerë shqetësimin e asokohe të krijuesit, ende i traumatizuar nga ngjarjet e « vitit të prapë 1997 » të cilin ai dukshëm e ka përjetuar si një moment ku « Shqipëria u përpoq të vetëvritej », gjithë-gjithë duke u bërë zëdhënës i atyre që sikundër ai, s’ishin « në gjendje të shkoqitin e te zhbirojnë shkaqet e thella e ndërthurjen e kushteve që e sollën popullin shqiptar në këtë ditë me të vërtetë të zezë të tij ». E pra, nën këtë kënd vështrimi të turbulluar, Kadare i ve detyrë vehtes të ndajë sheqerin nga shapi – patriotizmin nga nacionalizmi. Më tepër se aq, të ndajë shqiptarët në dy grupe : patriotët – sikundër ai vetë – dhe antipatriotët. Më mirë të themi, të verë ballë-përballë « atdhedashurinë e disave dhe antishqiptarizmin e, disa herë kundërshqiptarizmin e të tjerëve ».
.
. Kjo shprehja e fundit është simptomatike e vështirësisë së ndërmarrjes, qoftë edhe nga pikpamja e semantikës : nëse fjala atdhedashuri është sinonime thuaj e përsosur e fjalës tjetër të huazuar nga gjuhët fjalëformuese – patriotizëm, cili është antonimi i saj në gjuhën shqipe ? sigursisht jo – antiatdhedashuri apo kundëratdhedashuri, pasi të përçudnuara ; antipatriotizëm – pse jo, veçse nuk arrin të vrasë deri në fund bartësin ; le të zgjedhim pra – të ndihur edhe nga nënvetëdija – antishqiptarizëm, bile le t’a shqipërojmë – kundërshqiptarizëm ! Veçse, personalisht, nuk arrij dot të deshifroj atë dialektikë kadarejane që mëson se sinonimi i atdhedashurisë është pikërisht shqiptarizma !
. Më tej… ajo çka më krijon problem është pikërisht përpjekja e Kadaresë për ‘ju shmangur qoftë edhe hijes së nacionalizmit – sikur ky i fundit të ishte kolerë dhe zgjebe bashkë dhe jo një forcë lëvizëse e shekujve të fundit, që i ka ndihur aq fort përpjekjes shtetformuese. Bile ai nuk ngurron që edhe vizionin e Rilindasve tanë të nderuar, pikërisht të atyre që shkruanin « Ti Shqipëri më ep nderrë, më ep emërin shqipëtar, zemërnë ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr … » ta emërtojë me shumë elegancë « më i madhi e më i gjeri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare » ! S’më mbetet gjë tjetër veçse t’i bëj pyetje vehtes : a kishte vallë ndonjë përmasë politike ky aksion që mundi të nxjerë programe si ai i Lidhjes së Prizrenit apo Memorandume si ai i Gërçes ? A kishin qoftë edhe një qelizë nacionaliste këta Rilindas patriotë, që betoheshin veçse mbi altarin e Kombit dhe që u bënë deri edhe theror për të ? A thua të mjaftonte vetëm patriotizmi i Etërve të Kombit për të ngritur Shtetin e parë shqiptar në 1912, përballë nacionalizmit të tërbuar të fqinjëve të pangopur ?
. Ja edhe paradoksi kadarejan : mund të flasim lirshëm mbi « vlerat kombëtare », të kërkojmë me ngulm « një strategji kombëtare » bile edhe të paralajmërojmë se « asnje doktrine, asnje manipulim apo tregti politike, asnje trysni shtetesh, lobesh apo organizmash nderkombetare nuk mund ta pengoje kombin shqiptar te kryeje ate qe te gjithe kombet e tjere te Europes, plotesisht apo gati plotesisht e kane kryer : bashkimin e tyre » - pra, mund të përdorim fjalën komb dhe derivatet e saj dhjetra herë brenda një teksti disafaqësh, duke filluar që nga vetë titulli – duke harruar po aq herë se barazvlera e këtij kombi - natio është tulla e parë, guri i themelit të nacionalizmit ! Dhe kjo, pikërisht për të mos rënë në grackën e « mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin », pasi në atë betejën titanike mes të mirës dhe të keqes, mes dashurisë dhe urrejtjes të mirët jemi ne – patriotët, ndërkohë që këqinjtë janë të tjerët - nacionalistët ! Dashur-padashur, fanepset përpara nesh « Fytyra e Tjetrit » dhe një hap më tej « Metafizika e Vetvehtes ». Me siguri, nga ai tjetri, diçka dinte edhe De Goli i ndjerë kur shprehej : « patriot është ai që do atdheun e vet, nacionalist ai tjetri, që urren atdheun e fqinjit ».
. Është pikërisht ky paradoks që të shtyn të krijosh një pasqyrë, të tillë që të reflektojë imazhin e vetvehtes – ashtu siç dëshiron që ai të jetë. Veçse, në këtë nivel sipëror të profesionit, edhe pse e ndjerë, nënvetëdija patriote e shkrimtarit mbetet e mangët kur kufizohet në ngjitjen e etiketave në trungun shumëgjymtyrësh të kombit - popull mikpritës, njeri i besës, besimtar tolerant, gjuhë e lashtë, racë e bukur, njerëz të mençur, histori e shkëlqyer. Pasi ajo nuk shoqërohet me vetëdijen e realiste të mendimtarit, të aftë për të konstatuar se ky imazh aporik – as racist, as luftëdashës, as fanatik, as i dhunshëm, as intolerant - delja e xhenetit mes xhenhemit të ujqërve - krijon një kontrast të pabesueshëm me atë tjetrin, që çlirohet nga çdo komb i dheut, qoftë ai i afërt ose i largët. . E pra, edhe një popull biblik si ai çifut vuri në kryq Birin e Zotit ; një tjetër popull i gjenezës të qytetërimit si ai grek betohet mbi bibël se tokat e fqinjëve janë të tiat; një popull i tretë i vëllazërimit si ai francez, katolik i devotë, dikur shkoi në thikë protestantët dhe katarët e tij paqësorë ; një popull i mësuar dhe i kulturuar si ai gjerman dogji dhe poqi çifutët e kontinentit mbarë ; një popull demokrat në shpirt si ai amerikan shëndrroi në sistem dallimin racial…
. Fundja, « Right or wrong, my country » do të kish thënë pikërisht amerikani (dhe miku i tij anglez), që në një vështrim të parë mund të interpretohet sikundër dhe lexohet, nga e majta në të djathtë : drejt apo shtrembër, vendi (atdheu) im – pra e pranoj këtë vend ashtu siç është. E pra, unë e lexoj ndryshe, nga e djathta në të majtë : ky vendi im, drejt e ka – por mund t’a ketë edhe shtrembër. Mjafton kjo mënyrë e të lexuarit për t’u fshirë nga lista e lavdishme e nacionalistëve, pasi këta të fundit nuk mund të pranojnë që vendi i tyre mund edhe të gabojë. Pasi për t’a pranuar, ai duhet të zotërojë një kriter të të vërtetës (dhe të gabimit) i cili atij forcërisht i mungon, meqënëse ky kriter tejkalon faktin e thjeshtë të përkatësisë kombëtare. Ndryshe, atij i mungon një ndërgjegje jashtëkombëtare dhe jashtëpersonale që mbahet si e vërtetë objektive për të moderuar gjykimin. Në mënyrë krejt të natyrshme, spontane, nacionalisti ynë – më falni, patrioti ynë, po qe se lexojmë Kadarenë – gjykon që atdheu i tij s’mund t’a ketë asnjëherë gabim, pra që ai ka gjithmonë të drejtë. Atë çka nuk arrin të shohë Kadareja e vëren Bernard Shaw kur thotë : « të jesh patriot, do të thotë të besosh se vendi yt ka gjithmonë të drejtë, meqënëse në të ke lindur ».
. Mund të imagjinohet lehtë përfundimi i një tubimi mes nacionalistësh të tillë, të « racave » të ndryshme, që si rastësisht mbajnë nga një kopaçe në dorë ! Forca si vlerë supreme ! As më shumë as më pak se sa përfundimi logjik i historisë së njerëzimit : fituesit kanë gjithmonë të drejtë. Një ideologji e atij zhvillimi që jemi mësuar t’a quajmë darvinizëm social.
.
.
. Patriotizmi si strehë.
.
. Mendoj se do të ishte më inteligjente – dhe në rradhë të parë më realiste – të thuhet se egzistojnë disa lloje nacionalizmi, sikundër ka edhe lloje të ndryshme, për shembull, vere. Një verë e mirë, rubi dhe qelibar, e bërë nga rrushi i shëndetshëm, ai që i sublimon aromat e tokës, djersën e këmbëve të çupave të fshatit dhe atë të ballit të vreshtarit që e distilon mushtin deri në shishe, një nektar i çmuar që ngroh gjoksin dhe ndez vështrimin dhe që të shtyn t’ja marrësh këngës nëpër dhëmbë, qoftë edhe në atë tryezën e shtrenjtë mes ftuarve të nderuar… sikundër dhe një verë e keqe, e errët dhe e ashpër, e bërë me lëtyrat e sheqerosura, që shkumëzon vozen dhe ngjit në gotë, që të bie në kokë, të trash gjuhën dhe të err sytë në atë zgafellë të nxirosur të mejhanes ; në vend të këngës, në kokë fanepset sherri, që shtyn dorën të nxjerrë thikën e brezit. Çështje shije do të thotë dikush, unë them çështje portofoli !
. Përmend portofolin dhe kam parasysh ata të velurit, nga e ngrëna dhe e pira, nga të mirat e kësaj bote. I adhuroj këta të ngopur dhe ende më shumë të velurit pasi ata zotërojnë klasin e të përzgjedhurit dhe si pasojë, ata ndihmojnë në ruajtjen e gjithçkaje të çmuar që inteligjenca njerëzore ka mundur të krijojë. Nëse me të vërtetë ju arrin të japin këshilla kundër patriotizmit, nuk besoj aspak se e bëjnë për luks, apo për naze. Ata janë thesht të kamur – ja përse edhe të velur – dhe sikundër të pasurit e kësaj bote, interesi i tyre i tejkalon kufijtë e një atdheu. Më mirë të themi, atdheu i tyre është bota mbarë. A nuk janë po këta të velur që bëhen katërsh për fatin e shtresës së ozonit, për fatin e bebeve të fokës, për të adoptuar jetimët ugandezë ? Për t’u marë me këto aksione të admirueshme që zhvillohen gjithandej por veçse jo në vendin e tyre – dhe në kalim, për t’u përkujdesur për fatin e verës së mirë në shishe – mendoj se atyre nuk ju del thjesht koha të mendojnë për patriotizmin dhe aq më pak të predikojnë kundër tij.
. Në të kundërt, ata që zakonisht merren me patriotizmin janë të pangopurit - burrat e shtetit dhe politikanët e të gjitha ngjyrave – shërbëtorët e Shtetit ; ata që fjalën e tyre e strukturojnë rreth koncepteve të përjetshme të dashurisë, të familjes, të punës, të fesë, të rendit dhe të disiplinës. Janë pikërisht ata që ngatërrojnë – herë-herë nga padija, disi më shpesh nga ngutja, por kryesisht me qëllim - popullin me kombin, interesat e këtij të fundit me interesat e tyre, nderimin e atdheut me vetënderimin dhe ç’është më e keqja sinoret e Shtetit me sinoret e pronës së tyre private. Ndoshta gaboj por – për besë, çdo kqyrje që i bëj kësaj bote të të fuqishmëve të pangopur m’a shton bindjen – patriotizmi për këtë kategori njerëzish s’është gjë tjetër veçse një parrullë, një karrem për të tërhequr turmën, një dekor që maskon dallaveret, një alibi që qetëson ndërgjegjen e turbulluar. Një instrument, një rregjistër i propagandës.
. Jo rastësisht pra, qysh në shekullin e XIX, një armik i rendit dhe i strukturave të organizuara si Bakunini shihte tek patriotizmi një veti, një pasion natyror, të paraprirë nga një ligj biologjik, pikërisht ai që përcakton ndarjen e qënieve të gjalla në lloje, në familje, në grupe :
.
. Patriotizmi natyror mund të përkufizohet si më poshtë : një lidhje instiktive, mekanike dhe krejtësisht i zhveshur nga çdo kritikë ndaj zakoneve të egzistencës kolektive të përfituara dhe të trashëguara, sikundër dhe një armiqësi po aq instiktive si dhe urrejtje mekanike kundër çdo mënyre tjetër jetese. Është dashuria ndaj të vetëve dhe vehtes dhe urrejtja ndaj gjithçkaje që bart një karakter të huaj.
. . Dhe si për t’i vënë vulën, ai vëren – jo pa ironi – se një solidaritet i tillë nuk është asnjëherë aq i fuqishëm sa që të pengojë antarët e një bashkësie të tillë të shqyejnë reciprokisht njeri tjetrin, por sidoqoftë ai mbetet gjithmonë i mjaftueshëm që të gjithë këta individë, duke harruar grindjet e tyre civile, të bashkohen si një grusht i vetëm kundër çdo belaxhiu të paftuar që vjen nga një bashkësi tjetër e huaj. . Thëniet e babait të anarshizmit dhe të pararendësit të ideologjisë komuniste mund të injorohen – bile edhe të harrohen - pa asnjë vështirësi. Fundja, ç’mund të presësh më tepër nga dikush që konsideron se çështja sociale, zgjidhja e të cilës sipas tij do të ishte fshirja e kufijve mes Shteteve, mund të realizohet vetëm nëpërmjet shkatërrimit të patriotizmit, të këtij zakoni tradicional, nga ndërgjegja e puntorëve të të gjitha vendeve ?
. Mirë që me Bakuninin i lamë hesapet, por ç’ti bëjmë anglezit Samuel Johnson, më i cituari ishullor pas Shekspirit, kur nga largësia e shekullit të tij të XVIII-të na lëshon thënien e famshme « Patriotizmi është strofka e fundit e zuzarit » ? Askush, bile edhe miqtë e tij të asaj kohe, nuk nuk janë në gjendje të thonë se për kë zuzar konkret e kish fjalën Samueli kur nxorri këtë xhevahir. Në këtë mënyrë, kjo lloj pulle ju ngjit të gjithë zuzarëve të botës dhe e keqja është se ajo vazhdon të përdoret edhe për zuzarët e kohës së sotme. Paçka se një gazetar si Mero Baze e zëvendëson fjalën zuzar me horr dhe tjetrën fjalë strofkë me strehë kur ka parasysh një ministër të qeverisë të parazgjedhjeve që si të gjithë horrat dhe zuzarët bashkë, veshin qyrkun e patiotizmit kur shtrëngon acari i thashethemnajës. Por fundja, ç’faj ka patriotizmi në se atij i ngjiten të gjithë horrat, zuzarët apo edhe mistrecët e dynjasë ?
.
. Hajde-dé, sikur të ishin vetëm horrat ! Pasi, patriotizmi – kjo ndjenjë fisnike e shpirtrave të përgjëruar, kjo arsye e pjekur e mendjeve të shqetësuara – është njëkohësisht edhe banaku i preferuar i të gjithë naivëve dhe shiltja e butë e të gjithë hajvanëve. Dashuria për atdheun… është në imazhin e dlirë të atij fshatarit të dikurshëm, i përhumbur në masën e kooperativistëve, me duar gjithë nyje dhe me fytyrën e rreshkur por të ndritur kur merr fletëlavdërimin nga sekretari i partisë në ballë të fshatit për rendimentin e tij të grurit dhe që i duket vehtja si Skënderbeu mbi kalë që çan rrethimin, paçka se në mbrëmje mbi tryezë, e pret buka e misrit.
Ç’të thuash më tej për atë tufën e hajvanëve, që pas një tifozllëku të dështuar por heroik mbi ekipin kombëtar, mblidhet në mejhane rreth asaj vere popullore të butit për t’u grindur mbi origjinën shqiptare të Zotërve të Egjiptit, të Bonapartit apo të Garibaldit… që ekspozon pra patriotizmin e saj me krenari, sikundër ai idioti i fshatit gushën !
. .
. * * *
. . . Njëzet e kusur vjet më parë, kur e lashë vendin, për të gjithë miqtë e rinj dhe të njohurit e rastit isha një nacionalist. Në fillim ata habiteshin – me kohë u mësuan – me ato frazat e mia të asokohe që fillonin gjithmonë me shprehjen : « Në Shqipëri, ne… Ne, në Shqipëri… ». Asnjëherë unë, gjithmonë ne. Dhe si zakonisht, ne kishim gjithmonë të drejtë. Më kujtohet gjithashtu se atë kohë nuk shihesha thuaj asnjëherë në pasqyrë – veçse për t’u rrojtur, dhe kjo herët në mëngjez, kur vështrimi ende nuk ishte zgjuar.
. Me kohë, u mësova me pasqyrat – fillimisht me ato të dyqaneve dhe të magazinave, më tej me ato të shtëpisë. U mësova t’a shihja vetvehten dhe t’a gjeja shumë të zakonshme, herë-herë të shëmtuar. Sidoqoftë, as më i bukuri, as më i fuqishmi, as edhe më inteligjenti… u mësova të kuptoja se nderi i Atdheut tim nuk varej aspak nga suksesi ose nga fatkeqësitë e mia personale, as edhe nga brohoritjet për të parin këngëtar shqiptar në skenat evropiane, sikundër nuk u mësova kurrë me mungesën e silhuetës së malit të Dajtit në horizont apo me mungesën e plepave anës rrugës që u mbollën në Kombinat po atë vit kur unë linda. Deri atë ditë kur kuptova se, më shumë se nacionalist, isha ndoshta patriot.
. Sigurisht, edhe patriotizmi mbetet një izmë. Por një izmë e ndryshme nga të tjerat. Cili ka dëgjuar të flitet për patriotist ? Ndryshe nga nacionalizmi, patriotizmi nuk është as doktrinë as ideologji. Ai është i natyrshëm si demokracia, ithtarët e të cilës janë demokratë dhe askurrë demokratistë. Ndoshta dikush mendon se po luaj me fjalët. Aspak. Edhe në shqip, sikundër edhe në çdo gjuhë tjetër të botës, kurrëherë dy fjalë të ndryshme shprehin egzaktësisht të njejtën gjë. Në se dikur kjo gjë ka egzistuar, përdorimi ndërkohë ka zhdukur njërën. Në se ende vazhdoni të mendoni se unë luaj me fjalët, atëhere padyshim ju jeni – sikundër thotë edhe ai gazetari afrikan – një patriot që injoron vetvehten… Lidhur me lavdinë spontane që i ka siguruar atdheut të lindjes me veprën e tij madhore, edhe Kadare është padyshim një patriot i madh. Nacionalist ? Duhet t’i drejtojmë pyetjen…
. .
.(vijon)

La suite.. - Vazhdimi...

Wednesday, July 22, 2009

Metafizikë Patriotike (2).

. 1. Patriotizmi si ndjenjë.
.
. Pas një të tillë hyrje të gjatë në gjenealogjinë e shpirtërzimit atdhekombëtar, shpresoj se tashmë i ka ardhur koha shqyrtimit të stadit sipëror – izmës ndjenjëshprehëse. Pikërisht asaj që shëndrron konceptin atdhe-patria në patriotizëm dhe një hap më tej, imazhin komb-natio në nacionalizëm.
. Le të qëndrojmë tek izma e parë, patriotizmi, i cili sipas filozofit d’Holbach shpreh " dashurinë ndaj atdheut, vullnetin për t’u flijuar në mbrojtje të tij, veçanërisht në rast lufte, sulmi të armatosur kundër tij ". Po i njejti filozof ngutet të sqarojë se " patriotizmi i vërtetë nuk mund të gjendet veçse në ato vende ku qytetarët e lirë, dhe të qeverisur nga të singjashmit e tyre të barazvlershëm, gjenden të lumtur, të bashkuar rreth njeri tjetrit dhe kërkojnë të meritojnë vlerësimin dhe ndjenjën e bashkëqytetarëve të tyre ". Admirimi ndaj ndjenjës së ndjerë të mendimtarit nuk më pengon t’i bëj pyetje vehtes : për çfarë vendi të lumë bëhet fjalë këtu ?
. E thënë ndryshe, cila është ajo shtrirje gjeografike që meriton fjalën vend – fshati, zona, krahina, shteti apo ai territor, banorët e të cilit flasin të njejtën gjuhë sikundër dhe unë ? Detyrohem të ngre këtë pyetje pasi në sytë e mij, tashmë paraqitet si një evidencë fakti se qytetari nuk mund të konceptohet jashtë një atdheu, sikundër edhe njeriu nuk mund të konceptohet jashtë një shoqërie të organizuar – dhe me këtë rast, atdheu shfaqet pikërisht në funksionet e kësaj shoqërie. Konkretisht, atdheu i shqiptarëve është Shqipëria. Veçse këta shqiptarë njëkohësisht janë edhe ballkanas, edhe evropianë… në fund të fundit, qenie njerëzore, dhe pikërisht është ndërgjegja ime njerëzore që më bën të hedh sytë jashtë atij atdheu " de facto " që quhet Shqipëri – një territor arbitrar, i kufizuar nga kufij po aq arbitrarë – për të shtrirë vështrimin mbi një hapësirë më të gjerë që përfshin këtë të fundit, një atdhe " de jure " dhe që dora dorës quhet Ballkan, Evropë ndoshta edhe botë mbarë. Fundja a nuk jam unë që thërras – dhe sikundër unë, një popull i tërë që ngjirret – Shqipëria është Evropë, ne jemi evropianë safi ? . Pa dyshim, patriotizmi gjeografik mbetet forma më e lashtë dhe më e natyrshme e një lidhjeje bashkësiore, e cila tejkalon kuadrin e një familjeje, të një klani apo të një fisi. Për hir të një mekanizmi të ndërlikuar psikologjie kolektive, kjo ndjenjë tashmë e tejkalon atë reaksionin tjetër të vetvetishëm që shprehet në rastin e mbrojtjes së një territori, të ndjerë si jetësor nga ana e një grupi njerëzish solidarë. Etapat kryesore të saj janë përshkruar me mjaft talent në atë rrëfim që na propozon H. Wolfram, në veprën e tij " Historia e Gotëve " - por që pa frikë mund t’i adoptohen çdo grupi të ngjashëm njerëzor :
.
. … në fillim ata ishin gentes, të cilët nga pikpamja etnike mbeteshin fort heterogjenë. Grupe shëtitës formonin klane, të cilët gjatë rrugës së tyre përbashkonin individë dhe familje të tjera që nuk flisnin detyrimisht të njejtën gjuhë me të parët. Në nivelin më arkaik, bashkësia e gens, i referohej veçse asaj hierarkie thuajse natyrore, pikërisht atij parimi i cili, përputhshmërisht me shpirtin e lirisë gjermanike, s’është gjë tjetër përpos vlerës luftarake, trimërisë së shprehur gjatë luftës. Përderisa më vonë, ky grup njerëzish gentes u pajisën me një lex, më tej me një rex – dhe nëpërmjet tij, bile edhe me një religio, ata morën përmbajtjen e një populus. Pikërisht, në këtë moment, gjendemi përballë elementit të parë, të ngarkuar me një simbolikë të fortë të një bashkimi, nëpërmjet të cilës populli i krijuar mund të kqyret si një person virtual, një egzistencë në rrugën e njohjes. Përfundimisht, kjo njohje mund të konsiderohet si realizuar politikisht atëhere kur ky populus shëndrrohet në patria. Dhe kjo patria del në plan të parë dhe imponohet atëhere kur ky populus mer nga pushteti qëndror, Roma, autorizimin për t’u ngulur në një territor të kufizuar gjeografikisht dhe të ndarë me kufij nga pjesët e tjera të Perandorisë.
.
. Kjo lidhje e individit me një territor që përfaqson vendlindjen, ky përkushtim i grupit njerëzor ndaj një vendi që kufizon shtrirjen e tij jetësore, ky investim moral dhe fizik i një populus ndaj një patria tërheq menjëherë vemendjen pasi përbën çimenton elementare të çdo identiteti kolektiv, formën e parë të çdo ndërgjegjeje patriotike. Paçka se në këtë stad, patria nuk është ende natio – një formë tjetër e shprehjes kolektive identitare, e ndërtuar brenda dhe nëpërmjet egzistencës së Shtetit sovran.
. Ilustrimi më i ndjerë dhe i vetvetishëm i këtij lloj patriotizmi gjendet tek Naimi i mërguar, i cili nga larg, me sytë e mendjes përshkon vendlindjen dhe zgjat lisat, zgjeron dhe lulëzon fushat, zbukuron bregoret dhe kullon deri edhe lumënjtë, përpara se shpirti i tij të shpërthejë në thirrjen aq të njohur : " Ti Shqipëri më ep nderrë, më ep emërin shqipëtar, zemërnë ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr ".
.
.
. 2. Patriotizmi si arsye.
.
. Do të kisha dashur ta përfundoja këtu - dhe me këto vargje sublime - këtë reflektim lidhur me patriotizmin, por të tjerë, më të ditur dhe më këmbëngulës se unë – dhe për më tepër, evropianë të stërbindur - më sugjerojnë se ky i fundit shfaqet në forma edhe më të sofistikuara të shprehjes së shpirtit kolektiv. Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, jam gati t’i injoroj për shkak të karakterit të tyre thellësisht abstrakt dhe veçanërisht kompleks por një mendje më thotë se bëj gabim - të njejtin gabim që bën edhe ai tjetri kur shpall evropianitetin e shqiptarëve, pa u shqetësuar aspak lidhur me përqasjen e brendshme dhe të ndërgjegjshme të vetë evropianit ndaj vlerave të Evropës së tij.
.
. - Nën vështrimin e evropianit, bëhet fjalë pra në rradhë të parë për patriotizmin kulturor – atë prizëm shumëfaqësh ku thyhet dhe reflektohet kultura si forcë lëvizëse e qytetërimit. Ky koncept, i ngjizur dhe i strukturuar qysh në kohën e Rilindjes evropiane nëpërmjet " qytetërimit të zakoneve dhe dokeve " orienton domosdoshmërisht drejt figurës së Erazmit të Roterdamit (i qytetëruari : njeriu, përfaqsuesi i gjithçkaje fisnike, më të mirë, përkundrejt çdo gjëje tjetër). Humanisti i madh përcakton në këtë mënyrë parimin e civilizimit si artin e sjelljeve të mira që i lejon qënies njerëzore të riprodhojë imazhin e tij në botën që e rrethon, jashtë sferës së ngushtë private, të familjes apo të fshatit. Me fjalë të tjera, është pikërisht ky patriotizëm kulturor që lejon bashkëjetesën e aspektit kulturor individual me atë kolektiv, ballafaqimin e individit me bashkësinë, pa përplasje mes ndjeshmërive të ndryshme të jetës qytetare, që mundëson së fundi ndërshkrirjen e komponentes së kulturës kombëtare në sfondin gjithëpërfshirës të kulturës evropiane.
.
. - Në skajin tjetër të arsyes qëndron patriotizmi juridik – i frymëzuar nga arsyeja emancipuese e ideve universale, të formuluara gjetë Epokës së Dritëzave (Lumières). Të shpirtërzuara gjatë Revolucionit francez të vitit 1789, Këto ide nëpërmjet ndërtimit të idesë së kombit (të materializuar në idenë e një " Kushtetute republikane ", rrjedhim i drejpërdrejtë i përfytyrimit të të Drejtës Publike). Ky koncept revolucionar për epokën frymëzoi gjerësisht lëvizjet kombëtare të shekullit të XIX që mbështeteshin mbi principin e të drejtës së popujve për vetvendosje si edhe mbi principin tjetër që garantonte liritë demokratike. Veçse, e parë kësisoj, përmbajtja e këtij patriotizmi – vetë kombi, egziston nëpërmjet dhe për hir të substancës juridike, të shprehur me anë të Kushtetutës, pra të një akti politik në princip të drejtë që presupozon bashkëzgzistencën e lirisë dhe të barazisë. Me fjalë të tjera, që të funksionojë si duhet, ky patriotizëm juridik ka nevojë për autonominë politike të qytetarit, megjithëse universaliteti i të parit nuk implikon forcërisht qenien e të dytit. Sidoqoftë, në bashkëveprimin e këtyre dy kushteve - universalitetit të kuadrit juridik dhe autonomisë së vullnetit politik – ky patriotizmi ynë juridik arrin të përmbushë mbivendosjen e Shtetit ligjor dhe demokracisë.
.
. - Diku mes këtyre patriotizmave qëndron patriotizmi historik, një koncept tejet i përpunuar dhe ende i diskutueshëm – veçanërisht nën prizmin e asaj përpjekjeje të natyrës bashkësiore që mundohet të amalgamojë larminë e identiteve të përveçme evropiane. Eshtë e vështirë në këto kushte të shmanget ajo ndjenjë kombëtare sintetike, e formuluar fillimisht nga Ernest Renan, në atë debatin historik lidhur me idenë e kombit. Ata që e kanë lexuar me kujdes tekstin vërejnë se Renan i largohet çdo baze fizikaliste – ja edhe një neologjizëm tjetër ad hoc – të kombësisë : gjakut, racës sikundër edhe territorit të përcaktuar. Një hap më tej, ai refuzon edhe idenë e çdo themeli përbashkues material – atë bashkësinë e famshme të interesave. Dhe si për t’i vënë kapakun, ai hedh poshtë edhe kriterin aq ndjellës kulturor : gjuhën dhe fenë. Ç’mbetet përfundimisht në të ? Një bazë thellësisht shpirtërore, thuajse mistike. " Kombi – thotë ai - është një shpirt, një princip shpirtëror ", i cili transcendon sapo që zhvishet nga veçoritë e racës, të gjuhës apo edhe të territorit. Çka mbetet si thelbësore në të është historia dhe kujtesa e përbashkët sikundër dhe vullneti i përbashkët në të tashmen. Ja pra edhe përmasat e reja të këtij patiotizmi, në dallim me atë gjeografik : e shkuara dhe e tashmja " Njëra është të zotëruarit e përbashkët të një trashëgimie të pasur në kujtime, tjetra është mirëkuptimi i përditshëm, dëshira për të jetuar së bashku, vullneti për të vazhduar që të vihet në dukje, trashëgimia që kemi marrë në mënyrë të pandashme ". Historia si e kaluar dhe vullneti i përbashkët si e sotme, e gjitha e kqyrur si një transcendim shpirtëror : ja edhe elementët bashkësiorë që qëndrojnë të themel të patriotizmit historik. Cilido prej nesh, i pasionuar pas filozofisë, mund të përqasë përpjekjen e Renanit me mendimin hegelian. Pasi tek Hegeli, shpirti kombëtar – Volksgeist – realizohet vetëm nëpërmjet Shtetit, në mënyrë të tillë - dhe në dallim rrënjësor nga përfytyrimi i Kulturnation të Herder-it, sikundër dhe përmasa politike qëndron më sipër se përmasa kulturore.
. Ja përse tek Renan sikundër dhe tek vetë Hegel, " ideja e kombit " ose " shpirti kombëtar " që përbën edhe thelbin e " patriotizmit historik " pozicionohet në një distancë të barazlarguar nga njera anë ndaj konceptit parakombëtar, të ngritur mbi elementët e bashkësisë të racës, te gjakut, të gjuhës, të fesë – tek-e-fundja , të interesave të përbashkëta , dhe nga ana tjetër, nga koncepti tejkombëtar, të mbështetur mbi idenë artificiale të kombit, të trashëguar nga Revolucioni francez dhe të mishëruar nga logjika e pashpirt juridike.
.
. - Shkalla sipërore dhe ndoshta më e përpunuar e logjikës së mësipërme shprehet nëpërmjet konceptit të patriotizmit kushtetues, i lidhur pazgjidhshmërisht me temën e identitetit tejkombëtar dhe më tej, me idenë e një strukture tejshtetërore – frut i praktikës së përbashkët kontinentale në kuadrin tashmë të mirënjohur të Bashkimit evropian.
. Pa asnjë dyshim, autorësia e përpunimit të këtij koncepti i takon Jurgen Habermas-it, i cili kqyr në mënyrë kritike atë çka të tjerët para tij – pas Aushvicit - e interpretojnë si " vazhdueshmëri historike të identitetit gjerman ". Me fjalë të tjera – dhe në emër të një përgjegjësie ndaj të kaluarës – Habermas kritikon atë konceptin ende fort konvencional të historisë, të etikës si edhe raportet ndaj traditave. " Tradita – shprehet Habermasi – do të thotë që ne ndjekim një diçka sikur ajo të mos krijojë aspak probleme, një diçka të filluar nga të tjerët dhe e thjeshtuar nga po ata të tjerë. Normalisht, ne vetëimagjinojmë që këta " pararendës " përballë nesh, nuk janë në gjendje të na magjepsin plotësisht, të luajnë rolin e një Deus Malignus. Veçse, kjo bazë mirëkuptimi u përmbys njëherë e mirë përballë dhomave të gazit ". Përpara kësaj dileme, përballë asaj përgjegjësie morale dhe politike ndaj të kaluarës, Habermasi shëndrrohet në zëdhënës të një ndërgjegjeje kolektive, e cila tashmë e ka përvehtësuar dhe bërë të vetën shëndrrimin e idesë dikur mbizotëruese të identitetit kombëtar dhe të sovranitetit të Shtetit-komb në një identitet tejkombëtar, " në emër të pretendimit të ngritur nga të vdekurit ndaj forcës anamnezike të brezave të të gjallëve ".
.
. " … sigurisht që ne nuk jemi në gjendje që të rimëkëmben në të mirë, vuajtjet dhe padrejtësitë e të kaluarës. Por ama, ne zotërojmë atë forcën e dobët të një rikujtimi, të shoqëruar me ndjenjën e mëkatit. Ndërkohë, ndjeshmëria ndaj martirëve të pafajshëm, trashëgiminë e te cilëve ne përjetojmë, prodhon njëkohësisht një distancë reflektuese ndaj traditave tona, një ndjeshmëri përballë dyvlerësive të pamatshme të traditave që kanë gëdhendur identitetin tonë ".
.
. Me fjalë të tjera, i takon të gjallëve të projektojnë të ardhmen mbi bazën e vlerave të tilla si paqja, bashkëjetesa dhe toleranca duke patur parasysh përvojën e dhimbshme të të vdekurve, viktima të të kaluarës të dhunshme dhe tragjike, të flijuar mbi altarin nacionalist të Shtetit-komb. Nën prizmin e vështrimit habermasian, identiteti tejkombëtar përvijohet nga motivet jo-nacionaliste të pjesëmarrjes në një bashkësi politike – nga patriotizmi kushtetues, një lidhje që realizohet përtej kategorive të përkatësisë etnike, gjuhësore ose kulturore. Kjo pjesëmarrje vlerësohet pikërisht nëpërmjet kritereve etike të njohjes dhe të pranimit reciprok mes subjekteve ligjore - qofshin ata individë ose Shtete, sikundër dhe kriteret politike të njohjes së përbashkët të parimeve themelore të demokracisë dhe të Shtetit ligjor.
.
. Kjo ngrehinë e admirueshme intelektuale e patriotizmit kushtetues vihet në vështirësi sapo që ballafaqohet me realitetin konkret. Askush, bile edhe vetë Habermas-i, nuk është në gjendje të shpjegojë se në ç’mënyrë, ky identitet tejkombëtar që duhet të karakterizojë demos-in evropian – amalgamë e dozuar dhe e ekulibruar e identiteteve të përveçme kombëtare – mund të mbijetojë jashtë një kombi evropian të papërfytyrueshëm, thellësisht utopik. Sikundër nuk është gjithashtu në gjendje të na bindë se në çfarë feje, ky proces ndërtimtar evropian mund të pajtojë unitetin politik të Bashkimit me pluralizmin kombëtar, përbotshmërinë (lexo : universalitetin) e kuadrit juridik të bashkësisë me veçoritë e identiteteve kulturore të përbërësve. E thënë ndryshe, cilët janë gurët e atij kandari hipotetik që arrin të gjejë barazpeshën mes rendit juridik të bashkësisë politike dhe rendit kulturor, historik dhe gjeografik të identiteve të përveçme kombëtare ?
.
.
. * * *
.
.
. Çka tjetër – përveç mjeshtërisë ideshtjellëse - përbashkon mendimtarët romantikë shqiptarë Frashëri dhe filozofin tejrealist gjerman Habermas ? Mendoj, përvehtësimi i izmës patriotike – sikundër dikur Arkimedi përdorte levën e tij imagjinare - për të përmbysur rolin e kategorisë kohore (e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja) në ngjizjen e imagjinarit kolektiv – kombit. Pikërisht të atij kombi që, sipas Benedikt Andersonit, s’përfaqson gjë tjetër veçse "një bashkësi politike imagjinare dhe e imagjinuar si pazgjithshmërisht e kufizuar dhe sovrane ".
.
. Të parët, Frashërllinjtë tanë, megjithë implikimin e gjithëanshëm në ngrehinën administrativo-kulturore të Perandorisë otomane, mohojnë të tashmen e tyre - bashkëegzistencën si përbërëse pak a shumë anonime në gjirin e bashkësisë juridiko-fetare otomane, dhe në emër të një identiteti të përveçëm kombëtar, i kthehen të vetmit " realitet " të mundshëm – të shkuarës së lavdishme, për të kërkuar elementët përbërës të ndërtimit të të ardhmes. Është pikërisht mbêshtetja sistematike nê të shkuarën që ju furnizon forcën lëvizëse të aksionit emancipues – nacionalizmin – arsyen e egzistencës tashmë të përveçme të Shqiptarëve si komb në koncertin e përbotshëm. Është interesante të nënvizohet se në përçapjen e tyre, kêta Frashërllinj – sikundër dhe bashkërendësit e tyre po aq të ndritur – nuk hezitojnë aspak të fshijnë nga lista e referencave të lavdishme kombëtare pikërisht atë çka bëhet pengesë – përkatësinë fetare. Bile, ata nuk hezitojnë aspak që edhe elementin më aktiv të nacionalizmit të tyre militant – shqiptarizmin – ta vendosin pikërisht në antipod të kësaj përkatësie ; një shekullarizëm që krijon një dinamikë të përveçme, të ndryshme nga dinamika nacionaliste e fqinjëve, ndoshta bindëse por sidoqoftë hezituese - pasi asaj i mungon përmasa mistike.
.
. Në skajin tjetër të shkallës krahasimore, për shkak të përvojës së tij personale të nacional-socializmit hitlerian dhe si pasojë e traumatizmit të pësuar nga njohja me krimet naziste, Habermas-i flak tutje të shkuarën e turpshme dhe i kthehet të vetmit realitet të mundshëm – të sotmes evropiane – për të kërkuar elementët e domosdoshëm të ndërtimit të të ardhmes. Është pikërisht mohimi i të shkuarës që shtyn Habermas-in të shprehë vullnetin e tij të thellë dhe të vendosur të kapërcimit të " principit nacionalist " si forcë tashmë shkatërruese dhe t’ju kërkojë Gjermanëve të adoptojnë të vetmen alternativë të besueshme – ndërtimin e identitetit të tyre politik mbi bazën e parimeve civile të përbotshme, të tillë si toleranca, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi " nën dritën e të cilave, traditat kombëtare nuk janë më të përvehtësueshme në gjendjen e tyre aktuale por vetëm nën një perspektivë kritike dhe autokritike ".
. Krahasimi i mësipërm ve në pah faktin se qêndrimi ndaj tê shkuarês përbën edhe një nga linjat ndarëse mes patriotizmit dhe nacionalizmit, ndërkohë që ekuilibri luhatet mes arsyes dhe ndjenjës : përdorimi i referencave të vetme etnike, gjuhësore ose kulturore (bile edhe ato fetare) për të egzaltuar - ose për të parandaluar ekzaltimin tragjik të - një të shkuar(e) të ndritur, një përkatësi(e) kulturore të lavdishme ; krenaria instiktive kryeneçe – ose reflektimi filozofik dyshues – ndaj rrëfimit mitik të origjinës kombëtare.
.
.
. (vijon)

La suite.. - Vazhdimi...

Monday, June 22, 2009

Kjo Evropë, pas të cilës rendim…

.
. Do ditë më parë, " populli evropian " ju drejtua kutive të votimit dhe ripërtëriti për pesë vjetët e ardhshëm instancën e tij më të lartë të përbashkët, Parlamentin e Strasburgut. Veçse kësaj rradhe, kjo fitore e re e demokracisë evropiane - sipas një farë retorike sa të zakonshme aq edhe bajate, vështirë se mund të mbahet mend si një e tillë. Në të vërtetë, rezultatet e këtij votimi tregojnë thjesht se ky popull, përpara se të jetë demokrat, është pragmatik dhe realist – të paktën, shumë më tepër pragmatik dhe realist se sa ajo elitë e tij që drejton partitë politike, që udhëheq qeveritë vendore dhe që synon karriket e Strasburgut.
. Le të gjykojmë vetë : fillimisht, ai dyzon mbi dobinë vetë të këtij Parlamenti – përderisa vetëm 43,55% e votuesve marin udhën e kutive, pra një abstenim rekord prej 56,45% ; në vijim, pjesa më e madhe e atyre që votojnë mendojnë se në këto ditë të vështira krize, ja vlen më mirë të preokupohesh për atë çka është e prekshme, e numërueshme, konkrete, se sa për ëndrrat, teoritë dhe idealet – pra, për Evropën e ekonomisë dhe të kapitalit të të djathtës se sa për Evropën sociale të të majtës ; së fundi, përtej fraktalit tradicional " e djathtë – e majtë ", Evropa e sotme ju ngjall po aq pikpyetje sa edhe frikë ajo e nesërmja – pse jo, një Evropë shumë më tepër ekologjike ? me një ekonomi të riorientuar drejt aktiviteteve të ashtuquajtura " qëndrueshme ", të çliruar nga mania shkatërruese e shkallës së rritjes.. sikundër dhe një Evropë e ekstremeve ksenofobe, antiislamike, thjesht, një anti-Evropë për euroskeptikët. .
.
. . To vote or not to vote…
.
. Cili është problemi i kësaj Evrope që zgjedhësit-qytetarë të saj nuk tunden më vendit për të votuar për përfaqsuesit e tyre ? Mos është vallë efekti krizë që ju prët këmbët dhe ju paralizon duart, fakti që një vend i tërë duhet të mobilizohet për një grusht deputetësh - figurantë të pafuqishëm për të ndikuar në vendimet e instancave drejtuese, gjithmonë prerogativë e qeverive kombëtare, apo fakti tjetër që mes referendumeve, zgjedhjeve parlamentare, lokale - të zakonshme dhe të parakohshme, këto evropianet janë një thelë mbi bisht? Përfundimisht, votë krize apo krizë vote ?
. Sidoqoftë, që prej 30 vjetësh zgjedhje evropiane, shkalla e pjesëmarrjes njeh vetëm rënie : 63% e zgjedhësve votuan në 1979, 61% në 1984 (në atë kohë ishin vetëm 10 vende antare), 58.5% në 1989, 56.8% në 1994 (12 vende antare), 49.8% në 1999 (15 vende antare) dhe 45.6% në 2004 (25 antarë)…për të mbrritur në 43.6% e fundit (me 27 antarë). Me një fjalë, sa më shumë rritet numri i vendeve antare, sa më shumë zgjerohet baza elektorale e Bashkimit evropian, sa më shumë rritet numri i deputetëve për t’u zgjedhur, aq më të pakët janë zgjedhësit që shkojnë për të votuar !
. Për çudi, më të lumturuarit e kësaj Evrope – polakët, çekët, hungarezët apo sllovakët – janë edhe më bukëshkalët : vetëm 28% të polakëve " eurofilë " kujtohen se vota është atributi themelor i demokracisë, i asaj demokracie që ju ka munguar aq tepër gjatë komunizmit ; vetëm 25% të çekëve kujtohen për zgjedhjet, paçka se vendi i tyre kryeson Evropën e bashkuar ; dhe ndoshta për inat ndaj këtyre të fundit, vetëm 19% e sllovakëve çapiten drejt kutive të votës. Sa për rumunët (27% pjesëmarrje) dhe sllovenët (23%), shqetësimi i tyre kryesor me sa duket ishte të evtonin vendin e fundit dhe të gjendeshin diku andej nga mesi i listës. Sidoqoftë, më të mirët e kësaj liste të mjerë janë hungarezët (votues me 34% të pjesmarrjes) dhe bullgarët (me 37.5%). Me sa duket, në ish-vendet e lindjes që luhaten ende mes shpresës dhe mosbesimit, demokracia duhet të çajë rrugën e vet " me shpatë në dorë ", ndërkohë që bijtë e saj më të mirë – eurodeputetët – tashmë rendin drejt Strasburgut " me euro në xhepa ", plot 7000 kokrra euro për çdo muaj. Një shpërblim i merituar për atë punë kolosale që i pret, nëpër hotelet dhe restorantet alzasiane.
.
. Në se mungesa e traditës dhe gjendja e brishtë e demokracisë në këto vende është edhe faktori që justifikon pjesëmarrjen e pakët të zgjedhësve në votime, çka mund të themi për vendet e Evropës perëndimore, kështjella të qëmotshme të demokracisë që, edhe ato, notojnë në të njejtat ujra të abstenimit ? Përse vetëm 36% të hollandezëve apo 40% të francezëve interesohen për këto zgjedhje, ndërkohë që pjesa tjetër merr udhën e piknikut apo të bregdetit ? A thua çështjet e Evropës janë të dorës së dytë për 57.8% të gjermanëve apo të austriakëve që preferojnë më mirë shëtitjen se sa votimin ? Përse vetëm 35% të shembullorëve suedezë ngrihen prej shtratit me idenë e votës, ndërkohë që vendi i tyre përgatitet të udhëheqë Bashkimin evropian për gjashtë muajt e ardhshëm? Mos duhet vallë që votimi të shëndrrohet në një detyrim ligjor për të shmangur abstenimin masiv? Nuk i besoj ligjit në këtë lëmë - nën dritën e rezultateve të Greqisë ku, edhe pse ligji detyron, vetëm 55% e votuesve e respektojnë këtë ligj ! Bile edhe pa këtë ligj, 66.5% e italjanëve del për të votuar – paçka se 7% më pak përkundrejt zgjedhjeve të vitit 2004.
. I ndriçuar pra nga shifrat, prirem të mendoj se Evropa e sotme jo vetëm që nuk frymëzon, por ajo zhgënjen. Të paktën Evropianin e thjeshtë, atë të rrugës, i cili ende nuk arrin të shohë kjartë drejt cilash horizontesh ajo rend, që ende nuk është i bindur se fatin e tij – dhe atë të vendit – jua ka lënë në dorë njerëzve më të përshtatshëm për atë punë.. për të mos thënë së fundi se ai ende nuk e ka fort të kjartë për çka shërben një Evropë e tillë teknokratësh !
.
.
. Right, right, right… all.
.
. Sipas logjikës së vetë demokracisë, nga momenti që shumica çinteresohet në këtë farë feje nga rezultati i votës – pra, nga momenti që zgjedhja e qeverisjes shëndrrohet në çështje të një pakice – " gjëja publike ", shprehje e të cilës janë pikërisht këto zgjedhje, humb substancën e vet politike ndërkohë që fituesi qeverisës humb legjitimitetin e ushtrimit të pushtetit. Por në praktikën e sotme, pakkush shqetësohet nga substanca e " gjësë publike " dhe aq më pak arrin që fituesit e zgjedhjeve të shqetësohen në atë masë për legjitimitetin e pushtetit të tyre sa të humbasin gjumin. Përveç ndoshta atyre që humbën zgjedhjet – hupësit - të cilët, në mos për gjë tjetër, janë të vëmendshëm ndaj çfaqjeve të tilla fillimisht për të justifikuar rezultatet e këqia ose për t’jua kënduar fituesve si këngë. Veçse hupësit e kësaj rradhe – e majta socialiste dhe social-demokrate evropiane – mori një shuplakë monumentale, të tillë që jo vetëm e ka humbur toruan për momentin por edhe e ardhmja i është zhdukur sysh.
. Për një varg arsyesh, në dukje jo fort të kjarta, gjithandej në Evropë, qoftë në opozitë apo në pushtet, kjo e majtë pësoi një humbje fort të ndjerë :
. - në Francë, partia në pushtet (UMP e Sarkozisë) e tregoi vehten si forca kryesore politike e vendit me gati 29% të votave, ose 12 pikë më shumë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të 2004, ndërkohë që opozita socialiste largohet kokëulur me vetëm 16.5% të tyre, ose 15 pikë më pak ndaj 2004. Bile ç’është më e keqja, për pak gjë, ajo desh përfundoi në vendin e tretë që sot mbahet nga të Gjelbërtit e Kohn-Benditit që kundër çdo parashikimi arritën të sigurojnë 16.2%. Por padyshim, humbësi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve është partia centriste MoDem që arriti të mbledhë vetëm 8.5% të votave, kur sipas të gjitha parashikimeve ajo do të shfaqej si forca e tretë – dhe alternativa e ardhshme e vendit – me afro 15% të votave.
. - Atë çka mundën të evitojnë socialistët francezë, e pësuan sivëllezërit e tyre laburistë në Britani të Madhe ku partia e Gordon Brown-it, megjithëse në pushtet, shkau në vendin e tretë me vetëm 15% të votave, ose me 8 pikë më pak në krahasim me 2004. Sikundër edhe parashikohej, fituesit e këtyre zgjedhjeve janë konservatorët (29%), të ndjekur nga partia eurofobe Ukip (17%). Çudia e këtyre zgjedhjeve ishte partia e të djathtës ekstreme BNP që me 6.5% të zgjedhësve arrin të çojë dy deputetë në Strasburg.
. - Në Gjermani, Angela Merkel mund të marë frymë me qetësi pasi partia e saj CDU – bashkë me motrën e vogël bavareze CSU – realizojnë 38% të votave. Megjithëse 6 pikë më pak se rezultatet e 2004, ky rezultat varros përfundimisht SPD social-demokrate (20.8%, më i keqi rezultat në historinë e zgjedhjeve evropiane të saj). Me një të tillë rezultat edhe një aleancë e parashikueshme me të Gjelbërtit (12%) nuk ngren më peshë. Ndoshta fituesit e vertetë të këtyre zgjedhjeve në Gjermani janë liberalët (11%), të cilët gjejnë një rol aq të preferuar të arbitrit lidhur me zhvillimet e ardhshme politike në vend.
. - Në Itali, megjithëse nuk mundi të realizojë premtimin e tij prej 40% të votave, Berluskonit ju desh të kënaqej me 34.7% (thuaj 3 pikë më pak se në vitin 2004). Megjithëse hupëse, partia demokratike PD (e majta) arriti të frenojë deri diku qorollepsjen me ato 26.5% të votave (edhe ajo në humbje të 5 pikëve ndaj 2004). Sikundër pritej, antiemigrantëve Nordistë të Ligës ju qeshte buza pas votimeve pasi për herë të parë, partia e tyre realizonte një rezultat me dy shifra (11%). Si për të balancuar kandarin, edhe Italia e Vlerave e antikorrupsionistit Di Pietro mundi të mbledhë 7.8% të votave, ose dyfishin e rezultateve të 2004.
.
. - gjithandej gjetkë, nga Spanja në Vendet Baltike – duke kaluar nga Skandinavia dhe duke përfunduar në Ballkan – partitë e mëdha të djathta ruajtën vendin e parë në skemat vendore politike, me përjashtim të Greqisë ku votat e PASOK-ut tejkalonin ato të shumicës së djathtë në pushtet. Por Greqia mbetet thjesht një përjashtim që vërteton jo më një rregull por një paradoks : çdo gjë përmbyset në planin lokal, asgjë s’lëviz në nivelin e Parlamentit të Strasburgut. Shumica në këtë Parlament do të jetë konservatore si edhe më parë. Kështu PPE (Partia Popullore Evropiane) do të përfaqsohet me 267 deputetë për një total prej 736 vendesh, ose 36.28% (në 2004 kjo shifër ishte 36.7% ose 288 të zgjedhur për 785 vende). Sidoqoftë, PPE kryeson në distancë të madhe me PSE (Partia Socialiste Evropiane) e cila përfaqsohet me 159 deputetë, pa llogaritur ata 20 të PD italjane – pra, diçka si 20% të numrit të përgjithshëm (217 në legjislaturën e mëparshme). Tutje pas qëndrojnë liberalët – thuaj të pandryshuar me 81 deputetë – sikundër dhe të Gjelbërtit që sot numërojnë 51 deputetë (43 një legjislaturë më parë).
. Por, politika është një sistem i mbyllur dhe çdo i tillë i bindet ligjit të ruajtjes dhe të shëndrrimit. " Asgjë nuk humbet, gjithçka shëndrrohet ". Në se pesha e të djathtës mbetet konstante, atë çka humb e majta e rekuperojnë ekstremet : islamofobët holandezë të Geert Wilders (17%), eurofobët e Ukip-it (17%) dhe ekstemistët e djathtë të BNP (6.5%) në Angli, euroskeptikët austriakë të Hans Peter Martin (18%), atisemitët dhe antiromët hungarezë të Jobbik (15%), ultranacionalistët slovakë të SNS (6%), rumunomëdhenjtë e PRM (7%), ksenofobët bullgarë të Ataka (12.5%).
.
. Si shpjegohet një rezultat i tillë i të majtës ? Karakteri i përgjithshëm dhe shtrirja gjeografike e kësaj disfate sugjerojnë se ajo është ndikuar nga një fenomen po aq i përgjithshëm, që prek Evropën mbarë – kriza financiaro-ekonomike. Me fjalë të tjera, ky përkeqësim i ekonomisë që po përjeton Evropa – si edhe pasojat e tij të drejtpërdrejta ndaj tregut të punës, ndaj rrogave, ndaj fuqisë blerëse, ndaj arritjeve sociale etj – ndëshkon pikërisht të majtën dhe politikën e saj. Një paradoks i vërtetë pasi, tradicionalisht, e majta ka imagjinuar se një krizë ekonomike e kapitalizmit krijon një kontekst të favorshëm për të, duke mobilizuar forcat e gjalla progresiste kundër kapitalit – pra kundër të djathtës ! E pra, kjo e djathtë evropiane aty ku mban pushtetin, përballë ashpërsisë së krizës dhe shtrirjes së saj të frikshme, huazoi pikërisht metodat karakteristike të të majtës socialiste apo social-demokrate : " shtetëzimin " e sektorëve më kritikë, ndërhyrjen masive me kapitale shtetërore dhe vënien nën kontroll apo nën mbikqyrje të bankave apo të ndërmarrjeve kyçe të ekonomisë kombëtare. Në mënyrë krejt të natyrshme, këtë gjë bëri edhe e majta, në ato pak vende ku ende qeveris (Britani e Madhe, Spanjë..) dhe për çudi, kjo gjë nuk e shpëtoi nga ndëshkimi i votës popullore ! Një paradoks i dytë i këtyre zgjedhjeve ?
. Në të vërtetë, në se kriza e sotme frymëzon shqetësimin popullor evropian të momentit dhe strukturon qëndrimet e tij, emëruesi i përbashkët i opinionit publik është pikërisht përfytyrimi bashkësior i kësaj Evrope si edhe perspektiva afatgjatë e këtij konstruksioni politik. Kështu, shpjegimi i rezultateve të votës mund të tentohet vetëm nëpërmjet masës së përputhjes të aspiratës popullore dhe shqetësimeve ndaj situatave rrethanore konkrete nga njera anë, me përmbajtjen e projektit evropian dhe koherencën e praktikës politike të një partie ose një grupimi forcash, nga ana tjetër. Kur një përputhje e tillë nuk egziston, opinioni ose nuk voton (abstenon) ose ja jep votën e tij ekstremeve (votë ndëshkimi) ; rrallëherë, dhe aq më pak masivisht, ndodh që ai të ndrrojë krahun – të braktisë të majtën për të djathtën ose anasjelltas.
. Me fjalë të tjera, në se e majta evropiane mori një të tillë goditje, shkaqet duhen kërkuar aty ku kryqëzohen qëndrimet e saj ndaj kapitalit dhe projektet e saj lidhur me Evropën. Eshtë pak të thuhet se lidhur me këto çështje, pikpamjet dhe reaksionet e saj janë konfuze dhe të dykuptimta : si është e mundur të luftosh për drejtësi sociale krahas punonjësve të pakënaqur dhe të admirosh masat liberale të patronëve të ngopur ; të kritikosh varfërimin relativ dhe absolut të masës së gjerë popullore dhe të bësh çmos për t’u pasuruar vetë ; të kërkosh politika të mbrojtjes sociale nga ana e qeverisë kur je në opozitë dhe të ndërmarrësh veprime që përkeqësojnë pikërisht këtë mbrojtje kur je në pushtet ; të shpallesh partizan i betuar i Evropës së Bashkuar dhe të kalosh kohën duke kritikuar ligjet e shpallura në Bruksel dhe liberalizmin e Bankës qendrore evropiane ?
.
.
. * * *
.
.
. Sikundër edhe të tjera të llojit, vlera e këtij shkrimi - analizë mbetet gjithmonë e kufizuar. Pasi ai vjen disi pas pilafit – dhjetë ditë në mos më tepër pas zgjedhjeve. Do të dëshiroja të ishte ndryshe… dhe ndoshta, ja vlente që ai të ishte shkruar përpara zgjedhjeve. Veçse përmbajtja e tij do të ishte krejt tjetër, i frymëzuar më shumë nga dëshirat se sa nga realiteti i vrazhdë. Me fjalë të tjera, në në vend të analizës do të kishim parashikime, suksesi i të cilave i ngjan atyre të horoskopit. Parashikime që zakonisht shërbejnë për të nxitur shitjen e gazetave – si dhe për të justifikuar rrogat e Instituteve të sondazheve që sidoqoftë, mbeten gjithmonë më seriozë se sa kabinetet e astrologëve. Per çka vlen atëhere ky shkrim ?
.
. Së pari për të nënvizuar që jo vetëm memorja njerëzore është e shkurtër, por edhe politikanët bëjnë çmos që t’a shkurtojnë atë sa më tepër. Ve bast që sot, fituesit e këtyre zgjedhjeve i spjegojnë rezultatet nëpërmjet meritave të punës së tyre të palodhur dhe me largpamësinë e programeve të tyre ndërkohë që hupësit vazhdojë t’i justifikojnë nëpërmjet naivitetit dhe shkurtpamësisë të zgjedhësve – sikundër ai deputeti laburist anglez që i quajti këta të fundit " skizofrenë ". Sidoqoftë, vitin e ardhshëm, kush do të kujtohet se " shumica " fituese e eurodeputetëve të një vendi – dhe në këtë rast, po mar si shembull Francën – pra, UMP e Sarkozisë, përfaqsonte në kohën e vet vetëm 28% të atyre 40% të zgjedhësve që begenisën të votojnë, zgjedhës që në realitet përbëjnë vetëm 65% të popullsisë së përgjithshme të Francës? Me fjalë të tjera, mjaftoi vetëm 7% e francezëve ose 1 francez në 14 syresh që Presidenti dhe partia e tij të mburren përpara vendit dhe Evropës mbarë për meritat e tyre dhe më pas, të imponojnë vizionin e tyre të Evropës së ardhshme. Po sikur nesër, shumica ftuese të reduktohet në 15% ndërkohë që, nën shembullin e Sllovakëve dhe të Çekëve, vetëm 20% e zgjedhësve të shkojnë të votojnë.. cila do të jetë logjika e brendshme e kësaj demokracie evropiane ku preferenca politike e 2% të popullsisë së një vendi është e mjaftë për të vendosur mbi të ardhmen e kontinentit ?
.
. Së dyti, për t’ju rikujtuar gjithë atyre që ende mbajnë rradhën përpara derës së kësaj Evrope, si puna e shqiptarëve, se zhvillimet e fundit dhe tendencat e saj politike nuk parashikojnë diçka të mirë ne favor të tyre. Ka ardhur pra koha për ta për të ballafaquar ëndrrën e shumëdëshiruar me realitetin – me realitetin e tyre konkret, sikundër edhe me realitetin e vetë Evropës. Në se ata vazhdojnë të imagjinojnë se integrimi i tyre në Evropë mund të kryhet në emër të një " detyrimi hipotetik të dhënies së ndihmës " apo për hir të " identitetit evropian të Shqiptarëve " ata gabohen rëndë. Po ashtu ata gabohen në se kqyrin Evropën si një mal me evro-lekë apo si një pashaportë magjike që hap dyert e parajsës, sikundër kanë bërë përgjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit.
. Evropa e sotme, ajo e shekullit të XXI, nuk është e njejta me atë Evropë të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Vullneti evropian i asokohe që ju hapi dyert lypsarakëve të dikurshëm – sot pasunarë - grekë dhe portugezë për të krijuar një forcë politiko-ushtarake si kundërpeshë ose si alternativë të bipolit USA-BRSS u rrënua në të njejtën kohë me rënien e Murit të Berlinit, ndërkohë që dalja në skenë e dragonëve kinezë, tigrave koreanë, elefantëve indianë, panterave braziliane apo të tjerë luanë jugafrikanë zveniti dëshirën evropiane për të krijuar një treg të përbashkët ekonomik nga Atlantiku në Ural, një hapësirë të përbashkët ku mund të qarkullojnë lirshëm mallrat, vlerat, shërbimet dhe njerëzit. Ajo lojë botërore pokeri politik që dikur luhej rreth tryezës në G8, sot luhet mes njëzet lojtarësh, gjysma e të cilëve mprehin thikat, dhe nesër ndoshta mes dyzet të tillë ortakësh … Troç muhabetit, nëse për të ruajtur fytyrën, kjo Evropë s’mund të dëbojë nga sofra e përbashkët zhelamanët e dikurshëm polakë, çekë apo rumunë dhe bullgarë, të shtruar me lugë në brez, të paktën ajo mund të pengojë të tjerët e rradhës t’u bashkangjiten të parëve.
. Ç’na mbetet të bëjmë në të tilla kushte? Ose të vazhdojmë të lypim me dinjitet te porta e kalasë Evropë – bile herë-herë duke i lutur kumbarët fqinjë aq shpirtgjerë të thonë ndonjë fjalë të mirë për ne në atë mexhelisin e tyre fisnik, ose të ulemi këmbëkryq dhe të reflektojmë seriozisht mbi rrugët dhe mundësitë e zhvillimit. Në se idetë mungojnë, Evropa na furnizon shembujt, na sjell përvojën : si bënë druvarët e djeshëm finlandezë për t’u ngjitur në kulmet e telefonisë portative botërore, barinjtë e dikurshëm sviceranë për t’u shëndrruar në bankierë të botës mbarë, mullixhinjtë e ndryshkur hollandezë për t’u shpallur luleshtarë aq të kërkuar apo poçarët e cfilitur spanjollë për t’u kthyer në furnizuesit kontinentalë të majolikës ?… Mjaft të kqyrim se shumëkush bën çmos të ngrejë në rang monumenti kombëtar traditën e tij të prodhimit të djathit, të vajit të ullirit, të ullinjve të rregjur, të verës, të sallamërisë.. në mos po edhe të picës, të gulashit dhe të qebapit !
.
. Ndoshta me këtë rast mund të kujtohemi se mes të parëve tanë, pikërisht mes atyre mjeshtrave që përpunuan artizanatin aq karakteristik të qilimave, të gurgëdhëndjes, të argjendarisë, të qëndisjeve të arit mbi xhamadan apo edhe të llullave prej shqope, kish edhe nga ata kallfë, lajtmotivi i të cilëve përmblidhej nga ajo fjala e urtë " Lypa veç fytyrën e zezë ka, se pa gjë s’të len ".

La suite.. - Vazhdimi...

Tuesday, May 19, 2009

Metafizikë Patriotike (1).

. Shopenhauer: "... njeriu është një kafshë metafizike".
.
. Ky shkrim duhet të kish dalë në dritë kohë më parë – para dy-tre muajsh. Aq më tepër kur, gjatë një debati fort të ndezur që qendërzohej mbi vllehët, kisha premtuar se përgjigja ime nuk do të vononte… Por, gjithmonë dora ka refuzuar të shtyhet përtej rreshtave të para. Sigurisht, ishte mendja në kërkim të argumentave që mbante dorën.. më tej, ishte vetë dora në kërkim të formulës së përshtatshme që përmbante mendimin… Derisa vështrimi u mbërthye nga të tjera shkrime dhe përfundimisht, rrjedha e fjalëve gjeti të çarën në digën e përtesës. Me këtë rast, falemnderoj Spiritus për zanafillën si edhe Belle fleur për kreditin e fotografive.
.
.
. * * *
.
. Jo rastësisht, fusha semantike e koncepteve të tilla si komb dhe atdhe i nënështrohet keq përpjekjeve përkufizuese. Ndoshta, për shkak të mbivendosjes të një shumllojshmërie kuptimesh, sipas një procesi njëherësh mbledhës dhe përfshirës, këto dy koncepte çojnë reciprokisht drejt njeri tjetrit, në një proces konfuz që i njeh thuaj si sinonime. Ky pasurim i natyrës polisemike është sa frut i historisë po aq edhe pasqyrë besnike i asaj shkarjeje të vazhdueshme të këtyre shprehjeve drejt të tjerash fusha – politike në rradhë të parë, pasojë e përvehtësimit – dhe më tej e përdorimit gati pa kriter të tyre. Paçka se në origjinë këto koncepte s’kishin aspak të bënin me politikën. Drejt rrugës së njohjes (dhe më tej të debatit), ngasja e parë të shtyn të kqyrësh leksikun e tyre.
. Personalisht, e kam të vështirë të zbuloj atë moment kohor kur këto fjalë u shqiptuan për herë të parë në këto vise – ose më mirë, kur ato u përzgjodhën në mënyrë të ndërgjegjshme për të përfaqsuar përmbajtjen e tyre të thellë të sotme. Ndoshta, pasi edhe zhytja në gjuhë në kërkim të gjurmëve kufizohet nga njera anë nga përpjekjet relativisht të vona për ta shkruar dhe nga ana tjetër, nga mungesa e dëshmive të besueshme të trashëgimisë gojore – të asaj dëshmie që i përdor këto fjalë në mënyrë të ndërgjegjshme. Përballë kësaj vështirësie, jam i prirur të vështroj gjuhët e tjera – në rradhë të parë, ato që historia i propozoi si gjuhëformuese (greqishtja ose latinishtja) - dhe të pranoj në mënyrë të heshtur që edhe shqiptarët (më mirë, pararendësit e tyre të origjinës) të kenë njohur procese shoqërore në mos të njejta me bashkëfqinjët e tyre të shquar, të paktën të ngjashme, të kenë përpunuar mekanizma socialë të barazvlershëm. Më duhet të pohoj gjithashtu se është pikërisht fjala komb që i reziston veçanërisht përpjekjes ftilluese – sikundër edhe ajo nyja e famshme i rezistoi si mundi shpatës së Aleksandrit të Madh, ndërkohë që fjala tjetër atdhe = dheu i atit (dheu i etërve dhe jo ati i dherave) - si edhe e barazvlershmja e saj nga ana e gjinisë së mëmës - ndjek një logjikë tashmë të sprovuar edhe jashtë kufijve të botës latine (fatherland / motherland). .
.
. . Kombi – bashkësia e origjinës.
.
. E pra në latinisht, fjala natio vjen nga pjesori natus i foljes nascere = lind. Në atë togun e fjalëve të përzgjedhur brenda një fjalori që shërbejnë për të karakterizuar një bashkësi njerëzore, natio gjend vend në hierarkinë " e morfologjive " sociale, e cila në një rend rritës përmban familjen, fisin, tribunë, etninë, bile për një arsye disi misterioze ajo renditet në krye të saj. Që në kohë të vet, Taciti [55 – 120 e.s] kur përmend një popullsi, e quan atë nationis nomen, non gentis, duke nënvizuar kështu statusin e saj të nën-bashkësisë së gens – njerëzve, që sipas tij përbëjnë formën e përkryer dhe të njejtësuar të një populli, pra të një shoqërie të vërtetë që zotëron njëherësh një strukturë hierarqike dhe bashkëplotësuese. Bile edhe fjalorët latinë që i referohen pikërisht autorëve antikë, sjellin përkufizimet e mëposhtme : " racë, lloj, gjindje ose popullsi ".
. Edhe kur fjala kalon në gjuhët e tjera me bazë latine (frëngjishtja e vjetër e shekullit të XII) në formën e saj nation, edhe pse rrethanat e përdorimit të saj çojnë drejt një veçorie origjinale të bazuar mbi kritere familiariteti, ajo mbetet fort e papërcaktuar, pasi përmbledh " çdo lloj grupimi universitar, fetar, ekonomik dhe rrallë herë etnik ". Vetëm aty rreth shekullit të XV-XVI, kjo fjalë përfshihet në një proces përgjithësues dhe modelohet sipas një mënyre gjinisore dhe kolektive për të treguar popullsitë në rrafshe të ndryshme territoriale. Kështu për shembull, fjalori i Akademisë frënge – në një nga botimet e tij të para të vitit 1708, i përpiluar nga jezuitët, rregjistron edhe poliseminë e fjalës : " Nation - emër kolektiv që i vishet një populli të shumtë në numër që banon në një sipërfaqe pak a shumë të madhe territoriale, të përmbledhur brenda disa kufijve, dhe që thirret me të njejtin emërtim. Natio, gens, populus. Thuhet gjithashtu edhe për banorët e një vendi, megjithëse i ndarë mes disa shtetesh, me qeveri të ndryshme ". Pse jo edhe disa popuj të dalë nga e njejta rrënjë, të lindur brenda të njejtit vend – pra, një popull i përbërë, i qeverisur nga të njejtat ligje.
. Megjithëse asnjë rrethanë e vjetër e konceptit nation nuk i njeh këtij të fundit statusin e një " trupi natyror " dhe ende më pak politik, vetë domethënia e tij përçon si një fill të kuq lidhjen farefisnore ose të gjirisë, atë " origjinë të përbashkët " që çfaqet si një kriter përcaktues që në antikitetin e lashtë. Një gjiri që vjen në në mbështetje të identitetit kulturor të marë si trashëgimi.
.
. Atdheu – trashëgimia e etërve.
.
. Fjalën patria latinët e huazuan prej grekëve, për të cilët mbiemri patria-patris përcaktonte gjithçka që ishte stërgjyshor, i lashtë dhe i traditës. Kjo traditë pra, e trashëguar nga të vjetrit përmblidhet nga shprehja gjinisore ta patria, ndërkohë që një kuptim edhe më të ngushtë përcakton edhe tokën e të vjetërve ge patris. Që të dyja këto kuptime shkrihen në tekstin e tragjedisë Persët të Eskilit (525-456 p.e.s) : " Tunduni, bij të Grekëve, çlironi atdheun, çlironi fëmijët dhe gratë tuaja, altaret e etërve dhe varret e stërgjyshërve ". Në kohë të vet, Demosteni (384-322 p.e.s) i jep këtij termi një kuptim më politik në fjalën e vet " liria e Grekëve ", pasi për oratorin trashëgimia stërgjyshore, përveç tokës, përmban edhe traditat e natyrës fetare ose politike.
. Të gatuar me kulturën helene, autorët latinë si puna e Cezarit, tek termi patria njësojnë pasurinë fortunae, shtëpinë domus, herë herë edhe të drejtat civile civitas, në kuptimin e një trashëgimie, të një tradite të trashëguar. Ciceroni (106 - 43 p.e.s) nuk heziton të lidhë në fjalimet e veta fjalën patria me tjetrën Roma, respublica ose bile edhe Italia, ndërkohë që në tekstin e tij të famshëm Traktati i Ligjeve arrin të bëjë një dallim të prerë mes atdheut (patria) natyror dhe atdheut të qytetarisë. Një prej dialogjeve të tij ve në skenë dy miq që diskutojnë mbi idenë e tyre të atdheut :
. - Atikus : .. ç’ke ke ndër mend kur thua se ky vend është atdheu yt i vërtetë. Mos vallë, ke dy atdhe ? Apo ndoshta egziston vetëm një i tillë, ai që është i përbashkët për ne të gjithë ? Veç nëse për të urtin Katon, atdheu nuk është Roma por Tuskulum !
. - Markus : për Herkulin, mendoj se për të sikundër për të gjithë njerëzit (gens) e komunës (municipe) egzistojnë dy atdhe : një atdhe i natyrës, një tjetër i qytetarisë. Njësoj si të themi se atdheu është sa vendi ku kemi lindur po aq edhe ai që na ka dhënë strehë. Por është e nevojshme që përkushtimi të dalë fitues, ai përkushtim për të cilin emri i republikës (respublica) përbën edhe të mirën e përbashkët të çdokujt në këtë qytet.
.
. Me kohë – dhe me shtrirjen ndërkontinentale të Perandorisë romake – koncepti i atdheut rivlerësohet. Ndërkohë që filozofi kozmopolit Seneka (v. 4 p.e.s. – 65 e.s) i njëson kufijtë e atdheut të tij metaforik me ato të vetë universit, poeti Lucian (120 – 180 e.s) i rikthehet patria naturalis :
. " S’ka gjë më të ëmbël se atdheu, thotë një proverbë e njohur ; atdheu, shkak dhe zot sovran, që i jep çdokujt jetën, ushqimin dhe edukimin. Mund të admirosh madhështinë, bukurinë dhe shkëlqimin e qyteteve të tjera ; por do vetëm atë ku ke parë dritën e diellit ".
. Në Mesjetë, fjala atdhe rrudhet dhe shëndrrohet thuajse në një fjalë të rrallë, në gojën e të diturve. Gojtaria e shenjtë – ajo e shën Augustinit – për një kohë të gjatë e ka përdorur në kuptimin e saj primitiv të trashëgimisë, duke i dhënë një përmasë të re, fetare : atdheu, është Qielli, banesa e Zotit që vetë Krishti na e ka lënë si trashëgim nëpërmjet shëlbimit. Shën Thomas d’Aquin (1225 - 1274), rizbulon kuptimin antik të huazuar prej Aristotelit dhe i jep fjalës orientimin familiar të vendit të lindjes dhe të edukimit nëpërmjet familjes. Duhet të vijë autoriteti tokësor i Mbretit ose i Perandorit për të realizuar identifikimin e parë të Regnum Germaniæ si një patria në kuptimin e civitas, ndërkohë që ligjëvenësit ju rikthyen terminologjisë të të drejtës romake ad defensionem patriae për të justifikuar mobilizimin e trupave dhe rekuizimin e mjeteve. Në vijim, Rilindja evropiane me ato referencat e saj të pashmangshme antike do ta pajisë fjalën patria me të gjitha takëmet e saj emocionale dhe qytetare dhe do t’i hapë një fushë të re veprimi përdorimit të saj. Tashmë, gjithnjë e më tepër fjala patria paraqitet si një alter ego reciprokisht e zëvëndësueshme me fjalën civitas, ndërkohë që kjo e fundit i nënështrohet dëshirës – ose ngasjes – për t’u shëndrruar në Shtet, sipas të njejtës përçapje përgjithësuese që prek njëkohësisht fjalën tjetër nation. Duke ju referuar kështu gjuhës frënge, fjala patria (patrie) kalon në fondin e saj të zakonshëm rreth vitit 1530, duke ruajtur si përmbajtje kuptimin e dyfishtë ciceronian dhe si përdorim metaforik qoftë atë augustinian të qiellit apo senekian të atdheut të të urtëve. Ai Fjalori i mësipërm i Akademisë i fillimshekullit të XVIII jep edhe përshkrimin polisemik të fjalës atdhe : " Patrie – vendi ku kemi lerë, thuhet qoftë për për një vend të përcaktuar, qoftë edhe për provincën, mbretërinë ose shtetin që e përmban këtë vend. Patria, natale solum. I gjithë Universi është atdhe i të urtit. Thuhet në mënyrë figurative se Qielli është atdheu ynë i vërtetë ".
.
. Shteti - indoktrinimi intelektual.
.
. Vështrimi etimologjik i mësipërm nxjerr në pah faktin se shprehjet komb dhe atdhe përfaqsojnë dy realitete të ndryshme, dy rende vlerash bashkëparalele por jo të shkrijshme në njera tjetrën. I pari i përket fushës semantike të brezave dhe të trashëgimisë, elementët e parë të kohezionit të një bashkësie njerëzore. Pra, ai simbolizon përjashtimisht njerëzit. Në të kundërt, kuptimet tashmë të pranuara të fjalës patria = atdhe shpien drejt konceptit të një pasurie të transmetuar, të lënë si trashëgim, të dhuruar ; ato karakterizojnë fillimisht objekte materiale qoftë edhe kur këto të fundit quhen tokë ose territor - dhe në një përpjekje përgjithësuese, traditat natyrisht jomateriale por shpirtërore, vlerat morale.
.
. Por, në dallim nga periudhat e Lashtësisë, të Mesjetës apo të Rilindjes, praktika moderne - dhe ende më tepër ajo bashkëkohore - dëshmon për një tjetër realitet. Një realitet ku raportet tradicionale mes njeriut dhe objekteve janë përçudnuar nga esenca politike, janë deformuar nga marrëdhëniet ekonomike, janë elektrizuar nga ngarkesa ideologjike. Tashmë i ndërgjegjshëm për forcën e aksionit të tij shëndrrues dhe përvehtësues të objekteve, njeriu ndjehet i aftë të riformulojë konceptet, të ripërmasojë fushat e veprimit të tyre – duke injoruar ngarkesën e tyre të lashtë psikologjike dhe shoqërore. Dhe si gjithmonë, në ballë të përpjekjes gjenden mendjet e ndritura – filozofët, shkrimtarët, teologët dhe të tjerë ligjëvënës, të cilët në një moment të caktuar të zhvillimit historik, shoqëror dhe politik të kontinentit tonë kuptuan se nuk ishin thjesht bij të natyrës dhe produkte të qytetërimit sikundër pararendësit e tyre të shquar heleno-romakë por edhe subjekte të Shtetit territorial. Këtej e tutje, logjika e ndërhyrjes së tyre tejkalon gjerësisht intuitën – bile edhe maturinë, pasi ajo udhëhiqet nga interesat, orientohet nga prioritetet dhe diktohet nga situatat konkrete – ato të infrastrukturës të pushtetit politik, që organizon dhe kanalizon mendimin intelektual dhe shoqëror.
. Shfaqja e Shtetit modern territorial, imponimi i tij në rrafshin evropian dhe më tej legjitimimi i atributeve të tij të pandashme (kufijtë, autoriteti qëndror dhe rrezatimi i tij lokal, sistemi i përqëndruar i taksave etj.. etj) detyrojnë domosdoshmërisht rikqyrjen e kategorive të tilla " anakronike " – dhe në rradhë të parë atë të kombit. Me një farë të drejte pasi këto të fundit, me Shtetin në mes, bëhen problematike. Kështu, çdo qytetar i devotë që është sadopak i lëçitur, që ka një vizion sadopak të reduktuar të historisë mbetet gjithmonë i etur të mësojë se në ç’masë kufijtë realë të Shtetit përputhen me kufijtë imagjinarë të atdheut ? në se është e moralshme dhe aq më tepër e pranueshme që shtrirja territoriale e këtij të uruari Shtet të mos korrespondojë me shtrirjen natyrore të kombit ? Aq më tepër kur, sikundër ve re edhe një autor si Raymond Aroni në librin e tij " Mësime mbi historinë " : " … në se bëhet fjalë për kombin dhe aq më mirë për shtetin, kemi të bëjmë me një ide që është e pranishme në ndërgjegjen e shumë njerëzve dhe që, edhe pse nuk zotëron personalitetin fizik të të një individi të përveçëm, përfaqson gjithmonë një lloj realiteti ".
.
. Por, nëse kjo ide është kësisoj e pranishme në ndërgjegjen thuaj të sejcilit prej nesh, përse duhet t’u biem në qafë filozofëve dhe shkrimtarëve ? Pasi, ndërkohë që Aroni i mësipërm harron të na thotë se në ç’mënyrë ideja e re e Shtetit gjen vendin e vet në ndërgjegjen tonë karshi asaj të vjetër të kombit, të tjerë mendimtarë që e kanë kqyrur kësaj problematikë me lupë në dorë janë të bindur se përfytyrimi ynë është pikërisht frut i përpjekjes së ndërgjegjshme të këtyre shkrimtarëve dhe filozofëve. Në ç’mënyrë ? Nëpërmjet një përqasjeje barazvlerësuese mes koncepteve shtet dhe atdhe. Me fjalë të tjera, mjaft që të bindemi se Shteti – ai egzistues brenda të cilit jetojmë, ose ai i dëshiruar, brenda të cilit aspirojmë të jetojmë – s’përfaqson gjë tjetër veçse atdheun tonë të dashur ! Nga momenti që hidhet ky hap, tjetri i rradhës është revizionimi i konceptit të kombit, me qëllim realizimin e adekuacionit aq të dëshëruar mes shtetit dhe corpus populus - subjektit politik.
. Përpos ngasjes që është në përpjestim të drejtë me interesat e vetë Shtetit, kjo përçapje intelektuale bart në vetvehte rrezikun e instrumentalizimit, të pajisjes së konceptit me ngarkesa psikologjike – të rimodelimit të një identiteti kolektiv, me atribute të ngjashme me ato të kombit. Krahasimisht dhe përmbledhtas, le të kqyrim dy përçapje të tilla – diametralisht të kundërta lidhur me argumentat që përdorin, por që sidoqoftë që kanë lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen politike dhe shoqërore evropiane.
.
. - E para, e markës frënge, e cila përmblidhet me devizën " kombi, një bashkësi politike që duhet prodhuar " është lidhur ngushtë me Revolucionin e vitit 1789 dhe me përmbysjen e pushtetit monarkik. Në termat e të drejtës, gjendemi në sferën e jus soli. E thënë ndryshe, Shteti egziston mbi bazën e bashkimit politik të territoreve përbërës dhe atij duhet t’i fabrikohet kombi ; ky i fundit përfshin gjithë popullsinë që gjendet mbi këto territore, sipas principit të qytetarisë.
. Në prag të këtij revolucioni, Zhan Zhak Rusó – përçues i rebelimit politik parlamentar përballë absolutizmit të Mbretit përpunon përkufizimin e mëposhtëm : " një komb është një trup politik ose një shoqëri njerëzish të mbledhur së bashku për të krijuar më shumë avantazhe ose më shumë siguri nga fakti që janë bashkë ". Edhe pse volontarist dhe i mangët, ky përkufizim i hap rrugën nenit 3 të Deklaratës të të Drejtave të Njeriut, të propozuar nga abati Sieyès që thotë : " Principi i çdo sovraniteti qëndron esencialisht në kombin " dhe mishërohet përfundimisht në shprehjen e shquar të Renanit (1882) :
. " Një Komb është pra një solidaritet i madh, i përbërë nga ndjenja dhe sakrificat që janë bërë dhe nga ato ende janë gati të bëhen. Ai nënkupton një të kaluar, ai përmblidhet sidoqoftë në të tashmen me anë te një fakti të prekshëm : mirëkuptimi, dëshira e shprehur në mënyrë të qartë për të vazhduar egzistencën e përbashkët. Egzistenca e një Kombi është një plebishit i përditshëm, sikundër dhe egzistenca e një njeriu është afrimimi i përjetshëm i vetë jetës.. ".
.
. - E dyta, e përmasës gjermane, e përmbledhur nga deviza " kombi, një bashkësi etnike që duhet bashkuar ", i takon përpjekjes së krijimit të një Gjermanie të vetme, të ndërmarrë në shekullin e XIX. Në termat e të drejtës, gjendemi në sferën e jus sanguinis. E thënë ndryshe, kombi egziston mbi bazën e elementëve njerëzorë përbashkues dhe atij i duhet gjetur Shteti ; ky i fundit përfshin gjithë territoret ku banon kjo popullsi, sipas principit të etnisë.
. Një nga pionierët e idesë së Kulturnation është Herder, i cili pohon se " Providenca i ka ndarë kombet jo vetëm me male ose me pyje por veçanërisht nga gjuhët, nga shijet dhe nga karakteret ", ndërkohë që pasuesi i tij i shquar Fichte ngulmon në faktin se përkatësia në komb është fenomen i pavetëdijshëm (Volksgeist), sikundër lidhja e njeriut me gjuhën amtare : " … njerëzit janë formuar nëpërmjet gjuhës, më tepër se sa gjuha vetë nëpërmjet njerëzve ".
.
.
. * * *
.
.
. Më tepër se një përpjekje erudicioni, kjo maratonë e vërtetë referencash dëshmon për një dilemë personale, e lashtë sa ajo e Markusit të Ciceronit – shpresoj, e njejtë për të gjithë ata që rasti dhe nevoja i ka shpërndarë si çifutët në shkretëtirën e viseve të largëta.
. Në emër të kujt identiteti pjesëmarr në këtë debat ? të atij " natyror " - që më ka dhënë gjuhën e nënës dhe mbiemrin e atit, traditat e të parëve bile deri edhe tiparet e fytyrës ? apo të atij " qytetarisë " - që më shtyn deri dhe të mendoj me gjuhën e vendit, të rropatem me ritmin e jetës së përditshme dhe të krijoj deri edhe tarbiete të reja ?
. Kujt kombi i përkas tashmë ? atij të adoptuar, të " plebishitit të përditshëm " që teorikisht duhet të prodhojë qytetarë të ndërgjegjshëm, aktorë të një jete aktive shoqërore ? apo të atij tjetrit të origjinës " kulturnation " që praktikisht gjeneron nostalgjikë të pashërueshëm, partizanë të pakicave të pamposhtura ?
. Çfarë statusi social mund të pretendoj, përveç atij të çobanit, të mbledhësit të plehrave dhe të përzierësit të llaçit – krejtësisht të justifikuar, nëse i besoj opinionit të përgjithshëm të shoqërisë që më ka pritur në gjirin e vet ? Mirë unë që i përkas " brezit të parë ", me busull të prishur – me kokën në një vend dhe me trupin në një tjetër ; po fëmijët e mij që kanë lindur këtu, a do të mundin të dalin nga ky qerthull pakrye i referencave absurde ? po fëmijët e fëmijëve… ? Apo gjithmonë do të dalë dikush dhe do t’ju kujtojë pasardhësve të mij katër apo pesë breza më tutje, shpresoj ndërkohë diku andej nga maja e asaj piramide sociale – por gjithsesi me një mbiemër disi të çuditshëm, se ata s’janë gjë tjetër veçse " uzurpatorë ", " kripto-vendas ", " albano-shkretëtiras ", " bujtës fatkeqë që nata e Historisë i zuri në rrugë të madhe siç zuri edhe romët " - bukëshkelës të asaj bujarie legjendare të mikpritësit vendas, i dha vend në sofër gjysh-stërgjyshit të tyre dikur të huaj ?
. Në mungesë të një përgjigje të drejpërdrejtë dhe të çiltër, më duhet të kënaqem me thënien e një një evropianisti të bindur si Habermasi, i cili shkruan diku :
. " .. Integrimi politik [..] nuk justifikon aspak asimilimin e sforcuar në dobi të jetës kulturore që mbizotëron në një vend. Në kushtet e Shtetit të të Drejtës, kjo alternativë implikon që identiteti i shoqërisë – të cilit i referohemi në mënyrë legjitime – nuk është aspak i mbrojtur në një periudhë afatgjatë kundër ndryshimeve të shkaktuara nga valët e emigracionit. Pasiqë emigrantët nuk duhet të forcohen të braktisin traditat e tyre, është gjithmonë e mundur që me këto mënyra jetese të vendosura rishtas të zgjerohet gjithashtu edhe kuadri brenda të cilit qytetarët të interpretojnë principet e tyre kushtetutorë të përbashkëta. Vetëm kështu që do të mundë të funksionojë ky mekanizëm i cili bën që, me këtë përbërje kulturore të ndryshuar nga veprimi i qytetarëve aktivë, të ndryshojë gjithashtu edhe konteksti të cilit i referohet koncepti i identitetit etnik dhe politik i të gjithë kombit ".
.
. (vijon)

La suite.. - Vazhdimi...
 
Përjetësisht të Panjohur