. Mes të tjerë përvjetorësh, viti në të cilin gjendemi shënon 190 vjetorin e lindjes të Karl Marksit si edhe 160 vjetorit të çfaqjes së « Manifestit Komunist », veprës të tij më të përmendur. Një rast i përshtatshëm për një varg kritikësh dhe mendimtarësh nga bota mbarë t’i rikthehen njeriut dhe veprës, të analizojnë dhe të rikqyrin realitetin e sotëm ekonomik dhe veçanërisht, atë çka bashkëkohësit e filozofit dhe sociologut gjerman e quanin dikur « çështja sociale »..
. E pra, nëse marksizmi u strukturua dhe u zhvillua si lëvizja më influente « në kundërshtim me cenet e shumta të shoqërive kapitaliste të traditës liberale » - sipas shprehjes të filozofit polak Andrzej Walicki, ai u rrudh dhe humbi terren gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX, pikërisht pasi kjo shoqëri kapitaliste mundi të riparonte defektet dhe të zgjidhte problemet e saj. Mjafton të kujtojmë New Deal-in e Presidentit Ruzvelt pas krizës ekonomike të vitit 1929 ; mjafton gjithashtu të sjellim ndërmend rolin e Shtetit-Providencë në Evropën Perëndimore mes dy luftrave dhe pas luftës së Dytë botërore ; apo së fundi Keynesianizmin…
.
. Një tjetër filozof polak, Leszek Kolakowski, mendonte se ideja komuniste kish vdekur –bile edhe ish varrosur – që në vitin 1974 : « .. të vetmet mjekime që komunizmi mundi të shpikte – zotërimi i pasurisë kombëtare nga ana e një Shteti të centralizuar që i shpëtonte çdo kontrolli social si edhe rregjimi i partisë unike – janë edhe më keq se sa ato sëmundjet që ai mendonte të shëronte ». Dhe historia duket se i dha të drejtë kur mendon kthesën e Kinës drejt kapitalizmit gjatë viteve 80’, shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989 – dhe bashkë me të, të vetë Bashkimit Sovjetik në 1991.
.
.
. * * *
.
. Në të vërtetë, kritikat ndaj socializmit u ndjenë që në fillim të shekullit të XX. Evropianët e këtyre viteve patën rastin historik të njihen me argumentat e Ludwig von Mises, ekonomist austriak vizionar për kohën, lidhur me dështimin e pashmangshëm të socializmit. Sipas Mises, në mos për gjë tjetër, socializmi do të shembej të paktën për shkak të mungesës të mekanizmave të fiksimit të çmimeve nëpërmjet tregut : « .. për shkak të shkatërrimit të sistemit të çmimeve, paradoksi i planifikimit qëndron në faktin se është e pamundur të hartohet një plan, pasi mungon çdo llogaritje ekonomike. Ajo çka quhet ekonomi e planifikuar nuk është hiç ekonomi. Ajo është një sistem provash dhe eksperimentesh me sy mbyllur »..
. Pakkush i vuri veshin këtij mbrojtësi të denjë të kapitalizmit dhe të liberalizmit, të cilit ju desh të braktiste Vjenën për shkak të origjinës të tij çifute dhe të jetonte i vobekët për vite të tëra në SHBA. Megjithatë, ai prej kohësh paralajmëronte se « .. bashkësia socialiste është një grupim i madh autoritar, i karakterizuar nga dhënia dhe zbatimi i urdhrave. Pikërisht kjo është edhe përmbajtja e shprehjeve « ekonomi e planifikuar » dhe « zhdukja e anarkisë së prodhimit ». Struktura e një bashkësie të tillë socialiste përmblidhet fare mirë nëpërmjet krahasimit me ushtrinë ».
.
. Është e kjartë se në shënjestrën e von Mises qëndronte socializmi që po ndërtohej në BS, por në thelb, kritika e tij prekte vetë mendimin marksist, të cilin ai e kqyrte si një « doktrinë të rreme », e mbështetur mbi konceptin e Marksit se, nga njëra anë « struktura logjike e shpirtit është e ndryshme sipas klasave shoqërore të ndryshme » dhe nga ana tjetër, « .. logjika e proletarëve nuk është thjesht një logjikë klase, pasi idetë e kësaj logjike proletare mbeten emanacion i logjikës së pastër dhe të thjeshtë ». Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një ideologji të krijuar enkas, që ja nënshtronte mjetet qëllimit të saj themelor : rrënimit të prestigjit të shkencës ekonomike dhe krijimit të strukture mendimi të natyrës utilitariste, të veshur me petkun e një ligji universal të zhvillimit historik, të aplikueshëm si në shkencat ekonomike dhe në ato sociale.
.
. « Pohimi se interesat e të gjithë proletarëve kërkojnë uniformisht zëvendësimin e kapitalizmit me socializmin, përbën një postulat arbitrar të Marksit dhe të socialistëve të tjerë. Kjo gjë nuk mund të provohet duke deklaruar thjesht se ideja socialiste është emanacion i mendimit proletar dhe si pasojë, sigurisht e dobishme për interesat e proletariatit si i tillë ».
.
.
. * * *
.
. Në se evropianët nuk arritën të bindeshin plotësisht nga argumentat e von Mises, ne kemi Gëzim Tushin, i cili na siguron se « Marksi nuk vjen më… ». Padyshim – dhe aq më tepër në përvjetorin e 125 të vdekjes të filozofit – ai e ka fjalën për marksizmin, pasi sipas tij « .. koha vërtetoi se teoria e tij ishte aksident teorik dhe historik i pakthyeshëm më në këtë botë që po ndryshon progresivisht, marramendshëm, dhe krejt në të kundërt me ato që ka lënë Marksi »..
. Për të bindur atë mikun e tij, « njeri i mirë, por politikisht naiv dhe ende nën influencën e kotë të ideve të vjetra » - dhe nëpërmjet tij, ne, lexuesit e tjerë, Gëzimi zotëron një argument të pagabueshëm :
.
. « .. koha moderne e ktheu përmbys ligjin historik të marksizmit, se kapitalizmi më në fund dhe përfundimisht triumfoi dhe i zuri vendin pa revolucion, por në mënyrë paqësore socializmit. Bota po globalizohet dhe po krijon një rend të ri botëror, që nuk ka nevojë për dogmat e vjetra, idetë arkaike të marksizmit. Në këtë botë të mondializuar, edhe e majta moderne është tërësisht antimarksiste dhe nuk ka asgjë të përbashkët me të. Rekuiemi për marksizmin është kënduar përfundimisht. Sepse duam apo nuk duam, kudo në botë bashkë me ne po ecim duke ndërtuar modelin kapitalist, të cilin koha e vërtetoi se ishte modeli social ekonomik më efikas i njohur deri tani. ». Kush mundet t’a kundërshtojë këtë argument të Gëzimit, aq më tepër kur ai thërret në ndihmë edhe një ekip filozofësh dhe shkrimtarësh, që nga gjermani Dahrendorf deri tek spanjolli Ramoneda – duke kaluar nëpërmjet Mishel Fukosë ?
. Megjithëse, siç e pranon edhe ai vetë, deri vonë s’kish mundur të lexonte asgjë prej tyre…
.
. Sidoqoftë, Gëzimi është i sinqertë kur thotë se nuk ishte aspak i qartë në se mundi të bindtte me të vërtetën e tij mikun e dashur. Mbetet të dihet në se ka arritur të më bindë edhe mua, lexuesin e tij - po aq të sinqertë sa edhe ai. Pasi unë i besoj po aq Dahrendorfit sa edhe Habermasit. Në se Ramoneda paskish thënë « marksizmi është aq i keq, sa dhëntë Zoti të mos kthehet më Marksi, sepse, sipas tij, herët e dyta janë më të këqija se të parat », Zhan Pol Sartri ka shtuar se « marksizmi është thjesht një shpjegim adekuat i kapitalizmit ». E pra, unë i besoj sa të parit aq edhe të dytit.
.
. Jam plotësisht në një mendje me Gëzimin kur ai thotë se : « .. dikur të gjithë kemi qenë të instrumentalizuar nga “madhështia teorike” e marksizmit dhe variantit të tij të deformuar në formë banale si enverizmi dhe mendonim se revolucioni do të ishte “lokomotivë e historisë”, apo “çështje të shtruar për zgjidhje”, ngaqë njohuritë tona ishin të karfosura me dhunë brenda kuadrit të dogmës marksiste » sikundër dhe me faktin se Enveri betohej se ishte marksist autentik, në mos i vetmi marksist i vërtetë i kohës së tij. Mirë se Enveri kish lidhje me Marksin, por nuk arrij të kuptoj se ç’lidhje kish Marksi vetë me Enverin, sikundër dhe me Leninin, Stalinin, Çe Guevarën (?) apo me Fidel Kastron.
. A mjafton të citosh Marksin për të qenë trashëgimtar i tij? Cila është përgjegjësia e Marksit për krimet e Leninit, të Enverit apo të Stalinit ? Në se e bëjmë përgjegjës për Revolucionin e Tetorit apo për Revolucionin kastrist, përse të mos bëjmë edhe Zhan Zhak Rusonë, Volterin dhe Didëronë për Revolucionin francez të 1789 - për të mos shkuar më larg ?
. Ose ndryshe : a mjafton të kesh jetuar – dhe vuajtur - nën komunizmin enverian për t’u bërë ekspert në kritikën kundër Marksit – bile edhe pa lexuar veprën e këtij të fundit ?
. Të paktën në këtë pikë, von Mises nuk mund t’i bëhet asnjë kritikë : vepra e tij prej disa mijra faqesh është ngritur pikërisht mbi leximin dhe studimin e veprës po disa mijrafaqesh të Marksit.
.
.
. * * *
.
. Fundja, çka synon ky shkrim, i cili ve Gëzimin në një plan me von Mises dhe me vetë Marksin ? Të paktën, të nënvizojë idenë se ka shkuar ajo kohë kur lexuesi shqiptar mund të merrej për bagëti, i destinuar të ripërtypë mendimet e të parit shkrues lidhur me figura ose fenomene që mbeten jo vetëm të vështira për profanin por edhe të diskutueshme për vetë specialistët. Cila është diferenca mes shkrimit të Gëzimit që bën zhele Marksin dhe marksizmin dhe ato të Enverit që shpartallonte me një të rënë të lapsit, armiqtë e tyre ?
.
. Objektivisht, të duash apo të urresh Marksin nuk pengon aspak të kesh njëkohësisht një vizion
të qartë lidhur me atë çka ai përfaqson, lidhur me mendimin e tij filozofik, ekonomik apo social. Sikundër dhe t’i druhesh gabimit si edhe përgjegjësisë. Pasi në të vërtetë, sot ndodh pikërisht e kundërta e asaj që pohon Gëzimi, kur thotë se « .. bota po globalizohet dhe po krijon një rend të ri botëror që nuk ka nevojë për dogmat e vjetra, idetë arkaike të marksizmit ». Mjafton t’i hidhet një sy shtypit, që nga « Financial Times » deri tek « New York Review of Books », që nga « La Républica » e Montevideos deri tek « Asahi Shimbun » e Tokios – pa folur më tej për një « Vzgljad » të Moskës - për t’u bindur se interesi ndaj veprës së Marksit ka dalë rishtas në plan të parë.
të qartë lidhur me atë çka ai përfaqson, lidhur me mendimin e tij filozofik, ekonomik apo social. Sikundër dhe t’i druhesh gabimit si edhe përgjegjësisë. Pasi në të vërtetë, sot ndodh pikërisht e kundërta e asaj që pohon Gëzimi, kur thotë se « .. bota po globalizohet dhe po krijon një rend të ri botëror që nuk ka nevojë për dogmat e vjetra, idetë arkaike të marksizmit ». Mjafton t’i hidhet një sy shtypit, që nga « Financial Times » deri tek « New York Review of Books », që nga « La Républica » e Montevideos deri tek « Asahi Shimbun » e Tokios – pa folur më tej për një « Vzgljad » të Moskës - për t’u bindur se interesi ndaj veprës së Marksit ka dalë rishtas në plan të parë.. Do s’do analisti shqiptar, procesi i sotëm i mondializimit – një neologjizëm ende i patretur nga gjuha shqipe – ndoshta ka arritur të nxjerrë nga varfëria e tejskajshme me miliona njerëz, por njëkohësisht ka krijuar kontraste të jashtëzakonshme dhe diferenca të pamatshme mes zotëruesve të pasurisë. Mjafton të citohet OKB kur pohon se, në 2006, vetëm 2% e njerëzimit zotëron mbi 50% të pasurisë botërore ndërkohë që gjysma e popullsisë së planetit zotëron më pak se 1% të saj.
. Po qe se i shtojmë këtij konstatimi faktin e acarimit të dukshëm të konflikteve në nivel botëror lidhur me raportet e shkëmbimeve, delokalizimin e vendeve të punës në ato zona apo vende që paraqisin avantazhe ekonomike si edhe përplasjet e ashpra lidhur me zotërimin e burimeve natyrore, përse atëhere njerëzit nuk paskan më nevojë për « idetë arkaike » të Marksit ? Si shpjegohet – brenda arsyetimit të Gëzimit që në vitin 2005, dëgjuesit anglezë të BBC zgjodhën Marksin si « filozofin më të madh të të gjitha kohrave » ? Së fundi, altermondialistëve dhe ekologjistëve nuk ju intereson aq « lufta e klasave apo interpretimi materialist i historisë » se sa gjykimet e tjera të Marksit kur thotë se « natyra është burimi më i çmuar i pasurisë, bile përpara punës, dhe ky fakt fshihet me shumë kujdes nga borgjezia, e cila monopolizon pronësinë mbi tokën.. ».
. Nê të njejtën linjë qëndron edhe historiani britanik Eric Hobsbawm, i cili mendon se "Marksi mbetet pionier i mendimit modern", sikundër dhe Zhak Attali kur publikon "Karl Marks ose shpirti i botës".
.
.
. Mendimi i dytë, i cili i shpëton krejtësisht Gëzimit është diferenca thelbësore mes Marksit, marksizmit, socializmit dhe së fundi komunizmit. Por ai mund të ngushëllohet pasi nuk është as i pari, as edhe i vetmi. Të tjerë tërhiqen nga tundimi për t’i atribuar Marksit shprehje të cilat nuk i ka thënë kurrë – siç ishte rasti i I. Kadaresë në një prej shkrimeve të tij të fundit « Historia e Tjetrit ».
. Ndoshta për kollajllëk, ndoshta me induksion – dhe ndoshta nga një formë beninje e injorancës – konceptet e mësipërme njëjtësohen dhe treten tek njëri tjetri, siç është bërë enkas në paragrafin e parë të këtij shkrimi. Por, ndërsa injoranca nuk përbën argument, këtu nuk është as vendi as edhe qëllimi për t’u marë me analizën e diferencave, po aq problematike sa edhe të debatueshme. Ndoshta në këtë pikë, i duhet vënë veshi vetë Marksit që në pleqëri të tij i përsëriste të gjithë atyre që donin t’a dëgjonin : « Unë, nuk jam marksist ».
.
.
. Elementi i fundit dhe më këmbëngulësi përbëhet nga fakti se Gëzimi sikundër shqiptarët e tjerë njohën Marksin dhe marksizmin nëpërmjet komunizmit dhe socializmit të Hoxhës dhe të partisë së tij. Pa ditur aspak – përveç asaj çka kishin dëgjuar apo lexuar – se çka është në të vërtetë kapitalizmi. Por fati e dha « se kapitalizmi më në fund dhe përfundimisht triumfoi dhe i zuri vendin pa revolucion, por në mënyrë paqësore socializmit », pra gjithkush e pa me sytë vet – dhe u bind se ky lloj socializmi, në të vërtetë kapitalizëm i Shtetit, mund të shëndrrohet në kapitalizëm, në atë të privatit. Ndoshta për momentin, ende një kapitalizëm i tipit rrumpallë në gjirin e një shoqërie që ka humbur strukturën e saj të dikurshme, por gjithmonë në tranzicion - pa mundur të krijojë një strukturë të re, të qëndrueshme. Le të shpresojmë pra, të ndërtojmë përfundimisht atë modelin aq të lakmuar kapitalist, këtë « model social ekonomik më efikas i njohur deri tani » - sipas Gëzimit. Dhe me këtë rast, ndoshta do të arrijmë të kuptojmë më së fundi edhe mendimin e Marksit, kësaj rradhe pa marksizëm dhe komunizëm.
. Pasi, duam s’duam, përderi sa do të ketë kapitalizëm, do të ketë edhe Marks.
La suite.. - Vazhdimi...






















