"...në lidhje me këtë univers shqiptar që merr format e një labirinti,
nuk mund të merret guximi të shtrohen pyetje qoftë edhe të thjeshta në pamje,
pa patur bindjen që përgjigja mund të trondisë dhe të rrëzojë një ndërtesë të tërë të të menduarit,
një sistem të tërë të ngritur mbi bazën e paragjykimeve ose të vrojtimeve të ngutura"
.
Dashur padashur, historia imponohet vetvetiu si çelës i çdo misteri, si një sumum njohjeje objektive dhe jashtëpersonale meqënëse përfaqson tretjen shumëshekullore të fateve individuale dhe të qëllimeve kolektive – pavarësisht se me anë të saj, historianët shqiptarë të të gjitha kohrave « kanë justifikuar çka kanë dashur ». Sidoqoftë, ajo shërben vetëm si lëndë e parë, si një ind i dendur i cili përmbyll në strukturën e tij hermetike një varg pyetjesh të mbetura prej kohësh pa përgjigje bindëse : nga vijnë Shqiptarët ? përse pjesa më e madhe e tyre përqafoi fenë myslimane ? përse ata ishin të fundit që u shkëputën nga perandoria otomane ? përse ata shkëmbyen Republikën me Monarkinë e Zogut ? si mundi një grusht komunistësh të marrë pushtetin brenda tre vjetëve ? ç’don të thotë « nacional-komunizmi » i Hoxhës ? përse komunizmi mundi të rrënjosej kaq thellë në vendin e Shqiponjave ? Cilët janë përbërësit e përzierjes « magjike » që shëndrron një kardiolog të zot në burrë Shteti, një komunist model në babain e Demokracisë, një ikonë tê përgjëruar në tabelë qitjeje ? përse Kosovarët ishin të fundit që braktisën Jugosllavinë në agoni ? për ç’arësye shoqëria postkomuniste zgjodhi si mënyrë mbijetese ekonominë e nëndheshme të trafiqeve, të krimit të organizuar ose të korrupsionit ?

Friday, December 19, 2008

Thyerja e tabuve.

. " Nuk ishim ne që e rrëzuam komunizmin.
. Ai u shëmb vetë mbi kokat tona. "
. Jacek KURON
.
. Të gjithë ata që ndoqën shëmbjen e murit të Berlinit ishin njëkohësisht pjesëmarrës të një feste, ajo e njerëzve të ngazëlluar – të lumtur që ja kishin arritur ditës të shihnin fundin e një rregjimi dhe të një bote, të zhdukur në herë e përgjithmonë. Po ashtu, tubimet gjiganteske në rrugët e Pragës ose të Bratislavës që lajmëronin " Revolucionin prej kadifeje " çekosllovak prekën botën mbarë me anë të gëzimit që shihej në fytyrat e pjesëmarësve. Nuk ishte aspak rasti i njerëzve të Tiranës që ndoqën fundin e diktaturës së tyre, në këtë janar 1991. Mes gjithë emocioneve dhe pasioneve që kishin ngërthyer turmën, sikundër pritja, droja ose frika, veçanërisht njëri shpërtheu me gjithë forcën e tij, urrejtja.
.
. Në 2 shkurt të vitit 1991, një turmë e paanë prej gati 100.000 vetësh, e mbledhur në qendër të Tiranës, mori pjesë në shkatërrimin e statujës gjigande të Enver Hoxhës. Ajo u shkul dhe u rrëzua, u coptua dhe u përdhos, u hoq zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit (shënim 1). Në ditët që pasuan, turma rrëzoi statujat e tjera të diktatorit në Shkodër, Korçë dhe Durrës. Shumë shpejt, demonstratat dhe manifestimet antikomuniste u bënë edhe më të egra ndërkohë që trazira të vërteta, të shoqëruara me përleshje, shpërthyen në një numër lokalitetesh dhe rrethe të vendit. Njerëzit ju vërsulën dhe shkatërruan gjithçka që ju kujtonte të shkuarën : shenja të jashtme si përmendoret e kushtuara diktatorit dhe diktaturës, parrullat e varura ose të pikturuara mbi mure ose mbi male.
. Tërbimi shkatërrues nuk kurseu as monumentet e luftës nacional – çlirimtare dhe ndërtimit të socializmit : statujave të partizanëve çlirimtarë ju këput koka bile edhe varret u dhunuan ose u rihapën. Gjithmonë në shkurt të vitit 1991, libraria e vjetër " Flora " në Tiranë, e kushtuar veprave të diktatorit u shkatërrua ndërkohë që me qindra libra të tij u dogjën gjatë një autodafeje popullore. Sikundër dhe pritej, pak nga pak, pasionet u shtruan për t’u ringjallur në një formë tjetër : shkatërrimi sistematik i objekteve publike. Tashmë nuk ishte më një luftë ndaj simboleve, ishte plaçkitja e përzgjatur dhe me metodë, e asaj që dikur quhej " pasuria e popullit " nga ana e individëve të etur për të rrëmbyer qoftë edhe një copë, edhe një plaçkë ose të mirë materiale. .
. Gjatë gjithë vitit 1991 bile edhe përgjatë 1992, gjithçka që përfaqsonte një vlerë të çfarëdoshme ekonomike ose të përdorimit u shkul, u rrëmbye, u vodh për të mos thënë thjesht u thye – dritare dhe porta, lavomanë apo robineta, makineri dhe pajisje, tela dhe kabllo elektrike bile edhe muret rrethuese, trarë dhe tjegulla, shtylla elektrike apo edhe shinat e trenit… Torno dhe freza numerike u thyen me vare për t’u shitur me kile, uzina dhe kombinate të tëra u plaçkitën dhe u shkatërruan, institucione u grabitën dhe u rrënuan, një numër shkollash u zbrazën nga mobiljet dhe pajisjet e tyre – një rast i paparë në historinë e vendit – bile edhe autobuzat dhe vagonat e trenit detyroheshin të qarkullonin pa ndenjëse ose bango. E gjithë jeta ekonomike, politike dhe kulturore e vendit u ngadalësua dhe jepte përshtypjen se po ndërpritej fare.
. Duke kaluar nëpër të gjitha etapat – dobësim, ngadalësim i frymëmarrjes, kolaps – vendi kish shkarë në pikën e fundit dhe ndodhej në prag të katastrofës. Edhe nxënësit nuk arrinin më të ndiqnin mësimet në shkollat e tyre pa bango ose pa xhama, gjatë atyre muajve të dimrit 1991. Më tej grabitja preku fshatrat : mjaftoi fakti që pushteti ju sugjeroi fshatarëve të rrisnin më tepër dele, pula ose bletë që kjo gjë të interpretohej si një ftesë e hapur për të shpërndarë parkun egzistues të kafshëve të kooperativave bujqësore ose të fermave të shtetit. Më të guximshmit ju vërsulën depove, godinave administrative, makinave bujqësore... Shumë shpejt ju erdhi rradha vreshtave, drurëve frutorë dhe veprave ujitëse. Bile edhe drurët buzë rrugëve dhe ata të parqeve publike nuk munën t’i shpëtonin sulmit dhe përfunduan si dru zjarri. Në pak muaj, Shqipëria i kish marrë pamjen e një vendi të shkretuar, të rrafshuar nga cikloni më i tmerrshëm dhe i paparashikueshëm, ai njerëzor.
.
. Pas tërbimit shkatërrues, popullata u mbërthye nga ankthi për të braktisur vendin. Gjatë dimrit të viteve 1990-1991, me mijra të rinj shqiptarë provuan fatin për të kaluar kufirin grek, më këmbë. Vetëm disa muaj më vonë, numri i tyre kishte arritur 20.000. Me qindra humbën jetën gjatë rrugës dhe kalimit të kufirit ; me mijra të tjerë u detyruan të kthehen mbrapsht, të shtyrë tutje nga autoritetet greke ; dhjetra mija të tjerë rimorën rrugën drejt atij vendi që quhej shpresë, pasuri ose thjesht një jetë më e mirë.
. Drejtimi tjetër i preferuar ishte Italia. Me dhjetra anije shqiptare ose të huaja u pushtuan nga një turmë prej disa mijra vetësh, me origjinë nga viset bregdetare ose nga Tirana, të cilët ishin të vendosur me çdo kusht të mbrrinin në brigjet përballë. Në më pak se një muaj, mes 20 shkurtit dhe 10 marsit, pothuaj 20.000 vetë zbarkuan në portet italjane, nga të cilët 4.500 vetëm gjatë një dite të vetme, në 7 mars. Bota mbarë u prek nga pamjet e atyre vargjeve njerëzore të kacavjerrura në direkët deri edhe në litarët e anijeve, të atyre boat-people shqiptarë, por autoriteteve italjane ju desh të ndërhynin shpejt. Duke marrë me mend se së shpejti, tre million e gjysëm shqiptarë priteshin të zbarkonin në brigjet italjane për të pushtuar vendin e tyre të bukur, ata ngritën më këmbë një dispozitif kthimi mbrapsht, aq më tepër që një valë e re prej 20.000 të porsaardhurish preku brigjet puljeze gjatë muajin gusht. Me qëllim që të sigurohej dhe të qetësohej një opinion publik italjan ksenofob më tepër se kurrëherë, policia dhe ushtria të veshura si për luftë bllokuan portet dhe turmat u shtynë dhe u mbyllën në stadiumet lokale. Në 15 gusht, më tepër se 15.000 rrefugjatë shqiptarë u kthyen mbrapsht në vendin e tyre.
. Por ndërkohë, lajmi i zbulimit të Italisë ishte përhapur në vend me shpejtësinë e dritës dhe asnjeri nuk donte të dëgjonte lidhur me rrezikun e kthimit mbrapsht. Me mijra vetë nga thellësia e vendit u lëshuan bregut të detit, me shpresë të gjenin në mjet për t’a kapërcyer. Kjo lëvizje vajtje – ardhje vazhdoi gjatë gjithë vitit 1991 dhe vitit në vazhdim, duke u shëndrruar në një burim shqetësimi për Italinë dhe mbarë Evropën. Përfundimisht, Shqipëria ja arriti të eksportonte varfërinë e saj dhe të shtronte përpara botës problemet e saj të brendshme.
.
. Përballë turrit shkatërrues dhe ikjes anarqike, qeveria nuk mori asnjë masë. Ajo nuk ishte në gjendje as edhe të vlerësonte shtrirjen e dëmeve të shkaktuara ndaj pasurisë publike dhe ekonomisë, e paralizuar siç ishte nga pritja e pashpresë dhe e çorganizuar në të gjithë nivelet e saj. Reaksioni i PPSH ishte edhe më i ngathët : një pjesë e antarëve të saj filluan të dorëzonin triskat e antarësisë ndërkohë që udhëheqja e lartë ishte aq larg kësaj lëvizjeje masive saqë ajo s’arrinte të kuptonte çfarë po ndodhte, si ishte e mundur që njerëzit të vepronin në këtë mënyrë pas gjithë ato vite inkuadrimi dhe indoktrinimi. Sidoqoftë, Alia u mundua të shpëtonte pjesën më të madhe të strukturave, duke shumëfishuar thirrjet ndaj popullatës për të rigjetur qetësinë si dhe ndaj komunistëve për të shtrënguar fort rradhët e tyre. Përveç disa rasteve të rralla të frikësimit dhe të shprehjes së forcës, pothuaj në asnjë rast përgjatë kësaj periudhe të turbullt dhe kaotike, ai nuk u tundua nga përdorimi i mjeteve të shtrëngimit ose të dhunës. Ndoshta ngaqë nuk ishte i sigurt për shkallën e bindjes së trupave të tij ; më vonë ai do të thotë se nuk kish dashur të shkaktonte një gjakderdhje popullore (shënimi 2). Ose krejt natyrshëm, duke u munduar të kufizonte sa më tepër dëmet në rradhët e forcave të tij, ai priste largimin e baticës së hakmarrjes, rënien e dallgës shkatërrimtare. Ndërkohë, ai përgatitej për përplasjen e ardhshme me opozitën. Të gjitha këto variante qëndrojnë dhe shpjegojnë qëndrimin e Presidentit Sekretar të Parë. Përfundimisht, ushtria nuk bëri asnjë lëvizje. Ajo u mjaftua të rrethojë godinat qeveritare dhe selitë lokale të PPSH. Sigurimi aq i druajtur kish hyrë shtatë pashë nëndhe dhe policia nuk dukej gjëkundi.
.
.
. -------------------------------------
.
.
. (1) Gjatë disa ditëve, zhurma e një grushti shteti që po përgatitej nga ushtarakët qarkulloi përmes turmës së manifestuesve. Ndërkohë që kundër-manifestimet e para me frymëzim komunist zhvilloheshin në Tropojë nën drejtimin e një " Bashkimi të Vullnetarëve të Enverit ", të themeluar në 12 shkurt prej Hysni Milloshit – një poet komunist i orëve të fundit, gjatë mbrëmjes së 20 shkurtit, Presidenti Alia deklaroi krijimin e Këshillit Presidencial, një instancë konsultative e ngarkuar të administrojë krizën. Ndërkohë, ushtarakët deklaronin krijimin e një " Komisioni iniciator të Lëvizjes për Mbrojtjen e institucioneve popullore dhe të Atdheut ", i cili kërkoi mbajtjen e një referendumi lidhur me çështjen Hoxha si dhe aplikimin e dekretit ministror për mbrojtjen e monumenteve historikë dhe kulturorë. Një takim i mbajtur mes liderëve të opozitës dhe ushtarakëve u mbyll pa dhënë asnjë rezultat dhe manifestuesit rrethuan Shkollën e Bashkuar të Oficerëve të Tiranës. Përplasjet mes civilëve dhe ushtarakëve shkaktuan 4 të vrarë. U desh ndërhyrja e Presidentit Alia për të qetësuar shpirtrat : ai takoi oficerët e lartë në sallat e Ministrisë së Brendshme dhe kundërshtoi me forcë çdo ide të një ndërhyrjeje nga ana e tyre si dhe hodhi poshtë kërkesat e tyre lidhur me vendosjen e gjendjes së shtetrrethimit në vend. Mbi këtë çështje, shih : Halit DACI - The impact of democratic changes in the Albanian army, NATO Democratic Institution Research Fellowship, Tirana 1999.
.
. (2) Ramiz ALIA – Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë. Ed. Zëri Prishtinë, 1992.

0 comments:

 
Përjetësisht të Panjohur